Një eksponent i PS i sapodalë nga burgu ka terrorizuar me armë banorët e Kasharit. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, referuar mesazhit të një qytetari dixhital. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, Kashari po terrorizohet nga një eksponentet i Partisë Socialiste që del në lagje me kallashnikov në dorë, duke tmerruar fëmijët.
“Narkomafia terrorizon Kasharin me miratimin e narkopolicisë! Qytetari dixhital denoncon; Terror në Kashar nga krimineli siçilist i dalë nga burgu. Atë e nxit agjenti i policisë për Kasharin, Xhaf Koçi, i cili është edhe kryetari i Partisë siçiliste të Kasharit”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Kashari.
“Mirmbrëma zoti Berisha! Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Sot në mesditë, një person në lagjen Yrshek të Komunes Kashar ka dalë dy herë nëpër lagje me kallashnikov në duar, duke tramatizuar fëmijët në rrugë. Policia është njoftuar dhe personi del për herë të dytë në darkë në orën 20:30 përsëri me kallash në duar. Personi në fjalë ka ca ditë që ka dalë nga burgu dhe është eksponent i PS. Ju lutem bëjeni publike këtë shqetësim. Agjent Krimesh në këtë zonë kemi kryetarin e Partisë Socialiste të Komunës Kashar, Xhaf Koçi, i cili duket se nxit kriminelin”, shkruan qytetari.
Policia në vend që të marrë masa për të siguruar rendin dhe qetësinë, bashkëpunon me banditët për të ushtruar terror tek qytetarët. Gjithçka bëhet për t’i detyruar votuesit që të votojnë për Partinë Socialiste. PS ka mobilizuar sërish bandat për zgjedhjet e 25 qershorit edhe në radhët e policisë.
Në Kombinat në Tiranë është emëruar shef Krimesh miku i Shullazit dhe Tahirit për të ushtruar presion tek zgjedhësit që të votojnë për Partinë Socialiste. Emërimet e banditëve në polici janë bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako me urdhër të Ramës, një ditë para se të merrte detyrën ministri i ri i Brendshëm. Këto emërime janë bërë për të mobilizuar çdo ditë bandat e krimit për fushatë elektorale të PS.
I trembur nga humbja më 25 qershor, Rama kërkon të gjejë shpëtim tek banditët, duke i mobilizuar ata në polici dhe struktura të tjera shtetërore. Ai po përdor edhe administratë publike për të bërë fushatë për Partinë Socialiste. Punonjësit e administratës detyrohen që të dalin në mitingjet e Ramës për të mbushur sheshet. Kush nuk del në mitingje paralajmërohet me pushim nga puna.
Hymni Hashashit!
Efektet e kultivimit masiv të kanabisit në Shqipëri janë në kufijtë e çmendurisë. Përveç dëmit të imazhit, rritjes së kriminalitetit dhe efekteve të tjera tejet negative, ka ndodhur më e paimagjinueshmja. Fëmijë të shkollave 9-vjeçare në Vlorë kanë filluar t’i këndojnë me gëzim ‘lules së të keqjes”.
Një video e tillë ka mbërritur edhe në postën elektronike të ish-Kryeministrit Berisha, i cili e ka postuar atë në rrjetin e tij social. Berisha ka fajësuar për këtë fenomen tejet të papranueshëm Kryeministrin Edi Rama. “Hymni Hashashit! Në Narko-Republikën e Noriegës, në vend të himnit kombëtar, shkollat u mësojnë fëmijëve himnin e hashashit: “Me lulen tënde ne do bëjmë miliona”! Dëgjojeni vetë”, shkruan Berisha.
Eksponenti i PS i dalë nga burgu terrorizon Kasharin
Rama po përdor shkollat si lokale takimesh për PS
Kryeministri Rama po përdor edhe shkollat për mitingjet e tij elektorale. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, i cili në një postim në Facebook shkruan se, kryeministri nuk i njeh institucionet shtetërore dhe i trajton ato si pronë të partisë shtet. Gjithashtu Berisha shkruan se, klasat e shkollave janë shndërruar në lokalet e takimeve të PS-së.
“Noriega shndërron shkollat në institucione të narko-partisë shtet. Edvin Kristaq Rama alias Noriega, nuk njeh ligje, marrëveshje përveç drogës dhe farsës ekektorale. Ai ka shndërruar institucionet e këtij vendi në instrumente të shëmtuara të narkoshtetit të tij.
