25.5 C
Tirana
E diel, 8 Qershor, 2025

“Washington Post”: Prokurori shqiptar akuzon ambasadorin për shantazh

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë është përfshirë në një debat të ashpër “flakë për flakë” me ambasadorin amerikan, i cili e akuzoi atë për pengimin e Reformës në Drejtësi që është thelbësore për të hapur bisedimet për anëtarësimin në BE, shkruan “Uashington Post”, në një shkrim të ditës së djeshme, duke raportuar ngjarjet që ndodhën një ditë më parë në Tiranë. Sipas gazetës së njohur amerikane, Adriatik Llalla ka akuzuar ambasadorin Donald Lu për një “sulm krejtësisht jodiplomatik” dhe gjithashtu për përdorimin e shantazhit pas përpjekjeve për të marrë nën hetim një kompani ndërkombëtare në Shqipëri (bëhet fjalë për Bankers Petroleum). “Presion nga ambasadori amerikan në Tiranë, i cili u përpoq të manipulojë opinionin publik dhe të zhvlerësojë institucionet”, tha Llalla në një deklaratë dërguar me e-mail për “Associated Press”. Më parë, ambasadori Lu akuzoi kryeprokurorin Llalla se, “ka folur prej disa muajsh kundër Reformës Gjyqësore” dhe duke shkelur Kushtetutën në ofrimin emra të kufizuar për këshillin gjyqësor “që janë zgjedhur pa transparencë”. Lu tha se, SHBA-ja dhe gjyqtarët e tjerë ndërkombëtarë dhe prokurorët nga vendet anëtare të BE-së do të vijnë javën e ardhshme për të monitoruar procesin e reformave dhe verifikimit të zyrtarëve të emëruar në organet ekzekutive. “Mesazhi im është i qartë. SHBA i ka sytë këtu, si dhe vendet anëtare të BE-së, me OSBE-në dhe Këshillin e Evropës, gjithashtu. Populli shqiptar dhe Shoqëria Civile duhet të jenë vigjilentë për të penguar këta njerëz të fuqishëm të vjedhin zgjedhjet”, tha ai. Javën e kaluar ambasada amerikane njoftoi, pa dhënë emra, se kishte hequr vizat për një numër të konsiderueshëm të prokurorëve shqiptarë dhe gjyqtarëve, duke thënë se “do të vazhdojnë të përdorin këtë pushtet për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri”. Kryeprokurori Llalla pranoi se, ai dhe gruaja e tij ishin në mesin e atyre që u është hequr viza. Reforma e përgatitur me ndihmën e ekspertëve të BE-së dhe SHBA-së dhe shqyrtuar nga Komisioni i Venecias, u miratua njëzëri në korrik të vitit të kaluar. Ajo synon të sigurojë pavarësinë politike të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për të çrrënjosur ryshfetin. Organet gjyqësore janë duke zgjedhur institucionet e tyre ekzekutive. Por partitë e opozitës dhe disa shoqata të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kundërshtuar ashpër reformën, duke vonuar fillimin e saj. BE-ja do rezultate të prekshme para vendosjen së një date për të hapur negociatat e anëtarësimit të vendit. Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit të BE-së në vitin 2014.

