23.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Bie leku, ngrihen euro dhe dollari

Monedha vendase e ka nisur me humbje këtë vit, duke humbur pikë kundrejt të gjitha valutave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 135.47 lekë, duke u rritur me 0.24 lekë ndaj fundit të vitit të kaluar. Më i fortë zhvlerësimi ka qenë ndaj dollarit, ku monedha e gjelbër u këmbye me 129.75 lekë, me rritje prej 1.58 lekë në raport me ditën e fundit të vitit të kaluar.
Edhe ndaj paundit britanik e frangës zvicerane leku ka humbur pikë, me përkatësisht 1.45 dhe 0.39 lekë. Aktorët e tregut pohojnë se kjo është një tendencë sezonale, ku gjithmonë në ditët e para të vitit monedha vendase humb pikë, ndryshe nga dhjetori ku përgjithësisht ajo vlerësohet për shkak të prurjeve të emigrantëve. Monedha vendase e mbylli vitin 2016 në kuotën e 135 lekëve, niveli më i ulët ky që nga 2009-a.
Për gjithë vitin 2016, kursi mesatar i këmbimit euro-lekë ishte 137.4 lekë, nga 139.7 lekë në vitin e mëparshëm, duke rënë me 1.6%. Kjo është mesatarja më e ulët që nga viti 2009, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 132.1 lekë. Prej gati 5 vitesh, euro në tregun e brendshëm ishte luhatur në kuotat e 139-140 lekëve.
Përgjatë vitit 2016, dollari është luhatur mes 122 dhe 129 lekëve, për ta mbyllur vitin në kuotën e 129 lekëve, në nivele më të ulëta se viti i mëparshëm, kur arriti në 132 lekë.
Në bursat ndërkombëtare dollari u tërhoq nga niveli më i lartë i 14 viteve të fundit kundrejt një shporte monedhash të mërkurën, me investitorët që u treguan të kujdesshëm rreth pritshmërive për ekonominë amerikane dhe kohën kur do të rriten normat e interesit.
Monedha e gjelbër arriti në nivelet më të larta që nga fundi i vitit 2002 të martën, pasi të dhënat e prodhimit në SHBA i tejkaluan pritshmëritë, duke kërcënuar sërish për të arritur barazinë me euron, që arriti në nivelin më të ulët të 14 viteve në $1.0340.
Të mërkurën, monedha e vetme u rrit me 0.3%, për të arritur në $1.0435, pothuajse një cent mbi nivelin e ulët të arritur të martën.

Rritet me 20% çmimi i gazit për familjarët

Gazi i lëngshëm për ngrohje po shitet mesatarisht 20% më shtrenjtë në këto ditë të para të vitit, si rezultat i taksave të reja dhe rritjes së kërkesës siç shpjeguan disa nga distributorët e shitjes me pakicë.
Një litër gaz kushtoi dje 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 52 lekë që ishte dy ditë më parë. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve. Në pikat e autorizuara çmimi është edhe më i shtrenjtë, duke variuar nga 80-85 lekë për litër.
Çmimi ndryshoi masivisht dje në të gjitha pikat e shitjes dhe tregtarët me pakicë shpjeguan se janë rritur taksat.
Më 1 janar, hyri në fuqi paketa e re fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu po sillet në mënyrë abuzive me rritjen e taksave, pasi çmimi është rritur në mënyrë uniform edhe për përdoruesit familjarë.
Por rritja e taksave duket se nuk është shkaku i vetëm. Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve dhe lajmërimet për ditë më të ftohta në vijim e kanë rritur dukshëm kërkesën për gaz e për rrjedhojë, distributorët po e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimin.
Gjithashtu, nuk po funksionojë pikat e autorizuara për furnizimin me gaz për përdorim familjar. Më herët, më 2016, Ministria e Energjetikës, për të mënjanuar aksidentet nga bombolat e gazit, autorizoi pika të posaçme për shitjen e gazit.
Pikat janë të licencuara dhe ofrojnë edhe shërbimin e kolaudimit për bombolat. Fillimisht pikat u përballën me një kërkesë të lartë, pasi karburantet nuk u lejuan më të furnizonin familjarët. Për shkak të kufizimeve në furnizim, çmimi i gazit në pikat e autorizuara u rrit në 80 lekë për litër, gati 30 lekë më shumë.
Për shkak të çmimit të lartë, furnizimi në pikat e autorizuara nuk rezultoi shumë jetëgjatë, pasi karburantet kanë rinisur të furnizojnë familjarët në masë dhe tashmë edhe me çmime më të rritura.

