Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po ndjek me përparësi situatën e krijuar në vend si pasojë e motit të keq me reshje shiu dhe bore.
Nisur nga parashikimi i motit ku sipas sinoptikanëve pritet ulje mjaft e ndjeshme e temperaturave dhe reshje të dendura, gjatë ditëve në vijim, kompania OSHEE ka rritur nivelin e gatishmërinë për garantimin e furnizimit me energji të abonentëve dhe riparimin e çdo defekti që mund të krijohet në rrjetin e shpërndarjes, nga moti i keq.
Janë angazhuar në terren rreth 1800 punonjës nga 11 drejtoritë rajonale të OSHEE, për riparimin e defekteve në të gjithë vendin.
Me porosi të administratorit të OSHEE, z. Adrian Çela, grupet e gatishmërisë po monitorojnë 24 orë pa ndërprerje pikat strategjike të furnizimit me energji elektrike, sidomos spitalet, hidrovorët, institucionet e rëndësisë së veçantë dhe abonentët pa përjashtim.
Deri më tani, nga të dhënat, 90% e problemeve shfaqen në zonat rurale, me rrjet të amortizuar, prej 6 kV.
OSHEE kërkon mirëkuptimin e abonentëve për problemet me furnizimin me energji që mund të shfaqen gjatë këtyre ditëve, por garanton se impenjimi i punonjësve do të jetë maksimal për eliminimin e çdo avarie në rrjet dhe rikthimin e energjisë elektrike tek të gjithë abonentët.
A do të kemi energji në ditët e ftohta?
Projektet e Procesit të Berlinit për Shqipërinë
Gjatë këtij viti që sapo ka hyrë pritet të nisin një sërë projektesh në vendet e rajonit që kanë të bëjnë me atë që njihet si Procesi i Berlinit dhe që synojnë rritjen e ndërlidhjes mes gjashtë vendeve, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Po gjatë këtij viti është parashikuar që të mbahet edhe Samiti i radhës, këtë herë në kryeqytetin italian, Romë. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të raportojnë mbi ecurinë e investimeve të ndërlidhjes që financohen në emër të këtij projekti të madh. Po cilat janë investimet që pritet të nisin kryesisht në mesin e 2017-s?
Në rastin e Shqipërisë bëhet fjalë për projektin hekurudhor Tiranë–Rinas–Durrës, ku kostoja totale parashikohet në 81.5 mln euro dhe ku partnerët janë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe Hekurudha Shqiptare.
Në Serbi, projekti është pjesë e Korridorit Orient/East-Med e që ka të bëjë me ndërtimin e segmentit hekurudhor Serbi–Bullgari. Vlera totale e projektit është parashikuar në 84.4 mln euro dhe data e fillimit do të jetë mesi i vitit 2017, ndërsa pritet të përfundojë më 2019-n.
Për Kosovën, bëhet gjithashtu fjalë për të njëjtin korridor, e më konkretisht për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Maqedoninë, Kosovën dhe Serbinë. Për pjesën e Kosovës, vlera totale e projektit është parashikuar në 42.3 mln euro dhe pritet të realizohet nga InfraKos Sh. A. në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Koha e fillimit edhe për këtë projekt pritet të jetë gjithashtu mesi i vitit 2017.
Si mashtron qeveria me rritjen ekonomike
Një ndryshim kontabël në mënyrën se si deklarohet xhiro e agjencive të turizmit ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2015.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2015 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë (në volum) prej +2,59% krahasuar me vitin 2014, pas një rritje prej +1,83% në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013.
Sipas PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë “Ndërtimi” me 1.23 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0,67 pikë përqind “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,33 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe shërbimet e tjera” me 0,16 pikë përqindje, “Aktivitete financiare dhe sigurimi” me 0,13 pikë përqindje, “Informacioni dhe komunikacione 0,13 pikë përqindje, dhe “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me 0,07 pikë përqindje. “Tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” është grupi i aktiviteteve që ka kontribuar negativisht në rritjen ekonomike me-0,09 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan respektivisht me -0,23 pikë përqindje.
Por, pikërisht, kontributi i zërit të dytë, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, me 0.67%, apo në gati një të katërtën e rritjes, rezulton të ketë ardhur nga ndryshimet në Ligjin 92/2014 të TVSH-së, sipas të cilit të ardhurat përfaqësojnë vlerën totale të shitjeve të biletave e shërbimeve të ngjashme, në ndryshim nga periudhat paraardhëse, ku të ardhurat përfaqësonin komisionet e përfituara nga shitja e biletave dhe shërbimeve. Kjo ka sjellë një shumëfishim të xhiros së agjencive të udhëtimit, që në fakt nuk është real, duke bërë që disa kompani të kërcejnë automatikisht në listën e 200 VIP-ave. Për shembull, Globus Travel, më e madhja e sektorit, në vitin 2015, ka parë një rritje të ndjeshme të xhiros, nga 51 milionë lekë në 2.2 miliardë lekë, sipas të dhënave nga bilanci. E njëjta tendencë është konstatuar dhe për operatorin tjetër turistik, Albtours D, që ka parë rritje të lartë të të ardhurave nga 156 milionë lekë në 1.8 miliardë lekë, pikërisht për shkak të ndryshimit të formës së raportimit të të ardhurave. Albanian Experience është një tjetër operator udhëtimesh dhe turistik me rritje nga 641 milionë lekë në 1.4 miliardë lekë.
