22.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Si doli numri i parë i “RD”me 78 mijë kopje

Nga Agron Sejamini

Ish-faqosësi në Poligrafik, Bashkim Lushi rrëfen vështirësitë për botimin e numrit të parë të “RD”-së

Në orën 23.00, të datës 4 janar 1991, në një kohë rekord përfunduan të gjashta faqet e gazetës dhe u çuan flanet në repartin e gazetave për të filluar shtypjen. Këtu nuk u lejua asnjë njeri përveç Bashkimit. Pas një ore, del gazeta e parë blu me emrin “Rilindja Demokratike”! I mbërthyer nga emocionet e forta, del në oborr duke e valvitur si të ishte një flamur…  Tashmë, më e lehtë se gazeta, ishte bërë Bashkimi që hidhej dhe pritej në ajër nga studentët

Një numër gazete nxori Bashkim Lushi, por e meriton të jetë pjesë e historisë së “Rilindjes Demokratike”, që sot shënon numrin 7661. Sepse, ai njësh, peshon më shumë se shumëfishat e tij

Ka qenë një nga tipografët më të mirë të Kombinatit Poligrafik, në repartin e revistave Bashkim Lushi. Aty ku shtypeshin botimet më të rëndësishme dhe më cilësoret e atij sistemi, që për themel kishte vetëm ideologjinë komuniste. I saktë, i shpejtë dhe me shumë rendiment. I vetmi njeri që mund të të nxirrte nga një situatë e vështirë ishte Bashkim Lushi. Të ngjan sikur fotografia e tij, nuk është hequr asnjëherë nga tabela e nderit. Mirëpo e vërteta dëshmon të kundërtën. Në 730 punëtorë që kishte ai Kombinat Poligrafik, më problematiku për organizatën e partisë dhe drejtorinë ka qenë pikërisht Bashkim Lushi. Kanë qenë të njohura bëmat e tij. Kështu, nga viti 1979 nuk paguante kuotat e Bashkimeve Profesionale. Jo se i dhembseshin ato 30 lekë në muaj, por nuk e ndjente për detyrim. Pasoja për këtë veprim të dënueshëm ishte mosmarrja e fletëve të kampit për pushime. Vazhdimisht, mungonte nëpër aksionet vullnetare, duke e konsideruar shpërfytyrim të personalitetit të punëtorit, punën pa pagesë. Edhe më i rëndë u konsiderua ajo që bëri atë ditë, kur iku në shtëpi pa realizuar normën, për faqosjen e veprës madhore të udhëheqësit të partisë, “Shënime për Kinën”. Të paktën këtu, nuk priste kush të dilte pa u lagur. Fjala vjen, Bashkimi përfundoi punëtor kaldaje për tetë muaj… As vetë nuk e beson që ka shpëtuar, pa ndonjë të keqe më të madhe. Ia di për nder vetes, që nuk kursehej për punë dhe rakisë që e ka patur mikeshën e tij më besnike. Jo vetëm drejtuesit, por edhe ai shpeshherë justifikimin e çdo veprimi të dënueshëm e gjenin te gota. Por, kjo nuk është plotësisht e saktë. Shpirti rebel i Bashkim Lushit e kishte burimin te sistemi i kohës, që vetëm të shfrytëzonte dhe të shpërfytyronte. Thënë ndryshe, ai kishte vite që kishte filluar të “faqoste” “Rilindjen Demokratike”, zëdhënësen e lirisë dhe demokracisë. Gjithsesi, nuk i mungojnë etapat që e çuan në atë mision aq madhor të realizuar më 4 janar 1991.

9 dhjetor 1990. Del nga shtëpia për t’u interesuar për djalin e tij që kishte ikur të luante futboll me shokët, diku pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Por, nuk mundi të mbërrijë… Tani, ishin familjarët e tij që dolën për të kërkuar Bashkimin. Ndërsa ishte duke ecur, pranë Liceut Artistik përjetoi me dhembje dhe shumë emocion sulmin e policisë ndaj studentëve. Harroi për çfarë kishte dalë nga shtëpia dhe u bë pjesë e atij tubimi. Jo vetëm në protestë, por edhe në atë vetëmbrojtje të asaj dhune të ashpër dhe të shëmtuar. Bashkë me studentët për orë të tëra, përshkroi rrugica të shumta derisa shpëtuan nga arrestimi dhe shkopinjtë e gomës.

11 dhjetor. Ishte duke pirë kafe në mensën e Kombinatit Poligrafik, bashkë me Gim Alimehmetin, Halil Ferhatin, Perlat Voshtinën, Sali Bilbilin dhe kryetarin e Bashkimeve Profesionale, Hiqmet Melasin. Në atë bashkëbisedim shokësh, i gjithë muhabeti mbante dhembjen e dhunës ndaj studentëve. Në çast u lind ideja për të bërë të pabërën. Ikin në repartin e punës dhe lajmërojnë për mbledhjen urgjente me të gjithë punëtorët e turnit të parë. As nuk kundërshtonin dhe as nuk dyshonin në seriozitetin e këtij njoftimi, se me ta për fat ishte edhe Hiqmeti, që po atë ditë do të jepte dorëheqjen nga kryetarllëku. Të gjashtë ata, u ulën në presidium. Tema e diskutimit ishte vetëm pyetja: – Ç’mendim keni për protestat e studentëve? Të gjithë ata që diskutuan, mbështetën lëvizjen rinore dhe dënuan ashpërsinë e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, ishte përhapur lajmi se te Poligrafiku ishte ndërprerë puna… Pas dy orësh, numri i pjesëmarrësve në atë tubim spontan ishte dyfishuar. Nga muret e Poligrafikut dhe jo dera kryesore, kishin vërshuar punëtorët e ndërmarrjeve të tjera që ishin aty afër. U shpall krijimi i sindikatës dhe u përgatit një komunikatë në mbështetje të studentëve, të cilën atë pasdite e lexoi në Qytetin “Studenti”, Gim Selimi, punëtor i repartit të galvinizimit.

13 dhjetor. Pas krijimit të Partisë Demokratike, ndjehej nevoja e shumëfishimit të programit. Për më tepër, më 25 dhjetor mendohej se studentët do të fillonin pushimet dimërore, duke mundësuar shpërndarjen e këtij programi në të gjithë Shqipërinë. Materiali për t’u radhitur në linotip iu dha Natasha Llojit, që para disa muajsh ishte pushuar nga puna në Tipografinë Ushtarake, sepse kishte shtypur traktet që ishin hedhur në qytetin e Shkodrës. Shumëfishimin do ta bënte vetë Bashkimi. Një punë që kërkonte kohë, por edhe shumë kujdes. Edhe në këtë drejtim, ai ishte mjeshtër. Rreth orës 21.00, para se punëtorët e turnit të dytë të linin punën, ai futej te dollapi i rrobave. Dilte prej andej kur përgjegjësi i repartit dhe kontrollori i cilësisë, pasi kishin mbyllur portën e madhe dorëzonin çelësat te roja. Me shumë kujdes, ai vendoste torkion (pajisjen rul) në fund të repartit që të mos dëgjohej zhurma dhe ia niste punës. Punonte pa pushim gjithë natën. Në mëngjes, para se ora të vinte shtatë, kur fillonte punë turni i parë, ai hynte përsëri në dollap. Pa rënë në sy te të tjerët, me shumë kujdes, dilte prej andej dhe niste punën e shtetit. Pasdite, i njëjti skenar për të vijuar punën e shpirtit. Kështu, çdo natë deri më 20 dhjetor. Pra, plot një javë pa ikur në shtëpi.

21 dhjetor. Lajmi për krijimin e sindikatës kishte mbërritur në qeveri. Këtë kryesi që përbëhej prej 14 vetësh me në krye Bashkimin e thërrasin në Ministrinë e Arsimit. Ndaj tyre u bënë një sërë pyetjesh nga Besnik Bekteshi, Sotir Koçollari dhe Alfred Uçi, duke testuar se në ç’shkallë ishte rrezikshmëria. Pasi u deklarua i mbyllur ky takim, ndërsa përcjellin kryesinë e sindikatës së Kombinatit Poligrafik, ftojnë vetëm Bashkimin për të pirë kafe. Kafe u tha, se në fakt ishte seanca e dytë e mbledhjes. Por, Bashkimit i ka mbetur në kujtesë një ndërhyrje e Prof. Uçit.
– Unë jam akademik, në shtëpi kam edhe djalin e martuar, gatuajmë në banjë nga ngushtica… Si mendon ti, se Hekuran Isai është më i mençur se unë?!
Një pyetje që nuk kishte nevojë për përgjigje. Një pohim shumë domethënës dhe inkurajues për Bashkimin dhe shokët e tij, se lëvizja e nisur duhej çuar deri në fund.

3 janar 1991. Veshët i kapin sihariqin se do të dilte gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike. Pa i thënë kush, me një frymë troket te dera e Frrok Çupit që ishte caktuar kryeredaktor.
– Quhem Bashkim Lushi. Jam faqosës në Poligrafik. Dua që t’ju ndihmoj për gazetën.
– Faleminderit! E kemi zgjidhur atë problem, ia pret shkurt Frroku, paksa edhe dyshues për këtë vullnetar të panjohur.

