Armando Sadiku drejt Luganos. Ato që nisën si spekulime të merkatos apo dëshira për ta pasur në skuadër e ish-asistentit kuqezi, Paolo Tramezzani, tashmë ka nisur të konkretizohet. Në ditën e prezantimit zyrtar të Tramezzanit te Lugano, në aventurën e tij të parë si trajner, interesimit të mediave nuk mund t’i mungonte synimi për të blerë sulmuesin shqiptar.
Me bisedimet që vijojnë, tekniku nuk dëshiroi të fliste konkretisht rreth situatës në merkato, por ai që dha detaje mjaft të rëndësishme ishte presidenti i Luganos, Angelo Renzetti. Drejtuesi më i lartë i klubit të Superligës zvicerane tha se “gjithçka është gati për afrimin e Sadikut te Lugano”. “Zyrihu është dakord. Edhe lojtari dëshiron të kthehet, por më parë Lugano duhet të largojë disa futbollistë. Nëse nuk do të ishte për këtë, do të shkoja menjëherë ta merrja Sadikun”, deklaroi Renzetti.
Prej emërimit të Tramezzanit në stol, Lugano doli në mënyrë të papritur në “pole” për shërbimet e bomberit 25-vjeçar, pavarësisht interesimit nga Palermo në Itali.
Fakti që lojtari e njeh skuadrën, pasi ka luajtur aty në sezonin 2012-2013 dhe lidhja e fort me trajnerin janë baza të forta që transferimi i tij të realizohet dhe Armando Sadiku të kthehet të luajë në elitën e futbollit zviceran.
Gati kalimi i Sadikut te Lugano
Bernard Berisha zyrtarisht te Terek Grozny
Bernard Berisha është zyrtarisht një futbollist i Terek Grozny. Mesfushori bëhet shqiptari i tretë që do të veshë fanellën e klubit të Premier Ligës ruse, duke zyrtarizuar kështu transferimin nga Anji Makachkala te skuadra ku luajnë dhe Bekim Balaj e Odise Roshi. Që në fundin e muajit dhjetor Terek bëri të ditur se ishte arritur një marrëveshje për transferimin e Bernard Berishës në radhët e tij, por vetëm këtë të mërkurë u zyrtarizua gjithçka me firmosjen dhe të kontratës nga ana e futbollistit, që e njeh shumë mirë kampionatin rus teksa ka luajtur në total 30 ndeshje me Anjin duke shënuar dhe 4 gola. Berisha do të jetë i lidhur me klubin e Terek Grozny për një periudhë prej 3 vjet e gjysmë, gjë që tregon se lojtari pritet të jetë pjesë e rëndësishme e këtij ekipi dhe në të ardhmen. Aktualisht Terek renditet në vendin e pestë në Premier League të Rusisë dhe është në garë për një vend në Europë.
Napoli në alarm për Hysajn
Elseid Hysaj u kthye te Napoli nga pushimet në Amerikë, por gjendja e mbrojtësit shqiptar shqetëson Napolin. Shkodrani nisi punën në palestër, me stërvitje të diferencuar. Gjithçka për shkak të një viroze gripale, e cila ka bërë që 22-vjeçari të jetë në dyshim për ndeshjen e parë të vitit 2017, ku të shtunën të kaltërit do të luajnë në “San Paolo” përballë Sampdorias.
Trajneri Sarri është me dhembje koke, ndërsa vetë mbrojtësi i djathtë dhe stafi mjekësor po bëjnë të pamundurën që ai të jetë në fushë, për sfidën që mbyll fazën e parë të Serisë A. Hysaj mund të jetë i detyruar të shtrëngojë dhëmbët dhe të luajë, pavarësisht se nuk do të jetë në formë optimale. Kjo për faktin se te Napoli mungojnë të gjithë mbrojtësit e tjerë titullarë.
Nga Albiol i skualifikuar, për të vijuar me Koulibaly dhe Ghoulam, të cilët janë të angazhuar në Kupën e Afrikës, ndërsa jashtë mbetet edhe Chiriches që vuan një dëmtim muskulor. Elseid Hysaj pritet të jetë në fushë përballë Sampdorias në fundjavë, ndërsa nëse gjendja e tij përkeqësohet, gati do të jetë veterani Maggio. Përkrah kuqeziut në mbrojtje do të jenë Tonelli, Maksimoviç e Striniç. Pavarësisht situatës alarmante në repartin difensiv, mbrojtësi shqiptar dhe të tjerët e kanë të qartë që në fund vlen vetëm fitorja, për të vazhduar luftën për titull.
