Ministria e Financave rrit masat për parandalimin e administratës në fushatën zgjedhore. Ministrja e sapoemëruar Helga Vukaj, ka thirrur një mbledhje urgjente me zv.ministrat dhe drejtorët e drejtorive, ku kërkoi rritjen e eficencës në administratë, ndërsa paralajmëroi sërish se cilido nga punonjësit e administratës shtetërore që do të bëhet pjesë e fushatës elektorale të partive politike do të ndëshkohet. Ministria e Financave ka riaktivizuar numrin telefonik, ku qytetarët mund të bëjnë denoncimet e tyre në rast shkeljesh apo abuzimesh nga ana e punonjësve të administratës shtetërore gjatë fushatës elektorale. Ajo vlerësoi kontributin profesional dhe kërkoi të mos tolerohet asnjë sjellje burokratike që bllokon në mënyrë të qëllimshme shërbimet ndaj publikut. Në takimin me stafin e ministrisë, Vukaj ritheksoi masat administrative dhe penale që do të merren për çdo punonjës; staf politik apo administrativ që përdor zyrën e shtetit për propagandë dhe favorizim të operatorëve të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e fushatave elektorale. Ministrja deklaroi se po hartohet një strategji veprimi për parandalimin dhe luftimin e çdo forme korrupsioni dhe përdorimi të administratës në fushatën elektorale. Ajo kërkoi që të gjitha institucionet dhe departamentet në varësi të Ministrisë së Financave të riaktivizojnë platformën telefonike pa pagesë: 0800-1963 për denoncimin e korrupsionit dhe çdo forme abuzimi me detyrën shtetërore. Në një kohë kur na ndan 1 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Ministria e Financave ka marrë disa masa për parandalimin e rasteve të përfshirjes së administratës doganore dhe tatimore në fushatën elektorale. Lidhur me këtë fakt, MF ka riaktivizuar numrin telefonik për të denoncuar abuzimet. Ministrja e Financave, Helga Vukaj thirri në një takim urgjent pune zv.ministrat dhe drejtuesit e lartë në ministri nga ku kërkoi rritjen e eficencës së administratës në këtë fazë tranzitore të kalimit të vendimmarrjes tek teknicienët. Ministrja vlerësoi kontributin profesional dhe kërkoi të mos tolerohet asnjë sjellje burokratike që bllokon në mënyrë të qëllimshme shërbimet ndaj publikut. Të enjten, ministrja e Financave, Helga Vukaj paralajmëroi ndjekje penale për ata që favorizojnë sponsorizuesit e fushatës. Vetëm dy ditë pasi mori detyrën, ministrja teknike e Financave, Helga Vukaj ka kërkuar nga administrata doganore që të distancohet nga çdo veprim i paligjshëm që cenon standardet e zgjedhjeve. Gjatë këtij inspektimi, Vukaj ka qenë e prerë ndaj administratës doganore, ku ka kërkuar që të distancohen nga çdo veprim i paligjshëm që cenon standardet zgjedhore. “Ministrja Vukaj theksoi rëndësinë e përmbushjes së objektivave fiskalë dhe vlerësimin strikt të procedurave doganore për të shmangur çdo rast abuzimi, që favorizon operatorë të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e aktiviteteve elektorale”, njofton zyra për shtyp e saj. Madje, ministrja e re, ka paralajmëruar të gjithë ata që do të shkelin ligjin dhe do të përfshihen në fushatë se do të ketë jo vetëm masa administrative, por edhe penale ndaj tyre. “Ajo kërkoi me prioritet nga agjencitë ligjzbatuese rritjen e eficencës së kontrolleve doganore kundër trafikut të drogës dhe hartimin e një planveprimi për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar me Policinë Kufitare”, theksohet më tej në njoftim. Në takimin me Shërbimin Doganor dhe Policinë Kufitare Durrës, ministrja e Financave, Helga Vukaj shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.
Si u tjetërsua ish-kampi i Sarandës në hotelin luksoz të Balilit
Lindita ÇELA
Një sindikatë e vogël, e quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit dhe Bashkim Balili ndodhen në konflikt gjyqësor prej vitit 2000 për pronësinë e “Santa Quarantës”, -pasuri e cila u tjetërsua në mënyrë të kundraligjshme përmes dy vendimeve të kundërta të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.
Prej marsit 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetim për pasuritë e familjarëve të Klement Balilit- mes të cilave edhe hotelin luksoz “Santa Quaranta”, i shtrirë në 30 mijë metra katrorë buzë detit të Sarandës. Resorti turistik, i ngritur mbi godinën e rrënuar të ish-kampit të punëtorëve në Sarandë u inaugurua me bujë nga politikanë të lartë të mazhorancës në gusht 2015- ai u quajt “një investim serioz i jashtëzakonshëm”.
Megjithatë, dokumentet e siguruara nga “BIRN” tregojnë se shkëlqimi i hotelit “Santa Quaranta” u ngrit mbi një konflikt gjyqësor 17-vjeçar për pronësinë mes Bashkim Balilit dhe një sindikate të vogël, të quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit.
Ish-kampi i punëtorëve në Sarandë është vetëm një prej shumë pronave të trashëguara nga regjimi komunist, që përmes një dekreti të Presidentit të kohës i kaluan sindikatave në fillim të viteve ‘90. Njësoj si shumica e tyre, edhe ish-kampi i Sarandës u përfshi në një tranformim të paligjshëm pronësie- konflikti i së cilit vazhdon sot e kësaj dite në dyert e gjykatave.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Maksim Mebelli i tha “BIRN” se e kishte përfituar pronën përmes një akti dhurimi të vitit 1997 nga Bashkimi i Pavarur i Sindikatave të Shqipërisë. Mebelli kujton se mbeti i shtangur në gusht 2015, kur pa në televizor drejtues të lartë të shtetit t’i thurnin lavde investimit mbi një pronë- që ai pretendon se i takon sindikatës së drejtuar prej tij.
“Në vitin 2011, unë kam marrë një vendim gjykate të formës së prerë dhe atë e kam çuar në hipotekë. Unë nuk di se si mund të përurohet një pronë, ndërkohë që ajo rezulton e regjistruar në emër të sindikatës. Nuk e kuptoj dot”, tha Mebelli për “BIRN”.
Dokumentet e proceseve gjyqësore dhe të një hetimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se para se të firmoste dhurimin tek sindikata vertikale, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kishte krijuar një shoqëri aksionere të quajtur “DEA” shpk së bashku me një kompani italiane, ku aksionet ndaheshin 40% për BSPSH dhe 60 për qind për italianët. Ish-kampi i punëtorëve në Sarandë kaloi gjithashtu si objekt i kësaj kompanie.