Si mashtroi qeveria

“Një litër gaz kushtoi dje 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 52 lekë që ishte dy ditë më parë. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve. Në pikat e autorizuara çmimi është edhe më i shtrenjtë, duke variuar nga 80-85 lekë për litër”, raporton “Monitor”. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, e ka mbrojtur propozimin për rritjen e akcizës së gazit, duke e justifikuar me rritjen e sigurisë për familjarët.
Ai garantoi se nuk do të kishte rritje të çmimit të gazit për familjarët. “Qytetarët shqiptarë nuk do të rëndohen fare për gazin e lëngshëm që përdorin për nevojat e tyre. Pra, nuk bëhet fjalë për rritje akcize të gazit për përdorim familjar apo për çfarëdolloj përdorimi tjetër, bëhet fjalë vetëm për gazin që shitet në stacionet e karburantit ku shitet gazi për automjete”, tha Gjiknuri në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas ministrit, jo vetëm qytetarët nuk do të kishin asnjë pasojë financiare, por do të ishin edhe të kënaqur.
“Ata do t’i blejnë bombolat në një treg më të sigurt, të çertifikuar. Me legjislacionin e ri të mjeteve të presionit shoqëruar nga vendimet përkatëse të qeverisë për kontrollin, kolaudimin dhe çertifikimin e bombolave, të gjitha stacionet e karburantit do të kenë dyqane të veçanta ku qytetari dhe kompanitë që kanë rrjet shpëndarjeje bombolash, ashtu siç e ka edhe Perëndimi, pasi i lajmëron në telefon, të sjellin bombolën”.
Sipas Gjiknurit, me rritjen e akcizës së gazit për automjetet, familjarët do ta blinin gazin si në Perëndim.
Por këto ditë duket se po e blejnë njësoj si më parë. Vetëm se po e blejnë më shtrenjtë.

Nafta rritet 50 lekë/litri, 30% më shtrenjtë se në Kosovë

Fundi i 2016-s dhe ditët e para të 2017-s janë shoqëruar me një shtrenjtim të çmimit të karburanteve në tregun e brendshëm.
Dy operatorë, “Alpet” dhe “Gulf”, kanë reflektuar tashmë rritjen e çmimit të naftës me rreth 5 pikë për litër, duke e çuar atë në rreth 174 lekë për litër, nga nën 170 lekë që ishte më parë në autostradë dhe jashtë Tirane, ndërsa brenda kryeqytetit, karburanti ka arritur në 178 lekë.
Dy operatorët e mëdhenj, “Kastrati” dhe “Elda”, nuk i kanë ndryshuar ende çmimet (“Elda” e tregton naftën me 166 lekë dhe “Kastrati” me 167), por ato kanë paralajmëruar shtrenjtim të tyre pas festave të fundvitit.
Arsyeja kryesore, sipas tyre, lidhet me shtrenjtimin e naftës në tregun e jashtëm. Në bursat ndërkombëtare, nafta Brent ka arritur në 56 dollarë për fuçi në nivelin më të lartë në më shumë se një vit (që nga shtatori 2015).
Kjo është hera e tretë që ka një valë të shtrenjtimit të çmimeve, që nga janari 2016 kur ato zbritën në rreth 160 lekë për litër. Rritja e naftës në bursa mbi 50 USD/fuçi është reflektuar dhe dy herë të tjera përgjatë vitit të kaluar.
Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në Europë. Sipas Global Petrol Price, në Shqipëri, nafta, sipas të dhënave të 26 dhjetorit ishte 1.31 USD për litër (me rritjen e fundit ka arritur në 1.35), ndërsa në Maqedoni çmimi është 1.13 USD; në Mal të Zi 1.19 USD; në Serbi 1.16 USD; në Bosnjë, 0.97 USD për litër; në Bullgari 1.07 USD; në Rumani 1.22 USD. Shqipëria ka nivele të krahasueshme me Italinë, Zvicrën, Spanjën, Kroacinë, Irlandën, Gjermaninë etj.
Operatorët pohojnë se shkak për këtë është barra e lartë e taksave, që llogaritet në 67-70% të kostos.
Krahas naftës, pritet të shtrenjtohet edhe gazi që përdoret për automjete me rreth 10 lekë për litër, si reflektim i akcizës për gazin e lëngshëm për mjetet e transportit në nivelin 8 lekë për litër, që duke i shtuar dhe TVSH-në arrin në 9.6 lekë për litër, duke filluar nga 1 janari. Çmimi i gazit në rrethe dhe autostradë luhatet në rreth 55-60 lekë për litër nga 42-50 lekë për litër që ishte në fund të vitit të kaluar. Në Tiranë, gazi tregtohet ende me 55 lekë për litër.