Presidenti Nishani i jep gazetës “RD” titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Presidenti Nishani vlerëson gazetën “Rilindja Demokratike” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Në 26-vjetorin e themelimit dhe botimit të numrit të saj të parë si një zë i lirë dhe i pavarur mediatik pas afro pesë dekadash shtypjeje dhe censure të ashpër komuniste, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani dekoroi gazetën “Rilindja Demokratike” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të vyer e të pazëvendësueshëm si gazeta e parë që vrau frikën e diktaturës dhe hapi rrugën për rivendosjen e shtypit të lirë në Shqipëri, duke përhapur e lartësuar vlerat e patjetërsueshme të lirisë dhe të demokracisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Presidencës.
Arrestimi i Haradinajt, pse heshti Rama
Partia Demokratike ka reaguar ndaj arrestimit të Rramush Haradinajt në Francë.Gjithashtu ka reaguar edjhe Presidenti i Kosoves Hashim Thaci dhe politikanë të tjerë në Kosovë. Tirana zyrtare hesht rreth faktit të arrestimit të Haradinajt. Në njoftimin për shtyp thuhet se, ndalimi i sotëm në Francë i Rramush Haradinajt është një lajm shqetësues. Tronditës është fakti se ky ndalim është kryer me një fletarresti të vitit 2004 të Sërbisë dhe objekti duket se është aktiviteti i Rramush Haradinajt në luftën për çlirim të Kosovës.
“Si zoti Haradinaj po ashtu dhe drejtues të tjere të UÇK janë ballafaquar me dinjitet dhe janë vlerësuar të pafajshëm nga drejtësia ndërkombetare në kohë të tjera. As Haradinaj dhe asnjë luftëtar i lirise së Kosovës nuk i janë trembur e shmangur drejtësisë, madje kanë mirepritur cdo lloj hetimi për të provuar pastërtinë e luftës për clirim të Kosovës.
Partia Demokratike nderon luftën heroike të popullit të Kosovës dhe drejtuesve të saj për liri e pavarësi. “As Haradinaj dhe asnjë luftëtar i lirisë së Kosoves nuk i janë trembur e shmangur drejtësisë, madje kanë mirëpritur çdo lloj hetimi për të provuar pastërtinë e luftës për çlirim të Kosovës”, thuhet në njoftim të Partisë Demoktratike.
Partia Demokratike shpreh besimin se një drejtësi e pavarur europiane nuk mund të mos nderoje gjithashtu heronjtë e një populli në luftën për liri.
Partia Demokratike u kërkon autoriteteve franceze të sqarojnë sa më parë këtë situatë, duke theksuar se procedura të tilla burokratike dhe rudimentare perjetohen me shqetësim në hapësiren mbareshqiptare pasi ato prekin një ndër faqet më krenare të historise sonë, lirinë dhe pavarësine e Kosovës”, thuhet në deklaratën e PD.
Kryetari i Partisë për Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës dhe ish-Kryeministri i Kosovës u arrestua në France në bazë të një urdharresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia që në vitin 2004.Kanë qenë autoritetet Franceze që kanë lajmëruar ato Kosovare për arrestimin e tij. Ai është arrestuar nga policia kufitare me të mbërritur në aeroportin e Basel-Mulhouse në Francën lindore në një fluturim nga Prishtina. Z.Haradinaj është dërguar menjëherë në prokurorinë e qytetit të Mulhouse në Francë. Në të shkuarën Z.Haradinaj është arrestuar edhe në Slloveni në bazë të një urdharresti të lëshuar nga Serbia, por pasi situata u sqarua ai u la sërish i lirë. Pas marrjes së njoftimit edhe ministria e jashtme e Kosovës ka reaguar duke kërkuar lirimin e tij.
Viti i rebelimit
Frrok ÇUPI
Çudi fjala “rebelim”?!… Po pse?! Po sikur më 31 dhjetor 2017, shumë nga këto që kemi sot rrotull, të mos jenë më ose të jenë ndryshe?! Shikojini…. Këto ditë me diell në fund të vitit, mesa duhet kanë ardhur që të na mundësojnë të shikojmë qartë e të mbajmë mend: Jo, nuk do të jetë më si sot! Rebelimi është në rrugë.
