Xhanluixhi Donaruma me shumë gjasa do të jetë goditja e madhe e Juventusit në merkaton e verës së ardhshme. Sipas të përditshmes italiane “La Republica”, bardhezinjtë i kanë bërë një ofertë zyrtare Milanit për portierin 17-vjeçar, që cilësohet si pasardhësi i Xhixhi Bufonit. Kampionët në fuqi të Serisë A janë të gatshëm të derdhin 40 milionë euro për kartonin e lojtarit dhe pesë milionë neto në sezon për një kontratë katërvjeçare për “gardianin”, ofertë me të cilën duket se klubi kuqezi ka rënë dakord në parim.
Ky operacion mund të përmbyllet me sukses, pasi Milani e ndjen rrezikun që vjen nga menaxheri i lojtarit, Mino Raiola. Ky i fundit është në pritje të skadimit të kontratës së Donarumës në qershor 2018, për të hapur më pas një ankand ndërkombëtar për shitjen e tij. Kështu që, Milanit i mbetet ose mundësia e shitjes verën e ardhshme ose rinovimi i kontratës me portierin, gjë e cila duket mjaft e vështirë për t’u realizuar.
Donnarumma ende nuk ka mbushur 18 vjeç, por që tani ka filluar të thyejë rekorde dhe një ndër më interesantët është rinovimi i kontratës. Në fakt, rinovimi me gjigantin e portës është prioritet te kuqezinjtë. Donnarumma do të mbushë 18 vjetët e tij në 25 shkurt dhe drejtuesit kinezë e shikojnë atë si një nga elementët kryesorë të skuadrës, rreth të cilit po mundohen të krijojnë një skuadër me ambicie, duke i ofruar një kontratë 5-vjeçare. Por, për momentin, manaxheri i futbollistit, Mino Railoa ka frenuar gjithçka, pasi më parë kërkon të shikojë kushtet e kontratës e padyshim edhe vërshimin që do të bëjnë klubet e mëdha evropiane, të cilat e kanë shënjestruar që tani portierin italian.
Me hapjen e merkatos dimërore, Tomas Rincon është kthyer edhe zyrtarisht një lojtar i Juventusit. Pas firmës së hedhur në kontratë dhe fjalëve të para të dhëna për faqen zyrtare të bardhezinjve në internet, mesfushori është prezantuar edhe në konferencën për shtyp. “Këto ditë më duken si një ëndërr e kthyer në realitet”, është shprehur venezueliani, i cili vetëm pak më herët kishte thënë diçka më shumë. “Jam shumë krenar, është një nder për mua të bëhem pjesë e këtij klubi. Dua të jem sa më shpejt në dispozicion të shokëve të mi, të stafit dhe të klubit, e më pas të fitoj titullin, Kupën e Italisë dhe Championsin”.
Mesfushori nga Venezuela, siç ka njoftuar Juventusi, ka firmosur një kontratë deri në vitin 2020, ndërsa për Genoan, klubi ku ai aktivizohej deri në dhjetor, shkojnë plot 8 milionë euro, të cilat do të paguhen me 3 këste, shto këtu edhe një bonus. Zgjedhja e lojtarit që do të mbajë fanellën me numrin 28 shpjegohet thjesht: “Kam ardhur këtu për të fituar”.
Prenotohet Donaruma
Barça e nis vitin 2017 me humbje
Barcelona e nis vitin 2017 me humbje. Ndoshta prej faktit që yjeve blaugrana u nevojitet ende pak kohë për të nxehur motorët, por edhe zërave për largimin e trajnerit Luis Enrique, katalanët u mposhtën 2-1 nga Athletic Bilbao, në sfidën e parë të 1/8 të Kupës së Mbretit.
Baskët zhbllokuan shifrat me Aduriz në të 25-ën, ndërsa me Barcelonën që ende nuk e kishte marrë veten nga goditja, Bilbao dyfishoi 3 minuta më pas me Inaki Williams. Katalanët reaguan në fraksionin e dytë të lojës, me Lionel Mesin, por pavarësisht këmbënguljes dhe faktit që në fushë ishin thuajse të gjithë yjet e skuadrës barazimi nuk erdhi.