Kundërshtar i Mebellit në këtë çështje- Bashkim Balili pretendon sipas padive të dorëzuara në gjykatë se 60 për qind të pronës e kishte blerë në ankand në vitin 2000 dhe për pjesën tjetër kishte një kontratë afatgjatë qiraje me Bashkimin e Pavarur të Sindikatave.
Veprimet e dyfishta juridike nga zyrtarët e BSPSH së asaj kohe përbëjnë edhe zanafillën e konfliktit gjyqësor të pronësisë, që ndodhet aktualisht në Gjykatën e Lartë.
I kontaktuar nga “BIRN”, kryetari i Bashkimit të Pavarur të Sindikatave të Shqipërisë, Gëzim Kalaja nuk iu përgjigj pyetjeve mbi pronësinë e ish-kampit të punëtorëve në Sarandë.
Zyra juridike e BSPSH i ofroi “BIRN” dokumente të pjesshme, për të mbështetur pretendimin se si dhurimi i ish-kampit te Sindikata e Pavarur e Ushqimit ashtu edhe kontrata e qirasë me kompaninë e Bashkim Balilit nuk janë nënshkruar nga kryetari aktual, Kalaja.
Maks Haxhia, avokati i Bashkim Balilit në këtë çështje nuk iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të “BIRN”.
Ndryshimi i pronësisë
Dokumentet e siguruara nga “BIRN” tregojnë se pas përfitimit të pronës, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kishin kryer veprime të kundërta për fatin e mëpasëm të ish-kampit të lakmuar të pushimit në Sarandë.
Të dhënat nga paditë gjyqësore dhe verifikimi në hipotekë tregojnë se fillimisht prona i ka kaluar shoqërisë “DEA”, e cila zotërohej në 60 për qind nga kompania italiane “Mare Monti Holding” dhe 40 për qind nga BSPSH, me premtimin se në të do të investoheshin 100 mijë dollarë.
Të dhënat e siguruara në hipotekën e Sarandës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se pronësia e ish-kampit të Sarandës i ka kaluar kompanisë “DEA” me firmë të sekretarit të Përgjithshëm të BSPSH, Fatmir Musaku.
Në vitin 1996 italianët i shitën kuotat e tyre, ndërsa 60 për qindëshi i kompanisë kaloi në dy duar derisa përfundoi tek firma piramidale “Kamberi”, së bashku me një kontratë qiraje prej 25 vjetësh për pjesën tjetër të ish-kampit.
Dokumentet tregojnë se në vitin 2000, Bashkim Balili e ka blerë 60 për qind të pronës në ankand për rreth 84 milionë lekë, ndërkohë që ka lidhur kontratën e qirasë për pjesën takuese të Bashkimit të Pavarur të Sindikatave për 25 vjet.
Më parë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përmes një sekretari tjetër të Përgjithshëm të quajtur Xhevdet Llubani kishte firmosur aktin e dhurimit të ish-kampit të punëtorëve në dobi të Sindikatës së Pavarur të Ushqimit në maj 1997. Ky akt dhurimi është reflektuar në regjistrat e hipotekës së Sarandës në maj të vitit 2000.
Në qershor 2000, pasi kishte dështuar të regjistronte kontratën e qirasë në hipotekë, kompania “Titan Konstruksion” e Bashkim Balilit ka paditur në Gjykatën e Sarandës Sindikatën e Pavarur të Ushqimit, me objekt “deklarimin e pavlefshëm të kontratës së dhurimit”.
Argumenti kryesor i padisë ishte fakti se Bashkimi i Pavarur i Sindikatave nuk mund të falte ish-kampin e pushimit, pasi ishte pronare në vetëm 40 për qind të tij.
Në një seancë të vetme, trupi gjykues i kryesuar nga Petrit Aliaj vendos në favor të kompanisë “Titan Konstruksion” dhe urdhëron Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që të regjistrojë kontratën e qirasë në favor të Balilit.
Gjyqi i mësipërm nuk është marrëdhënia e vetme që gjyqtari Aliaj, aktualisht në Apelin e Vlorës kishte me vëllezërit Balili. Në një investigim të mëparshëm, “BIRN” zbuloi se Aliaj deklaroi në ILDKPKI se kishte punuar si konsulent ligjor i dy kompanive të vëllezërve Balili në vitin 2005 dhe se ishte paguar prej tyre 47 mijë dollarë.
Proceset gjyqësore
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Maksim Mebelli i tha “BIRN” se gjyqi ishte zhvilluar pa praninë e tyre dhe se ata e kishin mësuar rastësisht që kishin humbur. Ai e konsideron procesin gjyqësor të manipuluar, ndërsa dokumentet e servirura nga pala kundërshtare si të falsifikuara.
“Ne nuk morëm asnjë njoftim për zhvillimin e këtij gjyqi dhe nuk dinim se çfarë veprimesh të tjera janë bërë. E mësuam krejt rastësisht se objekti, ish-kampi i pushimit në Sarandë kishte kaluar në pronësinë e Bashkim Balilit”, thotë ai.
Pesë vite më vonë, në mars 2005, një vendim i Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës vendos të rrëzojë vendimin e Shkallës së Parë, duke e kaluar të drejtën sërish në krah të Sindikatës së Pavarur të Ushqimit.
“Na u deshën 5 vite gjyq vetëm që të legjitimoheshim dhe më pas filloi shqyrtimi i çështjes në themel”, tregon Mebelli. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, “Titan Konstruksion” bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe fitoi. Në vitin 2008, edhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e Sindikatës së Pavarur të Ushqimit.
Por procesi u rihap sërish në prill të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë legjitimoi si provë të re një hetim të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili vlerësonte se pronësia e ish-kampit të punëtorëve ishte transformuar në kundërshtim me ligjin.
Regjistrimi i pronës në favor të Balilit në kundërshtim me ligjin
Në proceset e stërzgjatura gjyqësore, Sindikata e Pavarur e Ushqimit e ka pasur kundër Bashkimin e Sindikatave të Pavarura, e cila ka kërkuar gjithashtu anulimin e kontratës së dhurimit të vitit 1997. Megjithatë, një dokument i siguruar nga “BIRN” tregon se në dhjetor të vitit 2008, Gëzim Kalaja ka firmosur një akt dhurimi të dytë, duke dhënë 40% e mbetur nga ish-kampi për llogarinë e Bashkim Balilit. Sipas kontratës së nënshkruar, Kalaja i dhuron pjesën e zotëruar të ish-kampit të punëtoreve Bashkim Balilit, në këmbim të një sipërfaqeje toke prej 3500 m2 në Linzë të Tiranës. Ky këmbim është bërë në dhjetor të vitit 2008, ndonëse Kontrolli i Lartë i Shtetit e kishte quajtur tjetërsimin e pronave të sindikatave të paligjshëm. Në tetor të vitit 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi një verifikim të historikut të tjetërsimit të ish-kampit të pushimit në Sarandë pas ankesës së Sindikatës së Pavarur të Ushqimit dhe arriti në përfundimin se regjistrimi në favor të Balilit ishte bërë në kundërshtim me ligjin. KLSH rekomandon pezullimin e veprimeve, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga gjykata.
