37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Përse Europa nuk duhet të izolohet

Evropa ka shfaqur shumë herë përgjatë historisë një vokacion ndaj vetëvrasjes. Sot, që procesi i shpërbërjes së projektit komunitar gjendet në një fazë akute dhe ndërsa deglobalizimi i planetit, mes proteksionizmit dhe partikularizmave, përparon me një rritëm të shpejtë, tundimi për t’u mbyllur ndaj botës me qëllim mbrojtjen nga terrorizmi është i pafalshëm.
Për të paktën tri arsye. Së pari, ngujimi brenda Fortesës Evropë nuk është i mundur. Së dyti, edhe po të qe, nuk do të ndihmonte për të na garantuar nga kërcënimi i sulmeve terroriste. Së treti, kjo është pikërisht ajo që duan armiqtë tanë dhe s’ka asnjë arsye pse duhet të ndjekim axhendën e atyre që duan të na shkatërrojnë. Le të shohim faktet.
Masakra e tmerrshme e Berlinit, në një konvergjencë kohore me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara, tashmë është duke provokuar dhe do të shkaktojë pasoja të një rëndësie të veçantë. Të gjitha konvergojnë drejt reagimit fobik ndaj emigrantëve dhe të huajve në përgjithësi. Dhe kundër establishmentit që i mbron ata.
Një krizë kjo edhe më akute, për shkak se goditi qendrën e vendit aktualisht dominues në Evropë, ndër të tjera në prag të një viti vendimtar zgjedhor. Angela Merkel hapi në shtator të vitit të shkuar dyert për refugjatët sirianë, me gjestin e papritur dhe kurajoz (kritikët e cilësojnë si të dalldisur), vetëm sa për të korrigjuar veten menjëherë, duke kërkuar dhe marrë nga presidenti-sulltan i Ankarasë, Rexhep Taip Erdogan, bllokimin në front – në kufirin turko-grek – të rrjedhës së qindra mijëra emigrantëve që synojnë të shkojnë në Gjermani.
Rezultati: shtysa migratore drejt Evropës vazhdon. Për të dëshmuar se valët migratore, veçanërisht nëse ushqehen nga luftërat, nuk mund të bllokohen. Dhe kufijtë mbeten gjithsesi pak a shumë porozë. Gjermania, e cila së bashku me 4 vende të tjera (Belgjika, Danimarka, Hungaria, Austria) mban sot në fuqi regjimin e kontrolleve kufitare dhe pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjeve të Shengenit, nuk u provua më shumë e sigurtë ndaj sulmeve terroriste.
Shumica e atentatorëve që kanë goditur Evropën gjatë viteve të fundit kanë ardhur nga trupi i shoqërive tona gjithnjë e më anomike. Të rinj, ndonjëherë edhe adoleshentë, në shkëputje me Islamin e prindërve dhe gjyshërve të tyre, të kapur nga ideologjitë apokaliptike të xhihadizmit, për t’u eksituar edhe kundër refugjatëve të luftës, të akuzuar nga “Kalifati” si dezertorë të frontit të luftës, për t’u strehuar në shtëpinë e armikut.
Virusi qarkullon tashmë në qytetet dhe fshatrat tanë. Dhe është pikërisht atje ku duhet identifikuar, rrethuar dhe goditur me një vendosmëri të zgjuar. As ata që i prodhuan dhe i hodhën në veprim, nuk i kanë më nën kontroll. Pranimi i tezës përballë barbarive të tilla duhen rrethuar dhe fundosur anijet e ngarkuara me emigrantë, duke krijuar iluzionin e goditjes së terroristëve, vetëm sa do të shumëfishonte kërcënimet ndaj asaj që mbetet nga vlerat tona.
As Gjermania nuk do të jetë e imunizuar nga joshja ndaj së djathtës radikale. Dhe tashmë nuk është. Në fund, rezultati strategjik i Fortesës Evropë, ashtu si çdo lloj strategjie tjetër e muranave, do të jetë mbytja me vetë duart tona.
Terroristët nuk kanë forcën dhe as kredibilitetin për të na shkatërruar. Qëllimi i tyre nuk është të na pushtojnë – janë mjaftueshëm realistë për të konstatuar se nuk zotërojnë burimet e nevojshme – për të na kërcënuar nga brenda. Duke i shndërruar vendet tona në territore plot vrima, të shenjuara nga geto dhe vrima të zeza, popullata lokale të zemëruara dhe emigrantë që sfidojnë njëri-tjetrin jo vetëm me fjalë. Pasi revolta kundër establishmentit, përgjegjës për shpërfilljen e të drejtave të klasës së mesme-të ulët, e cila në Perëndim është prodhuar deri më tani mbi të gjitha në votime, ka të ngjarë të evoluojë në një konflikt social dhe protestash në sheshe kundër emigrantëve. Të perceptuar si terroristë potencialë.
Raundi final do të zhvillohej mes racistëve që prezantohen si mbrojtësit e “pastërtisë” tonë dhe grupeve të radikalizuara islamike. Në atë pikë, do të kemi mbyllur rrethin e vetëlëndimit. Për të tretën herë në një shekull.

