Nga ky vit akademik për studentët që nisin studimet në Fakultetin e Drejtësisë nuk do të aplikohet më karta e Bolonjës, pasi dekanati ka vendosur të ndryshojë programet e studimit. Dekani i këtij Fakulteti, Artan Hoxha, sqaron se të gjithë studentët që do të regjistrohen do të ndjekin programin pesëvjeçar të Bachelor dhe Master në të njëjtin program studimi.
“Për vitin e ri akademik ne përgatitemi të fillojmë studimet me program të integruar 5-vjeçar, masteri i nivelit të dytë. Është një detyrim që vjen nga ligji drejtpërdrejt. Nuk është vetëm për fakultetin tonë, por është për të gjithë universitetet që ofrojnë arsim juridik, duke u larguar nga programi i mëparshëm. Për shkak se ne kemi një program të vetëm të hyrjeve të reja këtë vit në universitet, kemi llogaritur një numër që ne vlerësojmë se është i pranueshëm për Fakultetin e Drejtësisë. Këtë vit Universiteti i Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë do të ketë vend për 750 studentë që fillojnë vitin e ri me programin e ri të studimeve”, deklaroi Hoxha.
Pavarësisht këtij ndryshimi, ende nuk ka një numër të përcaktuar qartë të kuotave dhe të tarifave për studentët e këtij fakulteti, por në bazë të këtij vendimi të ri pritet të ketë njëhsim të tarifave dhe rritje të numrit të kuotave.
Viti i ri akademik, Fakulteti i Drejtësisë me sistem 5 vjeçar
Republika e re nis marshimin
Lulzim BASHA
Çfarë entuziazmi, çfarë besimi dhe shprese tek e nesërmja e sigurtë e Republikës së re që themeluam këtu në këtë shesh. Më lejoni tani teksa rrezet e fundit të diellit prekin fasadat e Tiranës me një urim nga zemra për besimtarët myslimanë në këtë muaj të sakrificës, në këtë muaj të shpresës, në këtë muaj të ngadhënjimit, agjërim të lehtë, të pranuar e të mbarë vëllezër e motra, besimtarë myslimanë! Është një sprovë ky muaj për besimtarët myslimanë. Është një sprovë për të gjithë shqiptarët ky muaj. Është sprova se bashkë dimë dhe do të ndërtojmë shpresën, bashkë dimë dhe do të ndërtojmë të ardhmen, Republikën e re për çdo shqiptare e çdo shqiptar.
Ekipi i vlerave për Republikën e re
Mbrëmë unë dorëzova listën fituese të Republikës së re në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Siç e thashë edhe mbrëmë kam marrë vendime të vështira, por jo të papritura. Këtu në këtë shesh thamë se ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë duke sjellë në këtë bashkim të madh qytetarë, përfaqësuesit më të spikatur të shpresave, përfaqësuesit më të denjë të komuniteteve të ndryshme nga jugu në veri, duke sjellë njerëz të spikatur të vlerave. Sepse mbi të gjitha dhe para gjithçkaje Republika e re është dhe do të jetë gjithmonë Republika e vlerave. Vendimet që kam marrë mbrëmë pa dyshim i kanë ngritur pritshmëritë e çdo shqiptari dhe shqiptareje. Çfarë i shtyu këto zonja dhe zotërinj, këta të rinj dhe të reja dhe dhjetëra të tillë t’i bashkohen projektit tonë të madh që themeluam së bashku në këtë shesh, sheshin e lirisë, sheshin e çadrës së lirisë, sheshin e Republikës së re. Ju i dëgjuat disa prej tyre. Askush prej tyre nuk vjen të marrë, të gjithë ata janë njerëz të suksesshëm në jetën e tyre deri tani private apo publike në fushat e tjera përpos politikës. Vali Duka ja ku je. E vërtetë, takimin e parë e kemi patur në vitin 1995 kur unë isha akoma student në qytetin e Utrecht në Holandë dhe pedagogia Duka ishte një ndër zërat e paktë në atë kohë që përfaqësonte Shqipërinë në botën e përparuar akademike të Europës. Profesor Romeo Gurakuqi ti u krenove me Shkodrën, Shkodra dhe Shqipëria dhe shqiptarët krenohen me ty. Ça ka vendos kështu Lulzim Basha, kush janë këta që na ka sjellë? Po, po kjo është Republika e re, dy profesorë në krye të dy qarqeve, në Shkodër dhe në Korçë. Ky është standardi, ky është vendimi. Kjo është shpresa dhe pritshmëria juaj, kjo është rruga drejt fitores. Agron Shehaj që sapo më dha fjalën, foli me modesti jo karakteristike për Vlorën e bukur e të shtrenjtë që e kemi të gjithë në zemër. Agron Shehaj nuk është thjesht një sipërmarrës i suksesshëm shqiptar. Ai përfaqëson një plejadë akoma të vogël, por jashtëzakonisht të suksesshme në Europë dhe mbarë botën në industrinë e telekomunikacionit dhe industrinë e inovacionit dhe të teknologjisë së informacionit. Nuk ka rënë nga qielli, ka dalë nga lagjet e Vlorës, nga një familje tipike vlonjate, nipi i Sulo Shehit apo jo?! Dhe përmes punës së tij, duke mos u dorëzuar para asnjë vështirësie, me kurajon që karakterizon shqiptarin e ndershëm për të arritur atë që meriton me punë të ndershme. Sot është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Tiranë e Vlorë dhe një investitor i respektuar nga Italia në Londër. Ky njeri, ky vlonjat, ky sipërmarrës që nderon shqiptarët kudo nuk është pjesë e ekipit tim për të marrë asgjë, por për të ofruar dhe dhënë Vlorës dhe gjithë Shqipërisë formulën e vetme të suksesit, mundësitë për çdo shqiptar që do të garantojë një ekonomi të fortë e një të nesërme të sigurtë në Republikën e re të qytetarëve shqiptarë. Aleatë të dashur ju përshëndes! Nuk po vazhdoj me kurrikulën e çdo kandidati, në këto katër javë do të kemi mjaftueshëm kohë, por jo shumë kohë për t’i njohur të gjithë ata dhe aftësitë e tyre për t’i besuar me votën tuaj. Katër javë ju kërkoj ta bëni natën ditë dhe ju premtoj se në krye të katër javëve Republika e re do të jetë realitet për çdo shqiptar. Falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush. Jemi bërë një familje e madhe tani, shumë prej jush, gjithsecilin prej jush e njoh me emër. Pothuajse në një pjesë të madhe jemi parë në 90 ditë të qëndresës tonë dhe të hapit tonë të parë drejt fitores vendimtare të Republikës së re më datë 25 qershor. Aleatët tanë politikë që sot janë bashkuar nën siglën e Partisë Demokratike të Shqipërisë dua t’i falënderoj nga zemra për qëndresën dhe luajitetin e tyre!
Opozita është e bashkuar, pala kundërshtare e përçarë
Sot në Shqipëri opozita është e bashkuar. Pala kundërshtare është e përçarë. Të bashkuar ne shkojmë drejt fitores së sigurtë. Jemi mbledhur në këtë vend që ka marrë një domethënie të veçantë për gjithsecilin prej jush e për çdo shqiptare e shqiptar që i ka sytë e shpresës nga projekti ynë i Republikës së re. Në një moment tepër kritik për vendin, në një moment shumë të vështirë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve kudo ku jetojnë. Ne kemi ardhur në këtë ditë sepse deri më sot sistemi që ndërtuam 27 vite më parë nuk ka arritur të plotësojë ëndrrën dhe pritshmëritë e shqiptarëve. Në këto 4 vite të fundit Edi Rama dhe çeta e tij e korruptuar dhe inkriminuar ia ka dalë ta zhbëjë totalisht politikën si një instrument ndryshimi dhe arritjesh për qytetarët shqiptarë.
E vërteta është ajo që kemi thënë prej ditës së parë. Republika e vjetër është sot thjesht dhe vetëm një fasadë. E them unë, e thoni ju, e dini ju, e di çdo shqiptar, e dinë edhe kundërshtarët tanë, e pohojnë. E dëgjoni si flet për politikën si lojë shahu. E keni dëgjuar apo jo?! Lojë shahu, kjo është një lojë shahu.
Po njerëzit çfarë janë, gurë shahu?
A është gur shahu shëndeti i fëmijëve tuaj?
(Turma thotë: Jo!)
A është lojë shahu arsimimi i fëmijëve tuaj?
(Turma thotë: Jo!)
A është lojë shahu punësimi juaj?
(Turma thotë: Jo!)
A është lojë shahu niveli i pensioneve dhe rrogave të qytetarëve shqiptarë, faturat e energjisë, çmimi i karburantit?
(Turma thotë: Jo!)
A është lojë shahu dëshpërimi që ka kapluar vendin anembanë, i njerëzve që kërkojnë dhe nuk gjejnë vend pune, i atyre që kanë një vend pune dhe nuk kanë siguri nëse do ta kenë prapë nesër?
Kjo nuk është lojë shahu. Këto janë hallet e vërteta të shqiptarëve të vërtetë.
Dhe shqiptarët nuk janë gurë shahu Edi Rama!
Në 4 vite, krimi u ul në kolltuqet e Parlamentit dhe qeverisë
Në 4 vite Shqipëria u sundua nga aleanca e një grushti politikanësh me krimin e organizuar. Kriminelët që duhet të ishin mbrapa hekurave u ulën në kolltuqet e vendimmarrjes në Parlament, në bashki dhe madje vetë në qeveri. Në 4 vite ekonomia u shkatërrua. Ku janë 300 mijë vendet e punës që premtove Edi Rama? Ku është shëndetësia falas që premtove Edi Rama? E vërteta është se për Edi Ramën prej fillimit kjo me të vërtetë ka qenë një lojë shahu dhe tani që me vullnetin tonë të përbashkët marshojmë drejt 25 qershorit me vendosmërinë tonë për të diktuar vetëm zgjedhje të lira e të ndershme dhe përmes gjykimit të shqiptarëve me votë t’i japim fund Republikës së vjetër. Tani Edi Rama thotë se nuk kisha kohë për 300 mijë vende pune; se nuk kisha kohë për shëndetësinë falas; se nuk kisha kohë për 97% të shqiptarëve që do të paguajnë më pak taksa; se nuk kisha kohë për bujqësinë me impute bujqësore pa taksa e pa akcizë. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Edi Rama kishte kohë të mbaronte shumë prej këtyre punëve dhe të niste disa të tjera. Por Edi Rama zgjodhi ndryshe. Për të nuk ishte prioritet ekonomia, prandaj i rriti taksat, e rriti çmimin e energjisë, e rriti çmimin e naftës. Për të nuk ishte prioritet shëndetësia, as falas dhe as ajo jo falas. Prandaj paratë e shëndetësisë ia dorëzoi total në dorë katër koncesionarëve, miqve të tij që marrin qindra miliona euro taksave tuaja, që nuk shkojnë kurrë për pacientët tanë dhe familjarët e tyre. Edi Rama e kishte mundësinë t’i hapte me të vërtetë dyert e universiteteve për të rinjtë në bazë të meritë-preferencës, por në fakt krijoi një kaos total me maturantët dhe sot sipas ligjit të tij të arsimit të lartë studentët duhet të paguajnë tarifa më të larta për t’u futur në universitete…. Për t’u futur në universitete, ku nuk diktojnë as ata, as pedagogët, por politika dhe interesat korruptive. Edi Rama kishte kohë, por Edi Rama zgjodhi fasadat, Edi Rama zgjodhi palmat. Qindra euro për një palmë në vend që të rriste pensionet, në vend që të rriste ndihmën ekonomike, në vend që të ndihmonte fermerët, në vend që të subvenciononte studentët, zgjodhi të mbjellë palma dhe ndërtoi fasada me tenderat e tij korruptive anembanë Shqipërisë.
Edi Rama braktisi premtimet e para katër viteve
Politika, vendimmarrja është çështje prioritetesh, çështje vendimesh. Mua më pëlqen palma. Palma është pemë e bukur, në veçanti më pëlqen palma në verë sepse bën hije, pavarësisht se palmat e Edi Ramës janë tharë dhe në asnjë ditë nuk kanë lëshuar degë, por të pëlqejnë palmat dhe të harxhosh paratë e shqiptarëve për palma janë dy gjëra të ndryshme. E para është çështje shijesh, e dyta është një krim i rëndë kundër popullit tënd. Nuk do të ketë e nuk mund të ketë dhe me votën tuaj do të marrë fund koha kur kryeministri paguan me paratë e shqiptarëve, qindra miliona euro për palma e fasada, ndërkohë që qindra mijëra shqiptarë, dergjen në varfëri në mungesë shprese, në papunësi dhe pasiguri. Republika e re do t’i japë fund kësaj. Unë do t’i jap fund kësaj. Ju jap fjalën! Unë dhe ekipi im kemi një plan për nxjerrjen e shpejtë të vendit nga kriza e rëndë që na ka pllakosur, por për këtë së pari, duhet të shohim e të pranojmë të vërtetat ashtu siç janë. E vërteta është se, Shqipëria është në këtë krizë të thellë ekonomike, jo thjesht dhe vetëm sepse Edi Rama i braktisi premtimet e para katër viteve, por ai shkoi në drejtim të kundërt me këto premtime, sepse në interesin e tij nuk ishin kurrë interesat e shqiptarëve, por vetëm ato të një kaste pushtetarësh të korruptuar dhe kriminelëve që i siguruan votat dhe që e mbajtën në këmbë.
Më 25 qershor shqiptarët përmbysin Republikën e vjetër
Kjo është e vërteta. Më 25 qershor shqiptarët do të votojnë për të zëvendësuar një qeveri dhe një kryeministër që mban vetëm punët e veta, vetëm xhepat e tyre, që u korruptuan dhe bashkëpunuan me krimin, prej ditës së parë deri në ditën e fundit në zyrë. Që kontrollohen nga krimi dhe interesat e krimit me një qeveri të zgjedhur nga qytetarët dhe një kryeministër që kontrollohet vetëm nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Të krijojmë mundësi për çdo shqiptar. Sepse, ndryshe nga propaganda e atij që s’mbajti asnjë premtim, që premtoi 300 mijë vende pune dhe nisi 300 mijë shqiptarë në eksod. Ndryshe nga propaganda e atij që premtoi shëndetësi falas dhe tani thotë dua edhe 4 vjet të tjera për shëndetësinë falas. Po 300 mijë vendet e punës? Tani thotë do të bëj edhe 220 mijë të tjera. Çfarë do të thotë kjo? Mos do të thotë edhe 220 mijë shqiptarë të tjerë të ikin në këto katër vite? Kurrsesi! Fasada e propagandës për Shqipërinë që duam, Edi Rama mbaj vesh, dëgjo mirë. Çdo shqiptar e do Shqipërinë, por Shqipëria është e fortë vetëm kur shqiptarët janë të fortë sepse Shqipëria janë shqiptarët, janë qytetarët, janë populli i saj, nuk janë fasadat, nuk janë palmat, nuk janë tenderat dhe koncesionet korruptive. Nuk ka shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Nuk ka qytetar të fortë, pa ekonomi të fortë. Që të kemi një Shqipëri të fortë, duhet të kemi një ekonomi të fortë. Që të kemi një Shqipëri të mirë, duhet që qytetarët të ndjehen mirë. Që të kemi një Shqipëri të pasur, duhet të kemi shqiptarë, qytetarë që ndajnë proporcionalisht pasuritë e këtij vendi. Ky nuk është shteti i fortë që ne duam. Ky është shteti i të fortëve vetëm për një grusht të fortish. Kjo është Republika e vjetër. Ne do ta përmbysim së bashku më 25 qershor. Ne do të ndërtojmë një vend të mundësive për të gjithë. Një Republikë të re, jo vetëm për pushtetarët e ardhshëm. Unë e di, e di se çfarë mendimi keni shumica prej jush për politikanët. Dhe kjo në fund të fundit, prapë se prapë është njëfarë loje dhe sa futemi në zyrat e politikës nuk e kemi mendjen tek premtimet që dhamë, por e kemi mendjen tek pushteti, tek privilegjet, tek tenderat, tek koncesionet, tek emërimet. Në qoftë kështu atëherë me të vërtetë është lojë shahu dhe kjo nuk ia vlen. Por ne jemi këtu pas një beteje 90 ditore dhe në një marshim tjetër 30 ditor, jo thjesht dhe vetëm për të ndryshuar lojën e shahut, për të rrotulluar gurët e bardhë dhe të zinj, jo kurrsesi. Loja merr fund më 25 qershor, tryeza e shahut përmbyset më 25 qershor. Jo politikanët, jo një grusht politikanësh, por ju do ta keni në dorë më 25 qershor. Shqiptarë merrni në dorë Shqipërinë, më 25 qershor.