Kështu, ai dje, i braktisur përfundimisht nga qytetarët, mblodhi si reparte të partisë siçiliste nxënësit e shkollave të Fierit dhe bazën materiale të mitingut, siç tregon kjo video, pasi ato janë tashmë pronë e partisë shtet. Ndërkohë klasat dhe palestrat e shkollave janë shndërruar në lokale të takimeve elektorale të Partisë kanabiste. Kjo është komedia elektorale shqiptare!!”, shkruan Berisha.
Po ashtu, Berisha ka publikuar edhe një video e marrë në shkollën “Janaq Kilica” të Fierit, ku nxënësit ngarkojnë karriket e shkollës për mitingun e Ramës.
Rama ka dekalruar se nuk do të përdorë administratën për fushatë elektorale, por ky është mashtrimi i radhës i tij. Të gjithë punonjësve të administratës po u bëhet presion që të dalin në mtingjet e PS. Edhe në takimin e Fierit, sheshi u mbush me punonjës të administratës dhe nxënëss shkollash.
Edhe shkollat e Lushnjës po përdoren si seli të PS-së. Pas shkollës së fshatit Rrapëz në Njësinë Administrative Kolonjë, Bashkia Lushnjë, kandidatët e rilindjes janë përsëri në ‘mësim’ elektoral në shkollën e fshatit Gorre të kësaj njësie. Kryetari i PD Lushnjë, Myslim Murrizi shkruan në një postim në Facebook se, drejtori i Shkollës Gorre, Gent Andrea në fushatë brenda ambienteve të shkollës ‘Mihal Davidhi’. “Këtyre nuk ju bën përshtypje shkelja e ligjit, por Ministria e Arsimit deri kur do të heshtë? Zj. Ministre! Nuk jeni aty as roje godine as e punësuar si njeri në hall”, shkruan ai.
Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit të ndalojë përdorimin e shkollave si ambiente elektorale. “Kandidatët për deputetë të PS në Lushnjë kanë filluar të ‘bëjnë mësim’ në shkollë mbasdite. Jo vetëm që përdorin administratën për fushatë, por bëjnë takime elektorale brenda në shkollë. I bëj thirrje, Ministrisë së Arsimit të marrë masa të menjëhershme se nuk kanë shkuar me detyrë roje godine në ministri, por ministër me të gjithë kompetencat që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë. Përdorimi i administratës dhe i shkollave për fushatë elektorale është e papranueshme. Ja çfarë më shkruan një qytetare nga fshati ku sapo mbaroi ky takim ‘mësimor-elektoral’ i Rilindjes”.
Të premten, punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave me urdhër nga lart janë nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS atje. Përdorimi i administratës publike për fushatën elektorale të PS është i dokumentuar me foto dhe video dhe do t’u depozitohet organeve përkatëse. Denoncimi u bë nga kryetari i degës së PD Lushnjë, Myslim Murrizi. Sipas tij, drejtoresha e Spitalit të Lushnjës ka urdhëruar mjekë e infermierë. Drejtori i Arsimit ka urdhëruar mësues. “Po nuk hipët në autobusët para Poliklinikës Lushnjë nesër hiqeni nga puna”, janë kërcënuar mjekët dhe infermierët nga drejtoresha.
Punonjësit e administratës në Lushnjë u dërguan me autobusë për në Fier, ku zhvilloi mitingun Rama. Kryeministri është braktisur edhe nga njerëzit e tij dhe për këtë arsye, përdor punonjësit e administratës për të mbushur sheshet ku zhvillon mitingjet.
Në qytetin e Sarandës Zyra Arsimore i përdor mësuesit për fushatën zgjedhore duke kërcënuar me heqje nga puna kush nuk merr pjesë në takimin elektoral të PS. Astrit Llanaj edhe pse ka dy vite që ka dalë në pesion prapë vazhdon të kërcenojë njerëzit dhe arsimtarët e qytetit të Sarandës.
R.POLISI
KLSH: 169 milionë euro abuzime nga administrata shtetërore në janar-prill 2017
Janë 22.8 miliardë lekë shkelje dhe shpërdorime të kryera nga administrata shtetërore, në nivel qendror apo vendor, që ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit nëpërmjet auditimeve të kryera në periudhën janar-prill 2017. Shifra është e barabartë me 169 milionë euro. Sipas KLSH, janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale 960.5 milionë lekë, afërsisht 7.1 milionë euro.
