37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Ku do të drejtohet tani Putini?

Wall Street Journal

Përleshjet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë shkaktuan të paktën 60 viktima, në luftimet më intensive midis vendeve fqinjë që nga viti 1994, kur një armëpushim “ngriu” konfliktin mes tyre. Tensionet dukej se qenë përshkallëzuar deri të mërkurën, por qartazi lufta mes azerbajxhanasve dhe armenëve nuk është më e ngrirë.
Në rrezik është e ardhmja e një rajoni të ndjeshëm të dominuar nga Kremlini, dhe vijat e kuqe më të mëdha politike dhe ideologjike të Eurazisë. Administrata Obama duket se beson se konflikti armeno-azer ekziston në një boshllëk, i izoluar nga tensionet rajonale dhe me rolin destruktiv të luajtur nga Rusia e Vladimir Putinit.
Është koha që Uashingtoni të konstatojë se Moska është pjesë e problemit dhe jo zgjidhja, si dhe të marrë rolin udhëheqës në vendosjen e konfliktit në rrugën e paqes. Ky është një konflikt i vjetër mbi një krahinë në Azerbajxhan, Nagorno-Karabakun, popullsia e të cilit është në shumicë armene.
Lufta shpërtheu në fillim të viteve ’90, pasi të dyja palët arritën të imponohen në rajon, gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Që nga armëpushimi i vitit 1994, “linja e kontaktit” ndërmjet krahinës dhe pjesës tjetër të territorit azberbaixhanas ka përjetuar vetëm akte dhune të shkëputura. Kjo ka ndryshuar gjatë 2 viteve të fundit.
Në verën e vitit 2014, shpërthyen luftime serioze, ku mbetën të vrarë të paktën 19 ushtarë. Azerbajxhani rrëzoi në nëntor të po atij viti një helikopter armen, ndërsa 2015-a pa periudha të shkurtra të reja luftimesh në të cilat gjetën vdekjen dhjetëra ushtarë të tjerë. Këtë vit luftimet duket se kanë filluar sapo bora në male ka filluar të shkrijë.
Konflikti është përshkallëzuar tani për një arsye: Kaukazi është gjithnjë e më i dobët. Që nga fillimi i viteve ‘90, konflikti Armeni-Azerbajxhan ka qenë në qendër të një ndarje politike në rajon. Moska mbështeti Armeninë, dhe konflikti i pazgjidhur e mbajti fort Jerevanin në kampin e Moskës. Kjo e alienoi Azerbajxhanin, që në kundërpërgjigje lidhi aleancë të ngushtë me Turqinë dhe Perëndimin.
Irani, i frikësuar nga një Azerbajxhan laik dhe i pasur me naftë dhe që po joshte SHBA-në, u rreshtua në një linjë me Armeninë dhe Rusinë. Pastaj erdhi “rivendosja” e raporteve që Presidenti Obama kreu me Rusinë, dhe që dukej se shpërbleu agresionin e Moskës kundër Gjeorgjisë në vitin 2008. Kohët e fundit, zoti Obama i rezistoi këshillave nga anëtarët e kabinetit të tij dhe kundërshtoi me gjysmë zëri copëtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe mbajtjen në këmbë të regjimit të Asadit në Siri.
Kur raketat ruse filluan të godasin Sirinë nga luftanijet në Detin Kaspik vitin e kaluar, politika e ish-hapësirës sovjetike dhe Lindjes së Mesme filloi të shpërfaqet. Ballafaqimi turko-rus e vonoi procesin, qëkur Azerbajxhani është një linjë me të parin dhe Armenia është aleate me këtë të fundit.
Duke iu shtuar problemit të zotit Putin në rajon, Azerbajxhani është i vetmi vend në kufi si me Rusinë ashtu edhe Iranin, ndaj dhe është i rëndësishëm për çdo korridor Lindje-Perëndim, që lidh Europën me Azinë Qendrore dhe më gjerë. Kontrolli i kësaj arterie, është thelbësor për projektin imperialist të Putinit. Marrëdhëniet ndërmjet Azerbajxhanit dhe SHBA-së qenë të ftohta për vite me radhë, pasi Azerbajxhani nuk e pëlqeu mungesën e angazhimit të Amerikës në sigurinë e rajonit, ndërsa Uashingtoni fokusohej tek shkeljet e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan.
Por vitin e kaluar raportet filluan të shkrijnë. Disa delegacione amerikane të nivelit të lartë vizituan Azerbajxhanin për të diskutuar lidhjet politike dhe ushtarake, në një kohë që kanë rifilluar negociatat e Bakusë me Bashkimin Evropian mbi partneritetin strategjik.
Në një gjest të vullnetit të mirë, Azerbajxhani liroi dhjetëra të burgosur politikë, dhe administrata Obama në mënyrë reciproke e ftoi presidentin azer Ilham Alijev, së bashku me presidentin armen Serzh Sargzian në Uashington. Prandaj nuk është shumë e çuditshme që zoti Putin kërkon të përdorë një konflikt të pazgjidhur, në përpjekje për të minuar këtë qeveri fqinje, sikurse veproi më herët në Ukrainë.
Ka pak dyshime mbi aftësinë e fshehtë të Moskës për ta bërë këtë. Për shembull është e dukshme se, përshkallëzimi i konfliktit në vitin 2014, përkoi me përpjekjet e zotit Putin për të nxjerrë jashtë loje Francën dhe SHBA-në nga procesi i paqes, me anë të një samiti të njëanshëm që u mblodh në Soçi. Këtë vit, luftimet e përtërira përkuan me Samitin e Sigurisë Bërthamore të organizuar në Uashington nga Presidenti Obama dhe vizitën e parë të zotit Alijev në Uashington në 10 vjet.
Putin përfiton nga rikujtesa ndaj të dyja palëve (dhe Perëndimit) të aftësisë së tij për të realizuar aneksime të mëtejshme në një rajon tashmë të dëmtuar nga konflikti, nëse ata cenojnë linjën e tij.
Për herë të parë në 20 vjet, Azerbajxhani ka arritur të rimarrë kontrollin mbi territorin në luftimet e fundit. Kjo mund ta nxisë për më shumë veprime, ndërsa Armenia mund të dëshirojë t’i zhbëjë këto ndryshime. Kështu, në vitin e fundit të administratës së Obamës, ne mund të jemi lehtësisht dëshmitarë të një përshkallëzimi në rritje të konfliktit në Kaukaz. Por me gjithë këto zhvillime, administrata Obama e beson legjendën urbane që “shihet sy për sy” me Rusinë në konfliktin Armeni-Azerbajxhan, sipas fjalëve të ambasadorit Xhejms Uorlik, përfaqësuesit të SHBA-së në procesin e paqes.
Politika aktuale e mohimit e SHBA-së, vetëm sa tregon që Uashingtoni nuk po e merr seriozisht rajonin. Nëse Amerika do të shmangë një luftë të madhe në Kaukaz, ajo duhet të marrë rolin udhëheqës në një nisme serioze diplomatike, ku të angazhojë Armeninë dhe Azerbajxhanin. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Uashingtoni pranon se, Kaukazi është pjesë e harkut të gjatë të konfliktit që fillon nga Ukraina dhe mbaron në Siri, dhe nëse interesat e Amerikës janë krejtësisht të kundërta me ato të Putinit.

