31.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Simeone, trajneri më i mirë i vitit

Është Diego Simeone trajneri më i mirë i vitit 2016, të paktën sipas Institutit prestigjioz të Historisë dhe Statistikave të Futbollit. Edhe pse gjatë 12 muajve të fundit, trajneri argjentinas nuk ka arritur të fitojë asgjë nën drejtimin e Atletico Madrid, ai ka bërë një punë kolosale me “Los Colchoneros”, duke grumbulluar 113 pikë, më shumë se askush tjetër. Vendi i dytë i këtij klasifikimi shkon për kundërshtarin e tij, trajnerin e Realit të Madridit, Zinedine Zidane me 108 pikë.
Mesa duket për francezin nuk mjaftoi ai sukses në finalen e UEFA Champions League pikërisht përballë Simeones. As mrekullia e Claudio Ranierit duket se nuk ka ndikuar në votimin e IFFHS që e klasifikon trajnerin italian në vendin e tretë. Drejtuesi i stolit të Leicester regjistroi një arritje të pabesueshme, duke e shpallur skuadrën kampione të Anglisë, por në këtë klasifikim mban vetëm shkallën e fundit të podiumit me 86 pikë. Ndërkohë, Pep Guardiola që është edhe një nga trajnerët më të paguar të botës nuk ka arritur të ngjitet më shumë se vendi i katërt falë titullit të fituar me Bayern Munechen, ndërsa dhjetëshja e parë plotësohet me Unai Emery, Luis Enrique, Jurgen Klopp, Maurizio Pochetino, Massimiliano Alegri dhe trajnerin e afrikano jugorëve të Mamelodi Sundowns, Pitso Mosimane.

Besnik Hasi mbetet pa skuadër

Besnik Hasi vazhdon të kalojë pushimet në Kosovë, në pritje të një sistemimi të ri. Gjakovari është pushim prej disa muajsh, pas shkarkimit nga Legia e Varshavës dhe për momentin, kontaktet e tij me klubet nuk kanë përfunduar pozitivisht.
I fundit ishte ai me Genk, që po kërkonte një trajner të ri pasi largoi nga drejtimi Peter Maes. Klubi filloi negociatat me Hasin dhe ai ishte mes kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e kësaj skuadre në të cilën ka luajtur disa vite gjatë karrierës si futbollist. Presidenti Herbert Huben pranoi për mediat belge se Hasi ishte një alternativë e mirë, pasi “njeh ambientin dhe ka cilësitë e duhura për të drejtuar klubin”.
Por në fund, zgjedhja e Genk ra mbi Albert Stuivenberg, holandezin 46-vjeçar që ka më pak famë, por që njeh mirë nivelet e larta të futbollit botëror, pasi që nga viti 2014 ka qenë krahu i djathtë i Luis van Gal.
Kësisoj, Hasi vazhdon të mbetet në pritje të një kontrate të re, në drejtimin e një klubi apo kombëtareje. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, duken të hapura për një bashkëpunim me trajnerin gjakovar nëse do të krijohet mundësia në të ardhmen. Mbetet të shihet nëse Hasi do të ketë gjetur apo jo një sistemim derisa nga drejtimi i përfaqësueseve do të jenë larguar De Biazi dhe Bunjaki.
Ndërkohë, Granit Xhaka ka bërë paraqitje mbresëlënëse ndaj West Bromwich Albion, ku Arsenali fitoi 1:0. Sipas “OptaJean”, mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, ka kompletuar 134 pasime në sfidën kundër WBA-së, gati sa kompletuan gjithë së bashku skuadra mysafire (166). Këto statistika tregojnë se Xhaka po adaptohet në Premierligë dhe se mund të japë edhe më shumë për “Topçinjtë”.

Shkarkohet Alegri?

