26.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Tensionohet situata pas arrestimit të Haradinajt

Një anëtar i kryesisë dhe njëkohësisht zëdhënës i AAK-së, Muharrem Nitaj, i tha Radios Evropa e Lirë se pritet që “Haradinaj të dalë (të enjten) përpara organeve të drejtësisë në Francë”.
Një burim i gjyqësisë në Francë i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se hetuesit, të enjten, do të fillojnë shqyrtimin nëse kishte arsye që të mos zbatohej kërkesa për ekstradim, posaçërisht nëse ajo është lëshuar për qëllime politike.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën nga policia franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia e Serbisë. Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, i tha Radios Evropa e Lirë se, “komunikimi me autoritetet franceze gjatë ditës është intensifikuar” dhe se kjo është tani “çështje ligjore”.
“Tani është çështje e procedurave ligjore dhe përmbylljes së tyre”, tha Murtezaj. Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi i tha Radios Evropa e Lirë se Haradinaj është ndaluar në aeroportin e Baselit në pjesën franceze.
“Atë që ne e dimë është se ai është ndaluar nga autoritetet franceze dhe është në pritje”, tha Arifi.

Kosova kërkon lirimin e Haradinajt

Ndërkohë, autoritetet në Kosovë thonë se kanë vënë kontaktet me autoritetet në Francë për lirimin e zotit Haradinaj.
Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi, tha se, “të gjitha dikasteret kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë”.
Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë thonë se kanë nisur “përmes ambasadës në Paris notat verbale dhe kërkesat për lirimin sa më të shpejtë të zotit Haradinaj”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një publikim në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se “ndalimi i zotit Haradinaj është i dënueshëm dhe i papranueshëm”. “I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i z. Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhërarresti të shtetit të Serbisë” , shkruan Thaçi.

AAK, thirrje qeverisë së Kosovës të ndërpresë komunikimin me Serbinë

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një kumtese të saj e ka cilësuar si një “veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm” ndalimin e zotit Haradinaj.
“U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritetet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë”, thuhet në kumtesë.
AAK i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që, siç thotë, “të ndërpresë çdo komunikim me Serbinë derisa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës”.
Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të fletarrestit të Policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.
Zoti Haradinaj u shpall në vitin 2012 i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi. Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës gjykatë, e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës. Ai iu dorëzua vullnetarisht Gjykatës së Hagës, pasi Prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.
Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.

Edita Tahiri kërkon reciprocitet me Serbinë

Kosova duhet të aplikojë masa reciprociteti ndaj Serbisë në lidhje me fletarrestimet, të cilat po i mban në fuqi, ka deklaruar ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Këto komente ajo i ka bërë gjatë një prononcimi për Radion Evropa e Lirë pas ndalimit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Basel, nga policia franceze, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.
Masat e reciprocitetit, sipas Tahirit, mund të zbatohen në Kosovë për personat e kërkuar nga Serbia, të cilët dyshohen për përfshirje dhe kryerje të krimeve të luftës në Kosovë. “Ne duhet të zbatojmë masa reciprociteti. Fundja, Serbia është ajo që ka kryer gjenocid këtu dhe krimet më të rënda ndaj njerëzimit”, ka thënë Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
“Përderisa ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, shteti serb sillet në këtë mënyrë, sigurisht që kjo sjellje e kërkon edhe një përgjigje adekuate nga ana jonë”, është shprehur Tahiri.
Ministrja për Dialog, ka pranuar se fryma e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është cenuar javët e fundit.
“Serbia i ka shpeshtuar sjelljet e saj destruktive, të cilat po e dëmtojnë procesin e dialogut, i cili si qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ajo.
Si sjellje të tilla destruktive, Tahiri ka veçuar ndërtimin e murit në Mitrovicë, reagimet në raport me hapjen e zyrës së qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe së fundit edhe mbajtjen në fuqi të fletarrestimeve përmes INTERPOL-it, siç ishte rasti i ndalimit të Ramush Haradinajt në Basel nga policia franceze.
“Kemi të bëjmë me një periudhë, e cila vërtet është brengosëse dhe shqetësuese si për ne ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Për një sjellje të tillë të Serbisë, i kam shkruar edhe Bashkimit Evropian, duke apostrofuar ndalimin e Ramush Haradinajt”, ka deklaruar Tahiri.
Për Bashkimin Evropian, dialogu, sipas Tahirit, është një mundësi e mirë për të shtuar presionet mbi Serbinë, ngase normalizimi i raporteve me Kosovën mbetet kusht për integrimin e saj në BE.
“Ne do të vazhdojmë me kërkesat tona që BE-ja të ketë qasje dhe intervenim të efektshëm në mënyrë që të bëhet lirimi i Ramush Haradinajt e në anën tjetër në instancat më të larta shtetërore, sigurisht që do të reflektojmë ndaj kësaj situate dhe shkeljes së frymës së dialogut për fqinjësi dhe paqe në rajon nga ana e Serbisë dhe më pas sigurisht se do të dalim edhe me qëndrime zyrtare”, ka deklaruar Tahiri. Por, në çdo rast, për pozicionin zyrtar të Kosovës në raport me dialogun e Brukselit, Tahiri ka thënë se vendimi duhet të merret nga instancat më të larta politike të shtetit.
“Ne kemi kërkuar qysh më 2011 futjen në axhendë të çështjes së fletarrestimeve të Serbisë, por për këtë temë nuk është pajtuar Beogradi, dhe siç e dini, një pikë nuk mund të futet në dialog nëse nuk ka pajtim të të dyja palëve”.
Pas ndalimit të Haradinajt nga policia franceze, veprim ky që nuk ishte i pari, pasi që skena të ngjashme u kanë ndodhur si Haradinajt ashtu edhe figurave të tjera të kërkuara nga Serbia përmes INTERPOL-it, në Prishtinë ishin shtuar kërkesat për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Por, siç ka thënë Tahiri, një vendim të tillë, mund ta marrin vetëm instancat më të larta të shtetit të Kosovës.

