23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Merkel: Të vazhdojnë hetimet e sulmit në Berlin

Diskutimet në Gjermani vazhdojnë edhe pas vrasjes së të dyshuarit kryesor për sulmet në Berlin, Anis Amri në Milano të Italisë. Kancelarja do që dëbimet të intensifikohen.
Në Berlin dhe në gjithë Evropën ndjehet një lehtësim i madh pas vrasjes së të dyshuarit kryesor për sulmin në Berlin, Anis Amri nga Tunizia. Kancelarja Angela Merkel u shpreh e lumtur për faktin që nga ky “atentator nuk vjen më asnjë rrezik”. Ndërsa ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere falënderoi policinë italiane “për punën e mrekullueshme” dhe “trimëri të veçantë”. Por rreziku nga terrorizmi në Gjermani nuk është zvogëluar.

Falënderime për Italinë
Edhe kancelarja gjermane Merkel i falënderoi autoritetet italiane për “bashkëpunimin e ngushtë” në këtë rast. Njëkohësisht kërkoi dëbimin më të shpejtë nga Gjermania të personave nga Tunizia, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Kancelarja e ka bërë këtë të qartë edhe gjatë një telefonate me presidentin e Tunizisë, Beji Caid Essebsi. Amri është dashur të dëbohet nga Gjermania dhe Italia, por Tunizia ka refuzuar deri të mërkurën e kaluar që ta pranojë atë. 24-vjeçari i vrarë në Milano nuk ka pasur asnjë dokument me të cilin mund të dëshmohej se ai vjen nga Tunizia.

Ndryshimet e domosdoshme
Kancelarja Merkel ka paralajmëruar ndryshime të rëndësishme në politikën e sigurisë. Ajo e ka lutur ministrin e Brendshëm, De Maiziere dhe atë të Drejtësisë Heiko Maas që në bashkëpunim me zyrën e Kancelarisë të analizojnë të gjitha aspektet e rastit Amri. “Ne do të shikojmë të gjitha masat që duhet ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe ndryshimin e ligjeve, atje ku është e domosdoshme”, tha Kancelarja. Ndërsa De Maiziere pohon se ka ardhur koha që “të flitet për pasojat dhe të ndërmerren masa konkrete”. Dhe kjo do të ndodhë “shumë shpejt”. Ministri tha se ai ka kërkuar së fundi që personat rrezikues (persona rrezikues quhen ata, të cilët mund të kryejnë edhe vepra terroriste. Të tillë në Gjermani ka aktualisht 549) të mund të dëbohen më lehtë nga Gjermania. Gjithashtu duhet ndërmarrë edhe masa më të rrepta ndaj personave, të cilëve u është refuzuar azili.

Nuk duhet të ngutemi me përfundime
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Maas konfirmoi se këshillimet do të mbahen shumë shpejt në janar të vitit të ardhshëm. Në veçanti duhet të bëhet fjalë për mundësinë e dëbimit më të shpejtë të personave rrezikues dhe për mbikëqyrjen më të mirë të tyre. “Siguria dhe liria duhet të mbrohen me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”, tha Maas.
Politikani i SPD paralajmëroi që të mos nxirren përfundime të përshpejtuara. “Përfundime dhe masa konkrete mund të merren vetëm pas sqarimit të të gjitha detajeve të këtij sulmi të tmerrshëm”, tha ai. Së pari, duhet të shpjegohet i gjithë sfondi i sulmit dhe vdekja e Anis Amrit. Hetimet do të vazhdojnë me një intensitet shumë të lartë, tha ministri i Brendshëm.