Po kështu, audituesit e KLSH kanë zbuluar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme afro 21.9 miliardë lekë: 20.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave dhe 1.2 miliardë lekë në fushën e shpenzimeve.
Kështu, janë konstatuar tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Tiranë, në vlerën 19.8 miliardë lekë, nga të cilat 10.6 miliardë lekë janë shkelje të disiplinës financiare në fushën e Hidrokarbureve dhe 9.2 miliardë lekë të ardhura të munguara në fushën minerare.
Apo tek Bashkia Himarë, në vlerën 183.6 milionë lekë, si pasojë e mospagesës së tarifës për zënien e hapësirës publike për subjektet e pajisur me leje minerare; Bashkia Mat, në vlerën 167.1 milionë lekë për të njejtën arsye; Bashkia Sarandë, në vlerën 146.6 milionë lekë si pasojë e pagesave nga fondi i investimeve, të cilat kanë një impakt negativ financiar në buxhetin e bashkisë. Por edhe tek Klubi i Futbollit “Vllaznia” sh.a, Shkodër, në vlerën 23.2 milionë lekë, si pasojë e mosxhirimit në Drejtorinë Rajonale Tatimore, Shkodër të sigurimeve shoqërore të mbajtura.
Drejtoria Rajonale e Mjedisit Fier rezulton me dëm në vlerën 281.5 milionë lekë, si pasojë e mosvendosjes së penaliteteve për subjektet të cilat nuk kanë dorëzuar raportet e vetëmonitorimit, kurse Aluizni Tiranë, në vlerën 32.4 milionë lekë, si pasojë e mospagesës së taksës së Ndikimit në Infrastrukturë
Bashkia Sarandë rezulton me performancë më të dobët, me dëm në vlerën 539.8 milionë lekë, si pasojë e pagesave nga fondi i investimeve, të cilat kanë një impakt negativ financiar në buxhetin e bashkisë dhe shumë e paguar si pasojë e vendimeve të gjykatës për largimet e paligjshme nga puna, ndërsa Bashkia Himarë, në masën 399.8 milionë lekë si pasojë e pagesave nga fondi i investimeve, të cilat kanë një impakt negativ financiar në buxhetin e baskisë.
Shkeljet sipas sektorëve
Tatime dhe Dogana
Total Tatime 233 milionë lekësh
Drejtoria Tatimore Durrës 77.4 milionë lekë
Drejtoria Tatimore Lezhë 63.6 milionë lekë
Bashkia Cërrik 36.3 milionë lekë
Bashkia Himarë 35.7 milionë lekë
Bashkia Tepelenë 14.2 milionë lekë
Bashkia Sarandë 5.8 milionë lekë
Total Dogana 150.8 milionë lekë
Dogana Berat 108.6 milionë lekë
Dogana Elbasan 42.2 milionë lekë
Tenderat
Tenderat total 282.9 milionë lekë
Bashkia Sarandë 32.3 milionë lekë
Bashkia Tepelenë 26.6 milionë lekë
Bashkia Himarë 21.9 milionë lekë
Shkelje financiare
Dëm total 21.9 miliardë lekë
AKBN 19.8 miliardë lekë
Bashkia Sarandë 539.8 milionë lekë
Bashkia Himarë 399.8 milionë lekë
Bashkia Mat 167.1 milionë lekë
Drejtoria e Mjedisit Fier 281.5 milionë lekë
Sekuestrohet gjysëm ton drogë në Tiranë
Një sasi e madhe droge është sekuestruar dje në Tiranë. Aksioni është bërë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit. Gjatë këtij aksioni të zhvilluar nga efektivët e Komisariatit Nr. 2, janë sekuestruar 468.2 kanabis sativa. Të arrestuarit Arif Plasa, 55 vjeç, banues në Tiranë dhe Besnik Berisha, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrolli i kryer në banesën e Besnik Berishës, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 468.2 kg lëndë e dyshuar si kanabis sativa. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, me qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe “Vënia në dispozicion të ambjenteve për mbajtje dhe konsumim të lëndëve narkotike”.