Gjithçka që çdo shqiptar të ketë të njëjtat mundësi
Lulzim Basha lindi më 12 qershor 1974 këtu në Tiranë. Nuk kam lindur as politikan, as jurist. Jam bir i një familje të thjeshtë. Babai im punoi si mekanik, si elektroauto, derisa doli në pension. Nëna ime ishte mësuese në ciklin e ulët katërvjeçar derisa doli në pension. U rrita në një familje të thjeshtë, në një lagje tipike të Tiranës, afër Medresesë. Sigurisht familja ime, si familjet tuaja, si familjet shqiptare, prindërit e mi bënë gjithçka në ato kushte të vështira, që unë të merrja sa më mirë bazat e arsimit.
Më edukuan me adhurimin për dijen, me adhurimin për arsimin dhe me hapjen e Shqipërisë, pas vitit 1990, unë përfitova nga kjo hapje një mundësi të madhe dhe në atë kohë shumë të rrallë. Të studioja në një nga vendet më të përparuara të Europës, në Holandë, ku me vlerat tipike shqiptare që më mbrojti familja, shoqëria, miqtë e mi, u përkushtova tërësisht dhe në vitin 1998, besoj se nderova jo thjesht Universitetin e Utrecht-it dhe Holandën, por në radhë të parë Shqipërinë dhe shqiptarët, kur u rreshtova i 10-i në botë në konkursin e famshëm ndërkombëtar, për drejtësi ndërkombëtare në Uashington e pas kësaj m’u dha mundësia në institucionet ndërkombëtare, së pari në Tribunalin e Hagës ku isha pjesë krenare e skuadrës që hetoi e ngriti aktakuzën dhe ndoqi penalisht kasapin e Ballkanit. Punova me nder dhe përkushtim për disa vite në Kosovë, pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara. Asgjë në jetë nuk më erdhi falas, gjithçka ishte produkt i mundësisë, i hapjes së mundësisë dhe i punës sime. Kjo është e vërteta ime deri ditën kur Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha në vitin 2005, hapi dyert e saj për kontributin e të rinjve në politikë. Dy herë kam përfituar mundësi nga hapja në vitin 1992, në vitin 2005. Mundësitë që m’u dhanë, iu jam përgjigjur me punë dhe sakrificë, me sensin më të lartë të dinjitetit dhe të shërbimit. E di që këto mundësi që funksionuan për mua, në shumë raste u përpoqa t’i kthej në mundësi që funksionojnë për ju. E tillë ishte mundësia për të ndërtuar veprën më të madhe infrastrukturore në historinë e Shqipërisë, Rrugën e Kombit. E tillë ishte mundësia për të shërbyer me nder si ministri juaj i Jashtëm në vitet historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. E tillë ishte mundësia për të shërbyer për një nga arritjet më të mëdha, shembjen e “murit të Berlinit” që ndante familjet tona, heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe rikthimit të dinjitetit të tyre. E di që nuk kam qenë gjithmonë aq i suksesshëm sa unë doja, siç është rasti i luftës politike që iu shpall Bashkisë së Tiranës me ardhjen e Edi Ramës kryeministër, me një dhe vetëm një qëllim, për ta bërë politikën një lojë të pistë ku nuk ka rëndësi kush vrapo i pari, por rëndësi ka të presësh tjetrin. Nuk më preu mua, preu qytetarët e Tiranës, iu preu këmbët duke prerë projektet madhështore që së bashku kishim. Kjo është kostoja e konfliktit politik. Kjo është kostoja e egos së çmendur të politikanit, i cili për të arritur synimet e veta politike, goditi axhendën e qytetarëve të Tiranës. Unë e kam parë dhe e kam vuajtur këtë së bashku me qytetarët e Tiranës ndaj ju premtoj sot se në Republikën e re vetëm interesi i shqiptarëve do të prevalojë dhe dora ime si kryeministër do të shtrihet ndaj çdokujt që punon për shqiptarët dhe interesin e shqiptarëve. Vëllezër dhe motra, ndonëse jam në syrin e publikut tash 12 vjet, ndjeva se duhet ta ndaja sot në këtë ditë të veçantë, në këtë takim të veçantë, këtë pjesë të historisë të jetës sime, për t’ju bërë të kuptoni se çfarë më shtyu të futem në politikë e të merrem me politikë. Unë kam një sens të jashtëzakonshëm mirënjohje ndaj Zotit të madh, ndaj prindërve të mi, ndaj qytetarëve të mi për shanset e mëdha që më janë dhënë në jetë. Unë nuk linda ky që jam. Unë jam ky që jam për shkak të mundësive që m’u dhanë në jetë natyrisht dhe përpjekjes dhe punës sime të palodhur për t’i kthyer këto mundësi në sukses, jo thjesht dhe vetëm për veten time, por për të gjithë ju. Ndihem i bekuar me atë çfarë jeta më ka ofruar. Por sot është momenti, sot është detyra ime të bëj gjithçka që çdo shqiptar të ketë të njëjtat mundësi e në veçanti rinia shqiptare të ketë të njëjtat mundësi për të ndërtuar këtu në Shqipëri jetën e tyre, jetën tuaj përmes punës tuaj të ndershme, pa ulur kokën para pushtetarëve, pa u torturuar nga shteti i fortë dhe qytetarët e dobët. Por duke ju falur vetëm dinjitetit tuaj, familjes tuaj, punës tuaj, djersës tuaj të ballit. Kjo me pak fjalë është shtysa dhe motivimi im për të shërbyer, për të shërbyer që së bashku do të ndërtojmë një Republikë të re.
Për 10 mijë studentët më të mirë do paguhet stazhi 200 mijë lekë në muaj
Republika e re, e cila do të marrë vendimet e duhura. Republikë të re, e cila nuk do të jetë fasadë, por shtëpia e përbashkët e çdo shqiptari dhe e çdo shqiptareje. Zgjedhja e 25 qershorit është një zgjedhje fare konkrete. O studentë shqiptarë, nëse qëndrojmë këtu ku jemi me këtë ligj korruptiv për arsimin e lartë, gjithmonë e më pak nga ju do t’ia dalin të futen në bankat e universiteteve e akoma më pak të gjejnë një vend pune me Republikën e re. Ky ligj do të anulohet që ditën e parë. Nuk do të ketë bir dhe bijë shqiptari që t’i pamundësohet studimi i lartë në universitetet publike, për shkak të pamundësisë ekonomike. Tarifa të ulëta, autonomi universitare, bashkëqeverisje mes pedagogëve dhe studentëve. Dhe për 10 mijë më të mirët të sapodiplomuar çdo vit, Republika e re do të paguajë stazhin 200 mijë lekë në muaj, për të bërë gati urën që lidh studentin e sapodiplomuar me tregun e punës.
100 milionë euro subvencione për bujqësinë
O bujq shqiptarë që keni parë këto katër vite çmimin e naftës të ngrihet. Keni parë të ngrihen taksat dhe keni parë doganat e korruptuar që t’ju shpartallojnë. Atë prodhim që mezi e nxirrni me djersën e ballit tuaj. Dhe s’keni parë një kokërr leku subvencion. Me Republikën e re, 1,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta dhe 50 milionë të tjera për infrastrukturën, do ta shndërrojmë bujqësinë shqiptare jo thjesht në një zanat mbijetese, por në një motor të fuqishëm të ekonomisë dhe zhvillimit rural.
Program konkret për arsimin
Fëmijë shqiptarë e në veçanti ju prindër shqiptarë. Sistemi arsimor nuk plotëson asnjë prej pritshmërive dhe shpresave tuaja, të shkatërruara këto 4 vite si asnjëherë tjetër. Republika e re ka një mision. Unë kam një program, një vendim; fëmijët e shqiptarëve nga kopshti deri në përfundimin e shkollës së mesme do të jenë shkolla me drekë falas të paguara nga Republika e re, nga buxheti i Republikës së re. Nëna shqiptare, ju nuk duhet të keni asnjë se fëmijët tanë do të enden rrugëve sepse deri në orën e daljes nga puna, Republika e re në shkollat që do të jenë tempujt e dijes do të garantojë pas orëve të mësimit aktivitete arsimore sipas përvojave të standardit europian. Në 4 vitet e para, kjo do të ndodhë në gjysmën e shkollave. Në krye të 8 viteve Republika e re do ta kthejë këtë standard europian në një të mirë të prekshme e të shijueshme për prindërit dhe fëmijët shqiptarë.
Taksë e sheshtë 9% për të çliruar ekonominë
Nuk ka dhe nuk do të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Si e shkatërroi ekonominë Edi Rama?! Me taksa të larta. Me dhunë. Me çmimet më të larta të naftës dhe energjisë në Europë. Republika e re do të përfaqësojë taksën e sheshtë 9 për qind, 15% tatimin mbi vlerën e shtuar, 1.5% të xhiros në total të taksimit qendror dhe lokal për bizneset e vogla me ndalim kalimi për inspektorët, zerimin e dividentit në mënyrë që 1 miliard euro që sot vit për vit abuzohet, vidhet apo shkatërrohet nga informaliteti dhe nga falimentimi i bizneseve. Të injektohen në ekonominë shqiptare dhe të çlirohen energji pozitive, punësimin e shqiptarëve, rrogat e larta për shqiptarët.
Anulim koncesioneve në shëndetësi
Shëndetësia shqiptare nuk do të jetë më lopa e 4 oligarkëve. 25 qershori do të jetë ditë zie për 4 oligarkët sepse të nesërmen e vendimmarrjes së shqiptarëve në Republikën e re, koncesionet korruptive në shëndetësi do të anulohen nga i pari tek i fundit dhe ju do të keni për herë të parë një buxhet shëndetësor që shkon me të vërtetë për mjekë që paguhen me dinjitet dhe s’ka nevojë të marrin ryshfetin në tavolinë. Farmacitë spitalore që u ofrojnë me detyrim atë për të cilën ju paguani taksat tuaja në buxhetin e shtetit dhe ilaçet nuk do të shkoni t’i kërkoni në farmaci private. Shëndetësi që do të shërbejë me mjekë të mirëtrajnuar sepse paratë e shqiptarëve nuk do të përfundojnë në xhepat e 4 oligarkëve, por do të shpenzohen me standard europian në një sistem shëndetësor, i cili nuk mund të ndryshojë brenda ditës, por do të ndryshojë për t’i shërbyer shqiptarëve dhe jo oligarkëve.
Cila është garancia?! Ju thashë që mbrëmë mora një vendim të vështirë. Vendimin e ekipit me të cilin Republika e re do të përfaqësohet. Ekipin më përfaqësues, më të denjë, programin e shpresave të vërteta të shqiptarëve. Por ju premtoj se kjo është hera e fundit që një kryetar partie vendos listën e deputetëve, sepse herës tjetër listën e deputetëve do ta vendosë vetëm qytetari shqiptar. Reformë totale kushtetuese. Shqiptarët do të zgjedhin drejtpërdrejtë përfaqësuesin e tyre në Parlament që do t’i kërkojnë llogari një qeverie të përgjegjshme, një kryeministri të përgjegjshëm. Ju do ta keni Shqipërinë në dorë ndaj le ta marrim Shqipërinë në dorë. Më 25 qershor merreni Shqipërinë në dorë. Le të ndërtojmë së bashku Republikën e re. Të ndërtojmë së bashku republikën tuaj për një ekonomi të fortë, për një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar. A jeni gati apo jo?! Fitore!
Katër javë për të rrëzuar të vjetrën
Opozita e Bashkuar hapi dje fushatën elektorale në Tiranë, në një tubim të mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pikërisht aty ku për 90 ditë u zhvillua rezistenca për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në prani të kandidatëve të 12 qarqeve, mitingu i djeshëm ishte një prezantim me figurat që kreu i PD Lulzim Basha, ka përzgjedhur për të garuar në zgjedhjet e 25 qershorit, ose lista fituese e Republikës së Re siç do e cilësonte vetë Basha. Personalitett të shqura nga profesione të ndryshme, kryesisht akademikë dhe intelektualë, por edhe sipërmarrës të suksesshëm janë pjesë e listës së Partisë Demokratike. Ata ishin dje aty, të thirrur dhe të grumbulluar me një qëllim të vetëm, fillimin e një epoke të re pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Për të realizur qëllimet e asaj rezistence historike, 90 ditore të opozitës që kanë të bëjnë me një të ardhme ndryshe nga ajo çka afron Edi Rama. Si për të mbështetur këtë inkursion drejt fitores, në mitingun e djeshëm ishin dhe ata që për 90 ditë zhvilluan betejën e madhe. Kryefjala e gjithçkaje në këto 30 ditë të fushatës elektorale do të jetë “Republika e Re, ekonomi e fortë e ardhme e sigurt”. Republika e Re, pikërisht ajo që u bë motoja e ditëve të rezistencës që nga shkurti i këtij viti. “Ja ku janë ata që do të ndërtojnë Republikën e Re”, tha Basha, duke u drejtuar nga kandidatët e përzgjedhur të listës. “Mbi të gjitha, Republika e Re është dhe do të jetë republika e vlerave. Vendimet që kam marrë mbrëmë, padyshim i kanë ngritur pritshmëritë e çdo shqiptari. Çfarë i shtyu këto zonja e zotërinj t’i bashkohen projektit tonë të madh që themeluam bashkë në këtë shesh? Ça ka vendosur kështu Lulzim Basha? Po po, kjo është Republika e Re, dy profesorë në krye të dy qarqeve, në Shkodër dhe në Korçë”, tha ndër të tjera Basha. Sipas tij, kandidatët e propozuar janë mundësia që u jepet të rinjve, e cila qëndron në qendër të filozofisë së PD. “Katër javë ju kërkoj ta bëni natën ditë dhe ju premtoj se në krye të katër javëve Republika e re do të jetë realitet për çdo shqiptar. Falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush. Jemi bërë një familje e madhe tani, shumë prej jush, gjithsecilin prej jush e njoh me emër. Pothuajse në një pjesë të madhe jemi parë në 90 ditë të qëndresës tonë dhe të hapit tonë të parë drejt fitores vendimtare të Republikës së re mw datë 25 qershor. Aleatët tanë politikë që sot janë bashkuar nën siglën e Partisë Demokratike të Shqipërisë dua t’i falënderoj nga zemra për qëndresën dhe luajitetin e tyre” tha Basha. Duke iu referuar vetes së tij lideri i PD-së u shpreh se dhe ai është një nga ata që ka përfituar dy herë nga mundësitë që ju dhanë, për shkak të lirisë. E para, ishte ajo mundësi që iu dha në vitin 1992, dhe e dyta, ajo e vitit 2005, kur u thirr nga PD e drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha për t’u bërë pjesë e qeverisjes së PD-së dhe më pas kryetar i saj. Mitingu i hapjes së fushatës zgjati për rreth një orë. Sot fillon një rrugë tjetër, ku kryetari i PD-së në krye të ekipit të tij do të udhëheqë PD-në drejt fitores. Nga 25 qershori, shqiptarët do të kenë një Shqipëri me më shumë investime e më pak varfëri, me çmime energjie më të ulura, me rroga e pensione më të larta, me shanse të barabarta për të gjithë. Ky është objektivi i Republikës së Re dhe opozitës për shtetin. Një Shqipëri ku rinia i drejtohet auditoreve të universiteteve dhe jo emigrimit dhe trafikut të drogës. Sot, nis rrugëtimi drejt një Shqipërie tjetër dhe kjo ishte fryma që u përcoll në mitingun e djeshëm, që ky vend ka shpresë, dhe ky vend mund të bëhet. Më 25 qershor, i madh e vogël duhet të votojë për Republikën e Re, për një ekonomi më të fortë dhe për një të ardhme më të sigurt, siç është dhe slogani që do e shoqërojë këtë fushatë.
