Pas atij në Kolonjë, një tjetër aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në aksin rrugor Fier¬-Lushnjë, duke i marrë jetën drejtuesit të mjetit. Bëhet fjalë për shtetasin Q.Sh, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur kontrollin e mjetit tip “Volkswagen” me targa AA 831 CM, duke fluturuar në një kanal. Sipas burimeve, aksidenti ka qenë shumë i rëndë, pasi makina gati është copëtuar nga rënia në kanal. Sipas Policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 13:36, në aksin rrugor Fier¬-Lushnjë, në vendin e quajtur “Rotondua e Kolonjës”, e për pasojë drejtuesi i mjetit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje ndodhet ende grupi hetimor dhe po kryen veprimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
Ndërkohë, një tjetër aksident ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës. Një kamion është aksidentuar paraditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, duke bllokuar kështu për disa orë qarkullimin e mjeteve në njërën korsi. Ngjarja ka ndodhur në Maminas rreth mesditës, ndërsa fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Kamioni është përmbysur, duke zënë të gjithë korsinë. Qytetarët u shprehen se qëndruan të bllokuar për disa orë në autostradë. Nga hetimet paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë lagështia në rrugë.
Makina copëtohet gjatë rënies në kanal, vdes shoferi
Si u vra me disa plumba në kokë gruaja shqiptare në Athinë
Publikohen detaje re reja ngjarja horror në Athinë, persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri një çift shqiptar, ku gruaja humbi jetën, ndërsa burri lufton me vdekjen. Krimi që tronditi kryeqytetin helen dhe jo vetëm, ndodhi rreth orën 02:00 në rrugën ‘Olympou’.
Mediat greke raportojnë se kanë qenë 2 persona të maskuar ata që kanë hapur zjarr në fillim ndaj gruas 50 vjeçe, duke e qëlluar disa herë me pistoletë në kokë dhe më pas ndaj burrit të saj. Po ashtu, pavarësisht pistës së grabitjes, nuk përjashtohet edhe fakti se mund të ketë qenë një larje hesapesh, pasi agresorët kanë hyrë direkt në dhomën e gjumit dhe kanë hapur zjarr.
Sapo kanë dëgjuar zhurma, djali i çiftit, 28 vjeç ka tentuar të hyjë në dhomë, ndërsa është goditur me qytën e armës në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime. Ndërkohë, në banesë gjendej dhe vajza e shqiptarëve, 18 vjeçe, e cila ka parë skenën makabre. Sipas ekspertëve të çështjes, fakti që vrasësit nuk qëlluan ndaj dy fëmijëve, lë vend për dyshime se bëhet fjalë për larje hesapesh. Sakaq, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ekzekutimi për borxhin, 5 të arrestuar në Itali, mes tyre 2 shqiptarë
Policia e Astit në Itali arrestoi 5 persona, të cilët akuzohen për një vrasje, mes tyre 2 shqiptarë. Vrasja e Françesko Indino ndodhi në 25 qershor të 2015-ës në Asti. Trupi i 52-vjeçarit u gjet pranë kamionit të tij, ndërsa dyshohet se u vra nga dikush me armë zjarri pas shpine.
Mediat italiane raportojnë se nga hetimet e policisë, rezulton se krimi i rëndë ka qenë i paramenduar. Në vrasje u përfshinë 3 italianë, njëri prej tyre pronar i viktimës, si dhe dy shqiptarë, të gjithë me precedentë të mëparshëm penale.
Hetimet e kryera nga policia bënë të mundur, pas përgjimeve të personave në fjalë, të rindërtohej skena e krimit dhe u provua se kush ishte urdhëruesi i vrasjes. Po ashtu u bë e ditur se vrasja kishte ndodhur, pasi viktima nuk i kishte paguar një borxh punëdhënësit të tij. Tashmë 5 të arrestuarit, identiteti i të cilëve nuk dihet, akuzohen për veprën penale ‘Vrasje’.
