Brukseli vendos zhvillimin e zgjedhjeve të lira si kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në një diskutim të draft raportit 2016 për Shqipërinë nga Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, eurodeputetët e Parlamentit Evropian kanë theksuar se, “Shqipëria ka nevojë të zbatojë reformat lidhur me BE-në në mënyrë të besueshme dhe të sigurojë që zgjedhjet parlamentare të qershorit të jenë të lira dhe të ndershme, në qoftë se ajo kërkon të fillojë negociatat për anëtarësim në BE”. Eurodeputetët mirëpresin progresin e Shqipërisë në reformat lidhur me BE-në dhe përpjekje të mëtejshme për të reformuar sektorin gjyqësor, i cili është një kërkesë kyçe e qytetarëve të Shqipërisë dhe një faktor në rivendosjen e besimit në institucionet publike. Ndërsa, përjashtimi i kundravajtësve penalë nga postet publike dhe rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë hapa premtues përpara, eurodeputetët mbetën të shqetësuar për drejtësinë selektive, korrupsionin, procedurat e stërgjatura gjyqësore dhe ndërhyrjet politike në hetime apo çështje gjyqësore […] Eurodeputetët theksojnë se, zbatimi i besueshëm i këtyre reformave dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor të vitit 2017 mund të jetë një çelës për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe nisjen e negociatave. Draft raporti, si dhe amendimet e propozuara nga anëtarët e Komitetit për Punët e Jashtme, në mënyrë të qartë tregojnë debatin e brendshëm në BE për “pesë kushtet” që shkaktuan shumë debat e konfuzion në politikën shqiptare, kur KE vendosi të mos japë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë. Amendimet e propozuara e pasqyrojnë këtë debat. Draft raporti i raportuesit Knut Fleckenstein (S & D) përmban paragrafin e mëposhtëm: “Për implementimin e paketës së reformës gjyqësore, reformën zgjedhore dhe të ashtuquajturit ligj dekriminalizimin është i rëndësishëm në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe përfaqësuesve politikë”. Ndryshim i eurodeputeti Eduard Kukan (EPP) propozon forcimin e gjuhës për sa më poshtë:[…] ndërsa Shqipëria ka bërë progres drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim dhe progresi të qëndrueshëm në pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim; ndërsa implementimin e mëtejshëm, ndër të tjera, të paketës së reformës gjyqësore, reformën zgjedhore dhe të ashtuquajturit ligj dekriminalizimin janë të domosdoshme për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe përfaqësuesve politikë; Pra, ndërsa deputeti i krahut të majtë Fleckenstein flet në përgjithësi për “progres” në lidhje me “procesin e anëtarësimit”, amendamenti i propozuar i eurodeputeti konservator Kukan, pasqyron pikëpamjet “gjermane”, duke përfshirë në mënyrë të qartë edhe “pesë prioritetet kyçe” dhe “domosdoshmërinë” e jo thjeshtë “rëndësinë” e zbatimit të reformës në drejtësi, ligjit të dekriminalizimit dhe miratimin e reformës zgjedhore. Deputetët liberalë, pjesë e ALDE, në anën tjetër, kërkuan për të specifikuar më tej gjuhën e raportit të Knut Fleckenstein, duke veçuar ligjin e vettingut si më të rëndësishmin në të gjithë paketën e reformës në drejtësi. Ata, gjithashtu, propozuan një amendament ku shumica qeverisëse dhe opozita të adresojnë sfidat “në frymën e dialogut, bashkëpunimit dhe kompromisit”. Disa deputetë grekë, përfshirë ato që përfaqësojnë Agimin e Artë, ekstremin e djathtë, propozuan rezoluta të ndryshme për të zbutur ose hequr ndonjë pjesë në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe shtimin e kërkesave ndaj qeverisë shqiptare për të respektuar të drejtat e minoritetit grek.
Masakra me by passin e Gjirokastrës, 5 milionë euro për të shkatërruar monumentet e kulturës
Vincent van Gerven Oei
Më 10 nëntor 2015, “Atelier Albania”, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministria e Kulturës hapën konkursin ndërkombëtar të arkitekturës për “Projektimin e by pass-it në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, Gjirokastër”. Gjirokastra është ndërtuar në një zonë arkeologjike, me banesa të periudhës mesjetare të hershme. Gjithashtu, Gjirokastra është qyteti i ruajtur më mirë nga periudha otomane në Ballkan.
Gjatë prezantimit të konkursit dhe të tri finalistëve, drejtoresha e AKPT, Adelina Greca u vrenjt, kur fituesi i projektit, “Atelier 4” – klient i rëndësishëm i qeverisë Rama, u shpall përpara prezantimit dhe procesit të vlerësimit nga juria. Kjo firmë është përfshirë në shumë projekte, ku ndër to bën pjesë edhe ndërtimi i stadiumit “Qemal Stafa”. Projekti i by pass-it të Gjirokastrës financohet nga Banka Botërore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Garuesit e tjerë ishin bashkimi i kompanive “SON Group”, “C+S Cappai Associates” dhe “F&M Ingeneria” në bashkëpunim me “Metropolis” dhe “Cultural Heritage Without Borders”, si dhe një organizatë jofitimprurëse e specializuar në ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore. Propozimi fitues i “Atelier 4” për by pass-in e Gjirokastrës u miratua më 13 shtator 2016, nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR), por tani duket se propozimi final ka ndryshuar nga ai fitues, duke u kthyer në një kërcënim për monumentet e kulturës të mbrojtura nga UNESCO.
Shkelje e zonave të mbrojtura
Në thirrjen e parë kërkohej që by pass-i “të vendosej në rrethinat e Qendrës historike dhe të zonës së mbrojtur”. Sepse duke ndërhyrë në brendësi të zonës së mbrojtur, projekti shkel ligjin e Trashëgimisë Kulturore, i cili parashikon se:
Zonat-muze, ansamblet-muze, qendrat historike, parqet arkeologjike janë kategori objektesh në grup, që ruhen në tërësinë e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore. Në këto kategori objektesh është e ndaluar çdo lloj ndërtimi i ri, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionit.