Luljeta Sejko: Paga e pensione të larta, taksa të ulëta me programin e PD
Luljeta Sejko, eksperte nga fusha e financave, në listën demokrate për Qarkun e Fierit u shpreh mirënjohëse dje teksa rrëfeu se është përzgjedhur mes qytetarëve fierakë si një njeri i thjeshtë mes shumë të tjerëve për të përfaqësuar dhe mbështetur bashkëqytetarët e saj. “Përditë unë shikoj probleme të ndryshme të çmimeve, të taksave, minimumin jetik të jetesës së qytetarëve. Por gjërat mund të ndryshojnë dhe gjërat bëhen më mirë, do të bëhen më mirë, tregu do të jetë i lirë dhe konkurrenca e ndershme. Pagat do të rriten, pensionet do të rriten, taksat do të ulen. Këto mund të bëhen realitet me programin ekonomik të Lulzim Bashës, këto mund të bëhen realitet ashtu siç u bë realitet edhe ëndrra e një gruaje që nuk është marrë me politikë, por që do të zgjidhet deputete dhe do të përfaqësojë qytetarët e Fierit”.
Endri Hasa: Bashkë për një shoqëri ku u jepet mundësia të gjithëve
I listuar në kandidatët demokratë për Qarkun e Elbasanit, Endri Hasa shprehu ëndrrën e tij për të nxitur zhvillimin e teknologjisë në vend dhe përhapjen e përdorimit të saj në shoqëri. “Kur isha vetëm 14 vjeç, u largova në Itali. Më pas u ktheva në Shqipëri, ku m’u dhanë mundësi si inxhinier elektronik, por jo të gjithëve u jepen këto mundësi. Prandaj jam sot këtu. Jam këtu për të punuar për një shoqëri që u jepet mundësia të gjithëve. Sidomos të rinjve. Ëndrra ime është e thjeshtë, të fusim teknologjinë kudo, në çdo shtëpi, në çdo shkollë, në çdo spital, në jetën e të gjithë njerëzve, për fëmijët tanë. Teknologjia duhet të jetë pjesë e përditshme e jetës së tyre. Teknologjia është mundësi, teknologjia është liri dhe përparim. Jam krenar që zoti Basha më ka bërë pjesë të ekipit të Republikës së re”.
Valentina Duka: PD do fitojë si e vetmja alternativë për të ardhmen europiane
Valentina Duka, pedagogia e nderuar e Universitetit të Tiranës, njëkohësisht kryesuesja e listës së kandidatëve demokratë për Korçën hapi dje fushatën elektorale të PD, ndërsa shprehu bindjen në fitoren e thellë të PD si e vetmja forcë ku shqiptarët shpresojnë të ardhmen e tyre. “Më bënë pjesë të ekipit fitues në zgjedhjet e qershorit të 2017. Në fakt kam qenë para një dileme të madhe, të vazhdoja të isha pedagoge e Universitetit të Tiranës, të vazhdoja të merresha me studime akademike apo t’i futesha politikës. Triumfoi kjo e dyta, sepse një ditë të bukur, udhëheqësi i PD, miku im jo politik, por miku im universitar, një student i shkëlqyer i Universitetit të Utrehtit, më ftoi të jem pjesë e ekipit të tij dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, unë pranova ofertën e këtij udhëheqësi vizionar për ta çuar PD në fitore në zgjedhjet e qershorit. Arsyeja e dytë e rëndësishme ishte Korça, qyteti ku unë jam lindur, jam rritur, një nga qytetet më të bukura, më të emancipuara të Shqipërisë. Por jashtë fasadës urbane, po të shkosh në atë qytet, sheh që ka një varfëri të madhe, ka një papunësi kronike, ka një mungesë të madhe të rinisë dhe të shtresave të tjera korçare për të jetuar në atë qytet të bukur dhe duan ta lënë qytetin dhe të ikin jashtë. Demokratë dhe shqiptarë votoni Partinë Demokratike për të luftuar varfërinë, për të luftuar korrupsionin, kanabisin, për të rritur shpresat e shqiptarëve, për të jetuar në një Shqipëri më të mirë dhe më të prosperuar. Falënderoj djalin tim të dashur dhe bashkëshortin që pranuan që unë të merrem me politikë, falënderoj nënën time të shtrenjtë, e cila është një demokrate jashtëmase e madhe e Korçës, që më tha: m’u rritën 10 vjet jetë që ti pranove të jesh deputete e PD në qytetin e Korçës. Ne do të fitojmë në qershor se jemi e vetmja parti që do të çojmë Shqipërinë në radhën e kombeve të emancipuara të Europës me një djalë vizionar siç është Lulzim Basha”.
Izmira Ulqinaku: Do jem pranë bashkëqytetarëve të mi në çdo moment
Arkitektja Izmira Ulqinaku, pjesë e listës së kandidatëve demokratë për Qarkun e Shkodrës iu drejtua dje bashkëqytetarëve të saj shkodranë duke iu garantuar se do t’u qëndrojë në çdo moment për të ndarë shqetësimet e tyre dhe për t’u përpjekur për t’i zgjidhur ato. “Unë përfaqësoj Shkodrën e artit dhe të kulturës. Falënderoj zotin Basha për mbështetjen dhe besimin. Do të jem pranë bashkëqytetarëve të mi në çdo moment, në çdo kohë. Jam arkitekte, jam specialiste fasadash. Në profesionin tim të ndërtimit, fasadat renditen të fundit, janë thjesht estetikë. Kryesore kemi funksionin dhe ndërtimin e volumit. Rilindja ishte fasadë pa godinë, pa funksion, pa volum. Pas fasadës së Rilindjes fshihet krimi, droga, varfëria, papunësia dhe eksodi i të rinjve. U bëj thirrje të gjithëve, të hedhim themelet e forta të një godine, në funksion të popullit. Më 25 qershor të hedhim themelet e Republikës së re”.
Orjola Pampuri: Më 25 qershor të tundim themelet për Republikën e re
Orjola Pampuri, pedagoge e psikologe e mirënjohur në listën e kandidatëve demokratë në Tiranë shprehu bindjen se më 25 qershor shqiptarët do të festojnë së bashku nisjen e Republikës së re. “Krenare që jam këtu sot, krenare që do t’iu përfaqësoj. Të gjithë jemi një, të gjithë jemi të bashkuar që më 25 qershor të tundim themelet dhe të ndërtojmë Republikën e re. Në fakt, në punën time si psikologe, u bë vite që punoj me fëmijë dhe adoleshentë. Janë pjesa më e rëndësishme e kësaj shoqërie, janë ajo pjesë, e cila është cenuar fort. Është cenuar, sepse është cenuar fort sistemi arsimor, sistemi shëndetësor, është cenuar fort gjithçka që ka të bëjë me ta. Gjithçka që u ofron të mirë dhe jetën e qetë. E pra, të rrisësh fëmijë me kaq shumë probleme, do të thotë që të kesh themele jo të forta për një shoqëri. Çfarë Shqipërie do të ndërtojmë pa një fëmijëri të shëndetshme? Jo, fëmijërinë e shëndetshme mund ta ndërtojmë vetëm me Republikën e re, me kryeministrin tonë të ardhshëm, zotin Lulzim Basha. Vërtet do të largohem nga auditorët, por zërin e studentëve dhe të të rinjve do ta përfaqësoj denjësisht në Parlamentin shqiptar”.
Flamur Hoxha: Do jemi në dyert e çdo shqiptari për të ofruar të ardhmen
Sipërmarrës i suksesshëm prej 25 vitesh, Flamur Hoxha i listuar në kandidatët demokratë për Qarkun e Tiranës, shprehu angazhimin dje për të shërbyer me përulje ndaj qytetarëve në zbatim të programit ambicioz të PD në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e vendit. “Jam krenar që sot mbështes skuadrën e demokratëve me përgjegjësinë e madhe dhe angazhimin tim për të qenë me përgjegjësi ndaj vlerave, idealeve të Partisë Dmeokratike. Në emër të sipërmarrësve të gjithë Shqipërisë mbështes Lulzim Bashën dhe programin ekonomik të Partisë Demokratike. Programin e shqiptarëve të lirë, të taksave të ulëta, të pagave dinjitoze, të investimeve të përgjithshme të punësimit dhe jo të pallavrave, kjo është Shqipëria, ky është modeli ekonomik, unë do të jem mbështetës i këtij modeli. Ndoshta për të fituar është paksa e lehtë, mjafton të premtosh, por është më e vështirë të mbash fitoren. Për të fituar ju ftoj të gjithë shqiptarëve të trokasim në çdo derë të çdo shqiptari, në çdo familje të nxjerrim shpresën për të ardhmen kudo dhe njëkohësisht të mos harrojmë se pas fitores duhet të punojmë shumë, të përulemi, të shërbejmë, sepse është shumë e vështirë për ta ruajtur fitoren dhe për ta çuar Shqipërinë përpara. Kjo është Republika e re, republika nën vizionin e liderit Basha”.
Fatbardha Kadiu: Bashkë për një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurtë
Fatbardha Kadiu, një tjetër personalitet i shquar nga fusha akademike, doktore shkencash në fushën e politikave fiskale, në listën e kandidatëve demokratë për Qarkun e Durrësit. “Është nder, krenari të jem këtu, por më besoni mbi të gjitha është përgjegjësi. E ndjen më shumë se kurrë që sot duhet të jap kontributin tim direkt për zhvillimin e këtij vendi. Nuk mundet dot më të suportoj se si njerëzit, se si pak njerëz të këtij vendi pasurohen në mënyrë korruptive dhe abuzive, ndërkohë që gjithë populli shqiptar taksohet në mënyrë të padrejtë. Republika e re do t’i japë frymë sistemit proporcional, ky sistem do t’i japë të gjithë efektet pozitive agjentëve ekonomikë të këtij vendi për të pasur një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurtë”.
Agron Shehaj: Çdo gjë për ndryshimin e jetës së qytetarëve
Një nga sipërmarrësit shqiptarë më të suksesshëm, Agron Shehaj, në krye të listës demokrate për Vlorën shprehu angazhimin për të bërë çdo gjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve vlonjatë e gjithë shqiptarëve. “Jam larguar nga qyteti im kur isha 13 vjeç drejt Italisë, drejt të panjohurës. Sot jam këtu, si një njeri që është shkolluar, ka punuar dhe ka shfrytëzuar mundësinë dhe lirinë e Perëndimit, me këmbënguljen e një shqiptari dhe me guximin e një vlonjati. Ai gjak shqiptari më ka kthyer në vendin tim, ajo zemër vlonjate më kthen në qytetin tim të lindjes. Kthehem sepse njeriu kthehet gjithmonë te vetja. U ktheva në Shqipëri me përvojën perëndimore dhe krijova një kompani që më dha mua dhe bashkëpunëtorëve të mi sukses dhe punë. Nëse jeni duke bërë pyetjen pse iu fute politikës kur punët i kishe në rregull, sepse jam i bindur që mund të bëj më shumë, shumë më shumë. Nuk jam sot këtu për politikën dhe as për Parlamentin. Jam këtu sepse mendoj se në biznes mund të bëj shumë, por vetëm përmes politikës mund të bësh ndryshimin e jetës së njerëzve, kam arritur aty ku jam falë hapjes së perdes, së lirisë të vitit ‘91, hapjes së Shqipërisë përmes futjes në NATO dhe liberalizimit të vizave, jam këtu edhe si një shenjë e një tjetër hapjeje, ftesës që kryetari i opozitës së bashkuar, zoti Lulzim Basha bëri drejt shoqërisë, akademikëve, të rinjve dhe sipërmarrësve si unë. Me këtë hapje në sy dhe në mendje të shohim përpara drejt fitores së 25 qershorit, për Republikën e re me Lulzim Bashën”.
Romeo Gurakuqi: Kjo është Republika e re ku shqiptarët do ecin të sigurtë
Romeo Gurakuqi, profesori dhe akademiku i mirënjohur, në krye të listës demokrate për Qarkun e Shkodrës premtoi se do të mbajë lart dinjitetin e shkodranëve, ndërsa ftoi gjithë shqiptarët të bashkohen në projektin e madh të Republikës së re. “Ky është një moment shumë i rëndësishëm i procesit të ndërtimit të Republikës së re, e cila nuk do të jetë vetëm me fjalë, por do të jetë një Republikë e njerëzve të ndershëm, një Republikë e një Shqipërie europiane, e cila do të ecë e sigurtë, në paqe, në përparim, në proceset integruese për t’u bërë një vend i nderuar në Europë. Jam veçanërisht i respektuar që vij të përfaqësoj Shkodrën, një përfaqësi tradicionale, të djeshme dhe të sotme shumë të nderuar. Përgjegjësia ime dhe e gjithsecilit që do të përfaqësojë Shkodrën dhe krahinën e saj është e një rëndësie të veçantë, kjo sepse objektivat tona kanë të bëjnë me risistemimin e të gjithë sistemit të investimeve në këtë krahinë për të vazhduar ritmin e proceseve zhvillimore në një hapësirë që shkon paralelisht si nga periferia drejt qendrës dhe anasjelltas. Së dyti, proces shumë i rëndësishëm për Shkodrën, krahinën, por edhe për gjithë Shqipërinë është bërja e Shqipërisë një vend ku bashkëqytetarët tanë që jetojnë prej vitesh dhe dekadash jashtë vendit të mund të kthehen dhe të gjejnë një strehë ku të jetojnë të lumtur në paqe dhe harmoni. Ne shqiptarinë do ta bëjmë jo vetëm me shqiptarët që jetojnë këtu, por me gjithë shqiptarët e tjerë si një bashkësi kompakte që shikon me largpamësi proceset integruese në një vend të lirë. I premtoj Shkodrës teme dhe gjithë krahinës së saj që do të ruajmë lart emrin e një vendi, i cili ka ditur të jetë i orientuar në mënyrë të përhershme në Shqipëri dhe të jetë pjesë e pandarë e Shqipërisë. Premtoj se do të jem jo vetëm përfaqësues i Shkodrës, por edhe mbrojtës i të gjithë proceseve integruese ashtu siç kam bërë edhe me punën time”.
PD e Vlorës: Me këtë listë i rrezikojmë mandatin Ramës
Kryeministri Rama edhe mund ta cilësojë listën e PD si bashkim humbësish, mirëpo dega e demokratëve në Vlorë paralajmëron se me emrat e përzgjedhur do të rrezikojë edhe mandatin e vetë Ramës. Paralajmërimi vjen pas zyrtarizimit të listës së Vlorës, në të cilën janë përfshirë emrat e aleatëve, ku bie në sy edhe ish-deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri. Pas zyrtarizimit të listës së kandidatëve për deputetë në Vlorë, demokratët duken plot besim se do të rrezikojnë edhe mandatin e kryeministrit Edi Rama, i gjashti në listën e socialistëve. Nazeraj: Ne kërkojmë të maksimalizojmë votat, rreshtimit ironik të PS-së ku i gjashti është kryetari i PS apo Kryeministri i vendit. Ne i kemi vënë një listë serioze për ta injoruar këtë ironi. Ne objektivin e kemi të nxjerrim jashtë loje pikërisht kryetarin e PS-së. Lista e kandidatëve të Partisë Demokratike për Vlorën, duket se nuk ka hasur në kundërshtime, edhe pse në të janë përfshirë emrat e aleatëve, ku i treti renditet kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërsa Dashamir Tahiri, ish-deputeti i PDIU tashmë në radhët e Partisë Republikane listohet i pesti. Edhe Balli Kombëtar përfaqësohet në listën e Vlorës me Adriatik Alimadhin në vendin e gjashtë. Për kryedemokratin, Gramoz Nazeraj, lista përpiqet të unifikojë forcat. Nazeraj: Është një listë që më së shumti bie në sy për përfaqësimin gjeografik, pse jo edhe të marrëdhënieve me partitë aleate, ku Partia Demokratike demonstroi qartë besnikëri dhe qëndrueshmëri në marrëdhëniet me to. Pas publikimit të listave, tashmë demokratët e Vlorës janë gati të ndezin motorët e fushatës elektorale të 25 qershorit.
