Deputetja e PD, Jorida Tabaku vlerëson se platforma ekonomike e PD mbështet fuqizimin e biznesit në vend. Përmes një reagimi, Tabaku sqaron se masat e parashikuara nga PD i japin zgjidhje shqetësimeve të ngritura nga bizneset. “Do të vendosim taksën e sheshtë 9% për të ardhurat personale, 9% për fitimin e korporatave dhe 9% për kontributin e sigurimeve shoqërore për punëdhënësin dhe punëmarrësin.
Biznesi i vogël do të ketë një kuotë fikse përafërsisht të barabartë me 1.5% të xhiros, mbi të gjitha pulla fiskale tek këto biznese. Do të ulim TVSH-në në një shkallë të vetme tatimore prej 15% dhe pothuaj pa përjashtim ekzekutivi do të shndërrohet nga një superqeveri me superadministratë në një qeveri të vogël. Të gjitha këto kanë për qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të biznesit. Taksa e sheshtë thjeshtëson sistemin kompleks tatimor ekzistues, rikthen investimet e huaja në Shqipëri e ul infomalitetin. Administratë e vogël eficente në shërbim jo si rojtare e biznesit”, tha Tabaku.
Duke iu referuar pyetësorit të zhvilluar së fundmi nga BERZH, Tabaku tha: “As një vit pas vëzhgimit të Dhomës amerikane të Tregtisë, si dhe asaj të Dhomës gjermane të Tregtisë që evidentonin problemin kryesor të klimës ekonomike në vend tek taksat e larta, korrupsioni dhe tarifat e shtrenjtuara, vjen edhe vrojtimi i BERZH. Shqipëria, sipas vrojtimit të BERZH, ka 6 zëra problematikë, të cilët ndahen në dy grupe të mëdha: pjesa e ndershmërisë së qeverisjes dhe pjesa e politikave ekonomike. Korrupsioni na rendit të tretët në rajon, me një vlerësim 6.3 ndërkohë që para nesh janë Serbia dhe Kosova. Në fushën e informalitetit renditemi po kështu ndër tre vendet e para, duke regjistruar 16.8 pikë që është më shumë se sa mesatarja e rajonit”, thekson Tabaku. Në regjimin e taksave, vendi jonë vazhdoi të vuajë politikën fiskale si pengesë për bizneset duke qenë vetëm pas Malit të Zi dhe Serbisë. Sakaq energjia elektrike që për kryeministrin nuk është rritur, por ulur, konsiderohet nga bizneset si barrierë, saqë shënon 13 pikë, ndërsa mesatarja e rajonit është 5 pikë. Sikundër problematik shfaqet edhe administrimi fiskal, që na rendit të parët në rajon.
Biznesi i vogël kuotë fikse 1.5% të xhiros, mbi të gjitha pulla fiskale
Vjedhja me mbifaturimet, po paguajmë 50% më shumë
Krahas rritjes së çmimit të energjisë, qytetarët shqiptarë janë përballur edhe me një tjetër fenomen që po rrënon ekonominë e tyre, mbifaturimin e kostos së energjisë. Përmes një deklarate për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ngriti dje shqetësimin e qindra familjarëve, të cilët po vuajnë mbifaturimet e energjisë elektrike. Ajo denoncoi vjedhjen e hapur që po u bëhet qytetarëve, ndërsa dënoi gjithashtu pabarazinë e ndjekur nga qeveria, ku njerëzit pranë saj nuk paguajnë asnjë faturë, ndërsa qytetarët e thjeshtë dënohen. “Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët, por edhe i mbifaturon ata. Me mijëra ankesa kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Qytetarëve u është dashur të paguajnë 50% më shumë se kostoja reale e energjisë së konsumuar. Qytetarët thonë se, pasi ankohen, u thuhet paguajeni një herë dhe flasim muajin tjetër. Kjo është vjedhje, nuk ka emër tjetër. Edi Rama jo vetëm e rriti çmimin e energjisë elektrike, por vazhdon t’i vjedhë qytetarët dhe bizneset. Ata që nuk janë të lidhur me qeverinë, se miqtë e qeverisë nuk paguajnë. Dhe atë që nuk paguajnë miqtë e qeverisë, e nxjerrin tek qytetarët, duke i mbifaturuar”, tha Duma. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e protestave të 18 shkurtit për t’i dhënë fund padrejtësive të keqqeverisjes. “Jo vetëm rriti çmimin e energjisë, por Edi Rama la për muaj të tërë në errësirë familjet pa asnjë të ardhur, sepse nuk paguanin dot energjinë dhe shtyu drejt vetëvrasjes shumë kryefamiljarë. Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve. Më 18 shkurt duhet të protestojmë në emër të Klajdi Muçës, Arif Dodës, Barbulla Pepës, Resmie Allës, Qamil Zelës, Llazar Nasit, Altin Myftarit, Gjovalin Gjinit, që u vetëflijuan dhe vdiqën nga të ftohtët, sepse nuk paguanin dot dritat. Më 18 shkurt të protestojmë për qindra kryefamiljarë të papunë që nuk kanë para për të siguruar energjinë elektrike për fëmijët e tyre. Më 18 shkurt të ndalim padrejtësinë dhe me votë të lirë t’i hapim rrugën një qeverie për qytetarët”, tha Duma.
