19.5 C
Tirana
E shtunë, 24 Maj, 2025

Sokol Cikalleshi: Kisha shumë oferta, por zgjodha Akhisar

Kur të gjithë mendonin se do të qëndronte te Istanbul Basaksehir të paktën deri në përfundim të këtij sezoni, në ditën e fundit të merkatos së dimrit, Sokol Cikalleshi vendosi të ndryshonte skuadër. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionatit turk, por tashmë do të mbajë veshur fanellën e Akhisar Belediye, ekip tek i cili do të luajë për 6 muajt e ardhshëm në formë huazimi nga Istanbul Basaksehir. Në një lidhje telefonike për mediat, 26-vjeçari kavajas shpjegoi se përse zgjodhi të kalonte te Akhisar edhe pse në drejtim të tij kishte shumë oferta, nga kampionate të ndryshme.
Mungesa e hapësirave në muajt e fundit dhe dëshira e madhe për të luajtur, bëri që Cikalleshi të merrte vendimin e papritur për t’u larguar nga Istanbul Basakehir, por edhe pse tashmë do të mbrojë ngjyrat e një tjetër ekipi në kampionatin turk, Cikalleshi vazhdon ta ndiejë veten pjesë e skuadrës nga Stambolli dhe shpreson që Basaksehir të fitojë titullin kampion.
Kombëtarja shqiptare ishte një tjetër faktor shumë i rëndësishëm në zgjedhjen e sulmuesit, sepse Cikalleshi është i bindur se duke luajtur rregullisht te Akhisar, do të ketë më shumë hapësira edhe te përfaqësuesja kuqezi.

Kina dhe Anglia, superfuqi në merkaton e dimrit

Me mbylljen e merkatos dimërore tashmë mund të bëhen edhe llogaritë përfundimtare të shpenzimeve që skuadrat kanë bërë në dritaren e mesit të sezonit ku padyshim surpriza është Kina që ka arritur të parakalojë edhe disa nga tregjet më të rëndësishme europiane, por jo Premier League. Shpenzimet marramendëse nga Lindja e Largët arrijnë kufirin e 219 milionë eurove, ndërsa në Angli vazhdojnë të shpenzojnë shumë të mëdha sepse Premier League rikthehet në krye me plot 232 milionë. Gjithsesi, nëse do të bëhet një krahasim me merkaton dimërore të vitit 2016, kinezët janë treguar disi më dorështrënguar pasi një vit më parë derdhën 345 milionë, duke zbritur në vendin e dytë Anglinë.
Por nëse Kina tashmë është një realitet, surpriza e vërtetë vjen nga Ligue 1 që ka shpërthyer në blerje të shtrenjta me 151 milionë euro të shpenzuara, e ndjekur nga Bundesliga me 99 milionë, ndërsa Serie A mbyll klasifikimin me 96 milionë. Në dhjetëshen e parë të lojtarëve më të shtrenjtë, kryeson Ocsar me 60 milionë, i ndjekur nga Draxler 40 milionë dhe Gabriel Jesus, i cili u zhvendos te Manchester City për 32 milionë euro. Por nëse e ka bërë Kina transferimin më të kripur, është Ligue 1 që kryeson me Paris Saint Germain në klasifikimin e klubeve që kanë shpenzuar më shumë. Parisienët nxorën nga arka e tyre 70 milionë të ndjekur nga Shanghai SIPG me 3 milionë më pak dhe Tianjin Quanjian me 48.5 milionë euro. Ka nga ata që shpenzojnë, por ka edhe nga ata që arkëtojnë. Kështu, Chelsea ka përfituar nga merkatoja e dimrit plot 66.9 milionë euro të ardhura, por nuk mbetet pas as Benfica që shitjet e shtrenjta i ka kthyer në një traditë dhe Wolfsburgu që arkëtoi jo pak nga largimi i Draxler.

