22.5 C
Tirana
E martë, 22 Korrik, 2025

Krujë, ministrja takim elektoral në shkolla

Fotoja që shihni tregon se si ministrja e Ramës, Englantina Gjermeni është duke bërë fushatë në ambientet e shkollës në Krujë. Megjithëse Rama miratoi një urdhër të posaçëm për gjoja mospërdorimin e administratës publike dhe ambienteve të saj për fushatë elektorale duket se vendimi ka qenë sa për dy tituj lajmesh dhe asgjë më shumë. Kjo foto tregon më së miri se si administrata publike dhe mjetet shtetërore janë vënë tërësisht në shërbim të fushatës elektorale të PS. Kjo situatë po ndodh në të gjithë vendin. Ambientet e shkollave janë shndërruar në ambiente takimesh elektorale të fushatës së PS. Nga njëra anë po përdoren mjetet shtetërore për fushatën e PS e nga ana tjetër punonjësit e administratës përmes urdhrave të fshehtë janë duke u nxjerrë në takimet elektorale të PS nën presionin se do t’i largojnë nga puna.

Denoncimet e qytetarëve, ekskursione maturantëve në këmbim të votës

Përpjekje të dëshpëruara për blerjen e votave edhe në Kavajë. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje denoncimin e disa qytetarëve, të cilët dëshmojnë se si në Kavajë ku do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë, PS është duke organizuar ture ekskursionesh për maturantët me qëllim blerjen e votës së tyre. “Mirëmbrëma Doktor! Partia Socialiste Kavajë ka sjellë në Sarandë për pushime gjimnazin e qytetit me 8 autobusë duke ja u paguar gjithçka udhëtim, hotel, por dhe ushqimin. I dekriminalizuari Rroshi e ka bërë punën e tij. Respekte”, thuhet në një nga denoncimet e publikuara nga Berisha. “Përshëndetje Doktor…..! Dua të të përshëndes për shumë shkolla që ke bërë në Komunën e Katund i Ri Durrës dhe për gjimnazin që ti e bëre rikonstruksion dhe sot ato maturantë që janë atje kanë qenë 3 ditë në Mal të Zi ekskursion dhe ia kanë paguar të gjitha koordinatorët e PS dhe ato maturantë të gjithë votat e tyre do ja japin PS… Të lutem, ndiqe këtë çështje kaq serioze për të drejtën e votës, të lutem se po e mori prapë ky piktori do na detyrojë të ikim fare dhe ne që kemi ngelur…. Respekte dhe ju uroj shëndet të plotë……”, thuhet në një tjetër denoncim.

