Selta Vigo arriti të eliminojë Realin e Madridit në Kupën e Mbretit, duke dhuruar një nga befasitë e këtij edicioni. Por në ndeshjen e së dielës, sërish kundër skuadrës së Zidanit, tekniku Eduardo Berico ka marrë një vendim të çuditshëm, për të futur rezervat.
“E di që ne duhet të kërkojmë maksimumin në çdo takim, por mua nuk më intereson ajo kundër Realit në kampionat. Është më e rëndësishme ndeshja tjetër për Kupën e Mbretit ndaj Alaveshit, mesjavën e ardhshme. Për këtë arsye do të bëj rrotacion me titullarët, duke futur ata që nuk kanë pasur shumë hapësira deri tani, pasi kryesorët më nevojiten në formë të mirë fizike të mërkurën”, deklaroi Berixo. Selta do të presë në shtëpi Realin të dielën në mbrëmje, por ka njoftime se ndeshja është shtyrë për shkak të motit të keq.
Habit trajneri i Selta Vigos, ndaj Realit me rezervat
Pioli: S’e kam mundur kurrë Juven
Eliminimi nga Lazio në Kupën e Italisë nuk ka lënë asnjë pasojë në kampin zikaltër. Të paktën kështu pretendon trajneri i Interit, Stefano Pioli, në prag të derbit numër 168 të Italisë kundër Juventusit. “Shuplaka” e marrë nga bardhekaltërit, sipas 51-vjeçarit, do të shërbejë si motiv për të shumëfishuar energjitë në 16 javët e mbetura të Serisë A.
“Morëm një mësim të mirë nga Lazio dhe tani e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të jemi një skuadër e bashkuar, të luajmë me intensitet, ritëm dhe shpejtësi. Pavarësisht eliminimit kemi treguar se dimë të luajmë me zemër. Kjo është ajo që na duhet të dielën”, u shpreh Pioli.
Në 10 javët e fundit të Serisë A, as Juventusi nuk e ka patur ecurinë e Interit, por Piolit i duhet të thyejë një tabu të karrierës së tij. “Nëse nuk e kam mundur kurrë në karrierën time Juventusin, kjo ka ndodhur, sepse nuk kam qenë trajner i Interit më parë. Juvja është e fortë dhe këtë e thonë statistikat, mentaliteti, lojtarët dhe trajneri i tyre. Ata janë më të fortët e Italisë, por ne mund t’i vëmë në vështirësi”, tha ai.
Sfida e “Juventus Stadium”, sipas Piolit vlen më shumë se tri pikë, por nuk është vendimtare. “Vlen më shumë se tri pikë, sepse jo më kot quhet derbi i Italisë. Çdo fitore na jep besim, ndërsa humbja na largon nga objektivat. Nuk besoj se është sfidë vendimtare si për ne ashtu edhe për Juventusin”, përfundoi Pioli.
Cristiano Ronaldo në krizë!
Cristiano Ronaldo mbush 32 vjeç të dielën, por duket se vitet po ndikojnë në ecurinë e sulmuesit portugez. Statistikat e këtij sezoni janë ndjeshëm më të ulëta se ato që jemi mësuar ta shikojmë dhe këtu nuk përfshihet vetëm sasia e golave të shënuar, por edhe elementët që kanë qenë arma e tij e fortë, si duelet në ajër, driblimet dhe goditjet në drejtim të portës kundërshtare.
Lideri i Realit ka një mesatare prej vetëm 0.61 golash të realizuar për ndeshje, duke i hequr ata të shënuar me penallti. Ndërkohë, në 25 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, numëron 20 gola, 13 prej të cilëve në kampionat. Gjithashtu, ai ka një rënie të ndjeshme të triumfit në duelet ajrore. Vetëm një vit më parë ishte dominues ndaj kundërshtarëve, me 56.5% të dyluftimeve në favorin e tij, por sivjet ka pasur një zbritje në 44.8%.