Serbia nuk beson tek ekstradimi i Haradinajt

Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka njoftuar se ka mbledhur prova shtesë në funksion të plotësimit të akuzave ndaj liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të mërkurën është ndaluar në aeroportin e Baselit nga policia franceze.
Ndalimi i tij, është bërë mbi bazën e një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, në vitin 2004.
Kreu i Prokurorisë serbe për krime lufte, Milan Petroviç u ka thënë mediave në Beograd se është i kënaqur me faktin që fletarrestimet e lëshuara nga Serbia po zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian.
Por, ai është shprehur skeptik se kërkesa e Beogradit për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, do të mund të zbatohet sipas procedurave të shpejta.
“Serbia nuk mund të bëjë këtu asgjë, ngase procesi i ekstradimit të shpejtë varet nga personi që është arrestuar. Pra, ekstradimi i shpejtë mund të bëhet vetëm me pëlqimin e tij, në të kundërtën, kjo zgjat mjaft kohë”, ka thënë Petroviç.
Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.

Basha mesazh për mediat: Bashkë për zgjedhje të lira

Lulzim BASHA

5 janari është dita e shtypit të lirë shqiptar. Nuk ka qenë dhe nuk është nevoja të shpallej me ndonjë vendim a dekret të veçantë. E njeh të tillë vetë historia e shtypit tonë të lirë.
Ku nisi?
Ja, përgjigjja e kësaj pyetjeje na mbledh çdo vit në këtë takim nderimi dhe respekti për gjenezën, për pikënisjen. PD dhe unë si kryetar i saj kemi kënaqësinë të ndajmë jo vetëm me “RD”-në, por me gjithë median shqiptare këtë ditë historike. Përpjekjet e njerëzve që e themeluan dhe e rritën “Rilindjen Demokratike” janë shembull i jashtëzakonshëm i kurajos dhe sakrificës për ta nxjerrë vendin nga dhuna, izolimi, gënjeshtra dhe shtypja politike dhe për të ndërtuar një të ardhme të lirë, të denjë dhe europiane.
Përpjekjet e tyre janë shembulli më i shkëlqyer i shërbimit të njerëzve të medias ndaj të vërtetës, ndaj interesit publik.
Sikurse dua t’u shpreh mirënjohjen gjithë gazetarëve e analistëve pavarësisht pozicioneve që mbajnë, për kontributin e tyre në gjithë këto vite.
5 janari i vitit 1991 solli bijën e parë të lirisë së medias, e sot kemi një shpërthim të lirisë, me gazeta, radio, televizione moderne, portale nga më të larmishmet, që përbëjnë botën e medias shqiptare, opozitare, proqeveritare, të djathtë, të majtë, të qendrës, të lirë, e kështu me radhë.
Media shqiptare ka qenë dhe mbetet në pararojë të Shqipërisë europiane. Është fakt se media ka mbërritur para politikës, para institucioneve dhe vetë shoqërisë sonë në stacionet e integrimit europian të vendit.
Nderim për gjithë gazetarët, për gjithë publicistët, për gjithë mediat që kanë qenë dhe janë pjesë e këtij udhëtimi të vështirë, por të bukur dhe fisnik.
Media shqiptare në tërësinë e saj ia ka dalë të qëndrojë si një nga shtyllat e lirisë, pavarësisht përpjekjeve që ka bërë e bën pushteti apo bota e krimit për t’i mbyllur gojën, për ta trembur, për t’i diktuar censurën ekonomike, për ta kapur.
Në emër të opozitës dhe si qytetar i këtij vendi unë përshëndes dhe mbështes fuqishëm lirinë e medias dhe median e lirë shqiptare; mbështes pluralitetin dhe profesionalizmin e saj; mbështes përpjekjet e çdo gazetari, analisti apo botuesi për të ruajtur pavarësinë dhe busullën e interesit publik.
“Liria jonë varet nga liria e mediave”, ky postulat i Thomas Jeferson vazhdon të tingëllojë i vërtetë për çdo demokraci, pavarësisht nga vendi dhe mosha e saj. Ja përse në konceptin dhe bindjet e mia, liria e medias, si e mirë publike, është një detyrë dhe një gur prove për çdo politikan dhe shtetar.
Kush tundohet ta cenojë lirinë e medias, e ka me Lirinë. Kush shërben lirinë e medias shërben Lirinë. Besoj se këto takime do të ishin zbehur përgjatë viteve nëse 5 janari do të mbetej vetëm në përmasën e nderimit apo nostalgjisë. Ku jemi? Ku do të shkojmë? Cila është e ardhmja? Ne mblidhemi sonte edhe për këtë. Është një analizë që e bën çdo media për llogaritë e saj. E bëjnë e duhet ta bëjnë edhe institucionet e demokracisë, pra edhe opozita.
Korrupsioni në sistem, krimi në sistem, klientelizmi në sistem, arroganca dhe arbitrariteti i skajshëm, janë sfidat dhe dorashkat që na ka hedhur të gjithëve në fytyrë pushteti i sotëm: opozitës, medias, shoqërisë civile, shoqërisë shqiptare. Kjo është qeveria që edhe kur kapet duke abuzuar e vjedhur, me presh në duar, me fakte dhe shifra të pakundështueshme, na thotë ne, ju thotë ju, ju thotë qytetarëve “pse hidhni baltë”.
Kjo është qeveria e mjerimit dhe përkeqësimit, që i kërkon popullit të këndojë për të! Një qeveri si kjo, kërkon të mundë njerëzit e t’u mbyllë gojën me të keqen e saj. Opozita e refuzon këtë cinizëm ekstrem të qeverisë. Media lypset ta refuzojë dhe neverisë nga pozicioni i vet.
Sonte do të doja të dalim nga pozicionet, e të afrojmë qëndrimet për disa çështje që nuk kanë ngjyrim politik, por janë standarde të etikës demokratike. Së pari, diversiteti i opinioneve si vlerë, por jo si burim mjegulle për të fshehur të vërtetat që janë çështje faktesh dhe shifrash konkrete.
E kam fjalën për të vërtetat e thjeshta, të pandshme, logjike. Nuk ka dy të vërteta për drogën. Ka vetëm një. Pesëfishim i sipërfaqes së mbjellë, në vitin 2016. Nuk ka dy të vërteta për bosët e drogës. Ka vetëm një: nuk kapen dhe këtë nuk e pengon Vettingu. E pengon qeveria, ministri i Brendshëm, Kryeministri.
Kujt ia paguajnë paratë për çdo rrënjë droge trafikantët? Shoqërisë civile? Mediave? Apo opozitës? Ka vetëm një të vërtetë për këtë.
Nuk ka dy të vërteta për botën e korrupsionit dhe krimit dhe: ka vetëm një. Kudo ku vidhet me tendera dhe koncesione, janë njerëzit e qeverisë dhe Kryeministrit. Nuk ka të tjerë! Kush i hodhi në xhepa klientësh mbi 300 milionë euro gjasme të shëndetësisë? Kush? Qytetarët, pacientët, opozita, gazetarët? Ka vetëm një të vërtetë për këtë.
Kudo ku lartësohen ndërtime pa leje, kudo ku shqyhen, tjetërsohen e përvetësohen prona në mënyrë kriminale, janë njerëzit e lidhur me qeverinë, është krimi me pushtet.
Nuk ka dy të vërteta për rrogat dhe pensionet në tërësi. Ka vetëm një: nuk janë rritur asnjë qindarkë.
Nuk ka dy të vërteta për hapjen e negociatave: ka vetëm një. Nuk hapen sepse nuk janë përmbushur standardet dhe sepse kemi zgjedhjet përpara dhe qeveria nuk ka besueshmërinë se mund t’i zhvillojë sipas standardeve.
Europa kërkon provën. Ora e provës po vjen.
Meqë jemi te zgjedhjet, unë u bëj thirrje të gjitha mediave të vendit, pa asnjë dallim, përfshirë mediat që janë kritike e shumë kritike me opozitën apo me mua: të bashkohemi sot në një angazhim të përbashkët për zgjedhje të lira e të ndershme:
– të luftojmë së bashku kundër çdo forme të riciklimit direkt apo indirekt në politikë të individëve me rekorde kriminale që ligji i dekriminalizimit i nxjerr nga dera, por vullneti i mbrapshtë i atyre që i promovuan në politikë po kërkon t’i fusë nga dritarja, me bedelë e me forma të tjera.
– të luftojmë së bashku për të zhdukur njëherë e mirë shitblerjen e votës si atentati më i madh që mund t’u bëhet zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Dua të pohoj para jush se si opozitë, prej të vërtetës ekzistojmë dhe prej saj do të fitojmë. Këtu kam parasysh edhe të vërtetën që lidhet me punën, me sjelljen, me qëndrimet e opozitës. Kam qenë, jam dhe do të jem kurdoherë i hapur, bashkëpunues dhe mirëkuptues me mediat, me kritikat e saj. Vizioni im i hapjes së PD-së e përfshin këtë dimension: hapjen ndaj mendimit të lirë, hapjen ndaj mendimit ndryshe, hapjen ndaj medias pa dallim, hapjen ndaj kritikave.
Refuzimi i kritikës është refuzimi i vetë idesë së ndryshimit. Kjo është një nga pikat ku unë dëshiroj të bëj ndryshimin.
Besoj dhe uroj që kjo ditë të shënojë bashkëpunimin e ri të opozitës me median e lirë në funksion të së vërtetës, për të mirën e lirisë dhe interesit publik. Mirëse keni ardhur sonte. Gëzuar të gjithëve ditën e shtypit të lirë. Vit të mbarë për ju dhe mbarë shqiptarët.