40 mijë komisionerët zgjedhorë që angazhohen për zgjedhjet për Kuvend
Rreth 40 mijë shtetas në mbarë vendin do të angazhohen si komisionerë dhe numërues për zgjedhjet e 25 qershorit. Zëdhënësja e KQZ, paralajmëroi administratën zgjedhore se pavarësisht se emrat e tyre propozohen nga partitë politike secili do të mbajë përgjegjësi ligjore nëse nuk i përmbahet respektimit të Kodit Zgjedhor. Hoxhaj nënvizoi se çdo lloj funksioni për administrimin zgjedhor nuk konsiderohet veprimtari për qëllime partiake. Hoxhaj: Për administrimin e procesit zgjedhor të 25 qershorit 2017 në të tre nivelet e administratës zgjedhore të përkohshme, komisionet e zonës së administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit, grupet e numërimit, do të angazhohen rreth 40 mijë shtetas si komisionerë apo numërues. Pavarësisht se administrata zgjedhore propozohet nga partitë politike, emërimi i tyre në detyrën e komisionerit apo numëruesit ngarkon secilin prej tyre me përgjegjësi ligjore për të administruar procesin zgjedhor sipas rregullave të Kodit Zgjedhor në mënyrë të paanshme dhe transparente. Marr shkas nga disa shqetësime të shprehura nga komisionerët, trajnuesit dhe inspektorët rajonalë zgjedhorë pas ndryshimeve të fundit ligjore të miratuara nga Kuvendi, KQZ informon se çdo lloj funksioni për administrimin zgjedhor nuk konsiderohet veprimtari për qëllime partiake. KQZ rithekson se angazhimi i komisionerëve si anëtarë të KZAZ, KQV, GNV, nuk bie ndesh as me asnjë nga aktet e fundit ligjore dhe nënligjore. Hoxhaj: Ndalimi i vënies në përdorim të subjekteve zgjedhore, i adminsitratës publike të çdo niveli, është një nga parimet kryesore të Kodit Zgjedhor që nga momenti i krijimit të tij. Me gjithë ndryshimet e bëra ndër vite të Kodit Zgjedhor, ky parim është ruajtur dhe angazhimet si komisionerë të burimeve njerëzore që vinin dhe vijnë nga administrata publike, nuk janë konsideruar si angazhim në veprimtari fushate dhe politike, as nga faktorët vendas e të huaj dhe as nuk është cituar në raportet e OSBE/ODIHR. 40 mijë komisionerët zgjedhorë që angazhohen për zgjedhjet për Kuvend, të datës 25 qershor, kanë përgjegjësinë për të kryer detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së, të cilat garantojnë ushtrimin e detyrës në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar. Gjithashtu, kanë edhe përgjegjësinë morale ndaj shoqërisë shqiptare, ndaj 3.452.260 votuesve, për të administruar dhe lexuar me korrektësi çdo vullnet të tyre, të shprehur me votë.
Rreth ekzistencës së Zotit
Rezart BEKA
Blaise Pascal (1623–1662) është i njohur në historinë perëndimore si një matematicien dhe fizikan i jashtëzakonshëm, shpikës dhe kontribues i shquar në shkencat ekzakte, si edhe si një filozof i mirënjohur i krishterë. Falë një vegimi fetar në vitin 1654, besimi i Paskalit në fenë e krishterë, më saktësisht në jansenizëm, u ripërtëri dhe meditimet e tij mbi fenë dhe ekzistencën e Zotit i dhanë jetë dy veprave të rëndësishme në filozofinë e fesë, më saktësisht veprës “Letrat Provinciale” (Lettres provinciales) dhe veprës tjetër të publikuar pas vdekjes së tij “Mendimet” (Pensées).
Veçanërisht në veprën e tij të fundit, Pascali ofron një argument në favor të besimit në Zot, i cili njihet ndryshe si “Basti i Pascalit”. Ky argument është një përpjekje e tij për të kontribuuar në temën e epistemologjisë fetare. A është, apo jo, racionale të besosh në Zot? A është patjetër e nevojshme që të kemi argumente të pakundërshtueshme dhe intelektualisht bindëse për të besuar në Zot?
Në historinë e filozofisë së fesë kanë ekzistuar përgjigje të ndryshme ndaj pyetjeve të tilla. Gjithsesi, nga ana epistemologjike në filozofinë e fesë qasja ndaj çështjes së ekzistencës së Zotit është përmbledhur në dy forma racionalitetesh, ai që quhet racionaliteti epistemologjik (epistemic rationality) dhe racionaliteti i matur (prudential rationality). Racionaliteti epistemologjik mbështetet në prova dhe argumente, si edhe në idenë se për të përqafuar një besim është e nevojshme të ofrohen prova racionalisht dhe intelektualisht bindëse. Një person, i cili i përqafon bindje të caktuara vetëm pasi ka hetuar intelektualisht besueshmërinë e tyre konsiderohet si një person që ndjek rrugën e racionalitetit epistemologjik. Por ka edhe një mënyrë tjetër se si një person mund të përkrahë disa besime të caktuara në vend të disa të tjerave. Kjo mënyrë tjetër konsiston në pragmatizmin dhe maturinë, që do të thotë nëse një person, pavarësisht pamundësisë për të ofruar argumente të pakundërshtueshme, beson se përkrahja e një besimi apo bindjeje të caktuar është në të mirën e tij dhe se ai nuk ka asgjë për të humbur nëse vepron sipas këtyre besimeve, atëherë ai është i justifikuar për t’i përkrahur ato në bazë të racionalitetit të matur (prudential rationality).
Pascali argumenton se ekzistojnë argumente të forta pragmatike dhe të matura përse duhet të besojmë në ekzistencën e Zotit. Për sa i përket çështjes nëse ia vlen apo jo të besojmë në Zot, Pascal shprehet:
“Le ta shqyrtojmë këtë çështje dhe le të themi: Zoti ose ekziston ose jo. Por ndaj cilës prej alternativave do të ishe i prirur? Arsyeja nuk mund të vendosë në lidhje me këtë çështje. Kaosi i pafund na ndan. Në njërin skaj ekstrem të kësaj distance të pafundme një monedhë është hedhur në rrotullim dhe do të ndalojë në kokë apo pil. Për cilën do të vinit bast? Arsyeja nuk mund t’ju bëjë të vendosni në favor as të njërës dhe as të tjetrës mundësi, arsyeja nuk mund të provojë se ndonjëra prej dy mundësive është zgjedhja e gabuar… ti duhet të vësh bast. Nuk ka zgjidhje tjetër, ju jeni përkushtuar tashmë. Cilën alternativë do të zgjidhnit atëherë?… Meqenëse një zgjedhje duhet bërë, le të shohim se cila prej dy zgjedhjeve të ofron interesin më të paktë. Ti ke dy gjëra për të humbur: të vërtetën dhe të mirën; dhe dy gjëra për të vënë në rrezik: arsyen dhe vullnetin tënd, si edhe dijen dhe lumturinë tënde. Po ashtu, natyra jote ka dy gjëra, të cilave duhet t’i shmangë: gabimin dhe mjerimin. Meqenëse të duhet patjetër të zgjedhësh, arsyeja jote nuk fyhet më nëse zgjedh njërën alternativë në vend të tjetrës. Kjo pikë është qartësuar tashmë? Po përsa i përket lumturisë tënde? Le të peshojmë përfitimin dhe humbjen e mundshme nëse hedhim bast se monedha do të bjerë kokë në favor të ekzistencës së Zotit. Le t’i vlerësojmë të dy rastet. Nëse ti fiton ke fituar gjithçka, nëse humbet nuk ke humbur asgjë. Atëherë mos hezito, vëre bastin në favor të ekzistencës së Zotit.
Pra, sipas argumentit të Pascalit, është pragmatike dhe e urtë që njeriu të besojë në ekzistencën e Zotit dhe të botës tjetër në mënyrë që të jetë i sigurtë për çdo rast, sepse nëse Zoti vërtet ekziston atëherë do të përfitojmë lumturinë e pafundme (shpëtimin në botën tejtër), por nëse ai nuk ekziston, atëherë besimi në të nuk shkakton asnjë dëm apo humbje. Ndërsa ai që nuk beson në ekzistencën e Zotit nuk është më i privilegjuar se ai që beson në Të, por nëse Zoti vërtet ekziston, atëherë ateisti ka gjithçka për të humbur. Duke qenë se arsyeja nuk mund të na ndihmojë në këtë çështje, atëherë jemi të detyruar të vëmë një bast dhe është më me përfitim dhe e matur që të vëmë bast në favor të ekzistencës së Tij.
Pascali konsiderohet i pari filozof feje që ka ofruar një version të tillë argumentimi për përfitimin dhe dobishmërinë e të besuarit në Zot. Mirëpo nëse do t’i hedhim një sy një prej veprave të dijetarit të mirënjohur Ibn Kajim el-Xheuzijeh (1292–1350 e.r.s.) të titullaur “Medarixh el-Salikin”, do të shohim se një argument nuk ka qenë aspak i panjohur për dijetarët myslimanë. Gjatë analizës që ai i bën stacionit shpirtëror të të kapurit pas fesë së Zotit, Ibn Kajimi argumenton se besimtarët e thjeshtë kapen pas fesë së Zotit duke u mbajtur fort pas mesazhit hyjnor që i ka mbërritur. Ata i nderojnë dhe respektojnë urdhëresat dhe ndalesat e Zotit, si edhe konfirmojnë të gjitha informacionet që shpallja hyjnor servir në lidhje me botën tjetër. Sipas tij, ata e bëjnë këtë duke u mbështetur në bindje të sigurt (jekin) për saktësinë e asaj që përçohet në mesazhin hyjnor dhe jo thjesht duke ndjekur hamendësime, hezituar apo duke besuar thjesht që të jenë në anën e sigurtë.
Pikërisht në lidhje me këtë aspekt të fundit, domethënë në besimin për të qenë brenda dhe për të mos rrezikuar të “digjesh” në botën tjetër, Ibn Kajimi e paraqet argumentin e Pascalit në formën e një poezie të vjetër arabe:
“Magjistari dhe mjeku që të dy kanë pohuar
Se të vdekurit nuk do të ringjallen. Unë them: Dëgjo këtu
Nëse ju keni të drejtë, unë (gjithsesi) nuk humb asgjë.
Por, nëse unë kam të drejtë ju jeni të dy humbës”.
Në këtë poezi të shkurtër, Ibn Kajimi ka përmbledhur thelbin e “Bastit të Pascalit” dhe të argumentit të tij rreth nevojës pragmatike për të besuar në Zot, i cili mbështetet mbi racionalitetin e matur apo pragmatizmin.
Pasi citon poezinë në fjalë, Ibn Kajim ofron qëndrimin tradicional Islam ndaj një logjike të tillë. Ai shprehet: “Kjo është rruga e njerëzve të mëdyshjes dhe dyshimit, të cilët i binden udhërimit dhe ndalimit (të Zotit) si pasojë e maturisë/kujdesit. Kjo rrugë nuk të mbron nga ndëshkimi i Zotit e as suksesi nuk i vjen atyre që e zgjedhin atë si edhe një rrugë e tillë nuk i shpie ata drejt sigurisë”.
Pra, për Ibn Kajimin rruga e Pascalit nuk është rruga e një besimi të vërtetë. Në mënyrë që besimi të ofrojë frytet e duhura, në këtë botë dhe tjetrën, ai duhet mbështetur në siguri dhe jo në llogaritje përfitimi dhe humbje. Besimi e përball njeriun me vështirësi dhe sfida të mëdha në jetë, të cilat për t’u tejkaluar kërkojnë sakrifica dhe mundime të atilla që nuk mund të arrihen nëse njeriu nuk është i sigurtë në vërtetësinë e besimit të tij, por në vend të kësaj ai ka vendosur të besojë thjesht për të qenë në anën e sigurtë dhe për të mos rrezikuar. Ibn Kajimi argumenton se një besim i tillë nuk dërgon asnjëherë në sigurinë e shpresuar, as në suksesin e dëshiruar, si edhe nuk e shpëton njeriun nga ndëshkimi hyjnor, sepse një besim i mbështetur në probabilitet dhe llogaritje pragmatike nuk konsiderohet i vlefshëm.
Rruga e ofruar nga Pascali mbështetet në një pesimizëm të madh rreth rolit të arsyes dhe intelektit njerëzor për të vërtetuar ekzistencën e Zotit dhe të jetës së përtejme, ndërsa këndvështrimi tradicional Islam ka qenë përgjithësisht optimist rreth mundësisë për të arrirë dije të sigurtë (jekin) në lidhje me ekzistencën e Zotit, madje një siguri e tillë përbën shtyllën mbi të cilën mbështetet besimi dhe vlefshmëria e tij. Siç është shprehur edhe Ismail Faruku e: “Imani (besimi) është, kështu, ‘bindje’, krejtësisht e lirë prej dyshimit të gjasës, prej të hamendësuarit dhe pasigurisë. Ai është një akt dhe jo një vendim, jo një zgjidhje për t’u pranuar apo për të mbështetur besimin, jo diçka që nuk dihet në është apo jo e vërtetë, si për të vënë bast me një pasuri të tërë për njërën apo për tjetrën kuti. Imani është diçka që i ndodh njeriut, kur e vërteta, faktualiteti i një objekti e godet atë në fytyrë dhe e bind përtej çdo dyshimi për të vërtetën e vet”.
Qëndrimi i Ibn Kajimit ndaj qasjes së Pascalit përmbledh në mënyrë të thukët kritikën tradicionale Islame ndaj një argumentimi të tillë, i cili fatkeqësisht shpesh shfaqet edhe në shumë ligjërata fetare, si një përpjekje për të vërtetuar “logjikisht” se besimtari në çdo rast, domethënë si në rastin e ekzistencën së Zotit ashtu edhe në rastin e mosekzistencës së tij, nuk ka asgjë për të humbur, përkundrazi ai është gjithnjë i fituar. Qëndrimi i Ibn Kajimit, ndonëse i shkurtër, shpreh qartë kritikën islame ndaj një forme të tillë argumentimi, si edhe i paraprin me shumë shekuj përsiatjeve të Pascalit.
Fotografia e fajit
4 shtator 2015. 40000 refugjatë sirianë janë duke përshkuar Ballkanin drejt Austrisë e më pas Gjermanisë. “Jemi në një avion pa karburant dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë”, thotë një punonjës me gradë të lartë i sigurisë së Angela Merkel. Kancelarja është e zënë në telefon me ministrin e Brendshëm, Thomas de Maiziere, që kishte pranuar një seri rekomandimesh të autoriteteve lidhur me mënyrën sesi të mbronte kufijtë. Mijëra policë u dislokuan fshehurazi me autobusë dhe helikopterë në kufi. De Maiziere i kërkon këshilla Dieter Romann, shefi i Përgjithshëm i Policisë, “Mund të jetojmë me imazhet që do të dalin?”, e pyet ministri. “Çfarë do të ndodhë nëse 500 refugjatë me fëmijë në krah marshojnë drejt rojeve të kufirit?”. Romann nuk flet publikisht nga fundi i vitit 2015. Kreu i Policisë ka një doktoraturë në të drejtë administrative dhe ka qenë funksionar i Ministrisë së Brendshme si shef i Njësisë për Terrorizmin dhe Ekstremizmin. Edhe nga kjo përvojë lind qëndrimi i tij i esëllt dhe jo emotiv ndaj “kulturës së mirëseardhjes”. Romann i përgjigjet De Maiziere se, përdorimi i duhur i masave për t’u përdorur do të vendoset nga policia për momentin. Kur Maiziere ia përcjell përgjigjen e tij Kancelares, Merkel ia hedh poshtë impenjimin fillestar. Kufijtë hapen për 180 ditë. “Për arsye historike, Kancelarja kishte frikë nga pamjet e policëve të armatosur që ndeshen me civilë në kufi”, zbulon Robin Alexander, gazetar kryesor i “Die Welt” që sapo ka treguar gjithçka në një libër prej javësh në krye të klasifikimeve të shitjeve, me titull “Die Getriebenen: Merkel und die Flüchtlingspolitik: Report aus dem Innern der Macht”.