E mbani mend Cristianon që kur kishte topin në zotërim, dukej i pakapshëm për shkak të shpejtësisë dhe aftësisë për të kaluar kundërshtarët? Tashmë, janë shumë të tjerë që paraqiten më mirë se ai në këtë aspekt. Saktësisht, në kampionatin spanjoll, plot 99 lojtarë kanë të dhëna shumë më të larta sa u përket driblimeve të suksesshme. Ka qenë forma në rënie e CR7-s që ka ndryshuar deri diku edhe stilin e tij të lojës, i cili nuk përshtatet më me aksionet individuale.
Një tjetër element është edhe saktësia e gjuajtjeve në kuadrat, që arrijnë të konkretizohen në gol. Në vitin e tij të parë në Madrid, ai kishte nivelin më të dobët, kur arriti të shënonte 10.68% të gjuajtjeve në portën kundërshtare. Që prej asaj kohe, kjo statistikë pati një rritje me të vërtetë të ndjeshme, deri në 20%. Por, sivjet është rikthyer të zbresë në norma të ulëta, pasi ka dërguar në rrjetë vetëm 11.39% të tentativave.
Në fakt, pavarësisht se ai nuk është më i nivelit të dikurshëm, kjo nuk e ka penguar Realin që të ketë një ecuri pozitive në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve.
S’ka krizë te Milani
Vincenzo Montela nuk sheh shenja krize te Milani i tij. Trajneri kuqezi e pranon se renditja aktuale reflekton atë që skuadra ka merituar në fushën e blertë, por nga ana tjetër këmbëngul se grupi që drejton është rritur në shumë aspekte. “Sigurisht që duhet të përmirësohemi sa u përket rezultateve, sepse në futboll është aspekti që vlen më shumë. Megjithatë unë shoh që skuadra është përmirësuar në shumë drejtime: jemi më të rrezikshëm, e kontrollojmë më shumë topin, e godasim më shpesh portën kundërshtare dhe jemi më kompaktë. Në futboll jo gjithmonë fiton skuadra më e fortë”, u shpreh Montela.
Trajneri kuqezi vlerëson Sampdorian si një nga skuadrat që luan futboll të bukur dhe vë në vështirësi çdo kundërshtar në Serinë A. “Sampdoria është një skuadër shumë e organizuar dhe gjithmonë luan për të fituar. Kjo është meritë e trajnerit, që ka ndërtuar një grup të fortë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Duhet të luajmë me shpejtësi dhe qetësi”, tha ai.
Montela flet me keqardhje për mungesën e Bonaventurës, ndërsa për Deulofeun dhe Ocampos, dy afrimet e janarit, dha këtë koment. “Janë dy lojtarë që kur ishin 18-vjeçarë konsideroheshin lojtarë me shumë perspektivë. Duhet të kuptojmë pse nuk kanë shpërthyer. Detyra ime është t’i ndihmoj që të tregojnë më të mirën e tyre. Duhet të përmirësohen në finalizim”, tha Montela.
Ndërkohë për Milanin vijnë lajme shumë të mira nga investitorët kinezë, të cilët do të derdhin 500 milionë euro në arkat e kuqezinjve, ku 100 milionë do të shpenzohen gjatë merkatos së verës. Brenda 10 ditësh në këshillin admistrativ do të përfshihen përfaqësuesit kinezë, ndërsa mbyllja përfundimtare e marrëveshjes është fiksuar për datën 3 mars.
Ndërkohë, ish-mbrojtësi i Juventusit, Martin Kaceres, gjendet në Itali ku pritet të nënshkruajë me Milanin. Por mbrojtësi duhet të kalojë më parë një sërë testesh fizike të stërzgjatura me kuqezinjtë, të cilët kanë dyshim për aftësitë e tij fizike. Futbollisti nuk luan prej një viti, pasi më 3 shkurt 2016 dëmtoi tendinën dhe që atëherë mbeti jashtë fushave të lojës me skuadrën e Juventusit, nga e cila u shkëput në fund të sezonit.