Gjermani, e drejta e azilit pas atentatit

Kurrë më parë ligjet e sigurisë dhe të azilit nuk kanë qenë kaq të ashpra sa tani. Po a është kjo zgjidhja për rrezikun terrorist? As vetë partitë konservatore unioniste nuk kundërshtojnë kur u thua që ligjet e sigurisë dhe të azilit janë ashpërsuar. Kancelarja Angela Merkel konfirmon: “Mund të them se në dy vitet e fundit kemi ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme për t’u përballur më mirë me rrezikun terrorist”.
Megjithatë, ka politikanë unionistë që nuk janë të qetë. Ata kërkojnë një ashpërsim të mëtejshëm të ligjeve dhe para së gjithash të tonit.
“Duhet të ashpërsojmë tonin përballë partnerëve tanë të koalicionit, të cilët kanë bllokuar një sërë projektligjesh, të cilat i ka hartuar ministri Federal i Brendshëm, De Maiziere dhe që janë të gatshme në tryezë”, thotë deputeti i Bundestagut, Armin Schuster (CDU).
Konkretisht bëhet fjalë për dëbimet. Partitë unioniste duan ta zgjasin arrestin në pritje të dëbimit. Para së gjithash partitë unioniste kërkojnë që në arrestin për t’u dëbuar të sillen edhe të ashtuquajturit “rrezikues”. Por juristët thonë se pengesat juridike për këtë janë shumë të larta.
Avokati Thomas Oberhauser kujton se kërkesat në fuqi janë në përputhje me Kushtetutën e Gjermanisë. “Dikë që ka mendime të gabuara nuk mund ta shohësh pa e zgjatur si ‘rrezikues’. Por ne duhet të vëmë fakte në tryezë, të cilat edhe ta dëshmojnë që dikush është ‘rrezikues’”.
Ngjashëm e sheh këtë edhe SPD, e cila përndryshe nuk pranon t’i thuash se e tepron me zemërbutësi për këtë temë. Eva Högl, deputete e SPD-së thotë se partia e saj “është absolutisht e mendimit, se të gjithë personat që nuk marrin mbrojtje në Gjermani duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Të kthehen ose vullnetarisht ose duhet të dëbohen. Atje ne duhet t’i intensifikojmë përpjekjet tona”.
Kthimet në vendet e origjinës, ky është megjithatë problemi kryesor. Në fillim të vitit 2016, ministri Federal i Brendshëm, De Maiziere shkoi në Tunizi dhe kur u kthye kishte në bagazh dhurata për policinë. Megjithatë, marrëveshja e riatdhesimit me Tunizinë lë për të dëshiruar, siç e tregon edhe rasti aktual i Amrit.
Kryetari i Shoqatës gjermane të Gjykatësve, Jens Gnisa thotë se përveç Tunizisë, duhet përmendur edhe Maroku. “Për mua është skandal, që këto shtete refuzojnë dhe kundërshtojnë që t’i pranojnë shtetasit e tyre sërish në territorin e tyre shtetëror”.
Presioni po shtohet. De Maiziere tani do që t’i shpallë Tunizinë, Marokun dhe Algjerinë si shtete të sigurta të origjinës. Por këtë e bllokojnë Të Gjelbrit.
“Kur tani dëgjon të vijnë thirrje për të ashtuquajturat shtete të sigurta të origjinës, për ashpërsim në dëbime, kjo shpesh nuk ka të bëjë fare me faktin, nëse me këtë mund të pengohen atentate të rënda”, thotë Simone Peter, kryetare federale e Aleancës B90/Të Gjelbrit.
Megjithatë, tani në Berlin qarkullojnë shumë propozime dhe nuk mund të presësh ndryshe. Në janar, CSU do t’u mëshojë edhe një herë propozimeve të saj.

Kryeministri izraelit kritikon rëndë presidentin Obama

Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu gestures while addressing the 2015 American Israel Public Affairs Committee (AIPAC) Policy Conference in Washington, Monday, March 2, 2015. (AP Photo/Cliff Owen)

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke shprehur zemërim ndaj votimit në Këshillin e Sigurimit që bën thirrje për t’i dhënë fund aktiviteteve të mëtejshme të ndërtimit të vendbanimeve në territoret e pushtuara, tha se do të urdhërojë qeverinë e tij të ndalë financimin e pesë institucioneve të OKB-së.
Në deklaratat televizive të shtunën, zoti Netanjahu tha se Izraeli do të ndalë gati 8 milionë dollarë financime për institucionet e OKB-së, por nuk dha hollësi të tjera.
“Kam udhëzuar Ministrinë e Jashtme të përfundojë brenda një muaji, një vlerësim të ri të të gjitha kontakteve tona me institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe të përfaqësive të OKB-së prezente në Izrael”.
Zoti Netanyahu tha se Izraeli do të injorojë dispozitat e rezolutës.
“Dua të siguroj izraelitët se rezoluta që u votua në Kombet e Bashkuara është e shtrembëruar, e turpshme, por ne do ta harrojmë”.
Ai akuzoi presidentin amerikan, Barack Obama për tërheqje nga angazhimi afatgjatë për të qëndruar përkrah Izraelit.
Ish-negociatori palestinez për paqen Saeb Erekat e quajti votimin “një mesazh të qartë dhe unanim” për zotin Netanyahu se politikat e tij nuk do të çojnë në paqe apo siguri as në Izrael e as në rajon.
Zoti Netanyahu tha se mezi pret të punojë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump “për të shfuqizuar efektet e dëmshme të kësaj resolute absurde”.
Zoti Trump merr detyrën e re më 20 janar. Të premten, Trump premtoi ndryshim në rolin e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara kur të marrë postin. Në një postim në Twitter ai tha “gjërat do të jenë ndryshe pas 20 janarit”.
Rezoluta u miratua në Këshillin e Sigurimit të premten pasi Shtetet e Bashkuara vendosën të mos i vënë veton, ashtu siç kishin vepruar në shumë raste kur anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit kishin kërkuar që Izraeli të ndalonte zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.