Konstituohen komisionet e vettingut

Janë konstituuar edhe 2 komisionet e tjera ad-hoc për ngritjen e organeve të vettingut, një me 12 anëtarë që do të zgjedhë Komisionin e pavarur të Kualifikimit dhe një me 6 anëtarë për Kolegjin e Apelimit. Ndërkohë Komisioni që do të kryejë verifikimin e kandidatëve miratoi kalendarin e punimeve në të cilin në datat 29 dhe 30 maj do të përmbyllë dëgjesat me kandidatët dhe do të miratojë listën finale me kandidatët që janë të gatshëm për votim. Të hënën në orën 10:00 dhe të martën në orën 9:00 të mëngjesit, Komisioni ad-hoc i Verifikimit të Kandidatëve për procesin e vettingut, do të thërrasë në seancë dëgjimore të 193 aplikantët pjesëmarrës në garë. “Propozoj që kandidatët e listës B të njoftohen të gjithë për seancë dëgjimore, ndërsa tek lista A siç e parashikon ligji të njoftohen kandidatët që kanë marrë një rekomandim negativ nga ONM dhe Komisioni. Në proces e sipër të punës këtu jemi, do të vendosim edhe për seancë dëgjimore edhe për pjesën tjetër të kandidatëve që kanë marrë rekomandim pozitiv nga Avokati i Popullit dhe ONM”, tha Manja. Deputeti Flamur Noka kërkoi që mbledhjet e Komisionit të bëheshin në darkë, kërkesë që nuk u mor parasysh nga anëtarët e tjerë të Komisionit. “Ne gjatë gjithë ditës duhet të jemi në fushatë, prandaj unë propozoj që të gjitha seancat t’i zhvillojmë darkave, natën deri në mëngjes. Sepse unë ditën jam në fushatë zonjë”. Ky Komision ka afat deri më 1 qershor për të nxjerrë listën përfundimtare me kandidatët që janë të gatshëm për votim për t’ia përcjellë më pas dy komisioneve të tjera ad-hoc që do të bëjnë përzgjedhjen. Më herët edhe këto dy komisione zhvilluan mbledhjen e konstituimit dhe planifikuan ditën e hënë, ora 9:00, si ditën e trajnimit për sistemin elektronik me të cilin do të bëjnë votimin e kandidatëve. Kjo u shoqërua edhe me batuta mes anëtarëve të Komisionit. “Ne duhet të na japin garancinë që kur zgjedhim një kandidat nuk na del ndonjë kandidat tjetër”. Gjithë procesi i ngritjes së institucioneve të vettingut, i parashikuar në Kushtetutë, duhet të mbyllet brenda datës 24 qershor. Kushtetuta dhe ligji e kanë të detajuar procedurën e ngritjes së organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pritej vetëm ngritja e komisioneve me emrat e opozitës, e cila ka të njëjtin numër anëtarësh me mazhorancën në komisionet përzgjedhëse parlamentare. Këta janë 6 anëtarët e komisionit të parë Ad Hoc të Kuvendit që do t’u duhet maksimumi dhjetë ditë të përzgjedhin mes 193 aplikantëve tek Avokati i Popullit më të pastrit e profesionistët për dy institucionet e vettingut dhe komisionerët publikë. Në Kuvend, aktualisht janë dorëzuar tri lista: e para është ajo e Avokatit të Popullit me 84 persona që plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë në këto komisione. Një listë tjetër ka të bëjë me ata persona që nuk i plotësojnë kriteret, ndërkohë që është prezente dhe lista e rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që përmban 67 emra, por që nuk janë bërë publikë. Pasi komisioni të ketë verifikuar çdo dokumentacion dhe pasi të kenë dëgjuar të 193 aspirantët për pastrimin e drejtësisë, do të hartohet një listë unike, që ju përcillet dy komisioneve që kanë përkatësisht 12 dhe 6 anëtarë.

