Një ditë pas aksidentit tragjik në Fier me dy të vdekur dhe një të plagosur, banorët e fshatit Shën Pjetër japin alarmin për mungesën e barrierave mbrojtëse në urën nga ku ra automjeti. Edhe pse u vendosën rreth 1 vit më parë, këto barriera u vodhën e dëmtuan brenda një kohe të shkurtër, duke rrezikuar jetë njerëzish.
Ura në segmentin Hoxharë e Re-Fier ku mbrëmjen e së hënës humbën jetën dy persona e u plagos një tjetër, prej kohësh cilësohet si ura e vdekjes për banorët e fshatit Shën Pjetër dhe të zonave përreth.
Edhe pse barrierat mbrojtëse janë vendosur disa kohë më parë, ato janë dëmtuar dhe vjedhur, duke e kthyer këtë urë në një pikë të rrezikshme për qarkullimin e banorëve, por edhe të turistëve të shumtë që frekuentojnë fshatrat bregdetarë të Fierit. Banorët rrëfejnë se ky aksident nuk është i pari.
Emiliano Goxhaj dhe Silvana Alushaj humbën jetën, pasi automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin doli jashtë rrugë dhe ra në kanalin poshtë urës. I plagosur ka mbetur edhe pasagjeri Hazis Hilaj, 35 vjeç. Gjithçka nisi si një shëtitje turistike e të treve dhe përfundoi në mënyrë tragjike.
Mungesa e barrierave në akset rrugore merr jetë njerëzish
Shembet galeria, plagoset rëndë minatori në Bulqizë
Një minator është plagosur rëndë në minierën e Martaneshit në rrethin e Bulqizës, teksa punonte për të nxjerrë krom. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kur minatori, Avni Heti 45 vjeç ka hyrë si çdo ditë në galeritë e minierës. Në momentin që është plagosur rëndë, Heti punonte në 1 mijë metra thellësi nën tokë. Sipas të dhënave në Spitalin Rajonal të Bulqizës, minatori është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, duke qenë se gjendja e tij ishte tepër e rëndë.
Katër ditë më parë, një minator ka humbur jetën në Tropojë për shkak të shembjes së minierës së Lajthizës. Burimet bënë të ditur se ka gjetur vdekjen minatori me inicialet A.K, 40 vjeç, si dhe është plagosur një minator tjetër. Para disa kohësh një tjetër minator humbi jetën në minierën e Zogajt në Tropojë. 42-¬vjeçari R.A. ka qenë duke punuar kur një masiv gurësh ka rrëshkitur, duke e zënë minatorin poshtë. Kolegët e tij kanë punuar për 3¬4 orë për të nxjerrë trupin e pajetë.
67-vjeçari nga Elbasani i vë flakën vetes, rëndë në spital
Ka lyer trupin me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes ditën e djeshme në Elbasan. Të afërmit e kanë gjetur në flakë dhe janë përpjekur ta shpëtojnë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku 67-vjeçari Xhevit Tanushi i ka vënë flakën vetes, duke pësuar djegie të rëndë. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rëndë është nisur drejt Tiranës.
Sipas mjekëve të Elbasanit, djegia që ka pësuar trupi i tij është tejet e rëndë dhe një rast me gradë të tillë djegie nuk është paraqitur asnjëherë në repartin e Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore të Elbasanit.
Dyshohet se shkak për aktin ekstrem ka qenë gjendja e rënduar depresive e 67-vjeçarit. Sipas dëshmive të para, ai mjekohej rregullisht për depresion. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes së rëndë.
4 shqiptarë kapen në Itali me drogë me vlerë 1 milion euro
Katër shqiptarë janë kapur nga policia italiane gjatë një operacioni antidrogë të shtrirë në 4 qytete: Forli, Cesena, Rimini dhe Ravena. Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, atyre u janë sekuestruar 6 kg kokainë, 2 kg marijuanë, 200 gr hashash dhe 54 mijë euro. Një pjesë e drogës është gjetur në makinë, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në banesën ku rrinin shqiptarët.