4 janar. Dosja me materialet e numrit të parë të “Rilindjes Demokratike” mbërrijnë në repartin e gazetave në Poligrafik. Fillon debati dhe kundërshtimi i të gjithë punëtorëve, duke mos pranuar të fillonin punë. Jo se kishin arsye politike, por thjesht se do u shtohej puna. Kjo jehonë përcillet edhe në kafe, duke rënë në vesh të Bashkimit. Me një frymë shkon te reparti i gazetave ku vazhdonte diskutimi. Të gjithë i njihte, ndaj u lutet si shok që ta nxirrnin edhe atë gazetë. Mirëpo lutjet ranë në vesh të shurdhët. Nuk përmbahet, rrëmben dosjen e materialeve dhe i thotë Hasan Kasmit, përgjegjësit të repartit të gazetave, se do e përgatiste në repartin e tij. Mirëpo, Bashkimi ishte punëtor dhe jo drejtor. Të dy ikin te zyra e drejtorit të Poligrafikut, Lirim Ruka, i cili kundërshtoi në mënyrë të prerë. Pas lutjeve të zgjatura të Hasanit se të paktën të lejohej vetëm botimi i këtij numri, ai thyhet. Kaq i duhej Bashkimit. Niset për te reparti i punës, duke u shoqëruar me një rit dasme. Njëri prej personave që kishte sjellë materialet e gazetës, dy hapa para Bashkimit, fillon e spërkat shkallët me konjak… Hera e parë në jetë që nuk ka ndjerë dhembje, për atë lëng aq të dashur, kur e shikonte që derdhej si ujë. Menjëherë, u shpërndanë materialet linotipistëve Ferdi Sinoimeri, Flamur Këmbora dhe Hasip Halili. Rreth orës 15.00 bëhet gati lënda e radhitur për faqet e para. Në krah të tij ishte faqosës edhe miku i tij, Sokrat Xhavara, që shquhej për punë shumë cilësore. Kaq ishin punëtorë. Të gjithë punonin vullnetarisht dhe me shumë dëshirë për të përgatitur numrin e parë të kësaj gazete. E ndërsa, punëtorë kishte pak, e gjithë salla gumëzhinte nga studentët që ishin kureshtarë për shkrimet që do të botoheshin dhe proceset e punës.
Kur dukej se gjithçka po ecte mbarë, në punë e sipër, dora e Sokratit skuqet nga gjaku. Ishte duke prerë në tranxhë, klishenë e fotografisë së Rexhep Qoses. Nga numri i parë, ky njeri ka qenë ters për faqet e kësaj gazete… E ndërsa Sokrati u çua në spital për mjekim, vendin e tij e zë brigadieri i turnit Bujar Çaslli. Në orën 23.00, në një kohë rekord përfunduan të gjashta faqet e gazetës dhe u çuan flanet në repartin e gazetave për të filluar shtypjen. Këtu nuk u lejua asnjë njeri përveç Bashkimit. Pas një ore, del gazeta e parë blu me emrin “Rilindja Demokratike”! I mbërthyer nga emocionet e forta, del në oborr duke e valvitur si të ishte një flamur…  Tashmë, më e lehtë se gazeta, ishte bërë Bashkimi që hidhej dhe pritej në ajër nga studentët.
Vonë shumë vonë, si të ishte në një përrallë niset më këmbë drejt shtëpisë, jo për të fjetur, por për të pushuar. Të nesërmen rreth orës dhjetë, shkon pranë selisë së Partisë Demokratike. Mundohet që të gjejë një kopje gazete, por ishte e vështirë. Kujtojmë se tirazhi i numrit të parë ishte 78 mijë kopje.
Troket te zyra e Arben Imamit, por edhe këtu nuk i jepet një kopje e asaj mrekullie, që për tërë natën e realizoi me shokët e tij. Dikush nga studentët që e njohu Bashkimin, ndërhyn duke buzëqeshur:
– Zoti Imami! Atij i takon jo një, por një mijë….
Një numër gazete nxori Bashkim Lushi, por e meriton të jetë pjesë e historisë së “Rilindjes Demokratike”. Sepse ai njësh, peshon më shumë se shumëfishat e tij. E ndërsa krenohet për ç’ka bërë, ndjehet i lënduar që në këto vite, ka mbetur i harruar nga PD-ja dhe “RD”-ja. Të paktën në ditë festash, le të shkonte një ftesë edhe në adresë të Bashkim Lushit. Për të mos folur pastaj edhe për një ligësi tjetër. Gjashtë orë është filmuar atë natë kur u përgatit numri i parë i “RD”-së. Para një viti, tek ndiqte një emision special në një stacion televiziv, mbushi sytë me lot, kur u shfaqën sekuencat e para të asaj nate të paharruar. Por… u ligështua, sepse nuk mundi të shihte as veten dhe shokët e tij. Në vend që të çmallej, kujtoi atë kohë kur retushi dhe krasitja ishin në modë… Gjithsesi nuk është bërë asnjëherë pishman dhe nuk ka vënë inat… Ai vazhdimisht në këto vite ka qenë kryetar ose nënkryetar i Partisë Demokratike për zonën 55/2, pranë Stacionit të Trenit. Ndjehet i lumtur, sepse demokracia i krijoi kushtet dhe mundësinë, për t’u ndjerë njeriu më i pasur në botë. Të tri fëmijët e vet i kanë mbaruar shkollat e larta, pa bërë asnjë ndërhyrje dhe pa harxhuar asnjë lekë.

Gazeta që vrau frikën

17 dhjetor 1990 Ishte krijuar Komisioni Nismëtar i PD-së. Mbledhjet e komisionit bëheshin në një nga godinat e Qytetit “Studenti”. Debate për statutin e partisë. Pas mbledhjes bëra një bisedë me Berishën. Për të qenë më i saktë, më duhet të hap një parantezë. Ishte viti 1982. Në atë kohë, isha shef i Sektorit Ekonomik në gazetën “Zëri i Popullit”. Në Pogradec kisha shkuar bashkë me gruan për të bërë muajin e mjaltit. Me Doktorin u takuam me disa pogradecarë, në një nga kafenetë e qytetit. Na tregoi diçka rreth librit “Mëngjeset e magjisë së madhe”. Ai tregonte në mënyrë të veçantë dhe tregimi i tij të “ndiqte” për njëfarë kohe. Ishte kjo nuancë, kjo njohje, që më vonë u bëmë miq. Jo rrallë kishim pirë kafe në Tiranë…
– Mitro, a nuk e merr ti drejtimin e gazetës?, më thotë Doktori. Bisedova edhe me Preçin. Ai më tha: Nuk mund të lë letërsinë për gazetarinë!
– Edhe unë, me shëndetin që kam, nuk e mbaj dot atë barrë… Ju e dini historinë e sëmundjes sime…
– Po si t’ia bëjmë, sepse gazeta duhet, vazhdoi bisedën ai. Ti e kupton më mirë: Fati i gazetës, në njëfarë shkalle, varet nga kryeredaktori.
Në kërkim të kryeredaktorit, unë kisha biseduar edhe me Preçin. Si kandidaturë mund të ishte edhe Frrok Çupi.
Kishim punuar së bashku në gazetën “Zëri i Popullit”. Të dy na kishte ndjekur i njëjti fat. Frroku u përjashtua nga “ZP-ja” dhe shtypi shqiptar, në vitin 1982. Sebep u bënë 5 kuintalë peshk. Tre vjet më vonë, mua më vunë “drunë” nga “ZP-ja” për 40 kuintalë reçel fiku. Më degdisën korrespondent i gazetës “Bashkimi” në Elbasan, Librazhd dhe Gramsh. Frroku e pati më të vështirë. Për disa vjet punoi në minierat e bakrit në Mirditë. Më vonë punoi në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”, në repartin e llullave. Në fillim të vitit 1990, kishte nisur punë në Institutin e Folklorit.
Doktori e mirëpriti propozimin tim. (Kohë më vonë, mora vesh që këtë propozim, veç meje dhe Preçit, ia kishin bërë edhe Mehmet Elezi me Qemal Sakajevën). Pas dy ditësh, në mbledhjen e Komisionit Nismëtar, erdhi Frroku. Saliu bëri propozimin: “Na duhet një gazetë, tha. Me organizimin e saj, krahas Preçit e Mitros, do të merret edhe Frroku”.

Më 2 janar ’91 U shtrova në spital. Bëra analizat. Komisioni i mjekëve nuk ma përcaktoi diagnozën. Sipas rregullit të kohës, duhet të shkoja në Budapest (Vjena e Parisi ishin për të “mëdhenjtë”). Kuptohet, unë do të shkoja jashtë, në qoftë se halla… qeveria do të zgjidhte torbën për dollarë. Unë isha mësuar me këto histori. Edhe mjekët e Sanatoriumit, në vitin 1987, ma dhanë viston për të shkuar jashtë shtetit. Po pse? Në fillim mjekët dyshuan për kancer. Por unë nuk mund të kisha kancer, domethënë të ngrija patkonjtë, për të vetmen arsye se do të vinte një ditë që do të bëhesha Baba i Kombit! Më vonë mjekët thanë se kam sarkoidozë-sëmundje me origjinë skandinave. Unë do të isha rasti i 10-të në Shqipëri. Nuk qe kësmet të hyja në analet e mjekësisë eksperimentale: Nuk u vërtetua edhe kjo diagnozë!