Rikthimi i BE-së në Ballkanin perëndimor

Ngjarjet që kanë ndodhur në vendet e Ballkanit perëndimor që nga fillimi i këtij viti, kanë bërë që Bashkimi Evropian, në muajt e fundit, ta kthejë vëmendjen në këtë rajon, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të së drejtës ndërkombëtare. Vigan Qorolli, Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, vlerëson se takimi i së mërkurës i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini me kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, është një nga sinjalet se, Bashkimi Evropian po e kthen vëmendjen kah Ballkani perëndimor. Sipas tij, në kohën e trazirave të mëdha për shkak të refugjatëve nga Lindja e Mesme, Bashkimi Evropian, orientimin e tij strategjik do të duhej ta ketë kah Ballkani perëndimor, vendet e të cilit po e kalojnë një periudhë shumë të trazuar politike. “Kemi parasysh këtu, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, Maqedoninë, Serbinë, por edhe Malin e Zi dhe rritjen e vazhdueshme të influencës ruse në vendet me popullsi kryesisht sllave”. “Prandaj, kemi rrethanat, të cilat Bashkimi Evropian, me takimin e fundit të zonjës Mogherini me liderët e Ballkanit perëndimor, kërkon t’ua bëjë të qartë se perspektiva e tyre e vetme është Bashkimi Evropian dhe reformat e thella ekonomike, politike dhe juridike, të cilat ata duhet t’i ndërmarrin në shtetet respektive, janë të vetmet mundësi për t’i orientuar vendet e tyre në cakun e tyre final, që është anëtarësimi në BE”. Emrush Ujkani, Profesor i së Drejtës Evropiane, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, jo vetëm takimi i Federica Mogherinit me liderët e Ballkanit perëndimor shënon një kthim të vëmendjes së BE-së drejt rajonit. Sipas tij, muajt e fundit është diskutuar në shumë qarqe diplomatike, si dhe në debatet brenda institucioneve të Bashkimit Evropian për nevojën e kthimit të vëmendjes në Ballkanin perëndimor. Nevoja që kushtëzon një kthim të tillë të vëmendjes, janë rreziqet potenciale që ky rajon mund t’i ketë dhe t’i prodhojë, jo vetëm për vendet e rajonit veç e veç, por edhe për të gjithë kontinentin e Evropës. “Ballkani perëndimor, në njëfarë forme, është bërë si urë lidhëse, qoftë për kalimin e migrantëve, qoftë për kalimin e grupeve të ndryshme që emërtohen si grupe terroriste. Pastaj është edhe influenca jo pak e vogël ruse në disa prej vendeve të Ballkanit perëndimor. Kështu që, të gjitha këto, janë rrethana që mendoj se BE-në përfundimisht e kanë bërë të mendojë ndryshe në raport me Ballkanin perëndimor dhe që ta ngrejë pak vëmendjen në raport me këto vende”. Profesor Ujkani ka shtuar se, retorika është ajo që i paraprinë gjendjes konfliktuoze ose konflikteve të mundshme, ndërkaq që muajt e fundit në Ballkanin perëndimor, një retorikë e tillë është parë si e shtuar. Sipas tij, një qëndrim tendencioz është parë në Beograd ndaj Kosovës dhe, siç thotë ai, në mënyrë të heshtur edhe ndaj Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ka pasur përkeqësim raportesh ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë. Pastaj, ngjarjet në Mal të Zi, deklaratat e lidershipit në Shqipëri dhe situata jo stabile në Maqedoni, janë shkëndija që i paraprijnë një situate të re konfliktuoze, thotë Ujkani. Mendim të ngjashëm ka edhe Profesor Qorolli, i cili thekson se të gjitha këto sinjale kanë ndezur alarmin në Bashkimin Evropian për Ballkanin perëndimor. “Sigurisht që alarmet janë ndezur. Tashmë kur retorikat nacionaliste po rriten gjithandej në BE, shtetet e Ballkanit perëndimor kërkojnë një vëmendje më të thellë të Bashkimit Evropian, për reformat, që ata duhet t’i ndërmarrin”. Profesor Ujkani ndërkaq thotë se Bashkimi Evropian është duke u përpjekur që ta kuptojë drejtë situatën në Ballkanin perëndimor. “Tash, natyrisht që BE-ja, pas zgjedhjeve në Francë, është në një pozicion më të favorshëm dhe do të jetë, besoj, në një pozitë edhe më të mirë pas zgjedhjeve në Gjermani, në shtatorin e këtij viti, që t’i japë një shtytje më të madhe proceseve integruese në Ballkanin perëndimor, gjë që nuk është e thënë që integrimi të ndodhë me automatizëm. Por, në fakt, këto vende do ta shohin që vërtetë një proces i tillë mund të ndodhë dhe do të ndodhë”. Njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe të asaj evropiane, kanë shprehur mendimin se elitat politike në Ballkanin perëndimor duhet të fillojnë të mendojnë, siç thonë ata, në mënyrë evropiane, që nënkupton zero tolerancë ndaj korrupsionit, si dhe gjyqësi të pavarur dhe të depolitizuar.

Peza, i pandehur për fshehje pasurie dhe pastrim parash

Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, merret i pandehur nga Prokuroria për akuzën e fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të parave. Ishte prokurorja Rovena Gashi, ajo që i ka komunikuar vendimin e marrjes së të pandehur dhe dërgimin e dosjes në ngarkim të tij pranë Gjykatës së Lartë, ku edhe do të gjykohet deputeti. Ndërkohë nga procedimi penal është përjashtuar bashkëshortja e deputetit, e cila fillimisht u dyshua si bashkëpunëtore.
Para hetuesve, mësohet se Peza nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se është i pafajshëm. Ndërsa në dalje të institucionit të akuzës, foli vetëm avokati mbrojtës, i cili pretendoi se akuzat nuk qëndrojnë dhe do të dal fitimtar gjatë procesit gjyqësor.
Vetë Peza nuk pranoi të flasë për mediat, kur doli nga dyert e Prokurorisë, ndërsa avokati ishte entuziast se mund ta fitojë lehtë këtë çështje. “Çdo avokat do ta dëshironte këtë çështje se pse është garant i fituar”, tha ai. Sipas Vishës, Prokuroria e ka ndërtuar keq këtë dosje, nuk ka fakte, tha ai, kundër Pezës”.
Sipas Prokurorisë, është kryer akt-ekspertimi kontabël i të ardhurave të deputetit Peza dhe bashkëshortes ndër vite. Nga verifikimi i tyre, thuhet nga Prokuroria, nuk rakordohen të ardhurat e deklaruara zyrtarisht me paratë që kishte në gjendje deputeti Peza. Në akt-ekspertimin kontabël, ku edhe është bazuar ngritja e akuzave, ndër të tjera thuhet se deputeti nuk justifikon rreth 800 mln lekë, të cilat i disponon në formën e aksioneve të blera në një bankë të nivelit të dytë në vend.
Hetimi për këtë çështje e ka nis me inciativë të saj Prokuroria, pas publikimit në media të disa të dhënave, që deputeti kishte blerë me rreth 1.1 mlrd lekë aksione në një bankë të nivelit të dytë.
Nga ana tjetër, kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e aksioneve të deputeti Peza dhe bashkëshortes së tij, Gjykata e Lartë e ka rrëzuar, duke e cilësuar si të paargumentuar ligjërisht.
Alfred Peza do të hetohet në gjendje të lirë. Ai akuzohet se nuk i ka të justifikuara paratë që i kapitalizuar në një bankë të nivelit të dytë. Pasuria prej 1.3 miliardë lekësh e investuar si aksione në bankë është për momentin nën sekuestro nga Prokuroria deri në përfundim të hetimeve dhe gjykimit ndaj tij.

