31.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Haradinaj: Nuk u tremba nga tanket e Millosheviçit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin Colmar në Francën Lindore, pasi një gjykatë në atë qytet vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim derisa Serbia të bëjë kërkesën zyrtare për ekstradim.
Ai u paraqit të enjten para gjykatës, një ditë pasi u ndalua nga policia franceze në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.
Partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpërndau një postim të zotit Haradinaj në Facebook në të cilin thuhet se, “është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish-regjimit të Millosheviçit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë ‘poternicat’ (shprehje serbisht për urdhërarrestimet) e tyre”.
Në postimin e tij thuhet se “ne si popull e si individë, nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviçit e lere më nga fletarrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, ‘rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush’. Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush! Do të takohemi shpejt në Kosovë”, thuhet në postimin e zotit Haradinaj.
Ai u ndalua të mërkurën nga policia franceze në aeroportin Basel-Mulhouse, në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë.
Autoritetet në Kosovë krahas kërkesave zyrtare për lirimin e zotit Haradinaj, janë duke shqyrtuar edhe rrugët të tjera të zgjidhjes së situatës së krijuar rreth tij. Vendimi i gjykatës për mbajtjen në paraburgim lë të hapur edhe mundësinë e lirimit të tij me kusht nën garancitë shtetërore të Kosovës deri në përfundimin e procedurave sipas të cilave autoritete serbe kanë një fat deri në 40 ditë për të kompletuar dokumentacionin me kërkesën për dorëzimin e zotit Haradinaj”.
Autoritetet në Serbi thanë se do të kërkojnë dorëzimin e zotit Haradinaj, të cilin e akuzojnë për krime lufte në kohën kur ai ishte komandant i njërës nga zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftonte forcat serbe.
Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të premten në mbledhjen e qeverisë shprehu shqetësimin për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj udhëheqësit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se zoti Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.
“Aktet e ndalimit të Haradinajt, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pasur parasysh edhe faktin se Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme, të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”, ka thënë kryeministri Mustafa duke nënvizuar se pret që zoti Haradinaj të kthehet shumë shpejt në Kosovë dhe po ashtu që edhe qeveria franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike dhe bazë ligjore.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë opozitare ndërkaq janë duke zhvilluar një parakalim nëpër Prishtinë në shenjë proteste ndaj ndalimit të zotit Haradinaj.
Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhërarresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste nëpër aeroporte të drejtuesve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.
Ramush Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

Prishtina nuk lejon vizitën e Presidentit serb

Qeveria e Kosovës tha të enjten pasdite se ka vendosur të refuzojë kërkesën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë serbe për ta vizituar të premten Komunën e Shtërpcës, një komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.
Në një njoftim të qeverisë thuhet se refuzimi pasoi vonesën për të deponuar me kohë kërkesën për vizitë në Kosovë ashtu siç parashihet me marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve.
“Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e njëpasnjëshme janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të arriturave të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi në mes dy shteteve dhe popujve. Po ashtu, ato janë kundër interesit të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët kanë vendosur të jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.
Presidenti serb kishte paralajmëruar një vizitë në Shtërpcë me rastin e Krishtlindjeve ortodokse.
Të enjten mediat serbe cituan zyrtarë të kabinetit të tij të kenë thënë se “ai ka hequr dorë nga vizita, meqë pararoja e tij është përballur me sjellje jokorrekte” të autoriteteve të Kosovës në vendkalimin kufitar në Merdarë.
Vendimi i qeverisë për refuzimin e kërkesës për vizitën e presidentit serb u publikua pas reagimeve të ashpra që nxiti ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të mërkurën në Francë, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe 13 vjet më parë.