Alexander tregon arsyet e vërteta që e kanë shtyrë Merkelin t’u hapë dyert 1 milion emigrantëve në pak javë. Libri futet në sekretin e diskutimeve të atyre ditëve midis kreut të CSU-së, Horst Seehofer, atij të atëhershëm të SPD-së, Sigmar Gabriel, ministrit të Financave, Wofgang Schauble dhe shefit të Kancelarisë, Peter Altmaier. “Në fund, Merkel ka refuzuar që të marrë përgjegjësinë, duke qeverisur me sondazhet”. Lindi kështu motoja e famshme merkeliane “Wir schaffen das”: “Mund t’ia dalim”. Merkel dhe partia e saj qenë të bindur se emigrantët mund të ndaleshin vetëm me ndihmën e dhunës jovdekjeprurëse, si zjarrfikëset me ujë dhe spreit trullosës. Do të kishte qenë kaotike dhe pamjet, ndoshta, të tmerrshme. Merkel ishte jashtëzakonisht e preokupuar nga pamje të tilla, nga impakti politik i tyre dhe u bind se, Gjermania nuk do t’ia toleronte. Në fakt, Kancelarja do të thotë se vendi i saj nuk do të ishte në gjendje të duronte pamjet nga kushtet e kampit të refugjatëve të Calais “për më shumë se tri ditë”. Libri i Alexander ka arritur majën e klasifikimeve pse ka nxjerrë nervin e zbuluar në diskutimet politike lidhur me emigracionin. Libri përshkruan një pjesë të historisë bashkëkohore dhe lexohet tamam si një triller.
Politika e refugjatëve e Merkelit nuk tregohet si një kryevepër e politikës së zemrës, por si një zgjedhje e diktuar nga frika e pamjeve nëpër televizionet e të gjithë botës. Është fotografia ajo që peshon tashmë në diktimin e sjelljes perëndimore në shumë momente kyçe, pamja që na çnderon dhe na tmerron, spektakli i madh i një riti tregues. Nuk ekzistojnë kufizime në tenderin e tmerreve të Perëndimit. Më 30 prill të 1975 bindte Sajgoni. Qe lufta, e bërë dhe e humbur nga Shtetet e Bashkuara në televizion më parë akoma se në pyjet dhe orizoret vietnameze. Përfundon me një arrati të ngutshme të helikopterëve nga çatitë e ambasadës amerikane. Pamjet e pashlyeshme të atij konflikti mbetën në mendjet e të gjithëve: fëmijë lakuriq, të djegur nga bombat me napalm; kafazë tigrash me vietkongë brenda; pyje të shpyllëzuar nga agjenti kimik portokalli. Gjatë luftës, një fotografi e vetme, ajo e një vajze të vogël vietnameze që vrapon lakuriq nën një bombardim, e llahtarisur nga dhembja (Huyng Cong-ut, 1972) ka shkaktuar më shumë dëme në opinionin publik amerikan se të gjithë reportazhet e mëparshëm e rrjeteve televizive. Bob Simon u ndesh një ditë në periferinë e Sajgonit, në autostradën Nr.13. Një minë jugvietnameze kishte hedhur në erë një kamion të mbushur plot me civilë të përzënë. “CBS”-i filmoi fëmijët e vdekur dhe nënat që i qanin. Bob Simon e paraqiti reportazhin e tij me pak fjalë: “Këto pamje. Nuk ka mbetur asgjë për t’u shtuar. Fatkeqësisht, asgjë tjetër”.
Më 1958 kolonelët francezë në Algjeri u kishin kushtuar studime të veçanta luftës psikologjike. Një prej komandantëve më të njohur tha këto fjalë: “Njeriu i sotëm nuk mendon më përveçse për imazhe. Edhe idetë e tij janë imazhe të organizuara. Pasoja është se në epokën tonë veshët dhe sidomos shikimi zëvendësojnë qasjen ndaj mendimit”.
Kalojnë 30 vjet dhe luftërat moderne të Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit përfundojnë për t’u vendosur nga fotografia që peshon. Viktimat dhe pamjet e një ushtari amerikan të vdekur të tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Mogadishos pas bombardimit të Black Hawk Dawn do ta shtyjnë Bill Clinton që të urdhërojë një tërheqje të turpshme nga Somalia. E detyruan administratën e tij që të rimendojë dhe eventualisht, të çmontojë planet për përdorimin e trupave amerikane nëpër operacione paqeje të Kombeve të Bashkuara në Bosnje, Haiti dhe pika të tjera strategjike. Gjenerali David Petraeus do ta përshkruante atë në Afganistan si “luftën e perceptuar dhe të kryer nëpërmjet lajmeve”.
“Në të kaluarën, imazhet e forta shkaktonin zemërim tek njerëzit”, thotë profesori i studimeve klasike të California University, Bruce Thornton. “Fotografitë e Luftës Civile të Matthew Brady i shtynë civilët e Veriut e të Jugut që të luftonin edhe më fort. Kurse sot kemi krijuar një kulturë terapeutike në të cilën vuajtja na shqetëson, edhe vuajtja e armiqve tanë më brutalë, kështu që jemi më të prirur ndaj politikash appeasement dhe tërheqjes për të mos e përballuar këtë papëlqyeshmëri. Jemi të pasur dhe pjesa tjetër e botës nuk është. Kështu që ngushëllohemi me një ‘faj’ me kosto të ulët, duke qenë se njerëzit më pas nuk bëjnë shumë për t’i përmirësuar këto jetë dhe kur e bën, zakonisht përfundon duke e bërë më keq. Është historia e ndihmës humanitare në Afrikë, trilionat e dollarëve që përfundojnë nëpër bankat zvicerane të diktatorëve dhe satrapëve. Në rastin e gjermanëve, më shumë se faji, ka funksionuar shpalosja e tepruar e një virtyti. Krimet e tyre historike i kanë bërë të dëshpëruar në demonstrimin se nuk janë nazistë, por paqësorë e të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Natyrisht që mund ta bëjnë pasi nuk u duhet të mendojnë për sigurinë e tyre kombëtare. Për atë mendojnë Shtetet e Bashkuara”.
Imazhe si superpolitikë. “Po, koha reale e mizorisë së përjetshme futet në dhomat e ndenjes të njerëzve gjatë ngrënies së darkës”, vazhdon Thornton. “Por ato pamje janë të privuara nga konteksti që u jep atyre një domethënie. Për shembull, pamjet e vietkongëve në ambasadën amerikane të Sajgonit gjatë Ofensivës Tet të vitit 1968 na bënë të besonim se po humbisnim luftën. Tet qe një katastrofë për Veriun, ku pati 40000 të vdekur. Ama në Shtetet e Bashkuara qe shumë vonë: të gjithë nisën të pyesin sesi t’ia bënim që të tërhiqeshim dhe kjo çoi në humbjen e Shteteve të Bashkuara”. Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta humbasin luftën në Irak me fotografitë e Abu Ghraib dhe të arkivoleve të sjella në atdhe, mbi të cilat administrata Bush vuri veton, më pas e hequr nga Obama. “Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e pamjeve të luftës nga fronti, në mënyrë pavlloviane, janë përdorur nga reporterët tanë perëndimorë për të avancuar temën e paracaktuar të fajit perëndimor në vend të sakrificës dhe kurajës së investuar në një kauzë fisnike”, thotë historiani i njohur, Victor Davis Hanson, edhe ai docent në California University dhe autor i të shumëshiturit “Masakra dhe kulturë”.
“Më 1991 ‘autostrada e vdekjes’ e famshme, me pamjet e vrasësve të Saddam Hussein që kishin plaçkitur e shkatërruar Kuvajtin, e shokuan publikun perëndimor, duke çuar në një armëpushim të menjëhershëm. Rezultati qe që aviacioni i Saddam mbeti i paprekur dhe gjatë ‘paqes’ u përdor për të masakruar civilët shiitë dhe kurdë. Pezullimi i ndihmave amerikane për qeverinë jugvietnameze, pas marrëveshjes së Parisit të 1973, bazohej mbi një opinion publik amerikan të sfilitur pas një dekade vrasjesh live në televizion, të ulërimës ‘duhet ta shkatërrojmë këtë fshat për ta shpëtuar’”.
Ndjenja e fajit, siç e ka shpjeguar Pascal Bruckner. “Elitat perëndimore shprehin humanitarizmin e ndjenjës së fajit, por edhe një lloj pendimi psikologjik që nuk duan të impenjohen drejtpërsëdrejti me ‘tjetrin’. Pak gjermanë duan t’i mirëpresin sirianët në shtëpitë dhe shkollat e tyre. Kështu që është një virtyt abstrakt, një paradoks i mirënjohur për Merkel. Problemet ekzistenciale të botës joperëndimore e tmerrojnë opinionin publik, nga përdorimi i forcës ushtarake në Afganistan e Libi tek ndihmat humanitare. E kuptojnë se rrallë përpjekjet e tyre kanë sukses ndaj kushteve kulturore paraekzistuese që kanë çuar tek varfëria dhe tek kaosi. Në këtë boshllëk, elitat teorizojnë paskolonializmin, imperializmin dhe shfrytëzimin e resurseve për të bindur perëndimorët që janë përgjegjës për varfërinë endemike, dhunën dhe kaosin në Azi, Afrikë e Lindje të Mesme. Tmerri jashtë vendit dhe paaftësia për të bërë diçka çon në reagimin skizofrenik të europianëve të hapjes së kufijve për milionat e refugjatëve të pakontrolluar, megjithëse duke e ditur se europianëve u mungojnë kapacitetet dhe ndoshta edhe dëshira për t’i integruar dhe asimiluar myslimanët e Lindjes së Mesme në kulturat e tyre. Rezultati i tyre janë lumenjtë e emigrantëve, aparteidi në qytetet dhe furia private e votuesve europianë që liberizmi publik përplas me frikërat private të tyre”.
E padurueshme pamja e Aylan al-Kurdi në një plazh të Turqisë. E padurueshme pamja e njerëzve të “ngecur” në aeroportet amerikane pas të ashtuquajturit “Muslim Ban” të Donald Trump. Të padurueshme uniformat portokalli të të burgosurve të Guantanamo (“Gulagu i kohës tonë”, sipas sekretares së Amnesty International). Drejtori i Twitter, Dick Costolo, ka pezulluar llogaritë që tregonin foto të John Foley, që iu pre koka nga islamistët. Asnjeri nuk ka dashur të shikojë foton e Khaleed al-Asaad, arkeologut me kokë të prerë dhe të varur për këmbësh në Palmira nga ana e Shtetit Islamik. Sepse humanitarizmi kërkon gjithmonë viktimën e përsosur, rrënjëshkulurin pa identitet që u ikën “luftërave”. Kjo vlen edhe për Izraelin. Një funeral fëmijësh izraelianë nuk është kurrë i denjë për çmime dhe publikime, ndërsa ai në Gaza siguron faqet e para të gazetave. Barriera e sigurisë e Izraelit është më e fotografuar se çdo yll në Hollywood, por vetëm në seksione në beton me grafitet, nën të cilat është lutur edhe Papa Françesku.
“Censurimi i pamjeve krudo është gabim: njerëzit duhet t’i shikojnë tmerret që kryejnë xhihadistët”, thotë Bruce Thornton. “Ndoshta atëherë do të maturoheshin zemërimi dhe dëshira për hakmarrje në vend të nënshtrimit dhe akomodimit”. Përvoja e Amerikës është sanksionuar në kulturë nga filmi “Apocalypse Now”, i realizuar sipas romanit “The Heart of Darkness” të Joseph Conrad. Paul Kurtz, funksionari belg i kompanisë tregtare, që vdes me këto fjalë: “Tmerri! Tmerri!”. Nuk jemi më të aftë ta durojmë.
“Jemi aq të pasur sa kemi krijuar një botë në të cilën vuajtja, mizoria, sëmundja, uria dhe dhuna që e kanë shënuar gjithmonë njerëzimin penetrojnë vetëm sporadikisht në botën tonë”, konkludon Thornton intervistën. “Kështu që mendojmë se paqja dhe mirëqenia jonë janë norma, kur në realitet ka anomali historike, pa garanci se mund të zgjasin përjetësisht. Jemi teknofilë dhe utopistë: në kundërshtim me traditën perëndimore të një natyre njerëzore jo të përkryer, besojmë në botën e re të progresit në të cilën askush nuk do të duhet të vuajë dhe të gjithë do të jenë të lumtur. Është një ëndërr e kushtueshme që për momentin mund t’ia lejojmë vetes. Ama nuk do të zgjasë shumë”.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Terroristi vetëvrasës
Mario Vargas Llosa
Fundi i Luftës së Dytë Botërore i dha një frymëmarrje lehtësuese Perëndimit. Beteja ishte e ashpër, por njerëzimi u çlirua nga nazizmi dhe tirania e Hitlerit. Bota kishte zënë mend, vendet e saj nuk mund t’ia lejojnë më vetes të grishen prej udhëheqësve fanatikë dhe shfaqen më të tërhequra ndaj ideologjive rravguese si ultranacionalizmi e racizmi që e yshtën radhën e katastrofave. U hap një epokë e re e paqes dhe bashkëjetesës ku lulëzuan demokracia dhe kultura e lirisë.
Ndjesia e optimizmit mori revan. Mes fitimtarëve zinte vend edhe BRSS-ja, ndërsa Stalini nuk kishte pikë qëllimi të hiqte dorë nga mënyra e tij e totalitarizmit dhe të ngadhënjente me anë të komunizmit në botën mbarë. Menjëherë pas pak nisi Lufta e Ftohtë, përgjatë 40 viteve që e mbante botën shtang, nën kërcënimin e një përplasjeje bërthamore që do t’i jepte fund civilizimit në të tëra ngjyrimet jetësore të globit.
Rrënimi i BRSS-së për shkak të lëngatave të brendshme dhe shndërrimi i Kinës në një vend kapitalist (megjithatë me një pushtet vertikal dhe autoritarist), ngjallën nga fundi i viteve ’80-të ndjenjën e entuziazmit tek të gjithë përkrahësit e lirisë. Armiku më helmatisës i lirisë, bashkë me totalitarizmin, ishte shkërmoqur për shkak të dështimit ekonomik e shoqëror, padrejtësive dhe krimeve të kryera prej atij vetë.
Edhe një herë tjetër, demokracia u shpërfaq si modeli i vetëm i aftë për t’i krijuar hapësira bashkëjetesës së ndryshmeve në gjirin e shoqërive që prodhonin zhvillim, begati dhe mundësi, brenda sistemit që respektonte të drejtat e njeriut, ligjshmërinë dhe lirinë. Tek shprehja e Francis Fukajamës, “fundi i historisë”, mishërohet shpirti i një periudhe nga e cila, duke tejkaluar kundërshtitë e mëdha mes vendeve dhe ideologjive, u arrit dalëngadalë gjetja e emëruesit të përbashkët në dobi të demokracisë që nuk turbullohej më nga fanatikët e së djathtës dhe së majtës skajore.
Optimizmi mori përsëri flatra. Ndërkohë që kjo profeci e pabazë ngjalli polemika anekënd botës, në Lindje të Afërt e të Largët, duke i dhënë hov një sfide pa kompromis ndaj kulturës së lirisë, çka gjendet e pranishme në ekstremizmin fetar që lëshonte mesazhe urrejtjeje ndaj SHBA-së, Londrës, Madridit dhe qyteteve të tjera evropiane, duke shkaktuar sa e sa të vdekur të pafajshëm, si dhe duke i lënë shteg të lirë periudhës së terrorizmit ndërkombëtar që e kapi në befasi gjithë Perëndimin.
