20.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Si funksionon Perandoria e “Mjeshtrit të kukullave”

Nga Mint Press News Desk/15 Qershor, 2015

Rrallë herë bota shikon në brendësi të botës së korruptuar të oligarkëve perëndimorë dhe manipulimet e turpshme që ata përdorin për të rritur pasuritë e tyre në kurriz të të ardhurave publike.
Çka do të vazhdojmë të flasim më poshtë vjen nga korrespondenca e bilionerit të lindur hungarez, tani spekulator i natyralizuar amerikan, Xhorxh Soros. Grupi i hakerave CyberBerkut ka publikuar në rrjete sociale letra të shkrojtura nga Soros, të cilat zbulojnë atë jo vetëm si një mjeshtër kukullash në regjimin e Ukrainës që mbështetet nga SHBA. Këto letra gjithashtu zbulojnë makinacionet e tij me qeverinë e SHBA dhe zyrtarë të Bashkimit Europian në një skemë e cila, po të ketë sukses, ai mund të fitojë biliona që vijnë përmes grabitjes së pasurive të Ukrainës. Patjetër që gjithçka do të zhvillohet me shpenzimet e Ukrainës dhe taksapaguesve të BE.
Ajo çfarë zbulohet nga tre dokumentat e publikuara është një vlerësim e manipulimeve pas skenës e detajuar deri në hollësi të regjimit të Kievit dhe bilionerit nga Nju Jorku.
Në memorandumin më të gjatë që mban datën 15 mars 2015 me shënimin “Konfidenciale” Soros skicon një hartë shumë të detajuar për veprimet e regjimit të Kievit. Titulluar “Një strategji gjithëpërfshirëse afatshkurtër dhe afatmesëm për Ukrainën e re”. Për të realizuar shndërrimin, Soros deklaron gjithë gëzim se: “Gjenerali Wesley Clark, Gjenerali Polak Skrzypczak dhe shumë specialistë të tjerë nën stemën e Këshillit të Atlantikut do të këshillojnë Presidentin Poroshenko si të shndërrojë mundësitë luftuese të Ukrainës pa shkelur marrëveshjen e Minskut”.
Soros gjithashtu bën thirrje për të pajisur Ukrainën me armë vdekjeprurëse dhe në mënyrë sekrete të trajnohen personeli ushtarak ukrainas në Rumani, duke anashkaluar në këtë mënyrë direkt prezencën e NATO-s në Ukrainë. Këshilli i Atlantikut është një grup që lëshojnë mendime pro NATO me qendër në Uashington.
Gjithashtu Wesley Clark është gjithashtu një bashkëpunëtor në biznes me Soros në BNK Petroleum që vepron tashmë në Poloni. Clark, disa mund ta kujtojnë, se ka qenë Gjenerali i NATO-s, në krye të bombardimeve ndaj Serbisë në 1999 dhe që urdhëroi ushtarët e NATO-s që të qëllonin mbi ushtarët rusë që ruanin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Rusët ishin atje si pjesë e një marrëveshjeje që konsistonte në një forcë paqeruajtëse të përbashkët NATO-Rusi që do të kontrollonin Kosovën. Komandanti britanik, Gjenerali Mike Jackson refuzoi Clarkun, duke thënë: “Nuk kam ndërmend të nis Luftën e Tretë Botërore”. Me sa duket Clark ka vendosur që të dalë nga pensioni dhe të shkoj vet direkt në Rusi.