Për Erionin dhe trustin TNM

Besnik ALIAJ

Më 29 dhjetor 2016, Erion Veliaj ia doli të “miratojë” në shkelje të plotë të Ligjit dhe Kushtetutës, planin urbanistik të Tiranës 2030. Për koincidencë data 29 dhjetor konsiderohet një ditë e keqe në histori! Kjo për shkak të masakrës me 14,000 foshnja të therura nga Herodi, në kërkim të Fëmijës Mbret të sapolindur.
I tmerruar nga ardhja e Jezusit, Mbreti Herod u dha urdhër ushtarëve të tij të masakronin të gjithë fëmijët meshkuj më të vegjël se 2 vjeç të qytezës së Betlehemit dhe të krahinës përreth. Kështu Herodi ia doli të masakroi të ardhmen e qytetit, por jo shkëndijen e shpresës që do të ngjizte më vonë gjithë lëvizjen që krijoi Jezusi i Nazarethit! Edhe dje, përsëri në atmosferën e Krishtlindjeve, në Tiranë ndodhi një masakër ligjore dhe kushtetuese, me pasoja të parikuperueshme për fëmijët e Tiranës, dhe të familjeve të tyre.
U shkel hapur Neni 2 pika 24 e Ligjit të planifikimit të territorit 2014 dhe një sërë të drejtash kushtetuese të qytetarëve. Dje kolonat e demokracisë u shembën dhe çatia e ngrehinës shtet na zuri të gjithëve brenda. Dje Tirana u bë përfundimisht theror, për shkak të interesave të Trustit të Ndërtimit dhe Medias (tani e tutje shkurt TNM ose Trusti). Kjo ditë do të mbahet mend si një ditë e zezë për qytetin dhe për krejt vendin, sado e bukur e paraqitën panoramën e planit mediat e Trustit. Unë nuk merrem me shpifjet e tua dhe të stafit tënd pa shkollë, se nuk ja vlen. Kjo sepse po të ishte siç thua ti, unë do isha i pranishëm dhe i kapur në sallë, e duke votuar në rresht! Dhe për më tepër se vetë Erioni nuk është aspak Herod, por veç një ushtar i verbër që është gati të masakrojë me urdhër nga lart fëmijët dhe qytetin! Vetë ai në këtë histori ka dëshmuar të sillet maksimumi si një zv/kryetar bashkie.
Vendin e kryetarit ai as nuk ka kurajon ta mendojë! Krytar i vërtetë i Bashkisë Tiranë tashmë janë shefat e tij Herode, kjo sepse në fakt Erioni ka më shumë se sa një shef! Prandaj ai shfaqet shumë i trazuar, i shtirur, i trembur, e në hall të madh, aq sa merr përsipër shkelje të vazhduara të ligjit dhe kushtetutës që s’mund të kalohen aq lehtë në rrethanat e krijuara. Ndaj të gjithë çuditen me të kur ai sillet si i fortë para kamerave. Kaq për Erionin, sepse më tej po i tregoj kollaj fare shefave të tij dhe publikut: Përse unë nuk mora pjesë në mbledhjen e djeshme farse të Këshillit Bashkiak të TNM-së në të cilën refuzoj të jem më pjesë e tij!
Trusti i TNM-së zbatoi një operacion diabolik dhe perfekt mafioz që përgatitej prej kohësh. Pasi punuan një vit në heshtje dhe mënyrë të njëanshme, ata vendosën që ta miratojnë planin pa asnjë informim publik pikërisht në datën 29 dhjetor 2016. Çuditërisht të gjitha hallet e vitit ishin lënë si me magji të zgjidheshin në të njëjtën ditë e orë: komisioni parlamentar për CEZ-in bëri goxha show e tërhoqi kohë televizive. Po kështu dekriminalizimi i tre deputetëve në KQZ-së ishte diskutim mjaft interesant e plot ankth për t’u ndjekur. Ndërkohë në Durrës një ditë më parë në darkë krejt papritur ndodhi hataja: koalicioni qeverisës ra në Këshillin Bashkiak, sepse LSI mrekullisht na bashkoi votat me PD duke rrëzuar buxhetin e Bashkisë Durrës! … Me thënë të drejtën bukur fort, dhe me regji të shkëlqyer, aq sa lindi shpresa e pafajshme se skenari i “buxhetit durrsak” pritej të ndodhte edhe në Tiranë … Në fakt, në djall të shkojë buxheti mjaft plani të na kalojë! … Se sa për buxhetin këtu jemi e rregullojmë kollaj këtë punë …
Shkurt, Trusti i TNM-së ishte kujdesur me kohë që Erioni të kamuflohej sa më mirë pas shashkave kakofonike të një procesi sa më të zhurmshëm mediatik, lë mënjanë përgatitjet për gjelin e detit që Lubonja e përshkruan shumë bukur …. E gjitha kjo regji vetëm që zv/kryetari i Bashkisë të Trustit TNM të performonte sa më bindshëm para kamerave e të miratonte sa më urgjent e me më pak telashe planin e ri të Bashkisë. Ishte ditë perfekte pushimesh, dhe një kohë e mrekullueshme me diell për të larguar vëmendjen, e për t’iu përvjedhur tinzësh banorëve të shpërqendruar të Tiranës për masakrën herodiane që e pret qytetin sot e tutje!