A do të jetë Masimiliano Alegri në drejtimin e Juventusit edhe në sezonin 2017-2018? Pyetja është aktuale sipas mediave italiane, që pretendojnë se diçka e tillë po përflitet prej disa javësh në ambientet futbollistike të përtej Adriatikut. Disa janë indiciet kryesore, që nga irritimi i Alegrit pas finales së Superkupës së humbur në Katar ndaj Milanit e deri te pakënaqësitë që ekzistojnë në skuadër me Cuadradon, Mandzukiç e deri te Dybala që ndaj Milanit qëndroi në stol për ndeshjen e katërt radhazi, të gjithë këta lojtarë kanë krijuar rezerva në lidhje me aktivizimin apo dhe një ide sipas të cilës Alegri mendon për t’u transferuar sezonin e ardhshëm te Arsenal. Janë të gjitha pista që ngrihen nga “Gazzetta dello Sport” që zbulon prapaskenat e një dimri të nxehtë për Alegrin e madje duke zbuluar edhe emrat e pasuesve të mundshëm të tij në rast të një lamtumire në fund të sezonit.
Në qershor rrugët e Alegrit dhe klubit bardhezi mund të ndahen dhe për trajnerin një eksperiencë në Angli është një dëshirë e hershme, që mund të konkretizohet në rast të një largimi të Venger nga stoli i Topçinjve të Arsenal. Drejtuesit e Juventusit të vetëdijshëm për rrezikun po përpiqen të hedhin sytë rrotull për të evituar që të paktën të jenë të papërgatitur. Në klubin bardhezi pëlqehet Paulo Sosa, trajneri aktual i Fiorentinës që nuk gëzon më një raport të mirë me klubin vjollcë, por alternativa të planit të dytë janë dhe Di Francesco dhe Jardim i Monaco. Një pistë e huaj çon madje dhe te Diego Simeone. Argjentinasi i Atleticos së Madridit i pëlqen shumë Marottës, por disa herë ka premtuar një rikthim te Interi dhe për këtë arsye duhet parë se si do të shihej nga tifozët bardhezi një zbarkim i tij te Juventusi.
Shpërthimi i tij pas Superkupës së humbur ndaj Milanit (“Do t’i merrja të gjithë me shkelma në prapanicë”), si dhe pakënaqësitë e krijuara brenda skuadrës si në rastet e Kuadrado dhe Mandzukiç apo edhe në mosaktivizimin si titullar të Dibala, kanë bërë që të ngrihen pikëpyetje rreth të ardhmes së trajnerit.
Ndërkaq, nga Anglia shtohen zërat për një interes të Arsenalit, i cili sheh te Alegri pasardhësin e denjë të Venger, me shpresën që të jetë në gjendje të rivalizojë entuziazmin që ka sjellë Konte te Çelsi.
“La Gazzetta dello Sport” dje kishte përpiluar edhe listën e atyre që cilësohen si pasardhësit më të mundshëm të tij në rast largimi, duke filluar nga Paulo Sosa, për të vazhduar me Zhardim dhe Di Françeskon. Ndërkaq, qarkullon edhe emri i Simeones, por duket thuajse e pamundur që ky i fundit të kthehet në Itali për të drejtuar rivalin më të urryer të Interit.

Etrit Berisha në skuadrën më të mirë të Serisë A

Paraqitjet e jashtëzakonshme të Etrit Berishës me Atalantën në këtë sezon kanë bërë bujë jo vetëm në Itali, por edhe në Europë. Forma fantastike e shfaqur nga gardiani shqiptar është shfaqur me një tjetër vlerësim, që këtë herë vjen nga prestigjiozja franceze, “Topmercato.com”. Me pritjet e tij, 27-vjeçari u shndërrua një prej elementëve më të spikatur të bergamaskëve dhe një pikë e fortë në ecurinë surprizë të skuadrës së drejtuar nga tekniku Gasperini.
Për gjithçka shfaqi në fushë, deri në momentin e shqetësimeve në meniskun e gjurit, Etrit Berisha u përfshi në skuadrën më të mirë të gjysmës së parë të sezonit në Serinë A italiane. Në rolin e titullarit në portë sipas “Topmercato.com” është portieri i Romës, Szczesny, ndërsa në formacion janë edhe emra si Bruno Peres, Salah e Edin Dzeko nga verdhekuqtë, Pjanic e Alex Sandro të Juventusit apo edhe Felipe Anderson i Lazio-s dhe Giacomo Bonavenura i Milanit.
Mes rezervave, përkrah portierit kuqezi janë edhe Jose Callejon i Napolit, Iago Falque e Andrea Belotti të Torinos, si edhe sulmuesi i Juventusit, talenti argjentinas, Paulo Dybala. Një vlerësim i jashtëzakonshëm për Etrit Berishën, që u largua nga Lazio prej mungesës së hapësirave dhe gjatë këtij sezoni konfirmoi se është një prej portierëve më të mirë në qarkullim në futbollin italian.