Polici dhunon gazetaren: “T’i këpus të dyja duart”

Një tjetër rast dhune është shënuar nga ana e uniformave të policisë. Polici, i cili ruan Institutin e Fizikës Bërthamore dhunon fizikisht grupin e xhirimit të emisionit “STOP”, ndërsa gazetarja dhe operatori ishin në detyrë. Edhe pse iu kërkua korrektesë në sjellje, polici fyen, dhunon dhe kërcënon përfaqësuesit e medias.
Gazetarja e emisionit “STOP” shprehet se i është drejtuar Institutit të Fizikës Bërthamore për të lënë një takim me Drejtorin e këtij institucioni, por u ndesh me dhunën verbale dhe fizike të policit që ruan këtë objekt.
Gazetarja – Mund të ma thuash pak me ton më normal?
Polici – Dil atje përjashta! Zbato urdhrin tim! A do të dalësh përjashta, me të mirë apo …?
Gazetarja – Më fal, kush jeni? Me kë po komunikoj?
Polici – Me punonjësin e Policisë së Shtetit. Ai që ruan këtëëëëëë…
Gazetarja – A mund të pyesësh pak si njeri se për çfarë kam ardhur?
Polici – Dil atje përjashta, të jap urdhër brenda rregullit, jo me hy me forcë.
Gazetarja – Brenda kujt rregulli?
Polici – Dil aty!
Gazetarja – Ma trego pak rregulloren, të lutem!
Polici – Do dalësh përjashta…
Gazetarja njofton policinë dhe përballet me policin që e dhunoi.
Polici – Në institucion… t’i këpus të dy duart…
Gazetarja – Nuk ke asnjë lloj të drejte… Ku e kishe kapelen?
Polici – Leje moj kapelen, s’mbaj kapele në institucion unë.
Gazetarja – Çfarë do më bësh ti mua? Do më këpusësh duart? Është kërcënim ky?
Polici – Po hyre atje po, është institucion shteti.
Gazetarja – Kush je ti që më vë mua dorë?
Polici – Do të hedh në gjyq ty dhe ata që janë më të fortë.
Gazetarja – Të hedh unë më parë në gjyq.
Gazetarja e emisionit “STOP” rrëfen se polici dukej në gjendje të dehur, pasi i vinte era alkool.

Vrasja në Vlorë, makina që u përdor në vrasje ishte vjedhur në Durrës

Një ditë pas atentatit të ndodhur në Sheshin e “Flamurit” në Vlorë, ku mbeti i vrarë drejtori i OSHEE-së, Roland Saliu dhe pronari i televizionit “Vlora Channel”, Mervjen Hyseni, hetuesit kanë zbuluar fakte të reja. Nga verifikimet e policisë, rezulton se makina që përdorën vrasësit ishte vjedhur në Durrës disa ditë më parë. Mjeti u gjet i djegur në një fshat të Vlorës, në Panaja, pak minuta pas vrasjes. Brenda në makinë, policia gjeti edhe kallashnikovin që përdorën vrasësit.
Hetuesit kanë konfirmuar se objektiv i atentatit ishte biznesmeni Hyseni. Një dyshim i tillë është ngritur pas verifikimeve të kryera nga policia lidhur me profilet e dy viktimave. Hetuesit thonë se, dyshohet se vrasja mund të ketë lidhje me aktivitetet e Hysenit, jashtë dhe brenda vendit.
Këtë të enjte, ekspertët kryen një këqyrje të dytë të vendit, ku u gjet duke u djegur automjeti i përdorur nga atentatorët. Ata mendohet se kanë qenë së paku dy persona. Ekspertët janë përpjekur të gjejnë aty sa më shumë prova për zbardhjen e krimit. Mësohet se kjo makinë ishte vjedhur në javët e para të majit në qytetin e Durrësit, ndërsa i janë vënë targa të tjera, gjithashtu të vjedhura.
Ekspertët dhe mjekët ligjorë konfirmuan se drejtori i OSHEE-së ndërroi jetë nga një plumb i vetëm që ka marrë në kokë. Ndërsa biznesmeni Hyseni mori 5 plumba në gjoks. Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje më tepër se 20 persona. Po ashtu, hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të 48 orëve të fundit, nga kamerat e disa bizneseve të zonës në përpjekje për identifikimin e autorëve.