Në këtë panoramë në fakt unë jam askushi, një subjekt i vogël dhe krejt i parëndësishëm, një pikë ujë në oqean përballë përmasës së interesave në lojë! Por për koincidencë fatale TNM-ja dhe zv/kryetari bashkiak ishin në hall të madh me ligjin, sidomos me nenin 2 pika 24 e tij, me Kushtetutën, dhe me vetë “big brother” që çdo ditë s’pushon së foluri për vettingun! Shkurt Trustit i duhej dëshpërimisht një subjekt i besueshëm në publik, një profesionist me CV të pakontestueshme, mundësisht nga opozita. Kërkohej dëshpërimisht një çertifikues moral që mundësisht nuk të hap telashe, për të finalizuar një spektakël plot ngjyra ku është vështirë të kuptosh protagonistët e vërtetë. Dhe kështu Trusti dhe zv/kryetari bashkiak dilnin të nderuar: ja planin jua diskutuam mirë në institucione, siç e do publiku dhe siç thotë ligji, madje pati debate e kritika të forta, demokracia fuksionoi, dhe në fund s’kemi ç’bëjmë më, se u vendos me shumicë votash, dhe plani u ligjërua! A nuk funksionon demokracia edhe në vende të tjera kështu? … Në fakt është vetëm një model i denjë venezuelian, tipik për republikat e bananeve, e që s’ka lidhje fare me demokracinë europiane! Ja kjo është e gjitha o Erion! Dhe ska lidhje fare me fiksionet e tua qesharake për Besnikun kapitalist të ndyrë … për tendera të majme konsulence me qeverinë.
Trusti ka kohë që ka dhënë urdhër që unë e miqtë e mi të mos kemi asnjë shans! Ju dogjët së fundi një projekt strategjik europian për Shqipërinë vetëm se vendi partner zgjodhi me garë si ekspert lokal kolegët e mi, dhe nuk pranoi presionin tuaj të ndryshonte garën! Europa nuk është Otomani Erion, dhe ka rregulla ku unë mund ta tregoj mirë ty qefin se sa të vlen lëkura kur vjen puna tek dija dhe ekspertiza. Mbi të gjitha unë spranoj t’ju paguaj bakshish. … Ti dhe Trusti dje ishit në hall të madh sa morët përsipër të sulmonit jetën dhe aktivitetin tim privat. Vijo Erion se më bën veç nder e reklamë! Dhe as më bën përshtypje më asgjë në këtë vend! Jo që nuk jam ankuar kujt për presion kërcënim, por po ta them se nuk të llogaris fare as ty, as TNM-në tënde e as shefat e t’u të shumtë as horrat që mbani vërdallë. Unë jam i lirë Erion dhe po ta ripërsëris: mos u kruani me mua dhe rrethin tim, se ju del tymi shumë larg.
Po të flas me këtë gjuhë se ti ke mjaft kufizime! Ke një fjalor të kufizuar, mungesë shkollimi, dhe e vetmja armë që ke është ligësia dhe kërmillizimi. Sot nuk ka më naivë në këtë vend. Edhe pse njerëzit heshtin të gjithë e dinë mirë se ka një grusht sipërmarrësish në ndërtim e media, të cilët drejtojnë realisht këtë vend. Demokracia këtu është fasadë. Ata janë Herodet e vërtetë të pushtetit, kurse t’i je vetëm ushtari që zbaton urdhërat verbërisht herë të njërit e herë të tjetrit shef. Herodet e t’u kanë secili nga një lider politik si beniamin, me të cilët ata bëjnë planet, koordinojnë ose ndajnë hesapet e abuzimit, në kurriz të njerëzve dhe qytetit. Ata nuk ngopen kurrë së ndërtuari firma piramidale që po e gërryejnë këtë vend.
Plani jot urbanistik është piramida më e fundit që ata kanë stisur pas krizës së vitit 2010 e këtej. Plani do të gllabërojë përfundimisht pronat, banesat, bizneset e vogla, familjare e të mesme në emër të rizhvillimit. Ju s’do të lini copë tokë pa ndërtuar në qytete, dhe sdo të lini këmbë njeriu në fshat që të populloni këto ndërtime kurth me skllevër të bindur që paguajnë vetëm për ju! Dhe fitimet do t’i financoni ndër të tjera për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit! Kjo është skema dhe ju jeni të evidentuar! Herodet e ty të plotfuqishëm kanë aftësinë çudibërëse që të bëhen miq me çdo qeveri, me çdo kundërshtar. Ata ndërtojnë aleanca nga më të paimagjinueshmet midis politikanëve kryesorë mjaft që të mbajnë pushtetin e të fitojnë! Dje, unë njeriu askush, pika e ujit në oqean, eksperti i pavarur, profesori, nën/kryetari i Komisionit të Planifikimit në Këshillin Bashkiak, ju dola jashtë skeme sepse nuk jam naiv dhe i kapur siç kujton ti! Ndaj dëshpërimi jot ishte shumë i madh, sepse more një pickim të fortë dhe kjo të trembi e të beri nervoz. Fillove të bërtisje e shaje si burracak.
Për parkun të dola përballë në “Klan”, ti u shmange në TCH dhe shave si gratë e liga. Për planin të dola përballë ty dhe Boerit, ti u shmange se kishe celebrim, kurse ai të paktën u përball. Por atëherë kur ti dhe TNM-ja jote mafioze kishe qejf të më kishte përballë që të më keqpërdorje, unë nuk jua dhashë këtë kënaqësi me konshiencë të plotë! Sepse unë Erion logjikoj e marr vendime me kokën time. Unë kam miq e shokë njerëz të thjeshtë, inteligjentë e të ndershëm. Unë nuk jam peng i partisë, qoftë edhe asaj times. Unë besoj tek logjika e arsyes dhe tek forca e fjalës, tek ajo që është e moralshme. Unë besoj në vlerat e Fëmijës Mbret dhe nuk jam i paskrupullt e pafe si ju! Një këshillë ke nga unë. Kush ngjitet lart shumë shpejt dhe në mënyrë të pajustifikuar, kur bie vritet keq! Dhe ti për fatin tënd të keq i je qepur me shpejtësi pemës së fikut që e ke fiksim, për të cilën populli thotë se ka rënie shumë të keqe!

