20.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Shqiptari i Vitit…

Kujtim SHABANI

Kur e pyetën yllin e Hollywoodit, Robert Mitchum, se kush ishte aktori më i mirë, sharmeri i njohur me cinizmin e tij tha se ky ishte ai qeni inteligjent që luante nëpër ca filma! Nëse kam lajthitur komplet dhe nuk ishte ky që i kishte thënë këtë; apo ishte ky, por nuk e kishte thënë kështu, jam i gatshëm ta nënshkruaj kështu si e thashë vetë, me të dyja duart. Ai qeni që i magjepste të gjithë me interpretimin e rolit që ia kishin caktuar, ishte një «mbiqen», në kuptimin që i vishet nganjëherë vizionit të Niçes për njeriun, i cili e kishte kapërcyer qenien e vet.
Filozofi popullor britanik, Bertrand Russell, në librin e tij «Vështrime jopopullore» e ka një rrëfim për njerëzit e famshëm që ka takuar. Ai flet për takimet e tij me poetë, filozofë, shkencëtarë e politikanë me famë të madhe; për Robert Browingun, Einsteinin, Leninin e të tjerë. Por, filozofi është njëlloj dhe më shumë i mrekulluar nga njerëz të thjeshtë, me vetëmohimin dhe zemërdëlirësinë e tyre. Ndërkohë që ai është i tmerruar nga mizoria e Leninit. Atë e impresionon më shumë mirësia e kopshtarit të tij, i cili nuk dinte as të shkruante, as të lexonte.
Këtë vit, opinionin botëror e ka befasuar juria e Nobelit me përcaktimin jokonvencional për ta laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për lirikën e tij, Bob Dylanin. Për këngët e tij. Nëse nuk më braktis kujtesa, më 1999, dikush e propozoi Shqipërinë për Çmimin Nobel për Paqe. Për bujarinë e shtetit dhe popullit të saj për t’i strehuar dhe mirëpritur mbi një milion kosovarë të përzënë nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.
Të tre këta shembuj i afirmojnë kriteret që mund të shërbejnë për caktimin e shqiptarit të vitit, në ethet e të cilit, së shpejti, gjithsesi më së voni deri në mbarim të këtij viti do të gjendet opinioni shqiptar. Do edhe një muaj për të mbaruar viti dhe jeta është plot befasi; ajo mund të të ruajë një lajm të këndshëm, a një shaka të hidhur për sekondën e fundit. Por, ne e dimë se kush është shqiptari i vitit. Edhe atë, jo prej njëmbëdhjetë muajve, por prej së paku një dekade, prej dy deceniesh, së paku prej një shekulli e dimë: Ata janë shqiptarët vetë!
Janë mërgimtarët që në spektaklin e madh të historisë dhe të stërgjatë prej vitesh nuk lodhen kurrë së sakrifikuari për vendin e lindjes së tyre e të prindërve të tyre. Me taksa, me fonde, me fonde mbi fonde, me djersë dhe gjak. Për disa ditë, ata do ta japin shfaqjen e radhës së sakrificës së tyre në doganat e Serbisë dhe të Maqedonisë, duke pritur me orë e me ditë për t’u kontrolluar vetëm për kënaqësinë e doganierëve me emër-mbiemër, e me emër të babës. Madje edhe në Doganën e Kosovës, për një bakshish sigurimi. Ata që buxhetit të saj i sjellin qindra milionë euro në vit. Ata që jetojnë në vendet më të zhvilluara, e shpeshherë nuk dinë as not, aq më rrallë u japin skive, sepse pushimet e tyre i kalojnë në vendin e lindjes për ta ngushëlluar për një të afërm që është ndarë nga jeta, për ta uruar një tjetër për një lindje… Për një dasmë, për një këngë, për një fjalë.
Janë minatorët, të cilët ia dalin me një pension fyes t’i kalojnë muajt e paktë mbi këtë tokë. Ata të cilët me thonjtë dhe mushkëritë e tyre u nxjerrin të tjerëve xhevahiret e tokës që shkelin. Ata të cilët më keq se gjithandej jetojnë në varr për së gjalli. Ata të cilët në vitet e ‘80-ta nga nëntoka e pasur i tundën themelet e Jugosllavisë me grevën e tyre dhe e ndryshuan mbitokën e Ballkanit dhe të Evropës. Janë invalidët e luftës që me 40 euro në muaj, a 50, që të mos i biem në qafë sistemit, ia dalin të mbijetojnë, t’i lëmojnë plagët e tyre. Ata të cilët e vazhduan amanetin e minatorëve mbi tokë. Në majat më të thepisura, në grykat më të thella.
Janë pleqtë që arrijnë moshë shqiponjash të bardha, pas një jete në tym e flakë. Nën regjimin mizor të Leninit. Dhe, më tepër se kaq. Të përjashtuar dhe të përçmuar; të stërmunduar dhe të braktisur. Pa një pension të dinjitetshëm. Ata që shoqërisë ia kanë lënë rininë dhe fjalët e urta si udhërrëfyese. Janë fëmijët, të cilët, sipas raporteve ndërkombëtare, shijojnë arsimimin më të dobët. Dhe, megjithatë, ia dalin t’i mësojnë teknologjitë e reja edhe të studiojnë në shkollat më të mira të botës, madje të marrin çmime ndërkombëtare. S’ka një javë që një i ri kosovar, Bujar Nrecaj, u shpall Personaliteti i Vitit për arkitekturë në Zvicër. Për një projekt biblioteke, e cila do t’i qaste fëmijët e Kosovës më lehtë te dija. Për të cilin ai u nominua për një çmim të renomuar ndërkombëtar, «Aga Khan Award for Architecture».
Janë gjithë ata burra, që në rastin më të mirë duhet t’i mbajnë familjet e tyre me 200-300 euro në muaj. E ndoshta më shumë se gjysma ia dalin kësaj pa këtë rrogë! Ndërkohë që, përveç çmimeve perëndimore, nuk marrin asnjë shërbim pa ryshfet. Kosovarët janë i vetmi popull i Evropës i privuar nga Liria e Lëvizjes. Prandaj, buletinet meteorologjike të medieve kosovare flasin për gjendjen e motit nga Amerika Latine në Australi; si puna e atij të burgosurit të Alkatrazit, burgut më të thellë në botë, që shkruante një disertacion për lejlekët.
Shqiptarët e vitit, a të shekullit, a të amshimit, nëse dëshironi, nuk janë vetëm burra. Para së gjithash, janë gra. Janë ato që i lindën këta burra! «…në maternitet a në shtëpi, në mal a në arë, duke prerë dru, e duke hedhur farë», siç e ka thënë Dritëro Agolli, që sivjet i mbushi 85 vjet. Po, ai e ka edhe një poezi tjetër admirimi, veçanërisht për nënën shqiptare, së cilës i hakërrehen se ia prishi hesapet Çubrilloviqit. E që mjerisht ajo shpeshherë në viset e shqiptarëve nuk gëzon as respektin të thirret në emër, por thjesht si aneks i burrit i ngjitet emrit të tij me një «-icë».
Këta shqiptarë e meritojnë të shpallen Shqiptari i Vitit! Një popull që e ka forcën t’i mbajë elitat që ka. Performanca dhe rezistenca e të cilit nuk ia kalon vetëm asaj të evropianit, por njeriut vetë. Por, edhe një popull, që me gjithë mjerimin ku është katandisur, ka kthjellësinë të gjykojë edhe energjinë të protestojë.
Janë shqiptarët…

