E përditshmja spanjolle “Marca”, pas lajmit mbi martesën në horizont mes Moratës dhe Milanit, njofton se Murinjo po përgatitet të prishë marrëveshjen mes lojtarit dhe kuqezinjve. Prej dy sezonesh, Reali i Madridit ndjek De Gean, portieri i “djajve të kuq”. Sikur të mos mjaftonin premtimet e Zidanit për më shumë minuta aktivizim në sezonin e ardhshëm, tashmë mes Milanit dhe ish-sulmuesit të Juventusit përfshihet edhe trajneri luzitan.
Portugezi kërkon për kartonin e gardianit të tij 75 milionë euro, por shuma në fjalë mund të ulet në rast se në marrëveshje përfshihen lojtarë. Pikërisht në këtë pikë “Special One” shfrytëzon momentin për të kërkuar sulmuesin e Realit në radhët e Mançesterit të tij që, përveç Ibrahimoviçit, mund të humbasë edhe shërbimet e Uejn Runit.
Nga ana e tij, sulmuesi duket i prirë për të zgjedhur Milanin, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për rolin që do t’i caktohej në skuadër. Alternativa italiane ka një sponsor shumë të fuqishëm, që është e fejuara e lojtarit, e cila mund të jetë kundërpesha e ofertës së Murinjos.
Çelsi i Antonio Kontes gjatë gjithë vitit ka qenë një mundësi reale për kalimin e Moratës në ligën angleze, por tashmë trajneri italian duket se e ka përqendruar vëmendjen te Lukaku i Evertonit, i cili, gjatë këtij sezoni, ka shënuar 26 gola në 39 takime të zhvilluara. Fjala e fundit për transferimin e 24-vjeçarit do t’i takojë Realit të Madridit me Florentino Perez, që ka deklaruar se nuk do të shqyrtojë asnjë ofertë përpara finales së Ligës së Kampioneve.
Sipas së përditshmes spanjolle, pavarësisht qëndrimit të presidentit madrilen, ofertat e Milanit dhe Mançesterit janë sidoqoftë më të ulëta se sa pretendimet e “Los Blancos”. Anglezët e vlerësojnë lojtarin deri në 50 milionë euro, ndërsa nga ana e kuqezinjve, oferta rrotullohet te 40 milionë euro plus një seri bonusesh në lidhje me ndeshjet e zhvilluara dhe golat e shënuar.
Në Madrid nuk kanë në plan të pranojnë oferta nën 70 milionë euro, ndaj për të gjithë kandidatët që kërkojnë Moratën do të duhet një sforco ekonomike. “Djajtë”, qofshin anglezë apo italianë, duhet të riformulojnë ofertat e tyre nëse dëshirojnë bomberin, përndryshe do t’u duhet të presin verën e vitit 2019 për ta marrë falas, pasi pikërisht pas dy vitesh skadon kontrata e tij me mbretërorët e kryeqytetit spanjoll.
Morata te Mançesteri
Ronaldo: Juventus, i fortë në mbrojtje
Ronaldo mendon se mbrojtja e fortë e Juventusit mund të thyhet, kur të takohen në finale të Champions League. Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka dhënë një intervistë të gjatë për UEFA.com para finales të Ligës së Kampionëve. Reali do të përballet me Juventusin me 3 qershor në Cardiff, ku madrilenët kërkojnë të shkruajnë histori, duke u bërë skuadra e vetme që fiton dy herë me radhë këtë trofe, derisa Juve kërkon ta kompletojë tripletën e famshme, që tashmë ka fituar Kupën e Italisë dhe Scudetton.
Ronaldo e ka pranuar se do ta kenë të vështirë përballë një mbrojtje të fortë siç është ajo e Juves, por ka thënë se çdo mbrojtja ka pika të dobëta, të cilat Reali do të mundohet t’i shfrytëzojë. “Si ju duket Juventusi dhe si do t’ia dilni me një mbrojtje kaq të fortë me Bonucci, Barzagli e Chiellini? Ata janë ekip i shkëlqyer”, u përgjigj fillimisht Ronaldo. “Fituan Kupën e Italisë, titullin e Serisë A dhe nuk kanë ardhur rastësisht në finale. Janë kundërshtar i papërshtatshëm dhe e dimë se do të jetë e vështirë”, shtoi CR7.
