Edhe këtë verë derbi i merkatos në Europë do të jetë mes dy klubeve të Manchester-it. Ashtu si një sezon më parë, City dhe United pritet të shpenzojnë shifra marramendëse për të transferuar në skuadrat e tyre lojtarë të rëndësishëm. Citiziens e bënë goditjen e parë me afrimin në ekip të portugezit Bernardo Silva nga Monaco për 50 milionë euro. Por për kundërgjigjen e United nuk duhet të presim shumë sepse Djajtë Kuq janë shumë pranë blerjes nga Interi të sulmuesit kroat Ivan Perisiç.
Drejtuesit e klubit nga “Old Trafford” kanë arritur marrëveshjen, me lojtarin dhe menaxherin e 28-vjeçarit Fali Ramadani, por tanimë duhet të bindin pronarët kinezë të klubit zikaltër. Perisiç pritet të firmosë me Manchester United një kontratë 4-vjeçare nga e cila do të përfitojë 7 milionë euro në sezon. Mourinho e pëlqen shumë anësorin kroat, të cilin e ndoqi në një ndeshje me përfaqësuesen ballkanse në muajin mars në Zagreb. Interi për të evituar penalizimet nga fair play financiar dhe për të zhvilluar një merkato të fuqishme më pas duhet të shesë të paktën një lojtar të rëndësishëm deri në datën 30 qershor dhe zgjedhja e drejtuesve është të sakrifikojnë Perisiçin.
Oferta e parë e United për lojtarin është ndalur në vlerën e 42 milionë eurove, por Interi për kroatin kërkon minimalisht 50 milionë euro. Për Ivanin e tmerrshëm interesohen edhe Chelsea e Paris Saint Germain, por United është në pole position për të marrë ish-futbollistin e Wolfsburgut, për të cilin Interi shpenzoi 18 milionë euro përpara 2 sezonesh për ta blerë nga ujqërit.
United do Perisiç, Interi vendos çmimin
Legjenda Totti largohet pas 24 vitesh
Pas 24 vjetësh u largua një legjendë, Francesco Totti. Një futbollist që la gjurmë jo vetëm në Itali, por në mbarë botën dhe që për të gjithë karrierën e tij vendosi të mbante të veshur vetëm një fanellë atë të verdhekuqve, aq sa dhe parulla e shpalosur nga tifozët në fillim të ndeshjes se “Totti është Roma” është treguesi më i mirë i trashëgimisë që 41-vjeçari la në klubin që i përkushtoi të gjithë karrierën e tij.
Fundi i një karriere, por jo i një futbollisti, që do të mbetet gjithmonë në zemrat e të dashuruarve me futbollin duke qëndruar besnik i ngjyrave në një futboll ku flitet gjithmonë e më pak për përkushtimin ndaj fanellës e simboleve të një skuadre. Me Romën fitoi një titull kampion në vitin 2001, por më shumë se trofetë Totti la pas kujtimin e një futbolli që luhet më shumë për dashuri se për tituj, ndaj dhe festa e lamtumirës e përgatitur në fund për kapitenin e përjetshëm, mbetet gjithsesi shumë e vogël për perandorin më të madh të futbollit roman.
Crotone siguron qëndrim
Crotone arriti të sigurojë qëndrimin në Serinë A italiane duke bërë një kthesë të jashtëzakonshme në fazën e dytë të kampionatit. Skuadra e Nicolës fitoi 3-1 në javën e fundit ndaj Lacios, por dhuratën e vërtetë ia bëri Palermo, që mundi 2-1 Empolin duke bërë që toskanët të rrëzohen një kategori më poshtë. Crotone bëri detyrën në shtëpi përballë Lazios falë dhe dy golave të shpejtë të Nalinit dhe Falcinellit. Realizimi i 23-të sezonal i Immobiles vuri pak në tension Crotonen, por në pjesën e dytë sërish Nalini i dha fitoren të tijve, teksa në stadium vinin lajmet se Palermo kryesonte 2-0 ndaj Empolit pas golave të Nerstorovskit dhe Henriques.
Finalizimi i Krunic për Empolin gjithsesi nuk e ndryshoi fatin e sezonit me Crotonen që shpërtheu në festë për qëndrimin në Serinë A. Sa i përket zonës Champions, Roma me një gol të Perottit në fund siguroi vendin e 2-të në klasifikim kundrejt Napolit që mundi 4-2 në transfertë Sampdorian, teksa u rendit i 3-ti. Inter gjithashtu mbylli me një fitore pa vlera sezonin teksa mundi 5-2 Udinesen në shtëpi, ndërsa Milani u mund 2-1 në Cagliari në një tjetër ndeshje që u zgjidh në fund.
