21.5 C
Tirana
E martë, 22 Korrik, 2025

Pranga drejtorit të Shkollës së Mesme

Drejtori i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Bab Dud Karnuara” në Berat, Yzedin Hajdaraj, 59 vjeç, u arrestua pas denoncimit se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse të klasës së 11-të.
Dy nxënëset, në prani të psikologes denoncuan drejtorin e shkollës, pasi kishte kryer veprime të turpshme sipas tyre. Fillimisht denoncimi është kryer në Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe më pas denoncimi është përcjellë në Drejtorinë e Policisë së Beratit.
Ato i thanë policisë se ndodheshin në zyrën e drejtorit të shkollës, për një provim të prapambetur në lëndën e Gjeografisë. Një situatë e ngjashme dyshohet se ka ndodhur edhe më parë me një prej vajzave denoncuese.
Pas denoncimit të nxënëseve, drejtori i shkollës u ndalua me akuzat e ngacmimit seksual dhe shpërdorimit të detyrës. Nga ana tjetër, ndaj tij Drejtoria Arsimore e Beratit mori masën e pezullimit të tij nga detyra në pritje të shkarkimit nga Ministria.

Denoncime në Korçë dhe Delvinë për blerje votash

Të majtët e kanë të vështirë të ndahen nga shitblerja e votës. Të paktën dy raste janë denoncuar dje, në Delvinë e në Korçë për përpjekje të dëshpëruara të strukturave të PS apo dhe partive të tjera të majta për të blerë votat duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Deputetja demokrate, Eleina Qirici ka denoncuar dje përpjekjet e strukturave politike në blerjen e votave. Përmes një statusi në Facebook, Qirici u ka bërë thirrje banorëve të Qarkut të Korçës të mos negociojnë me votën kundrejt shumave monetare qesharake. Ajo thekson se vota nuk shitet e as nuk do të blihet. Qirici i referohet denoncimit të një qytetari nga Korça, i cili tregon se në zonat e Korçës po ofrohen para apo mjetet materiale në këmbim të votës.
“Një banor i Qarkut Korçë më informon për tentativë nga një strukturë politike për blerje vote, në disa zona rurale të qarkut.
U bëj thirrje banorëve të Qarkut Korçë që të mos negociojnë me votën, kundrejt një shume monetare qesharake. Vota nuk shitet, as nuk do të lejojmë të blihet. Vota është dhe duhet të konsiderohet e shenjtë, shprehje e vullnetit politik të gjithkujt, për forcën politike që bind gjithsecilin se ofron strategjinë më të mirë për zhvillim social-ekonomik të vendit. Do të jemi më të bashkuar se kurrë në betejë të hapur kundër fenomenit të shitblerjes së votës. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë, pa dallim!
U bëj thirrje forcave politike të kontribuojmë së bashku për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa nëpërkëmbur dinjitetin e votuesve dhe pa shfrytëzuar në mënyrë të turpshme varfërinë e një pjese të tyre”, thekson Qirici në postimin e saj.
Kujtojmë se pak ditë më parë Parlamenti votoi ligjin që ashpërson masat për shitjen e votës, një pikë kjo e marrëveshjes Rama-Basha. Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale. Reforma Zgjedhore është një nga çështjet më të rëndësishme të marrëveshjes politike PS-PD të 18 majit. Amendimi i Kodit Penal lidhet me kundravajtjet elektorale, që do të konsiderohen “krime zgjedhore” ndaj dhe parashikohet një ashpërsim të masave për rastet e shitblerjes së votës. Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme. Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit. Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do të jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim. Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.

PS nis shpërndarjen e thasëve me miell në Delvinë

“Shqipëria që duam” e ka nisur fushatën e saj të blerjes së votave, këtë herë jo me para kanabisi, por me thasë mielli.
Lexuesit e “SYRI.net” kanë raportuar se gjatë ditës së djeshme, furgonë me logon e PS-së dhe sloganin e tyre “Shqipëria që duam”, kanë nisur që të shpërndajnë miell. Fotoja që shikoni është bërë mesditën e djeshme në Delvinë dhe është sjellë ekskluzivisht në redaksinë e “SYRI.net”. Por sa po blihet vota duke përdorur thasë mielli? Siç kanë treguar qytetarët, jepet një thes mielli në këmbim të 4 votave. Kështu i bie që një familje mesatare shqiptare të blihet me një thes mielli me qëllim që të japë votën për PS-në, që kjo e fundit të bëjë “Shqipërinë që duam” ose që duan ata.