Taksa dhe abuzime

Sa herë që një shqiptar paguan 175 lekë për një litër naftë, ai paguan një mori taksash. Akciza paguhet në masën 37 lekë. Kësaj i shtohet taksa e karbonit, 3 lekë dhe taksa e qarkullimit, 27 lekë. Tatimi mbi vlerën e shtuar paguhet për të gjithë çmimin final në masën 20 për qind. Por kjo do të thotë që për pjesën e taksave të tjera, pra akcizë, taksë karboni apo taksë qarkullimi, TVSH është një shumë fikse që nuk varet nga luhatja e çmimit të naftë. Kështu, për të tri taksat, të cilat së bashku marrin 67 lekë, paguhet TVSH prej 13.4 lekë. Përveç kësaj, paguhet TVSH e zakonshme mbi çmimin fundor, i cili aktualisht është rreth 165 lekë për litër, gjë që shton edhe 19 lekë të tjera TVSH për një total prej 100 lekësh për litër.
Nga importi deri te pika e karburantit janë edhe një sërë taksash të tjera, si për shembull, taksa e markimit, 1 lekë për litër, kostoja e magazinimit, 0.1 lekë, taksa të ndryshme për pushtetin vendor nga pikat e karburantit etj., të cilat nuk mund të kuantifikohen lehtë. Por në total, taksat mbi naftën variojnë nga 98 deri në 104 lekë për litër. Luhatja shkaktohet se një pjesë e TVSH-së së paguar lidhet me çmimin e importit ndërsa pjesa tjetër me taksat fikse.
Të ardhurat e qeverisë nga karburantet vlerësohet se arrijnë në mbi 700 milionë dollarë në vit. Rreth një në çdo pesë lekë taksa të mbledhura nga qeveria vjen pikërisht nga hidrokarburet.

Koburja në kokën e Fatmir Gudës që na kërcënon të gjithëve

Nga Armand Maho

Fatmir Gudën, ish-kryebashkiakun e Leskovikut, e njoh që prej vitit 2002, kur punonte si reporter në Shijak TV. Ishte shndërruar në makth për të majtët, e asaj  kohe (shumë prej tyre sot janë bërë rilindas të paepur), teksa i drejtonte pyetje që atyre nuk ua rrokte mendja se mund t’i vinin nga gazetarët. Dhe në atë kohë, situata nuk ishte shumë ndryshe nga tani. Nano, dhe sidomos Rama, e kontrollonin median në çdo qelizë të saj, dhe jo kushdo prej gazetarëve mund të ngrinte kokën për çështje të cilat i digjnin keq njërit apo tjetrit ministër. Shumë prej gazetarëve të asaj kohe, e kujtojnë me shaka se si Guda i ngjitej mbrapa Bashkim Finos, ministër i pushtetit lokal duke e pyetur a ishte i korruptuar apo jo.

Në vitin 2003 mori një ftesë nga Partia Demokratike, për të kandiduar në vendlindjen Leskovik, si kryetar Bashkie. Në atë kohë kur më tha Fatmiri se do kandidojë, të them të drejtën e pashë me skepticizëm pasi nuk besoja se do fitonte. Në shtator e la gazetarinë dhe filloi fushatën. Unë u gabova në parashikimin sepse Guda fitoi bindshëm, jo vetëm në vitin 2003, por për tre mandate radhazi, deri në vitin 2015 kur u bë reforma e famshme territorial dhe Leskoviku u shkri si bashki duke i kaluar Ersekës në administrim. Nga njerzit e zonës përgjatë kohës kam dëgjuar vetëm fjalë të mira për punën dhe njerzillëkun e tij. Natyrisht për aq sa mund të bëhej në qytetin juglindor ai bëri maksimumin, më shumë se çkish bërë çdo kryebashkiak tjetër.