Eksportuesit, të shqetësuar për orarin e kufizuar për deklaratat doganore
Bizneset eksportuese janë të shqetësuara për orarin e kufizuar që doganat aplikojnë për pranimin e deklaratave doganore. Shqetësimi i bizneseve i ngritur në Këshillin e Investimeve duket se nuk është sistemuar as me një udhëzim që doganat lëshuan vitin e kaluar për të zgjatur orarin e këtij shërbimi. Bizneset eksportuese (kryesisht ato të Regjimit të Përpunimit Aktiv), kanë ngritur shqetësim mbi orarin e kufizuar të doganave, veçanërisht për Doganën e Tiranës në pranimin e deklaratave doganore për eksport, që pretendohet se pranohen deri në orën 12.00. Për vetë natyrën e punës së këtyre bizneseve, që janë të lidhura me orarin e transportit detar, kërkohet një shtyrje e pranimit të deklaratave pas orës 15.00. Doganat kanë sqaruar të publikojnë në faqen e internetit orarin e punës për çdo pikë doganore dhe sipas natyrës së punës. Në pikat doganore kufitare ka një zgjatje të konsiderueshme të orarit të punës deri në orët e vona. Mirëpo Këshilli i Investimeve vëren se ka nevojë për një qartësi më të madhe për biznesin ndërmjet orareve të publikuara dhe atyre faktike në pika doganore. DPD të monitorojë zbatimin faktik të orareve të publikuara në web-site. Gjithashtu bizneset kërkojnë që të aplikohet sa më shpejt projekti “Single Window”, ku të funksionojë bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional (si për shembull: AKU, dogana, tatime, etj.) Ka reagime nga bizneset për mungesën e një komunikimi të shpejtë ndërmjet institucioneve publike si për shembull, administratë doganore dhe administratë tatimore, në rastin e vërtetimeve të caktuara, si për shembull, për detyrime fiskale. Konkretisht për importimin e zogjve 24-orësh për qëllime të pajisjes me autorizimin e përjashtimit nga TVSH në doganë, operatorëve ekonomikë ju kërkohen një sërë dokumentesh, të cilat normalisht duhet të aksesohen online midis institucioneve. Kështu një subjekt që kryen këtë procedurë duhet të pajiset fillimisht me vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, sipas të cilit subjekti ushtron aktivitet në fushën e agrobiznesit dhe nga Drejtoria Rajonale Tatimore që nuk ka detyrime. Kjo e fundit që të lëshojë vërtetimin, kërkon vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas të cilit subjekti nuk është debitor kundrejt këtij institucioni. Gjithashtu pretendohet për koordinim të mangët në doganë – AKU në oraret në pikat doganore kufitare.
BERZH: Rreziqet për ekonominë
Për Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në këto kohë, qeveria duhet të tregohet e kujdesshme dhe të garantojë qëndrueshmëri, mosrritje të borxhit publik, si dhe mjedis të sigurt për sipërmarrjen. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është optimiste për ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe në vitin 2017.
Projeksionet e saj mbetën të pandryshuara. Shqipëria do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon gjatë këtij viti dhe atij pasardhës, së bashku me Kosovën. “Projeksionet ekonomike për rajonin mbeten të lidhura ngushtë me terrorizmin, tensionet gjeopolitike dhe krizën e refugjatëve”, thuhet në raport.
– Vetëm pak ditë më parë, BERZH publikoi raportin vjetor për parashikimet ekonomike dhe Shqipëria vlerësohet të ketë ecuri pozitive…
Ecuria ekonomike e rajonit të Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me situatën politike. Janë disa vende që po vuajnë prej kohësh nga mungesa e stabilitetit politik dhe kjo sjell pasoja negative në perspektivën ekonomike. Por, aktualisht ky nuk është rasti i Shqipërisë. Ne parashikojmë rritje ekonomike me 3.5% për këtë vit, që është mbi nivelin e parashikuar në vitin 2016, ndërsa për 2018-n, rritja ekonomike mendojmë se do të jetë në rreth 3.7%.
Por, kjo do të varet nga situata politike, por edhe nga tranzicioni i butë i ndryshimit të qeverive. Çdo devijim nga kjo logjikë natyrisht do të ketë pasoja negative në performancën ekonomike të vendit. Shqipëria ka një pozicionim më të mirë ekonomik në krahasim me disa nga vendet e tjera të rajonit, për shkak të investimeve të mëdha në sektorin energjetik, që janë duke u zbatuar dhe që zënë një pjesë të madhe të Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Këtu e kam fjalën për projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, por edhe për HEC-in e Devollit që po realizohet nga Statcraft. Në opinionin tim, këto projekte do të vazhdojnë ecurinë pa u ndikuar nga situata dhe do të ndikojnë në performancën ekonomike. Nga analiza që ne kemi bërë në sektorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike janë edhe turizmi dhe bujqësia.
– A duhet të tregohet sistemi bankar i kujdesshëm në këtë periudhë?
Në Shqipëri, sistemi bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe likuid. Ka një rënie të lehtë të kredive joperformuese (NPL), gjë e cila është një shenjë pozitive dhe e mirëpritur. Por, pesha që ato kanë vazhdon të jetë e lartë dhe kjo shihet si një pengesë për të rritur kreditimin. Megjithatë, performanca e këtij sistemi do të shihet edhe në muajt në vazhdim, duke qenë se ka shenja të rritjes së kreditimit.
Në raportin e BERZH-it, ndër të tjera për Shqipërinë nënvizohet se, “rreziqet do të vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në periudhën afatmesme”, çfarë nënkupton kjo?
Ne mendojmë se rreziku kryesor në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë është situata gjeopolitike. Për ne është e rëndësishme që si Shqipëria, ashtu edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë rrugën drejt integrimit europian, përfshi këtu edhe në fushën ekonomike dhe kjo është baza për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm. Çdo devijim nga rruga drejt integrimit do të ishte rreziku numër një për ecurinë e ekonomisë.
– Cila do të ishte këshilla kryesore e BERZH-it për qeverinë shqiptare për situatën aktuale që po kalon vendi?
Mendoj se është shumë e rëndësishme që vendi të ruajë konsolidimin fiskal të arkivuar gjatë viteve të fundit. Ky është një zhvillim pozitiv, i cili duhet të vazhdojë me apo pa një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Nga ana tjetër, unë nuk dua që të përsëris atë që thuhet nga të gjithë, por zbatimi i Reformës në Drejtësi është thelbësore për investitorët, të brendshëm ose të huaj.
Transparenca dhe një sistem i duhur ligjor për të zgjidhur mosmarrëveshjet është baza e sigurisë për zhvillimin e sipërmarrjes.
– Duke qenë se jemi përpara një fushate elektorale, a duhet të tregohet e kujdesshme qeveria në investimet që mund të bëjë?