Basha me investitorët italianë: Do kemi taksat më të ulëta në 26 vite
Programi ekonomik i Partisë Demokratike do të nxjerrë përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza dhe apatia duke e futur atë në rrugën e një zhvillimi të përshpejtuar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha organizoi dje një tryezë me investitorë italianë që gjenden në Shqipëri dhe të tjerë që erdhën enkas për këtë takim, ku të pranishëm ishin dhe dy senatorët Paolo Romani dhe Mario Mauro. Basha u bëri të ditur rreth 100 investitorëve italianë, nga çdo sektor i ekonomisë, se qeverisja e Partisë Demokratike do të krijojë të gjitha kushtet për rritjen e prezencës së tyre në vendin tonë, do të krijojë kushtet për përfitime të dyanshme, të investitorëve dhe shqiptarëve, me krijimin e vendeve të reja të punës. “Është një takim i jashtëzakonshëm sepse ndodh në kushtet kur nga Shqipëria janë larguar jo vetëm investime, por edhe qytetarë. Mbi 100 mijë shqiptarë kanë lënë vendin vitin e kaluar. 200 mijë të tjerë kanë kërkuar të largohen për shkak të situatës mbytëse ekonomike, për shkak të gjendjes së krijuar nga keqqeverisja. E pikërisht në këto kushte në vend të denoncimit dhe vetëm denoncimit të së keqes, ne sot japim një mesazh pozitiviteti së bashku, jo më për të djeshmen, por për të nesërmen e Shqipërisë, e këtij vendi të bekuar me mundësi të jashtëzakonshme. Ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta në emër të çdo shqiptari për sakrificën, punën e jashtëzakonshme me të cilën 26 vite keni krijuar këtu në Shqipëri qindra mijëra ndërmarrje punëdhënëse, por edhe keni transferuar tek bashkatdhetarët e mi një përvojë të jashtëzakonshme të ndërtimit të kapitalizimit në liri, të sipëmarrjes së lirë në liri, të transferimit të teknologjive, kulturës së punës në çdo fushë, që nga kuzhina e deri tek teknologjia e informacionit. Mirënjohje të madhe kam për ju investitorë italianë që megjithë problemet, padrejtësitë që u janë bërë, besoni te Shqipëria, mundësitë e saj të mëdha dhe të pashfrytëzuara për investime. Jam këtu sot për t’ju garantuar se unë dhe qeveria ime do të jemi në krahun tuaj, në mbështetjen tuaj dhe së bashku do të ndërtojmë një histori win-win. Sot, siç dëshmojnë të gjitha anketat e biznesit të Dhomës amerikane të Tregtisë në Shqipëri dhe anketat e biznesit gjerman, sipërmarrja vuan nga liria, nga institucionet burokratike, nga një treg i deformuar dhe nga një qeveri klienteliste dhe e korruptuar. 4 vjet më parë qeveria rriti taksat, të cilat rritën kostot fiskale veçanërisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Fatkeqësisht, shumica e taksave shkuan në koncesione monopoliste, të cilat asfiksuan më shumë mundësitë e ekonomisë për t’u rritur dhe për të krijuar vende pune. Me pretekstin për të bërë shtet, inspektorët tatimorë në shërbim të vetes ju kanë krijuar vështirësi të paimagjinueshme investitorëve vendas dhe të huaj. Përgjigjja unanime e pyetjes, se cila është pengesa kryesore e të bërit biznes në Shqipëri, nga të gjitha këto ambiente dhe mund ta verifikoni, përgjigjja është qeveria”, tha Basha.
Reformë fiskale
Një sistem fiskal të thjeshtë, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Ky është objektivi i parë i PD. “Biznesit do i ofrohet çdo mundësi për të qenë në gjendje të konkurrojë.
Në themel të sistemit janë taksat e ulëta dhe të sheshta: 9 për qind për të ardhurat personale, 9 për qind për fitimin e kompanive. TVSH do të ulet në 15 për qind. Tatimi mbi dividentin do të bëhet zero.
Kjo është e vetmja mënyrë për t’u bërë konkurrues me fqinjët tanë në rajon dhe për ta bërë ekonominë tonë të aftë të thithë investime të brendshme dhe të huaja, për të ndryshuar situatën aktuale ku sipas vetë Bankës Botërore investitorët e huaj e shohin Shqipërinë zgjedhjen e fundit në Ballkan”, tha Basha.
Transparencë të shpenzimeve publike
Mjeti i vetëm që ekziston për të ulur korrupsionin, klientelizmin dhe abuzivizmin është transparenca dhe kufizimi i pushtetit. “Këtu ne do të zbatojmë një program të thellë transparence të shpenzimeve, prokurimit dhe kontraktimit publik.
S’mund të pranoj kurrë dhe nuk mund të pranoj kurrë si kryeministër që në një kohë që papunësia shtohet, që më të mirët, më të zotët, më të aftët në tregun e punës lëshojnë Shqipërinë, emigrojnë drejt vendeve europiane, këtu qeveria mbitakson sipërmarrësit dhe me taksat e mbledhura shpenzon 600 euro për një palmë nga ato që i keni parë nga aeroporti drejt Tiranës.
600 euro shumë e barabartë me ndihmën ekonomike për 1 vit për një familje apo shpenzon në vitin 2016, 130 miliardë lekë për zyra, makina, perde për veten e saj, për luksin e saj.
Në total sipas të dhënave të KLSH-së, vetëm në dy vitet e fundit qeveria ka abuzuar mbi 1 miliard euro, me shpenzime fasadë, me buzëkuq, shpenzime luksi. Imagjinoni sa do të fuqizoheshin politikat tona në nxitje të investimeve të punësimit, nëse këto para në vend që të shkonin për palma, do të shkonin për të nxitur, që një ndërmarrje italiane të zgjidhte Shqipërinë përpara Rumanisë, Maqedonisë, jo duke u lutur, as duke uruar, por duke vepruar.
Nëse në Maqedoni sot u ofrohet dy muaj në vit pagesa të sigurimeve shoqërore nga shteti për këdo që hap një investim me 100 vende pune me garanci 10-vjeçare, kjo mund të aplikohet lehtësisht nga qeveria e Shqipërisë nëse është e përgjegjshme, nëse lekët nuk i çon për palma, për automjete luksi për qeveritarët, por nëse i çon për të ndihmuar biznesin që ndihmon në hapjen e vendeve të punës. Ky është roli i qeverisë moderne, të bëjë gjithçka për të ndihmuar sipërmarrjen që ndihmon në krijimin e vendeve të reja të punës.
2120 procedura ka negociuar pa shpallje vetëm në vitin 2016, 1/3 e prokurimeve publike pa shpallje. Më e keqja është se 2/3 e tjera, që gjoja ka pasur garë, siç mund ta dinë disa prej jush, aty gara është fituar pothuajse gjithmonë nga ofertuesi më i lartë, më afër çmimit limit, që është treguesi më i qartë i korrupsionit. Më dëm të jashtëzakonshëm për buxhetin e shtetit, me dëm edhe më të madh në cenimin e konkurrueshmërisë dhe besimit te prokurimet publike.
