37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Qeveria e re në Maqedoni dhe skenari tjetër i zgjedhjeve

Rezultati i ngushtë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, i konfirmuar edhe në rivotimin e së dielës, e ka bërë si asnjëherë më të paqartë formimin e shumicës parlamentare dhe të kabinetit të ri qeveritar.
Në bazë të Kushtetutës, konstituimi i përbërjes së re parlamentare duhet të bëhet më së voni 20 ditë nga zgjedhjet apo deri më 31 dhjetor.
Pas konstituimit, kreu i shtetit duhet t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re partisë me më shumë deputetë, që në këtë rast është VMRO-ja e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, me 51 mandate, por në rast të mosarritjes së formimit të shumicës parlamentare, mandati në bazë të Kushtetutës i jepet partisë së dytë, që është LSDM-ja me 49 deputetë. Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, mandatin mund ta fitojë edhe ndonjë parti e tretë, në rast se arrin të bëjë shumicën në Kuvend.
“Mund të ndodhë që partia, e cila ka fituar 51 deputetë të mos mund të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë së re. Por, edhe anasjelltas, mund të ndodhë që ndonjë parti më e vogël, nuk do të thotë që kjo të jetë LSDM-ja, pra, mundet ndonjë tjetër parti që përmes bisedimeve me partitë e tjera, në bazë të programit të saj, të formojë shumicë në Kuvend dhe të marrë mandatin për formimin e qeverisë”, thotë Svetomir Shkariç, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Shkupit.
Partitë, nga ana tjetër, në veçanti VMRO-DPMNE-ja vazhdon të heshtë lidhur me kombinimet e mundshme apo nëse ka nisur negociatat për formimin e shumicës së re.
Ndërsa LSDM-ja mbetet në qëndrimin se qeverinë nuk do të mund ta formojë, Nikolla Gruevski.
Ndërkohë, zhvillime më dinamike ka në bllokun shqiptar, i cili po tenton të harmonizojë qëndrimet për një platformë të përbashkët. Por, thirrjes së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, partia e të cilit ka fituar 10 deputetë, i është përgjigjur vetëm se “Aleanca për Shqiptarët” me tre deputetë, ndërsa Lëvizja BESA që ka 5 deputetë nuk ka pranuar të jetë pjesë e bisedimeve me arsyetimin se nuk negocion me partitë që nuk kanë legjitimitetin apo zyrtarë të saj janë nën hetime nga Prokuroria Speciale.
Kurse PDSH-ja që ka dy deputetë, nuk bën pjesë në kombinime për shkak të zhvillimeve të brendshme pas dorëheqjes së kreut të saj, Menduh Thaçi.
Sefer Tahiri, analist dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore thotë se partitë shqiptare është mirë të bisedojnë, por jo edhe të bëjnë garë se cila do të jetë pjesë e qeverisë së re.
“Partitë politike shqiptare, vlerësoj se duhet të jenë më të rezervuara në kuptimin që të presin ofertën politike nga pala maqedonase dhe jo të bëjnë garë, edhe pse ajo është e heshtur, se cila prej tyre e para do të futet në qeveri me VMRO-në. Megjithatë unë vlerësoj se disponimi i elektoratit shqiptar ishte i qartë, andaj edhe partitë duhet të kalkulojnë nëse do të futen me këtë parti, e cila u ndëshkua me votë nga shqiptarët”, thotë Tahiri.
Pavarësisht lëvizjeve në bllokun shqiptar, Tahiri vlerëson se dy partitë maqedonase VMRO dhe LSDM do ta kenë shumë të vështirë të formojnë qeverinë. VMRO, sipas tij, do ta ketë të vështirë të pranojë kushtet që mund të vendosen nga shqiptarët, si për gjuhën, përfaqësimin, buxhetin, çmontimin e proceseve gjyqësore, Prokurorinë Speciale dhe drejtimin e ndonjërit nga tre postet kryesore në shtet.
Ndërsa edhe LSDM-ja, vijon Tahiri, do të bënte precedentë nëse do të hynte të drejtonte qeverinë, pasi realisht në bazë të mandateve të fituara nuk e ka legjitimin e plotë për formimin e shumicës së re.
“E gjithë kjo situatë, vlerësoj se e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat do të rezultonin me formimin e një shumice të re parlamentare më stabël”, thekson Tahiri.
Qeveria e re duhet të formohet më së voni 20 ditë pas dorëzimit të mandatit nga kreu i shtetit, por nëse asnjëra parti politike nuk arrin këtë ta bëjë, atëherë presidenti shpall zgjedhje të reja parlamentare.