Qeveria është treguar e kujdesshme në menaxhimin e borxhit sovran në vitet e fundit. Në opinionin tim, qeveria duhet të maksimizojë zbatimin e projekteve brenda limiteve të huamarrjes së brendshme. Kjo është më e rëndësishme në projektet infrastrukturore që zhvillon qeveria. Huamarrja duhet të përdoret me efikasitet dhe në ato projekte që vendi realisht ka nevojë. Gjithashtu do të duhet një koordinim i ngushtë me institucionet ndërkombëtare financiare, por edhe me donatorët që financojnë projekte në Shqipëri.
– Si e vlerësoni politikën e prezantuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë për të frenuar euroizimin?
Mendoj se është një politikë e zgjuar kjo që po ndjek Banka Qendrore. Ne mbështesim përdorimin e monedhës lokale, por edhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Në Shqipëri ka pasur diskutime më të hershme sa i përket krijimit të Bursës, si një mjet për të zhvilluar tregjet kapitale, por ka edhe platforma të tjera që mund të merren në konsideratë siç janë platformat e tregjeve sekondare që mund të shërbejnë si një nisje e mirë për ngritjen e infrastrukturës së tyre. Ne, si BERZH do të vazhdojmë të jemi mbështetës dhe monitorues ndaj zhvillimeve të monedhës vendase, tregjeve të kapitaleve dhe do të vazhdojmë të punojmë me Shqipërinë në këtë drejtim.
– Sektori i bujqësisë në Shqipëri karakterizohet nga informaliteti i lartë. A mendoni se kjo mund të përbëjë pengesë?
Kjo ka qenë historikisht një nga arsyet kryesore se përse ky sektor, i cili ka një peshë të konsiderueshme në PBB dhe në punësim, nuk ka qenë i aftë të tërheqë investime nga bankat. Natyrisht ky nuk është një problem që do të zgjidhet brenda një dite, por në fund të fundit, qëllimi i këtij projekti është që të lehtësojë kreditimin për bujqësinë. Ne shpresojmë që kjo të ndihmojë edhe në formalizimin e sektorit, por edhe në rritjen e gatishmërisë së bankave për ta financuar.
Por BERZH, përveç financimit, do të sigurojë edhe asistencë teknike. Do të jenë rreth 2 mln euro grant që do të jepen nga BERZH për këtë asistencë gjatë periudhës trevjeçare, në dy nivele: kundrejt institucioneve financiare për t’i ndihmuar ato që të përvetësojnë praktikat më të mira për kreditimin e bujqësisë. Kështu bankat do të mund të njohin më mirë huadhënien e këtij sektori, por edhe sesi të investojnë më mirë.
Pjesa tjetër e granteve do t’u jepet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në bazë të nevojave të veçanta, qoftë për konsulencë të huaj ose vendase. Qëllimi është që këto kompani të rriten, të bëhen më konkurruese, të dalin në tregje më të mëdha, të tërheqin investitorë të huaj apo edhe të eksportojnë. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me financimin, por edhe njohuritë (know how).
– Përse BERZH vendosi që të ndërmarrë këtë program? Çfarë vlerësuat te bujqësia shqiptare?
Bujqësia është një sektor me potencial, rreth 40-50% e popullsisë është e angazhuar në të, kontribuon me rreth 20% të PBB-së, si dhe favorizohet edhe nga kushtet natyrore.
Investimet kanë qenë modeste përgjatë viteve, për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e bankave për të dhënë hua. Tani mund të themi pa mëdyshje se është koha që vështrimi të kthehet nga bujqësia. Në fund të fundit, ka qenë edhe një vendim i marrë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, e cila do të kontribuojë me rreth 36 milionë euro gjatë periudhës 3-vjeçare.
– Por, kjo është hera e parë që BERZH ndjek një strategji të tillë, ku përfshihet edhe qeveria…
Po, kjo është hera e parë që qeveria shqiptare bëhet garantuese në një projekt të BERZH-it. Nuk ka ndodhur më parë. Gjithashtu është hera e parë që ne investojmë në një program ku ne ndajmë rrezikun e portofolit të kredisë. Pra, ne nuk jemi duke marrë përsipër rrezikun e institucioneve që janë pjesë e projektit, por ne i themi se këto janë kushtet dhe mbi bazën e tyre, bankat do të japin kredi dhe ne do të ndajmë 50 me 50 rrezikun e humbjeve potenciale. Me pak fjalë, ne po u besojmë aftësive të institucioneve financiare që janë pjesë e këtij programi për të marrë vendime të drejta. Gjithashtu ne po ndajmë rrezikun për huatë e ardhshme dhe kjo është një gjë që ne po e bëjmë për herë të parë si BERZH. Shqipëria po shërben si një “vend–test”. Ky do të jetë një projekt pilot. E nëse do të rezultojë i suksesshëm atëherë do të mund ta zbatojmë edhe në vende të tjera. Mund të themi se është një projekt inovativ për ne dhe Shqipëria është vendi i parë që po përfiton. Besojmë se vendi ka potencial.
Dora e shtrirë e BERZH për bujqësinë që nuk e bën qeveria
– Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka prezantuar një program krejtësisht të ri për financimin e sektorit të bujqësisë në të gjithë zinxhirin e tij. A mund të na njihni më në detaje me këtë nismë?
Kjo nismë quhet “Mbështetja për sektorin e bujqësisë” dhe do të zgjasë tre vjet në termat e financimit. Gjatë kësaj periudhe objektivi është që të disbursohen 180 mln euro për sektorin e bujqësisë në të gjithë zinxhirin e tij, duke filluar nga fermeri i thjeshtë e deri te kompanitë e shpërndarjes. Në këtë program përveç BERZH-it, do të angazhohen gjashtë institucione financiare vendase, katër banka dhe dy institucione të mikrofinancës. Pikërisht këto institucione do të shpërndajnë kredinë te sipërmarrjet të mbështetura nga BERZH-i, por edhe nga qeveria shqiptare.