Gjermania do të dyfishojë dëbimet

Koordinatori i qeverisë gjermane për refugjatët, Peter Altmaier u ka kërkuar landeve gjermane të dyfishojnë numrin e dëbimeve për azilkërkuesit, të cilëve iu është refuzuar kërkesa e azilit. Në vitin e kaluar ka pasur 37.220 persona të kthyer vullnetarisht. Numrin më të madh të të kthyerve e kanë përbërë personat nga Shqipëria, Kosova e Serbia. Ndërkohë 22.000 vetë janë dëbuar, ka thënë kreu i zyrës së kancelares, Altmeier për grupin mediatik, “Funke Mediengruppe”. Si kufi realist për vitin 2016, Altmeier ka vënë dyfishimin e këtyre shifrave. Politikani i CDU-së ka theksuar se “tani kërkohet veprimi i landeve”.
Aktualisht, Zyra Federale për Migracionin e Azilin (BAMF) trajton 50.000 kërkesa në muaj, më shumë se një e treta e kërkesave refuzohen. “Ne duhet të kujdesemi që të rritet dukshëm numri i të kthyerve”, thotë Altmeier.
“Më mirë se pritej”
Ministri i kancelarisë, Altmeier ka lëvduar marrëveshjen me Turqinë. Ujdia me Turqinë për kthimin e refugjatëve funksionon më mirë se ç’e prisnim të gjithë. “Qëllimi ynë ishte dhe është të reduktojmë dukshëm numrin e refugjatëve”, thotë Altmeier. “Kjo duket se po ka sukses”.
Kancelarja gjermane Angela Merkel mbështet aktualisht arritjen e ujdie me Libinë. “Tani kemi para nesh detyrën të arrijmë të bëjmë një bashkëpunim të tillë edhe me Libinë”, tha kryetarja e Partisë Kristiandemokrate, CDU, para të deleguarve të landit Berlin. Për të mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE-së nuk ka rrugë tjetër më të mirë se marrëveshje me shtetet fqinjë. “Prej disa ditësh kemi një qeveri uniteti që më në fund ka mbërritur në Tripoli”, ka thënë Merkel, duke iu referuar kështu qeverisë së përkohshme të ndërmjetësuar me ndihmën e OKB-së, në vendin e goditur nga lufta civile.
“Dhe nga fakti nëse do ia dalim të bëjmë një marrëveshje të arsyeshme me Libinë, varet edhe kontrollimi i itinerarit përmes Italisë, ashtu siç kemi bërë me Turqinë”, thotë ajo. Në Libi sundon kaosi që nga rrëzimi i diktatorit, Muamar al-Gadafi para pesë vjetësh. Për shkak të afërsisë me Italinë, ky vend është kthyer në stacion të ndërmjetëm për shumë afrikanë dhe arabë që duan të vijnë në Europë.
Muajt e fundit, Gjermania dhe BE ia kanë dalë të ndihmojnë Turqinë, Jordaninë dhe Libanin në furnizimin e kujdesin e refugjatëve. “Më mirë është të ndihmojmë njerëzit për një jetë të durueshme pranë vendlindjes, se sa të vijnë të gjithë këtu ku na duhet bëjmë të gjithë punën e integrimit”, ka thënë Merkel. Nga ana tjetër, ajo ka premtuar ndihmë për vendet afrikanoveriore në mënyrë që të rinjtë ta shohin perspektivën e jetës në këto vende.
Ndërkohë, Gjermania dhe Afganistani kanë shënuar progres në drejtim të një marrëveshjeje  pranimi të të kthyerve. Një projektmarrëveshje do t’i ofrohet ambasadës gjermane në Kabul javën e ardhshme, ka thënë ministri afgan për refugjatët, Said Hussain Alemi Balkhi, agjencisë gjermane të lajmeve, DPA. Propozimin gjerman pala afgane e ka në dorë që prej një muaji. Priten së shpejti bisedime, por deri atëherë Afganistani nuk do të pranojë kthimin e refugjatëve afganë. Sipas ministrit afgan, marrëveshja parashikon të mos dëbohen “gratë, fëmijët, të moshuarit dhe afganët e sëmurë”. Nga burime të tjera mësohet se, Afganistani dëshiron që Gjermania të ndërtojë apartamente për refugjatët e kthyer, ose t’u mundësojë atyre një kualifikim më parë në Gjermani.