Si i shpëtoi plumbave vajza e njërit prej viktimave

Atentati mund të ishte kthyer në një vrasje të trefishtë. Një vajzë e vogël që po luante aty pranë me biçikletë i ka shpëtuar për mrekulli plumbave të atentatorëve. Mësohet se vogëlushja është vajza e të ndjerit Hysenaj dhe ishte duke luajtur para ambjenteve të lokalit ku ishte i ati. Siç shihet edhe në fotot e para që kanë mbërritur nga vendi i ngjarjes, biçikleta ka mbetur aty, si dhe një palë shapka, që thuhet se janë të fëmijës që ndodhej rastësisht në momentin dhe vendin e gabuar.
Gjatë atentatit u rrezikuan edhe persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, mes të cilëve edhe vajza e mitur e Hysenit, e cila pak çaste para breshërisë kishte qenë në ambientet e jashtme.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të hedhur dritë mbi lëvizjet e autorëve dhe identifikimin e tyre. Ende nuk ka zyrtarisht një pistë të qartë se ku janë përqendruar hetimet. Bëhet e ditur se autorët pas krimit kanë kaluar nga rruga “Muze” për të dalë më tej drejt qytetit dhe më pas kanë dalë në autostradë, ku aty kanë djegur edhe automjetin.

Rama në rrebeshin e kritikave të Trump

HM King Philippe (King of the Belgians), Donald Trump (President, United States), NATO Secretary General Jens Stoltenberg, Angela Merkel (Federal Chancellor, Germany) and Charles Michel (Prime Minister, Belgium)