Ndërkohë policia ka arrestuar dy persona për 768 kilogramët e kanabisit të gjetur të fshehura në një tunel në fshatin Piskovë, në Përmet. Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve Gentjan Hysenji, 36 vjeç, dhe Donald Nikollari, 32 vjeç; të dy banues në fshatin Piskovë. Menjëherë u sekuestrua lënda narkotike në cilësinë e provës, ku pas peshimit rezultoi se pesha totale është 768 kilogramë. Shtetasit Hysenji dhe Nikollari, dyshohet se janë poseduesit e lëndës narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprime të mëtejshme.
Grabitet kasaforta e zyrës së Gjendjes Civile në Mat
Zyra e Gjendjes Civile në Mat është grabitur gjatë ditës së djeshme nga persona të panjohur për policinë. Bëhet e ditur se, rreth orës 12:30, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Mat, ka njoftuar një punonjës i Bashkisë Mat, se është thyer xhami i zyrës së Gjendjes Civile dhe është hapur dritarja e kësaj zyre.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se persona ende të pa identifikuar kanë thyer xhamin e dritares, kenë këputur hekurat e dritares dhe kanë hyrë në zyrën e Gjendjes Civile.
Personat ende të paidentifikuar kanë vjedhur kasafortën që ndodhej në zyrën e Gjendjes Civile ku brenda saj kishte vetëm pulla që shërbejnë për dhënie çertifikate si dhe një sasi të vogël vlerash monetare që ndodheshin jashtë kasafortës.
Sipas deklarimeve paraprake të marra nga një punonjësi i Gjendjes Civile deklaron, se në kasafortë ndodheshin vetëm pulla dhe asnjë material tjetër. Kasaforta ku ndodheshin vulat e zyrës së Gjendjes Civile nuk është prekur. Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kasaforta ku ndodheshin vulat e zyrës së Gjendjes Civile nuk është prekur. Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Vritet me thikë një 39-vjeçar në Elbasan
Një 39-vjeçar në Elbasan u vra me thikë pas një konflikti të çastit. Krimi ndodhi mbrëmjen e së premtes në lagjen “Haxhias” në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Lazarenëve”. Renald Pulaku mbeti i plagosur nga goditjet me thikë, por ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të plagëve të rënda.
Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta policie, të cilat rrethuan zonën dhe u vunë në ndjekje të autorit. Edvin Gjini u arrit të arrestohej gjatë natës. Nga hetimet mësohet se viktima dhe autori kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri tjetrin për arsye ende të panjohura. Më pas në debat e sipër Edvin Gjini nxori thikën dhe e goditi disa herë Renald Pulakun.
Digjen 5 apartamente në pallatin e banesave sociale
Një pallat me banesa sociale në Fier është përfshirë nga zjarri gjatë pasdites, por fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Fierit, ku 5 apartamente të katit të parë të këtij pallati kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e flakëve u janë djegur dhe dëmtuar orenditë shtëpiake.
Sipas banorëve, mësohet se shkak ka qenë transformatori i kabinës elektrike që ndodhet në katin e parë pranë banesave. Kjo është hera e dytë që transformatori u shkakton zjarr banesave në këtë pallat të banesave sociale. Burimet pohojnë se tymi ka bllokuar hyrjen deri në katin e pestë dhe disa banesa në kate të tjera kan pësuar dëme nga tymi. Shërbimi zjarrfikës po punon për vënien në kontroll të situatës.
Kapen me kanabis e heroinë 3 shtetas shqiptarë në Greqi
Tre shqiptarë janë arrestuar në Patra të Greqisë, pasi u kapën me kanabis dhe heroinë. Mediat greke raportojnë, se dy kushërinjë shqiptarë 16 dhe 17 vjeç kanë rënë në pranga të policisë, së bashku me xhaxhain e tyre 38-vjeçar.
Nga hetimi rezultoi se dy adoleshentët së bashku me xhaxhain e tyre kishin groposur sasi të mëdha droge të kontrabanduara. U sekuestruan 5 paketa me peshë 65 gram heroinë dhe 18 pako me 17 kg kanabis sativa.