Goditjet e orëve të fundit në Europë

Nga Manolo Gabbiaddini, për të vazhduar me Jese Rodriguez apo edhe Salvatore Sirugun. Dita e fundit e merkatos në Europë u mbyll me disa goditje të rëndësishme dhe me perspektivë për të ardhmen. Kalimi i Manolo Gabbiaddinit nga Napoli te Southampton bëri jo pak bujë, kjo edhe për faktin se klubi i Shenjtorëve shpenzoi 17,5 milionë euro, plus 3 të tjera në formë bonusesh për të firmosur me 25-vjeçarin italian. Gabbiadini firmosi për 4 vite e gjysmë me Southamptonin, ndërsa u shfaq shumë i lumtur për kalimin e tij në Premier League.
Një tjetër transferim me peshë ishte ai i Jese Rodriguez, i cili la Paris Saint Germain-in për t’u rikthyer në La Liga te skuadra e vendlindjes së tij, Las Palmasi. 23-vjeçari u huazua, nga kampionët e Francës, te skuadra nga Ishujt Kanarie deri në përfundim të këtij sezoni, ndërkohë që në verë me shumë gjasa, Jese nuk do të blihet nga Paris Saint Germain-i dhe pritet të rikthehet te Reali i Madridit që zotëron kartonin e tij. Salvatore Sirugu ndërkohë la Sevillan duke u huazuar për pjesën e mbetur të këtij sezoni te skuadra e Osasunas.
Watfordi arkëtoi një shumë të majme parash nga shitja e sulmuesit nigerian Odion Ighalo te skuadra kineze e Changchun Yatai për 24 milionë euro. Crystal Palace përveç Sakho nga Liverpooli bleu për 8 milionë euro nga Olympiakosi, mesfushorin serb Luka Milivojeviç. Në Francë, skuadra e Lille ishte një nga më aktivet duke bërë plot 5 goditje në orët e fundit, teksa spikasin transferimet e El Ghazit nga Ajaxi Ricardo Kishnas nga Lazio.

Basha: Rama detyroi BE të vendosë zgjedhjet si kusht

“Zgjedhjet e lira janë kusht kryesor për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Rezoluta e djeshme e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian e ka theksuar edhe një herë zyrtarisht këtë gjë. Ky kusht vërteton edhe një herë se plani i Edi Ramës për të manipuluar, vjedhur dhe shkatërruar zgjedhjet është rrënues për të ardhmen e vendit dhe për stabilitetin e Shqipërisë. Katër vjet qeverisje nga Edi Rama e ka detyruar Evropën t’i vendosë Shqipërisë një kusht elementar demokratik: zgjedhjet e lira”, thuhet në reagimin e kreut të PD, Basha në lidhje me rezolutën e PE.

Flekenshtajn: Po u prekën zgjedhjet, harrojini negociatat

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn, paralajmëron se nëse në zgjedhjet e qershorit do të ketë parregullsi, rrezikohet mos-hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në një intervistë ekskluzive për ABC NEWS, ai thotë se kusht për negociatat janë zgjedhjet dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Komisioni i punëve të jashtme votoi pro draftrezolutës tuaj. Ju jeni për hapje të negociatave të anëtarësimit sapo të fillojë të zbatohet reforma në drejtësi veçanërisht ligji i Vetingut. Por raportuesi në hije zoti Kyutchyuk tha, që zgjedhjet do të jenë një test i vërtetë për negociatat.
-Ç’rol luajnë ato përfundimisht?
Në terma realiste, negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve dhe vetëm pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi. Sigurisht, nëse zgjedhjet do jenë një katrahurë, asnjë nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë. Kjo është e qartë. Duhet të insistojmë për këtë. Unë mendoj, se ka shanse që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, jo me shitblerje të votave, por duke respektuar vullnetin e votuesve.
-Ju u shprehët mbi reformën në administratë që ritmi i progresit nuk ishte ai që prisnit. Pse?
Ne ishim dakord, që janë bërë hapat e para të reformës dhe kjo është për t’u përshëndetur. Por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë dhe besoj që kjo është e qartë edhe për qeverinë shqiptare. Hapat që janë ndërmarrë deri tani nuk shënojnë fundin e procesit. Lufta kundër korrupsionit është një pjesë e rëndësishme edhe në këtë kuadër. Janë bërë hapa të rëndësishëm dhe presim që të bëhen të tjerë në të ardhmen. Le të flasim hapur, një reformë të drejtësisë si atë të aprovuar në Shqipëri, vendet e tjera e bëjnë gjatë proçesit të negociatave të anëtarësimit, kështu që Shqipëria është goxha e avancuar në këtë drejtim, por s’ka përfunduar ende procesin.
-A jeni dakort me zotin Kukan për luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit të kanabisit dhe trafikut të drogës në Shqipëri? Amendamenti i tij ishte i rreptë.
Është e qartë se lufta kundër krimit të organizuar së bashku me luftën kundër korrupsionit janë dy kritere për të cilat qytetarët shqiptarë kanë pritshmëri të lartë dhe jo zoti Juncker apo raportuesi për Shqipërinë këtu. Çdo qeveri shqiptare do të gjykohet mbi mënyrën se si sfidon luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Mediu në SHBA: Ballkani i shqetësuar nga provokimet ruse dhe trafiku i drogës