Rama penalizon shqiptarët për koncesionarët e makinave

Nëntor 2013. Rilindja sapo kish marrë pushtetin dhe hapësirat e vjedhjes ishin të pafundme… Kishte hapësira për të vjedhur në energji, taksa, shëndetësi, miniera, bujqësi, turizëm, rilindje urbane, naftë e gaz… Sipas një plani të detajuar step by step që vetëm një mendje djallëzore dhe makute di ta sajojë, se ku do i godisnin më shumë shqiptarët. Çfarë duhet bërë në këtë vend, që brenda një mandati të shterin të gjitha resurset e këtij vendi, t’i shterin të gjitha fuqitë e këtij populli. Para zgjedhjeve Rama kish bërë një kontratë të pashkruar me të gjithë ata që Rilindjen e shikonin si mjet për të marrë dhe ndarë fitime. Por ishte ende herët. Më 6 nëntor 2011, do të sajohej një seancë dëgjimore me koncesionarët e makinave ku ata kërkonin të ndalohej importi i makinave të para 2010. Si biznesmenë ata janë në të drejtën e tyre të kërkojnë hapësira për përfitime, por sistemi prandaj krijon qeveri që të garantojë të drejta të barabarta për të gjithë. Nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese (komisioni që merret me të gjitha pisllëqet e rënda të udhëzuara nga Rama dhe përgatitura nga Ahmetaj) doli me konkluzionin se shqiptarët nuk janë të varfër dhe mund të blejnë makina të fundit, ose pas vititi 2010, gjë që mesa duket pas 3 viteve të “shkëlqyera” të qeverisjes rilindase po bëhet realitet. Nuk e bëjnë as vende të mëdha si Gjermania, Franca apo Italia. Nuk e bën as Amerika e Kanadaja, por e bën Shqipëria. E gjitha kjo nën moton e “mbrojtjes së mjedisit”.

Shembulli i Evropës

Në internet ka shumë faqe, të cilat shesin makina të përdorura. Mund ta blesh në Gjermani e ta përdorësh në Belgjikë dhe nga Franca në Spanjë ose anasjelltas. Autoscout, Mobile de apo Cars, site amerikane që njoftojnë shitjen e makinave të të gjitha viteve, natyrisht sa më e vjetër të jetë aq më i ulët është çmimi. Ka dhe makina të vjetra të viteve 1970, të cilat blihen nga koleksionistët dhe kanë një çmim mjaft të kripur. Askush nga shtetet e mëdha të Evropës, Amerikës apo deri në Australi nuk të ndalon të importosh makina nga jashtë sado e vjetër të jetë, mjafton që të plotësojë kriteret e ndotjes së ambientit. Por çudirat ndodhin vetëm në “shtetin” e Rilindjes, ku njerëzit detyrohen të marrin makina të reja, pas vitit 2010, të cilat nuk i gjen poshtë çmimeve të 8 mijë eurove në origjinë. Llogaria është bërë saktë. Për të marrë një makinë të 2010, fjala vjen në Gjermani e para duhet të llogarisësh biletën e avionit në vajtje, ditët sa do të qëndrosh atje derisa të kryesh procedurat e dokumentacionit, kthimin që kërkon të paktën dy ditë dhe këtu përfshihen dhe ndalesat, karburanti etj. Shtoi më pas dhe doganën, nja 2 mijë euro, plotësimin e dokumentacionit shqiptar me nja 500 apo 600 euro të tjera, në rast se kërkon të kursesh karburant dhe mendon t’i vendosësh impiant gazi duhet të llogaritësh dhe nja 850-900 euro të tjera, një llogari që shkon rrumbullak dikur te 11 apo 12 mijë euro. Në këto kushte për të hequr andrallat një individ që ka ndërmend të marrë një makinë të tillë, më mirë i drejtohet koncesionarit, ku mund të gjesh makina në 12-13 mijë euro. Natyrisht duhet të heqësh dorë nga modeli jot i preferuar ose nga opsionet që mund të gjeje me të njëjtin çmim ose dhe shumë më pak me një makinë tjetër të përdorur të vitit 2004 apo 2005 që mund ta merrje në gjendje shumë të mirë dhe shumë herë më lirë se një makinë e 5 apo gjashtë viteve më pas….

Përdorimi i makinave

Shqiptarët nuk janë si gjithë të tjerët… Në përgjithësi janë një popull i varfër, që llogarisin çdo centez për të jetuar. Në jetën e përditshme, kur nuk funksionon thuajse asnjë transport publik, makina është bërë domosdoshmëri. Përdoret për të shkuar në punë, për të dërguar fëmijët në kopshte dhe në çerdhe, përdoret nga zanatçinjtë, që ropaten për një shpërblim mjeran, përdoret nga bujqit për të nxjerrë prodhimin në treg, pra përdoret për mbijetesë. Sipas statistikave në vendin tonë importohen rreth 50 mijë makina… Tregu i automjeteve të përdorura është gjetur si një zgjidhje efikase për atë pjesë të popullsisë me të ardhura të pakta. Atëherë pse ndodh, që qeveria të fusë një ligj të tillë, i cili do ja ngrejë ndjeshëm koston e jetës qytetarëve të saj. Natyrisht shpjegimi është vetëm një, klientelizmi. Edi Rama nuk mund t’i kënaqë me fondet buxhetore të gjithë koncesionarët për nevojat e ministrive dhe Kryeministrisë. Atëherë zgjidhja gjendet tek xhepat e qytetarëve, duke i detyruar ata me ligj të blejnë tek ata, një skemë mafioze monopoli, e fundmja që kish mbetur ndoshta nga tregtia e lirë.