Dje dëgjova se Fatmir Guda ishte kërcënuar në derën e shtëpisë së tij, në qytetin e lindjes. Teksa nxitonte të shkonte tek dy fëmijët e mitur i kishin dalë para falangat e rilindjes i kishin vënë pistoletën në kokë, duke i kërkuar të mos fliste shumë. E kishin pritur në errësisë ashtu si ish-sigurimi i dikurshëm që përgjonte cepave të pallateve, dhe ashtu në errësirë ishin larguar. Nuk ishin nga Leskoviku sepse atje Miri i njeh njerzit. Duket se pushtetit në Tiranë, i ka djegur shumë pjesëmarrja e tij në zgjedhjet e pjesshme lokale në Ersekë, ku guda ishte në cilësinë e nënkryetarit të PD-së Ersekë. Sulmet kanë filluar më parë, kur e akuzuan për ca gjëra  të paqena, për të cilat prokuroria pezulloi hetimin pa e dërguar në gjyq. Me sa duket nuk u mjaftuan, por dërguan trimat me kobure që ta bëjnë të mbyllë gojën.

Miri u piketua i pari prej Rilindjes pasi gjedhjet janë mbas gjashtë muajsh. Ata e njohin forcën e tij në zonën që e zgjodhi tre herë rresht si kryetar Bashkie. E si mund ta lejojnë ata që ti cënohet sadopak pushteti, ti cënohet kanabisi, koncensioni, PPV-ja e çdo lloj zullumi. Si mund të lejojë Peleshi, ky politikan jovertebror, që në zonën e Leskovikut të përgojohet kryereformatori i madh që e mori nga Korça ku nuk i ishte ndjerë zëri për të mbuluar psillëqet e tij. Dhe rilindja i ka gati skuadronet, ato që për tre vjet rresht i ushqeu me paratë e saj të korrupsionit. Ata kanë shumë për të humbur, dhe smund ta lejojnë as Fatmirin e askënd tjetër që ti cënohet pushteti. Ata e dinë fare mirë që mbas qershorit ska Vetting t’i shpëtojë nga gjithçka i kanë bërë këtij vendi.

Miri ishte i pari, por sdo jetë i vetmi. Fushata ska nisur ende dhe represioni do shtohet… Rama me të tijët që e kanë pasur të zhvilluar me kohë dellin e delirit, tashmë po kalojnë në fazën e tërbimit. Por Rama harron se ishin ata si Fatmiri dhe të tjerë që dikur u ngritën kundër diktaturës më të egër komuniste. Rama harron se pavarësisht parasë apo kriminelevë që i ka veshur me petkun e pushtetit gjithmonë do gjendet jo një por me mijra Fatmirë që do ja thonë në sy atë që mendojnë. Sepse koha kur vareshin poetët për një poezi ka perënduar sado nostalgjik të jetë ai Peleshi apo i gjithë establishment bllokmen që ka mbledhur rreth tij. Së shpejti do perëndojë dhe koha e tyre… Numurimi mbrasht ka filluar këmbanat do i dëgjoni më 18 qershor.

Qeveria grabit lekët e ndihmës ekonomike për 2100 familje të Matit

Qeveria ka lënë pa ndihmë ekonomike rreth 2100 familje në rrethin e Matit. Ndonëse paratë e ndihmës ekonomike ndodheshin në llogarinë e Bashkisë, ato janë tërhequr nga Ministra e Ekonomisë për t’i përdorur për nevojat e saj. Sipas burimeve. Një muaj më parë Ministria e Ekonomisë ka tërhequr nga nëpërmjet Thesarit të Shtetit mbi 200 milionë lekë nga numri i llogarisë së Bashkisë së Matit për t’i përdorur për nevojat e saj, dhe para pak ditësh ka kthyer në numrin e llogarisë së bashksië vetëm 100 milionë lekë, ndërsa pjesën tjetër e ka mbajtur për vete. Në këtë mënyrë 2098 familje matjane mbeten pa ndihmë ekonomike. Këto familje nuk kanë mundësi për të mbijetuar dhe jo më të festojnë Vitin e Ri.
Kështu, 6 njësi administrative në rrethin e Matit nuk kanë marrë ndhmën ekonomike për muajin dhjetor. Kështu, Qeveria edhe këtë rradhë e zgjodhi mënyrën e saj për t’i uruar festat e fundvitit, popullit të Matit një “kartolinë” speciale që kushtoi 10.014.664 lekë me të cilat 2098 familje matjane, do të blinin “thesin e miellit” dhe një “recetë ilaçesh”, asgjë më shumë! Sa për festat, tashmë i kane harruar!…
Kjo është qeveria e “mirëqënies sociale”, e ‘vendeve të lira të punës” e “shanseve të barabarta” dhe e “shtetit ligjor”! Në fakt kjo është fatura që ky popull do t’i duhet të paguaj vetëm sepse “vota “ e tij ishte ”blu”, t’i mohosh deri në pikën e fundit të drejten për të jetuar me dinjitet, t’i shuash buzëqeshjen e fëmijëve të tij, t’ua zbrazësh tryezat e varfëra deri në skamje, t’i lesh pa mjekim, t’i bësh të ndjehen “të humbur” dhe “të braktisur “ nga qeveria e vet!