Presidenti amerikan Trump ka qenë i ashpër dje në Samitin e Aleancës së Atlantikut në Bruksel me ato vende që nuk përmbushin detyrimet që kanë ndaj Aleancës. Kritika kanë shkuar indirekt edhe për Ramën, i cili refuzon të përmbushë kuotën e financimit për NATO-n që është e detyrueshme për Aleancën.
Në takimin e tij të parë me udhëheqësit e vendeve të aleancës së NATO-s Presidenti Trump, kërkoi nga aleatët që të shtojnë kontributin e tyre për buxhetin e aleancës, duke i quajtur shpenzimet e mbrojtjes të NATO-s të pamjaftueshme. 23 nga 28 vendet e aleancës, tha ai, nuk paguajnë kuotat e tyre të plota. Presidenti po ashtu theksoi se, lufta kundër terrorizmit duhet të jetë një përparësi e aleancës.
Presidenti amerikan Donald Trump e përdori fjalimin e tij të inaugurimit të selisë së re të NATO-s për t’u kujtuar vendeve anëtare të aleancës se duhet të përmbushin detyrimet financiare ndaj aleancës.
“E ardhmja e NATO-s duhet të përfshijë një fokus të madh tek terrorizmi dhe imigracioni, si dhe kërcënimet nga Rusia në kufijtë jugorë dhe lindorë të aleancës. Këto shqetësime të thella janë të njëjtat arsye përse kam qenë shumë i drejtpërdrejtë me sekretarin Stoltenberg dhe anëtarë të aleancës, duke thënë se anëtarët e NATO-s duhet të kontribuojnë më në fund në përmbushjen e detyrimeve të tyre financiare”.
Presidenti Trump u tha udhëheqësve të NATO-s sot në Bruksel se, Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalin kurrë luftën kundër terrorizmit, duke e quajtur sulmin e Mançesterit të rëndë dhe barbar.
“Sulmi i fundit në Mançestër në Britani demonstron thellësinë e së keqes me të cilën përballemi nga terrorizmi. Vajza të vogla të pafajshme dhe shumë të tjerë u vranë në mënyrë të tmerrshme dhe u plagosën rëndë, ndërsa po ndiqnin një koncert. Jetë të mrekullueshme me potencial të madh, u ndanë nga familjet e tyre përgjithmonë. Ishte një sulm barbar dhe i rëndë mbi civilizimin tonë”, tha Presidenti.
Më pas, gjatë daljes në një fotografi me drejtuesit e NATO-s, kryeministrja e Britanisë, Theresa May diskutoi me Presidentin Trump shqetësimet e saj lidhur me daljen e informacioneve të hetimeve në median amerikane rreth shpërthimit me bombë në Mançester, tha një zëdhënës i zonjës May.
Zonja May u tha gazetarëve më herët se, partneriteti i fortë i sigurisë dhe mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë është ndërtuar mbi besimin dhe pjesë e këtij besimi është njohja se zbulimi mund të ndajë informacionet në mënyrë konfidenciale”.
Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump thotë se “daljet e dyshuara të informacionit nga agjencitë qeveritare janë thellësisht shqetësuese”, duke shtuar: “Unë i kërkoj Departamentit të Drejtësisë dhe agjencive të tjera përkatëse që të fillojnë një rishikim të plotë të kësaj çështjeje dhe nëse është e përshtatshme, fajtori duhet të ndiqet penalisht, duke zbatuar plotësisht ligjin”.
Sipas medias, policia që po punon për ngjarjen në Mançester, e që është “tejet e zemëruar rreth rrjedhjes së informacionit në shtyp”, ka ndërprerë shkëmbimin e informacioneve me homologët amerikanë.
Agjencia e lajmeve “Reuters”, citoi burime të kenë thënë se, ndalimi i ndarjes së informacioneve të policisë me Shtetet e Bashkuara rreth sulmit, do të vazhdojë të jetë në fuqi derisa të merret garanci nga Uashingtoni se nuk do të ketë dalje të tjera informacionesh.
Disa media amerikane njoftuan emrin e autorit të sulmit, duke ia atribuar informacionin zyrtarëve amerikanë, para se kjo të lejohej nga zyrtarët britanikë. Gazeta “The Neë York” më pas publikoi fotografi nga sulmi, të cilat nuk ishin lejuar ende zyrtarisht të publikoheshin.

Durrës, trafikantët hedhin drogën në det

Një sasi droge u gjet në det ditën e djeshme nga Policia Kufitare e Durrësit dhe Guardia di Finanza. Në njoftim thuhet se janë 64.5 kg kanabis sativa. Droga është gjetur përballë zonës së Kallmit, në një distancë rreth 5 milje nga bregu i detit.
Sipas policisw, grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për zbulimin e origjinës së lëndës, identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Lidhur me këtë sasi droge materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Republika e re ndez motorët e fitores të shtunën, 27 maj

Partia Demokratike do të mbajë të shtunën në orën 19 mitingun e hapjes së fushatës. Këtë e ka lajmëruar përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook lideri i opozitës, Lulzim Basha. “27 maj, ora 19 nisim rrugën drejt fitores”, shkruan ai, të cilin e shoqëron dhe me një videomesazh, ku shfaqen pamje nga dy mitingjet e PD-së, ai i 18 shkurtit dhe ai i 13 majit. “Republika e vjetër është tronditur, Rama ka frikë ne jo, me çadrën e lirisë shqiptarët arritën fitoren e parë, bashkohuni me Lulzim Bashën në rrugën drejt fitores vendimtare”, thuhet në videomesazhin që Basha ka publikuar në faqen e tij Facebook.

Sërish në bulevard

Demokratët dhe gjithë të tjerët do të mblidhen në të njëjtin vend, ku për 90 ditë zhvilluan betejën stoike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më 27 maj, mbushen gati 100 ditë që kur kjo betejë filloi dhe të gjithë ata që bënë luftën e dinë se s’ka mbaruar ende. Fitorja e parë ishte ajo e 18 majit, kur u nënshkrua marrëveshja, e cila garanton se asnjë votë s’do të shitet, asnjë votë s’do të preket. Nesër në sheshin ku ata zhvilluan dy mitingje nga më të mëdhatë në historinë e këtij vendi, do të mblidhen sërish opozitarët dhe të gjithë ata që duan një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri pa drogë, pa korrupsion, me drejtësi e me arsim. Në atë vend Partia Demokratike dhe aleatët do të shfaqin vizionin e saj përpara tyre dhe të nesërmen ky mesazh e ky program do të shkojë derë me derë e shtëpi më shtëpi. Nesër fillojnë 30 ditë të tjera angazhim e luftë për t’i thënë shqiptarëve se Republika e re do të jetë sistemi i barazisë dhe i të ardhmes, ku njerëzit nuk futen burgjeve sepse janë të varfër, nuk ikin nga vendi i tyre se s’kanë më shpresë, studentët nuk rrinë jashtë dyerve të auditorëve se s’janë pjesë e FRESSH të Ramës.