Përveç kësaj, by pass-i i Gjirokastrës shkel Konventën e Shqipërisë për Restaurimin (VKM nr. 426, 13 korrik 2007). Pavarësisht kuadrit ligjor ekzistues, Rregullorja për Mbrojtjen, Ruajtjen dhe Administrimin e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur të Gjirokastrës e miratuar nga qeveria Rama me VKM, Nr. 619, më datë 7 korrik 2015, parashikon se, “Ndërtime të reja në qendrën historike përveç përmirësimit të infrastrukturës rrugore, rrjeti inxhinierik, si dhe rindërtimet e sipërmendura”. Me fjalë të tjera, vendimi i qeverisë Rama shkel Ligjin e Trashëgimisë Kulturore me qëllimin e vetëm për të lejuar zbatimin e projektit të by pass-it të Gjirokastrës, e tenderuar për një nga klientët e tij të preferuar. Le të shikojmë ku qëndrojnë shkeljet në këtë projekt.
Shkelje në termat e referencës
Përveç faktit që projekti i by pass-it të Gjirokastrës është tashmë në shkelje të ligjeve të vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të paktën projekti i propozuar duhet të japë zgjidhje me impakt më të vogël në zonat e mbrojtura. Propozimi fitues i “Atelier 4” vendos 90 për qind të të gjithë by pass-it në zonën e mbrojtur, në qendrën historike të Gjirokastrës dhe vetëm një pjesë prej 10 për qind, të ashtuquajturën “Zonën Buffer”, jashtë saj. Nga të tria propozimet, propozimi i “Atelier 4” është ai që dëmton më shumë zonën e mbrojtur.
Shkatërrimi i monumenteve të kulturës
Projekti i “Atelier 4” përfshin shkatërrimin e dy monumenteve kulturore të Nivelit II, si dhe ndërhyrjen në themelet natyrore të Kështjellës së Gjirokastrës, e cila është planifikuar për gërmime arkeologjike. Duke vepruar në këtë mënyrë, propozimi thjesht zhvendos trafikun nga zona e pazarit në zonat përreth kështjellës, duke shkatërruar zonën e gjelbër për këmbësorët. Asnjë studim paraprak për transportin nuk është bërë dhe nuk ka asnjë provë se projekti i by pass-it do të lehtësojë realisht trafikun.
Dyfish më i shtrenjtë
Projekti i diskutuar dhe i miratuar nga KKR është thelbësisht ndryshe nga projekti i shpallur fitues në konkursin e “Atelier Albania”. Ai është dy herë më i shtrenjtë se sa projekti fillestar. Projekti tani kushton pesë milionë euro dhe më shumë se 50 për qind e planit është ndryshuar. Kjo në mënyrë automatike e nxjerr të pavlefshëm të gjithë konkursin. Figurat e mëposhtme tregojnë propozimin fillestar të “Atelier 4” dhe propozimin e miratuar nga KKR.
Aktiviteti sizmik
Të paktën tri studime të pavarura gjeologjike dhe sizmike të vitit 1980, 2006 dhe 2012, përfshirë një projekt të drejtuar nga Ministria e Kulturës, tregojnë se by pass-i është planifikuar mbi zonë sizmike. Ajo ndodhet mbi një çarje tektonike shumë të rrezikshme. Asnjë masë parandaluese në lidhje me rrezikun e aktivitetit sizmik nuk është parashikuar në propozim.
Përtej kërcënimit të menjëhershëm në trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës, efektet e zbatimit të projektit të by pass-it do të shtrihen në kohë. Sipas “Cultural Heritage Without Borders”, në Gjirokastër ka të paktën 169 monumente kulturore të kategorisë II dhe I të ndodhura brenda qendrës historike të mbrojtur, janë në kushte kritike.
Në vitin 2011, Qendra Botërore e Trashëgimisë UNESCO kërcënoi se do ta vendoste Gjirokastrën në listën e Trashëgimive Kulturore Botërore në rrezik, nëse qeveria nuk plotësonte kriteret. Por asnjë nga këto kritere nuk janë përmbushur nga qeveritë shqiptare. Paratë e shpenzuara në projektin e keqplanifikuar të by pass-it mund të ishin shpenzuar më mirë për restaurimin e monumenteve kulturore, të cilat janë në rrezik shembjeje.
Këtë verë, një ekip vlerësuesish ndërkombëtarë të ICOMOS po planifikojnë të vizitojnë Gjirokastrën për të vendosur për progresin e bërë për mbrojtjen e qytetit. Por, për qeverinë, të tregojë një rrugë të re, dy monumente të shkatërruara dhe 169 monumente të tjera në rrezik është nisja më e mirë për këtë vlerësim.
Zbardhet kredia skandaloze e KESH, Korporata kërkon rritje çmimi të energjisë
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke i bërë presion Entit Rregullator të Energjisë të rrisë çmimin e energjisë duke përdorur si mjet presioni, një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kredia prej 218 milionë euro u firmos në verën e vitit të kaluar për të zëvendësuar gati 30 miliardë lekë borxhe afatshkurtra, që KESH ka marrë nga bankat vendase. Por kushtet e kredisë janë të paprecedentë dhe cenojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve, por madje edhe sovranitetin kombëtar të vendit.
“SYRI.net” zbardh ekskluzivisht marrëveshjen e kredisë, anekset e së cilës imponojnë rritjen e menjëhershme çmimit të energjisë, që përfiton KESH dhe arrijnë deri aty sa të sanksionojë se për të shkarkuar drejtorin e KESH qeveria duhet të marrë lejen e BERZH. “Kjo kredi është e paprecedentë. Ajo jo vetëm që rrëzon plotësisht pavarësinë e Entit Rregullator duke imponuar me detyrim rritjen e çmimit të energjisë, por e zhyt sistemin energjetik të vendit në një situatë të rrezikshme”, u shpreh një nga ekspertët më të njohur të sistemit energjetik në vend, që nuk ka dashur të identifikohet.
Çmimi
Të tre kompanitë publike të energjisë kanë aplikuar për çmimet e reja të energjisë, por Enti Rregullator vendosi ta shtyjë vendimin për në mars. Burime nga ERE treguan për “Syri.net” se komisionerët e këtij institucioni janë vënë përballë një presioni të paprecedentë nga Ministria e Energjisë dhe KESH. Aktualisht KESH përfiton 1.45 lekë për çdo kilovat orë energji që prodhon nga kaskada e Drinit. Por KESH pretendon se kredia e marrë nga BERZH, të cilën Parlamenti e miratoi me ligj të veçantë, imponon që pjesa e saj e çmimit të rritet automatikisht në 2.5 lekë për kilovat orë. Për këtë arsye Korporata po përdor kredinë për t’i bërë presion Entit Rregullator.