BERZH do të ndajë 50% të rrezikut të portofolit për secilin prej gjashtë institucioneve financiare gjatë tri viteve të ardhshme.
Nga ana tjetër do të kemi edhe një garanci nga qeveria shqiptare, një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e këtij programi, pasi do të garantojë 20% e parë të humbjeve potenciale të kredive. Ndërsa pjesa tjetër e riskut do të mbulohet nga BERZH dhe institucionet financiare.
– Cilat do të jenë kushtet që biznesi të përfitojë nga ky portofol?
Duke qenë se në këtë projekt do të përfshihet edhe qeveria shqiptare, kjo tregon se është një inçentivë e rëndësishme për sektorin e bujqësisë, me qëllim që institucionet financiare të kreditojnë në mënyrë më “agresive”. Është në dorën e bankave apo të institucioneve të mikrofinancës që të përcaktojnë kushtet e kreditimit, si dhe normat e saj. Ato do të ndryshojnë sa nga njëra te tjetra dhe do të varen nga cilësia e huasë. Por, duke qenë se 20% i parë i riskut do të mbulohet nga shteti, atëherë kjo do të garantojë kushte të favorshme.
– A ka një parashikim se sa mund të jenë përfituesit?
Nuk ka një shifër për këtë. Institucionet e mikrofinancës do të mund të kreditojnë kryesisht sipërmarrje të vogla dhe/apo individë, pra do të ketë një numër të madh kredish që do të disbursohen nga ana e tyre. Ndërsa bankat do të kreditojnë shifra më të larta dhe kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ky është një program që mbështet kryesisht këtë target biznesesh dhe institucionet duhet ta respektojnë. Ndiqet logjika që nuk duhet të shpërndahen sasi të mëdha në një dorë të vogël subjektesh.
Ajo që mund të them është se në fund të muajit prill, ne kishim 1,068 kredi të shpërndara nën këtë program për një total prej 8.5 mln eurosh. Ka ende punë për të bërë për të arritur te vlera totale që është 180 milionë euro. Aktualisht, katër nga gjashtë institucionet po e zbatojnë, pritet që të nisin edhe dy të tjerat.
Shqipëria më e varfër edhe se Mali i Zi dhe Maqedonia
Për të renditur vendet më të pasura dhe më të varfra për 2016-n, “Global Finance” ka marrë në konsideratë Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, i rregulluar me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Bazuar mbi këtë tregues të rregulluar, PBB- fuqi blerëse, Shqipëria renditet e 98-a në botë në listën e shteteve më të pasura dhe më të varfra. Në rajon renditemi vetëm para Bosnjës, ndërsa Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë përkatësisht të renditura në vendin e 75-të, 88 dhe 90.
Çfarë nënkupton për një shtet të qenët i pasur?
Çfarë nënkuptojmë kur përdorim terma si vende të pasura apo vende të varfra? Nëse marrim në konsideratë vetëm Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vlera totale e të mirave dhe shërbimeve e secilit vend, atëherë vendet më të pasura në botë do të ishin sipas radhës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Gjermania, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë kjo renditje nuk na tregon asgjë për kushtet relative të jetesës.
Njëjtë, pesë vendet më të varfra sipas PBB-së janë Tuvalu, Nauru, Kiribati, Ishujt Marshall dhe Palau. Këto vende kanë shumë pak prodhim vjetor kryesisht sepse janë shumë të vogla, një pikë e vogël e Oqeanit Paqësor në hartën botërore. Përsëri, shifrat agregate nuk na tregojnë asgjë për kushtet e jetesës.
Një pikturë më e qartë e kushteve të jetesës bëhet duke ndarë Prodhimin e Brendshëm me numrin e njerëzve të një shteti, pra duke marrë në konsideratë PBB-në për frymë. PBB-ja për frymë tregon diçka më shumë se sa pasuri mund të ketë në dispozicion për secilin individ. Por përsëri PBB-ja për frymë nuk përfshin luhatjet e monedhës apo kosto të ndryshme të sendeve të nevojshme, si ushqim, rroba dhe banesë. Për të ditur nëse qytetarët e një shteti janë të pasur, ne duhet të dimë se mund të blejnë ata. Prandaj në këtë renditje është marrë në konsideratë fuqia blerëse.
Tabela me renditjen e vendeve më të pasura dhe të varfra për 2016-n ka përdorur të dhënat e FMN-së, rregulluar me paritetin e fuqisë blerëse. PBB-ja me paritetin e fuqisë blerëse e bëjnë më të saktë krahasimin e standardeve të jetesës, pasi pariteti i fuqisë blerëse merr në shqyrtim kostot e jetesës dhe normën e inflacionit. Ky është matësi që ekonomistët preferojnë të përdorin për të krahasuar kushtet e jetesës dhe ekonominë e shteteve.
Duke marrë në konsideratë vetëm të ardhurat për frymë sipas të dhënave të FMN-së, Shqipëria renditej e 106-a në botë.
