29.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Si i shkatërroi Sorosi demokratët në SHBA

Daniel Greenfield

Ishte fundi i një viti të madh me tre zero në fundi. Republikanët dhe demokratët kishin kontrolin e plotë të të dy dhomave legjislative me një numër të njëjtë shtetesh. Bëhet fjalë për kohët e vjetra të vitit 2000. Në vitin 2017 republikanët kontrollojnë të dy dhomat legjislative me 32 shtete. 16 shtete më shumë se në vitin 2000. Çfarë ndodhi me demokratët? Ndër të tjera, ata vendosën t’i shisnin bazën dhe shpirtin një bilioneri shumë të keq dhe me një çmim aspak të ulët.
Ishte viti 2004 kur ish-bashkëpunëtori i nazistëve arriti të blejë Partinë Demokratike me dy-tre qindarka që mbante të fshehura poshtë jastëkut. Ai kishte hyrë në luftë me vullnetin e popullit dhe kjo u quajt modestisht “Doktrina Soros”. “Është fokusi qendror i jetës time”, deklaroi Xhorxh Sorosi. Ishte një çështje për jetë a vdekje. Ai u zotua se ishte i gatshëm të bëhej i varfër, vetëm për të mposhtur presidentin e Shteteve të Bashkuara.
Por në fakt ai nuk u bë i varfër dhe vendosi të shpenzojë vetëm 15 milionë dollarë, disa qindarka të vogla që miliarderi i mbante poshtë jastëkut, për të mposhtur presidentin Bush. Sorosi u ngjit mbi podiumin e “National Press Club” dhe deklaroi se kishte një mesazh të rëndësishëm për t’i përçuar publikut amerikan përpara zgjedhjeve që e mbante në një pamfletë dhe një libër që ia drejtoi kamerës. Megjithatë askush nuk e dëgjonte dhe nuk arriti të shiste fushatën e tij antiBush as në një sallë të mbushur me mbështetës të majtë.
Por ajo që mund të bënte, ishte të financonte ata që ishin të gatshëm ta mbështesnin dhe kjo ishte pikërisht ajo që bëri. Paratë filluan të vërshonin nga organizata të dyshimta si MoveOn dhe në vitin 2004, Soros ishte financuesi i saj më i madh. Nuk arriti të rrëzonte Bushin, por arriti të blejë Partinë Demokratike për ta kthyer në lodrën e preferuar të aktivistëve të tij të majtë.
Sorosi nuk ka pasur një sukses të madh në blerjen e zgjedhjeve presidenciale. 25 milionë dollarët zyrtarë që ai investoi për këtë blerje i dhanë dështimin më të madh të vitit 2004. Por paratë e tij arritën me sukses të transformonin Partinë Demokratike dhe ta shkatërronin atë.
Një vit më pas lindi Aleanca Demokratike. Një lumë i pistë parash nga Sorosi dhe miqtë e tij filloi të rridhte drejt organizatave të majta. Sorosi arriti të kthejë Howard Deanin, një politikan i Vermontit dhe figurë tepër e diskutueshme në rrethin radikal të socialistëve të Vermontit, në një figurë kombëtare fituese. Dean nuk arriti të fitonte kandidaturën, por arriti të ribënte Këshillin Kombëtar Demokratik. Qendra e Progresit amerikan e Podestës i çoi demokratët akoma më shumë drejt të majtës dhe ishte pikërisht Podesta ai që rrënoi Hillary Clintonin.
Demokratët u kthyen në një organizatë radikale të majtë, jo si parti kombëtare politike. Partia e Xhefersonit ishte kthyer në partinë e Sorosit. Fitoret e Obamës bënë të mundur fshehjen e katastrofës që po zhvillohej. Partia u zgjua pas Obamës për të kuptuar se kishte humbur bazën e saj të vjetër në jug. E majta ishte zbrazur dhe ishte kthyer në një parti të elitës urbane.
Republikanët kontrollojnë dyfishin e shteteve në dhomat legjislative krahasuar me demokratët. Në 25 shtete ata qëndrojnë në krye të të tri pushteteve, dy dhomat legjislative dhe karrigen e guvernatorit. Pushteti i trefishtë ishte diçka që nuk ishte parë prej kohësh, përveç shteteve të veçantë si Teksasi.