Yee: Marrëveshja është vetëm në të mirë të vendit

Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee përshëndeti marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës që i dha fund krizës politike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një pakt, në shërbim të interesit më të mirë të vendit. Në një intervistë nga Beogradi, ai tha se kjo marrëveshje është vetëm në të mirë të vendit. Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit foli nga Beogradi në një intervistë për portalin “European Western Balkans” dhe agjencinë serbe Tanjug. Hoyt Brian Yee, Zv/Ndihmës “Suksesi i takon liderëve, që mundën të merrnin vendime të vështira… opozitës shqiptare që mori vendimin e guximshëm për të hequr dorë nga pozicioni i saj dhe pranoi të merrte pjesë në zgjedhjet që do të shtyheshin… por edhe qeverisë, kryeministrit Edi Rama që gjeti rrugën e nevojshme për të bindur opozitën të kthehet. Mbi të gjitha, kjo ishte në dobi për vetë Shqipërinë dhe situatën në vend”. Deklarata e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit ishte në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund bllokadës politike në Shqipëri dhe Maqedoni, Uashingtoni tregoi se kishte më tepër influencë në rajon. Ai tha se të gjitha vendimet që merren për rajonin janë të koordinuara me Bashkimin Europian, pasi të dyja palët punojnë për të njëjtin qëllim. Zyrtari i lartë amerikan ka hedhur poshtë pretendimet për Shqipërinë e Madhe, ndërsa tha se ka vetëm një synim të përbashkë të vendeve të Ballkanit, ai është integrimi në Bashkimin Europian. “Së pari, unë nuk besoj se ka ndonjë lëvizje serioze për Shqipërinë e Madhe apo ndonjë dëshirë të shqiptarëve etnikë kudo ku ka popullsi shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi apo Shqipëri, për t’u bashkuar dhe për t’u kthyer në një vend të ri, në një lëvizje ose në një forcë në Ballkanin Perëndimor. Politika zyrtare dhe unë besoj se politika e sinqertë e partive politike në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri është integrimi në Bashkimin Evropian, hyrja në NATO, kur është e mundur si pjesë e vendit ku bëjnë pjesë dhe jo ndryshimi i kufijve, jo si një entitet shumëkombësh, por duke ruajtur sovranitetin e kufijve të vendeve të tyre. Unë e di se ka pasur disa retorika, ne besojmë se janë retorika të papërgjegjshme dhe provokuese nga disa politikanë në rajon, të cilat nuk kanë qenë konstruktive dhe kanë ngritur dyshime. Ne e kuptojmë që, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, ka disa parulla dhe deklarata të cilat mund të nxirren jashtë kontekstit të fushatës elektorale. Kjo jo për t’i justifikuar ato apo për t’i falur. Ne sigurisht kemi ngritur zërin kundër kësaj retorike, si privatisht ashtu edhe publikisht. Gjithashtu, do të thoja se është e rëndësishme të reagohet, dhe fjalët e politikanëve të mos merren shabllon, sidomos gjatë fushatave zgjedhore”, shprehet ai. Yee ka theksuar se, ajo çfarë është e rëndësishme për të gjitha vendet është të respektohet sovraniteti i vendeve fqinje, ndaj dhe ai vuri theksin tek angazhimi i këtyre vendeve që të punohet bashkarisht për të zgjidhur çdo keqkuptim ose konflikt të mundshëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit dhe jo të reagohet menjëherë përmes medias. “Kryesisht, besimi jonë është se qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë një dëshirë të pastër për të lëvizur drejt integrimit në Evropë, shumë nga këto vende dhe në NATO. Të gjithë kryetarët e shteteve e kuptojnë se, kjo nuk do të ndodhë përmes ndryshimit të kufijve. Ndryshimi i kufijve do të ishte rrezik për kthimin mbrapa të çdo përpjekje, kombëtare ose jo, për të hyrë në Bashkimin Evropian”, është shprehur zyrtari i lartë europian.