Pas drekës me Veliajn, prokurori Fusha shkon tek dekriminalizimi

Petrit Fusha nuk do të jetë më kreu i Prokurorisë së Tiranës. Ai është larguar nga kjo detyrë pas skandalit të publikimit të një fotografie ku shfaqej në një restorant të Tiranës, duke drekuar me Erion Veliajn, i cili po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Bëhet e ditur se Fusha është larguar nga detyra e drejtimit të Prokurorisë së Tiranës, por është emëruar në një detyrë tjetër të rëndësishme, në Njësinë e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Tiranës.
Kjo lëvizje është bërë menjëherë pas miratimit të Vettingut, një ligj që do të kalojë në sitë prokurorët dhe gjykatësit. Fusha është emëruar në Njësinë e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Tiranës jo vetëm për të pastruar figurën e tij, pasi ai është akuzuar në media për korrupsion, por për t’i shërbyer Ramës për pastrimin e dosjeve të prokurorëve që i interesojnë këtij të fundit.
Njësia e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Tiranës, mësohet se do të bëhet me 3 prokurorë, për shkak të rëndësisë që po merr. Bashkë me Fushën në këtë njësi ka shkuar edhe prokurorja Alma Muça. Ndërkohë drejtuese e kësaj njësie do të vazhdojë të jetë, Rovena Gashi. Aktualisht Petrit Fusha vazhdon të mbajë dhe postin e kreut të akuzës së kryeqytetit, por në këtë post, ai është i komanduar deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri. Për momentin, nuk ka asnjë informacion për emrin që do të zëvendësojë Petrit Fushaj në krye të Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton 5 padi të ngritura ndaj krybashkiakut Erion Veliaj.
Pak ditë më parë, kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha u fotografua, duke drekuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Petrit Fusha dhe Veliaj kanë qëndruar për më shumë se 2 orë në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit. Citynews ka siguruar pamjet kur Petrit Fusha ka hyrë më parë në ambientet e lokalit dhe është ulur në një nga cepat e tij. Pas rreth 20 minutash në restorant është shfaqur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj dhe Fusha dukeshin në një bisedë ku kryebashkiaku jepte sqarime dhe urdhëra ndaj kryeprokurorit të kryeqytetit, i cili ka në dorë disa hetime të rëndësishme penale për Veliajn dhe ministrat e qeverisë Rama, raporton Citynews. Mbi Veliajn janë ngritur disa padi që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, ku më e rëndësishmja është ajo e vrasjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Hetimet për vrasjen e Gjoklajt

