22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Dy rusë e tre serbë në kërkim në Malin e Zi për terrorizëm

Prokuroria shtetërore e Malit të Zi ka konfirmuar dje, se ka paraqitur fletarreste ndërkombëtare për dy rusë dhe tre shtetas të Serbisë, të dyshuar për përpjekje të terrorizmit në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi.
“Për paraqitjen e fletarrestit për shtetasit serbë janë njoftuar organet përkatëse shtetërore të Republikës së Serbisë, të cilave Prokuroria Speciale shtetërore u ka dërguar dokumentacion shtesë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Malit të Zi.
Më herët, mediat kanë raportuar se në fillim të dhjetorit janë paraqitur fletarrestet për shtetasit serbë: Nemanja Ristiq, Millosh Jovanoviq dhe Predrag Bogiçeviq, dhe për shtetasit e Rusisë: Eduard Sirkov dhe Vladimir Popov, të dyshuar se kanë organizuar përpjekje të terrorizmit në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në Mal të Zi, më 16 tetor, raporton agjencia “Beta” nga Podgorica.
Prokuroria e Malit të Zi ka reaguar, pasi ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, u ka thënë gazetarëve se nuk e di nëse Ristiq është në listën e të kërkuarve në Interpol, por ka theksuar se “secili qytetar është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta”.
Nemanja Ristiq më 13 dhjetor ishte fotografuar me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë vizitës së tij në Beograd, megjithë që kundër Ristiqit është paraqitur fletarresti.
Dy shtetas të Rusisë dhe 18 shtetas të Serbisë janë të akuzuar për përpjekje të terrorizmit në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi.
Sipas planit, parashihej depërtim i dhunshëm në Kuvendin e Malit të Zi dhe arrestimi dhe likuidimi i kryeministrit të atëhershëm, Millo Gjukanoviq.

Serbia mbrohet nga emigrantët

Ministri për Çështje Sociale dhe të Punësimit në Serbi, Aleksandar Vulin, ka deklaruar dje e Serbia nuk i dëbon me dhunë emigrantët ilegalë.
Në pyetjen e gazetarëve për t’i komentuar të dhënat e UNHCR-së se disa shtete në Ballkan në mënyrë ilegale i dëbojnë emigrantët, Vulin është përgjigjur duke thënë se Serbia askënd prej emigrantëve nuk i kthen me dhunë në vendet e tyre, raporton agjencia “Beta” nga Beogradi.
“Secili që ka hyrë në procedurën e azilit, ka të drejtë të mbetet deri në përfundim të saj”, tha Vulin në konferencën për gazetarë në Beograd. Zëdhënësja e UNHCR-së në Serbi, Mirjana Milenkovska, tha për AFP-në se “afro 1,000 njerëz nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika, janë dëbuar vetëm në nëntor”.

Koncesionet do shtohen deri në 1 miliard USD

Qeveria do të kontraktojë 1 miliard dollarë koncesione në tre vitet e ardhshme në një manovër, e cila praktikisht krijon borxh të ri jashtëbuxhetor.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj zbardhi detaje nga plani i lajmëruar më parë nga kryeministri Edi Rama për financimin e veprave publike me kapitale private.
“Është një ide e kryeministrit, e cila bën të mundur 700 milionë deri në 1 miliard dollarë investime plus në 3 vitet e ardhshme”, tha Ahmetaj.
Pjesa dërrmuese e këtyre investimeve pritet të jenë në infrastrukturë dhe do të garantohen nga buxheti i shtetit, njësoj si modelet e koncesioneve në shëndetësi, ku privatët do të investojnë në ndërtimin e rrugëve dhe do të marrin pagesa të përvitshme nga buxheti.
Ligji e lejon qeverinë të japë pagesa vjetore për koncesionet deri në 5 për qind të të ardhurave faktike buxhetore.
Aktualisht qeveria shqiptare paguan 7.3 miliardë lekë në vit për kompanitë koncesionare, në një kohë që kufiri prej 5 për qind korrenspondon me shifrën 15 miliardë ose mbi 110 milionë euro.
“Detajet e paketës do të zbardhen nga kryeministri, por unë mund të garantoj se çdo gjë do të ndodhë brenda kuadrit makroekonomik. Pra, nuk do të rritet as deficiti dhe as borxhi publik. Përkundrazi do të ulen”, tha Ahmetaj.
Koncesionet kanë qenë një nga temat më të nxehta të debatit politik në Shqipëri. Në tre vitet e mandadit të saj qeveria ka dhënë një sërë kontratash koncesionare tek privatët, kryesisht në fushën e shëndetësisë, ndërsa tani duket se ka në plan ta shtrojë këtë praktikë edhe infrastrukturë.