Regjistrimin e pasurisë në emër të shoqërisë “DEA” shpk, Kontrolli i Lartë i Shtetit e gjen të paligjshëm. Sipas saj, shkresa e sekretarit të Përgjithshëm së BSPSH-së, i cili përcakton se kampi është objekt i shoqërisë tregtare nuk përbën dokument për regjistrimin e pasurisë, pasi “nuk ka një dokument ligjor si kontratë shitblerjeje apo një vendim të veçantë për tjetërsimin e saj”. Po kështu, KLSH vë në pikëpyetje faktin se aksionerët e “DEA” zotërojnë edhe ish-kampin e pushimit, pasi sipas dekretit të vitit 1992, pasuria e sindikatave nuk mund të tjetërsohet deri në vitin 2020. Pas kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Gjykata e Lartë ka vendosur të rihapë çështjen, duke e njohur kontrollin e KLSH-së si një provë të re në gjykim.
Që prej vitit 2012, çështja është në pritje të gjykohet në Gjykatën e Lartë. E pyetur nga “BIRN”, zëdhënësja e Gjykatës së Lartë tha se shqyrtimi i çështjes është shtyrë për shkak të mosplotësimit të kuorumit të trupës gjyqësore. Maksim Mabelli i tha “BIRN” se pas 17 vitesh në gjyq, është ende në pritje të nisjes së procesit në Gjykatën e Lartë. “Nuk do të heq dorë asnjëherë nga e drejta e pronësisë që zotëron Sindikata e Pavarur e Ushqimit”, përfundoi ai.
Hetime për produktet e bulmetit me vaj palme
Nisin hetimet zyrtare për praninë e vajit të palmës në produktet e bulmetit në Shqipëri. Bazuar në shqetësimin e ngritur nga emisioni investigativ “Fiks Fare” në “Top Channel”, mbi praninë e vajit të palmës në produkte bulmeti, ku në etiketat e produkteve të marra si mostra, nuk është e deklaruar përmbajtja e yndyrës bimore vaj palme, AKU bën me dije se:
Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm është kërkuar në mënyrë të menjëhershme, marrja e mostrave në subjektet, të cilat prodhojnë dhe përpunojnë produkte me bazë qumështi si gjalpë, djathë kaçkavall, salcë kosi, të cilat do të analizohen në Institutin e Sigurisë Ushqimore Veterinare (ISUV) për përmbajtje të vajit të palmës.
Ndaj operatorëve të biznesit ushqimor produktet e të cilave do të rezultojnë të përziera me vaj palme dhe të padeklaruar në etiketë, do të merren masa konform legjislacionit në fuqi.
Nga analizat e kryera nga gazetarët rezultoi se shumica e markave të gjalpit që tregtohen në Shqipëri kanë në përmbajtje vaj palme, megjithëse në etiketat e produkteve reklamohet se përbërja e tyre është me yndyrë qumështi natyral.
Sipas specialistëve, por edhe mjekëve, vaji i palmës klasifikohet si një produkt i dëmshëm për shëndetin e njeriut nëse përdoret pa kriter apo në sasi të mëdha. Por megjithatë, ai përdoret për prodhimin e gjalpit dhe djathit kaçkavall.
Gjithashtu gazetarët analizuan në institutin e vetëm të referencës dhe sigurisë, ISUV, gjithsej 20 mostra, 16 prej të cilave ishin gjalpë dhe 4 të tjera djathë kaçkavall. Sipas rezultateve të analizave, vetëm 1 nga mostrat ishte brenda normave. 19 mostrat e tjera kishin në përbërje 5 deri në 50 për qind vaj palme.
Importi i vajit të palmës në Shqipëri
Gazetarët u interesuan pranë AKU-së, institucion nga i cili mësuan se në vendin tonë vetëm për vitin 2016 u importuan 3.720 tonë vaj palme. Janë 24 kompani që e sjellin produktin për qëllime tregtare, kryesisht për industrinë ushqimore të ëmbëlsirave. Ndërsa deri më sot, në maj të vitit 2017, janë importuar rreth 1.500 tonë.
Për tregtarët, përdorimi i vajit të palmës është mjaft i leverdisshëm për industrinë ushqimore. Produktet e prodhuara me këtë vaj ulin kostot e prodhimit dhe ruajnë qëndrueshmërinë në temperaturë ambienti për një kohë të gjatë.
Një litër vaj palme kushton rreth 180 lekë. Kostoja e një kilogram gjalpë është rreth 600 lekë, ndërsa e djathit kaçkavall rreth 800 lekë. Pra, rreth trefish më lirë.
Sa i dëmshëm është vaji i palmës
Vaji i palmës është i dëmshëm për shëndetin tonë. Një studim italian ka shfaqur rezultatet e tij për mediat. Më poshtë janë arsyet se përse duhet ta shmangim këtë produkt ushqimor. Tashmë nuk mjafton asnjë lloj justifikimi: konsumimi i ushqimeve që përmbajnë vaj palme çon në pasoja të mëdha për shëndetin. Konfirmimi i fundit vjen nga një studim italian. Sipas Universitetit të Barit, Padovës dhe të Pisës, në bashkëpunim me Shoqërinë italiane të Diabetit, vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit të cilat prodhojnë insulinë. Ai shkakton dëme të pariparueshme në trup. Në fakt, vaji i palmës gjendet në shumë produkte që konsumohen kryesisht në mëngjes, sidomos në biskota dhe drithëra të përziera me ëmbëltues. Në studimin e sjellë nga Francesco Giorgino, profesor i Universitetit të Barit, del në pah se vaji i palmës vepron drejtpërdrejt te qelizat beta, duke i shkatërruar ato. Për pasojë insulina nuk prodhohet në sasi të mjaftueshme. Palma nga e cila nxirret ky vaj kultivohet sidomos në Indonezi dhe Malajzi. Për të prodhuar këtë vaj shkatërrohen shumë hapësira të pyjeve tropikale. Rasti i fundit është ai i ishullit Sumatra. Në këtë mënyrë shfarosen jo vetëm hapësirat e gjelbra, por edhe bota e kafshëve në këto pyje. Janë të shumta rastet në të cilat ne mund të konsumojnë vaj palme në një ditë të vetme. Ai gjendet në shumë produkte të furrës, si në drithëra të përpunuara, biskota dhe ëmbëlsira të tjera të paketuara. Përveçse në ushqimet e mëngjesit, ne mund ta hasim atë edhe gjatë drekës në një pako me patate të skuqura ose në një panine. Po ashtu, duhen marrë parasysh të gjitha rastet e produkteve të cilat janë të konservuara.