Berisha te Tereku, 1 mln euro pagë në vit

Bernard Berisha është zyrtarisht lojtar i Terek Groznit. Skuadra çeçene, që militon në Premierligën ruse fitoi garën për të siguruar shërbimet e mesfushorit të përfaqësueses së Kosovës. Klubi njoftoi zyrtarisht blerjen e 25-vjeçarit nga Peja. Vendimtare në ankandin e hapur për Berishën ishin shifrat marramendëse të ofruara nga Terek Grozni.
Klubi çeçen, ku militojnë edhe dy kuqezinjtë sulmuesi Bekim Balaj dhe mesfushori Odise Roshi pagoi 2,5 milionë euro te Anji Makhachkala, ndërsa përfitimet janë të rëndësishme edhe për vetë lojtarin. Nga kontrata prej 3 vjetësh e gjysmë, Bernard Berisha do të përfitojë 1 milion euro pagë në sezon, duke e bërë atë një prej lojtarëve më të paguar shqiptarë në qarkullim.
Në ditët në vazhdim, ish-lojtari i Skënderbeut do të udhëtojë edhe personalisht drejt Groznit, për të hedhur firmën në kontratë, ndërsa në mesin e muajit janar do të nisë fazën përgatitore me skuadrën e re. Bernard Berisha u transferua në elitën e futbollit rus vetëm një vit më parë, me Anji-n që pagoi 600 mijë euro te kampionët e Shqipërisë. Pas paraqitjeve të shkëlqyera me skuadrën, ai tërhoqi vëmendjen e mjaft klubeve, ku në garë për shërbimet e lojtarit ishte edhe një emër i rëndësishëm si Zenit Shën Petërsburgu.

Mavraj lojtar i Hamburgut

Tashmë është zyrtare. Mërgim Mavraj është një futbollist i Hamburgut. Klubi gjerman bëri të ditur firmën me qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare që ka nënshkruar një kontratë deri më 30 qershor të vitit 2019 me skuadrën e tij të re. Edhe pse detajet financiare në njoftimin zyrtar nuk bëhen të ditura, mediat gjermane njoftojnë se për kartonin e Mavrajt Hamburgu ka derdhur 1.8 milionë euro në arkat e Këlnit. Në faqen e tij zyrtare Hamburgu prezanton me krenari Mavrajn duke evidentuar se mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka luajtur gjithë ndeshjet e Këlnit si titullar këtë sezon, duke përcjellë edhe një intervistë të gjatë dhe mjaft interesante të Mavrajt që fillimisht shpjegon arsyet përse zgjodhi Hamburgun me fjalët.
“Për shumë njerëz ky ndryshime ishte një surprizë, por situata me kontratën në skadencë te Këlni dhe interesi i madh që shprehën trajneri dhe drejtuesit e Hamburgut ndikuan që të bëj këtë hap. U ndjeva i vlerësuar kur dëgjova për interesimin e Hamburgut dhe pata biseda mjaft interesante me trajnerin Markus Gisdol dhe drejtorin sportiv, Dietmar Beiersdofer. Për mua ana njerëzore është shumë e rëndësishme, pasi dua të mbahem mend jo vetëm si një lojtar i mirë, por edhe si një njeri i mirë. Është ndjesi e këndshme të ndiesh këtë besim dhe Hamburgu është një klub i madh me tifozë të mrekullueshëm. Për shumë lojtarë është një ëndërr të luash në këtë klub”, u shpreh Mavraj.
Hamburgu është një ndër klubet me më shumë histori në Gjermani, i vetmi që luan në Bundesliga që nga krijimi i saj dhe misioni i Mavrajt për të ndihmuar skuadrën drejt mbijetesës duket se i përshtatet më së miri edhe karakteristikave të tij, siç deklaron vetë mbrojtësi.
“Do të përpiqem me gjithë forcat të mbështes skuadrën duke kontribuar me eksperiencën time. Dua që t’i shfaq vlerat e mia në fushë që nga janari. Unë dua të marr përgjegjësitë dhe të identifikohem me këtë mision. Unë nuk dorëzohem kurrë, nuk trembem përballë asnjë misioni. Si një mbrojtës përpiqem të kem balancë pasi duhet të jesh i fortë për të ndalur lojtarët më të mirë të kundërshtarit, por njëkohësisht edhe të pasosh mirë”, tha ai.
Mavraj dëshiron të integrohet sa më shpejt te Hamburgu ku siç shprehet njeh shumë lojtarë me të cilët ka luajtur në të kaluarën, ndërkohë që është i bindur se skuadra ka potencialin për të qëndruar si gjithmonë mes më të mirëve të futbollit gjerman duke garantuar padyshim maksimumin.

