Milan e mbylli me humbje sezonin e Serie A, pavarësisht se ajo e regjistruar në Cagliari nuk është një nga ato disfata që dhemb me kuqezinjtë që kishin siguruar Europën që një javë më parë. Ekipi i Montelës u mund 2-1 në Sardenjë pas një ndeshje që dëfreu të pranishmit, teksa u vendos vetëm në minutën e 93-të nga goli i Piscanes.
Cagliari ashtu siç e mbylli ashtu dhe e kishte nisur sfidën teksa mori një epërsi të shpejtë pas vetëm 17 minutash me anë të Josao Pedros. Të zhveshura nga objektivat dy ekipet luajnë lirshëm dhe Milani pati mundësinë për të barazuar në të 63-tën me Baccën, por ky i fundit shpërdoroi një 11-metërsh. Gjithsesi pas 9 minutash një tjetër penallti e dhënë në favor të kuqezinjve nuk u shpërdorua më nga Lapadula, që barazoi provizorisht shifrat përpara se Piscane t’i jepte fitoren sardëve dhe një mbyllje të bukur të një kampionati përgjithësisht të qetë për Cagliarin, ndërsa Milani sezonin e ardhshëm do të luajë në Europa League.
Milani e mbyll me humbje
Tuchel drejt largimit, s’e “shpëton” as Kupa
As fitimi i një trofeu të rëndësishëm siç është Kupa e Gjermanisë nuk mjafton për të shmangur lamtumirën. Trajneri i Borussias së Dortmudit, Thomnas Tuchel është vetëm një hap largimit nga verdhezinjtë për shkak të mosmarrëveshjeje që ka me drejtuesit e klubit dhe marrëdhënieve të tensionuara që ka krijuar me disa lojtarë. Pas 2 vitesh në krye të ekipit, ku pasoi Jurgen Klopp, 43-vjeçari pritet të ndërpresë bashkëpunimin me klubin.
Në fakt pas triumfit në finalen e Kupës së Gjermanisë me Aintrahtin e Frankfurtit Tuchel priste të konfirmohej nga drejtuesit. Ai dëshironte të paktën respektimin deri në fund të kontratës. Gjatë dy sezoneve me Tuchelin trajner verdhezinjtë nuk kanë mundur të rivalizojnë me Bayernin për titullin e Bundesligës.
Për të gjykuar punën e trajnerit duhen analizuar me kujdes edhe lëvizjet në skuadër. Vitin e kaluar klubi fitoi shumë financiarisht nga shitja e Hummels, Gundogan dhe Mikhitarian, por humbi shumë cilësi dhe eksperiencë. Gjithsesi rezultat kanë qenë më të mira se një vit më parë dhe sigurisht trofeu i Kupës së Gjermanisë është një armë e fortë për Tuchel për t’u mbrojtur nga kritikat.
Spastrime te Barça

Ernesto Valverde do të jetë trajneri i ardhshëm i Barcelonës dhe për këtë nuk ka dyshime. Klubi katalanas ka marrë vendimin për t’ia besuar 53-vjeçarit ringritjen e klubit pas një sezoni që mund të quhet i dështuar.
Gazeta spanjolle “AS” ka publikuar një analizë, në të cilën renditen të gjithë lojtarët që janë të paprekshëm, por edhe ata që shihen në dyshim. Interesant është fakti që në listën e futbollistëve që mund të largohen nga Barcelona në merkaton e verës janë atë që u afruan në merkaton e kaluar. Trajneri Valverde ka bërë edhe një listë të gjatë të futbollistëve që kërkon të afrojë në merkato dhe shihet qartazi që reparti ku duhen ndërhyrje në kampin katalanas është mesfusha.
Ter Shtegen, Silesen, Pike, Umtiti, Buskets, Serxhi Roberto, Mesi, Nejmar, Suarez, Maskerano dhe Iniesta. Janë 11 futbollistët që do të qëndrojnë me siguri edhe për sezonin e ardhshëm. Këta janë futbollistët që kanë histori me skuadrën katalanase.
Për dy të fundit, Maskerano dhe Iniesta vlen një tjetër diskutim. Nëse duan të largohen për shkak të moshës, drejtuesit do t’u japin leje, edhe pse dëshira është që të vazhdojnë të qëndrojnë.