Barcelona nuk përfitoi as fakti që kundërshtarët e mbyllën lojën me 9 lojtarë, pas kartonëve të kuq të Raul Garcia-s në të 74-ën dhe Iturraspe dhjetë minuta përpara fundit të lojës. Pavarësisht humbjes, blaugranat i kanë të gjitha shanset të përmbysin shifrat dhe të kualifikohen në ndeshjen e kthimit që do të luhet javën e ardhshme në “Camp Nou”.
Investimi kryesor lidhet me trajnerët
“Nëse diçka nuk blihet me para, atëherë mund të blihet me më shumë para”. Ky është slogani që po funksionon në futbollin kinez së fundmi. Gjigantët e futbollit europian, që kanë histori shekullore me yje të këtij sporti, po tremben jo pak për të ardhmen. Lojtarët e tyre më të rëndësishëm, por edhe objektivat që kanë në merkato, po bëhen misione të parealizueshme që t’i mbajnë apo t’i kenë në dispozicion. Po bëhet një luftë e madhe midis pasionit dhe financave. Të luash me klubin që ke ëndërruar në fëmijëri, apo të përfitosh brenda një viti aq para sa mund të marrësh përgjatë gjithë karrierës. Çdo ditë nga Kina vijnë lajme se një yll i futbollit po kërkohet dhe një tjetër ka firmosur ndërkohë. Shifrat e transferimeve dhe të rrogave janë të padëgjuara më parë.
Prej më shumë se një jave u thye rekordi disa herë. Në fillim Oskar, më pas Karlos Tevez, bënë që paraja të marrë një tjetër kuptim. Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo mund të cilësohen si diktatorët e dekadës së fundit, në një duel të zjarrtë, se cili është më i miri në botë. Por papritur, ata zbresin ndjeshëm në klasifikimin e më të paguarve, pikërisht prej klubeve kineze. Pyetja që lind është, kush po paguan kaq shumë dhe pse?!
Asgjë nuk është rastësore. Pas një periudhe të gjatë përgjumjeje dhe me një futboll në nivele tepër të ulëta, duket se qeveria kineze ka punuar për të akumuluar mjaftueshëm buxhet, që të shpërthejë në sport dhe të bëjë diferencën. Afro 5-6 vite më parë nisi me disa transferime të bujshme si Anelka dhe Drogba, por më tepër u krijua një imazh negativ. Akuza për mungesë korrektësie në pagesa dhe korrupsion bëri që shumë lojtarë të tjerë të refuzonin ofertat.
Duke ditur që aktualisht pozicionohen në vendin e 81-të të klasifikimit të FIFA-s, duket si një utopi. Por kur mëson detajet e planit që ka nisur të vihet në zbatim, atëherë beson se çdo gjë është e mundur. Deri në vitin 2020, pra për 4 vite, do të ndërtohen 20 mijë akademi futbolli dhe 70 mijë fusha. Deri në vitin 2030 është programuar që raporti të jetë prej 1 fushe për çdo 10 mijë banorë. Ndërkohë deri në 2020, duke nisur nga fëmijët dhe deri te mosha 30 vjeç, synohet që të arrihet një numër total prej 50 milionë njerëzish, që praktikojnë futbollin në mënyrë profesionale me akademitë, apo klubet sportive.
Ky numër do të jetë gjithnjë në rritje dhe prej të cilëve do të ketë selektime sa i përket cilësisë, në mënyrë që e ardhmja të garantojë një ekip kombëtar shumë të fortë. Gjithçka e detajuar në imtësi, në mënyrë që vullneti të bashkohet me investimin, për të sjellë produktin e shumëkërkuar.
Investimi kryesor lidhet me trajnerët. Emra si Luiz Felipe Skolari, Feliks Magat, Manuel Pelegrini apo Andre Vilas-Boas kanë refuzuar klube elitare në Europë, për të pranuar paratë në Kinë. Ata drejtojnë klubet e futbollit, duke pasur si ndihmës në stafin e tyre kinezë. Eksperienca drejtuese që kanë fituar, do të shërbejë që të përgatiten trajnerë të suksesshëm për të ardhmen, por edhe të ndryshojnë kulturën e punës në një klub futbolli, duke nisur nga akademia.