Të gjitha kontratat publike do të jenë transparente, të gjitha ofertat e ardhura për shërbime publike do të jenë të aksesueshme nga sipërmarrja dhe qytetarët, përmes një sistemi dixhital, online.
Të gjitha vendimet në lidhje me prokurimet dhe kontraktimet do të bëhen publike, nuk do të lejojmë prokurime me fonde publike me një kandidat, e aq më pak që çdo tender e koncesion ta marrin vetëm 11 klientë të qeverisë, siç ndodh sot”, u shpreh Basha.
Konsolidim dhe finalizim të infrastrukturës përmes investimeve publike
Në lidhje me investimet publike, Basha tha se, “Nuk do të ketë investime fasadë në qeverinë e ardhshme të Shqipërisë. Nuk do të ketë që gjysma e rrugës të mbillet me palma dhe gjysma tjetër të jetë me gropa. Nuk do të ketë investime fasadë, që i mbushin xhepat e qeveritarëve duke zbrazur xhepat e taksapaguesve dhe duke rrënuar konkurrueshmërinë dhe besimin e sipërmarrësve, por vetëm investime që i shërbejnë zhvillimit dhe punësimit.
Prioritet do të jetë përfundimi i veprave të mëdha, që edhe sot e kësaj dite mbeten të papërfunduara siç është Korrridori 8, rruga Tiranë-Elbasan, siç është Rruga e Arbrit, përfshi tunelin, siç është përfundimi i akseve të jugut, Unaza e Madhe e Tiranës dhe miliona e miliona euro investime të domosdoshme për sistemin e ujitjes dhe rrugëve që ndihmojnë aksesin në bujqësi, po kështu ujësjellës-kanalizime.
Rritja e investimeve, si private të brendshme ashtu edhe të huaja dhe investimeve publike, janë çelësi për të krijuar punësimin.
Rritja e mundësive për punësim është mundësia e vetme për eliminimin e varfërisë, është mënyra e vetme për krijimin e mirëqenies.
Programi ynë ekonomik jo vetëm nxjerr përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza dhe apatia, por e fut atë në rrugën e një zhvillimi të përshpejtuar ekonomik, në përputhje me potencialet e jashtëzakonshëm të këtij vendi dhe të këtij tregu pune.
Ky është programi ekonomik me taksat më të ulëta në historinë 26-vjeçare të demokracisë dhe vendos gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes së ndershme, gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes së ndershme”.
Senatorët italianë mbështetje platformës Basha
Dy senatorë italianë të pranishëm në tryezën e Partisë Demokratike me investitorë nga Italia, ofruan mbështetje për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Paolo Romani, senator nga Forza Italia, tha se Basha shpreh tri revolucione të mëdha. “Ne jemi një parti simotra, ne jemi nga e njëjta familje, nga PPE dhe me thënë të drejtën ndjeva një zili kur po dëgjoja kryetarin Basha sepse ai u shpreh qenësisht për tri revolucione të mëdha, një revolucion fiskal që do të duhej ta bënim me fleksibilitet dhe në Itali, revolucion kundër burokracisë dhe revolucion tek shpenzimet publike. Këto dy ditë do të kryejmë disa takime për partneritetin italo-shqiptar. Të gjithë kërkojnë më shumë prezencë italiane në këtë vend. Falënderoj krytetarin Basha për këtë takim të jashtëzakonshëm, tani po ju përcjell këtë mesazh; Më 18 qershor, Shqipëria ka zgjedhjet dhe mesazhet që përcolli kryetari më duken si një shenjë e rezultatit të mirë”, tha Romani. Edhe senatori Mario Mauro, nga grupi i Partive Popullore thotë se figura e Lulzim Bashës si kryeministër i ardhshëm ka një rëndësi të veçantë në kontekstin evropian. “Prania jonë këtu zhvillohet brenda vëllazërisë së Partisë Popullore Evropiane, domethënë, familja e partive liberale demokrate, që uron edhe për rezultatin e mirë të një projekti europian, suksesin e udhës së integrimit europian të Shqipërisë. Këtu jemi një parti që është në opozitë, e shoqëruar nga parti që janë në opozitë në vendin e tyre, dhe të shohësh kaq shumë interes të bën të kuptosh atë besueshmëri të madhe që ka jo vetëm Partia Demokratike shqiptare, por sidomos figura e kandidatit të kësaj partie për kryeministër të ardhshëm, Lulzim Basha. Është një figurë që ka një rëndësi të veçantë në kontekstin europian, që ka një rëndësi të veçantë në kontekstin ndërkombëtar, pikërisht sepse është një figurë me besueshmëri të jashtëzakonshme, shumë të madhe dhe mbështetet në ide”, tha Mauro. “Shumë njerëz po ikin, dhe nuk po ikin vetëm ata në nevojë, por po ikin më të mirët”, ishte shqetësimi që ngriti, Carlo Alberto Rossi, sipërmarrës në fushën e turizmit. Lulzim Basha e njeh gjendjen dhe ka një përgjigje. “Pse ikin këta mijëra shqiptarë? Ju e thatë vetë, po ikin më të mirët, nuk po ikin vetëm të varfërit. Pse ikin? Sepse këtu, i miri, i afti, i talentuari nuk çan përpara. Këtu çan përpara trafikanti, nepotisti, klientelisti, krimineli, i korruptuari. Cila shoqëri ka bërë përpara në qoftë se vlerëson, shpërblen krimin, vjedhjen, gënjeshtrën dhe ndëshkon punën e ndershme. E kundërta, qëndron në themel të shoqërive të përparuara. Ndaj ne, do t’i japim mundësinë çdokujt që të punojë e të ecë përpara me punën e ndershme. Puna do të shpërblehet e jo të