Kapja e pasurive të zbuluara

Në memorandumin e tij në mars 2015, Soros shkruan ndër të tjera se prioriteti fillestar i Presidentit të Ukrainës, Poroshenko duhet të jetë rifitimi i kontrollit mbi tregjet financiare të vendit”, dhe për këtë ai e siguron Poroshenkon se Soros është gati ta ndihmojë atë: “Unë jam gati të thërras Jack Lew nga Thesari i SHBA për ta dëgjuar dhe të hartojmë një marrëveshje”.
Ai gjithashtu i bën thirrje BE që t’i japë Ukrainës një shumë prej 11 bilionë euro përmes një organizmi të veçantë të BE për dhënie borxhi. Gjithashtu, Soros propozon në fakt të përdorë “AAA” të BE, klasifikimi më i lartë i krediteve për të përdorur një sigurim rrezikshmërie për investimet në Ukrainë.
Rrezikun e kujt do të sigurojë BE?
Soros specifikon, “Jam i përgatitur që të investoj deri në 1 bilion euro në bizneset ukrainase. Kjo ka gjasa të jetë për të tërhequr interesin e komunitetit të investitorëve. Siç thamë edhe më sipër, Ukraina duhet të kthehet në një destinacion tërheqës për investime”. Që të fshijë çdo lloj dyshimi Soros vazhdon, “Investimet do të kryhen me qëllim fitimi, por unë premtoj se fitimet do të derdhen në fondacionet e mia. Kjo do të qetësojë dyshimet se po mbështet politika për fitim personal”.
Për këdo që është familjar me historinë e Fondacionit të Sorosit për një Shoqëri të Hapur në Europën Lindore dhe kudo në Botë që nga fundi i viteve 1980, e di që projektet e tij të ashtuquajtura filantropike “demokraci ndërtuese” në Poloni, Rusi apo Ukrainë në 1990 i hapën rrugë Sorosit biznesmen, që në të vërtetë të grabisë vendet ish- komuniste, duke përdorur mesian e “terapisë së shokut” të një pedagogu të Universitetit të Harvarsdit dhe në të njëjtën kohë bashkëpunëtor i Soros, Jeffrey Sachs, që të bindë qeveritë post sovjetike të privatizojnë gjithçka dhe të hapen para “tregut të lirë” menjëherë në të njëjtën kohë në vend që ta bënin atë gradualisht.
Shembulli i Sorosit në Liberi mëson shumë për të kuptuar me sa duket bashkëveprimi mes Sorosit biznesmeni mendjemprehtë dhe filantropistit. Në Afrikën Perëndimore, Xhorxh Soros mbështeti një ish-punonjëse të tij në Fondacionion për Shoqëri të hapur, Presidenten liberiane, Ellen Johnson Sirleaf, duke i siguruar asaj publicitet ndërkombëtar përmes influencës që ai kishte, duke arritur deri në përgatitjen për një Çmim Nobel Për Paqen për të në vitin 2011, duke garantuar zgjedhjen e saj për presidente. Përpara se të bëhej presidente, ajo ishte shumë mirë e indoktrinuar me teoritë e lojrave të tregut të lirë Perëndimor, pasi kishte studiuar për ekonomi në Harvard dhe duke punuar për Bankën Botërore që kontrollohet nga SHBA me qendër në Uashington dhe për “Citibank” të Rockefeller në Nairobi. Gjithashtu përpara se të bëhej presidente, ajo punonte direkt për Soros si shefe e Nismës për një Shoqëri të Hapur për Afrikën Perëndimore (OSIWA)
Sapo hyri në Zyrë, Presidentja Sirleaf hapi dyert për Sorosin për të kontrolluar pjesën më të madhe të pasurive liberiane në ar dhe metale të ndryshme. Këtu Soros hyri bashkë me partnerin e tij Nathaniel Rothschild. Një nga aktet e saj të para si presidente ishte gjithashtu të ftonte Komandën e Re të Afrikës me qendër në Pentagon, AFRICOM, në Liberi me qëllimin e vetëm sipas një hetimi, “të mbronin operacionet minerare të Xhorxh Soros dhe Rothschild në Afrikën Perëndimore në vend që të mbronin stabilitetin dhe të drejtat njerëzore”.

Qëllimi naftagazi

Në memorandumin e Soros bëhet e qartë se ai synon në Ukrainë monopolin shtetëror të gazit dhe energjisë, naftagaz. Ai shkruan “Pika qëndrore e reformës në ekonomi do të jetë riorganizimi i naftagazit dhe futja e çmimeve të tregut për të gjitha format e energjisë, duke zëvendësuar subvencionet e fshehta…..”
Në një letër më të hershme, Soros u shkruan në dhjetor 2014 si Presidentit Poroshenko ashtu edhe Kryeministrit Yatsenyuk, duke bërë thirrje hapur për terapi shoku: “Unë dëshiroj të bëj thirrje për një bashkim në mbështetje të reformatorëve në qeverinë tuaj dhe t’iu jap ju ndihmën me gjithë zemër për një “shpërthim të madh” të tipit rrënjësor të mbështetjes. Kjo do të thotë, kontrolli administrativ duhet të hiqet dhe ekonomia duhet të ecë drejt çmimeve të tregut me shpejtësi dhe jo në mënyrë graduale…Naftagazi duhet të riorganizohet sa hap e mbyll sytë, duke zëvendësuar subvencionet e fshehta…”
Duke e copëzuar naftagazin në kompani më të vogla do t’i krijojë mundësi Sorosit të marrë kontrollin të një prej degëzimeve dhe në thelb të privatizojë fitimet e saj. Ai sugjeroi që në mënyrë indirekte të sjellë nga SHBA kompaninë e konsulencës McKinsey që të këshillojë naftagazin në privatizimin e tipit “shpërthimi i madh” (Big Bang).