Janë dy arsye që u japin klubeve kineze mundësinë për të mos u kursyer në merkato. E para, lidhet me krijimin e një skuadre të fortë, e denjë për të pasur suksese jo vetëm në kampionat, por edhe në Championsin e Azisë. Por ata duhet të shërbejnë edhe si shembull për lojtarët e rinj të Kinës, që do të kenë luksin të mësojnë nga afër idhujve të tyre dhe jo duke i parë në televizion. Në stërvitje, futbollistët e dalluar të akademisë stërviten me ekipin e parë. Një sulmues 14-16 vjeç, që shkëlqen me grupmoshat e tij, Shangai Shenhua, tashmë mund të stërvitet së bashku me Karlos Tevez dhe pa diskutim që do të ketë shumë për të mësuar.
Elementi tjetër lidhet me të drejtat televizive. Vetëm në vitin 2016, kompania që i menaxhon ka shpërndarë plot 1.2 miliardë dollarë. Një shifër që ka ndihmuar jo pak buxhetet e klubeve, por që ka ardhur edhe si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të shikueshmërisë. Mjafton të përmendësh faktin që vetëm Kina numëron një popullsi prej 1 miliard e 380 milionë banorësh. Nëse në 2016 u shpenzuan 470 milionë euro në transferime lojtarësh, ekonomistët kanë analizuar se ato do të shumëfishohen prej marketingut dhe potencialit që zotëron vendi…
Çdo lojtar duhet të mësojë gjermanisht!
Ka nisur të ndihet dora e shefit të ri në shtëpinë e Bajernit. Uli Hënes, gjatë një interviste për “Sport Bild”, ka zbuluar masat që ka marrë klubi për të shmangur përçarjen e lojtarëve në grupe.
“Është shumë e thjeshtë: një lojtar duhet të mësojë gjermanisht dhe ky duhet të jetë detyrim. Përndryshe ai duhet të paguajë. Prandaj na duhet sa më parë përsëri një menaxher (posti vakant i drejtorit sportiv), i cili duhet të kontrollojë dhe ta përcaktojë këtë shumë saktë. Unë u kam shkuar në shtëpi lojtarëve dhe jam kujdesur të shoh se si ka shkuar procesi i mësimit të gjuhës. Gjuha është një urë lidhëse, përndryshe krijohen grupe”, deklaroi Hënes.
“Një lojtar duhet të qëndrojë së paku dy orë përpara librave, vijoi ai. Nëse unë dua të integrohem në një klub për një kohë afatmesme apo afatgjatë, atëherë duhet të mësoj gjuhën. Nëse nuk e bëj, ky është një sinjal që po e përdor klubin vetëm si një trampolinë apo si rrugë për t’u kthyer në shtëpi. Kohët e fundit nuk jemi fokusuar te kjo pjesë, por nuk mjafton të flasësh vetëm portugalisht apo frëngjisht.
Shembulli më i mirë është trajneri. Më habit vullneti i tij për të mësuar gjuhën, për t’u integruar dhe për t’u identifikuar me skuadrën. Komunikimi për trajnerin është një faktor i rëndësishëm dhe ai po tregon se ku ka dëshirë, ka dhe një zgjidhje. Lojtarët mund të mësojnë prej tij, për më tepër që Karlo është 57 vjeç. Ata duhet të mësojnë gjermanisht dhe kjo duhet të bëhet prioritet, në të kundërt do të ketë masa. Kjo është rruga më e thjeshtë dhe për këtë arsye kemi nevojë sa më shpejt për një drejtor sportiv që të kontrollojë dhe paralajmërojë”.
Sipas gazetarit Kristian Falk, i cili intervistoi presidentin, lojtarët për të cilët 64-vjeçari e ka pasur këtë pakënaqësi janë Dagllas Kosta, Kingsli Koman dhe Renato Sançes.
