28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

E dua Jezusin, e dua Muhamedin, e dua Paqen

Gazmend AGA

Në këtë kohë krize vlerash, shqiptarët kanë ende të pakonsumuar gurin e çmuar të dialogut ndërfetar. Për një vend të vogël si i yni, harmonia ndërfetare mbetet një aset i rëndësishëm i paqes sociale në Shqipëri.
Duke parë se si kanë jetuar dhe shembujt që kanë lënë ata, po të jetonin sot mes nesh, në të njëjtën kohë, Jezusi dhe Muhamedi (Paqja e Zotit qoftë mbi Ta), nuk do të jetonin si rivalë, por si vëllezër.
Të dy thanë “Zot, fali se s`dinë ç’bëjnë!”, të dy thanë “Mos gënjeni!”, të dy thanë “Duaje vëllanë si veten!”. E thanë dy diejt, e ndoqën dishepujt dhe sahabët, e përcollën tek ne.
Dashuri shpërndanë, dritë në terr u bënë.
Ata do ta kishin konsideruar njëri-tjetrin si shokë, sepse ata ishin miq të Zotit. Ata do të kishin të njëjtat shpresa dhe synime për pasuesit e tyre.
Dy diej jetuan në kohë të ndryshme, por që u rrihte zemra në të njëjtën frekuencë, me të njëjtën busull hyjnore.
Kushedi ç’pikëllim do të përjetonin prej dhunës që karakterizon një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare sot duke filluar nga njëri-tjetri, tek fëmija, bashkëshortja e deri tek prindërit, apo edhe nga veset që po shkatërrojnë çdo ditë e më tepër familjen shqiptare!
Është fat që edhe besimtarët në Shqipëri e kanë jetësuar me sukses këtë frymë harmonie e dashurie.
Besoj se kjo bashkëjetesë ka jetuar në sajë të vetëdijes së shëndoshë fetare e kombëtare.
Sa bukur e ka thënë Junus Emreja:
Ejani të njihemi
T’i lehtësojmë punët
Të duhemi
Bota s’do t’i ngelë kujt.
Sfidat ndaj kësaj tolerance e harmonie mund të nisin veç atëherë kur të harrohet apo keqkuptohet misioni real i Jezusit dhe Muhamedit (Paqja e Zotit qoftë mbi Ta).
Nuk është e vështirë të imagjinohen Jezusi dhe Muhamedi si miq që i lidh dashuria e tyre për Zotin, si dhe vizioni i tyre për një botë të karakterizuar nga drejtësia, mëshira dhe barazia.
Zoti na ka krijuar të ndryshëm, për ta njohur më mirë njëri-tjetrin, madje dhe veten. Njëkohësisht të aftë për të bashkëjetuar, njeriu që njeh veten ka njohur dhe Zotin.
Jemi të ndryshëm, por dimë ta pranojmë tjetrin me vlerat që ka dhe kjo është një nga vlerat tona më të bukura.
Zoti e gëzoftë çdo shqiptar të krishterë dhe e bëftë Shqipërinë vatër të dashurisë, begatisë dhe harmonisë!
Amin!

Autori është nënkryetar i Komunitetit Mysliman

Media gjermane: Shqipëria drejt Kinës?

Frank Sieren

Në kohën kur shumë media në gjuhën gjermane shkruajnë se, qeveria e Maqedonisë gjithmonë e më tepër orientohet drejt Moskës si Der Standard, Der Spiegel dhe Neu Zürcher Zeitung, në anën tjetër një media gjermane sheh mundësinë e orientimit të Shqipërisë drejt Kinës.
“Shqipëria zhvillohet dhe ka kryer mjaft reforma. Megjithatë për shkak se BE ka ngrirë zgjerimin, Brukseli qëndron në distancë. Tani investon Kina në vendin e shqiponjave-natyrisht, me prapavijë”, shkruan e përditshmja ekonomike gjermane handelsblatt.com.
A po e shqyrton sa duhet BE rastin e Shqipërisë? Se Shqipëria është një vend i varfër, që shumica e gjermanëve nuk e kanë idenë se ku ndodhet, pavarësisht se ka fqinj Greqinë dhe është vetëm 40 kilometra larg brigjeve të Italisë, kjo nuk përbën lajm. Por vendi ka një rritje vjetore prej 3.4 për qind dhe sipas Fondit Ndërkombëtar Monetar, vendi qëndron mirë me reformat. Gjatë largimit brutal të shqiptarëve nga Kosova në 1998, Shqipëria arriti të qëndrojë stabile dhe sot është anëtare e NATO. Në vend që bisedimet për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE të fillonin tani, ata janë shtyrë për në mars 2017. Drejtësia nuk është në nivelin e duhur, krimi i organizuar është i kudondodhur dhe Shqipëria është prodhuesja më e madhe e kanabisit ilegal në BE, thuhej në raportin e Komisionit Europian.
Brukseli është i vëmendshëm. Zgjerimi i BE shihet me pesimizëm të madh te votuesit. Shumica e gjermanëve mendojnë për shqiptarët se kanë humbur besimin-pikërisht përpara festave të fundvitit dhe përkundër që Nënë Tereza është shqiptarja më e famshme, përcjell botasot.info.

Brukseli mund të zëvendësohet nga Pekini?

Në Pekin, 7000 kilometra të mira larg, çështjet shikohen më me pragmatizëm. Vendi i vogël me tre milionë banorë, me histori të lashtë dhe bregdet të jashtëzakonshëm, shikohet si vend strategjik dhe mjaft i leverdisshëm. Shumë në veri, që mund të tregtohen mallrat në qendrat e veriut; por edhe shumë në jug, që me anije mund të shkosh menjëherë në Itali dhe pa harkuar mund të lundrosh deri në Tunizi. Dhe: Kush dëshiron në lundrojë në Adriatik, duhet të shkojë pranë Shqipërisë.
Andaj kinezët janë vetëofruar për të marrë aeroportin e Tiranës, bile deri në 2025. Ata premtojnë për të riparuar aeroportin dhe të ndërtojnë rrugë 200 milionë euro drejt Maqedonisë (Rruga e Arbërit -SHP, Fitim Dika). Për 450 milionë euro ata kanë blerë dy impiante nafte, që më pas ua kanë dorëzuar kompanisë Shell. Fshatarët shqiptarë kanë marrë 1.3 milionë euro kredit, për të blerë maqineri të reja. Dhe ndërkohë, Kina është vendi i dytë sa i takon shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë. Po ndërtohet edhe një gazsjellës Transadriatik, që Shelli me 20 për qind është investitori më i madh.
Gjithashtu nga investitorët kinezë Shqipëria është klasifikuar nga “Standard & Poor’s” me një B+. Për krahasim: BE në 27 vitet e fundit ka investuar në Shqipëri vetëm rreth një miliard euro. Kjo është skurile. Nga përpejket për fitim dhe largpamësia gjeostrategjike, Pekini po i jep shanse Shqipërisë për ne BE.

Artikulli është shkruar nga eksperti gjerman Frank Sieren, që prej 20 vitesh jeton në Pekin

