29.5 C
Tirana
E premte, 18 Korrik, 2025

Eksportet gjermane nuk do të ndalen

Eksportuesit gjermanë janë aktualisht tepër të sigurt për perspektivat e shitjes së prodhimeve të tyre. Rezultatet e një sondazhi të Institutit të Kërkimeve Ekonomike IFO në Mynih tregojnë se indeksi i perspektivave të biznesit të kompanive gjermane arriti në maj nivelin më të lartë që nga janari 2014.
“Eksportet gjermane vazhdojnë të rriten”, tha drejtori i institutit IFO Clemens Fuest. “Më i madh optimizmi është në sipërmarrjet e industrisë së veshjeve”.
Edhe sipërmarrjet e sektorit të prodhimeve të makinerive kanë marrë shumë më tepër porosi nga jashtë. Indeksi i tyre arriti këtë vit nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2011. Kurse në sektorin e industrisë elektrike dhe elektronike ka pasur një lloj uljeje.

Ankesat e Trumpit
Presidenti amerikan, Donald Trump u ankua gjatë një takimi me përfaqësues të Bashkimit Evropian sërish për suficitin tregtar gjerman, i cili sipas mendimit të tij është tepër i lartë.
“Gjermanët janë të këqinj, tepër të këqinj”, me këto fjalë e citon presidentin amerikan revista “Spiegel Online” duke iu referuar pjesëmarrësve në takim. “Shikoni miliona makinat që ata shesin në SHBA. E tmerrshme”.
Bilanci i tregtisë mes Gjermanisë dhe SHBA-së është negativ për SHBA-në. Deficiti vitin e kaluar ishte rreth 65 miliardë dollarë – një fakt për të cilin Trumpi dhe këshilltarët e tij ankohen në mënyrë të përsëritur. Blerjet nga Gjermania kapën shifrën 114 miliardë dollarë, kurse shitjet e produkteve nga SHBA-ja në Gjermani kapën vlerën 49 miliardë dollarë.
SHBA-ja është tregu më i madh për produktet gjermane. Veçanërisht të kërkuara janë makinat, makineritë dhe produktet e industrisë farmaceutike.
Trumpi nuk është i vetmi që është ankuar për suficitin gjerman. Edhe Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe presidenti francez Emmanuel Macron e kanë kritikuar suficitin tregtar gjerman.

Në kujtim të Brzezinski: Europa më e zgjeruar i vjen për shtat edhe Moskës

– Kur ju ishit këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Jimmy Carter, Moska ishte kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik. Tani është vetëm i Rusisë. Por a bëhet fjalë gjithmonë për kryeqytetin e një superfuqie?
Brzezinski: Në nivel strategjik, po të flasim nga pikëpamja ushtarake, Rusia është ende një superfuqi, por në nivel taktik nuk është më. Nuk është as edhe nga pikëpamja ekonomike, financiare dhe kulturore. I mungon në mënyrë të veçantë dimensioni global i superfuqisë.

– Ministri i Jashtëm rus, Yevgenij Primakov pëlqen të përsërisë se nevojitet një “pluralizëm gjeopolitik”, një mënyrë për të thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë superfuqia e vetme. Bini dakord me të?
Brzezinski: Që Shtetet e Bashkuara janë aktualisht superfuqia e vetme në botë është një e dhënë faktike dhe nuk e shikoj se çfarë mund të bëjë Primakov që ta pengojë. Me kalimin e kohës ndoshta do të shfaqen edhe superfuqi të tjera dhe midis këtyre sigurisht mund të shpresojë që të jetë Europa, se ndoshta do të shfaqet Japonia, Kina, Rusia dhe India. Por shfaqja apo jo e një superfuqie varet nga niveli i zhvillimit të tyre politik dhe ekonomik.