Hënes ka një opinion të qartë edhe për çështjen e drejtorit sportiv. Ai konfirmoi se diskutimet me kapitenin Lahm për të varur këpucët në gozhdë në fund të këtij sezoni (1 vit përpara se t’i skadojë kontrata) do të vazhdojnë: “Kemi rënë dakord që të takohemi sërish në fund të janarit. Kandidatura e Eberlit? Nuk do të flasim për këtë çështje në publik. Nëse unë flas shumë për të, nesër bëhet një problem në Gladbah. Nëse unë them një të pavërtetë për Eberlin tani, kjo do të ndikonte në bisedimet me Filipin”.
Çmenduri për Grizman
Antuan Grizman është objektivi kryesor i Mançester Junajtidit dhe gjigantët anglezë janë vënë në lëvizje për ta afruar sulmuesin francez nga Atletiko Madridi. Sipas “The Sun”, 20 herë kampionët e Anglisë janë gati të paguajnë klauzolën prej 100.5 milionë eurosh në kontratën që e lidh 25-vjeçarin me klubin spanjoll, si dhe t’i ofrojnë atij një rrogë prej 257 mijë eurosh në muaj.
Gjithnjë referuar informacioneve që përcjell tabloidi britanik, Junajtidi ka hyrë në bisedime me përfaqësues të lojtarit, të cilit i premtuan të njëjtën pagë me Pol Pogbanë.
Vetë ylli francez në intervistat e tij nuk e ka fshehur pëlqimin për “Djajtë e Kuq” dhe trajnerin Zhoze Murinjo, çka i ka bërë mediat të spekulojnë për kalimin e tij në “Old Traford”.
Ndërkoh, Arsenal ofron 60 milionë për Belottin. Pak ditë më parë, presidenti i Torinos, Urbano Cairo vendosi një klauzolë të çmendur prej 100 milionë eurosh për bomberin italian, Andrea Belotti, por ofensiva e ditëve të fundit nga ana e Arsenalit mund ta kënaqë edhe më 60 milionë. Sipas tabloidit anglez “The Sun”, Arsene Wenger ka shënjestruar ish-sulmuesin e Palermos për ta vendosur në majën e sulmit të “Topçinjve”. Gjithsesi, transferimi në merkaton e janarit do të jetë i vështirë pasi klubi “Granata” kërkon të arkëtojë sa më shumë dhe gjatë merkatos së verës mund të presë ofertat e një ankandi më të bollshëm. Është vetë sulmuesi italian që kërkon të transferohet në një skuadër më të fortë dhe kjo e bën më të lehtë misionin për Arsenalin.
Gjithsesi, bisedimet janë në fazë fillestare dhe Arsenali kërkon që ta bëjë pagesën në disa këste, një kusht që Torino po e vlerëson. Në Londër, Belotti do të gjente ambientin ideal për të treguar klasin e tij pasi Arsenali i ka premtuar një vend titullari duke menduar edhe largimin e mundshëm të Giroud. Gjithsesi, situata e sulmuesit 23-vjeçar do të qartësohet gjatë javëve të ardhshme, pasi Torino mbetet në pritje të ofertave për të arkëtuar sa më shumë nga qendërsulmuesi i kombëtares italiane, i cili ka tërhequr edhe vëmendjen e disa klubeve të tjera angleze.
Tifozët e Arsenalit vazhdojnë e presin përforcime për të ndihmuar skuadrën të luftojë për titullin kampion. Por klubi duket se ka plane të tjera dhe ka vendosur të investojë, por jo për futbollistë.
Klubi informoi lojtarët nëpërmjet Instagramit se tashmë kishte një avion të ri për udhëtimet e Ligës së Kampioneve, një Airbus A380, në të cilin ishin vendosur ngjitëse gjigante me futbollistët në pjesët anësore.
Olivier Zhiru, Aleksis Sançez, Mesut Ozil, Hektor Belerin dhe Santi Kazorla të gjithë janë pjesë e këtij dekorimi të avionit, i cili brenda ka ambiente shumë luksoze ku përfshihen edhe kabina dushi apo edhe një bar plotësisht funksional.
Dy shqiptarë mes 100 talenteve të futbollit italian
Futbolli italian ka kthyer sytë nga të rinjtë. Nga projekti i nisur në bazë të gjerë, përfiton edhe Shqipëria. Dy lojtarë kuqezi, Emanuele Ndoj dhe Shaqir Tafa janë përfshirë mes 100 talenteve të së ardhmes që po rriten në Itali.
