21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Masakra me planin urbanistik të Tiranës në festat e fundvitit

Para pak ditësh, Bashkia Tiranë njoftoi papritur dhe në shkelje të ligjit, dëgjesat publike për masterplanin e Tiranës, pa respektuar as afatin e njoftimit dhe pa bërë fare publik masterplanin për të cilin publiku duhet të japë mendime.
Ndërsa sot më 26 dhjetor në orën 10:00, ditë zyrtare pushimi, Kryesia e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të organizojë një dëgjesë publike për masterplanin nën Hotel Plaza. Po mbasdite, Bashkia ka planifikaur një dëgjesë publike me qytetarë, të cilët nuk janë lajmëruar me asnjë mjet informimi.
Në mënyrë të qëllimshme dhe në shkelje të ligjit shkresa nga Kryesia e Këshillit u ka shkuar këshilltarëve bashkiakë ditën e shtunë, që do të thotë që këshilltarët nuk do të kenë asnjë ditë pune për t’u përgatitur për dëgjesën.
Ndërkohë që në mënyrë tallëse dhe përçmuese, këshilltarëve nuk u është dërguar asnjë kopje e masterplanit, që do të thotë se ata ftohen të japin mendime dhe diskutojnë për një plan që nuk e kanë parë. Informimi paraprak i qytetarëve as që bëhet fjalë.
Njoftimi i dëgjesave publike. Facebook
Në njoftimin e Bashkisë Tiranë thuhet se masterplani do të votohet në Këshillin Bashkiak më 29 dhjetor 2016, së bashku me buxhetin e vitit 2017.
Sipas ligjit të dëgjesave publike, bashkia duhet të organizojë të paktën dy dëgjesa publike të mëdha në nivel bashkie dhe t’i njoftojë ato, së bashku me dokumentat e projektit, të cilat duhet të diskutohen, një muaj përpara se ato të miratohen.
As faqja “transparenca” e Bashkisë (e cila ironkisht përfshin edhe ligjin, i cili nuk po zbatohet), as regjistri i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) nuk kanë bërë publike asnjë njoftim rreth dëgjesave publike, të cilat mbahen me qëllimin për të diskututar planin e përgjithshëm vendor të Tiranës, i hartuar në kuadër të reformës territoriale.
Në faqen zyrtare dhe në Facebook të TR030, të cilat u njoftuan si platforma kryesore të shkëmbimit të informacionit me publikun, nuk paraqitet asnjë aktivitet deri më tani. Faqja zyrtare është ende duke u ndërtuar, ndërsa postimi i fundit në Facebook daton  më 1 tetor.
Prej fillimit, masterplani i Tiranës nën mbështetjen e të pamposhturit, arkitektit dhe politikanit italian Stefano Boeri, ka qenë mbuluar në dyshime për korrupsion e klientelizëm dhe keqmenaxhim.
Tani duket se Bashkia Tiranë do të kalojë produktin e studios së tij dhe të UNILAB-it gjatë periudhës së festave, pavarësisht nga fakti se gjithçka po bëhet në shkelje të ligjit.