A do të shesë Berluskoni Meadiaset-in?

Drejtuesi i korporatave franceze, Vincent Bollore, ka bërë një ofertë për transmetuesin më të madh italian, duke shpallur kështu luftë të hapur ndaj ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi.
Asnjë prej bosëve të bizneseve franceze nuk mund të krahasohet me Vincent Bollore për sa i përket kapardisjes dhe agresivitetit, shkruan “The Economist”. Shpesh është cilësuar nga shtypi vendas si britaniku kokëfortë, përfitues i pamëshirshëm dhe vrasësi i buzëqeshjes, drejtuesi 64-vjeçar i korporatave ka shfaqur interes në sektorin e mediave, transportit, reklamave dhe telefonisë dhe shumë të tjerë, të shpërndarë në të gjithë Europën dhe Afrikën. Mendimet në vend janë të ndara midis atyre që mendojnë se metodat e tij janë shumë të vrazhda dhe atyre që mirëpresin efektin e tij në një botë të përgjumur të biznesit.
Javët e fundit ishte radha e shtypit italian që të vihej në shënjestër të primatit dhe mercenarit francez. Më 13 dhjetor, u përhap lajmi se firma franceze e medias, Vivendi, ku Bollore Group zotëron 20% të aksioneve, ishte në garë për të blerë aksionet e Mediaset, televizionit më të madh në Itali. Gjërat kanë lëvizur me shpejtësi. Një ditë më pas, Vivendi zotëronte 20% të aksioneve nga 3% që kishte dy ditë më parë. Firma italiane pretendon për një përpjekje armiqësore për marrjen e kontrollit, specialitet ky i vrasësit të buzëqeshjes.
Zoti Bollore për një kohë të gjatë ka pasur si synim që të zotërojë aksione të Mediaset-it. Më herët këtë vit, Vivendi pati rënë dakord mbi një plan në të cilin secila do të merrte një përqindje të vogël aksionesh në firmat e tjera dhe Vivendi do të merrte kontrollin e Mediaset Premium, televizion me pagesë jofitimprurës në Itali. Pasi marrëveshja u prish në verë, vijuan kërcënime ligjore kundër zotit Bollore, çmimet e aksioneve të Mediaset u tronditën, kështu që Vivendi bleu aksionet e Mediaset relativisht më lirë. Ai lakmon që të ketë të kombinuar 58% të tregut të televizionit tokësor në Itali (dhe në të njëjtën mënyrë është 43% e tregut spanjoll). Nëse ekonomia italiane do të gjallërohet, përfitimet do të jenë të mëdha.
Gjithashtu ai kërkon që të përputhë aktivitetin e këtyre firmave me interesat e veta personale në Francë, veçanërisht Canal Plus, që të formojë një transmetues të madh mesdhetar. Në median anglosaksone, vërehen individë të afërt me bordin e Vivendit, aleancat e mëdha janë të zakonshme. Shumë televizione europiane janë të mendimit se është koha që rajoni të ketë një konglomerat në shkallën e Timer Warner-it amerikan apo të Disney-t. (Herën e fundit që Vivendi provoi që të përmbushte një ambicie të tillë, nën drejtimin e Jean-Marie Messier, ish-drejtor ekzekutiv, rezultati ishte një rrëmujë që gati e çoi firmën në falimentim). Një objektiv më i largët mund të jetë bashkimi i përmbajtjes italiane me shpërndarjen. Këtë vit, Vivendi bleu një të katërtën e Telecom Italia. Bollore mund të planifikojë kombinimin e medias dhe funksionet e Telekomit në vend.
Në afat të shkurtër, ai do të përpiqet që të dobësojë kontrollin e aksionerëve më të mëdhenj të Mediaset-it, Fininvest, kompaninë familjare aksionere të Silvio Berlusconi-t, ish-kryeministër. Më 14 dhjetor, Berlusconi i quajti veprimet e Vivendit armiqësore dhe u zotua se do të mbronte interesat e tij. Fininvest-i rriti lehtësisht aksionet e saj në Mediaset në afërsisht 40%, dhe do të gjejë mënyra të tjera për të zotëruar më shumë.
I biri i Berlusconi-t, Pier Silvio Berlusconi, drejton Mediaset-in, por vëllezërit e tij kanë shprehur më shumë shqetësim në lidhje me betejën ndaj Vivendit. Përballja e Berlusconi-t të moshuar, tashmë 80 vjeç, me ish-mikun e tij Bollore, duket se do të tërheqë audiencat në disa tregje të Mesdheut dhe më gjerë.