Merkel drejt mandatit të katërt

German Chancellor Angela Merkel stand behind a window with a reflection of the European flag as she waits for the arrival of King Willem-Alexander of the Netherlands and Queen Maxima of the Netherlands, unseen, for a meeting at the chancellery in Berlin, Monday, June 3, 2013. (AP Photo/Markus Schreiber)

Në politikë, ashtu si në ekonomi, Gjermania ka prirje të mos habisë. Është modeli i stabilitetit. Pra, teoria dominuese në këtë fundvit, është se në zgjedhjet federale të vjeshtës së vitit të ardhshëm, Angela Merkel do të fitojë dhe pastaj formojë qeverinë e saj të katërt, për të shkuar drejt 16 viteve si kancelare, deri në vitin 2021.
A do të ndodhë kështu? Ndoshta po, por asgjë nuk mund të merret e mirëqenë, në politikën e Perëndimit të këtyre kohëve të fundit. Arsye për t’u shqetësuar, Frau Merkeli ka; dhe nuk i fsheh ato. Së pari, ajo e di se 16 vjet si kryetare e qeverisë janë shumë. Helmut Kol, që qëndroi pikërisht 16 vjet, përfundoi i zhytur në një skandal. E njëjta gjë ndodhi edhe me babain e Gjermanisë së pasluftës, Konrad Adenauerin, ai qeverisi për 14 vjet me radhë, por në periudhën e fundit qe i dobët dhe i pasigurtë.
Prandaj, kancelarja reflektoi gjatë para se të ripropozohet edhe për një mandat tjetër: megjithatë e dinte se nëse do të duhej të tërhiqej në këtë periudhë të krizës së madhe në Evropë, do të përballej me kritika të forta në arenën ndërkombëtare. Kësisoj, gjatë fushatës zgjedhore, qëndrimi i saj i gjatë në krye të politikës gjermane, do të prezantohet nga koalicioni i saj Kristian-Demokrat, si një vendim i përgjegjshëm i një udhëheqëseje të domosdoshme.
Por Merkel do të jetë gjithashtu subjekt i dyshimeve të forta, lidhur me efektivitetin e veprimit të saj në një mandat të katërt. Përveç zhvillimeve të paparashikueshme dhe destabilizuese – natyrisht të mundshme – nga tani deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kancelarja do të duhet të menaxhojë atë që mbetet elementi i tensionit më të fortë në Gjermani, kriza e refugjatëve dhe integrimi i tyre.
Rastet e dhunës nga ana e refugjatëve nuk janë të shumta: proporcionalisht më pak se sa ato të kryera nga pjesa tjetër e popullsisë. Megjithatë, sa herë që ndodhin, jehona e mediave është e fortë: kujtimi i ngjarjeve të Këlnit natën e ndërrimit të viteve një vit më parë kundër grave, rikthehet vazhdimisht.
Një tjetër gur prove, mbi të cilin do të matet kancelarja, është marrëdhënia me Rusinë: deri tani ka arritur të mbajë të bashkuar Bashkimin Evropian mbi sanksionet kundër Moskës, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe ndërhyrjes në Ukrainën Lindore. Megjithatë, një marrëveshje “për ndarjen” gjeopolitike në Evropë, ndërmjet Donald Tramp dhe Vladimir Putinit, do të zhyste në një krizë serioze strategjinë e kancelares.
Për më tepër, shërbimet gjermane të sigurisë, lëshojnë alarme të vazhdueshme mbi manipulimin e mundshëm rus të fushatës zgjedhore gjermane, me qëllim dëmtimin e Merkelit. Pavarësisht nga këto, në gjendjen aktuale të fakteve, shanset që CDU-CSU e saj të fitojë, janë të larta. Sondazhet i japin rreth 35 për qind të mbështetjes, ndërsa socialdemokratëve 22 për qind. Faktor i panjohur mund të jenë partia kundër emigrantëve, Alternativa për Gjermaninë, që aktualisht gëzon 12-13 për qind të mbështetjes së qytetarëve, por me këtë forcë politike askush nuk dëshiron të hyjë në një koalicion për të formuar qeverinë e re.