Atentatet patën shtrirje deri në Afrikë, Lindjen e Afërt dhe Azi, duke krijuar në qytete si Nairobi, Dar es Selam, Yebra, Mombasa, Casablanca, Sharm el-Sheik, Dahab, Kampala, Bali, Islamabad dhe praktikisht në të gjitha qytetet e Irakut e Afganistanit, një mal me kufoma (vlen të theksohet se numri i viktimave të shkaktuara nga ekstremizmi fetar ka qenë më i madh brenda radhëve të vetë myslimanëve, krahasuar me atë të besimtarëve të feve të tjera apo edhe jobesimtarëve).
Pikërisht në këto çaste, bota e lirë u vetëdijësua se tentakulat e Al Kaedës, ISIS-it dhe celulave të saj ishin ndërfutur te bashkësitë me të cilët ndanin të njëjtin besim dhe cysnin bashkëfajtorë brenda gjirit të familjeve të emigrantëve, në disa raste edhe tek ata të brezit të dytë e të tretë. Përbindëshat e hershëm ishin të gjallë e në jetë, ndonëse tashmë nuk kishin nevojë për ushtri të shumënumërt. Nuk ua lypte nevoja. Strategjia e tyre e ligështimit dhe mpakjes së demokracisë mundësohej përmes një arme të re dhe vështirësisht të përballueshme: terrorizmit vetëvrasës.
Kjo mënyrë të vepruari ka ekzistuar qysh në krye të herës, megjithatë, përjashtuar Japoninë ku të vdisje i vetëvrarë për hir të Perandorit ishte një praktikë e shumë japonezëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, bëhet fjalë për raste të veçuara, të pamundura për të ndryshuar drejtimin e rrjedhës së një lufte. Vetëvrasjen e kohëve moderne, e tillë siç ndodh në Irak pas luftës që përmbysi regjimin e Sadam Hysenit, tashmë e vëmë re edhe në Pakistan e Afganistan, si diçka e pazakontë: një instrument bazë i strategjisë së skicuar nga Bin Ladeni, ISIS-i dhe ndjekësit e tyre.
Kjo mënyrë veprimi nuk synon rrënimin ushtarak të SHBA-së, por duke rrëmihur nën të, përmes atentateve ndaj viktimave të pafajshme dhe civilëve të paarmatosur, që duken të zaptuar nga frika e paniku, duke synuar të çrregullojnë funksionimin normal të institucioneve që mbajnë qeveritë, të ndjehen të pasigurt ndaj një lufte me armikun e padukshëm që kryen sulme si të një njeriu që s’ka se ç’të humbasë, që të yshtin për të marrë masa të tilla që jo pak herë bien në kundërshti flagrante me parimet bazë të demokracisë dhe dhunojnë një prej perlave të fituara nga kultura e lirisë, siç janë të drejtat e njeriut.
Terrorizmi vetëvrasës është një armë mjaft e vështirë për t’i bërë ballë në një shoqëri të hapur, ku ligjet respektohen, ku garantohen të drejtat e njeriut dhe të individit dhe ku kritika, doktrinat dhe idetë shprehen e përballen lirisht. Mund të mos të të dallojë askush ku futesh midis radhëve të njerëzve të zakonshëm dhe përgatitesh për sulme vrasëse me pak mjete në dorë dhe të arrihet qëllimi në një çast rehatie jodyshuese.
Aftësia shkatërruese e atyre që nuk e masin dy herë të vdesin duke vrarë është e pamatë. Tashmë që kjo mënyrë veprimi është e pazakontë edhe për kundërshtarët, e bën thuajse të pakapshme gjer në çastin që shkaktojnë katrahurën. Sakaq, e kanë mjaft të lehtë të zhvendosen lehtësisht drejt vendeve ku kanë planifikuar të kryejnë aktin e sakrifikimit, vende të cilat vështirë se mund të mbrohen krejtësisht. Nuk mund të ndodhë asnjëherë që një qeveri të ndodhet në rrethana të mbikëqyrjes imtësore të të gjitha mjediseve publike të një vendi apo një qyteti.
Nga ana tjetër, zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë luftarake, që u mundëson ditëve të sotme edhe zanatçinjve të vegjël me mënyra artizanale të shkaktojnë më shumë viktima se sa dikur shkaktonte një njësi artilerie, lehtëson skajshëm shënjestrën e terrorizmit. Na ka ndodhur të shohim e dëgjojmë raste që nuk ta merr mendja, me lëndë të ndezshme që mundësojnë të hedhin në erë avionin, të fshehura në shojet e këpucëve të një kamikazi të mundshëm. Në rrugëtimin e pamendtë së qenies njerëzore drejt vdekjes, nuk është çudi të kemi mbërritur deri te dalja në skenë e armëve bërthamore të lëvizshme.
Synimi i terrorizmit vetëvrasës zakonisht nuk është një objekt ushtarak, i cili zakonisht mbrohet me sisteme të përparuara teknologjike; por objektet civile ku gjenden një numër i madh njerëzish, ndërtesa publike, stacione metrosh e trenash, avionë pasagjerësh, qendra tregtare apo mjedise sportive. Terroristi vetëvrasës nuk ka për qëllim të fitojë luftën, as edhe të dobësojë aparatin ushtarak të armikut. Ai kërkon të terrorizojë popullsinë civile, të shkaktojë turbulli e panik në mënyrë që, nën trysninë e opinionit publik të pasigurt e të zemëruar, të kërkohet dorë e hekurt nga qeveritë përkatëse, që ta kthejnë në përparësi sigurinë duke lëshuar pe ndaj detyrimeve të tjera shtetërore.
Për institucionet publike dhe kompanitë private kjo do të thotë shumëfishim marramendës i shpenzimeve për sistemet e zbulimit të armëve dhe sendeve metalike të individit, në vendet e punës dhe të takimeve, biblioteka, stadiume apo vende të konflikteve të mundshme, duke vështirësuar transportin dhe vënë në siklet jetën e përditshme deri në skaj e për të ndjellur makthin për shumicën e popullatës.
Pasoja më e rëndë që vjen prej kërcënimeve të terrorizmit vetëvrasës që planifikohen ditëve të sotme ndaj Perëndimit demokratik është fakti se në përpjekjet e tij për t’u mbrojtur nga kërcënimet e përsëritura si ato të Kullave Binjake në Manhatan, në stacionin e Atocha-s në Madrid e kudo gjetkë, Perëndimit i duhet të heqë dorë nga vlerat dhe kultura e lirisë që i ka fituar mundimshëm, duke tkurrur e zvetënuar të drejtat që garantojnë jetën private, parimin që askush nuk është i fajshëm përsa kohë nuk është provuar juridikisht se është i tillë, ndalimin e torturës, “habea corpus”-in, sekretin bankar, të drejtën e kritikës, lirinë e shprehjes, e duke i transferuar këto të drejta tek trupat ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës që janë të specializuara në luftën kundër terrorizmit, si një pushtet që i përvidhet pjesshëm a plotësisht kontrollit të organeve përfaqësuese të shtetit të së drejtës si Parlamenti dhe pushteti gjyqësor.
Nëpërmjet trysnive dhe kërcënimeve, terrorizmi synon, e faktkeqësisht në disa raste edhe ia arrin qëllimit, të frikësojë autoritetet shtetërore dhe organet e shtypit me qëllim që të heqin dorë nga liria e informimit dhe e kritikës.
Çfarë fitoreje e paparë për udhëheqësit fondamentalistë që lëshojnë fanatikët të bërë deng me lëndë shpërthyese kundër njerëzve të paarmatosur, që të shohësh sesi demokracitë heqin dorë nga të qenit demokrate me arsyetimin se mënyra e vetme për të mbrojtur lirinë është ta nëpërkëmbësh dhe të hedhësh hapa të tillë përpara që të përqasin ditë më ditë me regjimet autoritariste!
“El Pais”
Si mund të frenohet propaganda e ISIS?
Stefano MELE
Fluksi tragjik i ngjarjeve terroriste që vazhdon të godasë Europën dhe që vazhdon të kërcënojë hapur stabilitetin ka sjellë një reagim për më tepër unitar të shteteve anëtare gjithnjë e më shumë të prirur drejt një ashpërsimi më të madh të masave që synojnë përballjen me terrorizmin, sa në brendësi të çdo territori kombëtar, aq edhe në internet. Por duhet evidentuar menjëherë se deri më sot nuk janë verifikuar ndonjëherë sulme të markës terroriste në kuptimin e vërtetë të fjalës kundër sistemeve informatike me rëndësi strategjike kombëtare dhe se aktivitetet në internet të ISIS-it në realitet kanë qenë të kufizuara ekskluzivisht nga propaganda, prozelitizmi, radikalizmi, në nivelin e parë të rekrutimit e të stërvitjes, në mbledhjen e fondeve dhe në planifikimin operativ të aksioneve të ardhshme terroriste. Në fakt, pavarësisht proklamimeve që e konsiderojnë ISIS-in si të aftë që të kryejë sulme informatike të profilit të lartë, si për shembull ato ndaj infrastrukturave kritike kombëtare apo të jetë në gjendje të zhvillojë në mënyrë autonome “armë kibernetike”, në realitetin e fakteve kjo organizatë terroriste nuk ka arritur absolutisht ta kryejë këtë “hop cilësor”.
Por edhe në rastet në të cilat janë verifikuar sulme informatike, niveli i tyre i kërcënimit nuk e ka kaluar kurrë pragun e të ashtuquajturve aktivitete thjesht shqetësuese. Në fakt, të gjitha sulmet informatike të zbuluara dhe që i atribuohen ISIS-it janë të klasifikuara si thjesht Distributed Denial of Service (të kryer me sukses nëpërmjet instrumentesh shumë të thjeshta si për shembull, softueri i kohëve të fundit “Caliphate Cannon”), si defacement të uebsajteve apo të profileve në mediat sociale të institucioneve të ndryshme ose maksimumi si marrja dhe publikimi i të dhënave personale të subjekteve që i përkasin aspektit qeveritar, ushtarak apo të sigurisë publike. Ajo mbi të cilën është përqendruar më shumë ISIS-i është kërkimi i metodave dhe i instrumenteve të komunikimit që të jenë sa më të sigurtë që të jetë e mundur. Faktikisht, duke bërë propagandë nëpërmjet internetit, një prej shtyllave të aktiviteteve të veta të prozelitizmit, ekspozimi i lartë në rrjet i anëtarëve të tij ka çuar në disa raste në identifikimin, gjeolokalizimin dhe deri vrasjen e tyre.
Megjithatë, anipse propaganda – e marrë më pas nga mediat ndërkombëtare – e paraqet ISIS-in si në gjendje të krijojë softuerë të dobishëm që i bëjnë totalisht të sigurtë komunikimet midis anëtarëve të grupit terrorist – si për shembull, rasti i kohëve të fundit i aplikacionit për celularë i mbiquajtur “Alrawi” – në realitet nga ky softuer, ashtu si për aplikacionin “Alrawi”, nuk ekziston asnjë gjurmë. Përkundrazi, pikërisht mbi temën e informacioneve të sigurta, informacionet në zotërim të bëjnë të besosh për përdorimin e përhapur edhe midis radhëve të ISIS-it e aplikacioneve të zakonshme e të mirënjohura si Signal, Telegram dhe Threema. Gjithçka tjetër është thjesht propagandë. Pavarësisht kësaj, reagimi politik në nivel ndërkombëtar të nesërmen e sulmeve terroriste është përqendruar ekskluzivisht ndaj dhënies së pushteteve më të mëdha e më penetruese organeve qeveritare, me qëllim që të mund të frenojnë aksesin në uebsajte të përdorura nga militantët e ISIS-it për zhvillimin e aktiviteteve të treguara më parë.
Në fakt, objektivi është ekskluzivisht ai i ushtrimit të një kontrolli më të madh brenda internetit dhe të censurohen menjëherë ato uebsajte që janë identifikuar si mjete për përhapjen e ideologjisë terroriste, për rekrutimin e martirëve të mundshëm të ardhshëm apo për mbledhje fondesh. Kjo sidomos – të kuptohet mirë – për shkak të nivelit të lartë të efikasitetit dhe penetrimit social të propagandës së bërë nga ISIS-i pikërisht nëpërmjet internetit. Por, në gjendjen aktuale të gjërave, ta bazosh strategjinë e represionit ekskluzivisht mbi këto lloj aktivitetesh, duke u kufizuar vetëm në luftimin në një mjedis kaq të gjerë dhe kompleks si interneti, që veç të tjerash është në gjendje t’u ofrojë rrugëdalje komode e të thjeshta subjekteve që u nënshtrohen hetimeve, bën që të duken metodat tradicionale investigative dhe represive si jashtëzakonisht “rudimentale”, të kushtueshme dhe në shumë raste joproduktive nga efektet, në mos minimalë dhe gjithsesi të kufizuar në kohë.
Në fakt, të kufizuarit vetëm në pengimin apo shtypjen në mënyrë totale dhe të gjithë aksesit në këto uebsajte që e bëjnë propagandën dhe radikalizmin “shërbimin” e tyre të ofruar komunitetit, duke ushtruar aktivitetin e filtrimit apo deri të errësimit total të këtyre hapësirave virtuale, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse ta dëmtojë efikasitetin e hetimeve të kryera deri në atë moment, shpesh duke bërë që autorët e aktiviteteve të paligjshme as të mos gjenden e të mos arrestohen. Për më tepër, ky uebsajt i “errësuar” do të rihapej menjëherë tjetërkund, duke u replikuar njëkohësisht në mënyrë të njëkohshme në shumë pika të internetit – në mënyrë që rrjeti xhihadist të mos humbasë vijueshmërinë e fluksit të informacionit – pasi hetimet do të duhet të rifillohen sërish sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Atëherë, zhvillimi i një aktiviteti efikas antiterrorizmi në rrjet nënkupton të veprohet domosdoshmërisht në shumë plane, njëlloj të rëndësishëm e të ndërlidhur midis tyre, duke mos harruar kurrë se jemi në prani të një fenomeni të lidhur sa me botën “virtuale”, aq edhe me atë “reale”. Prandaj – për sa dukshëm e mirëqenë, gjithsesi duhet të specifikohet – çdo tentativë luftimi që ka filluar në internet domosdoshmërisht do të duhet të gjejë logjikën e saj dhe ndjekjen faktike edhe në botën materiale. Një qasje korrekte për luftimin e këtyre fenomeneve mund të konceptohet nëpërmjet linjave strategjike të mëposhtme:
Analizimi dhe kuptimi i tipareve të veçanta të kërcënimit dhe objektivat që ISIS-i propozon të arrijë nëpërmjet internetit, pse jo edhe karakteristikat e militantëve të tij.
Në fakt, duket qartë sesi ISIS-i ka disa tipare të veçanta shumë të ndryshme krahasuar me grupet e tjera guerilase apo organizatave të tjera terroriste të njohura deri më tani. Në mënyrë të veçantë, veç të tjerash, nevojitet që të evidentohet sesi pjesa më e madhe e njerëzve që vendosin të anëtarësohen apo bëjnë pjesë në ditët e sotme në rangjet e ISIS-it, nuk e bëjnë për të përqafuar një ideologji radikale të islamit apo për të shpëtuar një rrënjë kulturore të përbashkët, por sepse të tërhequr nga sharmi i simboleve dhe narrativave magjepsëse dhe evokuese të nxjerra pikërisht nga interneti.
Aktivizimi i procedurave të konceptuara që të krijojnë dekurajim tek militantët e ISIS-it.