3 janar 1991 Frroku më solli në spital listën e Këshillit Botues. Kryetar: Preç Zogaj. Anëtarë: Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirian Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo. Kryeredaktor Frrok Çupi.

4 janar 1991 Piktori Bujar Marika dhe Mentor Shehu kishin fiksuar, mes dhjetëra modelesh, “siglën” e gazetës. Ishin përgatitur kryeartikulli, artikujt, lajmet, fotot. Të gjitha të futura në një dosje kishin përfunduar në Kombinatin Poligrafik, të ngritur në gjysmën e rrugës “Ali Demi”… Paralelisht me dosjen, një superlajm kishte mbërritur mbi trapezën e Ramiz Alisë: “PD-ja do të nxjerrë nesër gazetën e saj!”. Ra në mendime lideri i komunistëve shqiptarë… Kujtoi një frazë nga Bibla: “E para doli fjala!”… Po u shtyp fjala, po doli në treg fjala e Partisë Demokratike, vdiq komunizmi në Shqipëri! Dhe u dha në shtypshkronjë kushtrimi i partisë: “Gazeta e PD-së nuk duhet ta shohë dritën e diellit!”. Dhe u vu në lëvizje makina e rëndë e shtetit, ajo makinë që për 50 vjet kishte vrarë fjalën e lirë, që i kishte vënë pranga mendimit ndryshe!
Por ndodhi herezia: Fjala e Ramiz Alisë mbeti në letër. Në mbrojtje të gazetës u vunë tipografët. E shtypën gazetën, duke rrezikuar jetën. Morën materialet, poshtë përparëseve të nxira nga vaji dhe plumbi. U ngjitën në katin e dytë të ndërtesës, mes errësirës, atje ku “syri vigjilent” i partisë nuk depërtonte dhe e derdhën fjalën e “RD”-së në plumb. Pastaj fjala çau në rrotativë… dhe u shpërnda në të gjithë Shqipërinë. Kush ishin këta tipografët? Flamur Këmbora, Bashkim Lusha, Sokrat Xhavara, Firdes Saraçi etj.

5 janar 1991 U botua numri i parë i “RD-së”. Kryeartikulli me titull: “Fjala e parë”. Tri intervista: Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Rexhep Qosja. Fjala e Sali Berishës në mitingun në Qytetin “Studenti”: “Ylli polar, çështja kombëtare”. Intervistë nga Pashko: “Për të përballuar krizën”. Artikulli i Preç Zogajt: “PD nuk është mace e zezë”. Koment nga Aurel Plasari për Gjergj Fishtën. Artikulli i Neshat Tozaj: “Pse e refuzoj kandidimin për deputet?!” (i Partisë së Punës.) Koment nga Frrok Çupi “Vallë a do të dalë numri i dytë i gazetës?”.
Në të vërtetë, gazeta jo vetëm u botua, por ndoshta u bë gazeta më e suksesshme e këtij fundshekulli. Ishte gazeta që vrau censurën. Ishte gazeta që vrau frikën. Tirazhi arriti nga 70 mijë deri në 100 mijë kopje. Nuk ishte ky kufiri. Tirazhi nuk pengohej nga shitja, por nga mungesa e letrës. Për lexuesin kjo pengesë kapërcehej, duke e kaluar gazetën dorë më dorë. Ndërkohë, në treg filluan spekulimet. Çmimi i shitjes u rrit me herë.

5 janar 2001 U mbushën 10 vjet nga botimi i gazetës. Takova kryeredaktorin. Pyeta: Pse nuk kemi një dhomë muze për “RD-në”? Përgjigjja erdhi hazërxhevap: Mungon, sepse gazeta është e varfër! Rrogat e gazetarëve qesharakë. Mos vallë po kërkon qiqra në hell?… Mendova. Historia e një gazete mund të “shkruhet” edhe pa kërkuar investime. Pjesë e historisë janë reliket: Makinat e shkrimit ku u shtyp numri i parë. Vlerë kanë edhe tavolinat, karriget, derdhjet në plumb, aparatet e telefonit, magnetofoni, faksi…. Për këto nuk duhen fonde: Duhet vetëm vullnet për t’i grumbulluar dhe kulturë për t’i ekspozuar.

10 shkurt 1992 Në Tiranë kishim përfunduar bisedat me stafin e gazetës franceze “Le Figaro”, për të bërë një ndërmarrje të përbashkët. “RD-ja” do të kishte 49 për qind të aksioneve, francezët 51 për qind. Zyrtarisht u vendos që firmosja e kontratës të bëhej në Paris. Në përbërje të delegacionit ishte kryeredaktori Mitro Çela, zëvendëskryeredaktori Filip Çakuli, Sekretari i Kolegjumit Bashkim Trenova, avokati Dhame Pite. Delegacionin e drejtonte Sali Berisha. Bëmë një vizitë në redaksinë e “Le Figaro”. Një sallë ishte kthyer në muzeum, ku gjendej historia e gazetës. Foto të shumta. Emrat e kryeredaktorëve dhe të superyjeve të gazetës. Përmbledhje të shkrimeve më të mira në vite, sipas rubrikave të ndryshme. Shënime të personaliteteve të jetës politike, artistike e shkencore për gazetën: De Gol, Pompuidu, Brixhid Bardo, Edit Piaf, Ajzenaur, Jan Pol Sarter, Kenedi, Martin Luter King, Xhon Lenon… dhe Ismail Kadare. Evolucioni i teknologjisë nga makinat e shkrimit tek kompjuterat; nga tipografia me plumb tek ofseti; nga shpërndarja me biçikletë tek makinat moderne… Pak çaste dhe unë dija për “Le Figaro” më shumë se për të gjitha gazetat shqiptare, ku kisha punuar rreth 20 vjet…

Tetor 1995 Shkova në Romë me Qemal Dishën, në atë kohë drejtor i INSIG. Na ftoi në shtëpi Sandro Shtylla. Avokat i njohur. Babanë e kishte nga fshati Shtyllë, diku afër Vithkuqit. Nënën serbe. Shtëpia ishte plot me relike nga Shqipëria. Duke i parë me vëmendje, syri më zuri një gazetë të vendosur në kornizë dhe të varur në mur. U befasova: Ishte numri i parë i “RD-së”. Qemali thirri Sandron. I foli për mua. I zoti i shtëpisë hoqi gazetën nga korniza dhe m’u lut të firmosja, karshi emrit tim të botuar në listën e Këshillit Botues. Me lot në sy, Sandro tha: Onorevole (deputet) Çela! Firma jote në të parën gazetë demokratike të Shqipërisë, do të jetë një surprizë e vërtetë për miqtë e mi!”. Më erdhi turp nga vetja: Unë nuk e kam numrin e parë të “RD-së” as në kornizë e as në bibliotekë!
Një pjesë tjetër e historisë janë koleksionet, fotografitë e para, dorëshkrimet. Artikujt e botuar me rastin e përvjetorëve të kaluar. Një stendë me emrat e kryeredaktorëve, gazetarëve, korrektorëve, shoferëve, tipografëve. Ndoshta edhe me ndonjë shënim ku ishin edhe ku janë sot “penat” që bënë historinë e gazetës në vitet ‘90. Për të nxjerrë numrin e parë të gazetës, punuan edhe disa studentë. Cilët janë ata? Deputeti Ben Blushi. Këshilltari i Fatos Nanos, Emin Barçi. Këshilltari i Metës, Dritan Kaba. Armando Shkullaku. Gazetari Blendi Fevziu. Deputeti Edi Paloka etj… Gazeta ka qenë e hapur edhe për Edi Ramën… Për të gjithë… Më tej, “historia e ekspozuar” pasurohet duke bërë edhe shpenzime: Botime speciale nga faqet e gazetës për jetën e partisë, për ekonominë, fushatat elektorale, kulturën, artin, sportin, konferencat e shtypit, politikën e jashtme, çështjet kombëtare, Kosovën, Çamërinë, minoritetin dhe qëndrimet e shtypit ndaj tij etj.

Viti i Ri nis me atentate, tritol, grabitje dhe drogë

Edhe ky vit i ri ka nisur me një sërë krimesh, si atentate, grabitje, shpërthim tritoli, trafik droge drejt Italisë e Greqisë dhe aksidente me pasojë vdekjen e të paktën dy personave. Në qytetin e Burrelit një person u plagos rëndë në një atentat, ndërsa autorët ende nuk janë zbuluar nga policia. Në Kamëz u hodh në erë me tritol një dyqan, ndërsa policia nuk ka mundur të zbulojë autorët. Ndërsa natën e ndërrimit të viteve u grabit një kazino tek “Zogu i Zi” në Tiranë. Ndërsa 1 ton drogë nga Shqipëria është sekuestruar në Itali dhe Greqi.
Po ashtu, ky vit ka nisur me aksidente të rënda si pasojë, vdekjen e dy personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Gjithashtu janë regjistruar edhe vepra të tjera kriminale, të cilat nuk janë publikuar nga policia siç është rasti i përleshjes së dy punonjësve të Policisë së Komisariatit Nr.2 në Tiranë.