Kujdes ndaj qasjes ruse në Ballkan

Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, tha të mërkurën në Beograd se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Ballkanin perëndimor për të mbështetur rrugën evropiane të vendeve të rajonit, ndërsa do të ndjekin me vëmendje qasjen e Rusisë në atë zonë. Pas takimit me presidentin e zgjedhur të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre dhe të aleatëve. “E dimë nga përvoja se, synimet prapa shumë veprimeve ruse nuk janë të mira dhe nuk janë në interes të vendeve të rajonit”, tha ai, duke përmendur ngjarjet e tetorit të vitit të kaluar në Mal të Zi, kur autoritetet në Podgoricë thanë se rusët ishin përfshirë në një përpjekje për grusht shteti, pjesë e orvatjeve për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. “Shpresojmë se Rusia do të luajë një rol konstruktiv në Ballkan, siç ka bërë në të kaluarën. Por duhet të jemi syçelë. Kudo që është e mundur, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Rusinë, por atje ku ndeshen interesat, vlerat dhe synimet tona, do t’i mbrojmë fuqishëm interesat amerikane sikurse edhe interesat e aleatëve dhe partnerëve tanë”, tha ai. Zyrtari amerikan tha se, politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka ndryshuar pas zgjedhjes së Presidentit Donald Tramp, dhe se ajo mbështetet mbi interesat amerikane që kanë të bëjnë me sigurinë dhe demokracinë. “Bashkëpunimi konkret në ekonomi, siguri, luftë kundër krimit dhe terrorizmit, mund të jetë edhe më i fuqishëm. Duhet të vazhdojnë përpjekjet edhe për zgjidhjen e mospajtimeve dhe zhvillimin e lidhjeve më të mira ndërmjet fqinjëve. Kur bëhet fjalë për Serbinë, kemi biseduar për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që po e ndihmojnë këtë proces si dhe bashkëpunimin dhe pajtimin ndërmjet shteteve të rajonit”, tha zoti Hoyt Brian Yee.

