Çmenduritë nga Kina nuk kanë të sosur. Milionat nga Lindja e Largët janë duke çekuilibruar totalisht merkaton në Europë, ku edhe klubet me peshë nuk mund t’i rezistojnë ofertave faraonike për yjet e tyre. Në Kinë nuk kanë ndër mend të ndalen. Pasi kanë marrë në kampionatin e tyre, Tevez, Oscar, Witsel, ndërkohë që janë duke vazhduar tratativat për Diego Costa e Kalinic, tani kanë nisur sulmin për një tjetër futbollist të rëndësishëm, Pierre Emerick Aubameynag.
Mediat gjermane bëjnë të ditur se skuadra e Shanghai SIPG ka nisur fushatën për të bindur yllin e Borusias së Dortmundit. Numrat janë vërtet të pabesueshëm, pasi drejtuesit e klubit kinez janë gati t’i ofrojnë klubit verdhezi plor 150 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Në të njëjtin nivel edhe oferta për Pierre Emerick Aubameyang, që ka mundësinë të nënshkruajë një kontratë të paparë në të kaluarën, superiore edhe në krahasim me atë që firmosi Carlos Tevez që shkoi në Kinë për rreth 800 mijë euro në javë, ose thënë ndryshe rreth 41 milionë euro në sezon.
Ofertë e “çmendur” nga Kina për Aubameynag
Koeman pasuesi i Enriques te Barcelona?
Do të qëndrojë apo jo Luis Enrique te Barcelona? Fakti që trajneri asturian nuk po rinovon kontratën me drejtuesit katalanas të bën të mendosh, që ndoshta ky mund të jetë sezoni i fundit i Luchos në krye të Barcës. Mediat kanë nisur të aludojnë, madje së fundmi kanë dalë zëra se mund të jetë Ronald Koeman zëvendësuesi i Luis Enriques te Barcelona. Holandezi, i cili ka një të shkuar si futbollist te Barcelona, pasi ka luajtur për disa sezone me skuadrën blaugrana, aktualisht është në drejtimin e Evertonit dhe po bën mirë me skuadrën nga Liverpooli.
Media të ndryshme shkruajnë se në ditët e fundit ka patur disa kontakte mes drejtuesve të klubit katalanas dhe trajnerit holandez, ku është diskuatuar mbi mundësitë që ka Koeman për t’u ulur në stolin e Barcës. Koeman edhe pse luante si mbrojtës ose mesfushor shkatërrues ka arritur të realizojë plot 193 gola me Barcelonën, madje me finalizimin e tij ndaj Sampdorias në 1992-in holandezi i hapi rrugën suksesit të parë të Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Koeman e njeh mirë ambientin blaugrana dhe falë eksperiencës që ka fituar në drejtimin e Southamptonit dhe Evertonit mund të jetë një pasues i denjë për Luis Enriquen, kështu që Josep Maria Bartomeu, presidenti i Barcës ka nisur të mendojë seriozisht për holandezin.
Pep do të bëhet president i Barçës
Pep Guardiola shokoi botën e futbollit me një deklaratë të bërë disa ditë më parë, ku paralajmëroi largimin e tij nga trajningu gjatë viteve të ardhshme. Trajneri i suksesshëm katalanas, aktualisht në krye të stolit të Manchester City la të kuptohet se eksperienca angleze do të jetë edhe e fundit për të si trajner. Por cilat janë arsyet e këtij vendimi? Fabio Capello beson se i di. Në një intervistë dhënë për “Sky Sport”, Capello sqaron se mendon që Guardiola ka në kokë një projekt të qartë, të bëhet president i Barcelonës një ditë.
Sipas trajnerit italian, në këtë mënyrë Guardiola nuk do të shkëputej nga futbolli dhe kandidatura e tij do të gjente mbështetje të madhe në radhët e popullit “blaugrana”. Në fakt, kjo është një hipotezë e mundshme, pasi ai është një katalanas dhe e ndjen më shumë se kushdo fanellën e Barcelonës. Një tjetër arsye e largimit të Guardiolës nga futbolli si trajner, sipas Capellos është edhe fakti se ai arriti të injektonte një stil të ri, por me kalimin e viteve, kundërshtarët kanë arritur të marrin masat për ta ndaluar dhe pjesërisht ia kanë dalë mbanë. Gjithsesi, për të arritur presidencën e klubit që e bëri të famshëm, Guardiola duhet të presë minimalisht edhe katër vjet, ndërsa nuk është aspak habi që rival në këtë betejë të ketë edhe mbrojtësin aktual të Barcelonës, Gerard Pique, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë ambicjen për të drejtuar klubin.