Ronaldo i jep fund pushimeve

Zinedine Zidane i ndërpret pushimet Cristiano Ronaldos. Trajneri i Realit të Madridit vendosi ta linte jashtë 11-shes së titullarëve yllin e klubit madrilen për takimin kundër Sevillas, i vlefshëm për Kupën e Mbretit, kjo edhe për faktin se sulmuesi është me pushime. Sidoqoftë, tekniku ka vendosur që 4 herë fituesi i “Topit të Artë” t’i japë fund periudhës së relaksit dhe ka deklaruar se të shtunën në takimin kundër Granada-s, Ronaldo do të jetë në fushë që nga minuta e parë. Gjithashtu, ai shtoi se portugezi ka pasur mjaftueshëm pushime për të rikuperuar fuqitë e tij.
“Për Cristiano Ronaldon nuk do të ketë më pushime. Besoj se edhe ai vetë është dakord me këtë që them unë. Në takim e së shtunës kundër Granada-s, ai do të jetë titullar. Jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për shumë të tjera. Ai është një futbollist që bën diferencën dhe skuadra ka nevojë për të”, tha ai. Më tej, Zidane vlerësoi skuadrën për paraqitjen dhe fitoren e thellë me rezulatin 3-0 kundër Sevillas. Sipas tij, kjo fitore i bën mirë ekipit në prag të rinisjes së kampionatit.

14 sfidat që do të vendosin fatin e kampionatit

Tottenham i dha fund serisë prej 13 ndeshjesh pa humbje për Chelsean, por më shumë se rekordi  i Bluve, skuadra e Pochetinos ndali rrugëtimin e djemve të Antonio Contes drejt titullit, duke injektuar sërish rivalitet për vendin e parë të Premier League. Liverpooli i vendit të dytë mbetet 5 pikë më pak, ndërsa Tottenham dhe Manchester City ndjekin me 7 pikë më pak. Deri në fund të sezonit çdo 90 minutësh do të jetë shumë i rëndësishëm në garën e titullit, por në veçanti janë 14 sfida që mund të rezultojnë vendimtare. Fillimisht Liverpool udhëton drejt “Old Trafford” ashtu si edhe Chelsea që do të vizitojë shtëpinë e Manchester United, ndërsa në 21 janar, Manchester City pret Tottenham.
Një duel mjaft i nxehtë do të jetë edhe ai mes Liverpool e Chelseat në 31 janar dhe janë pikërisht blutë që 4 ditë më vonë presin në “Stamford Bridge” Arsenalin për derbin e Londrës. Nuk ka pushim as për Liverpoolin që e presin dy muaj zjarri, pasi në 11 shkurt, të besuarit e Jurgen Klopp presin Tottenham, ndërsa në fundin e muajit të dytë të vitit 2017, “Etihad Stadium” hap dyert për derbin e Manchesterit që do të vendosë jo pak për fatet e këtij sezoni. Në 18 ditët e para të marsit, Liverpooli do të ketë sërish një kalendar të fortë me Arsenalin që do të vizitojë qytetin-port, ndërsa në 18 mars “The Reds” sfidojnë Manchester City-n që do të vazhdojë kalendarin me dy sfida të rëndësishme kundër Arsenalit dhe Chelseat në transfertë. 4 duelet e fundit që mund të vendosin shumë për fatet e titullit janë Manchester United-Chelsea, Tottenham-Arsenal, Arsenal-Man. United dhe në datën 13 maj Tottenham do të presë Manchester United në “White Heart Lane”.