Kaceres nuk u aktivizua me asnjë klub në pjesën e parë të sezonit, ndaj për të parashikohet që testet mjekësore para firmës në kontratën me kuqezinjtë do të jenë shumë më të hollësishme se ato që kryejnë normalisht futbollistët e tjerë. Përveç vizitave rutinë, lojtarit do t’i bëhet një kontroll i detajuar i strukturës fizike, për të shmangur mundësinë që të nënshkruajnë me një futbollist, i cili ka tendencë të dëmtohet. Sipas mediave italiane, akordi me Kaceres do të jetë deri në fund të sezonit, periudhë për të cilën mbrojtësi do të paguhet 400 mijë euro.
Terek fiton me dy golat e Balajt, Berisha asist
Shqiptarët janë protagonistë absolutë te Terek Grozni. Skuadra ruse vazhdon fazën përgatitore në Rusi, ndërsa fituan 3-1 në miqësoren e luajtur përballë çekëve të Brno-s. Treshja shqiptare, Berisha, Balaj dhe Roshi u aktivizuan në 45 minutat e dyta të lojës, me trajnerin Rakhimov që si zakonisht përdori dy formacione të ndryshme.
Nëse pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1 dhe me një lojë të vakët, për t’i dhënë impuls lojës mendoi pikërisht treshja ofensive BBR, falë të cilëve Tereku dominoi dhe në fund arriti të fitonte.
Bekim Balaj i dha avantazhin skuadrës çeçene në minutën e 53-të të sfidës, duke realizuar me kokë një gol nga një pozicion mjaft i vështirë. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e tretë për Terekun dhe të dytin personal pak pasi kishte kaluar një orë lojë, këtë herë i shërbyer nga Bernard Berisha, që me inkursionet në krah ishte një prej lojtarëve më të rrezikshëm për kundërshtarët nga Çekia.
Një paraqitje e mirë kjo e treshes ofensive shqiptare, që cilësohet si një prej pikave më të forta të Terek Groznit për gjysmën e dytë të Premierligës ruse dhe drejt objektivave të skuadrës për një biletë në kupat e Europës.
Paratë e drogës rrisin çmimin e apartamenteve
Ledina LOGA
Pas disa vitesh ngërç në tregun e apartamenteve në kryeqytet rezulton se ai është gjallëruar ndjeshëm muajt e fundit, teksa shtimi i kërkesës dhe ndikimi i dyfishimit së taksës së ndërtimit në infrastrukturë, shoqëruar me përmirësimin e urbanizimit, po rrisin me shpejtësi çmimet. “Monitor” kreu një vëzhgim në disa zona kryesore ku po ndërtohet në Tiranë, në këndvështrimin e një individi të interesuar për të blerë një apartament me kredi ose me para në dorë. Në pjesën më të madhe të pallateve në zona të preferuara, kanë mbetur pak apartamente të lira, ndërsa ndërtuesit nuk ngurrojnë t’u thonë blerësve potencialë që shitjet janë shtuar së fundmi, edhe me cash – dhe nuk është aspak problem të gjenden shtigjet për të justifikuar paratë, përmes pagesave me këste. Në qendër vështirë se gjen apartamente të vogla ose mesatare, çka i bën ato të paarritshme për individët me të ardhura nga pagat. Por këta të fundit kanë gjithsesi alternativën e periferisë, që mbetet ndër më të lirat në rajon.
Blloku, diga, TVSH për klientët elitarë, dominojnë shitjet cash
… Zona e parë e kërkimit ishte pranë digës së Liqenit Artificial, ku shoqëria “Nderpro” sh.p.k kishte objektin e saj drejt përfundimit. Çmimi për metër katror i apartamenteve për banim ishte 1800 euro. Dikur, apartamentet në atë zonë tregtoheshin rreth 1200-1300 euro për njësi matëse. Ndërtimi i rrugës së re, së fundmi, i ka dhënë një tjetër dimension kësaj zone, duke e bërë atë mjaft të preferuar. Megjithatë, pavarësisht rritjes së çmimit, numri i apartamenteve të lira për shitje ishte i vogël. Kishte shumë pak variante zgjedhje, asnjë apartament i orientuar nga perëndimi nuk kishte ngelur pa shitur, ndërkohë që objekti ende nuk kishte përfunduar.