Republikanët kundër planit shëndetësor “Obamacare”

Uashingtoni po përgatitet për një aktivitet të ngjeshur legjislativ gjatë fillimit të vitit 2017. Në krye të axhendës së shumë republikanëve është një sulm frontal ndaj legjislacionit për kujdesin shëndetësor të Presidentit Barack Obama, një ndër aspiratat e tij reformuese më të rëndësishme. Programi i mbiquajtur “Obamacare” uli në mënyrë drastike numrin e personave pa sigurime shëndetësore, por nuk arriti të mbajë nën kontroll koston bazë të sigurimeve.
Gati shtatë vjet pasi “Obamacare” u shndërrua në ligj, një numër rekord amerikanësh kanë tashmë sigurim shëndetësor. Por, jo të gjithë janë të kënaqur.
“Fatkeqësisht nuk është i leverdisshëm. Çmimi i sigurimit shëndetësor të të gjithëve vazhdon vetëm të rritet”, thotë Kristy Burgina, punonjëse shitjesh.
Rritje pati edhe përpara miratimit të “Obamacare”. Por, shpresa se nëpërmjet këtij sistemi të ri, do të ishin të rinjtë që do të blinin sigurim shëndetësor duke kompensuar kështu për të moshuarit, nuk u realizua.
“Do ta anulojmë këtë katastrofë të njohur si ‘Obamacare’ dhe do të krijojmë një sistem të ri të reformuar që do të jetë më mirë për ju dhe familjet tuaja”, tha presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
Demokratët këmbëngulin se “Obamacare” mund të shpëtohet.
“Duam ta përmirësojmë ligjin. Është e mundur”, tha senatori Harry Reid.
“Nuk mund të rrimë pa vepruar”, tha senatori Mitch McConnell.
Për vite të tëra, republikanët premtuan t’i jepnin fund programit “Obamacare”. Ata mendojnë se do t’u jepet shansi kur të bëhet president zoti Trump.
“Do të veprojmë që pas vitit të parë me një rezolutë për të zëvendësuar ‘Obamacare’ dhe do të punojmë me shpejtësi për një propozim më të mirë se ligji aktual”, shtoi senatori McConnell.
Demokratët vënë në dukje se deri më tani, republikanët nuk kanë paraqitur hollësi për planin e tyre zëvendësues.
“Me çfarë duan ta zëvendësojnë? Republikanët nuk japin dot përgjigje. Ne nuk do të bëhemi pjesë e zhbërjes pa një propozim zëvendësues”, u shpreh senatori Chuck Schumer.
Demokratët mendojnë se një plan republikan për të zëvendësuar planin “Obamacare”, do të zemërojë po aq amerikanë si në momentin kur ai u krijua.
“U themi republikanëve: le t’ja fillojnë”, vijoi senatori Schumer.
Niveli i shpenzimeve për kujdesin shëndetësor është rreth 17% e produktit të brendshëm bruto – niveli më i lartë ndër të gjitha vendet e industrializuara.