Edhe indeksi i shifrës së afarizmit më 2015-n tregoi një rritje të ndjeshme të agjencive turistike, që lidhej pikërisht me këtë ndryshim në mënyrën e deklarimit të xhiros, ndërsa vetë agjencitë deklaronin rritje minimale të aktivitetit. Për shembull, për Globus Travel, ky ndryshim në raportim, i ka shtuar automatikisht kompanisë një xhiro prej 2.1 miliardë lekësh, ndërsa komisionet nga shitja e biletave ishin rreth 62 milionë lekë (nga 51 milionë lekë vitin e mëparshëm), sipas bilancit, duke i bërë praktikisht të pakrahasueshëm dy vitet.
Sipas të dhënave nga INSTAT, zëri “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, zinte 5.7% të prodhimit të brendshëm bruto më 2015-n, nga 5% që ishte kjo peshë një vit më parë, duke shënuar rritjen e dytë më të lartë në peshë, pas ndërtimit që u zgjerua me 1 pikë përqindjeje.
Në këtë zë përfshihen: Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike; Shërbime administrative dhe mbështetëse; Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; aktivitete të përgjegjsave të zyrës; aktivitete konsultimi të menaxhimit; Aktivitete arkitekture dhe inxhinjerike; testime teknike dhe analiza; Kërkim dhe zhvillim shkencor; Publiciteti dhe kërkimet e tregut; Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; aktivitetet e veterinaries; Aktivitete marrje dhënie me qira; Aktivitete të punësimit; Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit; Aktivitetet e sigurimit dhe hetimit; shërbimet për ndërtesat dhe aktivitetet të tjera të mirëmbajtjes; administrimit të zyrave; dhe aktivitetete të tjera mbështetëse të biznesit.
Por, ndërsa rritja e ndërtimit më 2015-n, ka disa faktorë shpjegues si ndërtimi i 5-6 ujësjellësve të mëdhenj, rrugët që po shtrohen në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP dhe punimet e infrastrukturës për HEC-et e Devollit, si dhe kthimi i detyrimeve të prapambetura nga qeveria, që është faturuar më 2015-n, përmirësimi i ndjeshëm i zërit “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, duket se lidhet thjesht me mënyrën e faturimit të agjencive turistike. Dhe pa kontributin e këtij zëri, rritja më 2015-n do të luhatej në rreth 2%.
“Monitor”
15 ngjarjet që ndryshuan skenarin ndërkombëtar 2016
Më poshtë kemi hartuar në një slideshow 15 evenimentet më të rëndësishme që kanë karakterizuar skenarin gjeopolitik gjatë vitit 2016. Kopertina i është kushtuar dy personaliteteve që kanë ndikuar më shumë mbi evenimente të tilla: Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump dhe Presidenti i Federatës ruse, Vladimir Putin.
3 janar: Irani dhe Arabia Saudite ndërpresin marrëdhëniet diplomatike si pasojë e sulmit ndaj ambasadës saudite në Teheran të shkaktuar nga protestat prej ekzekutimit kapital në Riad të liderit shiit Nimr-al-Nimr.
16 janar: Partia Demokratike Progresiste (DPP) fiton zgjedhjet në Tajvan dhe Presidentja Tsai Ing-Wen bëhet gruaja e parë në pushtet në një vend të gjuhës kineze. Rezultati elektoral është para së gjithash një humbje e politikës së afrimit me Kinën e promovuar nga Kuomintangu gjatë viteve të fundit.
12 shkurt: Papa Françesku dhe Patriarku i Moskës Kirill takohen zyrtarisht për herë të parë në Havanë për nënshkrimin e një deklarate ekumenike për paqen në Lindjen e Mesme dhe pajtimin midis besimeve kristiane.
22 mars: 3 sulme terroriste trondisin përkohësisht Brukselin, duke shkaktuar 32 të vdekur dhe mbi 250 të plagosur. Operacioni është rivendikuar nga Shteti Islamik dhe është planifikuar nga vetë celula terroriste që kishte përgatitur atentatet parisiane të nëntorit të kaluar.