Financat mbajnë frenat për investimet, nuk realizojnë as planin e 4-mujorit
Investimet kapitale kanë qenë padyshim pika më e dobët e qeverisjes, ku përveç uljes së fondeve, si rrjedhojë e politikave shtrënguese fiskale, realizimi i planit ka hasur dobësi të theksuara, pa vënë në diskutim eficencën e investimeve. Edhe ky vit ka vijuar në të njëjtat shina, edhe pse në sfond janë zgjedhjet e përgjithshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, plani i investimeve kapitale për 4-mujorin rezultoi 8% më i ulët se programi. Muaji prill shfaqi shumë dobësi me një mosrealizim nga plani me 22%. Investimet janë mjeti kryesor i qeverisë për të stimuluar rritjen ekonomike. Përvoja ka treguar se investimet në rrugë ndikojnë drejtpërsëdrejti rritjen ekonomike. Sidomos në vitet zgjedhore, për shkak të ndjeshmërisë që kanë rrugët te votuesit, investimet në këtë sektor kanë kapërcyer gjithmonë parashikimet, por këtë vit jo vetëm që tejkalim nuk ka po nuk po shpenzohen as fondet në dispozicion. Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet për investimet kapitale arritën 14.4 miliardë lekë nga 15.7 miliardë lekë që ishin planifikuar me një mosrealizim prej 8%. Investimet anemike u shndërruan në një fenomen të viteve të fundit, ku sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, vitin e kaluar janë ndërtuar vetëm 29 kilometra rrugë. Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave në tremujorin e parë janë financuar rreth 10 miliardë lekë të shpërndara në afërsisht 400 zëra dhe projekte, ku dominon përgjithësisht financimi me vlera të vogla. Projekti më i financuar këtë vit është një zë shpronësimesh, prej 1,3 miliardë lekësh ose rreth 10 milionë euro që është përdorur si kompensim për ndërtimin e infrastrukturës energjetike. I dyti në radhë për sa i përket financimit vjen projekti i rrugës, Qukës–Qafë Plloqë, që ka marrë nga buxheti i shtetit për tre muajt e parë një financim prej 941 milionë lekësh ose 6.8 milionë euro.
“Veliera” u lë në derë durrsakëve një gropë të madhe
Prej ditësh punimet e sheshit “Veliera” janë zhvendosur nga zona e ndërtimit të tunelit në pjesën e sheshit para shëtitores “Taulantia”. Prej 2 javësh, firma ndërtuese e projektit 6 milionë dollarësh, ka krijuar një gropë të madhe aty ku gjendej sheshi dhe parkimi i makinave duke e lënë pa asnjë ndërhyrje. Të gjithë qytetarët janë të vetëdijshëm për punimet që zhvillohen në këtë zonë, për vështirësinë që hasin në trafik sa herë që kalojnë aty dhe për trafikun e rënduar që krijohet herë pas here.
Por qytetarët janë po edhe kaq të indinjuar kur firma ndërtuese hap sheshet dhe i lë të bëhen gropa të mëdha me ujë të ndenjur, oaz për mushkonjat e shumta dhe problematikë e shtuar për të gjithë ata që i drejtohen për shëtitje bregut të detit. Firma e prishi sheshin në hyrje të shëtitores, por e ka lënë ashtu deri në një moment kur punëtorët të kthehen sërish në këtë sektor. Qytetarët janë të indinjuar për arsyet e mësipërme, kjo sepse pa u mbyllur një sektor është hapur tjetri dhe këtu nuk punohet, por vetëm rëndohet problematika e shtuar për të gjithë ata që vizitojnë qytetin e Durrësit.
Punimet në shesh po vijojnë me sipërfaqjen e sheshit, nëse mund të quhet i tillë, pasi kulmi i sheshit është rreth katër metra i lartë nga pjesa më fundore e tij. Edhe pse çështja e “Velierës” është në Gjykatën Administrative duke u shqyrtuar, me padi të shoqërisë civile me objekt për anulimin e këtij projekti, punimet po ecin me ritme shumë të larta nga firma ndërtuese. Gjykata ka pezulluar punimet vetëm në pjesën e sipërme nga Torra Veneciane deri te pallati i “Fly”-t, ku gjenden edhe disa zbulime arkeologjike që i përkasin periudhave të ndryshme historike në të cilat ka kaluar qyteti i Durrësit me një histori mbi 3 mijë vjeçare.
PD, partia e themelit të demokracisë në këtë vend
Nga Sali Berisha
PD është partia që përmbysi diktaturën komuniste më të egër në Europë dhe hapi për shqiptarët dyert e lirisë. Vetëm 204 dollarë ishin në vitin ‘92 të ardhurat për frymë të shqiptarëve. Rreth 1 milion shqiptarë në eksode biblike u larguan nga Shqipëria. Që në javën e parë të themelimit të saj PD shpalli interesin dhe çështjen kombëtare gjer atëherë të tradhëtuara, si yllin e saj polar. Ajo nxori Shqipërinë nga izolimi, e lidhi në miqësi me SHBA dhe vendet e lira. PD ndërkombëtarizoi në dokumentet e samiteve të OSBE dhe OKB çështjen e Kosovës, konfirmoi në rezoluta të votuara me 2/3 në OKB të drejtën e qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës.
PD, hodhi themelet e ekonomisë së tregut dhe të demokracisë, liberalizoi dhe privatizoi ekonominë, bëri 220 mijë familje shqiptare pronare të apartamenteve të tyre dhe mbi 460 mijë familje në fshat pronarë të fermave të tyre. Me fitoren e zgjedhjeve në vitin 2005 në një rast unik përzuri me votë nga pushteti ata që erdhën me dhunë dhe rebelim komunist. Në 8 vite të qeverisjes së saj, firmosi dhe ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, anëtarësoi vendin në NATO, liberalizoi vizat për shqiptarët. PD dha ndihmesë thelbësore në Pavarësinë e Kosovës lajmin për të cilin e shpalli në Tiranë, me të famshmen “time is noë” Presidenti George Ë Bush në vizitën e parë dhe historike të një presidenti të SHBA në Shqipëri.
Qeveria e PD dha kontribute thelbësore në njohjet e Kosovës. Në tetor të vitit 2012 mori rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokoi Edi Rama. PD luftoi me zero tolerancë krimin dhe bandat e tij. Vendosi para ligjit në 18 muaj mbi njëmijë bosë dhe anëtarë të bandave kriminale dhe bëri Shqipërinë një vend të sigurtë. Luftoi me vendosmëri korrupsionin. Ndërrmori reforma të thella si ulja e tatim fitimit nga 25 në 10% ulja e tatimit të ardhurave personale nga 23 në 10, pra vendosje të taksës së sheshtë prej 10%, ulja e Sigurimeve Shoqerore nga 32% në 15% për punëdhënësin ulja e tarifave doganore nga 6 në 1%, u krijua one stop shop për regjistrimin e bizneseve dhe u arrit reduktimi i kohës dhe kostos së regjistrimit nga 42 ditë dhe 4 mijë euro në gjithsej 30 minuta dhe vetëm 1 euro, u krijua Qendra Kombëtare e Licencave dhe Lejeve, pasi u hoqën mbi 2/3 e tyre.