Në Komitetin e Sigurisë u zhvillua Forumi i Dytë për Terrorizmin dhe Sigurinë Kibernetike me inisiative të Senatorit Jim Inhofe dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në këtë takim morën pjesë Senatori Mike Rounds, Senatori Mike Perdue, Kongresmeni JOHN Ratcliffe, Kongresmeni Robert Aderholt si dhe James Carafano, një nga njerëzit kryesorë për sigurinë në ekipin e tranzicionit të Presidentit Trump.
Pjesë e këtij forumi ishin përfaqësues nga pothuaj gjithë vendet e Ballkanit, anëtarë të Bundenstagut, Parlamentit Evropian dhe Austrisë. Në këtë takim të drejtuar nga Senatori Inhofe dhe z.Mediu, në emër të Shqipërisë foli ish-kryeministri Majko, ndërkohë që një tjetër i ftuar nga Shqipëria ishte edhe deputeti Astrit Veliaj. Mediu parashtroi në fillim të takimit situatën e vështirë në Ballkan, provokimet dhe tensionet etnike, ndërhyrjen ruse, pretendimin e saj për të ndërtuar një aleancë ushtarake në Ballkan për t’ju kundërvënë zgjerimit të NATO-s.
Situata në vendet e Ballkanit është shqetësuese përveç problemit të “foreign fighters” dhe kthimit të tyre, situata e krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikut të drogës e bën problemin më prezent dhe shqetësues. Mediu theksoi po ashtu se, situata në Shqipëri dhe mungesa e vullnetit të qeverisë po vendos në rrezik serioz zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat janë vendimtare për Shqipërinë. Të gjithë folësit theksuan nevojën e bashkëpunimit rajonal dhe luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe njohjen dhe marjen e masave kundër “Cyber threat”. Senatorët dhe kongresmenët, si dhe zoti Carafano shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin konkret dhe angazhimin e administratës Trump në këtë marrëdhënie.‎

Rama në zyrën e Metës, presion për të votuar ligjin e plehrave

Ndryshe nga sa u tha nëpër media, takimi i sotëm 45 minutësh i kryeministrit Rama me kreun e Kuvendit Ilir Meta, nuk ka qenë edhe aq i fokusuar për çështjen “Manjani”. Për të dy, kjo histori tashmë konsiderohet e mbyllur. Çështja e madhe që ju ka ngelur zvarrë dhe ku duket se nuk po dakortësohen është ajo, për ligjin e importit të mbetjeve. Rama po përdor çdo mënyrë edhe të jashtëligjshme, që ta shtyjë sa më shumë hedhjen në votim deri sa të bindë Ilir Metën për votat. Por ky i fundit vazhdon të “mendohet”, edhe pse afatet ligjore janë shkelur me të dyja këmbët. Burime zyrtare nga Kuvendi kanë pranuar, se ndryshimet në ligjin për importin e mbetjeve nuk do të votohet në seancën e së enjtes në Kuvend, ndryshe nga sa ishte parashikuar. Sipas tyre, kjo po ndodh jo për faj të tyre, por të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese me kryetar lobuesin kryesor të këtij ligji të rrëzuar nga presidenti, Eduart Shalsi. Sipas rregullores së Kuvendit, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, drejtuar nga deputeti socialist Eduart Shalsi, duhet të kishte diskutuar dhe votuar ligjin ditën e djeshme ose të sotme, e më pas ta kalonte atë për votim në Kuvend. Por për arsye ende të panjohura, ky komision nuk është mbledhur dy ditët e fundit. Për rrjedhojë, diskutimi dhe votimi i ligjit të importit të plehrave nuk është përfshirë në rendin e ditës së seancës parlamentare që do zhvillohet nesër. Ligji, i shumëdiskutuar dhe kundërshtuar, për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani. Ky i fundit e riktheu ligjin në Parlament që më 14 tetor të vitit 2016, por që atëherë ai është bllokuar në komisionin e drejtuar nga Shalsi dhe në mënyrë të kundra ligjshme, nuk po çohet në seancë plenare për votim. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit. Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) më datë 11 janar i ka shprehur shqetësimin kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për “shmangien” që Komisioni parlamentar për Mjedisin po i bën dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit të plehrave. AKIP, me anë të një letre, shprehet se Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin po shkel procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit. Sipas ligjit, kur Presidenti kthen një ligj në Kuvend, kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit, duhet të kthejë përgjigje brenda 8 javëve. Por Shalsi vazhdon të refuzojë të kryejë detyrën e tij, duke e futur punën e Kuvendit për këtë çështje në një proces të jashtëligjshëm.