Tetë mostra me shtesa vaj palme në masën 5-10%
1. Gjalpë Conad (1.4594)
2. Djathë mozarella i huaj (1.4595)
3. Gjalpë Lufra (1.4593)
4. Gjalpë Despar (1.4595)
5. Gjalpë President (1.4589)
6. Gjalpë Klegen (1.4595)
7. Gjalpë Burro Bianco Fiore (1.4593)
8. Djath kackavall Klegen (1.4589)
11 mostra me shtesa vaj palme në masën 20-50%
1. Gjalpë Mireli (1.4599)
2. Gjalpë Klegen (1.4599)
3. Gjalpë Erzeni (1.4599)
4. Spar Gjerman (i super marketit SPAR) (1.4655)
5. Djathë Kaçkavall Gjirofarma (1.4605)
6. Djathë Kaçkavall Lope (ambalazhuar nga KMY) (1.4615)
7. Gjalpë Erzeni i Tretur (1.4603)
8. Gjalpë Soal (1.4639)
9. Gjalpë Extra Milk (1.4626)
10. Gjalpë Ajka (1.4628)
11. Gjalpë Fshati (dyqan bulmeti tek Rruga e Kavajës) (1.4604)
Në Ditën Botërore të Ushqyerjes, World Wildlife Fund, u kërkoi konsumatorëve që t’i kushtojnë më shumë vëmendje produkteve që çojnë në shtëpi, sidomos atyre që në përbërjen e tyre kanë vaj palme. Ndërsa një tjetër studim i universiteteve të Barit, Padovës dhe të Pisës, në bashkëpunim me Shoqërinë italiane të Diabetit e lidh atë me sëmundjen e diabetit. Sipas studimit, vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit, të cilat prodhojnë insulinë. Ai shkakton dëme të pariparueshme në trup.
Raporti tronditës i IHME: Vdekshmëria nga sëmundjet në Shqipëri po rritet frikshëm
Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), autoriteti më prestigjioz në botë që mat barrën e sëmundjeve në çdo vend, lëshon alarmin se sëmundjet vdekjeprurëse në Shqipëri janë rritur me ritme të frikshme. Në një raport të posaçëm, Instituti vëren se numri i vdekjeve në Shqipëri si pasojë e sëmundjeve më të rrezikshme është rritur në interval dyshifror.
Raporti
IHME ka analizuar se si ka ndryshuar numri i vdekjeve për 10 sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë përgjatë periudhës 2005-2015. Gjetjet janë tronditëse. Sipas Institutit, që financohet nga miliarderi Bill Gates, vrasësi kryesor i shqiptarëve janë sëmundjet e zemrës. Por treguesi më tronditës është se krahasuar me vitin 2005 vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë rritur me 44 për qind. Në vendin e dytë për numrin më të madh të vdekjeve renditen sëmundjet cerebrovaskulare, që ndryshe njihet si goditjet në tru. Vdekjet si pasojë e kësaj sëmundjeje janë rritur me 37.7 për qind krahasuar me 10 vjet më parë. Trendi është i frikshëm për të gjitha sëmundjet, përveç njërës, që janë infeksionet respiratore. Vetëm për këtë sëmundje Shqipëria ka rënie të vdekshmërisë krahasuar me 10 vjet më parë, ndërkohë që për 9 sëmundjet e tjera numri i vdekjeve është rritur nga 17 për qind deri në 65 për qind, në vetëm një dekadë.
Alarmi i vdekjeve të parakohshme
Sipas Institutit për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit, Shqipëria po përballet jo vetëm me rritjen e vdekshmërisë, por gjatë dekadës së fundit është rritur me ritme të frikshme edhe vdekshmëria e parakohshme. Më konkretisht, vdekjet e parakohshme nga sëmundjet e zemrës janë rritur me 22 për qind krahasuar me vitin 2005. Ato që vijnë si rezultat i sëmundjeve cerebrovaskulare janë rritur me 16.5 për qind, ndërsa vdekjet si pasojë e tumorit në mushkëri janë rritur me 28 për qind. I njëjti trend vihet re edhe për sëmundjet e veshkave, si dhe ato të stomakut.
Krahasimi me vendet e tjera
Shqipëria klasifikohet me pullë të kuqe në 8 nga 10 sëmundjet me vdekshmëri të lartë. Kjo tregon se numri i vdekjeve në vend si rezultat i këtyre sëmundjeve është më i lartë se sa ai i vendeve të tjera të ngjashme dhe dukshëm më i lartë se sa vendet e zhvilluara. Sipas IHME, vdekshmëria si pasojë e sëmundjeve të zemrës në Shqipëri është 4 herë më e lartë se sa ajo në Francë, 3 herë më e madhe se në Itali dhe mbi dy herë më e lartë se në Gjermani. Po kështu i njëjti trend vihet re edhe për sëmundjet cerebrovaskulare, defektet kongjenitale dhe sëmundjet e veshkave.
Banorëve u kërkohen pagesat e energjisë kur ishin të përmbytur
Absurditeti me të përmbyturit gjatë vitit 2011 në Ultësirën e Shkodrës po marrin pjesën e mbetur të dëmshpërblimit për dëmet bujqësore- i premtuar nga qeveria para gjashtë vjetësh. Por ndërsa me një dorë u kthen paratë si dëmshpërblim për përmbytjet, me dorën tjetër vendimi i qeverisë u ndalon atyre pagesat e pashlyera të energjisë elektrike bashkë me kamatëvonesat, ndërsa nuk merr në konsideratë dëmet në banesa dhe biznese.
“Shqetësuese është se ndalohet debia e energjisë elektrike e kohës kur ishim të përmbytur dhe pse nuk kishte si të kishim drita, bashkë me kamatën. Kjo është tallje”, tha për “BIRN” Paulin Maçaj, organizues i një sërë protestash dhe një greve urie për dëmshpërblimin.
Maçaj ankohet edhe se ky vendim i qeverisë nuk ka marrë parasysh dëmet në banesa dhe biznese. Sipas tij dhe banorëve të tjerë të zonës, vendimi i 15 prillit të këtij viti për dhënien e pjesë së mbetur të dëmshpërblimeve është i mangët dhe ata thonë se do të protestojnë duke mos marrë pjesë në zgjedhje.