Edhe pse kanë kaluar gati 5 muaj nga vrasja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, brenda landfillit të Sharrës, Prokuroria e Tiranës ende nuk ka një vendimmarrje për përgjegjësit e këtij krimi. “AbcNews”, raportoi dje se kjo prokurori i ka deleguar shtatë detyra të ndryshme Policisë së Shtetit me qëllim sigurimin e disa provave shtesë, dëshmive dhe veprime të tjera hetimore, në dosjen e çështjes për zbardhjen e vrasjes dhe gjymtimit të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Ndër këto detyra konkrete për oficerët e Policisë Gjyqësore, prokurori Julian Zonja, ka caktuar marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve që ndodheshin në landfill natën e vrasjes apo edhe të afërm të 17-vjeçarit, të cilët nuk janë pyetur ende deri më sot.
Veç kësaj, është kërkuar edhe verifikimi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për punonjësit që kompania 3R (e cila menaxhonte landfillin) kishte të deklaruar, pasi zyrtarisht Prokuroria ende nuk është njohur. Gjithashtu, burimet nga Prokuroria thonë se janë në pritje edhe të ekzaminimeve të tjera të ekspertëve kriminalistikë apo atyre të Mjekësisë Ligjore.
Burimet thanë se hetimi ndaj zyrtarëve të Bashkisë është veçuar dhe janë duke u verifikuar procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës për krijimin e shoqërisë ECO TIRANA, e cila më pas, me firmën e kryetarit të Bashkisë, Erion Velia, në formën e marrëveshjes, i ka kaluar kompanisë 3R administrimin e landfillit të Sharrës, e cila merrej me selektimin e mbetjeve.
Ngjarja për të cilën Prokuroria po vazhdon hetimet, ka ndodhur në fillim të muajt gusht të këtij viti dhe ende dosja pritet të plotësohet. Me gjetjen e trupit të Gjoklajt, është konstatuar se i riu punonte jashtë çdo rregullit ligjor në kapanonin e landfillit të Sharrës dhe se ai mund të ketë qenë në gjumë, në kohën kur ekskavatori që bënte grumbullimin në sheshin e mbetjeve e ka goditur, duke i sjellë vdekjen.

R.POLISI

Dorëzohet qeveria, dalin nga greva e urisë banorët e Zharrëzit

10 banorët e fshatit Zharrëz në Fier kanë lënë grevën e urisë pasditen e djeshme. Kjo erdhi, pasi u njoftuan nga deputetët e PD të Qarkut të Fierit dhe kryetari i Njësisë Administrative për vendimin e marrë nga qeveria për ngritjen e një komisioni ndërministror që të nisin hetimet për shkaqet e lëkundjes së tokës. Prej një jave, banorët ndodheshin në grevë urie, ndërsa kanë refuzuar çdo lloj kujdesi mjekësor.
Kështu, pas një jave në grevë urie 10 banorët e fshatit Zharrëz janë kthyer në shtëpi. Ata pranuan ta mbyllnin grevën, pasi u njohën me vendimin për ngritjen e një komisioni me ekspertë nga Ministria e Mjedisit, ajo e Ekonomisë dhe Ministria e Energjetikës. Në varësi të rezultatit do të vendoset shpallja ose jo e gjendjes së emergjencës për këtë zonë.
Greva e urisë nisi një javë më parë, pas lëkundjeve të forta të tokës që terrorizuan banorët dhe shkaktuan dëme të shumta materiale. Në orët e pasdites, ata u vizituan nga dy deputetë të PD të cilët u garantuan mbështetje.
Fshati Zharrëz i Bashkisë së Patosit është në epiqendrën e lëkundjeve të tokës, për të cilat banorët akuzojnë kompanitë naftënxjerrëse. Këto të fundit dyshohet se për të përfituar sasira të mëdha nafte në kohë të shkurtër kryejnë operacione në thellësi të mëdha, duke shkaktuar shpërthime nëntokësore.
Kjo është greva e dytë e urisë së banorëve, pasi e para përfundoi me një premtim të ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri 2 vjet më parë. Protesta, e cila u pasua me grevë urie nisi 10 ditë më parë pas lëkundjeve të fuqishme të tokës, të cilat u ndjenë deri në Fier, Patos dhe Rroskovec.
Kompania kineze “Geo Jade”, e cila bleu Bankers Petroleum disa muaj me parë nuk ka reaguar deri tani. Fusha naftëmbajtëse Patos-Marinëz ka rezervat më të mëdha të naftës në Europë. Në vitin 2006 qeveria shqiptare e dha me koncesion te firma kanadeze “Bankers Petroleum”.