Mjeshtri i kukullave

E përgjithshmja që duket në tre dokumentet e publikuara tregon se, Soros është një mjeshtër kukullash që tërheq shumicën e fijeve në Kiev. Dega e Ukrainës për Fondacionin Soros, Fondacioni Për Rilindje Ndërkombëtare (IRF) ka vepruar në Ukrainë që në vitin 1989. Fondacioni i tij ka dhënë në formë bamirësie më shumë se 100 milionë dollarë OJQ-ve të Ukrainës, dy vjet para se të binte Bashkimi Sovjetik, duke përgatitur kushtet për pavarësi të Ukrainës nga Rusia në vitin 1991. Soros gjithashtu e ka pranuar që ka financuar në vitet 2013-2014 protestat në Sheshin “Maidan”, protestat që sollën në pushtet qeverisjen aktuale.
Fondacioni Soros gjithashtu ishte i përfshirë në 2004 me Revolucionin Portokalli, që solli në fuqi të korruptuarin, por pro NATO Viktor Yushchenko me gruan e tij amerikane që kishte punuar ne Departamentin e Shtetit amerikan. Në 2004 vetëm pak javë se Fondacioni i Sorosit për Rilindje Ndërkombëtare të shijonte suksesin në sjelljen e Viktor Yushchenko në fronin e Presidentit të Ukrainës, Michael McFaul, shkrojti një editorial për “Uashington Post”. McFaul, një specialist në organizimin e revolucioneve të ngjyrosur, i cili më pas u emërua ambasador i SHBA në Rusi zbulon: A ka ndërhyrë Amerika në çështjet e brendshme të Ukrainës? Po. Agjentët amerikanë të influencës do të duhej të preferonin gjuhë ndryshe për të përshkuar aktivitetet e tyre-asistencë demokratike, promovim të demokracicë, mbështetje të Shoqërisë Civile etj, por puna e vërtetë e tyre synonte në influencimin për ndryshime politike në Ukrainë. Agjencia e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar, Ndihma Kombëtare për Demokraci dhe disa fondacione të tjera sponsorizuan disa organizata amerikane, duke përfshirë Freedom House, Instituti Ndërkombëtar Republikan, Instituti Kombëtar Demokratik, Qendra e Solidaritetit, Fondacioni për Euroazinë, Internees dhe shumë të tjera, duke u siguruar grante të vogla dhe asistencë teknikë për Shoqërinë Civile në Ukrainë. Bashkimi Europian, vende të veçanta europiane dhe Fondacioni për Rilindje Ndërkombëtare që është themeluar dhe financuar nga Soros bënë të njëjtën gjë.

Soros krijon “Ukrainën e re”

Sot dokumentat e publikuara nga CyberBerkut tregojnë se, paratë e Fondacionit për Rilindje Ndërkombëtare kanë financuar Këshillin e Reformës Kombëtare, një organizëm i krijuar me dekret presidencial nga Poroshenko dhe që i jep të drejtë presidentit të Ukrainës të shtyjë projektligje në Parlamentin e Ukrainës. Soros shkruan, “Korniza që bashkon degë të ndryshmë të qeverisjes është krijuar. Këshilli për Reformë Kombëtare sjell së bashku administratën presidenciale, kabinetet e ministrave, Rada dhe komitetet dhe Shoqërinë Civile. Fondacioni për Rilindje Ndërkombëtare që është dega e Fondacionit Soros për Ukrainën ka qenë i vetmi mbështetës financiar për Këshillin e Reformës Kombëtare deri më sot…”
KRK e Sorosit është një mjet që i lejon Presidentit që të mënjanojë debatet parlamentare për të kaluar “reforma”, si ajo që e konsideron si prioritet kryesor privatizimin e naftagazit dhe rritjen drastike të çmimeve të gazit në industrinë  dhe familjet ukrahinase, diçka që në një vend të falimentuar është e vështirë që të përballohet.
Në letrën e tij për Poroshenkon dhe Yatsenyuk, Soros aludon se ai kishte luajtur një rol kyç në përzgjedhjen e tyre ministrave jo Ukrainas-Natalia Jaresko, një ish-zyrtare e Departamentit amerikan të Shtetit si ministre Financash, Aivras Abromavicius nga Lituania si ministër të Ekonomisë dhe një ministër Shëndetësie nga Gjeorgjia. Soros në letrën e tij të dhjetorit 2014, duke iu referuar propozimit të tij për një privatizim total të ngjashëm me teorinë e “shpërthimit të madh” në privatizimin e naftagazit dhe rritjen e çmimeve thotë: “Ju jeni me fat që keni të emëruar tre ministra të “Ukrainës së re” dhe disa të tjerë vendas që janë të zellshëm në këtë projekt”.
Diku Soros flet rreth krijimit të një impresioni de facto me BE se qeveria aktuale e Ytsenyuk më në fund po pastron korrupsionin famëkeq që ka dominuar çdo regjim të Kievit që nga viti 1991. Duke krijuar iluzionin e përkohshëm për reforma, ai përmend, se do të bindë BE për të arritur investimin prej 11 bilion euro të fondit të sigurimit. Në letrën e marsit 2015 ai thotë se, “Është e rëndësishme për qeverinë të prodhojë një paraqitje të dukshme gjatë tre muajve në vazhdim me qëllim që të ndryshohet opinioni që gjerësisht ekziston për Ukrainën si një vend thellësisht të korruptuar”. Kjo sipas tij do ta hapë BE për të bërë 11 bilion eurot një fond të garantuar investimi sigurimesh.
Duke thënë se është e rëndësishme për të treguar Ukrainën si një vend që nuk është i korruptuar, Soros zbulon ai nuk shqetësohet shumë se nëse transparenca dhe procedurat e drejta mund të ndalojnë planin e tij. Duke folur për propozimet e tij për të reformuar Kushtetutën e Ukrainës për të mundësuar privatizimet dhe lëvizje të tjera të Sorosit ai ankohet se, “Procesi është ngadalësuar nga këmbëngulja e Parlamentit të ri për procedura të drejta dhe transparencë”.
Soros sugjeron se ai ka ndërmend që të krijojë këtë “paraqitje vizive” përmes nismës së tij, si duke përdorur Këshillin për Reforma Kombëtare të themeluar nga Soros, një organizëm i krijuar me dekret presidencial që lejon presidentin të kalojë projektligje përmes Parlamentit Ukrahinas.
Gjithashtu Xhorxh Soros po përdor Këshillin e tij Europian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, një grup idesh që të lobojnë strategjinë e tij ukrahinase me anëtarët e këshillit të tij si Alexandër Graf Lamsdorff ose Joschka Fischer, Karl-Theodor zu Guttenberg, pa përmendur ish-kreun e ECB Jean-Claude Trichet, që pa dyshim mbulon një rol shumë delikat.
Xhorxh Soros, tashmë 84 vjeç ka lindur në Hungari si hebre, Xhorxh Sorosz. Soros u gozhdua në një intervistë në TV se ai gjatë luftës së dytë ka përdorur dokumenta falco si johebre, duke ndihmuar qeverisjen e Horthit për të matur dhe rrëmbyer pronat e hebrenjve të tjerë hungarezë që ishin dërguar nga nazistët në kampet e vdekjes. Soros i tha drejtuesit të TV, “Nuk kishte arsye se përse unë nuk duhej të isha në atë pozicion, pasi ajo e drejtë madje në një aspekt të këndshëm është tamam si në treg, nëse nuk do të isha unë aty, dikush tjetër do ta bënte”.
Kjo është i njëjti moral pas aktiviteteve të Sorosit në Ukrainë sot. Atij nuk i bëhet shumë vonë se qeveria ukrahinase që ai ndihmoi të vinte në pushtet në vitin 2014 me gati një grusht shteti është e mbushur me grupe qartësisht anti-semite dhe të vetquajtur neo-Nazistë nga Partia Svoboda dhe Pravy Sektor. Xhorxh Soros është qartësisht i devotshëm në “bashkëpunimin privat-publik”. Vetëm këtu interesi publik zhvatet përmes mashtrimit për të pasuruar investitorë si z.Soros dhe miqtë e tij. Në mënyrë cinike, Soros i firmos dokumentat e tij për strategjinë në Ukrainë, “Xhorxh Soros-Një avokat i vetemëruar për Ukrainën e Re, 12 Mars 2015”.