Ata u kapën pas një hetimi të gjatë ku ka edhe prova filmike të shitjes së lëndëve narkotike. Të arrestuarit, të cilët nuk bënin asnjë punë, lëviznin lirshëm në zonën Romagna-s. Mësohet se vlera e përgjithshme e drogës shkonte në treg mbi 1 milion euro. Emrat e të arrestuarve nuk bëhen publik për momentin nga policia italiane.
Shtypi me makinë nënën e dy fëmijëve, 6 vite burg për 21-vjeçarin
Gjykata e Tiranës ka dënuar të riun Andrea Memollari, i cili aksidentoi për vdekje Dhurata Priftin, kohë më parë në kryeqytet. Gjykata e ka dënuar me 9 vite burg 21-vjeçarin. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, i riu do të bëjë 6 vite burg. Gjatë leximit të vendimit i pandehuri nuk ka qenë i pranishëm në sallë dhe është përfaqësuar vetëm nga avokati.
Prokuroria ka kërkuar 10 vite heqje lirie për Andrea Memollarin, i cili në korrik të vitit të shkuar përplasi për vdekje me makinë nënën e dy fëmijëve, Dhurata Prifti. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 korrik në rrugën “Asim Vokshi” në kryeqytet. Pasi e përplasi për vdekje 45-vjeçaren, Memollari i kaloi përsipër me makinë dhe u largua nga vendngjarja.
Ai kishte shkelur edhe herë të tjera rregullat e qarkullimit rrugor. Në vitin 2015, ai u dënua nga gjyqtari Martin Deda me 40 orë pune, në interes publik për korrupsion aktiv, pasi tentoi t’i jepte para policëve rrugorë, që e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë. I njëjti gjyqtar, në një rast të ngjashëm, për të njëjtën vepër penale, korrupsion aktiv ndaj punonjësit të Policisë Rrugore, ka dhënë dënim me burg 8 muaj.
Korrupsion nëpërmjet falsifikimit, në pranga 3 zyrtarë dhe një polic në Berat
Tre punonjës të Degës së Kontrollit Teknik të Automjeteve në Berat dhe një punonjës policie kanë rënë në pranga, pasi akuzohen për ‘korrupsion pasiv’, dhe ‘shpërdorim detyre’. Pas një muaj hetimesh, Sektori i Krimit Ekonomiko-Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SH.Ç.K.A), kanë mundësuar arrestimin e 3 punonjësve të kësaj pike gjatë punës në Urë-Vajgurore, ku edhe është Dega e Kontrollit Teknik të Automjeteve.
Bëhet e ditur se në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet A.D, 59 vjeç, H.Sh, 62 vjeç dhe D.K, 28 vjeç. Ata akuzohen për “Korrupsion Pasiv në Sektorin Privat” dhe “Falsifikim të vulave, stampave e formularëve”. Arrestimi i tre punonjësve erdhi menjëherë pas vendimit të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat, e cila kishte dhënë për ta masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të sipërpërmendura.
Burime zyrtare pohuan se i dyshuar për këtë aferë korruptive akuzohet se është përfshirë dhe Zaçe Kajo, 44 vjeç, me detyrë “punonjës policie” në Komisariatin e Policisë Skrapar, i cili akuzohet për “Shpërdorim Detyre”, “Përkrahje e Autorit të Krimit” dhe “Ushtrim i Ndikimit të Paligjshëm”. Edhe arrestimi i punonjësit të policisë Zaçe Kajo erdhi pas vendimit të marrë në po të njëjtën ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat, e cila kishte dhënë për të masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të sipërpërmendura.
Votim elektronik ose protesta popullore
Një aksion politik mbarëqytetar sepse në fund të fundit çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes pyetjen: A mund të ndërtojë jetën e tij, të fëmijëve të tij, të fëmijëve të saj, në një vend ku nuk garantohet vota? A ia vlen, të ngrihemi për të garantuar lirinë e votës, dinjitetin dhe lirinë individuale që vjen përmes lirisë së votës?
