15.5 C
Tirana
E diel, 25 Maj, 2025

Si po organizohet PD me emigrantët në Londër

Naim HASANI

Ditën e dielë 22  janar 2017 u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e degës së Partisë Demokratike në Londër, nën kujdesin e veçantë të liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë zotit Lulzim Basha. Puna për riorganizimin e degës së PD ka filluar që nga nëntori i vitit 2015, kur u ngrit një grup i posaçëm pune për organizimin e zgjedhjeve për kryetarin e degës në Londër.
Pas një pune 14 mujore dhe orientimit dhe përkujdesjes së veçantë të selisë qendrore të PD në Tiranë, të dielën u kurorëzua me sukses procesi e zgjedhjes së kryetarit të Degës së PD-së Londër. Fryma perëndimore që ka sjellë lideri i Partisë Demokratike është reflektuar gjerë në këto zgjedhje.
Shumë anëtarë të Partisë Demokratike ju drejtuan qendrës së votimit dhe kanë pritur në rradhë për orë të tëra në entuziazëm të paparë, për të hedhur votën e tyre në mënyrën më demokratike, siç ndodh gjithmonë në Britani, tempullin e demokracisë.
Gara për postin e kryetarit të PD ka qenë e gjatë dhe kam takuar shumë demokratë ose jo, të cilët jetojnë në Britani dhe në çdo rast na kanë përgëzuar PD për iniciativën e marrë për ngritjen dhe funksionimin e strukturave të saj në diasporë.
Unë e kam ndjerë veten mjaft të privilegjuar për kandidimin tim në emër të Partisë Demokratike, si forca e vetme me orientim të plotë europian, progresist dhe gjithpërfshirës.
Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë perfekte. Përshëndetjet e rastit nga unë dhe kandidati rival zoti Naim Hajdarmataj dhe shtrëngimi i duarve para nisjes së procesit të votimit në prezencën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike zoti Arben Ristani, i cili mbajti fjalën përshëndetëse, procesi mjaft i qetë i votimit, atmosfera e festës dhe vëllazërimit ku mbështetësit e të dy kandidatëve bisedonin me njëri-tjetrin dhe prisnin me durim në rradhë për të votuar, votimi individual dhe i pavarur i çdo anëtari që hidhte fletën e votimit me mjaft kënaqesi dhe pa asnjë lloj presioni, padyshim ishin arsyeja kryesore pse ky proces mund të quhet me plot gojë, një ndër proceset zgjedhore më demokratike, edhe pse i mbajtuar në diasporë.
Numërimi i votave ka përfunduar në kohë reale dhe me konsensusin e të gjithë anëtarëve të Komisionit Zgjedhor, të përbërë nga të dy palët kundërshtare është bërë shpallja e rezultatit nga zoti Arben Ristani.
Ndjehem mjaft i prvilegjuar që pas një procesi të tillë shumë transparent dhe të regjistruar në kamera televizive në çdo moment, unë u shpalla fitues i këtyre zgjedhjeve dhe Kryetar i Degës së Partisë Demokratike në Londër.
Ky proces historik që e nge lart emrin dhe vlerat e Partisë Demokratike, pranimi i rezulatit nga kundërshtari dhe urimi për fitoren, besoj se ishin veprime mjaft demokratike dhe qytetare që rradhë ndodhin në politikën shqiptare.
Procesi zgjedhor ishte padyshim një leksion demokracie që vjen nga shqiptarët e Britanisë. Ajo që është shumë domethënëse është fakti se pas festimeve të rastit për këtë proces unik dhe historik, të gjithë votuesit vazhduan jetën normale ditën tjetër, duke shkuar në punët e përditshme, siç ndodh gjithmonë këtu në Britani.
Partia Demokratike dhe lideri i saj zoti Lulzim Basha, i cili ka ndjekur hap pas hapi të gjithë procesin parazgjedhor dhe ka përshëndetur demokratët në ditën e votimit, kanë kaluar një provë të suksesshme të hapjes dhe gjithpërfshirjes dhe kanë dëshmuar se angazhimi është maksimal për t’u përgatitur dhe dalë fitues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen në Shqipëri.
Falënderoj zotin Lulzim Basha për gjithë kontributin e tij personal dhe të drejtpërdrejtë në ngritjen e degës së Partisë Demokratike në Londër dhe për rolin e tij udhërrëfyes dhe inspirues.
Patjetër, që ky proces nuk mund të ishte i suksesshëm pa punën e përditshme dhe të palodhshme të Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike të Shqipërisë zoti Eno Bozdo. Përkushtimi i tij në zbatim të orientimeve të liderit të Partisë Demokratike dhe rrjedha që mori ky proces, si rezultat i punës së tij të pamohueshme ka qenë unik dhe meriton vlerësimin maksimal dhe mirënjohjen e të gjithë Partisë Demokratike në Shqipëri e më gjerë.
E them me bindje se orientimi i qartë i zotit Basha dhe aftësia menazhuese e zotit Bozdo kanë qenë arsyeja kryesore e suksesit kaq unikal në zgjedhjet e organizuara në Londër të dielën e kaluar, duke përfshirë këtu edhe kontributin si katalizues i procesit të votimit nga zoti Arben Ristani.
Këto zgjedhje kanë pasur një jehonë të gjerë mes shqiptarëve në Britani dhe unë kam marrë falënderime dhe përgëzime të shumta me rastin e zgjedhjes time si Kryetar i Partisë Demokratike në Londër, mes të cilëve edhe kryetari i Partisë Socialiste, Dega Londër dhe eksponentë të tjerë të së djathtës e së majtës shqiptare, ku theksi kryesor është vënë tek procesi transparent dhe historik i votimit dhe zgjedhjes së Kryetarit të degës së PD.
Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj për një kohë të gjatë, duke përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Britani, si avokat i Gjykatës Supreme të Anglisë dhe Wellsit, i specializuar në çështjet e azilit dhe emigracionit dhe të së drejtës publike dhe vlerësimi i demokratëve të Londrës më bën të ndjehem krenar që do të vazhdoj tju shërbej atyre dhe gjithë komunitetit shqiptar në Britani edhe në nivel politik.
Këtë sukses dua ta ndaj edhe me mikun tim të nderuar, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Britani zotin Mal Berisha, të cilin e falënderoj për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm deri në fund të procesit.
Falënderoj miqtë e mi të cilët më kanë mbështetur hapur gjatë kandidimit tim dhe në veçanti Lutfi Vata, Artur Alia dhe Fatmir Terziu, të cilët vazhdimisht kanë ndarë me mua emocionet e kësaj gare dhe më kanë nxitur gjatë gjithë procesit, në një fushatë elektorale të emancipuar dhe thellësisht qytetare.
Dua të përshëndes drejtpërdrejtë rivalin tim në këto zgjedhje zoti Naim Hajdaramtaj për qytetarinë e treguar në vlerësimin e këtyre zgjedhjeve dhe urimin për fitore, e shtrëngimin e duarve në fund të procesit të votimit, çka ishte një sinjal i qartë edhe për gjithë politikën shqiptare, se mund të garohet e të pranohet rezultati demokratik, larg konfliktualitetit dhe me kulturë qytetare.
Falenderoj komisionerët për punën e tyre korrekte dhe integritetin e treguar gjatë procesit të votimit dhe në veçanti Kryetarin e Komisionit të Votimit zotin Shkëlzen Rrustemaj për organizimin dhe korrektësinë e treguar edhe për nxjerrjen e rezultatit në kohë reale.