Afrimimi i fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të 25 qershorit ka zgjidhur qesen për dëmshpërblimet e vonuara, por Paulini thotë se padrejtësisht dhe pa asnjë lajmërim, banorëve të përmbytur nga ujërat e HEC-ve mbi Drin u është ndaluar te këto para, vlera që ata i kishin borxh OSHEE si debitorë të pagesës së energjisë elektrike, përfshirë dhe kamatëvonesën, e cila supozohej se ishte falur.
“Njerëzit po i marrin kuponat me të cilët tërheqin paratë dhe pse janë të gjithë të pakënaqur nga shuma e vënë në dispozicion, por thonë se më mirë po i marrim se mund të mos i japin fare. Pra, shteti- dhe në këtë rast KESH-i që na mbyti, jo një herë, por disa herë nuk mjaftohet me këtë, por edhe na vjedh duke na ndaluar pa asnjë shpjegim kamatat e mospagesës së energjisë elektrike, madje dhe për atëherë kur ishim nën ujë”, thotë Maçaj.
Banorët e Nënshkodrës kanë vite që kërkojnë dëmshpërblim pas përmbytjeve, por ato kanë marrë vetëm disa pjesë të tij. Në vitin 2013, para zgjedhjeve të asaj kohe atyre iu dha nga qeveria Berisha vetëm 49% e dëmit të shkaktuar nga përmbytjet në kultura bujqësore sipas vlerësimit të bërë nga komisionet përkatëse. Katër vjet më vonë, po në prag të një fushate elektorale qeveria Rama vendosi të jepte pjesën e mbetur, por duke i vendosur kësaj barrën e energjisë së papaguar ndër vite. “Diferenca e palikuiduar nga vlera e kompensimit, prej 1 112 303 342 (një miliard e njëqind e dymbëdhjetë milionë e treqind e tre mijë e treqind dyzet e dy) lekësh, që do të rezultojë pas rakordimit të shumave të paekzekutuara ndaj familjeve dhe subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të paguhet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.)”, thuhet në vendimin e qeverisë së 15 prillit të këtij viti. Kjo pagesë i përket vetëm dëmeve në kulturat bujqësore dhe jo atyre në banesa e biznese.
Banorët thanë “BIRN” se nuk ishin të kënaqur me dëmshpërblimin, ndërsa ata që kishin pasur dëme në banesa apo biznese nuk përfitonin prej vendimit të qeverisë dhe me gjasë mund të mos marrin asnjëherë dëmshpërblim.
Gjon Lasku, Pal Marku, Frrok Kola, Lush Ndoci, Arben Kola, Mhill Guri, Skënder Mhilli dhe Dritan Ndreu, të cilët në janar të këtij viti hynë në grevë urie për të marrë dëmshpërblimin, i thanë “BIRN” se do të vazhdojnë përpjekjet për të përfshirë aty dëmet që u janë bërë në banesa.
Grigor Pema nga fshati Obot tregon se shteti i pagoi me 5000 lekë të reja ditën ato që erdhën e bënë vlerësimet e dëmeve të shtëpive përmbytura dhe tani nuk përgjigjet për ata që i pësuan dëmet.
“Është vlerësuar dëmi i banesave, i kulturave bujqësore dhe bizneseve. Thuhet se nuk ka dokumente, por ato janë”, tha ai për “BIRN”.
Banorët e zonës që u përmbyt disa herë mes viteve 2009-2012 këmbëngulin te dëmshpërblimi i banesave dhe bizneseve, pasi siç thonë edhe dëmi aty ka qenë më i madh krahasuar me bujqësinë për të cilën qeveria mori vendimin e likuidimit. Janë bërë tri vlerësime në kohën kur ndodhën përmbytjet, për 7581 familje që përfshinin kryesisht dëmet në bujqësi dhe blegtori. Ndërkohë nga 260 biznese, vetëm katër janë dëmshpërblyer apo janë në lista, ndërsa për 5924 shtëpi banimi nuk ka asnjë vendim.
Sipas prefektit të Shkodrës nuk ka pasur asnjëherë një vendim për dëmshpërblim të kësaj natyre. “Nuk ka vendim qeverie për to (vendim të 2011-tës). Janë bërë vlerësimet nga qeveria e atëhershme, por vendim për kompensim është marrë vetëm për dëmet në bujqësi. Për dëmet e tjera nuk ka vendim qeverie”, tha prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani.
Sipas tij, për bizneset është vendosur kompesim zero, ndërsa për dëmet në banesa nuk ka asnjë vendim.
“Kërkesat e tyre janë të drejta, por vështirë se mund të thuhet se do të arrihet të merret vendim për dëmet në banesa, pasi duhet të nisë gjithçka nga fillimi dhe kjo duket e vështirë”, tha Radovani.
Duke llogaritur këto dëme, Paulin Maçaj thotë se qeveria i ka borxh kësaj shtrese edhe 2.3 miliardë lekë. Maçaj thotë se banorët nuk do të tërhiqen nga vendimi i tyre për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare, nëse qeveria nuk miraton dëmet në banesa dhe biznese.
Anila DUSHI
Lufta e humbur kundër korrupsionit
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dominuar shpesh deklaratat e zyrtarëve të lartë të qeverisë së Kosovës. Gati në të gjitha takimet ata kanë folur për një shtet ligjor dhe për zero tolerancë ndaj korrupsionit. Në një rast, kryeministri në largim, Isa Mustafa, mes të tjerash, ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet më e ashpër dhe se angazhimi në këtë drejtim është marrë seriozisht. “Me përgjegjësi mund të them se gjatë këtyre viteve kemi punuar me përkushtim të plotë që të zbatojmë ligjin dhe të eliminojmë korrupsionin. Ne kemi fuqizuar kapacitetet tona institucionale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar me themelimin e ekipeve hetuese shumë disiplinore, me krijimin e mekanizmave përcjellës për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe me forcimin e departamentit për krime të rënda”, ka thënë Mustafa. Por, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se zotimet për një shtet ligjor dhe zero korrupsion nuk u përmbushën në nivelin e duhur nga qeveria në largim e Kosovës, e cila për afro tre vjet është udhëhequr nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se problemi më i madh në luftën kundër korrupsionit është paraqitur te mungesa e vendimeve finale të gjykatave. “Kemi vërejtur një trend të shtimit të aktakuzave, por nuk kemi ende vendime finale të gjykatave, sidomos për raste të nivelit të lartë… Kur kemi zhvilluar një anketë, ka dalë se 46 për qind e të anketuarve mendojnë se zyrtarët qeveritarë dhe deputetët janë të përfshirë në dukurinë e korrupsionit. Dhe në shumë raste, perceptimi është një pasqyrim i realitetit”, thotë Canhasi, i cili, megjithatë, sheh edhe disa gjëra pozitive. “Jo gjithçka është e zezë në këtë drejtim; duhet të ceket një trend pozitiv: ministrat janë larguar nga pozitat me fillimin e aktakuzave dhe uroj që edhe qeveria e ardhshme ta aplikojë të njëjtën gjë”, shprehet Canhasi.