Vizitë historike e kryeministrit të Japonisë në Pearl Harbor

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vizitoi disa memoriale në Havai, përpara se të qëndrojë në Pearl Harbor, bazën amerikane të sulmuar nga Japonia më 1941.
Abe do të shoqërohet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama. Do të jetë kjo vizita e parë e liderëve të të dyja vendeve në Pearl Harbor, prejse ka ndodhur sulmi.
Abe do të lutet për të vdekurit, por nuk do të kërkojë falje, kanë thënë ndihmësit e tij.
Sulmi i Japonisë në Pearl Harbor ka vrarë 2,300 shërbyes amerikanë dhe ka bërë që SHBA-ja të futet në Luftën e Dytë Botërore.
Pas aterimit, Abe theksoi rëndësinë e përçimit të një “mesazhi të fuqishëm” për vlerën e pajtimit.
“Havai ka qenë një vend ëndërr, një vend i veçantë për mua. Jam shumë i nderuar me këtë mundësi që të vizitojë Havain si kryeministër i Japonisë dhe me pjesëmarrjen e shumë amerikano-japonezëve, të cilët vazhdojnë të respektojnë historinë dhe përvojat që kanë kaluar. Andaj, jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha Abe.
Ai i cilësoi marrëdhëniet SHBA-Japoni si “aleancë e shpresës” dhe tha se shkatërrimi i luftës nuk duhet të përsëritet.
Abe ka forcuar lidhjet me Uashingtonin gjatë katër vjetëve të tij në detyrë, duke zgjatur limitet e Kushtetutës pacifiste të Japonisë dhe duke rritur shpenzimet për mbrojtjen.
Vizita e Abes, tri javë pas 75-vjetorit të sulmit, pason vizitën që ka bërë Obama këtë vit në Hiroshimë.
Obama është bërë presidenti i parë amerikan që ka vizituar qytetin japonez, ku nga sulmi i SHBA-së me bombë atomike, më 1945, janë vrarë rreth 150,000 njerëz.
Udhëheqësi i parë japonez që ka vizituar Pearl Harbor ka qenë Shigeru Yoshida, në vitin 1951. Ai ka ndaluar në Havai gjatë rrugës për nënshkrimin e marrëveshjes për paqe me SHBA-në, në San Francisko.
Shtëpia e Bardhë ka thënë më herët se vizita e Obamës dhe e Abes në Havai do të tregojë për fuqinë e pajtimit që i “ka shndërruar ish-kundërshtarët në aleatë të afërt”.

Jean-Claude Juncker: Luftë energjike kundër lajmeve të rreme

Shefi i Komisionit Evropian bën thirrje për më shumë vetërregullim të mediave sociale që të mënjanojnë të ashtuquajturat lajme të rreme. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker u bëri thirrje sipërmarrjeve si Facebook-u dhe Google që të veprojnë me vendosmëri kundër lajmeve të rreme në internet. Është në interes të rrjeteve sociale që të zhvillojnë në këtë mes një  “lloj ambicieje”, tha Junckeri për gazetat e grupit mediatik Funke. “Në fund të fundit është fjala për besueshmërinë, e cila është kapitali i tyre më i rëndësishëm”.
Junckeri u kujtoi këtyre sipërmarrjeve angazhimin që kanë marrë vetë për të aplikuar standarde me të cilat mund të parandalohen manipulimet. “Ne do të shohim nga afër se si do të zbatohen këto”.

Fjalë të bukura
Presidenti i Komisionit Evropian tha se sheh edhe arsye për shpresë. Ai tha se kishte përshtypjen se evropianët po bëhen gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj faktit “se cili i bombardon me fjalë që tingëllojnë bukur dhe cili u tregon të vërtetën”.
Veçanërisht në Gjermani partitë janë duke kërkuar aktualisht receta kundër manipulimit të opinionit në internet. Politikanët kanë frikë madje se shtete të tjera, si për shembull, Rusia mund të ndikojnë në këtë mënyrë fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Draxler kalon te PSG