Ndërhyn qeveria

Qeveria kineze ka urdhëruar sot ndalimin e pagesave të çmendura për afrimin e futbollistëve të huaj, si për t’i blerë, ashtu edhe për rrogat e tyre. “Do të ndërmerren masa ndaj investimeve joracionale, ndërsa qeveria do të rregullojë dhe kufizojë blerjet me çmime të larta dhe të bëjë kufizime të ndjeshme rreth të ardhurave të futbollistëve”, u shpreh dje një zëdhënës i administratës shtetërore të sportit.
Klubet të cilat nuk do të përshtaten me rregulloret do të përjashtohen nga Superliga kineze, e cila në fakt ka shpenzuar më shumë se klubet angleze për t’u përforcuar para fillimit të sezonit të ri. Emra si Oskar dhe Tevez u transferuan përkatësisht te Shangai SIPG dhe Shangai Shenhua, duke u kthyer menjëherë ndër më të paguarit në rruzullin tokësor. Tevez është rekordmeni i ri, pasi do të përfitojë 38 milionë euro në sezon, ndërsa Oskar “vetëm” 24 milionë euro, gjithsesi më shumë se sa përfitojnë aktualisht si rrogë Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi.
Që nga momenti kur presidenti i Kinës, Xi Jinping, deklaroi se ëndërronte që një ditë të shihte Kinën duke organizuar e fituar një Botëror, ka filluar një fluks i ndjeshëm të ardhurash në futbollin kinez, që tashmë duket se ka dalë plotësisht jashtë kontrollit.
Pa dhënë shifra të sakta, zyrtari i agjencisë që kontrollonte sportin në këtë vend, tha sot se qeveria do të vendoste “tavan” si për shifrat me të cilat mund të bliheshin futbollistët, ashtu edhe rrogat e tyre.
“Objektivi ynë duhet të jetë ndërtimi i klubeve 100-vjeçare”, tha ai, duke shtuar se do të kishte kontrolle më të rrepta mbi situatën financiare të klubeve dhe duke përsëritur se çdokush që nuk do të përshtatej me këto rregulla të reja, do të përjashtohej nga kampionati.
Nëse mendoni se kinezët e kanë ekzagjeruar me transferimin e Oskar dhe Tevez në Kinë, duke u vënë rroga të çmendura, pritni derisa të dëgjoni se çfarë janë të gatshëm të bëjnë ata për të siguruar Uejn Runin. Oskar u transferua nga Çelsi te Shanghai Shinhua, ku do të përfitojë 417 mijë euro në javë. Por aziatikët tashmë kërkojnë Runin dhe janë gati t’i paguajnë dyfishin e kësaj shume.
Sipas “Mirror”, sulmuesi i Anglisë ka marrë dy oferta të njëpasnjëshme nga klubet kineze të Guangzhou Evergrande dhe Beijing Guoan. Nëse i thotë “po” cilitdo prej tyre, do të fitojë 800 mijë euro në javë, ose më shumë se 42 milionë euro në vit.
Transferimi i tij nga Mançester Junajtid do të ishte relativisht i thjeshtë, mjafton që të jetë dakord, pasi ai ka klauzolë largimi në kontratën që i përfundon në vitin 2019. Ajo kushton vetëm 12 milionë euro, shifër që mund ta paguajë vetë Runi pa problem pa mbaruar gjysmën e vitit të parë në kampionatin aziatik.

UEFA publikon skuadrën më të mirë të vitit 2016

Ndjekësit e faqes së internetit të UEFA-s, “UEFA.com”, kanë dhënë verdiktin e tyre sa i përket formacionit më të mirë në Europë për vitin 2016.
649,701 persona të regjistruar në faqen e internetit të UEFA-s votuan përmes llogarive të tyre për 11 lojtarët që duhet të bëjnë pjesë në skuadrën e vitit, dhe tashmë organi më i lartë qeverisës i futbollit në Europë ka publikuar rezultatet.
Reali i Madridit është skuadra që ka më shumë futbollistë në përbërje, më saktësisht 4, dhe ndiqet nga Barcelona me 3, Juventusi me 2 dhe Bajerni me Atletikon me nga vetëm 1 lojtar.
Skuadra më e mirë e vitit 2016 e zgjedhur nga fansat në “UEFA.com”
Porta: Xhanluixhi Bufon (Juventus)
Mbrojtja: Serxhio Ramos (Real Madrid), Zherard Pike (Barcelona), Zherom Boateng (Bajern Mynih), Leonardo Bonuçi (Juventus)
Mesfusha: Andres Iniesta (Barcelona), Toni Kros (Real Madrid), Luka Modriç (Real Madrid)
Sulmi: Kristiano Ronaldo (Real Madrid), Lionel Mesi (Barcelona), Antuan Grizman (Atletiko Madrid)