Heqja e shënjestruar e disa përmbajtjeve online, infiltrimi nga ana e agjentëve të specializuar në rrjetet xhihadiste të pranishme në internet, pse jo edhe fillimin e menjëhershëm të aksioneve penale – duke i dhënë njoftim publik – për krime të lidhura me terrorizmin (sidomos në optikën e krimeve të opinionit), përfaqësojnë padyshim tri akset kryesore nga ku të niset për të vendosur një strategji efikase frikësimi ndaj militantëve të ISIS-it. Kjo me qëllim që të ndërpriten aderimet e reja, të destabilizohet rrjeti xhihadist dhe marrëdhëniet ekzistuese të besimit, pse jo edhe të bllokohet aksioni online i militantëve të tij, që – kjo duhet kujtuar – janë formuar sidomos nga individë të “gjeneratës së dytë”, domethënë nga qytetarë europianë/perëndimorë.
Zhvillimi i aktiviteteve të kundërpropagandës dhe të promovimit të mesazheve pozitive nëpërmjet internetit.
Duke parë nivelin pothuajse “hollywood-ian” të komunikimit në internet të ISIS-it dhe mundësia pasuese shumë e lartë e impaktit të propagandës së tij mbi disa tipologji përdoruesish, nevojitet që të reduktohet aftësia tërheqëse e këtyre mesazheve nëpërmjet operacioneve të kundërpropagandës në kuptimin e vërtetë të fjalës (të shikohen, për shembull, videot e postuara në rrjet nga qeveria amerikane), sa edhe nëpërmjet promovimit të mesazheve pozitive nga ana e kujt nuk i përket rrjetit xhihadist apo nga ana e kujt largohet me vullnetin e tij.
Rritja e nivelit të vetëdijes dhe i ndjeshmërisë ndaj problematikave tek ata që menaxhojnë Internet Service Provider (ISP) dhe tek përdoruesit.
Duke iu përmbajtur pamundësisë materiale për qeveritë dhe forcat e tyre të policisë që të monitorojnë hapësirën kibernetike në mënyrë komplesive, konstante dhe efikase, nevojitet që të lëvizet për të hedhur bazat e një sistemi vetërregullimi të përmbajtjes nga ana e vetë Internet Service Providers (ISP), duke ju kërkuar këtyre subjekteve disa përgjegjësi bashkëpunimi dhe luftimi në këtë sektor. Duket qartë gjithashtu nevoja për të krijuar edhe prerogativat për lindjen e një sistemi vetëmbrojtjeje “nga poshtë”, i bazuar drejtpërsëdrejti tek përdoruesit finalë të internetit, duke e rritur vetëdijen e tyre për fenomenin dhe duke u dhënë atyre instrumente të thjeshtë e imediatë për sinjalizime eventuale të përmbajtjeve që vlerësohen si të rrezikshëm dhe/ose joportunë.
Zhvillimi i aktiviteteve diplomatike më të mëdha e më të shënjestruara me aleatët me qëllim që të parandalohen dhe kundërshtohen aktivitetet e propagandës dhe të radikalizmit ideologjik të ISIS-it në internet.
Sensibilizimi i qeverive të shteteve aleate ndaj këtij lloj kërcënimi, duke propozuar strategji dhe zgjidhje të përbashkëta, përfaqëson një kusht të mëtejshëm dhe të domosdoshëm. Pikërish natyra globale e kërcënimit, që nëpërmjet të ashtuquajturave “gjenerata të dyta terroristësh” ka të bëjë me të gjitha vendet perëndimore, pse jo edhe aftësitë e provuara të ISIS-it të arrijë të tërheqë nëpërmjet internetit një numër gjithnjë e më të madh subjektesh, ashtu si nevoja e domosdoshme e bashkëpunimit për aktivitetet investigative dhe shtypjes së këtij fenomeni, e bëjnë këtë element strategjik më shumë se kurrë të domosdoshme dhe në disa raste deri paralajmëruese të çdo aktiviteti tjetër.
Ndërprerja e fondeve që ushqejnë operacionet terroriste të ISIS-it.
Ajo e goditjes së llogarive bankare të mbajtura nga liderët e ISIS-it dhe nga financuesit e tyre, me qëllim që t’i boshatisin apo gjithsesi t’ua alternojnë sasinë e mbajtjes (aktualisht e vlerësuar në mbi 2 miliardë dollarë), përfaqëson një lëvizje sa efikase, aq edhe komplekse dhe që, për më tepër, i mbështet bazat e saj mbi raportet e pashmangshme të bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërkombëtar. Megjithatë, reduktimi edhe vetëm i një pjese të resurseve ekonomike në dispozicion të terroristëve islamikë nënkupton të kufizohet pashmangshmërisht resursi kryesor që ushqen, mbështet dhe motivon këto lloj konfliktesh. Nga ana tjetër, kjo stratagjemë sigurisht që nuk është e re për kronikat (siç e demonstrojnë planet për të rrëzuar Millosheviçin më 1991, më pas Saddam Hussein më 2003 dhe së fundmi Gheddafin më 2011) dhe sot mund të zbatohet edhe vetëm nëpërmjet sulmeve kibernetike të shënjestruara.
Në përfundim, siç është thënë tashmë, duhet të mos harrohet kurrë se jemi në prani të një fenomeni të lidhur sa me botën “virtuale” aq edhe me atë “reale”, gjithmonë objektivi i vërtetë i propagandës dhe i radikalizmit ideologjik nëpërmjet internetit, pse jo edhe hapi pasues ideal i tij.
Për pasojë, strategjia e konceptuar deri më tani nuk ka sesi të mos jetë një pjesë e vogël e një koncepti strategjik shumë më të gjerë, i prirur që të frenojë, pengojë dhe godasë aksionet e militantëve të ISIS-it në internet, por edhe, dhe sidomos në brendësi të territoreve kombëtare dhe të territoreve të pushtuara.
(Analiza është bërë nga Stefano Mele, presidenti i Komisionit të Sigurisë Kibernetike të Komitetit Atlantik italian)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Enigma Kaliningrad
“New Eastern Europe”
Pas një shëtitje nëpër qytetin e Kaliningradit, njeriu vështirë mund ta besojë se sa e gjatë dhe sa e pasur është historia e këtij qyteti. Panorama është plot me blloqe të hirta pallatesh të ndërtuara në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë kur Leonid Brezhnjevi drejtonte Bashkimin Sovjetik, në kulmin e Luftës së Ftohtë kur pak besonin se perandoria komuniste mund të shembej ndonjëherë. Fuqia e saj dukej se po rritej. Tanket dhe raketat e reja balistike përfaqësonin një vazhdimësi të politikës ekspansioniste së Stalinit që e çoi Bashkimin Sovjetik tek fitorja më 1945.
Teksa bënte pazare rreth fitimeve territoriale të reja, Stalini argumentonte se fitorja u arrit me një çmim aq të lartë sa të meritonte shpërblim. Mantra e tij ishte se Gjermania agresive militariste duhej të ndëshkohej për vdekjen e miliona qytetarëve sovjetikë dhe duhej të parandalohej nga ndërmarrja e çdo lufte të ardhshme. Aleatët perëndimorë treguan goxha mirëkuptim për këtë arsyetim. Në njëfarë mënyre, kjo është ajo që çoi në sigurimin sovjetik të hapësirave të mëdha të Europës Qendrore, ashtu si edhe në fitimin më të famshëm të Stalinit: pjesën veriore të Prusisë Lindore, përfshi kryeqytetin e saj Konigsberg.
Konigsberg u themelua më 1253 gjatë një prej kryqëzatave kundër prusianëve balltikas paganë. Qysh atëherë, ka argumentuar propaganda sovjetike, ai ishte bërë një avampost i militarizmit gjerman, një shpatë e drejtuar kundër vendeve sllave dhe në veçanti Rusisë. Për pasojë, Konigsberg duhej t’i jepej Bashkimit Sovjetik në mënyrë që tragjedia e luftës të mos e përsëriste kurrë veten. Si për ironi të fatit, sovjetikët plotësuan objektivin e Car Pjetrit të Madh që kishte ëndërruar një dalje të lirë dhe të papenguar në Detin Balltik për Rusinë. Kjo është arsyeja se pse për 45 vitet e ekzistencës sovjetike të saj, Oblasti i Kaliningradit i shembëlleu një baze ushtarake të madhe, me zemrën e flotës balltikase sovjetike në Gjirin Baltiysk.
Përpara Luftës së Dytë Botërore, Prusia Lindore ishte një entitet unik. Për mbi 100 vjet, ajo qe një shtet vasa; i Mbretërisë së Polonisë. Universiteti i Konigsberg – rëndom i njohur si Albertina – u bë universiteti ku studiuan shumë studiues, poetë dhe shtetarë të shquar me origjinë polake. Pjesa verilindore e Prusisë u bë gjithashtu djepi i zgjimit kombëtar lituanez të shekullit XIX. Përderisa librat e shkruara në lituanisht qenë të ndaluar në Perandorinë ruse të asaj kohe, ata shtypeshin në Prusi dhe më pas kontrabandoheshin në territoret lituaneze. Teksa rajoni ishte shumë i populluar nga fshatarësia lituaneze, ai shpesh quhej Lituania e Vogël.
Gjithashtu, Konigsberg ka një domethënie shkencore unike. Për shumë vite, 7 urat e Konigsberg përbënin një enigmë shkencore në shkallë mbarëbotërore. Problemi ishte sesi të ecej nëpër qytet dhe ta kaloje vetëm një herë secilën urë. Më së fundi ajo u zgjidh nga Leonhard Euler. Duke provuar se enigma nuk e kishte asnjë zgjidhje, Euler hodhi themelet për topologjinë bashkëkohore dhe teorinë e grafeve.
Konigsberg ishte edhe vendlindja e një prej filozofëve më të shquar të periudhës së Iluminizmit, Immanuel Kant. I lindur në kryeqytetin e Prusisë Lindore, ai pothuajse nuk u largua asnjëherë prej qytetit. Kant ishte i famshëm për shëtitjet e tij, në të cilat përsëriste të njëjtët rrugë. Këto shëtitje qenë aq të rregullta saqë fqinjët e Kant besonin se patën kurdisur orët për to. Kant qe një qytetar aq besnik i Konigsberg saqë bile i premtoi besnikëri Katerinës së Madhe, pasi Rusia e kish marrë përkohësisht kontrollin e Prusisë Lindore pas luftës 7-vjeçare.
Megjithatë, pothuajse 140 vjet më vonë, shumë pak njerëz qëndronin në kryeqytetin e bombarduar egërsisht të Prusisë Lindore. Me qëllim që të ndërtohej një hapësirë për një rend krejtësisht të ri, trashëgimia e paraluftës duhej të asgjësohej plotësisht. Me vendim të Josif Stalinit, të gjithë banorët e paraluftës u depërtuan. Është vlerësuar se 130000 prej atyre që nuk qenë larguar nga Prusia Lindore gjatë tërheqjes së Wehrmacht u larguan drejt zonës sovjetike të pushtimit në Gjermani.
Shumica e ndërtesave që i patën mbijetuar bombardimit të egër në përfundim të luftës do të shembeshin dhe do të zëvendësoheshin nga arkitektura sovjetike. Edhe vetë emri i qytetit duhej të ndërrohej. Vetëm një vit pas kapjes së Konigsberg, qyteti pushoi së ekzistuari. Mbi gërmadhat e tij u ngrit Kaliningrad, i emërtuar pas Mikhail Kalinin, kreut nominal të Bashkimit Sovjetik, përgjegjës për terror masiv në vitet tridhjetë.
Simbole të reja
Ripopullimi i Kaliningradit u krye në pjesën më të madhe të tij nga rusë, ukrainas dhe bjellorusë. Ata nuk e dinin çfarë të prisnin në perëndimin e largët të perandorisë. Disa u tërhoqën nga perspektiva e vendosjes në një zonë gjermane të mirëmenaxhuar, por nuk iu treguan pasojat shkatërrimtare të luftës. Në sytë e autoriteteve sovjetike, emëruesi i përbashkët i banorëve të rinj të Kaliningradit nuk ishte origjina etnike e tyre. Shumica dërrmuese e banorëve kishin lindur pas Revolucionit të Tetorit dhe nuk mund t’i kujtonin kohët cariste; ata qenë rritur dhe formuar nga komunizmi dhe nuk mund të njihnin asnjë realitet tjetër përveç atij të Bashkimit Sovjetik të madh. Në fakt, ardhja e tyre në Kaliningrad qe një pjesë e një eksperimenti social që rezultoi në krijimin e një qytetari akoma edhe më të rafinuar, Njeriun e Ri sovjetik, Homo Sovieticus.
Rrethanat për zhvillimin e konceptit Homo Sovieticus – bindje, indiferencë dhe pasivitet – qenë më shumë se të favorshme në Kaliningrad. Banorët e vjetër u zhdukën dhe një rend i ri mund të paraqitej. Autoritetet sovjetike synonin që të influenconin jetën e përditshme të qytetarëve të rinj dhe t’u kujtonin atyre se atdheu i tyre i ri ishte dhe do të ishte një pjesë e Bashkimit Sovjetik. Çuditërisht, shkatërrimi i disa simboleve të së kaluarës përpara lufte u shtynë.
Për shembull, rrënojat e Kështjellës Konigsberg u lanë të paprekura deri më 1969. Vetëm atëherë Leonid Brezhnev vendosi që të hidheshin në erë, gjë që si për habi shkaktoi protesta nga ana e inteligjencës dhe studentëve vendorë. Ata argumentuan se kështjella ishte një pjesë e pandashme e panoramës së qytetit. Në cepin lindor të ish-kështjellës, autoritetet vendosën që të ndërtonin “Shtëpinë e Sovjetëve”. E konceptuar si një ndërtesë monumentale, synimi i saj ishte që të tërhiqej vëmendja nga kohët e vjetra dhe të bëhej kartëvizita e Kaliningradit të ri. Teksa ndërtimi filloi më 1970, vështirë se ndonjë njeri mendonte se ndërtesa do të jetonte më gjatë se ideologjia që qëndronte pas saj.
Sovjetikët nuk shkatërruan dhe në fakt nuk mund të shkatërronin ndonjë simbol tjetër të Konigsberg të vjetër. Mu në zemër të qytetit, në ishullin Kneiphof ndodhej katedralja, e cila kishte në të varrin e Immanuel Kant. Varri u ndërtua më 1924 për të përkujtuar 200-vjetorin e lindjes së qytetarit më të shquar të Konigsberg. Pse u la i paprekur? Sepse me shkatërrimin e tij, autoritetet në mënyrë indirekte do të vinin në shënjestër babain themelues të komunizmit, Karl Marksin, vepra e të cilit ishte influencuar shumë nga Kant.
Megjithëse varri i mbijetoi rindërtimit të tërbuar të qytetit, rrethinat e tij nuk i mbijetuan. Në përgjithësi, planet komuniste supozonin se shumë duhej të shkatërrohej, por pak duhej të ndërtohej në fakt. Gërmadhat e katedrales qëndruan, në kontrast me shumë kisha të tjera në qytet. Ato që nuk u bombarduan apo nuk u shkatërruan u transformuan në magazina, pishina apo muzeume. Ishulli Kneiphof, pjesa me dendësi më të madhe banorësh e qytetit përpara lufte, u mbulua me beton.
Ndryshime të shpejta
Në vitet tetëdhjetë, Bashkimi Sovjetik u godit nga një krizë e brendshme e thellë. Mikhail Gorbaçovi filloi perestrojkën. Shtëpia e Sovjetëve mbeti e pambaruar teksa problemet financiare i bënë autoritetet që të ndërprisnin të gjithë punën ndërtimore. Megjithatë, muret e zhveshura të ndërtesës simbolizonin periudhën e ndryshimeve të shpejta që përjetoi Kaliningradi, përveç pjesëve të tjera të Bashkimit Sovjetik. Gjithsesi, Kaliningradi mori një prej goditjeve më të rënda me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Rajoni e gjeti veten të shtypur midis Lituanisë dhe Polonisë, duke u bërë një eksklavë passovjetike me Detin Balltik si lidhjen e vetme me prapatokën ruse. Pas rënies së komunizmit, fqinjët plotësisht të pavarur të Kaliningradit i patën organizuar kurset e tyre për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Europian. Në mënyrë të pashmangshme, kjo e rriti ndjenjën e izolimit midis popullatës së Oblastit.