Plagoset me armë në atentat një person

Në ditën e parë të këtij viti u krye një atentat në qytetin e Burrelit. Një 56-vjeçar është qëlluar disa herë me armë në një pritë, por fatmirësisht ai i ka shpëtuar vdekjes, duke marrë vetëm plagë në trup. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 janarit në lagjen “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit. Mësohet se 56-vjeçari me inicialet B.M është plagosur gjatë momentit që ka shkuar në garazh për të marrë automjetin, ku dhe është qëlluar me armë zjarri nga një person i paidentifikuar. 56-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin e Burrelit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendngjarje dy gëzhoja të qitura nga një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”.

Shpërthim tritoli në Kamëz

Një dyqan u hodh në erë me tritol në Kamëz mëngjesin e 1 janarit të vitit 2017, rreth orës 3:20 minuta. Sipas burimeve, shpërthimi ka ndodhur në dyqanet e familjes Daci, në rrugën “Demokracia” në Kamëz. Vala goditëse qe mjaft e fuqishme sa veç dëmeve dhe shkatërrimit të ambienteve të brendshme të objektit dëmtoi edhe fasadat e dyqaneve dhe objekteve të tjera për rreth. Ndërkaq, policia ende nuk ka ndonjë të dyshuar në lidhje me shpërthimin.
Hetuesit thanë se po verifikohen edhe me informacione të tjera që po merren në terren nga agjentët e policisë së kryeqytetit. Në lidhje me ngjarjen, policia shoqëroi disa persona si të dyshuar nga familja Kolaveri, me të cilët familja Daci, është në hasmëri. Asnjë prej të shoqëruarve dhe personave të pyetur, nuk pranoi të kishte lidhje me ngjarjen.

Grabitet kazinoja në Tiranë

Një person i maskuar dhe i armatosur grabiti një kazino natën e ndërrimit të viteve tek “Zogu i Zi” në Tiranë. I maskuar dhe i armatosur me pistoletë “TT”, autori ka marrë rreth 800 mijë lekë të vjetra. Më pas, ai iu drejtua një tjetër kazinoje pranë Prokurorisë së Tiranës, sërish me qëllimin për ta grabitur. Por këtë herë, 45-vjeçari është kapur në flagrancë nga efektivët e Komisariatit Nr. 3, të cilët ishin vënë në ndjekje të tij.

Dy të vdekur në aksident

Dy persona kanë humbur jetën pasditen e së hënës në një aksident, në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Aksidenti ka ndodhur më 3 janar rreth orës 17:00, kur mjeti tip “Mercedes Benz”, me targa AA 372 KJ, me drejtues 61-vjeçarin Nimet Bilani ka aksidentuar Fran Lucën, 85 vjeç dhe Kolë Gjonin, 77 vjeç.
Dy të moshuarit ishin duke ecur në këmbë në këtë aks rrugor. Viktimat janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ku kanë ndërruar edhe jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Nimet Bilani, banues në Shkodër, është shoqëruar në polici.

Sekuestrohen 1 ton drogë në Itali e Greqi

Rreth 1 ton drogë nga Shqipëria është sekuestruar në Itali dhe Greqi. Mediat italiane bënë të ditur se një gomone me 760 kg kanabis e nisur nga bregdeti shqiptar është sekuestruar të hënën në Leçe. “La Repubblica” shkruan se mjeti lundrues është gjetur në brigjet e Leçes dhe afër tij u zbuluan 760 kilogramë marijuanë. Bima narkotike nëse do të përfundonte në treg përllogaritet që të kapë vlerën e 7 milionë eurove. Ndërsa drejtuesit e gomones janë arratisur, pasi kanë shpuar me thikë mjetin lundrues pas arritjes në breg.
Po ashtu 213 kg marijuanë u sekuestrua në Portin e Igumenicës në Greqi. Droga u gjet në një furgon-frigorifer të ngarkuar me mobilje dhe djathë të bardhë. Sipas policisë greke, lënda narkotike u evidentua nga kalimi në skaner. Ndërsa në pranga janë vënë dy drejtuesit e mjetit me shtetësi greke. Sipas njoftimeve të para, furgoni me drogë ishte futur nga Shqipëria dhe ishte nisur nga Greqia e Veriut dhe kishte si destinacion Italinë.

R.POLISI

Bilanci tragjik i vitit 2016, 93 të vrarë, Tahiri fsheh ngjarjet kriminale

Mesatarisht 1 shqiptar çdo katër ditë ka humbur jetën gjatë vitit të kaluar si pasojë e ngjarjeve të rënda kriminale. Ministri i Brendshëm foli dje vetëm për 71 vrasje gjatë 2016-ës, por në fakt gjatë këtij viti janë vrarë 93 persona. ABC News ka vëzhguar të gjithë ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2016, ku për pasojë ka pasur viktima të armës, thikës apo edhe sendeve të forta. Sipas këtij vëzhgimi, që nga policia ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, rezulton se gjatë vitit 2016 kanë ndodhur 85 ngjarje të rënda kriminale, ku për pasojë janë vrarë me armë, thikë, mbytje e sende të forta 93 persona.
85 ngjarje kriminale me pasojë vrasjen e 93 personave kanë ndodhur në Shqipëri gjatë vitit 2016. Abc News ka nxjerrë këto statistika bazuar në njoftimet e Policisë së Shtetit dhe ngjarjet e evidentuara çdo ditë të vitit që lamë pas.
Sipas këtyre të dhënave, rezulton se në Shqipëri gjatë vitit 2016 kanë gjetur vdekjen nga arma, thika, mbytjet apo sendet e forta 93 persona. Në këtë listë, nuk janë përfshirë rastet e vetëvrasjes apo edhe aksidentet me pasojë vdekjen, që fatkeqësisht kapin një shifër alarmante.
Nga vëzhgimi i ngjarjeve gjatë gjithë vitit 2016, rezulton se në 85 ngjarje kriminale, kanë gjetur vdekjen nga plumbat, goditjet me thikë, mbytjet apo sende të forta për ngjarje të caktuara qoftë edhe një sherr banal 93 persona.
Ajo që bie në sy gjatë vitit që lamë pas, rezulton se muaji janar ka pasur edhe numrin më të madh të ngjarjeve, 12 të tilla me më shumë viktima. Ndërkaq, gjatë muajve shkurt, korrik, shtator, tetor dhe nëntor, kanë ndodhur nga 8 ngjarje kriminale, ku viktimat janë ekzekutuar nga plumbi, nga thika apo kanë gjetur vdekjen si pasojë e dhunës fizike me sende të forta. Gjatë muajit gusht, kanë ndodhur 7 ngjarje të rënda me pasojë vdekjen e disa personave. Në 3 muaj të tjerë, marsi, prilli dhe dhjetori shënojnë nga 6 ngjarje të rënda kriminale, ku numri i viktimave të plumbave, thikës apo mjeteve të forta është i lartë. Ndërsa muajt me më pak ngjarje kriminale, me viktima kanë qenë muaji maj me 2 ngjarje dhe qershori me 3 të tilla.
Kjo shifër e 93 viktimave nuk është zyrtarizuar ende nga Policia e Shtetit, e cila referuar statistikave të viteve të kaluara, nuk i përfshin në skedarin e statistikor të vrasjeve, ngjarjet ku viktimat kanë gjetur vdekjen nga të goditurat me thikë. Apo edhe rastet, ku viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjeve me mjete të forta, qoftë edhe në rastet kur viktima është goditur nga grabitës me qëllim vjedhjen e banesës së tyre.
Nga ana tjetër, sipas këtij vëzhgimi të kryer nga ABC News, rezulton se numri më i madh i këtyre viktimave, ka gjetur vdekjen nga arma e zjarrit, qoftë për hakmarrje, të çastit, për lëndën narkotike apo edhe vrasje me pagesë. Një pjesë e viktimave të 2016-ës kanë qenë edhe ata persona që janë goditur me thikë, si pasojë e sherreve të çastit apo të planifikuar, ku nuk kanë mundur t’i shpëtojnë plagëve të marra. Ndërsa një numër i vogël i shifrave të vdekjes gjatë 2016 ka ardhur si pasojë e goditjes nga sende të forta, ku përfshihen edhe rastet e grabitjes, ku pronari i shtëpisë është dhunuar dhe më pas ka gjetur vdekjen. Apo edhe rastet e dy elektriçistëve të OSSHE-së, të cilët si pasojë e dhunës për shkak të ç’kyçjes së energjisë elektrike, kanë gjetur vdekjen.