Një portret i autorit të sulmit në Mançester

Sulmi terrorist në Mançester ishte më i rëndi në Britani në më shumë se një dekadë dhe xhihadisti që e kreu atë vrau e plagosi njerëz me të cilët ai ishte rritur – duke e bërë edhe më të tmerrshme mizorinë për banorët.
Ndërsa qeveria britanike ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në “kritik”, zyrtarët filluan të japin më shumë hollësi për autorin e sulmit, 22-vjeçarin Salman Abedi, për atësinë e tij libiane dhe lidhjet e dyshuara me një rrjet të njohur rekrutuesish për ISIS-in dhe grupe të tjera xhihadistësh.
Sipas anëtarëve të familjes, Salman Abedi sapo ishte kthyer nga një udhëtim trejavor në Libi. Burimet e policisë britanike thonë se udhëtimi ngre mundësinë që ai të ketë takuar anëtarët e degës së grupit terrorist në këtë vend të Afrikës së Veriut dhe të jetë stërvitur për sulmin me bombë që do të kryente.
Por figura e këtij vrasësi masiv, i cili paketoi pajisjen eksplozive duke e mbushur me gozhdë e bullona për të vrarë sa shumë njerëz, shfaqet komplekse.
Disa fqinjë e përshkruajnë Abedin si tifoz të futbollit të Manchester United dhe entuziast të lojërave kompjuterike. Ata thonë se tek ai nuk dukeshin shenja radikalizimi, edhe pse e kishte lënë shkollën. Shërbimet britanike të sigurisë pranojnë se Abedi ishte i njohur për ta – ka disa raporte që shërbimi i zbulimit mund të ketë tentuar ta bindë Abedin të veprojë si informator – por ata nuk e shihnin atë si shumë të rrezikshëm.
Të tjerë, megjithatë, e përshkruajnë Abedin si një djalë të ri plot zemërim, i cili denoncoi një udhëheqës të xhamisë lokale për kritikat ndaj ISIS-it. Ata thonë se ai filloi të lutet hapur në rrugë.
Imami Mohammed Saeed, u tha gazetarëve se Abedi e ndërpreu ardhjen në xhaminë e tij në vitin 2015, pasi ata patën një grindje mbi ISIS-in. “Salmani vinte në xhami herë pas here, veçanërisht ndaj meje nuk ishte miqësor, sepse nuk i pëlqenin predikimet e mia kundër grupit Shteti Islamik (ISIS). Ai nuk i pëlqente fjalët e mia dhe më tregoi fytyrën e urrejtjes. Pas kësaj, filloi të vinte në xhami gjithnjë e më pak”, thotë imami.
Abedi ka lindur në Mançester në vitin 1994, i treti nga katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Prindërit e tij ishin emigrantë libianë që u vendosën në këtë qytet verior të Anglisë pasi kishin ikur nga regjimi i Moammar Gadafit në vitin 1980.
Babai i tij, Ramadan Abedi, një ish-roje sigurie në Aeroportin e Mançesterit, u kthye në Libi në vitin 2011 për t’u bashkuar me kryengritjen kundër diktatorit libian. Që nga përmbysja e Gadafit, prindërit e tij kanë kaluar më shumë kohë në Libi sesa në shtëpinë e tyre në Mançesterin e Jugut, më pak se 3 kilometra nga skena e sulmit me bombë të hënën.
Emigrantët libianë në Mançester thonë se babai i Salmanit ishte shumë kundërshtues ndaj ideologjinë xhihadiste. Ai thoshte se ajo që bën ISIS-i nuk është xhihad, por krim.
Sipas gazetës “Daily Mirror”, Abedi ishte mik i familjes së Raphael Hostey, i njohur edhe si Abu Qaqa al-Britani, i cili ndihmoi në rekrutimin e britanikëve të tjerë të rinj për Shtetin Islamik nëpërmjet mediave sociale derisa u vra në një sulm të telekomanduar në Siri vitin e kaluar. Burimet e policisë britanike thonë se lidhjet e tij me Hosteyn po shqyrtohen nga zyrtarët e antiterrorizmit që dyshojnë se Abedi mund të ketë qenë pjesë e një celule terrori, dyshim i shtuar nga një udhëtim që ai bëri në Libi në prag të sulmit të së hënës.
Policia gjithashtu mbetet skeptike që Abedi të mund ta kishte ndërtuar bombën vetëm, për shkak të sofistikimit të saj.
Abedi ndoqi shkollat lokale në Mançester dhe pastaj vazhdoi studimet e biznesit dhe menaxhimit në Universitetin Salford aty pranë. Në një deklaratë, një zëdhënës i universitetit e përshkroi atë si “krejtësisht jashtë kontrollit”. Abedi vazhdoi studimet për dy vjet dhe pastaj i ndërpreu.
Vitin e kaluar Abedi dhe vëllai i tij më i madh, 23-vjeçari Ismail, ishin aktivë në faqet e mediave sociale, duke vlerësuar xhihadistët. Policia arrestoi Ismailin të hënën natën pas shpërthimit. Ai jepte mësime në arabisht në xhaminë e Didsburyt dhe sipas vendësve, u raportua në polici pas shqetësimeve për atë që ai u mësonte nxënësve.
Policia po shqyrton gjithashtu lidhjet midis vëllezërve Abedi dhe një tjetër britaniko-libiani nga Mançester, Abdalraouf Abdallah, i cili u dënua me 9 vjet burgim nën akuza për financimin dhe përgatitjen e akteve terroriste.
Disa analistë argumentojnë se për Abedin ka pasur shumë shenja paralajmëruese. Në një studim të kohëve të fundit rreth xhihadistëve të rinj britanikë, studiuesja Emma Webb vë në dukje një dështim të agjencive dhe institucioneve të ndryshme arsimore për të ndarë informatat rreth individëve të prekshëm ndaj radikalizimit. Ajo i bën thirrje policisë dhe shërbimeve sociale të ndajnë informacionin e duhur për individë të tillë, që pamja e plotë e tyre të bëhet e njohur nga të gjitha agjencitë.

