30.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Veriu izolohet nga bora, Kukësi drejt katastrofës

Situata në Veri të vendit paraqitet tejet problematike si pasojë e borës dhe ngricave. Gjendja më alarmante paraqitet në Kukës, ku situata po shkon drejt katastrofës. Qeveria Rama ka dështuar në përballimin e situatës së borës dhe ngricave, ndonëse përkeqësimi i motit ishte paralajmëruar prej dy javësh. Rama u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë për shkak të borës dhe ngricave, por nuk mori asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar dhe të mbetur në terr. Siç bëhet e ditur nga vetë autoritetet, në shumicën e zonave mungojnë borëpastrueset dhe kripa, dhe si pasojë shumë zona në Veri ndodhen të bllokuara.
Stuhitë e borës kanë vijuar përgjatë natës dhe ditës së djeshme, duke krijuar masive me borë në pikat kyçe të akseve rrugore. Të gjitha fshatrat e njësive administrative për momentin janë të bllokuara. Temperaturat shënojnë minus 7 gradë, ndërsa energjia elektrike mungon që nga ora 11:00 e paradites së enjte. Qeveria njoftoi se energjia elektrike u kthye dje në mesditë në Kukës, por burimet bëjnë të ditur se vetëm disa orë ka patur energji me ndërprerje, ndërsa në mbrëmje energjia është ndërprerë sërish.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu deklaroi se, situata në Kukës është katastrofike. “Jam në terren. Po merremi me zhbllokimin e akseve rrugore. Fryn erë me stuhi dhe situata përkeqësohet nga çasti në çast. Dritat një herë vijnë, një herë ikin. Eshtë situatë katastrofike. Kemi patur tre varrime sot, mezi po ndihmojmë njerëzit në vështirësi”, deklaroi Shehu për gazetën “RD”.
Në rrugën e “Kombit” kalimi bëhet me shumë vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Mungesa e kripës e bën të pamundur pastrimin e rrugës nga bora dhe akulli, ndërsa stuhitë e borës krijojnë bllokime të herëpashershme. Disa trajlera të cilët provuan të lëvizin pa zinxirë në goma u bllokuan. Në zonën pranë Repsit ku fillon dhe problematika janë vendosur efektiv të policisë rrugere dhe asaj të rendit për të mos lejuar qarkullimin e automjetëve pa zinxhirë. Drejtuesit e mjetëve thonë se, në disa zona ka prezence akulli por lëvizja është pa probleme.
Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, kërkon mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për situatën, ndërsa shton se, bashkia ka marrë të gjitha masat për funksionimin e institucioneve jetike si Ujësjellësi si dhe mbajtjen hapur të rrugëve që të çojnë drejt spitalit, maternitetit dhe njësive të shërbimit. Kryetari i Bashkisë i bën apel qytetarëve që të mos lëvizin pa pasur një arsye të fortë në këto ditë ku priten edhe rënie drastike të temperaturave.
Akset rurale Kukës-Shishtavec, Kukës-Shën Mëri dhe Surroj-Arrën vijojnë të jenë të bllokuara. Probleme ka edhe në akset Kukës-Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me shumë vëshitirësi vetëm me zinxhirë. Moti i keq ka sjellë probleme dhe në zona të tjera të Qarkut Lezhë.

Hasi tërësisht i bllokuar, pa rrugë, pa drita dhe pa ujë të pijshëm

Hasi është tërësisht i bllokuar nga bora e ngricat dhe ndodhet pa energji elektrike e ujë të pijshëm. Partia Demokratike reagoi dje, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e rëndë ku ndodhet i gjithë rrethi i Hasit. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma deklaroi gjatë një konference për shtyp se, të dhënat tona tregojnë se prej dje, i gjithë rrethi është izoluar, të gjitha rrugët janë të bllokuara, dhe nga dje nuk ka drita, as ujë të pishëm.
“Raportohet se mungojnë absolutisht ndërhyrjet qeveritare dhe banorët e kanë të pamundur të komunikojnë apo të marrin ndihma. Ndërkohë, kësaj gjendje i shtohet edhe epidemia e gripit, dhe banorët e rrethit të Hasit e kanë të pamundur të marrin ndihmë shëndetësore. Trashësia e dëborës shkon nga 50 centimetra, deri në 1 metër e gjysëm në shumë zona.
Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë dhe t’u vijë në ndihmë banorëve të rrehit të Hasit. Ne do të raportojmë në mënyrë periodike për situatën në zonat më të goditura nga moti i keq, me besimin se do t’u vijmë në ndihmë banorëve”, deklaroi Duma.

Gjysma e Shqipërisë pa energji elektrike

Krahas izolimit të mjaft zonave nga bora dhe ngricat, vendi po vuan edhe mungesën e energjisë si pasojë e defekteve dhe dëmtimit të rrjetit shpërndarës nga moti i keq. Një sërë zonash, fshatra por edhe lagje të disa qyteteve janë pa energji elektrike në gjithë vendin. OSHEE thotë se, numri i tyre ka qenë më i madh, por gjysma e defekteve janë riparuar deri në mesditë. Situata më e vështirë paraqitet në Verilindje të vendit.