Mbyllen shkollat, nuk ka ngrohje, lekët përdoren për mobilim zyrash

Mungesa e ngrohjes në shkolla, kopshte dhe çerdhe ka detyruar qeverinë t’i mbyllë ato për rreth një javë. Në fakt, Ministria e Arsimit bëri të ditur se shkollat parauniversitare dhe kopshtet në të gjithë vendin do të mbyllen për shkak të gripit, por arsyeja e vërtetë e mbylljes është mungesa e ngrohjes. Në të gjitha shkollat dhe kopshtet nuk ka ngrohje, ndërsa lekët e taksapaguesve përdoren për mobilimin e zyrave të qeveritarëve dhe luksin e shfrenuar të tyre.
Një punonjëse e Drejtorisë Arsimore bëri të ditur dje se, vendimi i qeverisë për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve në datat 4, 5 dhe 6 janar nuk ka lidhje me gjendjen e rëndë gripale në vend. Në një denoncim tek “Nisma Thurrje” ajo thotë se, shkak i pezullimit të mësimit janë temperaturat e ulëta që do të përfshijnë vendin këtë javë.
Sipas saj, shkollat në vend nuk kanë ngrohje ose kanë mjete primitive dhe në disa zona ato janë pa dyer dhe dritare. Sipas saj, ky është shkaku i pezullimit të mësimit dhe jo gripi. “Jam një punonjëse e Drejtorisë Arsimore dhe dua t’iu vë në dijeni për arsyen e vërtete të vendimit të qeverisë për të mbyllur shkollat dhe çerdhet, e cila nuk është prej gripit. Ditët e kësaj jave do të jenë shumë të ftohta dhe ne kemi vënë alarmin mbasi nuk ja dalim dot të ngrohim as shkollat dhe as çerdhet. Shumica e klasave nuk kanë ngrohje fare ose kanë mjete primitive dhe temperaturat në -10 gradë që parashikohen nuk i përballojnë dot. Kjo në Tiranë. Jashtë Tirane, sidomos në zonat malore dhe më periferike situata është shumë më e rëndë, sepse ka edhe klasa që nuk kanë xhama, apo dyer. Për rrjedhojë kërkuam që të pezullohet mësimi këtë javë mbasi parashikimi i motit thotë që java tjetër do të normalizohet. Nuk e kuptoj pse duhet gënjyer edhe për këtë gjë dhe nuk dilet hapur te njerëzit e të thuhen gjërat siç janë. Skemi o popull ngrohje për çerdhet dhe kopshtet për të përballuar këto lloj temperaturash. Unë besoj se njerëzit do e mirëkuptojnë, mbasi e dinë se ku jetojnë dhe ku i çojnë fëmijët. Gënjeshtra kot. Anonim ju lutem, sepse e kuptoni vetë”, shkruan punonjësja e Drejtorisë Arsimore.

Veriu izolohet nga i ftohti dhe bora

Verilindja e vendit është mbuluar nga dëbora. Trashësia e saj arrin deri në 50 cm në zonat malore. Përkeqësimi i motit në ditët e para të këtij viti po shoqërohet me rënie të ndjeshme të temperaturave, e shoqëruar me reshje dëbore, sidomos në zonat Veriore dhe Verilindore të vendit.
Kjo situatë po krijon vështirësi, sidomos në qarkullimin e mjeteve, ndaj përdoruesit e tyre këshillohen të përdorin zinxhirë.
Në rajonin e Pukës dhe të Kukësit trashësia e dëborës ka shkuar në disa centimetra. Në aksin Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, raportohet ka 30-50 cm borë, dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Në rrugën e “Kombit” dhe në akset e tjera rrugore janë vënë në dispozicion borëpastrueset, ndërsa situata më problematike paraqitet në fshatrat e thella malore.
Problematike situata paraqitet në Bulqizë e Dibër, ku disa zona raportohen të bllokuara, pasi mungon ndërhyrja në pastrimin e rrugëve nga dëbora. Sipas burimeve, mungon kripa dhe skorja në aksin Qafë Buall-Krastë, pasi firmës që merrej me mirëmbajtjen e rrugës i ka mbaruar kontrata. Sipas banorëve të zonës, dy persona të sëmurë e kanë të pamundur të marrin ndihmë mjekësore.
Bashkia e Kukësit thotë se, “intensiteti i reshjeve të dëborës u shtua gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa Shtabi i Emergjencave i Bashkisë po qëndron në koherencë me situatën”. Zonat më problematike në Kukës janë Arrni, Kalisi, Grykëçaja, Bushtrica, Topojani, Shishtaveci dhe Surroj. Mjetet borëpastruese nisën menjëherë nga puna për hedhjen e kripës në rrugët e qytetit, ndërsa bashkia vuri në gatishmëri edhe mjetet të saj për të ndërhyrë në rast nevoje.
Bashkia garanton të gjithë qytetarët e saj se do të bëjë gjithçka për të mbajtur situatën nën kontroll dhe rrugët të qarkullueshme. Përkeqësimi i motit pritet të intensifikohet në fundjavë, kur temperaturat parashikohen të shkojnë nga -4 gradë deri në -20 gradë.

Grushta mes policëve në Tiranë, policia fsheh ngjarjen

Dy policë të Komisariatit Nr.2 Tiranë, në orët e vona të natës, pasi janë konfliktuar njëri me tjetrin kanë nxjerrë armët, por fatmirësisht pa i përdorur ato. Sipas informacioneve të Opinion.al, sherri mes policëve ka filluar për arsye krejt banale, duke përfunduar më pas në një konflikt të ashpër dhe gati deri në përdorimin e armës.
Burime të policisë, kanë bërë me dije, se ndaj tyre ka nisur një hetim i brendshëm. Po i njëjti burim, ka treguar, se nëse nuk do të kishte qenë ndërhyrja e menjëhershme e kolegëve për të ndarë policët, sherri do të kishte përfunduar me pasoja fatale. Dy policët janë shoqëruar në mjediset e Komisariatit Nr.2, Tiranë, ndërsa po sqarohen arsyet reale të konfliktit mes tyre.
Agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Ankesave kanë nisur hetimet ndaj dy punonjësve të policisë, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Ky lajm nuk është bërë publik nga ana e Policisë së Tiranës, e cila ka shpërndarë njoftimin për median, por duke mos përmendur këtë sherr mes policëve.

Viti i ndryshimit, sondazhet e PS e nxjerrin me 29 për qind

Armand MAHO

Edi Rama i mori zvarrë shqiptarët, përgjatë tre viteve të qeverisjes. Erdhi me premtime të mëdha për një rilindje kombëtare, por fondet u adresuan drejt rilindjes urbane, të cilat nuk janë gjë tjetër vetëm se një përvetësim i fondeve publike për një kastë të caktuar njerëzish. E ndërsa varfëria vazhdonte të thellohej, ai shtonte represionin kryesisht mbi familjet e varfëra, shtresat e pambrojtura duke i burgosur, ndërprerë energjinë elektrike, rritur taksat, duke i hequr ndihmën ekonomike sepse pasi konstatonte në shtëpitë e tyre bolierë dushi (pasi sipas mendjes së tij quheshin pasanikë), u rriti gazin, energjinë. Shqipëria në sundimin e Ramës mund të quhet sot, i vetmi vend ku njerëzit shpenzojnë dyfishin e atyre që marrin. Ku votuesi i thjeshtë sheh se si arrin majat politike përdhunuesi, trafikanti e çdo lloj tjetër krimineli. Se si lihen të vdesin fëmijët si Kristi Maze, se s’kanë të paguajnë korrupsionin politik të Ilir Beqajt me PPP e famshme. Se si Elvis Rroshi flet për reformën në drejtësi, ndërkohë që s’dihet se sa emra ka pasur në të shkuarën e tij si trafikant. Se si thirret Armando Prenga nën gjykim për plagosje gjatë kohës që gëzonte mandatin e deputetit, për të votuar Vettingun e bërë sipas shijeve të tij. Shqiptarët sot jetojnë marrëzinë më të madhe që pas rënies së diktaturës, në një shtet ku s’bëhet asgjë dhe ku çdo njeri e sheh shpresën për fëmijët e tij jashtë kufijve të vendit. Në një shtet ku dy janë gjërat më të organziuara, vjedhja e fondeve publikeve dhe trafiku i drogës…

Sondazhet

Edi Rama ka vetëm një pikë ku mund të mbështet nga humbja ndoshta më e madhe që një parti politike ka përjetuar në këto 25 vjet ndryshim sistemi. Ajo pikë është rekrutimi në masë i kriminelëve dhe përdorimi i parave të drogës për të blerë masivisht votën. Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar shumëkush në PS e mban mend nervozizmin e kryetarit, kur sondazhet brenda partisë së tij e nxirrnin në rënie të lirë. Në sondazhin e fundit, të organizuar nga skuadronet mavi, shifra arriti pikën më të ulët të historisë së PS-së në 29%. Nga kjo situatë nuk mund ta shpëtojë askush tjetër përveç se elementit kriminal. Kjo është arsyeja se përse në zgjedhjet e Dibrës, por dhe në ato të Kolonjës më pas, elementi kriminal dominoi në çdo qelizë. Ata ishin sekserët e votave, ata ishin ata që kërcënonin tek të pabindurit. Ekranet e televizioneve u mbushën me pamje të tilla, faqet e rrjeteve sociale gjithashtu shfaqnin pamje se si njerëz të kërkuar nga drejtësia kapardiseshin majë makinave të doganave dhe tatimeve. I gjithë mekanizmi shtetëror u vu në shërbim të tyre, ndërsa vetë ata u vunë në shërbim të një fitoreje virtuale që ekziston vetëm në mendjen e çorientuar të kryetarit të PS-së. Rama dhe ata që i mbajnë ison po orvaten që skemën e Dibrës ta shtrijnë në të gjithë Shqipërinë, për të siguruar vazhdimësinë e establishmentit politik që po vjedh me anë të privatizimit dhe koncesionit gjithçka.