Ligji godet dhe tregtarët e vegjël

Por nga ky ligj nuk goditen vetëm ata që kërkojnë të ndërrojnë makinën e tyre fjala vjen të vitit 2003, me një makinë të të njëjtit tip të dy apo tri viteve më vonë. Nga ky vendim arbitrar goditen dhe ata që sigurojnë të ardhurat e tyre me tregtinë e makinave. E kujt do i leverdiste më të sillte makina nga jashtë që kushtojnë 12 deri në 13 mijë euro apo 20 mijë euro në një vend ku paga mesatare është 300 euro? Pra, vendimi është marrë për një kastë të caktuar njerëzish, me ndihmën e qeverisë që fshihet pas ndotjes së ambientit. E njëjta qeveri, e cila ka bërë monopol kolaudimin e makinave dhe automjetet kalojnë sipas oreksit të atyre që fusin katalizatorët e marmitave. Një herë detyrohen t’i blejnë katalizatorët makinat e naftës dhe më pas makinat e benzinës. Në rast se qeveria Rama do të mbahet mend për diçka, ajo është vetëm puna në favor të një grushti klientësh që kanë shtrirë monopolin e tyre në gjithçka, në bazë të një skeme të mirëmenduar, e cila u fsheh pas premtimeve për 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, taksat më të ulëta, ulje e TVSH për energjinë, ndalim të importit të plehrave e kështu me radhë. Në fund të mandatit të tij, u kujtua se pa u taksuar kish mbetur vetëm gazi, të cilin e rriti arbitrarisht në favor të klientëve me 80 lekë, tashmë i kanë mbetur dhe makinat, të cilat pas 1 janarit duhet t’i blejmë vetëm në koncesionar sepse aty janë fitimet e Rilindjes.

Taksa të reja 30 mijë e 1 milion lekë në faturën e ujit

Qeveria ka miratuar dy tarifa të reja që do të paguajnë familjarët dhe bizneset për përdorimin e ujit. Njëra tarifë që varion nga 1500 lekë për familjarët deri në 3000 lekë për bizneset do të paguhet ndaj Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit dhe tjetra tarifë që varion nga 5500 lekë deri në 100 mijë lekë do të paguhet ndaj Këshillit Kombëtar të Ujit dhe paguhet një herë në momentin që bëhet aplikimi për përdorimin e ujit.
Tarifat janë të ndryshme në varësi të aktivitetit të biznesit dhe janë propozuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Sipas arsyetimit të qeverisë tarifat e reja do të përdoren për të mbuluar shpenzimet administrative të enteve dhe sekretariateve që bëjnë politikat e sektorit.
Tarifat e aplikimit për pajisjen me autorizim për përdorim burimi ujor, shkon për funksionimin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit dhe në Agjencinë e Basenit Ujor.
Tarifat e miratimit të autorizimit për përdorim burimi ujor vilet nga Këshilli Kombëtar i Ujit dhe Këshilli i Basenit Ujor.
Të ardhurat e mbledhura nga tarifat e përcaktuara në këtë vendim derdhen në buxhetin e shtetit.
Menaxhimi i ujit është duke kaluar një tranzicion për shkak të transferimit të kompetencave nga pushteti qendror tek ai lokal.
Në rikonceptimin e rolit, përgjegjësive dhe funksioneve të Bordeve të Kullimit. Edhe emërtimi i tyre propozohet të ndryshojë në “Drejtori të Ujitjes dhe Kullimit”.
Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU), nëpërmjet Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit, do të jetë përgjegjëse për operimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës kryesore që përfshin disa rezervuarë të mëdhenj të ujitjes, kanaleve kryesore ujitës dhe kullues, kanalet e ujërave të larta, stacioneve të pompimit për kullim (hidrovoret) dhe argjinaturat lumore e detare për mbrojtjen nga përmbytjet.
Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore, por për shkak të relievit të thyer, gjysma e ujit për ujitje sigurohet nga rezervuarët artificialë.