Sadiku konfirmon bisedimet me Luganon
Me ish-ndihmësin e De Biasit, Paolo Tramezzani që në fundin e 2016 mori drejtimin e Luganos, edhe transferimi i Armando Sadikut, bomberit kuqezi të Europianit nën urdhrat e teknikut italian do të ishte diçka mëse logjike, por në futboll e veçanërisht në merkato jo çdo gjë ndjek logjikën, ndaj dhe vetë sulmuesi i kombëtares, aktualisht pjesë e Zyrihut në kategorinë e dytë të futbollit zviceran e pranon se bisedimet për këtë transferim kanë nisur, por duke ruajtur ekuilibrin e nevojshëm në të tilla raste, në një intervistë të dhënë për faqen “tio.ch”, Sadiku shprehet:
“E di që palët janë duke negociuar, agjenti im po merret me këtë situatë dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat. Në këtë moment preferoj të mos flas dhe të pres se çfarë drejtimi do të marrë kjo situatë”, u shpreh Sadiku.
Padyshim që te Lugano, skuadër ku ka luajtur 43 ndeshje në sezonin 2012-2013 duke shënuar dhe 24 gola, Sadiku do të rigjente një ambient që e njeh, Superligën zvicerane dhe Tramezzanin, me sulmuesin shqiptar që deklaron:
“Sigurisht, e njoh mirë Luganon dhe gjithçka rrethon skuadrën dhe klubin. Gjatë periudhës që mbaja fanellën bardhezi jam ndier mirë edhe pse më vjen keq që nuk arritëm të ngjiteshim në Superligë. Tani konteksti ka ndryshuar duke qenë se skuadra po lufton për mbijetesën në kategorinë elitare. Për sa i përket Tramezzanit, nuk mund të flas veçse mirë”, tha ai.
Më pas edhe një vlerësim nga Sadiku për punën e Tramezzanit dhe De Biasit te Shqipëria, me sulmuesin 25-vjeçar që shprehet.
“Unë dhe gjithë shokët e kombëtares mundet vetëm t’i falënderojmë. Falë tyre hymë në histori dhe Paolo është një trajner që ka shumë energji, ka dëshirë dhe vullnet për të shprehur vlerat e tij, do të bëjë mirë në këtë eksperiencë të re”, tha Sadiku.
Kur flitet për arritjen historike të Shqipërisë me pjesëmarrjen në Europian, nuk mund të evitohet edhe ai gol i paharrueshëm ndaj Rumanisë, i pari gol kuqezi në një Europian, Sadiku ju kthehet sërish atyre emocioneve të papërshkrueshme ndërsa thotë:
“Nuk kuptova se çfarë kisha bërë deri në momentin që u kthyem në shtëpi dhe festuam me tifozët tanë. Entuziazmi i tyre më transmetoi emocionet e vërteta, të gjithë më ndalonin, më kërkonin një foto, një autograf apo thjesht ktheheshin dhe më shihnin teksa ecja. Ishte diçka e pabesueshme”, përfundoi Sadiku.
Gjyqtarët nën akuzë
Gola të parregullt, kartona deri diku të pakuptimtë dhe shumë vendime të gabuara nga gjyqtarët në Angli. Një situatë aspak normale për Premier League që po zien nga zërat kritikë në drejtim të gjyqtarëve. Ishte fillimisht Slaven Biliç ai që akuzoi kryesorin për njëanshmëri ndaj Manchester United, ndërsa nuk mungoi as shfryrja e Pep Guardiolës ndaj kryesorit në duelin Manchester City-Burnley. Polemika të ashpra shoqëruan edhe post ndeshjen Sunderland-Liverpool ku Jurgen Klopp i tradhtuar nga nervat shfryu në konferencën e shtypit, duke deklaruar hapur se ishin vendimet e arbitrave që i hoqën dy pikë skuadrës së tij.
“E kam shumë të vështirë ta pranoj. Nuk pashë prekje të topit me dorë dhe si pasojë nuk ka vend për goditje dënimi. Në krahun tjetër, jam 100% i sigurt se pati një faull ndaj Sturridge. Në rastin e penalltisë së dytë, ishte e tillë vetëm sepse gjyqtari vendosi kështu. Dua të jem i ndershëm, nuk ndihem aspak mirë. Sunderland mori një pikë për shkak të dy 11-metërshave”, u shpreh Klopp.
Por nëse Klopp shfryu gjatë ndaj gjyqtarëve, trajneri i Sunderland, David Moyes përfitoi nga rasti për t’i kthyer reston gjermanit që vetëm pak muaj më parë e cilësoi Sunderland ekipin më mbrojtës të Anglisë.