Dhjetëra mijëra nga Libia tentojnë të hyjnë në Europë

Drama europiane e refugjatëve nuk filloi me karvanin e gjatë në Ballkan. Ajo ka filluar shumë më herët, me bandat e kontrabandistëve dhe gomonet e tejmbushura, që shpesh humbisnin drejtpeshimin në Detin Mesdhe, e fundoseshin diku mes brigjeve libiane dhe ishullit Lampedusa në Itali. Ngjarja më tragjike: Në natën e 18 prillit të vitit të kaluar një anije mallrash përmbyset në rrugën drejt Italisë. Vetëm 28 vetë shpëtohen. 700 të tjerë mbyten.
Itinerari i kontrabandistëve përmes Detit Mesdhe nuk është vetëm shumë më i rrezikshëm, por edhe më i shtrenjtë se përmes Turqisë, Greqisë e vendeve ballkanike. Shumë sirianë e irakianë ndoqën këtë rrugë. Por për shkak të kontrolleve kufitare, ky itinerar përfundon për shumë vetë në rrugë qorre. Pas marrëveshjes BE-Turqi shumë refugjatë kërkojnë tani mënyra të tjera si të vijnë në Europë.
Zëdhënësja për Europën Jugore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNCHR, Carlotta Sami, para kësaj gjendjeje bëri fjalë për “rrezikun e një shpërthimi të ri të itinerarit nga Libia në Itali. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin llogarit që në tre muajt e ardhshëm rreth 16.000 vetë do të guxojnë të kalojnë detin me gomone, 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Modelin e Turqisë edhe për Afrikën e Veriut?
Për shkak të rikthimit të sfidës së vjetër, politika është e detyruar të veprojë. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière e shikon marrëveshjen me Turqinë si një model edhe për vendet afrikanao-veriore. Kjo do të thotë rikthim të refugjatëve ilegalë në vendet e origjinës, e në vend të tyre pranim të “kontigjenteve humanitare” në BE, deklaroi politikani i CDU-së. “Kjo metodë është rruga e duhur, këtë duhet ta praktikojmë edhe për itinerarin qendror të Mesdheut nga Afrika Veriore drejt Italisë”. Por në të njëjtën kohë ministri gjerman shton se “kjo do të jetë shumë më e komplikuar se me Turqinë”.
Ndërkohë kontrabandistët bëjnë të ditur në Facebook se, biznesi i trafikimit do të fillojë në javët e para të prillit. Kapiteni Bastian Fischborn, zëdhënës i misionit të marinës të Bundeswehr-it gjerman thotë në intervistë për “Deutsche Welle”-n, se në këtë kohë merr fund edhe moti i keq në Mesdheun qendror. “Megjithatë, si gomonet ashtu edhe varkat e drunjta nuk janë të përshtatshme për të përshkuar një distancë të tillë prej 450-600 kilometra”.

Telefoni për raste urgjence
Me pasojat merret përditë prifti me origjinë nga Eritrea, Mussie Zerai. Që nga vera e vitit 2004, kleriku që jeton tani pas arratisjes nga vendlindja në Zvicër, është shpresa e fundit për refugjatët e gomoneve në rrezik për jetën. Numri i tij i telefonit qarkullon mes migrantëve nga Eritrea, Somalia e Etiopia, madje ai është shkruar edhe në muret e kampeve të refugjatëve në Libi apo në varka. Vetëm së fundmi, ai mori një telefonatë nga një gomone me 80 veta në bord që synonte të mbërrinte në brigjet italiane, thotë ai për “DW”: “Kishte filluar një erë e fortë, shumë vetë ndodheshin për herë të parë në një varkë e nuk dinin të notonin”, thotë Zerai. Gomonja mbushej me ujë. Prifti nga Eritrea njofton menjëherë autoritetet italiane, por ai e di se shpesh zgjat deri në tetë orë, derisa roja bregdetare të afrohet në vendin e ngjarjes. Deri në këtë moment disa vetë janë mbytur.
150.000 deri në 200.000 presin në qytetet bregdetare përreth kryeqytetit libian, Tripoli, që moti të përmirësohet për të ardhur drejt Europës, njoftojnë shërbimet sekrete. Federica Mogherini, e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme ka paralajmëruar se 450.000 refugjatë mund të marrin rrugën drejt Europës, edhe për shkak të gjendjes së pastabilizuar politike në Libi.

“Mundësi legale për të ardhur në Europë”
Zëdhënësi i marinës gjermane, Bastian Fischborn thotë se, vetëm 6 sirianë kanë ardhur përmes Mesdheut këtë vit, njoftimi bazohet në të dhënat e Ministrisë së Brendshme italiane. “Pavarësisht nëse shfaqen pengesa, këta njerëz do të kërkojnë rrugë të tjera për të ardhur në Europë”. Këto mund jenë edhe nga Greqia, Turqia drejt Shqipërisë e Malit të Zi për të mbërritur drejt Italisë. Për priftin nga Eritrea, Mussie Zerai në plan afatgjatë ka vetëm një zgjidhje. “Bashkimi Europian duhet të krijojë mundësi legale për të ardhur në Europë: programe humanitare, visa, bashkim familjar. Ky është hapi i parë për të ulur numrin e njerëzve që duan të vijnë në Europë, përmes Detit Mesdhe”.