Një listë speciale e hartuar nga e përditshmja sportive “Corriere dello Sport”, ku nuk mund të mungonin elementët e spikatur, që kanë mahnitur në Serinë A. Nga portieri Donnarumma i Milanit, te sulmuesi Moise Kean i Juventusit, për të vazhduar me Pietro Pellegri-n, që debutoi në elitë me Genoan në moshën 15-vjeçare.
Përzgjedhja për 100 talentet e futbollit italian është realizuar duke seleksionuar 50 që luajnë ose stërviten në akademitë e klubeve të Serisë A. Nga shqiptarët aty është 18-vjeçari Shaqir Tafa, qendërmbrojtës i Palermos. Edhe pse i lindur në Itali, Tafa zgjodhi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi, ku pas grumbullimit me kombëtaren e 19-vjeçarëve, tashmë është kandidat i fort për një vend në skuadrën Shpresa.
Mes 50 talentëve që luajnë në Serinë B është Emanuele Ndoj. Edhe mesfushori 19-vjeçar ka lindur në Itali dhe nga Akademia e Romës u transferua te Brescia ku ka luajtur 11 ndeshje. Pas paraqitjeve me përfaqësueset e 17 dhe 19-vjeçarëve kuqezi, Ndoj synon të kthehet në protagonist në ekipin Shpresa.
Dy yje të së ardhmes që në vendin fqinj i vlerësojnë si e ardhmja e futbollit italian, por që po rriten për t’u shndërruar një ditë në protagonistë me kombëtaren shqiptare.
Tragetet transportuan 840 pasagjerë
Tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit të kaluar kanë transportuar 839.598 udhëtarë dhe 172,961 autovetura gjithsej.
Nga statistikat operative të Autoritetit Portual, mësohet se shifrat e udhëtarëve dhe të autoveturave janë përkatësisht 8 dhe 13 për qind më të larta se sa i gjithë viti 2015.
Gjatë periudhës 12-mujore të vitit që lamë pas, 65,000 udhëtarë më shumë se sa viti paraardhës kanë shfrytëzuar tragetet në hyrje dhe në dalje nga Porti i Durrësit.
Numri i udhëtarëve në hyrje të portit më të madh të vendit është rritur me 13%, ndërsa ai i udhëtarëve që i drejtohen porteve të Barit dhe Ankonës është rritur vetëm me 5%.
Sidoqoftë, numri i udhëtarëve në dalje është më i lartë se sa ai i atyre në hyrje me rreth 16,000 njësi. Gjatë vitit 2016 ka pasur një rritje të numrit të autoveturave me afro 20.500 njësi gjithsej, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre, brenda harkut kohor të një viti, ka arritur në 172,961.
Prapaskenat e kalimit te Grozni
Bernard Berisha te Terek Grozni është një ndër transferimet më të bujshme të kësaj merkatoje dimri. Nëse do të kishte një çmim për “menaxherin e vitit” në futbollin shqiptar, ai padyshim do të shkonte për Shkumbin Qormemetin, strategun e transferimeve të bujshme si ai Olyainkës, Balajt e Roshit. Menaxheri zbulon prapaskenat e kalimit te Terek Grozni.
“Interesimi i Terekut ishte konkret që në merkaton e verës, pasi ai shpërtheu në kampionatin rus. Në tratativa ishin edhe Lokomotiva dhe Rubin Kazani, por falë marrëdhënieve vëllazërore mes drejtuesve të Terekut dhe Anzhit u bë e mundur që kjo kontratë mes këtyre dy skuadrave të mbyllej me sukses”, shprehet Qormemeti.
Falë Qormemtit Berisha ka siguruar një transferim që e kënaq financiarisht, por për të ky nuk është fundi i ambicieve, përkundrazi një tjetër hap në fillimin e një rruge që çon shumë larg, në majat e futbollit europian.
“Mund të them se jam shumë i kënaqur me kontratën që kam nënshkruar, por ky është vetëm fillimi, një motiv për t’u përmirësuar edhe më shumë. Po më shpërblehet puna dhe sakrifica që kam bërë për disa vite. Të them të drejtën nuk e konsideroj kontratën më të rëndësishme të karrierës sime. Mendoj se ky është vetëm fillimi dhe në të ardhmen do të jem pjesë e një skuadre më të madhe. Por për ta arritur këtë objetiv më duhet të punoj akoma më shumë”, u shpreh Berisha.