Kërkesa për rritjen e çmimit të ujit

Çmimi i ujit të pijshëm mund të rritet në 12 bashki të vendit, kjo pasi 12 ndërmarrje ujësjellësi kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për ndryshim tarifash. Ky Ent deri më tani ka miratuar vetëm njërën prej tyre, të Ujësjellësit të Korçës, ku çmimi nga 65 lekë/m3 që është aktualisht të ndryshojë në 72 lekë/m3 për konsumatorët familjarë.
Ndërsa për bashkitë e tjera vendimi i ERRU për kërkesat e tyre të shpallet në muajin mars 2015. “Në vitin 2014 kanë paraqitur kërkesën për ndryshimin e tarifave 12 operatorë. Secili prej tyre kryen aktivitetin e tij sipas licencave të dhëna nga Enti Rregullator për shërbimet ujësjellës dhe kanalizime. Vetëm dy shoqëri nga këto 12 kryejnë shërbimin e furnizimit me ujë, të tjerat dhe ujë dhe kanalizime”, sqaron Ana Metohu, përgjegjëse e sektorit Ekonomik dhe Monitorimit, ERRU.
Por jo vetëm tarifat e ujit të pijshëm për familjarë kërkohen të ndryshojnë, por edhe për klientët buxhetorë dhe privatë, si dhe për ujërat e ndotur, kanalizimet. “Aktualisht procesi është në hapat e fundit për sh.a Ujësjellës Korçë, proces i cili tani ka përfunduar, është shqyrtuar në komision, është çuar vendimi pranë operatorit dhe pushtetit vendor, se kështu është procedura, pritet 14 ditë pas kësaj dhe jepet vendimi. Brenda janarit ne do të kemi një vendim për sh.a Ujësjellës Korçë”, vijon Metohu.
Nga këto 12 bashki, 2 prej tyre aplikojnë për herë të parë për ndryshim tarife, ndërsa të tjerat kanë bërë kërkesë edhe në vitet e kaluara. “Komisioni Kombëtar Rregullator e vendos tarifën duke bërë një proces vlerësimi të këtij aplikimi, që do të thotë që vlerësohen kostot e shërbimit, treguesit kryesorë të performancës të shoqërisë, po dhe përballueshmëria e këtyre tarifave nga konsumatorët. Duke bërë një balancë midis asaj që kërkohet për të rritur qëndrueshmërinë financiare të operatorit dhe mbrojtjes së konsumatorit komisioni këtu ka detyrën kryesore dhe i merr parasysh të gjitha këto faktorë që ndikojnë në ndryshimin e tarifave”, vijon Metohu.
Ajo bën të ditur se shumë qytetarë janë ankuar pranë ERRU për mbifaturim të ujit të pijshëm, si dhe për faturim aforfe. Sipas saj, faturimi në rastet e mungesës së matësit, bëhet me një normativë prej 150 letra/frymë në ditë.

Bujar Lako: Rrëzimi i diktaturës, detyrim

“Droga” e Bujar Lakos…

Mitro ÇELA

– Në qershor të vitit 2001 isha pjesë e ekipit elektoral të Bujar Lakos. Kandidat për deputet në Tiranë. Në atë mot botova një haber. Po e ribotoj në shenjë respekti për aktorin dhe mikun tim të vjetër –
U ulëm ballë për ballë në lokalin e Arian Verzivollit. Në fillim nxora bllokun. Anash vendosa stilokalemin. (Pas katër orësh as bllokun e hapa e as penën nuk e “ngjeva”.) Kur kamerieri solli kafen, i hodha një vështrim “vjedhurazi” aktorit. Nuk di pse m’u kujtua Miterani. Pasi la fronë e Presidentit të Francës në vitin 1995, një gazetar e pyeti: Mos vallë vetmia është pasioni juaj?
Miterani:- Secili ka drogën e vet. Droga ime është heshtja. Unë e dua heshtjen. Por edhe kam frikë nga ajo. Por pa heshtjen, unë do të humbisja atë ndjesi të hollë që të lejon të komunikosh me shpirtërat e gjërave.
Sa herë që kam parë ndonjë film ku ka luajtur Bujari, kam menduar: Një nga sekretet e suksesit të tij në kinematografi, është heshtja, dialogu i brendshëm! Sikur ta nis këtu intervistën?
Unë: – Je rregullur me shtëpi? (Ndryshe mendova dhe tjetër pyeta!?)
Bujari:- Jam ngushtë! Këto ditë po bëj ca riparime në shtëpi. Më dha “kredi” një miku im, sepse bankat i kanë të mbyllura sportelet për artistët…
Pauz…Ndjeva një sëkëlldi për të vazhduar më tej. Kur unë isha vetëm gazetar, kisha një dhomë e një guzhinë. Kur u bëra deputet, qeveria më dha kredi për të marrë tre dhoma e një guzhinë… Instiktivisht hapa fletë-palosjen. Nisa të lexoj:
Artist i Merituar…Medalja “N.Frashëri kl.I-rë. Kupa e Festivali të Filmit. Çmim i veçantë… Por fjalë e mirë e gurë në trastë! Një ndër 3-4 aktorët më të mirë të vendit, por pa shtëpi! Fushatën e bën me makinë që ka për pronar një nga “fansat” e tij…Një mik nga Zvicra i ka falur një celular…Në vitin 1994 ka interpretuar me regjizorë francezë dy filma artistikë…Ka një djalë 26 vjeç, Bojkenin…
Unë:- Kryeministri thotë se rrogat janë ngritur në çdo skaj të Shqipërisë. Aktorët kanë rroga të larta?
Bujari:- Çthua? Me rrogën time mujore nuk mund të blej as një palë këpucë për veten dhe Mirën (Gruaja). Por është e habitshme: Aktori i “ngopur” me botën e madhe të artit dhe i lënë në varfëri nga politika, i duket “herezi” në qoftë se dikush propozon që rroga mund të pesë fishohet…Po të tregoj një histori…
…Kryeministër ishte Majko. Rama kishte nakatosur një projektligj për teatrin. “Na duhet ky ligj, më tha një ditë ish-ministri tek kafe Fideli, sepse ka rrezik të digjet godina e teatrit dhe do të na marri historia!” E pashë në dritë të syrit. E pikasa: Nuk e kishte hallin tek djegia e teatrit, por tek “flaka” që mund të binte mbi fitimet, duke e dhënë me qira një pjesë të godinës… (Siç e dha)…Dhe është për të vënë kujën! Për të shkuar në Teatrin Popullor duhet të kalosh mes dy rripave të ngushtë, sepse sheshin e ka zënë Ministria e Rendit. (Nuk e zuri as ministria e Enverit!) Për t’u futur në sallë, duhet të kalosh në një portë të ngushtë, në “kurriz” të godinës! Hyrjen kryesore e ka zënë një Klub Nate…
…E bëra tërkuzë muhabetin…Projektligji i revoltoi aktorët. Një përfaqësi kërkoi takim me kryeministrin. Më morën edhe mua me vete. Kur më erdhi radha, veç të tjerash, i thashë kryeministrit: Rroga e aktorëve të aftë duhet të jetë të paktën 50 mijë lekë…Kur dolëm jashtë, një miku im më bëri vërejtje: Kërkove rrogë të madhe!?

-Të ka bërë njeri vërejtje: Pse kandidove për PD-në?
Nuk të kuptoj ku do të dalësh! Së pari, vendimet i marr si Bujar. E shumta konsultohem me familjen. Nuk është e thënë që të gjithë miqtë të më bëjnë “hosona” për vendimin tim për të kandiduar si deputet. Por askujt nuk do t’i lejoja të më bënte vërejtje, sepse edhe unë nuk ja kam lejuar vetes këtë “luks” për vendimet që kanë marrë miqtë dhe shokët e mi. E dyta, unë nuk shkoj në Parlament për Sali Berishën. Bindjet e mia janë të djathta. “Uni” im më shtyn të konkuroj si deputet, sepse mendoj që mund të ndihmoj në përparimin e artit dhe kulturës. Së treti, salla e Kuvendit Popullor, kurrë nuk mund të më zëvendësojë skenën e teatrit dhe kinematografinë. Unë mund të bëhem e shumta politikan amator, por të siguroj se do të mbetem aktor profesionist. Duke konkuruar këto ditë për deputet, nuk kam lënë jashtë vëmendjes disa oferta që më janë bërë si aktor…

– Pse nuk jep intervista në televizion, siç bëjnë shumica e politikanëve, gjatë fushatës elektorale?
Ekranin e kam të shenjtë! E “përdor” vetëm për artin tim…

– Kush të uroi i pari kur shpalle kandidaturën për deputet?
Dy miqtë e mi më të ngushtë: Robert Ndrenika dhe Timo Floko. U befasova kur më mori në telefon Timua nga Amerika. I thashë: Nga të erdhi lajmi kaq shpejt?… Është e vogël bota, – më tha,- për të marrë vesh lajmet e mira!…Nuk di se çfarë mendon, atje në Përmet, miku im më i mirë Laver Bariu, Mjeshtri i Madh që më mësoi të “luaja” në klarinetë, kur xhironim në Berat filmin “Gjeneral gramafoni”…

– Në këto 10 vjet shumë aktorë u bënë baballarë të Kombit. Për fat të keq, asnjeri nuk la gjurmë në Parlament. Ti pse guxon të kandidosh?
Nuk mund të paragjykoj miqtë e mi që u bënë deputetë. Unë them se mund të bëj më shumë, sepse i bëj llogaritë duke pasur në krah “ajkën” e intelektualëve: Mimoza Ahmetin, Visar Zhitin, Besnik Mustafain, Bardhyl London etj. Do të mjaftonte vetëm ky “ekip” për të bërë të paktën ligje moderne për teatrin, kinematografik, për kulturën në përgjithësi!

– Qarkullon një thashemnajë: Ka deputetë që shkojnë në Parlement për t’u pasuruar! Mos mendon edhe t’i të pasurohesh me “xhuben” e deputetit?
Në qoftë se në Parlament bëhet korrupsion, unë nuk jam i zoti, sepse për punëra të paudha kam lepurin në bark, si i thonë fjalës. Sa e ka rrogën deputeti?…90 mijë lekë!…Kam një ofertë për të luajtur në një film. Më kanë ofruar gjysëm milionë lekë…E barabartë me rrogën gjashtë mujore të deputetit! Mund të të pyes: Ke ndonjë ide se si mund të dalin artistët nga varfëria dhe mjerimi?
Unë:- Në ekonominë e tregut, po të flasim me gjuhën e matematikës, shancet janë infinit (Pa fund). Por për fat të keq “shanset” janë në duart e qeveritarëve. Ta nisim nga strehimi i artistëve. Mund të zgjidhet me kredi. Nuk ka para, mund të thotë ndonjë meritokrat. Na pengon FMN-ja mund të shtoi ministri i Financave. Unë pyes: Ku u gjetën paratë për të marrë kredi, në këto 10 vite, rreth 400 deputetë!? Pse nuk “shqetësohet” FMN-ja për ato miliona lekë kredi që kanë marrë qindra pushtetarë si ambasadorë, kryepolicë, bashkiakë a badigardë?
Shpenzimet e Buxhetit për këtë vit kanë arritur shifra astronomike: 1 miliard e 250 milionë dollarë. (Fletorja Zyrtare ku është botuar Buxheti i vitit 2001.) Kryetari Nano tha në Kongres se kursimet e qytetarëve në bankë janë rreth 2 miliardë dollarë.
– Kur kemi para “të thata” pse nuk mos jepen kredi për artistët?
Si mund të shtohen të ardhurat e artistëve?
Skemat janë të thjeshta. Të ndërlikuara i bëjnë pushtetarët. Mjediset e Pallatit të Kulturës, Pallatit të Pionerëve, Piramidës, Teatrit Kombëtar, Konostudios etj., më parë se të jepeshin me qira për klube nate, zyra, salla kinemaje a për për të luajtur bingo, mund të ishin kthyer në shoqëri aksionere, ku artistët të merrnin “pjesën e luanit’.
Ku mund të gjenden paratë për të botuar libra, për të vënë në skenë pjesë teatrale, xhiruar filma etj? Janë miliona dollarë që shpenzojnë për reklama e sponsorizime ndërmarje shtetërore si Telekomi, INSIG-u, Banka e Kursimit etj. Paratë bëhen rrush e kumbulla, siç ishte rasti i INSIG-t që sponsorizojë me 50 mijë dollarë Kryeministrin, për të marrë një “Çarter” për të shkuar në Kosovë me një tabor meritokratësh. Pjesa e luanit e këtyre fondeve, duhet të shkojë për lulëzimin e artit dhe kulturës.

-Të tërhoqi filozofia e demokratëve: “Për një fillim të ri…” që vendose të konkurosh si deputet?
Edhe po edhe jo. Them jo, sepse unë konkuroj si deputet për herë të dytë. Herën e parë bëra fushatë elektorale në Kolonjë më 31 mars 1991. Si ngjau kjo bëmë? Ka shumë arsye. Por edhe sot jam i bindur se nuk ishte rastësi. Unë edhe pse kisha lindur me këmishë, siç më kishte thënë mamaja, nuk isha i “përkëdheluri” i regjimit komunist. Pa kapërcyer adoleshencën, më dërguan për edukim në uzinën “Partizani”, sepse babanë dhe mamanë e kisha nga “Derë e Madhe”…Për të qarë e për të qeshur kur kujtoj vitet ’70! Vetëm se dashurova Mirën, një nga vajzat më të mira të Tiranës, rinia revolucionare i mbushi muret me fletë rrufe: Gjithsej 22 me një tirazh prej qindra faqesh!..
…Fund dhjetori’90 na gjente çdo ditë, deri natën vonë, në Qyetetin e “Studentëve”. Shkonim mes demonstruesve të tre: Unë, Mira dhe djali…Morali: E pranova me kënaqësi kërkesën për të vënë kandidaturën për deputet më 31 mars 1991. Mendova se ishte detyra ime, që në emër të familjes dhe miqve të mi aktorë, të luftoja për shembjen e diktaturës…
Ftesa e dytë më erdhi pas 10 vjetësh. Në fillim hezitova: Unë e dua profesionin tim! Unë nuk mund të ndahem nga skena dhe xhirimi i filmave!…Pranova sepse u binda që duke konkuruar për deputet së bashku me elitën e intelektualëve, mund të kontribuoj për ta nxjerrë vendin nga udhëkryqi ku e kanë futur qeveritarët socialistë…
Bujari:- Më pëlqen vera?

Unë:- Pa dallim feje e krahine?
Bujari:- Çthua! Unë mamanë e kam nga Frashëri. Babanë nga Kolonja…Nuk janë pak që unë të pëlqej verë të fisme! Bile kam një histori me verë…Po xhironim filmin “ Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Unë i veshur si gjeneral shtyva derën e lokalit në Grykën e Këlcyrës. Në sallë një grup gjermanësh. Njihja shoqëruesin. Më ftuan…Nisi muhabeti! Na “ngjiti”. Po pse? Sepse e lumosura verë e kuqe e shoqëruar me kokë qingji, që me “ustallëk” mund ta pjeki vetëm një guzhinier përmetar, në vend që të të merrte mëndë, të shtonte humorin…Kur u ngrita lashë mbi tavolinë dy shishe si viktimë…
Duke u tundur nën rrobat e gjeneralit takova regjizorin: Mjaft ke luajtur sot me verën, më tha. Nuk mund të xhirosh sepse të janë skuqur sytë…Kundërshtova. Nuk e binda, sepse nuk e njihte efektin e verës që prodhohet nga vreshtat e përmetarëve!

Qershor 2001

Presidenti rumun refuzon gruan myslimane

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohanis, ka refuzuar kandidaten e Partisë Social-Demokrate, Sevil Shhaideh, për t’u bërë kryeministre. Shhaideh, po të zgjidhej, do të ishte kryeministrja e parë grua dhe myslimane e këtij vendi. Iohannis nuk ka dhënë ndonjë aryse për refuzimin e Shhaideh, politikane pak e njohur, e cila ka shërbyer gjashtë muaj si ministre e Zhvillimit Rajonal e Rumanisë.
“Kam analizuar siç duhet argumentet për dhe kundër (Shhaideh) dhe kam vendosur të mos e pranoj këtë propozim”, ka thënë Iohannis përmes një deklarate televizive. Ai u ka bërë thirrje Social-Demokratëve, që kanë fituar zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit, të dalin me një nominim tjetër.

Nis gjyqi për puçistët

Njëzetenëntë policë kanë dalë në gjyq në Stamboll, nën akuzat se kanë bërë përpjekje të rrëzojnë qeverinë e Turqisë me grushtshtet. Është ky gjyqi i parë i komplotistëve të dyshuar, prejse ka ndodhur përpjekja për puç në muajin korrik.
Turqia ka arrestuar rreth 40,000 njerëz, ndërsa ka pushuar nga puna dhjetëra mijëra të tjerë, nën dyshimet se kanë lidhje me puçin. Autoritetet turke fajësojnë klerikun fetar, Fethullah Gülen, për organizimin e grushtshtetit, por ai e mohon përfshirjen.
Gjyqi që ka nisur dje, do të zgjasë katër ditë dhe zhvillohet nën masa të rrepta të sigurisë në kompleksin e burgut Silivri, në periferi të Stambollit.

Netanjahu kritikon Obamën

huGO-BildID: 44198276 ARCHIV - Der israelische Ministerpräsident Benjamin Netanjahu gibt am 07.04.2011 in Berlin eine Pressekonferenz. Foto: Hannibal/dpa (zu dpa:"Benjamin Netanjahu") +++(c) dpa - Bildfunk+++

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu e ka kritikuar ashpër presidentin amerikan, Barack Obama, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara abstenuan nga votimi për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën i bëhet thirrje Izraelit që ta ndalë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
Mbrëmë, zoti Netanyahu tha se ky veprim ishte “grackë e turpshme antiizraelite” dhe tha se vetë rezoluta është “zhgënjyese”.
Kjo ishte hera e parë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, e ka kaluar një rezolutë për çështjen e vendbanimeve prej vitit 1979.
Netanyahu tha se e ka urdhëruar Ministrinë e Jashtme që t’i rishqyrtojë “të gjitha angazhimet e Izraelit në OKB, përfshirë financimin izraelit për agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe praninë e përfaqësuesve të OKB-së në Izrael” brenda një muaji.

Shuhet Bujar Lako, ‘Gjenerali’ i skenës

Ndahet nga jeta në moshën 68-vjeçare aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Bujar Lako. Ai ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm rreth orës 8:30, si pasojë e një ataku kardiak. Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948.

Dhjetëra role në kinema dhe teatër

Bujar Lako karrierën si aktor ai e filloi në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt u bë i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj, ai realizoi një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë për ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), “Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interpreton në Teatrin e Kombësive në Shkup në produksionin “Varrtarët”.
Në vitin 1975 është nderuar me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit i Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur”.
Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar” Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Sot homazhet

Ditën e sotme do të zhvillohen homazhet për aktorin e njohur Bujar Lako, i cili u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare. Homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit aktorit do të zhvillohen në banesën e tij në orën 11:00 në Rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë. Bujar Lako u nda nga jeta dje në mëngjes si pasojë e një ataku kartiak.

Basha: Bujar Lako ishte artist i papërsëritshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu dje ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur shqiptar Bujar Lako, i cili u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në moshën 68-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, Basha shprehet se, Lako ishte një artist i papërsëritshëm që i dha jetë si askush tjetër personazheve të ngulitura në memorien e publikut.
“Me hidhërim të madh, mora vesh lajmin për ndarjen nga jeta të Bujar Lakos. Zemra e tij pushoi sot në mëngjes herët, duke e larguar fizikisht nga kjo botë ikonën e skenës dhe kinematografisë shqiptare. Artist i papërsëritshëm që i dha jetë si askush tjetër personazheve të ngulura në memorien e publikut, Bujari ishte një njeri i madh po ashtu, që kurrë nuk hoqi dorë nga përunjësia dhe sjellja njerëzore, megjithë arritjet e mëdha dhe lavdinë e merituar në art. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për Mirën dhe Bojkenin, për miqtë e dashamirësit, për admiruesit dhe ndjekësit e panumërt të artit, kinemasë dhe roleve të të madhit Bujar Lako. U prehtë në paqe!”, shprehet Basha.

Berisha: Bota jonë shpirtërore është në dhimbje e zi

Ish-Kryeministri Berisha ka shprehur ngushëllime për ndarjen e papritur nga jeta të aktorit të njohur shqiptar, Bujar Lako. Në një mesazh ngushëllimi në Facebook, Berisha e cilëson aktorin Bujar Lako princ të skenës dhe të filmit.
“Ndahet nga jeta Bujar Lako, njëri prej artistëve më të shquar të kombit dhe një personalitet i mirënjohur!
Të dashur miq, me ndarjen nga jeta të Bujar Lakos, njërit prej aktorëve të skenës dhe filmit më të mëdhenj, më të talentuar dhe më të dashur për publikun shqiptar, arti, kultura, bota jonë shpirtërore është në dhimbje dhe zi të vërtetë.
Bujar Lako, princi i skenës dhe filmit shqiptar, me gjeninë e tij artistike, interpretimet e tij mahnitëse në dhjetëra e dhjetëra role kryesore në skenën e teatrit dhe në filma të shumtë, pushtoi ndofta më shumë se kushdo tjetër zemrën e publikut dhe meritoi vlerësimet më të larta brenda dhe jashtë vendit.
Me angazhimin e tij në politikë përkrah PD, Bujari i solli politikës shqiptare fisnikëri dhe civilitet.
Me këtë rast i shpreh familjes, të afërmve, miqve të artistit të pavdekshëm ngushëllimet e mia më të thella dhe i lutem Zotit që shpirti i Bujarit të gjejë paqen e merituar!”, shkruan Berisha.

Rajmonda Bulku tregon pengun e Bujar Lakos

Aktorja Rajmonda Bulku mes lotësh shprehet se Shqipëria humbi një aktor të rrallë. “Nuk ka më Bujar Lako, nuk ka më aktor si ai. Do i mungojë teatrit, filmit, neve na mungon, artit shqiptar i mungon, ne do vuajmë për këtë mungesë”, thotë Bulku.
E pyetur nëse kishte ndonjë peng, Rajmonda Bulku shprehet se shpesh me Bujarin bënin shaka duke hamendësuar sesa të famshëm do të ishin bërë nëse do të kishin lindur në një vend perëndimor. “Nuk e di nëse mund të quhet peng, por shpesh bënim shaka e qeshnim kur thoshim, “Na ra koka në një vend të varfër dhe komunist, ndryshe do ishte diku tjetër”.
Shokohesh kur mëson këtë humbje. E duam Bujarin tonë ne aktorët, e duam të gjithë shqiptarët kudo ku janë”. Bulku madje shpreh habi sesi zemra u bë shkak për vdekjen e Bujar Lakos. “Bujari ishte ndër ata meshkuj, që as bark nuk vuri kurrë, e kishim zili për fizikun e tij dhe na habiti ky atak kardiak”, shprehet aktorja Rajmonda Bulku.

Pse Ina u refuzua nga Strasburgu?

Prokurorja e re e Pergjitshme e Shqiperise, Ina Rama e cila eshte votuar sot ne parlament me 83 vota pro, 33 kunder dhe 5 abstenim.

Kanë nisur të mbërrijnë në Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave disa shtesa të reja “të freskëta” nga Brukseli, menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit të Vettingut.
Burime diplomatike i thanë “tesheshi.com” se ka një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Bashkimit Europian dhe autoriteteve shqiptare mbi nisjen e procesit të zbatimit të reformës në drejtësi.
Por siç mësohet, këto shkresa kanë detaje të rëndësishme që kanë të bëjnë me një verifikim pasurie të disa nga gjyqtarët e prokurorët më të përfolur të vendit dhe me një grup politikanësh.
Këto të dhëna kanë një vit që vijnë rregullisht në Tiranë, por vetëm ditët e fundit kanë ardhur disa materiale që konsiderohen si “xhevahire”, pasi kanë të dhëna mbi krerët e gjyqësorit në vend.
Sipas rendit që do të nisë me zbatimin e ligjit të Vettingut, Adriatik Llalla, Bashkim Dedja dhe Xhezair Zaganjori do të jenë tre zyrtarët e parë që do të kalojnë të parët në sitën e ndërkombëtarëve dhe të komisionit të posaçëm që do ta zgjedhë Parlamenti shqiptar.
Por materialin shpjegues kryesisht për pasurinë, e ka përgatitur ILDKP në bashkëpunim me strukturat speciale të BE-së dhe Departamenti i Informacionit të Klasifikuar në Kryeministri.
Siç mësohet, pothuajse ka mbërritur verifikimi i pasurisë së krerëve të gjyqësorit shqiptar dhe në veçanti më problematike ka dalë Gjykata e Apelit e Tiranës dhe Prokuroria.
Më konkretisht, kanë mbërritur pasuritë e tre kryeprokurorëve të fundit të vendit: Adriatik Llalla, Ina Rama dhe Theodhori Sollaku. Ky i fundit, aktualisht avokat, ka edhe gruan gjyqtare Apeli në Tiranë, pra subjekt i Vettingut.
Sipas të dhënave më mirë në këtë verifikim ka dalë Ina Rama, por edhe kjo e fundit gjithsesi ka rezultuar se ka pasuri dhe prona që i janë gjetur jashtë deklarimit. Dhe pikërisht për këtë ajo është penalizuar dhe nuk ka mundur të zgjidhet dot si gjyqtare e Strasburgut, propozim që u bë zyrtarisht nga qeveria e Edi Ramës.
Ndërkaq, për Llallën dhe Sollakun mësohet se ka një mospërputhje jo të vogël të pasurisë së ngritur, ku një pjesë e saj nuk është deklaruar zyrtarisht.
Ndërsa Sollaku edhe pse të justifikuar si avokat, sërish agjencitë e specializuara kanë gjetur mospërputhje serioze.