Është Julian Draxler goditja e madhe e Paris Saint Germain në merkaton e janarit. Kampionët e Francës kanë arritur marrëveshjen me drejtuesit e Wolfsburgut për kalimin e 23-vjeçarit gjerman në Parc Des Princes gjatë merkatos së janarit. Lajmi është i konfrimuar nga një prej drejtuesve të Wolfsburgut, i cili në një intervistë për gazetën gjermane “Kicker” ka zbuluar edhe disa nga detajet e marrëveshjes. “Pas bisedimeve intensive e kemi mbyllur praktikisht akordin, kemi arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit në Paris kanë mbetur vetëm formalitetet e fundit për t’u zgjidhur”, deklaroi drejtuesi i ujqërve, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Nga shitja e mesfushorit me tipare sulmuese, Wolfsburgu do të përfitojë një shifër të përafërt nga 40 deri në 45 milionë euro. Përfundon në këtë mënyrë pas vetëm 1 sezoni e gjysmë aventura e Julian Draxler te skuadra nga Wolkswagen Arena me lojtarin që tashmë do të jetë pjesë e kampionëve të Francës.

“Fajin e kemi edhe ne lojtarët për krizën”

<> at Stadio Giuseppe Meazza on August 28, 2016 in Milan, Italy.

Me 4 gola të realizuar deri në këtë fazë të sezonit, 3 në Serinë A dhe 1 në Europa League, Antonio Candreva nuk ka arritur të shpërthejë ende me fanellën e Interit edhe pse mesfushori me tipare sulmuese është një nga lojtarët me më shumë minuta në këmbë te skuadra zikaltër gjatë këtij sezoni. Në një intervistë 29-vjeçari italian i bëri një bilanc muajve të tij të parë te Interi si dhe ecurisë së skuadrës që nuk ka qenë aspak pozitive në fillimin e sezonit edhe pse në ndeshjet e fundit, Interi me Stefano Piolin në drejtim ka ardhur në rritje. “Bilanci im personal dhe ai i skuadrës deri në këtë pjesë të sezonit nuk është ai që prisnim, megjithatë tashmë kemi nisur një rrugë të re dhe shpresojmë të jemi të suksesshëm, theksoi fillimisht Candreva. Me Frank De Boer në stol, Interi nuk funksiononte edhe pse ish-lojtari i Lazios e pranon se një pjesë të madhe të fajit për ecurinë e dobët e kishin vetë futbollistët.
29-vjeçari shpjegoi edhe njëherë tjetër arsyet se përse zgjodhi skuadrën zikaltër për të vazhduar karrierën. “U transferova te Interi, sepse është një klub fitues, një klub ambicioz që më dëshironte me çdo kusht. Nuk mendova dy herë për të bërë zgjedhjen time, nënvizoi Candreva. Ai shtoi gjithashtu se, objektivi kryesor i zikaltërve në këtë sezon është kualifikimi në UEFA Champions League. Fitorja më e rëndësishme e Interit në këtë kampionat ka qenë pikërisht ajo ndaj Juventusit, ndërkohë që supergoli i Candrevës në derbin ndaj Milanit nuk ishte i mjaftueshëm për të fituar atë sfidë dhe vetë lojtari e pranon se Interi luajti më mirë se Milani dhe meritonte të triumfonte në derbin e Madoninës.

Chelsi i frikshëm!

Britain Football Soccer - Manchester City v Chelsea - Premier League - Etihad Stadium - 3/12/16 Chelsea manager Antonio Conte and players applaud fans after the game Action Images via Reuters / Jason Cairnduff Livepic EDITORIAL USE ONLY. No use with unauthorized audio, video, data, fixture lists, club/league logos or "live" services. Online in-match use limited to 45 images, no video emulation. No use in betting, games or single club/league/player publications. Please contact your account representative for further details.