Menaxheri i kompanisë ndërtuese, Andi, pasi tregoi mundësitë e lira për zgjedhje, pohoi se përgjithësisht apartamentet ishin blerë me shumën e plotë të parapaguar dhe siguron se fqinjët e ardhshëm do të ishin njerëz me nivel të lartë.
Pasi iu tha se blerja e apartamentit mund të bëhej vetëm me ndihmën e kredisë, interesi i tij ndaj klientit ra. Shanset e një individi me të ardhura mesatare për të marrë një kredi, për një shtëpi me vlerë mbi 200 mijë euro, janë thuajse zero, teksa banka përgjithësisht nuk jep më shumë se 50 mijë euro kredi.
Duke u afruar më pranë zonës së ish-Bllokut, menaxherëve të shitjeve iu tha se kërkohej të blihej një hyrje me para në dorë. Pranë stadiumit “Dinamo”, “Ferar” sh.p.k. ishte në përfundim të ndërtimit të objektit. Nga 1700 euro/m2 në fillimet e ndërtimit, çmimi për një metër katror kishte kapur nivelin e 2000 eurove. Përsëri, edhe në këtë objekt, menaxherja e shitjeve, Visa, siguroi se klientela ishte e mirë, ndërsa apartamentet e lira për shitje ishin të pakta në numër.
Zona e dytë e kërkimit, te Kopshti Zoologjik, pranë ambasadës amerikane, ish-Parku i Autobusëve, te Selvia dhe te zona e Shkollës së Kuqe, çmimet e apartamenteve variojnë nga 1100 në 1500 euro për m2 dhe sipas aktorëve të tregut, çmimet në këto zona janë rritur me 100 deri në 200 euro për m2, krahasuar me pak vite më parë.
Zona e tretë, ku përfshihet Komuna e Parisit, Porcelani, Liqeni i Thatë, Shkolla e Bashkuar, Kinostudio dhe Kombinati, çmimet e apartamenteve variojnë nga 700 deri në 1000 euro për m2.
Pjesa më e madhe e apartamenteve në ndërtim ishin të shitura. Në zonën e Liqenit të Thatë, ndërtuesi tha se vetëm dy apartamente kishte të lira për shitje, ndërsa pak më poshtë, në zonën e Kopshtit Zoologjik, të gjitha apartamentet ishin shitur. Në varësi të pamjes së apartamentit, orientuar nga Liqeni Artificial i parkut të Tiranës ose jo, çmimet luhateshin nga 1200 në 1800 euro.
Komuna e Parisit është një nga lagjet e reja më të populluara të Tiranës. Në kompleksin e dytë të pallateve Kika, çmimi për metër katror është 950 euro, i diskutueshëm nëse paguhej 60% e shumës. Sokoli, administrator i kompanisë ndërtuese, tha se kërkesën për apartament e shikon në rritje dhe në kompleksin që kërkonte rreth gjashtë muaj që të finalizohej kishte shumë pak hyrje banimi të lira për shitje. Gjithashtu, ai shtoi se nuk është rritur vetëm kërkesa për shtëpi, por dhe kërkesa për të pasur shtëpi me cilësi.
Po në atë zonë, pritej që të fillonin ndërtimet e kompleksit të tretë të banimit Kika, mirëpo administratori rrëfeu se ende nuk kanë vendosur se me çfarë çmimi do të dilnin në treg, por ai do të reflektonte taksën e rritur dhe kërkesën e lartë. Për shembull, vetëm taksa e infrastrukturës, nga 15 euro/m2 shkonte në 75 euro/m2.