2 prill: Përplasjet e reja midis forcave të armatosura armene dhe azerbajxhane në Nagorno Karabakh shkaktojnë mbi 190 viktima. Është kriza ushtarake më e keqe midis dy vendeve nga armëpushimi i 1994.
23 qershor: Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar zgjedhin që ta braktisin Bashkimin Europian në një referendim që shikon mbështetësit e Brexit-it të grumbullojnë 51.8% të votave. Megjithatë, Skocia dhe Irlanda e Veriut nxjerrin një afirmim të fortë të zgjedhjes europeiste.
14 korrik: Një terrorist në drejtim të një mauneje përplaset në Nicë me turmën e mbledhur përgjatë Promenade des Anglais me rastin e festës kombëtare, duke shkaktuar 86 viktima. Atentati rivendikohet nga Shteti Islamik.
15 korrik: Sektorë të forcave të armatosura turke tentojnë një grusht shteti për të përmbysur Presidentin Erdogan. Qeveria e ruan kontrollin e vendit dhe e shtyp revoltën me spastrime shumë të gjera të niveleve drejtuese të ushtrisë, Prokurorisë dhe universiteteve. Predikuesi dhe politologu Fethullah Gülen, i mërguar në Shtetet e Bashkuara, është treguar nga qeveritarët si përgjegjës për grushtin e shtetit të dështuar.
31 gusht: Senati brazilian miraton procedimin me aktakuzën dhe largimin nga posti i presidentes për Dilma Rousseff, e akuzuar se kishte falsifikuar deficitin e bilancit vjetor. Funksionet e kreut të shtetit mbulohen nga zëvendësi Michel Telmer.
4 shtator: Vdes në Tashkent Presidenti yzbek Islam Karimov, për pothuajse 3 dekada lideri i vetëm i Yzbekistanit para dhe passovjetik.
3 tetor: Fitore e jo-së në Kolumbi në referendumin për miratimin e marrëveshjeve të nënshkruara me FARC-un nga Presidenti Santos, të cilit i është dhënë edhe Nobeli për Paqen. Për shkak të votës popullore, marrëveshja më pas do të rishikohet pjesërisht dhe do të miratohet përfundimisht.
8 nëntor: Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Shpërthen debati lidhur me rolin e ardhshëm ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe mbi instrumentet, të cilat do të përdorë administrata e re për të ruajtur momentumin unipolar.
25 nëntor: Vdes në Havanë leader máximo i revolucionit kubanez Fidel Castro, në pushtet në ishullin amerikan nga janari 1959 deri në shkurt të 2008.
19 dhjetor: Njëkohësisht me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara nga ana e një ish-polic, në Berlin një maune merr përpara një treg Krishtlindjesh në qendrën e qytetit, duke shkaktuar të paktën 12 viktima. Atentati është rivendikuar nga Shteti Islamik.
22 dhjetor: Komanda e përgjithshme e forcave proqeveritare siriane njofton marrjen përfundimtare të Alepit: rrethimi përfundon vetëm pas mbi 4 vjetësh, me një bilanc prej më shumë se 31000 viktimash dhe shkatërrimin e pjesës më të madhe të qytetit të vjetër mijëravjeçar, pasuri e njerëzimit UNESCO.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Përballje dramatike për “Obamacare”
Presidenti amerikan, Barak Obama ishte të mërkurën në Kongres për të mobilizuar ligjvënësit demokratë të mbrojnë ligjin e tij për kujdesin shëndetësor. Ai u largua pothuajse pa komentuar përveç një përgjigjeje të shkurtër një pyetjeje, duke thënë se “ne po kujdesemi për interesat e popullit amerikan”.
Në të njëjtën kohë nënpresidenti i zgjedhur Mike Pence ishte në Kongres për të folur me republikanët për të diskutuar për axhendën e administratës së ardhshme që përfshin anulimin e ligjit, të njohur si “Obamacare”.
Këto takime paralele sinjalizojnë një betejë të fortë që pritet të fillojë në Uashington, ndërkohë që afron momenti i tranzicionit mes dy administratave.
“Shfuqizimi i planit ‘Obamacare’, do të jetë në rendin e parë të ditës”, tha zoti Pence para gazetarëve.
Ligji për Kujdes Shëndetësor me Kosto të Përballueshme u miratua nga Kongresi në vitin 2010, kur demokratët kontrollonin të dyja Dhomat e Kongresit dhe Presidenti Barak Obama ishte në katërvjeçarin e parë në detyrë. Më 20 janar qeverisja e vendit kalon në duart e republikanëve, të cilët do të kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe Kongresin.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump e ka cilësuar ligjin për kujdesin shëndetësor një program “të çalë” me kosto tepër të lartë dhe e ka bërë të qartë se ka në plan ta zëvendësojë, megjithëse nuk ka dhënë hollësi se çfarë propozon konkretisht.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha dje në komentet për gazetarët se zoti Obama do të diskutonte me demokratët se si mund të bllokohet plani republikan për anulimin e ligjit.