Tallje dhe manipulim me këshilltartë bashkiakë

Anëtarët e Këshillit Bashkiak janë përfaqësuesit e qytetarëve të Tiranës, por Kryebashkiaku Veliaj i trajton edhe më keq se vartësit e vet. Në fakt, ai mobilizon vartësit e vet për të përgatitur talljen dhe manipulimin e këshilltarëve.
Sikurse informuam dje, këshilltarët janë thirrur në një mbledhje për të diskutuar masterplanin e zhvillimit të Tiranës. Mënyra dhe forma e thirrjes së takimit, por edhe mënyra e zhvillimit të tij janë jo vetëm në shkelje të ligjit, por edhe krejtësisht abuzive dhe nëpërkëmbëse për përfaqësuesit e popullit të Tiranës.
Së pari, njoftimi u bë në shkelje të çdo ligji dhe procedure: u njoftua ditën e shtunë, ditë pushimi, për t’u mbledhur më pak se 48 orë më pas, kohë e gjitha pushim zyrtar.
Në faqen e Bashkisë takimi njoftohej për në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar, kur në fakt ishte lënë për në Hotel Plaza, hoteli zyrtar i qeverisë.
Media fillimisht nuk është lënë të marrë pjesë, duke u përpjekur për të përzgjedhur vetëm mediat miqësore. Vetëm pas një debati të gjatë dhe këmbënguljes të përfaqësuesve të grupimeve qytetare është pranuar që si përfaqësuesit e këtyre grupeve edhe mediat të lejohen në sallë si dëgjues.
Këshilltarëve bashkiakë jo vetëm që nuk u është dhënë paraprakisht masterplani, por nuk ju është dhënë materiali as gjatë takimit.
I vetmi material që u është vënë në dispozicion është një përmbledhje hartash teknike. Edhe vartësit e Veliajt e kanë dokumentin e plotë të masterplanit, por jo këshilltarët bashkiakë.
Pasi ka mbajtur fjalën e tij, Kryebashkiaku Veliaj e ka lënë takimin me justifikimin se duhet të shkonte në Bashki për të bërë një celebrim, pikërisht në momentin kur këshilltarët e djathtë kërkuan t’i bënin pyetje kryebashkiakut.

Koncesioni i Bashkisë, terminali për autobusët

Një terminal i ri për autobusët pritet të ndërtohet në juglindje të Tiranës, në Sauk, pranë TEG. Bashkia e Tiranës ka miratuar projektvendimin për “Përcaktimin e vendndodhjes së terminalit juglindor të autobusëve në Bashkinë e Tiranës”, ku ka ngarkuar strukturat përgjegjëse të Bashkisë së Tiranës të lidhin një marrëveshje me Praslin Investment AL  Sh.A. për garantimin e investimit me fondet e Praslin Investment AL Sh.A. dhe operimin e terminalit juglindor të transportit të autobusëve prej kësaj të fundit për më së paku 20 vjet. Vendimi vjen pasi me shkresën më datë 18.12.2015 nr./prot. 21864 shoqëria Praslin Investment AL. Sh.A. kishte bërë propozimin e pakërkuar për ndërtimin e terminalit juglindor.