Përgati: Redin HAFIZI

Skandal, në vend të shpërblimit i dhanë një dekoder dixhital

Jeton në Gramsh. Është e kërrusur nga jeta me një sëmundje që i ka marrë një pjesë të kujtesës. Në shtëpi e presin 4 persona, të cilët i kanë sytë nga asistenca e saj. Burri vuan nga një sëmundje e shtyllës kurrizore e megjithatë detyrohet të dalë e të mbledhë shkarpa për t’u ngrohur apo pleh për ta shitur, për të blerë një bukë më shumë.
I thanë të shkojë e të marrë një shpërblim për Vitin e Ri dhe u gëzua shumë. Rrugës mendonte se do të mund të blinte diçka për të shtruar tavolinën e fundvitit. Pak djathë, ca fruta, ndonjë pulë ndoshta që ta bënte me oriz. Mbase edhe 1 ose dy birra. Të festonin njëherë edhe ata.
Kur mbërriti të zyra e asistencës, mbas radhës së gjatë i dhanë një kuti dhe një kartolinë.
– Çfarë është kjo?
– Është dekoder dixhital, Fatose. Të shohësh televizor.
– Po unë nuk kam televizor në shtëpi. Ç’të bëj unë me këtë?
– Po shite, di unë. Ose bli televizor. Hajde gëzuar!
– Gëzuar, gëzuar.
Doli jashtë dhe e pa edhe njëherë kutinë. Pa dikë te rruga dhe e ndaloi.
– Më fal, a do të blesh një kuti? Dua vetëm pak djathë, një pulë, ca fruta dhe… ndonjë birrë???
Jo nënë, faleminderit!!!

Kapet në Itali gomonia me 3.5 kuintalë drogë nga Shqipëria

Rreth 350 kg kanabis sativa është bllokuar dje nga policia italiane në Bari. Droga është kapur, ndërsa po transportohej me një furgon. Sipas agjencisë italiane të lajmeve, “Ansa” droga ishte futur në shtetin fqinj me anë të një gomone me dy motorë të fuqishëm. Lënda narkotike, me vlerë rreth 1 milion euro ishte “Made in Albania”. Trafikantët, pasi kishin zbarkuar drogën me gomone në brigjet e Puglia, e kishin ngarkuar atë në një furgon.
Policia italiane thotë se, drejtuesi i furgonit ka pikasur efektivët dhe ka mundur të largohej. Si provë, përveç drogës policia ka sekuestruar edhe furgonin e gomonen. 350 kg kanabis sativa do të hidhej në treg gjatë festave, kanë thënë hetuesit.
Ky operacion nisi pas identifikimit të një furgoni që lëvizte me shpejtësi të madhe në rrugët përgjatë bregdetit. Menjëherë policia italiane është vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i furgonit sapo ka nuhatur patrullën e policisë ka braktisur automjetin, duke u larguar në këmbë e duke humbur gjurmët i favorizuar nga errësira e natës.
Në furgonin e braktisur policia italiane ka gjetur 40 pako marijuanë me peshë totale prej 350 kg.
Kërkimet e mëtejshme të Financës italiane çuan në gjetjen e një gomone me dy motora të fuqishëm prej 300 kuaj fuqi jashtë bordit, e braktisur në bregdetin mes komunës së Polignanos e Monopolit. Gomonia ishte përdorur nga skafistët për të trafikuar drejt brigjeve italiane sasinë e drogës së sekuestruar në furgon. Sipas policisë italiane mjeti lundrues ishte braktisur në breg të detit për shkak të kushteve të këqija të motit. Policia italiane informon se vazhdon hetimet për të zbardhur identitetin e trafikantëve.
Ndërkohë, një shtetas italian është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës, i dyshuar për trafik droge. Lorenzo Pratti u arrestua në vijën e dytë të pikës kufitare të Muriqanit. Efektivet e policisë kishin dyshime dhe pas kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin udhëtonte policia gjeti 14,5 kilogramë kanabis. 24-vjeçari e kishte fshehur drogën në pjesën e sendileve dhe gomat e para të automjetit. Mbi 24-vjeçarin rëndon akuza e trafikut ndërkombëtare të lëndëve narkotike dhe rrezikon burgim deri në 7 vite.