Dritëhijet e marrëveshjes së OPEC-ut

Marrëveshja e arritur në Vjenë për reduktimin e prodhimit të përditshëm të naftës nga ana e vendeve të OPEC-ut shënon një kthesë të rëndësishme për sektorin e naftës. Por mbesin disa të panjohura që mund të hedhin dritë mbi shtrirjen dhe kohëzgjatjen e vetë marrëveshjes, duke filluar nga tensionet gjeopolitike deri tek rilançimi i sektorit amerikan të naftës nga shistet.
13 vendet prodhuese të naftës që i përkasin OPEC-ut kanë arritur më 30 nëntor një marrëveshje të rëndësishme dhe historike për reduktimin e sasisë së prodhimit të përditshëm të naftës së tyre. Parashikohet një shkurtim i prodhimit prej 1.2 milion fuçish në ditë duke filluar nga janari i 2017, në linjë me sa u përcaktua në mbledhjen e Algjerit të zhvilluar në muajin shtator. Falë marrëveshjes së Vjenës, prodhimi i përgjithshëm i OPEC-ut do të arrijë në rreth 32.5 milionë fuçi në ditë. Një reduktim në vetvete i papërfillshëm, duke qenë se bëhet fjalë për 3.6% të prodhimit të tyre dhe deri në afërsisht 1.2% të atij botëror. Por kjo nuk duhet t’ia zbehë rëndësinë marrëveshjes, të paktën historike, nga momenti që ishte qysh nga viti 2008 që OPEC-u nuk e shkurtonte prodhimin e vet të naftës. Për më tepër, një marrëveshje kaq e zgjeruar, me kuota të shpërndara tek të gjithë anëtarët e tij, nuk ndodhte qysh nga viti 1998.
I habitshëm është karakteri i detajuar i marrëveshjes, që përmban një tregues të qartë të kuotave të veçanta të prodhimit që duhet t’i shkurtohen secilit vend anëtar, duke qenë se normalisht këto marrëveshje janë gjenerike dhe qëllimisht ambige e defektoze, në mënyrë që t’u lënë hapësira të mëdha manovre vendeve të ndryshme. Por kësaj radhe ishte vërtet në lojë besueshmëria (ndoshta edhe mbijetesa) e organizatës, pse jo edhe stabiliteti i tregut të naftës (përveç asaj ekonomike të aktorëve kryesorë botërorë) dhe kështu nuk ka sesi të ishte ndryshe.

E panjohura e kohëzgjatjes dhe e zbatimit të saj
Marrëveshja parashikon një kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe mundësia e rinovimit të saj do të duhet të diskutohet në samitin e OPEC-ut të fiksuar për fundin e majit 2017. Kohëzgjatja semestrale me siguri që nuk është aspak rastësi, nga momenti që u korrespondon muajve dimërorë. Në fakt, OPEC-u në këtë mënyrë mund të mbështesë çmimet në 6 muajt strategjikë të sezonit dimëror, duke u lënë më pas, në pranverë, sërish duart e lira shteteve anëtare, sidomos në rastet ku, siç ka shumë gjasa, përfituesi i parë i një rritjeje të çmimit të naftës duhet të jetë nafta amerikane nga shistet. Por në realitet është pikërisht zbatimi konkret i marrëveshjes që nuk është kaq i qartë. Gjetja e një mirëkuptimi është gjë shumë e vështirë nga zbatimi në praktikë. Në fakt, përvoja mëson se shumë rrallë marrëveshjet e arritura nga OPEC-u kanë pasur ekzekutim të plotë, sidomos nga ana e vendeve drejtuese të organizatës si Arabia Saudite dhe Kuvajti. Për të ndrequr këtë në Vjenë është parashikuar krijimi i një Komitetit Ministror Monitorimi me detyrën që të verifikojë implementimin praktik të marrëveshjes. Kështu, vetëm koha do të mund ta thotë nëse do të ketë vërtet një kthesë në këtë aspekt apo nëse OPEC-u do të kthehet në sjelljen e tij të zakonshme.