Të gjitha këto reforma siç pohojnë Komisioni Europian, BE, FMN, BERZH etj., bën që ekonomia e vendit, në kulmin e krizës financiare të botës, të vazhdojë të rritet dhe të mos njohë reçesion. Papunësia ra në 12.8% numri i bizneseve u trefishua. Eksporti dhe investimet e huaja u rritën përkatësisht me 300% dhe 316%. Të ardhurat buxhetore u dyfishuan. Kreditë për ekonominë u rritën 6 herë. Sipas Censusit të vitit 2011, 343 mijë familje shqiptare kishin më shumë se një shtëpi. Shqiptarët në banesa për 1000 banorë lënë mbrapa 5 kombe të BE.
Qeveria e PD rriti me 120-150% rrogat dhe 100% pensionet e ulta, ndërtoi dhe rindërtoi në mbarë vendin 11 mijë km rrugë. Ndërtoi rrugën e “Kombit”, autostradën Tiranë-Elbasan në të cilat vetëm tunele janë 16 km pra siç thotë KE më shumë se i gjithë rajoni. Ndërtoi dhe rindërtoi 1300 shkolla, 720 sisteme ujësjellësash dhe kanalizimesh, 10 impiante të ujërave të zeza dhe 400 qendra shëndetësore dhe spitale. U zgjeruan ndjeshëm portet e Sarandës Vlorës, Shëngjinit, u ndërtua Terminali i Aeroportit dhe u dyfishua, u ndërtua terminali i Portit të Durrësit dhe u shpall fituese kompania që do ta thellonte për anijë gjer në 50 mijë ton. Krahas infrastrukturës energjia u bë një përparësi tjetër madhore e PD. Nga fundi i vitit 2007 e në vazhdim morën fund ndërprerjet e energjisë elektrike që më parë ishin së paku 6-10 orë në ditë. Shqipëria u bë vendi i dy projekteve gjigante energjetike; TAP, gazsjellësi që do sjellë gazin azer në Itali, dhe kaskadës së Devollit. Qeveria firmosi ndërtimin e 420 hidrocentraleve me konçesion nga kompanitë private, nga të cilat 108 kanë përfunduar dhe 57 janë në ndërtim e sipër.
Shqipëria dixhitale është një nga realizimet madhore të qeverisë së PD. Përdorimi i internetit u rrit nga 4,6% në vitin 2006 në 63% në vitin 2012, interneti dhe kabinetet e Informatikës u shtrinë në çdo shkollë, u garantua internet falas për popullatën në 1250 zyra në mbarë vendin, u ulën 3-5 herë çmimet e bisedave me celular, u licencuan dy kompani dhe u shtri në mbarë vendin teknologjia 3G.
Numri i studentëve u rrit nga 12 në 50 për 1000 banorë, 70% e maturantëve hynin në Universitet. Trupa akademike universitare u rrit nga 6 000 në 10.500. Ndjekja e shkollave të mesme u rrit nga 69 në 86%. Në zonat rurale u ndërtuan rreth 8 mijë km rrugë mbi 1 mijë shkolla e kopshte, 630 ujësjellësa dhe kanalizime, qindra km kanale vaditëse dhe kullues. Qeveria në 5 vitet e fundit subvencionoi 45 mijë projekte në bujqësi e blegtori, gjë që bëri të mundur të mbillen mbi 10 milionë rrënjë ullinj dhe miliona rrënjë mollë, arra, vreshta dhe dru të tjerë frutor. U ulën ndjeshëm importet u mbi dyfishua toka e punuar, eksportet bujqësore u rritën 2-3 herë.
Numri i turistëve dhe vizitorëve nga 300 mijë që ishte në vitin 2004 u rrit në 4,7 milionë në vitin 2012.
Shqipëria e cila në vitin 1992 ishte vendi i tretë më i varfër i planetit së bashku me Ugandën dhe Angolën, nga viti 2008 kaloi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Që nga viti 1992 ajo është rritur 21 herë ndofta më shpejt se çdo vend tjetër. Shqipëria ende nuk është vend i zhvilluar, por ka arritur disa vende të zhvilluara në vdekshmërinë amtare, foshnjore dhe atë të përgjithshme dhe në jetëgjatësinë mesatare të popullatës. Në vitin 2013, shqiptarët me vullnetin e tyre hodhën poshtë kontratën me Sali Berishën dhe votuan për një kontratë tjetër.
Respektova plotësisht vendimin e tyre dhe mora vendimet e duhura. Në katër vite Edvin Kristaq Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim elektoral, nuk ka ulur, por ka rritur taksat për 95% të shqiptarëve, ngriu për tre vite rrogat e tyre jo që nuk krijoi 300 mijë vende pune, por largoi nga Shqipëria mbi 200 mijë shqiptarë nga vetëm 432 vetë që kërkuan azil politik në Gjermani në vitet 2011-2012 të marra së bashku. Ky është eksodi i dytë masiv i shqiptarëve në 25 vite. Por kësaj radhe të ardhurat për frymë në Shqipëri nuk janë 204 dollarë, por mbi 11 mijë dollarë, kësaj radhe po ikën masivisht softi perëndimor i vendit, sepse pasiguria është ekstreme dhe sepse Rama vret çdo orë shpresën shqiptarëve.
