Te Manchester City ka nisur një revolucion i vërtetë. Pas largimit të mbrojtësit argjentinas Pablo Zabaleta disa javë më parë, 4 futbollistë të tjerë me emër i kanë dhënë zyrtarisht lamtumirën skuadrës së Pep Guardiolës. Të gjitha rrugët të bëjnë të mendosh se ky do të viti zero për Citiziens, me Sky Blues që do të nisin gjithçka nga e para edhe pse në timon do të kenë sërish Pep Guardiolën. Trajneri spanjoll pritet të bëjë shumë ndryshime në skuadër për sezonin e ri, pasi në edicionin 2016-2017, City dështoi të fitonte qoftë edhe një trofe, duke zhvilluar një sezon të dështuar, i cili u bë më pak i dhembshëm vetëm falë kualifikimit direkt për në fazën e grupeve të Champions League, për edicionin e ardhshëm.
Zabaleta ishte vetëm i pari në listën e largimeve, ose më saktë skarcimeve që po bën Guardiola për të ndërtuar një skuadër shumë më të fortë. Disa ditë pas argjentinasit nga Citiziens janë larguar zyrtarisht, dy mbrojtësit e krahut Gael Clichy dhe Bakary Sagna, por dy francezët nuk janë të vetmit sepse edhe spanjolli Jesus Navas dhe portieri argjentinas Willy Caballero, i cili luajti si titullar në gjysmën e dytë të këtij sezoni, i kanë dhënë lamtumirën Manchesterit. Të 4-t këta futbollistë tashmë janë lojtarë të lirë në treg dhe mund të firmosin me atë skuadër që do të dëshirojnë.
Mbrojtësi francez Gael Klishi nuk do të jetë më pjesë e Manchester City-t për sezonin e ardhshëm. Lajmi është bërë publik nga vetë klubi nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare. Nuk ka munguar as komenti i mbrojtësit në lidhje me largimin pas aventurës 6-vjeçare te “qytetarët”. “Ishin 6 vite vite të veçanta, një udhëtim i pabesueshëm. Unë jam krenar që kam qenë pjesë e këtij klubi”, ishin fjalët e Klishisë pas divorcit.
Ndërkohë, mbrojtësi argjentinas, Pablo Zabaleta ka gjetur menjëherë skuadër, pas largimit nga Manchester City. Zabaleta ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me skuadrën tjetër të Premierligës, West Ham United. “West Ham është krenar dhe i lumtur t’ju njoftojë se Pablo Zabaleta është lojtari i parë që nënshkruan me klubin këtë verë”, thuhet në njoftimin e skuadrës së West Hamit.
“Lojtari i dekoruar dhe me shumë përvojë ka nënshkruar kontratë dyvjeçare, e cila hyn në fuqi nga 1 korriku, atëherë kur skadon kontrata e tij me City-n”. Ndërsa Zabaleta në anën tjetër ka thënë se është shumë i lumtur dhe krenar që do të luajë për West Hamin dhe shpreson se do të arrijë të fitojë tituj.
Revolucion tek Manchester City
Interi nuk ndalet!
Angel di Maria gjithnjë e më pranë Interit. Do të jetë argjentinasi i Paris Saint Germain, goditja e madhe e zikaltërve në merkato. Është e bindur për këtë e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”, që në titullin kryesor të kësaj të premteje ka vendosur pikërisht mesfushorin e La Selecion, i cili është vetëm një hap larg kalimit te Interi. Për Di Marian interesohet edhe Juventusi, por Interi është në avantazh krahasuar me bardhezinjtë pasi ka bërë hapa konkretë dhe shumë shpejt ndoshta do të zyrtarizohet edhe transferimi i 29-vjeçarit në Milano.
Sipas “Tuttosport”, Di Maria do të ndërrojë skuadër gjatë verës dhe Interi tashmë ka filluar negociatat me klubin francez. Për Di Marian është raportuar se kërkohet edhe nga Barcelona, por argjentinasi mund të mos transferohet në “Camp Nou” për shkak të viteve të kaluara te Real Madridi.
