23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Ambulancat dhe mbetjet spitalore dy koncesionet e reja

Babëzia nuk ndalet, ndërsa i gjithë shërbimi spitalor po shkon drejt dhënies me koncesion. Përveç 400 milionë eurove koncesione të deritanishme në Shëndetësi, Rama dhe Beqja kanë planifikuar edhe dy konçesione të tjera si dhe zhvatjen e tenderave të vitit 2018 në vitin 2017. Duket se kapja e Vettingut në drejtësi i ka bërë me krahë hajdutët në qeveri dhe janë lëshuar tek pasuritë publike pa pyetur për ligj dhe përgjegjësi.
Ministria e Shëndetësisë po përgatitet që brenda 6 muajve të parë të vitit 2017 të japë me koncension menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe shërbimin e ambulancave.
Në të dyja këto iniciativa, palë e interesuar direkte janë spitalet private.
Burime nga kjo ministri janë shprehur se Beqaj është përpjekur t’i spostojë në kohë këto koncensione, por ka qenë orientimi i qartë i Kryeministrit Rama që të veprohej pa humbur kohë.
Një tjetër vendim që po përgatit qeveria, lidhet me tenderët e përqëndruar, që zënë rreth 80% të volumit të të gjithë spitaleve.
Kjo do të thotë se, nëse aktualisht një spital e ka buxhetin 100 lekë, 80 lekë i prokuron direkt ministria dhe vetëm 20 mbeten në dorë të administratorëve të spitalëve.
Por për vitin 2017, ministri Beqaj parashikon të ndërmarrë një veprim të pazakontë: Të bëjë edhe prokurimet e vitit pasardhës, pra vitit 2018. Justifikimi është se ‘dopio prokurimi’ bëhet për të lehtësuar punën për vitin 2018.
Edhe pse e quan reformë, ‘de facto’ Rilindja është duke kaluar në mënyrë të paprecedentë në dorë të privatëve gjithë strukturën dhe shërbimet shëndetësore sikur të ishin stalla.
Koncensioni i check-up-it, dializës, sterilizimit dhe laboratorëve duket se kanë qenë vetëm fillimi i zbatimit të kësaj politike agresive koncensionare, e cila ka nisur të japë efektet si një skemë e paleverdisshme korruptive dhe tërësisht në dëm të interesit publik.

Berisha:  “Një vjedhje tjetër taze!”

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar aferën e re të Ramës dhe Beqes për planin e dy koncesioneve të reja në shëndetësi si dhe projektin e tenderave të dy viteve bashkë. “Të tjera koncensione në shëndetësi, ja çfarë kanë planifikuar këtë fund viti për të vjedhur gjatë vitit që vjen Rama dhe ortaku i tij Beqaj; të tjera koncensione në shëndetësi!
Ministria e Shëndetësisë po përgatitet që brenda 6 muajve të parë të vitit 2017 të japë me koncension menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe shërbimin e ambulancave.Një tjetër vendim që po përgatit qeveria, lidhet me tenderët e përqëndruar, që zënë rreth 80% të volumit të të gjithë spitaleve.
Kjo do të thotë se, nëse aktualisht një spital e ka buxhetin 100 lekë, 80 lekë i prokuron direkt ministria dhe vetëm 20 mbeten në dorë të administratorëve të spitalëve. Por për vitin 2017, ministri Beqaj parashikon të ndërmarrë një veprim të pazakontë: Të bëjë edhe prokurimet e vitit pasardhës, pra vitit 2018.
Justifikimi është se ‘dopio prokurimi’ bëhet për të lehtësuar punën për vitin 2018. Burime nga kjo ministri janë shprehur se Beqaj është përpjekur t’i spostojë në kohë këto koncensione, por ka qenë orientimi i qartë i Kryeministrit Rama që të veprohej pa humbur kohë mbasi kjo është periudhe e artë për të vjedhur sepse tani në fund të vitit njerëzit e kanë mendjen tek festat dhe jo vjedhjet e tyre!”, shkruan Berisha në një postin në facebook.

30 vjet më koncesion monitorimi i lojrave të fatit

Pas koncesioneve të shumëdebatuara të Ministrisë së Shëndetësisë janë lojërat e fatit ato që do të bëhen pjesë e së njëjtës procedurë. Ministria e Financave ka çelur procedurat e tenderit për kompaninë, e cila do të merret me mbikëqyrjen online të lojërave të fatit dhe pritet që ofertat të përfundojnë në janar të vitit të ardhshëm e më pas do të bëhet përzgjedhja nga specialistët e ministrisë.
Koncesioni do të jepet për 30 vjet dhe ka një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga ana e kompanive që do të konkurrojnë. Ato nuk duhet të jenë në proces falimentimi, nuk duhet të kenë menaxherë të dënuar më parë dhe të mos kenë detyrime tatimore të pashlyera ndaj shtetit. Për sa i përket tarifës që do të paguhet nga kompania që do të marrë koncesionin, ajo pritet të miratohet në vijim nga Këshilli i Ministrave.
Ngritja e Sistemit Qendror për monitorimin on line të lojërave të fatit në vend do t’i besohet një operatori privat. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për “përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit on line (SQMO) dhe të autoritetit përgjegjës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”.
Sipas vendimit në fjalë, operatori, që ndërton këtë sistem, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij, duke garantuar procesin e monitorimit on-line të të dhënave që do të përdoren nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF). Operatori merr vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licensuara të lojërave të fatit për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.
Operatori ka si detyrim të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemit nga çdo defekt në Sistemin Qendror të Monitorimit On-line. Ndërkaq vendimi citon se Ministria e Financave është autoriteti publik, që shpall hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë sistemin, e cila e shpall atë jo më vonë se 45 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Po ashtu, Ministria e Financave miraton kriteret e vlerësimit të garës, dokumentet standarde të procedurës konkurruese, strukturën e Komisionit të Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të lojërave të fatit. Në dokumentet standarde të procedurës konkurruese jepet informacion që ka lidhje me objektin dhe llojin e procedurës konkurruese, përfshirë informacione të përgjithshme dhe specifike.
Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO.  Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit.
Ministria e Financave ka çelur procedurat e tenderit dhe afati për dorëzimin e dosjes është deri në 12 janar të vitit të ardhshëm.
Sipas njoftimit, data përfundimtare e dorëzimit të ofertave do të jetë 12 janari i vitit të ardhshëm, ndërsa afati i kontratës është 30 vite.
Në njoftim, Ministria e Financave ka bërë publike edhe kriteret se si do të zgjidhet kompania fituese. Sipas tyre, 30 për qind e pikëve do të varen nga kriteret profesionale, 40 për qind nga kriteret teknike dhe 30 për qind të tjera lidhen me ofertën financiare. Qeveria thotë se përmes kalimit tek privati të këtij shërbimi, ajo synon të realizojë një kontroll më të fortë të qarkullimit të parave në industrinë e bixhozit, me qëllim vjeljen e taksave dhe shmangien e evazionit fiskal.
Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licensuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit, si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit.
Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licensuara të lojërave të fatit, e propozuar nga subjekti i shpallur fitues, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret administrativo-ligjore që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues për t’u kualifikuar në procedurat e vlerësimit janë si më poshtë vijon: të mos jetë në proces falimentimi dhe kapitalet e tij të mos jenë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit. Të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose të mos ketë një marrëveshje me kreditorët, ose ndonjë procedurë tjetër të ngjashme. Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale. Të ketë përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.