Demokratët kanë një bazë të fortë në bregun perëndimor dhe një korridor të ngushtë në verilindje, por shumë pak pushtet në pjesën tjetër të vendit. Shumica e legjislaturave të vendit ndodhet në duart e republikanëve. Në shtetet e fuqishme si Arkansasi, demokratët janë pothuajse në zhdukje. Partia është kthyer nga një forcë mazhoritare në një lëvizje margjinale.
Problemi është që demokratët nuk kanë ndërmend ta ndryshojnë kursin. Është deklaruar tashmë se Keith Ellison, kreu i Grupit Drejtues Progresiv të Kongresit me një shkuar të shëmtuar naziste do të jetë në krye të Këshillit Kombëtar Demokrat. Pelosi do të mbikëqyrë shkatërrimin në Shtëpinë e Bardhë dhe Obama do të jetë figura kombëtare më e lartë e partisë.
Nuk mund të ketë sinjale më të qarta për të treguar se të majtët kanë ndërmend të ruajnë kursin e tyre. Sorosi dhe miqtë e tij kanë paguar që kjo të ndodhë. Kjo është arsyeja përse Pelosi, me aksesin që ka tek donatorët, do të ruajë pozicionin e saj. Të majtët kanë rikrijuar një Parti Demokratike dhe e kanë margjinalizuar atë. Shumica e këtij shkatërrimi është financuar nga paratë e Sorosit. Si shumë të ligë të tjerë teatralë, Sorosi është kapur në pabesi nga vetë arroganca e tij. Në rast se ai do t’i kishte ndihmuar demokratët pa u përpjekur t’i kontrollojë ata, do të kishte fituar një karrige në tavolinën e partisë kombëtare. Në të kundërt, ai shpezoi një pasuri të tërë për të shkatërruar atë që po përpiqej të kontrollonte.
Xhorxh Sorosi e shihte Amerikën si qendrën e tij ekonomike dhe të pushtetit politik. Nuk i interesonin aspak ato qytete dhe fshatra mbi të cilat kalonte shpesh me avionin e tij privat, por në të cilat nuk ulej kurrë dhe aq më pak për njerëzit që jetonin në to. Si shumë globalistë të tjerë që mendojnë se kufijtë nuk duhet të ekzistojnë, ajo pjesë e Amerikës që atij i interesonte shtrihej në flluskën e majtë ku jetonte elita e tij e çmuar.
Fitorja e Trumpit, njëlloj si Brexit, erdhi për shkak se e majta e kishte harruar klasën punëtore. Vizioni i shkëlqyeshëm i qyteteve multikulturore u shkatërrua brenda një nate. Ideja mbi të cilën Sorosi kishte investuar aq shumë ishte një betejë ndërmjet populistëve kombëtarë dhe ndërkombëtarëve globalistë. Por, ironia është se Bushi nuk ishte aspak nacionalisti që Sorosi mendonte.
Të majtët i përdorën paratë e Sorosit për t’u marrë me fiksimet e tyre të politikës së identitetit, duke i lënë demokratët të paaftë të ndërveprojnë me klasën punëtore. Të majtët urbanë që ishin edhe bërthama e së majtës jetonin brenda botës së tyre të vogël që nuk kishte vend për asnjë tjetër. Sorosi i ktheu demokratët në fanatikë politikë që nuk shikonin dot as gabimet e tyre.
Ai ushqeu një polarizim politik pasi gabimisht besonte se vetëm qendra e pushtetit kishte rëndësi, jo periferia. Kjo ka rezultuar e gabuar si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Britaninë e Madhe.
“Do të ketë pasoja të rënda nga deklaratat e tmerrshme që kemi dëgjuar nga kandidatët Trump dhe Cruz”, kërcënoi Soros gjatë fushatës. Ai parashikoi një fitore mbarëkombëtare të Hillary Clintonit, por parashikimi rezultoi i gabuar. Teksa Sorosi investonte më shumë para tek e majta, radikalizmi i tij e distancoi më shumë partinë nga vendi. Nuk ishte as Trumpi dhe as Cruzi ata që vuajtën pasojat, por vetë të majtët e tij.
Xhorxh Sorosi shpenzoi një pasuri të madhe për ta kthyer një parti politike të majtë në një organizatë që nuk arrin të tërheqë më askënd, as të majtët. Ai donte të kontrollonte një vend që nuk e njeh dhe gjatë këtij procesi, arriti të shkatërrojë vetë Partinë Demokratike.