Por nëse Enti do të rrisë çmimin për KESH, atëherë ka vetëm dy rrugë për ta amortizuar këtë vendim ose të rrisë sërish çmimin fundor që paguajnë qytetarët dhe biznesi, ose të ulë pjesën që marrin kompanitë e tjera publike, OSHEE dhe OST. Ekspertët thonë se në të dyja rastet pasojat për sistemin energjetik dhe ekonominë do të ishin thellësisht negative.
Investime të dyshimta
Investimet e OSHEE dhe ato të OST shkojnë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë duke sjellë uljen e humbjeve, ndërsa ato të KESH janë investime, të cilat nuk kanë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Vitin e kaluar KESH i kërkoi Entit Rregullator ta autorizojë që të kryejë 7.3 miliardë lekë ose mbi 55 milionë euro investime me burime të brendshme. Shifra habiti shumë ekspertë të fushës, të cilët hodhën dyshime mbi eficencën se si përdoren këto fonde.
Vitin e kaluar Korporata shpenzoi 1.5 milionë euro vetëm për rindërtimin e godinës, ndërsa me kredinë e re nga BERZH ka autorizuar veten të investojë 10 milionë euro në turizëm, njësoj si të ishte një. Të gjitha këto shpenzime të padobishme godasin në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët dhe gjendjen e sistemit energjetik. Ato janë baza mbi të cilën llogaritet çmimi i energjisë, që paguajnë qytetarët dhe sa më të larta të jenë shpenzimet e padobishme, aq më shumë rritet çmimi që paguajnë konsumatorët.
Liberalizimi i tregut, “konflikt” KESH, OST dhe OSHEE për ndarjen e fitimeve
Ministria e Financave pohon se kredia 218 mln euro e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje. Por një nga këto kushte ka të bëjë pikërisht me çmimet e rregulluara të prodhimit dhe ato të shumicës!
Qeveria është në hapat finalë të liberalizimit të tregut të energjisë, por kompanitë publike OSHEE, OST dhe KESH janë vënë gati në një situatë konfliktuale me njëra-tjetrën se cila do të sigurojë fitimet më të larta nga “torta e liberalizimit”. Nga ana tjetër, në kontratën e garancisë për kredinë 218 mln euro dhënë KESH, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka kërkuar, krahas liberalizimit edhe rishikimin e çmimeve të rregulluara të prodhimit të energjisë dhe atyre të shumicës (të konfirmuara me shkrim), duke kushtëzuar lëvrimin me këto kushte.
Liberalizimi kërkon që kompanitë do të tregtojnë mallin dhe shërbimet me çmime të liberalizuara, në kushtet kur çmimi për konsumatorin fundor nuk do të ndryshojë. Kjo do të thotë se të ardhurat që realizohen nga shitja e energjisë elektrike do të shpërndahen në mënyrë të barabartë me kushte që asnjëra nga kompanitë të mos subvencionojë tjetrën. Duket se nga kjo situatë kërkon të fitojë KESH, e cila mësohet se po përdor dhe kredinë e fundit të BERZH prej 218 milionë eurosh (që zëvendësoi kreditë tregtare të bankave), ku BERZH ka kërkuar që KESH të ketë tregues të lartë financiarë, që mund të jenë të arritshme vetëm nëse rritet çmimi me të cilin ai i shet energjinë Operatorit të Shpërndarjes. Aktualisht KESH një kilovator energji e shet 1.45 lekë ndaj Operatorit të Shpërndarjes (OSHEE). Por me liberalizimin e tregut, OSHEE këtë energji që e merr nga KESH do ta shesë ndaj klientëve 35 kilovolt me çmime importi.
Agron Hetoja, drejtor i KESH, tha për “Monitor” se për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin, i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.
Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, tha se tashmë çmimet finale për konsumatorin familjar janë të vendosura dhe nuk bëhet fjalë të ketë rritje. Enti Rregullator i Energjisë ka metodologjinë e vet të llogaritjes së çmimit dhe dokumenti është miratuar tashmë nga qeveria. Për shpërndarjen nuk do të ketë rritje tarife. Ai tha se OSHEE ka propozuar një variant që të paguhet një pjesë e kësteve të kredisë që BERZH ka dhënë për shlyerjen e borxheve të KESH në banka. Çela pohoi se Ministria e Energjisë po udhëheq negociatat në mënyrë që rishikimi i tarifave të mos cenojë konsumatorin fundor dhe të gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme për të gjithë.
Ndërsa drejtori i KESH, Agron Hetoja, tha se modeli i tregut të energjisë, që ka në thelb liberalizimin, duhet të aplikohet edhe për KESH. Hetoja tha se logjikisht në një treg të liberalizuar, fitimet shkojnë për atë që shet mallin dhe më pak për ofruesit e shërbimit, ndaj sipas tij, kjo logjikë duhet të ndiqet edhe për tregun e energjisë. Hetoja tha se, për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.
Enti Rregullator i Energjisë në relacionin për mosndryshimin e tarifave vitin e kaluar ka vënë në dukje se OSHEE ka realizuar më 2015 fitime 10 herë më të larta se sa ishte parashikuar nga ERE në relacionin kur janë miratuar çmimet e reja të energjisë më 2014.
Kredia e BERZH lëvrohet automatikisht kur plotësohen kushtet, po cilat janë ato?!
Në fund të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë 218 ndërmjet KESH dhe BERZH. KESH, përmes kësaj huaje synon ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit. Sipas relacionit, ai synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë, shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit të garancive qeveritare).
Kredia nuk është lëvruar ende. Burime zyrtare nga Ministria e Financave pohuan se “kredia e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje”.