Enton DACI

Dosja e Balilit, skaf me 679 kg drogë kur ishte drejtor

Prokuroria për Krime të Rënda zbardh detaje të dosjes së Klement Balilit, të shpallur në kërkim që në maj nga autoritetet greke si një nga financuesit dhe organizatorët e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Evropës Qendrore. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, në shkurt të këtij viti, autoritetet greke kanë arritur të identifikojnë dy numrat e telefonit, një grek dhe shqiptar që rezultuan se përdoreshin nga shtetasi Klement Balili i njohur në biseda telefonike si “Keli”. Në atë kohë, Balili mbante detyrën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë. Në dosjen që “ABC News” ka siguruar një kopje, thuhet se Balili në bashkëpunim me disa biznesmenë grekë, bullgarë dhe shqiptarë me qëndrim në Belgjikë, janë pjesë e një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe kanabis sativa.
Për rrjetin në fjalë, thuhet në dosje, autoritetet greke janë njoftuar nga selia e DEA-s amerikane në Athinë. Në materialet që Prokuroria ka përdorur për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Balilin, thuhet se rrjeti kriminal përdorte për transportin e drograve kamionë që janë të regjistruar në vende të ndryshme të Europës, në pronësi të kompanive që zotërohen nga shtetas grekë dhe përdorin si përfaqësues të këtyre firmave njerëz të ndryshëm. Ky rrjet, thuhet në dosje, funksionon prej vitesh, por vetëm në fund të prillit autoritetet ligjzbatuese kanë rënë në gjurmët e tyre. Kjo pasi është transkiptuar një bisedë telefonike mes Balilit dhe një biznesmeni grek, që kishte kompani transporti, me degë të saj në Bullgari, Austri dhe Belgjikë. Shtetasi grek, tashmë i arrestuar është Georgios Alifantis dhe bënte transportin e drogave nga Greqia drejt Evropës Qendrore, pasi ato silleshin në Greqi nga njerëzit që komandoheshin nga Klement Balili, qoftë në rrugë detare me skaf apo me mjete të tjera toksore.
Në fund të prillit, Balili ngarkon skafin me emrin “Vasiliki” me rreth 679 kg hashash dhe ia beson mallin dy skafistëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët i nis drejt ishullit të pabanuar Zakinthos të Greqisë. Për nisjen e skafit nga brigjet e Sarandës, rrugën që do ndiqte mjeti lundrues dhe vendin e zbarkimit, Prokuroria ka siguruar bisedat e Klement Balilit që orientonte dy skafistët dhe njoftonte për veprimet e tyre edhe shtetasin grek, Georgios Alifantis. Ky i fundit, me shoferët e tij, e priste drogën në Greqi. Me të mbërritur skafi në Greqi, malli ngarkohet në vende të ndryshme të kamionëve të modifikuar për fshehjen e drogës dhe bëhej gati për nisje drejt Bullgarisë, Austrisë e Belgjikes. Por, për shkak se po ndiqeshin nga autoritet greke, mbrëmjen e 8 majit, skafistët shqiptarë u arrestuan bashkë me biznesmenin grek dhe shoferët e bashkëpunëtorët e tij në Greqi, ku u bllokua edhe droga. Për këtë rast dhe një tjetër, që ka dështuar në Bullgari, rrjeti kriminal i drejtuar nga Klement Balili akuzohen për trafik droge në kuadër të organizatës kriminale.

Pse nuk arrestohet Balili?

Urdhër arresti për Klement Balilin ka ardhur që më datën 17 maj, por ai nuk u arrestua nga policia, dhe vazhdon ende të jetë i lirë. Policia jo vetëm që nuk e arrestoi, ndonëse “Eskobari i Ballkanit” shfaqej publikisht në lokale e dasma, madje bënte xhiro me jaht në shoqërinë e efektivëve të policisë në Sarandë, por Ministria e Tahirit e mori në mbrojtje Balilin, duke përgënjeshtruar lajmet e mediave se, ai ishte kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar rreth 1 ton marijuanë të trafikuar nga banda e Balilit, ndërsa Rama dhe Tahiri e morën në mbrojtje Balilin.
Balili ishte arrestuar për trafik droge në kohën e qeverisë demokratike, ndërsa shefi i Tahirit, Rama e emëroi drejtor të Transportit Rrugor në Sarandë, për ta patur më të lehtë trafikun e drogës në vendet e Bashkimit Europian. Autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje vetëm pas reagimit të ambasadorit amerikan për dështimin e policisë dhe drejtësisë në arrestimin e Klement Balilit. Por policia nuk ka vënë në dispozicion asnjë shpërblim për kapjen e Balilit, çka tregon se qeveria nuk është e interesuar të verë në pranga “Eskobarin e Ballkanit”.