Gjiknuri duhej të ishte në burg për mospagim të energjisë
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri rezulton se ka qenë debitor i CEZ për shkak të mospagimit të faturave të energjisë elektrike. Partia Demorkatike publikoi dje faturën e papaguar të Gjiknurit për tre muaj rresht, si dhe kërkesën e CEZ Shpërndarje ndaj tij për të paguar faturat. Denoncimi është bërë nga Partia Demorkatike. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ka denoncuar dje mbifaturimin e qytetarëve me faturat e energjisë, si dhe masat represive ndaj qytetarëve që nuk kanë pasur mundësi ekonomike t’i paguajnë ato, masa që disa prej kryefamiljarëve shqiptarë i kanë çuar drejt vetëvrasjes. Pas deklaratës së Dumës, reagoi menjëherë ministri Damian Gjiknuri në pretendimin e të cilit kjo qeveri ka “shpëtuar” qytetarët nga mbipagesat e energjisë. Krahas ankesave të qytetarëve për mbifaturime, deklaratën e Gjiknurit e rrëzoi Grida Duma, e cila në një tjetër reagim pas deklaratës së Gjiknurit publikoi një ankesë të CEZ Shpërndarje drejtuar Damian Gjiknurit për mospagim të energjisë elektrike për tre muaj rresht. Sipas masave represive të qeverisë së sotme, sot Gjiknuri do të duhej të vuante dënim me burg ashtu siç qindra qytetarë të varfër janë burgosur sepse s’kanë mundësi që të paguajnë faturat e mbikostuara të energjisë elektrike. “Sot ngritëm shqetësimin e mijëra qytetarëve që janë mbifaturuar në mënyrë abuzive. Janë me mijëra familje që ankohen në sportele dhe u thuhet: ‘… paguajeni sot dhe shohim muajin tjetër’. Ministri i Energjetikës nuk jep llogari, por komenton për etikën. Nëse do të përdornim logjikën që përdorin vetë këta, edhe ministri vetë mund të ishte në burg për faturën e vet të papaguar; siç ka ndodhur me mijëra familje. Disa prej të cilave në pamundësi pagese kanë humbur jetë njerëzish. Është po kjo kastë qeverisëse, Rama e Gjiknuri, që zhvat nga qytetarët 600 milionë eurot që ia fali CEZ, të cilat po ja merr qytetarëve me dhunë me mbifaturime të përballueshme. Janë po këta që mashtruan qytetarët duke iu premtuar në fushatë uljen e çmimit të energjisë, uljen e TVSH-së për energjinë në 6%”, u shpreh Duma në reagimin e saj. Ajo kujtoi qytetarët që kanë shkuar drejt vetëvrasjes për shkak të pamundësisë për të paguar energjinë elektrike. “Ndërsa përpiqen të fshihen nuk japin llogari për këtë vjedhje ndaj qytetarëve, kërkojnë edhe mos të përmenden njerëzit e jetët e humbura. Kërkojnë harresën, kërkojnë të zhdukin e mos përmenden më emrat e të flijuarve nga varfëria dhe dhuna e faturës së pamundur. I quajnë edhe kufoma! Këta janë të pamëshirshëm edhe pas vdekjes! Nuk janë kufoma, por jetë njerëzish të humbura për një faturë”, tha Duma. Ajo garantoi se Partia Demokratike në programin e saj parashikon që “familjet në nevojë të marrin 200 kw energji elektrike falas”. Duma ftoi të gjithë qytetarët që më 18 shkurt “t’i bashkohen protestës së opozitës për të rrëzuar pushtetin abuzivist dhe të dhunshëm që rëndon çdo muaj edhe me mbifaturimet në familjet e shqiptarëve”.