Bilanci i krimeve në shëndetësi po kthehet në bilanc lufte

Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka denoncuar dje gjendjen skandaloze ku është katandisur sistemin shëndetësor sot. Përmes një deklarate për mediat Vokshi renditi të dhëna tronditëse që dëshmojnë mungesën thelbësore të shërbimeve dhe medikamenteve me të cilat duhet të mjekohen pacientët me kancer.  “Situata e shëndetësisë, e spitaleve është tejet dramatike. Në çdo pavijon ka mungesa bazike, por më e rëndë është gjendja tek onkologjiku ku trajtohen të sëmurët me kancer. Sot, po denoncojmë mashtrimin e radhës me buxhetin e investimeve për aparaturat e kimioterapisë. Në pavijonin e onkologjikut, radha për mjekimin e jetës është shkak i korrupsionit. Teksa Ilir Beqaj me Edi Ramën kanë tenderuar mbi 300 milionë euro, duke i ndarë me miq e klientë, tek onkologjiku;
– Prej muajsh nuk funksionon siç duhet asnjëra nga aparaturat e kobaltit, ndërkohë akseleratori lineat, financim i qeverisë demokratike, ende nuk është vënë në funksionim pavarësisht se u inaugurua nga Kryeministri në ditën ndërkombëtare të luftës ndaj kancerit.
– Kobalti i vetëm që punon ka punuar për muaj të tërë dhe është kthyer në rrezik rrezatimi të dëmshëm, pasi ka 8 vite pa u ndërruar. Nga 3-4 minuta që duhet të jetë, vizita zgjat mbi 8 minuta, efektet kuruese në thellësi i ka minimale dhe djegia në sipërfaqe është e madhe‎ dhe rrezikon organet afër rrezatimit. Por ajo çka e bën edhe më skandaloze është fakti që pacientët nuk njoftohen e nuk paralajmërohen për efektet negative të përdorimit tek ta të pajisjeve të kobaltit…
– Kyriterapia për femrat, që trajton tumoret vaginale, ka 2 vjet që nuk punon‎.
– Janë rreth 300 pacientë në ditë që shkojnë aty për të gjetur shpëtim, por të cilëve ju ofrohet falas vetëm vuajtje e dëshpërim . . . e asnjë shërbim jetik.
– Mungojnë ilaçet bazë si: 5 FLU, Taxoter, Doxyrubicine, etj. Ndërkohë që siç edhe e kemi denoncuar, në treg qarkullojnë barna kontrabandë që kanë hyrë nga vendet fqinje e që në shumë raste janë vetëm për përdorim spitalor.
– Pacientët presin me orë e ka raste edhe ditë të tëra në mungesë kapacitetesh e shtretërish. Shumë kthehen andej nga kanë ardhur pa marrë as kurë e as mjekim. Shumë pacientë referohen te privatët” tha Vokshi ndërsa bëri të ditur të dhënat konkrete.
Kjo pra, është gjendja katastrofale me shëndetësinë me spitalet. Ajo denoncoi se ndërsa situata në spitale paraqitet alarmante, Edi Rama e Ilir Beqaj vazhdojnë të krekosen, të mburren e të mendojnë se si të ndajnë miliona euro të tjera me miqtë e tyre. “Ndërkohë që Rama pretendon që 120 milionë euro të dhëna mikeshës dhe sponsores së tij mund të shpëtojnë 450 pacientë në 10 vjet…vetëm nga moskurimi i pacientëve me sëmundje të rënda mund të humbin jetën qindra qytetarë në vit…Ne nuk do të ndalemi në denoncimet e korrupsionit me fondet për shëndetin e popullatës, duke i bërë thirrje Prokurorisë të përparojë në hetime, pasi bilanci i krimeve në shëndetësi po kthehet në bilanc lufte. Ftoj publikun, median dhe trupën mjekësore të na bashkohet, për të ndalur këtë sjellje antihumane që po merr jetë çdo sekondë në Shqipëri” u shpreh Vokshi ndër të tjera.

Majori kërcënon gazetarët në Shkodër: “Do t’iu pres kokën dhe do t’ua fus në llucë”

Major Ibri kërcënoi gazetarët dhe operatorët e mediave gjatë ditës së djeshme, kur këta të fundit filmonin gjatë nxjerrjes së helikopterit nga Liqeni i Shkodrës.

Syri.al shkruan se, dje pati një incident mes gazetarëve e operatorëve me një prej oficerëve të lartë të Forcave të Armatosura. Gazetarët denoncojnë se Major Ibri iu drejtua atyre duke u thënë se, “do t’u priste kokat dhe do t’iu a fuste në llucë”.

Nuk është hera e parë që gazetarët pengohen nga autoritete shtetëore të kryejnë punën e tyre. Çfarë e shqetësonte Major Ibrin që të kërcënonte punonjësit e medias në atë formë, vetëm në rast se ekziston ndonjë fakt që duhet të mbahet e fshehtë për rrëzimin e helikopterit.

Gazetarët kërkojnë që të mbahet përgjegjësi për kërcënimet e Major Ibrit dhe të merren masa nga instancat përkatëse. Ata thonë se gjatë gjithë ditës së djeshme, Majori u është bërë atyre “tmerr” duke i kërcënuar dhe duke i lejuar që të filmojnë, të cilët ishin vetëm në përmbushje të detyrës së tyre.

Ditën e djeshme janë nxjerrë nga liqeni i Shkodrës të gjithë pjesët e mbetura të helikopterit ushtarak që u rrëzua disa ditë më parë, duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve dhe plagosjen e një ushtari që ndodhej në bord.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, që polumbarët e RENEA-s, Policia Ushtarake, ekspertë të huaj po punonin për nxjerrjen e trupit të helikopterit nga liqeni, gazetarët kanë qenë të stacionuar për të përcjellë për mediar zhvillimet e fundit.

Basha: Dalja nga kriza nis me ndarjen e pushtetit nga krimi dhe kthimin e parave

Për të siguruar zhvillim dhe mirëqënie për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha duhet së pari shkëputja nga krimi dhe e dyta, nxjerrja e parave nga xhepat e oligarkisë dhe kthimi i tyre në ekonominë kombëtare. Në bashkëbisedim me banorë të Vaqarrit dhe Farkës ku në qendër ishte programi i PD, zoti Basha theksoi se që të realizohet kjo është e domosdoshme të garantohet vota e lirë. “Këta erdhën me premtim “rilindje” e po qeverisin me shullazët. Këta erdhën me premtim vende pune e po qeverisin duke i nxjerrë shqiptarët nga shtëpitë e tyre e duke i çuar në emigracion.
Hapi i parë është shkëputja nga krimi. Nuk është puna se të ndihmon vetëm me ardhë në pushtet po pastaj do doganat, do tenderat, do emërimet. Në radhë të dytë është nxjerrja e parave nga xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe kthimi i tyre në ekonominë shqiptare, pra në xhepat tuaj. Kjo ndodh përmes votës. Votës që i trembet kaq shumë ky edhe në partinë e vet, le më para popullit. Pse i trembet votës?! Sepse e di që të dielën e ardhshme po të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme kjo qeveri është e rënë. Ne duhet të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme e t’i japim shqiptarëve atë që është e tyre, Shqipërinë, fondet publike, taksat e ulta, një program të fuqishëm investimesh në bujqësi, në infrastrukturë, në prodhim”, theksoi zoti Basha.
Punësimi është prioritet kryesor i Lulzim Bashës e për ta realizuar këtë ai thotë se është e domosdoshme ulja e taksave dhe krijimi i lehtësive për biznesin, investimet publike në infrastrukturë, mbështetje bujqësisë dhe lehtësi për ata që krijojnë vende pune. “Vetëm përmes investimeve mund të krijohen vende të reja pune. Nuk krijohen vende pune vetëm duke u lutur, as duke bërë propagandë, e as duke ndenjur në televizor. Por që t’i krijojmë këto duhet që paratë nga oligarkia të vijnë tek populli”, u shpreh Basha.Një qytetar nga Kombinati ngriti shqetësimin e abuzimit me faturat e energjisë elektrike dhe korrupsionit në OSHEE. Duke mos e përballuar rritjen e pajustifikuar të faturave dhe faktin që askush nuk e merr në konsideratë ankesën e qytetarëve, ai është detyruar ta mbyllë biznesin e si rrjedhojë t’u ndërpresë të vetmen të ardhur 6 familjeve.
Qytetar: Kam një biznes në Kombinat. 804 mijë lekë më ka ardh (fatura e dritave) në muajin tetor. Në muajin nëntor 870 mijë, në muajin janar 1 milionë e 600 mijë. E kam mbyll Lulzim Basha. Mbaj 6 familje me bukë në qendër të Kombinatit. Nuk durohen më. Vijnë duke pa sahatin se dun lekë. Kam dasht t’i denoncoj po ku t’i denoncoj Lulzim Basha. E dyta, ta shohësh rrugën e Prush-Gropës, skandal, e kanë ngushtu. Kanë bërë vjedhje kolosale këtu ke fusha.
Basha: Do kenë shtru noj çikë rrugë nga Panamaja me siguri!
Lidhur me shqetësimin e banorëve për ndarjen territoriale e cila sipas tyre pamundëson shërbimin ndaj qytetarëve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka rikonfirmuar se me ardhjen në pushtet ndarja territoriale do t’i nënshtrohet për diskutim dhe vendimmarrje qytetarëve.