Terminali

Sipas relacionit të Bashkisë, terminali juglindor është alternativa më e mirë për t’u ofruar shërbim 23% të hyrje-daljeve ditore nga qyteti i Tiranës nëpërmjet këtij shërbimi nga krahu i Rrugës së Elbasanit, duke lehtësuar kështu ndjeshëm trafikun në Tiranë dhe duke iu ofruar qytetarëve një shërbim më eficient në kohë dhe vlerë monetare.
Projekti i terminalit juglindor i paraqitur propozon ndërtimin, operimin dhe menaxhimin e terminalit juglindor të Tiranës për autobusët. Ai do të ngrihet pranë hyrjes së autostradës Tiranë–Elbasan dhe segmentit lindor të Unazës së Madhe të Tiranës dhe do të ofrojë shërbimet e plota të një terminali bashkëkohor, si dhe ambiente të tjera shtesë për shërbimet e domosdoshme për udhëtarët dhe operatorët e shërbimit të transportit, gjatë stacionimit të tyre.
Projekti i terminalit juglindor do të zhvillohet në një pronë private të ofruar nga investitori me një sipërfaqje totale 20.000 m2, e cila ofron akses mjaft të kënaqshëm për zhvillimin e terminalit. Kompleksi i terminalit do të përbëhet nga ambientet e hapura dhe ndërtesat kryesore të terminalit. Ambientet e hapura, të cilat përfshijnë sheshet, rrugët e qarkullimit të brendshëm të terminalit, trotuarët, pikat e kontrollit të hyrje-daljeve në terminal zënë një sipërfaqje prej 12.000 m2.
Gjithashtu në kufirin perëndimor të terminalit do të realizohet një rrugë që do të shërbejë për të lidhur terminalin dhe pronat e tjera (jo pjesë e terminalit, me autostradën Tiranë–Elbasan dhe unazën e jashtme të Tiranës. Kjo rrugë do të realizohet së bashku me sistemin e përroit të Kabillit (sipas projektit inxhinierik përkatës dhe zë një sipërfaqje rreth 1500 m2). Ndërtesa që do të ketë shërbimet kryesore të terminalit ka një sipërfaqje rreth 10.500 m2, të organizuara në dy kate.
Sipas propozimit, kompleksi i terminalit do të përbëhet nga ambientet e hapura dhe ndërtesat e terminalit, të cilat do të përbëhen nga:
– Sallë pritje (kati -1) – 650 m2
–  Holle dhe korridore (kati përdhe dhe kati -1) – 1600 m2
– Biletari (kati përdhe) – 80 m2
–  Njësi tregtare (kati përdhe) – 185 m2
– Bar– kafe (kati përdhe dhe kati -1) – 225 m2
– Zyrat për kompanitë e transportit (ndërkat i katit përdhe) – 450 m2
– Servisi për mirëmbajtjen e autobusëve (ndërtesë e veçantë ) – 200 m2
– Bagazhe (kati përdhe) – 100 m2
– Zyrat e menaxhimit dhe sigurisë së terminalit – 200 m2
– Ambient çlodhje për shoferët (ndërtesë e veçantë) – 100 m2
– WC (kati përdhe) – 110 m2
– Kabinë elektrike – 70 m2
Ndërsa në parkimin me një sipërfaqje prej 6000 m2 përfshihen:
– Vendqëndrime për autobusët qytetas dhe mbërritjet -9;
– Vendqëndrime për nisjet  – 24;
– Vendqëndrime për nisjet 8+1  -9;
– Parkim bus në pritje  -12;
– Taksi 4+1  -5;
– Kiss and ride  -10;
– Parkim për makina private  -150;
– Hapësirat e këmbësorëve dhe dy katet e ndërtesës janë të lidhura me platformat e terminalit, nëpërmjet shkallëve fikse, shkallëve lëvizëse dhe ashensorë.
Lidhja e terminalit me autostradën Tiranë–Elbasan dhe Unazën e Madhe të Tiranës, do të realizohet me anë të një rruge që do të kalojë mbi përrua (me tombino). Sipërfaqja e rrugës parashikohet të jetë 1,500 m2.

Trafik i rënduar

Trafiku hyrës total në Tiranë (autobus/minibus) numëron në 18,066 njësi. Rrugët kryesore hyrëse janë Rruga e Durrësit me 7,250 transferta/ditë (e barabartë me 40% të totalit të flukseve përbrenda), pasuruar nga Rruga e Elbasanit me 5,270 transferta/ditë (29%); Rruga e Kavajës me 4,674 transferta/ditë (26%) dhe më në fund rruga e Dajtit me 872 transfertat/ditë (5%).
Transfertat e përditshme me autobus/minibus dalëse janë më të shumta se ato hyrëse dhe vlerësohen deri në 20,776 njësi. Rruga kryesore dalëse është përsëri Rruga e Durrësit në të cilën tranzitojnë 44% e automjeteve (9,092 transfertat/ditë).
Rruga e dytë kryesore është Rruga e Kavajës (7.292 transferta/ditë barabartë me 35% të totalit të flukseve dalëse), e cila së bashku me Rrugën e Durrësit përbën gati 80% të totalit të flukseve të trafikut dalës. Rruga e Elbasanit (3.528 transferta/ditë barabartë me 17% të flukseve dalëse) dhe rruga e Dajtit (Dibrës) (864 tranferta/ditë barabartë me 4% të flukseve dalëse), e cila, edhe më pak e rëndësishme dalëse për Tiranën.
Në projektin Plani Rregullator Urban i Bashkisë Tiranë (2009), si dhe në planin që është në proces janë përcaktuar disa “stacione fundore” apo terminale për transportin publik të Tiranës, dhe njëri nga ata është pikërisht në Sauk që është qendra e trafikut për flukset e udhëtarëve që vijnë nga zona juglindore e Shqipërisë, si edhe trafiku ndërkombëtar që i bashkohet këtij fluksi. Po kështu, në planet për ndërtimin e unazës së jashtme të Tiranës, që për seksionin e saj juglindor është drejt përfundimit, shihet se, me ndërtimin edhe të seksionit verilindor, stacioni i Saukut pranë TEG-ut kthehet në një nyje mjaft të rëndësishme të trafikut dhe me një pozicion ideal për një terminal të transportit publik, i cili do të lehtësonte mjaft edhe trafikun që hyn në Tiranë nga juglindja.