Trump po unifikon republikanët

Hugh Hewitt

Donald Trump si kandidat nuk arriti të kishte shumë mbështetje nga sistemi republikan i politikës së jashtme, ndërsa presidenti i zgjedhur, Donald Trump, është duke e ndryshuar situatën. Ai i ka surprizuar të gjithë përsëri duke mbledhur një ekip me peshë të rëndë të sigurisë kombëtare të diversifikuar dhe befasues.
Sistemi republikan i politikës së jashtme nuk është monolit dhe që pas fundit të Luftës së Dytë Botërore ka qenë i përçarë në dy kampe. Ka pasur gjithmonë shkëmbime zjarri ndërmjet kampeve të ndryshme. Ish-sekretari i Shtetit, George P. Shultz është ndoshta figura më unifikuese. Shultz ishte i pandashëm nga zëvendëspresidenti Richard B. Cheney dhe ish-sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld dhe të gjithë bashkë mbështesnin presidentin George W. Bush.
Më pas erdhi 11 shtatori, lufta me shumë fronte, sfilitja e Shteteve të Bashkuara dhe përçarja e plotë e konsensusit politik të republikanëve. Derisa erdhi koha e fushatës presidenciale të vitit 2016, kishte një duzinë kampesh të ndryshme brenda partisë, po aq shumë kandidatë për ta drejtuar atë dhe turma pafund këshilltarësh të sigurisë kombëtare dhe specialistësh të fushatës që komentonin nga të gjitha anët.
Shumë pak prej tyre kanë qenë publikisht të lidhur me kandidatin përfundimtar të partisë. Kandidati Trump i ka shmangur gjithmonë thirrjet për të bërë publikë emrat e këshilltarëve të tij të sigurisë kombëtare. Vetëm në fund të fushatës dolën në sipërfaqe disa emra, por edhe atëherë, rolet e tyre nuk i përcaktuan mirë. Donald Trump mbajti ekipin e tij të këshilltarëve dhe arriti të fitojë mandatin.
Por çfarë ndodhi që pas ditës së zgjedhjeve në sistemin republikan të sigurisë kombëtare, një pjesë e mirë të cilëve kishin dalë me parullat “kurrë Trumpin”, në mënyrë publike ose jo? Së pari, presidenti i zgjedhur mblodhi ekipin e tij. Gjeneralët James N. Mattis dhe John Kelly dhe gjenerali Keith Kellogg kanë kaluar respektivisht 44, 46 dhe 36 vite me uniformën veshur dhe kanë të dhëna të gjata të shërbimit të shkëlqyer në hallka të ndërlikuara të komandës, si dhe në fushën e betejës. Gjenerali Michael T. Flynn, i cili drejton Këshillin Kombëtar të Sigurisë së presidentit, nuk është një figurë më pak e respektuar se gjenerali Stanley McChrystal, ish-komandati amerikan në Afganistan.
Kathleen Mcfarland ka kaluar shtatë vite në Shtëpinë e Bardhë për administratën e Nixonit në fillim të karrierës së saj si pjesë e stafit të nivelit të ulët në Dhomën e Situatave, duke u ngritur në detyrë në stafin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Henrz Kissinger dhe si një figurë e shquar në debate të ndryshme të rendit ndërkombëtar. Monica Crowley, e njohur si kontribuese e “Fox News” do të bëhet zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ajo e nisi karrierën e saj si ndihmëse e Richard Nixonit kur doli në pension.
Drejtuesi i ardhshëm i CIA-s, Mike Pompeo dhe sekretari i ardhshëm i ushtrisë, Vincent Viola janë të dy figura të shkëlqyera të sigurisë dhe Pompeo është diplomuar i pari në vitin 1986. Rex Tillerson, kandidati për të drejtuar Departamentin e Shtetit, është emri i ri i politikës së jashtme, por është një figurë me dekada të tërë eksperiencë në negociata nga më të ndryshmet me krerët e shtetit. Tillerson është rekomandur për këtë pozicion jo vetëm nga Cheney, por edhe nga ish-kundërshtarët e tij, ish-sekretarët Condoleezza Rice dhe James Baker, si dhe nga ish-sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, si model i shërbimit publik bipartizan.
Në listën e ekipit të Trumpit janë edhe emra të tjerë origjinalë si John Bolton, Elliott Abrams, Richard Haass si president i Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme dhe ish-senatori Jim Talent si ekspert i prokurimeve. Figura të tjera të njohura si Richard Grenell janë duke u përmendur për poste të larta diplomatike dhe gara për pozicionet e asistentsekretarëve në Departamentin e Shtetit dhe të Mbrojtjes është tepër e fortë.
Konkluzioni: Trump është, çuditërisht, duke unifikuar sistemin e politikës së jashtme të republikanëve. Këtë bën fitorja. Për këtë të japin shtysa edhe situatat e vështira kudo nëpër botë që kërkojnë lidership. Trashëgimia e politikës së jashtme të cunguar të presidentit aktual Barack Obama identifikohet me shprehjen e famshme: “Duke drejtuar nga pas”. Më saktë pas vijës së kuqe të vendosur në Krime, Aleppo dhe në Detin e Kinës së Jugut. Duken qartë edhe sfidat e mëdha me të cilat do të duhet të përballet presidenti i ri dhe patriotët që ai ka zgjedhur në ekipin e tij, janë të gatshëm për të shërbyer.
Situata duket premtuese. Pjesa më e madhe e ekipit të ardhshëm të Trumpit kanë tre ose katër herë më shumë eksperiencë në sigurinë kombëtare pa e marrë akoma detyrën, krahasuar me zëvendëskëshilltarin e sigurisë kombëtare të Obamës, Ben Rhodes që po e lë. Ndërmjet tyre, strategu kryesor mund të rezultojë të jetë “luftëtari” në krye të Pentagonit.
Pak njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë kaluar aq shumë kohë duke studiuar historinë dhe gjeostrategjinë sa Mattis dhe ata që mund të kenë studiuar, padyshim nuk kanë eksperiencën e tij në fushën e betejës. Me një përzgjedhje të vetme, Trump “fitoi” periudhën e tranzicionit të qeverisë. Njëlloj si Mattis, Kelly sjell një dozë të madhe eksperience në Departamentin e Sigurisë së atdheut. Mbi këta dy luftëtarë me përvojë rëndon pesha e sigurisë së Amerikës. Janë rikthyer të rritur në pushtet dhe kanë rënë dakord të mbështesin presidentin e ri.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Aksi Rusi–Kinë thyhet në Azinë Qendrore

“Limes”