I padituri si hajdut nga KLSH dhe avokat i Ervin Roshit do Drejtësinë

Një lëvizje e turpshme e Ramës, i cili ka detyruar Avokatin e Popullit që të propozojë Sekretarin e vet në Ministrinë e Arsimit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo është një farsë e turpshme e lojës me të ashtuquajturit të pavarur të Ramës. Plarent Ndreca, i cili aktualisht është në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit është propozuar të jetë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një institucion i krijuar me Reformën e re në Drejtësi. Po kush është Plarent Ndreca? Ndreca nën siglën e të ashtuquajturës Shoqëri Civile, ndërsa është një militant i së majtës në pushtet. Ndreca ka qenë në listat për deputetë të grupit G99 që në atë kohë drejtohej nga Veliaj. Dokumentat që paraqiten konfirmojnë këtë. Ai është angazhuar në detyrën e lartë në Ministrinë e Arsimit pas kontributit të dhënë në mbështetje të Ramës në zgjedhjet e vitit 2015. Për më shumë, Ndreca është një njeri me probleme dhe i denoncuar për afera korruptive nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në Prokurori tre drejtues të lartë në Ministrinë e Arsimit me argumentin se i kanë shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 108 milionë lekësh. Sekretari i Përgjithshëm, Plarent Ndreca, Drejtori Juridik dhe Përgjegjësi i Sektorit të Financave akuzohen për devijim të fondeve publike dhe ndjekjen e procedurave diskriminuese në prokurime. Pas një auditimi një vjeçar për periudhën shtator 2013-dhjetor 2014, KLSH ka konstatuar shkelje në procedurat e prokurimit të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në masën 108 milionë lekë. Sakaq, sipas KLSH, zyrtarët e MAS kanë bllokuar dhe kuotat për doktoraturat në universitetin publik, duke sjellë orientimin e fondeve vetëm në një universitet privat. Universiteti privat që ka përfituar mbi 610 milionë lekë direkt nga bllokimi i doktoraturave për publikun është Universiteti Europian i Tiranës, të cilin e administron Henri Çili.