Votimet e Ramës për të mos lejuar zgjedhje, një manipulim, dhunim, blerje, kërcënim dhe shkatërrim i votës së lirë

Partia Demokratike e ka cilësuar referendumin e PS një farsë për të mos lejua zgjedhje, manipulim, dhunim, blerje, kërcënim dhe shkatërrim të votës së lirë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma bëri të ditur se, votimet e Edi Ramës për të mos lejuar zgjedhje në partinë e tij, janë më shumë se çështje e brendshme e Partisë Socialiste, pasi qëkur kjo alibi leifeniane u shpall e derisa u mbyll, pati dhunim të votës.
Të gjitha shkeljet e evidentuara nga OSBE-ODIHR në raportin zyrtar për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, ishin të pranishme në votimin e djeshëm. Gangsterët e të fortët e Edi Ramës që kontrollojnë qendrat e votimit, ishin dje në krye të detyrës dhe tanimë ata janë promovuar nga Edi Rama pasi u ka besuar drejtimin e partisë. Presioni ndaj administratës ishte skandaloz pasi jo vetëm u monitoruan me lista kush votonte, por u thirrën dhe u kërcënuan të gjithë nëpunësit që nuk patën ndërmend të votonin”, u shpreh Duma.
Manipulimi nisi me listat që në fillim, të cilat u krehën dhe u sistemuan, që të ishin aty vetëm besnikët e Edi Ramës. “Manipulimi vazhdoi me shpalljen e rreme të pjesmarrjes, duke zmadhuar shifra sipas hesapit të Ramës, pasi askush nuk pati akses të verifikonte saktësinë e tyre.Vota u ble nga oligarkët milionerë të Ramës, deputetët biznesmenë dhe kryetarët e bashkive u hodhën në aksion që me zgjedhjen e delegatëve e deri dje pasdite vonë. Të gjithë të inkriminuarit u bashkuan rreth kauzës, për ti siguruar kumbarit Rama sundimin e partisë pa garë e pa zgjedhje. Të gjitha këto shkelje, dhunime, abuzime, janë tipari i një armiku të konfirmuar të votës së lirë, siç është Edi Rama”, tha ajo.
Dhunimi i votës dje, tregon raportin që ky njeri ka me zgjedhjet, të vetmin raport që ka me votën, që është blerja, manipulimi, dhunimi. “Kjo është një kambanë alarmi për zgjedhjet që po vijnë pasi është e qartë se Edi Rama ka vetëm një projekt, shkatërrimin e tyre. Ndaj Partia Demokratike është e vendosur së bashku me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë të mos lejojë për asnjë moment që skemat e Edi Ramës kundër votes së lirë të zbatohen në zgjedhjet që po vijnë. Vota e lirë, zgjedhjet e lira e të ndershme janë fundi i tij. Një fund që ai nuk ka për ta ndalur dot sado të përpiqet”, përfundoi Duma.

Komunist mos mu boft as qeni shpis!