Belgjika forcon kontrollet për udhëtarët

Në luftë kundër terrorizmit, qeveria belge po përdor mjete të tjera. Në të ardhmen do të regjistrohen gjerësisht edhe të dhënat e personave që udhëtojnë me autobus, me tren ose me anije në Evropë. Ikja pas atentatit në tregun e Krishtlindjeve e atentatorit të dyshuar të Berlinit, e tregon sipas ministrit të Brendshëm të Belgjikës të gjithë dilemën. Një person i dyshuar, pati, siç doli, mundësi që të kalojë disa kufij brenda Evropës. Nuk ka kuptim që të mbyllësh një derë duke e lënë hapur tjetrën, i tha Jamboni stacionit televiziv “VRT”.
Bashkimi Europian vendosi vitin e kaluar ruajtjen në kompjutera të të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Ky rregull do të vlejë që prej majit 2018. Por qeveria belge synon që këtë rregull ta zgjerojë edhe në mjete të tjera të qarkullimit. Pak para Krishtlindjeve, Dhoma e Deputetëve aprovoi në Bruksel një ligj përkatës. Shoqëritë hekurudhore, të autobusëve dhe të trageteve do t’i marrin në të ardhmen paraprakisht të dhënat personale të klientëve të tyre, siç janë emrat, adresat, numrat e kartave të kreditit, numrin e vendit të uljes dhe itinerarin. Këto informacione të ndjeshme pastaj do t’u përcillen organeve të sigurisë dhe do të verifikohen prej tyre.

Edhe më shumë të dhëna
Menjëherë para nisjes së udhëtimit, të dhënat personale të pasagjerëve do të verifikohen sërish, bëjnë të ditur “ARD” dhe gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Nëse sipërmarrjet nuk do ta respektojnë detyrimin e tyre për regjistrim, ato rrezikojnë të marrin një gjobë prej 50.000 eurosh për çdo rast të lënë pa regjistruar.
Komisioni Europian në parim nuk ka gjë kundër këtij plani të belgëve. Kushti i vetëm është që e drejta nacionale të jetë në përputhje me të drejtën e BE, tha një zëdhënës i Komisionit në Bruksel. Përfaqësues të shoqërive të hekurudhave, të autobusëve dhe të shoqërive të tragetit reaguan të zemëruara. Mbledhja e të dhënave dhe kontrollet kërkojnë kaq shumë punë, sa do t’i largojnë klientët dhe do t’i bëjnë ata të preferojnë udhëtimin me vetura, u tha në reagimet e para.
Ministri i Brendshëm i Belgjikës, Jambon reagoi i paimpresionuar. Ai aktualisht bën publicitet për projektin e tij te kolegët e Holandës, të Francës dhe të Gjermanisë dhe do ta bëjë këtë edhe në fund të janarit, në takimin me kolegët e BE. Ka rëndësi që të përfshihen sa më shumë vende, tha Jambon.

Turqi, raketa e avionë ushtarakë kundër IS-it

Pas sulmit të fundit terrorist në Stamboll, Turqia po vepron me ashpërsi të plotë kundër terroristëve të IS-it në Siri. Ndërkohë u shfaq një video-selfie e të dyshuarit në zemër të Stambollit. Pas sulmit në një klub nate “Reina” në Stamboll, Turqia ka filluar të bombardojë objektiva të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Sirinë Veriore. Me raketa, tanke dhe avionë luftarakë ajo ka vënë në shënjestër më shumë se 150 objektiva, njofton agjencia e lajmeve, “Anadolu”. Në këto aksione janë vrarë 18 terroristë dhe janë plagosur 37 të tjerë. Ndërkohë lidhur me sulmin në Stamboll janë arrestuar në aeroportin e Stambollit dy të huaj, policia nuk e ka bërë të ditur nacionalitetin e tyre.