Meta krah Llallës: Prokurori i Përgjithshëm ka respektuar Kushtetutën

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ka dalë dje hapur në mbrojtje të Prokurorit të Përgjithshëm në debatin që ky i fundit ka pasur me ambasadorin amerikan Donald Lu. Në një dalje për mediat, Kryetari i Kuvendit ka hedhur poshtë pretendimet e ambasadorit, se gjatë hedhjes së shortit dhe përzgjedhjes së kandidatëve është shkelur Kushtetuta. Sipas Metës, kriteret i plotësonin vetëm ato propozime që solli Ardiatik Llalla. Pra, ai ka vepruar plotësisht sipas ligjit dhe rregullave.  Pas këtij sqarimi të kryeparlamentarit bëhet e qartë se si u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Emërimeve. Bëhet gjithashtu e qartë se, Prokuroria ka zbatuar ligjin.  “Nisur nga deklaratat e bëra dje nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, për Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në lidhje me listën e kandidatëve të përcjellë për t’u përfshirë në shortin e KED-sit, me kërkesën time, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka kërkuar sqarime shtesë për plotësimin e kritereve e kushteve ligjore për këta kandidatë. Në përgjigje të kësaj shkrese, Prokurori i Përgjithshëm ka kthyer përgjigje zyrtare në datën 3 shkurt 2017. Sipas deklarimeve të djeshme të ambasadorit Lu, Prokuroria ka dhunuar frymën e Kushtetutës duke sjellë 3 kandidatë për tre pozicionet. Gjithashtu Lu është shprehur se, Prokuroria e Përgjithshme i zgjodhi vetë 3 anëtarët, duke zgjedhur vetëm 3 emra. Sqarojmë se Kushtetuta në pikën 3 përcakton se KED-si përbëhet nga 9 anëtarë. Në pikën dy të këtij neni përcaktohet se, kandidatët që nuk plotësojnë kushtet, përjashtohen nga shorti. Sipas shkresës së datës 19 janar 2017 dhe shkresën e datës 3 shkurt 2017, rezulton se kandidatët e përcjellë plotësojnë kriteret e kushtet në mënyrë të plotë siç ka vendosur Kuvendi për ligjin e “Organeve të Drejtësisë” të asistuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Për këto vende plotësojnë kushtet vetëm 2 prokurorë.
Sipas shkresës së sotme të Prokurorisë së Përgjithshme, në Prokurorinë e Përgjithshme nuk ka pasur asnjë prokuror tjetër që të kishte mbaruar Magjistraturën. Si edhe në Prokurori të Apeleve nuk ka pasur asnjë prokuror që të plotësonte kriterin e mësipërm. Në këtë shkresë specifikohet se nuk ka pasur asnjë rast të uljes në detyrë të prokurorëve që kanë mbaruar Magjistraturën. Bazuar në këtë informacion rezulton se, Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar Kushtetutën. Asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme dhe as në Kuvend, apo publikisht lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion në Kuvend për shortin”, tha Meta.

Kukan: Zgjedhjet kusht për hapjen e negociatave

Raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan shpreh shqetësimin se nuk po bëhet sa duhet për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Ai e konsideron procesin e qershorit si faktor të rëndësishëm për përcaktimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit në intervistën e dhënë për “ABC News”.“Ne i rikujtojmë vazhdimisht miqve tanë në Shqipëri që zgjedhjet janë gjithnjë të rëndësishme dhe që duhen zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR bazuar në zgjedhjet e shkuara mjaft kohë para zgjedhjeve. Por duket se historia vazhdon të përsëritet dhe po shohim që nuk po bëhet mjaftueshëm për përgatitjen e tyre. Dhe pastaj vijmë në pikën ku thuhet që është tepër vonë që të përfshihen amendamentet apo reformat për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Ne theksojmë se zgjedhjet duhen përgatitur me përgjegjësi në marrëveshje midis partive politike, në mënyrë që procesi zgjedhor dhe rezultati i tyre të njihet nga të gjithë. Vetëm kur zgjedhjet njihen nga të gjithë mund të konsiderohen si të besueshme. Ato përbëjnë një moment shumë të rëndësishëm për ta nxitur vendin përpara për fiksimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Të gjitha marrëveshjet, ligjet apo direktivat lidhur me zgjedhjet duhet të përgatiten shumë kohë përpara zgjedhjeve dhe nuk duhet pritur momenti i fundit. Fatkeqësisht, ne duhet të apelojmë sërish që nuk ka kohë për të humbur” thotë Kukan. Ai thekson se zgjedhjet do të ndiqen me vëmendje të veçantë dhe do të shqyrtohen. “Unë dëshiroj që të përçoj mesazhin e marrjes së të gjitha masave për përgatitjen e tyre sesa të spekuloj mbi skenaret e këqija për Shqipërinë nëse zgjedhjet nuk do të jenë OK. Sigurisht që zgjedhjet do të jenë një faktor i rëndësishëm në analizën e situatës në vend për dhënien e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Le të jemi pozitivë dhe të presim përgatitjet. Ne do të dëshironim të gjithë një lajm të mirë për Shqipërinë, që të mund të na lejonte të hidhnim një hap të mëtejshëm në integrimin europian të vendit” thekson eurodeputeti.