ndëshkohet. Aftësia, talenti, kreativiteti, inovacioni, kapitali në funksion të kësaj do të shpërblehen në qeverisjen time”, deklaroi Lulzim Basha. Dhoma italiane e Industrisë ka shprehur vazhdimisht shqetësime këto 3 vite për rritjen e taksave dhe arbitraritetin e qeverisë, dhunën e korrupsionin e tatimorëve. Investitorët italianë kërkuan të njohin detaje mbi programin dhe kërkuan garanci për investimet e tyre. “Çfarë detyre mund të ketë qeveria e Shqipërisë, shteti shqiptar më të rëndësishme sesa të bëjë gjithçka që dikush që punëson shqiptarët, të ketë të gatshme infrastrukturën rrugore, energjetike dhe të mos ketë asnjë pengesë burokratike. Çfarë detyre tjetër më të rëndësishme mund të ketë qeveria e Shqipërisë? Për mua kjo është detyra më e rëndësishme. Të mbështesin me të gjitha format dhe mënyrat, përfshirë ato financiare sipërmarrjen që krijon dhe siguron vende pune, pra krijon dhe siguron mirëqenie. Kjo do të thotë jo vetëm me sistemin fiskal më konkurrues në Ballkan, nuk do të gjeni nën qeverisjen time, një vend me taksa më të ulëta sesa Shqipëria, por dhe me një sjellje tërësisht të reformuar në raport me sipërmarrjen, qeverisje më miqësore ndaj sipërmarrjes, jo me fjalë, por me veprime”, siguroi Basha investitorët italianë. Basha e garantoi sipërmarrjen për rend e siguri, për shtypje të krimit pa mëshirë.
Dënohet Bilali në SHBA, a po i vjen radha Ramës?
Edi Rama pritet të hetohet në lidhje me shkeljen e ligjit federal për donacionet e huaja në fushatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas dëshmive që pritet të japë bashkëpunëtori i tij dhe i Bilal Shehut në skemën e mashtrimit. Gjykata Federale në Newark, New Jersey ka dënuar me një vit burg me kusht Bilal Shehun, shqiptari me nënshtetësi amerikane, pasi ai pranoi se ka ndihmuar në dhënien e fondeve për të ndihmuar Edi Ramën të bënte një foto me ish-presidentin Obama, gjatë fushatës elektorale të vitit 2012. Vetë Bilal Shehu sipas portalit www.nj.com ka pranuar fajin, duke shkelur ligjin federal, se ka dhënë kontribut në shumën e 80 mijë dollarëve që të ndihmonte kryetarin e Partisë Socialiste që të merrte pjesë në këtë eveniment, lajm që e konfirmon zyra e prokurorit të çështjes, Paul Fishman. Edhe avokatët e Shehut në këtë çështje Alan Abramson dhe Eric Breslin, kanë thënë se Bilal Shehu ka bërë një “gabim të tmerrshëm”, duke shtuar se është i lumtur që i jepet mundësia që ta shlyejë fajin që ka bërë. Më datë 14 shkurt do të zhvillohet një tjetër gjyq sipas portalit dhe këtë herë është greko-amerikani William Argeros, njeriu që kanalizoi fondet që do të përballet para drejtësisë. Argeros ka bërë të mundur blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila në formë donacionesh në emër të Bilal Shehut (ka deklaruar se ka një kompani limuzinash, pasi ligji federal nuk lejon donacione nga individë më shumë se 5000 dollarë) dhe një tjetër në emër të gruas së tij, por që në vend të bashkëshortes së Bilal Shehut është paraqitur Edi Rama. Argeros pritet të përballet me një akuzë, e cila mund t’i kushtojë 5 vjet burg dhe 250 mijë dollarë gjobë. Ky është momenti kyç në bazë të të cilit prokurorët federalë do të hetojnë dhe në lidhje me burimin e të ardhurave, gjë e cila bën që fijet të çojnë dhe tek kryeministri aktual.
Bilali ishte i pari
Por në rast se gjykata e New Jersey-t provoi se Bilal Shehu ishte thjesht një vegël në të gjithë këtë skemë mashtrimi, ku sipas avokatëve i ka premtuar gjykatës se “do të provojë se është i gatshëm për ta shlyer atë që ka bërë”, nuk është e njëjta gjë për financuesit e kësaj skeme mashtrimi. Madje i gjithë hetimi është përqendruar pikërisht tek çështja se nga kanë ardhur këto financime. Ligji për financimet elektorale është i qartë dhe ndalon çdo lloj organizate, kompanie, partie politike apo politikani të lartë të japë financime për fushatën elektorale që zhvillohet në SHBA. Madje ndalohen dhe personat rezidentë në Shtetet e Bashkuara, që nuk disponojnë Green Card. Ndoshta ky ka qenë dhe qëllimi pse është përzgjedhur Bilal Shehu, një person me nënshtetësi amerikane për të blerë biletat që nuk ishin gjë tjetër vetëm se donacione, në emër të tij. Por, qoftë Rama, qoftë Argeros dhe qoftë Shehu e dinin fare mirë që po kryenin një krim federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ligji jo më kot është ndërtuar në mënyrë të tillë, pasi shmang paratë e pista që vijnë nga aktivitete të ndryshme, që të ndikojnë tek njëri apo tjetri kandidat në Shtetet e Bashkuara. Ligji është i qartë, se në çdo rast dënohen jo vetëm ata që kanë kryer aktin, por hetim dhe dënim ndërmerret dhe nga personat që kanë bërë të mundur financimin e kësaj skeme, gjë që mund t’i kushtojë shumë liderit global. Procesi vazhdon dhe natyrisht që Argeros, nuk ka pse rrezikon aq shumë që të mbajë mbi shpatulla mëkatet e kryeministrit tonë, që kërkoi të përdorte foton me ish-presidentin Obama si një mbështetje që po i jepnin Shtetet e Bashkuara.