Pasiguria qe aq e fortë saqë shumë po sugjeronin se fundi i Kaliningradit rus qe i pashmangshëm. Qenë përhapur thashetheme rreth gjermanëve që po ktheheshin për të pretenduar pronat e tyre apo lituanezë dhe polakë që po komplotonin për ta ndarë rajonin. Edhe pse një gjë e tillë nuk ndodhi, disa politikanë nga Kaliningradi dhe Moska e shfrytëzuan nocionin e një “fortese të rrethuar” për ta nxitur ankthin midis banorëve. Ndryshimet gjeopolitike evokonin një recesion, një që ishte shumë më shkatërrimtar për Kaliningrad sesa për Rusinë në tërësi. Ndërsa GDP-ja e Rusisë ndaloi së rëni më 1997 për herë të parë nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Kaliningradi vuajti për 2 vite të tjera më shumë. Sistemi bujqësor kolektiv joefikas, pa reforma të dhembshme, mbetej një barrë e rëndë.
Rajoni duhej të mbështetej në importet ushqimore nga jashtë. Gjithashtu, Kaliningradi kishte trashëguar një infrastrukturë ushtarake të fryrë me mijëra ushtarë të stacionuar në territorin e tij. Një kompleks i tillë i zgjeruar ushtarak e humbi në pjesën më të madhe arsyen e të qenit dhe Kaliningradi nuk mori asgjë në shpërblim. Dukshëm që asgjë nuk mund ta lehtësonte frustrimin.
Një Hong Kong i Europës Qendrore
Protestat kundër hedhjes në erë së gërmadhave të Kështjellës Konigsberg Castle në fund të viteve gjashtëdhjetë nuk qenë rastësi. Pakënaqësia me zhdukjen e çdo gjurme të realitetit para lufte u rrit me gjeneratën e re të kaliningradasve, njerëz që qenë lindur e rritur në rajon. Teksa bëheshin gjithnjë e më shumë të pjekur, ata nisën të bënin pyetje rreth të kaluarës që vështirë se mund t’i përgjigjej njeri. Ata duhet ta kryenin këtë kërkim krejtësisht vetë. Megjithatë, nën komunizëm kishin shanse të pakta që t’ia arrinin. Vetëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik u shfaqën mundësi të reja. Njerëzit qenë të lirë të zbulonin zona që patën mbetur tabu për 45 vjet. Eksplorimi i së kaluarës dikur zyrtarisht e urryer dhe e ndaluar kishte faqe të ndryshme.
Si gjithmonë, ishte politika. Kaliningradi ishte ndoshta shembulli më i qartë i polarizimit midis fanatikëve të rinj reformistë demokratikë dhe besimtarëve të vjetër komunistë. Të parët argumentonin se rajonit i ishte dhënë një shans unik për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë diçka më shumë sesa një bazë ushtarake. Ata kërkonin hapjen e gjirit të Kaliningradit me qëllim që ta bënin atë një Hong Kong të Europës Qendrore. Bashkë me një zonë ekonomike speciale, ajo do të përmirësonte ekonominë rajonale. Të dytët mbronin trashëgiminë komuniste. Ata paralajmëronin se çdo përpjekje për ta hapur Kaliningradin ndaj fqinjve perëndimorë të tij do të rezultonte në humbjen e kontrollit mbi territor nga ana e Rusisë.
Nga fillimi i shekullit XXI u bë e dukshme se kaliningradasit e perceptonin veten si jo plotësisht të afërm me bashkëpatriotët e tyre nga Moska, Kazani apo Vladivostoku. Ndjenja e identitetit rajonal të tyre është e fortë dhe në rrethana të veçanta, më kryesorja kur shikojnë se interesat e rajonit të tyre neglizhohen, ata janë të ngrihen e të protestojnë. Ky qe sidomos rasti me Georgiy Boos, i cili u emërua si guvernator i Oblastit të Kaliningradit nga Vladimir Putin më 2005. Mandati i parë i Boos u kujtua kryesisht si një periudhë vendimesh të marra në linjë me politikat e ndjekura nga autoritetet qendrore që shpesh patën një impakt negativ mbi rajon. Ai miratoi taksa dhe tarifa shërbimesh publike më të larta. Gjithashtu, ai u akuzua për mbylljen e perspektivave të zhvillimit ekonomik. Në fillim të 2010, Boos shpalli se do të garonte sërish. Fjalët e tij, të thëna në një mbledhje të Këshillit të Qytetit, shkaktuan disa prej tensioneve më të thella në Kaliningrad qysh nga viti 1991. Pak ditë pas lajmërimit të tij, mbi 10000 njerëz u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke e bërë Boos që eventualisht të largohej nga gara.
Gjatë kohës sovjetike, qëndrime të tilla qenë thelbësore për lituanezët, letonezët dhe estonezët. Shpesh ata referoheshin si “Perëndimi sovjetik” sikur ata nuk futeshin në sistemin komunist. Në mënyrë të ngjashme, Kaliningradi është quajtur nganjëherë “Perëndimi rus”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se shumica e kaliningradasve do të donte të ishte i pavarur nga Rusia.
Një hapje ndaj Perëndimit
Oblasti i Kaliningradit u shkëput shumë nga Polonia dhe Lituania kur këto dy vende hynë në Bashkimin Europian dhe më pas, në zonën Schengen. Për shkak të kësaj, ata duhej të vendosnin një regjim strikt vizash që solli disa rezultate pozitive. Krimi transkufitar dhe kontrabanda u reduktuan ndjeshëm. Megjithatë, ai erdhi me çmimin e kufizimit të trafikut kufitar, tregtisë së vogël dhe kontakt ndërpersonal.
Ka qenë deri në korrik të 2012 që ky është tejkaluar pjesërisht. Pas negociatash të gjata midis Polonisë, Rusisë dhe Komisionit Europian, Small Border Traffic Agreement (SBTA) hyri në fuqi. Me këtë, rezidentëve permanentë të Oblastit të Kaliningradit dhe rajoneve fqinje të Polonisë mund të siguronin leje që u lejonin kalimin e kufirit. Qytete të mëdha polake si Gdansk, Gdynia, Elbląg dhe Olsztyn përfshihen gjithashtu në marrëveshje. Në total, rreth 1.5 milion polakë mund të aplikojnë për leje dhe të udhëtojnë drejt “Królewiec” – emri historik polak i Kaliningradit – dhe rreth 900000 rusë kanë të njëjtat mundësi për të shkuar në Poloni.
SBTA-ja u bë një sukses i madh, kryesisht si pasojë e arsyeve tregtare. Kaliningradasit filluan të shkojnë në qytete të vogla polake për të blerë mish dhe produkte qumështi. Disa udhëtuan më tej deri në Gdansk apo Olsztyn me qëllim që të blinin mobilje apo elektronikë. Por ka më shumë se kaq. Njerëzit nga të dy anët e kufirit më së fundi mund të mësojnë më shumë rreth njëri-tjetrit. Rusët u bënë grupi më i madh i turistëve të huaj që shkojnë në Gdansk dhe polakët mund ta shikonin vetë se Kaliningradi nuk është vetëm një bazë ushtarake. Gjithashtu, ai ka një histori të pasur dhe ka një interes në rritje për ta zbuluar atë.
Në fakt, polakët po mësojnë se ndryshimet passovjetike që prekën Kaliningradin nuk qenë vetëm rreth politikës, ekonomisë dhe luftës për një jetë të përditshme më të mirë. Për disa kaliningradas, vetë mundësia e përdorimit ligjërisht të fjalës “Konigsberg” qe tashmë diçka e rëndësishme. Në mendjet e tyre, ajo qe një reklamë ngjitëse që mund të ishte fitimprurëse. Ndërsa disa biznesmenë të zgjuar anembanë Rusisë filluan të shisnin bluza me Leninin apo Marksin, ish-kryeqyteti prusianolindor ia dha emrin e tij një shumëllojshmërie biznesesh. U bë e lehtë, bile në modë, të pije birrë “Konigsberg” apo të udhëtoje nëpër autobusë “Konig”.
Më shumë sesa një markë
Megjithatë prapa kësaj qëndronte diçka më shumë sesa thjesht një mënyrë e bërjes para. Papritmas, emri i vjetër i qytetit u rishfaq në vetëdijet e banorëve. Me përdorimin e tij, shumë manifestonin krenarinë dhe afeksionin rajonal ndaj atdheut të tyre. Jo vetëm që fituan një markë lokale, por gjithashtu filluan të rimodelojnë identitetin e tyre, diçka e paimagjinueshme përpara viteve nëntëdhjetë. Për ta, “Perëndimi rus” nënkuptonte më shumë se një lloj ndryshe i të qenit rus.
Në fund të 2012 një grup aktivistësh socialë u mblodhën në Hotelin Kaliningrad dhe diskutuan mundësinë e ndryshimit të emrit sërish në Konigsberg. Pas diskutimesh të zjarrta, ata hartuan një peticion për Parlamentin rajonal ku shpjegonin pikëpamjen e tyre. Ata argumentonin se ishte e turpshme për qytetin që të mbante emrin e një personi përgjegjës për terror masiv në vitet tridhjetë. Gjithashtu, ata nënvizonin se emri Kaliningrad është një mishmash historik pasi fshin historinë para lufte të qytetit. Ishte në fakt kjo histori, pretendonin hartuesit e peticionit, në të cilën Rusia kishte një pjesë të konsiderueshme. Caresha ruse Katerina e Madhe e mori kontrollin e Konigsberg gjatë luftës 7-vjeçare. Në fakt, edhe që Immanuel Kant i premtoi besnikëri asaj e bënte atë një subjekt rus.
Peticioni ngjalli reagime kontradiktore. Për disa, ai ishte një akt kurajoje civile dhe një iniciativë që meritonte mbështetje. Për të tjerë, ajo provë e një ndërhyrjeje të huaj në rajon, synimi i së cilës ishte që ta ndante Kaliningradin nga Rusia. Një grup zërash të moderuar u përpoqën që ta vendosnin propozimin në kornizën e një debati të vjetër. Ata sugjeruan një referendum më 2024, përvjetorin e 300-të e lindjes së Kant, kështu që qytetarët të mund të vendosnin vetë. Megjithatë, iniciativa u bë një fiasko. Rezultoi se në Rusinë e sotme ekziston pak hapësirë për kryerjen e hapave të tilla. Peticioni u nënshkrua eventualisht nga vetëm 400 njerëz anembanë Rusisë.
Enigma të pazgjidhura
Megjithatë e kaluara passovjetike akoma po rritet në rëndësi. Universiteti i Kaliningradit është emërtuar Immanuel Kant sërish. Ka pasur plane për të rindërtuar qendrën historike të qytetit, duke rikthyer kështu shpirtin e Konigsberg. Numri i njerëzve që e përshkruajnë veten si “rusë perëndimorë” apo “konigsberger” gjithashtu është në rritje. Për më tepër, rajoni nuk është më një ishull plotësisht i izoluar, më së shumti falë marrëveshjes së vogël të trafikut me Poloninë.
Megjithatë, ka edhe një anë tjetër të monedhës Kaliningrad. Konflikti ruso–ukrainas hedh hije tani mbi të ardhmen e bashkëpunimit të thelluar midis Oblastit dhe fqinjëve të tij. Flota balltikase ruse është ende e stacionuar në Baltiysk. Vendet e lëshimit të raketave balistike kanë qenë gjithmonë konstante në rajon. Kështu, perspektiva e kthimit të Kaliningradit në statusin e një baze ushtarake të tipit sovjetik është akoma shumë e mundshme.
Sidoqoftë, Kaliningradi rus formon një enigmë ekzituese, të cilën kemi qenë në gjendje ta dëshmojmë. Enigma nga koha e Kant – Shtatë Urat e Konigsberg – rezultuan të jenë një nyje gordiane dhe u zgjidh vetëm nga katastrofa e luftës, gjatë së cilës dy ura u shkatërruan, duke e bërë shëtitjen nëpër Kaliningradin sovjetik dhe rus dhe kalimin e çdo ure të mundshëm vetëm një herë.
Enigma bashkëkohore rreth të ardhmes së identitetit të Kaliningradit dhe banorëve të tij duket më e vështirë për t’u zgjidhur. Çfarë rezultatesh do të sillte? Do të shfaqet një identitet rajonal i ri, i influencuar nga kultura ruse dhe trashëgimia prusiane e tij? Çfarë impakti afatgjatë do të kishte mbi Kaliningradin afërsia me Bashkimin Europian dhe integrimi balltikas? Për momentin, këto pyetje do të mbesin pa përgjigje.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
S’më pëlqejnë lojtarët agresivë
Paulo Dibala, “diamanti” i Juventusit dhe dopio-kampioni i Italisë, ka rrëfyer jetën personale në një intervistë të gjatë të dhënë për “Repubblica”-n. “Topi për mua ishte gjithçka. Me vëllezërit e mi dizenjuam me bojë një portë në murin e shtëpisë dhe më pas goditjet në drejtim të tij nuk reshtën, ndonëse mamaja ime nuk e priti shumë mirë këtë. Në shkollë mërzitesha dhe madje, në vegjëli, për disa kohë provoja të luaja edhe basketboll”.
“Nuk më pëlqejnë ata që bëjnë si të fortë, lojtarët agresivë, ata që jetojnë me ekzagjerime, ata që mendojnë se duhet të bësh gjënë e gabuar në mënyrë që të tjerët të flasin për atë, ata që duan të jenë me çdo kusht ndryshe nga të tjerët. Personalisht e mbroj shumë imazhin tim, sepse çfarë të keqe ka të jesh një person i drejtë?!
Unë nuk e hedh veten time kot, as në fushë, nuk kërkoj penalltinë, sepse mendoj se mund të bësh diçka për të tjerët edhe duke mos qenë të mallkuar dhe të nervozuar, pa pështyrë te jeta. Për këtë po krijoj një fondacion, me seli në Argjentinë, që të merret me fëmijët me probleme”.
“Unë nuk jam tipi që besoj te të bukurit dhe të mallkuarit, sepse mund ta shmangësh normalisht që të ngresh ferre të tillë. Mes të qenit shenjtor dhe indiferent ka shumë rrugë të mesme. Mua më pëlqejnë sportistët me stil, si Federer dhe Bolt, ata që të përfshijnë”. “Jam rritur në disa pjesë të rëndësishme të jetës sime pa babanë, pa familjen dhe kishte net që shkoja të qaja në tualet, – vazhdon Paulo, i cili pranon se mund të qajë sërish në të ardhmen. Për çfarë do derdhja lot? Në fushë për një finale të humbur, në jetë për një dashuri të humbur”.
“Jam mëngjarash, edhe dhëmbët i laj me dorën e majtë. Dhe nëse doni ta dini, çdo ditë marr një stilolaps dhe provoj të shkruaj, por me këmbën e djathtë. Stërvitem në këtë mënyrë si i çmendur, për të fituar më shumë ndjesi dhe saktësi. Por jo vetëm… Stërvit edhe sytë, me disa ushtrime.
Provoj të shoh më përtej sesa më lejohet, në drejtime të ndryshme, për të paraprirë kundërshtarët, për të fituar intuitën e trajektores. Dhe kam filluar të bëj shumë palestër. Në Itali kam mësuar të mbroj topin dhe Gatuzo, kur stërviste Palermon, më këshilloi që të mos e ekzagjeroj me peshat, sepse nuk nevojitet që të bëhem një keçist për të pasur siguri në fushë.
Mjafton që të kuroj shpërthimin në këmbët e mia. Gjithsesi, dua të them se jam i vendosur për t’i bërë të gjitha këto, sepse Kristiano Ronaldo e kaloi kuotën e 360 golave, sepse ai vërtet është një i djathtë, por di të gjuajë fort dhe saktë edhe me të majtën. Kur luan me një këmbë bëhesh më i lehtë për t’u markuar nga kundërshtarët dhe në Itali nuk bëhet shaka me mbrojtësit kundërshtarë”.