Nis fushata me fondet buxhetore, në një ditë tenderohen 8 milionë euro investime

Në vite të zakonshme në muajin janar shpenzimet buxhetore përqendrohen vetëm në pagesat e emergjencës për spitalet dhe qendrat sociale, rrogat dhe pensionet, teksa fondet e investimeve zakonisht s’postohen në gjashtëmujorin e dytë. Por 2017 duket se do të bëjë përjashtimin nga kjo rutinë si çdo vit tjetër buxhetor që ka zgjedhje. Vetëm në një buletin të prokurimit publik u nxorën për tenderime punë publike me vlerë 1,06 miliardë lekë (8 milionë euro). Kjo praktikë nuk ishte e zakontë për prokurimet e janarit referuar historikut të viteve të shkuara.
Nga fondi 1 miliardësh që u hodh për tenderim vetëm në buletinin numër 4 të prokurimeve publike 336 milionë lekë janë investime të OSHEE për linjën e re 20 kilovolt në Bashkinë e Fushë-Krujës. Fondi tjetër shpërndahet për ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve dhe sistemeve të ujitjes në qytete të tilla si Skrapari, Puka, Shijaku, Gramshi, Ura Vajgurore etj.
Ajo që bie në sy është se në 18 tenderët e investimeve kanë afat kryesor për përfundimin e punimeve vetëm 3-4 muaj. Tenderët janë planifikuar të finalizohen në javën e parë të shkurtit, ndërsa punimet sipas afateve të vëna në secilin nga tenderët pritet të përfundojnë në fillim të qershorit. Gjithsesi qeveria vitin e kaluar ka miratuar një ligj “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”, i cili i kufizon përdorimin e buxhetit për qëllime elektorale.
Ligji përcakton se, në vitet buxhetore, gjatë të cilave mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ekzekutimi i deficitit buxhetor të qeverisjes së përgjithshme, përveç rasteve të jashtëzakonshme, të parashikuara, bëhet me përcaktim të posaçme. Sipas këtyre përcaktimeve ekzekutimi i deficitit deri në fund të tremujorit të parë të vitit buxhetor elektoral nuk mund të jetë më i lartë se 30 për qind e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor.
Ekzekutimi i deficitit deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit buxhetor elektoral nuk mund të jetë më i lartë se 55 për qind e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor.

Enrik Sulejmani, i larguari me precedentë penalë gradohet në koordinator në PS

Enrik Sulejmani, i dorëhequr nga posti i drejtorit të Policisë së Burgjeve më 2013 për shkak të precedentëve penalë është emëruar koordinator i Partisë Socialiste në Kamëz. Ky lajm është bërë i ditur dje nga ish-kryeministri Berisha, i cili përmes një postimi në Facebook ka publikuar denoncimin e një qytetari. “Në Partinë Siçiliste penaliteti është medalje! Qytetari dixhital denoncon: I larguari nga detyra nga LSI, e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Enrik Sulejmani, gradohet në koordinator të Partisë Siçiliste për Kamzën”, shkruan Berisha. “Përshëndetje z.Berisha. Koordinatori elektoral për PS e Kamzës është emëruar Enrik Sulejmani. Një person me precedentë penalë, kjo gjë e pasqyruar dhe nëpër media që më 2013 ku në atë kohë u emërua nga Ilir Meta si drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve. Ka qëndruar në detyrë vetëm 1 javë dhe pas reagimit tuaj ka dhënë dorëheqjen, mbasi u hodh në rrugë nga Meta, tashmë këtij personi i besohet koordinimi i Kamzës për PS. Një person me të kaluar kriminale”, thuhet në denoncimin e postuar nga Berisha. Enrik Sulejmani u dorëhoq nga posti i drejtorit të Policisë së Burgjeve më tetor të 2013, pas akuzave të opozitës dhe medias për implikimin e tij në trafikun e klandestinëve në Rinas. Sulejmani u vendos në këtë post në tetor të 2013, ndërsa PD e akuzoi atë për probleme që lidheshin me drejtësinë.