Rama telefonon Bleonën dhe i kërkon t’i mundësojë një foto me Trump

Pas postimit në rrjetet sociale të fotos së Bleona Qerretit me Presidentin e zgjedhur Trump, njerëz të afërt të Bleonës thonë se ajo ka marrë një telefonatë të shtunën në mbrëmje nga kreu i qeverisë, Rama. Fillimisht Rama e ka uruar Bleonën për performancën dhe foton e bërë me Trump dhe më pas i ka bërë edhe një ofertë joshëse. Rama i ka kërkuar Bleonës që të ndërhyjë tek Presidenti Trump dhe të shikojë mundësinë që edhe Rama si Bleona të mund të bëjë një foto me të. Rama i ka thënë se është gati të niset menjëherë nëse merr një konfirmim pozitiv. “Unë u bëra gruaja e Bilalit për të bërë një foto me Obamën dhe kuptohet se mund të bëhem edhe gruaja jote që të bëj një fotografi të ngjashme. Sa për paratë mos e vrit mendjen se i paguan Vilma nga koncesioni i Check-up-it”, është shprehur Rama. Bleona ende nuk i ka kthyer përgjigje Ramës për një foto të mundshme me Trump, por i ka kthyer përgjigje për ofertën që të bëhet gruaja e saj “Unë dua burrë, ka thënë Bleona, po qe për grua merru me Erin”.

Si do të veprojë KQZ me heqjen e mandateve?

-Zoti Kume, si vepron KQZ me mandatet e dy deputetëve pas dorëzimit të dokumentacionit nga Prokuroria?
Referuar kërkesave drejtuar KQZ për të zgjedhurit deputetë, ky institucion i ka kërkuar siç duhet tashmë që të verifikojë vetëdeklarimet e bëra. E drejta për të realizuar një verifikim të tillë i nis KQZ ose ku ka indicie ose kryesisht. Ka shumë kërkesa për verifikim në Prokurori, të bëra jo vetëm nga KQZ. Tashmë ka mbaruar procedura e verifikimit. Pas kësaj është njoftuar KQZ për rezultatet e këtij verifikimi, ka kryer detyrën e saj, dhe tashmë i ka dhënë institucionit që ka bërë kërkesën të gjithë dokumentacionin e kërkuar, dhe tashmë i takon KQZ të vijojë. Nga dita kur Prokuroria ka njoftuar për rezultatet e këtij verifikimi, për një periudhë 10 ditore, KQZ shqyrton dokumentacionin e ardhur nga Prokuroria.

-A ka të drejtë ta vërë në pikëpyetje këtë dokumentacion?
E shqyrton dokumentacioni, për të dalë se ajo çka ka dalë nga Prokuroria a korrespondon me një nga veprat e parashikuara për dekriminalizimin. Nëse po, atëherë duhet vazhduar më tej. Nëse rezulton se subjekti përkatës bëhet objekt i ligjit për dekriminalizimin, duhet që KQZ të shohë edhe afatin brenda të cilit mund të veprojë ky ligj. Në varësi të veprave e drejta për t’u zgjedhur hiqet, për 5, 10 apo më shumë vite.

Policia arreston këdo që guxon të kërkojë dëmshpërblim!