Dallimet mes qëndrimit të Presidentit Obama dhe atij të zotit Trump do të dalin në pah javën e ardhshme kur presidenti të mbajë fjalimin e lamtumirës, pasuar të nesërmen nga konferenca e parë zyrtare për shtyp që ka mbajtur presidenti i zgjedhur Donald Trump që nga fitorja më 8 nëntor.
Zoti Trump njoftoi dje në Twitter se do të zhvillonte “një konferencë të përgjithshme për shtyp” më 11 janar.
Trump vë në dyshim përfundimet e CIA-s
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, vuri në lojë kundërshtarët politikë, duke kritikuar mediat dhe duke vënë përsëri në dyshim përfundimet e agjencive amerikane të zbulimit se, Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale. Zoti Trump bëri dje një seri komentesh në Twitter, ku pyeste se përse Komiteti Kombëtar Demokrat u tregua “aq i pakujdesshëm” duke bërë që të zbuloheshin mijëra e-mail-e të John Podestës, kreu i fushatës së rivales Hillary Clinton dhe përse demokratët nuk u mbrojtën nga sulmet kibernetike ashtu siç u mbrojt Komiteti Kombëtar Republikan.
E-mail-et e zotit Podesta nxirrnin në shesh përpjekjet në prapaskenë për të ndihmuar kandidaten Clinton, që të fitonte emërimin e partisë dhe e vinin kampin e demokratëve në pozitë të vështirë.
Presidenti i zgjedhur citonte gjithashtu themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange, sipas të cilit edhe “një 14-vjeçar mund t’i kishte nxjerrë e-mail-et e Podestës” dhe se “nuk ishin rusët që ia kishin dhënë atij informacionin”. WikiLeaks publikoi mijëra e-mail-e të zotit Podesta në ditë përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Senatori republikan Lindsey Graham, një kritik i zotit Trump, shprehu dyshime për mbështetjen e tij tek zoti Assange. “Assange gjithmonë ka sabotuar Shtetet e Bashkuara, tha zoti Graham në Twitter. Nuk besoj që amerikanët duhet të kenë besim tek ajo që thotë Julian Assange”.
Zoti Trump, gjithashtu kritikoi demokratët që nuk kishin reaguar ndaj informacioneve të përfshira në e-mail-e, që ai i quajti si “gjëra të tmerrshme që ata kishin bërë dhe kishin thënë. Ai përmendi rastin kur një pyetje i ishte treguar zonjës Clinton përpara një debati me senatorin Bernie Sanders, ndaj të cilit ajo fitoi në garën mes demokratëve.
Investime sekrete të CIA-s
Forterra Systems, një startup kaliforniane që merrej me realitet virtual, kishte nevojë për para, por nuk ofronte produkte me sharm komercial të fortë. Në fund siguroi financime, por nga një kompani larg nga Silicon Valley. Paratë vinin nga In-Q-Tel, një fond investimesh që e ka selinë në shtetin Virginia dhe është themeluar nga CIA. Një ish-drejtues i Forterra dhe njerëz të tjerë në dijeni të fakteve theksojnë se operacioni u bë i mundshëm nga një këshilltar administrativ i In-Q-Tel që ishte edhe drejtues i Forterra. Falë financimeve të In-Q-Tel, Forterra zhvilloi disa instrumente të dobishme për ushtrinë dhe kështu që mbërritën edhe tenderat e parë qeveritarë. Pikërisht ashtu si CIA, edhe In-Q-Tel vepron kryesisht në hije. Drejtuesit e saj theksojnë se fondi është i pavarur, megjithatë lidhjet e tij me CIA-n janë të thella dhe pothuajse të gjitha vendimet lidhur me investimet kalojnë nëpër agjencinë e shërbimeve sekrete. In-Q-Tel bën të njohur pak mbi kriteret me të cilat zgjedh kompanitë për t’u financuar, nuk e zbulon kurrë entitetin e investimeve dhe nganjëherë shmang pikërisht që t’i deklarojë. Akoma më të errëta janë konfliktet eventuale të interesit, si ato të dala nga rasti i Forterra dhe nga të tjerë më të vonshëm. “Wall Street Journal” i ka shqyrtuar me themel investimet e bëra nga In-Q-Tel, duke arritur në konkluzionin se gjysma e këshilltarëve administrativë të saj kanë lidhje ekonomike të llojeve të ndryshme me kompanitë e financuara: kërkimi i teknologjive të reja e ka çuar In-Q-Tel, në të paktën 17 raste, të subvenconojë kompani në njëfarë mënyre të lidhura financiarisht me një komponent të vetë këshillit administrues të tij.