Zona më e shtrenjtë. Zonat më elitare të Tiranës, si ajo pranë Radio Televizionit Shqiptar, janë të cilësuara në përditshmëri si të paprekshme dhe çmimi i apartamenteve në atë zonë kap vlerën 3000 euro për m2. Aktualisht në atë zonë është vetëm një objekt në ndërtim nga firma ndërtuese “Ana sh.a.”.
Alternativa e lirë, në periferi
Dihet se vlera e apartamenteve në qendër të kryeqytetit vështirë se bie dhe për ata që nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi me çmim 2000 euro/m2, pavarësisht dëshirës për “fqinjësi të zgjedhur”, ekziston dhe një mundësi e dytë, periferia.
Në periferinë e Tiranës, mund të gjesh apartamente me 400-500 euro për metër katror, ku krahasuar me rajonin, çmimet janë më të lira. Ndërtuesit pohojnë se shkak për këtë është infrastruktura e keqe, teksa pallatet janë ndërtuar pa plan, nuk ka hapësira (lulishte apo ambiente të përbashkëta), rrugët janë të ngushta dhe madje në disa zona ato furnizohen me ujë pusi.
Nga Blloku deri në lagjet periferike të Yzberishtit apo në zonën e Freskut, diferenca në çmim shkon nga 500 deri në 1500 euro me zonat e qendrës. Sipas menaxherit të shitjeve të një prej firmave të ndërtimit me projekte në qendër të qytetit, në këtë zonë, në përgjithësi janë përqendruar individë me të ardhura të larta mujore, ndërsa në periferi, individët me të ardhura të kufizuara.
Kërkesa e lartë, çmimet rriten më shumë se taksa
Dyfishimi nga 4 në 8% i taksës së infrastrukturës, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes pritet të reflektohet në çmimet e apartamenteve, sipas ndërtuesve. Për shembull, një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m² dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m², më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 euro/m² (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë. Nga periferia në qendër, çmimet pritet të rriten me 50 deri në 120 euro për metër katror.
Për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit më 2016-n, kjo taksë pritet të japë efektin më 2017-n. Ndonëse kjo duhet të ketë efekt vetëm te ndërtimet e reja, ndërtuesit paralajmërojnë se do të reflektohet në të gjithë tregun, ndonëse jo me të njëjtat ritme.
Marrja e një takse kaq të lartë normalisht do t’i lejojë Bashkisë së Tiranës që të mund të investojë më shumë në urbanizimin e blloqeve të banesave. Ky është një element i rëndësishëm për përmirësimin e mjedisit urban dhe për rritjen e kërkesës për këto apartamente, si rrjedhim, edhe për çmimet. Ndërtuesit janë shprehur pozitivë, pavarësisht shtimit të taksës, pasi ajo do të mundësojë përmirësimin e infrastrukturës dhe do t’i japë më shumë vlerë banesave.
Por, çmimet në qendër rezultojnë të jenë rritur muajt e fundit edhe me 200-300 euro për metër katror, dyfishin e efektit të taksës së infrastrukturës. Sipas Armand Shkëmbit, menaxher i pasurive të paluajtshme në Century 21, ndërtuesit po përdorin si justifikim ndryshimin e aplikimit të taksës së infrastrukturës dhe se rritja, më shumë se sa taksa e vendosur, reflekton një marrëveshje të fshehtë midis ndërtuesve dhe është ende herët për të thënë se 2017-a do të karakterizohet nga një bum kërkese.
Në përgjithësi, tregu përbëhet nga kërkesa dhe oferta dhe çmimi është i përcaktuar nga pikëprerja e tyre, rrjedhimisht rritja e çmimit është tregues se kërkesa është rritur. Këtë fakt, Arben Dervishi, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, e argumentoi me mungesën e lejeve të ndërtimit në qendër që nga 2007-a. Megjithatë, rritja e lartë e kërkesave do të jetë vetëm në qendër, ndërsa në periferi, rritja e kërkesës parashikohet se do të jetë më e lehtë, tha zoti Dervishi.
