21.5 C
Tirana
E diel, 25 Maj, 2025

Kukeli në Formacionin e Vitit

Vetëm një shqiptar në podiumin e më të mirëve të vitit në futbollin zviceran. Bëhet fjalë për Burim Kukelin, i cili u përfshi në skuadrën e ëndrrave të Challenge League, kategorinë e dytë helvete.
Mesfushori shqiptar u pozicionua në Formacionin më të Mirë, për paraqitjet me Zurich-un, aty ku prej vitesh është një titullar i padiskutueshëm dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm për skemat e skuadrës.
Në mënyrë surprizë mes 11 yjeve mungonte sulmuesi Armando Sadiku. Bomberi kuqezi, i cili ishte i pranishëm në mbrëmjen gala të organizuar nga Federata zvicerane u penalizua nga operacioni në gju, që e mbajti për afro tre muaj jashtë fushave të lojës.
Asnjë lojtar i kombëtares shqiptare mes 11 më të mirëve të Superligës, ku i përjashtuari i madh ishte Taulant Xhaka. Mesfushori që fitoi titullin kampion për të katërtën herë në karrierë mbeti jashtë skuadrës së ëndrrave.
I vetmi i pranishëm ishte sulmuesi me origjinë shqiptare, por që përfaqëson Maqedoninë, Ezgjan Alioski për paraqitjet mjaft të mira në radhët e Luganos, aty ku në pjesën e mbetur të sezonit do të ketë si shok reparti pikërisht Sadikun, ndërsa në stol ish zv.trajnerin kuqezi, Paolo Tramezzani.

A u shantazhuan gjyqtarët që u tërhoqën nga KED?

Portali “Hashtag.al” thotë se Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka intimiduar të paktën 3 prej gjyqtarëve të zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Një burim i rezervuar diplomatik ka informuar “Hashtag.al” për një histori të pazakontë të ndodhur të enjten në selinë e ambasadës. Diplomati informon se: Një numër gjyqtarësh janë thirrur me urgjencë në ambasadë më datën 26 janar. Përpara tyre është paraqitur një punonjëse e shërbimeve konsullore të ambasadës, e cila u ka kërkuar pasaportën.
Më pas mbi pasaportë u ka vendosur një vulë ku revokohej viza që ata mbanin dhe u ka thënë që të vazhdonin dhe të dilnin nga ambasada. Kanë anuluar vizën e këtyre gjyqtarëve. Unë nuk e di saktësisht numrin e gjyqtarëve me vizë të anuluar, por di me saktësi se të paktën 3 nga këta gjyqtarë, të nesërmen janë zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pra, ambasada e ka kryer veprimin vetëm 24 orë para se të bëheshin zgjedhjet për KED-in.
A ishte ky veprim një metodë shantazhi e aplikuar nga ambasada?
Diplomati i kontaktuar nga “Hashtag.al” shkon dhe më tej dhe thotë se, veprimi i ambasadës mund të jetë i lidhur me procesin e Vettingut që do të zhvillohet në muajt e ardhshëm.
Logjika ta do që ky veprim nuk ishte thjesht një shantazh imediat për shkak të zgjedhjeve në Këshillin e Emërimeve. Por efektet e këtij veprimi mund të shkojnë edhe më tej. Sepse të gjithë gjykatësit do i nënshtrohen procesit të Vettingut dhe kur të merren në pyetje nga komisioni vlerësues anulimi i vizës mund të përdoret si pretekst për t’i goditur ata, shprehet burimi diplomatik.
Por si i përzgjedh ambasada amerikane gjyqtarët dhe zyrtarët, të cilëve u anulon vizat? Mbi ç’bazë? Mbi cilën metodologji apo të dhëna? Kush e informon ambasadën? Kush ja dorëzon listën e “gjyqtarëve të padëshiruar”?
Ambasadori amerikan Donald Lu vitin e fundit ka mbajtur një qëndrim të njëanshëm dhe tërësisht pro ambicieve të Partisë Socialiste në lidhje me reformën në drejtësi.
Ky qëndrim sugjeron mundësinë se lista e gjyqtarëve, të cilëve u është revokuar viza të mund të jetë në fakt dhe një listë e hartuar ose e ndikuar nga synimet politike të Partisë Socialiste.
Ndërsa burimi diplomatik që informoi “Hashtag.al”, ofron një analogji interesante kur shpjegon veprimin e ambasadës:
Këto praktika të ambasadës janë tejet të dyshimta dhe jotransparente. Të sjellin ndërmend ato shenjat që u vendoseshin në trup të burgosurve hebrenj. Ata që kishin shenjën duhej të shkonin në dhomat e gazit. E tillë duket dhe kjo vulë mbi pasaportat e gjyqtarëve dhe me gjasë do të përdoret si shenjë identifikuese gjatë procesit të Vettingut”, shprehet burimi.
“Hashtag.al”