Marrëveshja midis Kinës dhe Rusisë për furnizimet me gaz duket se përfaqëson një hap të mëtejshëm në ripërcaktimin e skenarit gjeopolitik në rajon qendro–aziatik. Mirëkuptimi midis konsumatorit më të madh të energjisë në botë dhe eksportuesit më të madh të gazit natyror duhet futur në perspektivën e bashkëpunimeve më të gjera, kryesisht të përqendruara në forcimin e sigurisë rajonale dhe në parandalimin e kërcënimeve ndaj stabilitetit të lidhura me largimin e forcave të NATO-s nga Afganistani. Ky bashkëpunim energjetik shikohet me mosbesim dhe preokupim nga Republikat ish-sovjetike të Azisë Qendrore, në mënyrë të veçantë nga Kazakistani e Turkmenistani si furnizues të rëndësishëm hidrokarburesh për Republikën Popullore të Kinës. Forcimi i aksit strategjik kino–rus rrezikon që ta prekë seriozisht politikën energjetike multivektoriale të tyre, duke ua ridimensionuar rolin në partneritetin energjetik me Kinën dhe duke ju afruar rrezikun e rënies nën sferën e influencës së Moskës, e cila mund të rifitojë rolin e saj tradicional si rrugë eksportimi të hidrokarbureve qendro-aziatike.
Rëndësia gjeopolitike e mirëkuptimit lidhur me furnizimet e gazit nxirret nga pjesëmarrja e dy presidentëve, Vladimir Putin e Xi Jinping, në ceremoninë për nënshkrimin e marrëveshjes: në Shanghai, të dy kompanitë energjetike shtetërore Gazprom e China National Petroleum Corporation (CNPC) kanë nënshkruar një marrëveshje 30-vjeçare që e impenjon Rusinë të furnizojë palën tjetër me 38 miliardë metra kub (mmc) gaz në vit duke filluar nga 2018. Ravijëzohet kështu realizimi i një gazsjellësi në gjendje të lidhë vendburimet Kovykta e Cajanda në Siberinë Lindore me qendrat kryesore bregdetare në Paqësor, ku përqendrohet kërkesa e lartë energjetike kineze. Gazpromi impenjohet që të investojë në projekt 55 miliardë dollarë – për aktivitete eksplorimi dhe realizim infrastrukturash – ndërsa nga ana kineze parashikohet një investim prej rreth 20 miliardë dollarë, të finalizuara në ndërtimin e pjesës kineze të tubacionit.
Sipas Alexey Miller, administratorit delegat të Gazpromit, vlera e përgjithshme e marrëveshjes vërtitet në rreth 400 miliardë dollarë, arsye për të cilën çmimi i shitjes së gazit kinezëve do të jetë rreth 350 dollarë për çdo 1000 metra kub gaz. Pikërisht përcaktimi i çmimit të shitjes ka qenë nyja e mosmarrëveshjes në negociata, të cilat janë zgjatur për vite të tëra. Vetëm midis marsit dhe shtatorit 2013 Gazpromi dhe CNPC-ja kanë realizuar një përshpejtim pozitiv në traktativat e tyre, të përfunduara në marrëveshjen e majit, që në thelb inauguron rrugën e re energjetike lindore, e nënshtruar realizimit të gazsjellësit Power of Siberia. I konceptuar si një sistem i integruar shpërndarës i gazit, projekti është i destinuar që të përmbledhë prodhimet e qendrave Irkutsk e Jakutsk drejt portit lindor të Vladivostokut në Oqeanin Paqësor (nëpërmjet Khabarovskit), për të arritur pastaj në Kinë duke kaluar kufirin verilindor.
Në perspektivë, këto vëllime gazi natyror të ardhur nga Siberia Lindore do t’i shtohen rritjes së prodhimit të vendburimeve në ishullin Sakhalin, në mënyrë që të ushqejnë me gaz rus jo vetëm tregjet kineze, por edhe ato, njëlloj fitimprurëse, të Paqësorit, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Brenda 2018 duhet të jetë kompletuar në Vladivostok terminali i dytë rus për eksportimin e gazit natyror të lëngët (aktualisht i vetmi në funksionim është ai në ishullin Sakhalin), i ushqyer falë komercializimit të gazit të nxjerrë në fazën e tretë të projektit Sakhalin dhe nga gazi që vjen nga Yakutsk dhe Irkutsk.
Marrëveshja lidhur me furnizimet e gazit përbën një gur në strategjinë më të gjerë të bashkëpunimit energjetik kino–rus, që ka të bëjë edhe me eksportimet e naftës ruse nëpërmjet naftësjellësit Siberi Lindore–Oqean Paqësor (ESPO): nga 2011, Kina importon 300000 fuçi nafte ruse në ditë (bbl/d). Me kompletimin e projektit brenda 2018, ESPO-ja do ta rrisë kapacitetin e saj derisa të arrijë 1.8 milionë bbl/d, duke i mundësuar Rusisë të trefishojë eksportimet e naftës të saj drejt Kinës – duke e destinuar pjesën e mbetur për tregjet fitimprurëse të Koresë së Jugut e Japonisë – dhe duke u bërë një prej furnizuesve më të mëdhenj të arit të zi.
Bashkëpunimi midis Moskës dhe Pekinit paraqet avantazhe strategjike të konsiderueshme për të dy, duke kontribuar në forcimin e gjendjes së sigurisë energjetike të tyre dhe duke u konsoliduar përkohësisht aksin gjeopolitik të përbashkët.
Në vijim të marrëveshjes së majit, Kina do të mund të përfitojë një korridor furnizimi shtesë për të plotësuar kërkesën e saj në rritje për gaz natyror: në vitet e ardhshme, nevoja për të reduktuar masën e qymyrit në brendësi të kërkesës energjetike kombëtare – aktualisht e barabartë me 2/3 e saj – do të implikojë rekursin në rritje ndaj burimeve të pastra si gazi natyror, kërkesa për të cilit do të duhet të trefishohet duke kaluar nga 161 mmc e 2013 në 480 mmc e 2040. Parashikimet e paqarta lidhur me shfrytëzimin e vendburimeve të gazit jokonvencional (nga shistet apo nga qymyri) do ta bëjnë të nevojshëm një rritje të importimeve të gazit natyror. Një tjetër avantazh për Pekinin përfaqësohet nga afërsia gjeografike e furnizuesit të ri, përderisa gazsjellësi në fjalë (në mënyrë të ngjashme me gazsjellësin kino–birman) nuk do të duhet të tranzitojë nëpërmjet shtetesh të treta.
I rezultojnë të reduktuara kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të lidhura me një ndërprerje potenciale të furnizimeve, në ndryshim nga importimet energjetike që tranzitojnë chokepoint të Malakës dhe Hormuzit ose nëpërmjet Republikave ish-sovjetike të Azisë Qendrore. Si gazsjellësi Azi Qendrore–Kinë (i ushqyer kryesisht me gaz turkmen), ashtu edhe naftësjellësi kino–kazakas i arrijnë tregjet kineze duke tranzituar nëpërmjet rajonit autonom të Ksiniangut (kufiri perëndimor kinez), ku rivendikimet e ujgurëve ushqejnë një vatër latente paqëndrueshmërie potencialisht të destinuar që të prekin sigurinë e furnizimeve në drejtim të Kinës. Veç kësaj, çmimi i përcaktuar (350 dollarë për çdo 1000 metra kub gaz) është më i ulët se çmimi i paguar nga kompanitë energjetike kineze për importimet e gazit natyror të lëngët, faktor që mund ta shtyjë Pekinin për ta forcuar më tej bashkëpunimin energjetik me Rusinë.
Për Moskën, kjo marrëveshje merr një rëndësi strategjike të madhe, sidomos në vijim të krizës me Ukrainën: ngurtësimi i Bashkimit Europian dhe pezullimi i furnizimeve për Kievin i bëjnë të domosdoshme gjetjen e rrugëve alternative të eksportit për prodhimin rus. Hapja e të ashtuquajturit vektor lindor i përgjigjet kësaj nevoje dhe i mundëson Moskës që t’i diversifikojë rrugët e eksportimit energjetik dhe të reduktojë varësinë e lartë nga tregjet evropiane. Sot për sot, vektori perëndimor i eksportimit (që përfshin tregjet BE, Turqi, tregjet e tjera evropiane dhe vende passovjetike) përfaqëson mbi 90 për qind të eksportimeve ruse me gaz natyror. Veç kësaj, mbështetja ekonomike dhe teknologjike kineze do të mundësojë që të reduktohen kostot për shfrytëzimin dhe komercializimin e rezervave të mëdha të gazit (3000 miliardë metra kub) të pranishme në vendburimet e Irkutsk dhe të Yakutsk.
Në këtë partneritet të ri jo vetëm energjetik, Moska dhe Pekini do të duhet të përballojnë kërcënime ndaj sigurisë (të lidhura me terrorizmin fondamentalist, trafiqet transkombëtare të drogës e armëve, me pasojat e menaxhimit autoritar të pushtetit në satrapit qendro–aziatike) të afta që të shkaktojnë një gjendje jostabiliteti të përhapur dhe të vënë në rrezik interesat e tyre ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike. Sidomos për Moskën, një ujdi e ngushtë me Pekinin rezulton e nevojshme në kërkim të një partneri gjeopolitik me peshë në rajon, me të cilin të ndajë përgjegjësi, në dritën e fërkimeve me NATO-n dhe Perëndimin si pasojë e krizës ukrainase.
Megjithatë, qeveritë qendro-aziatike shprehin një mosbesim të thellë ndaj rolit të ardhshëm të Organizatës së Traktatit të Josigurisë Kolektive (CSTO) dhe të Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait (SCO) si garantë të sigurisë rajonale, për shkak të mosveprimit substancial të tyre gjatë vatrave të fundit të jostabilitetit. Agresiviteti i Moskës gjatë krizës ukrainase padyshim që i ka forcuar dyshimet e republikave qendro-aziatike të frikësuara nga neoimperializmi putinian. Impakti i bashkëpunimi energjetik kino–rus është i destinuar që të rezonojë mbi republikat e Azisë Qendrore që aktualisht përfitojnë nga roli i partnerit strategjik për Kinës, si Kazakistani, me cilësinë e furnizuesit kryesor me naftë, dhe Turkmenistani, furnizues kryesor me gaz natyror.
Kjo marrëveshje e dobëson strategjinë multivektoriale të tyre në politikën e jashtme, e finalizuar që të shfrytëzojë rivalitetin midis Pekinit dhe Moskës për të siguruar avantazhe ekonomiko–energjetike dhe të bilancojë influencën e dy aktorëve rajonalë. Republikat qendro–aziatike e kanë bërë bashkëpunimin energjetik me Kinën si çelësin e kthesës që u ka mundësuar atyre të reduktojnë varësinë nga rrugët e eksportimit të menaxhuara nga Kremlini, duke diversifikuar tregjet e shitjes dhe duke rritur peshën gjeopolitike të tyre në skakierën rajonale. Kurse në kontekstin e ri roli i Rusisë si furnizues me gaz dhe naftë për ekonominë kineze mund të implikojë një margjinalizim progresiv të Kazakistanit e Turkmenistanit si partnerë të privilegjuar të Kinës.
Një skenar i ngjashëm duket funksional për strategjinë ruse, me qëllim rifitimin e influencës në hapësirën passovjetike duke u ripropozuar si blerës kryesor i prodhimit të hidrokarbureve qendro-aziatike për t’u transportuar drejt tregjeve të brendshme dhe drejt atyre evropiane. Bashkëpunimi energjetik midis Kinës dhe Kazakistanit është shprehje e një partneriteti strategjik të konsoliduar, nënshkruar më 2005, i karakterizuar nga marrëdhënie politiko–diplomatike të qëndrueshme dhe marrëdhënie ekonomiko–tregtare intensive (më 2013 vlera e tregtisë bilaterale ka tejkaluar 22.5 miliardë dollarët). Realizimi i naftësjellësit që lidh Atyrau (Kazakistani Perëndimor) me Alashankou (në rajonin autonom të Ksiniangut) përfaqëson rezultatin më të prekshëm të dialogut midis Astanas dhe Pekinit në aspektin strategjik. Bëhet fjalë për një korridor strategjik që lidh vendburimet e pasura në Kaspik me kufirin kino–kazakas: aktualisht ky naftësjellës ka një kapacitet prej 250 mila bbl/d, edhe pse brenda vitit parashikohet një rritje në deri 400000.
Për qeverinë e Astanas ai përfaqëson një vektor të rëndësishëm diversifikimi të eksporteve për faktin se është tubacioni i vetëm i naftës që nuk kalon në territorin rus, në ndryshim nga korridori Atyrau–Samara dhe të CPC-së, ndërsa eksportet kazakase nëpërmjet naftësjellësit Baku–Tbilisi–Ceyhan (BTC) arrijnë portin azerbajxhanas të Bakusë nëpërmjet petrolierave që nisen nga porti Aktau. Nëpërmjet CNPC-së, qeveria kineze është demonstruar veçanërisht aktive në sektorin energjetik kazakas: duke investuar kapitale të mëdha për eksplorimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve të shumta, duke dhënë know how e teknologjinë moderne dhe duke blerë kuota aksionere kompanish të rëndësishme energjetike kombëtare. Midis fundit të viteve nëntëdhjetë dhe fillimit të viteve dymijë, CNPC-ja ka blerë 85 për qind të kuotës së AktobeMunaiGas (kompania e katërt e naftës kazakase). Një gur i rëndësishëm për strategjitë kineze, për sa kompania ka licenca prodhimi në basenet perëndimore Zhanazhol e Kenkiyak dhe kontrata për eksplorimin e vendburimeve të reja premtuese. Vetëm në këtë operacion, CNPC-ja ka investuar mbi 1 miliard dollarë për realizimin e infrastrukturave të prodhimit e të transportit. Vetë CNPC-ja ka 67 për qind të kompanisë shtetërore të naftës PetroKazakhstan (33 për qindëshi tjetër është i kompanisë më të madhe të naftës kazakase, KazMunaiGaz).
Bashkëpunimi kino–kazakas nuk ka të bëjë vetëm me bashkëpunimin në sektorin e naftës, por shtrihet edhe në gazin natyror dhe në energjinë bërthamore. Aktualisht, gazsjellësi Azi Qendrore–Kinë tranziton në territorin kazakas, por me realizimin e Beyneu–Bozoi–Shymkent dhe zhvillimin e vendburimit të gazit natyror të Urikhtau në seksionin verilindor të Detit Kaspik (i promovuar nga një joint venture midis CNPC-së dhe KazMunaiGaz-i), Astana mund të luajë rolin e dyfishtë të vendit transit dhe eksportues drejt tregjeve kineze. Me rëndësi të veçantë është edhe bashkëpunimi në kuadrin bërthamor: nga 2009 Kazakistani është prodhuesi më i madh botëror i uraniumit (mbulon 1/3 e kërkesës totale) dhe furnizuesi kryesor i Kinës, me të cilën është impenjuar për 55000 tonë. Në pritje të nisjes konkrete të gazsjellësit kino–rus, Turkmenistani luan rolin e partnerit strategjik për Kinën në cilësinë e furnizuesit kryesor me gaz natyror: aktualisht, Pekini mbulon rreth 50 për qind të importeve të tij me gaz të ardhur nga Turkmenistani, i nxjerrë nga vendburimi Bagtyyarlyk në rajonin lindor të Lebap.
Më 2009, nisja e gazsjellësit Azi Qendrore–Kinë (CACGP) ka përfaqësuar një risi epokale në skenarin energjetik rajonal, duke ndërprerë monopolin e Gazpromit mbi eksportet e gazit nga Turkmenistani: këto të fundit kanë rënë nga 50 mmc e 2009 në 9.9 mmc e 2013 drejt Rusisë, ndërsa vendi ka orientuar një pjesë të madhe të prodhimit të tij drejt Kinës, duke ruajtur edhe rrugën e eksportit jugperëndimor drejt Iranit (4.7 mmc më 2013). Veç të tjerash, CACGP-ja përfshin edhe Kazakistanin e Yzbekistanin, jo vetëm si vende transiti drejt Kinës, por edhe si furnizues potencialë, duke krijuar alternativa konkrete për diversifikimin e eksporteve energjetike të republikave qendro-aziatike dhe duke reduktuar influencën ruse.
Mbi bazën e marrëveshjes së sanksionuar më 2013 midis Türkmengaz-it dhe CNPC-së, Kina impenjohet që të blejë 25 mmc gaz më shumë në vit brenda 2020. Brenda një date të tillë, Pekini do të importojë nga vendi qendro-aziatik 65 mmc gaz, edhe nëpërmjet realizimit të një degëzimi të ri në brendësi të gazsjellësit Azi Qendrore–Kinë, Linjës D, e cila do të realizohet brenda 2016 nëpërmjet Yzbekistanit, Taxhikistanit e Kirgizistanit (linja e re i shtohet atyre tashmë ekzistuese A e B dhe asaj C aktive brenda 2014). Pekini është impenjuar fuqishëm në zhvillimin e sektorit energjetik turkmen nëpërmjet investimesh dhe nëpërmjet dhënies së huave e lehtësimeve financiare. Në mënyrë të veçantë, Kina ka investuar 4 miliardë dollarë për zhvillimin e vendburimit Bagtyyarlyk, duke dhënë veç të tjerash një hua 8 miliardë dollarëshe për fazën e parë të zhvillimit të vendburimit Galkynysh (rilindje), i konsideruar i dyti më i madh i botës pas atij të North Dome në Katar. Në konfirmim të pozicionit mbizotërues të Kinës mbi sektorin energjetik turkmen, zbulohet sesi CNPC-ja është kompania e vetme e huaj që ka një marrëveshje bashkëprodhimi (Production Sharing Contract) lidhur me vendburimet e pasura e të sqaruara onshore, ndërsa kompanitë e tjera të huaja gëzojnë kontrata mbi vendburime offshore (jo plotësisht të eksploruara) në Kaspik apo kontrata shërbimi.
Në shtatorin e 2013, Presidenti kinez, Xi Jinping ka shkuar për vizitë në Turkmenistan për të asistuar në ceremoninë inauguruese të kompletimit të fazës së parë të zhvillimit të Galkynysh: kompanitë CNPC, Petrofac (Emiratet e Bashkuara Arabe), LG International Corp dhe Hyundai Engineering (Koreja e Jugut) kanë realizuar 3 impiante për punimin dhe trajtimin e gazit me një kapacitet prej 30 mmc, vëllime që brenda 2014 do të eksportohen drejt tregjeve kineze. Pekini është impenjuar veç të tjerash që të financojë fazën e dytë të Galkynysh me marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar midis Türkmengaz-it dhe Bankës kineze të Zhvillimit, që parashikon një hua madhësia e së cilës nuk është zbuluar, por që u shtohet 8 miliardë dollarëve të dhëna për fazën e parë. Për sa fitimprurëse, duhet nënvizuar sesi partneritet energjetik implikon një varësi substanciale turkmene: nga 40 mmc gaz të eksportuara më 2013, 75 për qind (24,4 mmc) transportohet nëpërmjet Kinës.
Realizimi i një strategjie multivektoriale efikase dhe të plotë diversifikimi të eksporteve nga ana turkmene është i lidhur me implementimin konkret të projekteve të tjera në kantier. Disa prej këtyre do të mundësonin që të futej në tregje rritja e paralajmëruar e prodhimit gazifer kombëtar: gazsjellësi TAPI (akronim i referuar vendeve të interesuara në projekt, Turkmenistan-Afganistan-Pakistan dhe Indi), me një kapacitet potencial prej 33 mmc gaz në vit, dhe korridori transkaspikas, domethënë pjesëmarrja turkmene në Korridorin Energjetik Jugor të promovuar nga BE-ja. Lidhur me këtë rrugë eksporti perëndimore, vendi qendroaziatik synon që të realizojë brenda 2015 një gazsjellës nga vendburimet e Turkmenistanit Lindor deri në brigjet e Kaspikut, me një kapacitet potencial prej 40 mmc.
Suksesi i bashkëpunimit energjetik kino–rus nuk implikon domosdoshmërisht një çimpenjim kinez nga rajoni. Përkundrazi, Pekini është i impenjuar prej vitesh dhe me sukses në një strategji efikase diversifikimi të rrugëve të furnizimit, arsye për të cilën është në interesin e tij ta ruajë partneritetin energjetik me Turkmenistanin e Kazakistanin. Në këtë optikë, Moska është një partner energjetik më shumë, por jo ekskluziv, që me resurset e saj do të kontribuojë për të përmbushur kërkesën kineze për gaz dhe naftë. Pavarësisht nga kapaciteti i naftësjellësit kino–kazakas (250000 bbl/d në 6.2 milionë bbl/d të importuar nga Kina), ky korridor merr një rëndësi strategjike për Kinën për faktin se, së bashku me ESPO-n dhe në pritje të realizimit të naftësjellësit kino–birman, përfaqëson një prej dy tubacioneve tokësore të furnizimit me naftë ekzistuese.
Një diskutim i ngjashëm mund të bëhet për Turkmenistanin: CACGP-ja dhe gazsjellësi kino–birman janë korridoret e vetme tokësore të furnizimit me gaz natyror; pjesa tjetër plotësohet me gaz natyror të lëngët të transportuar nga anijet gazmbajtëse. Duke pasur parasysh se Turkmenistani është vendi i 4-ët në botë për rezervat e gazit natyror dhe duke parë projeksionet lidhur me rritjen e ardhshme të kërkesës kineze për gaz, ky partneritet energjetik duket i destinuar që të konsolidohet në vitet e ardhshme. Gjithashtu, duhet kujtuar se nëse marrëveshja kino–ruse parashikon furnizime për 38 mmc gaz, gazsjellësi kino–turkmen duhet të arrijë 65 mmc brenda 2020, pa llogaritur huatë dhe investimet kineze për zhvillimin e vendburimit Galkynysh. Kështu që vështirë se Pekini mund ta privojë veten nga vëllime të tilla gazi, veç në mos Rusia vendos që të dy apo trefishojë eksportet e saj drejt Kinës, zgjedhje që do të përjashtonte furnizimet shtesë për Japoninë e Korenë e Jugut nëpërmjet gazsjellësit Energia të Siberisë.
Sasia e investimeve dhe e huave kineze për zhvillimin e sektorit energjetik qendro–aziatik duket se e përjashtojnë një tërheqje të Pekinit që, përkundrazi, duket se synon që të riforcojë bashkëpunimin energjetik në hapësirën ish-sovjetike. Lëvizjet e fundit duket se e konfirmojnë një lexim të tillë. Në shtator të 2013, Xi Jinping ka nënshkruar marrëveshjen (vlera 45 miliardë dollarë) me KazMunaiGas-in që i mundëson CNPC-së të sigurojë 8.33 të kuotave në brendësi të konsorciumit për shfrytëzimin e vendburimit të madh kazakas të naftës Kashagan (rezerva të vlerësuara në 70 miliardë fuçi). Sipas parashikimeve më optimiste, brenda 2015 Kashagani do të duhet të prodhojë 370000 bbl/d për të arritur më pas 1.5 milionët. Pavarësisht se mbesin paqartësi në raport me hyrjen e plotë në funksion të vendburimit dhe se nga çfarë rrugësh do të eksportohet nafta e nxjerrë, Kina dhe Kazakistani kanë në plan të krijojnë një naftësjellës të ri paralel me atë kino–kazakas për të eksportuar prodhimin offshore të Kaspikut, përfshi Kashaganin. Njëkohësisht me marrëveshjen midis Rusisë dhe Kinës, gjatë vizitës së Presidentit kazakas Nazarbaev në Kinë majin e kaluar, partneriteti energjetik midis dy vendeve është forcuar nëpërmjet dhënies nga ana e Pekinit të dy huave që të përdoren në sektorin energjetik kazakas: 1 miliard dollarë për modernizimin e rafinerisë së Shymkent-it, për ta rritur prodhimin në 6 milionë tonë në vit dhe 700 milionë dollarë për të kompletuar segmentin e gazsjellësit Beyneu–Bozoi–Shymkent.
Aksi gjeopolitik kino–rus që po konfigurohet gjatë kohëve të fundit mund të interpretohet si rezultati i një konvergjence të përkohshme të interesave, duke pasur parasysh se objektivat strategjikë të tyre në rajonin qendro-aziatik janë të destinuara që të shkojnë drejt përplasjes, duke rigjallëruar rivalitetin gjeopolitik midis dy superfuqive rajonale.
Në radhë të parë, projekti i Moskës për të krijuar Unionin Euraziatik dhe një hapësirë ekonomike të përbashkët passovjetike synon që të frenojë ekspansionizmin ekonomik të Pekinit, që konsolidon pozicionet e tij si partner tregtar i privilegjuar i republikave qendro–aziatike. Në të njëjtën kohë, një projekt i tillë është i destinuar që të përplaset me analogun kinez të Silk Road Economic Belt, i finalizuar në krijimin e një aksi ekonomiko–tregtar që rindjek gjurmën e Rrugës së Mëndafshit. Në aspektin energjetik fuqizimi i mëtejshëm i gazsjellësit CAGCP presupozon përfshirjen e të 5 vendeve ish-sovjetike të Azisë Qendrore, jo vetëm si eksportues, por edhe si territore transiti, me të cilat Pekini ka nënshkruar tashmë marrëveshje partneriteti strategjik, implementimi i të cilave është i destinuar që të kufizojë influencën e Moskës në rajon. Nga ana e tij, Kremlini do t’i kundërvihet ridimensionimit të tij në një hapësirë gjeopolitike që tradicionalisht e quan si “fqinji i jashtëm” i tij.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Lufta kibernetike e Rusisë