… Mos e shikoni si viti jubile i Judah Ben Samuel; edhe ai e kishte profecinë të lidhur me vitin 1217… Profeti Samuel do të thoshte se 2017 është njëqind vjet pas Revolucionit të Tetorit 1917 që ndryshoi botën. Jo!, jo vetëm pse tani flitet për drejtim të kundërt nga Revolucioni Socialist, por parashikimi nuk është më me vlerë. Tani është fakt: Rebelimi, ka ndodhur, është në rrugë.
Ja shikojini për herë të fundit në këto ditë me diell. Shikojini që prej afër, këtu ku jemi:
Qeveria, kjo që është, më e bezdisshmja gjer më sot, nuk do të jetë më. Ndryshoi klima për qeveritë që bezdisin popujt dhe iu hyjnë nën lëkurë. Qeveritë e këtij modeli janë si insektet që nuk rrojnë dot në klimë tjetër. Këto lloj qeverish po refuzohen nga popujt, qeveri që gënjejnë, qeveri që grabisin, qeveri që nuk kanë as autoritetin t’i bëjnë thirrje popullit se “po digjet shtëpia”- ja kështu janë. Në Amerikë ra Sorosi dhe mesa duket edhe Masonët që mbanin pompën e oksigjenit për këto lloj qeverish. Aq më tepër që pas gjashtë muajsh kemi zgjedhje. Në zgjedhje nuk mund të shkohet me këto formacione; po të shkohet do të dështojë vetë procesi. Atëherë do të ndodhë si në vitet ‘90 kur demokracia trokiste rreth nesh dhe establishmenti komunist vonohej me sot!, e me nesër!. Po ku do të shkonte ai regjim?, do të binte se s’bën. Ja edhe këtu, këtë që shikoni sot, nuk e kemi në fund të vitit 2017.
Ka ardhur koha e rebelimit, elitat politike i imponuan popujt që të mos shikojnë më në drejtim të tyre- veç andej nga e kundërta. Ky është rebelimi. Elitat krijuan “kënetën” dhe popujt po asfiksoheshin. Rebelimi, jo si në vitin 1917, as si në vitin 1948, as si në vitin 1990…; kësaj here ka nisur nga maja e qytetërimeve. Ra establishmenti në Shtetet e Bashkuara që kishte hedhur rrënjë- mesa po del sheshit- në prapësi të mëdha për njerëzimin. Amerikanët- si kreu- e ndjenë dhe i dhanë njerëzimit mundësinë e ndryshimit shekullor. Zgjedhja e Donald Trump president i Shteteve të Bashkuara ka përhapur besimin se bota është e njerëzve… Shikojini tani në këtë diell të fundit 2016, sa e sa gjëra nuk do të jenë më si tani.
Nuk do të jetë më UN (Kombet e Bashkuara). Një mashtrim botëror i elitave me fjalën mikluese “bashkim kombesh”. Cili ishte problemi që zgjidhi UN në pesëdhjetë e ca vjet?- pyeti Trump… Nuk do të jetë më siç është- në “moçal” vetë Banka Botërore; nuk do të jetë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Organizime oligarkësh botërorë me sajesa të tilla që skllavërojnë kombet dhe shtetet.
Nuk mund të jetë kështu siç është vetë EU (Bashkimi Europian,- edhe ky emër me fjalën mikluese “bashkim”). Të paktën Greqia, një nga anëtarët, duhet të largohet urgjent, sepse ndryshe nuk jeton dot më. Brexit e ndau në pjesën ku anija e BE po mbytej. BE është organizëm i atij lloji të stranjohur në biologji që “vdes për shkak të rritjes”. BE i tha vetes që të zgjerohej për nga qytetërimet jashtë BE, si një qenie e pazakontë.