Nëse establishmenti prek zgjedhjet…

Kastriot ISLAMI

PD do të marrë pjesë në zgjedhje në çfarëdolloj situate dhe po përgatitet seriozisht në tri plane: i) sigurimin me çdo kusht të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ii) fitimin e tyre dhe iii) demostrimin e tyre ilegjitime nëse rezultati zgjedhor manipulohet. Nga të gjithë sondazhet, Rama ka kuptuar se me zgjedhje të lira e të ndershme është e pamundur të rezultojë fitues. Prandaj ka ndërtuar një strategji në funksion të fitimit të zgjedhjeve përmes manipulimit të rezultatit zgjedhor.
Rama, prej mëse shumë se një viti ka bllokuar funksionimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke refuzuar kërkesën e PD për identifikimin biometrik e votimin elektronik. Ka bllokuar çështjen e financimit të fushatës elektorale. Ka bllokuar procesin e dekriminalizimit dhe të largimit të kriminelëve e oligarkëve nga politika. Madje po përgatitet të përdorë paratë e korrupsionit për blerjen e votave.
Po riaktivizon individët me rekorde të tmerrshme kriminalë për kërcënimin e votuesve. Ka ndërtuar të gjithë skemën e përdorimit të kultivimit të kanabisit për të grumbulluar para për blerjen e votave dhe për joshjen e kërcënimin e votuesve. Të gjitha këto dhe të tjera janë “fakte e prova” për të arritur në përfundimin se me “Ramën në krye të qeverisë s’do të mund të kishte zgjedhje të lira e të ndershme”.
PD ka marrë dhe po merr të gjithë masat që t’i fitojë zgjedhjet, nëse ato janë të lira e të ndershme. Kjo do të mund të ndodhte edhe nëse në rastin ekstrem manipulimet apo parregullsitë s’do të mund të ndryshonin rezultatin zgjedhor apo ndikimi i tyre do të ndryshonte rezultatin, por jo fituesin. Nëse manipulimet do të ishin masive, aq të mëdha sa të ndikonin në rezultatin zgjedhor, në mënyrë të tillë që PS të kthehej nga humbëse në fituese, PD po merr të gjithë masat për të “fotografuar/skanuar” dhe “faktuar” ilegjitimitetin e zgjedhjeve për shkak të manipulimit të tyre.
Përfundimisht mund të thuhej se, nëse rezultati zgjedhor do të vlerësohej ilegjitim, situata gjatë apo paszgjedhore do të ishte ilegjitime dhe një situatë e tillë do të nxiste reagimin masiv qytetar e për rrjedhojë edhe trazira sociale që do të mund të shkaktonin destabilitetin e vendit. Personalisht shpresoj që vendi të mos futet në këtë rrugë, por nëse Rama tenton të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, pra fitoren e PD e të opozitës, atëherë do të largohet edhe si humbës edhe si përgjegjës i destabilitetit të vendit. Askush të mos mendojë se populli është i nënshtruar dhe i zhgënjyer e pashpresë dhe s’do të reagojë, sepse banda e Ramës jua ka sjellë shpirtin në majë të hundës; gota për t’u derdhur mjafton vetëm një ngacmim shumë i vogël… Reagimi këtë radhë do të jetë i paimagjinueshëm…Rezonanca me goditjen e establishmentit po ndodh e do të ndodhë kudo…edhe në Shqipëri…