Rritje e re e çmimit të energjisë për bizneset

Qeveria do të rrisë sërish çmimin e energjisë elektrike për bizneset gjatë vitit të ardhshëm. Ende ERE është në fazën e përcaktimit se sa do të jetë rritja, por parashikohet që të jetë një rritje e fortë e këtij produkti. Rritja e çmimit të energjisë pritet të rrisë kostot e biznesit. Por si gjithmonë në të tilla raste biznesi e kalon faturën e rritjes së çmimeve tek konsumatorët. Indirekt shqiptarët do të vuajnë kështu një rritje të çmimit të energjisë elektrike, të cilën ata do ta paguajnë në çdo produkt që do të blejnë në treg.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurat për përcaktimin e një çmimi të ri për bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt, i cili do të jetë më i lartë se aktuali.
Çmimet e reja, që do të hyjnë në fuqi vitin që vjen, do të jenë të vlefshme për bizneset që nuk do të gjejnë një furnizues të ri. Ligji i ri i energjisë i detyron këto biznese të dalin nga rrjeti publik i furnizimit në datën 1 janar të vitit që vjen. Por nëse ato dështojnë të gjejnë një furnizues të ri dhe do të vijojnë të përdorin OSHEE si mundësi të fundit, do të paguajnë energjinë me një çmim më të lartë.
Aktualisht janë evidentuar 82 konsumatorë të mëdhenj të energjisë nga rrjeti 35 kv, të cilët sapo të pajisen me sistemin e ri matës, do të nxirren në tregun e lirë të energjisë dhe për rrjedhojë nuk do të jenë të mbrojtur nga çmimet e tregut.
Ekspertët e sektorit rekomandojnë që këto biznese, deri në krijimin e Bursës së Energjisë, duhet të prokurojnë energjinë, duke bërë kërkesa në shumë operatorë dhe lidhin kontrata furnizimi të paktën njëvjeçare. Në këtë mënyrë, ata kanë mundësi të shmangin luhatjet e çmimeve në treg gjatë vitit.
Bizneset do të jenë të ekspozuara ndaj rritjes së çmimit të energjisë, sidomos në kohë thatësire, pasi furnizimi i vendit në këto periudha është i varur tërësisht nga importet. Nëse KESH-it i duhet të blejë energji me çmim 120 euro megavatori, siç ka ndodhur në vitin 2011, sigurisht që edhe bizneset janë të ekspozuara nga çmimet e larta, nëse kjo ngjarje përsëritet.
Këshilltarja e ministrit të Energjisë, Entela Cipa, duke komentuar këtë çështje pak kohë më parë, tha se ka më shumë gjasa që çmimi i energjisë të ulet pas liberalizimit të tregut. Ajo thotë se vendi po shton çdo ditë kapacitetet e furnizimit dhe linjat e transmetimit gjithashtu. Në këto kushte, konkurrenca në treg do të rritet e për rrjedhojë, kjo do të shtojë presionin në uljen e çmimeve, thotë ajo.
Gjithsesi, edhe pas liberalizimit të tregut, bizneset rrezikohen nga furnizimi me energji. Operatori i Shpërndarjes do të mbajë përgjegjësinë e furnizuesit më të fundit. Kjo do të thotë se, nëse një nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dështojë të gjejë furnizuesin në tregun e lirë, atëherë OSHEE do të vijojë të furnizojë. Por në këtë rast ndryshon kushti për çmimin, i cili do të jetë më i lartë. Gjithsesi, tarifat do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë duke marrë në konsideratë analizën e kostove.