Po cilat janë këto kushte? Sipas kontratës zyrtare të përkthyer, një nga detyrat për të cilat qeveria është angazhuar, krahas liberalizimit të tregut, është se garantuesi (qeveria) do të “Rishikojë çmimet e rregulluara për prodhimin e energjisë elektrike dhe çmimet e tregut të shitjes me shumicë në linjë me përfundimin e kontratës afatgjatë për furnizimin/blerjen e OSHEE/KESH-it, me të ardhura në nivelet e tarifës për KESH-in të konfirmuara me shkrim në mënyrë të pëlqyeshme për BERZH” .
Pikërisht kjo pikë ka ngjallur dhe debat, teksa BERZH merr atribute për të vënë detyra të tilla si rishikimin e çmimeve, në një kohë kur me ligj një detyrë të tillë e ka Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Burimet nga Ministria e Energjetikës dhe OSHEE pohojnë se kredia 218 milionë euro që BERZH ka dhënë për KESH ka marrë në konsideratë që kompanitë do të operojnë me kushtet të tregut me çmime të liberalizuara, por në asnjë rast BERZH nuk vendos për çmimet, ato janë atribut i ERE.
Ligji i ri për energjinë i miratuar që ka hyrë në fuqi në vitin 2015 detyron kompanitë të operojnë me çmime të tregut dhe kjo reformë përfshin kompaninë e prodhimit të energjisë.
Bllokimi i linjës energjetike Kosovë-Shqipëri, çështja do të diskutohet në Bruksel
Deri në fund të muajit shkurt të këtij viti, autoritetet në Prishtinë presin që Serbia të zhbllokojë linjën e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo linjë ishte shpallur e përfunduar dhe inauguruar në qershor të vitit të kaluar. Për këtë projekt, janë shpenzuar mbi 75 milionë euro. Autoritetet e Kosovës presin që edhe kjo çështje të jetë një nga temat e diskutimit në bisedimet e Brukselit, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha se pret që hapja e çështjes së interkonjeksionit të dialogohet me Beogradin dhe kjo do të ndodhë që në takimin e radhës. Tahiri ka për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka shkelur marrëveshjen për energji, e cila ishte nënshkruar në vitin 2015 nga kryeministrat e të dy shteteve dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian.
“Dhe prej atëherë Serbia e ka bllokuar pavarësimin e KOST-it që është pjesë e marrëveshjes për energji dhe kjo që ka implikime edhe në çështjen e interkonjeksionit Kosovë–Shqipëri, e cila është gati, po nuk ka mundur të aktivizohet për shkak të bllokadës se Serbisë”, ka thënë Tahiri. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci tha se Republika e Serbisë ka kohë që vazhdon të interferojë në sistemin energjetik të Kosovës, dhe nuk e njeh pavarësinë e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
Sipas tij me kërkesë të Komunitetit të Energjisë me seli në Athinë, pritet që këtë proces Serbia duhet ta zhbllokojë deri në fund të muajit shkurt të këtij viti. “Problemi qëndron tek pala serbe nuk ka zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe ne kemi pasur një plan, i cili është lidhur direkt me anëtarësimin e operatorit të sistemit të transmisionit, KOSTT, në platformën ENTSO – që është Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji, ku një zonë e caktuar bëhet zonë e pavarur energjetike dhe këtu Serbia ka bërë bllokada në zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Stavileci.
Në vitin 2015, Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen në Sistemin Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës kontinentale. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar mes KOSTT–it në njërën anë, organizatës së Operatorëve Evropianë të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-e) dhe 29 operatorëve të grupit regjional të Evropës kontinentale. Por, Serbia nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje, kjo nuk e ka bërë të plotfuqishme atë pasi kërkohet nënshkrimi i të gjitha vendeve anëtare. Mustafë Hasani, shef ekzekutiv në KOSTT, ka treguar se me këtë marrëveshje KOSTT-i është bërë zonë kontrollues e pavarur në kuadër të zonës sinkrone të Evropës kontinentale. Por, shteti i Serbisë, sipas tij, për çështje politike dhe financiare po e bllokon këtë.
“Serbia e përvetëson një të hyrë financiare vjetore dhe këto të hyra janë prej 4-5 milionë euro, nga rrjedha e energjisë elektrike që ecën nëpër rrjet të transmisionit. Dhe, kështu asaj nuk i konvenon shumë të nënshkruajë këtë marrëveshje”. “Në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të hyrat nga alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimit të kongjestioneve i takojnë KOSTT-it. Pavarësisht kësaj, edhe për vitet që kanë kaluar, ne kemi bërë kërkesë që ato para të kthehen”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë. Hasani tha se në fund të vitit të kaluar, ENTSO i ka dërguar letër Serbisë që të nënshkruajë marrëveshjen deri më 21 shkurt, kur pritet të mbahet edhe takimi i Asamblesë së Përgjithshme.
Thaçi: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë të tensionuara, por dialogu s’ka alternativë
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë për “Telegrafin” disa orë para nisjes së takimit Kosovë-Serbi, tha se është e vërtetë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara, por se, sipas tij, dialogu nuk ka alternativë. Presidenti Thaçi tha se temë e bisedimeve do të jenë paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi. Thaçi në këtë intervistë për “Telegrafin” ka folur edhe për fletarrestet e Serbisë, murin në veri etj.
– Sonte pritet të zhvillohet takimi i radhës në nivel presidentësh, çfarë prisni nga ky takim kur dihen raportet e fundit Kosovë-Serbi?
Është me rëndësi që liderët e shtetit të Kosovës dhe të Serbisë po takohemi dhe po bisedojmë. Është e vërtetë që tensionet në mes dy vendeve janë ngritur në kohët e fundit, prandaj edhe është e rëndësishme që të ulen tensionet, të vazhdohet me punën e bërë deri tani për normalizim të marrëdhënieve, për ndërtim të bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor, sepse dialogu nuk ka alternativë.
– Cilat do të jenë temat e bisedimeve në këtë takim?
Si gjithmonë, temë e bisedimeve janë temat më prioritare për Kosovën, për qytetarët e Kosovës. Paqja, stabiliteti, bashkëpunimi janë gjithmonë temat e diskutimit.
– A do ta ngrini çështjen e fletarresteve, respektivisht arrestimin e Haradinajt në Francë, provokimet e Serbisë, çështjen e murit etj.?