Zgjedhjet presidenciale më 25 maj 2014 në Ukrainë ishin një moment tepër i rëndësishëm për vendin. Revolucioni i muajit shkurt të atij viti, në të cilin humbën jetën me qindra persona, kishte rrëzuar presidentin pro rus, Viktor Yanukovych. Dy javë përpara zgjedhjeve, më 11 maj, separatistët pro rusë në qytetet lindore të Ukrainës, Donersk dhe Luhansk deklaruan pavarësinë e tyre nga Kievi. Në kohën kur do të kryheshin votimet, separatistët që kishin marrë armë dhe financime nga Rusia, ishin vënë në lëvizje duke shtypur fshat pas fshati Ukrainën Lindore.
I gjithë vendi nuk e kishte marrë ende veten nga humbja e gadishullit të Krimesë në muajin mars dhe me luftën që po përhapej në lindje, qeveria e re pro Perëndim e Ukrainës ishte nën presion të jashtëzakonshëm për të vendosur legjitimitetin dhe për të rikthyer shpresën në procesin demokratik. Ekzistonte frika e një pushtimi të plotë rus apo e një sulmi të kombinuar të separatistëve dhe forcave ushtarake ruse që avanconin për ta ndarë Ukrainën në gjysmë.
Zyrtarët këshilluan qytetarët në Kiev që të përdornin metronë e qytetit në rast të një bombardimi ajror nga ana e Rusisë dhe vendstrehimet në rast sulmi u përhapën shpejt në qytetet ukrainase. Ushtria e vendit – e vjetëruar nga vite të tëra neglizhence dhe korrupsioni – ishte gjunjëzuar në Donbas, ku legjione ushtarësh vullnetarë që kishin formuar milici partizane kishin kaluar në vijën e parë të mbrojtjes.
“Ekzistonte një mundësi e vërtetë që i gjithë fronti të rrëzohej në vitin 2014”, thotë Denys Antipov, një veteran i ushtrisë ukrainase. “Askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. Ishte një luftë e vërtetë për pavarësi”. Mbijetesa e Ukrainës si një shtet sovran dhe demokratik ishte vënë në rrezik. Ishte me rëndësi jetike që zgjedhjet presidenciale të zhvilloheshin pa probleme dhe kjo e kthente vendin në shënjestrën ideale për sulmet kibernetike ruse.
Katër ditë përpara zgjedhjeve, më 21 maj 2014, grupi i hakerave pro rusë i quajtur CyberBerkut lëshoi një sulm kibernetik kundër kompjuterëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës. Sipas agjencive të lajmeve vendase, sulmi kishte shkatërruar sistemet hardware dhe software dhe për 20 orë kishte mbyllur tërësisht programet e monitorimit të qendrave të votimit.
Ditën e zgjedhjeve, 12 minuta përpara se të mbylleshin sondazhet, hakerët e CyberBerkut postuan një rezultat falso të zgjedhjeve në faqen zyrtare të Komisionit të Zgjedhjeve. Kanali televiziv rus “Channel One”, nxitoi menjëherë të raportonte rezultatin e falsifikuar. Zyrtarët e Ukrainës thanë se sulmi kibernetik nuk kishte ndikuar aspak në rezultatin e zgjedhjeve sepse Ukraina kiste përdorur fletë votimi jo eletronike. Votat ishin numëruar më pas me dorë. Hetuesit ukrainas zbuluan më vonë provat se grupi i CyberBerkut kishte penetruar në kompjuterët e Komisionit Qendror në muajin mars, më shumë se dy muaj përpara zgjedhjeve.
“Mendoj se nuk duhet të nënvlerësojmë aftësinë e hakerave – veçanërisht atyre që gëzojnë sponsorizime shtetërore – për të trazuar procesin politik të një vendi”, shkroi Nikolay Koval, i cili ka shërbyer si kreu i Ekipit të Kundërpërgjigjes së Emergjencave Kompjuterike në Ukrainë gjatë revolucionit të vitit 2014, në një raport të NATO-s lidhur me aktivitetin kibernetik të Rusisë në Ukrainë, të publikuar në vitin 2015.