Kriminalizimi i administratës

Kohët e fundit Prokuroria ka kërkuar shenjat e gishtave për 570 zyrtarë të lartë të administratës për të cilët ka dyshime të forta se kanë të kaluar kriminale. Burime nga Prokuroria saktësojnë se më shumë se 50 për qind e tyre janë në poste të larta drejtuesish deri edhe deputetë. Por ky është vetëm numri për të cilin ka dyshime Prokuroria, pra njerëz që kanë një dosje në zyrat e saj për krime të ndodhura këtu ose jashtë vendit. Këta janë drejtorë drejtorish, këshilltarë, doganierë, policë e drejtues policie, të veshur me petkun e pushtetit, të cilët flasin përditë për reformën në drejtësi, që firmosin koncesione, që bëjnë sekserin, që bëjnë trafikun e drogës, dhe çdo trafik tjetër. Po t’i shtojmë këtyre dhe rrethin që ata rekrutojnë atëherë shifra dhjetëfishohet… Jo më kot çdo individ dhe grup kriminal, ka synimin e afrimit drejt Rilindjes?! Dhe kjo po ndodh çdo ditë e më shumë kryesisht në vendet ku Rama ka humbur çdo shpresë se mund të marrë vota. Kjo po ndodh në Kamëz, në Kukës, Tropojë, Shkodër, si dhe një përqendrim shumë i lartë është vënë re në Tiranë e Durrës. Jo më kot kryetari i Bashkisë së qytetit bregdetar u investua personalisht për të nxjerrë para zgjedhjeve kreun e bandës famëkeqe Lulzim Berisha. Kjo është arsyeja se përse Klement Balili, një financues i fushatës së PS-së vazhdon të lihet i lirë…

Mungojnë 220 mijë vota

E shprehur në shifra sipas sondazheve të saj, Partisë Socialiste i mungojnë më shumë se 220 mijë vota. Nuk janë vetëm vota të elektoratit gri, por janë vota dhe të socialistëve të zhgënjyer nga qeverisja e saj. Këta janë dhe targeti që do të synohet më shumë të blihet me anë të parave të drogës. Burime nga PS shprehen se militantët janë nën presion të madh dhe po u kërkohet përditë të rikuperojnë dëmin e shkaktuar nga vetë qeverisja e tyre. Nga ana e tij vetë Rama, për të ndrequr sadopak atë që ka bërë, ka filluar një fushatë të shfrenuar ku hiqet si i “pakënaqur” me qeverinë e tij, gjë që e përsërit shpesh. Por jo vetëm kaq?! Gishtin e ka drejtuar dhe nga aletatët e tij, duke is etiketuar ata si të keqen e qeverisjes së tij. Madje për këtë ka lëshuar dhe ushtrinë e analistëve dhe gazetarëve që i ka në boderotë e tij apo të Veliajt në Bashki. Por gjithsesi faktet janë kokëforta, shifrat akoma më shumë dhe të gjitha shigjetat çojnë drejtimin vetëm tek i vetëquajturi lideri global. Të vetmit që nuk e akuzojnë atë për këtë vjedhje situate janë njerëz si Elvis Rroshi i Kavajës apo dhe kryetari i PS-së atje, të dy të akuzuar për trafik dhe aktivitet kriminal apo dhe mijëra të tjerë si ata që po organizohen për të mbrojtur investimin e tyre me emrin Edi Rama…Viti i ndryshimit ka nisur.

Viti i fundit

Rilindja sapo ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes. Më 18 qershor janë zgjedhjet e përgjithshme dhe karvani i reformave, ende nuk dihet se me çfarë premtimi do u kërkojë votën shqiptarëve. Rilindja jo vetëm u tall, por dhe i vodhi deri në atë pikë sa i çoi drejt vendimeve vetëvrasëse. Gjestikulacionet dhe rënia e bërrylit nën modelin e qoftëlargut, duket se s’po e ndihmojnë shumë kokën e karvanit për të rikuperuar dëmin e parikuperueshëm jo vetëm material, por edhe moral e psikologjik që u ka bërë shqiptarëve. Shpresë ka dhe nga kjo katrahurë nuk do e shpëtojnë as paratë e drogës, as kërcënimet e kriminelëve dhe kapja e drejtësisë. Jo vetëm shqiptarët, por edhe komuniteti ndërkombëtar është ndërgjegjësuar se s’mund të ulen në një tryezë me të njëjtin njeri që ndan tryezën me të akuzuar për përdhunim, madje i paraqet dhe si vlerë. Nuk mund të ulen me një kryeministër që përze çdo ditë nga vendi i tij me qindra e mijëra të rinj e të reja të shkolluar duke i bërë këtij vendi një dëm të pallogaritshëm. Nuk mund të ulen me një njeri që s’ka respekt për demokracinë, për opozitën dhe fjalën e lirë. Kjo është një tjetër pengesë që Rama nuk e zgjidh dot as me batutat e tij bajate nëpër konferenca dhe as me ardhjen e ndonjë politikani humbës në prag të largimit të tij. Qeverisja e rilindjes është e destinuar për të mbetur si një njollë e errët në historinë e këtij vendi, si një katërvjeçar që përdhosi vlerat e lirisë dhe ekonomisë së tregut. Dhe nga kjo liderin global nuk e shpëton dot asgjë, as lëpirjet që i bën aleatëve, as “mea culpa” e shtirur teksa shpërndan tapi legalizimesh (u premtoi që do ja bënte falas), as propaganda e Taulant Ballës dhe as mosha e Artan Lames.

Kush e krijoi “RD”?