Shqipërisë mund t’i rikthehen vizat

Krahas forcimit të kontrollit kufitar edhe për vetë shtetasit europianë, duke shkaktuar pritje më të gjata kohore për procedurat në pikë kalime, në fillim të 2017 pritet të hyjë në fuqi dhe mekanizmi i ri për pezullimin e vizave.
Një mekanizëm i tillë ekziston, megjithëse nuk është përdorur ende, pasi u kërkua, fillimisht më 2010, nga shtetet anëtare përpara se Këshilli i BE-së të vendoste për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën dhe ngjashëm, ai pritet të shfrytëzohet edhe për vendet e tjera të dialogut në të ardhmen, përfshirë Kosovën.
Por në dallim nga mekanizmi ekzistues, versioni i pajtuar së fundmi mes institucioneve të BE-së, midis të tjerash, i mundëson edhe Komisionit, jo vetëm vendeve anëtare të prekura, që të kërkojë si zgjedhje të fundit, në raste specifike, rikthim të përkohshëm të vizave ndaj vendeve përfituese problematike.
Duke shpjeguar, Tove Ernst, zëdhënëse e KE tha se: “Së pari, ne e kemi një mekanizëm për pezullimin e vizave në fuqi me rregulloren tonë të vizave dhe ajo që bëjmë tani është përforcimi i këtij mekanizmi, në mënyrë që të forcojmë politikën tonë të liberalizimit të vizave. Nuk është një mekanizëm për pezullimin e vizave vetëm ndaj një vendi apo rajoni, por u takon më shumë se 60 shteteve me të cilat ne kemi marrëveshje për regjimin e lirë të udhëtimit. Në themel, kjo mundëson rivendosjen e vizave, në mënyrë më të shpejtë se përpara, megjithëse nuk është përdorur edhe më parë, por tani vendimi mund të merret më shpejt, në rastet e dyndjes së migrantëve të parregullt dhe të rrezikshmërisë së lartë të sigurisë. Kjo bëhet vërtet me synimin e forcimit të politikës sonë, për të mundësuar vazhdimin e dialogut të vizave, si dhe për të forcuar marrëdhënien me ato vende, me të cilat ne kemi regjimin e lëvizjes pa viza”.
I njëjti motiv shtyn Unionin që të paraqesë Sistemin Europian të Informacionit të Udhëtimit (ETIAS), ashtu siç funksionon aktualisht për SHBA dhe Kanada, por që në Europë pritet të hyjë në fuqi vetëm në fillim të vitit 2021.
“ETIAS, sistemi europian i autorizimit të informacionit të udhëtimit, nuk është aspak vizë, por tërësisht diçka tjetër, që synon të lehtësojë udhëtimin pa pengesa të atyre që duan të hyjnë në BE. Pra, është një sistem, në të cilin ne mund të verifikojmë nëse ata përbëjnë rrezik për sigurinë publike, apo janë emigrantë të parregullt, përpara se të paraqiten në kufi”, tha Tove Ernst, zëdhënëse e KE.
Sipas saj “Aplikimi online për këtë merr vetëm pak minuta dhe ju nevojiten të dhënat e pasaportës.
“Ne presim që në 95 për qind të rasteve, aplikuesit të marrin menjëherë përgjigje pozitive për autorizim të udhëtimit”, tha zëdhënësja e KE.
“Kjo do të na mundësojë verifikimin për rrezikun përpara kalimit të kufirit, për të parandaluar që njerëzit të refuzohen pasi të kenë ardhur deri në kufi, pasi informacioni do të jetë marrë përpara se të kryhet udhëtimi, që ata mund ta planifikojnë. Formulari plotësohet përmes internetit dhe brenda pak minutash merret përgjigjja, që duhet treguar në kufi. Kjo nuk i takon veç një shteti apo një rajoni, por për të gjithë qytetarët që lëvizin pa viza në Europë, të cilët duhet ta plotësojnë në kohë përpara se të kalojnë kufirin, ku do të verifikohet. Kjo kushton 5 euro dhe është e vlefshme për 5 vjet. Pra, është një procedurë shumë e thjeshtë, eficente dhe mjaft e kuptueshme për përdoruesit, çfarë synon gjithashtu vazhdimin e politikës sonë për liberalizimin e vizave dhe për të mbajtur marrëdhënien ekzistuese me vendet që kemi regjim të lëvizjes së lirë. Pra, është një element që forcon marrëdhënien tonë dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve. Ky është qëllimi”, sqaroi Tove Ernst.

Si do të bëhet verifikimi me procedurën e re?

Zëdhënësja e KE, Tove Ernst deklaron se “në një numër mjaft të ulët rastesh, do të na nevojitet të verifikojmë informacione shtesë, nëse paraqitet ndonjë shqetësim për sigurinë, apo për migracionin e paligjshëm dhe sistemi do të na tregojë – u tregon autoriteteve dhe ata shqyrtojnë manualisht më pas rastet përkatëse. Për një pjesë të tyre, përgjigjja pritet të mbërrijë brenda 2 javësh, ndërsa në raste të rralla, vërtet, për 1 deri në 2 për qind, kur parashikohet që të ketë një rrezik potencial për sigurinë e migracionin e rregullt, hyrja mund të refuzohet. Gjithsesi, personi në këtë rast duhet të ndërmarrë veprime dhe të apelojë ndaj autoritetit, pra ka masa sigurie edhe për individët. Por për shumicën dërrmuese të udhëtarëve, përgjigjja dorëzohet menjëherë dhe për një numër të ulët rastesh, brenda pak ditësh. Pra, ne presim një numër tepër shumë, shumë të ulët refuzimesh për këtë autorizim”.
Të moshuarit, ose personat që nuk kanë qasje në internet, apo nuk kanë llogari bankare, mund ta bëjnë kërkesën përmes të afërmve të tyre apo agjencive të udhëtimit.
Në rast të kundërt, aplikimi mund të bëhet edhe në kufirin hyrës europian, pasi parashikohet vendosja e pajisjeve të posaçme për këtë qëllim, por kjo mund të shkaktojë radhë të gjata e vonesa për udhëtarët e pranuar, ndërkohë që të refuzuarit do të kthehen në atdhe për nisjen e procedurës së ankesës ndaj autoritetit europian shkaktar për këtë refuzim.