Arben Shahini
Ligji për investimet strategjike kthen investitorët
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që hodhi poshtë ankesën e një grupi të deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kundërshtuan ligjin për investime strategjike, i njëjti pritet të hyjë në fuqi brenda 15 ditësh, kanë bërë të ditur përfaqësues të qeverisë. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se pas dekretimit të ligjit nga presidenti i Kosovës, do të fillojë përpilimi dhe hartimi i akteve nënligjore, siç është udhëzimi administrativ për zbatimi e ligjit dhe rregullorja e komisionit ndërministror. “Si ministri i kemi tre muaj afat ligjor për përgatitjen e akteve nënligjore në mënyrë që ligjin ta bëjmë të zbatueshëm. Ne kemi disa projekte dhe asete po ashtu kemi edhe disa investitorë që kanë qenë të interesuar në të kaluarën, mirëpo për shkak të procedurave të stërzgjatura të tenderimit nuk kanë hyrë në proceduara investuese”, ka theksuar ministrja Bajrami. Ligjin për investime strategjike, ministrja Bajrami e konsideron të domosdoshëm, duke pasur parasysh, siç thotë ajo “se në Kosovë janë privatizuar shumë asete të rëndësishme që shpesh kanë përfunduar në duart e njerëzve, të cilët kanë pasur kapital që t’i blejnë si asete, por që nuk kanë pasur projekte apo vizion për t’i funksionalizuar ato fabrika apo asete”. Ministrja Bajrami ka sqaruar se ligji për investime strategjike jep dy versione për investitorët potencialë. Versioni i parë është që investitorët “të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë dhe për të marrë në këmbim të investimit asete të ndryshme, resurse natyrore apo objekte bëjnë propozimet e tyre në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA)”. Ndërkohë, alternativa tjetër që e jep ligji sipas ministres Bajrami, “është që qeveria e Kosovës të përgatisë një listë të projekteve strategjike, të cilin e shpall e pastaj investitorët do të vijnë të investojnë sipas interesave të tyre që kanë për sektorë të ndryshëm”. “Një projekt që pothuajse e kemi të gatshëm është projekti i Brezovicës, por për këtë projekt nuk vendosim vetëm ne si ministri, aty vendos Komiteti Ndërministror, i cili do të themelohet në bazë të Ligjit për Investime Strategjike dhe përbëhet nga disa ministra, kryetari i Komunës në të cilën zhvillohet projekti dhe ky Komitet vendos në çfarë forme ta zhvillojë projektin”, ka theksuar Bajrami.
Kosovë, politikat ekonomike, ndikuan në uljen e normave të interesit
Që nga janari i vitit 2015 janë në rënie normat e interesit. Sokol Havolli, këshilltar për ekonominë i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa tha se: “Përveç stabilitetit makroekonomik, fiskal dhe financiar, themelimi i fondit për garantimin e kredive, falja e borxheve e shumë politika të tjera, kanë reflektuar në këtë ulje. Po ashtu, lëndët e raporteve huamarrëse në sistemin e drejtësisë kanë një procedim shumë më të shpejtë dhe në interes të përgjithshëm të ekonomisë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Havolli ka thënë se normat e interesit përcaktohen nga shumë faktorë, ndër ta “kërkesa dhe oferta për kredi, siguria e kredimarrësve, instrumentet për realizim të kolateralit në rast të dështimit të pagesës, gjendja e përgjithshme ekonomike në vend e shumë të tjera”.
“Sot, fillimi i një biznesi është shumë më i lehtë kur merret parasysh kostoja e financimi, që dikur ka qenë barriera kryesore e raportuar nga bizneset. Po ashtu, në foton 2 shihet se edhe për sektorët prioritarë, si bujqësia, financimi është më i lirë. Politikat përkrahëse po ashtu kanë siguruar kontinuitet në financim”, ka shkruar ai.