Rol në rritjen e çmimit të apartamenteve, përpos rritjes së kërkesës, ka pasur dhe përmirësimi i infrastrukturës, si dhe rregullimi i urbanistikës në kryeqytet. Për shembull, ndërtimet në zonën e kompleksit “Dinamo”, përpara rregullimit të Rrugës së Kosovarëve, janë tregtuar me çmim fillestar 1100 deri në 1300 euro për m². Sot çmimi për m² në atë zonë luhatet në vlerën 1700-1800 euro.
Mavraj gjen fitoren e parë
Mërgim Mavraj gjen fitoren e parë në Bundesligë me fanellën e Hamburgut ku u transferua gjatë merkatos së dimrit. Mbrojtësi shqiptar u aktivizua titullar për të tretën ndeshje rresht duke dhuruar një paraqitje pozitive në suksesin 1-0 që Hamburgu regjistroi ndaj Bayer Leverkusen në ndeshjen e parë të javës së 19 të Bundesligës. Goli i Papadopoulos në minutën e 73 rezultoi vendimtar për të besuarit e Marcus Gisdol.
Ndeshja nuk u ngjit asnjëherë mbi nivelin mesatar me “aspirinat” që vazhdojnë të tregojnë anemi në fazën sulmuese, nërsa Hamburgu cinik arriti të ruante portën të paprekur dhe për më tepër duke gjetur një gol me aromë mbijetese. Kjo fitore e ngjit skuadrën e Mavrajt në vendin e 16 me po kaq pikë, ndërsa Bayer Leverkusen mbetet në vendin e 9 me 24 pikë.
Hyka nënshkruan për San Jose
Jahmir Hyka është pjesë e skuadrës së Major League Soccer, San Jose Earthquakes. Lajmin e bën të ditur vetë klubi amerikan në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare ku thekson se kontrata është disavjeçare. “Hyka është një lojtar që i shton elementin surprizë skuadrës tonë në çdo ndeshje që do të luajë. Ai është një lojtar shumë i aftë teknikisht si në mbrojtje ashtu edhe në sulm dhe në situatat një për një nuk jep pika referimi. Kjo do të thotë se sulmuesit tanë do të furnizohen me topa nga një lojtar që di të sulmojë në disa fronte”, deklaron menaxheri i San Jose, Jesse Fioranelli.
Në vijim, faqja zyrtare e klubit amerikan bën një përmbledhje të ecurisë së 28-vjeçarit shqiptar që gjatë këtij sezoni me Luzernën ka shënuar 6 gola dhe ka dhuruar 15 asiste. “Jahmiri është një lojtar krijues që do t’i japë më shumë fuqi fazës tonë ofensive”, thekson trajneri Dominic Kinnear, sipas të cilit, ai mund të luajë në të dyja krahët e mesfushës. Në fund njoftimit, San Jose Earthquakes vë theksin në faktin se Hyka është pjesë e kombëtares shqiptare me të cilën debutoi që në vitin 2007 në moshën 18-vjeçare.
Berisha gol në derbin e Melburn
Melburn Viktori vazhdon rrugën drejt fazës play off në garën për titullin kampion në Australi, ndërsa Besart Berisha vazhdon të mbetet një garanci për këtë skuadër. Skuadra e sulmuesit shqiptar fitoi 2-1 në derbin e pabesueshëm të Melburnit, përballë rivalëve të mëdhenj të Sitit, ndërsa 31-vjeçari ishte protagonist në gjithçka.
Fillimisht Berisha shpërdoroi një 11-metërsh në minutën e 63-të, me topin e goditur prej tij që u përplas në shtyllë. Episod që mund të ishte një goditje e rëndë psikologjike, edhe për faktin se vetëm pak minuta më pas, Melburn Siti kaloi në avantazh.