Një luftë pa plumba
Kur Rusia hyri në luftë me Gjeorgjinë në vitin 2008, lëshoi një sulm kibernetik kundër kompjuterëve të qeverisë së Gjeorgjisë dhe faqeve të mediave të ndryshme të vendit. “Në Gjeorgji, sulmet kibernetike ishin të koordinuara mirë me operacionet ushtarake ruse”, shkroi James Andrew Lewis, i qendrës së Studimeve Ndërkombëtare Strategjike në raportin e NATO-s.
“Interneti është kthyer në fushën e betejës në të cilën informacioni është viktima e parë”, shkruan “Reporterët pa Kufij” në një deklaratë të publikuar në faqen e grupit në gusht të vitit 2008 gjatë luftës ruso-gjeorgjiane. Megjithatë, lufta kibernetike nuk ka qenë “plumbi” i përdorur nga Rusia në Gjeorgji. Njëlloj si me sulmet kibernetike në Ukrainë, ato janë përdorur për të përhapur kaosin dhe për të ngritur mjegullën e luftës, jo për të sjellë një rezultat të vërtetë të ngjashëm me një të tillë ushtarak.
“Gjëja më e rëndësishme e luftës në Ukrainë që duhet theksuar është që lufta kibernetike synohej të paraqitej si inekzistente”, shkroi Martin Libicki, një analist i raportit të NATO-s. “Dy format më të njohura të luftës kibernetike – sulmet kundrejt infrastrukturës jetësore dhe sulmet kundrejt sistemit të sigurisë – nuk janë përdorur për konfliktin ruso-ukrainas”.
Megjithatë, sipas raportimeve të shumta që pas vitit 2014, rezulton se Rusia ka ruajtur një ofensivë të vazhdueshme kibernetike të nivelit të ulët në Ukrainë, duke vënë nën shënjestër bankat, hekurudhat, industrinë e mineraleve dhe rrjetet e energjisë elektrike. Komunikimet ushtarake dhe databazat e sigurta janë sulmuar gjithashtu, sipas zyrtarëve të Ukrainës. Hakerët pro rusë kanë vjedhur dhe kanë bërë publike informacione të ndjeshme në rrjetet e qeverisë ukrainase dhe nga faqet e zyrtarëve të qeverisë në internet.
Sipas një raporti të LookingGlass, një firmë amerikane e sigurisë kibernetike, spiunazhi kibernetik rus ka zhvilluar një fushatë të quajtur “Operacioni Armagedon”, i cili thuhet se ka filluar duke vënë nën shënjestër qeverinë e Ukrainës, zbatuesit e ligjit dhe zyrtarët e ushtrisë që në vitin 2013. “Është e qartë se Rusia ka përdorur spiunazhin kibernetik me të gjithë forcën e saj si pjesë e një strategjie më të madhe për të ndjekur interesat globale”, shkruan LookingGlass.
Megjithatë, sipas Lewis, sulmet kibernetike ruse në Ukrainë kanë arritur rezultate të papërfillshme. “Incidentet në Ukrainë nuk e kanë trazuar komandën dhe kontrollin e rrjetit, nuk kanë shkatërruar shërbimet dhe nuk kanë pasur asnjë efekt të dukshëm ushtarak”, vazhdon ai. “Sulmet kibernetike duken më shumë si një armë mbështetëse që ndikojnë në fushën e betejës, por më vete ato nuk arrijnë të prodhojnë fitore të qenësishme”.
Pavarësisht kufizimeve, lufta kibernetike ka qenë një komponent kyç i “luftës hibride” të Rusisë në Ukrainë. Fushatat e keqinformimit online kanë ndihmuar që të ngrihet mjegull mbi raportimet e mediave perëndimore lidhur me përfshirjen direkte të Rusisë në operacionet ushtarake në Krime dhe Donbas.
“Fushata e informacionit, e lehtësia nga aktivitetet kibernetike, ka kontribuar fuqimisht në aftësinë e Rusisë për të ndjekur operacione kundër Ukrainës në fazat fillestare të konfliktit me një opozitë të papërfillshme nga ana e Perëndimit”, shkruan Keir Giles, anëtar i programit të Rusisë dhe Eurazisë dhe drejtues i Qendrës së Studimit të Konflikteve. “Rusia, më shumë se çdo aktor tjetër në hapësirën kibernetike, duket se ka krijuar një mënyrë unike për të integruar luftën kibernetike në strategjinë e saj madhore të arritjes së objektivave politike”, shton ai.