SYRI.net

Rritje me 50% e çmimit të perimeve

Çmimet e prodhimeve vendase të stinës kanë shënuar një rritje jo të zakontë ditët e fundit, si pasojë e dëmeve që krijuan temperaturat ekstreme të fillimmuajit. Sipas një vëzhgimi në tregjet me pakicë të kryeqytetit, është konstatuar një rritje me 50% e çmimit të spinaqit, preshit, sallatës jeshile, lulelakrës, brokolit, etj. Një kilogram nga këto perime kushton më shumë se 300 lekë dhe në disa pika në qendër të kryeqytetit arrin deri në 350 lekë. Tregtarët pohojnë se, vitet e fundit, çmimi i këtyre produkteve në këtë periudhë varionte në rreth 200 lekë për kilogramë, por sipas tyre oferta për produktet vendase është rrudhur shumë nga i ftohti i janarit. Prodhimi i brokolit dhe spinaqit të fushës është dëmtuar thuajse tërësisht. Kjo situatë jo vetëm që ka cenuar rëndë fitimet e fermerëve, por po ndikon edhe në xhepat e konsumatorëve, shumica e të cilëve nuk mund të përballojnë çmime të tilla. Ilir Mile, nga Shoqata e Fermerëve Rrupaj në Krutje të Lushnjës pohoi pak ditë më parë për “Monitor” se, temperaturat e ftohta në minus disa gradë, që zgjatën për disa ditë, i kishin dëmtuar të gjitha të mbjellat në fushë dhe serra. Mile tha se dëme janë krijuar më tej për fidanët dhe perimet e stinës dhe domatet për eksport. Fermerë të tjerë kanë pohuar se i ftohti ka lënë një faturë të lartë pas. Një pjesë e madhe e agrumeve, portokajve, mandarina dhe limonë do të kenë prodhim të kufizuar këtë vit, pasi filizat që janë dedikuar për prodhim këtë vit, janë dëmtuar. Do të duhet të paktën një vit që këto pemë të rikuperohen. Në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 49% të buxhetit për ushqime, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, kjo peshë luhatet në 33-37% (Kosova 43%), duke bërë që vendi ynë, për fatin e keq të qytetarëve të saj, të krahasohet vetëm me shtetet afrikane, si Kenia, Nigeria, Kameruni. Cilat vende shpenzojnë më shumë për ushqime? Fatkeqësisht Shqipëria krahasohet me Afrikën… Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimeve të ushqimeve bazë rëndon ndjeshëm mbi buxhetin e pjesës më të madhe të familjeve shqiptare.

Qeveria do të japë me koncesion shërbimin e anijeve detare

Qeveria do të japë me koncesion shërbimin e anijeve detare në të gjitha portet e vendit. Ministria e Transporteve shpalli zyrtarisht tenderin në agjencinë e prokurimeve publike. Sipas dokumenteve zyrtare, kontrata do të ketë një vlerë prej 191.8 milionë lekë ose afro 1.5 milionë euro. Përmes saj qeveria do i transferojë privatit për një periudhë 5-vjeçare monopolin e shërbimit të anijeve detare në portin e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Sarandës, Romano Port dhe atë të Petroliferës në Vlorë, si dhe të gjitha portet e hapura në Shqipëri. Pas përfundimit të këtij afati investimi i transferohet sërish shtetit. Ministria e Transporteve njoftoi se tenderi do të zhvillohet në datën 24 shkurt dhe do të jetë i hapur për të gjitha kompanitë e interesuara. Fituesi do të vlerësohet në bazë të 7 kritereve të paracaktuara, ku përfshihen tarifat që kompania private do të kërkojë për shërbimin e anijeve, cilësia e pajisjeve, si dhe të ardhurat që ajo do të derdhë në shtet. Të dhënat zyrtare tregojnë se transporti detar mbetet një nga rrugët kryesore të tregtisë. Aktualisht përmes porteve të vendit transportohen 3 milionë tonë mallra dhe udhëtojnë rreth 1.5 milionë pasagjerë në vit.