Viti 2017 është viti i Rebelimit brenda Europës. Zgjedhjet e para parlamentare brenda kufijve të Bashkimit mbahen në Holandë- mars 2017. Dy muaj më vonë, Franca nuk shkon më në zgjedhje për të provuar të majtën që sundoi deri sot; Franca shkon në zgjedhjet e majit për të mos ia hedhur sytë elitës së vet. Ky shtet nuk ka më të papritura se çfarë do të ndodhë. Italia pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas dështimit të Referendumit alias Renzi. Aq e qartë është kjo datë sa vetë kryeministri Paolo Xhentiloni u ka thënë ministrave që të bëhen gati për vetëm deri në vjeshtë 2017. Në vjeshtë do të shikojmë zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani. Kur ra establishmenti në Shtetet e Bashkuara, zonja Merkel mori pozicionin e mbrojtjes së elitave liberale të falimentuara në Europë. Tani pritet të bjerë së bashku me to.
Pastaj, çfarë do të mund të kemi në vitin 2017!?… Mund të mos ketë më “off-shore”, as “Panama”. Po sikur udhëheqësit tanë të detyrohen që të nxjerrin, nga strofkat, paratë që na kanë vjedhur, si thoni, cili është Rebeli? Rebelon fati ynë. Në fund të Depresionit të Madh, 1930, rebelimi qe i tmerrshëm; kësaj here Depresioni nisi në vitin 2008, në establishmentin “Obama”.
Ndoshta duhen përdorur këto ditë me diell që të shikohet qartë. Dielli mund të jenë dhurata e vitit 2016 për të parë përtej, në vitin 2017.
Kur të nderojnë edhe ata që nuk të duan
Astrit PATOZI
(Në vend të një urimi për 26-vjetorin e gazetës RD)
Ka shumë njerëz në Shqipëri, që jo vetëm nuk e lexojnë, por as që duan të përmendet fare emri i RD-së. Arsyet, përgjithësisht, nuk janë profesionale dhe nuk kanë të bëjnë pothuajse hiç me nivelin e gazetës. Ato janë qartësisht politike.
Duke e identifikuar me Partinë Demokratike, kundërshtarët e saj e kanë shumë të lehtë ta përjashtojnë dhe refuzojnë, por, për fat të mirë, jo ta nxjerrin nga qarkullimi. Dhe kjo, sipas meje, është një taksë që nuk ka pse ta bëjë të ndjehet keq gazetën, e cila me daljen e saj të parë më 5 janar 1991, shënoi njëkohësisht edhe lindjen e shtypit të lirë në Shqipëri.
Mendoj se kjo para së gjithash është një mënyrë nderimi ndaj një date të shënuar, sepse “RD”-ja, pavarësisht historisë së saj të gjatë dhe plot zigzake, u krijua si një nevojë e fortë e shoqërisë shqiptare që e vërteta të mos ishte ekskluzivitet i një pale. Dhe pavarësisht debatit që mund të hajë, sot mund të pranohet pa shumë mëdyshje, se të paktën ai qëllim është arritur.
Megjithë sulmet e egra nga qielli, nga ajri dhe nga toka, qeveritë e kanë pasur deri tani të pamundur t’i burgosin mendimin dhe idetë e kundërta. Sado të jetë tkurrur prej goditjeve të forta hapësira e lirisë, është gjendur gjithmonë një oaz apo një dritare, ku e vërteta, jo vetëm të thuhet, por edhe të shpërthejë.
Betejat e dështuara të kryeministrit me shtypin, që nga dita kur erdhi në pushtet, dhe sidomos lufta frontale e tij me portalet e “kazanit” tregojnë se kohëra të vështira kanë ardhur për ata që kanë zgjedhur të përcjellin zërin e opozitës. Jo thjesht të Partisë Demokratike, atë të gjithkujt që është i revoltuar dhe nuk e pranon këtë qeveri. Por është jashtë çdo dyshimi, gjithashtu, se mbijetesa e lirisë së shtypit dhe triumfi i saj është i garantuar.
Ndaj mendoj se në gjithë këto vite tranzicioni të vështirë më cdo 5 janar “Rilindja Demokratike” vlerësohet dhe respektohet edhe nga ata që nuk e duan. Dhe kjo do të vazhdojë të bëhet pafundësisht, aq kohë sa të ekzistojë arsyeja pse “RD” u themelua, nevoja për të pranuar dhe dëgjuar kundërshtarin.
Për shkak se kalova një kohë shumë me të, unë natyrisht kam shumë arsye për të qenë nostalgjik ndaj gazetës, sic jam tërësisht i vetëdijshëm për kufizimet e mëdha të saj, që lidhen kryesisht me statusin e vet të korracuar. Por edhe me sëmundje apo vështirësi të tjera, që ka kaluar dhe po kalon në përgjithësi shtypi shqiptar i këtyre viteve.