Lista me 9 anëtarët e zgjedhur të KED-it më 27 janar:
1- Vladimir Kristo nga Gjykata Kushtetuese
2- Besnik Imeraj nga Gjykata Kushtetuese
3- Mirela Fana nga Gjykata e Lartë (dha dorëheqjen dje)
4- Rovena Gashi  nga Prokuroria e Përgjithshme
5 -Brikena Ukperaj Lubonja nga Gjykata e Apelit
6- Ervin Metalla nga Gjykata e Apelit
7- Gentian Trenova nga zyrat e Prokurorisë pranë Gjykatave të Apelit
8- Fatjona Mencaj nga zyrat e Prokurorisë pranë Gjykatave të Apelit
9- Kastriot Selita nga Gjykata Administrative e Apelit

Presidenti Bujar Nishani do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare ditën e premte, më datë 3 shkurt 2017, ora 12.00. Lajmin e dha Presidenca nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Vendimi u mor dje dhe kjo mbledhje vjen pas kërkesës së kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet për të diskutuar për mosarrestimin e Klement Balilit dhe për situatën e krimit në vend. Thirrja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” u shndërrua në shkëmbim replikash mes Presidencës, ministrit të Brendshëm Tahiri dhe Petrit Vasilit të LSI-së. Presidenca pranoi kërkesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për çështjen “Balili”. Ajo thotë se ekziston shqetësimi i partnerëve amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrave të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas. “Si dhe rrezikut që ekziston tashmë nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo edhe bazave të tyre, që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit”, tha Ols Lafe, drejtor i Kabinetit të Presidentit. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”. Kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me: – Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klemend Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare. – Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas. – Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit. Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë, si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit.

Presidenti Bujar Nishani do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare ditën e premte, më datë 3 shkurt 2017, ora 12.00. Lajmin e dha Presidenca nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Vendimi u mor dje dhe kjo mbledhje vjen pas kërkesës së kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet për të diskutuar për mosarrestimin e Klement Balilit dhe për situatën e krimit në vend. Thirrja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” u shndërrua në shkëmbim replikash mes Presidencës, ministrit të Brendshëm Tahiri dhe Petrit Vasilit të LSI-së.
Presidenca pranoi kërkesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për çështjen “Balili”. Ajo thotë se ekziston shqetësimi i partnerëve amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrave të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas. “Si dhe rrezikut që ekziston tashmë nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo edhe bazave të tyre, që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit”, tha Ols Lafe, drejtor i Kabinetit të Presidentit.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”. Kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me:
– Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klemend Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.
– Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.
– Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit. Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë, si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit.