Zonat pa energji elektrike

Rajoni Tiranë: pjesërisht pa energji: lagjia Kombinat, Zallbastari, Mulleti, Iba, zona e autostradës, Valias si dhe zona e Tufinës.
Rajoni Durrës: Shkëmbi i Kavajës, Ballaj, Golem qendër, Xhafzotaj, rruga “A Goga”, Gjiri i Lalzit, Katund Sukth, Romanat, Koxhas, Rrashbull, ish-këneta Shijak.
Rajoni Shkodër: Arrëz Miriska, Rrapë, Iballë, Kaçinar, zona e Parkut Fushë Arrëz, Bajzë, Kelmend, Velipojë (pjesërisht), Zues, Lufë, Dobraç.
Rajoni Korçë: Lagjia 5 Pogradec, pjesërisht pa energji, Buçimas (pjesërisht), Libonik pa energji.
Rajoni Elbasan: Tregan (pjesërisht), Bradashesh (pjesërisht); pjesërisht Stravaj, Rrjacë, Qytet Prenjas, Orenjë, Lunik, Pajovë (pjesërisht).
Rajoni Burrel: Dilkinisht, Bardhaj, Fushë Gjon, Orosh, Gore, Baze, Simon, Shullaz, Kaçinar, Mamurras, Shupezë, Derjan, pjesërisht qytet Rrëshen, Rremulle, lagjia 2 Laç, Arraz, Sanxhak, Guri i Kuq, Fan, Fushë Shullaz, Blinisht.
Rajoni Kukës: Pjesërisht Mamëz, Shëmri, Fajzë, Pac, si dhe plotësisht Lekbibaj, Helshan, Kishaj, Margeganjë, Bicaj, Topojan, Shishtavec.

Izolohen zonat rurale në Korçë

Në rajonin e Korçës problemet më të mëdha janë në zonat rurale. Shumë fshatra janë bllokuar dhe kanë mbetur pa energji elektrike. Kryesisht rrugët kryesore janë të kalueshme me zinxhirë, por në Qafë Plloçë ka vështirësi. Gjatë natës mjetet borëpastuese punuan për ta bërë të kalueshëm këtë segment. Por megjithatë edhe gjatë ditës së sotme aty ka probleme. Policia ka apeluar të shmanget lëvizja përmes këtij segmenti derisa situata të stabilizohet.
Vendi është përfshirë nga moti i keq me acar dhe reshje bore, duke sjellë ndërprerje energjie në disa zona të vendin. Mësohet se “Lagja 5” në Pogradec, Buçimasi dhe Liboniku janë pa drita. Po ashtu, pa energji janë edhe Tregan, Bradasheshi, Stravaj si dhe Rrjaca. Të njëjtat probleme has dhe Prrenjasi, fshati Orenjë, Lunik, dhe pjesërisht Pajova. Sipas OSHEE, shkak i ndërprerjes së dritave kanë qenë defektet në linjat e tensionit të lartë pas motit të keq që ka përfshirë vendin, me ngrica dhe reshje bore. Ndërkohë, raportohet se probleme me energjinë elektrike ka në disa qytete.

Bllokohen disa rrugë në Elbasan

Moti i keq ka shkaktuar probleme në Qarkun e Elbasanit, pasi disa segmente rrugore janë bllokuar. Mësohet se aksi Librazhd-Stërblevë-Qarrisht Lunik është bërë i pakalueshëm, pasi është bllokuar nga reshjet e borës. Ndërkohë, në Labinot-Shmil dhe Gjinar-Zavalin, kalohet vetëm me zinxhirë. Sakaq, në aksin Librazhd-Qafë Thanë, qarkullimi i mjeteve vijon pa zinxhirë, ndërsa në Hotolisht, Frare, Xhyrë dhe Dardhë kalohet me zinxhirë.
Po ashtu, mësohet se qarkullimi në Prrenjas-Qafë Thanë vazhdon pa zinxhirë, ndërsa në Prrenjas-Menik-Berzeshtë dhe Qukës kalohet me zinxhirë. Ndërkaq, policia është duke monitoruar situatën.

Durrësi zbardhet nga bora

Bora e rënë gjatë natës ka zbardhur Durrësin për herë të parë pas 7 vjetësh. Petku i bardhë mbuloi të gjithë qytetin, duke sjellë entuziazëm tek banorët e kryesisht fëmijët. Por në mëngjes bora ka ngrirë si rezultat i temperaturave që në Durrës shënonin zero gradë.
Trotuaret dhe rrugët u bënë të rrezikshme si pasojë e akullit dhe qytetarët e pamësuar të Durrësit me këtë situatë kanë rrezikuar të rrëshkasin e të pësojnë trauma në rrugë. Gjatë mëngjesit daljet nga shtëpia i kanë shmangur të gjithë përveçse atyre që janë në punë. I mbuluar nga bora deri në bregdet, Durrësi ofron një pamje fantastike si rrallë herë në borë.

R.POLISI

Basha: Rama është dorëzuar pa kushte para Beogradit

Kryetari i opozitës Basha deklaroi mbrëmë përmes një postimi në Facebook se Rama është dorëzuar ka kushte para Beogradit, duke iu referuar reagimit të tij pas arrestimin të Ramush Haradinajt. “Ky dorëzim duhet të marrë fund”, thotë Basha.
“Bisedova me Anita Haradinajn, bashkëshorten e Ramushit. I shpreha shqetësimin dhe revoltën time për këtë goditje tjetër të pabesë serbe ndaj heroit të Kosovës dhe mbështetjen time të plotë personale dhe politike. Jam i bindur se sot të gjithë shqiptarët janë me Ramush Haradinajn, pavarësisht bindjeve politike dhe përkatësive partiake.
Anita më tha se, Ramushi është plot kurajo, dhe mbi të gjitha me besim se asgjë nuk mund të frenojë përparimin e Kosovës.
I bëj thirrje qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë t’i kërkojnë Francës lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ramush Haradinajt, dhe të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhërarresteve ndërkombëtare të Serbisë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës që luftuan kundër regjimit vrasës të Milosheviçit. Ndërsa Rama duhet të kuptojë më në fund se dorëzimi i tij para qeverisë serbe pa kushte dhe pa asnjë dobi për shqiptarët duhet të marrë fund”, thuhet në postimin në Facebook të Bashës.