Prezantimi

Mitingu i paraprin dhe daljes së listës së kandidatëve për Parlamentin e ri. Zyrtarisht sot ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit dhe natyrisht të qenit në atë listë është një përgjegjësi më vete. Në 30 ditët e ardhshme ata do të bëhen një me qytetarin, ndërsa vetë Basha do të jetë qytet më qytet e fshat më fshat për të kërkuar votën e qytetarëve, besimin e tyre. Rrugëtimi 30 ditor i fushatës, pritet të jetë i vështirë, por Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë të vendosur për t’i fituar këto zgjedhje. Beteja 90 ditore, e udhëhequr nga kryedemokrati Basha ka dhënë rezultatet e para dhe objektivi për ta dërguar Ramën andej nga erdhi është më afër se kurrë. Demokratët dhe gjithë të tjerët që janë revoltuar dhe neveritur me këtë qeveri duhet të bashkohen rreth Lulzim Bashës. Dita është afër, nga 25 qershori nuk na ndajnë shumë. Gongu ka rënë dhe numërimi mbrapsht për republikën e narkotrafikut ka filluar. Sot ajo është në buzë të greminës, kërkon vetëm një të shtyrë që populli do ja japë më 25 qershor. Prandaj duhet të jemi të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” rreth Lulzim Bashës dhe opozitës të shtunën në orën 19.00, për betejën finale ndaj të keqes që na zuri derën këtu e katër vjet më parë.

Premtimi i Bashës, ditën e parë të punës do anulojë ligjin për arsimin e lartë

Gjatë fjalimeve të tij, në çadrën e protestës Basha ka premtuar se në ditën e tij të parë të punës do të anulojë ligjin për arsimin e lartë, i cili për mënyrën si është bërë lë padrejtësisht jashtë auditorëve me mijëra studentë. Gjithashtu, Basha ka premtuar dhe ulje të tarifave dhe 10 mijë të rinj do të paguhen me rrogë për një vit për stazhin pas përfundimit të shkollës. “Politikat e kabinetit të tij në momentin e parë të marrjes së pushtetit, do të sigurohen për mbrojtjen e interesit të të rinjve dhe xhepave të familjeve të tyre e jo oligarkëve shqiptarë. Kur ju, kur qytetarët të keni vendosur me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria e dalë nga vota juaj dhe kryeministri që ju do të zgjidhni do të konkretizohet me një akt. Këtu, në këtë shesh, orën e parë të betimit të kabinetit të Republikës së re, do të firmoset anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Arsimi i lartë publik do të jetë me tarifa të përballueshme nga çdo i ri dhe e re shqiptare. 10 mijë të rinj do të paguhen nga Republika e re çdo vit me stazhe 1-vjeçare për të ndërtuar urën mes bankave të universitetit dhe tregut të punës”, është shprehur lideri i opozitës.

Ulja e çmimit të energjisë për konsumatorin dhe taksave për biznesin

Partia Demokratike në këtë fushatë elektorale do të hyjë me një program politik të asistuar nga CDU gjermane, e cila në thelb të saj ka rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e shërbimeve, uljen e taksave, TVSH-së për energjinë, përkrahjen e shtresave të pambrojtura etj. Për shembull, Basha përgjatë gjithë kohës ka premtuar uljen e taksës së sheshtë për bizneset në masën 9 për qind. Po t’i referohemi qeverisë Berisha, kjo taksë ka qenë 10% dhe ka funksionuar më së miri, duke bërë që të ardhurat në buxhetin e shtetit të shënojnë rritje. Futja e taksës progresive nga ana e socialistëve, ka sjellë një masë të lartë informaliteti dhe të ardhura të parealizuara nga viti në vit. Një premtim tjetër i Bashës ka qenë dhe ulja e çmimit të energjisë për qytetarët. Kjo, sipas asaj çka ka deklaruar lideri demokrat, bëhet duke rikthyer fashën mbrojtëse për qytetarët dhe duke ulur TVSH në masën 15 për qind. Kjo mënyrë do të lehtësonte mjaft familjet shqiptare dhe sidomos ato në nevojë. Të mos harrojmë se me ardhjen në pushtet të Ramës, nga gjërat e para që bëri ishte heqja e fashës mbrojtëse dhe ngritja e energjisë në çmimin e 9.5 lekë kilovat orë. Kjo solli rëndim të xhepave të qytetarëve po asnjë impakt në cilësinë e shërbimit me këtë mall tek konsumatori.