Abuzimi me tenderat

KLSH ka vërejtur gjithashtu mangësi dhe shkelje të rëndësishme të konsiderueshme në procedurat e prokurimeve publike, duke veçuar procedurën e prokurimit të zhvilluar me objekt “Ndërtimi i objektit “Tirana Olimpik Park”. Kështu nga auditimi është konstatuar se MAS ka dërguar në qeveri projektvendimin “Për miratimin e fondit limit për kompleksin sportiv Tirana Olimpik Park” së bashku me relacionin shpjegues dhe me VKM Nr. 560, datë 29.08.2014 “Për miratimin e preventivit paraprak për kompleksin sportiv “Tirana Olimpik Park”, është bërë miratimi i preventivit paraprak për efekt të llogaritjes së fondit limit. Sipas KLSH është prokuruar projekti i hartuar nga një shoqëri, që nuk rezulton të jetë kontraktuar nga Autoriteti Kontraktor apo njësitë e varësisë për kryerjen e këtij shërbimi. KLSH ka gjetur po ashtu se kriteret e veçanta të kualifikimit janë diskriminuese dhe të hartuara nga një grup pune që nuk është ngarkuar për kryerjen e këtij shërbimi dhe janë miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MAS, në kundërshtim me Ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 1, pika 2 dhe nenin 20, pika 1.
Në vlerësimin e ofertave këtu konstatohet se kanë marrë pjesë 8 operatorë ekonomik, nga të cilët KVO ka skualifikuar 7 prej tyre dhe ka kualifikuar operatorin ekonomik me ofertën ekonomike më të lartë (99.2% e fondit limit). Burimet zyrtare nga KLSH thonë se, janë skualifikuar padrejtësisht 2 nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, me ofertë ekonomike më të ulët se oferta e operatorit fitues. Si pasojë e shkeljeve të mësipërme, është shkaktuar 78,745,737 lekë ose 562,000 euro dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Po kështu, nga vlerësimi i ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje mobilierie për shkollat e sistemit arsimor pasuniversitar”, KLSH ka konstatuar se kanë marrë pjesë 8 operatorë ekonomikë, nga të cilët janë skualifikuar 5 dhe janë kualifikuar 3 operatorë ekonomikë. “Pas ankesës në Autoritetin Kontraktor të një operatori ekonomik të skualifikuar, është rrëzuar ankesa dhe është bërë rivlerësim i procedurës.
Ky operator ka bërë ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), i cili e ka pranuar këtë ankesë dhe ka marrë vendim për shpalljen fitues të këtij operatori. Edhe pas këtij vendimi, në përgjigje të ankesës së paraqitur në Autoritetin Kontraktor të një operatori tjetër ekonomik, zyrtari i autorizuar rekomandon pranimin e ankesës dhe lidhjen e kontratës, në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, bënë me dije burimet zyrtare pranë KLSH, sipas të cilave, si pasojë e kësaj shkeljeje është shkaktuar 29,275,390 lekë ose 209,000 euro dëm ekonomik në buxhetin e shtetit.