“Ata kanë mbrojtje të mirë, por mendoj se nuk ka rëndësi se sa e fortë është mbrojtja e tyre, sepse gjithmonë ka pika të dobëta në çdo mbrojtje. Kështu që ne do të gjejmë këto pika të dobëta, t’i shfrytëzojmë hapësirat që na lë Juve dhe të mundohemi të jemi të saktë para portës që të shënojmë gola”, u shpreh më tej portugezi.
Cristiano Ronaldo ka lavdëruar trajnerin Zinedine Zidanen para finales të Ligës së Kampionëve. Në një intervistë për UEFA.com, Ronaldo tha se, Reali ka fituar trofe viteve të fundit dhe po dominon në Evropë falë Zidanit.
“Rrotacionet nga Zidane çelësi i suksesit? Po, kështu mendoj. Zidane e ka menaxhuar skuadrën në mënyrën më të mirë. Nuk është e lehtë, pasi çdo lojtar dëshiron të luajë, por Zidane ka punuar me shumë mençuri në këtë drejtim”, tha Ronaldo.
Fabregas vendos për të ardhmen

Mesfushori spanjoll, Cesc Fabregas në sezonin që po e lëmë pas, shumicën e kohës ka qëndruar në bankën rezervë, pasi Antonio Conte ka preferuar dyshen N’Golo Kante dhe Nemanja Matiç. Pavarësisht kësaj, sipas “AS”, Fabregas ka vendosur që të mbetet në “Stamford Bridge”.
Ai është pajtuar me trajnerin Conte, që të mbetet edhe për një sezon në Chelsea dhe të provoj shanset e tij për të luajtur më shumë. Ai në sezonin e fundit ka luajtur 29 ndeshje për Chelsean në Premierligë, shumicën është inkuadruar nga banka rezervë, ku ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar 12 asistime. Për spanjollin interesim kanë shprehur skuadrat e mëdha italiane, Milan dhe Juventus.
Conte, gati rinovimin me Chelsean për 11 mln në sezon
Chelsea dhe Antonio Conte të destinuar për ta vijuar bashkëpunimin pas një sezoni të përmbyllur me festën e titullit kampion në Premier League. Pas një pushimi të shkurtër, trajneri italian do të takohet personalisht me Roman Abramovich, për të përcaktuar detajet e një kontrate të re me kohëzgjatje deri në vitin 2021. Paga vjetore që do të përfitojë Conte do të jetë më e vogël nga shuma që i ka ofruar Interi, megjithatë 11 milionë euro në sezon janë të mjaftueshme për ta bindur 47-vjeçarin. Madje në kontratë do të ketë një klauzolë prej 20 milionësh dëmshpërblim nëse do të shkarkohet nga detyra.
Ndryshe nga një vit më parë, Conte do të marrë përgjegjësinë e merkatos, duke i zgjedhur ai futbollistët që do të transferohen në “Stamford Bridge”. Për sulmin kërkohen emra të rëndësishëm si Beloti apo Lukaku, në mesfushë ëndrra mbetet Radja Naingolan, por vështirë se Roma do të heqë dorë nga futbollisti i kombëtares belge.
Totti jep lamtumirën!
Seria A italiane ul siparin këtë të dielë për sezonin futbollistik 2016-2017. Sot luhen 8 nga 10 sfidat e javës së 38-të, takime që do të keni mundësi t’i përjetoni live në ekranin e Supersport. Nga lamtumira e Francesco Tottit te dueli për vendin e 2-të mes Romës dhe Napolit për të vazhduar me sfidën në distancë mes Edin Dzekos dhe Dries Mertens për Këpucën e Artë dhe për të mbyllur gjithçka me luftën për mbijetesë ku vetëm njëra mes Empolit dhe Crotones do të arrijë të jetë pjesë e Serisë A edhe sezonin e ardhshëm. Në “Olimpico” të Romës në orën 18:00, verdhekuqtë e Luciano Spallettit presin Genoan në atë që do të jetë sfida e fundit e kapitenit legjendar Francesco Totti, i cili edhe pse do ta nisë takimin nga stoli do të luajë për disa minuta, për të mbyllur në mënyrën më të mirë dhe pse jo me një gol 25 vite karrierë si profesionist me klubin kryeqytetas.