PD po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve, të aksionit politik qytetar të protestave, për të arritur përmes një bashkimi të madh qytetar, atë që kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë ka refuzuar ta bëjë tashmë përmes rrugës institucionale
Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje nisjen e protestave popullore në mbarë vendin si mënyrën e vetme në betejën për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në një kohë kur mazhoranca refuzon projektin për votimin elektronik. “Mbledhja e grupit parlamentar më dha rastin të informoj edhe parlamentarët tanë për rezultatet e vizitës time në Uashington, Bruksel dhe Berlin, me theks të veçantë për angazhimin e faktorit ndërkombëtar, partnerëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Europian, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri është e lidhur me problemin e madh të kriminalizimit të politikës, të krimit të organizuar, të drogës. Këto janë probleme që opozita i ka denoncuar prej tre vitesh. Këto janë probleme për të cilat opozita ka luftuar dhe ka arritur të ndryshojë ligjet, siç është ligji për dekriminalizimin. Por, që për fat të keq, nuk po gjen zbatim për shkak të mungesës së vullnetit politik”, u shpreh kreu i PD Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar. Kreu i PD paralajmëroi se kapja dhe lidhjet e anëtarëve të qeverisë me krimin kërcënojnë zgjedhjet e ardhshme, të cilat rrezikojnë të vidhen e të prishen. “Vullneti politik mungon sepse Edi Rama dhe koalicioni i tij qeverisës e ka lidhur fatin e tij me krimin, me drogën. Kjo u pa qartësisht edhe nga lëvizjet e fundit politike brenda koalicionit, të cilat kanë asgjësuar ‘de facto’ një koalicion politik dhe kanë shpalosur para shqiptarëve një qeveri, e cila diktohet nga bandat e krimit të organizuar. Nuk ka, në këtë kuptim, asgjë të re nga zhvillimet e fundit politike brenda qeverisë. Por ka diçka të dobishme për çdo shqiptar dhe shqiptare, të djathtë apo të majtë, edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë: Dhe kjo është dëshmia jo e një, por e dy anëtarëve të kabinetit dhe anëtarëve të tjerë të mazhorancës, se lidhjet me krimin, me Balilin dhe balilajt, me habilajt dhe bandat e tjera të krimit të organizuar, Edi Rama i ka në funksion të kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, tha kreu i PD, ndërsa shtoi se kjo është arsyeja pse Rama nuk pranon votimin elektronik. “Ndonëse votimi elektronik nuk zgjidh çdo problem, por në masë të madhe skemën kriminale të përdorimit të bandave, të drogës, të policisë tutore të kanabisit, të policisë që sillet si bandë për zgjedhjet. Pa dyshim që votimi elektronik është një masë, e cila jep besim tek votuesit”, u shpreh Basha. I pyetur nga gazetarët në lidhje me aksionin politik të opozitës Basha tha se, PD do t’i prijë betejës për garantimin e zgjedhjeve të lira.
– Mbështetet kjo ide nga ndërkombëtarët z.Basha dhe nga ambasadori i OSBE-së?
Nuk ka fare rëndësi se çfarë mendojnë individët. Zgjidhjet që ne kemi shtruar në tavolinë janë plotësisht të mundshme dhe unë kam patur rastin ta diskutoj edhe sot me bashkëbiseduesit që kanë qenë të pranishëm në Partinë Demokratike. Por mesazhi që kam për shqiptarët sot dhe që ndava edhe me anëtarët e grupit, është se koha për zgjidhje institucionale po mbaron me shpejtësi. Nuk ka vullnet për zgjidhje institucionale. Qeveria po luan me kohën. Çdo ditë që kalon është një alibi për të shteruar opsionet e zgjidhjeve institucionale. Ndaj koha po vjen për një aksion mbarëqytetar, një aksion politik mbarëqytetar.
– E keni fjalën për protesta?