Por, skuadra e sulmuesit shqiptar nuk u dorëzua, duke rikthyer baraspeshën pikërisht me Besart Berishën në minutën e 83-të. Tri minuta më pas, Viktori përmbysi shifrat duke kaluar në avantazh me autogolin e Muscat. Një episod që shkaktoi kaos në fushë, pasi miqtë pretendonin prekje të topit nga Berisha dhe pozicion të parregullt.
Me gjyqtarin që kërkoi ndihmën e asistentit për të vendosur, fillimisht Berisha debatoi me mbrojtësin Franjiç, ndërsa më pas gjestet e tij ndaj portierit Bouzanis rritën tension në fushë.
Situata kaotike vijoi edhe në minutat e fundit, kur sulmuesi i mirënjohur i Melburn Sitit, Tim Cahill u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa po bëhej gati të aktivizohej në fushë si zëvendësues.
Në fund festa ishte e Melburn Viktori dhe Besart Berishës, me sulmuesin shqiptar që ngjitet në kuotën e 14 golave sezonalë dhe kryeson listën e golashënuesve më të mirë në A-League australiane.
Biznesi i vogël kuotë fikse 1.5% të xhiros, mbi të gjitha pulla fiskale
Deputetja e PD, Jorida Tabaku vlerëson se platforma ekonomike e PD mbështet fuqizimin e biznesit në vend. Përmes një reagimi, Tabaku sqaron se masat e parashikuara nga PD i japin zgjidhje shqetësimeve të ngritura nga bizneset. “Do të vendosim taksën e sheshtë 9% për të ardhurat personale, 9% për fitimin e korporatave dhe 9% për kontributin e sigurimeve shoqërore për punëdhënësin dhe punëmarrësin.
Biznesi i vogël do të ketë një kuotë fikse përafërsisht të barabartë me 1.5% të xhiros, mbi të gjitha pulla fiskale tek këto biznese. Do të ulim TVSH-në në një shkallë të vetme tatimore prej 15% dhe pothuaj pa përjashtim ekzekutivi do të shndërrohet nga një superqeveri me superadministratë në një qeveri të vogël. Të gjitha këto kanë për qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të biznesit. Taksa e sheshtë thjeshtëson sistemin kompleks tatimor ekzistues, rikthen investimet e huaja në Shqipëri e ul infomalitetin. Administratë e vogël eficente në shërbim jo si rojtare e biznesit”, tha Tabaku.
Duke iu referuar pyetësorit të zhvilluar së fundmi nga BERZH, Tabaku tha: “As një vit pas vëzhgimit të Dhomës amerikane të Tregtisë, si dhe asaj të Dhomës gjermane të Tregtisë që evidentonin problemin kryesor të klimës ekonomike në vend tek taksat e larta, korrupsioni dhe tarifat e shtrenjtuara, vjen edhe vrojtimi i BERZH. Shqipëria, sipas vrojtimit të BERZH, ka 6 zëra problematikë, të cilët ndahen në dy grupe të mëdha: pjesa e ndershmërisë së qeverisjes dhe pjesa e politikave ekonomike. Korrupsioni na rendit të tretët në rajon, me një vlerësim 6.3 ndërkohë që para nesh janë Serbia dhe Kosova. Në fushën e informalitetit renditemi po kështu ndër tre vendet e para, duke regjistruar 16.8 pikë që është më shumë se sa mesatarja e rajonit”, thekson Tabaku. Në regjimin e taksave, vendi jonë vazhdoi të vuajë politikën fiskale si pengesë për bizneset duke qenë vetëm pas Malit të Zi dhe Serbisë. Sakaq energjia elektrike që për kryeministrin nuk është rritur, por ulur, konsiderohet nga bizneset si barrierë, saqë shënon 13 pikë, ndërsa mesatarja e rajonit është 5 pikë. Sikundër problematik shfaqet edhe administrimi fiskal, që na rendit të parët në rajon.