Roma që sfidon Genoan në shtëpi dhe Napoli që përballet me Sampdorian në transfertë, nuk do jenë dy sfida që do të përcaktojnë vetëm skuadrën që do ta mbyllë kampionatin në vendin e dytë, por do të jenë edhe dy ndeshje ku do të zbulohet se kush do të jetë golashënuesi më i mirë i këtij sezoni mes Dzekos dhe Mertens, për momentin kryeson boshnjaku me një gol më shumë. Dita hapet me sfidën e Sardenjës mes Cagliarit dhe Milanit, ndërsa në mbërmje do të jetë radha e Interit që në “San Siro” pret Udinesen. Ndërkohë në garën për mbijetesë, Empoli është i avantazhuar ndaj Crotones, sepse ka një pikë më shumë dhe luan në transfertë ndaj Palermos që ka rënë zyrtarisht një kategori më poshtë, ndërsa Crotone pret në shtëpi Lazion.
Botëror për superklubet
Gjatë kësaj vere, në prag të Kupës së Botës, e cila do të mbahet në Rusi vitin e ardhshëm, do të luhen edhe ndeshjet për Kupën e Konfederatave nga data 17 qershor deri më 2 korrik. Për pjesëmarrësit do të ketë tetë ndarje në dy grupe me nga katër skuadra. Grupi A do të përfshijë Rusinë, Zelandën e Re, Portugalinë dhe Meksikën, ndërsa në Grupin B do të jenë Kili, Kameruni, Australia dhe Gjermania.
Ky do të jetë një klasifikim historik, pasi FIFA është duke menduar një plan të ri, i cili, nëse pranohet, ky do të jetë i fundit vit në të cilin ndarja do të bëhet në këtë mënyrë. Por cili është plani i ri i FIFA-s? Në praktikë, ky do të jetë një turne mes 16 ose 24 (mbetet për t’u vendosur) skuadrave më të mira në planet. Kjo ide e re e FIFA-s është aprovuar edhe nga Van Basten dhe Boban.
Në këtë ndarje do të përfshihen edhe skuadrat e Amerikës Jugore, ku, sipas planifikimit të ri të FIFA-s, përbëjnë një problem, pasi ky turne do të luhet në vite teke, gjë e cila bie ndesh me Kupën e Amerikës, e cila zhvillohet në të njëjtën kohë me idenë e re të propozuar.
Ky kompeticion thuhet se do të quhet “kupa botërore e superklubeve”. Nëse çdo gjë do të ecë mirë, ky kompeticion do të zhvillohet në këtë mënyrë: nëse 16 skuadra do të marrin pjesë, atëherë ndarja do të bëhet në katër grupe me nga katër skuadra secila. Në rastin tjetër me 24 skuadra, do të formohen tetë klube secili me nga tri skuadra. Por cilët do të jenë pjesëmarrës në këtë turne?
Pa dyshim që do të jenë skuadrat fituese nga të paktën dy sezonet e fundit të Champions Ligës, Europa Ligës dhe “Copa Libertadores”, nga e cila do të vendosen edhe pjesëmarrësit pas finaleve respektive. Në rastin e përfaqësimit të gjashtëmbëdhjetë skuadrave do të mbeten katër vende bosh, në të cilat do të caktohen fituesit e edicionit të fundit në Azi, Afrikë dhe në Amerikën e Jugut dhe atë të Veriut. Turneu do të luhet çdo dy vite, ku vendi pritës do të caktohet në të njëjtën mënyrë sikurse ndodh në Kupën e Botës.
Manaj, Interi do ta huazojë sërish
Rey Manaj nuk do të qëndrojë tek Interi pas përfundimit të huazimit te Pisa në Serinë B. Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar, i cili ka kontratë me zikaltrit deri në vitin 2020 do të huazohet sërish, për të patur mundësi aktivizimi. Ofertat për të nuk kanë munguar kurrë, që nga ekipet e Serisë A, por edhe në kategoritë më të ulëta në futbollin italian, megjithatë drejtuesit e Interit nuk dëshirojnë të nxitohen për të marrë vendimin e duhur. Në fillim të sezonit 2016-2017 Manaj u huazua te Pescara, ku u aktivizua në 13 ndeshje në total, në një rast në Kupën e Italisë, duke shënuar dy gola. Ndërsa te Pisa në Serinë B regjistroi 17 takime e dy finalizime, por kontributi i tij nuk mjaftoi për të shmangur rënien në Lela Pro. Janë 30 ndeshje në total mes Serisë A dhe B, rreth 1684 minuta në fushë, statistika të pranueshme për një 20-vjeçar, në sezonin e tij të parë i huazuar.