Dëmet që kriza politike ia shkaktoi ekonomisë
Kryeministri në largim i Kosovës, Mustafa, pati liruar nga detyra ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, pasi kryeprokurori i Shtetit pati ngritur akuza kundër tij për shpërdorim detyre. Zyra e kryeprokurorit të Kosovës, në akuzën ndaj Aganit, pati përfshirë edhe dhjetëra persona të tjerë, kryesisht mjekë të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, nën dyshimet se kanë keqpërdorur fondet për dërgim të pacientëve për shërim jashtë Kosovës. Dukuria e korrupsionit ka pasur ndikimin e vet edhe në ekonomi. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se zhvillimi ekonomik e ka pësuar. “Kemi dy raporte të institucioneve ndërkombëtare ku thuhet se ekonomia joformale është rritur nga 35 në 38 për qind, ndërsa edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni janë në rritje”, thekson Shahini.
Korrupsioni i lidhur me moszbatimin e ligjeve dhe gjyqësorin jo efikas
Organizata Transparency International, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016, e ka radhitur Kosovën në vendin e 95-të – me 36 pikë – në mesin e 176 vendeve të përfshira në raport. Krimi ekonomik dhe korrupsioni janë cilësuar si sfida për Kosovën edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.
Zgjedhjet në Kosovë, BE apelon: Të numërohet çdo votë
Çdo votë do të numërohet dhe asnjë prej tyre nuk do të shkojë dëm. Kjo është porosia dhe premtimi që Bashkimi Evropian i ka bërë qytetarëve të Kosovës në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit. Zyra e BE-së në Prishtinë në këtë kontekst u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, pasi vetëm kështu do të ruhet demokracia në vend. Ndërkohë, ashtu sikur ambasadat e QUINT-it, edhe BE-ja ua ka tërhequr vërejtjen partive politike që të sigurohen se kanë propozuar kandidatët më të përshtatshëm për të qenë pjesë e Kuvendit. Ata thonë se në shumë prej vendeve të BE-së personat, të cilët janë dënuar për “krime të rënda” nuk do të bënin pjesë fare në listat për deputetë. “Zyra e BE-së në Kosovë i ka bërë thirrje që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për postin e lartë që ata do të mbajnë. Kosova meriton përfaqësues të pozitës dhe të autoritetit të lartë moral. Në shumë prej vendeve tona individët që janë dënuar për ‘krime të rënda’ përjashtohen automatikisht nga pjesëmarrja në zgjedhje”, thuhet në përgjigjen që kjo zyrë i ka dhënë gazetës “Zëri”.
Zgjedhjet, të lira, të drejta dhe të rregullta!
Nevila XHINDI
Në çdo palë zgjedhje të organizuara nga Qeveria Rilindase në këto 4 vite, paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit u përdorën për të blerë zgjedhjet; Korça, Dibra, Kolonja dhe madje edhe zgjedhjet brenda Partisë Socialiste …ulërasin me dëshminë e tyre. Sot edhe Edi Rama është i vetëdijshëm se pa patur karriken e kryeministrit, nuk mban dot pushtetin dhe paratë që u ka vjedhur shqiptarëve…dhe ja ku e mbajti edhe karrigen! Marrëveshja “McAllister +” ia “hëngri” qeverinë, ia shkurtoi këmbët karriges së tij dhe shtoi garancitë politike drejt zgjedhjevetë lira, të drejta dhe të rregullta! Një kauzë e ngritur në lartësinë mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, si kusht i nevojshëm e i domosdoshëm për demokracinë, folur për to më fort se kurrë, diskutuar me intensitet dhe dinamikë, si e drejta më esenciale në një demokraci: në 90 ditë të arta të demokracisë shqiptare.
Po a janë zgjedhjet në vetvete të mjaftueshme për demokraci? E drejta për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit dhe për të ndikuar në drejtimin politik të qeverisë është themeli i domosdoshëm politik i demokracisë, ama shumë i brishtë në tokën shqiptare!
A munden ndonjëherë zgjedhjet të legjitimojnë përmbysjen e qeverisjes demokratike të vendosur, imponimin e një diktature apo dhune revolucionare? Pasojat e tmerrshme të regjimeve diktatoriale, oligarkike dhe kriminale e bëjnë të qartë se përgjigjja duhet të jetë “po” një “numër i madh” i tyre e tregojnë këtë anembanë globit. Si rregull, diktaturat që pretendojnë të mbajnë zgjedhje të vërteta i manipulojnë dhe i shtrembërojnë ato, duke e bërë të qartë qëllimin e tyre për të parandaluar konkurrencën reale dhe mundësinë e një transferimi paqësor të pushtetit. Demokracia bazohet në lirinë politike. Baza e saj kryesore, mbajtja e zgjedhjeve të lira, nuk mund të përdoret legjitimisht për të futur kushte politike të dhunës së organizuar apo represionit shtetëror që parandalojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Në raste të tilla, zgjedhjet nuk janë shenja të demokracisë, por më tepër një maskë ndaj strukturave politike antidemokratike.
Çfarë realisht duhet të kuptojmë me zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të rregullta?
Ashtu si me përkufizimet për sistemet zgjedhore edhe për zgjedhjet “të lira, të drejta dhe të rregullta”, nuk ka përkufizime të sakta, por konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë krijuar një konsensus bazë. Në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Neni 21 thotë se, “vullneti i popullit … do të shprehet në zgjedhje periodike dhe të vërteta, të cilat do të jenë me votim universal dhe të barabartë dhe do të mbahen me votim të fshehtë ose me procedura ekuivalente me votim të lirë … ”
Zgjedhje të rregullta ose periodike nënkuptojnë mbajtjen e zgjedhjeve në një orar të caktuar të njohur elektoratit, qoftë në një ditë të caktuar ose në një sërë datash ose brenda një afati kohor të caktuar. Ligji federal në SHBA, për shembull, kërkon që zgjedhjet të mbahen në të martën e parë të nëntorit të çdo viti (përveçse nëse bie mbi 1) për zgjedhjen e përfaqësuesve dhe senatorëve dhe çdo katër vjet për zgjedhjen e një presidenti. Sistemet parlamentare, si i yni, zakonisht kërkojnë që zgjedhjet të mbahen brenda katër apo pesë vjetëve nga zgjedhjet e mëparshme, por ato mund të thirren më herët, siç përcaktohet nga partia ose koalicioni i partive në shumicë. Kjo i jep partisë në pushtet disa avantazhe në caktimin e datës. Megjithatë, qytetarëve u garantohet mundësia për të ndryshuar liderët e tyre dhe për të mbështetur politikat e reja, nëse ata zgjedhin brenda një afati të arsyeshëm kohor. Asnjë qeveri nuk qëndron në pushtet në mënyrë të pacaktuar.