50 ambasadorët e Obamës që ikin para inaugurimit

Ekipi i Donald Trump po u kërkon ambasadorëve të emëruar politikisht që të lënë vendet e tyre nëpër ambasadat amerikane përpara Ditës së Inaugurimit që është më 20 janar. Këtë lajm e ka publikuar “New York Times”.
Urdhri mund të lërë SHBA pa përfaqësues të konfirmuar të Senatit për muaj në vende kyç si Gjermania dhe Britania, nënvizon “NYT”. Gjithashtu ky urdhër shënon një ndarje me precedent në të kaluarën kur administrata u jepte zgjatje mandati në bazë të çështjeve të veçanta.
Një zyrtar që bën pjesë në grupin për tranzicionin në administratën Trump i tha “NYT” se nuk ekziston asnjë keqdashje në këtë urdhër, por kjo po ndodh që të jetë e sigurtë që të emëruarit e Presidentit Obama të largohen nga qeverisja sipas planit.
Sipas gazetës “New York Times”, shumë ambasadorë mendohet se do ta apelojnë vendimin me Rex Tillerson, i emëruari i Trump si sekretar Shteti.
Departamenti i Shtetit ka informuar sikur është raportuar se të gjithë ambasadorët e emëruar politikisht do të marrin njoftime për dorëheqje që hyn në fuqi më 20 janar. Këto njoftime janë dërguar një ditë pas zgjedhjeve dhe gjithashtu në këto njoftime ka instruksione për të gjithë ata që kërkojnë zgjatje kohe do të duhet të marrin një kërkesë formale.
Shumë ambasadorë, të cilët kanë familjet, u është dhënë kohë që të gjejnë vendbanime në SHBA ose në vendet ku kanë shërbyer.
Trump tashmë ka zëvendësuar dy ambasadorë, David Friedman, një jurist falimentimi dhe këshilltar në fushatë është caktuar ambasador i SHBA në Izrael, ndërkohë që Guvernatori i Iowa, Terry Branstad është caktuar ambasador në Kinë.
Për të lexuar më mirë planet e Trumpit, gjëja e parë që duhet bërë është të shihen emërimet e tij. Ndërmjet zgjedhjeve të Trumpit për sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe politikën e jashtme, shfaqet menjëherë një model i qartë veprimi: të gjithë janë specialistë të çështjeve të Lindjes së Mesme dhe Rusisë.
Analistwt politikw thonw se Trump është, çuditërisht, duke unifikuar sistemin e politikës së jashtme të republikanëve. Këtë bën fitorja. Për këtë të japin shtysa edhe situatat e vështira kudo nëpër botë që kërkojnë lidership. Trashëgimia e politikës së jashtme të cunguar të presidentit aktual Barack Obama identifikohet me shprehjen e famshme: “Duke drejtuar nga pas”. Më saktë pas vijës së kuqe të vendosur në Krime, Aleppo dhe në Detin e Kinës së Jugut. Duken qartë edhe sfidat e mëdha me të cilat do të duhet të përballet presidenti i ri dhe patriotët që ai ka zgjedhur në ekipin e tij, janë të gatshëm për të shërbyer.
Situata duket premtuese. Pjesa më e madhe e ekipit të ardhshëm të Trumpit kanë tre ose katër herë më shumë eksperiencë në sigurinë kombëtare pa e marrë akoma detyrën, krahasuar me zëvendëskëshilltarin e sigurisë kombëtare të Obamës, Ben Rhodes që po e lë. Ndërmjet tyre, strategu kryesor mund të rezultojë të jetë “luftëtari” në krye të Pentagonit.
Pak njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë kaluar aq shumë kohë duke studiuar historinë dhe gjeostrategjinë sa Mattis dhe ata që mund të kenë studiuar, padyshim nuk kanë eksperiencën e tij në fushën e betejës. Me një përzgjedhje të vetme, Trump “fitoi” periudhën e tranzicionit të qeverisë. Njëlloj si Mattis, Kelly sjell një dozë të madhe eksperience në Departamentin e Sigurisë së atdheut. Mbi këta dy luftëtarë me përvojë rëndon pesha e sigurisë së Amerikës. Janë rikthyer të rritur në pushtet dhe kanë rënë dakord të mbështesin presidentin e ri.

50 Ambasadorët e emëruar politikisht nga Obama

Noah Mamet (Argjentinë),

Nina Hachigan (ASEAN ose Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore),

Alexa Wesner (Austri),

Linda Taglialatela (Barbados),

Denise Bauer (Belgjikë),

Bruce Heyman (Kanada),

S.Fitgerald Haney (Kosta Rika),

Andrew Schapiro (Republika çeke),

Max Sieben Baucus i zëvendësuar (Kinë),

James Wally Brewster Jr. (Republika Domenikane),

Anthony L. Gardner (Bashkimi Europian),

Charles C. Adams (Finland),

Jane Hartley (Francë&Monaco),

John Emerson (Gjermani),

Kenneth Hackett (Vatikan),

Colleen Bradley Bell (Hungari),

Michael A. Lawson (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil pranë OKB),