Por të kërkosh një të drejtë në Shqipëri është mision i pamundur. Të kërkosh të mbrosh shtëpinë, fëmijët, ambientin, ajrin duhet të llogarisësh dhe belatë që të hap qeveria. Më datë 20 të këtij muaji banorët e Zharrës bllokuan rrugën që të çon tek depozitat e naftës, por tashmë 14 prej banorëve duhet të përballen me akuzën e “Grumbullimit të paligjshëm”. Ja se çfarë thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. “Nga Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Patos dhe Roskovec, filloi procedimi penal dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier për shtetasit: P.N., 47 vjeç, F.D., 26 vjeç, Q.Rr., 61 vjeç, E.H., 61 vjeç, A.Xh., 30 vjeç, D.G., 56 vjeç, B.G., 50 vjeç, A.L., 25 vjeç, F.H., 50 vjeç, P.H., 58 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, Patos. B.B., 37 vjeç, L.S., 49 vjeç, Y.T., 53 vjeç, M.L., 40 vjeç, banues në fshatin Kuman, Roskovec. Këta shtetas më datën 20.12.2016, rreth orës 08:30, në fshatin Zharrëz dhe Kuman, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në rrugën nacionale Fier-Berat”. Pra, të vjedhësh, të dëmtosh pronën, të helmosh ajrin, fëmijët nuk quhet krim në rilindjen e Edi Ramës, por të kërkosh një të drejtë tënden, të kërkosh të ndalësh tërë këtë maskaradë quhet krim në epokën e rilindjes.

Financat shesin pronat e sekuestruara

Pronat e sekuestruara nga aktivitetet e paligjshme janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave. Gjithsej janë 7 prona, me vlerë 270 milionë lekë ose 2 milionë euro. Pronat ndodhen në qytetet e Durrësit, Tiranës, Sarandës dhe Lushnjës.
Vlera më e madhe në lekë i takon një ullishte në Durrës, e cila del në ankand me vlerë 111 milionë lekë. Gjithashtu me vlerë respektivisht 44.8 dhe 74.5 milionë lekë u takojnë dy parcelave tokë po në Durrës.
Ndërsa një makinë “Mitsubishi-Pajero” e sekuestruar në Tiranë, ka dalë në shitje për 115 mijë lekë.
Ankandi për blerjen e tyre do të zhvillohet më 11 janar të vitit 2017. Sipas kritereve të garës në ankand mund të marrë pjesë çdo person fizik apo juridik i interesuar.
Për blerje me ankand duhet të paraqitet një kërkesë me shkrim për blerjen e objektit apo ndërmarrjes e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Financave, mandatpagesa apo garancia bankare në origjinal që vërteton derdhjen apo ngurtësimin e 20% të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të Ministrisë së Financave, si dhe dokumentet e identifikimit.
Vitet e fundit pasuritë e sekuestruara në të gjithë vendin janë miliona euro, por ende sot e kësaj dite nuk ka një regjistër dhe transparencë sesi administrohen pasuritë e konfiskuara. Përkundrazi edhe pasi është vënë sekuestro, pasuritë janë shfrytëzuar nga të afërm të personave, ndaj të cilëve është aplikuar masa.
Deri më tani, as Ministria e Financave dhe as Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk kanë të publikuar raporte dhe bilance të gjendjes së miliona euro pasuri që janë sekuestruar dhe konfiskuar ndër vite.

Tubat e TAP rrisin me 53 për qind importet nga Gjermania

Tregtia me Gjermaninë ka shënuar rritje të ndjeshme në drejtim të importeve. Vlera e tyre në fund të 11-mujorit arriti në 49 miliardë lekë, me një rritje 53% në krahasim me një periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, grupi që ka shënuar rritje më të madhe me vlerë rreth 11 miliardë lekësh janë “artikuj gize dhe çeliku”, të cilët përfaqësojnë tubat që janë importuar për nevojat e gazsjellësit TAP.
Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, importet nga Gjermania zunë 14% të totalit të importeve nga 4.4% që zinin një vit më parë.
Përveç tubave të TAP, mësohet se kanë shënuar dyfishim importet e instrumenteve muzikore. Por importet e tubave të TAP kanë kompensuar deri diku rënien e importeve të tjera. Nga të dhënat e detajuara shihet se importet e produkteve farmaceutike kanë rënë me 20% dhe gjithashtu importet e produkteve plastike.
Në fakt, investimet në projektin gjigant të gazsjellësit kanë ndikuar në rritjen totale të importeve. Sipas të dhënave të INSTAT, shihet se dy grupet e importeve që lidhen me projektin, “Materialet e ndërtimit” dhe “Makineri – pajisjet” u rritën me mbi 12% në krahasim me një vit më parë, duke shënuar rritjen më të lartë se të gjitha grupmallrat e tjera.
Importi i materialeve të ndërtimit shënoi një vlerë 63 miliardë lekë për 10-mujorin nga 55.9 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje gati 13%. Kjo rritje erdhi për shkak të hyrjes në vendin tonë të tubave që do t’i shërbejnë gazsjellësit TAP.
Po me këto ritme u rritën edhe importet e makinerive dhe pajisjeve, të cilat shënuan 104.8 miliardë lekë, ose 13.8% më shumë se një vit më parë. Edhe ky grup mallrash lidhet me investimet në gazsjellës dhe në hidrocentrale.

Si do të fshihen gjobat e gabuara

Policia Tatimore,dyqan. Foto / Malton DIBRA.