Rusia ndërhyn në Maqedoni

Ashtu siç pritej edhe Rusia ka reaguar për ngërçin që ka mbërthyer politikën në vendin tonë fqinj në Maqedoni ku nuk po formohet dot qeveria pa zgjedhjeve të fundit. Ministria e Jashtme e Federatës ruse ka dalë me një deklaratë të posaçme mbi zhvillimet në këtë vend duke paralajmëruar përkeqësim të situatës jo vetëm në këtë vend, por në gjithë rajonin tonë. Sipas kësaj ministrie konstatohet një përkeqësim i situatës në Maqedoni, ndërkohë që duket se zgjedhjet e parakohshme të muajit dhjetor, të imponuara nga “bombat e Zaevit” nuk kanë dhënë zgjidhjen e premtuar. Në këtë kuadër Kremlini paralajmëron se ndërhyrja e huaj mund të çojë në shpërthimin e situatës në Maqedoni, por edhe në gjithë Ballkanin.
“Duket se forcat politike në Maqedoni i janë nënshtruar ndikimeve të vrazhda të huaja nën slogane pseudodemokratike. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është likuidimi i politikanëve maqedonas që nuk i përshtaten Perëndimit dhe riformatimi i qeverisë në kundërshtim me votën e qytetarëve që ishte në favor të koalicionit të udhëhequr nga Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti. Është veçanërisht alarmuese që politikanë që përfaqësojnë një komunitet etnik kanë fuqinë për të vendosur bazuar në ultimatume të nxitura nga forca të jashtme, çka bllokon përfaqësimin e komuniteteve të tjera etnike në koalicionin e ardhshëm qeverisës në një vend multietnik dhe multifetar. Manipulimet e paturpshme makiavelike të vullnetit të votuesve mund të çojnë në shpërthimin e situatës në Maqedoni dhe në prishjen e stabilitetit të brishtë në të gjithë Ballkanin”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë të fortë.