Sigurisht! Një aksion politik mbarëqytetar sepse në fund të fundit çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes pyetjen: A mund të ndërtojë jetën e tij, të fëmijëve të tij, të fëmijëve të saj, në një vend ku nuk garantohet vota? A ia vlen, të ngrihemi për të garantuar lirinë e votës, dinjitetin dhe lirinë individuale që vjen përmes lirisë së votës?
Unë besoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetjeje, sepse e kundërta do të thotë një Shqipëri pa të ardhshme. Ndaj Partia Demokratike po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve, të aksionit politik qytetar të protestave, për të arritur përmes një bashkimi të madh qytetar, atë që kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë ka refuzuar ta bëjë tashmë përmes rrugës institucionale.
Ju jeni të gjithë dëshmitarë, publiku është dëshmitar që unë si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike prej tre vite e gjysmë, jam përpjekur dhe kam luftuar fort për zgjidhje institucionale. Dëshmitë tronditëse që vijnë nga vetë gjiri i qeverisë tregojnë që ky është një gjiriz dhe jo më kornizë institucionale. Ndaj u takon qytetarëve të marrin përsipër fatet e tyre, opozitën dhe Partinë Demokratike do t’i kenë në ballë të kësaj beteje.
Demokracia e rrezikuar, krimi dhe qeveria, duart tek zgjedhjet
Në një nga mjediset e Senatit amerikan u zhvillua dje një forum mbi kërcënimin terrorist dhe rrezikun e sulmeve kibernetike. Në forum morën pjesë anëtarë të parlamenteve të disa vendeve evropiane përfshi Shqipërinë, Kosovën, Austrinë, Bullgarinë, Maqedoninë, Kroacinë dhe Gjermaninë. Ky takim zhvillohet në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një debat i madh pas urdhrit të presidentit Trump për të ndaluar qytetarë të disa vendeve me shumicë myslimane për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, si masë sigurie për të parandaluar sulme si ato që janë parë në Evropë.
Synimi i forumeve të tilla është pikërisht shkëmbimi i ideve dhe përvojave për të parandaluar sulme terroriste nga Shteti Islamik dhe për të parë rrugët e bashkëpunimit mes vendeve për të ulur rrezikun pas kthimit në vendet e origjinës të luftëtarëve që kanë qenë pjesë e luftimeve të këtij grupi në Irak dhe Siri.
Ky forum mblodhi dje anëtarë të parlamenteve të disa vendeve të Ballkanit dhe Evropës, të cilët shkëmbyen shqetësimet e tyre për situatën e sigurisë dhe kërcënimin e sulmeve terroriste sidomos pas krizës së refugjatëve në Evropë që ka lejuar hyrjen pa kontroll të një numri të madh njerëzish nga vendet e Lindjes së Mesme. Takimi është një nismë e senatorit republikan nga Oklahoma, Jim Inhofe dhe ish-ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në takim foli edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili shpjegoi situatën e sigurisë në vend dhe nevojën për një ndërgjegjësim më të madh mbi kërcënimin terrorist.
Takimi ishte me dyer të mbyllura dhe kamera e “Zërit të Amerikës” u lejua vetëm për pak kohë, në mënyrë që pjesëmarrësit të ishin sa më të hapur në shprehjen e mendimeve të tyre. “Zëri i Amerikës” bisedoi pas takimit me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
– Zoti Mediu, sa real është ky kërcënim për Shqipërinë?