Klement Balili rezulton i “varfër”, pronat nuk janë në emrin e tij

Prokurorët e Krimeve të Rënda duket se kanë mbetur të surprizuar, kur nga hetimi pasuror kanë zbuluar se Klement Balili, nuk disponon prona e pasuri të paluajtshme, apo llogari bankare me shuma marramendëse. Bëhet e ditur se, nga hetimet paraprake ka rezultuar se Klement Balili, në emrin e tij disponon pasuri modeste, edhe pse në sitën e prokurorëve po kalon çdo qindarkë e tij.
Hetimi pasuror është shtrirë edhe mbi familjarët e të shumëkërkuarit dhe mbi personat e lidhur me të. Në kuadër të këtij hetimi, është provuar se edhe një kompleks luksoz në Sarandë, që ishte pronë e “Eskobarit të Ballkanit”, në fakt është në pronësi të vëllait të Klement Balilit. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, prokurorët do të kërkojnë sekuestrimin edhe të kompleksit në fjalë për shkak se ligji Antimafia lejon që të sekuestrohen edhe pronat e familjarëve apo personave të lidhur me subjektin që hetohet.
Prokurorët thanë se, në kuadër të hetimit pasuror kanë kërkuar informacion në disa banka të nivelit të dytë në vend, për llogaritë e 20 personave. Mbi këtë grup personash i është kërkuar informacion edhe Hipotekës, për të verifikuar nëse zotërojnë prona dhe pasuri të paluajtshme.
Hetimi pasuror nisi menjëherë pas shpalljes në kërkim të Klement Balilit, i cili cilësohet si kreu i një grupi kriminal që trafikon drogë nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian. “Eksobari i Ballkanit” vazhdon të shijojë jetën në arrati.

Skandal, Lul Berisha u lirua sikur ishte dënuar për “armë pa leje”

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lul Berisha, është liruar sikur ai ishte dënuar për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që ai ishte dënuar për 5 vrasje. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet, ndaj treshes së gjyqtarëve të Shkallës së Parë të qytetit të Durrësit për lirimin nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Ndaj Tritan Hamitaj, Fejzo Hysi dhe Shpëtime Pitarku, të tre pjesë e kolegjit penal, Krimet e Rënda kanë krijuar dyshime të arsyeshme se, në rastin e Lulzim Berishës, secili nga gjyqtarët ka shkelur ligjin. Burime nga akuza, theksojnë se Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, ka shmangur procedurën normale të kundërshtimit të urdhrit të ekzekutimit që nxjerr prokurori.
Vendimi i uljes së dënimit të dhënë nga Hamitaj, Hysi e Pitarku u trajtua si një çështje administrativo-penale, duke përjashtuar prokurorin nga salla e gjyqit, e duke lënë të pranishëm vetëm juristi i burgut, tashme të shpallur në kërkim, Tedi Labi. Shkelja e ligjit dyshohet të jetë bërë si, përsa i përket procedurës së ndjekur, ashtu edhe për aplikimin në mënyrë të gabuar të ligjit për amnistinë.
Gjyqtari Tritan Hamitaj, në reagim për “Vizion Plus” sqaron se, procedura që ai ka ndjekur, bazohet në ligj dhe sipas tij, nuk ka asnjë rast në gjykatat shqiptare kur uljet e dënimit ndaj të burgosurve të jenë bërë në prani të prokurorit. Hamitaj vijon më tej kur thotë se, trajtimi i kërkesës së të dënuarit bëhet në prani të drejtorit ose përfaqësuesve të burgut.
Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se, gjyqtari Fejzo Hysi ka zbatuar gabim ligjin për amnistinë, duke i zbutur ish-kreut të bandës së Durrësit dënimin e marrë për armëmbajtje pa leje në kushtet, kur ai ishte dënuar për vrasje.
Sipas dispozitave ligjore, gjykata kishte aplikuar dënimin më të rëndë atë të vrasjes për Lul Berishën dhe në këtë mënyrë, atij i ishte hequr dënimi i armëmbajtjes pa leje, sepse i ishte njësuar dënimi.
Pra, përfitimi i uljes së dënimit nga armëmbajtja pa leje nuk ekziston në këtë rast. Nga ana tjetër, Prokuroria e qytetit bregdetar ka dërguar për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e lirimit me kusht të ish-kapobandës së Durrësit, pasi akuzohet, për disa vrasja e trafik ndërkombëtar droge.