– Besoni se disa projekte rindërtimi të perandorisë ruse që, si plani Surikov, parashikojnë riintegrimin në Federatën aktuale të pjesëve të ish-Bashkimit Sovjetik, u kushtojnë vëmendje interesave jetike të Shteteve të Bashkuara? Dhe në një rast të tillë, si duhet të reagojë Uashingtoni?
Brzezinski: Për momentin Rusia nuk e kërcënon sigurinë tonë dhe kështu që mendoj se duhet bërë çdo përpjekje me qëllim që të integrohet në bashkësinë ndërkombëtare dhe sidomos me qëllim që të forcojë lidhjet me Europën. Rindërtimi eventual i perandorisë ruse mund të influencojë negativisht mbi interesat amerikane nëse kjo do të ndodhte nëpërmjet shtrëngimit. Përdorimi i forcës do të nënkuptonte që Rusia është bërë një diktaturë me karakter nacional–shovinist dhe si e tillë, do të ishte një kërcënim për fqinjët e saj. Për pasojë, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin pluralizmin gjeopolitik në hapësirën ish-sovjetike dhe mënyra më e mirë për ta favorizuar është që të mbështeten shtetet e rinj të pavarur që synojnë të mbesin të tillë.

– Por riintegrimi i Bjellorusisë në Federatë duket tashmë një fakt i kryer. Është preludi i rikthimit të Ukrainës dhe Kazakistanit? Ku duhet të vendosë Perëndimi një limit dhe si ta bëjë një gjë të tillë?
Brzezinski: Në mënyrë shumë të thjeshtë, limiti duhet të jetë kufiri i shteteve të pavarura që dëshirojnë të mbesin të tillë. Ky objektiv është në përputhje me konceptin e pluralizmit gjeopolitik që duhet të favorizojë Perëndimi. Vetëm në këtë mënyrë Rusia mund të bëhet një shtet kombëtar normal europian, duke i braktisur ambiciet perandorake.

– Sipas jush, cili ka qenë gabimi më i madh i bërë nga Perëndimi kundrejt Rusisë në epokën e rënies së Murit? Për shembull, e mendoni korrekte qasjen e njerëzve që mbështesnin “terapinë e shokut” në fushën ekonomike?
Brzezinski: Sipas mendimit tim – dhe këtë unë e kam shkruar tashmë qysh më parë – zbatimi në mënyrë mekanike i “terapisë së shokut” në Rusi ka qenë një gabim. Nuk ekzistonin as kushtet politike dhe as ato ekonomike për zbatimin e një terapie të tillë. Tentativa për të imponuar modele perëndimore ka shkaktuar një reagim të natyrshëm antiperëndimor.

– Kështu që nuk është aspak rastësi që të gjithë liderët properëndimorë rusë herët apo vonë bëhet jopopullorë apo tentojnë që të ndryshojnë opinion?
Brzezinski: Reagimi antiperëndimor dhe antidemokratik në Rusi ishte pothuajse i pashmangshëm. Në fund të fundit, shembja e fuqisë sovjetike nënkuptonte fundin e hegjemonisë ruse. Kjo ka shkaktuar një dozë të mirë frustrimi dhe mërie.

– Në elitat ruse duket e përgjithshme antipatia ndaj zgjerimit të NATO-s. Në Moskë ka që theksojnë se Uashingtoni do ta përdorë zgjerimin e Aleancës në funksion antirus, ashtu si në kohën e tij projekti i Mburojës Yjore u përdor kundër Bashkimit Sovjetik: për të ushqyer një garë armatimesh që do të minonte themelet e ekonomisë dhe të Rusisë si shtet. Në qoftë se nuk është ky qëllimi, cila është arsyeja e zgjerimit?
Brzezinski: Elita ruse është shumë e preokupuar nga NATO sesa opinioni publik. Sondazhet e opinionit lidhur me çështjen e zgjerimit demonstrojnë se shumicës së rusëve gjëja nuk u intereson kushedi se çfarë. Në thelb, kundërshtimi i elitës mbështetet mbi aspirata të thella prej fuqie. Ekspansioni i Europës nënkupton se Moska do të ketë më pak mundësi që të vendosë një predominim gjeopolitik në Europën Qendrore. Sipas mendimit tim, duhet proceduar me ekspansionin e Europës, por ndërkohë duhet qartësuar se zgjerimi i NATO-s nuk bëhet në funksion antirus, por se në fakt finalizohet në ndërtimin e një strukture të vlefshme sigurie për Europën. Ndërtimi i entitetit kontinental të Europës nuk mund të ndalet në kufijtë arbitrarë dhe anihistorikë të vendosur në vitin 1945.