Rama e dinte se po shkel ligjin
Po përse u zgjodh pikërisht Bilal Shehu dhe jo një kompani lobimi për këtë çështje? Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1966, prodhuesit e sheqerit nga Filipine ishin investuar shumë në fushatën presidenciale dhe Senatit të asaj kohe, me qëllim që Senati të favorizonte çmimet e importit nga ky vend. Nga ajo kohë Senati vendosi që t’i presë rrugën çdo financimi të huaj që mund të ndikonte sadopak në politikat e shtetit amerikan. Sot në Amerikë dhe kompani apo korporata të fuqishme si Toyota, Nisan, Sony, Samsung, kompania e naftës Shell, kompani kafeje dhe gjithfare tjetër që operojnë në Shtetet e Bashkuara, por bazën e kanë jashtë vendit nuk mund të japin donacione në fushatë elektorale për asnjë kandidat apo senator në Shtetet e Bashkuara. Në raste të veçanta mund të kanalizojnë, kur bie fjala për aktivitete bamirësie që bëjnë kandidatët vetëm 5000 mijë dollarë (donacioni i Ramës ishte 80 mijë). Më vonë në vitin 1990, listës së kompanive iu shtuan dhe qytetarët e huaj amerikanë, partitë politike jashtë Amerikës apo politikanët. Askush prej tyre nuk ka të drejtë sipas ligjit elektoral për financimin e partive të ndërhyjë me anë të financimit në zgjedhjet amerikane. Në rast të kundërt masat janë shumë të rrepta. Në fakt, në lidhje me këtë çështje senatorët dhe politikanët amerikanë nuk kanë reshtur asnjëherë së bëri amendamente me qëllim shtrëngimin e masave dhe parandalimin e futjes së parave me burim të dyshimtë nga jashtë. Madje në amendamentin e reformës të bërë në vitin 2002, kandidatët që pranojnë shumë më shumë se 5000 dollarë, qofshin për Senat apo presidencë, duhet të deklarojnë dhuruesin dhe burimin me të cilat ky dhurues i ka përfituar këto para. Natyrisht këtu bëhet fjalë për shtetas amerikanë që gjithsesi në bazë të ligjit për donacionet individuale nuk kanë të drejtë të kalojnë shumën e 15 000 dollarë vit dhe për këto duhet deklaruar burimi i fitimit. Kjo është arsyeja se përse Edi Rama i kaloi këto financime nëpërmjet Bilal Shehut, duke përdorur si burim për kanalizmin e tyre biznesmenin William Argerosi, i cili përdori lidhjet e tij me administratën Obama që këto donacione të kanalizoheshin për të fituar biletat për aktivitetin e kandidatit demokrat. Por nuk është çudi që Argeros të akuzohet dhe për fshehje të të ardhurave, dhe mosjustifikimin e futjes së tyre në Shtetet e Bashkuara. Nga ana e tyre prokurorët e Newark thonë se askush nga Komiteti për Mbledhjen e Fondeve s’është akuzuar ende për këtë rast, por hetimet do të vazhdojnë, nën moton follow the money (ndiq paratë) dhe dëshmia e grekut Argeros është shumë e rëndësishme në këtë rast. Bilal Shehu e ka pranuar me vetëdije se ka kryer një krim federal, duke përfituar kështu nga statusi i të penduarit. Por Bilali ishte vetëm zbatuesi i kësaj skeme mashtrimi urdhëruesi ndodhet në godinën e Kryeministrisë.
Kryeprokurori ka nisur hetimet për falsifikimin e kryeministrit
Kryeprokurori, Adriatik Llalla ka nisur hetimet për falsifikimin e kryeministrit. Ai ka deklaruar në studion e Opinion, se do të thërrasë ish-ministrin Ylli Manjani për të dëshmuar në lidhje me akuzat e bëra publike mbi Kryeministrin Rama. Ai tha se ka nisur hetimet ndaj qeverisë për deklaratat e bëra nga Manjani. Ky i fundit deklaroi se ka pasur shkelje me mbledhjet e qeverisë dhe për këtë arsye kanë nisur hetimet. “Hetimi ka nisur menjëherë pasi Manjani ka bërë ato akuza”, tha ai. “Nuk kam frikë të hetoj. Pas deklaratës së ish-ministrit kanë nisur edhe hetimet e para. Menjëherë pas konferencës së mbajtur nga Manjani është regjistruar si procedim penal, dhe ka nisur hetimi për akuzat e bëra. Por duhet koha e nevojshme për hetimet”, u shpreh kryeprokurori Llalla. Menjëherë pas publikimit të lajmit për shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani në një deklaratë për mediat ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe disa ministrave të qeverisë. Manjani tha se mbledhjet e Qeverisë firmosen koncesione pa dakordësinë e ministrave. Madje ai tha se në jo pak raste ato janë fiktive.