Në katër vite në Shqipëri nuk ka ardhur asnjë investitor i huaj i madh, po janë larguar disa qindra, disa prej tyre ndër ta edhe më të mëdhenjtë. Në katër vite nuk ka ndërtuar asnjë km rrugë, shkollë të re ujësjellës apo kanalizime në mbarë vendin, por vendosi taksat më të larta për rrugët. Në katër vite Edvin Kristaq Rama i bëri gjëmën më të madhe, i vendosi damkën më të zezë Shqipërisë pas Enver Hoxhës, duke e kthyer në Narko-republikën e dytë në botë pas Panamasë së Noriegës. Filmimi i 17,6% të territorit në vitin 2016 zbuloi 2100 plantacione kanabisi, pra në të gjithë territorin duhet të jenë mbi 10 mijë të tilla. Vetëm këtë, vit policia njofton se ka korrur 2,5 milionë bimë kanabis.
Mbi 10 mijë ton kanabis të korrura nga policia nuk janë asgjësuar sipas rregullave ligjore. Raporti i fundit i DASH për herë të parë në 26 vjet shprehet për korrupsion galopant (rampant) Kurse interpoli në raportin e fundit shpall Shqipërinë epiqendër rajonale të krimit të organizuar çka do të thotë vendi është sot protektorat krimi dhe koka e meduzës së krimit është Edi Rama. Vetëm vitin e kaluar u vodhën në tendera, dogana dhe tatime nga qeveritarët 1,2 miliardë euro. BERZH shpalli Shqipërinë vendi më i korruptuar i Europës kurse Forumi Ekonomik Botëror si vendi i dytë në botë për braktisjen nga qytetarët e saj.
Trullosja politike
Ndue UKAJ
Secili që kritikon, i shtytur nga një qëllim i lartë mirëbërësie, i bën vendit shërbim shumë të mirë, ashtu siç bëjnë kudo njerëzit e ditur, dhe ashtu siç bënë dikur kolosët tanë: Fishta, Konica, Merxhani, Noli, e shumë të tjerë, mirëpo asnjëherë duke rrënuar njeriun.
Politika në Kosovë është një kaos ngatërresash dhe tradhëtish të shumta e pafund, secila më e çuditshme dhe më e pakuptimtë se tjetra. E në këtë vorbull është përfshirë edhe pjesa dërmuese e mediave dhe e ashtuquajturës shoqëri civile. Kjo ka bërë që qytetarët tanë të jenë të habitur dhe të trullosur.
Në fakt, habia është ndjenjë a përshtypje që krijohet te njerëzit nga diçka e jashtëzakonshme, e papritur, e çuditshme ose e pakuptueshme. Ka habi që vjen nga gjërat e mira, por edhe nga ato të këqija. Njeriu mund të habitet nga një vepër arti, kur lexon një poezi, sheh një pikturë apo kur kupton një veprim të pakuptimtë të dikujt.
Shqiptarët e Kosovës, këto ditë, si rrallëherë po habiten me zhvillimet dhe veprime të pakuptimta politike. Dhe kjo, ata i ka hutuar, trullosur, dhe i ka bërë më të pasigurt e më mosbesues ndaj njëri-tjetrit dhe shtetit të tyre.
Qytetarët e Kosovës, të rraskapitur, pa mirëqenie, pa shpresa dhe të pasigurt në të ardhmen e tyre, ditë e natë flasin për politikë. Jo pse u pëlqen, por pse ajo është bërë shujtë e përditshme për ta. Sot, të vjen keq kur sheh të mëdhenj e të vegjël, tek flasin me kaq pasion për politikën dhe njerëzit që merren me të. Kjo avari ku jemi katandisë, ka shkaktuar një kaos mendimesh e gjykimesh, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në krejt kohezionin tonë: në lirinë dhe shëndetin mendor të këtij vendi.
Vetëm shoqëritë e topitura kulturalisht, intelektualisht dhe moralisht flasin shumë për politikë, kështu siç bëjnë shqiptarët. A në fakt, shqiptarët nuk shquhen aspak në këtë zanat. Dihet botërisht se mendimi politik shqiptar është krejtësisht i varfër. Shqiptarët, historikisht nuk kanë qenë të zotët në punët politikës dhe as nuk shquhen për ndonjë lëvizje të vlefshme (përjashto I. Rugovën). Ndaj, sot, kur shoh gjithë këtë yrysh pas politikës dhe debateve shterpe kudo rreth politikës, më vjen ndërmend ajo që shkroi Paulin Margjokaj te libri “Kush janë anmiqt e Shqipnisë”, para disa dekadave: “Shqiptarët flasin për gjithçka, por sidomos për politikë. Natyrisht, sa më pak të dijë njeriu, aq më shumë flet. E për politikë, nuk ashtë kush qi flet aq shumë sa shqiptarët. E me pvete, nder 100 vetë ndoshta memzi njani din se ka vjen fjala politikë e shka shenjon e shka don me thanë”.
Sot, në Kosovë të gjithë duken të jenë të habitur. Të habitur duken të jenë ata që merren me politikë dhe ata që s’merren me politikë. Të habitur duket të jenë ata që vegjetojnë dhe ata që përfshihen në politikë. Të habitur duket të janë ata që nga distanca hedhin gurë e dru mbi njerëzit e politikës. Të habitura duket të jenë edhe ato dy kategoritë e zhurmshme: mediat dhe e ashtuquajtura shoqëri civile. Dhe kjo habi, për çudi, na ka trullosë të gjithëve. Na ka bërë edhe më mosbesues ndaj çdo gjëje që ndodh në vendin tonë. Na ka bërë mosbesues ndaj secilit, dhe për pasojë, te ne ndodh ai fenomeni i shpërfytyrimit, ku miqtë brenda natës bëhen armiq, dhe ata që mbrojnë parime, brenda natës bëhen shkelësit më të mëdhenj të tyre. Si rezultat i kësaj habie, flitet shumë dhe analizohet pak. Spekulohet shumë dhe dokumentohet pak. Trillohet shumë dhe me qëllim të degdisjes së njeriut. Duke “harruar” se nuk është njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Dhe përballë kësaj gjendje, ne vazhdojmë të manipulojmë me diskurs ideologjik, duke i ikur të vërtetës esenciale. Nuk e themi troç se një popull që ka kaq shumë mosmarrëveshje ndërmjet veti, ka kriza serioze, dhe arsyet, kurrsesi nuk mund të jenë vetëm politike, ashtu siç tentohet shpeshherë të shpjegohen problemet shqiptare. Ato janë shumë ma të thella dhe shumëfish ma serioze. Ismail Kadare, lidhur me fenomenin e mosmarrëveshjes, ka shkruar një libër monumental, “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetes”, ku analizon raportet e shqiptarëve me vetveten, sidomos në planin kulturor e historik, dhe pikërisht aty e gjen shkakun e shumicës së mosmarrëveshjeve, dhe paaftësisë sonë për t’u bashkuar rreth interesave të përgjithshme.