Robert C. Barber (Islandë),

Richard Rahul Verma (Indi),

Kevin O’Malley (Irlandë),

Daniel B. Shapiro i zëvendësuar (Izrael),

John Phillips (Itali & San Marino),

Caroline Kennedy (Japoni),

David Mc Kean (Luksemburg),

Roberta Jacobson (Meksikë),

Dwight L. Bush Sr. (Marok),

Douglas Lute (NATO),

Mark Gilbert (Zelanda e Re & Samoa),

Samuel D. Heins (Norvegji),

Daniel W. Yohannes (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim),

Daniel Brook Baer (OSBE),

Robert A. Sherman (Portugali),

Joseph W. Westphal (Arabia Saudite),

Kirk Wagar (Singapore),

Patrick Gaspard (Afrika e Jugut),

Mark Lippert (Korea e Jugut),

James Costos (Spanjë&Andorra),

Azita Raji (Suedi),

Suzane LeVine (Zvicër&Lihtenshtain),

Mark Childress (Tanzani),

John Estrada (Trinidad e Tobago),

Mattheu Barzun (Britania e Madhe),

Samantha Power (OKB),

Sarah Elisabeth Mendelson (Këshilli Ekonomiko Social pranë OKB),

Pamela K. Hamamoto (OKB në Gjenevë),

Keith M. Harper (Këshilli i të Drejtave të Njeriut pranë OKB),

Isobel Coleman (Reform & Menaxhim pranë OKB),

David Pressman (Çështje Politike pranë OKB),

Laura S.H. Holgate (OKB në Vjenë),

Crystal Nix-Hines (UNESCO).

Kjo listë është marrë nga lista e plotë e ambasadorëve të SHBA e ndarë në ata të karrierws dhe atyre të emëruar politikisht, publikuar nga Shoqata Amerikane për Shërbimin e Jashtëm (American Foreign Service Association).

 

Vrasja e Arditit, kryetari i PS hiqet nga lista e të kërkuarve

Kryetari i PS të Peqinit, Edurim Teqja, njëkohësisht administratori i kompanisë “3R”, që kryente selektimin e mbetjeve në landifillin e Sharrës, ku mbeti i vrarë minoreni Ardit Gjoklaj, brenda vendgrumbullimit të mbetjeve, hiqet nga lista e të kërkuarve nga policia. ABC News ka mësuar se meqenëse Prokuroria e Tiranës nuk i caktoi masë sigurie në mungesë biznesmenit Edurim Teqja, duke hetuar në gjendje të lirë, Policia e Shtetit e ka hequr nga kërkimi policor. Me heqjen e emrit nga kjo listë, mësohet se Teqja është paraqitur në prokurori i shoqëruar nga avokati mbrojtës për të dhënë shpjegime për kompaninë, marrëveshjen me bashkinë dhe punët që kryente brenda landfillit.
Sipas këtyre burimeve, Teqja ka pretenduar se është i pafajshëm në lidhje me vdekjen e të riut Gjoklaj, duke hequr përgjegjësinë nga vetja për punësimin e tij. Mësohet se para hetuesve, Teqja i ka ngarkuar me përgjegjësi të punësuarit e tij, shtetasin Besnik Braha me detyrën e përgjegjësit të firmës “3R” dhe Dëfrim Hakramën përgjegjësin e turnit. Ai ka thënë se, këta dy persona, merreshin me punësimin, mbarëvajtjen e punës brenda landfilldit dhe kontrollin e punonjësve, me arsyetimin se vetë ai qëndronte në Elbasan. Burimet thonë se, pas më shumë se tri orëve deklarime, i dyshuari Edurim Teqja është lënë i lirë për t’u hetuar pa masë sigurie.
Nga ana tjetër, për këtë ngjarje vazhdojnë të qëndrojnë në qeli përgjegjësi i turnit Dëfrim Hakrama që dyshohet se ka punësuar 17-vjeçarin Ardit Gjoklaj. Si dhe shoferi i ekskavatorit Edmond Kollari, që dyshohet se e ka goditur dhe më pas shkelur trupin e të riut brenda landfillit të Sharrës.
Burimet thonë se, prokuroria për ngjarjen ku mbeti i vrarë dhe gjymtuar trupi i 17-vjeçarit, po heton në gjendje të lirë administratorin e kompanisë “3R” Edurim Teqja, përgjegjësin e firmës Besnik Braha, përgjegjësin e turnit natën kur gjeti vdekjen 17-vjeçari, shtetasin Dëfrim Hakrama dhe shoferin e ekskavatorit Edmond Kollari.
Prokuroria e Tiranës, regjistroi kallëzimin penal të Partisë Demokratike ndaj kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj në lidhje me menaxhimin e landfillit të Sharrës, ku mbeti i vrarë 17-vjeçari Gjoklaj. Sipas burimeve nga organi i akuzës, pas kallëzimit të bërë nga PD, Prokuroria ka regjistruar kallëzimin për akuzën e “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.
Hetimi ndaj Veliajt po kryhej nga kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha. Por ky i fundit është larguar nga kjo detyrë pas skandalit të publikimit të një fotografie ku shfaqej në një restorant të Tiranës, duke drekuar me Erion Veliajn. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, hetimet për marrëveshjen mes Bashkisë dhe kompanisë “3R” po vazhdojnë nga një prokuror tjetër, por ende pa ndonjë vendimmarrje konkrete edhe pse janë sekuestruar të gjithë praktikat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës.
Para disa ditësh, kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha u fotografua, duke drekuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Petrit Fusha dhe Veliaj kanë qëndruar për më shumë se 2 orë në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit. Petrit Fusha ka hyrë në ambientet e lokalit dhe është ulur në një nga cepat e tij, ndërsa pas rreth 20 minutash në restorant është shfaqur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj dhe Fusha dukeshin në një bisedë ku kryebashkiaku jepte sqarime dhe urdhëra ndaj kryeprokurorit të kryeqytetit, i cili ka në dorë disa hetime të rëndësishme penale për Veliajn dhe ministrat e qeverisë Rama. Mbi Veliajn janë ngritur disa padi që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, ku më e rëndësishmja është ajo e vrasjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Edhe pse kanë kaluar gati 5 muaj nga vrasja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, brenda landfillit të Sharrës, Prokuroria e Tiranës ende nuk ka një vendimmarrje për përgjegjësit e këtij krimi. Bëhet e ditur se kjo prokurori i ka deleguar shtatë detyra të ndryshme Policisë së Shtetit me qëllim sigurimin e disa provave shtesë, dëshmive dhe veprimeve të tjera hetimore, në dosjen e çështjes për zbardhjen e vrasjes dhe gjymtimit të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Një “rënie gjeopolitike” më 2017?