Barcelona ka MSN, Reali ka BBC e famshme, por edhe Tereku tani ka BBR, Balaj-Berisha-Roshi, një treshe shqipesh që i bën mirë si skuadrës ruse, ashtu edhe futbollistëve shqiptarë që krijojnë hegjemoninë e tyre në vijën e parë të skuadrës çeçene.
“Te Tereku, Berisha do t’i bashkëngjitet dyshes Balaj-Roshi dhe mendoj se kombinimi i lojtarëve shqiptarë do të jetë shumë i rëndësishëm për objektivat e klubit, që synon të marrë pjesë në kupat e Europës sezonin e ardhshëm”, tha Qormemeti.
“Balaj dhe Roshi janë miqtë e mi dhe besoj se me ta do ta kem shumë më të lehtë përshtatjen. Unë kisha shumë oferta të tjera, por dëshira ime ishte të isha në një ekip me Roshin dhe Balajn. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”, tha Berisha.
Për të dy viti që lamë pas ka qenë tejet i sukseshëm, për Qormemetin me transferime të bujshme, ndërsa për Berishën fitorja më e madhe është aderimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtare të futbollit.
“Në ditët e fundit të 2016-ës mbyllëm me sukses transferimin e Azdren Llullakut te Astana në Kazakistan, ndërsa e nisëm vitin me një tjetër lëvizje të suksesshme me Berishën. Si në çdo fushë të jetës edhe marrëveshjet në futboll arrihen falë punës dhe kontakteve që janë krijuar ndër vite”.
“Kosova nuk është më e izoluar si më parë dhe për këtë ndihem mjaft i lumtur. Jemi munduar që të paraqitemi sa më mirë, por të mos harrojmë se jemi në një grup shumë të fortë. Besoj se më 2017-ën do të vijë fitorja e parë e Kosovës në këto eliminatore”, thotë Berisha.
Kalimi nga Anzhi te Terek Grozni për Bernard Berishën nuk është fundi, por vetëm fillimi i një rruge nëpër të cilën sulmuesi kosovar synon të shkojë larg. “Mund të them se jam shumë i kënaqur me kontratën që kam nënshkruar, por ky është vetëm fillimi, një motiv për t’u përmirësuar edhe më shumë. Po më shpërblehet puna dhe sakrifica që kam bërë për disa vite. Të them të drejtën, nuk e konsideroj kontratën më të rëndësishme të karrierës sime. Mendoj se ky është vetëm fillimi dhe në të ardhmen do të jem pjesë e një skuadre më të madhe. Por për ta arritur këtë objektiv, më duhet të punoj akoma më shumë”, u shpreh 25-vjeçari.
Eurostat: Shqipëria, nivele të ulëta të mbrojtjes sociale
Shtresat e brishta, të tilla si pensionistët, të papunët dhe invalidët trajtohen financiarisht nga shteti tre herë më pak se mesatarja e BE. Sipas Eurostat, shpenzimet për mbrojtjen sociale në BE ishin më 2014 sa 28.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të BE. Ndërsa Shqipëria për të njëjtin vit i ka patur këto shpenzime vetëm 9.5 për qind të PBB-së ose 132 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare. Në BE shpenzimet publike për pensionet e pleqërisë zënë 46 për qind të PBB, në Shqipëri shpenzimet për pensionet e pleqërisë janë mbi 80 për qind të fondit të mbrojtjes sociales. Ndërsa në BE fondet për familjet me fëmijë zënë 8.5% të shpenzimeve të mbrojtjes sociale në Shqipëri ky zë nuk ekziston fare. Gjithashtu, Shqipëria në raport me PBB shpenzon shumë herë më pak për pagesën e papunësisë dhe ndihmën sociale.
Në vitin 2014, dy burimet kryesore të financimit të mbrojtjes sociale në nivel të BE-së ishin kontributet e qeverisjes së përgjithshme nga taksat, që përbëjnë 40% të totalit të të ardhurave dhe kontributet sociale në 54%.