Të dhëna të reja për autorin e sulmit terrorist
Në natën e Vitit të Ri një atentator hyri në klubin e natës “Reina” dhe qëlloi verbërisht ndaj njerëzve që festonin. Ndërkohë është shfaqur një video-selfie, e publikuar nga autoritetet turke, rreth 40 sekonda e gjatë, ku tregohet një burrë që ecën dhe filmon me celular veten dhe ambientin përreth. Duket se videoja është bërë në afërsi të sheshit Taksim, zemra e metropolit turk.
Sipas mediave turke, autori duket se ka luftuar më parë për IS-in. Ndërsa gazeta “Habertürk” ka shkruar se ai ka përdorur mitraloz, të tipit kallashnikov, e për të mos humbur kohë me ndërrimin e municionit, ai ka përdorur dy tytat. Gjithsej janë përdorur 120 goditje.

Trump, paralajmëron Korenë e Veriut për testet

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump hodhi poshtë mesazhin e nënkuptuar të Kim Jong Un se ushtria e tij mund të testojë së shpejti një raketë balistike ICBM, e cila do të mundet të arrijë territorin amerikan. Komentet e udhëheqësit koreanoverior u bënë gjatë fjalimit të tij për Vitin e Ri.
Zoti Trump shkruajti në Twitter se “Kjo nuk do të ndodhë!”.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu përsëriti në Twitter kritikat e bëra në të kaluarën ndaj Kinës se nuk ka arritur të ndalojë zhvillimin e armëve bërthamore dhe programeve të raketave balistike nga Pyongyang-u.
Korea e Jugut lavdëroi komentet e zotit Trump si tregues i një “botëkuptimi të qartë të seriozitetit dhe urgjencës së kërcënimit bërthamor nga Korea e Veriut”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut, Cho June-hyuck, tha se ky mund të lexohet si një paralajmërim i qartë ndaj komenteve të Kim Jong Un, që tregojnë për ndonjë provokim të mundshëm.

Raketa me platforma të lëvizshme
Megjithatë, është më e vështirë se ç’mendohet të ndalohet Korea e Veriut të testojë raketa balistike interkontinentale ICBM.
“Edhe nëse Presidenti i ardhshëm Trump vendos të goditet qendra e lëshimit hapësinor ‘Sohae’, kjo nuk zgjidh asgjë, me përjashtim të rastit nëse të gjitha raketat do të ndodhen aty në atë moment”, thotë Jeffrey Lewis, drejtor i programit kundër përhapjes së armëve, në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Kaliforni.
Deri më tani, analistët amerikanë të mbrojtjes mendonin se Korea e Veriut mund lëshonte drejt territorit amerikan vetëm raketat e tipit “Taepodong-2”, të cilat nuk janë lëshuar ndonjëherë nga platformat e palëvizshme të stacionit të lëshimit hapësinor “Sohae”.
Në vitin 2016 dhe në vitin 2012, Korea e Veriut nisi raketa Taepodong duke thënë se ishin pjesë e një programi paqësor hapësinor për dërgimin e satelitëve në orbitë. Megjithatë, programi hapësinor i Koresë së Veriut është denoncuar si një pretekst për avancimin e teknologjisë së raketave bërthamore dhe balistike, që janë të ndaluara prej rezolutave të OKB-së.
Por, gjatë vitit të kaluar, krahas dy testeve të fuqishme bërthamore dhe testimeve të shumta të raketave të lëshuara nga platforma të lëvizshme dhe nënujore, Korea e Veriut testoi edhe një motor të ri të fuqishëm për dy sisteme të lëvizshme ICBM, të quajtura KN08 dhe KN14, të cilat mund ta zgjerojnë rrezen e tyre duke mbuluar të gjithë territorin amerikan.
Zoti Lewis thotë se raketat duket se kanë tashmë motorë shumë më të sofistikuar.
Platformat e lëvizshme të lëshimit të raketave të Koresë së Veriut mund të mbahen të fshehura nën tokë dhe në vendstrehime të ndryshme në mbarë vendin, duke e bërë të vështirë për ushtrinë amerikane shënjestrimin e tyre.