Eshtë e kotë dhe patetike t’i kërkohet një gazete partiake të ketë mbi supe përgjegjësinë dhe lavdinë e 26 vjetëve të shkuara, në kohën, që për shkak të avancimit të teknologjisë, sot ndjehen të kërcënuar edhe gjigandët botërorë të informimit si “New York Times” apo “Le Monde”. Por kur qeveria e ngushton lakun për shprehjen e të vërtetës, duhet respektuar dyfish cdo platformë mediatike dhe cdo idivid, që merr përsipër të sakrifikojë, sado modest qoftë ajo ose ai.
Askush nuk mund të thotë sot se edhe sa do të vazhdojë historia e Rilindjes Demokratike, pasi jo thjesht e ardhmja e shtypit partiak nuk është më një opsion, por sot duket e zymtë edhe vetë perspektiva e shtypit të shkruar kudo në botë. Mund të shkojë edhe dy vjet, ndoshta edhe më tepër, por mund të jetojë edhe shumë më gjatë, kjo nuk ka shumë rëndësi.
E rëndësishme është që, sado kohë të kalojë, dhe cilido qoftë fati i gazetave në botë, ajo do të kujtohet gjithmonë si dita e parë e lirisë për të thënë të vërtetën në Shqipëri. Dhe ne që e kemi zakon të ndahemi për shumë data, të paktën për 5 janarin do të biem përherë të gjithë dakord. Si ne që e duam, por po ashtu edhe ata që nuk e pranojnë fare gazetën “Rilindja Demokratike”.
Një jetë me “Rilindja Demokratike”
Dr. Fatmir TERZIU
Plaku që mbahej fort pas Rrapit të moçëm të Bezistanit, në sheshin qendror të Elbasanit, dukej sikur shkulte me tërë forcën e tij inatin që kishte nga brenda vetes për të arritur në krye të turmës së madhe që shtohej e shtohej për të blerë gazetën e vetme të lirë pas disa vitesh. Ai ishte Kristo Mema, njeriu që kishte ëndërruar këtë ditë, pikërisht 5 janarin e vitit 1991, ditën kur doli në qarkullim numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, gazeta e parë e lirë pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, kishte ëndërruar vite të tëra nga errësira e burgjeve të diktaturës. Dhe ja pas disa minutave, gazeta e parë “Rilindja Demokratike” ishte më në fund në duart e tij… Duart i dridheshin dhe lotët bënin punën e tyre. Por më në fund u afrua me ngadalë dhe foli: “Është nder ta kem sot këtë dhuratë nga Zoti në dorën time, pasi në këtë datë, por në një vit më të largët, 1876 lindi Konrad Adenauer, politikani gjerman, Kancelar i Gjermanisë që emrin e të cilit në vitin 1967 e pashë për herë të fundit në dosjet e hetuesisë së egër, kur më thoshin se pse duhej të ‘shkarravisja e të hamendësoja emra gjermanësh të tillë'”.
Dhe kaq u desh që errësira dhe drita që më vinte nga emra të tillë të demokracisë dhe lirisë të bëheshin një kalvar i gjatë. Por sot e shoh ndryshe. E lexoj ndryshe këtë shpresë që vjen nga fundi i një errësire të gjatë… Pastaj në një bisedë të gjatë me Lul Mirakun, Aqif Selimin dhe më tej me Emin Haxhiademin, Tomor Kazazin, Sali Dardhën biseda shkoi në një kënd tjetër. Atë ditë ishte ditëlindja e shtypit të lirë dhe “Rilindja Demokratike”, “fëmija” i sapolindur, kërkohej dhe u kërkua gjatë e gjatë, që gjithkush ta kishte në dorë, ta përkëdhelte e të përshpirtej me të…
Atë vit isha një ndër ata që nga larg do të bëhesha pjesë e gëzimit të një udhe të gjatë, një udhe që e kërkonte vetë liria e fjalës së lirë… Dhe ashtu ndodhi, mjaft shpejt u gjenda në radhët e kësaj gazete, në radhët e së cilës, kalova vite e vite me një përkushtim e ndershmëri, aq sa kolegët, drejtuesit dhe tërë ata që kishin në gjak këtë gazetë, do të shumëzonin urimin e gazetarit më të mirë të kësaj gazete në një vit mjaft të rëndësishëm, në një vit sikur ishte viti 1996-të. Dhe puna e përkushtimi më shtuan akoma më shumë të ndjej dashurinë për shkrimin e më së shumti të ndjej lotët që më dukej se më shoqëronin tërë ato vite, kur udhëtoja në të gjitha pjesët e Atdheut, ku më dukej se më shoqëronin ato lotë të Kristo Memës dhe përvuajtësve të tjerë të diktaturës…, që kërkonin të ktheheshin në diamante jete, në shpresa jete.