Mitro ÇELA

Palcë e dimrit. Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike kishte emëruar kryeredaktorin e gazetës: Frrok Çupi. Kishte miratur Këshillin Botues. Piktori Bujar Marika dhe Mentor Shehu kishin fiksuar, mes dhjetëra modelesh, “siglën” e gazetës. Ishin përgatitur kryeartikulli, artikujt, lajmet, fotot. Të gjitha të futur në një dosje kishin përfunduar në Kombinatin Poligrafik… Ndërkohë një superlajm kishte mbërritur mbi trapezën e Ramiz Alisë: PD-ja do të nxjerrë nesër gazetën e saj! Ra në mendime Lideri i komunistëve shqiptarë…Kujtoi një frazë nga Bibla: “E para doli fjala!”…Po u shtyp fjala, po doli në treg fjala e Partisë Demokratike, vdiq komunizmi në Shqipëri! Dhe u dha në shypshkronjë kushtrimi i partisë: “Gazeta e PD-së nuk duhet ta shohi dritën e diellit!” Dhe u vu në lëvizje makina e rëndë e shtetit, ajo makinë që për 50 vjet kishte vrarë fjalën e lirë; që i kishte vënë pranga mendimit ndryshe!
Por ndodhi herezia: Fjala e Ramiz Alisë mbeti në letër, sepse në mbrojtje të gazetës u vunë tipografët. Ata thanë jo! Ata e shtypën gazetën duke rrezikuar jetën. Morën materialet, poshtë përparseve të nxira nga vaji dhe plumbi. U ngjitën në katin e dytë të ndërtesës, mes errësirës, atje ku “syri vigjilent” i partisë nuk depërtonte dhe e derdhën fjalën e “RD”-së në plumb. Pastaj fjala çau në rrotativë…dhe u shpërnda në të gjithë Shqipërinë?
Gazeta kalonte dorë më dorë. Faqe më faqe. Të uritur për liri, të befasuar nga kurajua, të hutuar nga frika, njerëzit lexonin me lepurin në bark. Mileti i parafytyronte artikullshkruesit, si ufo të ardhur nga tjetër planet. Ja vlen të tregoj një episod. Kisha një komshi. Ekonomist. Quhej: Bastri Kastrati. Një ditë më ftoi për kafe. Në dorë mbate gazetën. “Mitro! Më ke mik?…Po…Mund të hamë një drekë me gazetarët?…Gjëja më e lehtë, i thashë. Por do një këshillë? Mjaftohu me leximin e gazetës. Po të hash drekë me ata që shkruajnë, do zhgënjehesh. Janë njerëz të thjeshtë? Të zakonshëm…Më thotë Bastriu: Nuk e bën dot? Ti them Sali Berishës?…Qesha. Dy ditë më vonë u ulëm për drekë Frroku, Preçi, Filipi, Shkullaku…Bastriu qëndronte si mbi gjëmba…Ne bisedonim kodra pas bregut. Filipi tregonte barcaleta…Ikën të gjithë. Kafen e pimë të dy. Kishe të drejtë, tha Bastriu. Më mirë të mbetesha tek leximi i gazetës.
E tregova këtë ngjarje për të dalë tek pyetja? Kush e krijoi gazetën “RD”? Një pyetje gati-gati enigmë, edhe pse për “RD” është folur e shkruar shumë. Kohë më parë, Blendi Fevziu hodhi idenë: Gazetën e krijuan gazetarët studentë. Fjala ishte, në mos gaboj, për Blendi Fevziun, Armando Shkullakun, Edi Paloka, Emin Barçi, etj. Unë nuk besoj. Nëse gazeta do ishte botuar sot, me siguri këta ish-studentë dje, sot intelektualë me nishane, do ishin krijues jo vetëm të gazetave, por edhe të televizioneve. Por koha ka hedhur pluhur.
Sikur të heqim pluhurin dhe të kthehemi në dhjetor të vitit 1990? A mundet vallë që disa studentë të shkruanin kundër Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë? Herezi. Do të mjaftonte një trakt, një “dacibao” fletërrufe, për t’u hapur dyert e hapsanës me soj e sorrollop. Disa të tjerë kanë thënë se gazetën e themeluan “Tre moskëtjerët”: Frroku, Preçi, Mitro”. Këtu ka një farë të vërtete. Frroku u bë kryeredaktori i parë. Preçi dhe Mitro ishin anëtarë të Komisionit Nismëtar të PD-së. Të emëruar nga PD për drejtimin e gazetës. Por a mund të ëndërronte Frroku, psh më 1 dhjetor 1990, se mund të bëhej kryeredaktor i gazetës ? Jo dhe jo. Frroku në vitin 1982 u dëbua nga “Zëri i Popullit”. Përfundoi në minierat e Mirditës. Kishte dy-tre vjet që ishte kthyer në Tiranë. Në fillim punoi në fabrikën e llullave. Kishte një vit që punonte në Institutin e Folklorit. Si ish-gazetar me “njollë”, një sebep duhej, për ta rikthyer në minierë, në mos në burg?! Preç Zogaj? Në dhjetor të vitit 1990 kishte me shumicë baluke. Thurte poezi. Por një poet me ide antiparti për gazetë, do të shkonte tek të shumtët, si Blloshmi me shokë. Mitroja? Mazalla. Që atë kohë e kishte të shkruar në ballë se do bëhej politikan i dështuar.
Ka të tjerë që thonë: Gazetën e bënë anëtarët e Këshillit Botues. Kjo ide mund të bëhet e besueshme, po të përmendim intelektualët që guxuan të jenë anëtarë të Këshillit Botues: Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirian Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo, Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kryetar: Preç Zogaj. Pas tyre qëndronin Besnik Mustafai, Abdi Baleta, Neshat Tozaj, Bujar Lako, Elca Ballauri, Remzi Lani, Rudolf Marku. Por edhe këta ishin “peshë” e vogël, për të krijuar një gazetë që do të vriste frikën.
Shumë mendojnë se gazetën e krijoi Sali Berisha. Edhe këtu ka një të vërtetë. Berisha diskutoi i pari për një gazetë. Ishte po ai që propozoi në fillim Preçit për t’u bërë kryeredaktor. Preçi argumentoi kundra: Nuk mund të lë poezinë për gazetarinë. Po Berisha më kërkoi edhe mua për t’u bërë kryeredaktor. Por unë kundërshtova me idenë: Në fshatin tim, nuk bëhet balta poçe?! Ishte po Berisha që i propozoi Komisionit Nismëtar për të emëruar Frrokun. Po Berisha, gjeti një pjesë të anëtarëve të Këshillit Botues të “RD”…Por të gjitha këto nuk mjaftojnë, edhe po të shtojmë faktin se Berisha në atë kohë kishte shkruar disa artikuj, gati – gati desidentë.
Le t’i kthehemi pyetjes: Kush e “gatoi” gazetën? Unë mendoj: Koha! Kishte rënë Muri i Berlinit. Studentët ishin bërë bashkë për të brohoritur “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. “Enver-Hitler”. 25 ditë më parë, kishte “lindur” Partia Demokratike. Guxim i madh. Punë titanike, nën hundën e Sigurimit të Shtetit. Ishin hapur degë të PD-së në shumë qytete. Por ende nuk ishte vrarë frika. Fjala e PD-së shuhej më parë se të kapërcente Tiranën, Shkodrën, Kavajën a Korçën.
Fjala e demokaratëve nuk kishte vend as në radio e as në TV. Dhe për gazetën ëndërruan dhe punuan të gjithë anëtarët e Komisionit Nismëtar dhe më gjërë: Sali Berisha dhe Gramos Pashko; Aleksandër Meksi, Azem Hajdari, Eduart Selami, Genc Ruli, Arben Imami, Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Ylli Vejsiu, Blendi Gonxhe, Edmond Budina, Shinasi Rama, Arben Lika, Alma Bendo, Merita Zaloshnja, Merita Shkupi… Për gazetën menduan e punuan shumica e intelektualëve. Studentët, i gjithë populli. Më 5 janar gazeta u botua. Unë isha shtruar në spital. Nga mbasditja erdhi Frroku. Dukej tepër i lodhur. …-Po ta them hapur: pa ndihmën e punëtorëve të shtypshkronjës Flamur Këmbora, Bashkim Lusha, Sokrat Xhovara, Firdes Saraçi; pa këmbënguljen e studentëve Blendi Fevziu, Ben Blushi, Armand Shkullaku, Edi Paloka, Dritan Kaba, Emin Barçi; pa ndihmesën e Mentor Shehut për faqosjen e saj, vështirë që “RD”-ja ta kishte parë ditën e botimit. Kam një merak, përfundoi ai.  A do të botohet numri i dytë? Në të vërtetë, gazeta jo vetëm u botua, por ndoshta u bë gazeta më e suksesshme e këtij fundshekulli.
Ishte gazeta që vrau censurën. Tirazhi arriti nga 70 mijë deri në 100 mijë kopje. Nuk ishte ky kufiri. Tirazhi nuk pengohej nga shitja, por nga mungesa e letrës. Për lexuesin kjo pengesë kapërcehej, duke e kaluar gazetën dorë më dorë. Ndërkohë, në treg filluan spekulimet. Çmimi i shitjes, nga 10 lekë shkonte në 30 deri në 50 lekë të vjetra. Në shtypshkronjë, punëtorët bënin spekulime. Merrnin letër nga gazetat e tjera që shtypeshin në Poligrafik, por që nuk shiteshin në treg. Kështu, në orët e para të mëngjesit, kur fillonte shpërndarja e shtypit, nga portat e Poligrafikut dilnin më shumë numra të “RD”-së, sesa ishin shifrat zyrtare. Në një mbledhje të Komisionit Nismëtar u diskutua për këto shpërdorime. Dikush e quajti “vjedhje”. Të tjerë kërkuan që unë, Preçi, së bashku me stafin e gazetës, të merrnim masa. Në se vidhet “RD”-ja, ne nuk kemi pse të shqetësohemi. Ky fakt tregon se niveli i gazetës është i mirë. Do ta quaja fatale, kur gazeta të mos shitej e të mbetej stok.

Mbrohet Eskobari, vetëvritet në qeli i riu për 3 gr hashash

Partia Demokratike ka reaguar dje për ngjarjen e rëndë që ndodhi në burgun e Rrogozhinës ku 22-vjeçari Estref Halili, u vetëvar në qeli, duke bërë thirrje Prokurorisë të hetojë me urgjencë dhe seriozitet të gjithë procedurat që janë ndjekur nga policia dhe autoritetet e burgjeve. PD kërkon të hetohen e të nxirren para ligjit përgjegjësit.
Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, në një deklaratë për median tha se, me Edi Ramën, 22-vjeçari me 3 gram hashash çohet drejt vdekjes, ndërsa eskobari Klement Balili bredh i lirë. “Me Edi Ramën, Klement Balili që e kërkon gjysma e policive të Europës, e cilësohet nga CNN si, Eskobari i Ballkanit, trafikanti më i madh i drogës në rajon, gëzon mbrojtje, liri, pushtet, madje dhe zyrë të lartë drejtuese në shtet, dhe asgjë nuk e gjen atë, edhe pse duhej arrestuar prej majit të vitit 2016. Me Edi Ramën, një i ri 22-vjeçar, Estref Halili, i arrestuar nga policia sipas familjarëve të tij me 3 gram hashash, trajtohet pa mëshirë, dhe shtyhet drejt vetëvrasjes në qeli. Këto janë dy standardet e Edi Ramës”, u shpreh Duma.
Duma tha më tej se, në shërbim të trafikantëve, të krimit të organizuar, të bandave që kontrollojnë drogën në rajon, dhe i dhunshëm me të pamundurin, me të vobektin që është kapur me 3 gram hashash. “Kjo është padrejtësia që ka mbjellë ai, në këtë vend, që po trondit sot shoqërinë, që po vret shpresën. Ne e dimë se frymëzuesi e kësaj klime është Edi Rama, por ata që kanë direkt dorë në vdekjen e 22-vjeçarit, duhet të dalin para drejtësisë.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me urgjencë dhe seriozitet të gjithë procedurat që janë ndjekur nga policia dhe autoritetet e burgjeve në rastin e 22-vjeçarit Estref Halili. Të hetojë e të nxjerrë para ligjit përgjegjësit”, përfundoi Duma.