Balili nuk lejon Ramën tek Këshilli i Sigurisë
I mbetur peng për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Klement Balilin, Edi Rama mungoi dje në Këshillin e Sigurisë. Ai nuk mund të merrte pjesë në një mbledhje ku do të kërkohej intensifikimi i masave për kapjen e Balilit si dhe do të ngrihej shqetësimi mbi indiferencën e autoriteteve përkatëse në kapjen e tij. Këshilli i Sigurimit u mblodh dje nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani, me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për të diskutuar, analizuar dhe koordinuar veprimet dhe përpjekjet lidhur me çështjen “Balili” si dhe në luftën pakompromis ndaj fenomenit kriminal të trafikut të lëndëve narkotike në vendin tonë. Presidenti theksoi që në fillim se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim, i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare. “Çështja ‘Balili’, përtej nivelit kombëtar i tejkalon përmasat individuale të rastit në fjalë, sepse ajo është shtrirë dhe ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje dhe aleate dhe për këto arsye, mbledhja e sotme u thirr pikërisht për të diskutuar, përcaktuar dhe këshilluar mbi hapat e marrë, ndjekjen dhe vijueshmërinë e veprimtarive institucionale të agjencive ligjzbatuese lidhur me hetimin e mëtejshëm të saj”, u shpreh Nishani. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në diskutimin e tij, argumentoi kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me faktin se, rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ai ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit tonë. Më pas, të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar në mënyrë sa më efektive krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Presidenti Nishani në përmbyllje, vuri në dukje rëndësinë dhe domosdoshmërinë e mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, duke vlerësuar nismën e marrë nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta, si dhe falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre produktiv dhe konstruktiv. “Çështja e diskutuar paraqitet shumë problematike dhe komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë jo vetëm për mungesën e deri më tanishme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, trafikut të narkotikëve, pastrimin e parave, duke ndikuar edhe në imazhin e shtetit shqiptar, por vetë faktin që edhe partnerët tanë dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese janë interesuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të saj dhe kanë shprehur shqetësimin disa herë, ilustron përmasat e mëdha që ajo mbart jo vetëm duke cenuar sigurinë tonë kombëtare, duke kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë. Kjo mbledhje ishte e domosdoshme dhe e rëndësishme, sepse ajo u fokusua jo vetëm te rrezikshmëria e fenomenit të narko-trafikut, por edhe te nevoja për një koordinim sa më të mirë e të efektshëm dhe rritjes së përgjegjshmërisë së të gjitha institucioneve ligjzbatuese në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale”, u shpreh Presidenti Nishani.
A.Shahini
Afera e radhës, Tahiri tender 9.5 milion euro për uniformat e policisë
Policia e Shtetit do të jetë e veshur “firmato” këtë vit pasi Ministria e Rendit Publik ka startuar një tender në të cilin do të shpenzojë 1,292,618,666 lekë (9.5 milionë euro) për veshje, këpucë, grada dhe shenja dhe aksesorë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i punonjësve të Policisë së Shtetit aktualisht është 11 mijë. Sipas shumës që ministri Tahiri ka vënë në dispozicion për veshjen e tyre, çdo punonjësi i takon 117,510 lekë ose 857 euro. Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme pohuan se, blerjet do të bëhen për të pajisur me veshje policinë për tri vite rresht. Për çdo vit janë parashikuar dy veshje të plota, dimri dhe vere. Gjithashtu në këtë shumë përfshihen edhe uniformat ceremoniale dhe ato të punës. Gjithashtu rreth 15 për qind e fondit do të përdoret për të prodhuar veshje rezervë për forcat e reja policore, sqaruan të njëjtat burime.
Sipas të dhënave të shpallura në Agjencinë e Prokurimit Publik gara do të zhvillohet në katër lote. Loti i parë përfshin prokurimin e 955,904,563 lekë, të cilat do të përdoren për blerjen e uniformave. Kështu uniforma e çdo polici do të kushtojë 86 mijë lekë ose 634 euro për person. Loti i dytë parashikon 114,608,220 lekë për blerje e këpucësh ose 10.4 mijë (76 euro) lekë për person.
Loti i tretë parashikon shpenzimin e 44 milionë lekëve për blerjen e gradave dhe stemave që kërkojnë uniformat e policisë ose rreth 29 euro për person. Loti i tretë parashikon blerjen e aksesorëve (kapelat, doreza etj.,) me një vlerë 178 milionë lekë ose 161 mijë lekë (118 euro) për çdo polic.
Nëpërmjet një bisede telefonike, burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme thanë se shuma në fjalë parashikon blerjen e dy uniformave dhe gjithashtu edhe të veshjeve ceremoniale. Më tej ata sqaruan se fondi në dispozicion u takon pajisjeve me veshje të 11 mijë policëve. Tenderët e veshjeve të policisë disa herë kanë qenë objekt akuzash për abuzim. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë inspektimeve rutinë në Ministrinë e Rendit disa herë ka gjetur parregullsi në këto tenderime.