Me gazetën “Rilindja Demokratike” vërtet kishte filluar një shkollë e re e gazetarisë shqiptare. Dhe këtu ishte mjaft ndjeshëm e gjitha që shkruhej, e gjitha që servirej “ndryshe” nga ajo që ishte lexuar deri atëherë. Kështu që natyrshëm në një shkollë të re, të tillë si “RD”-ja kishte dhe ditë që shkonin përtej asaj që vërtet mund të bëjë një “shkollë”. Një shkollë sado e fuqishme të jetë, kurrë nuk mund të bënte aq sa bënte “RD”-ja me një staf normalisht të kufizuar gazetarësh. Por arriti të bënte atë që një institucion i tërë, i mirorganizuar mund ta bënte. Ndodhte dhe kështu. Mjaft lajme pasonin njëri-tjetrin dhe ditës tjetër zyrtari i etur për ta parë emrin e tij në të gjitha faqet e gazetës, të acarohej kur shihte se i ishte përmendur një herë. “Dje kam pritur dhjetë delegacione”…, – më tha një ditë, ish-kryetari i Këshillit të Rrethit, Ibrahim Pajenga dhe ti…, ti më shkruan vetëm një artikull, emrin tim e ke fshirë fare. Një herë tjetër ishte ndryshe. Kryetari i Komunës së Gostimës, Ilmi Plaka, pasi më dha një dosje të madhe me sekuestrimet dhe burgosjet masive në zonën e tij, me cilësimet “Kulak”; “armik i klasës” etj; duke m’u lutur më tha: “Lutem të paktën disa rreshta le të shkruhen për këta të përshpirtur…” dhe lotët e bënë punën e tyre. Pas dy ditësh ai thuajse nuk pushoi së lotuari mbi gazetën “RD” që kishte një faqe të plotë për krimet e bëra nga diktatura në një zonë të tillë si Shtërmeni, Gostima, Shtëpanja e më tej…
Me gazetën “Rilindja Demokratike” nën sqetull fshehurazi shikoje ndonjëherë dhe anëtarë të devotshëm të krahut opozitar të asaj kohe, që në jo pak raste kërcënonin nën dhëmbë dhe në disa raste uleshin dhe të informonin se çfarë ndodhte brenda partisë së tyre, ku lufta e dikurshme e “bërrylave” bënte herë shakanë e herë absurdin e vazhdimësisë. E gjitha pasohej ndonjëherë me forma të ndryshme, deri në atë formatin që të habiste se si kishin ekzistuar dhe ende ekzistonin formate të atilla që e shpërfytyronin njeriun. Sidoqoftë të punoje me gazetën “Rilindja Demokratike”, sidomos pas asaj që ndodhi në vitin 1997-të, kur thuajse vetë strukturat e PD-së në shumicën e rasteve ishin përfjetur, dukej qartë se ishe një “guximtar” në një betejë të llahtarshme, në një betejë që vetëm Fatosi, miku im i mirë, shoferi i “RD”-së e di mirë se si mund të përkufizohet. Dhe rasti me Fatosin ishte vetëm dy-tre herë, por me miq të tjerë, me Ahmet Shyqyriun që bëhej copë nga Gramshi, me miq të tjerë në Librazhd, në Peqin, në Korçë e gjetkë? Sidoqoftë ishte dhe mbeti ajo që duhet të ketë një gazetar, si të njohë një histori të mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme për një gazetar – apo dhe për një gazetari në tërë kuptimin e saj. Dhe këtë e kërkoi dhe kërkonte “RD”-ja.