Di Maria ka bërë 40 ndeshje për PSG-në në gjitha garat këtë edicion, duke shënuar 13 gola, sezoni i dytë më i mirë në karrierë sa i përket finalizimeve, pasi në vitin e parë në “Parc des Princes” shënoi 15 gola. Në Madrid më së shumti ka shënuar 11.
Pasi e provoi veten fillimisht në kampionatin portugez me Benficën ku u konfirmua si një talent i jashtëzakonshëm, Di Maria bëri më pas hapin e madh në karrierë me transferimin te Reali i Madridit. Me Los Blancos, Di Maria fitoi gjithçka, duke zgjedhur më pas Manchester United, skuadër tek e cila nuk u përshtat dot dhe qëndroi për vetëm një vit. Ndërkohë pas 2 sezoneve te Paris Saint Germain në Francë, Di Maria është gati të provojë një aventurë të re në një kampionat tjetër duke zgjedhur Serinë A dhe pikërisht Interin për të vazhduar karrierën. Kartoni i argjentinasit për të cilin skuadra zikaltër ka mundur jo vetëm konkurrencën e Juventusit, por edhe atë të Barcelonës do t’i kushtojë klubit zikaltër 50 milionë euro. Futbollisti i përfaqësues argjentinase pritet të firmosë një kontratë 4-vjeçare me Interin, ku mbetet për të përcaktuar vetëm paga që do të përfitojë Di Maria.
Në Itali janë shumë të sigurt se Inter do të nënshkruajë me qendërmbrojtësin e Real Madridit, Pepe. Por, kjo nuk do të jetë e gjitha, pasi pronarët e rinj të Interit e duan edhe një superlojtar tjetër të kampionëve të Evropës. Sipas “Sport Italia”, James është shumë pranë që të nënshkruajë me skuadrën e Interit dhe gjatë verës në “Giuseppe Meazza” do të shkojnë bashkë me Pepe.
Kolumbiani po kërkohet me ngulm edhe nga skuadrat e tjera të mëdha evropiane, por e ka bindur projekti i ri i skuadrës italiane. Për të thuhej se Manchester United kishte shprehur shumë interesim, por që në fund Jose Murinjo ka hequr dorë. James ndeshjen e fundit me Real Madridin do ta luajë ndaj Juventusit, në finale të Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohet më 3 qershor në Cardiff.
Pas titullit, Xhaka dhe Baseli marrin edhe Kupën
Vetëm pak ditë pas festës për titullin kampion, Baseli kompleton sezonin e jashtëzakonshëm, duke triumfuar edhe në Kupën e Zvicrës. Skuadra e Taulant Xhakës u konfirmua pa rivalë në futbollin helvet, pas fitores 3-0 në finale përballë Sionit.
Pas 45 minutave të para të balancuara të lojës, Delgado kaloi Baselin në avantazh menjëherë sapo nisi pjesa e dytë, ndërsa pak pasi kishte kaluar një orë lojë, Traore shënoi edhe golin e sigurisë për kuqeblutë.
Taulant Xhaka ishte si zakonisht titullar në këtë sfidë, duke u ndëshkuar edhe me karton të verdhë në të 79-ën, ndërsa Baseli mbylli çdo diskutim me rrjetën e Lang në sekondat e fundit të lojës, që vulosi shifrat përfundimtare 3-0.
Me këtë rezultat, Baseli kthehet te suksesi në Kupën e Zvicrës, pasi kishte humbur tre finalet e fundit të luajtura. Kjo është hera e 12-të në historinë që skuadra e fiton trofeun, ndërsa vijon të dominojë futbollin zviceran.
Një sezon i mbyllur me titullin kampion dhe Kupën e Zvicrës për Taulant Xhakën dhe Baselin, me skuadrën që me fitimin e dy trofeve përsërit suksesin e pesë vjetëve më parë, kur në krye të stolit ishte gjermani Heiko Vogel.