Tabaku: FMN konfirmoi shqetësimet e opozitës

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku e cilësoi dje raportin e FMN si konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga opozita. “Raporti FMN për investimet e huaja rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim. Kemi më pak investime të huaja, jemi të parafundit në rajon, qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. U mungon vizioni sepse fuqitë i kanë harxhuar për tendera e koncesione. Ironikisht, sot kryeministri dhe ministri i Financave kanë shpallur nismën djallëzore të Rilindjes ‘Blej Shqipërinë përmes koncesionit’. Duan të shesin një vend, të cilin e kanë nxjerrë në koncesion, duan të shesin të ardhmen e qytetarëve pasi dështuan në çdo politikë ekonomike. Duan t’ia shesin bizneseve pranë tyre. Mbasi për 4 vite nuk ndërtuan asnjë shkollë të re, mbasi nuk hapën asnjë aks të ri rrugor, mbasi të ardhurat i ulen në nivele historike (vetëm vitin e fundit patën një mosrealizim prej 100 mln USD), filluan të riciklojnë premtimet e vjetra”, tha Tabaku. “Shifrat janë kokëforta, fatkeqësisht kjo mungesë vizioni, ky klientelizëm e kjo rritje kaotike taksash këto efekte ka. Kësaj mënyre qeverisje i duhet thënë jo! Taksa e sheshtë prej 9% e bën Shqipërinë përsëri konkurruese në rajon, kthen besimin e investitorëve e i jep frymë ekonomisë e biznesit! Shqipëria duhet të luftojë për çdo vend pune që krijohen në rajon! Shqipëria duhet të jetë përsëri konkurruese”, u shpreh deputetja e PD.

Pengesat politike në eurozonë

Pavarësisht një viti të karakterizuar nga kriza e emigrantëve, lëvizjet populiste, Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump, rimëkëmbja e vakët ekonomike e Eurozonës vazhdoi dhe gjatë 2016-s. Në tremujorin e tretë PBB-ja konfirmoi se ekonomia u rrit me 0.3%, krahasuar me një periudhë më parë, duke pasur rritjen prej 0.3% të tremujorit të dytë dhe rritjen prej 0.5% të tremujorit të tretë. Rritja e Eurozonës mbetet e qëndrueshme gjatë vitit, nxitur nga forcimi i ekonomisë së brendshme ndërkohë që sektorët e jashtëm nuk kanë shkëlqyer. Përmirësimet në tregun e punës, inflacioni i ulët dhe politikat monetare tepër lehtësuese kanë nxitur rritjen në vend, por megjithatë investimet duan kohë për të marrë veten. Të dhënat për tremujorin e fundit të vitit tregojnë se do të vijojë forcimi i ekonomisë së brendshme. Në nëntor, ndjeshmëria ekonomike u rrit, pavarësisht mjedisit me risk të shtuar. Për më tepër, norma e papunësisë ra në tetor. Treguesit ende nuk tregojnë ndonjë shenjë të prekjes prej shokut të ngjarjeve politike dhe analistët e Focus Economics vërejnë një rritje prej 0.4% në tremujorin e katërt.

Manjani i përgjigjet Lutaj: Të shohë gjendjen mendore të Ramës

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Ylli Manjani, reagoi pas akuzave të deputetit socialist Piro Lutaj gjatë Komisionit të Ligjeve. “Do presim vizitën mjekësore të ministrit të Drejtësisë”, tha Lutaj dje gjatë debatit për shkarkimin e Ylli Manjanit. Ndërsa në reagimin e tij ministri në detyrë shprehet se, ai duhet të kërkojë analizat e veta dhe të kryetarit të tij Edi Rama. “Përshëndetje, Po lexoj në një portal që, një deputet koti i Komisionit të Ligjeve kërkon analizat e mia mjekësore..! I sugjeroj deputetit rilindas të kërkojë analizat e Kryetarit të vet! Nëse nuk ja jep i sugjeroj ta kërkojë në memorien e shtypit shqiptar. Ja ka botuar Gazeta Tema kohë më parë”, shkruan Manjani. Duket se Rama ka urdhëruar një fushatë denigrimi ndaj ish-ministrit Manjani, i cili e akuzoi direkt për kapje të qeverisë nga trafikantët e drogës dhe nga krimi i organizuar. I pari që u hodh në sulm ishte dje deputeti Piro Lutaj, pas një debati me Eduard Halimin, deputetin e Partisë Demokratike. Por duket se Manjani e ka pasur të gatshëm përgjigjen për Lutajn, duke i kujtuar atij akuzat që i ka bërë këshilltari i tij meditiak Mero Baze në gazetën që drejton.