Ne do të hapim çdo temë me rëndësi për qytetarët tanë, por çështja e murit është çështje e brendshme e jona. Këto tema me rëndësi për qytetarët tanë i hapim edhe në bisedimet me Serbinë, por edhe në takimet me protagonistët ndërkombëtarë, roli i të cilëve është thelbësor për të siguruar përkrahje, por edhe presion për të implementuar marrëveshjet që arrihen. Do të hapim edhe temën e të pagjeturve dhe çështje të tjera që kanë mbetur peng i politikës së shekullit të kaluar. Dialogu është për të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe të rajonit. Për t’u siguruar që do të jetojnë në paqe e prosperitet gjeneratat e tashme dhe ato të ardhshme.
– Meqenëse po bisedohet në nivel presidentësh a do të thotë se bisedimet janë në përfundim e sipër?
Bisedime do të ketë edhe në të ardhmen. E rëndësishme është që të ketë edhe implementim të marrëveshjeve të arritura. Edhe për këtë do të diskutohet.
– Tashmë kaloi afati ku me rezolutë ishte caktuar 31 janari si data e fundit për rrëzimin e murit në veri, si duhet të veprohet më tutje?
Institucionet e Kosovës e kanë bërë të qartë që ka kaluar koha e ndarjeve dhe mureve. Tash është koha e urave, e komunikimit, e bashkëpunimit, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Opozita në Kosovë kërkon zgjedhje të reja
Në Prishtinë, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën bënë thirrje të mërkurën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, për shkak të siç u tha, mosrespektimit nga ana e institucioneve të vendit të rezolutës së Parlamentit të Kosovës për rrënimin e murit në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Muri që është ngritur nga autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës, kishte nxitur reagime të shumta të autoriteteve dhe partive politike në Kosovë, të cilat thanë se ngritja e tij bie ndesh me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes në qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Autoritetet lokale serbe thonë se muri është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në funksion të rregullimit të mjedisit në atë zonë. Pas një takimi të mërkurën në Prishtinë, partitë opozitare bënë thirrje që të ndryshohet qeverisja e vendit.
“Si pasojë e mosrespektimit të vendimeve të Parlamentit të Kosovës dhe shkeljes së demokracisë në vend, e po ashtu për shkak të papërgjegjësisë në qeverisje që po i sjellë vendit dëme të konsiderueshme, zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kësaj qeverie dhe shkuarja në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e përbashkët e tri partive opozitare. Një ditë më parë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se çështja e afateve për rrënimin e murit duhet të respektohen nga institucionet e vendit ndërsa vuri në dukje që kjo çështje nuk do të diskutohet me autoritetet e Serbisë.
Trump si Ronald Regan?
“Defense Analysis”
Siç parashikohej, Donald Trump i prish digat dhe në javën e parë si banor i Shtëpisë së Bardhë konfirmon të gjitha objektivat e manifestuara në programin që e ka çuar të fitojë zgjedhjet presidenciale. Në politikën e jashtmë thekson aksin e rinovuar me Londrën në takimin me Theresa May, kryeministren britanike e lavdëruar për daljen nga Bashkimi Europian që Trump e quan publikisht një instrument të kontrolluar nga Gjermania dhe kundërshtar të Shteteve të Bashkuara. Nuk është rastësi që zonja May ka qenë kreu i parë shtetëror që ka takuar Trump pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë, si për të konfirmuar një çmarkim të mëtejshëm britanik nga Bashkimi Europian, liderët e të cilit vazhdojnë që të shprehin dyzime, në mos përbuzje (është rasti i Jean Claude Juncker dhe Francois Hollande) ndaj presidentit të ri amerikan. Rikonfirmimi i mirëkuptimit anglo – amerikan, që duket se do të rinovojë salltanetet e arritura në vitet Tetëdhjetë nga çifti Ronald Reagan – Margareth Thatcher, ka mundësi që do të ketë midis objektivave të tij frenimin e Kinës dhe kundërshtimin e Bashkimit Europian “gjermanocentrik”.
Objektiva që, megjithëse me “stil” dhe fjalor të ndryshëm, qenë ndjekur edhe nga Barack Obama, që jo rastësisht u hidhërua nga rezultati i referendumit britanik, duke vlerësuar se me daljen e Londrës do t’i merrte e pashqetësuar në dorë frenat e Europës falë një aksi me Francën, e cila, po të flasim ushtarakisht, është ende fuqia më e madhe e Kontinentit të Vjetër. Megjithëse pa përdorur retorikën e “ngjitjes shpejt” dhe një çikë prej kaubojsi të Trump, në shumë raste Obama e kishte kritikuar politikën ekonomike të bazuar mbi rreptësinë financiare që Berlini u ka imponuar partnerëve. Politikë funksionale për të zgjeruar doninimin gjerman mbi ekonomitë e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, por që sipas Obamës pengonte gjallërimin ekonomik botëror pas krizës së shpërthyer në 2008.
Kërkesa për gjeneralin James Mattis, Sekretar i Mbrojtjes, që të hartonte një plan për ta rritur luftën ndaj Shtetit Islamik konfirmon vullnetin e Trump për ta fituar konfliktin e gjatë me xhihadizmin, i nisur zyrtarisht me 11 shtator 2001, por realisht në zhvillim qysh 10 vite më parë. Një luftë kundër ekstremizmit islamik që Trump mendon se mund të fitohet në fushat e betejës falë një mirëkuptimi me Rusinë të bazuar pikërisht mbi nevojën e luftimit të armikut të përbashkët. Një opsion që, në rast se konkretizohet, do t’i mundësojë aksit Moskë – Uashington që ta përballojë me kthjelltësi më të madhe luftën kundër xhihadit nga Siria në Afganistan, nga Iraku në Libi.
Masat në frontin e brendshëm të marra nga Trump shkojnë në të njëjtin drejtim. Ndalimi për hyrjen e shtetasve islamikë të ardhur nga vende me prani xhihadiste më të thellë dhe kapilare, përfshi Irakun dhe Sirinë, lë të kuptojet se tashmë është maturuar vetëdija e rrezikut që ndodhen në një emigracion islamik me potencialitete eksplozive në termat e terrorizmit dhe rekrutimit. Njoftimi i privilegjimit të mirëpritjes së refugjatëve kristianë shkon në këtë drejtim dhe dëshmon akoma më shumë diferencat me Europën, tashmë nën mëshirën e kërcënimit të brendshëm të markës islamike, por e paaftë që të marrë vendime politike efikase dhe me pasoja.