S&P konfirmon renditjen për Shqipërinë në B+, shqetësuese kreditë me probleme
Agjencia vlerësuese Standard &Poors (S&P) ka konfirmuar dje vlerësimin e Republikës së Shqipërisë në “B+/B”, me pritshmëri stabël. Raporti thekson stabilitetin makroekonomik dhe vlerëson përparimin pozitiv dhe konsolidimin fiskal. Megjithatë, S&P vë në dukje se niveli i borxhit është i lartë, ndërsa maturiteti i tij është afatshkurtër.
Raporti e vë theksin në domosdoshmërinë për kryerjen e reformave strukturore në drejtim të forcimit të institucioneve, zbatimit të ligjit, të drejtës së pronës, klimës së biznesit dhe luftës ndaj korrupsionit. Nuk ka qenë jashtë vëmendjes së raportit dhe niveli i lartë i kredive me probleme, që sipas agjencisë vlerësuese, në nivelin rreth 20% është shqetësues, duke ulur besueshmërinë për bankat. S&P pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të mbetet e qëndrueshme gjatë 2017-2020, duke mbështetur konsolidimin buxhetor, pavarësisht rreziqeve të rrëshqitjeve buxhetore, për shembull për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-s.
Shqipëria po bën progres gradual drejt fuqizimit të kuadrit të saj institucional, të mbështetur nga mekanizmi i lehtësimit i FMN-së dhe përgatitjen për procesin e anëtarësimit në BE. Panorama stabël reflekton pritshmëritë që vazhdimi i konsolidimit fiskal dhe ulja e borxhit publik ndaj PBB-së do të balancojë dobësitë që vijnë nga rreziqet ende të larta të pozicionit të jashtëm financiar në 12 muajt në vijim, thotë raporti.
Raporti thekson se nëse reforma në gjyqësor do të zbatohet, duke krijuar një sistem të pavarur, kjo do të ndihmojë klimën e biznesit të vendit, si për shembull, në rritjen e eficiencës së zbatueshmërisë së të drejtës së pronës dhe një proces më efektiv falimentimi. S&P thotë se nuk pret që të ketë marrëveshje të re me FMN-në deri pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme.
Lidhur me deficitin e ulët buxhetor, në rreth 1.7% të PBB-së, raporti thekson se ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e reduktimit të shpenzimeve që kanë neutralizuar të ardhurat buxhetore më të ulëta se plani. S&P pret që rritja të vijë kryesisht si rrjedhojë e kërkesës së brendshme dhe konsumit privat. Për shkak të punimeve për gazsjellësin TAP, që do të jetë të larta më 2017-n, pritet që investimet e huaja direkte të arrijnë në 11% të PBB-së këtë vit.
Investime të tjera janë të lidhura me sektorin e energjisë. Por, agjencia sheh një rrezik që këto investime nga projektet e mëdha të bien në vitet në vijim dhe rekomandon që të përmirësohet mjedisi institucional që do të ndihmonte në tërheqjen e një baze më të gjerë të flukseve të investimeve të huaja në vitet në vijim.
S&P thekson se mund të ulë renditjen në rast se shikon një përkeqësim të financave qeveritare, për shembull për shkak të një devijimi domethënës nga parashikimet, së bashku me presionet në kushtet e huamarrjes. Një tjetër element që do të ndikonte në uljen e renditjes është një përkeqësim domethënës i pozicionit të jashtëm të Shqipërisë dhe aftësisë për të financuar deficitin e llogarisë korrente.
Të pasurit po bëhen më të pasur, të varfrit po bëhen më të varfër
Monitor
Që pabarazia në Shqipëri është rritur vitet e fundit, ky është tashmë një fakt që po pranohet dhe konstatohet hapur nga institucionet ndërkombëtare. Në prezantimin e raportit të tranzicionit 2016-2017, drejtuesit e ekonomistët e BERZH deklaruan se pothuajse të gjitha vendet e marra në vrojtim (36 në total, ku përfshihen ato të Europës Juglindore, Azia Qendrore, por edhe pjesa juglindore e rajonit të Mesdheut) deklaruan rritje të pabarazisë ekonomike. 30% e shqiptarëve në sondazhin e fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mendojnë se pabarazia është rritur.