Ndalet rënia e euros

Monedha e përbashkët njohu javën e shkuar nivelet më të ulëta që nga viti 2009. Dje, monedha europiane u këmbye me 134.54 lekë, duke shënuar rritje me 0.1 lekë.
Sipas aktorëve të tregut zhvlerësimi i euros është i pritshëm në këtë periudhë, pasi ardhja e emigrantëve shoqërohet dhe me një ofertë të shtuar për monedhën e përbashkët në treg.
Ekspertët e tregut kishin parashikuar se rënia do të vazhdonte edhe gjatë kësaj jave për disa arsye:
– Së pari, janë shtuar flukset e emigrantëve që kthehen në shtëpi për festat e fundvitit;
– Së dyti, më datë 20, kompanitë paguajnë sigurimet dhe për këtë arsye këmbejnë valutë. Këtë vit, ndikim të ndjeshëm po jep dhe gazsjellësi TAP. Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se përgjithësisht në datën 20, euro arrin nivelin më të ulët të muajit, për ta marrë veten lehtë më vonë.
– Së treti, edhe Banka e Shqipërisë këtë vit ka konstatuar që ka euro me tepri në treg, çka po bën që monedha e përbashkët të jetë e dobët. Vlerësohet se hyrja e euros ka ardhur dhe nga kanale informale, kryesisht hashashi.
Ndonëse këto janë faktorë që ndikojnë gjithmonë, sjellja e euros këtë vit është jashtë normalitetit të viteve të fundit, ku ndonëse dollari forcohej në bursat ndërkombëtare, euro mbetej e fortë tek ne dhe ndryshimi i kursit reflektohej përmes mbiçmimit të monedhës së gjelbër.
Euroja, në tregjet ndërkombëtare, ka njohur një vit të dobët përkundrejt dollarit, thuajse duke u barazuar me të.

Bashkia e Tiranës në krye për lejet e ndërtimit

Biznesi i ndërtimit është para një periudhe rritjeje për shkak se numri i lejeve të dhëna në nëntëmujorin e këtij viti është rritur me 146 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT lejet e ndërtimit të dhëna në të gjithë vendin për periudhën janar-shtator 2016 ishin 308 nga vetëm 125 të tilla që ishin dhënë në 9-mujorin e 2015.
Numrin më të madh të lejeve e ka dhënë Tirana. Vetëm gjatë këtij viti në kryeqytet u dhanë 65 leje, të cilat zunë 21 për qind të totalit të lejeve të dhëna këtë vit.
Qyteti i Beratit vjen i dyti në radhë për nga numri i lejeve të reja. Gjatë 9-mujorit u dhanë 45 leje ose 13 për qind të totalit.
Elbasani, Lezha dhe Shkodra gjithashtu dhanë një numër të madh lejesh në krahasim me qytetet e tjera.
Vetëm në tremujorin e tretë 2016 janë miratuar gjithsej 145 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 75.321 metër katrorë.
Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 67,6% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 32,4%.
Por megjithë këto zhvillime sektori i ndërtimit thelloi më tej tendencën ngadalësuese të rritjes në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e shtuar e ndërtimit shënoi një rritje vjetore me 1.8%, pas rritjes me 8.1% në tremujorin e parë të vitit. Ritmet më të zbutura të ecurisë së sektorit u ndikuan nga rënia e kontributit të komponentit publik, si dhe nga efekti statistikor i krahasimit me një bazë të lartë një vit më parë.
Ndërkohë, rritja e fluksit të investimeve të huaja direkte në tremujorin e dytë ndihmoi rritjen e sektorit. Rezultatet e vrojtimeve për tremujorin e tretë – rritja e treguesit të besimit dhe e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve – sugjerojnë për përmirësim të ecurisë së aktivitetit ndërtues.

Goditje tjetër biznesit me pagën

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka pohuar dje në daljen e fundvitit për mediat se paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore do të rritet në 23 mijë lekë ose 24 mijë lekë, kjo nuk është vendosur akoma.
Deklarata e djeshme është e kundërt me atë të tetorit, ku ministri i Financave tha se paga minimale për bizneset nuk do të rritej, por vetëm ajo për shtetin do të arrinte në 30 mijë lekë.
Ndonëse bizneset janë ankuar se rritja e pagës minimale e palidhur me produktivitetin do t’i dëmtojë ata, Ahmetaj tha se niveli i ndryshimit është i vogël dhe nuk pritet të ndikojë në konkurrueshmërinë e bizneseve.
Aktualisht paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore është 22 mijë lekë dhe prej tre vitesh qëndron e pandryshuar.
Rritja e pagës minimale sjell automatikisht dhe atë të pagës maksimale, por rregulli që paga maksimale është sa pesëfishi i asaj minimale është prishur që prej dy vitesh. Aktualisht paga maksimale për efekt kontributesh është 97,030 lekë.
Biznesi, ekspertët e sindikalistët ndajnë mendime të ndryshme rreth rritjes së pagës minimale.
Sipërmarrjet janë kundër. Me rritjen e pagës minimale, në kushtet kur ajo nuk është e lidhur me produktivitetin, bizneset pohojnë se do të përballen me kosto më të larta e që mund ta reflektojnë këtë te çmimet. Apo, më keq, siç thonë edhe vetë sipërmarrësit, mund të nxisë, me dëshirë, informalitetin. Florjan Zekja, drejtues i një biznesi fason, thotë se, “rritja e pagës minimale për sektorin tonë do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi”.
Edhe Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, thotë se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. “Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jokonkurrues”, thotë z. Liqejza.
Në anën tjetër, sindikatat kanë kërkuar rritje të pagës minimale. Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë thotë se ata kanë miratuar një rezolutë, e cila iu drejtua strukturave qeverisëse dhe vendimmarrjes politike, duke kërkuar një rritje të pagës minimale në masën 30%.