Rritja e luftës kundër emigracionit klandestin, e simbolizuar me rrugën e kompletimit të murit gjatë kufirit me Meksikën mund të duket si një simbol i dukshëm i racizmit të Trump vetëm atij që shtiret se nuk e di që ky mur u ngrit për pjesën tashmë të kompletuar nga shumë demokrati Bill Clinton, ndërsa nën administratën Obama Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar mijëra kubanezë që tentonin të arrinin Floridan me varka e gomone dhe kanë përzënë pothuajse 3 milionë emigrantë klandestinë, në pjesën më të madhe meksikanë dhe qendroamerikanë.
Fakti që Trump dëshiron të vazhdojë në këtë rrugë, duke bllokuar hyrjet e ardhshme ilegale dhe duke përzënë të paktën të njëjtin numër klandestinësh të Obamës, ama të zgjedhur kryesisht midis atyre që kanë kryer shkelje dhe krime, mund të habisë vetëm një Europë që tashmë ka hequr dorë të ushtrojë çdo lloj sovraniteti, përfshi atë mbi kufijtë e saj. “Një vend pa kufij nuk është vend”, ka thënë presidenti amerikan. Një shprehje që do të tingëllonte banale në çdo epokë historike, por që është bërë revolucionare (apo reaksionare, sipas këndvështrimit) në Perëndimin e sotëm, sidomos në Europë. Një shprehje që u ofron një mbështetje, nga kjo anë e Atlantikut, lëvizjeve patriotike që u kundërvihen zbarkimeve të pambarimta të miliona aziatikëve dhe afrikanëve, pothuajse të gjithë të fesë islamike. Por më mirë të mos krijohen iluzione dhe të mos llogaritet shumë Trump si idhtar i partive të ashtuquajtura “sovraniste” apo populiste europiane. Ama kujdes në konsiderimin e Trump, si paraardhësit e tij, si “mik” apo “armik”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të mbrojë gjithmonë interesat amerikane, qoftë kur e thotë hapur (America First!), qoftë kur e shpreh me koncepte të tilla si “multilateralizëm” apo “soft power” të shpallura në kohën e tij nga Obama.
Nuk mund të jetë rastësi që Trump po lidh sërish aleancën me Londrën, një “marrëdhënie speciale” me rrënjë shumë të largëta, e cila ishte zbehur shumë pas largimit të George W. Bush, por njëkohësisht synon edhe një mirëkuptim të gjerë strategjik me Moskën. Të bën pothuajse të qeshësh fakti kur mendon se të njëjtit aleatë të 70 viteve më parë janë sërish gati të mobilizohen kundër hegjemonisë gjermane në Europën kontinentale, një skemë historike që të sjell ndërmend fjalët e Uinston Çërçillit, i cili pas fitores së 1945 parafiguroi një përplasje të re në Europë “pas 50 vjetësh”, kur Gjermania do ta ringrejë kokën. Mund të mos jetë koinçidencë që Trump ka dashur që bustin e Çërçillit, të hequr nga Obama, ta rikthejë në vendin e tij në Sallën Ovale e Shtëpisë së Bardhë. Mundësia për të rihyrë në rrethin e fuqive të mëdha falë “paktit të çeliktë” me Trump nuk i ka shpëtuar qeverisë së Madhërisë së Saj, e gatshme që të bëjë një prapaktheu të bujshëm lidhur me Sirinë, duke pranuar tani që Bashar al Assaf të qëndrojë në postin e tij siç pretendon Moska. Përveç Gjermanisë, në shënjestrën e Trump është edhe Kina, kundër së cilës presidenti duket se do të përdorë dy instrumenta: fuqizimin ushtarak dhe sidomos detar në Paqësor dhe luftën tregtare me kufizimin e aksesit të mallrave kineze në tregun amerikan. Një vendim i gjykuar nga shumë si i guximshëm, por që po e vlerëson Trump edhe me një bum të paprecedent të Uoll Stritit.
Objektivi strategjik duket ai i futjes së Pekinit në një garë të mëtejshme armatimi që përkon me rënien apo të paktën me ndalimin e rritjes së ekonomisë së tij, gjë që mund të shkaktojë revolta dhe trazira të brendshme të mëdha në një vend ku mbi 1 miliard njerëz jetojnë në kushte të vështira, nën thundrën e një regjimi sa opresiv, aq edhe të korruptuar, dhe ushqejnë një mosbesim në rritje ndaj institucioneve lokale dhe qendrore. Trump duket se ka në mendje diçka të ngjashme me strategjinë e përdorur nga Ronald Regani kundër Bashkimit Sovjetik. Në fund të fundit, edhe ish aktori i Hollivudit që ndryshoi botën dhe hartën e saj në inaugurimin e tij u prit me marshime proteste, me fyerje dhe me përbuzjen e qarqeve intelektuale, radikal – shik dhe të majta. Në thelb, “kontinuitet” mund të nënkuptojë për Trump edhe që të konkludojë me regjimin kinez dhe koreanoverior veprën e shkatërrimit të komunizmit të nisur nga Regani me Bashkimin Sovjetik.