Pasi një draft paraprak i faljes fiskale, i hartuar në korrik, nuk gjeti konsensusin e FMN-së, financat po punojnë tashmë për një projektligj tjetër për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura dhe gjobave të vëna gabim në qershor për të vetëpunësuarit.
Lajmi është bërë i ditur për “Monitor” nga drejtoresha e Tatimeve, Vasilika Vjero.
“Ministria e Financave është duke punuar për draftimin e një projektligji për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura. Në këtë kuadër, parashikohet që të bëhet edhe fshirja e gjobave për personat e vetëpunësuar, të cilët nuk kanë bërë në afatin e caktuar deklaratën e tyre”, ka pohuar ajo.
Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit, pas përditësimit të sistemit të e-tax. Vetëm pak ditë më vonë, më 1 korrik, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë.
Pavarësisht kësaj, në tetor, tek bizneset u shkaktua konfuzion pasi morën një shkresë nga organet tatimore për detyrimet tatimore të papaguara, ku përfshiheshin dhe gjobat, të cilat u vunë automatikisht nga sistemi në qershor për vonesë në deklarimin e punonjësve dhe për të cilat bizneset ishin në pritje të faljes.

Si ndryshoi projekti për faljen fiskale
Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.
Në shtator, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Edhe ministri i Financave, Ahmetaj, u tërhoq dhe tha se nuk ka falje të detyrimeve, por “nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të ketë lehtësi për ata që paguajnë detyrimin e plotë. Ata që paguajnë detyrimet do të kenë lehtësi në interesa dhe në gjoba, ndërsa ata që nuk i paguajnë, do t’i mblidhet detyrimi me forcë me anë të gjithë instrumenteve”.
Tashmë pritet të shohim se çfarë do të përmbajë drafti i ri i faljes fiskale.

Biznesi 467 milionë euro e greva e urisë në Zharrëz

Armand MAHO

Një njeri i pamësuar do e ndjejë erën e lehtë të gazit, që mbështjell qytetin jugor… Vjen nga Patoz Marinza, që është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe nga më të mëdhatë ose më e madhja në Evropë. Një sipërfaqe prej më shumë se 17 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5.4 miliardë fuçi. Nafta bruto e kësaj zone shitet me një zbritje prej rreth 50-60% ndaj referencës europiane për shkak të cilësisë së saj, por që gjithsesi mbetet një pasuri jashtëzakonisht e madhe po të marrësh parasysh çmimet në tregjet evropiane, për të mos folur më pas për çmimet e tregut vendas. Patoz Marinza u zbulua nga inxhinierët italianë në mesin e viteve 1920 dhe mediat evropiane të kohës i bënë jehonë mjaft të madhe këtij vendburimi. Në fakt, nuk ka qenë dhe aq e vështirë, pasi lënda bituminoze gëlonte në sipërfaqen e tokës. Fusha e Patoz Marinzës është rreth 12-15 kilometra nga qyteti i Fierit. Pasi merr rrugën në juglindje të qytetit ose rruga e Patosit që quhet nga fshati Verbës, Zharrëzën e ndajnë vetëm 2 apo tri kilometra. Është një fshat me rreth 500 shtëpi i vendosur anës vendburimit të Patos Marinzës, një fshat i cili “ari i zi” që mbajnë në nëntokën e tyre po u kthehet në një mallkim.

Në Zharrëz

Nuk ishte e vështirë të gjenim ambientet e grevës. Jashtë saj qëndronin grupe-grupe banorët, ndërsa në dyert dhe xhamat e lokalit të improvizuar shkruhej “Na ndihmoni, Aleppo shqiptare është këtu”. Muzgu sapo ka filluar të bjerë dhe prej 5 ditësh 10 banorë të Zharrëzës kanë nisur një grevë urie. I pret një tjetër natë e ftohtë dhe fuqitë po i shterojnë… Shtëpitë u janë shembur, toka u është kontaminuar, uji gjithashtu dhe së bashku me to dhe prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Një situatë absurde e krijuar nga një kompani, e cila duket se ka lidhje të forta lart, në qeverinë e Tiranës, atje ku bëhen pazaret. Kjo nuk është një akuzë e hedhur kot, si për të drejtuar gishtin kur s’ke zgjidhje, jo! Protestës së tyre nuk i është përgjigjur askush… Prefekti i Qarkut Fier u përzu nga ambientet e grevës të shtunën në mbrëmje. Arsyeja ishte e thjeshtë, mori përsipër të negociojë për dëmshpërblimin e katrahurës që po u ndodh dhe nuk bëri asgjë. Prefekti nuk është i vetmi. Damian Gjiknuri, ministri i Industrisë u kish premtuar, në vitin 2014 zgjidhje të problemit të tyre, madje kjo ka çuar dhe në ndërprerjen e grevës të nisur në atë kohë… Por të dielën në mbrëmje ata i binin dëshpërimisht telefonit të tij dhe asnjë përgjigje… Në datë 21 dhjetor pas lëkundjeve prej 4.5 ballë të tërmetit të shkaktuar ai kish lëshuar një urdhër që kompania të ndërpresë punimet, por ajo vazhdonte e qetë të nxirrte nga nëntoka me shpërthime naftën. Askush nuk i thoshte gjë dhe në horizont dukeshin botet që shkonin e vinin pa u shqetësuar nga askush…