Disa vende të përjashtuara nga marrëveshja
Ai që peshon mbi pasojat efektive, sidomos të periudhës afatmesme dhe afatgjatë, të marrëveshjes është vendimi për të përjashtuar nga shkurtimet ndaj prodhimit të tyre disa vende (Libia, Nigeria dhe Irani). Situata të ndryshme midis tyre, por që në një të ardhme mund t’i ndryshojnë kartat dhe të bëjnë të kotë atë që është vendosur në Vjenë në fund të nëntorit. Në mënyrë të veçantë, Libia ka siguruar përjashtimin duke qenë një vend në luftë: domethënë një problem jo nxjerrës apo tregu, por politik dhe ushtarak, një mesazh palëve të përfshira që të ulin armët dhe t’i japin vendit mundësinë e rigjallërimit falë eksportit energjetik. E ndryshme situata e Iranit, i cili ka kërkuar një status special pasi niset nga nivelet e nxjerrjes, për më tepër të ulëta për shkak të embargos. Lidhur me këtë pikë sauditët nuk kanë munguar ta manifestojnë kundërshtinë e tyre, por në fund kanë ceduar pasi Teherani ka gjithsesi nevojë për shumë kohë dhe për shumë investime që të rilançojnë produktin dhe sidomos, pasi ardhja e Trumpit në presidencën amerikane mund të hapë skenarë të rinj (më të favorshëm për Riadin) në raportet me Iranin. Kështu, pavarësisht se një shtim i shpejtë i prodhimit në këtë vend nuk është në rend të ditës, rritja e vazhdueshme e prodhimit të përditshëm të tyre në muajt e fundit shënon qartë fillimin e një tendence që do të duhet të monitorohet në mënyrë konstante.

E ardhmja e naftës amerikane nga shistet
Përfituesit kryesorë të vendimit të OPEC-ut nuk mund të jenë kompanitë e shumta amerikane të specializuara në fracking, teknika aktive e përdorur për nxjerrjen e naftës nga rërat bituminoze. Kur më 2014 Arabia Saudite imponoi që ta lërë të pandryshuar prodhimin e naftës pavarësisht teprisë së ofertës, objektivi ishte pikërisht ai i mbrojtjes së kuotave të veta të tregut duke përzënë prodhuesit e naftës amerikane nga shistet. Por në këto dy vite kompanitë energjetike amerikane kanë treguar një rezistencë të papritur, duke mësuar që të prodhojnë me kosto më të reduktuara (deri në një reduktim prej 40% të kostove të prodhimit) duke arritur kështu që ta ulin nivelin breakeven (pika ku humbjet dhe fitimet janë të barabarta, shënimi im) për të gjithë operatorët e sektorit. Duke pasur parasysh një çmim nafte që lëkundet midis 50 dhe 55 dollarëve për fuçi, prodhimi i naftës amerikane nga shistet mund të rritet tani me 400000 fuçi në ditë, duke u bërë thika pas shpine më e rrezikshme për marrëveshjen e Vjenës. Dhe ardhja e Donald Trump në presidencën e Shteteve të Bashkuara mund ta konfirmojë këtë tendencë, duke parë se qysh nga fillimi i fushatës së tij elektorale manjati amerikan ka deklaruar se dëshiron të adoptojë një politikë fiskale dhe mjedisore stimulimi për kompanitë e naftës që i zhvillojnë aktivitetet e tyre pikërisht në territorin amerikan.

Roli i vendeve prodhuese joOPEC
Në Vjenë liderët e OPEC-ut kishin shpallur se edhe vendet prodhuese joaderuese në organizatë do ta shkurtonin prodhimin e tyre ditor me një total prej 600000 fuçish në ditë. Në samitin e Doha të 9 dhjetorit këto vende nuk kanë rënë dakord kështu për një shkurtim prej 558000 fuçish në ditë, një shifër më e ulët se ajo e nënshkruar në Vjenë. Pavarësisht kësaj (duket deri që fillimisht është hipotezuar një shkurtim prej 612000 fuçish në ditë, domethënë më shumë nga sa është premtuar), ky mirëkuptim shënon fillimin dhe institucionalizimin e një bashkëpunimi midis OPEC-ut dhe vendeve që nuk i përkasin organizatës. Garante e këtij bashkëpunimi do të jetë Rusia e Vladimir Putinit, aq sa të mund të flitet për një lloj OPEC-u të zgjeruar. Në fakt i takon pikërisht Moskës, me një shkurtim prej 300000 fuçish nafte në ditë, që të mbulojë një pjesë të mirë të prodhimit fitor të këtyre vendeve. Në fakt, kjo marrëveshje nuk ishte e nevojshme vetëm për Arabinë Saudite, por edhe për Moskën, financiarisht e tendosur nga rënia e çmimeve të eksportit energjetik. Por sakrifica e Rusisë nuk duhet të jetë kushedi sesa e lartë duke qenë se pikërisht në muajt e kaluar kompanitë e saj i kishin rritur ritmet e nxjerrjes, me pasojën që shkurtimet e parashikuara do të fillojnë nga një bazë nisjeje më e lartë. Ndonjë dyshim mund të dalë lidhur me efektivitetin e kësaj ngrirjeje për faktin që qeveria ruse, në ndryshim nga sa ndodh për vendet e OPEC-ut, nuk i kontrollon drejtpërsëdrejti nxjerrjet. Por ndoshta mund të jetë mbi të gjithë tensionet gjeopolitike, që kanë të bëjnë pak me naftën, midis Moskës dhe Riadit ato që mund ta hedhin në erë marrëveshjen e Vjenës.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Suso, pranë rinovimit me Milanin