Lojë shahu për negociata
Duhet thënë se udhëheqësi koreanoverior nuk kërcënoi haptazi gjatë fjalimit se do të testojë raketat ICBM. Ai po bënte realisht një përmbledhje të avancimeve bërthamore gjatë vitit që kaloi, ku përfshihet edhe testimi i motorit për raketat ICBM.
Por, analistët thonë se kjo do të pasohet logjikisht nga lëshim raketash për të testuar këtë aftësi të re.
Udhëheqësi koreanoverior Kim tha se vendi i tij do të vazhdojë të rrisë aftësitë bërthamore për sa kohë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të kërcënojnë sigurinë e Koresë së Veriut. Ai kundërshtoi në veçanti stërvitjen e përbashkët ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, që zhvillohet çdo vit.
Analisti Yang Moo-jin, i Universitetit të Studimeve koreanoveriore në Seul, thotë se mesazhi i Kim për vitin e ri ishte një përpjekje për të shfaqur forcë përballë negociatave të mundshme me administratën e re Trump.
Zoti Yang thotë se e shohim Korenë e Veriut të shfaqë synimin e saj për të mbajtur nën kontroll nivelin e reagimit të politikës së re që do të krijohet nga administrata Trump.
Ahn Chan-il, një i arratisur nga Korea e Veriut, tashmë analist në Institutin Botëror për Studimet koreanoveriore, thotë se nëse synimi i Kim Yong Un ishte që t’i bënte presion zotit Trump nëpërmjet kërcënimit të raketave balistike interkontinentale, ai ka dështuar.
Zoti Ahn thotë se “është shqetësuese se Kim Jong Un përmendi raketat ICBM, gjë që do të stimulojë kundërshtarët në SHBA”.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump e quajti një “maniak” udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, por i njohu atij aftësinë e marrjes së pamëshirshme të pushtetit. Njëkohësisht, ai theksoi se SHBA-ja duhet të jetë e ashpër në përballjen me çfarëdolloj provokimesh dhe shtoi se “ky njeri nuk di të luajë lojëra. Dhe ne nuk mundemi të luajmë me të”.

Moska akuzon egër Obamën

Presidentin që po largohet në SHBA, Obama, Moska e akuzon për mani hakmarrjeje dhe për dështim në politikën e jashtme. Skandalin në Uashington e pasoi një furtunë zemërimi në Moskë. Tri javë para se të largohet nga posti i Presidentit, Barack Obama e ndëshkoi Rusinë për sulmet e dyshuara të piratëve të internetit ndaj SHBA me sanksione dhe dëbime masive të diplomatëve – dhe politikanët rusë nuk i kursejnë reagimet e ashpra. Kështu, ish-Presidenti dhe kryeministri i sotëm, Dmitri Medvedev shkruan në Twitterin e tij për “agoni antiruse”.
Edhe Konstantin Kosaçov, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Këshillit të Federatës, Dhomës së Sipërme ruse, e përmend këtë. “Këtë nuk mund ta quash as agoni të pallonjve që u kanë rënë pendët, por e kufomave politike”, i deklaroi agjencisë së lajmeve “TASS”, duke aluduar për traditën amerikane, që i quan presidentët në largim “pallonj pa pendë”.
Politologë të afërt me Kremlinin kërkojnë motive për vendimin e Obamës, duke e injoruar në mënyrë karakteristike shkakun zyrtar, hakmarrjen për sulmet e hakerëve. Kështu, Fjodor Lukjanov, kryeredaktor i revistës “Rusia në politikën globale” dhe kryetar i këshillit formalisht të pavarur “Këshill për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë”, thotë se Barack Obamës i erdhi në fund të presidencës së tij më në fund mundësia për të thënë mendimin e tij të vërtetë për disa partnerë të vjetër bisedimesh në skenën ndërkombëtare.
Fillimisht, shprehet eksperti, patëm vendimin e pashembullt për të mos e bllokuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rezolutën kundër ndërtimit të kolonive izraelite. “Ky është rezultati i një antipatie të gjatë të Obamës kundër kryeministrit (izraelit) Benjamin Netanjahu”. Tani, thotë Lukjanov, pason një luftë diplomatike kundër Rusisë në stilin e viteve ’70. “Atje janë mbledhur pa dyshim shumë gjëra, por më parë, Presidenti i SHBA nuk mundej ose nuk donte t’i zbrazte të gjitha”.
Pavel Podlesny, njëri nga ekspertët kryesorë në Institutin për Studimet e SHBA dhe të Rusisë të Akademisë ruse të Shkencave, mendon përkundrazi se në elitën amerikane ka shumë të fyer, të cilët nuk e pranojnë dot “se mekanizmat e qetësimit të konfliktit të Sirisë përpunohen pa SHBA dhe se Moska shfaqet si njëra ndër ndërmjetëset në konflikt”. Me fjalë të tjera, sanksionet për piratët e internetit apo hakerët, sipas mendimit të ekspertit janë të paktën pjesërisht reagim ndaj propozimit më të fundit ruso-turk-iranian të Vladimir Putinit për paqëtimin e Sirisë.
Synimin kryesor të sanksioneve, Podlesny e sheh në “shkaktimin sa më shumë problemeve Rusisë”. Një synim tjetër i Obamës, sipas tij, është që t’ia vështirësojë një fillim të ri politik pasardhësit të tij, Donald Trump. Edhe Fjodor Lukjanovi mendon në këtë pikë po kështu: Trumpit dhe ministrit të tij të Jashtëm tani do t’u duhet detyrimisht ” të fillojnë në një pikë shumë më të ulët, se më parë”.
Por fakti që Vladimir Putini e refuzoi një propozim të Ministrisë së tij të Jashtme, për të dëbuar të njëjtin numër diplomatësh amerikanë nga Rusia siç bënë SHBA, megjithatë e relativizon frikën se marrëdhëniet do të keqësohen në mënyrë thelbësore që në krye të nisjes së marrëdhënieve midis presidentit rus dhe presidentit të ardhshëm të SHBA.