Rezoluta e PE: Zgjedhjet e lira, kusht kryesor për hapjen e negociatave të BE

Brukseli vendos zhvillimin e zgjedhjeve të lira si kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në një diskutim të draft raportit 2016 për Shqipërinë nga Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, eurodeputetët e Parlamentit Evropian kanë theksuar se, “Shqipëria ka nevojë të zbatojë reformat lidhur me BE-në në mënyrë të besueshme dhe të sigurojë që zgjedhjet parlamentare të qershorit të jenë të lira dhe të ndershme, në qoftë se ajo kërkon të fillojë negociatat për anëtarësim në BE”. Eurodeputetët mirëpresin progresin e Shqipërisë në reformat lidhur me BE-në dhe përpjekje të mëtejshme për të reformuar sektorin gjyqësor, i cili është një kërkesë kyçe e qytetarëve të Shqipërisë dhe një faktor në rivendosjen e besimit në institucionet publike. Ndërsa, përjashtimi i kundravajtësve penalë nga postet publike dhe rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë hapa premtues përpara, eurodeputetët mbetën të shqetësuar për drejtësinë selektive, korrupsionin, procedurat e stërgjatura gjyqësore dhe ndërhyrjet politike në hetime apo çështje gjyqësore […] Eurodeputetët theksojnë se, zbatimi i besueshëm i këtyre reformave dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor të vitit 2017 mund të jetë një çelës për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe nisjen e negociatave. Draft raporti, si dhe amendimet e propozuara nga anëtarët e Komitetit për Punët e Jashtme, në mënyrë të qartë tregojnë debatin e brendshëm në BE për “pesë kushtet” që shkaktuan shumë debat e konfuzion në politikën shqiptare, kur KE vendosi të mos japë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë. Amendimet e propozuara e pasqyrojnë këtë debat. Draft raporti i raportuesit Knut Fleckenstein (S & D) përmban paragrafin e mëposhtëm: “Për implementimin e paketës së reformës gjyqësore, reformën zgjedhore dhe të ashtuquajturit ligj dekriminalizimin është i rëndësishëm në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe përfaqësuesve politikë”. Ndryshim i eurodeputeti Eduard Kukan (EPP) propozon forcimin e gjuhës për sa më poshtë:[…] ndërsa  Shqipëria ka bërë progres drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim dhe progresi të qëndrueshëm në pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim; ndërsa implementimin e mëtejshëm, ndër të tjera, të paketës së reformës gjyqësore, reformën zgjedhore dhe të ashtuquajturit ligj dekriminalizimin janë të domosdoshme për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe përfaqësuesve politikë; Pra, ndërsa deputeti i krahut të majtë Fleckenstein flet në përgjithësi për “progres” në lidhje me “procesin e anëtarësimit”, amendamenti i propozuar i eurodeputeti konservator Kukan, pasqyron pikëpamjet “gjermane”, duke përfshirë në mënyrë të qartë edhe “pesë prioritetet kyçe” dhe “domosdoshmërinë” e jo thjeshtë “rëndësinë” e zbatimit të reformës në drejtësi, ligjit të dekriminalizimit dhe miratimin e reformës zgjedhore. Deputetët liberalë, pjesë e ALDE, në anën tjetër, kërkuan për të specifikuar më tej gjuhën e raportit të Knut Fleckenstein, duke veçuar ligjin e vettingut si më të rëndësishmin në të gjithë paketën e reformës në drejtësi. Ata, gjithashtu, propozuan një amendament ku shumica qeverisëse dhe opozita të adresojnë sfidat “në frymën e dialogut, bashkëpunimit dhe kompromisit”. Disa deputetë grekë, përfshirë ato që përfaqësojnë Agimin e Artë, ekstremin e djathtë, propozuan rezoluta të ndryshme për të zbutur ose hequr ndonjë pjesë në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe shtimin e kërkesave ndaj qeverisë shqiptare për të respektuar të drejtat e minoritetit grek.