– Sipas jush anëtarë të ardhshëm të NATO-s si puna e Polonisë duhet të jenë pjesë me titull të plotë në klubin atlantik?
Brzezinski: Po.

– Disa sondazhe të kohëve të fundit në Europën Qendrore tregojnë se opinionet publike të këtyre vendeve janë të interesuar në një integrim eventual në NATO, por janë shumë pak të prirur të dalin në fushë për t’u mbrojtur reciprokisht në rast agresioni. Mendoni se është e mundur që çekët të luftojnë për polakët dhe anasjelltas?
Brzezinski: NATO-ja është një strukturë sigurie kolektive dhe është për këtë që amerikanëve nuk u kërkohet nëse janë të gatshëm apo jo të vdesin për Anadollin, por nëse a janë të gatshëm ta bëjnë për sigurinë e përbashkët të Europës dhe të Amerikës. I njëjti diskutim duhet t’i zbatohet Europës Qendrore, sidomos nëse Europa një ditë do të bëhet vërtet Europë.

– A mendoni se, siç thoshte Lordi Ismay, objektivi themelor i NATO-s është ai i mbajtjes së rusëve jashtë, të amerikanëve brenda dhe të gjermanëve poshtë? Nuk mund të mendohet në thelb se i gjithë operacioni i zgjerimit është edhe një mënyrë për të kontrolluar dhe kufizuar fuqinë gjermane në Europën Qendrolindore? Në këtë rast a mund të ketë një përkim interesash me rusët, nuk besoni?
Brzezinski: Qëllimi i NATO-s është ai i krijimit të një sistemi sigurie më të gjerë të mundshëm në paralel me rritjen e një Europe më të madhe. Ata që i kundërvihen zgjerimit të NATO-s janë në fakt po ata që favorizojnë një Europë të cunguar, të cilës disa pjesë do t’i mbesnin pak të sigurta, të përshkuara nga spazma etnike dhe të ekspozuara ndaj ambiciesh perandorake. Një Europë më e zgjeruar, politikisht më e bashkuar dhe e lidhur nëpërmjet një sistemi sigurie me Amerikën, do të eliminonte në fakt problemin e vjetër të fuqisë gjermane dhe do të krijonte bazat për një sistem marrëdhëniesh me Rusinë të qëndrueshëm dhe reciprokisht të sigurtë. Me pak fjalë, Europa e zgjeruar është fitimprurëse jo vetëm për europianët, por edhe për amerikanët e për rusët, për sa u përshtatet nevojave të sigurisë të të gjithëve.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