De Bur qan hallin e ndihmësve të tij

Ajax coach Frank de Boer event:428

Frank De Bur ka refuzuar oferta të njëpasnjëshme për të marrë drejtimin e skuadrave të ndryshme, disa prej tyre shumë prestigjioze. Trajneri holandez ka pranuar se nuk ka kaluar ende mërzinë e largimit nga drejtimi i Interit, që rezultoi një zgjedhje plotësisht e dështuar e tij dhe klubit zikaltër.
Por më shumë se për veten, ai duket i mërzitur për ndihmësit e tij, të cilët sigurisht nuk janë po aq të paguar sa trajnerët.
“Dy ditë pas shkarkimit tim kishte ndonjë klub që kontaktoi Guide Albes, menaxherin tim. Por në atë moment nuk kisha asnjë dëshirë që të kthehesha në drejtim. Shumë klube bënë propozime edhe para se të shkoja në Itali, por Interi është një klub i njohur ndërkombëtar dhe një shoqëri e madhe”, shpjegoi De Bur për “Fox Sports”.
“Unë personalisht kam zhgënjyer njerëzit, të cilët ndërmorën këtë udhëtim me mua. Kështu e ndjej këtë situatë. Trajneri fiton më shumë dhe merr pjesën më të madhe të nderimeve, por asistentët janë ata që japin gjithçka për të. Pastaj pas 85 ditësh u detyruan të bënin gati valixhet. Është një kokëçarje se të duhet të ndërrosh shtëpi, etj. Kjo më bën të ndjej më shumë trishtim”, deklaroi holandezi i cili me sa duket do të mendohet mirë para se të zgjedhë aventurën e radhës për karrierën e tij.

Milan-Inter, derbi edhe në merkato

Milano “kineze” është gati të hapë një betejë të pastër. Nëse nga njëra anë drejtuesit e Interit tashmë e kanë treguar forcën e tyre financiare dhe janë gati të mos kursehen për asnjë lojtar që, sipas tyre, mund të rrisë nivelin e skuadrës, nga ana tjetër edhe krerët e rinj aziatikë të kuqezinjve po japin sinjale të qarta se janë gati që të investojnë bindshëm, duke nisur nga disa prej emrave më të fortë që ofron futbolli italian, por në të njëjtën kohë edhe për mundësitë që garanton Europa.
Duke iu referuar “Gazzetta dello Sport”, Milani dhe Interi kanë tri objektiva të përbashkët, të cilët do t’i synojnë që në këtë sesion të janarit, por natyrisht që bisedimet do të vazhdojnë edhe me perspektivën e merkatos së verës. Lojtarët në fjalë janë tre anësorë; Federiko Bernardeski i Fiorentinës, Domeniko Berardi i Sasuolos dhe Zherard Deulofeu i Evertonit.
Bernardeski
Pista që të dërgon te ylli i vjollcëve është shumë e nxehtë, sepse 22-vjeçari është në shënjestrën e gjysmës së klubeve të Europës, por natyrisht që një rol prej lideri në dy skuadrat e Milanos nuk do të ishte keq për të bërë hapin e parë të madh të karrierës.
Bernardeski, i cili nuk ka pranuar rinovimin me Fiorentinën, pëlqehet shumë nga Montela, që i hapi dyert e arenës së Serisë A dhe madje, për ta bërë të tyrin, “Djalli” është gati që të sakrifikojë edhe mbajë Niangun, duke e dërguar francezin në Firence. Ndërkohë, në Milano janë gati të paguajnë 25-30 milionë euro, për të mos ndeshur asnjë pengesë rrugës, ndaj beteja pritet e ashpër, pa menduar edhe konkurrencën e Juventusit, PSG-së, Bajernit, Totenhemit, Çelsit e Arsenalit.
Berardi
Mëngjërashi i Sasuolos është gjithashtu një dëshirë e vjetër e kultivuar prej vitesh. Por, nëse ndaj lojtarit ka qenë gjithmonë i madh interesi dhe një klauzolë që i jepte Juventusit të drejtën e fjalës së fundit mbi lëvizjen e futbollistit, tashmë situata ka ndryshuar dhe Milani e Interi janë gati ta bëjnë të tyrin. Edhe pse pa dyshim që te kuqezinjtë ai do e kishte të sigurt vendin e titullarit, fakt është që vetë Berardi ka pranuar se është një tifoz zikaltër dhe në këtë pikë duket grupi “Suning” favorit për të gjetur një akord.
Deulofeu
Një tjetër mundësi për të përforcuar krahët dhe repartin ofensiv është Zherard Deulofeu. Spanjolli është nxjerrë jashtë skuadre nga trajneri i Evertonit që më datë 10 dhjetor, pas një ndeshjeje me Uotfordin dhe me blutë, të cilët ua kanë ofruar disa klubeve, mes të cilëve edhe milanezëve.
Por nëse administratori i Milanit, Adriano Galiani, ka ofruar vetëm huazimin me të drejtë blerjeje, Evertoni kërkon të paktën klauzolën e blerjes së detyruar, diçka për të cilën mund t’ia garantojnë “kushërinjtë” e Interit, por gjithmonë nëse nga Milano zikaltër largohet një mes Ederit, Palasios dhe Jovetiçit.

Frrok Çupi: Sot ka shumë media dhe pak fjalë të lirë

Ishte shumë më tepër se sa një gazetë partie. Ishte fjala e parë, ishte dita e parë e lirisë. Ishte “Rilindja Demokratike”. Si dje 26 vite më parë, doli numri 1 i gazetës së shumëpritur “Rilindja Demokratike”, gazetë e të parës parti opozitare, Partia Demokratike, e themeluar në dhjetor të vitit 1990. 14 ditë pas themelimit të partisë, më 5 janar 1991, doli numri i parë i gazetës “Rilindja Demikratike” me sloganin “Liria e gjithsecilit të bëhet garancia e lirisë së të gjithëve”.
Në numrin e parë kishte ende frikë për t’u shprehur lirshëm, sepse regjimi ishte ende i fortë. Hamendësohej nëse do të dilte numri i dytë apo jo, por kishte etje e dëshirë për fjalën e lirë, por edhe premtim për të mos e cenuar atë. Atje ndjehej fryma e lirisë. Jemi 26 vjet më vonë dhe duket sikur në atë kohë ekzistonte fjala e lirë, por mungonte media. Ndërsa sot ndodh e kundërta, ka shumë media, por pak fjalë të lirë.
“Ka gazeta që lindin të qeta në çaste të zakonshme kalendarike. Por, ka gazeta që lindin mes dhembjesh në momente historike të veçanta, siç lindin ditët e veçanta të papërsëritshme”, shkruante Dritëro Agolli në numrin e parë të “RD”-së. Protagonistë të kohës dëshmojnë për emocionet që shoqëruan përgatitjen e numrit të parë të kësaj gazete dhe për detaje të natës, kur të nesërmen do të dilte numri i parë i gazetës “RD”. Kemi zgjedhur pjesë nga intervista e kryeredaktorit të parë të kësaj gazete, Frrok Çupi, për të na rrëfyer detaje të “ditës së parë të lirisë”. Një intervistë dhënë për librin “Pardesytë e bardha”, Çupi flet me shumë emocion për krijesën e tij më të dashur: “Rilindjen Demokratike”.