Pjesë e “jetës së përditshme”

Edhe pse sulmet kibernetike ruse nuk kanë qenë vendimtare për betejat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, Moska ka përdorur agresivisht mjete kibernetike për të vënë në shënjestër proceset politike të huaja dhe për të përhapur propagandën e saj. Ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë është shoqëruar me një valë sulmesh kibernetike, kryesisht DoS (mohim të shërbimit), kundër qeverisë dhe organizatave të biznesit në Poloni dhe Ukrainë, si edhe kundër Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian.
Rusia ka lëshuar sulme kibernetike kundër qeverive të vendeve europiane, përfshirë Holandën, Estoninë, Gjermaninë dhe Bullgarinë. “Rusia e konsideron veten të angazhuar plotësisht në luftën kibernetike kundër informacionit, duke përfshirë këtu jo vetëm sulmet, por edhe mbrojtjen – edhe pse kundërshtarët nuk e kanë vënë re plotësisht”, shkruan Giles.
Në vitin 2007, Estonia u përball me një sulm kibernetik që zgjati plot një muaj dhe që vuri nën shënjestër rrjetin e kompjuterëve qeveritarë, mediat dhe bankat. “Sulmet kibernetike në Estoni, të përbërë nga incidente të trazimit të shërbimit dhe mohimit të shërbimit, mund të krahasohen me ekuivalentin online të një proteste të zhurmshme përpara ndërtesave qeveritare dhe bankave”, shkruan Lewis. “Në fakt, ato kanë pasur efekt të vogël të prekshëm, por pa dyshim kanë krijuar pasiguri dhe frikë ndërmjet liderëve të Estonisë, pasi konsideroheshin si paraprijës të një sulmi të plotë ushtarak nga ana e Rusisë”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bullgarisë u godit nga një sulm kibernetik këtë vit, gjatë zgjedhjeve lokale dhe komunale. Sulmi ishte një mohim shërbimi i shpërndarë me të njëjtën taktikë të përdorur në Ukrainë, Gjeorgji, Estoni dhe Poloni. Në sulm përfshiheshin 530 milionë hyrje në faqen zyrtare të komisionit brenda 10 orëve, në një kohë kur Bullgaria ka vetëm 7,2 milionë banorë.
Hakerët rusë kanë vënë në shënjestër edhe qeveritë perëndimore europiane. Agjencia e brendshme e inteligjencës së Gjermaninë, BfV, thotë se në muajin maj, hakerët e mbështetur nga Kremlini kanë vënë nën shënjestër Parlamentin gjerman dhe në të njëjtën kohë kanë sulmuar edhe Partinë Kristian-Demokrate të kancelares Angela Merkel. Merkel ka qenë një mbështetëse e fortë e mbajtjes në fuqi të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë për shkak të veprimeve të saj ushtarake kundër Ukrainës. Duke qenë se kancelarja do të hyjë së shpejti në vitin e saj zgjedhor, kjo e bën një shënjestër ideale për hakerat rusë.
Sulmet kibernetike kundër Deutsche Telekom, kompanisë gjermane të telekomunikacionit, gjatë muajit nëntor i kanë shtyrë zyrtarët gjermanë që të adresojnë publikisht kërcënimin kibernetik rus. Kreu i shërbimit të inteligjencës gjermane, Bruno Kahl, paralajmëroi se hakerat rusë mund të sulmojnë zgjedhjet gjermane gjatë vitit 2017. “Ne kemi prova se sulmet kibernetike janë duke u zhvilluar dhe se nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveçse të përhapin pasiguri politike”, thotë Kahl për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”.
“Sulmuesit kanë interesin të delegjitimojnë procesin demokratik zgjedhor, pa u interesuar shumë se cilën palë ndihmojnë në fitore”, vazhdon Kahl. “Kemi sinjale të qarta që vërtetojnë se sulmet vijnë nga rajoni rus”. Pa e fajësuar drejtpërdrejt Rusinë për sulmin kundër Telekomit gjerman, Mrkle tha: “Këto sulme kibernetike ose konflikte hibride siç quhen në doktrinën ruse, janë bërë tashmë pjesë e jetës së përditshme dhe duhet të mësohemi t’i trajtojmë ato siç duhet”.
Sipas raporteve të lajmeve, një fushatë ruse e spiunazhit kibernetik ka vënë nën shënjestër edhe hetimin ndërkombëtar me bazë në Holandë të rrëzimit të avionit të “Malaysia Airlines” mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, si edhe hetimin e Agjencisë Botërore Antidoping kundrejt atletëve rusë të Lojërave Olimpike.
“Kultura strategjike ruse është e fokusuar tek lufta si aktivitet i mirëfilltë politik. Që pushteti kibernetik të ketë efekt real strategjik, Rusia beson se duhet të kontribuojë direkt në formimin e rezultateve politike duke ndryshuar perceptimet politike të kundërshtarëve për t’ju përshtatur më mirë interesave ruse”, shkruan James J. Wirtz në raportin e NATO-s për spiunazhin kibernetik të Rusisë.

Strategjia e Luftës së Ftohtë

Në vitin 2014, sulmet kibernetike që lidheshin me grupet e hakerave rusë pësuan një rritje të ndjeshme kundër rrjetit kompjuterik të qeverisë amerikane. Zyrtarët amerikanë në Europë janë bërë gjithashtu pre e sulmeve kibernetike ruse. Në shkurt të vitit 2014, një bisedë telefonike ndërmjet Geoffrey Pyatt, ambasadori amerikan në Ukrainë dhe Victoria Nuland, asistentsekretare e Shtetit për çështjet europiane dhe euraziatike, u bë publike në YouTube.
Hetimi i qeverisë amerikane zbuloi se përgjimi i bisedës telefonike dhe publikimi i saj në rrjetin online vinte nga Rusia. “Duhet të them se fakti që video u bë publike dhe u shpërnda nga qeveria ruse, tregon shumë për rolin e Rusisë”, tha ish-sekretari i Shtypit, Jay Carney në atë kohë. “Ne mendojmë se ky është një tjetër nivel i ulët i strategjisë ruse”, tha Jen Psaki.
Strategjia kibernetike ruse duket se e merr frymëzimin nga strategjia sovjetike. Bashkimi Sovjetik zhvillonte operacione klandestine në të gjithë botën për të përhapur influencën sovjetike dhe për të dëmtuar legjitimitetin e për të përhapur kaos në demokracitë perëndimore. Këto taktika shpesh kishin të bënin me përhapjen e informacioneve të pavërteta në mediat perëndimore.
“Sovjetikët janë përpjekur gjithmonë të influencojnë si miqtë, ashtu edhe armiqtë e tyre dhe sot Rusia po bën të njëjtën gjë”, thotë Steven Bucci një anëtar i “Heritage Foundation”, i cili ka shërbyer për tri dekada si oficer i Ushtrisë së Forcave Speciale.

Luftë apo diçka tjetër?

Qeveria e Shteteve të Bashkuara aktualisht nuk ka një përkufizim të qartë për të identifikuar një sulm kibernetik që kalon kufirin ndërmjet krimit, aktit të spiunazhit apo aktit të luftës. Deri tani, sulmet kibernetike ruse kundër vendeve anëtare të NATO-s si Bullgaria, Estonia, Gjermania, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë çuar NATO-n deri në pikën e ngritjes së nenit 5 – protokolli i mbrojtjes kolektive të aleancës perëndimore ushtarake. Edhe vetëm legjislacioni i NATO-s është i paqartë për rastet kur një sulm kibernetik meriton kundërpërgjigje ushtarake kibernetike.
“Skeptikët pretendojnë me të drejtë se në luftën kibernetike askush nuk vdes”, thotë Kenneth Geers, ambasador i qendrës së sigurisë kibernetike të NATO-s. “Por në njëfarë mënyre, koncepti ynë i sigurisë kombëtare duhet të evoluojë bashkë me teknologjinë”.
Në një raport të Shtëpisë së Bardhë, Departamenti i Sigurisë së atdheut renditi 16 “Sektorë Strategjikë të Infrastrukturës”, të cilët në rast se shkatërrohen, do të sillnin efekte të jashtëzakonshme dobësuese për sigurinë kombëtare, sigurinë ekonomike, shëndetin publik kombëtar apo çdo kombinim të tyre. Në listë përfshiheshin asete të infrastrukturës si rrjetet e energjisë elektrike apo sistemi i kontrollit të trafikut ajror dhe digave. Sistemi i procesit zgjedhor të vendit nuk bënte pjesë në këtë listë si një sektor kritik që duhet mbrojtur nga sulmet kibernetike.
Komitetet kombëtare demokratike dhe republikane janë organizata jofitimprurëse, të cilat janë përgjegjëse për financimin dhe organizimin e vetë sigurisë së tyre kibernetike. Gees megjithatë argumenton se qeveria ka përgjegjësinë që të garantojë sigurinë e serverave të postës elektronike të këtyre dy komiteteve për shkak se ruajnë informacione të vlefshme të sigurisë kombëtare.
“Në njëfarë mënyre, qeveria amerikane do t’i përcaktojë këto servera si ‘infrastrukturë kritike’ dhe do të artikulojë një nivel të caktuar përgjegjësie kundrejt mbrojtjes së tyre”, vazhdon Geers. “Qeveria amerikane është përgjegjëse për mbrojtjen e vendit dhe qytetarëve dhe këtu përfshihet pa dyshim siguria e demokracisë dhe mbrojtja e saj nga manipulimi i fuqive të huaja”.
Sipas Buccit, sulmi që mendohet të ketë ndodhur kundër Komitetit Kombëtar Demokrat gjatë verës së këtij viti ishte një fushatë spiunazhi dhe nuk mund të karakterizohet si një sulm që meriton kundërpërgjigje ushtarake. “Qeveria amerikane nuk e ka përkufizuar kurrë spiunazhin kibernetik si një akt lufte”, thotë Bucci. “Kjo nuk do të mbështetej nga askush. Nuk mund të kategorizohet as si krim. Publikimi i postës elektronike për të përhapur influencë është spiunazh i pastër”.
“Strategjia Ndërkombëtare për Hapësirën Kibernetike” e krijuar nga Shtëpia e Bardhë që në vitin 2011 aludon përdorimin e forcës ushtarake kundër sulmeve kibernetike. Sipas raportit: “Me autorizimin përkatës, Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen ndaj akteve armiqësore në hapësirën kibernetike njëlloj si ndaj çdo sulmi tjetër. Qeveria amerikane ka të drejtë të përdorë çdo mjet në dispozicion – diplomatik, informues, ushtarak dhe ekonomik – sipas nevojës dhe sipas ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur kombin, aleatët, partnerët dhe interesat.
Gjatë një dëshmie përpara Komitetit të Shërbimeve të Armatosura më 22 qershor, Thomas Atkin, i cili shërbente si asistentsekretar i mbrojtjes për sigurinë kombëtare dhe globale, tha se Pentagoni nuk kishte asnjë prag të mirëpërcaktuar se kur një sulm kibernetik kthehet në një akt dhune. Sulmet kibernetike mund të meritojnë kundërpërgjigje ushtarake në rast se akti do të kishte “pasoja domethënëse”, tha Atkin përpara Kongresit.
“Kur flitet për një akt me pasoja domethënëse, nuk kemi asnjë përkufizim të qartë të aplikueshëm”, tha Atkin. “Por mund ta vlerësojmë atë në bazë të numrit të jetëve të humbura, humbjen e pronës fizike, impaktit ekonomik dhe dëmtimin e politikës së jashtme”, vazhdoi ai. “Operacionet e rrjeteve kompjuterike të pasojave të rëndësishme, edhe kur janë kaq të rrezikshme, i afrohen më shumë akteve të spiunazhit se sa akteve tradicionale të luftës”, thotë Geers duke komentuar lidhur me sulmin kundër Komitetit Kombëtar Demokratik. “Vetëm presidenti mund të vendosë kur një sulm kibernetik kthehet në një akt të vërtetë lufte”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Tharja e moçalit