Kontaminimi

“Në rast se do të bëja analizat nuk e di se çfarë sëmundje mund të më nxjerrin”, thotë Endri, një djalë i ri grevist bashkë me të tjerët. “Këtu është ndotur gjithçka, toka, uji, ajri. Mëngjeseve era është e padurueshme… Nuk dimë ku të shkojmë, nuk dimë se çfarë të bëjmë. Por kësaj duhet t’i shtojmë dhe mbetjen pa shtëpi, pasi shumë prej banesave të fshatit janë bërë të pabanueshme, përfshirë dhe timen dhe të të tjerëve këtu”, shprehet më tej ai. Një tjetër grevist na tregon se shumë fëmijë që nga mosha 3 vjeç ekzaminohen me astmë, si pasojë e ndotjes së ajrit. Nga shteti sërish heshtje… Oxhaku në cep të sallës ku zhvillohet greva nuk është në gjendje të ngrohë të gjithë ambientin dhe grevisti struket nën jorgan. “Kemi pesë ditë këtu, përveç dy deputetëve të PD-së, dhe nja tre të LSI-së askush nuk ka ardhur të na shohë si jemi. Gramoz Ruçi bën sikur nuk dëgjon, po ashtu dhe deputetët e tjerë”, thotë një tjetër grevist. Një shurdhëri, e cila duket e urdhëruar, një shurdhëri që ka prekur dhe mediat me të cilat ata ishin nervozuar jo pak. “Vijnë këtu dhe ose nuk e transmetojnë kronikën, ose e shndërrojnë siç bëri një TV që për pak sa nuk aludonte se jemi futur për qejf në grevë urie”, shprehen ata.

Kush qëndron mbrapa kompanisë?

Bankers Petrolium është kompania që prej gati 12 vjetësh operon në fushën e nxjerrjes së naftës në Patoz Marinzë. Kohët e fundit u përfol për një shitje tek kompania kineze Geo Jade, për një shumë prej 557 milionë eurosh. Në fakt ende nuk dihet pasi u përfol që kompania kineze do e mbyllte marrëveshjen në fund të shtatorit të këtij viti, por sërish dyshimet mbeten. Përse një kompani, e cila fiton rreth 467 milionë dollarë në vit nga nxjerrja dhe përpunimi i naftës së Fierit sipas të dhënave të vitit 2013 të shesë për një shumë të tillë biznesin e saj?! Në shkurt të këtij viti, Rama ishte vetë në Zharrëz, ku premtoi se kompania e re do të mendonte për banorët e Zharrës dhe do të kujdesej për dëmshpërblimin e tyre. Por që nga ajo kohë ka kaluar thuajse një vit dhe Rama nuk është dukur më në Zharrëz. Dyshimet janë se prapa marrëveshjes për shitjen e Bankers Petrolium qëndron spekulanti Xhorxh Sorros që thuhet se ka 20 për qind të aksioneve. Kjo bëhet dhe më e besueshme po të kemi parasysh se prodhimin në masën 65% të saj, kompania në bazë të një marrëveshjeje do ja shesë një kompanie të regjistruar në Ishujt Virgin, e cila ka marrë në përdorim kompaninë ARMO, e cila operon në këtë zonë me rafineritë e naftës së Fierit dhe Ballshit. Është kjo kompani, e cila ka ekskluzivitetin për përpunimin e naftës kryesisht për eksport dhe një pjesë për tregun vendas. Në kohën e marrjes nga kompania në fjalë, pas së cilës fshihet një klient i Ramës, ARMO kishte më shumë se 500 milionë dollarë borxhe, ku 300 milionë prej tyre ishin kredi të marra në banka, ndërsa pjesa tjetër taksa të papaguara dhe detyrime të tjera. Kontrata është bërë me kusht që në tremujorin e katërt të vitit 2016 kompania të intensifikojë më shumë nxjerrjen e naftës, intensifikim i cili po bëhet me kosto të lartë për banorët.

900 lëkundje për 2 muaj

Patoz Marinza dhe fshatrat përreth saj, kanë rënë pre e një makutërie, e cila po shfrytëzon pa karar resurset e këtij vendi. Ajo që po ndodh është e thjeshtë. Resurset e naftës në sipërfaqe janë pakësuar nga përdorimi dhe nxjerrja prej dekadash e naftës në këtë vend. Për të marrë naftën që ndodhet në thellësi, kompania duket se ka gjetur mënyrën më të thjeshtë, atë me anë të shpërthim, e cila trazon vendburimet dhe i bën më lehtë të arritshme. Banorët shprehen se vetëm për muajt tetor-nëntor janë regjistuar rreth 900 lëkundje sizmike të ardhura si pasojë e shpimit me anë të shpërthimit me ujë teknologjik. Pra, 900 lëkundje për 2 muaj ka një mesatare prej rreth 15 lëkundjesh në ditë. “Nuk mund të vemë dot as gjumë në sy pasi kemi frikë se çatia mund të na shembet nga çasti në çast dhe kemi fëmijë”, tregon një banor. Me këtë frikë ata jetojnë prej vitesh, por muajt e fundit, sidomos pas shitjes së ARMO babëzia sikur është shtuar, kjo dhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. “Sapo çmimi i naftës bie në bursa, dhe lëkundjet sikur rrallohen. Kishte nja shtatë muaj që nuk ishin me këtë intensitet, por ka që nga tetori që jemi të terrorizuar”, tregojnë banorët. Të gjithë të tregojnë me foto dëmtimet e shtëpive, të cilat i kanë bërë për t’ja treguar personave që duhet të interesoheshin për hallin e tyre, por që nuk duken kurrkund.