R.POLISI

Bashkia Kamëz ndihmë për jetimët, vlerëson nxënësit dhe mësuesit

Bashkia Kamzës ka organizuar mjaft aktivitete sa i përket festave të fundvitit dhe të tjera do të vijojnë dhe në ditët në vijim. Më konkretisht, për dy ditë me radhë më 19-20 dhjetor në ambientet e Pallatit të Kulturës Kamëz është mbajtur aktiviteti festiv i festivalit të ansambleve artistike të shkollave të mesme të qytetit. Në ditën e dytë të festivalit, Bashkia Kamzës ka vlerësuar nxënësit dhe mësuesit më të mirë të shkollave të qytetit. Bashkia Kamëz ka organizuar një veprimtari kushtuar fëmijëve jetimë të qytetit në kuadër të festave të fundvitit, me këngë, valle dhe numra të tjerë artistikë.
Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, e ka përshëndetur këtë veprimtari dhe ka shpërndarë edhe çmimet për fituesit e festivalit. Dita e dytë, njëkohësisht dhe dita finale e festivalit, u kurorëzua me gjimnazin “Ibrahim Rugova” të Kamzës në vend të parë, ndërsa në vend të dytë gjimnazi “Isa Boletini” e në vend të tretë gjimnazi “Gramoz Palushi”. Në këtë ditë, konkurruan ansamblet artistike të gjimnazeve “Gramoz Palushi”, “Ibrahim Rugova”, “Elez Isuf Ndreu”, si dhe gjimnazi “Isa Boletini”, ndërsa ditën e djeshme konkurroi gjimnazi “Sulejman Elezi”; gjimnazi “Mustafa Qemal Ataturku” si dhe gjimnazi i Kasallës. Me rastin e fundit të vitit, Bashkia Kamëz ka vlerësuar edhe nxënësit, mësuesit dhe shkollat më të mira të qytetit.
Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, i cili ka qenë i pranishëm në ndarjen e çertifikatave përkatëse për nxënësit më të mirë, për mësuesit më të mirë dhe për shkollat më të mira. Ndarja e çertifikatave u bë gjatë ditës së dytë të festivalit të ansambleve artistike të gjimnazeve të qytetit. Duke dhënë këta tituj nderi, kryebashkiaku Mziu ka falënderuar nxënësit dhe mësuesit për punën që kanë bërë gjatë vitit 2016, si dhe i ka falënderuar për kontributin që japin për çuarjen përpara të arsimit në qytetin e Kamzës. Gjithashtu, ai i ka uruar ata për një vit të ri të mbarë dhe plot suksese të tjera.
Në një tjetër aktivitet, Bashkia Kamëz ka akorduar dhurata në shuma simbolike për këta fëmijë, me qëllim që edhe ata të ndihen të gëzuar në prag të Vitit të Ri. Në këtë veprimtari mori pjesë vetë kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, i cili i ka përshëndetur fëmijët e pranishëm. “Gjej rastin t’ju falënderoj përzemërsisht për pranimin e ftesës së Bashkisë për të qenë te Pallati i Kulturës në këtë aktivitet! Dua t’ju uroj suksese për Vitin e Ri dhe gëzuar festat e fundvitit!”, u shpreh në fjalën e tij zoti Mziu, duke vijuar më tej: “Juve vërtet ju mungon prindi, por Bashkia, si edhe vitet e tjera, me ato kapacitete simbolike financiare që ajo ka, ka tentuar për të qenë pranë jush. E veçanta juaj është se shumica prej jush janë edhe krenaria e shkollës. Pra, ju keni pasur një motiv akoma më shumë për të mësuar, për të qenë të parët e klasës dhe unë dua t’ju garantoj që jo vetëm unë, por edhe mësuesit, edhe kolegët tuaj janë më pranë se askush tjetër, jo vetëm në këto festa fundviti, por gjatë gjithë periudhës”, ishin fjalët e kreut të Bashkisë.

“Poshtë Rama”, bodigardët dhunojnë qytetarin në Korçë

Një qytetar është dhunuar barbarisht nga bodigardët e kryeministrit dhe Policia e Korçës pse ka thirrur, “Poshtë Rama”. Ish-Kryeministri Berisha, ka postuar në rrjetet sociale denoncimin e një qytetari për dhunën e ushtruar nga bodigardët e Ramës. Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur përballë me Spitalin e Korçës ku badigardët dhe forcat e policisë kanë dhunuar dhe shoqëruar në komisariat qytetarin vetëm se hodhi disa batuta kundër Ramës.
“Qytetari dixhital denoncon: Keqtrajtimin e qytetarit në Korçë nga badigardët e Ramës vetëm se ai hodhi një parullë kundër tij. Këtij i thonë dajak-urim për Krishtlindje!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje doktor, Edi Rama zgjodhi të na urojë Krishtlindjen në Korçë, duke dhunuar një qytetar, sot përballë me Spitalin e Korçës. Bodigardët e Edi Ramës si dhe forca të policisë kanë dhunuar dhe kanë shoqëruar për në polici një person, i cili ka hedhur batuta kundër Edi Ramës”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Pak çaste pas publikimit të mesazhit të Berishës ka qenë vetë qytetari i dhunuar që ka denoncuar publikisht dhunën e ushtruar ndaj tij nga bodigardët dhe Policia e Korçës. 53-vjeçari Niko Dinko bën të ditur se, rreth orës 14:00, teksa ka parë kryeministrin Rama, i cili ndodhej dje në Korçë, që po shkonte drejt Muzeut të Artit Mesjetar, është afruar dhe ka hedhur parulla kundër qeverisjes së tij. “Poshtë Rama! Rroftë Ben Blushi! Ben Blushi do të ta hajë kokën ty”. Me këto fjalë i është drejtuar 53-vjeçari kryeministrit Rama, i cili sipas rrëfimit të tij, nuk ka reaguar vetë, por janë sulur badigardët e tij.
Ndërsa Rama ka vijuar rrugën, shefi i Rendit në Korçë, Mariglen Jaçellari dhe disa nga punonjësit e Gardës e kanë futur qytetarin Dinko në furgon ku më pas e kanë dhunuar. Qytetari në një prononcim për mediat lokale u shpreh se është goditur në automjetin e policisë. Ai u shpreh se, nuk ka bërë veprim antiligjor, por thjesht ka shprehur mendimin e tij. Mësohet se nga dhuna e policisë ai ka pësuar disa fraktura në kokë. Qytetari nuk është shoqëruar në komisariat, por është dhunuar në automjetin e policisë.
53-vjeçari, i cili dikur ka qenë punonjës policie, është mbajtur për gati 15 minuta në makinën e policisë ku është dhunuar dhe më pas është lënë i lirë. Pas ngjarjes, 53-vjeçari është drejtuar për në Spitalin e Korçës, ku i është nënshtruar disa kontrolleve të mjeko-ligjorëve. 53-vjeçari Dinko, thotë se edhe në vitin 1996 ka qëlluar me vezë kryeministrin e asaj kohe Aleksandër Meksi, por as është dhunuar, dhe as është shoqëruar nga policia.
Reagon Blushi: “Ndjesë Niko që i mësova Ramës rrugët e Korçës, duro edhe 6 muaj”
Deputeti Ben Blushi ka reaguar pas lajmit se një simpatizant i tij dhe i LIBRA-s ishte dhunuar në Korçë nga shoqëruesit e Kryeministrit Rama dhe Shefi i Rendit në qytet. Në një status të publikur në Facebook, Blushi shkruan se, i kërkon ndjesë Niko Dinkos që i ka mësuar rrugët e Korçës Ramës dhe i kërkon të durojë edhe gjashtë muaj.
“Ky është Niko Dinko, një banor i Korçës të cilin nuk e njoh. E kanë rrahur sot në mesditë në furgonin e policisë, pasi ka thirrur emrin tim, ndërkohë që Edi Rama ecte në rrugë.
I kërkoj ndjesë Niko Dinkos që ja kam mësuar rrugët e Korçës, Edi Ramës. Siç thonë në Korçë, në vend që të baresë, lëshon qentë kundër bariut. Duro edhe gjashtë muaj Niko. Gëzuar Krishtlindjet!”, shkruan Blushi në Facebook.