Asnjë vend në botë nuk është i imunizuar nga sulmet terroriste apo probleme të tjera që kanë të bëjnë me shqetësimet e sigurisë, përfshi këtu edhe çështjen tjetër që u shtrua, kërcënimet e sulmeve kibernetike. Është e rëndësishme që faktorët politikë të çdo vendi ta vlerësojnë atë maksimalisht dhe të gjejnë mënyrat e koordinimit për të parandaluar veprimet. Një nga shqetësimet që ka sot Ballkani është masa e madhe e njerëzve apo atyre që njihen si foreign fighters, të cilët kanë luftuar në Siri, por edhe kthimi i tyre, për më tepër tani stategjia e ISIS është më tepër sesa për të rekrutuar, më shumë sesa për të krijuar vatra të tilla, të cilat mund të strukturohen dhe të godasin sigurinë e vendit tonë dhe jo vetëm të vendit tonë, por edhe pjesët e tjera të Ballkanit edhe të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
– Çfarë masash ka marrë qeveria juaj për të parandaluar sulme të mundshme terroriste sidomos pas rrezikut që shfaqet nga kthimi i luftëtarëve që kanë marrë pjesë në luftimet në Siri?
Kuvendi i Shqipërisë mori disa nisma ligjore përsa i përket rekrutimit, domethënë konsiderimin e tyre si vepër penale. Mendoj se ka nevojë për një diskutim më të gjerë për këtë çështje sepse nuk është çështje mendoj vetëm e qeverisë, por e gjithë klasës politike shqiptare dhe aktorëve të tjerë, sidomos e atyre që merren me predikimin apo me pjesën fetare. Është shumë e rëndësishme për të parë sesi mund të risocializohet kjo pjesë e atyre që kanë vajtur duke qenë viktima të kësaj lufte, por njëkohësisht për të parë se si mund të kontrollojmë të gjithë atë kthim të njerëzve që vijnë me synime të tjera terroriste duke ardhur në një mënyrë edhe më të organizuar dhe me një qëndrim shumë më të ashpër sesa kur u nisën për në Siri. Padyshim që ka struktura të shtetit duke nisur nga ato të inteligjencës dhe të sigurisë, të cilat merren me këto çështje, por besoj se ka nevojë për një strategji më të koordinuar të Shqipërisë edhe në këndvështrimin global, por edhe sidomos në këndvështrimin rajonal sepse flasim për një siguri që cenon nga pikëpamja rajonale dhe si vende ne kemi nevojë për shkëmbim inteligjence, por edhe koordinim të veprimeve tona konkrete.
– Ju keni qenë këto ditë këtu në Shtetet e Bashkuara dhe jam e sigurtë që keni parë protestat e organizuara nga amerikanët që kundërshtojnë urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump për të ndalur hyrjen në vend të imigrantëve dhe refugjatëve nga shtatë vende kryesisht myslimane. Cili është mendimi juaj për këtë urdhër?
Të vish nga një vend si Shqipëria që për 45 vjet e ka patur të pamundur që të lëvizësh në pjesë të tjera të botës dhe Amerikën e ka pas ëndërr dhe pas një procesi të vështirë të liberalizimit të vizave, natyrisht që ndjej një sens keqardhje. Por nëse si qytetar shqiptar ndjej këtë sens, padyshim që duhet të kuptoj që edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës interesin primar ka sigurinë e Amerikës dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve amerikanë. Ajo që është e rëndësishme është që një proces vettingu në këto kohëra të sotme është i domosdoshëm. Kjo është ngritur prej kohësh. Sistemi duhet patjetër të filtrojë të gjithë ata njerëz që duan të lëvizin dhe njëkohësisht të shmangë ata, të cilët kanë qëllime të këqija, qëllime terroriste.
– Të ndalemi pak tek politika në Shqipëri. Jeni pesë muaj larg zgjedhjeve dhe vetëm tani po intensifikohet retorika për reformën zgjedhore. A mendoni se reforma zgjedhore do të përfundojë në kohë?