TKOB dhe “La Traviata” zhgënjyese

Anesti ILIAJ

Në këtë fundviti TKOB shfaqi për publikun operën “La Traviata” të G.Verdi më data 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor. Sigurisht që prezantimi i operës dhe vënies në skenë të kësaj vepre ishte tepër premtues, duke ju referuar konferencës për shtyp. Pritshmëria ishte maksimale si nga ana skenike ashtu dhe ajo muzikore, e cila në fakt rezultoi dhe si më problematikja.
Opera u vu në skenë nga regjisorja gjermane, Magdalena Fuchsberger e shoqëruar nga imazhet e projektuara të Aron Kitzig. Ajo paraqiti një koncept interesant të ndërtimit të marrëdhënieve dhe personazheve paçka se, mbetej filozofike dhe jo shpërthyese në momentet më kulmore të veprës. Është rasti të themi se në skenën tonë mungon ende interpretimi i personazhit dhe kjo gjë bie tepër në sy, pasi shohim gjithmonë të njëjtët artistë të nderuar, por asgjë të re në karakterin e tyre dhe përqasjen me rolin. U punuan me mjeshtëri kostumet nga kostumografi Ardi Asllani, i cili solli një klas dhe elegancë në çdo personazh. Drejtimi muzikor iu besua dirigjentit spanjoll, Ricardo Casero Garrigues, i cili solli ndjeshmëri në muzikë dhe në të njëjtën kohë temperament dhe aksent në momentet e duhura duke respektuar stilistikën e autorit. Një meritë e veçantë për dirigjentin qëndron dhe në mbajtjen e ekuilibrave, gjë që ndihmoi solistët në vështirësi dhe me limite vokale. Preludi i aktit të parë dhe të tretë pati në ndërthurjen e tij interpretimin e ndjerë të balerinëve Enada Hoxha e Gert Vaso. Opera këtë herë pati një dopiokast si në rolet kryesore ashtu dhe në ato dytësore. Në rolin e Violetta Valery në premierë dhe në natën e tretë interpretoi soprano Eva Golemi, e cila sigurisht tashmë e konsoliduar si artiste e TKOB vjen thuajse në çdo vepër. Zotëron shumë mirë intensitetin e rolit dhe pse mbetet e ftohtë skenikisht. Këndoi me intonacion, fraza dhe legato të qartë e të pastër. Diksioni lë ende për të dëshiruar, kontroll shumë i mirë i frymës. E ekuilibruar dhe pse ndonjëherë notat e regjistrit të poshtëm krijonin një shkëputje timbrike të panevojshme për të bërë frazën ekspresive. Në kastin e dytë, pas pjesëmarrjes në festivalin operistik “Marie Kraja” për herë të parë në Shqipëri, në një rol të plotë vjen sopranoja franceze Perrine Madoeuf. Vokal i zbehtë dhe pa asnjë shpërthim, absolutisht i papërshtatshëm për një kryerol si Violetta. Diksion që linte tepër për të dëshiruar dhe pse u përpoq të sillte diçka skenikisht. Depërtimi dhe fokusi i saj vokal nuk kishte dritën e një Violette. Perrine Madoeuf u prezantua nga drejtoresha Çela si një prurje internacionale, por lind pyetje: A na duhen vërtet këta “internacionalë” që bëjnë në TKOB debutet e tyre në një nivel të tillë? Roli u përballua me vështirësi nga soprano, e cila pati probleme të shumta intonative pas zonës së pasazhit. Kulmin e saj e pati në leximin e letrës para aries “Addio del passato” shoqëruar me një zë të folur pa ekspresivitet dhe ku asnjë fjalë nuk u kuptua përveç një “e tardi” të çjerrë. Ky fakt la të gjithë me gojë hapur pasi sigurisht që pas një prezantimi pompoz, siç i ka hije drejtoreshës, pritet diçka e madhe, por që në fakt rezultoi e një niveli mediokër. Shpresojmë që në vazhdim të mos jetë ky “ndërkombëtarizim” i TKOB. Në rolin e Alfredo Germont në premierë interpretoi tenori italian Giuseppe Tommaso, i cili nuk të linte aspak indiferent me timbrikën e tij lirike dhe të bukur dhe një diksion tepër i qartë. Mund të them më i miri në tërë kastin në këtë pikë. Vokal i shëndetshëm dhe i mirëfokusuar dhe