Gjendet i vrarë me armë i riu në Korçë

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, këtë herë në Korçë. Burime nga policia thanë se, rreth orës 09:50 kanë marrë njoftimin se në fshatin Vreshtas, Maliq në afërsi të banesës të tij është gjetur i pajetë  trupi i 22-vjeçarit me inicialet R. B. Në afërsi të viktimës është gjetur dhe një armë zjarri automatike. Nga kryerja e këqyrjes së trupit të viktimës, nuk janë konstatuar shenja dhune, përveçse ato të shkaktuara nga arma e zjarrit. Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas mund të jetë vetëvrarë. U ngrit grupi hetimor për të kryer veprimet hetimore dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Pas minorenes në Brindizi Roshi “përdhunon” edhe KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vu dje përballë fakteve të Prokurorisë për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi dhe deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, të cilët organi i akuzës i ka klasifikuar si subjekte të ligjit të dekriminalizimit, pasi janë ndaluar apo dënuar nga gjykatat e huaja për vepra të ndryshme penale. Megjithatë ndodhi ajo që ndoshta pritej. Urdhri nga Kryeministria ishte që procesi të zvarritet sa më shumë ndaj edhe përfaqësuesit e mazhorancës në KQZ hodhën teorinë se kërkojnë të njihen me procedurat që ka ndjekur Prokuroria.
Kjo duket se jo vetëm që është jashtë kompetencës së KQZ, por edhe shumë joprofesionale. Pra, nën drejtimin e kryetarit të ri dhe dy anëtarëve po të zgjedhur rishtaz, përfaqësuesit e majtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i parashtruan si kërkesë të re Prokurorisë që të njihen me vendimet që ajo ka verifikuar për rastet e tri funksionarëve publikë, në mënyrë që më pas të marrë një vendim përfundimtar, nëse Rroshit, Selamit e Tahirit do t’u hiqet mandati si të zgjedhur publikë. Megjithatë e vërteta është se, Rama nuk ka dëshirë që të zbatojë dekriminalizimin mbi bashkëpunëtorin e tij.
Rroshi e di shumë dhe kryeministri po bën gjithçka që të paktën ta sabotojë këtë proces, duke e zvarritur në pafundësi me shpresën të mbulohet në harresë.
Megjithatë, kanë qenë përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që thanë se KQZ nuk ka të drejtë të vërë në dyshim verifikimet e Prokurorisë, por të shohë nëse përputhen verifikimet me parashikimet e ligjit të dekriminalizimit, mbi të cilat përllogaritet dhe periudha e heqjes të së drejtës për të ushtruar funksione publike apo veprimtari politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka reaguar ashpër nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ku shprehet i pakënaqur me mbledhjen që po transmetohej live nga ambientet e KQZ-së. “Turp, thotë ai në deklaratë, që transmetohet ‘live’ nga KQZ! Një kriminel i dënuar që ka marrë funksion pushteti me bekimin e Edi Ramës na e mbroka Kushtetuta dhe Strasburgu dhe duhet të qëndroka në detyrë! Një gjyqtar që mendohet të jetë i korruptuar, por që nuk është i dënuar, nuk ka të drejta sipas Kushtetutës. Për të duhet bërë Vetting. Këtë po përpiqen të mbrojnë të gjithë përfaqësuesit e Edi Ramës sot live në KQZ. Turp! Për Edi Ramën dhe të gjithë ata që bërtasin për Vetting, por mbrojnë pa u skuqur kriminelët e dënuar në funksione shtetërore! Turp edhe për ata që bërtasin për Vetting-un, por bien squkë për dekriminalizimin, qofshin shqiptarë apo të huaj! O tempora, o morës! Urgjentisht Vetting për Kryeministrin, ministrat dhe politikanët”.
Në këtë mënyrë zoti Bylykbashi ka bërë krahasimin mes ligjit për dekriminalizimin i mbështetur fort nga opozita dhe në mënyrë të veçantë Partia Demokratike dhe ligji i Vettingut që ditët e fundit Gjykata Kushtetuese përmes një votimi e konsideroi kushtetues. PD kishte paraqitur një ankimim pranë kësaj gjykate, duke e konsideruar antikushtetues këtë ligj dhe si një mundësi që i jep pushtet kryeministrit mbi sistemin e drejtësisë. Kjo tashmë përbën një precedent të rrezikshëm, pasi tashmë po e shohim qartë se Rama dhe mazhoranca nuk kanë vullnet të mirë për të pastruar institucionet nga të korruptuarit dhe kriminelët, por kërkojnë thjesht mjete në duart e tyre të intimidojnë e të kërcënojnë këdo që nuk u vjen pas qerres. Nga ana tjetër, si në rastin e Rroshit, Rama ndërhyn fort për të bllokuar përmes zvarritjes, duke shpresuar tek harresa procesin e dekriminalizimit. Prokuroria ka faktet e dënimit të Rroshit, madje ato u janë bërë të ditura të gjithë shqiptarëve përmes medias dhe deklaratave të Prokurorisë, por mesa duket anëtarët e majtë të KQZ nuk paskan kuptuar asgjë dhe presin urdhrat e shefit të tyre në Kryeministri.