Rezistenca e opozitës dhe garancia që kërkoi për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Futja e Partisë Demokratike në zgjedhje do të kalonte nëpërmjet një rezistence 90 ditore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Fillimisht u mbajt një miting proteste nga më të mëdhatë që ishin parë ndonjëherë dhe më pas u fillua një rezistencë paqësore që kishte si synim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Fillimisht, Rama do të angazhonte të gjithë kakofoninë mediatike që ai përdor për ta zhvlerësuar aksionin opozitar, madje u angazhua dhe vetë personalisht. Megjithatë, lideri demokrat Basha nuk u dorëzua. Dekreti i Presidentit kish përcaktuar datën 18 qershor, si datë zgjedhjesh dhe vetë Basha do të përsëriste disa herë se zgjedhje pa opozitën nuk do të kishte. Rama nuk do të pranonte të ulej në dialog për zgjidhjen e krizës, duke aluduar se opozita po e përdor protestën për të bllokuar komisionet e vettingut, çka nuk rezultoi e vërtetë. Kreu i PD Basha, përgjatë gjithë kohës do të mbante fjalën dy herë në ditë në çadër, ndërkohë që vëmendja mediatike ishte jo e vogël, megjithë përpjekjet e Ramës për ta bllokuar. Afatet po kalonin dhe ende nuk ishte një zgjidhje, ndërsa presioni po shtohej për të dyja palët. Paratë e drogës kishin lobuar fuqishëm dhe me ndërkombëtarët, por Basha kish vendosur të mos tërhiqej përpara çdo presioni. Kjo vazhdoi deri më 25 prill, kur në Shqipëri mbërriti misioni evropian i kryesuar nga dy gjermanë, David McAllister i CDU-së dhe Knut Flankeshtajn i Socialdemokratëve. Në tryezë u la një plan me pesë pika që u quajt paketa McAllister, por Basha nuk e pranoi. Sipas asaj çka pranoi më pas, Rama kish propozuar që ministrat mos ishin teknikë, por të zgjedhur nga ai dhe të pranuar nga opozita. Një zgjidhje gjysmake. Prova e forcës do të ishte 7 maji dhe zgjedhjet e Kavajës. Sërish Basha pati deklaruar se zgjedhje në Kavajë nuk do të ketë, ndërkohë që ekranet mbusheshin me revanshin e kryeministrit, i cili përsëriste pareshtur se do i zhvillonte zgjedhjet i vetëm atje. Gjendja dukej sikur po shkonte drejt agravimit, ndërkohë që opozita kish thirrur një protestë masive më 7 maj, pikërisht ditën e zgjedhjeve ku garonte vetëm kandidati i mazhorancës për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farsë. Kryeministri do të tërhiqej një ditë më parë nga ky vendim, ndërsa opozita do e zhvendoste protestën e saj më 13 maj. Çadra vazhdonte të përcillte mesazhe, ndërsa më 9 maj, Presidenti i Republikës tenton thirrjen e një tryeze, por pa rezultat. Katër ditë më vonë, populli do të mbushte bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një protestë tjetër paqësore, të ngjashme me ato të kohës kur u rrëzua diktatura. Ndërkohë ishte lajmëruar dhe ardhja në Tiranë e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, që do i shtonte paketës McAllister dhe 16 pika të tjera, që shtonin garancitë në zgjedhje. Fillimisht Rama dukej sikur e refuzoi këtë paketë, por mesa duket mesazhi këtë herë ishte i qartë. Të nesërmen, Basha do të deklaronte se ishte dakord me paketën MCallister plus, ndërsa më datë 17 maj do të thirrej një tryezë nga PAA dhe PR. Fillimisht, Rama refuzoi, por më pas u shfaq në dyert e Kryesisë së Kuvendit. Pas një takimi kokë më kokë prej tre orësh me Bashën, rreth orës 1:15 të mbrëmjes u arrit që të bihej dakord në parim për marrëveshjen, e cila do të finalizohej më datë 18 maj, pas plot 90 ditë qëndrese në bulevard.