Perceptimi që rritja ekonomike në Shqipëri nuk është mirëshpërndarë, është konfirmuar edhe nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili krahasoi rritjen gjithpërfshirëse me rritjen ekonomike pothuajse në të gjitha vendet në raportin e tij të fundit “Rritja gjithpërfshirëse dhe zhvillimi”. Në këtë klasifikim, Shqipëria është përfshirë në zonën portokalli, atë me përqendrim të lartë ku PBB e vendit u zgjerua me ritme më të larta se rritja gjithpërfshirëse. Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën. Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB-së dhe rritjes gjithpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Trendi tregon për një rënie 5.6% të këtij raporti, çka tregon se shpërndarja e rritjes ekonomike ka pasur zhvillime negative, ku përfitimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te pakica.
Por, pse modeli ekonomik nuk ka arritur të sigurojë rritje gjithpërfshirëse? Në dekadat e tranzicionit ekonomia u zhvillua në mënyrë spontane, pa ndonjë model të strukturuar, e orientuar kryesisht nga ndërtimi dhe tregtia, ndërsa nuk u vu theksi te sektorët me vlerë të shtuar dhe shfrytëzimi i avantazheve konkurruese, që do të siguronin një zhvillim më të qëndrueshëm. Informaliteti dhe korrupsioni, ndër më të lartët në Europë e rajon, e kanalizuan paranë në një grusht njerëzish, duke zbehur efektet pozitive të rritjes së shpejtë ekonomike, që u përjetua deri më 2009-n.
Më pas kriza globale, që çoi në ngadalësimin e rritjes, shkrehja e administratës në vitet e fundit të qeverisjes së djathtë, periudha e ndërrimit të pushteteve e zhvendosën vëmendjen nga çështje thelbësore të zhvillimit ekonomik. Qeveria e re më 2013-n erdhi me filozofinë e taksimit të të pasurve dhe lehtësimit të të varfërve, duke rritur tatim fitimin dhe të dividendit për bizneset dhe për individët me të ardhura të larta dhe duke e ulur për ata me paga të ulëta.
Por kjo politikë që synonte të ulte pabarazinë duket se bëri të kundërtën. Përballë taksave më të larta bizneset frenuan investimet (që nënkuptojnë më pak vende pune të hapura në ekonomi), kreditë me probleme u rritën, teksa industria, sidomos ajo përpunuese u bë më pak konkurruese.
Edhe ajo ulje taksash për pagat e ulëta, pikërisht për hir të favorizimit të shtresave më të varfra të shoqërisë, iu mor atyre mbrapsht përmes rritjes së barrës fiskale (akciza dhe taksa të tjera, shpesh të fshehura), që bizneset i transferuan te konsumatori përmes çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, në përpjekje për të mbajtur të pandryshuara marzhet e tyre të fitimit.
Varfëria e lartë është e dukshme dhe nuk arrin të fshihet as nga statistikat. Edhe sot pas më shumë se 20 vite tranzicioni, shqiptarët shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit për nevojat bazike (ushqime), madje ka një rritje me 2 pikë përqindje vitin e fundit, për të arritur në 48.7%, sipas ankesës së fundit të buxhetit të familjeve të INSTAT. Për krahasim vendet e tjera të rajonit e kanë këtë peshë midis 33 dhe 37% (Kosova e ka 43%) dhe ne jemi në renditje me shtetet afrikane si Nigeria apo Kenia (të dhënat e Forumit Ekonomik Global). Në procesin e konvergjencës (rritje më të shpejtë me synim kapjen e mesatares së Bashkimit Europian), Shqipëria ka ngecur vitet e fundit, duke mbetur në 30% të mesatares së të ardhurave të Bashkimit Europian.
E dhëna më e fundit, që vjen indirekt nga tregu i pasurive të paluajtshme është akoma edhe më trishtuese. Ka një rritje të ndjeshme të shitjes së apartamenteve në zona të preferuara dhe mjaft të shtrenjta të Tiranës, me para në dorë muajt e fundit, që po paguhen me të ardhura të padeklaruara që vijnë nga ekonomia e zezë.