Shqiptarët më të ekspozuarit nga rreziqet në punë

Punonjësit shqiptarë kanë shprehur ankesat më të mëdha për problemet që u vijnë nga qëndrimi i keq në punë, në një anketim për kushtet e punës të kryer nga Komisioni Europian me vendet e BE-së dhe ato kandidate për vitin 2015.
Indeksi i rreziqeve të lidhura me qëndrimin (ergonomik) mat ekspozimin ndaj dridhjeve, pozicioneve të lodhshme, mbajtjes së peshave dhe lëvizjeve të përsëritura. Këto janë rreziqet më dominuese në Europë dhe përfshijnë risqe që mund të luajnë një rol në ankesat në vendin e punës dhe sëmundjet e lidhura me muskujt e kockat. Shqipëria e ka këtë indeks mbi 30 (nga 0 në 100, ku sa më i lartë aq më negativ), ndërsa më mirë paraqiten Irlanda dhe Republika Çeke, që e kanë këtë tregues nën 20.
Edhe rreziqet ambientale (vibrimet, zhurma, temperaturat e ulëta e të larta dhe kushtet specifike në industri, ndërtim e bujqësi), Shqipëria i ka ndër më të lartat, pas Turqisë dhe Maqedonisë, ndërsa është në mesataren e BE-së për rreziqet biologjike dhe kimike (vendi nuk e ka të zhvilluar industrinë, por është i mbështetur kryesisht te shërbimet).
Komisioni ka matur edhe indeksin e mjedisit fizik, që ka 13 tregues që lidhen me problemet fizike, si për shembull, vibrimet nga makineritë, zhurmat, temperaturat e larta, tymi, kontaktet e lëkurës me materiale kimike apo produkte që mund të jenë infektuese, pirja e duhanit nga të tjerët, lodhje ose pozicione të dhembshme.
Edhe në këtë indeks, Shqipëria renditet e dyta më negativja në Europë (indeksi është 76, i matur nga 0 në 100, ku sa më i lartë, aq më mirë), pas Turqisë.
Në Europë, shtetet që e kanë më mirë indeksin e mjedisit fizik janë Republika Çeke, Italia e Holanda.
Nga shtetet e rajonit, Maqedonia ka një pozicionim të ngjashëm me Shqipërinë, ndërsa më mirë për kushtet e punës paraqitet Serbia.
Sipas gjetjeve të raportit për të gjitha vendet e marra në shqyrtim, në përgjithësi, ndërtimi tregon ekspozimin më të lartë të raportuar nga të gjithë llojet e rrezikut, ndërkohë që shërbimet financiare e kanë më të ulët.
Ekspozimi i lartë ndaj rreziqeve të lidhura me qëndrimin është raportuar në sektorët e ndërtimit, bujqësisë, industrisë, transportit dhe shëndetësore. Rreziqet e ambientit, veçanërisht në lidhje me temperaturat, janë të lidhura me të punuarit jashtë dhe kjo është gjendja e shumë punëtorëve në ndërtim dhe bujqësi. Në bujqësi, 54% e punëtorëve janë të ekspozuar ndaj temperaturave shumë të ulëta dhe temperaturave shumë të larta; shifrat e krahasueshme për ndërtimin janë 52% dhe 48%, respektivisht. Sektorët me një nivel të lartë të rrezikut biologjik dhe kimik janë ata të industrisë, shëndetësisë dhe bujqësisë. Në sektorin e shëndetësisë, rreziku kryesor është kontakti i drejtpërdrejtë me materiale infektive (50% e punëtorëve), ndërsa në industri, thithja e tymit, pluhurit dhe trajtimi apo kontakti me produkte kimike janë rreziqet më të përhapura, 31% dhe 24% respektivisht.