Janë bërë shumë përpjekje për të shpjeguar fitoren e papritur të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, por ndoshta shpjegimi më i thjeshtë është edhe më i sakti: kundërshtarët e Trumpit nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte, derisa ndodhi. Që nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ishte virtualisht kandidatja më e pritur për të fituar zgjedhjet, tek republikanët që e kundërshtuan kandidaturën e tij, njerëzit e kanë nënvlerësuar vazhdimisht presidentin e zgjedhur. Fuqitë e mëdha, veçanërisht Azia, nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim.
Gjatë fushatës, Trumpi e dinte shumë mirë se kush ishte Clinton: e zgjuar dhe me eksperiencë, por i mungonte aftësia e tij për të bërë spektakël. Kështu ai bëri sikur nuk kuptonte, duke bërë fushatë në shtetet që shumë njerëz mendonin se ishin humbje kohe, ndërsa Clinton ndiqte startegjinë e drejtuar nga të dhënat. Qasja e saj e bëri të fitonte 2,7 milionë vota më shumë se Trumpi. Qasja e tij e bëri të fitonte presidencën.
Tani, teksa përgatitet për të marrë në dorë pushtetin, Trump po përdor të njëjtat taktika që ka përdorur gjatë fushatës, duke i dhënë prioritet tubimeve në vend të konferencave të shtypit dhe duke marrë pjesë në emisione amerikane në vend që të fokusohet në krizën e Sirisë. Ndërkohë, ai është duke tjetërsuar plotësisht diplomacinë e Shteteve të Bashkuara, ndoshta duke bërë telefonata të gjata me presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte dhe presidentin tajvanez, Tsai Ing-wen. Në vend që bota të tronditet edhe një herë nga Trump, duhet të mësojë të lexojë sinjalet e tij.
Për të lexuar më mirë planet e Trumpit, gjëja e parë që duhet bërë është të shihen emërimet e tij. Ndërmjet zgjedhjeve të Trumpit për sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe politikën e jashtme, shfaqet menjëherë një model i qartë veprimi: të gjithë janë specialistë të çështjeve të Lindjes së Mesme dhe Rusisë. Trump duket se ka ndërmend të mos ndjekë hapat e paraardhësve të tij duke vazhduar strategjinë e izolimit të Rusisë. Në të kundërt, ai kërkon ta përdorë Rusinë në mënyrë që kjo e fundit ta ndihmojë të trajtojë çështjet e Lindjes së Mesme.
Për Trumpin, i cili është fillimisht dhe mbi të gjitha biznesmen, të lesh një konkurrent të merret me armiqtë është strategjia ideale. Kjo shihet qartë edhe në deklaratën e tij se do t’i detyrojë aleatët e Shteteve të Bashkuara të paguajnë më shumë për mbrojtjen. Fakti që Trump duket se ka një mirëkuptim me presidentin Vladimir Putin mund të jetë një ndihmë në rast se kjo do të jetë strategjia e tij.
Por arsyet që e shtyjnë Trumpin drejt bashkëpunimit me Rusinë shkojnë edhe përtej Lindjes së Mesme. Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia mund të përfitojnë nga rritja e çmimit të naftës, ndërsa vendet si Kina dhe Japonia do të vuajnë. Rusia mund të ushtrojë edhe presion gjeografik mbi Kinën, madje edhe në pjesën tjetër të Azisë, nëse do të jetë e nevojshme. Së fundi, Rusia mund të jetë forca që do ta shtyjë Europën më në fund të marrë në dorë vetëmbrojtjen e saj.
Edhe politikat ekonomike të Trumpit do të kenë pasoja në të gjithë botën, përfshirë edhe Azinë. Përsëri emërimet e tij në kabinet janë ato që sugjerojnë rrugën që kërkon të ndjekë. Trump ka përzgjedhur tre ish-punonjës të “GoldmanSachs” për të drejtuar ekipin e tij të ekonomisë. Premtimi i tij për “të tharë moçalin” e nepotizmit dhe korrupsionit ishte një strategji taktike.
Në kundërshtim të parashikimeve të disa ekspertëve, politikat ekonomike të Trumpit mund të funksionojnë. Me investime të mjaftueshme në infrastrukturë – dhe me ndihmën e normave negative të interesit – Trump mund të arrijë me të vërtetë të ringjallë produktivitetin dhe rritjen e GDP-së aq sa për të reduktuar borxhin e Amerikës. Çelësi i suksesit do të jetë kontrolli i rritjes së vlerës së dollarit, i cili ka arritur nivelin më të lartë të 13 viteve të fundit që pas zgjedhjeve presidenciale.
Vlera e lartë e dollarit nuk është një lajm i mirë për Azinë. Kur dollari është i dobët, multinacionalet marrin borxh dollarë për të financuar bizneset e tyre, të cilat japin të ardhura më të larta në monedhën lokale. Rritja e të ardhurave është pozitive për të gjithë, veçanërisht për tregjet në rritje, të cilët përfitojnë një rritja e eksporteve dhe rritja e prurjes së kapitalit në vend.
Por kur dollari fillon të fuqizohet, cikli merr drejtimin e kundërt. Monedha e huaj dhe kapitalet zhvlerësohen për tregjet në rritje, duke e bërë tregtinë më të kushtueshme. Të paktën 40 për qind e tregtisë fizike globale zhvillohet me dollarë amerikanë, që përbën të paktën 60 për qind të prurjeve financiare.
Tregjet financiare në këtë rast nisin të investojnë me dollarë, për shkak se norma e vlerësimit është më e lartë se përfitimi i tregtisë, duke e rritur akoma më shumë vlerën e dollarit. Rritja e tensioneve gjeopolitike e forcon këtë cikël, për shkak se dollari përfaqëson stabilitet, veçanërisht në një kohë që Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara po sinjalizojnë normalizimin e normave të interesit.
Në këtë pikë, pothuajse të gjitha monedhat aziatike, përfshirë jenin dhe renminbin, ndodhen nën presionin e zhvlerësimit. Banka e Japonisë dhe Banka Popullore e Kinës kanë marrë hapa për të ndaluar zhvlerësimin e monedhave të tyre në mënyrë që pasojat të jenë sa më të pakta.
Siç e dinë mirë edhe kolegët e Trumpit, kur tregjet në rritje janë në vështirësi, vetëm Rezervat Federale mund të ofrojnë likuiditetin e nevojshëm për të lehtësuar presionin. Me pak fjalë, presidenti i zgjedhur Trump po punon që tani nga një pozicion i favorshëm pushteti. Pjesa tjetër e botës nuk duhet të vazhdojë ta nënvlerësojë pasi rrezikojnë të kthehen në dëme kolaterale.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Dështimi i “doktrinës Obama”

“Geopoliticus”

Në vitin 2014, në një editorial të ashpër tek “Wall Street Journal”, Dick Cheney kishte folur haptazi për “kolapsin” e “doktrinës Obama”, duke e hedhur poshtë në total strategjinë në fushën e politikës së jashtme të Presidentit në fuqi. Nisja e presidencës së Barack Obama pesë vite më parë ishte përshëndetur në Shtetet e Bashkuara me tone mesianike si fillimi i një epoke të artë paqeje, stabiliteti, rilindjeje të të drejtave humane dhe civile, rigjallërimi ekonomik dhe një pastrimi imazhi të Shteteve të Bashkuara në botë. Në largësinë e 8 viteve nga zgjedhja e presidentit të parë afro-amerikan dhe pas 2 mandatesh presidenciale radhazi, mund të thuhet se Obama i ka zhgënjyer pothuajse të gjitha pritshmëritë e përmirësimit të situatës, sa në frontin e jashtëm, aq edhe në atë të brendshëm (pavarësisht se në planin ekonomik gjykimi mund të jetë më indulgjent), duke lënë në trashëgimi një botë shumë më pak të sigurtë e të begatë, sidomos në Perëndim, se ajo që kish marrë në trashëgimi nga G. W. Bush. Primati amerikan në glob, gjithnjë e më shumë i vënë në diskutim nga shumë anë në nivel ndërkombëtar, i lë hapësirë pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë.
Nga shumë anë janë ngritur zëra që kanë akuzuar presidencën Obama se ka qenë më e keqja nga koha e Jimmy Carter. Për të tjerë duket kemi të bëjmë me më të keqen e të gjithave. Edhe po të duash të japësh një gjykim dashamirës lidhur me marrëveshjen bërthamore iraniane (për një kohë të gjatë e debatuar dhe së cilës i është vënë fjala fund në fillim të këtij vendi) dhe mbi rivendosjen e marrëdhënieve me Kubën (ku Obama ka shkuar për vizitë, presidenti i parë amerikan në 90 vite), puna e përgjithshme e Obamës nuk ka merituar elozhe të veçanta. Presidenca e tij, e shënuar nga paqartësi dhe nga gjendja e “patës së çalë”, të cilën ka përjetuar në mandatin e saj të dytë (përjashton parantezën e shkurtër të 2-vjeçarit 2009–2010), është dalluar prej rivaliteteve në brendësi të administratës, jo vetëm midis Partisë Demokrate dhe Republikane (kjo e fundit e tronditur shumë nga fenomeni Donald Trump), por edhe midis institucioneve të vendit (ushtri dhe politikë, agjenci, ente federale, ushtri dhe anasjelltas), pse jo edhe prej axhendës konfuze politike, asnjëherë e përkufizuar qartë dhe padyshim e influencuar nga një mazhorancë e qëndrueshme në Kongres.
Kontradikta më e ashpër ka pasur të bëjë me respektin e munguar të premtimit për një hapje të re ndaj Lindjes së Afërt, Afrikës dhe Azisë, që Obama pritet t’ia lërë pasuesit të tij në një gjendje mbylljeje të fortë kundrejt Uashingtonit. Për sa i përket Afrikës në kompleksin e saj, pritshmëritë e një interesimi më të madh për fatet e kontinentit nuk janë realizuar, duke ia lënë fushën aktivizimit gjithnjë e në rritje të Pekinit. Politika e jashtme obamiane, shumë larg nga arritja e një “rendi të ri botëror”, le në trashëgimi një botë mbi të cilën Shtetet e Bashkuara ushtrojnë gjithnjë e më pak influencë, sa në planin politik, aq edhe në atë ushtarak dhe mbi të cilën superfuqia “vetmitare” protagoniste e fazës së shkurtër unipolare duket se nuk ka më forcë.
Tërheqja nga skenarët luftarakë apo ngurrimi ndaj impenjimit në terren të dëshiruara nga Obama, megjithëse të ndërmarra fillimisht për t’i dhënë fund një interventizimi agresiv dhe me qëllimin për t’ia ceduar aleatëve përgjegjësinë e menaxhimit të skenarëve strategjikë, i lanë hapësirë paqëndrueshmërisë dhe penetrimit të terrorizmit, duke favorizuar rekursin tek luftërat me bedel nga ana e aleatëve jo të besueshëm (shiko Sirinë dhe Libinë). Kritika e ngritur nga Cheney ishte e drejtuar pikërisht tek zgjedhja e çimpenjimit dhe të strategjisë obamiane e “leading from behind”, e treguar si përgjegjëse e avancimit të kërcënimit terrorist në Lindjen e Afërt, e humbjes së influencës mbi aleatët dhe për zbehjen e prestigjit të Shteteve të Bashkuara në botë.