Një tregues i qartë ky i rritjes së pabarazisë, teksa disa individë po arrijnë të pasurohen me shpejtësi brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe po tërheqin rritjen e shpejtë të çmimeve të apartamenteve, në kurriz të atyre që do t’u duhen tashmë më shumë vite punë e më shumë kursime të mundimshme për të blerë shtëpinë që mund ta kenë ëndërruar gjithë jetën, por që po bëhet “mollë e ndalueme” për ta. Një mesazh dekurajues ky për këdo që ka shpresuar se talenti, aftësitë dhe dëshira për të punuar e ecur përpara një ditë do të shpërblehen, pa pasur nevojën e përkatësive partiake apo mbështetjeve të dukshme e të padukshme të politikëbërjes e vendimmarrësve.
Atë ditë këta nuk do të jenë këta!
Frrok ÇUPI
Sigurisht, këta nuk do të jenë “derra”, siç i transformoi njerëzit Circja në udhëtimin e Odiseut në Greqinë e Lashtë. Por këta nuk do të jenë këta që janë sot, në 18 Qershor- ditë që është dekretuar për zgjedhje parlamentare.
Mund të mos jetë edhe vetë 18 qershori bash dita kur do të votohet për Parlamentin dhe qeverinë tjetër; por përsëri e njëjta gjë është: Këta nuk do të jenë këta.
Edhe pse sot thonë se “do të fitojmë “më shumë se 71”, pse thonë “po fituat 71”, pse thonë “nuk fitoni as 60”, pse thonë “prisni vitin 2024″… Janë shumë të guximshëm kur arrijnë të thonë e të mendojnë kështu; të guximshëm ose si “derrat” e Cirsjes (Por edhe ata ndryshuan formë, jo arsyen njerëzore).
Circja e kësaj epoke është vetë Era që frynë në gjithë rruzullin, sidomos në këto pjesë europianiste të botës… Po t’i marrësh një nga një këta që “guxojnë”, çfarë do të jetë secili.
1.
Kryeministri, përfaqësues i të majtëve ish- komunistë, mund të mos ketë nevojë të presë humbjen në zgjedhje. Ky ka një çështje të hapur penale në Shtetet e Bashkuara, dhe rreth ditëve kur mendohen për zgjedhje, mediat mund ta kenë vëmendjen te burgosja e kryeministrit. Ky ka thyer egër ligjin federal në Amerikë duke sponsorizuar politikën me para të paligjshme, në rrugë të paligjshme dhe në “martesë” fake. Sulmi i paparë në historinë (as njerëzore, as alias Circja- derra), nuk është parë që një kryeministër i një vendi të marrë torbën me “baltën e Dritëroit” dhe të lëçisë sulme kundër kandidatit presidencial të Amerikës- televizor më televizor nëpër botë, deri në CNN… Kur studiojmë këtë fenomen, pse nuk paskemi të drejtë të besojmë Circjen dhe derrat e “Odisesë”? Kryeministri ynë e kishte ndjerë në lëkurë, ose e kishte cytur Soros, që të bëjë atë që bëri sepse ndryshe do të kthehej në krijesën e magjistares (nuk po them derr se këta e marrin për keq sa kohë që nuk njohin Homerin). Por deri atë ditë zor se do të ketë Soros; ose do të jetë, por i shndërruar në “derr” me emrin: “rrezik për Amerikën”. Si mund të mos monitorojë Amerika një rrezik që vjen edhe nga Shqipëria me një ekip sorosian!?
2.
Këta që janë sot në maxhorancë, do të kthehen në “derra” opozitarë; padyshim. Procesi ka filluar. Një deputet “hyjni” si Heliosi i Fierit, ka marrë rrugët “me shkop e me strajcë” për të shembur fronin e atij që e kishte vënë në fron. Kokëdhima është betuar se do të rrëzojë Ramën. Por deri atë ditë as Kokëdhima nuk do të jetë ky që është. Rilindja ka krijuar një dosje të trashë ndaj tij; por edhe disa të vrasës majtistë të burgosur do të dalin nga burgu e do të lëshohen fushës ku mbillen “lulëkuqe”.
As opozita e tanishme nuk do të jetë opozitë e vetme deri atë ditë. Kryetari i Kuvendit, Meta, po rrëmon nën këmbët e opozitës; ky “gjallë a vdekur” do t’i afrohet tempullit të Trump në Shtetet e Bashkuara. Edhe sikur Trump të mos e pranojë, ky nuk do të thotë se “nuk më pranoi”, por do të kthehet me medaljonin e Trump në xhaketë. Shkurt, edhe pse opozita e djathtë, natyrshëm është më afër Republikanëve të Trump, këtë vend po lufton që ta zërë Meta. Deri ditën e zgjedhjeve ai do të qëndrojë në avion mbi Atlantik; por në zgjedhje do të vijë si i dërguari i “Zeusit”. E djathta “Republikaniste dhe Trumpiste” po fle.