Edison YPI

Sentencën madhështore e uluriti me duart e ndera përpara dhe sytë nga qielli mu në mes të restorantit një mirditor. Nga këto fjalë të fuqishme me një bukuri të pashoqe, të gjithë shtangën, lugët u mbetën pezull, gojët plot me pilaf hapur. Krejtësisht i ngrirë nga ky befasim i mrekullueshëm, pronari i restorantit j’u drejtua mirditorit; “Çfarë është kjo perlë o burr” i dheut, ku e ke dëgjuar këtë mrekulli? Është proverb dibran, tha mirditori me zërin që i dridhej nga emocionet.
Ore, ju drejtua mirditorit një pukjan, e ke gabim. Komunisti nuk është qeni i shpis. Komunisti është muti i shpis. Aspak, ja preu një shkodran, t’i thuash komunistit mut i bën një kompliment. Muti është lëndë organike. Komunisti është prej guri, pra lëndë inorganike. Dallimin e kanë bërë Darvini dhe Engelsi. As qeni i shpis, as muti i shpis. Komunisti është gjarpëri i shpis, ndërhyri befas një elbasanlli thatuq. Ulu ti se s’di gjë, ja priti një lushnjar me berretë.
Komunisti është derri i shpis dhe pik. A ju shplaftë kolera të gjithëve, u ngrit në këmbë duke lënë në mes pilafin e saponisur një kavajs. Mos u mburrni kot me qena dhe komunista. Ajo që u tha këtu për komunistin qen apo qenin komunist, nuk është gjë e re, është proverb që qarkullon në të gjitha trevat tona dhe Diasporë. Më zëntë sytë ky pilaf po s’qe kështu, e përfundoi ligjëratën kavajsi, dhe u ul. U hodh një lab. Labi vuri në dukje se çfarë u tha këtu për komunistin janë gënjeshtra.
Komunisti nuk është qen, por qen bir’ qeni, tha labi, por jo i shpis, se po të thuash komunistit qen i shpis, i bie që gjithë shpia të jetë shpi qensh. Ja nisi një tironc; O budallenj, unë mund ta kuptoj universalitetin e simbolikës së një proverbi me qena dhe komunista; unë mund të kuptoj e pranoj gjithashtu edhe hilet e secilit prej jush për ta paraqitur proverbin e bukur me qen dhe komunist si të krahinës së vet; nuk kam asnjë kundërshtim edhe që të shpallim një konkurs ku të jepet edhe një çmim për proverba me qena dhe komunista.
Ajo që unë nuk kuptoj dhe me durim prita ta them është se ju, brenda laryshisë së pafundme të qenërisë komuniste, nuk po bëni asnjë saktësim se për çfarë qeni komunist bëhet fjalë, për komunistin qen-zagar, komunistin qen-lagua, komunistin qen bushtër, komunistin qen-kone, apo çfarë tjetër qeni komunist apo komunisti qen? Jini më seriozë ju lutem. Jo, i shtrenjti im, u hodh një skraparlli që deri atëhere kishte heshtur, e ke gabim.
Sa kohë qeni dhe komunisti jetojnë në simbiozë, pra sa kohë qeni dhe komunisti s’bëjnë dot pa njëri-tjetrin, është e qartë se si qeni dhe komunisti, qen dhe komunist kanë qenë, qen dhe komunist janë, dhe qen dhe komunist do mbeten në jetë të jetëve. Por cilësimi, si i qenit komunist po ashtu edhe i komunistit qen, i bërë si në proverbin e mësipërm, s’ka ndonjërë rëndësi kushedi se çfarë. Dua të them se universaliteti, si i qenit dhe i komunistit, nuk mund të jetë mbi universalitetin e proverbit. Ose, që ta kuptoni më mirë; Proverbi me qen dhe komunist, sado qen ai komunist, dhe sado komunist ai qen, nuk mund të jetë më universal se një qen proverbial, dhe anasjelltas, fëlliqësinë e një qeni proverbial nuk e shton dot, nuk e bën dot më të fëlliqët asnjë kombinim verbal proverbial sado gjenial.
Kuptojeni karakterin relativ, si të qenve dhe komunistave nga njëra anë, dhe atë të proverbave nga ana tjetër. Ja, kaq e thjeshtë është, kot e zgjasni. Ligjërata e skraparlliut që pretendoi spjegim shterrues, i ndezi edhe më tepër gjakrat. Në rrëmujë e sipër, u hodh një leskoviqar. Leskoviqari tha, Kot i jeni qepur, si qenit komunist edhe komunistit qen. Po harroni se sado të ngjajshëm që janë qeni dhe komunisti janë në pikëpamje të lehjes dhe tinzarllëkut, si qentë dhe komunistat, nuk janë njëlloj.
Ka komunist e komunist, po ashtu si ka dhe qen e qen. Ka komunist e qen roje, komunist e qen qefi, komunist e qen rrace, komunist e qen luksi, komunist e qen gjahu ose zagar etj. Ku janë për qen komunistin ose komunistin qen, lukunia e tërë këtyre qenve dhe këtyre komunistave në proverbat tuaja? Në atë moment u hodh një mustaqelli i panjohur në atë lokal. Po t’u futemi komunistave dhe qenve kaq thellë sa thua t’i o leskoviqar, duhet t’i marrim me radhë pastaj; Qen komunist me shkollë, komunist qen pa shkollë, qen komunist me specializim, komunist qen pa specializim, qen komunist me tituj, komunist qen pa tituj, qen komunist rrace, komunist qen ordiner, qen komunist me lesh, komunist qen pa lesh etj., gjë të cilës s’ja kemi ngenë, se s’po bëjmë simpozium qensh e komunistash këtu, muhabet po bëjmë.
Unë, megjithë respektin ndaj jush si analista qensh, ju them një gjë; Analizat tuaja janë të cekëta. Shpia nuk ka vetëm komunista qen dhe qen komunista. Shpia mund të ketë edhe komuniste bushtër, komunist derr, komuniste dhelpër, komunist iriq, komunist gjarpër, komunist plesht, komunist morr, komunist buburrec. Duhet të thelloheni. Pa folur për qenin komunist të ngordhur dhe qenin komunist zgjebarak, për të cilët me plot të drejtë nuk interesohet kush, po j’u them se mund të durohet një qen komunist i ngopur, mund të përballohet edhe një qen komunist i kamur, por është përtej kapaciteteve njerëzore përballimi me sukses i një qeni komunist llapaqen, i cili, për të vetëm arësye se është qen i ngrënë e i pirë, i veshur e i mbathur, i duket vetja edhe qen i ditur. Unë nuk po them që me qenin komunist llapaqen mediatik, verbal, audio-viziv ose të shkruar, të bëni si bëjnë gjithë bashkitë e botës që atë qen komunist e helmojnë ose e vrasin. Duhet të gjeni mënyrë tjetër, më demokratike. Përndryshe, po vazhduat të merreni me qenin komunist si me ndonjë zotni të madh duke i dedikuar atij qeni proverba e më the e të thashë, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të kënaqeni që haberi mbi shqiptarët që flasin kaq hollësisht por pa asnjë rezultat për qenin komunist dhe komunistin qen, pas pak do marri dhenë si lajmi më i çuditshëm, i disa njerëzve edhe më të çuditshëm, që po thyejnë rekordin botëror të të marrurit pafund me një qen, pa asnjë rezultat.

Lavdia e një dordoleci!