Policia konfiskoi edhe katër celularë dhe 5 karta SIM që përdoreshin nga të arrestuarit për trafikun e drogës. Hetuesit do të analizojnë kontaktet në aparatet celularë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Vrasja e dyfishtë në Vlorë, zbulohen gjurmët e autorëve
Për Policinë dhe Prokurorinë e Vlorës dy autorët e vrasjes së biznesmenit Merven Hysenajt dhe drejtorit të OSHE-së së qytetit bregdetar Roland Saliu, nuk janë treguar të kujdesshëm. Dy autorët, të cilët kanë lëvizur me një BMW të vjedhur në Durrës kanë kaluar në rrugët kryesore të qytetit bregdetar dhe janë filmuar nga disa kamera sigurie. Përveç kësaj, hetuesit thonë se ata kanë zgjedhur ta kryejnë vrasjen në një orar, ku ka pasur mjaft lëvizje të qytetarëve, të cilët kanë fiksuar lëvizjet e tyre. Disa prej dëshmitarëve okularë kanë dhëne detaje të vlefshme për hetimin.
Një tjetër gabim i autorëve sipas grupit hetimor është braktisja e makinës në dalje të fshatit Panaja. Dy autorët i kanë vënë flakën mjetit me idenë se ajo do të digjej pa ardhur zjarrfikësja. Por ata i kanë lënë xhamat e mjetit të mbyllura, gjë e cila nuk ka ndihmuar djegien.
Zjarrfikëset kanë mundur të shuajnë flakën dhe ekspertët kriminalistikë kanë arritur të gjejnë aty prova, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Aty janë gjetur fije flokësh që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të vrasjes së dyfishtë. Me mbetjet biologjike, pritet që të ndërtohen edhe profilet gjenetike të autorëve, për t’i krahasuar më pas me ato të personave të dyshuar. Në Institutin e Policisë po ekzaminohet edhe kallashnikovi i gjetur në mjetin që u tentua të digjej, për të parë nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Një makinë e vjedhur tip “BMW” është përdorur nga dy autorët për të arritur skenën e krimit, e më pas për tu larguar. Nga makina, u shkreh breshëria e plumbave që la të vrarë Roland Saliun, drejtorin e OSHEE-së në Vlorë dhe biznesmenin Erven Hyseni. Autorët kanë lëvizur me makinën “BMW” në qytet duke u filmuar nga kamera sigurie. Ata e kanë kryer krimin në një moment kur në qytet ka pasur qarkullim dhe në prani të dëshmitarëve të shumtë. Por, provat thelbësore që mund të çojnë në identifikimin e autorëve janë ato të gjetura në makinën e braktisur nga autorët në fshatin Panaja të Vlorës. Sipas grupit të hetimit të rastit, autorët janë përpjekur ti vënë zjarrin makinës, por kanë mbyllur në mënyrë hermetike dyert e xhamat e dyerve të makinës, duke bërë të flaka të fiket nga mungesa e oksigjenit. Në makinë mësohet se janë gjetur fije flokësh, arma e krimit, e prova të tjera që po analizohen nga ekspertët. Dyshimet e grupit të hetimit janë se shënjestra e vrasjes së dyfishtë ishte pikërisht biznesmeni Hyseni.
Dy të vdekur në dy aksidente automobilistike
Dy persona kanë humbur jetën ditën e djeshme në dy aksidente në Divjakë dhe në Kavajë. Një makinë ka përplasur një motoçikletë në fshatin Mizë të Divjakës mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:35, ku për pasojë ka humbur jetën një 25-vjeçar. Policia bën me dije se 32-vjeçari me iniciale A.P, banues në fshatin Mizë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, me targa AA 634 BE, është përplasur me një motoçikletë.
Si pasojë është aksidentuar drejtuesi i motoçikletës shtetasi M.M, 32 vjeç, banues në fshatin Kryekuq, Divjakë, dhe pasagjeri në motoçikletë, shtetasi L.S 25 vjeç. Ky i fundit ndërroi jetë në spital, ndërsa i plagosuri tjetër ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Eshtë shoqëruar në Komisariat shtetasi A.P dhe po kryhen veprimet proceduriale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
Po ditën e djeshme, një 16-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në autostradën Rrogozhinë – Kavajë. Rreth orës 19:20, në autostradën Rrogozhinë-Kavajë, drejtuesja e automjetit tip “Skoda”, Erila V., ka aksidentuar shtetasin e mitur H. D., 16 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes, njofton policia. Drejtuesja e automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të shkaqeve të aksidentit.