PD: Dhuna me urdhër të Ramës

Partia Demokratike deklaroi se dhuna ndaj një qytetari në Korçë është ushtruar me urdhër të Ramës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Partia Demokratike dënon këtë akt të rëndë dhe kërkon hetim të plotë dhe angazhim serioz të prokurorisë për këtë ngjarje të rëndë.
“Partia Demokratike dënon me forcë dhunimin e qytetarit Niko Ndini në Korçë i cili shprehu sot lirinë e mendimit në prani të Edi Ramës. Por fjalët nuk i pelqyen kryeministrit, dhe për këtë qytetari u dhunua nga garda dhe policia. Eshtë e trishtë sesi me këtë sjellje të denjë vetëm për byroistet e dikurshëm, Edi Rama edhe në vigjilje të Krishtlindjes, nuk përcon mesazhin e paqes dhe bashkimit, por të dhunës, përcarjes dhe ndëshkimit të njerëzve për mendimet e tyre”, thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe angazhim serioz të prokurorisë për këtë ngjarje të rëndë, për të vënë para ligjit përgjegjësit e kësaj shkelje brutale dhe dhune ndaj një standardi të shenjtë siç është liria e mendimit”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Rama në Korçë, frikë nga hedhja me parashutë

Kryeministri Rama e ka qenë dje në Korçë për të kaluar fundjavën. Së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Ramën kanë vendosur ta shohin qytetin nga lartësitë. Alket Islami ka publikuar në rrjetet sociale disa foto me çiftin kryeministror nga qyteti i Korçës. “Në Korçë ku po zhvillohet aktiviteti “Korça Open Air”. “Live”, shkruan Alket Islami, duke mos dhënë më shumë detaje. Megjithëse u paralajmërua se Rama do të hidhej me parashutë sëbashku me Lindën, ka patur frikë ta bëjë një gjë të tillë.
Dhuna e shkaktuar nga bodigardët e tij dhe policia ndaj një qytetari vetëm pse thirri “Poshtë Rama”, ka qenë lajmi i ditës dje në Korçë. Kjo ngjarje ka indinjuar të gjithë banorët e Korçës, ndërsa Rama nuk bëri asnjë reagim.

R.POLISI

Kur Prokurori Fusha drekon me Veliajn që po e heton!

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka drekuar dje në mesditë me Petrit Fushën kryeprokurorin e Tiranës. Petrit Fusha dhe Veliaj kanë qëndruar për më shumë se 2 orw në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit. Citynees ka siguruar pamjet kur Petrit Fusha ka hyrë më parë në ambientet e lokalit dhe është ulur në një nga cepat e tij. Pas rreth 20 minutash në restorant është shfaqur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj dhe Fusha dukeshin në një bisedë ku kryebashkiaku jepte sqarime dhe urdhëra ndaj kryeprokurorit të kryeqytetit, i cili ka në dorë disa hetime të rëndësishme penale për Veliajn dhe ministrat e qeverisë Rama, raporton, Citynees.
Takimi Veliaj-Fusha vjen menjëherë pas miratimit të Vettingut, një ligj që do tw kalojë në sitë prokurorët dhe gjykatësit. Por Vettingu vjen në të njwjtën kohë me vrasjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë ku Shoqëria Civile, mediat dhe opozita akuzuan kryebashkiakun e Tiranës.
Pazar për të shpëtuar Petrit Fushën nga Vetingu? Pazar për të mbyllur vrasjen e Ardit Gjoklajt? Pazar për të shpëtuar Veliajn? Pazare të pista politike që vijnë për shkak të pushteteve dhe pozicioneve të Veliajt dhe Fushës?
Këto pyetje sot kanë një përgjigje Veliaj dhe Fusha, janë së bashku për më shumë se dy orë në një drekë në qendër të Tiranës.
Banorët e kryeqytetit presin drejtësi për korrupsionin dhe akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, ai ha e pi me kryeprokurorin e kryeqytetit, që ka hall Vettingun. Drejtësia po vjen me dreka e darka prokurorësh e pushtetarësh…

Edhe zgjedhjet me koncesion

Armand MAHO

Kohët kanë ardhur të vështira për qeverinë e Rilindjes. Edi Ramës, po ja kthejnë shpinën të gjithë, dhe kjo u pa dhe në festën e fundvitit me gazetarët. Ishin vetëm ndonja 30 vetë, shumica persona që vazhdojnë të jenë fanatikë të tij, ose që tashmë kanë dalë në perfieri të medias. Pjesa tjetër megjithëse të ftuar, nuk pranuan të shkojnë. Dalja nëpër aktivitetet e kryeministrit ka marrë tjetër kuptim, shkakton zemërim dhe neveri te audienca. Dhe ska si ndodh ndryshe. Një kryeministër që në tre vjet, ska bërë gjë tjetër vetëm se ka mashtruar, ka burgosur popullin e tij si diktatorët e vendeve të Lindjes, ka vjedhur, ka mbrojtur krimin me gjuhën e një lavireje s’mund të ketë mbështetjen e pjesës së shëndoshë të shoqërisë. Dhe atij tashmë çdo kush po ja kthen shpinën…. Jo vetëm mediat, por edhe Shoqëria Civile madje dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ata që deri më dje duartrokisnin dhe e kishin mik për kokë, ndjehen të përdorur dhe të neveritur prej tij. Në skenën politike avokatë i kanë mbetur shumë pak. Ndonjë si Erjon Braçe, që njihet për shpërfytyrimin e tij politik. Kjo shpjegon dhe ngjitjen e shpejtë të një periferiku si Taulant Balla në shkallët e hierarkisë së pushtetit brenda PS-së. Ose dhe ata me të shkuar kriminale që se kanë për gjë të shesin gjithçka për t’i shpëtuar drejtësisë. Të tjerët nuk ndjehen, të paktën publikisht. Edi Rama mund t’i sigurojë pushtet, por si bën të ndjehen mirë krah tij, i vjen turp nga mashtrimet e tij dhe ngrenë kartonin, por jo kokën….