Akuza nga Gjermania dhe Austria ndaj Ramës

Pak para Krishtlindjeve kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë një dhuratë të pakëndshme nga shkencëtarë të njohur gjermanë dhe austriakë për mbrojtjen e ambientit. Ekspertët analizuan Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të kryer nga qeveria shqiptare për hidrocentralin e planifikuar në fshatin Poçem në lumin Vjosa në Shqipëri. Në vlerësimin e qeverisë së Edi Ramës theksohet se projekti nuk e dëmton ambientin. Por, sipas shkencëtarëve gjermanë dhe austriakë, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis është “një farsë”, sepse nuk i plotëson kriteret minimale dhe nuk mund të parashikojë fare pasojat që mund të ketë projekti i hidrocentralit për ambientin. Ekspertët gjermanë dhe austriakë i kanë shkruar kryeministrit të Shqipërisë në emër të organizatave për mbrojtjen e natyrës, “EuroNatur” dhe “Riverwatch”. Një qëndrim të ngjashëm ndaj projektit kanë mbajtur edhe ekspertët e ambientit nga Universiteti i Tiranës.
Shkencëtarët gjermanë dhe austriakë kanë kritikuar qeverinë se nuk ka bërë kurrfarë analizash për florën dhe faunën dhe speciet e rralla: “60 për qind e tekstit është kopjuar nga dokumentet e tjera dhe pjesërisht i referohet fushave krejtësisht të tjera”. Ekspertët theksojnë se nuk janë analizuar proceset hidrologjike, morfologjike dhe ekologjike, as nuk janë përshkruar pasojat e mundshme afatgjata të projektit.
Në letrën dërguar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjikurit dhe ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, shkencëtarët gjermanë dhe austriakë i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të hedhë poshtë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe të angazhohet për një studim serioz dhe të harmonizuar me standardet e BE-së.
Pasojat e digës që parashihet të ndërtohet në lumin Vjosa në asnjë mënyrë nuk mund të analizohen me këtë vlerësim të qeverisë shqiptare, thonë ekspertët në emër të organizatave “EuroNatur” dhe “Riverwatch”. “Efektet biologjike të digës janë trajtuar me 10 rreshta, pa përmendur asnjë lloj peshku. Ky tekst i grumbulluar nga copëzat e marra gjithandej nuk e meriton emrin Vlerësim i Ndikimit në Mjedis”, deklaroi Martin Pusch nga Instituti Leibnitz i Ujërave dhe Peshkëtarisë (IGB) në Berlin.
Gjuha e ekspertëve ndërkombëtarë është mjaft e ashpër. Analiza e qeverisë shqiptare për hidrocentralin e planifikuar në Vjosë konsiderohet kuturu, madje një karikaturë e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Sipas ekspertëve Vjosa është një lumë me rëndësi ndërkombëtare, andaj çdo ndërhyrje në të kërkon respektimin e standardeve më të larta ligjore. “Jemi përherë të gatshëm t’i përkrahim ministritë shqiptare në realizimin e një Vlerësimi serioz të Ndikimit në Ambient”, deklaroi profesori Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës.
Në një njoftim të “EuroNatur” dhe “Riverwatch” theksohet se Vjosa është lumi i fundit i madh dhe “i egër” në Europë – me përjashtim të Rusisë. Lumi rrjedh rreth 270 kilometra nga Greqia nëpër Shqipëri dhe derdhet në Adriatik. Qeveria e Edi Ramës po synon që në pjesën ekologjikisht më të çmuar të lumit të ndërtojë një hidrocentral. Tenderin për këtë projekt e kanë fituar dy kompani turke.