pse akoma jo i mirëstabilizuar në pasazhe të ndryshme të veprës, gjë që solli herë pas here luhatje intonative. I rafinuar në momente tepër delikate muzikalisht aq sa dhe i pakuruar në gjëra më të thjeshta. Një pamje e admirueshme dhe prezencë skenike e mirë. Në kastin e dytë gjejmë tenorin Armaldo Kllogjeri, i cili rikthehej në skenën e TKOB pas dy viteve shkëputje. Sigurisht që pritshmëria si e publikut ashtu dhe e drejtuesve të institucionit, pas lënies së veprës “Rigoletto” nga ana e tenorit ishte e madhe, por nuk rezultoi e tillë për fat të keq. Dhe pse me një rol të bërë, gabimet muzikore ishin trashanike dhe flagrante. Sensi muzikor inekzistent dhe mbi të gjitha zëri i zbehur. Në fakt në këtë pikë kombinimi i Madoeuf dhe Kllogjerit kishte mosdepërtimin në sallë si pikë të përbashkët. Problemet intonative sidomos në duete dhe momentet e kadencave ishin të dukshëm. Në regjistrin qendror vihej re një mosekuilibër timbrik që të linte në çdo moment të pasigurt në atë që dëgjoje. Pas zonës së pasazhit tenori humbiste çdo tingull duke “shitur” falcetin për një pseudoakut. Duke patur probleme kaq flagrante sigurisht që s’mund të kemi një analizë muzikore të mëtejshme. Giorgio Germont u interpretua në premierë nga baritoni gjeorgjan, Gocha Abuladze, i cili rikthehej në skenën tonë. Vokal i ngrohtë dhe depërtues. Tepër muzikal dhe inteligjent në drejtimin e frazës. Ende jo i matur mjaftueshëm për një rol si Germont Padre, por sigurisht një realizim mjaft i mirë i personazhit, i ndjerë dhe ekspresiv. Në disa pasazhe ndërrime pozicionesh. Germoni i tij ishte totalisht i besueshëm dhe i mirërealizuar. Në kastin e dytë gjejmë baritonin e TKOB Ylber Gjini, i cili sjell për të disatën herë rolin e Giorgio Germont. Timbrikë e padiskutueshme në përshtatshmëri me rolin, por muzikalitet që lë ende për të dëshiruar. Vokal i shëndetshëm dhe një figurë bujare dhe pse pak ekspresive në skenë. Në rolin e Flora Bervoix dëgjuam Shpresa Bekën, soprano jo e thelluar në rol dhe pse me një prezencë të mirë skenike, ndërsa Ivana Hoxha mezzosoprano solli një Flora prezente dhe elegante me vokal të bukur. Rolet e tjera u interpretuan nga: Simona Karafili si Annina e saktë dhe vokal i mirë, Sidrit Bejleri e Ogert Islami si Barone Douphol, Edvin Kastrati e Ogert Islami si Marchese d’Obigny, Sokol Hidersha si doktori Grenvil, etj. Kori i TKOB i përgatitur nga Dritan Lumshi interpretoi me profesionalizëm dhe saktësi në këtë vepër gjithashtu dhe trupa e baletit të TKOB.
Pra, kjo ishte “La Traviata” “brilante” që në të vërtetë mbushi sallën e TKOB, por mos harrojmë se përtej publikut të thjeshtë që njeh “Brindisi” apo “Amami Alfredo” falë kinematografisë, kjo vepër është po aq e njohur dhe për profesionistët, të cilët dinë të bëjnë mjaft mirë diferencën midis rutinës së të dëgjuarit, madhështisë së titullit që mbush sallën dhe kualitetit artistik që servir teatri si një tempull elitar lirik. Sot përtej konjukturave artistit s’mund t’i hidhet më hi syve. Është e trishtueshme të vihet re se si led wall transformohet në video projeksion duke u spostuar nga show i mikrofonuar “Marie Kraja” në një skenë opere të vërtetë. Në cilin konkurs të vërtetë lirik është parë interpretimi i amplifikuar? Në cilin konkurs lirik konkurrentët marrin pjesë dhe shpallen fitues vetëm me interpretimin e 2 arieve dhe 1 kënge? Pasi dimë që, veçanërisht këtë vit pjesëmarrësit në “Marie Kraja” janë përzgjedhur me një kujdes të veçantë nga organizuesit e tij. Mos vallë TKOB po kthehet në shërbim të publicitetit për prurje në show-n lirik “Marie Kraja”?