Situata dëshpëruese

Viti i tretë i mandatit, ishte mbledhja e të gjithë dëshpërimit të dy viteve paraardhëse. Pak ditë e ndajnë këtë qeveri për të hyrë në  vitin e katërt, ndërsa dhe akoma më pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit. Statistikat e kryera nga militantët e PS-së, kanë kohë që tregojnë një rrënim të partisë. Kjo ka bërë që Edi Rama të flakë tej çdo vlerë të partisë të tij, në fakt shumë prej tyre ata u larguan. Nuk mund të flitet më për vlera në një sistem, ku krimi ka kapur çdo qelizë të tij, dhe kur kandidatët për rektorë i emëron Emiljano Shullazi. Mandej, Rama ka parë se ustallarët e manipulimit janë pikërisht ata që dikur kanë qenë trafikantët e çdo lloji, horrat e dënuar për plagosje, vjedhje, përdhunime…. Janë ata që të sigurojnë pushtetin, janë ata që prej kohësh kanë kuptuar se pranë Rilindjes mund të punojnë të sigurt. Zgjedhjet e Dibrës ishin një test, kur rrugët e Peshkopisë u mbushën me njerëz të inkriminuar, të sapo dalë nga burgjet apo në kërkim, që mbanin në makinat e tyre flamujt mavi. Dhe rezultati dihet…. Por në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, këta që ka rrugëve me sa duket nuk mjaftojnë. Rama ka vënë re se forcat që ai ka mbledhur janë shumë pak për të manipuluar revoltën popullore, e ardhur si pasojë e hajdutërisë dhe paaftësisë që e karakterizon. Rama ka parë se qelbësirat e 2013, tashmë nuk mjaftojnë për të shuar zërin e atyre që ka burgosur me pa të drejtë, zërin e biznesit që ja mori frymën me taksa, zërin fermerit që iu prishën prodhimet në fushë, zërin e atyre që janë kundër kanabizimit të vendit….

Aleati besnik

Kryeministri duket se krimin e ka aleatin më besnik. Në vigjilje të fundvitit do të nxjerrë nga burgu rreth 1000 të burgosur, të cilëve u ka mbetur deri në 2 vjet nga dënimi. Drafti i amnistisë, nuk parashikon vepra të tilla si trafikimi i drogës, fenomeni më i përhapur në këto vite gjatë qeverisjes së tij. Nga praktika kemi mësuar se trafikantët e drogës, ose një pjesë e mirë e tyre pas hetimeve të Prokurorisë, me anë të marifeteve të Rilindjes, ose kanë dalë me kusht ose nuk janë dënuar më shumë se shtatë vjet. Të gjithë këta pas datës 1 janar do të jenë të lirë dhe nën armë, për t’u lëshuar më pas në plantacionet e vitit të ardhshëm. Me po këto vite janë dënuar rëndom dhe personat për armëmbajtje pa leje, pa marrë parasysh këtu precedentët e mëparshëm. Ndoshta amnistia e këtij viti ka qenë një kontratë paraprake e Ramës me krimin, ashtu si ai ka bërë gjithmonë, një amnisti që i pastron ata nga akuzat dhe i bën ushtarë më të bindur të tij.

Hapja e burgjeve

Partia Demokratike e dha sinjalin se amnistia do të lirojë nga burgu trafikantët, ata që më parë kishin marrë garanci se s’do të burgoseshin, por që për rrethana të ndryshme, kontrata u prish. Broçkullat se nga ky ligj do të përfitojnë të dënuarit për energjinë, janë sa për të hedhur hi syve.  Rama e di se nga ata s’mund të përfitojë asgjë. Sepse ata nuk kanë se si ia falin burgun, që ata kanë bërë thjeshtë se ishin të varfër, ata mund të votojnë këdo vetëm rilindjen jo. Në këtë revansh duket se në ndihmë Ramës, i ka ardhur dhe zhurma për Vettingun e famshëm, e cila ka shantazhuar jo pak gjyqtarë e prokurorë për të dhënë dënime sa më të buta për të dënuarit e Ramës, që kanë rënë në rrjetën e drejtësisë. Rasti i Lulzim Berishës ishte i pari, më pas çështjen po vijojnë me raste të tjera si ajo e Kastriot Ismailajt, ku trupa e gjyqtarëve dha dorëheqjen. Situata pritet të rëndohet më shumë, kur të afrojnë muajt e fundit të fushatës, dhe kur qeveria nuk përjashtohet të lëshojë dorën për lejet, me qëllim mbledhjen e votave nga krimi. Këto marifete janë të njohura tashmë… Sepse Rilindja në zgjedhjet e vitit 2017, nuk ka më shpresë pavarësisht deklaratave të kryekarvanit. E vetmja shpresë e tij është të përballë paratë e drogës me sistemin, krimin me vullnetin e lirë dhe për këtë ka kthyer sytë nga e vetmja kartë që i ka mbetur, hapja e dyerve të burgjeve.