KLSH: By pass-i i Fierit, dëmi 9.4 milionë euro

Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi auditim në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), për projektet “Ndërtimi i by pass-eve të Fierit dhe Vlorës” në të cilin u konstatuan pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, keqmenaxhim i fondeve, me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerë mbi 9.4 milionë euro, si dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e 3E-ve (efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit) me vlerë 0.8 milionë euro.
Projektet “Ndërtimi i by pass-it të Fierit dhe by pass-it të Vlorës”, ka si qëllim ndërtimin e një by pass-i me gjatësi 22 km në qytetin e Fierit dhe ndërtimin e një by pass-i me gjatësi 29 km në qytetin e Vlorës. Për realizimin e dy projekteve qeverisë shqiptare i është ofruar ndihmë ekonomike në formë huaje nga tre donatorë të huaj, bankat BEI, BERZH, Cooperacione Italiana, si dhe grand nga Komisioni Europian dhe nga fondet IPA 2011. Qëllimi i të dy projekteve  është të përmirësohet udhëtimi kohor dhe i sigurt, në veçanti përmes trafikut, si dhe për të lehtësuar kongjestionin dhe problemet mjedisore në qytetet e Fierit dhe Vlorës.
Gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi në lidhje me përcaktimet e bëra në kontratat e konsulencës, si dhe ato të punimeve civile, për sa i përket kryerjes së pagesave për punime të parealizuara, ndryshime të projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve për zëra të ndryshëm punimesh, si më poshtë:
ARrSh ka lidhur dy kontrata për “Ndërtimin e by pass(it) të Fierit”, me vlerë 39,866,012 euro (pa TVSH), dhe për “Ndërtimin e by pass(it) të Vlorës”, me vlerë 35,289,872 euro (pa TVSH). Nga auditimi u konstatua se afati i punimeve nuk është përmbushur për të dyja kontratat, deri në fund të muajit gusht 2016. Palët kanë rënë dakord që të bëjnë rishikim të afatit të përfundimit dhe kanë përcaktuar datën 04.04.2016. Në fakt edhe ky afat nuk është përmbushur dhe aktualisht kontrata e punimeve është në proces. Nga ARrSH nuk është marrë asnjë masë për të përcaktuar dhe për të rënë dakord me kontraktorin për përcaktimin e një afati për përfundimin e punimeve, si dhe për hartimin e grafikut të miratuar të punimeve. Aktualisht nga data 04.04.2016 midis ARrSH dhe kontraktorit, nuk ka një marrëdhënie kontraktuale të zyrtarizuar, ku të përcaktohej se kur parashikohen të përfundojnë punimet, si dhe të përcaktohen të gjitha të drejtat e detyrimet. Një fakt tjetër paradoksal është edhe ai që kontrata e mbikëqyrjes së punimeve për by pass-in Fier është me afat deri më datë 31.12.2016, situatë kjo e cila tregon për formalitet dhe veprime fiktive, si në menaxhimin e kësaj kontrate dhe të projektit. ARrSh nuk i ka paraqitur deri më sot kompanisë zbatuese asnjë pretendim “zyrtar” në lidhje me penalitetet që kjo shoqëri duhet të paguajë si pasojë e vonesave në kryerjen e punimeve dhe të cilat sipas përllogaritjeve të grupit të auditimit të KLSH-së arrijnë deri në 4,125,346 euro.
Me shkresën nr. 6275, prot. datë 27.07.2016 hyrje në ARRSH, është përcjellë urdhër sekuestro nga shoqëri përmbarimore mbi kreditë e kontraktorit të punimeve në shumën 247,504,223 lekë, për llogari të kompanive nënkontraktuese. Ekzistenca e urdhër sekuestros paraqet risk të lartë për përfundimin e projektit, në të cilin situacioni i pagesës së ndërmjetme nr. 14 që i përket muajit dhjetor 2015 e deri në periudhën e auditimit, kontraktori nuk ka paraqitur asnjë çertifikatë për pagesë, kjo për shkak të urdhrit të sekuestros. Palët nuk kanë dhënë argumente mbi mospërfundimin e investimit dhe nga dinamika e problemeve, menaxhimi i projektit pa afate të realizimit, jashtë marrëdhënieve kontraktuale, tregon një keqmenaxhim të kontratës së punimeve dhe të projektit në tërësi.
Kontraktori ka propozuar ndryshime të projektit të miratuara nga mbikëqyrësi i punimeve (njëkohësisht projektues i veprës), Këshilli Teknik i ARrSH, ku propozimet nga kontaktori kanë tjetërsuar plotësisht projektin origjinal të tenderuar, duke e denatyruar procedurën e tenderimit.
Nga auditimi, rezultoi se raporti hidrologjik-hidraulik fillestar i vitit 2011 për projektin “Ndërtimi i by pass-it Fier”, realizuar nga projektuesi, i cili njëkohësisht është edhe mbikëqyrësi i punimeve, krahasuar me raportin hidrologjik të paraqitur nga kontraktori, në vitin 2014, janë plotësisht të njëjtë. Në raportin e vitit 2014 nuk është pasqyruar asnjë ndryshim në lidhje me situatën hidrologjike-hidraulike të projektit, dhe si rrjedhojë nuk kuptohet se kush është logjika se përse “duhej” një raport në vitin 2014 kur raportet janë thjesht kopjime dhe se i vetmi ndryshim i tyre është logo e shoqërive që e kanë paraqitur.
Projekti hidrologjik i vitit 2014, është miratuar edhe nga konsulenti/mbikëqyrësi i punimeve, dhe si rrjedhojë ka miratuar raportin e hartuar nga vetë ai (konsulenti) në vitin 2011. E gjithë kjo praktikë tregon për veprime falsifikuese, fiktive dhe tepër formale, dhe si pasojë edhe ndryshimet e kërkuara dhe të miratuara nga Këshilli Teknik i ARRSH, për këtë pjesë (hidraulike) në Variation Order/Urdhër Ndryshimi (VO) janë të pabazuara dhe kanë si qëllim vetëm rritjen e kostos së zërave të punimeve dhe të kontratës së punimeve dhe për përfitim të padrejtë të kontraktorit.
Ndryshimi i kuotave të projektit të rrugës me të njëjtin studim hidrologjik-hidraulik, tregon një menaxhim të dobët të ARrSH dhe ka krijuar risk të lartë të mundshëm për përmbytjen në disa segmente të rrugës.
Për realizimin e komponenti B “Konsulentë dhe mbikëqyrje e punimeve të by pass Fier”, më datë 21.07.2010 është firmosur kontrata ndërmjet ARRSH dhe bashkimit të operatorëve “Sintagma srl & SWS Consultin Engineering srl &Tecnic spa”, me vlerë 715,800 euro. Për këtë kontratë është bërë shtesë në shumën 527,707 euro, e cila në shumë 142,410 euro është përballuar nga Cooperacione Italiana dhe pjesa e mbetur prej 385,297 do të përballohet nga buxheti i ARRSH. Në fakt nga auditimi u konstatua se ARRSH vetëm sa ka cituar në shkresat se shtesa e kontratës në shumën 385,297 euro do të përballohet nga buxheti i shtetit, por ndërkohë nuk është marrë asnjë masë për sigurimin e këtij fondi, nuk është kërkuar, argumentuar dhe nuk është ndërmarrë asnjë praktikë për sigurimin e shtesës në Ministrinë e Financave. Pra, rezulton se është lidhur shtesa e kontratës midis palëve, pa u siguruar më parë burimi i financimit, veprim ky në kundërshtim me marrëveshjet financiare të BEI dhe BERZH dhe me Ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” dhe Ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH” i ndryshuar.
Propozimet e ndryshimit të projekt-preventivit të by pass Fier, të miratuara nga mbikëqyrësi dhe ARrSH me vendimin 11, kanë ndryshuar kushtet e kontratës, termat e referencës së tenderit dhe specifikimet teknike, të cilat i kanë ardhur në favor kontraktorit në përfitime për zëra të rinj punimesh dhe teknologji tjetër pune në vlerën 4,898,076 euro.
Bazuar në çertifikatën e punimeve nr. 14 (dhjetor 2015) të by pass Fier, janë çertifikuar punime të parealizuara në terren dhe të pajustifikuara bazuar dokumentacionit të zbatimit të punimeve në vlerën 333,666 euro, veprimi është në kundërshtim me pikën 12.2 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës “Metoda e matjeve”.