Ferdinand VELIU

Ka nisur sot komedia me “rilindas” e quajtur referendum. Term modern i adoptuar nga bijtë e etërve pas viteve ‘90, por që në fakt është realisht i njëjti proçes që ka në themel kultin e individit, e cila është mënyra e vetme që ekzemplarë si Edi Rama të rizgjidhen në pafundësi si të vetmit lider të pazëvendësueshëm që nëna parti polli nga barku i saj (jo lindi).
Kaq të parashikueshëm të ngjashëm, të kapluar keqazi nga deliri i madhështisë, duke menduar se duhet të jenë ata pushteti i përjetshëm. Një referendum ku dihet rezultati 86% në favor të liderit botëror, 10% kundër dhe 4% nuk votojnë për shkaqe të ndryshme. Është për të qeshur me këtë komedi, ku protagonisti një klloun i papërgjegjshëm dhe i pa moral i uron fitoren vetes një ditë përpara e thënë me dy fjalë: Votues gjithçka është vendosur se, votoni se nuk votoni,..vota ju është lexuar. Qytetarët shqiptarë sot duhet të kuptojnë se Edi Rama dhe klani i tij janë rikthyer në origjinë si bij të denjë të etërve që vërtet edhe ish-diktatori Hoxha po të ishte gjallë do të krenohej.
Shndërrimi i Partisë Socialiste në një gazermë që sundohet me grusht të hekurt nga individë të rrezikshëm me rekorde kriminale dhe fuqi financiare të paimagjinueshme ka mbyllur përfundimisht çdo dritare shprese se kjo forcë politike mund të ndryshojë, madje socialistëve të thjeshtë ju është bërë e ditur se edhe pas 20 viteve shokun Rama do kenë kryetar. Ka rreth 3 vjet, që kur u nda nga jeta e rilindasve shprehja e famshme e tyre…socialistë-progresistë, gjithsesi ajo u transformua në heshtje dhe plot bëma në siçiliste, terroriste.
Individi që pretendon reforma për të gjithë qytetarët zhvlerësohet kur dhunshëm dhe me diktat mbyt demokracinë e brendshme në forcën politike që ai vetë drejton. Rrezikshmëria e tij është më e madhe nga ç’mund të mendohet, sepse ajo natyrshëm është produkt i një mashtrimi dhe hipokrizie të ulët së cilës i rregullohet fasada dhe bojaxhinj e kalemxhinj të paguar e servirin plot drita dhe ngjyra… po bën shtet…e meriton të drejtojë rilindasit, një mandat, dy, tre, katër, pesë…derisa jeta e dy tre brezave shqiptarësh të shkojë për lesh…e nisën si progresistë, por dëshmuan se nuk janë gjë tjetër veçse një bandë me hajdutë dhe terroristë.
Dhunë kundër jetës se qytetarit, dhunë kundër pronës, kundër biznesit, vjedhje dhe shkatërrim në arsim dhe shëndetësi, arbitraritet dhe arrogancë në çdo zyrë, papunësi, vetvrasje, vrasje, trafik, lulëzim i krimit të organizuar, rikthim në origjinë me rehabilitim bashkëpuntorësh të diktatorit, grabitje dhe shitje e çdo pasurie shtetërore etj., etj. Këto janë “reformat” e këtij bastardi që ka marrë vendin peng dhe ku dordolecë mediatikë dhe të sëmurë partiakë e veshin me petkun…po bën shtet…….. Tradita vazhdon, e njëjta komedi, të njëjtët aktorë e njëjta ideologji dhe qytetarë partiakë që duartrokasin fitoren e lavdishme të shokut Edi Rama, duke u entuziazmuar me projektin më absurd të fundit katastrofik që i pret.

Një vjedhje klamoroze me ndërmjetësinë e Olsi Ramës

Sali BERISHA

Për 13 km autostradë Farkë-Ibë do të paguhet 36% më shumë sesa për tunelin e Krrabës. Pasi paralizoi punimet për tre vjet në segmentin Farkë-Ibë, pas sulmeve publike, bllokimit të pagesave, ndërsimit të nënkontraktorëve, kërcënimeve për të përzënë kompaninë si mashtruese dhe deklaratave se projekti ishte i keq etj., etj., tani Eureka me ndërmjetësinë e Olsi Ramës, vëllaçko Edi zgjidhi qesen për vete dhe vendosi të paguajë për këtë segment rreth 40% më shumë sesa kushtuan 5.4 km tunel i malit të Krrabës, apo 82 milionë euro kundrejt 57 milionë euro që u paguan nga qeveria e mëparshme për tunelin me gjatësi 5.4 km të malit të Krrabës.
Edi Rama këtë aferë megakorruptive e justifikoi me argumente falso dhe qesharake. Sipas tij, kjo po ndodh kështu se kompania nuk e ka patur real çmimin e tunelit pasi ai ka qenë më i lartë. Në rast se është kështu, kësaj i thonë të marrësh përsipër të mbushësh arkën e kompanisë me para të taksapaguesve shqiptarë për mashtrimin e saj, natyrisht kjo bëhet vetëm duke i ndarë paratë me të.
Argumenti i dytë është një megamashtrim tjetër i madh sa i pari. Sipas Ramës, kostoja e autostradës Farkë-Ibë, traseja e të cilës kishte përfunduar në masën 60% para qershorit të vitit 2013, arrin në këto shifra që tejkalojnë me 40% çmimin e tunelit sepse traseja ka shkarë në 13 km të saj, pra në të gjithë gjatësinë e saj.
Ky është një mashtrim i paskrupullt, shkarja e Ibës është vetëm disa qindra metra dhe padyshim që ajo ka kosto shtesë në rast se është për arsye madhore. Por pas “deal done”, pazarit të fëlliqur të mbyllur, Edi Ramës, për të justifikuar vjedhjen e madhe të ndërmjetësuar nga vëlla Olsi, i duhet t’u thotë shqiptarëve se katastrofa natyrore ka përfshirë autostradën në 13 km e saj.
Kjo është një megavjedhje e tmerrshme e taksapaguesve shqiptarë, për të cilën drejtësia, nën thundrën e krimit qeveritar hesht sot, por nesër do të thotë fjalën e saj!