Si po vjedh Veliaj dhe kunati i tij përmes projektit të Pazarit të Ri

Ish-Kryeministri Berisha publikoi denoncimin e një qytetari, i cili tregon skemën se si Veliaj dhe njerëzit pranë tij po vjedhin përmes projektit për rikonstruksionin e Pazarit të Ri. “Në Banditistan pas çdo vjedhjeje qëndron një pushtetar! Qytetari dixhital denoncon: Ndëshkimin e tij antiligjor nga Veliaj që përdor projektin e rindërtimit të Pazarit të Ri për xhepat e tij, kunatit të Lal plehut dhe deputetit Qefalia! Shkatërrimin antiligjor të biznesit të tij dhe bizneseve të tjera nga Veliaj për të mbushur xhepat e tij, kunatit të Lal plehut dhe deputetit Qefalia! Në Banditistan pas çdo vjedhjeje qëndron një pushtetar! I bëj thirrje Prokurorisë të nisë me përparësi hetimin dhe të vendosë para ligjit hajnat e shtetit!”, shprehet Berisha në postimin e tij. Ai ka postuar gjithashtu të plotë edhe denoncimin e qytetarit dixhital. “Zoti Berisha përshëndetje, jam një pronar biznesi në Pazarin e Ri, më saktë kam një Zgarë Korçare. E kam blerë këtë biznes para 6 muajsh 150000 euro me kredi. Sot na vijnë ushtarët e Erion Veliajt dhe na thonë se duhet ta mbyllim, pasi projekti i rikonstruksionit te Pazari i Ri e parashikon ta bëjë pastiçeri, siç ka qenë në kohën e Enverit. E kuptojmë që këta janë nostalgjikët e Enverit, por si t’ja bëjmë ne që kemi marrë kredi, si do t’i lajmë këto para? Kam 8 punëtorë që do të ngelen pa punë, po ashtu dhe dyqanet e tjera që do të mbyllen që i kap projekti. Ku do të shkojmë, si t’ja bëj unë? Vetëm të vras veten më ka ngel. I gjithë rikonstruksioni i Pazarit të Ri po bëhet vetëm për dy vetë, Erion Veliajn me kunatin e tij dhe Xhemal Qefalinë. Këta janë zotërit e ri të pazarit, pasi i kanë përvetësuar gati të gjithë bizneset në pazar. Ju lutem zoti Berisha ngrijeni si çështje, ju lutem me gjithë zemër. Faleminderit dhe ju uroj shëndet ju dhe familjes tuaj. Ju lutem në qoftë se e publikoni mos më nxirrni me emër se nga këta çfarë nuk pret”, thuhet në denoncimin e qytetarit.

Rama me këshilltarët e tij po vjedhin troje në Vuno

Vjedhja e trojeve në Vuno ka qenë një tjetër denoncim i qytetarëve i publikuar dje nga ish-Kryeministri Sali Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Grabitjen e tokave në Vuno nga famozi Xhillari, Rama, këshilltarët e Ramës. Shtoj këtu që Xhillari ishte fitues i 80% të lejeve të ndërtimit të Bashkisë së Tiranës”, shkruante Berisha në postimin e tij. “Përshëndetje zoti Sali Berisha, në fshatin Vuno, në zonën e bregdetit, Jalë, Kopani, Soleil & Sea Shpk, po përpiqet të legalizojë objektet, ato objekte nuk janë të asaj kompanie dhe toka nuk i përket asaj kompanie. Pas kësaj afere janë Rama dhe këshilltarët e Ramës dhe pronar i kompanisë është Alban Xhillari”, thuhej në denoncimin e qytetarit.