Ndreca, avokat i Elvis Roshit

Plarent Ndreca, të vetmen eksperiencë pune shtetërore ka atë si oficer Policie, në fillim si oficer i Policisë Elektrike dhe më pas si oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës. Në 2007, fill pas hapjes së Universitetit të Henri Çilit, z. Ndreca shkoi të merrte një master atje. Mund të imagjinohet se çfarë niveli kishin masterat e Çilit, veçanërisht në atë kohë.
Pas largimit nga Policia, Ndreca punoi si avokat penalist. Ai ka qenë avokati i babait të ministrit të sotëm të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, në çështjen e kontrabandës së ilaçeve. Avokat i Elvis Roshit, kryebashkiaku i Kavajës i akuzuar si i dënuar për trafik droge në Zvicër dhe për përdhunim në Itali. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Arsimit, ka bërë njëkohësisht me këtë detyrë edhe atë të avokatit të kriminelëve.
Një oficer policie, i cili ka punuar për disa kohë si avokat penalist, qoftë edhe me diplomë juristi në Universitetin e Çilit, nuk mund të quhet ekspert. Për këtë duhet një jurist që të jetë ekspert i fushës. Po ashtu ish-polici Ndreca ka bërë avokatin mediatik të qeverisë për reformën arsimore.

Basha me Lu e Borchard: Votimi elektronik kthen besimin tek vota

“Votimi dhe numërimi elektronik, është e vetmja rrugë për kthimin e besimit tek vota e lirë”. Ky ka qenë mesazhi që kreu i PD, Lulzim Basha shprehu dje pas takimit me ambasadorin e SHBA, Donald Lu dhe atë të OSBE, Bernard Borchardt me të cilët diskutoi mbi zhvillimet më të fundit politike në vend dhe zgjedhjet parlamentare.
Zhvillimet e fundit, ku ministra të qeverisë kanë konfirmuar problemet e ngritura nga opozita për kriminalizimin e qeverisjes, të shtetit, të pushtetit lokal, të policisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, faktet e dala për lidhjen e figurave kryesore të mazhorancës me kokat e krimit të organizuar, janë dëshmi e fuqizimit të krimit dhe mosshkëputjes së mazhorancës nga krimi.
Po ashtu, refuzimi për të pranuar votimin dhe numërimin elektronik, është provë e qartë e mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës për zgjedhje të lira e të ndershme.
Mobilizimi i kontigjentit kriminal të lidhur me trafikun e drogës me mbështetjen e krerëve të policisë, futja e parasë së krimit, moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, kapja dhe vënia e medias nën tutelën e qeverisë, janë shenjat e përpjekjes së qeverisë për të dhunuar zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri të qartë ambasadorëve se opozita është e vendosur të bëjë gjithçka për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.
Votimi dhe numërimi elektronik, tha Basha, është e vetmja rrugë për kthimin e besimit tek vota e lirë. Të njëjtën rëndësi për të siguruar zgjedhje të lira, shtoi Basha, ka edhe zbatimi i dekriminalizimit, liria e medias dhe transparenca mbi financat e fushatës zgjedhore. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë një nevojë jetike për stabilitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë, theksoi Basha.