Ka kohë që e kemi bërë këtë debat. Për herë të parë mbas 16 vjetësh, Shqipëria nuk kryen reformën zgjedhore. Dhe kjo për mendimin tim në mënyrë të qëllimshme nga ana e mazhorancës për ta prurë reformën në limite të fundit dhe për të bërë ndryshime minimale dhe jo thelbësore që nuk garantojnë votën e qytetarëve. Në muajin maj Partia Demokratike dhe një pjesë e opozitës ka paraqitur rekomandimet e veta si për numërimin elektronik edhe për elementë të tjerë të rëndësishëm. Partia Republikane po ashtu në fund të shtatorit ka paraqitur rekomandimet e saj. Ka paraqitur LSI-ja, një grup partish politike dhe disa propozime të fundit të Partisë Socialiste. Çfarë e ka penguar këtë komision që të arrijë e të veprojë? Thjesht vetëm mungesa e vullnetit politik nga ana e mazhorancës. Bindja ime është që mazhoranca vazhdon në rrugën e saj të idesë për të kontrolluar zgjedhjet jo nëpërmjet një procesi të drejtë ku qytetarët të jenë të lirë të votojnë, por në lidhje të ngushta me krimin, me trafikun e drogës edhe manipulimin e zgjedhjeve, të provuara edhe nga ne si opozitë, por sidomos nga ndërkombëtarët në zgjedhjet e 2015-ës.
– Një problem i mprehtë për Shqipërinë është përhapja e marijuanës, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duket se vendi juaj po dështon. Si mund të zgjidhet ky problem që ka ekzistuar si në qeverinë e mëparshme ashtu edhe në këtë të sotmen? A është kapur politika nga krimi i organizuar?
Padyshim që fenomeni i trafikut të drogës nuk është një fenomen i ri, por përmasat që ka marrë gjatë kësaj qeverie, qëllimi i kësaj qeverie për të mos e luftuar trafikun e drogës, biles për ta stimuluar atë, sidomos në kultivimin e marijuanës në gjithë territorin e Shqipërisë, në qoftë se kishim raste të shkëputura në Lazarat, tashmë kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë, të ardhurat nga trafiku i drogës janë me miliarda dollarë dhe padyshim që interesin e kanë për të riinvestuar në interesin e tyre për t’u futur dhe për t’u lidhur me politikën. Mendoj që vëzhgime të ndryshme edhe nga shtypi ndërkombëtar për lidhje të segmenteve të shtetit me trafikun e drogës përbëjnë një kërcënim real për të ardhmen e demokracisë shqiptare, jo vetëm në procesin zgjedhor, por në tërë procesin tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sidomos të funksionimit të një shteti normal, i cili ka synim kryesor sigurimin e jetës së qytetarëve dhe sidomos luftën kundër trafiqeve ilegale.
– Ju do të jeni këtu në Mëngjesin e Lutjeve të enjten. Çfarë prisni nga ky mëngjes këtë radhë?
Unë kam një kohë të gjatë bashkë me një grup kolegësh të majtë dhe të djathtë, domethënë kemi një marrëdhënie prej vitesh, kemi ndërtuar një marrëdhënie të rëndësishme edhe me senatorët dhe kongresmenët dhe përfaqësues të administratës. Padyshim është një marrëdhënie shkëmbimesh normale të njohjes së problematikës dhe një moment ku është si presidenti amerikan dhe autoritetet më të larta ku besoj interesi primar është ndërtimi i komunikimit, i koordinimit të marrëdhënieve si në nivel rajonal edhe në nivel global. Mendoj që është një nga aktivitetet më të jashtëzakonshme të paktën në historinë time 26-vjeçare si politikan. Shumë njerëz e marrin në këndvështrimin religjoz, nuk është aspak i tillë. Janë 176 shtete nga prejardhje fetare nga më të ndryshme nga i gjithë globi ku interesim primar është të shohim sesi të funksionojmë për t’i shërbyer më të mirës.
Steve Bannon: Jemi në luftë me terrorizmin
Jim Edwards
Tani që presidenti Donald Trump ka shtuar Steve Bannon në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (pasi ka hequr drejtuesin e Inteligjencës Kombëtare dhe kreun e Shefave të Stafit), duhet të analizojmë edhe një herë mënyrën se si Bannon shikon botën dhe specifikisht si shikon sigurinë kombëtare.