Manaj do të kthehet formalisht tek Interi, ku nuk do të qëndrojë gjatë, pasi brenda qershorit pritet të mësojë destinacionin e tij të ri. Nuk përjashtohet mundësia që ta vijojë karrierën jashtë Italisë po në formë huazimi.
Berisha te Atalanta
Atalanta është shumë pranë blerjes përfundimtare të kartonit të Etrit Berishës. Klubi bergamask është i kënaqur me paraqitjen e portierit të kombëtares shqiptare, i cili u huazua nga Lazio në fillim të sezonit. Mirëpo bisedimet në ditët e fundit janë vështirësuar jo pak, pasi presidenti i Lazios Lotito, kërkon të përfitojë nga shitja e Berishës për të mbërritur te sulmuesi i ri i Atalantës Petagna. Çmimi i kartonit të 28-vjeçarit kuqezi është fiksuar në 5 milionë euro, ndërkohë që numri një i klubit bardhekaltër ofron përveç Berishës edhe 7 milionë euro për të siguruar shërbimet e sulmuesit që është grumbulluar nga Ventura në kombëtaren italiane.
Sido që të mbyllen bisedimet, e ardhmja e Berishës duket se do të vijojë të jetë në Bergamo, ku sezonin e ardhshëm do të luajë edhe në Europa League. Berisha ka meritë të veçantë në formën që tregoi Atalanta në këtë sezon, teksa siguroi vendin e pestë. Ka zhvilluar në total 26 ndeshje në Serinë A dhe 1 në Kupën e Italisë dhe gjithmonë është vlerësuar pozitivisht për paraqitjet e tij.
Bergamaskët kanë fituar siguri me Berishën në portë, ndaj do të përdorin të gjitha kartat për ta blerë nga Lazio, ku po gjatë këtij sezoni shpërtheu një tjetër shqiptar, Thomas Strakosha.
Bernardo Silva: S’mund ta refuzoja Guardiolën
Manchester City bën goditjen e parë të madhe të merkatos ende pa u mbyllur sezoni futbollistik. Sikurse pritej, Citizens kanë zyrtarizuar blerjen e Bernardo Silvës nga Monaco, për 50 milionë euro. I saposhpallur kampion me skuadrën nga Principata, mesfushori portugez pasi kaloi testet mjekësore u bë blerja e parë e Pep Guardiolës, nën urdhrat e të cilit do të jetë për 5 vitet e ardhshme që nga data 1 korrik. Ky është transferimi i tretë më i shtrenjtë i kryer nga klubi francez pas Anthony Martial dhe James Rodriguez, që gjithashtu kanë luajtur me Monacon.
22-vjeçari ka rezultuar një nga pikat më të forta të skuadrës franceze përgjatë këtij sezoni, teksa ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 12 asiste.
Në një intervistë të publikuar nga sajti zyrtar i Manchester City-t, Bernardo Silva u shpreh se ka marrë vendimin e duhur për t’iu bashkuar skuadrës së Guardiolës, një ndër më të mirat në botë.
Portugezi shtoi gjithashtu se e kishte të vështirë t’i thoshte jo Guardiolës, të cilin e konsideron nga trajnerët më të mirë në botë.
Liverpuli, 50 milionë euro për yllin e Lajpcig
Ekipi i Klopit po kërkon me ngulm talentin e Lajpcig, Nabi Keita. Ata duan ta transferojnë lojtarin nga Guinea që këtë merkato dhe për këtë janë të gatshëm të thyejnë dhe rekordin e shifrës më të madhe që është paguar për një lojtar nga ana e tyre. Për të mundur konkurrencën e madhe, Liverpul është i gatshëm të shpenzojë 50 milionë euro për ta bindur ekipin gjerman. Mesfushori 22-vjeçar ka zhvilluar një sezon fantastik me skuadrën e Lajpcig, ku në 31 takime si titullar në kampionat, ka arritur të shënojë 8 gola.