Të ndershme, do të thotë se zgjedhjet janë të lira dhe të drejta. Ligjet zgjedhore duhet të ofrojnë kushte dhe mundësi të barabarta për qytetarët që të kenë qasje në qendrat e votimit dhe të votojnë. Ata gjithashtu duhet të ofrojnë kushte dhe mundësi të barabarta për të gjitha partitë dhe kandidatët që marrin pjesë në to. Një barazi e tillë kërkon aftësinë e partive politike dhe kandidatëve për t’u regjistruar në zgjedhje pa kërkesa të paarsyeshme; që ata të kenë akses të balancuar në media; që ligjet që rregullojnë financimin e fushatave të jenë të njëjta për të gjithë kandidatët dhe që nuk i japin një kandidati apo një parti një avantazh të pabarabartë; dhe se procesi zgjedhor është i drejtë dhe nuk anon drejt një partie apo kandidati. Në përgjithësi, liritë politike të shprehjes, ndërgjegjes, asociacionit politik duhet të mbrohen në mënyrë që kandidatët dhe partitë të mund të bëjnë fushatë pa pengesë dhe të kenë mundësinë të përcjellin mesazhet e tyre politike dhe platformat tek votuesit.
Secili prej këtyre përkufizimeve të gjera, ka shumë hapësirë për debat dhe kundërthënie. Çfarë mund të bëhet për të siguruar pavarësinë e procesit zgjedhor? A duhet që kandidatët dhe partitë të kenë kufij shpenzimi? Ose kufizime në fjalimin e fushatës? A duhet të ketë rregulla për qasje në media? Dhe kështu me radhë…
Në shumicën e vendeve në botë ka gjithmonë një histori që lidhet me abuzim zgjedhor, duke përfshirë gerrymandering, mbushjen e kutive me vota, mashtrimin me para dhe kërcënimin e votuesve. Abuzime të tilla tregojnë se integriteti i demokracisë nuk është një rezultat i pashmangshëm i zgjedhjeve, se integriteti duhet të mbrohet fuqishëm dhe vazhdimisht nga qytetarët e secilit vend, se zgjedhjet duhet të krijojnë të drejtat politike të qytetarëve dhe individëve.
Edhe kur zgjedhjet zhvillohen lirisht, ato nuk janë garanci për një rezultat demokratik. Kur institucionet demokratike janë ose bëhen të dobëta, zgjedhjet lehtë mund të përdoren nga grupe politike të dhunshme ose autoritare për të manipuluar vullnetin e popullit dhe për të marrë kontrollin e qeverisë.
Demokracia shqiptare, edhe pse tashmë 27 vjeç, është ende e brishtë dhe me një sistem elektoral të kontestueshëm, gati për korrigjime të gjata dhe të qenësishme, ku themeli janë ende zgjedhjet: të lira, të drejta dhe të rregullta! Pa zgjedhje të tilla, nuk ka asnjë mundësi për qytetarët e Republikës së Shqipërisë të shprehin vullnetin e tyre, as mundësinë që qytetarët të ndryshojnë liderët e tyre, të miratojnë politikat për vendin, të adresojnë gabimet ose të protestojnë për kufizimin e të drejtave të tyre.
Çako mobilizon banditët në polici për zgjedhjet
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka emëruar së fundmi në polici njerëz të lidhur me krimin dhe militantë të PS për t’i përdorur në fushatën elektorale. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas informacioneve që i ka dërguar një oficer policie. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, narko-drejtori i Përgjithshëm i Narko-Policisë, Haki Çako me urdhër të Noriegës vazhdon emërimet elektorale.
“Oficeri dixhital denoncon emërimin si narko shef Komisariati në Kavajë të ekstremistit Aliosha Brokaj dhe emërimin e ushtarit besnik të Saje qorrit dhe Milit të partisë Besmir Qibinit, shef Krimesh në Kombinat ku po mobilizon bandat e krimit për ish narko-ministrin Tahiri!”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Mirëmbrëma Doktor. Pardje në Kavajë kanë emëruar Shefin e Komisariatit që është Aliosha Broka, nipi i Sabit Brokajt. Kjo lëvizje është bërë sot para se ministri i ri të marrë detyrën. Gjithashtu po në këtë kuadër Besmir Qibini i denoncuar nga ju me të drejtë si lidhje e ngushtë e Emiliano Shullazit dhe i emëruar me urdhër të tij nga Saimir Tahiri nëndrejtor Policie për Tiranën, më pas në drejtor të Doganave dhe disa muaj më parë me kërkesë të Habilajve u emërua drejtor kufiri në Vlorë është rikthyer në Tiranë dhe po për qëllime elektorale është emëruar në Komisariatin e Kombinatit si shef Krimesh ku mobilizon çdo ditë bandat e krimit për fushatë elektorale të Tahirit. Mund të jenë bërë edhe lëvizje të tjera, por unë nuk kam dijeni”, shkruan oficeri i policisë.
Qibini, nga kontrabanda te trafiku i drogës
Besmir Qibini njihet si krahu i djathtë i kapobandës Emiliano Shullazi. Lidhjet mes tyre janë bërë publike në media. Ai u katapultua në polici dhe më pas edhe në Doganën e Durrësit për t’i shërbyer me besnikëri trafiqeve që kontrolloheshin nga Shullazi dhe Tahiri. Besmir Qibini u largua nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej kohësh, ky person dhe përmes tij krimi, kanë patur në dorë jo vetëm kontrabandën, por edhe antikontrabandën dhe hetimin doganor. Si rezultat i emërimit në poste të rëndësishme në polici të njerëzve të inkriminuar janë lejuar aktivitetet e paligjshme të trafikut të drogës dhe kontrabandës.
Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri-¬Shullazi dhe bandës që kontrollonte Tiranën dhe Durrësin, krimi siguroi përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta. Nuk ishte rastësi që Emiliano Shullazi u fut nga Dogana e Durrësit me një mjet të blinduar për në Itali, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë. Inkriminimi i strukturave shtetërore u bë nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri dhe po vijon edhe këto ditë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako po me urdhër të Ramës.