Është ai zbulimi më i bukur i Milanit në këtë sezon. Quhet Jesus Joaquin Fernandez Saenz de la Torre, është 23 vjeç, ka lindur në Cadiz të Spanjës dhe njihet nga të gjithë si Suso ose si njeriu që me paraqitjet e tij fantastike po udhëheq skuadrën e Vincenzo Montellës drejt një sezoni pozitiv. Huazimi te Genoa në fazën e dytë të sezonit të kaluar e ndihmoi të shpërthente përfundimisht në futbollin italian dhe tashmë Suso është kthyer në lojtarin simbol të këtij Milani. Realizoi një dygolësh në derbin ndaj Interit, ndërsa ishte gjithashtu përcaktues në Superkupën e Italisë ndaj Juventusit. Ish-lojtari i Liverpoolit zotëron cilësi teknike të jashtëzakonshme dhe klasin e tij 23-vjeçari iberik e tregoi edhe në ndeshjen e zhvilluar në Doha ndaj bardhezinjve të Massimiliano Allegrit, duke qenë gjithmonë një rrezik konstant për mbrojtjen e kampionëve të Italisë.
Në trofeun e fituar nga kuqezinjtë në Katar një meritë të jashtëzakonshme e ka pikërisht Suso që bëri gjithçka mirë për të ndihmuar skuadrën e tij të triumfonte.  Me 5 gola të realizuar në këtë sezon të Serisë A dhe lojërat fantastike që ka zhvilluar, Suso ka fituar zemrat e tifozëve e Milanit dhe për ta shpërblyer drejtuesit kanë gati një kontratë të re për 23-vjeçarin në mënyrë që të shmangin interesimin e klubeve të tjera. Dëshira e Suso-së është të qëndrojë gjatë te Milani dhe marrëveshja është arritur në kohë rekord. Lojtari do të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2021 nga e cila do të përfitojë një pagë vjetore që kap shifrën e 2 milionë eurove plus bonuset. Pritet vetëm zyrtarizimi, por edhe ai do të vijë shumë shpejt. Milani i të rinjve do të riniset pikërisht nga Suso.
Triumfi i Milanit në Superkupë kundër Juventusit ka përhapur një valë elozhesh për skuadrën e Vincenzo Montellës. Pas Zlatan Ibrahimoviçit, dje ishte radha e një tjetër lojtari legjendar, Xhenaro Gatuzos, i cili gjatë një interviste për mediat italiane u shpreh:
“Pas një seri të gjatë suksesesh në 30 vite, u lumturova shumë kur shikoja Galianin se si festonte për kupën e radhës të fituar nga Milani. Sipas këndvështrimin tim, merita më e madhe për këtë fitore i shkon Montellës, që i dha guxim dhe bëri që skuadra të prodhojë një futboll shumë të bukur. Vincenzo është një trajner i mirë, teksa ka atë mentalitetin spanjoll që e bën Milanin skuadrën që prodhon futbollin më të bukur në Itali”.
Në fund të fjalës së tij, Gatuzo tha: “Sivjet Milani më pëlqen shumë, pasi ka një organikë lojtarësh të rinj në moshë dhe që janë shumë të lidhur me fanellën. Mendoj se ky grup mund të rritet shumë dhe mund të konkurrojë për një trofe të rëndësishëm. Uroj që sivjet skuadra të renditet mes tri të parave të kampionatit”.