Deputetët e PD pranë grevistëve të urisë

Deputetët e PD të Qarkut Fier, Bedri Mihaj dhe Kozma Dashi vizituan dje grevistët e urisë në Zharrëz. Në deklaratën e tyre për mediat, deputetët janë solidarizuar me grevistët, duke shprehur në të njëjtën kohë se ata do t’i bëjnë presion të pandërprerë qeverisë për t’i dhënë fund kësaj situate.
Deputetët e PD të Qarkut të Fierit Mihaj dhe Dashi, kanë kritikuar indiferencën e deritanishme të qeverisë ndaj kësaj situate dhe mungesën e një përgjigjeje sa i përket kerkesës me 6 pika drejtuar kryeministrit Rama për t’i dhënë fund tensioneve në Zharrëz dhe daljen e 10 banorëve nga greva e urisë. “Kërkesa i është drejtuar që para 5 ditësh zyrës së kryeministrit, kanë thënë deputetët, ndërsa nga Kryeministri nuk ka asnjë përgjigje për zgjidhjen e kësaj situate”. Pavarësisht kësaj heshtjeje, kanë deklaruar Mihaj dhe Dashi, në do të ngremë zërin dhe do të kërkojmë pa u ndalur që të marrë fund kjo situatë në Zharrëz dhe njerëzve t’u kthehet qetësia dhe të dëmshpërblehen.
Pranë tyre ishte edhe dje edhe deputeti Ben Blushi. Ai u bëri thirrje banorëve që të shkojnë në Tiranë, pasi banesat e tyre po i shkatërron korrupsioni qeveritar. Blushi u shpreh se, qeveria është bërë palë më kompaninë naftënxjerrëse, duke braktisur banorët. Sipas tij vendit nuk i duhet një naftë e cila nxirret me gjakun e banorëve.
10 banorë të zonës janë futur në grevë urie në emër të bashkëfshatarëve të tyre, duke rrezikuar jetën. Ata kishin vetëm një kusht për të dalë nga greva. Të ngrihet një komision ndërministror për të zbuluar shkaqet e lëkundjeve të tokës në zonën naftëmajtëse Patos-Marinëz dhe kjo t’u komunikohet direkt nga drejtues të lartë të qeverisë.
Njëri prej grevistëve nuk pranoi dje të shkonte për ndihmë të specializuar në Tiranë, pasi mjekët e Fierit konstatuan probleme me zemrën. Të njëjtin qëndrim po mbajnë edhe grevistët e tjerë duke vendosur të mos marrin më as serume. Pas presionit të opozitës, qeveria pranoi të ngrejë një komision me ekspertë nga Ministria e Mjedisit, ajo e Ekonomisë dhe Ministria e Energjetikës që të nisin hetimet për shkaqet e lëkundjes së tokës. Pas këtij vendimi, banorët ndërprenë grevën e urisë.

R.POLISI

Vrasjen e 17-vjeçarit Gjoklaj s’ka kush ta hetojë

Kanë kaluar 5 muaj pas vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklajt në Sharrë, por ende organi i akuzës nuk i ka nxjerrë përgjegjësit e kësaj ngjarje. Televizioni “AbcNews”, referuar burimeve nga Prokuroria ka mësuar se prokurori i çështjes i ka deleguar policisë 7 detyra të reja. Prokurori Julian Zonja ka kërkuar që të merren në pyetje disa dëshmitarë që ndodheshin në landfill natën e vrasjes apo edhe të afërm të 17-vjeçarit, të cilët nuk janë pyetur ende.
Veç kësaj, është kërkuar edhe verifikimi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për punonjësit që kompania “3R” kishte të deklaruar, pasi zyrtarisht Prokuroria ende nuk është njohur me këto fakte.
Burimet nga Prokuroria thonë se janë në pritje edhe të ekzaminimeve të tjera të ekspertëve kriminalistikë apo atyre të Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, me ardhjen e këtyre materialeve shkresore, dosja do të dërgohet në gjyq, ku i vetmi që do të mbajë përgjegjësi për 17-vjeçarin është shoferi i eskavatorit Edmond Kollari që ndodhet i arrestuar.
Administratori i kompanisë “3R”, Edurim Teqja, që rezulton i shpallur në kërkim, si dhe përgjegjësi i turnit të natës së kompanisë, Defrim Hakrama do të përballen me akuza më të lehta.
Ndërsa hetimi ndaj zyrtarëve të bashkisë do të bëhet i veçuar nga ngjarja. Organi i akuzës ka ende në verifikim procedurat e ndjekura për krijimin e shoqërisë “ECO TIRANA”, e cila i ka kaluar kompanisë “3R” menaxhimin e Sharrës.
Ngjarja për të cilën Prokuroria po vazhdon hetimet, ka ndodhur në fillim të muajt gusht të këtij viti dhe ngjalli një indinjatë të thellë në publik. Trupi i 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj u gjet i gjymtuar dhe në fillim ngjarja u tentua të fshihej nga kompania “3R”. Dyshohet se 17-vjeçari ka qenë në gjumë, në kohën kur eskavatori që bënte grumbullimin dhe sheshin e mbetjeve e ka goditur duke i sjellë vdekjen.