Izraeli: Bashkëpunim perfekt me SHBA për informacione sekrete

US President Donald Trump and Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu wave at the Israel museum in Jerusalem, Tuesday, May 23, 2017. (AP Photo/Sebastian Scheiner)

Izraeli njoftoi se ka ndryshuar protokollet e shkëmbimit të informacionit të zbulimit me Shtetet e Bashkuara. Vendimi vjen pasi presidenti Donald Trump u bëri publike diplomatëve rusë informacione sekrete që vinin nga Izraeli, gjatë një takimi me ta këtë muaj në Uashington. Izraeli nuk kishte dhënë leje që informacioni t’i jepej ndonjë vendi tjetër.
Shefi i mbrojtjes së Izraelit, Avigdor Liberman tha të mërkurën për një radiostacion të ushtrisë se “Mund të konfirmoj që kemi bërë një rregullim të vogël dhe se ekziston bashkëpunim i pashembullt me shërbimet amerikane të zbulimit”.
Ai shtoi se “bëmë sqarimet përkatëse me miqtë tanë amerikanë”. Zoti Liberman nuk pranoi të bëjë publike ndryshimet që ishin bërë.
“Jo gjithçka duhet të diskutohet në media, disa gjëra duhet të diskutohen me dyer të mbyllura”, tha ai.
Presidenti Trump i bëri publike informacionet dy javë më parë gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe ambasadorin e Moskës në Uashington, Sergej Kislyak.
Sipas medias amerikane, presidenti, u krenua me faktin se ai kishte “informacion shumë të rëndësishëm”, duke nxjerrë kështu informacione sekrete rreth një kërcënimi të Shtetit Islamik. Bëhej fjalë për bomba të vendosura në kompjutera që lejohen në aeroplanë.
Pas njoftimeve në shtypin amerikan se presidenti Trump ndau të dhënat me zyrtarët rusë, ai shkroi në llogarinë e tij në Twitter se “si president kam dashur të ndaj me Rusinë fakte (në një takim të njoftuar publikisht në Shtëpinë e Bardhë), gjë që kam të drejtë absolute ta bëj, faktet që lidhen me terrorizmin dhe sigurinë ajrore. Për arsye humanitare sigurisht si dhe dua që Rusia t’i intensifikojë ndjeshëm përpjekjet në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit”.
Çështja u kthye sërish në vëmendje gjatë vizitës së tij në Izrael, në një nga daljet publike në krah të kryeministrit Benjamin Netanjahu.
Kur kryeministri Netanjahu u pyet për besimin që ka Izraeli tek Shtetet e Bashkuara në ndarjen e informacioneve të zbulimit, presidenti Trump ndërhyri dhe tha: “që ta kuptoni, kurrë nuk e përmenda fjalën ose emrin ‘Izrael’ gjatë takimit. Ata thonë se po, të gjithë….por ky është një tjetër gabim”, tha ai.
Pas komentit të presidentit Trump zoti Netanyahu tha: “Bashkëpunimi në fushën e zbulimit është i jashtëzakonshëm. Nuk ka qenë kurrë më mirë”.
Shtypi kishte njoftuar vetëm se informacioni që kishte nxjerrë presidenti Trump ishte i mjaftueshëm për agjentët rusë të zbulimit që të kuptonin se burimi ishte Izraeli. Brenda disa ditësh, zyrtarët e Uashingtonit pranuan se burimi ishte me të vërtetë Izraeli.
Javën e kaluar, revista “Politika e Jashtme”, “Foreign Policy” shkroi se zyrtarët izraelitë i kishin “bërtitur homologëve të tyre amerikanë” lidhur me rrjedhjen e informacionit.
Sipas televizionit “ABC News”, informacioni kishte ardhur nga një agjent izraelit i infiltruar tek luftëtarët e Shtetit Islamik dhe se bërja publike e tij nga zoti Trump kishte rrezikuar jetën e agjentit.

A po preket edhe Kosova nga virusi i korrupsionit elektoral?