Analiza e “Wall Street Journal”, bazuar edhe në intervista me drejtues të kaluar dhe të tashëm të In-Q-Tel, nxjerr 3 raste të tjera të ngjashme me atë të Forterra. In-Q-Tel është i ndryshëm nga fondet e tjera të investimeve për një motiv jo për t’u anashkaluar: nuk ka qëllime fitimi. Objektivi i tij është të mos nxjerrë fitime, por të stimulojë zhvillimin e teknologjive të dobishme për aktivitetet inteligjente të CIA-s. Marrëdhëniet e ndërthurura janë tipike të sektorit të fondeve të investimit, ku për suksesin është themelore njohja e thellë e produkteve financiare. Por ndërsa fondet e tjera të investimit rrezikojnë paratë e tyre apo atë të investitorëve privatë, In-Q-Tel përdor para publike, të kufizuara nga një normativë e rreptë mbi konfliktin e interesit. Po flasim për të paktën 120 milion dollarë në vit, në bazë të vlerësimeve të atyre që i njohin llogaritë. Nganjëherë ky kapital përdoret në mënyrë që, ndoshta jo qëllimisht, mund të favorizojë administratorët e In-Q-Tel që mbajnë poste të tjera në sektorin e teknologjisë. Shpesh investimet e In-Q-Tel janë të afta të tërheqin financime të tjera. Çdo dollar që fondi i CIA-s investon në një kompani të vogël përgjithësisht sjell me vete 15 dollarë të investuara nga fonde të tjera. Kështu që ka më shumë gjasa që kompania e vogël të ketë sukses dhe që aksionet e saj ta rrisin vlerën e tyre, për gëzimin e cilitdo që i posedon.
Politika të rrepta
In-Q-Tel thekson se në rast se dëshiron të zbulojë teknologji premtuese, i duhet domosdoshmërisht të punojë me njerëz që kanë një dije të thellë të sektorit. Për këtë arsye, shpjegon fondi, lidhjet potencialisht ambige janë praktikisht të pashmangshme. “In-Q-Tel adopton politika rigoroze për të mbrojtur paratë e kontribuesve, të parandalojë konflikte interesi dhe të ndjekë zhvillimin e teknologjive që arrijnë objektivat e përacaktuara”, pohon Ryan Trapani, zëdhënës i CIA-s. Për të pasur sukses “duhet një këshill administrativ që e di se çfarë po bën”, thotë Jefrey Smith, i cili ka kontribuar në themelimin e In-Q-Tel kur ishte këshilltar i Përgjithshëm i CIA-s dhe tani është një këshilltar i jashtëm i agjencisë. Gjithsesi, In-Q-Tel u lejon administratorëve të tij që të sugjerojnë investime në kompani me të cilat ata kanë lidhje, gjithmonë që t’ia thonë fondit dhe CIA-s. Nëse një këshilltar administrativ shpreh një rekomandim, nuk mund të marrë pjesë në vlerësimet dhe në votimin për financimin. Më 2006 Charles Boyd, një gjeneral aviacioni në pension, hyri në këshillin administrativ të Forterra dhe në atë të In-Q-Tel. Një vit më pas fondi i CIA-s investoi para në Forterra, edhe pse askush nuk e di se sa. Gjenerali Boyd ka deklaruar se e ka sugjeruar investimin, por se nuk ka kontribuar në miratimin e tij, duke shtuar se nuk ka marrë asnjë shpërblim nga Forterra për rekomandimin e tij. “Pasja e Charles në këshillin administrativ ka qenë një avantazh i dyfishtë për ne. Është ai që na e ka dhënë këtë mundësi të madhe”, deklaron Chris Badger, në atë kohë përgjegjës i marketingut të Forterra. Badger tregon edhe se në brendësi të Forterra ngrihej pyetja nëse “modeli i financimit të In-Q-Tel mbronte vërtet interesat e kontribuesve”. Por paratë e In-Q-Tel dhe tenderat e mëpasëm federalë nuk kanë mjaftuar. Forterra nuk ka pasur sukses dhe më 2010 ka mbyllur dyert dhe është shitur. Blerësi ishte një kompani tjetër në këshillin administrativ të së cilës qëndronte një këshilltar i In-Q-Tel. Kush ka investuar tek Forterra ka pësuar humbje të mëdha, tregojnë personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Ligje të deformuara