“Times”
Triumfi i një politike të jashtme “Amerika e para” shënon një ndarje me dekadat e jashtëzakonshmërisë në praktikat e SHBA dhe një këndvështrim të orientuar drejt konsensusit në Uashington se lidershipi ndërkombëtar i SHBA, edhe pse shpesh me të meta dhe i pabarabartë, është i domosdoshëm për stabilitetin ndërkombëtar.
Një gjë e tillë është vendosur të sjellë drejt përfundimit paqen alla amerikane që zgjati për 70 vjet, një periudhë në të cilën hegjemonia e SHBA në siguri, tregti dhe promovimin e vlerave siguroi linjat bazë të parashikueshmërisë për ekonominë globale. Më 2017 ne hyjmë në një periudhë të një rënie gjeopolitike të thellë. Me këto ide në sfond ja ku janë 10 risqet politike për vitin që vjen, sipas Grupit Euroaziatik për konsultime të rreziqeve politike.

1. Amerikë e paparashikueshme
E vetmja superfuqi botërore ishte një kartë e fortë ndërkombëtare, duke imponuar rregull, duke kërkuar me forcë kompromis dhe duke shmangur konfliktet. Tani në vend që të gjenerojë politika të dizenjuara për të përkrahur stabilitetin global, Presidenti Trump do të përdorë fuqinë amerikane veçanërisht për të avancuar interesat amerikane, duke mos u shqetësuar shumë për ndonjë impakt më të gjerë. Trump nuk është izolacionist. Ai është i njëanshëm. Duhet të presim një politikë të jashtme amerikane shumë më pak të parashikueshme. Aleatët, veçanërisht në Europë dhe Azi, do t’i bëjnë bisht. Rivalët si Rusia dhe Kina do të testojnë institucione që drejtohen nga SHBA do të humbin akoma më shumë nga pushteti i tyre ndërkombëtar.

2. Veprime të tejskajshme të Kinës
Tranzicioni i lidershipit në Kinë do të krijojë një rrezik që do të ndihet shumë larg kufijve të saj. Nevoja për të mbajtur nën kontroll tranzicionin duke shkuar drejt Kongresit të Partisë në vjeshtë do të rrisë rrezikun e gabimeve në politikat ekonomike që mund të trondisë investitorë të huaj dhe tregje ndërkombëtare. Provokimet nga ana e Trump dhe numri i dukshëm i vendeve ku tensionet SHBA-Kinë mund të ngrenë krye, si Koreja e Veriut, Taiwan, Hong Kong, Deti i Kinës së Lindjes dhe të Jugut, e bëjnë 2017 një vit të rrezikshëm për Kinën dhe të gjithë që varen në të për rritje ekonomike dhe stabilitet.

3. Një boshllëk pushteti në Europë
Lidershipi i fuqishëm nga Angela Merkel ka provuar si të domosdoshme aftësinë e Europës për të menaxhuar krizat në vitet e mëparshme. Europa do të përballet me më shumë sfida më 2017, që nga zgjedhjet në Francë, financat greke, negociatat Brexit dhe marrëdhëniet delikate si me Rusinë ashtu edhe me Turqinë. Për fat të keq, edhe pse Merkel ka shanse të fitojë sërish zgjedhjet si kancelare e Gjermanisë më 2017, ajo do të dalë shumë e dobësuar si figurë. Kjo do të lërë Europën pa një lidership të fuqishëm plotësisht, në një kohë kur udhëheqësit e fuqishëm duhen më shumë se kurrë.

4. Një pauzë në progresin ekonomik
Mos prisni ndonjë valë të madhe në reformat ekonomike aq të nevojshme më 2017. Disa udhëheqës si Modi i Indisë dhe Pena Nieto i Meksikës kanë realizuar aq sa ata kishin mundësi për tani. Në Francë e Gjermani, reformat do të presin deri pas zgjedhjeve, ndërkohë që gjithashtu edhe Kina është përballë tranzicionit të lidershipit në vjeshtë. Erdogan në Turqi, May në Britaninë e Madhe dhe Zuma i Afrikës së Jugut, janë plotësisht të zënë në këtë moment me sfidat e brendshme politike. Në Brazil, Nigeri dhe Arabinë Saudite, plane ambicioze do të vazhdojnë, por do të mbeten deri tek aq sa u nevojitet atyre.

5. Teknologjia duke përçarë Lindjen e Mesme
Çdo vit e më shumë, qeveritë në Lindjen e Mesme humbin ligjshmërinë e tyre. Ndryshimet teknologjike janë duke e dobësuar edhe më shumë e duke e fragmentarizuar rajonin. Rreziqet vijnë si nga lart-poshtë ashtu edhe nga poshtë-lart. Revolucioni në prodhimin e energjisë nënkupton stabilitet për vendet që varen thellësisht në eksportin e naftës dhe të gazit për të ardhurat kombëtare. Automatizimi i vendeve të punës do ta bëjë edhe më të vështirë krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë, një numër ende në rritje. Teknologjitë e reja të komunikimit vazhdojnë të rrisin aftësinë e qytetarëve të egërsuar për të gjetur mendje të njëjta dhe të organizohen. Konflikti kibernetik po e ndryshon balancën e pasigurtë të pushtetit në rajon. Në fund “transparenca e detyruar” (mendo WikiLeaks, etj.,) është veçanërisht e rrezikshme për regjimet e brishta autoritare.