Në prag të fushatës zgjedhore, përveç angazhimeve të partive politike për koalicione dhe aderime të personaliteteve të ndryshme, edhe bizneset, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, fillojnë me një lloj fushate, e cila shprehet nëpërmjet mbështetjes financiare për subjektet politike.
Kjo mbështetje, sipas tyre, mund t’u kthehet më pas bizneseve, duke i favorizuar në ofertat e tenderëve që i hapin institucionet në të dyja nivelet.
Përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se gjatë viteve të fundit është vërejtur, siç thonë ata, një luks i madh i shpenzimeve elektorale.
Krahas shpenzimeve për marketing nëpër mjetet e informimit, një shumë e madhe e parave derdhet edhe për koncerte, pankarta, flamuj partiakë, uniforma e të ngjashme.
Por, përderisa shpenzimet vlerësohen shumë të mëdha, çështje më brengosëse, sipas analistëve politikë, mbetet mungesa e transparencës rreth burimeve financiare.
Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreth 950 mijë euro është shuma e mjeteve materiale që partitë politike, sipas ligjit, duhet të shpenzojnë për zgjedhje.
“Partitë politike nuk mund të shpenzojnë më shumë se 0.5- cent për një votues të regjistruar. Dhe për këto zgjedhje, kufizimi është 950 mijë euro, që një subjekt politik mund të shpenzojë për fushatë zgjedhore”, thotë Krasniqi.
Këto shpenzime, thekson Krasniqi, hyjnë në kuadër të më shumë se 4 milionë eurove, që Kuvendi i Kosovës ndan për partitë parlamentare në Kosovë.
Por, sipas tij, shuma e shpenzimeve është dukshëm më e madhe, pasi partitë politike gjejnë burime të tjera të financimit, posaçërisht te kompanitë private. Kjo formë e financimit asnjëherë nuk është arritur të verifikohet ose të sanksionohet.
“Edhe kompanitë private do të përfshihen në aktivitete, qoftë duke përmbyllur shpenzimet për aktivitete të caktuara që partitë politike i kryejnë në këtë periudhë; duke dhënë mjetet financiare direkt për këto parti politike ose duke dhënë edhe paga për anëtarë të partive politike për t’i mbajtur më afër vetes”, sqaron Krasniqi.
Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, pranojnë se bizneset, kryesisht ato që konsiderohen të mëdha, financojnë fushatat e partive politike.
Po ashtu, edhe punëtorët e këtyre bizneseve, shpesh detyrohen të votojnë për partitë e caktuara.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës kosovare të Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve, financimi shpaguhet me anë të tenderëve.
Sipas tij, ka raste kur kompanitë kanë financuar fushatën e subjekteve politike, por nuk ka pasur privilegje, për shkak se partia nuk i ka fituar zgjedhjet.
“Edhe në këtë fushatë, prapë bizneset do të financojnë, disa më pak e disa më shumë, edhe pse partitë politike i marrin rreth 30 mijë euro, për çdo deputet në Kuvendin e Kosovës. Ato marrin edhe mjete të tjera nga institucionet për fushata, por nuk janë të mjaftueshme”.
“Këtu shihet se fushatat janë shumë agresive, janë shumë të kushtueshme dhe pjesa më e madhe e tyre vjen nga kompanitë apo personat që kanë privilegje nga institucionet e shtetit”, thekson Shahini.
Partitë politike, pothuajse në asnjë palë zgjedhje, nuk janë treguar transparente për burimet e financimit të fushatave të tyre zgjedhore, si dhe për shpenzimet e parave që ato parti i marrin nga buxheti i shtetit.
Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike shpenzimet për fushatën zgjedhore i mbulojnë nga bizneset në Kosovë, duke shpresuar më pas në marrjen e tenderëve.
“Është një lloj skandali më vete, që miliona euro shpërndahen përmes procesit të tenderimit te bizneset që i kanë financuar partitë politike, sidomos partitë politike që kanë qenë në pushtet, sepse ato kanë menaxhuar me paranë publike”, thotë Demhasaj.
Sipas ligjit për financimin e partive politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që duhet të përmbajë bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit të humbjes, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë. Raporti vjetor financiar i vitit paraprak duhet të mbetet i publikuar së paku një vit në faqet përkatëse zyrtare.
Ndryshe, në prag të fushatës parazgjedhore, partitë politike po bëjnë “luftë” se cila më shumë të fusë në subjektin e vet afaristë të kompanive të mëdha vendore.