9 ditët e vizitës së parë të Trump jashtë SHBA si President

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer deklaroi përmes Twitter-it se udhëtimi i parë jashtë vendit i Presidentit Donald Trump ishte shumë i suksesshëm, ndërsa presidenti amerikan kishte marrë rrugën e kthimit pas “9 ditëve me shumë produktivitet”, siç u shpreh zëdhënësi.
Vetë Presidenti Trump u tha trupave amerikane në Siçili se, me këtë udhëtim ai i kishte forcuar lidhjet me aleatët europianë.
Por reagimi i udhëheqësve dhe mediave europiane për udhëtimin e presidentit amerikan nuk ka qenë ashtu siç e karakterizoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.
Në kryeqytetet kryesore europiane, Berlin dhe Paris, fjala “sukses” nuk u përmend askund. Zyrtarët europianë thonë se, aleatët e transatlantikut nuk janë tani më të bashkuar se sa kur ishin para fitores së Donald Trumpit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu hapur shqetësimin se aleanca tradicionale mes vendeve të Perëndimit është e rrezikuar, si nga Presidenti Trump, edhe për shkak të Brexit-it.
Duke folur në një miting në Gjermani ajo tha se, “Koha kur ne mund të mbështeteshim plotësisht tek njëri-tjetri duket se ka marrë fund, diçka që e kam vënë re ditët e fundit”. Sipas një pikëpamjeje të shprehur gjerësisht në shtypin europian, Uashingtoni nuk është përsëri aleati i afërt ku mund të mbështetesh. Gjatë gjithë javës, titujt e lajmeve të gazetave europiane nuk kanë qenë të njëjta me ato të Shtëpisë së Bardhë lidhur me takimet e zhvilluara.
Gazeta belgjiane “Le Soir” kishte si titull në faqe të parë: “Trump shtyn me forcë aleatët”. Gazeta financiare gjermane “Handelsblatt” i vuri atij nofkën “kryeharbuti”.
Europianët patën shpresuar që vizita e zotit Trump të shënonte një lloj rikuperimi të marrëdhënies transatlantike, të vështirësuar nga zgjedhja e tij; ata prisnin që presidenti amerikan t’i shikonte zhvillimet botërore edhe nga këndvështrimi i tyre.
Por që nga Brukseli e deri në Siçili, analistët thonë se pati “buzëqeshje të ngrira” dhe “mendime të ndryshme” për një numër çështjesh, si tregtia, imigracioni, sanksionet ndaj Rusisë dhe ndryshimet klimatike. Gazeta franceze “Le Monde” shkruante: “Gjatë vizitës së tij të parë jashtë vendit, Presidenti Trump ju përmbajt linjës së tij ‘Amerika first’- ‘Amerika e Para’, duke refuzuar të merrte hapa për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës”.
Artikulli e gjykon të gabuar mungesën e një deklarate nga zoti Trump për të ritheksuar Artikullin e 5-të të NATO-s, që garanton ndihmë reciproke në rastin e një sulmi ndaj një vendi anëtar dhe për kërkesën e tij ndaj udhëheqësve europianë për ndarjen e barrës së përbashkët financiare.
Gazeta gjermane “Der Spiegel” publikoi një fotografi të takimit të Presidentit Trump me presidentin e ri francez, Emmanuel Macron, ku të dy burrat duken duke shtrënguar duart si në një ndeshje mundjeje, një metaforë vizuale e udhëtimit europian të presidentit amerikan. Komenti për fotografinë, ishte se të dy burrat i treguan forcën njëri-tjetrit. Media të tjera europiane i kushtuan vëmendje të veçantë momentit kur zoti Trump e shtyu kryeministrin malazez, Dusko Markoviç, për të dalë në rresht të parë, gjatë fotografimit me udhëheqësit e NATO-s.

Murinjo: I uroj Juves të bëjë “Tripletë”

Zhoze Murinjo ka qenë një mes “VIP”-ve të pranishëm në Çmimin e Madh të Monte Carlos, gara e djeshme për Formula 1, e cila pa Ferrarin të fitonte, madje të vinte të dyja makinat në dy shkallët e para të podiumit.
Trajneri i Mançester Junajtid, i freskët nga fitorja e Ligës së Europës, nuk ka mundur që t’u shmanget gazetarëve italianë të pranishëm, të cilët kanë dashur që t’i marrin një opionin në lidhje me finalen e madhe kontinentale, Ligën e Kampioneve.
“Juventus-Real Madrid? Do të jetë një finale e bukur, e gjitha për t’u shijuar mes dy ekipeve që kanë qenë më të fortat të turneut. Juventusi kërkon tripletën si Interi im? Do të ishte bukur, sepse të fitosh gjithçka në një sezon është diçka që nuk ndodh gjithmonë.
Pavarësisht se kanë qenë rivalë, unë ia uroj që ta përjetojnë atë emocion. Dhe më pas i pres në Superkupën e Europës për t’u përballur së bashku”, u shpreh portugezi.