Kolumbia dhe Shqipëria dy realitete të pakrahasueshme

Armand MAHO

Në vitin 1984 Rodrigue Lara Bonilla, aso kohe ministër i Drejtësisë kolumbiane, do të denonconte në kongres një foto ku tregohej Pablo Escobar i arrestuar për trafik droge. Ishte e vetmja provë që tregonte se ish-kontrabandisti i cigareve në Medellin kishte ndërruar aktivitet dhe kish ngritur një perandori ku fitonte rreth 1.9 miliardë dollarë në vit. Në atë vit Pablo Escobar mund të thuhet se ishte njeriu më i fuqishëm i Kolumbisë dhe përdori të gjitha makinacionet për t’u zgjedhur deputet, me qëllim kundërshtimin e ligjit të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara të trafikantëve të drogës dhe jo vetëm. Kjo solli anulim të vizës së Escobar-it nga ana e ambasadës amerikane dhe dorëheqje të tij nga Parlamenti.
Denoncimin Bonilla do e paguante me jetë dhe pikërisht në ditën kur do të udhëtonte drejt Çekisë për të marrë detyrën si ambasador, vendim që qeveria e mori për ta mbrojtur nga ndonjë sulm eventual të perandorit të drogës. Por Escobar nuk u mjaftua me kaq. Luftës së presidentit Bentacur, ai do i përgjigjej me të njëjtën monedhë… ekzekutime policësh në postblloqe, vendosje bombash e të tjera si këto prodhuan rreth 3000 viktima në 5 vjet. Ndërkohë që Escobar prej kohësh kish marrë aureolën e bamirësit. Me firmën e tij u ndërtuan rreth 2600 apartamente në Medellin, ndërsa qindra mijëra të tjerë merrnin pension dhe rroga në borderotë e kartelit.
Përgjatë viteve 1988-1989 ai do të vriste 3 nga 5 kandidatët për president, mes tyre dhe Galanin një njeri që gëzonte goxha popullaritet. Atentatit i shpëtoi dhe presidenti Gaviria, i cili u lajmërua disa minuta përpara se të hipte në avion. Në këtë atentat vdiqën 107 persona. Do të ishte ky president më pas, i cili me gjithë presionet dhe rrezikun e një lufte civile, do të sillte dhe asgjësimin e Escobar-it në vitin 1993.
Por cili ishte roli i ambasadës amerikane në Kolumbi në luftën kundër trafikantit më të madh në histori? Në fillim të viteve 1980 SHBA-të me gjithë informacionet për trafikun s’para e vunë shumë ujin në zjarr. Administrata e Reagan ishte më e interesuar në luftën kundër komunizmit që zhvillonte në Amerikën Latine, se sa për trafikun e narkotikëve. Ishte kjo arsyeja që Escobar arriti të fuste në Majemi 15 tonë kokainë në një ditë të vetme. USA u angazhua në këtë luftë vetëm kur pa se miliardat e saj po i dilnin nga vendi. Atëherë ngriti një seksion të veçantë të DEA-s në Bogota, e cila iu bashkua forcave policore kolumbiane.
Megjithatë frenimi ishte shumë i vështirë, pasi veç Escobar-it operonte karteli i Calit, i Kartagjenës etj. Përpos kësaj qeveria kolumbiane duhej të përballej dhe me forcat komuniste të Farc, të cilat në vitin 1986 rrethuan Pallatin e Drejtësisë dhe vranë gjysmën e gjykatësve, si dhe zhdukën të gjithë dokumentacionin e kartelit të Escobar dhe jo vetëm.
E bëra këtë panoramë të përgjithshme duke lënë jashtë detaje të tjera të rëndësishme si vrasja e Kolonelit Martinez, njeriu i paepur në luftën ndaj Escobar-it, për të kuptuar gjendjen e Kolumbisë në atë kohë e për të shpjeguar se sa gabim është ta krahasosh Shqipërinë me atë vend. Është e vërtetë që laboratorët e karteleve ndodheshin gjithkund në xhungla apo edhe në zemër të qyteteve, por të zgjedhurit e atjeshëm nuk u bënë palë me krimin si këtu. Synimet e Pablo Escobar për të hyrë në politikë sollën edhe fundin e tij. Ishte e njëjta forcë politike që i hapi rrugën, i njëjti ministër Drejtësie e president që çuan më pas në vrasjen e tij. Natyrisht me një kosto të lartë. Por ai vend atje gjeti përherë forcën për të luftuar narkotrafikantët, pavarësisht se u vranë 300 policë, mes tyre dhe Hugo Martinez, të cilin Escobar e vrau me dorën e tij për ta bërë shembull. Megjithatë sërish kishte të tjerë që angazhoheshin në forcat speciale të Search Bloc, njësi speciale e ngritur vetëm për Escobar-in dhe kartelet. Njerëzit e thjeshtë të Kolumbisë u ngritën në protesta kundër terrorit mafioz të ushtruar. Në vitet që pasuan asnjë nga kartelet nuk u përfshi në politikë e nuk u emërua përfaqësues i popullit, pasi Pablo Escobar ishte shembulli më i mirë se çfarë të ndodhte. Të zgjedhurit kolumbianë treguan integritet duke e mbajtur të pastër tempullin parlamentar, duke i rezistuar presioneve dhe parasë së drogës që kish hyrë në çdo qelizë.
Ndërsa Shqipëria nuk është Kolumbi. Është një lloj hibridi i padëgjuar më parë, ku droga jo vetëm ka kapur çdo qelizë të këtij vendi, por politika është bërë mbrojtësja e trafikantëve të çdo lloji. Trafikantët këtu tek ne, jo vetëm janë njerëzit më të pashqetësuar, por janë ata që diktojnë ligjet, votojnë Vettingun, zgjidhen në majat e pushtetit lokal, injorojnë çdo vendim gjyqi që pasqyron qartë të kaluarën e tyre, mbjellin çdo pëllëmbë toke me kanabis dhe më pas me ato para blejnë votat duke shfrytëzuar varfërinë e njerëzve.
Narkotrafikantët sot janë në krye të policisë, doganave, transporteve, kudo ku gjenden linjat e dërgimit të drogës. Vullneti për t’i luftuar është në nivelin zero, dhe jo vetëm kaq, të pangopur me fitimet e narkotrafikut, tashmë janë ata që bëjnë sekserin thuajse për çdo tender, për çdo koncesion, në emër të ligjit duke marrë çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve.
Kjo ka sjellë një situatë dëshpëruese, ku çdo njeri mendon një mënyrë për të ikur jashtë vendit. E si mund të punosh në një vend ku nderohet krimi dhe luftohet virtyti? Të jesh i ndershëm është turp, të jesh i varfër duhet të paguash…. Kolumbia nuk ishte kështu. Me Shqipërinë e Rilindjes asgjë nuk krahasohet!