Wolfsburgu, fitore minimale në play off
Wolfsburgu fitoi 1-0 ndeshjen e parë play off ndaj Eintrachtit të Braunschweig pas një 11-metërshi të ekzekutuar saktësisht nga Mario Gomez në minutën e 35-të të takimit. Në fakt vendimi i kryesorit Stegemann pas prekjes së topit me dorë nga Gustav Valsvik është i diskutueshëm, pasi edhe nga pamjet e përsëritura është e vështirë ta dallosh nëse topi e ka kaluar plotësisht vijën e 16 metrave.
Ky rezultat mbeti i pandryshuar gjatë pjesës së dytë, ndonëse skuadra vendase pati të tjera mundësi për të dyfishuar shifrat në të 50′. Ujqërit nuk mundën ta mbyllnin çështjen e kualifikimit para pubkikut të tyre sepse me këtë avantazh minimal gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet më 29 maj në fushën e Braunschweigut.
Marco Silva largohet nga Hull City
Hull City konfirmoi se Marco Silva dha dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës, pas rënies në Championship. 39-vjeçari zëvendësoi në janar Mike Phelan, por që pas humbjes 4-0 me Crystal Palace zërat për largimin e trajnerit ishin shtuar. Nga ana tjetër, në kontratën mes palëve përfshihej edhe klauzola se Silva mund të ishte i lirë nëse ekipi nuk siguronte qëndrimin në Premier League. Pavarësisht se drejtuesit i ofruan një kontratë të re, portugezi vendosi të largohej.
West Ham, largohen Calleri, Tore dhe Arbeloa
Përmes një komunikatë për shtyp, West Ham zyrtarizoi listën e lojtarëve që nuk do të jenë pjesë e skuadrës, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Bëhet fjalë për Jonathan Calleri, i ardhur në huazim nga Deportivo Maldonado, që do të kthehet në Afrikën e Jugut. Me klubin përshëndetet edhe Gokhan Tore, i cili do të rikthehet te Besiktas, për shkak të përfundimit të huazimit. Do të largohet edhe Alvaro Arbeloa, që është në përfundim të kontratës me klubin anglez.
Sassuolo, Inzaghi pasuesi i Di Francesco
Sassuolo ka nisur të studiojë terrenin për Pippo Inzaghi-n. Sezoni që trajneri ka zhvilluar me Venezian, ka bindur drejtuesit e klubit italian, të cilët e konsiderojnë ish-teknikun e Milanit, njeriun e duhur për të zëvendësuar Di Francesco, tashmë një hap larg transferimit te Roma. Megjithatë, për momentin, sipas mediave italiane, janë zhvilluar vetëm kontaktet e para, por pritet që Presidenti Squinzi, pas përfundimit të kampionatit, të hidhet në sulm për Inzaghi-n.
Murinjo fton Kluivert te United
Justin Kluivert është një nga objektivat kryesorë të Jose Murinjos për merkaton e verës. Gjatë festimit për titullin e Europa League, trajneri i Manchester United ka zhvilluar një bisedë në fushën e lojës me yllin e Ajax, ku portugezi i ka komunikuar se e dëshiron në skuadër. Më tej Mou mësohet t’i ketë thënë sulmuesit 18-vjeçar se së bashku mund të shkruajnë historinë duke fituar tituj. Në fund trajneri i ka pohuar Kluivert se më 2018-ën e shikon me fanellën e “Djajve të Kuq” duke fituar Champions dhe Premier League.
Nishani uron Muajin e Ramazanit: Sakrificat tuaja jetësojnë mrekullinë e besimit!