160 tendera për dy deputetët Abazi e Ndreu dhe ish-Prefektin Gjici

Vjedhja e parave publike në konflikt të hapur interesi nga deputetët dhe pjesa tjetër pranë pushtetit të Ramës është shndërruar tashmë në një garë. Pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë ankimimit të PD në lidhje me mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, i cili kishte përfituar fonde publike përmes kompanisë së tij Abissnet, dhe Kuvendi bllokonte kërkesën për tiu drejtuar gjykatës për shpalljen e mandatit të tij të pavlefshëm, një rast i ngjashëm u denoncua edhe për dy deputetë të tjerë socialistë. Rakip Sulin dhe Valentina Leskajn, të cilët ashtu si Kokëdhima kishin përfituar fonde publike në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit. Por lista e deputetëve të Ramës që rrezikojnë mandatin për shkak se kanë përfituar fonde publike është edhe më e gjatë se këta tre deputetë. Rama qëllimisht nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi në të kundërt gjysma e deputetëve të tij do të humbnin mandatin.
Dhjetëra tendera për çdo ditë ndahen nga pushteti për njerëzit e afërt dhe klientelën. Tenderat e koncesionet janë përqendruar në një grusht të vogël kompanish e biznesesh, pronarët e të cilave ose janë deputetë e pushtetarë të lidhur me Ramën ose ortakë të tij. Gazeta publikon sot rastin e dy deputetëve socialistë Pjerin Ndreu dhe Sadri Abazi si dhe të Safet Gjicit, kandidatit të Ramës për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e vitit të shkuar si dëshmi e asaj se si zhvaten e ndahen mes pushtetit paratë dhe fondet publike. Kujtojmë këtu që Safet Gjici para zgjedhjeve të 2015 mbante detyrën e Prefektit të Kukësit, dhe gjatë kësaj kohe kur ky mbante këtë detyrë publike ka përfituar përmes kompanive të tij dhjetra tendera e fonde publike.
Që të tre, si deputetët Ndreu e Abazi ashtu si edhe Gjici janë biznesmenë. Nga dokumentat e publikuara në media, por edhe të hedhura në portalin e të dhënave Open Data rezulton se vetëm për këta të tre persona që nga koha e ardhjes së Ramës në pushtet janë dhënë jo pak, por 160 tendera, thënë ndryshe 160 kontrata të lidhura e të paguara nga paratë e buxhetit të shtetit.
102 tendera këto dy vite kanë shkuar vetëm për Safet Gjicin, i cili qendron në krye të listës së klientëve të favorizuar në zhvatjen e tenderave. Sadri Abazi ka marrë 27 tendera, por kjo shifër është disa herë më e madhe, duke marrë parasysh kompanitë e tjera, të cilat përfitojnë tendera përmes Abazit. Nuk mbetet pas saj Pjerin Ndreu, i cili në dy vite ka nënshkruar plot 31 kontrata.
Sadri Abazi është një nga të favorizuarit e Ramës në dhënien e tenderave. Në periudhën shtator 2013-dhjetor 2013, periudhë kur Rama nisi drejtimin e pushtetit nuk ka fituar ndonjë kontratë, në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015 ka fituar 16 kontrata. Pra në total për këto periudha kohore, Abazi ka fituar rreth 27 tendera. Por kjo shifër është më e lartë se kaq, Abazi ka përfituar tendera nga institucionet publike edhe nga kompani të tjera, të cilat janë të tij, por të hapura në emra të familjarëve apo të afërmve të Abazit. Nga ana tjetër, Abazi krahas përfitimit të tenderave, vijon qetësisht të lartësojë ndërtimet e tij pa leje në mes të Tiranës.
Deputeti tjetër Pjerin Ndreu, përmes firmës së tij “Ndreu Security Service” që prej ardhjes së Ramës në pushtet ka përfituar një shifër të konsiderueshme tenderash, duke lidhur në këtë periudhë rreth 31 kontrata shërbimi me institucionet publike. Përgjatë periudhës shtator-dhjetor 2013, Pjerin Ndreu ka 4 kontrata, janar 2014-dhjetor 2014 ka 11 kontrata, janar 2014-dhjetor 2016 ka 16 kontrata. Pra, në total një shifër prej 31 kontratash.
Në krye të listës së tenderave të fituar qendron Safet Gjici, i cili sapo Rama ka ardhur ka përfituar masivisht tendera, duke e çuar numrin në total përgjatë këtyre viteve të plot 102 kontrata shërbimi. Gjici është drejtues i dy kompanive private, një që merret me shërbimet e securities dhe një tjetër që merret me ndërtim. Përmes të dyja këtyre kompanive, thuajse çdo muaj Gjici fut në xhep disa tendera. Përgjatë periudhës shtator 2013-dhjetor 2013, Gjici ka fituar 4 kontrata. Periudha janar 2014-dhjetor 2014 Gjici tejkalon në mënyrë galopante shifrën, duke fituar 40 kontrata. Por kjo prap nuk duket se ka qenë periudha më e artë e tij, duke parë se çfarë ka fituar më pas. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015, Gjici ka firmosur 58 kontrata.

Safet Gjici 8 miliardë lekë tendera në dy vite

Safet Gjici, kandidati i PS për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e kaluara vendore dhe njëkohësisht pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre dy viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, Eurogjici. Brenda dy viteve, përmes kompanisë Eurogjici Security, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, Eurogjici ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë këtij viti, Eurogjici ka përfituar plot 1 miliard lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera. Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës. Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh. Pak kohë më parë në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurogjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera, duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit të 2015 për blerjen e votave. Mediat kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë.

Tendera pafund e ndërtime pa leje për Sadri Abazin

Numri i tenderave të përfituara nga Sadri Abazi sa vjen dhe rritet ashtu si edhe ndërtimet pa leje të tij sa vijnë dhe lartësohen. Në harkun kohor të vetëm dy viteve, ndërtimet e paligjshme të Sadri Abazit, të cilat janë objekte shumëkatëshe kanë rritur ndjeshëm sipërfaqet e tyre të ndërtimit.
Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme. Një ndërtimi 6 katësh i paligjshëm tek Zogu i Zi ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa. Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qefit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshem përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi. Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës. Shtesa e katit filloi para një muaji dhe tani është në përfundim. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën.
Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshësm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek Zogu i Zi, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.

Si përfituan miliarda para Abazi, Gjici e Ndreu nga OSHEE

Mbi 2.1 miliardë lekë i janë deputetëve dhe funksionarëve të lartë të PS pa tender duke u ndarë me negocim. Kjo është mënyra me të cilën ka operuar OSHEE për deputetin Abazi,ish prefektin e Kukësit, Gjici, si dhe deputetin tjetër të PS, Ndreu. Një mënyrë e pastër korruptive dhe në shkelje të hapur të ligjit. Kjo është mënyra se si sot po vjedhin pushtetarët. Kjo është skema që po aplikohet në shumë institucione, por PD ka zbardhur të plotë këto afera të OSHEE me funksionarët e lartë të PS.
Paratë që u zhvati shqiptarëve, me dhunën policore dhe kërcënimet me burg, i ka shpërndarë si dhuratë për një lukuni donatorësh, deputetësh, miqsh.

Arben Shahini