Tjetër koncesion Vilmës, 1 miliard lekë për ortopedinë

Vilma Nushi,  e cila ka fituar tenderin e check up-it dhe disa të tjerë, vazhdon të fitojë me sukses tendera të rinj në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani afër, Nushi ka fituar edhe tenderin mbi 1 miliard lekë të vjetra, atë të furnizimit me materiale mjekësore për shërbimin e ortopedisë së spitaleve rajonale. Tenderi është fituar nga Nushi nëpërmjet kompanisë “TRIMED”, ku është 50% aksionere, së bashku me Shani Peposhin, 50% të tjera. Nushi e ka fituar këtë tender, në bashkëpunim me “Layo shpk”, të Vasil Llajos. Vlera e saktë e tenderit është 105.523.936 lekë. Por si ka ndodhur që këtë tender ta fitojë “TRIMED”? Fare thjeshtë: Edhe pse në garë kanë shfaqur interes edhe 4 kompani të tjera, ato janë tërhequr pasi nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike dhe dokumentet e kërkuara. Mjetet e ortopedisë që do të lëvrohen brenda 2 vjetëve përfshijnë spitalet më të rëndësishëm në vend: Shkodër, Fier, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Gjirokastër dhe Sarandë. Emri i Vilma Nushit përmendet shpesh vitet e fundit në media, që kur ministri Ilir Beqaj, i hapi rrugë garës për tenderin e një koncesioni të majmë, 120 milionë euro. Ky koncesion ishte i pari i dhënë për një shërbim bazik të shëndetësisë shqiptare. Parashikonte zgjedhjen e një kompanie që do të kryente kontrollin parësor shëndetësor për moshat 40-65 vjeç në të gjithë vendin. Vilma Nushi është një ortake e vjetër e Ramës, e lidhur fort me ish-nomenklaturën komuniste dhe përherë ka përfaqësuar një linjë biznesi gjysmë zyrtare të Partisë Socialiste. Bizneset e Nushit kanë njohur gjithnjë rritje të skajshme në përfitimin e fondeve publike, sa herë që kontrollin e qeverisë e merr Partia Socialiste.
Kështu ndodhi dhe me koncesionin e paprecedent të shërbimit parësor shëndetësor, i njohur ndryshe dhe si koncensioni i check up. Tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për ekzaminimet check up i dhënë përfshin në një megaskandal prej 120 milionë eurosh, Kryeministrin Rama, ministrin Beqaj dhe pronaren e kompanisë së favorizuar Vilma Nushi, sponsorizuese e Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për fushatën e nisur në muajin shkurt të vitit 2015 prej Ministrisë së Shëndetësisë për check up-in (kontroll mjekësor), për të cilin ministria kishte shpallur një tender të posaçëm ku ftonte kompanitë e specializuara në fushën e shërbimeve shëndetësore që të bëheshin pjesë e tenderit për të paraqitur ofertat e tyre. Check up-i do të kushtojë rreth 120 milionë euro për 10 vjet. Kompania fituese rezulton të jetë e Vilma Nushit, e njohur si sponsore e Partisë Socialiste. Sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se fituese është kompania “Marketing&Distribution” që jo vetëm nuk ka lidhje me fushën e shëndetësisë, por që ka paraqitur edhe ofertën më të lartë ndaj këtij shërbimi. Ndërkohë që ministria ka skualifikuar kompani të tjera të specializuara në fushën e shëndetësisë dhe që kanë paraqitur një vlerë shumë herë më të vogël se sa ajo e kompanisë fituese, me një diferencë prej 120 milionë lekësh.

A.Shahini

Rama në Kryesi: Nuk na duhet LSI, fitojmë më Bamkën

Burime nga brenda mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste i thanë Top Channel se, për herë të parë kryeministri Rama ka folur hapur lidhur me situatën e krijuar në koalicion me partinë e Ilir Metës.
“LSI po luan taktikisht dhe është në të drejtën e saj ta bëjë këtë. Por pozicioni ynë, – citohet të ketë thënë kryeministri, – nuk ndryshon dhe ne nuk e kthejmë në një çështje taktike këtë partneritet strategjik. Natyrisht, LSI mund të vendosë të dalë vetëm, por kjo s’është arsye për t’u shpërqëndruar nga objektivi ynë”.
Por deklarimi më i rëndësishëm, në mbledhjen e Kryesisë socialiste, i kryeminitrit duket të ketë qenë pikërisht mbi shifrën 71, në të cilën mbështeti argumentin e tij më herët Ilir Meta. Sipas Edi Ramës, me votat e vitit 2013 dhe ndarjen aktuale të mandateve, “Partia Socialiste merr 69 deputetë po të jemi në koalicion me LSI, PDIU, FRD”.
Por sipas Edi Ramës, koalicioni merr 71 deputetë nëse LSI del veç, sepse e tillë është formula.
Sipas kryeministrit, aleanca me LSI-në krijon një mazhorancë solide reformash, jo thjesht një mazhorancë numrash, dhe reformat e jo numrat janë arsyet e koalicionit me Metën, citohet të ketë thënë Edi Rama.