Duka: Durrësi si zonë lufte, qyteti nuk është pronë e Dakos

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar për situatën në Durrës. Përmes një reagimi për mediat, Duka duke iu drejtuar kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, thotë se “qyteti është bërë si zonë lufte”. Kreu i PAA ndalet tek investimet e nisura në këtë qytet, por për shkak të vonesës së punimeve, e kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen në rrugë.
“Meqenëse po flas për qytetin e Durrësit, nuk mund të lë pa përmendur një problem shumë shqetësues të kohëve të fundit për qytetarët durrsakë. Është fjala për projektin “Veliera”. Nëse do të shkoni sot në Durrës, në afërsi të Vollgës për shkak të kantierit të këtij projekti, qyteti ka marrë pamjen e një zone lufte, ku zbatimi në terren i këtij projekti është kthyer në një bombë ekologjike për qytetin”, shprehet Duka.
“Në media është denoncuar vazhdimisht batërdia që po i bëhet mjedisit nga ky kantier ndërtimi, i cili është ngritur jashtë çdo parametri teknik dhe mjedisor, duke shkaktuar një ndotje të jashtëzakonshme pothuaj gjatë gjithë ditës.
Firma që po kryen punimet pa u shqetësuar aspak, vazhdon në mënyrë flagrante të depozitojë në det qindra ton inerte. Kjo është një arrogancë e pashoq që vazhdon prej muajsh nën hundën e Bashkisë Durrës dhe të qeverisë shqiptare.
Prandaj unë nuk mund të jem indiferent ndaj këtij fenomeni, i cili nëse do të vazhdojë kështu, do të ketë pasoja të parikuperueshme për ekuilibrin natyror të krijuar me qindra vite. Unë shpresoj që Kryeministri do t’i tërheqë vëmendjen, vartësit të tij në krye të Bashkisë Durrës, arroganca e të cilit po e trajton Durrësin si pronën e tij…….
Por përveç masakrës ekologjike që zbatimi i projektit “Veliera” po i bën Durrësit, ky investim vlerësohet i dëmshëm për qytetin edhe në aspektin e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore. Që në ditën e prezantimit të tij si projekt, artitektë dhe arkeologë të shumtë e kanë kundërshtuar hapur, duke evidentuar dëmtimet që ai i sjell zonës arkeologjike të Durrësit dhe në mënyrë të veçantë sfumimit që i bën Torrës Veneciane.
Fadromat që punojnë për këtë projekt po varrosin monumente kulturore, po shkatërrojnë murin antik të qytetit. Unë nuk jam kundër projekteve të tilla pavarësisht kostos, por nuk mund të hesht kur konstatohet se zbatimi i tyre bëhet në shkelje të ligjit dhe jashtë çdo parametri teknik e mjedisor.
Nuk dua ta besoj, që Kryeministri është në dijeni që kompania e cila zbaton këtë projekt, nuk është pajisur me leje mjedisore.
-Si mund të nisen punimet pa marrë leje mjedisore?
-Kush e toleron këtë praktikë antiligjore?
Natyrisht, që kjo bëhet me bekimin e Kryebashkiakut të Durrësit, ndonëse është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra për mungesë të lejes mjedisore, firma ndërtuese dhe Bashkia Durrës vazhdojnë punimet gjithë arrogancë dhe indiferentizëm ndaj zbatimit të ligjit.
I bëj thirrje Shoqërisë Civile dhe qytetarëve durrsak të reagojnë me zë të lartë kundër kësaj masakre që po i bëhet qytetit antik. Nuk mund të rrinë kaq qetë kur bëhet fjalë për qytetin ku ata vetë jetojnë, ku do të jetojnë në të ardhmen, fëmijët e trashëgimtarët e tyre.
Ka një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2011, ku përcaktohet qartë se si duhet të bëhet ndërhyrja dhe administrimi i zonës arkeologjike. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë se gërmimet në këtë zonë duhet të mbikëqyren nga arkeologë. Këta të fundit duhet të jenë prezent non-stop dhe gjatë kryerjes së punimeve, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur.
Përgjegjësia për shkeljen e ligjit në këtë aspekt dhe shmangien e arkeologëve, është përgjegjësi direkt e Ministrisë së Kulturës, e Agjensisë së Shërbimit Arkeologjik dhe e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Kombëtare në Durrës. Këto institucione duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tyre gjatë gjithë kësaj kohe.
Në emër të Partisë Agrare Ambientaliste i bëj thirrje Kryeministrit dhe Kryebashkiakut të Durrësit, të ndalin punimet në këtë kantier derisa të vendoset në vend ligjshmëria në zbatimin e këtij projekti. Nga ana tjetër organet ligjzbatuese, të hetojnë krimin mjedisor që po i bëhet Durrësit dhe dëmtimet e Monumenteve të Kulturës.
Jo çdo shkelje e rregullave dhe e ligjeve amnistohet me shprehjen arrogante dhe megallomane, se unë jam i zoti për zgjedhje dhe këtë do jua tregoj në zgjedhjet e radhës, sepse si po bëhen zgjedhjet në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë këtë po e shohim të gjithë jo vetëm ne të opozitës”, thekson Duka.

Gjushi, korrupsion me ndërtimet në zonën arkeologjike në Durrës

Kryetari i Bashkise se Durresit, Vangjush Dako, duke folur, gjate prezantimit te "Kampionatit Europian te Peshengritjes per te Rinj", i cili do te zhvillohet nga 14-21 shtator, ne qytetin e Durresit.