3.
Me datën 18 qershor mund të ndodhë si me shtëpinë që u gjend në vendin ku kalojnë hekurudhat. Derisa u bë hekurudha, kasollja ishte; por kur të vijë treni do të thonë: “ku ishte ajo shtëpia?”. Situatat që po vijnë vrullshëm mund ta fshijnë renditjen që i bëjnë këta vetes për zgjedhjet. Gjithë bota është vënë në lëvizje. Në rajonin tonë do të ravijëzohen akset, aleancat dhe inventarët. Inventarët e vendeve që përbëjnë rrezik- në radhë të parë! Shqipëria është e para në hartën e vendeve “kolumbiane” të drogës. Nën filozofinë e re të Brexit- Trump, vendet prodhuese të drogës krahasohen me vendet ku sundon ISIS. Ju e dini, ISIS është shpallur si objektiv për “t’u fshirë nga dheu”… Edhe monitoruesit e zgjedhjeve mund të mos vijnë nga Europa… Nga cila Europë? Në prill Franca ka president tjetër, të djathtë. Në Gjermani po përparojnë kundërshtarët e kancelares. Në Austri ku “fle” kryesia e OSBE po fryjnë erëra të fuqishme djathtiste; si edhe në Holandë. Britanikët i dhanë sot të drejtë ligjore Brexit-t; dhe me siguri që do ta ndjekin shtete të tjerë. Europa do të jetë duke u “për.. dhe shpër- bë”; e ç’janë këto zgjedhje në Shqipëri?!
4.
Deri më 18 qershor Shtetet e Bashkuara dhe djathtistët e Europës, do të kenë marrë një lajm të kobshëm, si lajmin se “një prind nuk është i denjë” që të mbajë fëmijën e tij. E dini çfarë ndodh në vendet e qytetërimit të përparuar për këtë rast?… Ia heqin prindit të drejtën për të mbajtur fëmijën. Edhe këtu kështu do të ndodhë. Qeveria që kërkon të prindërojë zgjedhjet dhe Parlamentin e ri, nuk është e denjë. Ka mbjellë drogë pa fund dhe ka grumbulluar para; ka stërvitur vrasës dhe po i nxjerr nga burgu që të vrasin ditën e votimeve; ka infektuar atmosferën me mosbesimin kulmor se “këtu nuk mund të bëhen zgjedhje”. Përfaqësuesi i SHBA dhe i OSBE kanë dalë me “torbë” në dorë e po mbledhin fakte që t’i çojnë në “gjykatë” ku do të vendoset që “ky prind” të mos ketë të drejtë për “fëmijën”. Qeveria shqiptare del nga loja për t’u besuar si zhvilluese e zgjedhjeve.
… Këta do të kenë vetëm arsyen njerëzore, sa për të kuptuar se nuk do të jenë këta që janë. Circja nuk ua merr të gjitha.
Qeveria shantazhon zgjedhësit
Ilir HILAJ
Unikale në historinë botërore. Në ditën më të errët të akuzave brenda kabinetit Rama, kur shkarkohet një ministër akuzues ndaj qeverisë së vet, qeveria i vë shkelmin në fyt popullit. Sot, ju kujtua popullit të lodhur nga taksat e rënduara dhe varfëria, se mund të gjobohen nëse nuk dinë adresën e tyre.
Rama ju kujtoi se ata do të pajisen me një numër identifikimi personal që do ta kenë nga lindja deri në vdekje. Këtë numër realisht e kemi të shfaqur në këndin e djathtë-poshtë në kartat tona të identitetit. Dmth, do të identifikojnë personat tashmë të identifikuar, që marrin automatikisht në Gjendjen Civile këtë numër nga lindja deri në vdekje. Ministri i Brendshëm kujtoi se do të ketë gjoba për ata që nuk regjistrojnë adresat e tyre para grupit të FRESH që do paraqitet banesë më banesë. Në fakt, nisur nga ngarkesa e lartë e fund janarit, emocionalisht në qeveri, kjo duhet të jetë ndonjë shaka pa kripë. Sistemi i adresave është një mënyrë unikale e vendosjes së numrorëve në objektet e banimit e biznesit, brenda të njëjtit shtet. Këtë detyrë e ka qeveria qendrore. Bashkitë kanë detyrë të emërtojnë rrugët dhe identifikojnë objektet.