Berisha takim me eksperte te nivelit te larte te USAID

Ish-Kryeministri Berisha është takuar dje me ekspertet e nivelit te larte te USAID ne Ëashington, zonjen Albena Godlove, zotin Steven Strauss dhe Eugene Spiro te shoqeruar nga bashkedrejtuesit e Fondit Shqiptaro Amerikan te Ndermarrjeve, zoti Mata dhe zoti Sarapuli. Qellimi i vizites se tyre ne vendin tone eshte vleresimi i ndikimit te projekteve te implementuara nga FSHAN, te njihen me treguesit ekonomike te vendit tone, zhvilimin e sektorit privat, investimet etj.
Diskutuam mbi investimet ne Shqiperi te Fondit Shqiptaro Amerikan te Ndermarrjeve, te cilat i vleresova si nje histori e shkelqyer suksesi me kontribut thelbesor ne transformimin e vendin gjate ketyre 20 viteve nepermjet projekteve shume te rendesishme dhe te suksesshme dhe vleresova angazhimin e tyre per projekte te tilla ne te ardhmen. Shpreha mirenjohjen per bashkepunimin e shkelqyer qe kemi patur ne vite, i cili ka bere te mundur suksesin e dhjetra e dhjetra projekteve te medha si aeroporti, pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit apo projekte transformuese ne sistemin bankar, si dhe mbi investimet ne krijimin e zonave te biznesit te filluar me qeverine e meparshme ne qytetet tona si Berat, Korce, Shkoder, Tirane, Gjirokaster, Kruje, rikualifikimin urban e qyteteve tona, apo investimet ne projekte kyce te trashegimise kulturore si ne Butrinit apo Fototeka Marubi.
Ne te vertet sot projektet e Fondit jane te vetmet investime dhe projekte qe ecin, me te cilat qeveria mburret, duke i paraqitur se suksese te vetat por qe ne fakt jane teresisht merite e Fondit.
Cmova punen e punonjesve te Fondacionit, qe me perkushtimin e tyre te madh, dashurine per Shqiperine e shnderruan Fondin e Sipermarrjes Shqiptaro Amerikane ne historine me te suksesshme ne te gjitha vendet ish komuniste dhe shpreha urimin qe ky bashkepunim te vazhdoje dhe te shtrihet me gjere ne fusha te tjera si edukim, energjine e rinovueshme etj.
Ne te gjitha keto projekte bashkepunimi Fondi ka qene nje kollone e besimit dhe suksesit dhe urova vazhdimin me tej te angazhimit te Fondit ne favor te vendit dhe te shqiptareve.

Veliaj teatër në urban, qytetarët përballen me kushtet skandaloze

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë shfaqjen e radhës, duke u vetëfilmuar në një autobus urban për t’u mbushur mendjen qytetarëve se gjendja e shërbimit urban është përmirësuar. Por janë qytetarët ata që përballen për çdo ditë me kushtet skandaloze. Dje, zyra e shtypit e Bashkisë ku punojnë mbi 50 vetë ka shpërndarë nëpër televizione një kronikë, ku shihet kryebashkiaku që bën xhiro me autobus urban. Ai i jep kameramanit të paguar nga vetë ai edhe një “intervistë” ku thotë se gjendja e shërbimit urban është rregulluar.
Transporti urban në kryeqytet përballet çdo ditë me probleme të shumta. Një ndër problemet kryesore është shpejtësia tepër e ulët e autobusëve urbanë. Për ata që nxitojnë të shkojnë në punë, ky udhëtim është një tmerr, pasi në distanca prej 800-900 metrash urbani e bën rreth 45 minuta. Po ashtu, tjetër problem është numri i lartë i personave që udhëtojnë në një autobus urban, duke bërë që personat të udhëtojnë “nën frymën” e njëri-tjetrit si dhe duke krijuar shpesh situata kaotike për shkak të vonesave. Tepër shqetësuese për qytetarët është edhe fakti që lëvizjet e autobusit urban në qytete janë shoqëruar nga vjedhje të shpeshta të urbanëve në Tiranë.
Të udhëtosh me linjat urbane, për kryeqytetasit është një stres më vetë për shkak të mbipopullimit të urbanëve. Njerëzit aty shtypen dhe ngjeshen fort pas njëri-tjetrit aq sa shpesh edhe dyert e urbanit mbyllen me vështirësi. Por problemi i qytetarëve që përdorin linjat urbane nuk mbaron me kaq. Ata duhet të rrinë nën frymën e njëri-tjetrit, duke krijuar një ajër të rëndë dhe tepër të ndotur. Në stinën e dimrit, ky është një rast i shpeshtë ku në ambjente të tilla përcillen virozat gripale nga një person mbartës tek të tjerë, me të cilët ndan një udhëtim të shkurtër brenda për brenda Tiranës.
Për këtë skandal qesharak të Veliajt ka reaguar edhe “Nisma Thurje”. “Totalisht qesharak. Hypën në autobuz me fotografin personal që meqë e paguan nga taksat tona, dhe i thotë: “Ma bëj një kështu, pa mendje. Më kap kështu serioz, që të dukem si lider serioz”. Është sa për të qeshur aq edhe për t’u irrituar. Sepse, ndërsa njerëzit vuajnë çdo ditë, orët e gjata të pritjes, vonesat ekstreme në stacion, shtypjen e përditshme në autobuz, ujin që në ditë shiu lag njëlloj si jashtë dhe brenda, lali Eri përpiqet t’iu mbushë mendjen njerëzve që e vuajnë vetë çdo ditë, që ja u rregullua çdo gjë. Dhe këtë mendon ta bëjë me një foto “pa mendje”.  E kuptoni se çfarë ofendimi i bën inteligjencës së gjithësecilit? Tallje brutale. Tallje spektakolare. Deri kur do t’i kemi në shpinë këta? Edhe sa do të durojmë talljet e tyre?”, shkruan “Nisma Thurje”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës me votat e të majtëve nën një propozimin hileqar të Erion Veliaj e rriti çmimin e biletës në 400 lekë të vjetra, me premtimin se kushtet e shërbimit do të përmirësoheshin, por situata është e njëjtë për të mos thënë edhe më keq se më parë. Qytetarët e Tiranës të detyruar të përballen çdo ditë me autobusët e ngadaltë e të tejmbushur dhe pa kondicioner. Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Bashkisë së Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës për transportin urban qytetas, vendosur në 30 dhjetor të vitit 2016. Sipas KLSH-së, rritja e çmimit të biletës me 33% është e paargumentuar. Konstatimi për rritjen e paargumentuar të çmimit dhe rekomandimi për pezullimin e vendimit janë publikuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas inspektimit të punës në Bashkinë e Tiranës. “Kur i kërkuam DTTRR përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB Nr.66 datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht e as një formulë paraprake”, shkruan KLSH në raport. KLSH i kërkoi Bashkisë së Tiranës marrjen e masave të menjëhershme të përcaktimit të çmimit të biletës në bazë të një formule të saktë ekonomike, e deri në përmbushjen e këtij detyrimi, pezullimin e vendimit të rritjes së çmimit të biletës për transportin publik.