Si u ndanë votat në votimin për Rroshin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje t’i kërkojë Prokurorisë informacion dhe dokumente mbi bazën e të cilave ka arritur në kërkesën për heqjen e mandatit të dy deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Të tilla janë dokumentet që tregojnë për veprën për të cilën akuzohet i zgjedhuri, numri dhe data e marrjes së vendimit, data kur ai ka hyrë në fuqi.
Këtë vendim e votuan kryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe 3 anëtarë të KQZ. Ndërsa 3 anëtarët e tjerë mbrojtën idenë se verifikimet për zyrtarët e zgjedhur, bazuar në ligjin e dekriminalizimit, i bën organi i akuzës. Kurse KQZ merr të mirëqenë atë që i serviret nga Prokuroria.
Po ashtu të 7 anëtarët e KQZ rënë dakord me votë unanime që mbledhjen e djeshme ta vijojnë në datën 29 dhjetor.
Rroshi, Selami dhe Tahiri, sipas Prokurorisë, janë gjetur në shkelje të ligjit të dekriminalizimit pasi nuk kanë pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit dënime që kanë marrë në disa shtete të BE-së.
Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, ku u diskutua kërkesa e Prokurorisë për ndërprerjen e mandateve të 3 zyrtarëve, u dëgjuan edhe këta të zgjedhur, si palë në proces. Deputeti Shkëlqim Selami ishte i pranishëm personalisht në këtë mbledhje, ndërsa Dashamir Tahiri dhe Elvis Rroshi përfaqësoheshin nga avokatët e tyre Fatmir Braka dhe Theodhor Sollaku.
Ky i fundit tha se KQZ duhet t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme aktet procedurale mbi të cilat bazohet kërkesa për heqjen e mandatit të Rroshit. Sollaku u shpreh në mbledhje se detyra e KQZ është vetëm konstatimi, pasi kryetarët e bashkive shkarkohen nga Këshilli i Ministrave dhe ky vendim mund të ankimohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa avokati i deputetit Dashamir Tahiri, Fatmir Braka u shpreh se klienti i tij akuzohet për kryerjen e një vepre penale që nuk përfshihet në veprat penale të specifikuara tek ligji i dekriminalizimit. Ai i kërkoi KQZ-së të mos marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të deputetit Tahiri.
Kurse avokati Genci Fiko, që përfaqësonte deputetin e LSI, Shkëlqim Selami tha se gjykata italiane e ka pushuar çështjen ndaj klientit të tij. Sipas avokatit, masa e sigurimit është marrë më 1994, është shuar më 2002 dhe ndalimi i Selamit në vitin 2006 ka qenë masë verifikimi.

Elton Çiço i lidhur edhe me vrasjen e një ish-polici

Përplasja mes bandave Çiço-Aliaj është zgjeruar edhe më tej. Hetuesit pritet të bashkojnë në dosje edhe një tjetër vrasje të ndodhur në Tiranë, e mbetur pa autor. 9 muaj më parë, ish-polici Ajet Zeqaj sapo ishte kthyer nga Franca, kur u ekzekutua fare pranë banesës në zonën e ish-Bllokut.
Mbrëmjen e 16 marsit, atentatori e priti për disa minuta 36-vjeçarin dhe në momentin që ai doli nga një sallë lojërash fati, e qëlloi 6 herë me një pistoletë me silenciator. Ndonëse në vendngjarje kishte kamera, për policinë, edhe për nga mënyra mafioze e ekzekutimit, ishte e pamundur identifikimi i autorit.
Hetuesit dyshojnë se eliminimi i Zeqajt është pjesë e zinxhirit të ngjarjeve kriminale mes dy bandave, kjo për shkak se policia zbuloi disa lidhje mes Zeqajt e Çiços, i cili u vra pak javë më vonë nga Jani Alia, po në këtë zonë.
Njohja mes dy viktimave, për hetuesit ka qenë trafiku i narkotikëve brenda dhe jashtë vendit dhe prishja e pazareve, për të cilat mund të ketë nisur eliminimi i kundërshtarëve. Personi kyç, i cili vijon të merret në pyetje nga policia, është Ari Alinani, i cili mbeti i plagosur në atentatin në qytetin e Fierit, ku u vra Nelgert Pata. Alinani nuk ka pranuar të bashkëpunojë, duke lënë në udhëkryq hetimet për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, me disa viktima dhe të plagosur.

Plagoset me armë në qendër të Mamurrasit

Një i ri është plagosur me armë zjarri paraditen e sotme në qendër të Mamurrasit në Kurbin. Burime nga policia bënë të ditur se, i plagosur ka mbetur 24-vjeçari Mateo Kala. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me plagosjen. Burimet paraprake thanë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes disa të rinjve, disa prej të cilëve janë shpallur në kërkim në lidhje me plagosjen.