“Nuk mendoj se në këtë ndeshje ishim shumë të ngjeshur në mbrojtje. Mendoj se lojtarët të mbështetur edhe nga publiku arritën t’i bënin ballë Liverpoolit, madje i vendosëm kundërshtarët në presion”, tha ai.
Ndërkohë, futbolli anglez ka aplikuar ndryshime në rregulloren për pezullimet pasi tani do të duhen 10 kartona të verdhë për një lojtar, që të marrë një ndeshje dënim deri më 2 prill. Risia, e cila nis të aplikohet nga arbitrat dhe disiplina ka lehtësuar disi menaxherët e Ligës më të fortë të futbollit në planet. Të ashtuquajturit ndëshkime të pahijshme në Angli kanë penalizuar jo pak ekipet në përballje vendimtare, në një kampionat ku loja e fortë është prezente dhe nuk ndalet shpesh.
Nëse një futbollist në Angli do të marrë 20 kartona të verdhë në harkun e një sezoni, do të duhet të paraqitet përpara një komisioni disiplinor, çka në këtë rast do të ishte rast aspak i zakonshëm. Kështu ata që heqin fanellat, që godasin topin prej zemërimit apo që vonojnë shpesh lojën, do të kenë një arsye më shumë për ta bërë këtë.
Federata shqiptare ende nuk e aplikon një rregull lehtësues si në ligat kryesore europiane. Në Shqipëri ne kemi ende rregullin e pezullimit me 3 kartonë të verdhë për çdo futbollist në kampionat, në një Kategori Superiore me 36 javë që penalizon jo pak ekipet tona.
Arlind Ajeti zgjedh të qëndrojë te Torino
Mund të zgjidhte rrugën më të shkurtër me premtimin për një vend titullari në një skuadër tjetër, por Arlind Ajeti preferon të luftojë për të fituar besimin e trajnerit Sinisa Mihajloviç te Torino. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, i përfshirë në zërat e merkatos së janarit për një largim të mundshëm nga Torino nuk dëshiron të mbyllet këtu kjo aventurë. Në një shkrim të publikuar në gazetën piemonteze, “Tuttosport”, theksohet se 23-vjeçari që deri tani ka pasur në dispozicion vetëm 120 minuta në këmbët e tij, kërkon të tregojë se vlen për skuadrën. “Shqiptari mbërriti gjatë muajve të verës me parametra zero pas 6 muajve pozitivë në radhët e Frosinones.
Gjithashtu, ai erdhi pas Europianit të zhvilluar nën drejtimin e Gianni de Biasit, madje ai arriti ta ruante për dy herë të paprekur portën e Berishës, ndaj Rumanisë, por edhe ndaj Francës deri në momentin e zëvendësimit. Për këtë arsye, afrimi i tij te klubi ‘granata’ u prit me optimizëm nga tifozët, të cilët kërkojnë që t’i jepet një mundësi përpara se ta shikojnë që të largohet”, thekson gazeta italiane në shkrimin e saj. Gjatë javëve të fundit, Pescara, Crotone dhe Empoli janë interesuar në klubin “granada” për huazimin e 23-vjeçarit. Të tria këto skuadra, që janë në garën për mbijetesën në elitën e futbollit italian, do t’i garantonin Ajetit hapësirën e nevojshme për të luajtur titullar.
PSG zyrtarizon Draxler
Transferimi i Draxler tashmë është zyrtar, me PSG që publikoi edhe foton e ish-futbollistit të Wolfsburgut me fanellën e skuadrës së tij të re, por parisienët nuk kënaqen me kaq. Edinson Cavani pritet të rinovojë shpejt kontratën deri në vitin 2020 me klubin e sheikut Al Khelaifi që është gati të tentojë përforcimin me një tjetër sulmues, për të përgatitur në mënyrën më të mirë sfidën e dyfishtë në Champions me Barcelonën. Gjithçka për t’i dhënë drejtimin e duhur një faze të vuajtur tranzicioni që i është besuar trajnerit spanjoll Unay Emeri, i cili është konfirmuar deri në fund të sezonit. Objektivi parësor për PSG është Alexis Sanchez i Arsenalit.
Kiliani, të cilit i skadon kontrata më 2018 i pëlqen shumë trajnerit Emery për aftësitë, por dhe eksperiencën e një karriere gjatë së cilës ka provuar të luajë si në Itali, ashtu dhe në Spanjë te Barcelona.
Las Palmas “prenoton” Rey Manajn
Karriera e Rey Manajt do të vazhdojë në La Liga-n spanjolle. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Las Palmasi e ka “prenotuar” sulmuesin shqiptar dhe gjithçka është gati për kalimin e tij në klubin e Ishujve Kanarie. Pasi mbylli gjysmën e parë të sezonit me Pescara-n në Serinë A, ku realizoi 2 gola në 12 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit italian, Manaj do të huazohet sërish.