Le të marrim Kryebashkinë si shembull. Pasi janë emërtuar rrugët me emra, përfshirë edhe emra kushërinjsh, krerë institucionesh të diktaturës etj., në to duhet të vendosen numrat. Këtë, ligji për sistemin e adresave nuk e specifikon. Ekzistojnë disa mënyra për këtë gjë, si sistemi “loop”, “linear” dhe “kartezian”. Në asnjë nga këto nuk flitet për termin shesh, hyrje pallati, numër hyrje, kat, lagje etj. Për fatin e keq ky sistem është përdorur para viteve ‘90, por jo më sot. Po pse Kryeministri e ministri ju futën kësaj meseleje që as e njohin fare?
A e dinë këta zotërinj që nuk nevojitet të shkosh banesë më banesë për të bërë diçka që bëhet nga zyra? Emërtesa e banesave bëhet automatikisht njëlloj si numri i identifikimit personal. Si? Përputhet harta me sistemin e përzgjedhur. Shtetet me histori më të avancuar se ne, në sistemet e adresave, sot përdorin sistemin kartezian. Psh, Manhatan sot ka hequr emërtesat e rrugëve, duke i identifikuar me numra, njëlloj siç do duhet të bëjë PD pas qershorit që të zhvlerësoj emra pa kurrfarë kuptimi nëpër rrugët dhe shkollat e vendit, për t’i thjeshtëzuar për një publik që vjen për herë të parë në një qytet, qoftë ky edhe turist dhe orientohet mjaft lehtë. Le të tregojmë si mund të emërtohej një dhomë në Tirana International Hotel për një turist. Adresa 1403-1 Bulevardi Zogu I, Tiranë, 1001, Albania. Sapo turisti lexon këto të dhëna kupton automatikisht se bëhet fjalë për një banesë mbi 14 kate që ndodhet në qendër të qytetit.
Nuk ka nevojë të pyesi në kë anë të sheshit është. Numri 1 tregon se është në pjesën lindore të rrugës Bulevardi Zogu I, pranë qendrës. Numri 1403 tregon se bëhet fjalë për një apartament/dhomë/zyrë që ndodhet në katin e 14 me numër 3, ose pas daljes nga ashensori/shkallët është dera e tretë në të djathtë. Kjo është në mbarë botën e civilizuar njëlloj. Mendoni si do ta presi Donald Trump, meqë është new york-ez, se në vendin aleat të NATO-s, Shqipëri, ndërkohë që qyteti i tij përdor sistemin më sipërpërmendur, qytetarët do të gjobohen nëse nuk e dijnë adresën e tyre që nuk ia ka treguar kush. Në fillim do skandalizohet. Pastaj do gajaset. Në fund kur t’i thonë se këtë gjë po e bënë qeveria e atij tipit të CNN, do t’i elektrizohen flokët përpjetë. Pse na takon ne shqiptarëve të presim kusuret e qeverisë. Qeveria u nis nga ideja e sfumimit të lajmit të aferave denoncuar nga Manjani, dhe pa dashje kaloi në një skandal imazhi, duke kërcënuar me armatën e freshistave se do vendosi gjoba, por krejt aksidentalisht tregoi se kryeministri dhe ministri janë pa nivelin minimal të kulturës profesionale, në një term të supozuar teknik, që ata e paraqitën si risi, por që nuk e dinë çfarë është. Pse duhen çuar freshistët njëlloj si fashistët, për të prerë fletë gjobe, për një publik në zonë rurale, kur ai para shtëpisë së tij, nuk di si quhet rruga, le më pastaj t’i kërkojmë kodin postar. Arsyeja është e thjeshtë. Pas gjobitjes, duhet bërë ankimimi që të hiqet gjoba. Partia ta vë dhe ajo ta heq “njollën”. Ndaj pa frikë mund të themi se ky është shantazh parazgjedhor, asgjë më tepër.