Plot dy muaj pasi projekti “Veliera” në Durrës ka nisur nga zbatimi, Bashkia e Durrësit nënshkroi një kontratë për monitorimin e punimeve nga Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shpëtimit Arkeologjik, por ndërkohë shumica e punimeve nëntokësore për projektin e kushtueshëm kanë përfunduar.
Bashkia e Durrësit nënshkroi së fundmi një kontratë për monitorimin e punimeve me dy institucionet përgjegjëse për ruajtjen e vlerave arkeologjike të vendit, Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik, në bazë të së cilës këto dy institucione do të monitorojnë punimet për projektin e njohur si “Veliera”, për të cilin qeveria po shpenzon 6 milionë euro për zbukurimin e një zone pranë Portit të Durrësit.
Problemi është se kontrata e monitorimit u miratua vetëm dy muaj pas nisjes së punimeve, në një kohë që pjesa më e madhe e gërmimeve në një zonë me probabilitet të lartë mbetjesh arkeologjike, janë kryer.
Ndërkaq, përfaqësues të disa shoqatave dhe forcave politike denoncuan betonimin e fragmentit të murit mesjetar, pjesë të të cilit shihen prej vitesh në afërsi të Torrës veneciane dhe pranë kompleksit “Fly”. Ata deklaruan se kanë paraqitur dy padi penale dhe civile për kryebashkiakun Vangjush Dako, që sipas tyre është fajtor për shkatërrimin e vlerave arkeologjike.
Sot paradite, një grup qytetarësh durrsakë të mbështetur nga shoqatat mjedisore të kryeqytetit kanë protestuar pranë Torrës Mesjetare, pikërisht aty ku prej disa javësh vazhdojnë punimet për sistemin nëntokësor të kanalizimeve.
Arkeologu Edi Shehi, tha për BIRN se, sheshi është vëzhguar deri tani nga specialistët durrsakë të kësaj fushe nisur nga meraku i profesionit.
Tani, specialistët e të dy institucioneve të arkeologjisë, së bashku me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare do të ndjekin nga afër ecurinë e punimeve, që bashkë me kanalizimet dhe infrastrukturën rrugore do të përfshijnë edhe nënkalimin e automjeteve drejt Shëtitores “Taulantia”. Vëzhgimi do të përqendrohet në pjesën pranë Torrës dhe Bulevardit “Epidamn”, që bëjnë pjesë në hartën e riskut arkeologjik.
Ministria e Kulturës ka kërkuar që fragmenti i murit mesjetar me gjatësi rreth 100 metra të evidentohet në shëtitoren e ardhshme. Aktualisht trakti fortifikues që i përket periudhës bizantine është mbuluar në pritje të vendimit të ardhshëm.
Sheshi i ri “Veliera” do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metra katrore dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katror. Vlera e të gjithë këtij projekti do të jetë rreth 6 milionë dollarë.
Mungesa e sondazheve arkeologjike apo shmangia e tyre është vërejtur edhe gjatë realizimit të projekteve të tjera madhore në Durrës, siç ka qenë rasti i Sheshit “Liria” në qendër të qytetit antik.
Qytetarët durrsakë të mbeshtetur nga Shoqëria Civile protestuan dje para Kullës Veneciane, në vendin ku po zbatohet projekti për ndërtimin e Velieres. Protestuesit thonë se ky ndërtim po shkatërron rrënojat arkeologjike të qytetit, pasi muri rrethues i qytetit antik, ndërtim i shekullit të V para erës sonë, kalon pikërisht në vendin ku po zhvillohen punimet. “Prej ditësh, këtu janë bërë gërmime ku ka dalë edhe arkeologjia në shesh, por kryetari i Bashkisë e ka betonizuar. Muri i kalasë po betonizohet”, u shpreh një nga përfaqësuesit e protestës.
Ambjentalisti Sazan Guri, u tha protestuesve se po shkatërrohet historia e një qyteti. “Këtu bëhet një gërmim për të ngritur një objekt, për të lënë shenjë, sepse nuk është e domosdoshme që ky objekt të rrijë si hije nën këtë Tore që është me vlera”, u shpreh Sazan Guri.