Mendes: James nuk largohet nga Reali

James Rodriguez nuk do të largohet nga Reali i Madridit në merkaton e dimrit. Pavarësisht zërave të mediave që flasin për një largim të mundshëm të yllit të Los Cafeteros nga Los Blancos në janar, ka qenë agjenti i futbollistit Jorge Mendes, ai që i  ka siguruar të gjithë se 25-vjeçari do të qëndrojë, në “Santiago Bernabeu” të paktën deri në fund të këtij sezoni. “Nuk e di nëse do të vazhdoj të jem pjesë e Realit, dua të luaj më shumë, tani kam 7 ditë kohë për të menduar”, deklaroi vetë James Rodriguez në përfundim të Botërorit të klubeve. Nga 24 lojtarë që ka aktualisht Reali i Madridit në dispozicion, mesfushori kolumbian aktualisht është i 20-ti në listën e dëshirave të trajnerit Zinedine Zidane me francezin që e ka aktivizuar ish-lojtarin e Monacos vetëm 859 minuta në total në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni. Të dhëna këto që të bëjnë të mendosh se ka ardhur koha që 25-vjeçari i përfaqësueses kolumbiane të largohet nga kryeqyteti spanjoll, por nuk mendon aspak kështu Jorge Mendes.
Menaxheri i futbollistit në një prononcim për mediat ka thënë se nuk ka asnjë shans që James ti japë lamtumirën Realit në janar, kjo ndoshta edhe për faktin që në këtë sesion merkatoje Los Blancos janë të dënuar nga FIFA për të mos vepruar në merkato dhe e kanë të pamundur të gjejnë një zëvendësues për kolumbianin. Në verë, gjërat mund të ndryshojnë, me Chelsean që vazhdon të qëndrojë në pole position për të marrë shërbimet e numrit 10 të Realit. Po flitet edhe për një shkëmbim të mundshëm mes kolumbianit dhe portierit belg të Bluve të Londrës, Thibaut  Courtois. Ndërkohë për golashënuesin më të mirë të Botërorit, Brazil 2014 të cilin Reali nuk e lëshon për më pak se 70 milionë euro interesohen edhe Bayern Munich, Manchester United dhe Interi.
Ndërkohë, Chelsea është tërhequr nga gara për James Rodriguez. Chelsea pritet të zhvillojë një merkto të kujdesshme në janar. Sipas mediave spanjolle, klubi anglez i drejtuar nga Conte është tërhequr nga gara për kartonin e James Rodriguez, i cili nuk po gjen një vend titullari te Reali i drejtuar nga francezi Zinedine Zidane. “Blutë e Londrës”, nuk kanë ndërmend të plotësojnë kërkesën e spanjollëve që për sulmesin e kombëtares kolumbiane kërkojnë rreth 60 milionë euro.