Sfidat e Pentagonit për vitin 2017

Nga Afganistani në Siri, administrata e ardhshme e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump do të përballet me shumë sfida ushtarake në vitin 2017, por jo të gjitha problemet e saj do të vijnë nga jashtë. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” në Pentagon, Carla Babb sjell hollësitë.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara në luftërat kundër ekstremistëve islamikë në Afganistan dhe militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.
Lufta taktike kundër militantëve të Shtetit Islamik është duke përparuar me ngadalësi, por ende është e paqartë se si do të angazhohet administrata e ardhshme e zotit Trump në zgjidhjen e krizës siriane.
“Në Siri ne në të vërtetë nuk kemi strategji për t’i dhënë fund luftës civile. Zoti Trump ka lënë të kuptohet se mund të jetë i gatshëm të lejojë presidentin Assad të fitojë luftën, por unë nuk jam i sigurt se kjo është një zgjidhje praktike sepse Assad i ka duart e lyera me gjak”.
Lufta në Afganistan është në vitin e pesëmbëdhjetë. Numri i trupave ndërkombëtare është zvogëluar nga rreth 140 mijë në vitin 2011 në më pak se 15 mijë trupa dhe eksperti i mbrojtjes Michael O’Hanlon thotë se ekipi i ri amerikan i mbrojtjes mund të shqyrtojë mundësinë e rritjes së përkohshme të numrit të trupave ndërkombëtare në Afganistan.
“Nuk ka asnjë arsye që të mos angazhohemi pak më shumë në qoftë se një gjë e tillë do të ndihmonte në lehtësimin e presionit nën të cilin ndodhet ushtria dhe policia afgane. Kjo do t’u jepte atyre pak më shumë kohë për të konsoliduar radhët e tyre pas humbjeve të mëdha që ata kanë përjetuar”.
Por ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po luftojnë ekstremizmin në të gjithë globin, fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina po modernizojnë forcat e tyre ushtarake.
“Për shkak të angazhimit tonë në operacionet kundër ISIS-it, në stabilizimin e Afganistanit dhe Irakut dhe për shkak të kufizimeve buxhetore të vendosura në vitin 2012, ne nuk kemi qenë në gjendje të blejmë pajisje moderne për t’iu kundërvënë aftësive të reja të vendeve si Rusia dhe Kina”.
Në fjalimet e tij politike, Presidenti i zgjedhur Trump ka premtuar fuqizimin e ushtrisë.
“Ne kemi njerëzit më të kualifikuar në botë në ushtrinë tonë. Ne do ta rindërtojmë ushtrinë tonë të varfëruar dhe më në fund do të kujdesemi për veteranët e ushtrisë sonë”.
Analisti i çështjeve të mbrojtjes, David Ochmanek thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të shpenzojnë më shumë në përmirësimin e teknologjisë së raketave “kruz” dhe raketave ajër-ajër, sepse ai thotë se këto armë mund t’i japin forcave të armatosura më shumë avantazh në parandalimin e kërcënimeve.