Protestë në Shkodër për shpronësimet te “Loro Boriçi”

Banorët e shtëpive dhe bizneseve përreth stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës dolën sërish dje në protestë, sepse qeveria kërkon t’i shpronësojë falas ose me vlerë qesharake. Banorët thonë se nuk pranojnë asnjë lloj shpronësimi dhe se nuk do i lëshojmë pronat. “Kam frikë se dikush do me e përvetësu për vete këtë truall këtu dhe nuk e dimë arsyen. Nuk është e logjikshme që të prishen shtëpitë për një parkim. 6 mijë -7 mijë metër katror as në Barcelonë nuk ekziston”, u shpreh një nga protestuesit. Çështja ka dy vite që debatohet dhe sipas banorëve ka dyshime se në këtë zonë ka njerëz të interesuar për ndërtime. “Zotnia kërkon me e marr përkohësisht që nesër-pasnesër me një VKM tjetër të ngrihet një 15-katësh këtu”, tha një banor protestues.
Janë rreth 4 biznese dhe 6 vila në një sipërfaqe prej 7000 metër katrorë që kërkohet të prishet për shkak të ndërtimit të parkimit të stadiumit. Banorët e këtyre zonave e kanë kundërshtuar këtë vendim. Dhe se sipas tyre nuk do të pranojnë asnjë lloj zgjidhje tjetër veçse ruajtjen e shtëpive dhe bizneseve të tyre.
Nga ana e saj, Bashkia e Shkodrës kundërshton shembjen e 8 objekteve që preken nga ndërtimi i parkingut të stadiumit “Loro Boriçi”. Përmes një shkrese zyrtare dërguar para disa kohësh ministres Gjermeni, Bashkia e Shkodrës kërkon të rishikohet projekti dhe hapësira e parkimit. Sipas shkresës që Bashkia i ka dërguar ministres Gjermeni, shpronësimet nuk kompensojnë dëmet dhe kostot e banorëve të shtëpive që parashikohen të shemben. “Nuk është marrë mendimi i banorëve. Shpronësimet nuk kompensojnë dëmet dhe kostot. Në projektin e 2015, s’kishte hapësira shtesë. Vendet e parkimit janë përcaktuar sipas projektit. Të rishikohet projekti dhe hapësira e parkimit”, thuhet në shkresën e Bashkisë.

214 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

Kapen 214 kg marijuanë që po transportoheshin me dy makina në kufirin greko-shqiptar, arrestohen 2 shqiptarë. Operacioni është zhvilluar në fshatin Vasiliko, Igumenicë, pranë rrugës “Egnatia”. Furgoni që transportonte drogën shoqërohej edhe nga një makinë, e cila presupozohej të kontrollonte rrugën. Dy shqiptarët e arrestuar janë të moshës 38 dhe 49 vjeç, ndërsa emrat e tyre nuk bëhen të ditur. Policia po kërkon dhe dy shqiptarë të tjerë, si bashkëpunëtorë të të arrestuarve.
Po ashtu, një 30-vjeçar shqiptar u arrestua një ditë më parë me 14 kg kanabis të tharë dhe të paketuar. Arrestimi i tij u krye në autostradën “Antirriou” të Janinës. Lënda narkotike ishte e ndarë në 12 pako të fshehura në bagazhin e makinës. Përveç sasisë së drogës, policia i ka sekuestruar edhe një shumë prej 430 euro dhe telefoni celular i shqiptarit, me të cilin ka komunikuar për transportin e drogës.
Policia greke ka konfiskuar edhe automjetin, me të cilën është trafikuar droga. Shqiptari është arrestuar edhe më herët nën akuza të njëjta si pjesë e një organizate që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës. Shqiptari është dërguar pranë prokurorit publik në Agrinio.

Si Shqipëria ka instaluar “me ligj”, farsat zgjedhore!

Nga Erl Kodra Shqipëria nuk bën zgjedhje parlamentare, por farsë zgjedhore Analizë Juridike e Papajtueshmërisë së Kodit Zgjedhor me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë I. Objekti Objekti i...