22-vjeçari ishte nën shënjestrën e policisë

22-vjeçari Estref Halili u vetëvarë mbrëmjen e të mërkurës në banjon e burgut të Rrogozhinës. I riu e ka ndërmarrë këtë akt fatal, pasi e konsideronte padrejtësi burgosjen e tij vetëm për 3 gram hashash në një kohë që lihen të lirë trafikantë droge që kanë mbështetje nga qeveria. Familjarët thanë se, Estrefi ka shfaqur zemërimin pse ishte arrestuar përsëri për konsum të lëndëve narkotike.
22-vjeçari Halili u gjet nga shokët e tij i varur në banjon e qelisë dhe u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetonte. Estrefi ishte arrestuar nga policia në 22 dhjetor të 2016, sepse në makinën e tij u gjet një dozë shumë e vogël kanabisi dhe një thikë.
“Nuk e ka mbushur vitin që doli nga burgu. U kap me 3 gr kanabis që po e pinin shokët. Mori përsipër veprën penale dhe e dënuan me tre vite. U lirua në shkurt, por e kapën sërish me një cigare hashash. U arrestua sërish në datë 22 dhjetor dhe në 27 e dërguan në Rrogozhinë. Para 4 ditësh e takoi i vëllai, por tha se ai qëndronte i heshtur”, rrëfen babai i 22-vjeçarit. Sipas familjarëve dhe shokëve të viktimës, shpesh herë Estrefi ishte nën shënjestrën e policisë. Atij i bëheshin kontrolle të shumta sa herë ndeshej në rrugë nga policia. Halili u gjet i vetëvarur me litarin e tutave të sportit që i mbante veshur në banjon e dhomës së burgut në Rrogozhinë mbrëmjen e së martës nga shokët e tij.

Dhimbje e revoltë në Kolonjë të Lushnjës

Në Kolonjë të Lushnjës, dhimbja dhe revolta është e madhe për familjen Halili. Prindërit e 22-vjeçarit Estref Halili, i cili ndërroi jetë pasi u vetëvar në qelinë e burgut Rrogozhinë, thonë se në burg duhet të ishin persona që transportojnë drogë me kamionë dhe jo djali i tyre që u kap me një cigare hashash.
Familja Halili jetonte në kushte të vështira ekonomike, ndërsa përveç Estrefit kanë edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë. Mes lotësh nëna dhe motra e tij nuk mund të flasin shumë. Ajo thotë se djali i saj nuk merrej me trafik droge.
I shokuar nga kjo që ka ndodhur, familjarët kërkojnë që drejtësia të zbardhë sa më parë shkaqet që e shtynë të riun drejt vetëflijimit, pasi sipas tyre, Estrefi nuk kishte konflikt, e ishte tip i urtë dhe i shoqërueshëm dhe se nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme.
Pas futjes në burgun e Rrogozhinës, i fundit që e takoi ishte vëllai i tij. Sipas tij, Estrefi ka qenë i heshtur, por ka shfaqur zemërimin pse ishte arrestuar përsëri për konsum të lëndëve narkotike. Më 22 dhjetor 2016, Estref Halili arrestohet për herë të dytë. Përsëri për një cigare hashash dhe një thikë, të cilat iu gjetën në automjetin e tij nga policia. Në burgun e Rrogozhinës 22-vjeçari ishte në pritje të marrjes së dënimit. Sipas familjarëve dhe shokëve të viktimës, shpesh herë Estrefi ishte nën shënjestrën e policisë. Atij i bëheshin kontrolle të shumta sa herë ndeshej në rrugë nga policia. Halili u gjet i vetëvarur me litarin e tutave të sportit që i mbante veshur në tualetin e dhomës së burgut Rrogozhinë mbrëmjen e së martës, nga shokët e tij.

Nëna: Nga shteti dua djalin gjallë, ne mezi sigurojmë thesin e miellit

“Ma morën të gjallë, pse nuk ma sjellin të gjallë. Djali im nuk merrej me gjë, mezi e kam rritur! Ne mezi sigurojmë thesin e miellit”, thotë mes lotësh Entela Halili, nëna e 22-vjeçarit Estref Halili. “Çfarë bëri djali im! I kam rritur me duar. Në çfarë gjendje jam unë. Nuk kam shitur as hashash, as drogë. Fëmija u gënjye dhe piu një cigare. Pi e gjithë e bota. Unë nga shteti dua djalin gjallë. Ma morën të gjallë, e dua të gjallë. Me zor e kam rritur. Nuk e kam rritur me hashash. Pyesni çfarë familje jemi ne”, shprehet mes lotësh e ëma e Estref Halilit.
Babai i Estref Halilit, Ardian Halili nga Kolonja e Lushnjës, thotë se i biri i tij u arrestua për një cigare hashash, ndërsa trafikantët e mëdhenj të drogës me kamionë janë të lirë. “Edhe para 3 vjetësh u kap me 3 gramë kanabis, që e pinin shokët. Për këtë bëri 2 vjet e gjysmë burg. U lirua në shkurt, por e kapën sërish me një cigare hashash. U arrestua sërish në datë 22 dhjetor, dhe në 27 e dërguan në Rrogozhinë”, thotë ai.
“Shteti i dha dënimin që ai nuk meritonte. Ai i dha 5 vjet dënim për tre gram hashash që pinin tre shokë. Ai e kishte marrë përsipër. I kishin thënë se do të marrësh dënim akoma më të rëndë se e ke për së dyti. Policia dhe shteti duhet të kapë ata që janë me maune apo kamionë dhe jo këta që janë adoleshentë që marrin një cigare për ta pirë”, thotë Ardian Halili.
Më tej, babai i 22-vjeçarit thotë se djali i tij ditët e fundit ka qenë i mbyllur në vetvete në burg. Dërgova djalin e madh. E mbajtën dy ditë në Fier, pastaj e çuan në Rrogozhinë. Ishte i mbyllur dhe nuk i kishte thënë gjë djalit të madh. Ai po merrte dënimin e dytë. Këto dënime nuk i meritojnë. Nuk kishte asnjë problem. Shkonte shumë mirë me shokët. Këtu e donin të gjithë. Bëri dy vjet e gjysmë burg. Kaloi paraburgime dhe përfitoi nga amnistia. Nuk ka mbushur vitin që doli”, përfundon i ati i tij.

Berisha: Një vetëvarje tjetër shtetërore në burgun e Rrogozhinës!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për vetëvrasjen e 22-vjeçarit në burgun e Rrogozhinës, duke e konsideruar si një vetëvrasje të shtetit policesk. Nëpërmjet një mesazhi në rrejtin social Facebook, Berisha kërkon nga Prokuroria që të zhvillojë hetime për rastin.
“Një vetëvarje tjetër shtetërore në burgun e Rrogozhinës! Të dashur miq, mediat informojnë se 22-vjeçari Estref Halili i dha fund jetës së tij në qelitë e zeza të burgut të Rrogozhinës, ku vetëvrasjet janë bërë jo të rralla. Estrefi ishte arrestuar nga policia më 23 dhjetor 2016 në fshatin Kolonjë të Lushnjës, pasi në makinë iu gjet një dozë e vogël kanabisi dhe një thikë. Më pas, më 26 dhjetor ai u transferua në burgun e Rrogozhinës.
Estrefi u gjet sot në tualetin e burgut të Rrogozhinës i varur me xhaketë në dritare. Të riut iu dha ndihma e parë nga të burgosurit e tjerë dhe u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë.
Duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Estrefit, denoncoj vdekjen e tij si një akt vetëvarje të nxitur nga shteti policesk. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin dhe të vendosë para ligjit të gjithë ata zyrtarë, që me veprimet apo mos veprimet e tyre shtynë, nxitën të riun që t’i japi fund jetës së tij në burgun e Rrogozhinës!”, shkruan Berisha.

Kushtet e vështira ekonomike, mbytet në liqen 50-vjeçari

Një 50-vjeçar nga Tirana i ka dhënë fund jetës ditën e djeshme, duke u vetëmbytur në Liqenin Artificial në Tiranë. Mësohet se Edmond Ramushi prej disa kohësh ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike, nisur edhe nga situata e vështirë ekonomike që po kalonte. Sipas burimeve, 50-vjeçari Edmond Ramushi, para disa ditësh i ishte drejtuar një banke të nivelit të dytë për të kërkuar kredi, por kjo nuk i është aprovuar.
Më pas, në kushte të rënduara psikike ai i ka dhënë fund jetës. Burimet e policisë kanë njoftuar paraprakisht se rreth orës 11:20, kanë marrë një telefonatë tek numri i emergjencave 112, se një shtetas ka hyrë në brendësi të Liqenit Artificial. Menjëherë janë afruar shërbimet e Policisë, të cilët kanë gjetur trupin e pajetë në afërsi të Digës së Liqenit Artificial. Policia thotë se nga hetimet e para dyshohet se 50-vjeçari Edmond Ramushi është vetëmbytur, megjithatë hetimet janë në vazhdim. Gjithashtu polumbarët kanë nxjerrë e trupin e pajetë.

R.POLISI