Shumë nga futbollistët e afruar në këtë merkato mund të largohen sepse nuk kanë bindur aspak dhe nuk e ndihmuan ekipin për të siguruar objektivat. Barcelona u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe nuk arriti të triumfonte në kampionat, edhe për faktin se në stolin e rezervave nuk kishte lojtarë të aftë për të bërë diferencën sa herë futeshin.
Zheremi Matjë dhe Arda Turan ishin zhgënjimet më të mëdha të Barcelonës në këtë sezon dhe me shumë mundësi nuk do të jenë pjesë e ekipi të ardhshëm të Valverdes. Të dy do të largohen për të nisur ndonjë tjetër aventurë, bashkë me ta edhe Masip.
Lista është e gjatë, por vihet re që lojtarët që po kërkon Barcelona janë në repartin e mesfushës. Ander Herrera është ëndrra e madhe, ndërkohë që lista e dëshirave plotësohet me Kutinjon, Vitolon dhe Verratin. Ky i fundit duket shumë i vështirë për t’u arritur.
Ndërkohë, Juan Carlos Unzue, tashmë ish-ndihmësi i Luis Enriques te Barcelonës, është emëruar trajner i ri i Celta Vigos. Lajmin e ka bërë të ditur klubi spanjoll përmes sajtit zyrtar. Unzue shihej si pasardhës i Enriques te Barcelona, por duket se është Neymar ai që ka prishur gjithçka, që sipas mediave spanjolle u kishte thënë drejtuesve të klubit “ose ai, ose unë”. Ky vendim i Unzue vjen pasi Enrique nga kjo verë do të jetë pa klub, i cili ka thënë se dëshiron të pushojë para se të marrë drejtimin e ndonjë skuadre.
Skandal, personeli në fushatën e Ramës, Qendra Shëndetësore mbyllur
Emisioni investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News” ka bërë një vëzhgim të pjesëmarrjes së administratës në fushatën zgjedhore. Grupi i xhirimit ishte në Qendrën Shëndetësore 1 në Lushnje, ku stafi i këtij institucioni brenda orarit të punës kishte shkuar në një takim elektoral të Partisë Socialiste në qytetin e Fierit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Në fakt jashtë orarit të punës kjo është një gjë mëse e pranueshme dhe normale, por ajo që është shqetësuese është se takimi ishte brenda orarit të punës. Orari zyrtar i punës në këtë Qendër Shëndetësore është deri në orën 20:00 të mbrëmjes, por në orën 18:00 aty nuk kishte asnjë punonjës. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka nxjerrë një urdhër sipas të cilit ndalohen burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli të marrin pjesë në fushatën zgjedhore të qershorit. Por nga një kërkim i bërë në rrjetet sociale, rezulton se disa prej titullarëve të institucioneve kanë postuar disa nga aktivitetet elektorale, një pjesë e të cilave janë zhvilluar në orarin zyrtar të punës. Pak ditë më parë, gazeta denoncoi se si punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave me urdhër nga lart ishin nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS atje.
Edhe përfshirja e administratës në fushatë dënohet deri në 4 vite burg
Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet.
Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.
Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.
Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.
Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do të jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.
Konkretisht marrëveshja e 18 majit parashikonte ndryshimin e Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive. Sipas propozimit të PD-së, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga subjektet private, por vetëm nga financat publike. Megjithatë, kjo çështje është ende në diskutim mes palëve politike. Pas miratimit të kësaj pakete në Parlament, që do të jetë në funksion të zgjedhjeve të afërme, reforma zgjedhore do të pasohet nga një ndërhyrje më e thellë në legjislacionin elektoral, që pritet të nisë në muajin shtator dhe që synon rritjen e standardeve zgjedhore në Shqipëri.
Nishani vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” senatorin Bob Dole
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në kuadër të vizitës së punës në Uashington D.C zhvilloi një takim me senatorin amerikan, Bob Dole. Në një ceremoni të veçantë, në prani të ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Zonjës së Parë Odeta Nishani e të ftuarve të nderuar shqiptarë dhe amerikanë, kreu i shtetit vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, senatorit Robert (Bob) Dole”. Në vijim kreu i shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë, si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euroatlantik të mbarë rajonit të Ballkanit”. “Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës. Për të gjitha këto kontribute, i nderuar senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e kreut të shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar! Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”, përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani. Shumë i emocionuar, senatori Dole e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.