Higuain: Erdhi momenti ta fitojmë

Gonzalo Higuain ka bindjen se Juventusi do të arrijë të fitojë Ligën e Kampioneve, që i ka munguar prej vitesh klubit, por edhe atij personalisht, pasi argjentinasi nuk ka mundur ta bëjë të tijën me fanellën e Realit e aq më pak me atë të Napolit.
“Kjo është ndeshja më e bukur që mund të luajë një futbollist”, tha Higuain sot para gazetarëve. “Po stërvitemi në mënyrën e duhur, pasi duam ta mbyllim këtë sezon, duke fituar Ligën e Kampioneve, që do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Pres një ndeshje shumë të komplikuar, sepse ata janë mësuar të luajnë sfida të tilla”.
Argjentinasi ka qenë për disa vite pjesë e madrilenëve, por tani ëndërron që t’i mundë ata. “Unë kam qenë për 7 vite atje dhe e di mirë se si luajnë, por shpresoj që të arrijmë të sjellim në shtëpi këtë trofe që Juventusi po e ndjek prej shumë vitesh. Alegri ka thënë që është momenti ta fitojmë Ligën e Kampioneve dhe jam dakord, pa dyshim që ka ardhur momenti i duhur.
Prej 10 muajsh po punojmë për këtë objektiv, shpresojmë që të gjitha këto sakrifica të shpërblehen me një fitore. Do të jepja gjithçka për një gol në finale. Deri tani kemi fituar dy tituj, por shpresojmë të sigurojmë pas pak ditësh edhe një tjetër shumë të bukur”, theksoi Higuain.

Bufon: Jemi favoritë

Xhanluixhi Bufon ëndërron që të ngrejë të vetmin trofe që i mungon karrierës së tij, të shtunën e ardhshme, në Kardif. Portieri i Juventusit është një legjendë, por Champions-i do të plotësonte palmaresin e tij, përveçse do ta shenjtëronte si një prej kampionëve dhe fituesve më të mëdhenj që ka parë historia e futbollit.
“Më ka shpëtuar dy herë ky trofe nga duart, shpresoj që këtë herë të jetë i imi”. Në një intervistë për “Daily Star”, numri 1 i bardhezinjve tregon disa nga emocionet e kësaj pragsfide dhe karrierës së tij. “Gjëja që më transmeton më shumë sodisfaksion dhe emocion, duke bërë rolin e portierit është ajo ndjesia e të transmetuarit qetësi te skuadra. Ata e dinë se në fund, edhe pas tyre ka gjithmonë një tjetër që do të mbrojë edhe goditjen e fundit dhe kjo është diçka që u jep forcë të gjithë shokëve të mi. Ne jemi një skuadër shumë e qetë sivjet dhe me një mentalitet të fortë. E dimë tashmë, se cilat do të jenë vështirësitë me të cilat do të përballemi. Instinkti im në fushë? Shpeshherë bëj atë që ndiej për momentin, sepse jo të gjitha ndeshjet të japin të njëjtën adrenalinë dhe të përfshijnë”, u shpreh Bufon.
Në lidhje me aventurën e tij në këtë sport, 39-vjeçari është i lumtur. “Jam me fat që kam pasur një karrierë kaq të gjatë. Kam pasur për detyrë që të marr shumë vendime dhe të gjitha i kam marrë, duke u bazuar te gjendja ime emocionale dhe mënyra e të jetuarit. Prandaj, rikthimi në një finale të Champions-it së bashku me skuadrën dhe tifozët, është diçka vërtet fantastike dhe këtë herë dua të fitoj. Nuk më mjafton më të marr pjesë”.
Fakti se Reali i Madridit ka humbur vetëm dy finale të Champions-it, ndërsa Juventusi gjashtë, kjo nuk e frikëson Bufonin. “Një avantazh fakti i të mos qenit favorit? Nuk e di… Ndoshta të jep më shumë sodisfaksion fitorja, duke u etiketuar si i tillë, por edhe të qenit favorit të bën të ndihesh mirë.
Me pak fjalë, nuk kam preferenca në lidhje me këtë aspekt. Çfarë fjalësh do t’u them shokëve të ekipit përpara se të zbresim në fushë? Të shohim, tashmë jam një ekspert i të tilla monologëve (qesh)… Fakt është që të gjithë sivjet kemi vetëbesimin e duhur, njohim forcën dhe limitet tona, prandaj do t’i përdorim të gjitha këto për të fituar”, përfundoi Bufon.