Ish-kreu i Breitbart i ka diskutuar këndvështrimet e tij gjatë një takimi me Institutin e Dinjitetit Kombëtar, një grup konservator fetar që mbajti një konferencë në Vatikan në vitin 2014. Një regjistrim i takimit është përftuar nga “BuzzFeed”. Gjatë këtij takimi, Bannon ka përshkruar një peizazh apokaliptik të historisë moderne. Ai ka thënë se Perëndimi ka dalë vetëm kohët e fundit nga “Epoka e Errësirës” që ishte fillimi i shekullit 20. Edhe pse kapitalizmi ka nxitur një epokë të shkurtër prosperiteti, tha ai, po kërcënohet nga ai që e quan “barbaritet i ri” të terrorizmit islamik, një kërcënim që mund të zhdukë shekuj të tërë zhvillimi.
“Ndodhemi në fazat fillestare të një konflikti brutal dhe të përgjakshëm”, tha ai gjatë konferencës. “Barbariteti i ri që po nis, mund të çrrënjosë plotësisht gjithçka që kemi arritur gjatë 2 mijë, 2,500 viteve të fundit”. “Këto këndvështrime janë veçanërisht interesante për shkak të urdhrit ekzekutiv të firmosur ditën e premte nga presidenti Trump, që ndalon përkohësisht udhëtimin nga shtatë vende të mëdha myslimane dhe frenon përfundimisht praninim e refugjatëve sirianë në SHBA.
Ai e ka quajtur shekullin 20 “Epokën e re të errësirës” të vdekjes dhe shkatërrimit të nxitur nga Lufta e Parë Botërore. “Ajo luftë nxiti një shekull të tërë barbarizmi të paprecedent në historinë e njerëzimit. 180 deri 200 milionë njerëz janë vrarë gjatë shekullit 20 dhe mendoj se sot, qindra vite nga atëherë, ne jemi produkt i asaj kohe. Ne jemi fëmijët e barbaritetit. Kjo mund të shihet si epoka e re e errësirës”.
Epoka e Errësirës, tha ai, ndaloi vetëm pas ngritjes së prosperitetit perëndimor. Por thotë gjithashtu se kapitalizmi po kërcënohet sot nga “barbariteti i ri”. “Ne jemi në fazat fillestare të një konflikti tepër brutal dhe të përgjakshëm. Barbariteti i ri po nis dhe do të shfarrosë gjithçka që kemi arritur”.
Ai thotë se Shteti Islamik do të përhapet në të gjithë Perëndimin po të mos frenohet. “Ne ndodhemi në një luftë të vërtetë kundër fashizmit islamik xhihadist. Unë mendoj se kjo luftë po përhapet si kancer, më shpejt nga sa mund të përballojnë qeveritë. Ndodhemi në fazat fillestare të një konflikti global dhe nëse nuk bashkohemi si partnerë me vendet e tjera, ky konflikt do të na përpijë. Shteti Islamik tashmë ka një profil në Twitter ku flet se si do ta kthejë Amerikën në një “lumë gjaku” nëse do të jetë e nevojshme. Më besoni që kjo ka për të ndodhur në Europë. Kjo do të ndodhë në Europën Qendrore dhe Perëndimore, do të arrijë tek Mbretëria e Bashkuar”.
Ai e përshkruan terrorizmin një “konflikt global”. “Duhet të përballemi me një fakt të pakëndshëm, që po zien një luftë madhore, një luftë që do të jetë globale. Do të zhvillohet në shkallë globale dhe teknologjia, media dhe aksesi i ditëve të sotme në armët e shkatërrimit në masë, do të shkaktojë një konflik global me të cilin do të duhet të përballemi. Çdo ditë që refuzojmë ta shikojmë situatën ashtu siç është, është një ditë për të cilën do të pendohemi thellë”.
Ai thotë se nacionalizmi do të mbrojë Perëndimin. “Sovraniteti individual i një vendi është diçka e mirë dhe e fuqishme. Unë mendoj se vendet e fuqishme dhe lëvizjet e forta nacionaliste i bëjnë fqinjët më të fortë dhe ndërtojnë një Europë Perëndimore dhe Shtete të Bashkuara më të pushtetshme”.