Në qytetërimin perëndimor, sipas së cilit stil synojmë ta rregullojmë jetën tonë politike e morale, ekziston një parim se nuk është krijuar njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Prandaj, degdisja e njeriut, siç po ngjet te ne është degdisje e shtetit. Nisur nga ky parim, unë s’arrij t’a kuptoj gjithë këtë mllef që kanë, ushqejnë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që i “blatohen” idesë së shtetit dhe flasin me patetizëm për të. Nuk arrij t’a kuptoj gjithë këtë zell që dëshmojnë shqiptarët për ta përbaltur, mohuar, përbuzur dhe linçuar gjithçka dhe gjithsecilin.
Historia dëshmon se punët e mëdha për të mirën e përbashkët, bahen vetëm në sajë të dashurisë së madhe dhe jo të urrejtjes së madhe. Asnjë vepër e madhe, nuk është bërë nga urrejtja e madhe, por nga dashuria e madhe. Kjo gjë është e vlefshme në të gjitha fushat dhe në atë të politikës.
Përvoja dëfton se një organizëm politik, një shtet, një komb, është një akt besimi. Asgjë më shumë dhe as më pak. Dhe këtë akt besimi, e bëjnë njerëzit që besojnë në disa parime e vlera të përbashkëta. Nëpërmjet këtij akti besimi, formohet ideja e kontratës kolektive-konsensusit për parimet mbi të cilat synohet të ndërtohet shoqëria e caktuar dhe identiteti politik a kulturor i aksh shtetit apo kombit.
Pra, për ta bërë shtetin, duhet ta kthejmë besimin te njeriu i Kosovës; rikthimin e besimit te vetvetja; të forcat tona për ta mposhtë të keqen dhe apatinë që mbizotëron kudo ndër ne.
Në Kosovë, ka kohë prej kur mungon atmosfera mendore pozitive dhe kjo lëngatë ka prodhuar gjithfarë prototipash: politikanë e folës të jetës publike që mbjellin më shumë urrejtje dhe mosdurim. Si pasojë e kësaj, ka vite ndër ne që më lehtë dëgjohen zërat e atyre që e mundojnë gurmazin dhe jo mendjen. E kjo mungesë ka bërë që në shoqërinë tonë të flet çdo kush dhe për çdo gjë. Në këtë mënyrë, e kemi përmbysë përvojën universale dhe kemi harruar se autoriteti para se gjithash duhet të jetë një forcë morale a intelektuale. Në vend të autoriteteve me këto cilësi, kemi sajuar autoritete të rreme; individë që ngrihen lart në shoqëri, mbi bazë të një inxhinieringu ideologjik apo duke u bazuar kryesisht në friken e ndëshkimeve, kërcënimeve; të tillë që nëpërmjet pushtetit, synojnë ta kontrollojnë ndërgjegjen dhe lirinë e njeriut, apo profetë të rremë, të tillë që sajohen nga media apo shoqëria civile.
Sot, kur qytetarët e këtij vendi, presin të hutuar të kuptojnë se çfarë po ndodh me vendin e tyre. Ata pyesin të hutuar duan ta dinë nëse jemi apo s’jemi të zotët ta mposhtim të keqen? Kjo mbetet dilemë e pazgjidhshme, si nyja e pikëpyetjes hamletiane.
Sidomos për faktin se i kemi rrënuar raportet ndërnjerëzore. Ka kohë prej kur flitet për degdisjen e njeriut, por asnjëherë s’kemi tentuar ta tejkalojmë debatin nga ky stad i ulët dhe neveritës, në një rrafsh tjetër, më etik dhe më human.
A kemi nevojë të bëjmë një gjë të tillë, që ta kthejmë besimin ndërmjet veti?
Padyshim se po. Mirëpo, asgjë s’bëhet me sharje e fyerje. As nëse ia tkurrim lirinë shpirtërore të njeriut dhe ia vyshkim vullnetin.
Se cila është rruga që duhet ndjekë, deri me tani askush nuk ka dëftuar. As me debate dhe as me veprime publike. Prandaj është koha e fundit që të ndalim hovin e degdisjes së njeriut. Sepse kjo frymë kaq e egër politike na ka ligështuar dhe molepsë.
Prandaj, sot, secili që e do vendin dhe kritikon i shtytur nga dashuria e njëmend, i bën atij shërbimin më të mirë, sepse nëpërmjet mendimit kritik, identifikohen mangësitë, dhe krijohen parakushte për t’i kuruar ato, por jo duke e degdisë njeriun.
Secili që kritikon, i shtytur nga një qëllim i lartë mirëbërësie, i bën vendit shërbim shumë të mirë, ashtu siç bëjnë kudo njerëzit e ditur, dhe ashtu siç bënë dikur kolosët tanë: Fishta, Konica, Merxhani, Noli, e shumë të tjerë, mirëpo asnjëherë, duke rrënuar njeriun.