6. Politika që interferojnë me Bankën Qendrore
Bankat qendrore të Perëndimit janë gjithnjë e më vulnerabël përballë të njëjtit lloj të presioneve të ashpra politike që shtrembërojnë ekonomitë e vendeve në zhvillim. Më 2017, ka një rrezik që Trump të përdorë rezervën federale si një kurban politik, duke ushtruar më tepër presion në vendimet e rezervës federale në të ardhmen. Ai ka shumë mundësi që të përdorë largimin e Janet Yellen, mandati i së cilës mbaron në shkurt 2018 për ta zëvendësuar atë me një aleat të vetin personal. Gjithashtu, Theresa May në Britaninë e Madhe ka fajësuar Bankën e Anglisë për politika me norma të ulëta interesi që ka krijuar rritjen e pabarazisë në të ardhura. Në Gjermani, Wolfgang Schauble ka debatuar normat e ulëta të interesit, pasi sipas tij kjo politikë ka reduktuar nxitjen për vende periferike të Europës të pranojnë nevojën për reforma.

7. Shtëpia e Bardhë përballë Silicon Valley
Presidenti Trump dhe sektori teknologjik nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Trump kërkon siguri dhe kontroll. Teknologjia kërkon liri dhe fshehtësi për klientët e vet. Trump kërkon të hapë vende pune. Teknologjia kërkon automatizim në maksimum. Të dyja palët ndryshojnë shumë në investimet që bëjnë për kërkime shkencore. Më 2017 do të ketë shumë gjëra mes Trump dhe gjigantët e Silicon Valley që të kundërshtojnë njëri-tjetrin.

8. Masat energjike që vazhdojnë në Turqi
Presidenti Erdogan vazhdon të mbajë gjendjen e jashtëzakonshme për të kontrolluar kontrollin e punëve çdo ditë dhe ka ngushtuar rrethin për gjyqësorin, burokracinë, median, madje edhe për sektorin e biznesit përmes një vale arrestimesh dhe spastrimesh. Më 2017, ka shumë mundësi që ai të zhvillojë një referendum për të formalizuar pushtetin e tij dhe politika e tij e shtrëngimit do të përkeqësojë problemet ekonomike të vendit dhe do të përkeqësojë marrëdhëniet me Europën dhe fqinjët. Ai është një lojtar i paqëndrueshëm në një rajon gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

9. Kordha e vrullshme e Koresë së Veriut
Është shumë e vështirë të dihet me ekzaktësi se kur Koreja e Veriut do të ketë kapacitete me raketa që të tregojë një rrezik të qartë e të menjëhershëm për SHBA, por duket se RPDK po i afrohet finishit. Kim Jong Un tha në mesazhin e tij për Vitin e Ri se, përgatitjet për lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale ka “arritur në pikën përfundimtare”, edhe pse deklarata të tilla nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura. Në kohën kur marrëdhëniet në rënie mes Kinës dhe SHBA, dy vende që duhet të punojnë së bashku për të menaxhuar rënien, një Kore e Veriut ndërluftuese është një arenë veçanërisht e rrezikshme për konflik të fuqive të mëdha.

10. Një Afrikë e Jugut në përpjekje
Presidenti thellësisht jo popullor Jacob Zuma, i rrethuar nga akuzat për korrupsion, është i frikësuar të kalojë pushtetin tek dikush që nuk i beson. Betejat për të gjetur pasuesin kanë lënë në baltë momentin e nevojshëm për reforma ekonomike në vend dhe kufizon mundësinë e Afrikës së Jugut për të ofruar lidership aq të nevojshëm për të stabilizuar konfliktet në vendet fqinje.