Bilanci i Milanit

Për Milanin sezoni i ri në kampionatit italian nisi pa shumë bujë. Një merkato e varfër, pa shumë emra të njohur. Erdhi një trajner i ri, Vicenzo Montella, të cilit iu besua një skuadër, e cila prej disa sezonesh ndodhej në agoni. Nisi me një temë shumë delikate. Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi vendosi të shesë skuadrën, të cilën ai e drejton për më shumë se 30 vite, por kur marrëveshja me kinezët dukej pranë përfundimit, Berlusconi bëri hapa pas. Duket se pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, presidenti e ka shumë të vështirë ta braktisë skuadrën, të cilën e ngjiti në majën e futbollit botëror.
Sidoqoftë, 2016 mund të konsiderohet një vit pozitiv për kuqezinjtë. Nën drejtimin e Vicenzo Montellas, skuadra ka rigjetur ritmin e duhur. Është aty, në top 5-shen, duke konkurruar për një biletë në kupat e Europës. Arriti të fitonte Superkupën e Italisë përballë një Juventusi që ka pesë vite që dominon Seria A. Nuk është pak për një skudër, që gradualisht po tenton të rikthehet në ditët më të mira të saj. Milani i këtij sezoni ka dhe një veçori tjetër. Futbollistë, të cilët askush nuk i njihte, kanë marrë mbi supe fatet e skuadrës, pavarësisht moshës së re.
Gianluiggi Donnarumma, gardiani i portës së kuqezinjve e me gjasa në të ardhmen edhe i asaj të kombëtares italiane nuk i ka mbushur ende 18 vjeç, por duket sikur ka një jetë që luan në këtë rol. Surprizë është dhe një emër tjetër, sulmuesi Suso 23-vjeçari është kthyer në një element shumë të rëndësishëm për skemat e Vicenzo Montellas duke realizuar 5 gola dhe 6 asiste. Manuel Locatelli, vetëm 18 vjeç ka shpirtin dhe grintën e duhur për t’u shndërruar në një emër të madh të futbollit italian. Ka dhe nga ata që janë aty prej një kohe më të gjatë, ky sezon ka bërë që këta futbollistë të rilindin. Tekniku Montella duhet të ndihet me fat që ka nën urdhrat e tij një lojtar si Jack Bonaventura, një element që mund të luajë në reparte të ndryshme dhe arrin t’i japë frymëmarrje ekipit. Në mbrojtje po tregon karakter Gabriel Palleta, i cili të paktën deri më tani është shfaqur i pakalueshëm. Pra, një gjysmë sezoni më shumë se pozitiv, ku sigurisht të gjithë luten e shpresojnë që i tillë të jetë edhe 2017-ta. Me Milanin kompetitiv, e sigurisht me një rikthim në kupat e Europës.

Mavraj i Hamburgut, zyrtarizimi formalitet

Transferimi i Mërgim Mavrajt nga Kolni në radhët e Hamburgut në Bundesligë mund të konsiderohet fakt i kryer. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka kaluar me sukses testet mjekësore, ndaj dhe hedhja e të zezës mbi të bardhë është thjesht një formalitet. Kontrata e 30-vjeçarit me Hamburgun do të ketë vlerë deri në verë të 2019-ës, pra për 2 vite e gjysmë, ndërsa 1.8 milionë euro do të shkojnë në arkat e Kolnit, ku kanë mbetur të befasuar nga vendimi i shqiptarit për t’u larguar. Më saktë ka qenë këmbëngulja e Hamburgut me një ofertë joshëse si për Kolnin ashtu edhe për Mavrajn, që ndikoi në këtë transferimit të papritur. Vetë Mavraj ka pranuar se ka patur ofertë edhe nga Gallatasaray në kampionatin turk, por drejtuesit e Hamburgut kanë qenë më bindës në bisedimet mes palëve.
Skuadra veriore është e dyta e Bundesligës që ka pësuar më shumë gola në 16 javët e para të kampionatit, plot 31, duke shfaqur probleme serioze në fazën mbrojtëse. Eksperienca e Mavrajt, që i ka luajtur titullar të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në vënien e ekuilibrave në fazën mbrojtëse në ekipin e tij të ri.
Hamburgu do të jetë ndalesë e katërt e Mavrajt në elitën e futbollit gjerman. Fillimisht mbrojtësi kuqezi ka spikatur me Bochumin, më pas u transferua te Greuther Furth, ndërsa në verë të 2014-ës te Kolni. Pavarësisht pozicionimit aktual të Hamburgut në zonën e ftohtë, stacioni i radhës mund të jetë kulmi i karrierës së futbollistit, që ka qenë madje edhe pjesë e përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Gjermanisë.