(nga Defense Analysis)
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Mziu pret ambasadorin e Zvicrës, Christoph Graf: Garantoj mbështetje për Kamzën
Ambasadori Graf: Po përgatisim një program për 10 vite, që edhe Kamza të jetë përfituese. Garantoj se do të jemi të gatshëm për t’ju mbështetur dhe për të gjetur zgjidhje për të gjitha problematikat
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, pati një takim me ambasadorin zviceran në Shqipëri, z. Christoph Graf, takim i cili u zhvillua në mjediset e Ambasadës Zvicerane në Tiranë. Ambasadori Zviceran, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, duke theksuar mbështetjen për pushtetin vendor, ndër të tjera, e përgëzoi kryebashkiakun Mziu për rolin që luan në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. “Jam i kënaqur që keni ardhur këtu. Ne ofrojmë mbështetje për pushtetin vendor. Ju përgëzoj për rolin konstruktiv në Shoqatën e Bashkive”, u z. Graf.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, u shpreh se ndihej i privilegjuar që ndodhej në këtë takim, duke e njohur pastaj ambasadorin zviceran me zhvillimet e qytetit të Kamzës. “Ndihem shumë i privilegjuar që ndodhem këtu. Po shfrytëzoj rastin për të bërë një rezyme të vogël për qytetin e Kamzës. Të jesh kryetar Bashkie në Kamëz ka vështirësitë e veta. Dy gjëra janë sfidë për mua: 1-Infrastruktura (kalimi i saj nga rurale në urbane); 2-Menaxhimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve. Situata më përpara ka qenë shumë e keqe, ndërsa tashmë ka ndryshuar, për shkak të punës që ka bërë Bashkia, si dhe falë bashkëpunimit me donatorë të huaj të ndryshëm. Gjej rastin t’ju falënderoj ju si ambasador, por edhe Zvicrën, pasi është financuese e projektit të ujësjellësit. Kamza ka shfrytëzuar partneritetin me të huajt për shumë projekte, jo vetëm në ujësjellës. Kemi pasur shumë partnerë, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për nevojat e Kamzës”, u shpreh z. Mziu, i cili vijoi më tej: “Pavarësisht se Kamza dhe Paskuqani kanë dy plane sipas ligjit urbanistike, ato nuk janë aktive, për shkak të mosunifikimit. Nuk jemi pjesë e projektit të 26 bashkive, duke krijuar kështu edhe konflikte me qytetarët. Kërkoj mbështetjen tuaj, jo vetëm si ambasador, por edhe si vend mik, në zgjidhjen e këtij ngërçi për të eliminuar këto konflikte me qytetarët, por edhe për të pasur një barazi me njësitë e tjera vendore. Kërkoj influencën tuaj si ambasador për të shmangur këto diferencime krahasuar me njësitë e tjera vendore. Vlen të theksoj se kemi dërguar shumë projekte në qeveri për shumë fusha jetike për banorët, por kemi marrë 0 financime”, u shpreh z. Mziu, duke e informuar më tej ambasadorin Graf se për ndër të këtij vendi mik, siç është Zvicra, në Kamëz ka dy rrugë me emra nga ky shtet, rruga “Gjenevë” dhe rruga “Zyrih”.
Ambasadori Graf, pas këtij prezantimi, u shpreh: “Ju falënderoj për prezantimin, sfidat dhe problemet e Kamzës! Unë po e kuptoj qartë nga informacionet që ju më dhatë për diskriminimin e Kamzës dhe këto informacione në nivele politike sa të më jepet mundësi do t’i bëj të ditur, do t’i vë në dispozicion. Po përgatisim një program për 10 vite, që edhe Kamza të jetë përfituese. Garantoj se do të jemi të gatshëm për t’ju mbështetur dhe për të gjetur zgjidhje për të gjitha problematikat që ju ngritët. Ju garantoj se do t’ju ndihmoj për të bashkëpunuar”, kanë qenë fjalët e ambasadorit zviceran në Shqipëri, z. Cristoph Graf.
Efekti Trump në mediat shqiptare
Hamit TAKA
Në parantezë të këtij shkrimi duhet thënë se, ata apo pinjollët e atyre që dje anatemonin dhe mallkonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “xhandari ndërkomëtar” dhe presidentët e saj, si xhelatët e njerëzimit, ndërsa sot bëjnë sikur e duartrokasin, sikur e bekojnë për kapital politik dhe u lëpihen e u përgjërohen ambasadorëve të qeverisë amerikane për një vizitë në Tokën e Premtuar e për një foto me presidentët, nuk i rezistuan dot instinktit të tyre për të aplikuar edhe atje luftën e klasave. Media shqiptare në shërbim të qeverisë, reagoi ndaj fushatës së kandidatit për Presidentin e dyzetepestë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot ligjërisht e zyrtarisht President në Shtëpinë e Bardhë, zotit Trump, ashtu siç sillej qeveria shqiptare dhe televizioni i vetëm shqiptar, TVSH, në kohën e regjimit të Hoxhës, i cili SHBA-në e quante “xhandari ndërkombëtar” i botës dhe presidentët e saj i quante xhelatë. Dhe aq entuziast ishin për punën e tyre pa sens me një zell e dashuri pasionante, sa drejtori i departamentit të informacionit të “Top Channel” shkoi me bujë e entuziazëm në Uashington, në pritje për të na dhënë sihariqin e madh të fitores së kundërshtares së Presidentit fitues, zonjës Hillari Klinton. Tashmë duket se qeveria dhe mediat shërbëtore të saj, ashtu si minjtë tërmetin, e kishin nuhatur se po shfaqej një lëvizje e fuqishme dhe tronditëse kundër establishmentit të politikave dhe mediave në shërbim të milionerëve dhe jo për qytetarët, që me gjasa do të ndryshojë botën. Por, nëse ndien elefanti frymën e miut, aq e ndien Amerika shfryrjen e mediave shqiptare.
Ndërkohë që mediat në shërbim të qytetarëve shqiptarë duhet të uronin: “Ardhsh i bardhë zoti Trump!” dhe të presim sa më parë në vizitën tuaj në Shqipëri.
Ajo që mendojnë shumë politikanë dhe analistë botërorë se lëvizja Trump mund të japë efektin “domino” në shumë vende të globit, duket se filloi të japë efektet e veta së mbari edhe në Shqipërinë tonë të vogël e të trazuar, në zemër të Ballkanit e të Europës. Ato kanë filluar të ndihen kudo tek ne, diku me drithërima paniku e diku me entuziazmin e ndryshimeve të nevojshme e të domosdoshme. Por ajo që i ndjeu e para lëkundjet sizmike të tërmetit me qendër në Uashington, është media.