Për CIA-n kontrollimi i një fondi investimesh është një mënyrë për të stimuluar dhe orientuar zhvillimin teknologjik që ka ngecur në burokraci. Origjina e In-Q-Tel i takon një projekti të nisur në fundin e viteve nëntëdhjetë nga George Tenet, në atë kohë drejtor i CIA-s. Tenet e kishte kuptuar se ligjet e deformuara mbi blerjet e administratës publike e pengonin agjencinë në pasjen akses në teknologjitë më të reja. Kur miratoi krijimin e In-Q-Tel, Kongresi i Shteteve të Bashkuara i caktoi një financim vjetor që me kalimin e viteve është rritur ndjeshëm. Në vitin 2000 fondi i CIA-s nisi të investojë në kompani që prodhonin satelitë apo që merreshin me analizimin e të dhënave, përkthimeve dhe arkivimeve dhe menjëherë kërkonte që të pilotonte projektet e tyre të zhvillimit teknologjik. Për shembull, duke financuar një kompani që analizon përzierjet kimike të tapeteve, ka siguruar një metodë për të zbuluar substanca kimike vdekjeprurëse në Afganistan e në Irak, shpjegon Christopher Darby, administratori i Deleguar i In-Q-Tel. Në një rast tjetër ka financuar një prodhues antenash satelitare: në këtë mënyrë ka zhvilluar antena portabël që ndihmojnë trupat apo agjentët e inteligjencës të komunikojnë në vende të thella, shton Darby. Vetë administratori Delegat i In-Q-Tel është shembulli i një konflikti interesi në brendësi të fondit. Darby është pjesë e këshillit administrativ të një kompanie aktive në fushën e sigurisë informatike, të quajtur Endgame, e cila nuk merr financime, por është në konkurrencë me kompani të tjera që janë aktive në të njëjtin sektor dhe aspirojnë paratë e In-Q-Tel. Darby siguron se nuk merr pjesë në vlerësimin e kërkesave të financimit të tyre. 100 nga rreth 325 investimet e miratuara nga In-Q-Tel qysh kur është themeluar nuk janë bërë publikë, edhe pse nganjëherë emrat e kompanive që i kanë përfituar i janë bërë me dije opinionit publik. Transparenca e paktë i detyrohet ndoshta nevojës për të ruajtur sigurinë kombëtare apo thjesht faktit që një startup nuk është e prirur që t’i bëjë publike lidhjet financiare të saj me shërbimet e inteligjencës. In-Q-Tel nuk ka objektivin e realizimit të fitimeve, por në rast se ndodh, për shembull kur një prej startup-eve që financon kuotohet në bursë, mund të sigurojë fitime dhe t’i përdorë ato për financimin e projekteve të reja. Të drejtat lidhur me shpikjet apo me teknologjitë e reja nuk janë kurrë pronësi e tij.
Në hyrje të selisë së In-Q-Tel në Arlington të shtetit Virginia, pritesh nga tri ekrane të fikur dhe nga një flamur i Shteteve të Bashkuara i mbështetur mbi një piedestal. Ndonjë drejtues vishet me xhinse, në shpirtin e Silicon Valley, por xhamat ombratë dhe lexuesit e gjurmëve dixhitale në hyrje të disa dhomave të kujtojnë nga afër botën e spiunazhit. Midis kompanive të financuara nga In-Q-Tel është edhe CyPhy Works, që prodhon dronë të vegjël për survejim. Në këshillin administrativ të saj ndodhet Anita Jones, informaticiene dhe ish-oficere e Pentagonit që nga viti 2002 është edhe në këshillin administrativ të In-Q-Tel. Sipas Helen Greiner, administratore Delegate e CyPhy, nuk ka qenë Jones ajo që e ka vënë në lidhje kompaninë e saj me In-Q-Tel. Pasi ka hedhur paratë e tij, fondi i CIA-s i ka sugjeruar CyPhy disa modifikime në një model droni të aftë që të qëndronte në fluturim për qindra orë. Kështu është prodhuar një ekzemplar i ri, PARC-u (Persistent Aerial Reconnaissance and Communications), i përdorur sot nga qeveria amerikane dhe i disponueshëm në treg. Shpesh lidhjet midis administratorëve dhe kompanive financiare janë indirekte. Për shembull, tri këshilltarë administrativë të In-Q-Tel punojnë edhe për fonde investimesh të tjera. In-Q-Tel ka hedhur paratë e tij në të paktën 13 kompani tashmë të mbështetura nga këto fonde. Peter Barris, administrator i In-Q-Tel, është ortak i New Enterprises Associates, një fond i madh investimesh. Barris hyri në këshillin administrativ të In-Q-Tel më 2006 dhe katër vite më vonë fondi i CIA-s ka investuar në Cleversafe, një startup arkivimi të dhënash në të cilën New Enterprises kishte tashmë një pjesëmarrje. Disa vite më pas, New Enterprises e ka rritur me 25 për qind pjesëmarrjen e vet tek Cleversafe, ku ndërkohë Barris ishte bërë administrator i Deleguar. Në vijim, Barris ka luajtur një rol në ristrukturimin e Cleversafe, që e ka shitur aktivitetin e arkivimit të të dhënave për 1.3 miliard dollarë. Në kohën e shitjes, në vitin 2015, Barris ishte në këshillin administrativ të Cleversafe dhe në atë të dy financuesve të tij, In-Q-Tel dhe Northwestern University.