Një ditë para nisjes së muajit të Ramazanit, Presidenti Nishani ka uruar besimtarët myslimanë. Ai u ka uruar “agjërim sa më të lehtë e të mbarë”. “Sakrificat tuaja të përditshme gjatë gjithë këtij muaji të shenjtë rrisin dhe jetësojnë mrekullinë sa hyjnore aq edhe tokësore të besimit tuaj të palëkundur duke rritur nëpërmjet sprovave dashurinë për njëri-tjetrin, dhembshurinë e mëshirën për më të pafatët”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit. “Ju uroj edhe një herë një Ramazan sa më të lehtë, duke qenë i sigurt dhe i bindur se në përfundim të tij do të jemi të gjithë me mendje dhe shpirt të pastër e të kulluar dhe bota e njerëzimi do të jenë edhe më të mirë!”, e mbyll urimin Presidenti. “Të dashur besimtarë myslimanë, si dhe të gjithë ju që praktikoni e respektoni besimin mysliman, dita e nesërme shënon fillimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit, nisjen e sakrificave, reflektimit dhe dhënies së provave pafund të forcës së besimit. Me këtë rast dëshiroj t’ju uroj nga zemra një agjërim sa më të lehtë e të mbarë! Si dhe të nënvizoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ky rit shumëshekullor ka për shpirtrat e miliona besimtarëve anembanë botës, për forcën e brendshme të tyre, si dhe për kthjellimin e mendjeve të tyre duke farkëtuar gjithmonë e më shumë besimin te i Plotfuqishmi. Sakrificat tuaja të përditshme gjatë gjithë këtij muaji të shenjtë rrisin dhe jetësojnë mrekullinë sa hyjnore aq edhe tokësore të besimit tuaj të palëkundur duke rritur nëpërmjet sprovave dashurinë për njëri-tjetrin, dhembshurinë e mëshirën për më të pafatët. Ju uroj edhe njëherë një Ramazan sa më të lehtë, duke qenë i sigurt dhe i bindur se në përfundim të tij do të jemi të gjithë me mendje dhe shpirt të pastër e të kulluar, dhe bota e njerëzimi do të jenë edhe më të mirë!”.
Rama dështon me planin për uljen e humbjeve të energjisë
Banka Botërore deklaron se qeveria shqiptare dështoi të ulë humbjet e energjisë dhe projekti i rimëkëmbjes së sektorit ka dalë tashmë jashtë objektivave. Sipas programit 5-vjeçar të rimëkëmbjes, që qeveria dakordësoi me Bankën Botërore në fund të vitit të kaluar, humbjet e energjisë duhet të ishin ulur në 26 për qind. Por shifra faktike e humbjeve ka rezultuar 28 për qind, ose 2 pikë përqindje më shumë se sa objektivi. “Uljet e energjisë më 2016-ën u ulën me 3.3 për qind, nga 31.3 për qind që ishin më 2015-ën në 28 për qind. Megjithatë ato janë 2 pikë përqindje më lart se objektivi i dakortësuar prej 26%”, deklaron Banka Botërore. Sipas të dhënave të bëra publike thuajse e gjithë ulja e realizuar e humbjeve ka ardhur në pjesën e vjedhjeve. Ndërsa humbjet teknike kanë mbetur thuajse të pandryshuara duke ngritur një pikëpyetje të madhe mbi eficencën e investimeve. Dështimi me treguesit e energjisë vjen në një kohë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, por edhe kompanitë e tjera publike të këtij sektori, kanë shpenzuar vitet e fundit qindra milionë euro në tendera dhe investime. Këto para janë financuar nga rritja e çmimit të energjisë për familjet shqiptare, kryesisht ato të varfra, si dhe shtrenjtimi për bizneset. Por edhe pse familjet kanë paguar më shumë, shumat marramendëse të shpenzuara në tenderat e OSHEE nuk kanë sjellë asnjë përmirësim në treguesin e humbjeve teknike. Sipas Bankës Botërore krahasuar me vitin 2013, treguesi i humbjeve teknike është ulur me vetëm 0.3 për qind, nga 15.3 për qind që ishte në 15 për qind aktualisht. Sipas të dhënave thuajse e gjithë ulja e humbjeve në sistemin energjetik ka ardhur në pjesën jo teknike përmes shtrëngimit të masave ndëshkuese kundër familjeve, kryesisht atyre të varfra që nuk mund të përballojnë dot faturat. Ndërkohë qindra milionë eurot e shpenzuara në investime, të cilat duhet të sillnin përmirësimin e rrjetit dhe uljen e humbjeve, nuk i kanë dhënë asnjë efekt.