R.POLISI

Korça në thundrën e bandave të lidhura me Ramën dhe Peleshin

Ish-Kryeministrit Berisha i ka denoncuar publikisht një qytetar nga Korça lidhjet e fuqishme të Ramës dhe Niko Peleshit me bandat që bëjnë ligjin në Korçë. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari për gjendjen alarmante në Korçë dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet. Qytetari dixhital denoncon: Lidhjet e fuqishme të Edit dhe Nikos me bandat që bëjnë ligjin në Korçë, Ragam e Kapuran. Shkatërrimin, tjetërsimin e Korçës me ndërtimin në qendër të saj të kullave falike Rama-Peleshi në ortakëri me famozin Ragami. Ryshfetin prej 4-6 mijë euro për emërimet në arsim, tatime etj. I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë me përparësi aferat mafioze që ngre qytetari dixhital në mbrojtje të qytetit të tij!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Berisha. Unë jam një qytetar nga Korça, biznesmen. Të përgëzoj për informacion e saktë dhe për intervistat plot vërtetësi që shpreh në publikimet e tua! Vërtet në gjithë vendin është instaluar mafia dhe kjo vërehet dhe në Korçë në një krah mafia e Spiro Bardhit ose Ragamit si e etiketojnë korçarët një hajdut ordiner i kthyer së fundi në benjamini i Edit dhe i Nikos, por këtë të fundit e tërheq për hunde Spirua dhe në krahun tjetër super hajduti Kapurani që të zë lemeria të shkosh në Spitalin e Korçës këto ditë dimri dhe të ftohesh jo të shërohesh, si pacientët ashtu dhe stafi mjekësor sepse tenderin e spitalit e ka fituar Kapurani dhe kaldajën as 2 orë në ditë nuk e ndez! Flasim për gjërat që duken palë për emërimet  4 dhe 6 mijë euro për emërimet në arsim, tatime dhe në burg! Nga krahu tjetër gjithë tenderat kalojnë në dorën e Ragamit njëherë pasi merr 10 deri 20% thërrimet ja u jep bizneseve të tjera sa për të ngrenë bukën! Dhe e fundit fare miratimi i Këshillit Bashkiak për ndërtimin e kullave në qendër të Korçës nga Ragami në ortakëri me Ramën dhe Peleshin! Flm për reagimin, zoti Sali se ne nuk flasim dot, pasi është instaluar mafia!?”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Korça.