Në fund të muajit janar të këtij viti, Qibini u largua si nëndrejtor i Doganave për t’u emëruar nga Tahiri drejtor i Policisë Kufitare në Vlorë për të lejuar trafikun e drogës së Habilajave nga brigjet shqiptare drejt Italisë.
Gjatë 4 muajve që Qibini drejtoi Policinë Kufitare në Vlorë, policia italiane sekuestroi mbi 20 ton drogë që kishte kaluar nga bregdeti i Vlorës. Kjo është sasia e bllokuar nga policia italiane, por dyshohet se, Habilajt kanë arritur të fusin në Itali tonelata me drogë.
Pistoleta e Qibinit në duart e Çiços
Besmir Qibini është akuzuar se i kishte dhënë pistoletën e tij Elton Çiços, i cili u vra vitin e kaluar në një lokal tek ish-Blloku në Tiranë. Pas vrasjes së Çiços në lokal, pistoleta e tij u fsheh nga oficeri i policisë, Alban Trimi, i cili ndodhej në tavolinë me Çiçon. Kjo skenë është zbuluar nga pamjet filmike të kamerave të sekuestruara nga Prokuroria.
Ky skandal u publikua nga ish-kryeministri Berisha në “Facebook”, pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar. Në mesazhin e publikuar nga Berisha thuhej se, Alban Trimi, oficeri i Policisë e fshehu armën e Çiços, duke mbrojtur Qibinin.
“Përshëndetje zoti Berisha, në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale dhe konkretisht në lidhje me vrasjen në zonën e “ish-Bllokut” dua t’ju informoj se trimat e Saje qorrit, Besmir Qibini, duke e pasur shok klase Alban Trimin, ndërhyn, duke e emëruar shef të Antidrogës për rrethin e Tiranës për të bërë të mundur lëvizjen e lirë të trafikut të drogës së shokut të tyre të partisë, Mili. Por meqë skandalet kanë dalë sheshit e transferojnë Alban Trimin në Komisariatin e Kukësit.
Nuk e kanë lënë për shumë kohë dhe e kanë sjellë përsëri në Tiranë me detyrën e Shefit të Krimeve për të vazhduar aktivitetin kriminal të drogës, por kësaj radhe me Elton Çiçon, kushëriri i parë i Tërmet Peçit (djalë daje). Pra, arrestimi i Alban Trimit është bërë sepse fshehu provat, fshehu pistoletën e viktimës, sepse pistoleta ishte e Besmir Qibinit dhe ja kishte lënë Eltonit për vetmbrojtje, dhe këto janë bërë të gjitha me urdhër të Saje Qorrit”, shkruante qytetari.
R.POLISI
Ministri Demiraj me Llallën: Masa të ashpra për zgjedhjet e drogën
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi dje një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në zyrën e këtij të fundit. Bëhet e ditur se, takimi ndërmjet tyre ka zgjatur për rreth 30 minuta dhe në të është diskutuar për masat e rrepta që do të ndërmerren për zgjedhjet dhe drogën.
Gjatë takimit, mësohet se është diskutuar për masat konkrete për neutralizimin e potencialit të blerjes së votave, ndjekjen penale të punonjësve të administratës të përfshirë në zgjedhje dhe luftën kundër drogës. Gjatë takimit kryeprokurori Llalla është shprehur se nuk do të lejohet asnjë shkelje e ligjit për fushatën zgjedhore. Sipas Llallës, do të zbatohet me përpikmëri ligji ndaj shitblerjes së votës.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.
Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale.
Për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg nga 1 deri në 7 vjet. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme. Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqe për procesin zgjedhor dhe luftën ndaj drogës. Prioritet i takimit ka qenë ruajtja e sigurisë dhe rendit për zgjedhjet parlamentare dhe lufta kundër kultivimit të kanabisit. Ministri Demiraj u ka bërë të qartë drejtuesve të policive në qarqe, se cilido person me uniformë apo pa uniformë që përfshihet në fushatën zgjedhore do të largohet nga puna dhe do të ndiqet penalisht. “Mospjesëmarrja dhe mospërfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore është një prioritet madhor. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikëri misionin kushtetues, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal”, është shprehur Demiraj.
Ministri nënvizoi se, cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përfshihet në fushata, duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale. “Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim”, u shpreh ai.
Po ashtu, Demiraj ka paralajmëruar drejtuesit e policive në qarqe që të mos bëjnë asnjë tolerim ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit, pasi do të penalizohet rreptësisht. “Kontrolli i territorit është detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit”, u shpreh Demiraj. Të martën, në ditën e parë të punës Demiraj u takua me Shefin e Shërbimit Informativ, Visho Ajazi. Edhe në këtë takim është diskutuar për luftën ndaj drogës, krimit të organizuar dhe zgjedhjet.
Llalla dhe 3 ministra nxjerrin udhëzim të ri për kanabisin
4 institucione në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë nxjerrë një udhëzim të ri për asgjësimin e kanabisit. Ky udhëzim është nxjerrë nga Kryeprokurori Adriatik Llalla, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mjedisit. Sipas këtij udhëzimi, kanabisi nuk do të asgjësohet në vend me djegie sikurse ka bërë deri tani policia.
Bimët narkotike që do të gjenden, do të sekuestrohen dhe do të vendosë Gjykata se çfarë do të bëhet me drogën. Gjithashtu, në rastet kur kanabisi do të asgjësohet me djegie, ky proces do të bëhet në magazinën e Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik në zonën e Mulletit në Tiranë. Policia do të jetë e detyruar të presë prokurorin dhe asgjësimi do të bëhet në prani të tij.
Pak muaj më parë, nga kryeprokurori Llalla pati akuza, se në shumë raste kanabisi i gjetur asgjësohet nga policia pa praninë e prokurorit sikurse e parashikon ligji. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla hodhi akuza të rënda dje ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për zhdukjen e sasive të mëdha të drogës së sekuestruar. “Në mënyrë të vazhdueshme bëhen publike të dhëna dhe çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lënde narkotike, asgjësohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mospërfshirje totale të prokurorëve për mënyrën sesi administrohen dhe sekuestrohen, asgjësohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i secilit prej nesh që të identifikojë këto raste, për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore, kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale, asgjësohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si në të gjitha rastet e tjera duhet të asgjësohet në prani të prokurorit”, deklaroi Llalla. Prokurori i Përgjithshëm paralajmëroi ndjekje penale për drejtuesit e policisë, nëse asgjësimi i kanabisit të sekuestruar do të vijojë të bëhet pa praninë e prokurorëve.
R.POLISI