“Yjet” pa kontratë

Në fund të këtij sezoni shumë lojtarëve të njohur do t’u përfundojnë kontratat e tyre me klubet aktuale dhe janari është muaji ideal për shumë skuadra të interesuara për të hyrë në bisedime me këta futbollistë, që mbi të gjitha do të ishin një opsion i mirë në merkato, sepse do të afroheshin me parametër zero. Po ju njohim tani me 10 emrat më sugjestionues që janë në skadencë kontrate dhe të cilët në fund të janarit mund të jenë të lirë për të firmosur me klube të tjera. I pari në listë është Yaya Toure. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë i Manchester City-it edhe pse është integruar sërish në skuadër nga Pep Guardiola, me shumë gjasa do të largohet nga Citiziens në fund të këtij sezoni edhe për faktin se, drejtuesit e klubit nga “Etihad Stadium” nuk i kanë ofruar rinovimin e kontratës. Mario Balotelli është një tjetër emër i rëndësishëm në këtë listë. Sulmuesi italian po kalon një moment shumë të mirë te Nice në Francë, por kontrata e tij me skuadrën nga Alianz Riviera skadon në përfundim të sezonit.
Te Reali i Madridit rinovuan me të gjithë lojtarët e rëndësishëm, por jashtë kësaj liste ka mbetur ende qendërmbrojtësi portugez, Pepe për të cilin ka oferta nga Kina dhe Premier League. Fernando Torres është një sulmues me eksperiencë që ofron tregu i lojtarëve të lirë dhe mund të jetë një opsion i mirë në verën e ardhshme për të gjitha ato skuadra që kanë nevojë për një bomber, pasi El Nino do të largohet nga Atletico. Axel Witsel dhe Santi Cazorla janë dy emra të tjerë me peshë. Për mesfushorin belg Juventusi po bën çmos ta transferojë që në merkaton e janarit, por për të interesohen edhe Evertoni e Barcelona. Është shumë pranë fundit cikli i Santi Cazorlas te Arsenali me 32-vjeçarin spanjoll që me shumë gjasa do të largohet në fund të këtij sezoni.
Lista e lojtarëve që mund të jenë të lirë në verë mbyllet me dy emra të mëdhenj, por gjasat janë që këta dy lojtarë të rinovojnë marrëveshjet aktuale me klubet e tyre respektive. Bëhet fjalë për Arjen Robben dhe Zlatan Ibrahimoviç. Robben, kontrata e të cilit skadon në 30 qershorin e ardhshëm me Bayern-in është shumë pranë rinovimit për 1 tjetër sezon me klubin bavarez, ndërsa në marrëveshjen e nënshkruar nga Ibrahimoviç verën e kaluar me Manchester United ekziston klauzola për ta zgjatur edhe me 1 vit tjetër bashkëpunimin, dhe gjasat janë që shtatlarti suedez të qëndrojë gjatë në “Old Trafford”.

Çelsi vendos rekordin e ri

Çelsi i Antonio Kontes nuk njeh rivalë në Angli, ku vazhdon marshimin e pandalshëm me një seri mbresëlënëse fitoresh që sot arriti numrin 12 radhazi. Mungesat e Diego Kosta dhe N’Golo Kante nuk ndalën vrullin e skuadrës londineze, e cila fitoi 3-0 ndaj Bërnmuth. Pedro ishte protagonist i ndeshjes me dy gola, nga një në secilën pjesë të takimit, ndërsa Hazard realizoi në fillimin e fraksionit të dytë me penallti, në një përballje që nuk u vu asnjëherë në diskutim. Me këtë fitore, Konte vendosi rekordin e ri të klubit, dhe e sheh veten vetëm 2 fitore larg rekordit prej 14 ndeshjesh radhazi me fitoren në kampionatin anglez, i cili mbahet nga Arsenali i vitit 2002.
“Topçinjtë” aktualë kanë fituar me shumë vështirësi dhe u është dashur një gol i minutave të fundit nga Zhiru për të marrë tri pikët përballë Uest Bromuiç. Sulmuesi francez shpëtoi skuadrën e tij nga thellimi i mëtejshëm i krizës së rezultateve, duke llogaritur që “topçinjtë” vinin nga dy humbje radhazi në kampionat.
Mançester Junajtid i Murinjos vazhdon t’i gëzohet një forme të mirë në muajin dhjetor, ku ka siguruar fitoren e katërt radhazi në kampionatin anglez. Këtë radhë, duke mundur me shifrat 3-1 Sandërlendin e ish-trajnerit Devid Mojes, në vizitën e tij të parë në “Old Traford” që pas shkarkimit.
Ndërkaq, vazhdon momenti i errët i Leisterit të Ranierit, që është mundur në shtëpi 2-0 nga Evertoni dhe vazhdon të notojë në ujëra të turbullta në klasifikimin e kampionatit anglez të futbollit, duke rrezikuar seriozisht rënien.

Pepe drejt Kinës

E ardhmja e Pepes është larg Real Madridit. Mbrojtësi portugez ka kontratë me Los Blancos deri në fund të sezonit, derisa bisedimet për vazhdimin e bashkëpunimit kanë ngecur. Sipas të përditshmes sportive madrilene, “Marca”. Pepe dhe Real Madridit pritet të ndahen pas dhjetë viteve të kaluara së bashku, përcjell “Express”.  Pepe ka oferta nga Kina. Njëri prej tyre është nga ekipi i Hebei Fortune, që drejtohet nga ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini. Hebei Fortune thuhet se i ka ofruar Pepes një kontratë prej 10 milionë neto në sezon, dy herë më shumë sesa merr në Real Madrid.