Barris pranon se është bërë fjalë për një trekëndëzim të pazakontë, por pohon se interesat e të gjithë investitorëve nuk qenë në konflikt. Shton edhe se i ka sugjeruar In-Q-Tel të investojë në të paktën 3 kompani të lidhura me New Enterprises Associates, por rekomandimet e tij nuk janë pranuar. Sipas Ronald Gilson, profesor në Columbia Law School dhe ekspert në fondet e investimeve, ai i In-Q-Tel është një model gjysmëqeveritar unik: fondi ka nevojë për konsulencat e ekspertëve, por i duhet edhe që të shmangë krijimin e marrëdhënieve financiare tejet ambige. “Në rast se do pavarësi të plotë, duhet të zgjedhësh persona që nuk kanë interesa në sektor”, ka thënë Gilson. “Por personat pa lidhje nuk të hyjnë në punë”.
(Damian Paletta për “The Wall Street Journal”)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Keita Balde me çdo kusht në janar
Milan nis ofensivën për goditjen e madhe të merkatos së dimrit. Klubi kuqezi ka shënjestruar sulmuesin senegalez të Lazios, Keita Balde dhe e dëshiron me çdo kusht që në muajin janar. Sipas “Corriere dello Sport”, Keita që ka një kontratë deri në vitin 2018 nuk dëshiron të rinovojë me bardhekaltërit dhe Milani synon të përfitojë nga kjo situatë duke bërë gati ofertën për presidentin Claudio Lotito. Oferta është e thjeshtë, huazim me detyrim blerjeje për 20 milionë euro në fund të sezonit edhe pse shoqëria kryeqytetase kërkon të arkëtojë 10 milionë më shumë. Montella e dëshiron sulmuesin afrikan me çdo kusht pasi Niang nuk ofron siguri dhe Galliani është gati të bëjë gjithçka për t’ia plotësuar dëshirën trajnerit.
Është pikërisht Niang që mund të largohet në merkaton e janarit dhe largimi i tij do të krijonte mundësinë e afrimit të Keita në një periudhë të shkurtër. Një tjetër emër për sulmin e Montellas është edhe sulmuesi spanjoll i Evertonit, Gerard Deulofeu, por bisedimet janë ende në një pikë të ngrirë. Përveç sulmuesit Suso, një tjetër emër që do të vazhdojë të bëjë pjesë në projektin e Milanit të paktën deri në fund të sezonit është edhe kolumbiani Carlos Bacca. Bomberi kuqezi ka bërë me dije se dëshiron të vazhdojë aventurën italiane, ndërsa në mesfushë, objektivi kryesor është Milan Badelj, i cili mund të transferohet në Milanello vetëm me formulën e huazimit pasi arka e kuqezinjve për momentin nuk ofron garanci financiare.
Ndërkohë, Mauro Icardi ka deklaruar se Interi mund ta arrijë vendin e tretë në klasifikimin e Serisë A, vend që do i siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm. “Ngjitja në klasifikim është e mundur. Nuk e thotë vetëm ambicia e shoqërisë, por edhe ecuria e skuadrës në muajin dhjetor”, deklaroi sulmuesi argjentinas në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.
Icardi thotë se Interi ndryshoi për mirë me ardhjen në pankinë të Stefano Piolit. “Ndryshoi mentalitetin e Interit, ktheu besimin te lojtarët, edhe te ata që luanin pak me De Boerin. Punoi shumë në aspektin psikologjik”, tregon kapiteni, i cili nuk i kurseu kritikat për trajnerin holandez me të cilin zikaltërit nisën sezonin. “Situata ishte bërë e padurueshme. Ata që nuk luanin shumë ishin të pakënaqur dhe nuk merrnin pjesë edhe në festimet e golave. Me Piolin ka ndryshuar atmosfera”, shprehet Icardi.
Konte nuk shqetësohet
102 ditë pas humbjes kundër Arsenalit, Chelsea i Antonio Kontes bie në “White Art Lane” kundër Tottenham falë dygolëshit të Dele Ali duke frenuar ecurinë pozitive të Bluve të Londrës, të cilët numëronin 13 fitore radhazi në Premier League. Pavarësisht kësaj, Chelsea pozicionohet në vendin e parë të tabelës së klasifikimit me 5 pikë distancë ndaj Liverpoolit ndjekës.
Humbja nuk e ka shqetësuar aspak teknikun italian, i cili shprehet se është i kënaqur me paraqitjet që kanë bërë futbollistët.