Costa: Iki nga Chelsi vetëm për Atleticon

Diego Costa do ta linte Chelsea-in vetëm për Atleticon e Madridit. Në  muajt e fundit është folur shumë për një kalim të mundshëm të sulmuesit brazilian që luan për përfaqësuesen spanjolle në kampionatin kinez, por vetë bomberi 28-vjeçar i ka mbyllur duart një transferimi në Lindjen e Largët në këtë fazë të karrierës. Diego Costa, i cili mbajti peshën e sulmi te Chelsea i Antonio Contes në këtë sezon, duke ndihmuar Blutë e Londrës të fitonin titullin në Angli me golat e tij, në një intervistë ka deklaruar se ai do të largohej nga ishulli vetëm nëse Atletico e Madridit do të kërkojë ta rikthejë në Primera Division.
“Është vetëm një skuadër që mund të largojë nga këtu, është vetëm një deklaroi fillimisht Diego Costa në një intervistë për mediat. Kam dhe dy vite kontratë me Chelsea-in dhe ndihem shumë mirë te ky klub, por për nëse Atletico do të interesohej për mua, do të isha i gatshëm ta largohesha për t’u rikthyer te Los Colchoneros, shtoi 28-vjeçari.  E gjithë bota e di që Atletico e Madridit është skuadra e zemrës për mua nënvizoi në përfundim Diego Costa. Nuk do të ishte aspak çudi, nëse këtë verë do të ishte pikërisht sulmuesi i përfaqësueses spanjolle goditja e madhe e Los Colchoneros në merkato.

Gashi, asist në fitoren e Colorados

Shkëlzen Gashi sërish përcaktues në Major League Soccer. Për meritë edhe të futbollistit shqiptar Colorado Rapids  mori një tjetër fitore të rëndësishme. Këtë herë, Gashi nuk arriti të realizonte një dygolësh siç ndodhi në derbin shqiptar ndaj  San Jose-së së Jahmir Hykës, por dha asistin e golit të fitores 1-0 për Coloradon në sfidën ndaj Sporting Kansas City-it. Gashi, i cili këtë sezon aktivizohet në rolin e mesfushorit të krahut të djathtë e ka disi më të vështirë të shkojë rregullisht te goli, megjithatë kuqeziu është padiskutim frymëzuesi i çdo aksioni sulmues të skuadrës së trajnerit Pablo Mastroeni. Në minutën e 11-të, Gashi me një harkim perfekt nga një goditje standarde gjeti të lirë në zonë, Ford, i cili me kokë realizoi golin e suksesit për Colardon që me fitoren ndaj Kansas City-it u ngjit në kuotën e 10 pikëve, por për momentin, Rapids pozicionohen ende në vendin e fundit të Konferencës së Perëndimit. Nuk mundi të evitonte dot humbjen e skuadrës së tij Jahmir Hyka. Shtatshkurtri shqiptar luajti titullar në sfidën mes San Jose Earthquakes dhe Los Angeles Galaxy. Në derbin kalifornian ishin miqtë ata që triumfuan me shifrat 2-4, me Hykën që nuk arriti të linte shenjë në këtë sfidë.