– Gazeta “Rilindja Demokratike” është një ndër lajmet më të rëndësishme të ditëve të para të themelimit të Partisë Demokratike dhe ju ishit kryeredaktor i parë i saj…?
Gazeta “Rilindja Demokratike” është ngjarje unike për Shqipërinë. Deri ditën kur doli në dritë “Rilindja Demokratike”, 5 janar 1991, nuk kishte pasur kurrë një gazetë të lirë përballë diktaturës. Deri ditën kur doli “RD”, fjala ishte konsideruar krim. Ligji penal i diktaturës komuniste, në nenin 55, e dënonte fjalën (jo fjalën e lirë, sigurisht, sepse as që njihej ky koncept), me 25 vjet burgim politik. “Fjala” do të thotë që dikush nuk ka mendje dhe lëshon fjalët “kohë e keqe sot”. Mund të ishte mot me borë e suferinë, por Partia nuk e kuptonte kështu “kohën e keqe”. Koha ishte e Partisë (komuniste të diktaturës) dhe askush nuk mund të thoshte për shembull, “kohë e keqe”. Fjalët e tjera me kuptim realiteti, domethënë, që të flisje se nuk të mjaftonte ushqimi, se lufta e klasave po të drobiste, se izolimi të kishte shkuar në palcë, etj., këto të dërgonin në ferr. As në vdekjen e njeriut më të afërm njeriu nuk mund të shprehej me pikëllim. Për djalin që i merrte jetën miniera në galeri ose edhe si ushtar në kufi, apo edhe kur mbi një bari qëllonte rrufeja,…. prindi dhe vëllai kishin për detyrë të thoshin se “ia kemi fal partisë”. Por fjalë me krenari; po të mos thuheshin me krenari, atëherë njësoj si në nenin 55 të ligjit penal…
Gazeta “Rilindja Demokratike” është e vetmja gazetë që u prit para se të lindte, njësoj si fëmija në maternitet. Ku është parë herë tjetër që një popull i tërë të presë që të dalë gazeta që shpresohet? Përgjithësisht gazetat lindin, mbijetojnë dhe vëzhgohen dhjetë a njëqind vjet, e pastaj kërkohen…
… Ishte kohë diktature të egër dhe njeriu kërkonte një dritë lirie, të paktën lirie fjale… Aty nga fundi i dhjetorit 1990 nisi të flitej se “do të dalë gazeta e Demokratikes”. Partia Demokratike ishte krijuar vetëm pak ditë më parë. Që ditën kur u tha se “do të dalë gazeta” njerëzit nisën të zënë radhë para librarive. Atë kohë gazetat shiteshin në librari, të cilat hapeshin herët në mëngjes, dyert e para që hapeshin, madje para bareve e kafeve. Nuk mund t’i harroj njerëzit në radhë. Tek zbrisja nga shtëpia në lagjen “Ali Demi”, sapo kalon Urën e Tabakëve dhe harkun e madh të portës së Bibliotekës së Vjetër, aty ka qenë një librari. Në të dy krahët e derës së librarisë gjeja njerëz në radhë tek prisnin. Askush nuk tregonte çfarë priste, secili mbante në dorë një a dy shishe qumështi boshe. Po të vinte dikush nga ata të Sigurimit, këta do të thonin se “presin makinën e qumështit” në dyqanin ngjitur…
Ishte një sekret i madh, sepse ishte edhe rrezik i madh. Kur u mësua në kupolën e udhëheqjes komuniste se “Partia Demokratike do të ketë gazetë”, atëherë shefi kryesor i Partisë paska thënë: “Gazetë?… E humbëm davanë!”.
Si miqtë edhe armiqtë prisnin gazetën e fjalës së lirë.
Kjo ndodhte me gazetën “Rilindja Demokratike”. Fjala e lirë deri në atë moment ose ishte tkurrur e nuk ishte thënë; ose ishte thënë në një qoshe shtëpie dhe ishte mbytur aty; ose ishte thënë pjesë-pjesë dhe ishte burgosur dhe pushkatuar. Fjala e lirë tërë jetën e diktaturës ishte ndjekur e përgjuar për ta mbytur; dhe ajo veç fshihej e ruhej sa të mundte. Hera e parë që fjala e lirë vërshoi hapur në rrugë, në shtëpitë e njerëzve, në librari e biblioteka, madje edhe nëpër zyrat e aparatit të diktaturës, nëpër familjet e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të qeverisë komuniste… Mund të them se për herë të parë ndodhi që fjala e lirë mori rrugën të ndiqte persekutorët kudo ku ndodheshin. Fjala e lirë i ndiqte jo si persekutorë, por si çlirimtarë të të gjithëve, po iu afrohej që t’u bëhej mike edhe e tyre që e kishin persekutuar.
Kishte pasur një rast tjetër, dikur para diktaturës komuniste, aty nga viti 1920, kur një patriot i madh dhe gazetar, Sali Nivica, nxori gazetën “Populli”, edhe kjo një gazetë e lirë për kuptimin e kohës. Sali Nivica ishte shpallur Nder i Kombit dhe Mësues i Popullit. Ishte kohë e turbullt, kur liria nuk kishte institucion as ligj… Pas numrit të tretë të gazetës, kryeredaktorin e gazetës, Sali Nivica, e vranë. Edhe atëherë ishte janar, data 10, 1920.
Ka qenë një koinçidencë: Unë banoja në rrugën me emrin “Sali Nivica”….
Ju thashë se në mëngjes herët, që ditët para vitit të ri 1991, tek zbrisja nga “Sali Nivica” për në qendër të Tiranës, te dera e librarisë gjeja të njëjtën radhë. Dhe të njëjtët njerëz që linin radhën e më afroheshin: “A del gazeta sot?… Kur del?”. Me këtë rast po i përgjigjem edhe pyetjes suaj se “si u zgjodha kryeredaktor” i gazetës “RD”. Të gjithë e dinin se isha kryeredaktori i gazetës që kur nisi të pritej që të lindte. Edhe ata që prisnin në radhë një javë para se të dilte gazeta, më drejtoheshin si kryeredaktor i gazetës… Nuk bëmë zgjedhje. Mes miqve, mes nesh që krijuam Partinë Demokratike, kishte një marrëveshje ekselente përgjegjësish e barrësh. Nuk mbaj mend tjetër detaj, veç një vështrim mes nesh që do të thoshte “me gazetën, Frroku”. Me Sali Berishën, më shumë si dashamirës i gazetarisë, kemi shkëmbyer biseda të shkurtra rreth gazetës nëpër rruginat e Qytetit “Studenti”, por kaq. Azem Hajdari ishte adhurues deri në shpirt i shkrimeve të gazetës; ai e shikonte gazetën si një engjëll. Gramoz Pashko kishte informacion të gjerë mbi gazetarinë e vendit dhe mbi gazetarët.
Kisha studiuar gazetari e ligj, isha një gazetar me emër të njohur, në vitin 1983 diktatura më kishte persekutuar shtatë vjet si punëtor në Spaç e në Tiranë; vetëm për shkak të detyrës sime si gazetar. Kisha shkruar disa të vërteta që kupola komuniste i quante të paprekshme…
Tek kaloja mëngjeseve para librarisë, ndihesha vërtet keq kur i gjeja njerëzit tek prisnin në radhë. Ndihesha keq sepse ata prisnin me ditë e netë, ndërsa ne akoma nuk e kishim gazetën gati. Nevojitej procedura ligjore, pastaj letra për gazetën… shteti nuk kishte letër; etj. Një gazetë do të niste që nga shkronja e parë, pa patur asgjë; veç pritjes së njerëzve në dyert e librarive…. Nuk harroj, as kam se si ta harroj: Mbrëmjen e vitit të ri dhe të nesërmen, tavolinën e “festës” e kisha mbushur me letra, si një tryezë pune në një redaksi. Punoja mbi shkrimet e numrit të parë të gazetës; ato pak shkrime që kisha. Mund të them se mbi atë tavolinë ka nisur gazeta “RD”, në kuzhinën e vogël që kisha te “Sali Nivica”. Shkruaja e fshija me gomë, përpëlitesha me veten i rrethuar nga dy fëmijët ende të parritur. Aty kam shkruar editorialin “Fjala e parë”, aty kam shkruar dhe redaktuar shumicën e shkrimeve që kisha marrë nga disa kolegë. Shkruaja me dorë. Akoma nuk kishim as makinë shkrimi, as zyra për redaksinë.
Gazeta doli mëngjesin e datës 5 janar 1991. Shkrimet kisha nisur t’i dërgoja në shtypshkronjë që më datën 3 janar. Shtypshkronja ndodhej në Kombinatin Poligrafik, radhitja bëhej me derdhje në plumb. Ky moment është shumë i vështirë të shpjegohet me fjalë, aq më pak në një intervistë. “Rilindja Demokratike” doli me 100 mijë kopje në ditë; por ishte e vështirë të gjeje një kopje. Gjithë Shqipëria u mbulua nga gazeta. Më kanë prurë disa herë mbasdite gazetën që ishte lexuar gjithë ditën, dorë më dorë. Në fund gazeta kishte mbetur si një copë basme, as kuptoje se kishte pasur shkronja a se ishte letër gazete.
Si dashuria për lirinë e shtypur deri atë ditë, edhe vetë gazeta u kthye në një legjendë.