Dzeko karikon Romën: Besojmë te titulli

Me 13 gola të realizuar në këtë sezon të Serisë A, Edin Dzeko është shndërruar papritur nga një lojtar i padëshiruar në liderin e ri të Romës. Trajneri Luciano Spalleti gjithmonë ka patur besim te aftësitë e bomberit boshnjak dhe Dzeko ia ka shpërblyer duke u kthyer në idhullin e ri të tifozëve të Romës. Pas 18 javëve të para të Serisë A, Roma pozicionohet në vendin e dytë të klasifikimit me 4 pikë më pak se Juventusi që ka dhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Megjithatë Dzeko nuk dorëzohet. 30-vjeçari ballkanas ka besim se kryeqytetasit mund ta parakalojnë skuadrën e Massimiliano Allegrit për t’u shpallur në fund të sezonit, kampionë të Italisë. “Ata janë të fortë, por gjithçka është e mundur pasi asgjë nuk ka përfunduar”. Edin Dzeko në fjalën e tij kërkoi dhe ndihmën e tifozëve sepse pa mbështetjen e tyre skuadra verdhekuqe e ka shumë më të vështirë për të arritur suksese të njëpasnjëshme. “Ne luajmë për tifozët dhe kur shikoj që stadiumi ynë nuk është plot, nuk më vjen mirë. Me Juventusin ndodh e kundërta, ata e kanë gjithmonë stadiumin të mbushur. Nëse edhe tifozët tanë do të ishin më të shumtë në shkallët e stadiumit gjithçka do të ishte më e lehtë për ne”, deklaroi Edin Dzeko.

Mançini mohon kontaktet me PSG

Në ditët e fundit emri i Roberto Mançinit është lidhur shumë me Paris Saint Germain-it. Unai Emery nuk i ka bindur drejtuesit e kampionëve të Francës gjatë kësaj periudhe dhe gjasat janë që në janar trajneri spanjoll të largohet nga “Parc des Princes”. Mediat franceze kanë përmendur pikërisht ish-trajnerin e Interit, Roberto Mançini si pasues të Emery te skuadra kryeqytetase, por tekniku nga Iesi në një intervistë ka mohuar kontaktet me Naser al-Khelaiffin duke deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këtë çështje. “A jam në kontakte me drejtuesit e Paris Saint Germain? Nuk ka absolutisht asgjë konkrete. Madje as vetë personalisht nuk e kam me nxitim të ulem në stolin e një skuadre. Janë thjesht zëra, në futboll të tilla gjëra ndodhin shpesh sidomos kur bëhet fjalë për një trajner pa kontratë”, theksoi në fjalën e tij Roberto Mançini. 52-vjeçari gjithsesi nuk e përjashtoi një rikthim të tijin në futboll në vitin 2017. “E përsëris unë për momentin nuk jam në bisedime me asnjë klub, por shpresoj që 2017-ta të jetë një vit i bukur, të shohim se çfarë do të ndodhë”, nënvizoi Roberto Mançini.

Trefishohet paga e Strakoshës

2017-ta pritet të nisë me një kontratë të re të Thomas Strakoshës me Lazion. Mediat italiane këmbëngulin se 21-vjeçari i kombëtares shqiptare i ka bindur të gjithë në shtëpinë bardhekaltër me paraqitjet e tij, ndaj do t’i propozohet një marrëveshje e re me përmirësim të ndjeshëm të pagës. Më saktë bëhet fjalë për trefishim të shumës që përfiton aktualisht te skuadra kryeqytetase.
Deri në muajin qershor Strakosha sipas raportimeve që vijnë nga përtej Adriatikut duhet të përfitojë 96 mijë euro, por me marrëveshjen e re kjo shifër duhet të shumëzohet me tre. Nuk do të ketë asnjë pengesë për hedhjen e të zezës mbi të bardhë, sepse Lazio dëshiron ta mbajë portierin shqiptar, sikurse vetë lojtari e ka shprehur hapur dëshirën për të luftuar për vendin e titullarit te bardhekaltrit.
Strakosha konsiderohet si zgjedhje e dytë pas Marcchetit, por në fakt me formën që ka treguar në ndeshjet ku është aktivizuar e ka kaluar rivalin e tij 33-vjeçar në plan të dytë. Gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 6 ndeshje të Serisë A, duke pësuar në total 4 gola, 2 në humbjen me Milanin, që shënonte debutimin e tij me Lazio, si dhe në fitoret 3-1 me Genoan dhe 1-2 në fushën e Sampdorias. Statistikat janë në favor të shqiptarit. Me Strakoshën në fushë Lazio ka grumbulluar 15 pikë nga 18 të mundshme.