Montella: Donnarumma do rinovojë

Te Milani mëngjesin e të shtunës u zgjuan me çështjen Donnarumma pas deklaratave të menaxherit Mino Raiola, por për të ulur disi tonet dhe për të qetësuar tifozët kuqezinj ka menduar trajneri Vincenzo Montella që disa orë më pas, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Cagliarit i ka siguruar të gjithë se, portieri i talentuar do të vazhdojë të jetë pjesë e Milanit. Në krahun tjetër Mino Raiola menaxheri i lojtarit ka nënvizuar se me parametër zero ai nuk largon askënd, duke shtuar gjithashtu se kurrë nuk ka thënë që Donarumma nuk dëshiron të rinvojë me Milanin, rinovim që sipas trajnerit Montella do të vijë.
“Gigio është një pasuri për klubin dhe mbi të gjitha një pasuri dhe një siguri për skuadrën. Donarumma është një lojtar i pashitshëm për ne. Shpresoj që djaloshi të rinovojë sa më shpejt në mënyrë që të shkojë i qetë me pushime”.
Për të ardhmen e tij, Montella nuk ka dyshime, pasi ka marrë konfirmimin nga drejtuesit që do të jetë ai trajneri i Milanit edhe sezonin e ardhshëm. Me vendin e 6-të matematikisht të arritur, trajneri italian i bëri edhe një bilanc sezonit të kuqezinjve.
“A kisha frikë se nuk do ta arrinim dot kualifikimin në kompeticionet europiane? Jo aspak, madje përpara disa javësh kisha bindjen se do ta përfundonim sezonin në vendin e 4-t. Mendoj se kemi zhvilluar një sezon pozitiv. Kemi patur një grup të bashkuar dhe futbollistë që kanë dhënë shpirtin në fushë.

City realizon goditjen e dytë

Benfica's Brazilian goalkeeper Ederson Moraes in action during the Premier League 2016/17 match between FC Porto and SL Benfica, at Dragao Stadium in Porto on November 6, 2016. (Photo by Paulo Oliveira / DPI / NurPhoto via Getty Images)

Manchester City gjen pasuesin e Claudio Bravo. Në fillim, Citizens kishin vendosur në qendër të vëmendjes portierin e Milanit, Gianluiggi Donnarumma, por tashmë kuqezinjtë mund të rrinë të qetë, pasi skuadra angleze ka arritur të transferojë gardianin e portës së Benficës, Ederson. 23-vjeçari ka mbërritur në Angli dhe pritet të zhvillojë vizitat mjeksore e më pas do të bëhet dhe zyrtarizimi nga ku do të merren vesh detaje nga kontrata e tij.
Në arkat e klubit portugez do të shkojnë 50 milionë euro, një shifër rekord kjo për brazilianin, që e përfshin atë në listën e portierëve më të paguar. Pasi arritën të transferonin Bernardo Silva nga Monaco, kjo është goditja e dytë  në merkato për Man.City edhe pse dritarja e transferimeve ende nuk është hapur. Pep Guardiola kërkon ta mbyllë sa më shpejtë çështjen e përforcimit të skuadrës në mënyrë që të nisë fazën përgatitore me të gjithë organikën në dispozicion.
Transferimi i Ederson konsiderohej mëse i domosdoshëm, pasi Claudio Bravo nuk i ka përmbushur pritshmëritë e teknikut katalanas, kjo për shkak të gabimeve të shumta nga ana e kilianit dhe me Joe Hart që pritet të vazhdojë aventurën e tij tek Torino. Edhe pse rreziku i Man.City për të rrëmbyer Donnarummën ka kaluar, Milani vazhdon të qëndrojë në gjendje ankthi, pasi ekipi tjetër i Manchesterit, United pritet t’i largohet gjatë verës gardiani i tyre, David De Gea dhe emri që ofron më tepër garanci për “Djajtë e Kuq” është ai i portierit të kuqezinjve.