Tre klube shfaqin interes për Bakën

Merkatoja e bujshme e klubeve të Super Ligës kineze duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Sipas mediave italiane, tashmë është sulmuesi kolumbian i Milanit, Karlos Baka, që është kthyer në objektivin e radhës për skuadrat kineze.
Shangai Shenhua, Tianzhin dhe Guangzhou, janë tre skuadrat që kanë shfaqur interesimin e tyre për shërbimet e 30-vjeçarit të kuqezinjve dhe për ta arritur diçka të tillë janë të gatshëm të ofrojnë mbi 30 milion euro.
Drejtuesit e Milanit në bashkëpunim me pronarët e rinj kinezë e kanë shpallur Bakën si të pashitshëm, por një ofertë e lartë financiare nga ana klubeve kineze mund të bëjë kuqezinjtë të ndryshojnë mendje, pasi ato para mund të investoheshin në futbollistë të tjerë me më shumë të ardhme.

Kontratë 5-vjeçare për Donnaruma

Në shtëpinë e Milanit prioritet për momentin është rinovimi i kontratës me portierin Gianluiggi Donnaruma. 25 shkurtin e ardhshëm, talenti italian do të mbushë 18 vjeç dhe drejtuesit e klubit kuqezi kanë gati një kontratë të re 5-vjeçare për njeriun që i ka dhënë më shumë siguri portës së Milanit gjatë 2 sezoneve të fundit. Donarumma do të jetë një nga kolonat e Milanit që synojnë të ndërtojnë pronarët e rinj kinezë dhe në këtë aspekt, të blindojnë Gigion është objektivi i parë te 7-herë kampionët e Europës.
Bisedimet për rinovimin e kontratës janë në rrugë të mbarë edhe pse menaxheri i lojtarit, Mino Raiola i ka frenuar disi gjërat me deklaratat e tij. Nga marrëveshja e re e cila do të zgjasë deri në vitin 2021 ose 2022, Donnarumma do të përfitojë një pagë shumë herë më të lartë se ajo aktualja. Gjithçka e merituar për 17-vjecarin, i cili i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij gjatë kësaj periudhe. Deri tani, Donnarumma ka zhvilluar në total 47 ndeshje me Milanin në Serinë A, një shifër shumë e lartë kjo për një portier që është në hapat e parë të karrierës së tij.