Më 2 nëntor Rama firmosi ndërtimin e HEC-eve

Ministria e Energjisë ka firmosur kontratën me kompaninë turke “Kovlu Energji” duke i dhënë të drejtën për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit. Ky vendim shkon në kundërshtim me kërkesat e banorëve të luginës së Vjosës, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, Bashkimit Evropian që kanë kërkuar një moratorium 3-vjeçar për sa i përket ndërtimit të HEC-eve në Vjosë.
“Dhënia me koncesion të HEC-it të Poçemit është kryer në mënyrë të fshehtë, jo transparente dhe në shkelje të legjislacionit shqiptar në fuqi, si dhe në shpërfillje të plotë të rekomandimeve të PE”, deklaron lëvizja “EkoAlbania”.
Fituesi i tenderit për këtë hidrocentral është shpallur konsorciumi “Çinar San” dhe “Ayen Enerji” në një njoftim të bërë publik nga Ministria e Energjisë, në maj 2016. Ndërkohë që kontrata koncesionare është lidhur me një tjetër kompani turke.
Kompania fituese ka paraqitur raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, pjesë e të cilit është dhe dëgjesa publike, e cila sipas dokumenteve zyrtare rezulton të jetë realizuar në shkurt të vitit 2015 në Fier.
Asnjë prej banorëve të prekur nga ndërtimi i këtij HEC-i apo njësitë e qeverisjes vendore nuk janë bërë pjesë e këtij procesi. “Unë si kryetar i bashkisë, nuk jam vënë në dijeni nëse është bërë një marrëveshje dhe nëse po me kë është bërë? Çfarë është parashikuar? Cilat do të jenë ndikimet dhe çfarë do të ndodhë me banorët?”, tha Përparim Shametaj, kryetari i Bashkisë Selenicë.
Sipas “EkoAlbania” një grup pune me ekspertë të huaj dhe kombëtar ka vlerësuar se ky raport është jo profesional, jo shkencor, etj.
Nga ana tjetër Vjosa ka edhe një vëmendje të veçantë ndërkombëtare pasi konsiderohet si një thesar i trashëgimisë natyrore evropiane. Në këtë mënyrë pas shumë debatesh dhe rekomandimesh nga PE, Komisioni Evropian është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për hartimin e një masterplani rajonal në lidhje me ndërtimin e HEC-eve, i cili pritet të finalizohet në verë të vitit që vjen në takimin e katërt konsultues që do të zhvillohet në Romë. “Ne së bashku me kolegët tanë ndërkombëtarë kemi më shumë se 4 vjet që lobojmë në institucionet e BE-së për të ndaluar këtë valë të pakontrolluar të ndërtimit të HEC-eve. Qeveria shqiptare duhet të shohë për alternativa të tjera të përftimit të energjisë duke ndalur përfundimisht këtë agresion të panevojshëm ndaj natyrës”, tha Olsi Nika nga “EcoAlbania”.
Nisur nga situata aktuale në vendet e Ballkanit gjatë takimit të fundit në Bruksel, OJQ-të mjedisore kanë nënshkruar një letër pozicionimi të drejtuar komisionerit Han mbi nevojën urgjente të përcaktimit të qartë “zona të ndaluara” për ndërtim HEC-esh.
Vjosa konsiderohet si lumi i fundit natyror i Evropës, çka përbën padyshim një prej këtyre zonave të ndaluara për ndërtim HEC-esh.

Si mashtroi Rama shqiptarët me ndërtimin e dy HEC-eve

Më datë 29 korrik 2015 Këshilli i Ministrave ka miratuar një bono prej 8 për qind të pikëve për kompaninë turke Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi, në procedurën e dhënies me koncesion të hidrocentralit Poçem në lumin Vjosë.
Vendimi që është botuar në Fletoren Zyrtare më datë 10 gusht i hap rrugën ndërtimit të një hidrocentrali të dytë pas Kalivaçit në lumin Vjosë, ndërtim i cili kundërshtohet me forcë nga organizatat mjedisore vendase dhe të huaja, si dhe nga Parlamenti Europian.
Vendimi i marrë nga qeveria në korrik gjithashtu bie ndesh me angazhimet që kishte marrë kryeministri Edi Rama një muaj më parë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kur kishte premtuar se në Vjosë nuk do të ndërtoheshin më hidrocentrale dhe se lugina e saj do të kthehej në zonë të mbrojtur.
“Hidrocentrali i Poçemit, është një nga 8 HEC-et e planifikuara në Vjosë nga qeveritë e mëparshme, të cilin ne e kemi kundërshtuar që nga fillimi i fushatës sonë, si dhe gjatë turit të takimeve me komunitetin e luginës së Vjosës, megjithëse kontrata në fjalë ishte vetëm një plan”, u shpreh Besjana Guri, përfaqësuese e “Eco Albania”, një organizatë mjedisore që lobon për ruajtjen e ekosistemit në luginës së Vjosës.
“Tashmë që kjo konkretizohet në vendimin e qeverisë, në një kohë kur vetë kryeministri ka deklaruar se po punohet për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, ne gjendemi përballë një situate shumë kontradiktore”, shtoi Guri.
Gjatë një mitingu në Tepelenë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore më 13 qershor, kryeministri Edi Rama u shpreh që qeveria do t’i ndalonte planet për hidrocentrale në lumin Vjosë duke e orientuar ekonominë e zonës nga turizmi familjar duke e shpallur luginën park kombëtar.
“Do të transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale dhe të zhvillohet turizmi, ekonomia, bujqësia, të fuqizohet ekonomia familjare duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës”, tha Rama.
“Vjosa është një ndër lumenjtë më të bukur dhe me tiparet më interesante të Europës, është një pasuri e madhe europiane. Ne në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare të interesuara do të realizojmë projektin e Vjosës në një Park Kombëtar”, ai shtoi.
I gjatë 270 kilometra, lumi i Vjosës konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, duke rrjedhur në mënyrë të natyrshme dhe të pandikuar nga burimi i tij në Greqi në afërsi të fshatit Vouvoussa e deri në grykëderdhjen në detin Adriatik.