Dikujt iu duk si rrufe në qiell të hapur, kur Prokuroria e Përgjithshme njoftoi një “të premte të zezë” se kishte nisur një hetim penal nën dyshimin e pastrimit të parave ndaj ish-gazetarit, sot deputet i Rilindjes, pas publikimit në media të një kontrate të vitit 2015, në të cilën bashkëshortja e Pezës ka blerë aksione me vlerë 113 milionë lekë në Bankën Credins. Mirëpo kjo ndodhi, mesa duket ua hoqi garzat plagëve të medias, nga shpërtheu qelbëzimi i pakënaqësive të gazetarëve ndaj padronëve të tyre, të cilët janë bërë me kioska, me firma ndërtimi, me akses emërimesh të miqve në administratën e shtetit, si shefat e kuadrit në kohën e diktaturës hoxhiste, politikanë e çfarë nuk janë bërë. Por dolën përsipër edhe mëritë, zilitë e xhelozitë mes gazetarëve elitarë e të mesëm, të cilët nxorën zbuluar makutërinë, hipokrizitë e pabesitë, mungesën e profesionalizmit e dhunimin e misionit të mediave. Me këtë rast gjetën kurajon edhe armata e gazetarëve të ndershëm apo pa kurajo, nga frika e humbjes së vendit të punës, të keqpaguarit, për të shprehur, ku me zë e ku pa zë, protestën e tyre të drejtë kundër oligarkëve të mediave, siç ishte edhe një zonjë, dikur studente dhe më pas punonjëse në televizionin e zotit Peza, ku pagat paguheshin pas tri muajve me thërrimet e mbetura nga orgjitë e padronit të saj.
Shkarkimet e fundit të disa gazetarëve, të njohur si kritikë me qeverinë, nga pronarët e mediave ku punonin, nuk duhet të jetë gjë tjetër, veçse lufta në frontin mediatik që qeveria ka shpallur, në kuadër të luftës së madhe të fushatës zgjedhore. Duke lënë mënjanë pajtimet e mospajtimet e analistëve që kanë folur për këtë gjëmë, që i bëhet medias së lirë në vendin tonë, në këtë pikë besoj se të gjithë duhet të biem dakord: në rrethana normale, besoj se edhe për çdo qeveri diktatoriale apo të korruptuar, kjo do të dukej tepër, por gjithë halli është te zgjedhjet, që po afrojnë. Dëshira dhe dëshpërimi për pushtetin, për ta mbajtur atë, është e papërmbajtur. Vendimi është marrë tani dhe për të ia vlen çdo çmim e çdo kosto, edhe çmimi i madh, si qeveri armike e medias së lirë. Është kjo arsyeja, se pse nuk ua ndien, si qeverisë ashtu edhe oligarkëve mediatikë, për ç’ka ndodh këtë kohë me mediat. Ata janë të vetëdijshëm për pasojat, por aq u bën.
Jo vetëm që janë të vendosur për kontrollin total të mediave, por e bëjnë këtë në mënyrë spektakolare e të bujshme, që të ketë efekt maksimal tek opinioni publik. Teksti është i qartë: ne kontrollojmë gjithçka; pushteti ynë është shumë i fuqishëm, është absolut, prandaj shpresa se mund të na e heqin atë me anë të votës, është iluzion; askush të mos guxojë të na e marrë pushtetin me votë.
Për qytetarët mendjeçelur e syhapur, që edhe kanë ca njohuri nga bota e qytetëruar e demokratike, lindin pyetje të tilla, si, ç’kuptim ka, kur thuhet për gazetarin: “e shkarkoi pronari”? Në botën demokratike ka filtra midis pronarit dhe gazetarëve, që do të thotë borde, të cilët bëjnë politika editorale, nuk ka pronar që të deklarojë publikisht, pa i bërë syri tërr, se politikat editoriale i bën ai vetë. Nuk duhet të ketë universitete private që të kenë gazeta të përditshme e televizione që bëjnë politikë, pasi e kupton gjithkush se ka konflikt interesi për pronarët e mediave. Një pyetje tjetër, që lind fare natyrshëm, mund t’i drejtohet Autoritetit të Mediave Audiovizive: si ka mundësi që askush nuk kujtohet t’u thotë mediave të mëdha në vend, se frekuencat kombëtare janë pronë publike, jo private, dhe nuk u janë dhënë për t’i keqpërdorur, duke dizinformuar publikun, por për ta informuar sa më drejt atë.
Fitorja e Donald Trump kundër gjithë dinozaurëve mediatikë dhe politikës që i ushqen, vetëm me komunikimin në Twitter, e ka bërë të vetëdijshme politikën globale se populli nuk u beson më mediave tradicionale që janë palë me këtë politikë si prostituta me tutorin, duke këmbyer rolet. Edhe në Shqipëri, ku ndodh e njëjta gjë me mediat e mëdha, nuk beson njeri. Kryeministri dhe qeveria e dinë këtë dhe kanë filluar të sulmojnë mediat on line. Kërkojnë t’i censurojnë se e kuptuan që ato janë përçuese të mendimit popullor. Pra, është çështje e politikës aktuale, e cila ka shkëputje nga interesat popullore, domethënë nuk përfaqëson më popullin dhe dëshiron t’u mbyllë gojën mediave on line, të cilat nuk mund t’i blejë.
Thellë-thellë, nga reminishencat e së shkuarës, kur s’i besonim as vetes, arsyeja jonë mosbesuese dyshon se disa prej këtyre oligarkëve e gazetarëve të pompuar në krye të mediave apo departamenteve të tyre, mund të jenë zgjedhur me kujdes në sitën e sigurimit më famëkeq, që mund të mburret sot se ”ka mundur popullin e tij”, për t’u çliruar nga diktatura edhe pse u ndihmua nga amerikanët dhe europianët. Unë nuk ndalem të analizoj konkretisht se çfarë kanë thënë e çfarë thonë, sepse këto janë aq të trasha sa edhe hienave do t’u vinte pështirë, por asnjë nga këta gazetarë të shumëpaguar e të promovuar nëpër panaire libri, me praninë e qeveritarëve e biznesmenëve më në zë, si korifejtë e letrave dhe mendimit për avancimin e demokracisë, ”trima me popullin e tyre”, s’është parë në ndonjë front lufte kundër korrupsionit galopant, kundër shkeljes së lirive e të drejtave të njeriut apo kundër krimit të organizuar, siç është kanabizimi i vendit, si gjithë gazetarët e botës, por i sheh kafeneve, në hijet e palmave të Rilindjes apo në resortet e pronave të vjedhura, ku mendueshëm, sipas modelit të ”kaut kuqalash”, që andej-këndej i thonë “kau balash”, flasin për ”shtetin ligjor”’ që po ndërton qeveria e Rilindjes.