FMN: Shqipëria vendi me më pak investime të huaja

Fondi Monetar Ndërkombëtar përditësoi së fundmi ecurinë e stokut të investimeve të huaja hyrëse për 2015 në 117 ekonomi, në të cilat është edhe Shqipëria.
Sipas statistikave të Fondit, Shqipëria në fund të vitit 2015 e ka stokun e investimeve të huaja hyrëse në 4.2 miliardë dollarë. Kjo është vlera më e ulët në rajon, duke përjashtuar edhe Kosovën.
Sipas FMN, edhe Maqedonia e Mali i Zi, që janë ekonomi më të vogla se ajo e Shqipërisë, e kanë stokun e investimeve të huaja hyrëse më të lartë se Shqipëria, përkatësisht me 4.8 dhe 4.5 miliardë dollarë.
Siç shihet nga të dhënat, stoku i investimeve të huaja hyrëse në Shqipëri më 2015 shënoi një rënie të lehtë me 8 milionë euro.
Sipas Fondit, investitori më i madh në Shqipëri mbetet Greqia, me 30% të totalit të stokut të investimeve ose 1,27 miliardë dollarë. Holanda me 706 milionë dollarë ose 17% të totalit të stokut, në vend të tretë është Turqia me 397 milionë euro ose 9% të stokut, në vend të katërt është Austria, me 350 milionë dollarë ose 8% të totalit dhe në vend të pestë është Italia, me 222 milionë dollarë.
Një vit më herët, më 2014, struktura e investimeve ka qenë krejt tjetër. Pas Greqisë, në vend të dytë ishte Kanadaja, nëpërmjet Bankers Petroleum, e cila më 2016 u ble nga kinezët e Geo Jade Petroleum.

Ndër të fundit në Europë në indeksin e shëndetit konsumator

Ministria justifikohet me faktin se shqiptarët shkojnë tek doktori vetëm për hall, por raporti e nxjerr blof: Shqiptarët shkojnë te doktori dy herë më shumë se suedezët. Ndër të fundit në Europë për parandalimin dhe shumëllojshmërinë dhe aksesin e shërbimeve…
Shqipëria renditet e 32-a nga 35 shtete europiane në Indeksin e Shëndetit Konsumator 2016 të matur nga Health Consumer Powerhouse, të publikuar më 30 janar.
Indeksi është një mënyrë për të matur se në çfarë mase, secili nga 35 vendet përmbush pritshmëritë e një shëndeti shëndetësor të mirë dhe të orientuar ndaj konsumatorëve.
Shqipëria është përfshirë në këtë indeks me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë, thuhet në raport.
Shqipëria, thekson raporti, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor.
Më keq se ne renditen Rumania, Mali i Zi dhe Bullgaria. Por, raporti thekson se Shqipëria shpëton nga vendi i fundit, kryesisht për shkak se ka një performancë të fortë në akses, ku organizatat e pacientëve gjithashtu më 2016-n konfirmuan versionin e ministrisë se kohët e pritjes janë një problem i vogël.
Shpjegimi i ministrisë për nivelin e ulët të përdorimit të kujdesit shëndetësor lidhet me faktin se “shqiptarët janë të vështirë dhe shkojnë tek doktori vetëm kur janë të detyruar”. Por, sipas raportit, ky është një thjeshtim i situatës; shqiptarët vizitojnë doktorin e tyre kryesor mëse dy herë më shumë se suedezët (3.9 vizita në vit kundrejt 1.7).
Shqipëria ndan të njëjtin problem me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë: është e vështirë të vlerësohet se cilat shërbime shëndetësore janë të aksesueshme pa pagesë nën dorë.
Sipas raportit, Shqipëria paraqitet më keq në treguesin e parandalimit, me 65 pikë, produkteve farmaceutike me 35 pikë dhe sidomos llojit dhe aksesit në shërbime, ku është e fundit në Europë me vetëm 42 pikë. Në total, Shqipëria merr 526 pikë.
Shërbimin më të mirë shëndetësor në Europë e kanë Holanda (927 pikë), Zvicra (904), Norvegjia (865).
Në Europën Juglindore, Italia dhe Spanja ofrojnë shërbime shëndetësore, ku ekselenca mjekësore mund të gjendet në shumë vende.