Çfarë u konstatua nga auditimi?

Nga auditimi i KLSH u konstatua se kompania konsulente e by pass Fier, nuk ka plotësuar dhe dorëzuar në ARRSH ose në Drejtorinë e Tatimeve, formularët për shmangien e tatimit të dyfishtë, në zbatim të marrëveshjes bilaterale për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 92,386 euro.
Nga auditimi për by pass-in e Vlorës u konstatua se progresi i punimeve ka ecur me ritme shumë të ulëta. Situatën e dëshmojnë dhe shifrat e realizimit, ku realizimi fizik është në masën 5.6%, realizimi financiar në masën 14% dhe realizimi kohor në masën 60%, pra tregues të cilët janë në përpjesëtim të zhdrejtë me njëri-tjetrin dhe për rrjedhojë ka rritur riskun e mospërfundimit të tij (projektit) brenda afatit të përcaktuar.
Sa më sipër, në analizë të të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të kryera, KLSH arriti në konluzionin se ato janë kryer me qëllimin e favorizimit të kontraktonit duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit. Në zbatim të përcaktimeve të bëra në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenin 15/gj të Ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë kallëzimin penal nr. 817/13, datë 04.01.2017, ndaj z. E.N., në cilësinë e përgjegjësit të Sektorit të Zhvillimit të Projekteve të Huaja dhe të Brendshme në ARRSH (pa përjashtuar këtu edhe përgjegjësinë e personave të tjerë vendimmarrës në këtë institucion), me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Çmimi i energjisë për bizneset do rritet me 35%

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e reja të aksesit të bizneseve në rrjetin e shpërndarjes. Përveç çmimit të energjisë elektrike, bizneset që furnizohen në 35 kilovolt do t’i paguajnë edhe 1.5 lekë për kilovat tarifë OSHEE-së për përdorimin e rrjetit dhe bizneset 20 kilovolt do të paguajnë mbi çmimin 11 lekë të energjisë për kilovat edhe 3.9 lekë të tjera si tarifë përdorimi për rrjetin e OSHEE-së.
Me këtë vendim, të 6200 bizneset që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë për shkak të tarifës së re deri në 35% më shtrenjtë energjinë dhe 82 bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt do të paguajnë 15% më shumë.
Këto tarifa do të aktivizohen gjatë këtij viti dhe të parët që do të penalizohen nga rritja e çmimit të energjisë janë bizneset në rrjetin 35 kilovolt. Burimet nga OSHEE bëjnë me dije se në muajin shkurt është gati e gjithë infrastruktura teknike e sistemit të matjes për të nxjerrë në treg të lirë këto biznese. Kështu, muajin tjetër, bizneset e këtij grupi do të nisin të paguajnë një tarifë 11 lekë për kilovatorë, nga 9.5 lekë që paguajnë aktualisht, nga e cila 9,5 lekë është tarifë për çmimin e energjisë dhe 1.5 lekë tarifë për përdorimin e rrjetit të OSHEE-së.
Por ekspertët e OSHEE shpresojnë se bizneset do të mund të gjejnë furnizues me çmim më të lirë, e cila mund të amortizojë tarifën e re të përdorimit të rrjetit. Por bizneset e kësaj kategorie, më herët gjatë muajit nëntor 2016, pohuan për “Monitor” se, kishin dështuar të gjenin një furnizues privat energjie me çmime të logjikshme.
Ndërsa tarifat më të larta pritet t’i paguajnë bizneset e rrjetit 20 kilovolt. Numërohen rreth 6200 subjekte të tilla, të cilat pritet të dalin në tregun e pavarur në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Këto biznese do të paguajnë 14.9 lekë për kilovat, nga e cila 11 lekë është çmimi i energjisë për kilovatorë dhe 3.9 lekë për kilovat është tarifa e re që ERE miratoi pak ditë më parë për përdorimin e rrjetit të energjisë. Aktualisht ato paguajnë 11 lekë për kilovat.
Me ligjin e ri të energjisë, 6200 biznese që furnizohen në linjën 20 kv duhet të dilnin nga tregu në janar të këtij viti dhe 82 kompani të tjera që marrin energji në tensionin 35 kv duhet të kishin dalë që në korrik 2016.
Por, për shkak se infrastruktura teknike e sistemit të matjes nuk ishte gati, dalja në treg të lirë e konsumatorëve nga 35 kv është shtyrë për muajin që vjen dhe konsumatorët në 20 kv për gjashtëmujorin e dytë të vitit.