“Çmendet” Reali

90 milionë euro plus kartonin e Alvaro Moratas për Paulo Dybalan. Kjo është oferta e çmendur e Realit të Madridit, që ka vënë në pozitë të vështirë drejtuesit e Juventusit. Nëse merret në konsideratë edhe fakti se kartoni i sulmuesit spanjoll, i cili u rikthye në verë në “Santiago Bernabeu” pikërisht nga Juventusi, vlerësohet rreth 50 milionë euro, atëherë kemi të bëjmë me një transferimin që nëse realizohet do të thyejë rekordin e Paul Pobasë, për të cilin Manchester United shpenzoi 105 milionë euro plus 5 të tjera bonuse gjatë merkatos së verës.
Edhe pse bëhet fjalë vetëm për zëra merkatoje, në Angli më konkretisht “The Sun” shkruan se oferta është në tryezën e Juventusit. Si kundërpërgjigje drejtuesit juventinë mësohet se kanë kërkuar të përfshijnë në marrëveshje kartonin e Tony Kross ose të Luka Modriç, por qëndrimi i madrilenëve ka qenë kategorik. Muaji janar pritet të jetë shumë i nxehtë në aksin Torino – Madrid dhe kur bëhet fjalë për interesimin e gjigantëve spanjollë, e pamundura nuk ekziston.
Për rikthimin e mundshëm të Alvaro Moratas te Juventusi në Serinë A, Zidan saktësoi:
“Nuk besoj se ky informacion është i saktë. Alvaro është i lumtur te Reali, sepse ndodhet në shtëpinë e tij. Është pjesë e projektit tonë”, u shpreh Zidane.
Zidane tha se, nuk dëshiron që Pepe e James të largohen nga Real Madridi. E ardhmja e Pepes dhe e James Rodriguezit ishte tema kryesore e konferencës për shtyp të Zinedine Zidane në prag të përballjes së parë me Sevillan në fazën e 1/8-ve të Kupës së Mbretit. Trajneri i “Los Blancos” këmbëngul se të dy futbollisët janë shumë të rëndësishëm për skuadrën që ai drejton.
“Rinovimi i kontratës së Pepes? Ai është lojtari ynë, luan prej 10 vjetësh në këtë klub dhe shpresoj që të vijojë me ne. Edhe James është shumë i rëndësishëm për ne, por unë nuk do të ndryshoj qëndrim karshi tij. Unë e kuptoj që kur nuk luan në një finale, duhet të jesh i mërzitur, kuptoj gjithashtu se ndonjëherë është e vështirë, por kjo ndodh me të gjithë, jo vetëm me James-in. Është në klubin më të mirë në botë dhe dëshiroj të qëndrojë këtu”, u shpreh Zidane.
2016-ta kulmoi për Zidanë me suksesin në finalen e Champions League, të fituar me 11-metërsha ndaj Atleticos së Madridit, por ambiciet për 2017-ën janë edhe më të mëdha. “Do të bëjmë maksimumin për t’i fituar të gjithë trofetë. Reali i Madridit pretendon tituj në çdo kompeticion ku merr pjesë. Jemi në rrugë të mbarë dhe shpresoj ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Zidane.

Zidane, një vit mes trofeve e rekordeve

Ka kaluar ekzaktësisht një vit prej momentit, kur Florentino Perez vendosi të shkarkonte Benitez dhe t’ia besonte stolin e Realit të Madridit një legjende si Zinedine Zidane. Një zgjedhje e guximshme dhe e rrezikshme, por që gjithsesi dha rezultatet e saj, duke qenë se me francezin në stol, “Los Blancos” e mbyllën vitin 2016 me triumfin e njëmbëdhjetë në Champions, fitoren në Superkupën e Europës dhe së fundmi me trofeun e Botërorit për klube.
Zidane ka ndërtuar praktikisht një skuadër perfekte, që nuk humbet prej 37 ndeshjesh dhe që tashmë synon të arrijë dhe të kalojë rekordin e Barcelonës, me 39 ndeshje radhazi pa humbje. Në momentin e emërimit të Zidane ishin të paktë ata që besonin se një trajner pa eksperiencë do të regjistronte një ecuri të tillë, në stolin e një skuadre që historikisht ka qenë mjaft i vështirë edhe për emrat më të mëdhenj të trajningut botëror.
Pas vështirësive të kuptueshme të startit, Zidane arriti ta kthente 2016-ën në një vit të paharrueshëm për Realin e Madridit. Jo gjithçka ka qenë e lehtë, sepse në disa raste edhe Zizu përfundoi në qendër të kritikave. Nga humbja në derbin me Atletico Madrid, për të vazhduar në disfatën në çerekfinalen e parë ndaj Ëolfsburgut. Këto ishin dy humbjet e vetme të Zinedine Zidane në 53 ndeshje, ku në 40 raste ka dalë fitues dhe 11 herë ka barazuar.
Merita kryesore e ish-kapitenit të Francës është që sheshoi problemet e brendshme te Reali dhe siguroi mbështetjen e plotë të Cristiano Ronaldos. Kjo mjaftoi që triumfet të vinin, ndërsa aktualisht madrilenët kryesojnë me meritë La Ligan. Rivalët në Spanjë dhe në Europë janë të paralajmëruar.