Plani i Tiranës në interesat e establishmentit

Besnik ALIAJ

Kryesia e Këshillit të Bashkisë Tiranë (domethënë mazhoranca) shpërndau dje një ftesë për dy takime urgjente konsultimi brenda 48 orësh (e shtunë, e hënë) në lidhje me planin rregullues dhe buxhetin e Bashkisë Tiranë, ku administrata e Bashkisë dhe konsulentët duket se janë gati më në fund të bëjnë një ballafaqim të parë me Këshillin Bashkiak (ku më në fund për herë të parë u ftua dhe opozita) dhe opinionin publik…
Por vetëm pas pak orësh ftesa dje u riformulua dhe u ridërgua duke përkeqësuar situatën për t’i organizuar të dy të ashtuquajturat takime “publike” (vini re se fjala “publike” në ftesë është në kllapa) brenda një dite, pra të hënën…
Kështu që të hënën në një atmosferë feste presim të shohim një sallë plot këshilltarë, qytetarë e aktivistë, sipërmarrës e profesionistë, akademikë e të interesuar të tjerë dhe jo një kuorum të njëanshëm politik siç është vepruar deri tani. Shpresoj që edhe mediat ta pasqyrojnë takimin live e të plotë dhe jo vetëm fjalët përshëndetëse dhe elektorale. Shpresoj, sepse kjo është me rëndësi për qytetin dhe të sotmen e të ardhmen e tij! Dhe për këtë qytetarët duhen informuar mirë non stop e në mënyrë të pavarur dhe jo të manipulohen me regji qendrore!
Ç’thotë ligji për këto lloj takimesh konsultative publike? Bashkia ka detyrim të organizojë minimalisht 2 takime të tilla të mëdha në rang qyteti (kjo nuk përjashton takimet më të vogla, tematike e të fokusuara) dhe të shpallë datën dhe materialet e plota që do të prezantohen, të paktën 1 muaj para takimit publik, si dhe të lërë kohë pas takimit publik edhe minimalisht 2 javë të tjera të plota për komente zyrtare me shkrim ose diskutime në media tradicionale, forume publike dhe rrjete online. Në fund bëhet publik edhe procesverbali i këtij debati e procesi. Konsulentët pastaj duhet të marrin kohë të bëjnë rregullime e saktësime/korrigjime sipas komenteve konstruktive të bëra. Pas kësaj procedura nis nga e para për takimin e dytë…
Por me këtë akt-njoftim duket se Bashkia dhe kryesia e Këshillit Bashkiak po nxitojnë në thyerje të ligjit, që ta “konsumojnë” në mënyrë të jashtëligjshme procesin e 2 takimeve publike që e kanë detyrim ligjor. Me shumë gjasa ata do ta fusin pastaj me urgjencë planin për miratim në Këshill Bashkiak, në një mbledhje urgjente para vitit të ri siç ka vepruar vjet me buxhetin, në një mbledhje maratonë me aq shumë pika sa çështjeve thelbësore si plani rregullues do t’i mbeten vetëm 30 sekonda për miratim me forcë kartoni… Kjo do të ishte mjaft e rëndë dhe me pasoja! Por mos u çudisni se kjo ka ndodhur edhe vjet! Dhe votimi në 30 sekonda “në bllok” është një anomali ligjore normale tashmë për Këshillin Bashkiak Tiranë…
Kjo duket se do të ndodhë me shumë gjasa edhe këtë radhë …. duke vendosur rekorde të reja të moskorrektesës ligjore dhe vendimmarrjes antiligjore, për të mos folur për vlerat minimale të demokracisë si: transpancës reale publike. Tashmë është e qartë që arroganca është aq e madhe, sa është e denjë për ata që kanë rënë në gabimin fatal, i cili i bën njerëz të caktuar të mendojnë veten të përhershëm në pushtet!
Qytetarët dhe institucionet e specializuara duhet të mbajnë shënim për këtë që po ndodh, në mënyrë që kur gjërat të normalizohen ligjërisht, gjithkush përgjegjës për këtë sulm ndaj interesit publik të japë llogari! Rasti i Parkut të Liqenit, stadiumi kombëtar, Sheshi Skënderbej dhe disa dhjetëra leje të dhëna për ndërtimet klienteliste janë provat më të freskëta…
Në këtë shënimin tim sot nuk kam ndërmend të hyj në çështjet përmbajtësore të planit, jo vetëm se nuk kam asnjë info si qytetar, por sepse si këshilltar bashkiak jam përjashtuar në mënyrë antiligjore nga e drejta dhe detyrimi për informim mbi atë se çfarë po ndodh me qytetin! Ndaj është pak të them se jam tërësisht i vendosur kundër vetë planit dhe mënyrës si po veprohet për hartimin e tij, që duket se do ta ketë jetën shumë të shkurtër!
Një plan që futet qëllimisht në llogoren e konfliktualitetit politik dhe tutelën e interesave të oligarkisë gjeneron vetëm tension social. Është një rast i denjë për thelbin e dekriminalizimit të qeverisjes. Për momentin sot dua të ritheksoj vetëm faktin se transparenca publike dhe procedura ligjore nuk janë “zhargon” formal për tallje, por garanci juridike ligjore për një qeverisje normale dhe në respekt të Kushtetutës.
Pjesëmarrja reale e publikut dhe institucioneve garante të interesit publik, si Këshilli Bashkiak dhe opozita, legjitimojnë dhe mundësojnë informimin e mjaftueshëm të komunitetit në vendimmarrje me karakter strategjik, ku askush nuk ka luksin të verë veto! Ndërkohë i kujtoj Bashkisë dhe kryesisë së Këshillit Bashkiak se askujt nuk mund t’i mohohet (aq më tepër me qëllim) mundësia për t’u informuar dhe për të marrë në posedim në kohë çdo material teknik e ligjor të mundshëm të planit rregullues aq më tepër të të zgjedhurve vendorë…
Ritheksoj se administrata e Bashkisë ka për detyrim që të shpallë 1 muaj para datës së takimit publik në regjistrin kombëtar të integruar të planifikimit të territorit pranë AKPT, në faqen e Bashkisë Tiranë dhe në forma të tjera alternative të mediave audiovizive (gazeta, TV, online) njoftimin për takim dhe materialet konkrete që do të diskutohen (analiza dhe propozime në formë raporti të shkruar dhe hartash) të plota dhe në gjuhën shqip. Ky kusht qartësisht nuk është plotësuar!
Nga 2 takimet publike që duhen organizuar si detyrim minimal ligjor në nivel makro të Bashkisë (dhe në prezencën e Këshillit Bashkiak si garant), duhet që të paktën një takim të jetë për: 1) Dokumentin e analizave dhe strategjisë së zhvillimit, dhe tjetri për: 2) Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV). Pra, ligjërisht i bie që të hënën në rastin më të mirë, Këshilli Bashkiak dhe liderat komunitarë të diskutojmë vetëm për çështjen e parë. Duhet të kalojë minimalisht edhe një muaj tjetër kalendarik/procedurial që të diskutojmë për të dytën, pa fol për kohën 2 javore që duhet për procedurat e tjera ligjore të transparencës publike pas takimit, me qëllim që palët e interesuara dhe publiku të komentojnë me shkrim dhe online mbi përmbajtjen e materialeve të prezantuara të planit që duhen bërë publike…
Nga verifikimi online, në Regjistrin e Integruar të Territorit pranë AKPT-së, del se postimi i fundit është bërë më datë 19.12.2016, pra në kundërshtim me ligjin nuk është një muaj para takimit të datës 26, por vetëm 7 ditë para. Ndërsa të dhënat sipas monitorimit tonë po hidheshin në të vetëm nga dje në drekë. Pra, vetëm 2 ditë para …
Nga verifikimi i faqes zyrtare të Bashkisë Tiranë www.tirana.gov.al, programi i transparencës “tirana.al”, ftesa e fundit për dëgjesë publike (plani i zhvillimit territorial dhe rregullorja lokale) është bërë më datë 14 shtator 2016 dhe 10 tetor 2016, por nuk ka asnjë material, veç ftesës. Tek transparenca tregohen vetëm procesverbalet e thata të takimeve në grupe të vogla, por jo materiale/raporte. Nuk ka raport, nuk ka material të shkruar, nuk ka harta dhe dokumente, aq më tepër për mbledhjen e të hënës.

Çfarë duhet të bëjë opozita?