Lufta, sipas tij, do të jetë një pikë kthese disa shekuj më vonë. “Kur njerëzit pas 500 vitesh të mendojnë rreth ditëve të sotme, të mendojnë për veprimet që ne kemi ndërmarrë, çfarë do të thonë për ne? Çfarë do të thonë për mënyrën se si kemi vepruar në fillim të kësaj krize?
Prishtina dhe Beogradi, tre vendimet që presin
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ka ftuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë në Bruksel, për raundin e ri të bisedimeve në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, sërish ka ftuar në zyrën e saj, udhëheqësit politikë të Prishtinës dhe Beogradit, për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Në takimin e radhës Prishtinë-Beograd në Bruksel do të marrin pjesë të dy kryeministrat, ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Mediat në Serbi, shkruajnë se në këtë takim do të marrin pjesë sërish edhe dy presidentët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti Tomisllav Nikoliç. Mirëpo, në Prishtinë, ende nuk konfirmohet pjesëmarrja e presidentit të Kosovës Thaçi. Ky i fundit dy ditë më parë shkroi në rrjetin social, se ka biseduar në telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Thaçi.
Nga ana e saj ministrja e Dialogut në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për mediat lokale se takimi i një shkurtit në Bruksel, do të jetë në linjën e rikonfirmimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Janë tri çështje që do të diskutohen dhe të cilat po prolongohen nga Serbia. Është çështja e energjisë elektrike, përkatësisht pavarësimi i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës i njohur si (KOSTT), që po prolongohet nga ana e Serbisë. Është marrëveshja për drejtësinë dhe po ashtu edhe çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Edita Tahiri.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga lista “Srpska”, ka kohë që kanë pezulluar pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës për shkak të shkarkimit të një ministri serb nga kryeministri Isa Mustafa dhe për shkak të “mosgatishmërisë së Prishtinës zyrtare për të formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe”, argumentojnë ata.
Zëvendëskryeministri serb në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviç, thotë se përfaqësuesit e serbëve mund të mendojnë të kthehen në institucione, vetëm nëse ka përparim: “në çështjen e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Nuk e di nëse në takimin e Brukselit do të bisedohet për kthimin e ministrave serbë në institucionet e Prishtinës. Është e rëndësishme për të vazhduar dhe të zbatohet ajo që duhet. Nëse ka një gatishmëri për të zbatuar atë për të cilën kemi dalë nga institucionet, atëherë, ne mund të mendojmë për kthim, e nëse nuk ka angazhim, unë nuk shoh se si”, citojnë mediat lokale serbe zotin Stojanoviç.
Kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij, ka ftuar përfaqësuesit e serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, sepse vetëm aty mund të kontribuojnë për komunitetin e tyre.
“Unë dëshiroj që edhe një herë të përsëris ftesën për serbët e Kosovës, që ata të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, në qeveri dhe Kuvend dhe të punojmë bashkërisht për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim. Dëshiroj po ashtu të përsëris se qeveria është e përkushtuar për të implementuar marrëveshjet nga dialogu edhe marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne do të fillojmë me implementimin e saj në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve të tjera në këtë proces”, tha kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e fundit të qeverisë. Sipas kryeministrit, ky proces do të jetë i hapur dhe transparent.
Tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u shkaktuan pas tentimit të Serbisë që ta fusë një tren në Kosovë pa lejen e autoriteteve të Prishtinës dhe pas arrestimit nga policia franceze të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, bazuar në një fletarresti të Serbisë.
U desh ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, përkatësisht shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini, që të thërrasë në Buksel nivelin më të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet. Takimi i parë i këtij niveli u zhvillua më 24 janar dhe ai u cilësua si mjaft i vështirë nga të dyja palët, por që sipas zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd, u arrit të ulen tensionet e kohëve të fundit.