Muri i Mitrovicës nuk rrëzohet, ndarja po bëhet fakt

Moszbatimi i marrëveshjeve të Brukselit nga Beogradi zyrtar, si dhe ngritja e murit në Mitrovicë të Veriut, si një qasje me logjikë ndarëse, nuk krijojnë kushte që autoritetet e Kosovës t’i qasen në mënyrë konstruktive formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vlerësojnë zyrtarët e ëeverisë së Kosovës.
Reagimet e zyrtarëve të ekzekutivit të vendit vijnë një ditë, pasi që autoritetet e Beogradit kanë porositur në formë ultimatumi se serbët e Kosovës, në bashkëpunim me Beogradin zyrtar do ta themelojnë vet Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ministrja për Dialog e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se Serbia nuk ka “asnjë rol në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Sipas saj, përfaqësuesit serbë nuk kanë autorizime për të bërë një gjë të tillë.
“Serbia nuk ka asnjë rol në këtë çështje. I dëgjova edhe unë disa kërcënime apo presione, gjoja për afate. Nuk është Serbia, ajo që imponon apo mund të bëj presione”, tha ministrja Tahiri.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të hënën kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe pas bisedës së përbashkët, shefi i Zyrës për Kosovën i qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se “gjatë javëve në vijim vet serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar do ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne nuk do ta lusim askënd për zbatimin e asaj për të cilën jemi marrë vesh. Nëse në disa javët e ardhshme nuk do të ketë hapa konkret për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe, atëherë përfaqësuesit serb në marrëveshje me shtetin e tyre, që nga 15 shkurti do të nisin që vet ta krijojnë Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë”.
“Do të merren vesh se si do të duket ajo dhe kompetencat e saj, si dhe do të krijojnë institucionet që do të duhej të përfaqësojnë supozimin për mbijetesën dhe ruajtjen e popullit serb në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.
Ai ka shtuar se me formimin e Asociacionit askujt nuk do t’i merren të drejtat apo që ato të drejta t’i ketë më të pakta, por që Asociacioni, sipas tij, të bëhet realitet, duke respektuar të gjitha marrëveshjet.
Por, ministrja Tahiri ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionin është një marrëveshje ndërkombëtare “me kompetencë ekskluzive të Republikës së Kosovës”.
Asociacioni, sipas saj, nuk mund të themelohet, përderisa Serbia po i shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Shkelja e fundit që Serbia ia bën dialogut të Brukselit për normalizim (të marrëdhënieve, ka ndërtuar edhe një mur në Mitrovicë. Porosia ime për ta është që fillimisht ta rrënojnë murin dhe të mos shkelin marrëveshjen e Brukselit. Në momentin, kur të krijohet klima dhe kur të shihet se Serbia vërtetë po zbaton marrëveshjet, atëherë edhe Kosova do te marrë përgjegjësitë dhe do të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin”, theksoi ministrja Tahiri.
Ajo ka shtuar se, Serbia ende po e mban të bllokuar marrëveshjen për energjinë, si dhe ende po i mbanë një pjesë të strukturave paralele komunale, ndonëse me Marrëveshjen e Brukselit, strukturat e tilla është dashur të shuhen.
Ministrja Tahiri theksoi se e gjithë udhëheqja politike e Kosovës e ka vërtetuar se krijimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar dhe se po kërkon momente të përshtatshme që kjo marrëveshje të zbatohet.
Lidhur me deklaratën e ministres Tahiri ka reaguar Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ai ka ripërsëritur qëndrimin, të cilin tashmë e kanë deklaruar autoritetet e Beogradit, lidhur me formimin e Asociacionit nga vet serbët. Sipas tij, ministrja Tahiri, moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, “po e justifikon duke përdorur arsye margjinale”.
“Ajo po thotë se Bashkësia e komunave serbe nuk do të formohet derisa të mos shembet muri afër urës mbi Ibër në Mitrovicën e Veriut. Kjo nuk mund të ndërlidhet në asnjë mënyrë”.
“Bashkësia e komunave serbe ka të bëjë me të drejtat kolektive të serbëve, ndërkaq, muri është pjesë e marrëveshjes rreth urës mbi Ibër dhe ajo është nën përgjegjësinë e qeverisjes lokale, gjegjësisht të Mitrovicës veriore”, ka thënë Rakiq.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion “Evropa e Lirë”, se ekzekutivi i vendit është duke e shqyrtuar projektin për themelimin e Asociacionit, por zbatimi i kësaj marrëveshjeje është i pamundur në rast se Serbia nuk është konstruktive në zbatimin e marrëveshjeve të tjera.
“Si projekt, si plan, themelimi i Asociacionit është në duart tona. Merret, shqyrtohet dhe analizohet. Por, ne duhet të bindemi si qeveri se ka konstruktivitet nga pala tjetër për mos anashkalimin e jetësimit të marrëveshjeve të ndryshme që janë arritur e që nuk po zbatohen”.
Zyrtarët e qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin e bën të qartë se, Asociacioni nuk ka përgjegjësi ekzekutive dhe as që do të jetë një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë, por do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas tyre, procesi i hartimit të statutit të Asociacionit nuk ka filluar ende, por gjithsesi hartimi i tij kurdo që do të fillojë, do të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2015.