– Megjithë rëndësinë vendimtare që pati kjo gazetë për PD-në, qysh ditët e para, problemet në drejtimin e saj janë shfaqur shpejt. Është fjala për problemet që lindin ndërmjet jush dhe drejtuesve të Partisë Demokratike. Cili ishte raporti juaj me ta?
Jo që në fillim kanë lindur probleme mes Partisë dhe gazetës. Pas rënies së monumentit të diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, mund të them. Ndoshta disa probleme javë të mëvonshme. Deri atëherë ka qenë një sjellje brilante; ka qenë si në një ëndërr me parajsë lirie. Askush nga lidershipi i PD nuk ka ardhur të më thotë se “duhet ta bësh kështu!”, ose “pse e bërë kështu”. Madje edhe gazetën e ditës, anëtarët e kryesisë së PD e merrnin te sporteli i jashtëm i redaksisë së gazetës. Mos mendoni se ata hynin nëpër redaksi, lart e poshtë, për të manifestuar se “jemi këtu”. Jo, nuk ka qenë aspak kështu. Të gjithë po punonim për të krijuar modele të reja, demokratike.
Probleme?…..
S’e di nëse mund të themi “Probleme mes meje dhe drejtuesve të Partisë”. Tani jemi të gjithë të qartë; të gjithë me pesha të mëdha eksperience në liri dhe me distancën e duhur si nga ngjarja, ashtu edhe nga miqtë dhe nga vetja. Problemet ishin më shumëplanëshe se sa mes kryeredaktorit dhe drejtuesve të Partisë. Problemet ishin mes meje dhe meje; ishin mes atyre dhe atyre; mes tyre dhe kryeredaktorit; mes atyre një nga një secili brenda vetes. Mbi të gjitha ishin problemet e natyrshme të individit me lirinë, me lirinë që mendonim se vetë e sollëm. Jo se mes nesh nisi të shfaqet lavdia ose vetëmburrja. Por problemi ishte sa mund ta përballonim lirinë. Ne ishim njerëzit më të lirë të asaj shoqërie, padyshim. Por mendo që mes nesh lindi vështirësia e përballimit të barrës së lirisë… a mund të mendoni për një shoqëri të tërë, të tharë deri në palcë, pa asnjë pikë lirie për gjysmë shekulli. Përballimi i lirisë ka qenë problemi më i madhi i dy dekadave të shoqërisë sonë. Mbetet akoma një çështje e të gjithëve.
Legjenda që ka marrë emrin “probleme të PD me gazetën ose brenda për brenda PD” ishte edhe raporti i krijuar në vetë shoqërinë e lirë, e cila hyri në një portë ku nuk kishte ëndërruar kurrë, hynte në liri. Po të mos kishin ndodhur ato që ndodhën edhe mes nesh, atëherë do të ishte shumë për të dyshuar. Për të dyshuar se vallë këtu nuk paska pasur aq mizori dhune sa në të vërtetë ka pasur?!…
Nuk mund të përballohej aq lehtë liria. Kështu ndodhën “problemet mes nesh”.
Ka qenë shumë e thjeshtë pse-ja: Unë bëra detyrën time për të mbrojtur principin e një fjale të lirë dhe të një gazetarie profesionale; këtë do të bëja gjithë jetën. Unë bëra detyrën që më takonte, që të krijoja një model tjetër, jo modelin që po linim pas, ku gazeta ishte një skllave e Partisë…
Edhe partia po bënte detyrën e vet: Po e përdorte gazetën për fjalën e saj. Fjala e ardhur nga nëpunësit e Partisë nuk është kurrë aq e pëlqyeshme për t’u lexuar në gazetë, kjo dihet. Por dihet edhe që funksionarët e partisë nuk kanë pse t’ia dinë shumë sa e latuar është fjala, sa bezdiset lexuesi?, sa shkon titulli?, sa i gjatë është shkrimi?, etj.