Arlind Ajeti, një vit plot dritëhije

Një vit plot dritëhije për Arlind Ajetin. 2016-ta e mbrojtësit shqiptar mund të konsiderohet një periudhë aspak e qetë. Fillimisht, pjesëmarrja në Euro 2016 ku dhuroi disa paraqitje vërtet mbresëlënëse dhe më pas errësirë. Mbrojtësi shqiptar që sezonin e shkuar la shenjë në radhët e Frosinones u transferua këtë verë te skuadra e Torinos. Trajneri Sinisa Mihajloviç e kërkoi ta bënte pjesë të Torinos së re me shumë emra të rëndësishëm, por vetëm kaq. Dëmtimi që e la jashtë fushave menjëherë pas fazës përgatitore, eklipsoi momentin pozitiv të 23-vjeçarit shqiptar të lindur në Basel. Ende asnjë minutë në kampionat në këmbët e mbrojtësit kuqezi që e mbyll vitin me një bilanc negativ në radhët e Torinos, por gjithsesi pozitiv në harkun e 12 muajve të fundit.
Gjatë ditëve të para të muajit tetor, ai u vendos nën urdhrat e trajnerit Mihajloviç, por mediat italiane e shikojnë të ardhmen e tij larg kryeqendrës së Piemontes, prandaj merkatoja e janarit mund ta zhvendosë lojtarin shqiptar në një tjetër skuadër. Janë kryesisht skuadrat italiane që po ndjekin 23-vjeçarin me Pescaran dhe Crotonen në radhë të parë. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që mbrojtësi shqiptar të zgjedhë një destinacion jashtë Italisë. Për momentin është lojtari që do të thotë fjalën e fundit edhe pse me kalimin e muajve, ai mund të fitojë besimin e Mihajloviç pas paraqitjes pozitive në sfidën e parë të Kupës së Italisë kundër Pisas.

Pescara rikthen Manajn te Interi

E ardhmja e Rey Manajt vazhdon të mbetet në pikëpyetje. Pas një fillim sezoni shumë pozitiv, sulmuesi shqiptar është aktivizuar shumë pak nga trajneri i Pescarës, Massimo Oddo në ndeshjet e fundit dhe gjasat më të mëdha janë që 19-vjeçari nga Lushnja të largohet në merkaton e janarit nga skuadra abruceze edhe kontrata e huazimit përfundon në verën e ardhshme. Drejtuesit e Pescarës kanë hyrë fuqishëm në merkato dhe po bëjnë çdo tentativë për të afruar në ekip njërin mes Paloschit dhe Djordeviç në këtë kontekst, Manaj nëse qëndron në stadiumin Adritico do të gjente shumë më pak hapësira në fazën e dytë të Serisë A.
Duke u bazuar edhe te lajmet që raportojnë mediat italiane, në janar kuqeziu do të rikthehet te Interi që është klubi që zotëron kartonin e lojtarit. Mbetet për t’u parë nëse Manaj do të qëndrojë te zikaltërit në pjesën e mbetur të këtij sezoni apo do të huazohet te një tjetër skuadër. Shanset më të mëdha janë që lojtari të largohet sërish nga Interi për të provuar një eksperiencë të re te një tjetër skuadër. Në Serinë A, interes për 19-vjeçarin ka shfaqur Empoli skuadër tek e cila militon edhe futbollisti tjetër i kombëtares kuqezi, Frederik Veseli. Rey Manaj në këtë sezon është aktivizuar në 12 ndeshje me Pescarën në Serinë A, duke realizuar dhe 2 gola, një ndaj Sassuolos dhe një tjetër ndaj Genoas.