Editoriali i parë i RD më 5 janar ‘91
Fjala e parë
Sot, “Rilindja Demokratike” flet fjalën e parë të saj. Kjo rilindje ka marrë për vete një barrë të rëndë dhe detyrë të ndershme. Ka marrë për detyrë që të thotë fjalën e vërtetë. Shumë-shumë e duan atë fjalë. Vetëm fjala e vërtetë është e lirë, atëherë liria është e vërtetë. Prandaj do ta bëj të pamundurën të mundur për të vënë dhe mbrojtur lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes e të mendimit. Ajo kurrë nuk do të ruajë sekretin për disa dhe lejojë në pakufi për ca të tjerë. Ajo do ta shprehë dhe do ta mbrojë mendimin e lirë të gazetarëve të saj, të bashkëpunëtorëve, por edhe më gjerë gjer të drejtën e ligjshme të mendimit e të shprehjes së lirë në një popull të tërë. Që në fjalën e parë, “Rilindja Demokratike” bën thirrje që askush të mos cenohet, të mos persekutohet, të mos censurohet për shkak të fjalës, mendimit e të shprehjes.
“Rilindja Demokratike” lind pikërisht për të kryer atë vepër të madhe demokratike në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo është gazetë demokratike dhe do të ketë mendjen e saj, mendimin dhe fjalën e publicistëve të përparuar demokratë e përparimtarë shqiptarë, do të ketë bekimin e dëshmorëve për demokraci, do të ketë idealin e drejtësisë sociale e të demokracisë.
“RD”, në çdo fjalë e në çdo germë, do të ketë çështjen e kombit e të atdheut. Kombi të ngjitet, të vëllazërohet e të përparojë! Kombi shqiptar ngjitet ku i takon e të zhvillohet. Atdheu të gëzojë liri dhe indipendencë. Atdheu ynë i lashtë të bëhet çerdhe e dashur dhe kopsht lulesh për bijtë e vet, që kështu të mos ia kthejnë shpinën, por as fjalën të mos ia kthejnë kurrë Atdheut. Për këtë do të përpiqet “Rilindja Demokratike”.
Në faqet e “RD” do të shihemi e do të kuvendojmë me vëllezërit tanë kosovarë, me të gjithë shqiptarët, vëllezërit tanë të shpërndarë nëpër botë, nga brigjet e tejshme të Adriatikut e gjer në kontinentin amerikan.
“Rilindja Demokratike” i ka faqet e hapura. Ajo do të interesohet për të gjitha problemet që ka populli, për ekonominë, për kulturën, për historinë, për letërsinë e artin, për të drejtën, për mësimin e mendimin, ndërgjegjen, për zakonin e traditën, për sot e për nesër. “Rilindja Demokratike” shikon përpara. Ajo ka një dëshirë e vullnet që të hyjë tek të gjithë; te fshatari, te shkollari, te punëtori, te intelektuali, te shkrimtari e shkencëtari, tek i riu e fëmija, tek të mëdhenj e të vegjël.
“Rilindja Demokratike”, e cila lindi së bashku me Partinë Demokratike, do të mbështesë dhe do të pasqyrojë çdo reformë demokratike që i shërben përparimit, pavarësisht se cila forcë politike do të jetë nismëtare dhe zbatuese e saj. Ajo do të kultivojë dialogun, tolerancën, pluralizmin.
Por fjala e “Rilindjes” nuk do të jetë kurrë lustër apo lajkë. Fjala e saj do të jetë e rreptë ndaj burokracisë, ndaj autokracisë, ndaj çdo të keqeje që do të përpiqet të pengojë përparimin e vendit, lirinë e njeriut, forcimin e shtetit juridik shqiptar. Të mos qëndrojmë duarkryq para të keqes shoqërore dhe shtetërore, këtë do ta atakojë vetë dhe do t’ia kërkojë lexuesit “Rilindja Demoraktike”.
“Rilindja Demokratike” do të flasë fjalën shqipe, shqipen gurrë e qelibar, që nuk ngec nëpër gurët e sofizmave, që nuk njëtrajtësohet në enët e ideologjive të përcaktuara, që nuk flashket nëpër frazat e gjata boshe me pamje zyrtare. Ka një dëshirë “Rilindja Demokratike”, njerëzit të mos thonë më: Mos më fol si në gazetë, por të thonë: Flasim si gazeta “Rilindja Demokratike”. Ajo ta ketë fjalën për ta pirë me etje.
Gëzuar të gjithëve fjalën e parë!