Nga verifikimi në mediat alternative online figuron në Facebook account-i i Bashkisë “Tirana 030” që postimin e fundit për një dëgjesë publike e ka në datën 09 tetor 2016 tek piramida. Këshilli Bashkiak, të paktën opozita, s’ka patur njoftim dhe ftesë. Takimi ka qenë i mbyllur. Nuk është publikuar asnjë material në lidhje me planin. Nuk ka raport, nuk material të shkruar, nuk ka harta dhe dokumente as për takimin e të hënës…
Vetë konsulentët kanë hapur një faqe online “TR030.com”, ku postimi i fundit është më datë 08 prill 2016. Kjo faqe flet për prezantimin e metodologjisë së planit dhe koncepteve paraprake nga konsulentët dhe për disa takime sektoriale ku janë shpallur vetëm ftesa e disa procesverbale. Nuk ka raport, nuk ka material të shkruar, nuk ka harta dhe dokumente për takimin atëherë dhe për këtë të njoftuar…
Vetë Bashkia në faqen e saj zyrtare online ka të njëjtën strategji, ndërsa në faqen e AKPT ku Bashkia ka detyrimet ligjore që përmenda më sipër për informim publik, vetëm dje filloi të hedhë materiale pa asnjë renditje dhe jo në bazë të raporteve të dy fazave të sipërpërmendura. Dokumentet janë të mëdha, të vështira për t’u hapur, kuptuar e komentuar nga publiku. Edhe specialistët s’kanë asnjë shans të organizojnë materialin e jo më ta studiojnë e komentojnë. Kjo lojë e qëllimshme është e dënueshme ligjërisht në një shtet që funksionon normal dhe në demokraci.
Me pak fjalë organizimi i takimeve nga administrata e Këshillit Bashkiak dhe e Bashkisë për të hënën duket se shmang me qëllim transparencën reale me publikun dhe grupet e interesit, dhe sidomos me këshilltarët dhe opozitën që do të legjitimonin dhe garantonin vlerën e dy takimeve publike në shkallë makro/bashkie. Bashkia dhe përfaqësuesit e saj në Këshill po vepron qartësisht me hile, arrogancë dhe në thyerje të ligjit! Heshtja e këshilltarëve të partive të tjera në koalicionin e mazhorancës në Këshill nuk i bënë ata të shlyejnë fajin e tyre në këtë vepër të përbashkët joligjore. Në të kundërt ata janë legjitimuesit e këtij akti!
Më tej duhet sqaruar se bazuar në ligjin dhe në afatet kohore të tij, siç u shpjegua më lart takimi i dytë duhet të ndodhë të paktën 1.5 muaj pas datës 26 dhjetor, diku në fund të dhjetëditëshit të parë të shkurtit. Vetëm pas kësaj mund të pretendohet se është bërë transparenca minimale dhe të fillojë procedura e miratimit në komisione dhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak, sipas legjislacionit përkatës…
Këshilltarët e opozitës natyrisht do të ballafaqohen me autorët e këtij plani ditën e hënë! Ne do të kërkojmë zbatimin e ligjit, plotësimin e detyrimeve ligjore sidomos ndaj transparencës dhe publikut! Opozita, si dhe mazhoranca ka të drejtën e vet në bazë të Ligjit të Planifikimit të Territorit – si dhe neni 2, pika 11 të Rregullores së Planifikimit të Territorit të ngrejë strukturat e veta konsultative, përderisa mazhoranca i ka organizuar ato më vete dhe jo në mënyrë të integruar! Në këto kushte bëhet emergjente për këshilltarët e opozitës ngritja e “Forumit Këshillimor Vendor” të parashikuar në ligj me njerëz dhe ekspertë të lirë si një bashkim vullnetar i përfaqësuesve të komunitetit dhe grupeve të interesit, akademisë, shoqërisë civile, profesionistëve dhe aktivistëve, biznesit, të cilët të shprehin interesimin dhe angazhimin e tyre në konsultimin e vendimmarrjes vendore dhe në procesin e përcaktimit të përparësive me interes publik.
Ne nuk duhet të shqetësohemi aspak të hënën nëse Bashkia dhe mazhoranca në Këshill duan të thyejnë ligjin! Ata e marrin vetë përsipër këtë risk … Ne duhet të fokusohemi tek qyteti dhe sfidat e tij kryesore, pasi u kemi dhënë shansin dhe kohën Bashkisë dhe ekspertëve të performojnë. Duket se ata qëllimisht nuk kanë dashur mbështetje dhe kooperim! Janë shmangur qëllimisht dhe kanë dështuar në hartimin e planit dhe zbatimin e procedurave të procesit ligjor që mbron interesin publik! …
Në këto kushte opozita, qytetarët dhe ekspertët e lirë apo forumi i tyre, duhet të fokusohen me përparësi në procedurat dhe përmbajtjen e një plani alternativ dhe debati publik për rihumanizimin e qytetit, mbrojtjen e mjedisit dhe grupeve të ekskluduara, zgjidhjen e sfidave emergjente si transporti publik, papunësia dhe përmbytjet, pa harruar denoncimin ligjor të shkeljeve dhe shkaktarëve përgjegjës. Këto janë çështjet e vërteta me të cilat duhet të merrej plani, një plan që nuk mund të mbahet fshehtas, për shkak të mungesës së vullnetit politik, konfliktualitetit politik të imponuar qëllimisht, me qëllim mbulimin e korrupsionit dhe të interesave të establishmentit!

A t’i themi edhe ne pronarët dy fjalë?