– Ku është faji?…
Faji im: E kisha menduar gazetën me një distancë të caktuar prej Partisë. Për këtë arsye, poshtë titullit të gazetës nuk shkrova “RD, organ i partisë…” siç ishte bërë klishe në komunizëm, por shkrova “RD, gazetë e Partisë Demokratike”. Kishte kuptim thelbësor edhe kjo gjë simbolike. Diktatura komuniste të gjithë i konsideronte organe të tij, “gazeta-organ”, “shkrimtarët-organ”, “rinia-organ”… Hera e parë që një gazetë shpallej me liri dhe me frymëmarrjen e vet ishte kjo e “Rilindjes Demokratike”. Kërkoja një distancë të gazetës nga Partia. Më dhembte deri në gjak çdo devijim sado i vogël në këtë princip.
… Sigurisht që paska qenë herët. Por e kisha menduar se menjëherë “pas çlirimit” (bëj humor, si humori komunist i Luftës), domethënë, sapo të vendosej demokracia, gazeta “RD” do të ishte gazeta “dallëndyshe” dhe kryesore e pavarur e vendit… Ishim shumë ëndërrimtarë, po shumë, shumë ëndërrimtarë.
Faji i Partisë: Kudo ku ka grupim politik që përbën Parti, nisin edhe disa deformacione individuale, padyshim. Nis njeriu e flet si partia. Ndoshta u dashka bërë kështu! Në Parti nis interesi, interes sa politik edhe personal. Partia e donte gazetën që të fliste siç e mendonte vetë. “Kryeredaktori është i dashuruari me gazetën”, le të lërë mënjanë pak dashuri dhe të përdorim gazetën për partinë”… Pak a shumë kështu erdhi puna.
Pse duhej përdorur gazeta? Për udhëheqësit, që të dëshmonin sa të ditur ishin ose të verifikonin imazhin e tyre me popullin. Normale. Duhej për udhëheqësit politikë që të përcillnin mesazhin e shkurtër. Duhej për të bërë edhe replika… Ndoshta në ato kohë kështu duhej gazeta. Ju thashë, ne nuk ishim ndarë akoma nga një traditë; e si mund të fillonim direkt në majë të një stili krejt të ri. Duhej kohë.
… Këtu ishte përplasja: Si e mendon gazetari gazetarinë dhe si e mendojnë funksionarët e Partisë. Pastaj cili është më i fortë: kryeredaktoi i gazetës, apo partia!
Me dy fjalë: Ne ishim bij të lirisë dhe viktima të lirisë.

27.al

Shqiptarët shpenzojnë 122 milionë euro në vit për argëtim

Shpenzimet e shqiptarëve në një vit kalendarik për argëtim, çlodhje dhe për veprimtari artistike, brenda vendit arrijnë mbi 16,7 miliardë lekë (122 milionë euro) apo rreth 1.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT, në strukturën e prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2015. Po të marrin në konsideratë edhe harxhimet që shqiptarët bëjnë jashtë vendit për argëtim dhe çlodhje këto shpenzime janë shumë më të larta.
Siç shihet nga të dhënat shqiptarët i kushtojnë vëmendje argëtimit teksa konstatohet se shumat që shpenzojnë për çlodhje janë vetëm 2.5 herë më e ulët se ato për kujdesin shëndetësor dhe 3.8 herë më të ulët se shpenzimet për arsim që konsiderohet edhe baza e investimit të qëndrueshëm dhe me perspektivë për një familje.
Mirëpo të krahasuara me 2014 këto shpenzime pësuan ulje me 1.5% me 2015. Shpenzimet për çështje të argëtimit kanë një lidhje të drejtë me krizën ekonomike. Po të shohim ecurinë e tyre ndër vite vihet re se ato kanë ndjekur ciklin e ekonomisë.
Pjesën më të madhe të tortës së shpenzimeve për argëtim duket se i marrin baret dhe restorantet dhe më pak aktivitetet sportive dhe veprimtaritë e artit.
Nga ana tjetër fondet publike dedikuar argëtimit janë rritur vitet e fundit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit shpenzimet qeveritare për argëtim ishin 33 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Teksa shihet se shpenzime të tjera publike për shërbime jetike të tilla si strehimi kanë rënë.
Shpenzimet publike për arsimin pothuajse vijojnë në të njëjtat kuota të një viti më parë dhe ato për shëndetësinë janë rritur me 6.7%. Gjithashtu shpenzimet për mbrojtjen sociale janë në vendnumëro.
Teksa filozofia e qeverisë për shtrëngimin fiskal po aplikohet për sektorët jetikë të vendit, shpenzimet për funksionet e argëtimit dhe kulturës edhe pse simbolike kanë pësuar rritje të ndjeshme në dy vitet e fundit.