Megjithatë edhe në mes të BE ka pabarazi të mëdha përsa i përket trajtimit financiar të shtresave të brishta. Në vendet e Europës Qendrore, Francë, Danimarkë, Finlandë, Holandë, Belgjikë, Austri këto shpenzime zënë 30 për qind të PBB, ndërsa ish-vende të Lindjes, Letoni, Lituania, Sllovakia, Hungaria shpenzojnë rreth 25-20 për qind të PBB-së.
Shpenzimet më të larta të mbrojtjes sociale për frymë janë regjistruar në Danimarkë, Holandë dhe Austri në rreth 35% në 40% mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Gjermania dhe Franca me rreth 30% mbi mesataren, si dhe Belgjika, Finlanda dhe Suedia në rreth 20% më lart. Shpenzimet më të ulëta për banorë janë regjistruar në Rumani në më shumë se 70% nën mesataren e BE-së, e ndjekur nga Bullgaria dhe Letonia (në mes 65% dhe 70% nën mesataren).
Bankat hezitojnë t’i japin borxhin e ri qeverisë

Interesat e letrave me vlerë të qeverisë kanë vijuar të rriten edhe këtë fillimviti. Ministria e Financave e ka zhvilluar dje ankandin e obligacionit dhjetëvjeçar, por për shkak se bankat nuk i janë përgjigjur totalisht kërkesës së qeverisë, interesi u rrit me 0.5% në raport me ankandin e fundit që u zhvillua për këtë maturim më 5 tetor të 2016-s.
Qeveria kërkoi për të financuar shërbimin e borxhit dhe deficitit me 3 miliardë lekë, por bankat kanë ofruar vetëm 2.8 miliardë. Por për shkak të interesit të lartë të ofruar, qeveria ka pranuar të financohet në këtë ankand, me vetëm 2.5 miliardë lekë.
Obligacioni u shit kundrejt një interesi 7.2%, niveli ky më i lartë që nga 15 janari i vitit 2016.
Interesat e instrumenteve të brendshëm të borxhit kanë shënuar rritje në të gjitha maturimet. Rritja e nisur që nga muaji shtator i vitit 2016, duket se ka shkak themelor tkurrjen e interesit të bankave për të investuar në borxhin publik. Në mënyrë sistematike, në të gjitha ankandet e zhvilluara në lekë, kërkesa e qeverisë ishte më e lartë se oferta e bankave.
Ekspertë të sektorit bankar e komentojnë këtë sjellje të bankave me pritshmëritë që ato kanë me rritjen e normave të interesit. Gjithashtu, 2017 është një vit zgjedhor, çka step investitorët në këtë rast, bankat, që të tregohen ekspansionistë në investimet qeveritare.
Raporti i mbulimit të kërkesës së qeverisë ka pësuar përkeqësim që nga fillimi i vitit. Në muajin janar, raporti i mbulimit ishte më i lartë se kërkesa e qeverisë dhe kjo sjellje zgjati deri në muajin maj, ku më pas u vërejt një rënie graduale, e cila është përkeqësuar muajt e fundit.
Për të shmangur kostot në rritje të financimit të borxhit të brendshëm, qeveria po përdor instrumentin e financimit në valutë. Në datën 30 nëntor, qeveria realizoi me sukses ankandin e obligacionit 2-vjeçar, me vlerë 35 milionë euro, ndërkohë që oferta e bankave ishte mbi 90 milionë euro. Mirëpo qeveria, duke grumbulluar likuiditet në valutë për financimin e borxhit të brendshëm, rrezikon nëpërmjet kursit të këmbimit. Por gjithsesi, momentalisht kursi i këmbimit është i favorshëm, por nëse leku dobësohet në vijim, kostot e këtij obligacioni rrezikojnë të rriten në vitin e dytë të maturimit.
Referuar skenarit bazë për administrimin e borxhit, financimi i brendshëm për periudhën 2016-2018 do të jetë në nivelin e 90-92% të totalit të financimit, ndërkohë që financimi nëpërmjet titujve afatgjatë do të synojë të rritet deri në 30-32% në vitin 2018, nga 17% që vlerësohet në vitin 2015.