Protestuesit në Prishtinë duan lirimin e Haradinajt

Në Prishtinë është mbajtur një marsh protestues paqësor për lirimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Me moton “Ramush Haradinaj është Kosova”, protestuesit kanë marshuar nga qendra e Prishtinës deri te ambasada franceze, ku më pas janë shpërndarë të qetë.
Qytetarë të shumtë, organizata të veteranëve të luftës nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe përfaqësues të partive politike, kryesisht opozitare, i janë përgjigjur ftesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke kërkuar nga drejtësia franceze lirimin e menjëhershëm të Haradinajt.
Ramush Haradinaj është ndaluar nga policia franceze në Basel, të mërkurën, mbi bazën e një fletarresti të Serbisë, ku pretendohen dyshimet për krime lufte në Kosovë. Ardian Gjini, anëtar i kryesisë së AAK-së, ka thënë se arrestimi i Haradinajt nga autoritetet franceze me një fletarrest nga Serbia, është poshtërim për Kosovën.
“Nuk është drejtësi me mbajt një njeri që ka vendosur gurin e themelit të lirisë këtu. Edhe Franca edhe Sllovenia dhe Amerika edhe e gjithë bota e lirë i ruajnë gurët e themeleve të pavarësisë dhe të lirisë së vet, edhe ne duhet të ruajmë gurët e lirisë, pavarësisë dhe themelet e shtetit tonë”, ka thënë Gjini.
Ardian Gjini ka kritikuar qeverinë e Kosovës se nuk ka arritur të mbrojë qytetarët e vendit të vet.
“Ne nuk e kemi pasur një qeveri, e cila di të kujdeset për qytetarët e vet, që di të kujdeset për vlerat e lirisë dhe pavarësisë. Asnjë shtet nuk mund të ekzistojë nëse nuk kujdeset për vlerat e veta. Kjo qeveri ka lejuar që Serbia të na poshtërojë në vazhdimësi. Këto poshtërime duhet të ndalen”.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish-regjimit të Millosheviçit.
“Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish-regjimit të Millosheviçit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë ‘poternicat’ e tyre”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për rastin e Ramush Haradinajt.
“Grupi parlamentar i AAK-së, ka filluar nismën e thirrjes së një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për çfarë tashmë i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme, kjo pas situatës së krijuar me zotin Haradinaj, e me kërkesë që kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt, të konsiderohet detyrë shtetërore, si dhe të pezullohen bisedimet me Serbinë”, thuhet në një komunikatë për media të AAK-së.
Ramush Haradinaj është paraqitur para gjykatës, por deri në vendimin tjetër, gjykata është shtrënguar të presë kërkesat shtesë që i ka paralajmëruar se do t’i deponojë Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte.

Paskuqani kantier ndërtimi, Mziu inspekton punimet në investimet e Bashkisë

Kryebashkiaku i Kamzës inspektoi punimet në rrugën “Demokracia” në Paskuqan, me gjatësi rreth 7 km si dhe të tjera investime…
Pavarësisht mosfinancimit të projekteve nga qeveria, bashkia Kamëz me fondet e saja vazhdon investimet në infrastrukturë. Fakti që pjesa më e madhe e buxhetit 2016 ka shkuar për Paskuqanin, kjo njësi administrative aktualisht është kthyer në një kantier ndërtimi. Përpos mjaft investimeve në mjaft akse rrugore një nga investimet e rëndësishme që po kryen bashkia Kamzës është rruga “Demokracia” 7 km e gjatë që nis nga Ura pranë Universitetit Bujqësor deri në Babrru.
Në ditet e fundit tw vitit 2016, kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, prej ditësh ishte në terren duke inspektuar nga afër punimet që po kryhen në investimet në Paskuqan. Mziu inspektoi punimet në rrugën “Demokracia” në Paskuqan, me gjatësi rreth 7 km. Në projektin e hartuar nga specialistët e urbanistikës në Bashkinë Kamëz është parashikuar ndriçimi rrugor dhe gjelbërimi gjatë gjithë gjatësisë. Gjerësia e plotë e rrugës do të jetë 12 ml. Ndërkaq, ky segment rrugor i rëndësishëm për komunitetin e banorëve do të ketë trotuare në të dyja anët me nga 2 ml, të cilat do të bëhen me pllaka. Gjithashtu, kjo rrugë do të jetë e pajisur edhe me sinjalistikë horizontale dhe vertikale. Ky projekt është ndër më të rëndësishmit që ka hartuar Bashkia Kamëz për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonën e Paskuqanit. Kjo, për vetë faktin se ky segment rrugor bën lidhjen jo vetëm të mijëra banorëve të kësaj zone me Tiranën dhe Kamzën, por edhe të gjitha njësive administrative përreth.
Realizimi i projektit do të bëjë të mundur jo vetëm lehtësimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe të automjeteve, por do të jetë një shkak më shumë që kjo zonë të zhvillohet më tej, duke qenë se mund të shtohet numri i bizneseve të reja që do të hapen. Kjo do të sjellë edhe rritjen e numrit të të punësuarve dhe mirëqenien e komunitetit.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ka inspektuar punimet që po kryhen në Paskuqan 2, Vresht, ku po realizohet një nga investimet e Bashkisë, ndërtimi i rrugës dhe i rrjetit të kanalizimeve. Ky është një tjetër investim i rëndësishëm dhe i dobishëm për banorët e Paskuqanit, të cilin Bashkia Kamëz po e realizon me të ardhurat e veta.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ka inspektuar punimet që po bëhen në Paskuqan 2, Vresht. Në këtë zonë po kryhen disa investime. Një prej tyre është zgjerimi dhe ndërtimi i segmenteve rrugore në rrugët “Abdyl Frashëri” dhe “Abdyl Elmazi”. Për vitin 2016 pjesën më të madhe të investimeve e ka përfituar Njësia Administrative e Paskuqanit, ku po investohet në rrugë, kanalizime, në objekte arsimore e disa fusha të tjera. Të tjera investime janë realizuar nga Bashkia Kamëz në Paskuqan, siç është rrethimi i varrezave të vjetra publike në Babrru-Kodër; rrethimi i varrezave publike në Kodër e Kuqe, te shkolla “Tahir Sinani” Babrru; riparimi i sheshit dhe i urës në Fushë-Kërçik dhe rruga pranë shkollës “Vëllazërimi”; ndërtimi i KUN-së në Paskuqan 1, kanalizimet ne rrugen “Ibrahim Rrugova” etj.

Përse u arrestua Ramush Haradinaj?