SHBA paralajmëron Vuçiç për Rusinë

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, tha të mërkurën në Beograd se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Ballkanin Perëndimor për të mbështetur rrugën evropiane të vendeve të rajonit, ndërsa do të ndjekin me vëmendje qasjen e Rusisë në atë zonë.
Pas takimit me presidentin e zgjedhur të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre dhe të aleatëve.
“E dimë nga përvoja se synimet prapa shumë veprimeve ruse nuk janë të mira dhe nuk janë në interes të vendeve të rajonit”, tha ai, duke përmendur ngjarjet e tetorit të vitit të kaluar në Mal të Zi, kur autoritetet në Podgoricë thanë se rusët ishin përfshirë në një përpjekje për grusht shteti, pjesë e orvatjeve për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
“Shpresojmë se Rusia do të luajë një rol konstruktiv në Ballkan, siç ka bërë në të kaluarën. Por duhet të jemi syçelë. Kudo që është e mundur, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Rusinë, por atje ku ndeshen interesat, vlerat dhe synimet tona, do t’i mbrojmë fuqishëm interesat amerikane sikurse edhe interesat e aleatëve dhe partnerëve tanë”, tha ai.
Zyrtari amerikan tha se politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka ndryshuar pas zgjedhjes së presidentit, Donald Tramp dhe se ajo mbështetet mbi interesat amerikane që kanë të bëjnë me sigurinë dhe demokracinë.
“Bashkëpunimi konkret në ekonomi, siguri, luftë kundër krimit dhe terrorizmit, mund të jetë edhe më i fuqishëm. Duhet të vazhdojnë përpjekjet edhe për zgjidhjen e mospajtimeve dhe zhvillimin e lidhjeve më të mira ndërmjet fqinjëve. Kur bëhet fjalë për Serbinë, kemi biseduar për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që po e ndihmojnë këtë proces, si dhe bashkëpunimin dhe pajtimin ndërmjet shteteve të rajonit”, tha zoti Hoyt Brian Yee.
Ai tha se procesi i integrimeve evropiane mund të përshpejtohet, por për këtë duhet vullnet i fortë i vendeve kandidate dhe Bashkimit Evropian.
“Procesi mund të përshpejtohet nëse palët kryejnë pjesën e tyre të punës”, tha ai duke nënvizuar se qeveritë duhet të zbatojnë reformat, madje edhe atëherë kur ndjehen të lodhura.
Serbia, një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Ajo vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës me të cilën është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Një tjetër supertalent te Monako

Klubi i Monakos vazhdon të përforcohet me futbollistë cilësorë me perspektivë, duke treguar se ka besim se mund të vazhdojë të arrijë objektiva të rëndësishëm me të rinjtë. Francezët sot kanë zyrtarizuar sot transferimin e mesfushorit të talentuar, Juri Tielemans, i cili shihet si e ardhmja e kombëtares së Belgjikës.
Djaloshi, i cili debutoi me ekipin e parë të Anderleht në periudhën kur ai drejtohej nga Besnik Hasi, në këtë sezon ndiqej nga pjesa më e madhe e klubeve europiane që ishin gati të blinin kartonin e tij. Në fund ka fituar Monako, që ka treguar se u jep hapësira të rëndësishme të rinjve.
Francezët konfirmuan blerjen e tij nëpërmjet një njoftimi në “Twitter”, duke saktësuar se futbollisti kishte nënshkruar një kontratë deri në vitin 2022. Pak ditë më parë, Tielemans, që po ndiqej me ngulm sidomos nga Mançester Junajtid, kishte deklaruar se do të shkonte në një klub ku mund të luante rregullisht. “Nuk dua të shkoj dhe të qëndroj në pankinë”, ishin fjalët e tij.

Vera shton hallet te Interi

Ndërsa Sabatini dhe Auzilio kanë nisur punën për ndërtimin e Interit të ri, trajneri i ardhshëm, i cili me shumë mundësi do të jetë Luçano Spaleti, do të duhet të menaxhojë një trafik të rënduar në “Pinetina”. Dy emrat më të njohur janë ata të Andrea Ranokias dhe Stevan Jovetiçit: ish-kapiteni rikthehet nga Hulli pas rënies së anglezëve në Championship, ndërsa sulmuesi malazez i kërkuar nga Roberto Mançini nuk do të transferohet përfundimisht te Sevija. Shifra e kërkuar nga italianët (13.5 milionë euro) plus rroga (mbi 3 milionë euro) janë të papërballueshme për klubin andaluzian.
“Ideja është që të punojmë për të bërë të mundur që Jovetiçi të vazhdojë me ne”, deklaroi drejtori sportiv i klubit spanjoll, Oskar Arias. “Ka disa kushte kontraktuale jo të lehta, por qëllimi ynë është që ta mbajmë. Blerja do të jetë e vështirë, ndoshta një huazim i dytë, ku i dihet…”.
Në bazë rikthehet edhe Kaprari (i huazuar te Peskara), por edhe Manaj dhe Gnukuri, i cili tek Udineze u ndal për shkak të problemeve kardiake dhe gjendja e tij shëndetësore duhet të rivlerësohet nga stafi mjekësor.