2016, një vit për t’u harruar për BE-në

BE-ja përballë një “poli”krize: refugjatët, Brexit-i, borxhet, terrorizmi dhe Turqia. Një retrospektivë.
Pas samitit të fundit të BE-së në dhjetor, kancelarja gjermane, Angela Merkel nxori këtë bilanc: “Për vitin 2016 mund të themi se ky ishte për ne, për Bashkimin Evropian një vit shumë prekës. Sërish një vit shumë prekës pas vitit 2015, kur te ne erdhën shumë refugjatë. Sidomos vendimi i Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, është sigurisht një plagë e thellë”. Brukseli është i një mendjeje, politikisht  2016 ishte një vit i keq. Po ai i mbushi megjithatë me gëzim nacionalistët, populistët dhe kundërshtarët e BE-së në Evropë.

Kriza e refugjatëve
Viti filloi sikurse mbaroi, me krizën e refugjatëve. Mijëra vetë vinin çdo ditë përmes Ballkanit. Austria qe vendi i parë që mbylli kufijtë e saj me Slloveninë dhe Hungarinë. Edhe shtetet e Ballkanit mbyllën gradualisht kufijtë e tyre. Refugjatët dhe emigrantët grumbullohen në Greqi.
BE-ja dhe Turqia bien dakord për t’i penguar me efektivitet refugjatët dhe emigrantët. Duke filluar nga 20 marsi të gjithë njerëzit që hynin nga Turqia në Greqi ekstradohen në Turqi. BE-ja vendos t’i mbrojë më me forcë kufijtë e saj. Kritikat e BE-së ndaj kancelares Merkel për shkak të politikës ndaj refugjatëve, ndikojnë edhe në Gjermani, ku në zgjedhjet për parlamentet e disa landeve fitoi partia populiste e djathtë AfD. Edhe në vende të tjera të BE-së partitë populiste të djathta fuqizohen.

Krizat në BE dhe Brexit-i
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, u shpreh në një intervistë për “Euronews” se për shkak të shumë krizave në BE dhe tensioneve në rritje në mes të shteteve anëtare të BE-së gjendja duket e zymtë. “BE-ja është në një gjendje të mjerueshme. Forcat ekstreme centrifugale po fitojnë në zgjedhje dhe referendume. Nëse vëmë në pikëpyetje tani thelbin e projektit evropian, atëherë ne luajmë me të ardhmen e brezave të ardhshëm”, tha ai.
Grusht i fortë në stomakun e BE-së ishte triumfi i nacionalistëve në Britaninë e Madhe. Pas vendimit për Brexit-in në krye të vendin vjen Theresa May, e cila thotë: “Brexit-i është Brexit”. 27 shtetet e tjera anëtare refuzuan të bëjnë lëshime ndaj britanikëve dhe i bëjnë thirrje kryeministres që të paraqesë planin për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Por mesa duket ajo nuk ka ndonjë koncept të tillë dhe do ta bëjë kërkesën zyrtare për daljen nga BE-ja në fund të marsit 2017.

Sulme terroriste
Në mars Brukseli tronditet nga disa sulme me bomba të islamikëve, prej të cilave gjetën vdekjen 32 vetë. Gradualisht hetuesit zbulojnë një rrjet terroristësh nga Belgjika, Franca dhe Siria. Disa syresh kishin ardhur në shkurt si refugjatë përmes Ballkanit. BE-ja vendos kontrolle të përforcuara për qytetarët e BE-së dhe një bashkëpunim më të fortë të shërbimeve sekrete.
Në korrik pasojnë sulmet terroriste në Nisë, kur një terrorist islamik tunizian mësyu me një kamion shëtitoren e plazhit dhe vrau 85 vetë. Franca dhe Evropa nuk mund ta besonin këtë gjë. Presidenti francez Hollande vihet nën presion të fortë. Në jug të Francës forcohet partia populiste e djathtë Fronti Kombëtar. Njerëzit kërkojnë siguri.
Në dhjetor terrori godet edhe Gjermaninë. Edhe kёtu njё kamion mёsyu nё mes tё stendave tё tregut tё Krishtlindjeve nё sheshin “Breitenscheidplatz” nё Berlin. Ai u pёrplas dhe shkatёrroi disa nga stendat dhe pёr pasojё gjetёn vdekjen 12 vetё dhe u plagosёn 48 tё tjerё, disa syresh rёndё.

Grusht shteti në Turqi
Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan arrin të shtypë një përpjekje për grusht shteti. Ai konsolidon pushtetin e tij përmes një fushate arrestimesh dhe spastrimesh. Numri i sulmeve terroriste nga ana e islamistëve dhe e kurdëve në Turqi shtohet. BE-ja e kritikoi Erdoganin, por ajo ka gjithashtu nevojë për të sepse ai strehon emigrantët. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini e përshkruan këtë spargatë me fjalët: “Ne mbështesim plotësisht institucionet demokratike dhe legjitime. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për të tilla reagime që dëmtojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”. Erdogani kërcënon disa herë se do ta abrogojë marrëveshjen për refugjatët, po në fund të fundit nuk e bën këtë.
Në nëntor Parlamenti Evropian kërkoi ngrirjen e negociatave për pranimin e Turqisë në BE, për shkak të shkeljes së vlerave themelore evropiane në këtë vend. Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk iu përgjigjën kësaj thirrjeje, por nuk duan të hapin një herë për një herë asnjë kapitull të ri të këtyre bisedimeve që vazhdojnë prej 11 vjetësh. Vetëm Austria është shprehur në mënyrë të qartë se Turqia nuk mund të jetë anëtare e BE-së. Për vendet e Ballkanit duhet të vazhdojë perspektiva evropiane.