Sido që të përfundojë ky sezon, Antonio Konte e shkroi me germa të arta emrin e tij në historinë e Çelsit. 12 fitore radhazi në Premier Ligë blutë e Londrës nuk i kishin arritur asnjëherë më parë.
“Të fitosh 12 ndeshje radhazi në këtë kampionat nuk është e lehtë. Është një seri fantastike rezultatesh, por është e rëndësishme që ta vazhdojmë. Pas katër ditësh na pret një tjetër ndeshje e fortë dhe duhet ta përgatisim mirë, sepse tani të gjithë duan të na mundin”, tha trajneri Antonio Konte pas suksesit 3-0 ndaj Bërnmuthit.
Lidhur me atë që ndodhi në fushë në këtë javë të 18-të, italiani shtoi: “Luajtëm një ndeshje të mirë. Mund të kishim shënuar më shumë, por unë jam i kënaqur nga sjellja e lojtarëve. Luajtëm pa dy futbollistë të rëndësishëm (Diego Kosta dhe N’Golo Kante ishin të pezulluar), por unë mendoj se luajtëm mirë”.
Konte, ashtu siç kishte paralajmëruar, nuk vendosi ta zëvendësonte bomberin e tij kryesor me Batshuajin, por luajti me sulmues të fshehtë. “Kjo është hera e parë që luajtëm pa një sulmues të deklaruar përpara. E kishim provuar këtë në stërvitje dhe mendoj se ishte momenti ideal për ta aplikuar. Por unë nuk e harroj Miçi Batshuajin, sepse ai është një lojtar i ri, me talent të madh. Ai po përshtatet në këtë kampionat. Kështu është futbolli. Në të ardhmen do t’i besoj padyshim”, përfundoi tekniku i bluve.
Ndonëse ka më pak se katër vite në këtë klub, Hazard rezulton të ketë gjetur rrugën e rrjetës me një vazhdimësi të admirueshme për standardet e këtij klubi. Me golin e shënuar dje ndaj Bërnmuth, ai çoi në 50 numrin e golave të realizuar me fanellën e bluve.
Ai është bërë kësisoj lojtari i 6-të që e arrin këtë shifër në kampionatin anglez me Çelsin. Para tij, shifrën 50 e kanë arritur vetëm pak legjenda të londinezëve: Frenk Lampard, Didier Drogba, Xhimi-Flloid Haselbenk, Xhanfranko Zola dhe Eidur Gudjonsen.
Ndërkohë, Jurgen Klopp është i lumtur me atmosferën që e rrethon te Liverpooli. Trajneri i “The Reds” në një intervistë shprehet i kënaqur për situatën që po kalon skuadra e tij. Rezultatet pozitive nuk mungojnë, pasi gjërat po ecin ashtu siç gjermani i ka planifikuar. Klopp shprehet se, atmosfera tek Liverpooli është gati e njëjtë me atë që ai ka pasur tek ish-skuadra e tij Borussia Dortmund, ku theu hegjemonine e Bayern Mynihut, duke fituar 2 vite radhazi Bundesligen.
“I gjithë stafi po kalon një moment shumë pozitiv. Festat e fundvitit i kanë dhënë edhe më shumë gëzim ambjentit tonë. Është pak a shumë e njëjta atmosferë që unë kalova tek Borussia Dortmund. Më gëzon ky fakt, sepse puna e të gjithëve po shpërblehet. Shpresoj që të vazhdojmë kështu deri në fund të kampionatit”, tha Klop.
Muaj janar përkon dhe me hapjen e merkatos dimërore, por tekniku i “The Reds” nuk preferoi të fliste shumë për këtë pjesë. Ai u shpreh i kënaqur me futbollistët që ka në dispozicion, por e la të hapur edhe mundësinë që ndoshta në janar mund te afrohet ndonjë lojtar i ri. Më pak se 4 vite te Çelsi, por Hazard është mes golashënuesve më të mirë. Futbollisti belg i Çelsit, Eden Hazard, ka hyrë në historinë e londinezëve, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të të gjithë kohëve në këtë skuadër.