Bojkoton finalen

Karl Hainz Rumenige ka vendosur që të mos shohë në stadium finalen e Ligës së Kampioneve, që zhvillohet në Kardif në fillimin e qershorit, pasi nuk i ka dalë ende inati për mënyrën se si Bajerni i tij u eliminua nga ky turne përballë finalistëve të Real Madrid. “Me shumë mundësi do të më duhet të shkoj në Kardif, pasi kam mbledhje të ndryshme atje si president i ECA-s. Por finalen nuk do ta shoh për asgjë në botë, nuk harroj aq shpejt”, tha ai në një intervistë për “Süddeutsche Zeitung”.
Kuptohet që ai i referohej gafave të gjyqtarit në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampioneve mes Bajern Mynihut, ku ai është shef ekzekutiv, dhe Real Madridit. “Nëse sheh përsëritjen, është diçka të dhemb ende. Atëherë sapo kishim mundur 4-1 Borusian e Dortmundit dhe ishim në formën më të mirë, me të gjithë lojtarët në dispozicion. Por pastaj fillimisht u dëmtua Lewandowski, pastaj Humels. Ishim në avantazh ndaj Realit dhe gabuam penalltinë për rezultatin 2-0.
Pastaj erdhi kjo ndeshje e kthimit me një paraqitje gjyqtarësh që nuk kisha parë asnjëherë në 40 vitet e fundit”, tha Rumenige, sipas të cilit, ajo ndeshje kishte të paktën “5 vendime kyç” të gjyqtarit Viktor Kasai, që bënë të mundur kualifikimin e Realit, i cili tani është në finalen e turneut, përballë Juventusit.
Ndërkohë, Fabiko Kapelo ka deklaruar se në ndeshjen e titullit kampion Reali e ftoi për të spiunuar Juven. Dy vite të kaluara te Reali i Madridit, por në periudha të ndryshme dhe dy kampionate të fituar, dy vite radhazi te Juventusi dhe dy tituj Serie A të fituar, por më pas të anuluar si rrjedhojë e “Calciopoli”-t. Dhe kush më shumë sesa Fabio Kapelo do ta shijonte finalen e Ligës së Kampioneve të mbrëmjes së 3 qershorit, në Kardif, mes dy skuadrave të stërvitura prej tij, ndonëse spanjollët kanë kërkuar edhe ndihmën e tij përpara saj.
Ajo që surprizoi të dielën në mbrëmje, në transfertën e Malagës, ishte prezenca në fushë e “Don Fabios”, pas vërshëllimës së arbitrit, e cila “sinjalizonte” edhe fitimin e titullit nga Reali i Madridit. Analisti i rrjetit “Fox Sports”, i pyetur mbi këtë prezencë të tijën në Spanjë, nuk u fsheh, përkundrazi:
“E vërteta është se, drejtuesit e Realit të Madridit i frikësohen shumë Juventusi. Ata më ftuan me qëllimin që të më pyesnin edhe për faktin sesi mbrojtja e Alegrit nuk arrin të pësojë thuajse kurrë gol. Me pak fjalë, kërkonin një analizë timen dhe një informacion më të detajuar mbi prapavijën dhe cilësitë e futbollistëve që përbëjnë këtë repart të Juventusit.
Dhe unë iu përgjigja se pikërisht për këtë arsye do të jetë një finale gati e barabartë. E them këtë ‘gati’, sepse për mendimin tim, Reali i Madridit niset një ‘pikë’ më i avantazhuar sesa italianët, duke parë vlerat e tyre në sulm. Për mendimin tim, Kristiano Ronaldo mbetet sulmuesi më i fortë në botë në këtë moment dhe për ta ndalur atë është thuajse e pamundur. Për këtë arsye, dueli i tij me mbrojtjen e hekurt të Juventusit do të jetë një betejë e gjitha për t’u shijuar”, u shpreh 70-vjeçari.