Avioni rus, zyrtarët përjashtojnë terrorizmin

Rusia mbajti të hënën zi kombëtare për nder të 92 personave që humbën jetën dy ditë më parë nga rrëzimi i një avioni ushtarak në Detin e Zi. Avioni 33-vjeçar Tu-154 ishte nisur nga Soçi për në një bazë ushtarake ruse në Siri.
Arsyeja e rrëzimit nuk dihet, por zyrtarët rusë e përjashtuan terrorizmin si shkak të mundshëm.
Mes viktimave ishin 68 pjesëtarë të Ansamblit ushtarak Aleksandrov, një kor, orkestër dhe grup vallesh që do të jepte shfaqje me rastin e Vitit të Ri për aviatorët në një bazë ushtarake ruse në afërsi të Latakias.
Në Moskë, njerëzit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë një salle koncertesh, ku jepte shfaqje ansambli.
Një agjenci ruse lajmesh tregoi video ku dukeshin njerëzit e mbledhur në Sevastopol të Detit të Zi, duke ndezur qirinj dhe hedhur lule në det në kujtim të viktimave.
Vladimir Kuznjecov, ish-anëtar i Ansamblit Aleksandrov, ishte mes atyre që kishin shkuar për të nderuar viktimat.
“I njihja të gjithë. Nuk mund ta besoj dot, e kam të pamundur të mbledh veten”, i tha Kuznjecov Agjencisë franceze të Lajmeve.
“Neve na njihnin kudo në botë, kemi shkuar kudo”, tha ai, duke mbajtur një qiri në një gotë plastike.
Televizioni shtetëror rus anuloi programet argëtuese dhe transmetoi fotografi bardhë e zi të viktimave.
Mes viktimave ishin edhe nëntë gazetarë rusë, si dhe një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, Elizaveta Glinka ose “Dr. Liza”. Glinka do të dërgonte furnizime mjekësore për të ndihmuar viktimat e konfliktit sirian gati gjashtëvjeçar.
Ekipet e shpëtimit filluan të nxjerrin trupat e viktimave, në suazën e një operacioni të madh kërkimi me pjesëmarrjen e dhjetëra anijeve dhe avionëve.
Në median ruse ka patur hamendje për shkaqet e rrëzimit. Është folur për mundësinë e një gabimi teknik ose njerëzor apo se avioni mund të ketë qenë i mbingarkuar.
“Tu-154 ka kohë që nuk prodhohet më dhe Ministria e Mbrojtjes ishte praktikisht përdoruesja e vetme e avionit”, thotë Maksim Pyadushkin, drejtor i revistës “Air Transport Observer”. “Por Ministria e Mbrojtjes ka thënë se avioni kishte kaluar nëpër remont kapital, që do të thotë se gjendja e tij ishte nën kontroll. Nuk mund të themi deri tani nëse ka pasur ndonjë problem teknik. Këtë do ta tregojnë rezultatet e hetimit”, thotë Pyadushkin.
Zyrtarët rusë nxituan të përjashtojnë si shkak një sulm terrorist, pavarësisht shqetësimeve se ndërhyrja në Siri e ka bërë Rusinë më shumë se më parë një objektiv për ekstremistët.
Të martën e kaluar u vra në Ankara ambasadori i Rusisë në Turqi, nga një polic i motivuar mesa duket nga ofensiva e forcave siriane mbi Alepon, ofensivë e mbështetur nga Rusia.
Rusia e justifikon mbështetjen për forcat siriane si luftë kundër terrorizmit, por kritikët thonë se rebelët që kundërshtojnë presidentin sirian, Bashar-al Assad kanë qenë objektivi kryesor.
Disa njoftime të medias ruse thanë se viktimat e aksidentit të së dielës u gjetën me goma shpëtimi, gjë që e përjashton, sipas tyre, mundësinë e shpërthimit të papritur të një bombe.
“Pista e një akti terrorist është deri tani thjesht një supozim”, thotë Pyadushkin. “Vetëm hetimet mund të japin prova. Do të deshëm të shpresonim se komisioni i aviacionit rus, së bashku me ushtrinë do të mund të kryejnë një hetim efikas”.

Trump: OKB është kthyer në vend argëtimi

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vënë në pyetje efikasitetin e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se organizata është vetëm një klub për njerëzit që të kalojnë kohë të mirë.
“OKB ka potencial aq të madh, por është bërë vetëm një klub për njerëzit që të mblidhen, të bisedojnë dhe të kalojnë kohë të mirë”, ka shkruar Trump në Twitter.
Komentet vijnë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar javën e kaluar për rezolutën që dënon vendbanimet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Administrata Obama ka abstenuar nga votimi i kësaj rezolute, përkundër kërkesave të Trumpit që SHBA të ushtrojë të drejtën e vetos.