Ka ende pikëpyetje se përse është arrestuar Ramush Haradinaj ku dy vendime të Gjykatës së Hagës e shpallin atë të pafajshëm?
Një gjykatë në Francë vendosi që ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të qëndrojë në paraburgim derisa Serbia të bëjë kërkesën formale për ekstradim. Ai u paraqit të enjten para një gjykate në qytetin Colmar të Francës lindore, një ditë pasi u ndalua nga policia franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.
Një zyrtare e gjykatës, tha të enjten se gjykata do të vendosë nëse zoti Hardainaj do të mbahet në paraburgim, apo do të lirohet nën mbikëqyrje, deri në shqyrtimin e urdhër arrestit të lëshuar nga autoritete serbe që e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.
Policia franceze e ndaloi zotin Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse, në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë.
Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndalimin e zotit Haradinaj e quajti krejtësisht i padrejtë dhe të papranueshëm.
“I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i zotit Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë. Ne pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi krenarë që kemi luftuar kundër ligjeve diskriminuese e kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviçit, ndërkaq drejtësinë tonë e vërtetoi edhe bota e lirë dhe demokratike kur ndërmori fushatën e bombardimit të caqeve serbe”, tha presidenti Thaçi.
Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha për Zërin e Amerikës, se shteti i Kosovës i ka mundësitë e fundit që të marr masa kundër fletëarresteve të Serbisë.
“Së pari duhet të tregojmë shenjat e para të reciprocitetit, duhet ta ndalojmë dialogun me Serbinë për shkak se sjellja e Serbisë kundrejt nesh është ekstremisht destruktive. Nuk duhet t’i lejojmë zyrtarëve serb që të vijnë të bëjnë vizita në Kosovë dhe kemi kërkuar nga autoritetet e drejtësisë së Francës që ta kuptojmë ashtu siç na kanë kuptuar gjithmonë,që këto fletë arreste të Serbisë nuk kanë fare të bëjnë me drejtësi dhe janë fletëarreste politike të lëshuara kundër shtetësisë së Kosovës, kundër udhëheqësve politik të Kosovës më të rëndësishmit që i ka, nuk ka të bëjë kjo me drejtësi”, tha zoti Gjini.
Autoritetet në Serbi thanë se do të kërkojnë dorëzimin e zotit Haradinaj. Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se prokuroria ka një “numër të lëndëve kundër Haradinajt dhe askush nuk ka të drejtë që të rrënojë vendimet e organeve të drejtësisë së Serbisë. Për mua do do të ishte e palogjikshme që Franca si shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”, tha kryeministri i Serbisë, vendi i të cilit e akuzon zotin Haradinaj për krime gjatë luftës kur ai ishte komandant i njërës nga zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftonte forcat serbe.
Ramush Haradinaj, është shpallur dy herë i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.
Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.
Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhërarresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Njohësi i çështjeve të Interpolit, Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë thotë se Serbia vazhdimisht ka plotësuar fletarreste ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Në bazë të rregullave të Interpolit janë disa lloje të fletarresteve, më i famshmi është “Red Notice” fletarresti i kuq, i cili merr formë përfundimtare dhe të gjitha vendet duhet ta zbatojnë. Këtë rast i ka rënë Francës ta zbatojë me arrestimin e zotit Haradinaj të një fletarresti që e ka plotësuar Serbia prej vitit 2004 dhe deri tash aktakuza është plotësuar”, tha ai.
Zoti Avdiu thotë se fletarrestet e Serbisë kanë të bëjnë më shumë me politike dhe zakonisht ato hidhen poshtë për shkak të mungesës së provave për vepra kriminale ndaj të arrestuarve.
Urdhër arrestet janë përgjegjësi e ministrive të Brendshme të vendeve anëtare të Interpol-it dhe organizata është e detyruar t’i zbatojë ato. Më pas u takon gjykatave të vendeve ku ndodhë ndalimi që të marrin vendim rreth zbatimit apo jo të kërkesave të shtruara në urdhër arrest.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.
Të enjten autoritetet në Prishtinë i bën thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të hequr urdhër arrestet ndaj ish qytetarëve të Kosovës.

Nishani: i pajustifikuar vendimi i Francës

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dënuar arrestimin në Francë të ish-Kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AKK Ramush Haradinaj. Gjatë një interviste në emisionin “Debati” të Roland Qafokut në ‘Channel One’, Presidenti e quajti të pajustifikuar arrestimin e Haradinajt nga autoritetet franceze. “Jam i keqardhur për arrestimin e Haradinajt, është arrestim i pajustifikuar. Ka fituar procesin gjyqësor në gjykatat ndërkombëtare. Haradinaj është luftëtar i lirisë, kontributor i procesit të paqes”, është shprehur Presidenti Bujar Nishani.
Kreu i shtetit shqiptar komentoi edhe deklaratën e sotme të Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, për të cilën u shpreh se nxit urrejtje. “Deklarata e Vuçiç sot nxit urrejtjen, koha e hegjemonise serbe mbi vendet e rajonit ka kaluar. Në Serbi ka qarqe hegjemoniste që pengojnë agjendën e paqes dhe bashkëpunimit”, deklaroi Nishani.
Ramush Haradinaj u arrestua dje në Francë në bazë të një urdhër-arresti serb të lëshuar disa vite më parë që e akuzon për krim lufte, për të cilat Gjykata e Hagës e ka shpallur të pafajshëm ish-Kryeministrin e Kosovës. Ndërsa dje, Gjykata franceze e la në paraburgim Haradinajn në pritje të kërkesës për ekstradim nga Serbia.

Berisha: Ndalimi i Haradinajt, akt i qarqeve albanofobe

Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për lirimin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili u arrestua dje nga autoritetet franceze. Urdhër-arrestin e lëshuar nga Serbia në vitin 2004, në kuadër të të cilit është arrestuar ish kryeministri i Kosovës, Berisha e cilëson “mandat hakmarrës primitiv të qarqeve raciste dhe albanofobe të Beogradit”.
“U bëj thirrje autoriteteve franceze të mos bien në kurthet bizantine serbe që punojnë vetëm për destabilizimin e rajonit, por të lirojnë menjëherë zotin Ramush Haradinaj pasi të gjitha akuzat e stisura të Beogradit janë hedhur poshtë si fund e krye të pa vërteta nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”, shprehet Berisha në reagimin e tij, përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook. Ish kryeministri Berisha gjithashtu i bën “thirrje BE-së të ndërhyjë menjëherë dhe të dënoje ketë qëndrim destabilizues të Beogradit në rajon”.