Axhem IMERI

Ai gjeti rastin e foli prapë për pronat! Foli në Agjencinë e Trajtimit të Pronave; atje ku nuk guxon kush ta kundërshtojë se përndryshe ngelet pa bukë. Ai fajësoi sistemin gjyqësor për shkatërrimin e pronave gjatë 25 vjetëve, si dhe bëri fajtore Gjykatën Kushtetuese se i ndërhyri në dy pika të Ligjit nr. 133/2015 dhe sipas tij, kjo gjë dëmton interesat e pronarëve!
Dakord, zoti Kryeministër; gjyqësori ka dhënë jo pak vendime të padrejta, por vendimet e tij janë mbështetur mbi ligjet komuniste që paraardhësit e tu kanë miratuar gjatë 25 vjetëve! Pse nuk e thua edhe këtë që të bëhesh pak i besueshëm nga dëgjuesit!? Para gjyqësorit, fajtorja kryesore është politika, e cila akoma beson se mund të ndërtojë kapitalizmin dhe të hyjë në Europë duke ndërtuar dhe zbatuar ligje komuniste!
Shumë pak vjet më parë vazhdonin të ndaheshin akoma toka sipas Ligjit 7501 për qeveritarët e çdo niveli! Ti ke akoma afër vetes deputetë që kanë blerë kullota në Karaburun nisur nga dokumente falso që ndoshta i kanë stimuluar vetë.
Që të bëhesh i besueshëm në popull, para gjyqësorit, fajëso politikën. Është politika ekonomike 25-vjeçare shkaktarja që deri tani janë vrarë 8500 veta në konflikte pronash. Thuaje edhe këtë, por jo atje ku salla ka vetëm veshë e i mungon goja. Ti flet përherë atje ku të tjerët vetëm dëgjojnë; Ti vetëm tregon përralla kopshti! Asnjëherë nuk ke patur kurajon dhe burrërinë të përballesh me grupet e interesit, të dëgjosh zërin e tyre, të tërheqësh mendimet e tyre. Në këtë mënyrë nuk zgjidhen problemet, por mbyllen sipas dëshirës tënde. Ti do t’i kthesh njerëzit në fasada mediatike. Kjo nuk quhet zgjidhje, por mashtrim; dhe mashtrimet nuk shkojnë gjatë.
Ti zoti kryeministër ankohesh për Gjykatën Kushtetuese se rrëzoi dy pika të Ligjit 133 dhe u “dëmtuan pronarët”! Edhe ne pronarët ankohemi për Gjykatën Kushtetuese dhe biles do të ankohemi në rrugë ligjore sepse nuk e rrëzoi komplet ligjin tënd mashtrues! Pse të privilegjoi apo pse të trembet ty!? Pronarët e dinë mirë cili është interesi i tyre; nuk kanë nevojë të lotosh ti për ta.
Më datën 19 dhjetor, në gazetën “SOT”, autori Andrea Cupi diku shkruan “…. Shumica e njerëzve kanë diçka për të thënë dhe nuk mund ta thonë, ndërsa pakica që nuk ka asgjë për të thënë, nuk pushon së foluri….” .
Thënie më aktuale për rastin konkret vështirë se gjen.
Ne të dhamë votën ti na more edhe gojën, na more kurajon, pronat dhe lirinë! Ti që komandon paratë tona, pothuajse komandon edhe mediat. Në raste të tilla ne nga fshati ynë përdorim një shprehje: “Bëj moj breshkë bëj, se të ka ardhur koha”! Por shqiptarët po zgjohen nga gjumi dhe koha e tyre do të vijë!
Vetingu do të bëhet dhe drejtësia do të reformohet! Por unë dua t’ju pyes juve: Sistemi i reformuar i drejtësisë, a do të japë drejtësi apo vetëm drejtësi sipas ligjeve tuaja politike nr. 7501 dhe nr. 133/2015?! Në qoftë se kjo lloj drejtësie do të ishte drejtësi reale, pse Gjykata e Strasburgut e ka penalizuar vazhdimisht shtetin shqiptar?!
Zoti Rama! Është e domosdoshme të kuptosh sa më parë se në rendin kapitalist (ku ti pretendon të çosh shqiptarët) guri i themelit të atij rendi është prona private dhe mbrojtja e saj si e shenjtë. Mbi këtë bazë është ndërtuar shteti i së drejtës dhe gjithë legjislacioni përkatës. Politika shqiptare dhe veçanërisht ju me këmbënguljen tuaj, kërkoni të çoni në gara vrapimi një pacient, të cilit i keni lënë gërshërët në bark gjatë operacionit!!!
Është kjo arsyeja që qeveritë shqiptare kudo që të shkojnë, në çdo tavolinë që të ulen, do të gjejnë përpara ligjet që mbron ti, 7501 dhe 133. Janë efektet e këtyre dy ligjeve arsyeja pse ekonomia shqiptare nuk vihet dot në lëvizje. Janë këto të dy ligje që kanë ushqyer korrupsionin (qoftë edhe atë gjyqësor) deri tani dhe do të vazhdojnë ta ushqejnë edhe 25 vjet të tjera, duke vjedhur kullotat e pronarëve që ti i shtetëzove me Ligjin 133. Janë këto dy ligje që shpronësojnë pronarët, për pasojë, i bëjnë këta të painteresuar për vendlindjen dhe e kërkojnë jetën diku tjetër ku vlerësohet djersa e derdhur për pronat. Janë po këto dy ligje të padrejta, që i bëjnë edhe fshatarët përfitues, të mendojnë se qenka shumë e lehtë të bëhesh pronar, boll t’i japësh votat partisë dhe ajo të jep çertifikatën. Pastaj ai e shet shpejt (se mos ia marrin prapë), dikush garanton çertifikatën dhe ikën në Europë për më mirë, pa e punuar tokën fare se nuk i kërkon llogari askush (të rrojë partia).
Me dëshirën për të mbajtur pushtetin, shkon pas votës duke shkelur parimet bazë të shtetit të së drejtës. Në këtë mënyrë i edukon njerëzit keq, iu prish ndërgjegjen, ushqen padrejtësinë dhe për pasojë ushqen konfliktet, bën që njerëzit t’i largohen atdheut në kërkim të bukës e të sigurisë për jetën.
Me këtë politikë ekonomike, zoti Rama, as nuk zgjidh, as nuk mbyll problemin e pronave, veç kontribuon në shkatërrimin e këtij kombi njëlloj sikur të ishe armik i popullit shqiptar. Në kohën e Enverit, akuza ndaj Lipe Nashit, për sabotim në naftë ishte shumë herë më e vogël dëmprurëse se akuzat ndaj qeverive të sotme shqiptare, të cilat po shkatërrojnë kombin.
Armiku i vërtetë i shqiptarëve sot është politika dhe udhëheqësit e saj ku ti ke një kontribut goxha të madh.
Dua t’i referohem përsëri zotit Andrea Cupi, i cili shprehet: “….Në një shoqëri, nuk mund të ketë të keqe më të madhe se sa shndërrimi i ligjit në instrument grabitjeje (vjedhje me ligj)”.
Ndaj, së pari, të keqen kërkoje tek ligji dhe më pas tek gjyqtarët. Lëri presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese se nuk të beson kush se po mbron pronarët.
Populli ka një shprehje: qan ai që ka marrë plumbin, ulërin ai që ka marrë gjëmbin. Të paktën mos u bëj qesharak. Mbrojtësit e këtij ligji, në cilëndo karrige që janë ulur, janë armiq të popullit të tyre sepse nga ai ligj nuk do të gjejnë fund vrasjet në Shqipëri, ndoshta deri në 28 000 veta si dikur.
Jashtë gjithë shpresave dhe parashikimeve, qeveria juaj u konsumua para kohe duke sjellë shumë padrejtësi. Ju nuk keni vizion për të drejtuar në kohën e sotme. Një shprehje tjetër e goditur e zotit Andrea Cupi thotë “Nuk ka të keqe më të madhe se injoranca në pushtet”.
Mundohuni të merrni sa të mundeni nga këto që dëgjoni sepse mund t’ju vlejnë kur të rriteni, ndoshta mund të mësoni të dëgjoni edhe alternativat, të cilat janë motori i zhvillimit të një kombi. Pronarët i kanë zgjidhjet e veta (të cilat ju nuk doni t’i dëgjoni) kanë kuptuar edhe se kush ua do të mirën, ndaj mos harxhoni lotët për neve.