Liverpool jep “ok” për kalimin e Leiva te Interi

Interi ka që tani në dorë përforcimin e parë të merkatos dimërore. Liverpooli, siç bëjnë të ditur mediat angleze dhe ato italiane, është gati të thotë “Po” për huazimin te zikaltërit të Lucas Leiva, mesfushorit 29-vjeçar nga Brazili. Mbeten për t’u përcaktuar edhe detajet e fundit, por ajo që ka rëndësi është hapja e dritës jeshile nga klubi anglez, miratimi i të cilit konsiderohet tashmë çështje orësh. Lucas Leiva shkon në Milano në huazim me të drejtë blerjeje, por jo të detyrueshme. Tanimë që operacioni të kompletohet pritet vetëm bekimi i kinezëve të Suning me trajnerin Stefano Pioli, që do të ketë shpejt në dispozicion mesfushorin që kërkonte.
Leivas që u transferua te Liverpooli në 2007 nga Gremio, ka qenë pranë Interit dhe në të kaluarën, emri i tij kishte përfunduar në axhendën e merkatos zikaltër, që kur luante në Brazil, ndërkohë që një interesim ka patur edhe kur Interi drejtohej nga Rafa Benitez. Nën menaxhimin e Kia Joorabchiqan, konsulent i Suning, lojtari kishte dhënë miratimin e tij për transferimin në Itali që në ditët e kaluara, dhe për “Po”-në përfundimtare mungonte vetëm miratimi i Jurgen Klopp, trajnerit të Liverpool që në kohët e fundit e ka aktivizuar Lucas Leiva vetëm në minutat e fundit të ndeshjeve, duke e futur nga stoli. Me hapjen e dritës jeshile nga gjermani, për mediat ndërkombëtare transferimi mund të konsiderohet punë e kryer.

Neymar: Nuk luaj futboll për Topin e Artë

Neymar Jr flet për të tashmen dhe të ardhmen në një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të La Ligas në Youtube. Sulmuesi brazilian ka zbuluar objektivat që i ka vendosur vetes për vitin 2017-të, ndërkohë që ka dhënë një mendim edhe për Topin e Artë trofe, të cilin nuk e ka fituar ende në karrierë. Mbi mundësitë që ka Barcelona për të mbrojtur titullin në Spanjë 24-vjeçari nënvizoi se kampionati është ende shumë i gjatë dhe pavarësisht, avantazhit që ka për momentin Reali i Madridit në renditje, katalanasit mund të rikuperojnë terren dhe nëse fitojnë ndeshjet e tyre i kanë të gjithë mundësitë për t’u kurorëzuar sërish kampionë.
Këtë sezon, Neymar po shënon më pak, por yllin e Selecaos nuk e shqetëson shumë ky fakt, pasi objektivi real i sulmuesit është të ndihmojë skuadrën sa më shumë të jetë e mundur qoftë me gola apo asiste. Neymar shtoi gjithashtu në fjalën e tij sa ka një raport shumë të mirë me trajnerin Luis Enrique, ndërkohë që foli edhe mbi ambiciet e tij për të fituar Topin e Artë një ditë”.  Jam shumë i lumtur këtu te Barcelona, sigurisht që ëndërroj të fitoj në të ardhmen Topin e Artë, por nuk është se do të vdes nëse nuk e fitoj atë trofe. Unë nuk luaj futboll për të fituar Topin e Artë, por luaj për të qenë i lumtur, deklaroi në fund 24-vjeçari brazilian.

“Simeone qëndron edhe sezonin tjetër”

Atletico e Madridit blindon Diego Pablo Simeonen. Ditën kur Instituti i Historisë së Statistikave të Futbollit, e shpalli trajnerin më të mirë të vitit 2016, administratori i deleguar i Los Colchoneros, Migueal Angel Gil Marin, deklaroi se El Cholo do të qëndrojë te skuadra madrilene të paktën edhe gjatë sezonit 2017-2018.
“Simeone do të vazhdojë të jetë trajner i Atleticos edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Është prej 5 vitesh në këtë detyrë dhe logjikisht duhet të qëndrojë edhe për disa vite të tjera, sepse ne jemi shumë të kënaqur me punën e tij. Dy dyja palët po rritemi nga ky bashkëpunim, ndaj do të ishte lëvizje e zgjuar që ta vijonim edhe për shumë kohë.
Në fakt ishte vetë El Cholo që në një intervistë të fundit për mediat spanjolle u shpreh se dëshira e tij ishte të vijonte projektin e nisur vite më parë te Atletico. Sipas tij, nuk do të gjente një klub më të mirë se Atletico për të vijuar karrierën”, tha ai.
Venitet në këtë mënyrë ëndrra e tifozëve të Interit, por edhe e klubeve të tjera të mëdha në Europë për të rrëmbyer trajnerin më të mirë të 2016-ës. Atletico do të bëntë gjithçka për të mos u privuar nga një strateg që i ka dhënë një fizionomi unike lojës së “Los Colchoneros” këto 5 vitet e fundit.