Strategjia e Trumpit ndaj Kinës

Me emrin e Navarros presidenti Trump ushtron presion ndaj Kinës. Politika e jashtme dhe e tregtisë e presidentit të ri amerikan, Donald Trump po merr korniza gjithnjë e më të qarta – me vetë faktin që për postet ministrore janë emëruar këshilltarë miqësorë ndaj Rusisë dhe kritikë ndaj Kinës. Gjatë fushatës Trump ka paralajmëruar se do të fusë dogana të posaçme për importimin e mallrave kineze në SHBA. Duket se ky nuk është vetëm një kërcënim i kotë, sepse presidenti mund të vendosë masa të tilla pa miratimin e Kongresit.
Me ligjet si “Trading with the Enemy Act” nga viti 1917 dhe “Trade Expansion Act” nga vitit 1962 apo “International Emergency Economic Powers Act”, të Richard Nixonit nga viti 1977, edhe presidentët e tjerë para Trumpit kanë ushtruar presion ndaj partnerëve tregtarë.
Emërimi i Peter Navarros, bashkautorit të programit ekonomik të Trumpit, për shef të Këshillit Kombëtar për Tregti, është edhe një dëshmi tjetër se presidenti i ri i ka seriozisht kërcënimet ndaj ekonomisë kineze. Politologu nga Këlni, Thomas Jager thotë se hapat e tanishëm dëshmojnë se Trumpi do të ndryshojë në tërësi politikën e tij të jashtme dhe të tregtisë. “Emërimet dëshmojnë se Trumpi për dallim prej kancelares Merkel nuk do t’u përshtatet rrjedhave, por do që t’i përcaktojë ato”.

“Vdekja nga Kina”
Profesori i ekonomisë Navarro është bashkautor i librave “Vdekja nga Kina” dhe “Luftërat e pritura në Kinë”. Ai llogaritet si një prej kritikëve më të mëdhenj të Kinës. Sipas tij, ekonomia kineze do të ketë probleme të mëdha me rritjen e konjukturës dhe me borxhe. Ekspertët mendojnë se Kina është e detyruar të shënojë një rritje prej më shumë se 6%, nëse do të mbajë qetësinë në popull. Më 2015 ekonomia e Kinës është rritur 6,9%, ndërsa këtë vit do të jetë rreth 6,5%. “Udhëheqësia e shtetit dhe partisë janë nën presion të madh për ndryshime strukturore në ekonominë kineze. Qëllimet ekonomike janë arritur deri tani çdo vit, por cili është çmimi?”, thotë eksperti Mikko Huotari. Shteti po detyrohet të ndërhyjë gjithnjë e më shumë në ekonomi për të ruajtur stabilitetin.
Vendimmarrësit në SHBA mendojnë se duhet ta shfrytëzojnë këtë gjendje për qëllimet e veta ekonomike, thotë Thomas Jager. “Duket se ka kaluar koha e heshtjes ndaj zhvillimeve në Kinë. SHBA do të ridefinojë raportet me Rusinë, me qëllim që atë ta bëjë partnere në politikën kundër Kinës. Kjo mund të paraqesë një presion shumë të madh ndaj Kinës dhe të përmirësojë pozitën e SHBA”, thotë Jager.

Udhëheqja kineze nën presion
Edhe eksperti Heribert Dieter mendon se Kina mund të jetë humbëse në konfliktin tregtar me SHBA. “Partia Komuniste ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për t’u legjitimuar para popullit të saj. Ndaj ajo nuk ka kurrfarë interesi që të fillojë një luftë tregtare me SHBA”. Por rreziku i një lufte tregtare është i madh edhe për SHBA, mendon Dieter.
Kina ka probleme të mëdha edhe tani për shkak të largimit të kapitalit në vlerë prej miliarda euro nga vendi, pohon Mikko Huotari. “Në fund të tetorit është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm i Komisionit të Byrosë Politike të PK të Kinës, ku është biseduar për largimin e kapitalit nga vendi”. Kjo është një shenjë që Kina po e merr shumë seriozisht këtë problem. Prej këtij takimi janë ndërmarrë masa të shumta për ndalimin e largimit të kapitalit. Eksperti Heribert Dieter mendon se mungesa e besimit të pronarëve të parave ndaj ekonomisë së tyre në Kinë paraqet një problem shumë domethënës. Dhe kjo mund të jetë një përparësi për SHBA.