Lunaçek: Haradinaj është i pafajshëm

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, i bën thirrje Bashkimit Europian të enjten të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të tërheqë urdhër arrestin e vjetëruar tashmë.
“Të mbahet një urdhër arresti tashmë të vjetëruar që nga 2004 prej Serbisë, e cila nga ana e saj është në një dialog të drejtuar nga BE me Kosovën, është totalisht e papranueshme”,-ka deklaruar raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën Ulrike Lunacek, duke iu referuar arrestimit të kryetarit të partisë AAK, Ramush Haradinaj, në Basel.
“Unë nxis Përfaqësuesit e Lartë të BE, Nën Presidenten e Komisionit Federica Mogherini, gjithashtu edhe të 28 shtetet anëtare të BE dhe vecanërisht 23 vendet e BE që e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur, të gjejnë fjalët e duhura kundrejt Serbisë që ta bindin se urdhër arreste të vjetëruar si ky është e nevojshme që të tërhiqen. Haradinaj, sic e dinë të gjithë, është deklaruar i pafajshëm dy herë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish Jugosllavi”,-ka thënë Lunacek.
Policia Franceze ka burgosur liderin e AAK dhe ish Kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti Serb në pjesën Franceze të aeroportit Basel-Mulhouse të Mërkurën.

Media e të vërtetave dhe vlerave të lirisë

Sali BERISHA

Gëzuar 26-vjetorin e fjalës së lirë, daljen e numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”!
Të dashur miq, 5 janari është për ne shqiptarët dita e fjalës së lirë. Më dt. 5 janar 1991 u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, gazetës së fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe pas pothuaj gjysmë shekulli monizmi total në diktaturën hoxhiste. Në dallim nga vendet e tjera ish-komuniste, në të cilat u tolerua një lloj shtypi klandestin dhe një formë e kufizuar e pluralizmit të mendimit, në Shqipërinë hoxhiste, e shpallur me Kushtetutë si shteti i diktaturës së proletariatit, fjala e lirë, deri në vitin 1990 po të dilte nga goja ndëshkohej sipas nenit famëkeq 55 me shumë vite burg.
Kurse për një trakt të shtypur, autori dënohej dekada burg, në mos dhe pushkatim!
Në Shqipëri, pluralizmi i mendimit dhe pluralizmi politik lindën si të thuash si binjakë të Lëvizjes Studentore, revolucionit demokratik të dhjetorit 1990.
Kështu, fill pas themelimit të PD, Komisioni i saj Nismëtar, në njërën nga mbledhjet më të para të tij, në një vendim historik vendosi botimin e gazetës “Rilindja Demokratike” si gazetë e fjalës së lirë, organ i Partisë Demokratike si dhe miratoi bordin drejtues të përbërë nga gazetarë, publicistë, shkrimtarë, intelektualë të shquar.
Kryetar Bordi u emërua poeti i talentuar Preç Zogaj, një nga themeluesit e PD ndërsa kryeredaktor i gazetës u emërua gazetari i njohur Frrok Çupi. Gazetarë me eksperiencë dhe një grup studentësh aktivë në lëvizjen e dhjetorit do të nisnin punën në ekipin e gazetës, intelektualë të shquar të fushave të ndryshme të Tiranës do të ishin bashkëpunëtore të saj.
“Rilindja Demokratike” lindi me një mision të madh:
– si zë i të vërtetës në mbretërinë e mashtrimit;
– si rreze drite në hapësirën e errësirës gjysmë shekullore;
– si zëdhënëse e fjalës së lirë, anticensurës, por edhe e revolucionit demokratik antikomunist të viteve 1990;
– si zëdhënëse e interesit dhe çështjes kombëtare, deri atëherë të tradhtuar;
– si themeluese e shtypit të lirë, mësonjëtore e tij.
Numrin e saj të parë e pritëm si në ekstazë, në një natë të bardhë, pothuaj si një mesazh gjysmë hyjnor.
Fryma e hapur, guximi i ekipit të saj, përmbajtja, civiliteti i shkrimeve dhe uria gjysmë shekullore e shqiptarëve për fjalën e lirë e bënë “Rilindjen Demokratike”, që në numrat e parë, organ të të vërtetave të ndaluara, të mendimit të lirë, gazetën më të fuqishme, më të lexuar në tërë historinë e shtypit shqiptar. Në javët dhe muajt në vazhdim, “Rilindja Demokratike”, si një akullthyese do të eksploronte dhe thyente me sukses akujt në të gjitha territoret e ndaluara të psikologjisë së shoqërisë më moniste të Europës duke çliruar mendjet e ngrira prej dekadash nga tabutë që i mbanin të pushtuara.
Gazeta, që në numrat e parë përballoi me sukses armiqësinë e egër të partisë terroriste, nomenklaturës dhe organit të saj “Zëri i Popullit”. Duke qëndruar zëdhënëse e revolucionit demokratik e antikomunist të viteve ‘90, ajo iu rezistoi gjithashtu presioneve të pamerituara partiake për të qëndruar besnike misionit të saj kryesor; zëdhënëse e fjalës së lirë, zëdhënëse e të vërtetës.
Ajo vjen sot në 26-vjetorin e saj përsëri si organ i të vërtetës, transparencës, antimafies që përballet me vendosmëri dhe guxim me pushtetin më të korruptuar, më të inkriminuar në Europë, me qeverinë e tij, organizatë e vërtetë kriminale.
Me këtë rast, le të shprehim nderimin tonë më të madh, mirënjohjen tonë më të thellë ndaj të gjithë atyre që themeluan, formuan dhe drejtuan e drejtojnë dhe sot “Rilindjen Demokratike” si organ i të vërtetave dhe vlerave të mëdha të lirisë! Gëzuar!! sb