Shoqata e Transportit kundër Veliajt: Abonetë do i njohim me dhe pa pullë
Pas njoftimit të Bashkisë Tiranë se abonentë me pullë nuk do të njihen, ka reaguar edhe Shoqata e Transportit Urban. Drejtori i Shoqatës, Ferdinand Ibrahimi, thotë se për 13 operatorët e shoqatës abonetë do të njihen njësoj. “Informojmë prapë të gjithë qytetarët e Tiranës, kushdo që blen abone të përgjithshme apo studenti, në të dy rastet aboneja është në rregull. Pra, nuk ka asnjë keqkuptim. Të gjitha abonetë, si me pullë, si pa pullë do të shiten. Këto që janë pa pullë është detyra jonë t’i shohim me kujdes që të mos falsifikohen abonetë sepse ka pak elementë sigurie”, tha Ibrahimi. Ibrahimi sqaron se sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak janë vetë operatorët ata që vendosin pullën si element shtesë sigurie për të evituar qarkullimin e aboneve false: “Gjithmonë kartonët bashkë me abonetë kanë qenë ose me shirit kartoni ose me pullë. Këtë muaj ne si shoqatë vendosëm pullën dhe e kemi nxjerrë për muajin qershor me pullë. Sipas vendimit që kemi ne me Bashkinë më 2013, pika e katërt thotë se kartoni ka elementë të sigurisë së kartonit do të jenë të ndryshueshme çdo muaj. Mund të jetë pullë rrethore, mund të jetë shirit, katror etj. Te pulla kemi shënuar qershor”.
Euro në ditën e shtatë të rënies, bizneset: Po shesim në valutë
Albana, e cila prej 15 vitesh këmben valutë pranë “Librit Universitar”, tregon se në tre muaj aktiviteti në pikën e saj të këmbimit është frenuar. Nivelet e ulëta të këmbimit euro/lek, për ata të cilët posedojnë valutë, ka bërë që individët të stepen dhe të presin momentin kur euro do të forcohet sërish. Por, monedha e përbashkët ka hyrë në ditën e shtatë radhazi të zhvlerësimit, ku dje këmbehej me 134.41 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Disa prej pikave të këmbimit valutor në kryeqytet pranojnë se si asnjëherë më parë në tregun vendas ka pasur tepricë në monedhën euro. I pyetur nga “Monitor”, Andi, operator në një nga pikat e këmbimit valutor thotë se u përballën papritur me mbiofertën e euros. “Brenda natës e gjetëm ofertën në valutë të pesëfishuar”, tha ai. Jo shumë larg pikës valutore të Andit, tregton prej vitesh Nardi Dimo, i cili tregon se muajt e fundit është shtuar numri i njerëzve që po blejnë me euro në dyqanin e tij. Unë kam vendosur një kurs fiks për klientët, thotë ai. Euron ua marr me 135 lekë (1 pikë më lart se pikat valutore) dhe mbase kjo është një faktor se pse nxiten të blejnë në valutë. Në të njëjtën ditë, një vit më parë euro këmbehej me 138.6 lekë, rreth 4 lekë më shumë. Niveli më të lartë gjatë 2017-ës euro e arriti në janar, kur u këmbye me 137.29 lekë, ndërsa nivelin më të ulët në 12 maj, datë në të cilën kapi nivelin më të ulët të nëntë viteve.