Përgatiti: Redin Hafizi

Dëshmia në Senat e CIA-s ndaj sulmeve kibernetike

Krerët e agjencive amerikane të zbulimit rikonfirmuan të enjten përfundimin e tyre se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. Ata thanë dje në një seancë të Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, se besojnë se autoritete të larta ruse ishin drejtpërdrejt përgjegjës për depërtimin në sistemet kompjuterike amerikane dhe rrjedhjen e dokumenteve nga Komiteti Kombëtar Demokrat. Seanca vjen në një kohë kur Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump vazhdon të hedhë dyshime tek përfundimi i agjencive të zbulimit për rolin e Rusisë. Javën e kaluar, Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj Rusisë pasi përcaktoi se Moska ishte pas depërtimit në kompjuterat e Partisë Demokrate.
Në një deklaratë të përbashkët, drejtori i Zbulimit amerikan James Clapper, shefi i Komandës së Sigurisë Kibernetike, admiral Michael Rogers dhe nënsekretari i Mbrojtjes për Zbulimin, Marcel Lettre shprehën në një deklaratë të përbashkët se, “vetëm zyrtarët më të lartë rusë mund të kishin autorizuar vjedhjen kibernetike të të dhënave dhe bërjen publike të tyre”.
Senatori republikan me peshë, John McCain, kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura, përsëriti qëndrimin e tij se Rusia është pas sulmit kibernetik:
“Nuk i shmangemi dot faktit se ky komision mblidhet sot për herë të parë në Kongresin e ri, pas ‘një sulmi të pashembullt ndaj demokracisë sonë’”.
Por zoti McCain shtoi se synimi i tij nuk është “të vihet në diskutim rezultati i zgjedhjeve presidenciale”. Zoti Clapper tha se agjencitë e zbulimit e kanë të pamundur të llogarisin efektin e informacioneve të bëra publike nga WikiLeaks tek vendimi i zgjedhësve për të hedhur votën.
Zoti Trump vazhdimisht ka vlerësuar presidentin rus, Vladimir Putin, së fundmi kur ai nuk reagoi me të njëjtën monedhë, pasi administrata e Presidentit Obama dëboi diplomatët rusë nga Shtetet e Bashkuara.
Në një mesazh në Twitter, zoti Trump përsëriti se kushdo mund të kishte depërtuar në sistemet e kompjuterave të Partisë Demokrate dhe se kampi i rivales së tij Hillary Clinton, duket të kishte qenë më i kujdesshëm.
Zoti Clapper ju përgjigj një pyetjeje të senatores demokrate Clare McCaskill, lidhur me dyshimet që ka hedhur zoti Trump tek përfundimet e agjencive të zbulimit:
“Mendoj se ka një dallim të rëndësishëm mes mosbesimit të shëndetshëm që hartuesit e politikave, përfshirë hartuesin numër 1 të politikave duhet të kenë, pra ka një dallim mes mosbesimit dhe denigrimit”.
Pas disa qëndrimeve të zotit Trump dhe republikanëve të tjerë që duket se vlerësojnë drejtuesin e WikiLeaks, Julian Assange, zoti McCain tha se ai ka vënë jetën e amerikanëve në rrezik dhe pyeti zotin Clapper nëse fjalët e tij se qeveria ruse nuk i ka dhënë informacion janë të besueshme.
Zoti Clapper tha se nuk ka asnjë besueshmëri tek ato që ka thënë zoti Assange.
Eksperti amerikan i sigurisë kombëtare, Brian Katulis thotë se mbrojtja e vazhdueshme e Rusisë dhe presidentit të saj Putin e vendos presidentin e zgjedhur jashtë qëndrimit të përgjthshëm të Amerikës.
“Republikanët në Kongres kanë bërë thirrje për hetime të posaçme për aktivitetet e Rusisë, që shkojnë përtej asaj që u ka kërkuar Presidenti Obama agjencive të zbulimit. Dhe mendoj se po t’u hedhësh një vështrim anketave mes amerikanëve, ka një shqetësim të thellë lidhur me rolin e Rusisë dhe përfshirjen në disa drejtime në procesin tonë zgjedhor. Prandaj, në thelb Presidenti i zgjedhur Trump e ka radhitur veten jashtë qëndrimit të përgjithshëm të vendit që do të drejtojë lidhur me këtë çështje të Rusisë dhe jashtë traditës amerikane të një politike të jashtme jopartiake që e ka parë Rusinë me njëfarë mosbesimi”.
Zoti Clapper tha në seancën e së enjtes se ndërhyrja ruse nuk është kufizuar vetëm tek ndërhyrja në sistemet kompjuterike, por edhe tek përhapja e propagandës dhe lajmeve të rreme. Drejtuesit e shërbimeve të zbulimit thanë se një raport lidhur me sulmet kibernetike do të jetë gati javën e ardhshme. Edhe Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mban pasdite një seancë me të njëjtën temë me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.

A do ta përcaktojë 2017 të ardhmen e NATO-s?

Evropa po goditet nga një sërë krizash të njëkohësishme politike, ekonomike dhe të sigurisë, të cilat po mbjellin dyshime për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara.
Vlerat e përbashkëta dhe interesat e ndërthurura janë themeli i asaj që shpesh përshkruhet si partneriteti transatlantik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Të dyja anët e Atlantikut përballen me të njëjtat sfida dhe kriza në shumë pjesë të botës. Të dyja palët janë mbështetëse të demokracisë, shoqërive të hapura, të drejtave të njeriut dhe tregut të lirë.
Por, Evropa po manovron tashmë në ujëra të turbullta.
“Kriza e borxhit të Greqisë, fluksi i refugjatëve me përmasa të paprecedenta, rreziqet e shtuara të sigurisë, ngritja e lëvizjeve populiste dhe vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian e kanë tronditur Evropën nga themelet”, thotë ambasadori i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara, Peter Wittig.
Këto ngjarje kanë ngritur frikën për koherencën, në mos edhe për ekzistencën, e Bashkimit Evropian: “Mendoj se pas 2 deri në 5 vite, Evropa do të ketë më shumë refugjatë, më shumë terrorizëm. Mendoj se Evropa do të përjetojë më pak angazhim amerikan dhe më shumë Rusi. Kjo nuk do të ishte një marrëdhënie transatlantike e qëndrueshme, e gjallë dhe e shëndetshme”.
Evropa mbështetet për sigurinë tek roli udhëheqës amerikan, por premtimi amerikan ndoshta nuk do të jetë dhe aq i palëkundur gjatë administratës së re amerikane, thotë analisti Stephen Szabo: “Të dyja shtyllat janë tashmë të lëkundshme: NATO-ja dhe angazhimi amerikan nëpërmjet NATO-s ndaj sigurisë evropiane dhe Bashkimit Evropian”.
Ndërkohë, aneksimi nga Rusia i Krimesë në vitin 2014 i ka rikthyer Evropës politikat e forcës, thotë Admirali James Stavridis, ish-komandant i NATO-s, tashmë dekan në Shkollën Fletcher të Diplomacisë Ndërkombëtare, në Universitetin Tufts:
“Nuk e dëshirojmë as nuk duhet t’i rikthehemi Luftës së Ftohtë. Por, duhet t’i kundërvihemi veprimeve të paligjshme të Rusisë kudoqoftë”.
Kremlini po ndërhyn edhe në politikat e Evropës, duke nxitur forcat antiBE, kryesisht në Francë dhe Gjermani, dy vendet themeluese të bllokut evropian. “Prioriteti parësor strategjik i Presidentit Putin është të krisë aleancën transatlantike”.
Por, mund të mbizotërojë edhe një skenar tjetër. Telashet e Evropës kanë rigjallëruar ekzistencën e NATO-s – vendet evropiane kanë njoftuar për blerje avionësh survejimi dhe dronësh, sistemesh të reja mbrojtjeje ajrore dhe luftanijesh.
“Për t’u siguruar që asnjë komandanti rus apo presidenti rus të mos i shkojë mendja se mund të fitojë një luftë me NATO-n”, thotë studiuesi Christopher Chivves, nga Korporata Rand.
Forcat politike kundër BE-së do të demonstrojnë forcën gjatë zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani, por të moderuarit kanë ende një shans për të mbizotëruar.
“Evropianët po e marrin si sfidë për t’i dalë në mbrojtje Evropës nga fragmentimi”, thotë Steven Szabo, drejtor i Akademisë Transatlantike të Fondit Marshall. Pavarësisht se kush do të fitojë, 2017-ta do të jetë një vit që mund të përcaktojë të ardhmen e aleancës transatlantike, një ndër shtyllat kryesore të rendit liberal ndërkombëtar.