Tragjedi në Tepelenë! Shtëpia në flakë, digjet nëna me fëmijën 6 muajsh

Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje pasdite në Tepelenë. Një nënë bashkë me fëmijën e saj vetëm 6 muajsh kanë humbur jetën, pasi banesa e tyre në katin e parë të një pallati në lagjen “15 Shtatori” është përfshirë nga flakët. Burime policore bënë të ditur se, si pasojë e rënies së zjarrit në banesë, viktimë ka ngelur Elona Shehu, 35 vjeçe dhe foshnja e saj 6 muajshe. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një rrjedhje gazi. Mësohet nëna me foshnjën kanë qenë vetëm në momentin që banesa është përfshirë nga flakët, ndërsa burri dhe fëmija tjetër ndodheshin jashtë. Sipas burimeve të policisë, ka dyshime që nëna dhe foshnja të kenë qenë duke fjetur.
Një nga hipotezat e mundshme të ngritura nga policia është fakti që nëna e re, e cila ndodhej vetëm me foshnjën në banesë është përgjumur, ndërsa bombola e gazit që përdorej për ngrohje ka qenë e ndezur. Gjatë kohës që gruaja flinte bashkë me foshnjën, dyshohet të ketë pasur rrjedhje të menjëhershme gazi. Bëhet e ditur se shpërthimi ka ndodhur pikërisht në momentin kur është ndezur drita.
Policia nuk jep asnjë detaj për shkaqet e rënies së zjarrit ku humbi jetën një nënë me foshnjën 6 muajshe. “Në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, në katin e parë të pallatit, në banesën e shtetasit G.Sh, ka rënë zjarr. Si pasojë e zjarrit kanë gjetur vdekjen gruaja e tij shtetasja E.Sh, 35 vjeçe si dhe djali 6 muajsh. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Punohet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet nëna me foshnjën kanë qenë vetëm në momentin që banesa është përfshirë nga flakët, ndërsa burri dhe fëmija tjetër 5 vjeç ndodheshin jashtë për të parë nga afër koncertin.
Muret, dera, orenditë shtëpiake, çdo gjë brenda banesës së tragjedisë ku u shuan nëna 35-vjeçare dhe foshnja e saj 6 muajsh është shkrumbuar. Duket se zjarri i shkaktuar nga rrjedhja e bombulës së gazit, jo vetëm nuk kurseu jetët e dy anëtarëve të kësaj familjeje, por shkatërroi dhe çdo gjë tjetër materiale brenda mureve të banesës së familjes Shehu. Ndërsa ekspertët në vendngjarje po hetojnë ende për të zbuluar çfarë e shkaktoi rrjedhjen e menjëhershme të gazit, trupat e viktimave janë transportuar në morgun e qytetit të Tepelenës, nga ku konfirmohet se pothuajse ishin të paidentifikueshëm nga djegia.
Po dje, një 30-vjeçar humbi jetën në fshatin Bishnicë të Pogradecit, pasi banesa e tij u përshi nga flakët e zjarrit. Pasi ka marrë njoftimin për zjarrin, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Si pasojë e zjarrit është djegur e gjithë banesa dhe në një nga dhomat e saj është gjetur i pajetë dhe një 30-vjeçar.
Gjithashtu raportohet se ka marrë dëmtime trupore dh nëna e viktimës, e cila u transportua në Spitalin e Pogradecit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, por mësohet se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Eriola Elezi, gruaja e të ndjerit Ilirjan Elezi që vdiq në banesën ku ra zjarri në Pogradec, tregon se zjarrfikësja nuk mbërriti në kohë. “Në momentin që ra zjarri un kam qenë në dush duke u larë ndërsa vajza e vogël dy vjeçe ka qenë në kuzhinë në gjumë. Bashkëshorti ishte në dhomën ku edhe zjarri ishte më i fuqishëm. Fillimisht ka qenë mamaja ajo që ka thyer dritaren për ta ndihmuar dhe më pas kanë ardhur bashkëfshatarët e tjerë. Jemi munduar ta shuajmë zjarrin me kova me ujë dhe ka qenë e pamundur. Zjarrfikësja nuk ka ardhur. Nëse do të vinte mund të kishte shpëtuar burri”, shprehet ajo. Bashkëshortja e të ndjeri thotë se, Tentuam ta shuanim zjarrin me kova me ujë, por më kot.