“Duhet të jemi të kënaqur me paraqitjet që kemi bërë deri më tani. 13 fitore radhazi në një kampionat si Premier League nuk është një mision i thjeshtë, pasi të gjithë e dimë që këtu rivaliteti është i madh. Gara është e gjatë. Tani nuk na ngelet gjë tjetër veçse të mendojmë për takimin e radhës”, u shpreh Konte.
Ish-trajneri i kombëtares italiane deklaroi se Chelsea këtë sezon është një skuadër akoma dhe më e fortë nga ai i vitit të kaluar, këtë fakt e vërteton dhe kreu i tabelës së klasifikimit. Sipas Kontes ky fakt ndoshta bezdis dikë dhe me doza ironie ai shtoi se dëshira e Bluve të Londrës është të vazhdojnë të sjellin bezdi.
“Askush nuk e mendonte që këtë sezon ne do të ishim në vendin e parë dhe është normale që ky fakt ndoshta shqetëson dikë. Dëshira jonë është që ky shqetësim të vazhdojë deri në fund të kësaj gare”.
Përsa i përket merkatos, Konte u shpreh se nëse do të ekzistojë mundësia padiskutim që klubi anglez do të realizojë ndonjë transferim. Në rast të kundërt vëmendja do të jetë tek akademia e klubit, ku do të vëzhgohen talentet e rinj.
“Është e vështirë të realizosh goditje në merkato gjatë muajit janar, pasi asnjë skuadër nuk dëshiron të humbasë futbollistë në mes të sezonit. Sigurisht që ne do të tentojmë, nëse do të ekzistojë mundësia, do të realizojmë blerje. Nëse s’do të ketë do t’ia dalë me grupin e futbollistëve që kam, ndoshta edhe me ndonjë element cilësor nga akademia e të rinjve”, përfundoi Konte.
Pas 13 fitoreve radhazi, Chelsea i Antonio Kontes u ndal, në sfidën që ndoshta më pak do të kishte dëshiruar, ndaj Tottenhamit në derbi. Kryesuesit e Premier League nuk arritën të barazojnë rekordin e Arsenalit duke u mundur 2-0 në “White Hart Lane”. Erikssen dhe Dele Ali ishin dy yjet e “gjelave”, i pari me dy asist dhe i dyti me dy gola, që rikthyen në garën për titullin ekipin vendas. Nga formacionet fillestare megjithatë pritej që Chelsea të ishte më kërkues, por loja e kujdesshme e Tottenham bëri që asnjë prej dy ekipeve të mos godiste portën deri në minutën e 47-të të pjesës së parë, kur Erikssen gjeti pasimin e duhur për Alin, që i vendosur në vendin e duhur mposhti pa shumë probleme Cortois.
Goli i disavantazhit bëri që Chelsea të niste vrullshëm pjesën e dytë, por Blutë e Londrës u treguan të pasaktë përpara porte, ndërsa Tottenham në krahun tjetër gjeti sërish frymëzim te dyshja Erikssen-Ali, me këtë të fundit që shtyu sërish për në rrjetë me kokë, golin e 2-0.
Përpjekjet e Chelsea-t për të rihapur takimin rezultuan të kota, pasi Tottenham ruajti fitoren deri në fund duke u rikthyer jo vetëm vetë në garë për titullin, por dhe duke i bërë një nder ekipeve të tjera të Premier League.
Kthehet Etrit Berisha, titullar ndaj Chievo-s
Etrit Berisha i ka djegur të gjitha etapat e rikuperimit, pas operacionit në menisk. Portieri shqiptar është kthyer të stërvitet me grupin dhe duket gati për ndeshjen e parë të Atalantës në Serinë A për vitin 2017. Për sfidën e së dielës, më 8 janar në fushën e Chievo-s, gardiani shqiptar pritet të luajë titullar, duke rimarrë vendin në formacion nga Sportiello. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e Berishës i takon trajnerit Gasperini, që gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve në qendrën stërvitore të Zingonia-s do të vlerësojë me kujdes formën e portierëve.
Sipas mediave pranë klubit bergamask, kuqeziu është favorit për të zbritur në fushë nga minuta e parë, ndërsa rikthimi i tij në formacion mund të vulosë përfundimisht nxjerrjen në shitje të Sportiellos gjatë merkatos së janarit, me këtë të fundit që pëlqehet nga Napoli dhe Lazio.
Etrit Berisha iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në gju më 7 dhjetorin e kaluar, duke mbyllur përpara kohe 2016-ën. Portieri i lindur në Prishtinë tashmë është gati për ta nisur vitin e ri aty ku u ndërpre i vjetri: me paraqitje të jashtëzakonshme mes shtyllave, duke qenë një prej lojtarëve më të spikatur të kampionatit italian në gjysmën e parë të sezonit.