Zyra e KiE-së i ofron mbështetje KQZ për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri takoi kreun e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukrich. Qëllimi i takimit ishte bashkërendimi i projekteve që KQZ po zhvillon me mbështetjen e Këshillit të Evropës në plotësim të nevojave të KQZ-së për zgjedhjet e datës 25 qershor 2015. Duke e falënderuar për bashkëpunimin permanent, kryetari i KQZ-së, Klement Zguri e vlerësoi si shumë të rëndësishëm mbështetjen e organizmave ndërkombëtarë, si Këshilli i Evropës, për të arritur organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare dhe të besueshme jo vetëm nga faktori politik, por edhe nga qytetarët shqiptarë. Nga ana e tij, kreu i zyrës së Këshillit të Evropës Neukrich shprehu gatishmërinë e Këshillit të Evropës për të vijuar mbështetjen ndaj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Drejtori i burgjeve në fushatë, ministri i Drejtësisë e pezullon
Drejtori i Burgut Tropojë, Granit Kurmekaj është pezulluar dje nga detyra përmes një urdhri të posaçëm nga ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi. Shkak për këtë pezullim është bërë përfshirja e tij në fushatën zgjedhore, një akt ky i ndaluar tashmë nga ligji, me ndryshimet e miratuara dy javë më parë në Kuvend. Kjo masë, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të marra nëpërmjet fotove dhe videove, ku konstatohet përfshirja e Kurmekajt, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin. Njëkohësisht, ndaj tij është bërë kallëzim penal në Prokurori. Vendimi për pezullimin e tij është marrë nga ministri i ri i Drejtësisë i propozuar nga PD, Gazment Bardhi. Deri në sqarimin e rrethanave mbi këtë çështje, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar menjëherë pezullimin e përkohshëm nga detyra të drejtorit të IEVP Tropojë. “Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, pezulloi nga detyra drejtorin e IEVP në Tropojë, Granit Kurmekaj, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të përfshirjes në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor. Kjo masë, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të marra nëpërmjet fotove dhe videove, ku konstatohet përfshirja e Kurmekajt, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë. Për këtë qëllim, ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të Prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni zyrën e prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Granit Kurmekaj, me detyrë drejtor i IEVP Tropojë, ka kryer veprën penale të parashikuara nga neni 328/a të Kodit Penal. Deri në sqarimin e rrethanave mbi këtë çështje, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar menjëherë pezullimin e përkohshëm nga detyra të drejtorit të IEVP Tropojë. Ministri Gazmend Bardhi u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë rastet ku zyrtarë e punonjës të administratës përfshihen në fushatë elektorale, ndërsa shprehet se nuk do të tolerohet asnjë rast ku posti publik përdoret në favor të subjekteve publike. “Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në portalin elektronik në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë. Partia Socialiste ka nxjerrë gjithë administratën në fushatë elektorale. Të gjithë punonjësve u bëhet presion e shantazh se do të shkarkohen nga puna në rast se nuk bëhen pjesë e takimeve elektorale të PS. Institucionet publike pothuajse kanë stopuar funksionimin normal të punës, punonjësit nxirren me pahir nga zyrat për të mbushur takimet elektorale të Ramës. Një situatë e tillë po ndodh në të gjitha qytetet e vendit.
Donnarumma: Dëshiroj të rinovoj me kuqezinjtë
Gianluigi Donnarumma dëshiron të qëndrojë te Milani. Dy indicie sigurisht që ende nuk përbëjnë një provë, megjithatë tifozët kuqezi besojnë se 18-vjeçari i portës do të jetë për një kohë të gjatë numri 1 i tyre. Pas dashurisë që shfaqi për stemën e Milanit në “San Siro”, ja dhe fjalët konfirmuese të vetë adoleshentit të rritur para kohe me fanellën kuqezi.
“Unë shpresoj të qëndroj, sepse jam një milanist. Për rinovimin e kontratës do të mendojë menaxheri im”.
Pikërisht këtu qëndron problemi, te menaxheri Mino Raiola, i cili kërkon të kontratë të majme për 18-vjeçarin, i cili kërkohet nga klube të mëdha, veçanërisht nga Juventusi, që e konsideron pasuesin e Buffon. I grumbulluar me përfaqësuesen italiane për eliminatoren me Shqipërinë dhe miqësoren me Holandën, Donnarumma komplimetoi portierin e skuadrës kryesuese të Serisë B Spal, që është thirrur nga trajneri Ventura në vend të Marchettit të dëmtuar.
I ngacmuar për reagimin në përfundim të takimit me Juventusit, ku aludonte për favorizim të bardhezinjve nga gjyqtari, Donnarumma u shpreh se nuk kishte ndodhur asgjë dhe se ishte thjesht një çmenduri e momentit për shkak të humbjes, ndaj nuk ka se çfarë të shpjegojë.