“Gjobvënia”, biznesmeni dëshmon kundër Shullazit, tensione në sallë

Seanca gjyqësore kundër Emiliano Shullazit dhe të arrestuarve të tjerë si pjesëtarë të bandës së tij ka nisur me tensione ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shtyrjes së seancës së parë, dje është paraqitur në sallën e gjyqit dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqaj, por pikërisht dëshmia e tij është bërë objekt tensioni. Përsëri ishin avokatët mbrojtës, të cilët u bënë shkak që togat e zeza të ndërpresin seancën gjyqësore, e cila do të vazhdojë gjatë të mërkurës po me të njëjtin trup gjykues.
Seanca gjyqësore filloi me rrëzimin e kërkesës së avokatëve për përjashtimin e trupës gjykuese dhe vazhdoi me parashtrimin e kërkesave paraprake të avokatëve. Avokatët këmbëngulën që seanca për ballafaqimin dhe pyetjen e dëshmitarit të mbrojtur Beqja të mos bëhet, me arsyetimin se kanë ankimuar vendimin e sigurimit të provës në Gjykatën e Apelit. Kërkesë e cila u rrëzua nga Gjykata dhe u vendos vazhdimi i seancës gjyqësore, duke ftuar dëshmitarin e mbrojtur të flasë për akuzat ndaj Emiliano Shullazit dhe të dyshuarve të tjerë. Në këtë kohë, avokatët Alban Qafa dhe Nexhdet Kambo që mbrojnë interesat ligjore të të dyshuarit Gilmando Dani u larguan nga salla.
Ata dhanë dorëheqje, me pretendimin se dëshmia e Ylvi Beqajt si bashkëpunëtor i drejtësisë është i paligjshëm. Avokatët thanë se Beqja, nuk është bashkë i pandehur në këtë proces gjyqësor, por një person nën hetim nga Prokuroria për një procedim tjetër penal dhe nuk mund të dëshmojë si bashkë i pandehur. Këtë argument e kundërshtuan prokurorët, ndërsa Gjykata për të mos vazhduar zvarritjen e procesit gjyqësor i caktoi të dyshuarit Gilmando Dani një avokat nga shteti, i cili pritet të njihet me dosjen dhe të paraqitet në ora 15:00 të pasditës së mërkurë, kur është parashikuar vazhdimin i procesit gjyqësor.
Nga ana tjetër, Ylvi Beqja ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, të cilin e njohën të dyshuarit dhe ishte i gatshëm të dëshmonte për kërcënimet, shantazhet dhe gjobat që ai pretendon se i ka paguar për llogari të bandës së drejtuar nga Emiliano Shullazi.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.
Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

R.POLISI

Dritëro Agolli në gjendje të rëndë shëndetësore, shtrohet në spital

Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Agolli e ka refuzuar shtrimin në spital pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, por me insistimin e mjekëve dhe familjarëve të tij, shkrimtari i madh është bindur të shtrohet në Sanatorium për të marrë një përkujdesje më të specializuar nga mjekët.
Prej kohësh, ai ka shfaqur një shëndet të dobët, ç’ka e ka detyruar të marrë oksigjen me hundë në rrugë artificiale. Në një prononcim për “BalkanWeb” bashkëshortja e tij, Sadije Agolli ka pohuar se “Dritëroi tani është mirë dhe nën kujdesin e mjekëve, asgjë për t’u shqetësuar”, është shprehur ajo.
Shkrimtari festoi 85¬-vjetorin e tij të lindjes në tetor të vitit të shkuar, me ç’rast u mbajtën një sërë aktivitetesh nga institucionet shqiptare dhe u botuan tri drama të panjohura e një libër me poezitë e tij të fundit, titulluar “Prit edhe pak”, poezi që kanë qenë në dorëshkrim dhe botoheshin për herë të parë dhe shumë prej tyre qenë poezi dashurie.
Po me rastin e 85-¬vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, Akademia e Shkencave i dha lexuesit në Shqipëri tri dramat e tij: “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua”. Dramat “Fytyra e dytë” dhe “Baladë për një grua” janë krejt të panjohura për lexuesin deri më sot, kurse drama “Mosha e bardhë” është botuar nga Rilindja në Prishtinë në vitet 1970¬-1980.