Për shkak të mungesës së hapësirave te Interi, skuadra që zotëron kartonin e 19-vjeçarit, sulmuesi do të huazohet sërish në merkaton e janarit, madje për të nisur menjëherë përgatitjet me ekipin e ri. “Gazzeta dello Sport” nënvijëzon se pas “prenotimit” nga Las Palmasi, zikaltërit tashmë presin vetëm mbylljen e detajeve të fundit të transferimit të sulmuesit në kampionatin elitar në Spanjë.
Në ekipin e drejtuar nga Quique Setien, Rey Manaj do të ketë shok skuadre një emër të madh si Kevin Prince Boateng, ndërsa kuqeziut do t’i duhet të luftojë për të siguruar hapësirat e tij me spanjollin Tana, kroatin Livaja, argjentinasin Araujo dhe marokenin El Zhar. Stili i lojës së Las Palmasit, por edhe futbolli që praktikohet në La Liga mund ta ndihmojnë sulmuesin shqiptar të shfaqë potencialin e tij dhe të vazhdojë të rritet, për të menduar më tej për rikthimin si protagonist në Itali apo edhe qëndrimin më të gjatë në Spanjë. Për më tepër që skuadra e Ishujve Kanarie ka befasuar me paraqitjet e saj në fushë dhe rezultatet e arritura, ku aktualisht është në vendin e dhjetë në renditje.
Mavraj nis stërvitjen te Hamburgu
Vit i ri, aventurë e re për Mërgim Mavrajn. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare që u transferua në fundin e dhjetorit te Hamburgu, nisi stërvitjen me skuadrën e tij të re duke u vënë nën urdhrat e trajnerit, Markus Gisdol. Hamburgu synon që me afrimin e 30-vjeçarit shqiptar të konsolidojë repartin e mbrojtjes në misionin e mbijetesës. Mbrojtësi ishte pika e referimit për mediat në nisjen e përgatitjeve me Mavrajn që në intervistën e tij nuk lë dyshime se është i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tij në këtë hap të karrierës.
“Jam i lumtur që jam te Hamburgu. Objektivi kryesor është mbijetesa në Bundesliga ndaj dhe po përgatitemi. Pres me padurim të marr përsipër rolin që më është besuar në skuadër dhe jam gati për përgjegjësitë që më janë dhënë. Eksperienca do të luajë rolin e saj në këtë drejtim. Hamburgu është një klub i madh me tifozë të shkëlqyer, të cilëve duam t’ju dhurojmë buzëqeshje në pjesën e dytë të sezonit”, u shpreh Mavraj.
Mavraj konsiderohet një blerje e rëndësishme për Hamburgun, me klubin që i ka kushtuar një hapësirë të gjerë mediatike momenteve të tij të para me skuadrën edhe në profilin zyrtar në Twitter. Te Hamburgu Mavraj pritet të mbajë fanellën me numrin 3.
Qeveria rimburson vetëm ilaçet e lira

Teksa çmimet e barnave janë ulur të paktën me 2.2% vitin e kaluar sipas INSTAT, importi i tyre është rritur dukshëm. Nga të dhënat e Doganave, mësohet se për periudhën 11-mujore (janar-nëntor 2016) importet e ilaçeve shënuan një rritje vjetore në vlerë me 9%, duke arritur në 19 miliardë lekë ose 138 milionë euro.
Burimet nga tregu pohojnë se vlera e lartë e ilaçeve i korrespondon volumeve më të larta të importit, teksa tregu po vuan pasojat e medikamenteve jocilësore. Për rrjedhojë qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt.
Këtë e tregon edhe gjeografia e importit të ilaçeve, kur shihet se importet e tyre nga Gjermania kanë rënë me 20%, teksa shihet një rritje e tyre me rajonin. Tregu i barnave në Shqipëri është rregulluar, ndërkohë që barnat dhe shërbimet farmaceutike ofrohen nga sektori privat. Së fundmi, është ngritur Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Materialeve Mjekësore.
Ministria e Shëndetësisë thotë se si pasojë e masave për të rritur aksesin në barna të sigurta dhe për të ulur barrën financiare të tyre, prej vitit 2015 mjaft barna tregtohen me çmime rreth 30% më të lira krahasuar me vitin 2013.
Programi i qeverisë parashikon uljen e çmimit të shitjes së barnave në Shqipëri. Ndërkohë, janë përjashtuar nga TVSH 10% barnat dhe materialet mjekësore dhe nga TVSH 20% materialet mjekësore të implantueshme.