Monitor
Revokimi i vizave, vendim politik në shërbim të kapjes së drejtësisë
Heqja e vizave nuk ka qenë thjeshtë një procedurë e Departamentit të Shtetit për të “luftuar korrupsionin”, siç u mundua të justifikohej Ambasada amerikane, por një shërbim i hapur që i bëhet pushtetit të Edi Ramës, dhe turravrapit të tij për të shtënë në dorë drejtësinë. Portali lapsi.al ka botuar dje formularin që kanë dorëzuar gjykatësit dhe prokurorët, për procesin e vettingut, ku një ndër pikat e saj kërkohet qartësisht që të përgjigjen nëse u është refuzuar hyrja, apo viza në Ambasadën e SHBA/BE. Portali në analizën e tij lë të kuptohet se, vizat janë haqur për arsye thellësisht politike, të individëve të veçantë në gjyqësor dhe kanë të bëjnë ose me mospëlqimin e figurës së tyre nga ana e Edi Ramës, ose se kanë mbajtur qëndrime kundër Reformës në Drejtësi. “Heqja e vizave për 27 prokurorë dhe gjyqtarë shqiptarë nga ana Ambasadës amerikane, nuk është as një nismë rutinë e “Ministrisë së Brendshme” të SHBA dhe as një procedurë konsullore për shkeljen e vizës ashtu si po mundohet të shitet nga selia e rrugës së “Elbasanit” dhe disa media që mbrojnë këtë version. Eshtë e qartë që ajo është një masë politike. Pra, thënë thjeshtë Adriatik Llallës nuk iu hoq viza se bashkëshortja e tij shkoi të lindte fëmijën në SHBA, duke shkelur vizën zyrtare, por për qëndrimet dhe idetë e tij pro apo kundër Reformës në Drejtësi. Kështu është vepruar edhe me 26 njerëzit e tjerë të drejtësisë, të cilët janë “dënuar” kolektivisht me anulimin e vizave. Këtë version e dëshmon edhe fakti që ky aksion u ndërrmor fiks, kur pritet të fillojë procesi i vetingut. Por përpos këtij hamendësimi logjik, Lapsi.al ka zbuluar edhe arsyen e vërtetë të këtij dënimi kolektiv. Ajo gjendet tek një nga pikat e Ligjit të Vetingut. Në pikën “G” të formularit aplikuesve u kërkohet nëse u është mohuar viza për në SHBA apo BE gjatë 10 viteve të fundit. Pra, siç shihet nisma për të ndërhyrë me anulim vizash është një përpjekje e pastër për të ndikuar në mënyrë okulte dhe ekstra institucionale në procesin që sapo ka filluar. Natyrisht shumë nga njerëzit e drejtësisë që kanë aplikuar për të qenë përsëri në sistemin e drejtësisë mund të mos e meritojnë ripërtëritjen e këtyre posteve, por eliminimi i tyre me rrugë dhe mjete të tilla vetëm sa e damkos procesin. Ai e bën atë të pabesueshëm dhe pre preferencash individuale”, shkruan portali Lapsi.al. Lajmi për anulimin e vizave të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve doli menjëherë pas fillimit të Ligjit të Vettingut të famshëm. Duhet sqaruar që në krye të herës se me këtë që ka bërë Ambasada amerikane gjyqtarët dhe prokurorët dhe sikur mos rezultojë asgjë nga hetimi ose vetting, sërish ata mund të humbasin pozicionet e tyre me arsyetimin se, “u është refuzuar/revokuar viza nga Ambasada amerikane”, një shërbim i cili bëhet ditën për diell dhe në mënyrë abuzive. Pra, është fare e qartë se ata gjyqtarë dhe prokurorë të asaj liste, nuk janë gjë tjetër vetëm se individë, të cilët nuk kanë marrë pëlqimin e Edi Ramës për të vazhduar në radhët e gjyqësorit.
A.Maho
Stoltenberg: NATO-ja do ta garantojë paqen në rajon
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg qendroi (03.02) në Kosovë, ku takoi përfaqësuesit më të lartë politikë të vendit ata shqiptarë dhe serb si dhe komandantin e KFOR-it e përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë, se stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm për NATO-n, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ai siguroi qytetarët e Kosovës se forcat paqeruajtëse garantojnë paqen në Kosovë dhe do të mbeten të përkushtuara për një mjedis të sigurtë. Këto komente Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri gjatë një vizite që realizoi në Prishtinë, ku takoi përfaqësuesit më të lartë politik të Kosovës, si ata shqiptarë dhe serb, komandantin e KFOR-it dhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare. “NATO është në Kosovë dhe ka forcën e saj KFOR këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë. KFOR-i me mbi 4.500 ushtarë do të jetë i pranishëm në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Por, tani është koha për dialog. Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Jens Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
“Është jetësore që marrëveshjet e arritura të zbatohen”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha, se marrëveshjet e arritura me Serbinë në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, sepse kjo është e vetmja zgjidhje në procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve. “Është jetësore që marrëveshjet e arritura të zbatohen. Duhet të vazhdojmë me procesin e normalizimit, sepse kjo është e vetmja zgjidhje. NATO e ka forcën e KFOR-it për ta ruajtur paqen këtu. Policia është forca e parë, pastaj EULEX-i dhe pastaj KFOR-i, që të ruajnë sigurinë e vendit dhe ne do të veprojmë gjithmonë aq sa është e domosdoshme për të ruajtur paqen”, tha Stoltenberg, duke shtuar se “NATO i jep mbështetje të plotë dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Stoltenberg nuk pranoi të flasë, nëse Rusia e ka shtrirë ndikimin në Ballkan, por konfirmoi, siç tha se, “kjo pjesë e Evropës mbetet zonë strategjike e rëndësishme për NATO-n”.
Autoritetet e Prishtinës ka kohë që dëshirojnë që Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, ta shndërrojnë në ushtri të Kosovës, mirëpo për ta arritur këtë duhet ndryshim i Kushtetutës me miratimin edhe të përfaqësuesve të serbëve në Parlamentin e Kosovës. E përfaqësuesit e serbëve, në këtë fazë, nuk janë të gatshëm ta mbështesin krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha, se “NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa transformimi mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nga ana e tij tha, se i gjithë spektri politik në Kosovë ka qëndrim unik sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke rikonfirmuar se Kosova mbetet e angazhuar për dialog me Serbinë, në mënyrë që të tejkalohen tensionet aktuale.
“Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo përkundër kësaj qasjeje në kohët e fundit kemi pasur disa provokime sistematike nga Beogradi, për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t’i tejkalojmë me paqe”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Ndërsa, sa i përket transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, kryeministri Mustafa tha se, “ky transformim po mbahet peng nga ana e Serbisë, përmes ndikimit që ka tek deputetët serb në Parlamentin e Kosovës”.
Edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, e vlerësoi lart punën e KFOR-it në Kosovë duke thënë, se “me përkushtimin e tyre forca paqeruajtëse KFOR ka arritur që të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë”.
“Kosova e vlerëson shumë rolin tuaj dhe gatishmërinë e shprehur për të krijuar një bazë për rritjen e bashkëpunimit tonë. Shteti ynë mbetet i përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, si në rrafshin politik, ashtu edhe praktik”, i tha Presidenti Thaçi, shefit të NATO-s.
EULEX: Nuk ka informata lidhur me armët në Veri
Ditë më parë në një intervistë për DW, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha, se “Serbia po armatos serbët në Veri të Kosovës”, me qëllim destabilizimin e asaj pjese. Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha, se Prishtina zyrtare “po dërgon forcat speciale të policisë në Veri me qëllim të frikësimit të serbëve”. Por zyrtarë të misionit të BE-së për policinë dhe drejtësi EULEX, i thanë DW-së në Prishtinë, se ata nuk kanë informacione që në Veri të Kosovës po hyjnë armë nga Serbia për civilët serbë. “EULEX-i nuk ka informata të tilla në lidhje me armët në Veri. Ne inkurajojmë të gjithë ata që kanë ndonjë dëshmi në lidhje me trafikimin e armëve në Veri të Kosovës të informojnë Policinë e Kosovës. EULEX-i mbetet i angazhuar në veri të Kosovës në rolin e përgjegjësit të dytë për çështjet e sigurisë”, tha Besa Domi zëdhënëse e misionit EULEX.
Beogradi dhe Prishtina edhe pas dy raundeve të dialogut në nivel të lartë politik që u zhvillua në Bruksel me datën 24 janar dhe 1 shkurt, vazhduan me deklarata “nxitëse”, ndonëse para shefes së diplomacisë evropiane që i ftoi në takime, ata ishin zotuar që do të kontribuojnë për uljen e tensioneve. Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Federika Mogherinit, tha se BE-ja shpreh keqardhje për “kumtesat nxitëse të përsëritura”.
“Në mbledhjen në kuadër të dialogut në nivel të lartë të presidentëve dhe kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, është arritur marrëveshja për përmbajtje nga mesazhet dhe kumtesat nxitëse. Shprehim keqardhje të madhe për kumtesat ndezëse të përsëritura”, tha Maja Koçijançiç, duke ftuar palët që t’i qetësojnë mesazhet dhe të vazhdojnë me përpjekjet për uljen e tensionit.
Tillerson: Bindjet personale nuk duhet të bëhen pengesë
Në komentet e para për stafin e Departamentit të Shtetit, kryediplomati i ri amerikan, Rex Tillerson, i këshilloi ata dhe punonjësit e tjerë të mos lejojnë që bindjet e tyre personale të bëhen pengesë për të punuar si një ekip i vetëm.
Rex Tillerson i bëri komentet në hollin e Departamentit të Shtetit në ditën e tij të parë në detyrë. Vetëm pak ditë më parë, rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit, me anë të një memoje shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të përkohshëm nga ana e Presidentit Donald Trump të hyrjes së njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
Zoti Tillerson u zotua se, personeli i Departamentit të Shtetit do të përdorej në mënyrën më të efektshme të mundur, por shtoi:
“Për këtë mund të duhen disa ndryshime në mënyrën se si punohet tradicionalisht në këtë departament. Ndryshimi për hir të ndryshimit mund të jetë kundërproduktiv dhe kjo nuk do të jetë kurrë mënyra e ime e veprimit”.
Sekretari i ri i Shtetit pranoi ekzistencën e një hendeku të thellë në politikën amerikane, duke u kërkuar atyre, të cilët tani do të punojnë për të, që ta përqendrojnë vëmendjen te misioni i tanishëm:
“Ndershmëria do të jetë bazë e politikës sonë të jashtme, dhe këtë do ta fillojmë me mënyrën sesi ndërveprojmë me njëri-tjetrin”.
Senati amerikan e konfirmoi të mërkurën emërimin e zotit Tillerson, ish-shef ekzekutiv i gjigantit të naftës dhe gazit Exxon Mobil. Vetëm tre demokratë votuan kundër tij.
Ish-ndihmës Sekretari i Shtetit, Thomas Countryman tha se, pavarësisht ndarjeve politike në Uashington, departamenti do të jetë i bashkuar nën zotin Tillerson:
“Ai vjen në një departament, ku ka dhjetëra mijëra profesionistë shumë të kualifikuar, të cilët i dëshirojnë atij sukses dhe do të bëjnë gjithçka që ai të ketë sukses”.
Zoti Tillerson trashëgon disa sfida globale, siç janë lufta civile në Siri dhe aftësitë në rritje të Koresë së Veriut në fushën bërthamore dhe të raketave.
Këtyre u shtohet edhe agresiviteti në rritje i Kinës, sidomos shtimi i pranisë së saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore.