Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të fotove ku Erion Veliaj është duke pirë kafe me kreun e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fushaj. Kreu i departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj me anë të një deklarate për median denoncoi faktin që prokurori i Tiranës shpall publikisht miqësinë me zyrtarin që duhet të hetojë.
“Erion Veliaj ka të paktën tre kallëzime penale në organin e akuzës, për ndërtim pa leje, shpërdorim detyre që solli si pasojë vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, dhe falsifikim firme, e provuar tashmë dhe e pranuar nga vetë ai, e megjithatë, shqiptarët e shohin kryetarin e Bashkisë së Tiranës, herë si dasmor të prokurorit të Tiranës, herë si mik drekash e darkash në restorante.
Ndërkohë që dosjet presin në prokurori, Erion Veliaj jo vetëm nuk hetohet, por shpallet mik special i kryeprokurorit të Tiranës.
Më 8 dhjetor, u bë një vit që Erion Veliaj falsifikoi firmën e policit bashkiak, për t’i vënë gjobë protestës së PD. Ekspertimi ka treguar se firma e punonjësit të Bashkisë ishte falsifikuar. Veliaj vetë ato ditë sfidoi ligjin, duke thënë se ai mban përgjegjësi, ai e ka vënë gjobën. Por, Prokuroria në vend se ta çojë çështjen përpara, e emëron krushk të pandehurin.
Amjentalistët kanë bërë kallëzim penal për ndërtimin pa leje tek Parku i Liqenit, por Prokuroria e Tiranës i ka zëvendësuar hetimet me qëndrime me orë të gjata në restorante më të pandehurin.
Prej gushtit, Veliaj është përgjegjës për vdekjen e Arditit, dhe mbarë shoqëria kërkon drejtësi. Partia Demokratike ka bërë kallëzim penal në organin e akuzës, por Prokuroria ka prioritet marrëdhëniet e mira me Veliajn, ftesat për dasmë e dreka-darkat, dhe jo hetimin dhe drejtësinë.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të ndërhyjë dhe të mos lejojë mbylljen e dosjeve me qoka e shkëmbime favoresh. Partia Demokratike gjithashtu e kujton Erion Veliajn se në mos sot nesër do të ketë drejtësi për Arditin e shpërdorimet e falsifikimet e tij, krime të rënda që s’do të mund t’i mbyllë nëpër dasma e restorante”, u shpreh Alibeaj në deklaratën e tij.
Prokurori i Tiranës, një lodër në duart e Veliajt
Arkitekti i planit të ri të Tiranës, klient i Ramës
Stefano Boeri, arkitekti që ka fituar garën për Planin Urbanistik të Tiranës, është në qendër të polemikave në Itali. Këshilltarët e Forza Italia dhe Lega Nord në Bashkinë e Mantovës e akuzojnë kryetarin e Bashkisë se i ka dhënë atij pa garë një projekt për rikualifikimin urban të një lagjeje të qytetit. Ata i kërkojnë kryebashkiakut Mattia Palazzi të shpjegojë mbi ç’kritere iu dha projekti Boerit. Dyshimet janë të forta, pasi Boeri ka qenë imazhi i fushatës së Palazzi-t në zgjedhjet e vitit 2015 dhe mesa duket është edhe i krahut të tij politik, atij të demokratëve të majtë të Kryeministrit Mateo Renzi.
Të dhënat tregojnë se Giulia Moraschi, përgjegjëse për sektorin e ambientit, ka vendosur t’i besojë arkitektit Boeri rikualifikimin e bashkisë, projekt nga i cili studioja e Boerit do të fitojë afro 39 mijë euro. Procedura e ndjekur është ajo e procedimit me urgjencë. Forca Italia e Lega Nord thonë se, nuk kishte arsye urgjente për të evituar garën dhe për t’ia dhënë direkt projektin Boerit. “Nuk duam të nënkuptojmë asgjë, thotë kryetari i grupit të Forca Italia, Pierluigi Baschieri, por thjesht ndjejmë për detyrë që kryetari i Bashkisë të sqarojë aspektet që kemi nënvizuar në interpelancën e paraqitur. Kryetari i Bashkisë duhet të shpjegojë përse ia dha pa garë këtë projekt prej 40 mijë eurosh pikërisht Stefano Boerit”.
Kryetari i Bashkisë përgjigjet prerë: “Boeri është një profesionist që punon me administrata të çdo ngjyre politike. Duan të polemizojnë për gjëra inekzistente”. Në të vërtetë, Bashkia e Mantovës i ka besuar Boerit një punë që vlen ekzaktësisht 38.800 euro për redaktimin e projektit të rikualifikimit urban të një zone që i është bashkuar së fundi qytetit. Qëllimi është pjesëmarrja në konkurs kombëtar për të marrë financime qeveritare për mbështetjen e periferive dhe bashkive qendrore.
Projekti i është dhënë me një procedurë të negociuar, pra direkte dhe pa garë. Boeri, gjatë fushatës elektorale të 2015-ës, që u fitua nga Palazzi, është shprehur shpesh në favor të tij dhe mori pjesë edhe në një xhiro me motorë Vespa, bashkë me Palazzi-n, përgjatë lagjeve që kanë nevojë për rikualifikim urban. Thelbi i çështjes qëndron tek pyetja që këshilltarët e Forza Italia dhe Lega Nord i bëjnë drejtpërdrejtë kryetarit të Bashkisë në interpelancën e depozituar më 18 gusht: “Normativa e aplikuar për t’ia dhënë projektin arkitektit Boeri, a parashikon përdorimin e procedurës së negociuar, pa garë, për arsye të një urgjence ekstreme?
Sipas firmëtarëve të interpelancës, arsyetimi i Giulia Moraschi-t, përgjegjëse e sektorit për ambientin në Bashki, “përmban një motivacion të mangët e nuk specifikon se nga ka lindur kjo emergjencë ekstreme dhe kjo paparashikueshmëri, mbi të cilën administrata është bazuar që t’i japë Boerit projektin e rikualifikimit urban, pa garë. Këshilltarët e pakicës kërkojnë që të hidhet dritë mbi kohët e prezantimit, të financimit dhe dhënies së projektit studios së Boerit.
Procedura e përshpejtuar që është ndjekur nga Bashkia ngre pikëpyetje të shumta, që i çojnë dyshimet tek përpjekjet për të favorizuar Boerin. Njoftimi për konkursin kombëtar është publikuar më 1 qershor në Gazetën Zyrtare. Sipas këshilltarëve të Forza Italia, është praktikisht e pamundur që Bashkia e Mantovës të ketë marrë dijeni për njoftimin vetëm në javët e fundit. Sikundër duket e pajustifikueshme që studios së Boerit i janë lënë 25 ditë afat për prezantimin e redaktimit të një projekti për një lagje të tërë, pasi projekti i është dhënë më 5 gusht dhe prezantimi duhet të bëhet më 31 gusht.
Forza Italia implikon drejtpërdrejtë kryetarin e Bashkisë, si personin që ka paracaktuar studion e Boerit. “A është studioja e Boerit e vetmja në treg, në gjendje për të drejtuar planin e një rikualifikimi urban?”, pyesin këshilltarët. Ata kujtojnë se Autoriteti Kombëtar Antikorrupsion (ANAC) udhëzon që të ketë të paktën dy vlerësime për punët publike, nën pragun e pagesave prej 40 mijë eurosh.
I gjendur nën akuzë, kryetari i Bashkisë këmbëngul se ka vepruar në respekt të plotë të rregullave: “Duke respektuar procedurat, thotë Palazzi, arkitekti Boeri ka qenë i porositur për një studim paraprak të dobishëm për pjesëmarrjen në një garë, koha e së cilës është e paktë. Nëse do të rezultojë i suksesshëm, projekti përfundimtar do të futet në garë, duke ndjekur procedurat më të drejta që kërkohen për të. Nëse nuk do të ishte Boeri, por një arkitekt më pak i njohur për publikun, askush nuk do të thoshte asgjë”. Vetë Stefano Boeri thjesht shpjegon se si qëndrojnë faktet, sipas këndvështrimti të tij: “Studioja ime, shpjegon ai, me kërkesë të zyrës së Bashkisë së Mantovës, ka prezantuar përmes platformës Sentinel të Rajonit të Lombardisë, një hipotezë urbanistike, që i lejon Bashkisë së Mantovës që të paraqiste një kërkesë për të marrë pjesë në një konkurs kombëtar të qeverisë për financimet e projekteve për rikualifikimin urban. Kërkohej që të punohej me shpejtësi të madhe një projekt fizibiliteti. Rezultati u arrit. Është e qartë se, nëse Mantova dëshironte ta fitonte tenderin, qyteti, siç e ka thënë tashmë edhe kryetari Palazzi, do të vazhdojë me një seri konkursesh publikë të projektimit”.
Në Tiranë, studioja e Stefano Boerit u shpall në janar fituese e planit urbanistik. Boeri njihet për lidhje të ngushta me Kryeministrin Rama dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai me Ramën ka patur njohje përpara se PS të vinte në pushtet.
Miqësia e Ramës me Boerin
Miqësia e Ramës me Boerin dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë është i hershëm. Madje, në zgjedhjet e 2013, Boeri si mik i ngushtë i Ramës u angazhua edhe gjatë fushatës zgjedhore duke bërë tifo për fitoren e tij. Nëse kërkon në Google me emrin e Ramës dhe Boeros shfaqen foto të ndryshme të të dyve, duke drekuar e duke kaluar momente të këndshme me njëri-tjetrin, nga takime me shqiptarë të Italisë në takime të tjera siç ishte për shembull Ekspo Milano, ku Rama zhvilloi një vizitë të posaçme atje. Stefano Boeri nuk ka kursyer as postimet e tij në faqet që ka në internet, duke u shprehur haptazi në mbështetje të Ramës. Në një postim të tij, pak ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, Boeri shfaqet i lumtur për fitoren e Ramës, ndërsa pas shpalljes së fitores së tij, shkruan: E viva! (Urra). Mbështetjen dhe miqësinë e Boerit, Rama ka ditur ta vlerësojë shumë mirë, duke i premtuar atij planin e ri urbanistik të Tiranës, ku pritet t’i kalojë mikut të tij miliona euro, ndërsa nuk dihet se në sa projekte të tjera të fshehta Rama ka bërë sërish pjesë mikun e tij.
Plani Urbanistik do të kundërshtohet në Gjykatë
Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës do të kundërshtojnë planin urbanistik të paraqitur nga kryetari Erion Veliaj. Në një intervistë për “Ora News”, këshilltari Mateo Spaho tha se do të shikohen të gjitha mundësitë për kundërshtim, deri në gjykatë nëse është e mundur.
Spaho: Ne do të rimblidhemi dhe do të shikojmë të gjitha ekstremet ligjore për të parë nëse ka mundësi që kjo të kundërshtohet në rang gjykate. Ka ndodhur më përpara, disa çështje i kemi fituar, disa të tjera jo për arsye të ndryshme, por një nga ato që kemi fituar është detyrimi i Bashkisë për të dhënë informacion, sepse nuk jep informacion dhe problemet vazhdojnë. Ne jemi të vendosur për të thënë diçka. Një plan që do të ndërtojë qytetin për 20 vitet e ardhshëm duhet të jetë i konsultuar.
Spaho tha se në planin urbanistik të Tiranës nuk ka transparencë, konsultimet sipas tij nuk janë bërë me publikun, por me militantë partie. Ai tha se materialet nuk i janë vënë në dispozicion ashtu siç e parashikon edhe ligji.
“Sipas ligjit, materialet këshilltarëve bashkiakë duhet t’i jepen një muaj përpara sesa të bëhet aprovimi. Aprovimi është parashikuar të bëhet në 29 dhjetor, ndërsa konferenca është bërë sot. Pra, tre ditë përpara. Në tre ditë është e pamundur që të analizojmë më shumë se 2400 foto dhe faqe që është i përbërë plani. Ne kemi kërkuar ta kemi më herët, por nuk na është dhënë e printuar, por në CD dhe në këtë CD është me një program të caktuar dhe nuk hapet komplet. Elementi tjetër është që këto dëgjesa publike kanë qenë fiktive. Mund të bësh dëgjesa me fansat, ose mbledhjet e partisë, por me grupet e interesit është e rëndësishme që t’i dëgjosh.
Ne kemi bërë disa pyetje që s’kanë marrë përgjigje. P.sh, a do të ketë ndërtime të reja brenda unazës, sepse kryetari kishte premtuar që nuk do të kishte?”, tha Spaho.
“Përgjigja ka qenë po dhe do të ketë një ndërtim vertikal. Pra, do të ketë ndërtime shumëkatëshe. Kjo shkon kundër premtimeve të kryetarit të Bashkisë dhe për mendimin tim, Tirana nuk ka më vend për ndërtime.
Ka shumë ndërtime dhe çdo ndërtim do të rëndonte gjendjen. Elementi tjetër, sa ndërtime do të ketë? Nuk janë dhënë sqarime.
Në mënyrë indirekte nga buxheti që do të kalohet kemi disa të dhëna, ku parashikohen të merren 20 mln euro taksa për ndërtesat e reja. Zona afër qendrës është 100 euro metra katror, që biznesi duhet t’i paguajë Bashkisë nëse do të ndërtojë një pallat. Pra, në qendrën e Tiranës të ketë vend për 40 kulla, ose 2000 apartamente.
Këshilltari i djathtë analizoi edhe të ardhurat në buxhetin e Tiranës, që sipas tij janë rreth 140 mld lekë që paguhen nga xhepat e qytetarëve të Tiranës”, tha Spaho.
Taksisti: Zagarët e Ramës më dhunuan në prani të tij
Taksisti Niko Ndini ka dëshmuar për mediat se si e rrahën truprojat që shoqëronin kryeministrin Edi Rama në Korçë vetëm për arsye se ai thirri “Poshtë Edi Rama, rroftë Ben Blushi. Rrëfimi i tij është postuar nga Blushi në faqen e tij në Facebook. Ndini thotë se është dhunuar jo vetëm nga Garda, por edhe nga policia. “Më morën dhe më bënë një xhiro dhe më lanë andej. Nëse do të kisha pasur ndonjë problem nuk do të më lëshonin, por do më çonin në polici”, thotë taksisti në rrëfimin e tij që është një akuzë e rëndë si për Gardën e Republikës ashtu edhe për Policinë e Shtetit, e po ashtu edhe për kryeministrin Rama, pasi dhuna ka nisur në prani të tij.
-Çfarë ndodhi pak ditë më parë kur erdhi Rama në Korçë?
Kalonte Edi Rama para Gjykatës dhe unë nga krahu tjetër them “Poshtë Edi Rama, rroftë Ben Blushi. Ben Blushi intelektuali i Korçës do të ta hajë kokën ty”. Kaq. Edi Rama e ktheu kokën dy herë dhe u lëshuan si bisha shoqëruesit e tij. Më kapën për qafe, më grisën. Ishte një Maringlen, shef Rendi, por në fakt është kriminel. Maringleni më hipi përsipër me gjithë forcën e tij dhe më mori e më futi në makinë. Më kanë bërë një xhiro dhe më çuan sërish atje ku më morën. Nëse do kisha ndonjë problem do më çonin në polici, nuk do të bënin xhiro me mua. I dha urdhër një tjetri, por ai nuk e pranoi dhe tha: nuk bëri mirë ai që të të merrte kështu me kaq fjalë sa the ti.
-Kur i the Ramës “Blushi do të të hajë kokën”, të dëgjoi? Çfarë të tha?
Asgjë. Ktheu kokën. Më pas u çuan ata silurat e tij, ata zagarët, servilët e tij. Më i dhunshmi ishte Marigleni. Për të mbajtur vendin e punës më dhunoi mua.
-Bëtë denoncim?
Do shohë si do dalë grafia te spitali dhe do ndjek rrugën ligjore.
-Ju po e prisnit Ramën apo ishit rastësisht aty?
Rastësisht isha. Shpreha urrejtjen që kam ndaj tij. Për mua ky është Bashar Al Asad në Shqipëri dhe duhet shkulur patjetër. Për mua atë do ta heqë Ben Blushi. Intelektuali me një piktor nuk është i barabartë. Edhe një fëmijë mund të dalë në terren dhe të bëjë një pikturë. Rama kaq nivel ka.
Ndini akuzon shefin e Rendit të Komisariatit të Korçës, Mariglen Jaçellari, se e ka dhunuar dhe goditur pa asnjë shkak të ligjshëm. Këto akuza ai i ka përsëritur edhe me zë e figurë, në një video që Ben Blushi ka publikuar në rrjetin social “Facebook”.
Ndërkohë, ditën e djeshme ka reaguar edhe Policia e Korçës, e cila ka pranuar se shtetasi Niko Ndini është futur në furgonin e policisë, por nuk është shoqëruar në komisariat. Polici thotë se, shtetasi Niko Ndini nga ana tjetër e rrugës, (në trotuar) filloi të bërtasë e të përdorë fjalë fyese në drejtim të Kryeministrit, duke u bërë shqetësim për pjesëmarrësit e tjerë.
Në këtë moment, drejt qytetarit janë afruar shërbimet e policisë dhe shoqëruesit e Kryeministrit të cilët e kanë këshilluar qytetarin, që të mos vijonte me këtë sjellje e të mos bërtiste. Theksojmë se ky shtetas nuk është dhunuar nga asnjë punonjës policie dhe as nuk është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë”, thekson zëdhënësi i Policisë.
Por 53-vjeçari Niko Ndini thotë se, teksa ka parë kryeministrin Rama që po shkonte drejt Muzeut të Artit Mesjetar, i është afruar dhe ka hedhur parulla kundër qeverisjes së tij, duke shprehur mbështetje për Ben Blushin. Por pas kësaj, ai thotë se e kanë futur forcërisht në një mjet policie, dhe e kanë dhunuar.
Rrëmbehet në mes të ditës në Tiranë një vajzë 22-vjeçare
Një vajzë është rrëmbyer dje në mes të ditës dhe në mes të Tiranës në një rrugë plot me kalimtarë dhe shumë lëvizje. Bëhet e ditur se, dy të rinj nga Laçi, pasi e kanë rrëmbyer dhe e kanë futur në makinë vajzën 22-vjeçare kanë tentuar ta përdhunojnë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e “Kavajës” në kryeqytet, ky dy të rinjtë Armonel Bruka 26 vjeç dhe Henri Talo 25 vjeç kanë marrë me forcë në makinën e tyre shtetasen me iniciale F.L., 22 vjeçe, banuese në Tiranë.
Pasi e kanë futur në makinë, dy të rinjtë kanë tentuar ta përdhunojnë të renë, por fatmirësisht nuk ia kanë arritur qëllimit pas lutjeve të vajzës. Dy laçianët më pas janë detyruar ta lënë të lirë vajzën dhe janë larguar, ndërsa policia i ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tyre.
Sipas burimeve, dy të rinjtë Armonel Bruka 26 vjeç dhe Henri Talo 25 vjeç si dhe vajza me iniciale F.L., janë takuar fillimisht gjatë natës mes 24 dhe 25 dhjetorit, tek një klub nate shumë të njohur në Tiranë. Dy laçianët, shokë të disa të njohurve të 22-vjeçares, pasi e takuan e ftuan për të pirë një gotë. Vajza bashkë me të njohurit ka shkuar në tavolinën e dy laçianëve ku ka biseduar me ta. Pasi kanë dalë nga club-i, dy laçianët e kanë futur në makinë me zor dhe kanë tentuar ta përdhunojnë. Mes thirrjeve të dëshpëruar dhe lotëve, vajza iu është lutur ta lënë të lirë.
“Ju lutem mos më bëni gjë, jam e lidhur me dikë tjetër”, mësohet nga burime të ketë thënë vajza dhe më pas dy të rinjtë nga Laçi e kanë lënë të lirë. Por 22-vjeçarja i ka denoncuar në polici, ku ka rrëfyer gjithë çfarë i ka ndodhur. Pas denoncimit, Armonel Bruka 26 vjeç dhe Henri Talo janë shpallur në kërkim.
Atentat biznesmenit në Shkodër, plagoset me 2 plumba në makinë
Një biznesmen është plagosur me armë në një pritë mesditën e djeshme në Shkodër dhe është dërguar në spitalin rajonal në gjendje të rëndë. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se, rreth orës 11:50 është njoftuar se ka mbetur i plagosur me armë zjarri 44-vjeçari Syri Mehmedaj, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore. Mehmetaj mësohet se është biznesmen i njohur në Shkodër.
Burimet e policisë bënë të ditur se, Syri Mehmedaj nga Shkodra ka mbetur i plagosur rëndë paradrekën e së hënës në vendin e quajtur rreth rrotullimi i lagjes “Xhabije”. Ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz” me targë AA 031 NL, kur një person me motoçikletë dhe me skafandër në kokë ka qëllur tre herë ndaj tij me një pistoletë me silënciator.
Nga sa mësohet nga burime policore, në momentin e plagosjes 44-vjeçari ka qenë duke drejtuar mjetin dhe së bashku me të ishte edhe një person tjetër, i cili pas plagosjes e ka çuar deri në Urgjencën e Spitalit të Shkodrës dhe është larguar menjëherë.
Nga ana e policië, në bazë edhe të pyetjes së dëshmitarëve, mësohet të kenë thënë se kanë parë vetëm një person me skanfandëe dhe me një motoçikletë, i cili është afruar tek mjeti dhe më pas është larguar me shpejtësi, por nuk kanë dëgjuar krisma, çka dyshohet se atentatori të ketë përdorur pistoletë me silenciator.
Bazuar në dëshmitë e njerëzve të pranishëm, policia ka mësuar se atentatori ka qenë një person i vetëm që i është afruar mjetit të Mehmedaj dhe pasi qëlloi ndaj tij u largua me shpejtësi. Policia dyshon se agresori ka përdorur një pistoletë me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar zhurma në momentin e ngjarjes.
Sipas policisë, Syri Mehmedaj njihet si një person me precendente të mëparshëm kriminal. Ai është arrestuar afërsisht një vit më parë dhe është dënuar me 1.4 vite burg për vjedhje. Ai është një person i njohur edhe nga Policia e Shkodrës, për konflikte të ndryshme që sipas hetuesve lidhen më së shumti me aktivitetin e tij kriminal në qytetin e Shkodrës. Ndërkaq, pas ndihmës së parë të dhënë në Spitalin e Shkodrës, i plagosuri Mehmedaj është përcjellë për në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore. Policia ende nuk ka arritur të zbulojë dhe arrestojë autorin e krimit.
Nën hetim gjyqtarët që liruan Lul Berishën, shmangën qëllimisht Prokurorinë
Për lirimin e parakohshëm nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet, ndaj treshes së gjyqtarëve të Shkallës së Parë të qytetit bregdetar. Ndaj Tritan Hamitaj, Fejzo Hysi dhe Shpëtime Pitarku, të tre pjesë e Kolegjit Penal, Krimet e Rënda kanë krijuar dyshime të arsyeshme se, në rastin e Lulzim Berishës, secili nga gjyqtarët ka shkelur ligjin.
Burime nga akuza, theksojnë se Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, ka shmangur procedurën normale të kundërshtimit të urdhrit të ekzekutimit që nxjerr prokurori. Vendimi i uljes së dënimit të dhënë nga Hamitaj, Hysi e Pitarku, u trajtua si një çështje administrativo-penale, duke përjashtuar prokurorin nga salla e gjyqit, e duke lënë të pranishëm vetëm juristin e burgut, tashmë të shpallur në kërkim, Tedi Labi. Shkelja e ligjit dyshohet të jete bërë si, përsa i përket procedurës së ndjekur, ashtu edhe për aplikimin në mënyrë të gabuar të ligjit për amnistinë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se, gjyqtari Fejzo Hysi ka zbatuar gabim ligjin për amnistinë, duke i zbutur ish-kreut të bandës së Durrësit dënimin e marrë për armëmbajtje pa leje në kushtet kur ai ishte dënuar për vrasje. Sipas dispozitave ligjore, Gjykata kishte aplikuar dënimin më të rëndë atë të vrasjes për Lul Berishës dhe në këtë mënyrë, atij i ishte hequr dënimi i armëmbajtës pa leje, sepse i ishte njësuar dënimi.
Pra, përfitimi i uljes së dënimit nga armëmbajtja pa leje nuk ekziston në këtë rast. Nga ana tjetër, Prokuroria e qytetit bregdetar ka dërguar për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e lirimit me kusht të ish-kapobandës së Durrësit, pasi akuzohet, për disa vrasja e trafik ndërkombëtar droge.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se, “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Më pas, gjyqtarët argumentojnë se, “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.
60 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi
60 kilogramë marijuanë u gjetën në një makinë të braktisur në Patra ditën e sotme. Sipas policisë greke, mjeti i cili vinte nga kufiri me Shqipërinë, u braktis nga drejtuesi, pasi në kilometrin 72.6 të aksit Patra-Athinë kishte pësuar defekt. Nga hetimet me metoda speciale, policia greke thotë se ka zbuluar që, mjeti ishte braktisur nga dy shqiptarë 26 dhe 28 vjeç, të cilët po transportonin marijuanën drejt Athinës.
Pasi kishin braktisur mjetin, u ndihmuan nga një tjetër shqiptar 32-vjeçar. Policia greke ka vënë në pranga këtë të fundit në Shën Theodhor të Korinthit, ndërsa ka shpallur në kërkim dy të rinjtë e tjerë shqiptarë, të cilët transportonin lëndën narkotike.
Para dy ditësh policia greke sekuestroi 78 kg drogë në vendin e quajtur Fusha e Kestrinës në Igumenicë, 10 km larg doganës shqiptare të Qafë Botës. Në pranga janë vënë dy transportuesit e lëndës narkotike, shtetas shqiptarë nga 26 vjeç. Policia ka deklaruar se i diktoi dy të rinjtë gjatë orëve të natës, në kohën që po kalonin nëpër fushat e zonës për të mos u zbuluar nga agjentët, të cilët janë vënë në gatishmëri kohët e fundit për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria. Dy të arrestuarit i thanë policisë se do ta transportonin kanabisin deri në afërsi të Igumenicës, ku edhe do t’ia dorëzonin një personi, të cilin e kishin kontaktuar vetëm nëpërmjet telefonit, pa e njohur më parë.
Trafikuan drogë në Belgjikë, u sekuestrohen pasuritë
Disa pasuri të paluajtshme, përfshirë apartament, dyqan dhe sipërfaqe tokë arë, janë sekuestruar nga Prokuroria për Krime të Rënda, pasi dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal në Belgjikë i shtetasve Selim Duzha nga Berati dhe Eugen Gengo nga Korça. Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila është duke kryer hetim pasuror ndaj këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”. Shtetasit Duzha dhe Gengo janë shpallur fajtor dhe dënuar në Belgjike, së bashku me disa të tjerë, pasi janë akuzuar se janë përfshirë në trafik dhe shpërndarje lëndësh narkotike në vitet 2013-2014.
Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin në bazë të kërkesës për ndihmë juridike nga ana e autoriteteve belge, të cilat kishin krijuar dyshimin se Duzha dhe Gengu kishin transferuar në Shqipëri të ardhura që kishin krijuar nga aktiviteti i tyre kriminal.
Prokuroria për Krime, në bazë të hetimeve të deritanishme, ka evidentuar disa pasuri të paluajtshme, për të cilat të dyshuarit dhe familjarët e tyre nuk kanë pasur mundësi reale për t’i krijuar me burime të ligjshme financiare.
Më konkretisht, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur nën sekuestro, pasuritë në emër të familjarëve Duzha (Dule), apartament me sip. 75 m2 në plazh, Durrës, njësi tregtare (dyqan) në plazh, Durrës, si dhe tokë arë, me sipërfaqe 420 m2 në Berat.
Lubonja: Kjo bandë kriminale duhet hequr qafe
Analisti Fatos Lubonja deklaroi mbrëmë se ka ardhur koha që kjo bandë në pushtet duhet hequr qafe. “Është një bandë kriminale që duhet hequr qafe”, tha Lubonja. Analisti i njohur tha se në qeveri ka një luftë mes bandash, duke i quajtur kështu të tre partitë e koalicionit qeverisës, PS, LSI dhe PDIU.
“Ka luftë bandash në qeveri. Në fund mafiozët gjejnë gjuhën e përbashkët për ndarjen e pjesëve dhe llokmave. Ky nuk është realitet pesimist, ky është realiteti. Banda e madhe kërcënon bandën më të vogël, ndërsa tani kanë marrë edhe bandën e PDIU”, tha Lubonja.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “Neës 24” ai komentoi zhvillimet politike të vitit që po lëmë pas, se çfarë ndryshimesh ka sjellë 2016-ta në jetën e shqiptarëve dhe çfarë parashikon ai se do të ndryshojë në vitin e ri 2017-të.
Por ndërsa 2016-ën e cilëson si vit të zhgënjimit total, Lubonja thotë se 2017-ta do të jetë edhe më i zymtë, ndërsa nuk ngurron ta quajë vit të kaosit të madh.
Sipas tij, shqiptarët janë varfëruar gjatë 2016-ës dhe duan të braktisin vendin në masë, ndërsa reformat e qeverisë siç shton ai, nuk kanë pasur ndonjë efekt në jetët e tyre.
“Reforma në drejtësi është një reformë në letër, të tilla kemi bërë që nga ‘91 dhe nuk i kemi zbatuar. Problemi ynë më i madh nuk kanë qenë ligjet, por mënyra si i zbatojmë këto ligje. Nuk duhet një reformë në letër, por një reformë se si të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit”, tha ai.
Sipas tij, e keqja më e madhe e shqiptarëve është klasa politike që kemi. “Kemi një klasë politike, rilindësit e famshëm që nuk mendojnë gjë tjetër vetëm si t’ua hedhin këtyre njerëzve. Natë e ditë këta mendojnë si të mashtrojnë”.
Marrëdhënien mes dy aleatëve që qeverisin, Ramës e Metës, Lubonja e sheh si një marrëdhënie mes bandash, madje sipas tij, “Rama ka futur edhe bandën e Idrizit në funksionim, rivale për të dobësuar Metën. Këta nuk po përmirësojnë njëri-tjetrin, LSI tenton të duket më normale, por ka interesat e veta”, thotë ai.
Situatën e zymtë politike, Lubonja e përcjell përmes fjalëve: “po kush ta heqë?
Pikërisht zhgënjimi që ka nga politika e bën të mendojë që edhe 2017-ta nuk do të jetë më e mirë. “Nuk mendoj që ka gjasa të jetë më e mirë. Kam frikë se 2017-ta do të jetë viti i kaosit total, është një klasë politike e çmendur, merimanga e droguar e kam quajtur duke u nisur nga projektet që kanë prezantuar. Rritje taksash këtej, rritje andej dhe se ku i hedhin këto para që vjelin askush s’e di. Pra, taksa kthehet mbrapsht në formë investimi, por këtu unë shoh një situatë të errët shprese, shoh dëshpërim total dhe rrezikun e një kaosi total”, thotë ai.
Lubonja ka vlerësuar edhe mesazhet e dhëna nga kleri katolik dhe ortodoks në prag të Krishtlindjeve. “Kleri dha mesazhe ku katolikët nuk pranuan politikanët të bëjnë vizita tek ata, kurse ortodoksët folën për arrogancën dhe varfërimin”.
Lubonja u shpreh se situata në vend është e vështirë pasi “Ka një varfërimi të shtesës së mesme. Njerëzit nuk kanë asnjë shpesë, ndaj dhe kanë gjetur dhe po gjejnë si zgjidhje vetëm largimin nga Shqipëria”, tha Lubonja.
Duke iu referuar reformës në drejtësi, Lubonja tha se ajo është një përpjekje e Ramës për të kapur drejtësinë. Ai kujtoi se punimet në Sheshin Skënderbej po bëhen pa leje dhe megjithatë askush nuk vepron.
Për Lubonjën Rama kërkon kapjen e drejtësisë dhe zëvendësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me njerëz të tij. “Në sheshin qendror bëhet një ndërtim pa leje, ndërsa qytetarët futen në burg për një shtesë ballkoni. Ligji nëpërkëmbet nga pushteti. Mos mendoni se pas Vettingut do të ketë ndonjë prokuror që do të veprojë në Sheshin Skënderbej. Këta rilindasit mendojnë se vetëm si t’i mashtrojnë njerëzit që të marrin pushtetin dhe të bëjnë atë që duan”, tha Lubonja.
Ai ka kritikuar mënyrën se si tentohet të kalohet plani i ri urbanistik në prag të festave për t’iu fshehur opinionit.
“Pse u zgjodh data 27 dhe 28 dhjetor për planin urbanistik? Sepse mendojnë se nuk ka vëmendje, janë mendje djallëzore dhe mashtrues të rëndomtë. Kanë rikthyer planin francez me kulla shumëkatëshe. A keni dëgjuar të jetë bërë ndonjë debat publik për planin urbanistik?”, tha Lubonja.
Enton DACI
Krishtlindja dhe Hipokrizia postkomuniste shqiptare
Artur ZHEJI
Jezu Krishti lindi në Betlehem, mbi 2000 vite më parë, rrëfen Testamenti i Ri dhe kjo Festë ka pra 2000 vite, që festohet në të gjithë botën e Krishterë.
Mbas Luftës së Dytë Botërore, me triumfin e komunizmit në Shqipëri, shkëlqimi i kësaj Feste, filloi të venitej politikisht nga rregjimi. Fillimisht duke shpikur dhe duke përshtatur festa të tjera kombëtare, si përshembull 8 nëntori, dita kur lindi Partia Komuniste shqiptare. Pastaj 29 Nëntori, dita e Çlirimit, pastaj dita e revolucionit sovjetik. Më pas akoma 7 Marsi, dita e mësuesit dhe 8 marsi, festa e panjohur më parë, festa e gruas.
Kryefesta më pompoze ishte, 1 Maji, festa e puntorëve, që sëbashku me 29 Nëntorin, festohej me marshime të mëdha dhe për të cilat qeveria komuniste shpenzonte para, mjete dhe fishekzjarre të shumta.
Krisht Lindja, u lejua të festohej deri në në vitin 1967 dhe ata që e festonin shiheshin shtrembër, si të deklasuar, të mykur, të prapambetur, jo modernë, jo komunistë, jo të partishëm, si konspiratorë apo spiuna potencialë, me pak fjalë si “fundërrinat” e shoqërisë, nëse marrim hua një shprehje të Maksim Gorkit, për borgjezët dhe mikroborgjezët…
Mbas vitit të kobshëm 1967, u dha urdhëri kriminal, i poshtër dhe antihistorik, për shkatrrimin me dhunë të çdo objekti kulti në Republikën e Shqipërisë, ku masakra më e madhe, u bë në kurriz të manastireve dhe kishave më të vjetra shqiptare, që ishin hera herës edhe mbi 500 apo 700, madje edhe 1000 vjeçare. Edhe xhamitë nuk u kursyen përvec asaj të Ethem beut në qendër të Tiranës, por xhamitë shqiptare nuk ishin përgjithësisht më shumë se 100 apo 200 vjeçare dhe në më të shumtën e tyre, të ndërtuara mbi themelet e kishave të vjetra shqiptare, të shkatrruara nga pushtuesit turq dhe pushteti i tyre anadollak.
Dëmi arkitektonik ishte i pallogaritshëm dhe vazhdon të mbetet i tillë, sepse edhe mbas vitit 1990, kishat e vjetra shqiptare, nuk u ndërtuan kurrë më, me shpenzimet e shtetit, të shtetit që i shkatrroi, nuk u restauruan dhe nuk u rimëkëmbën më kurrë. Hynë në lojë ndihmat e huaja, ku vendin e parë e zuri Greqia, që filloi helenizimin e të gjitha gërmadhave të mbetura të ish kishave ortodokse shqiptare, si edhe disa dhurata nga Kisha katolike, për Kisha të reja, pa asnjë vlerë historike dhe arkitektonike.
Kanë kaluar 26 vjet nga gjoja demokracia shqiptare. Dhe e vetmja gjë e kthyer “në identitet”, janë ministritë e kohës së Zogut në Bulevard, arkitekturë mediokre e stilit fashist, gjithësesi e vetmja arkitekturë, në konceptin e mirëfilltë të fjalës, në kryeqytetin e betonit tonë. Asnjë ministër kulture shqiptar, përgjithësisht dhe mjerisht thelbësisht të pakulturuar, nuk e vuri kurrë ujin në zjarr, për të vizatuar qoftë edhe një zhgaravinë fillestare, për Rilindjen e Panteonit të zhdukur arkitektonik dhe të krishterë shqiptar, në të gjithë Shqipërinë.
Nuk është ruajtur asnjë gur dhe as një themel i katedraleve, që përshkruhen shumë saktësisht në “Illiricum Sacrum”, një kryevepër historike, që përmbledh dhe përshkruan krejt Epikën e Krishterë të shqiptarëve, përpara dhe përngjatë pushtimit ottoman. Ku edhe jepen me saktësi koordinatat e Katedraleve të kohës së Gjergj Kastriotit dhe të Princave dhe Kontëve shqiptarë, anembanë e në çdo pëllëmbë të Shqipërsië. Ku dhe thuhet në Illiricum Sacrum (Illiria e Shenjtë), se “Illiria” e Mesjetës ishte toka e 300 Katedraleve të mëdha të Krishtera…
Por kjo duket sot dhe mjerisht do të duket edhe nesër një marrëzi e kotë, në Epokën e debilëve me pushtet, që grumbullojnë si derrat e babzitur, plehun që hanë me orkeks, milionat dhe miliardat e këtij vendi dhe që janë të gjithë hypur avionëve për të festuar Krishtlindjen, majmunërisht, sepse kështu bën sot dynjaja në Perëndim!
Ata që marrin vendimet se si është dhe se si duhet të jetë Shqipëria e Kulturës, e arkitekturës dhe Shqipëria e Rrënjëve, janë duke admiruar sot, në qytetet e huaja europiane, katedralet qindra vjecare, ku këmbanat gëzojnë për KrishtLindje. Ndërkohë që ne ecim në Shqipëri, mbi themelet e një kulture edhe më të vjetër të së kaluarës sonë, që do të mbetet nuk dihet sa kohë akoma, e varrosur, e mohuar dhe në mjerim, grabitje apo braktisje.
Dhe hajde dëgjo kryeministrin tonë, sot katolik, thjesht për të lehtësuar në mënyrë hipokrite, vetprezantimin e tij, si një specie tjetër e qytetëruar, në xhunglën “post -otomane dhe myslymane” shqiptare, në takimët politike me perëndimorët e krishterë.
Për të mos folur për mesazhet dhe qokat me tekst bajat, që shpërthejnë nga jo besimtarët politikë, më çdo 25 dhjetor të çdo viti, në Shqipërinë e monumenteve kristiane të varrosura.