Djali i Bin Ladenit në listën e terrorit

Departamenti amerikan i Shtetit ka përfshirë në listën e zezë të terrorizmit Hamza bin Ladenin, të birin e themeluesit të Al-Kaidës, Osama bin Laden.
Hamza bin Laden, i cili është rreth 25 vjeç, njoftohet të jetë angazhuar në komunitetin e organizatës terroriste Al-Kaida, pas vrasjes së babait të tij në një operacion të fshehtë të forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2011.
Sipas rregullave të Departamentit të Shtetit, shtetasit amerikanë e kanë të ndaluar të bëjnë biznes apo të kenë kontakte të tjera me personat që janë përfshirë në listën e zezë të terroristëve.
Sipas njoftimeve, Hamza bin Laden i është bashkuar Al-Kaidës në vitin 2015 dhe në dy vitet e fundit ai ka bërë deklarata publike që inkurajojnë sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara. Ai po ashtu ka kërcënuar se do të hakmerret për vrasjen e të atit.
Departamenti i Shtetit njoftoi gjithashtu të enjten, se në listën e zezë të terrorizmit është përfshirë edhe egjiptiani Ibrahim al-Banna, një nga udhëheqësit e Al-Kaidës në Gadishullin Arabik.

Largohet djali i presidentit për portierin shqiptar

Me fillimin e merkatos dimërore shumë lëvizje që më parë mund të ishin thjesht aludime, tashmë kanë filluar të konkretizohen. Në Serinë B, skuadra e Peruxhias, ku aktivizohet dhe portieri shqiptar Entonjo Elezaj, është vënë në kërkim të një portieri. Pas dëmtimit të portierit titullar Rozati që pritet të mungojë dhe për 2-3 muaj të tjerë, në dy ndeshjet e fundit portën e ka mbrojtur Elezaj, i cili është portieri i dytë i skuadrës, por paraqitjet e tij duket se nuk i kanë bindur drejtuesit e klubit.
Për këtë arsye, Peruxhia ka siguruar shërbimet e portierit Brinjoli, i cili do të jetë portier i parë deri në rikuperimin e Rozatit dhe më pas do të kalojë në pankinë për të qenë portier i dytë. Ndërkohë mes dy portierëve të tjerë, Elezaj dhe Santopadre, stafi teknik ishte në dyshime se kujt t’i besonte pozicionin e portierit të tretë.
Edhe pse të gjithë prisnin që këtë pozicion ta mbante Santopadre, i cili është për më tepër djali i presidentit të klubit, vendimi i stafit i ka çuditur të gjithë teksa është zgjedhur që portier i tretë të jetë shqiptari Elezaj. Ndërkaq Santopadre do të detyrohet të kthehet të luajë me ekipin e të rinjve.

Berisha “largon” Sportiellon drejt Lazios

Etrit Berisha është gati. Portieri i Kombëtares Shqiptare do të rikthehet titullar këtë fundjavë në portën e Atalantas pas dëmtimit që e mbajti jashtë disa javë. “Gazzetta Dello Sport” e cilëson rikuperimin e shqiptarit si një lajm të keq për Sportiellon, i cili tashmë lamtumirën e ish-numrit një të portës bergamaske si të pashmangshëm. Berisha edhe pse momentalisht në huazim, pritet të nënshkruajë përfundimisht për Atalantën në fund të sezonit dhe është pikërisht skuadra e Lazios që synon të afrojë gardianin italian në këmbim të numrit 1 të portës kuqezi, kartonin e të cilit aktualisht e zotërojnë bardhekaltërit.
Sipas gazetës italiane, vlera e vendosur fillimisht nga Lazio prej 6 milionë eurosh ishte një mur i pakalueshëm për klubin bergamask, por futja e Sportiellos në lojë mund ta zhbllokojë përfundimisht situatën. Berisha është aktivizuar titullar në 10 ndeshje gjatë këtij sezoni me Atalantën, duke arritur të grumbullojë 7 fitore, 1 barazim dhe dy humbje, ndërsa prania e tij këtë të dielë në portën bergamaske do të jetë ndeshja e 11 si titullar, pasi trajneri Gasperini beson verbërisht në aftësitë e portierit të lindur në Prishtinë, i cili pas disa sezoneve në Itali ka arritur të tërheqë vëmendjen për shkak të paraqitjeve të tij pozitive me skuadrën zikaltër.