Lindja e Afërt dhe Afrika Veriore
Dështimi i politikës së jashtme ka qenë sidomos i dukshëm në Lindje të Afërt, ku Obama ishte i prirur (diskutimi në Kajro i 2009) drejt një hapjeje të re ndaj të gjithë botës arabe, gjë që në fakt ka rezultuar në një (ç)impenjim progresiv dhe një “kaos” që nuk ka lënë asnjë influencë të mbetur mbi atë pjesë të botës, pavarësisht impenjimit të bollshëm.
Gjithsesi, nëse marrëveshja me Teheranin për shtyrjen e krijimit të arsenalit atomik, termat e së cilës e kanë lënë dukshëm të pakënaqur Izraelin, Arabinë Saudite dhe një pjesë të Kongresit, mund të konsiderohet pozitive në Irak e në Siri, ashtu si edhe në Libi, ndërhyrja amerikane dhe europiane ka pasur pasoja katastrofike, duke shkatërruar luftëra dhe shkatërrime, jo vetëm për këto vende, por edhe për të gjithë Europën, pasi ka shkaktuar një fluks të pakontrolluar migrator, fidanishte krizash dhe rivalitetesh midis vendeve të ndryshme europiane. Veç të tjerash, një mea culpa lidhur me Libinë ka dalë kohët e fundit nga goja e vetë Obamës, i cili në “Fox News” ka pranuar gabime në menaxhimin e “day after” pas ndërhyrjes.
Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku e vendosur më 2011, duke vijuar proklamimin obamian të “tërheqjes strategjike” (domethënë çimpenjimin progresiv nga skenarët e luftës), la një boshllëk të papritur në rajon, duke përcaktuar përhapjen e fondamentalizmit të armatosur. Dobësia e ushtrisë irakene, e lënë e vetme përballë terrorizmit, ka mundësuar vendosjen e të vetëquajturit Kalifat sunit të ISIS-it (çdo gjë përveçse thjesht një “flakë kashte”) dhe kaosin që ka pasuar. Gabimet i kanë pasuar kërcënime jo konsekuente (që kanë shënuar një humbje të pastër besueshmërie për Shtetet e Bashkuara) kur Obama, pasi ka kërcënuar një ndërhyrje ushtarake në Siri, ka bërë një prapakthehu të bujshëm dhe ka mirëpritur propozimin e Putinit për shtyrje në këmbim të shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit. Rezultati final ka qenë që Shtëpia e Bardhë ka pësuar një shuplakë të rëndë mediatike, duke ia lënë skenën Rusisë së Putinit, i cili e ka transformuar Sirinë në një skenë për protagonizmin e tij, përveçse në një skenar të gjerë në të cilin të vinte në provë makinën e vet të frikshme luftarake.

Terrorizmi
Në frontin e terrorizmit xhihadist, fenomeni është gangrenizuar patjetër. Siç është demonstruar nga ISIS-i, ai ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u bërë më i radikalizuar dhe më i rrezikshëm, përveçse për herë të parë i territorializuar. Pas 15 vitesh tentativa perëndimore të prirura zyrtarisht për ta çrrënjosur terrorizmin dhe centralet e Al-Qaedas, në Afganistan rreziku është ai i një rikthimi në pushtet të talebanëve. Kurse Siria është rasti më i bujshëm i dështimit të administratës Obama në frontin e terrorizmit. Pas 5 vitesh lufte civile, jo vetëm që nuk ka ndodhur regime change që ishte në planet e administratës Obama, por Siria është transformuar në një aktor themelor në skenarin e Lindjes së Afërt.
Ngurrimi fillestar i Obamës për të “vendosur çizmet në terren” i ka mundësuar të vetëquajturit Shtetit Islamik që të përhapet midis Sirisë dhe Irakut, duke u konsoliduar deri në atë pikë sa është bërë e nevojshme ndërhyrja e fuqive të tjera, midis të cilave Rusia. Lidhur me këtë pikë bilanci i Shteteve të Bashkuara në të shpallur “luftë kundër terorrizmit” nuk ka sesi të mos jetë negativ. Nga ana tjetër, një ndërhyrje tokësore e tyre do të kishte pasur si objektiv më shumë përmbysjen e Al-Assad sesa jo fundin e ISIS-it. Në këtë profil, “maturia” e Obamës i ka shmangur Shteteve të Bashkuara përfshirjen në një konflikt tjetër.

“Pranvera arabe” dhe të drejtat e njeriut
Aftësia e shfrytëzimit të revoltave popullore në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Afërt, nëse ka mundësuar të ribëhet harta e rripit të vendeve arabe mesdhetare, nuk u ka sjellë benefite të mëdha as këtyre vendeve, as Europës. Shumë larg nga sjellja e paqes dhe demokracisë, ka gjeneruar vetëm kaos dhe paqëndrueshmëri, përjashto Egjiptin, ku revolta popullore ka arritur të rrëzojë regjimin e Vëllazërisë Myslimane të Morsit (i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë), duke rivendosur boshllëkun e lënë nga Mubarak.
Nuk flasin sigurisht në favor të kauzës së të drejtave të njeriut, sa mbrojtja nga presidentët amerikanë, aq edhe mbyllja e munguar e Guantanamo, as “kill list” (programi i eliminimit sekret dhe ekstraligjor i armiqve), as doktrina Obama lidhur me përdorimin kirurgjik të dronëve, shpesh shkaktues viktimash civile dhe pasojash kolaterale. Skandali mbi punën e NSA-së (National Security Agency), i njohur si Datagate, ka nxjerrë në pah nivelin e frikshëm të infiltrimit si në sferën private të amerikanëve nga ana e agjencisë së spiunazhit të brendshëm, ashtu edhe në atë të vetë aleatëve europianë (midis të spiunuarve janë edhe krerë qeverish europiane). Obama ka dashur ta përballojë me një ligj reforme të sistemit të përgjimeve, i cili pa e hequr prerogativën e qeverisë për të spiunuar qytetarët e saj, zëvendëson pjesërisht Patriot Act e 2001 duke vendosur kufizime ndaj shkeljes së privatësisë personale.

Azia dhe Europa
Obama ka dështuar edhe në frontin aziatik. Administrata e tij ka vendosur transferimin e shtyllës së politikës së jashtme amerikane nga Atlantiku në Paqësor (Pivot to Asia), duke iu drejtuar konsolidimit të aparatit amerikan në zonë (nëpërmjet United States Pacific Command) dhe përfundimit në lëmin ekonomik të një marrëveshjeje të shkëmbimit të lirë midis vendeve kryesore bregdetare të Paqësorit (Trans Pacific Partnership) në funksion antikinez. Forcimi i containment në dëm të Kinës, i kaluar më pas nën emrin e “ribilancimit në Azi–Paqësor”, i ka ashpërsuar tensionet ushtarake dhe diplomatike në zonë. Është inkurajuar kështu aktivizimi ushtarak i Pekinit (dhe jo vetëm) në Detin e Kinës Jugore, ku nuk mungojnë provokimet e Shteteve të Bashkuara.
Dështimi i kësaj strategjie në frontin aziatik është salduar ndërkohë me dështimin në sanën europiane, ku kriza e Europës, sa në profilin ekonomik, aq edhe në atë politik dhe ushtarak, nuk ka bërë gjë tjetër veçse është përkeqësuar. Shtrëngesa në të cilën është vënë Europa që të miratonte në dëm të vet sanksionet kundër Rusisë ka shkaktuar një frakturë të thellë midis vendeve proamerikane dhe vendeve proruse, duke e shtyrë Rusinë që të lidhë një partneritet të qëndrueshëm me Pekinin, potencialisht në gjendje që të përmbysë primatin e Uashingtonit. Obama i ka dhënë jetë kështu një Lufte të Ftohtë të re, duke çuar në krizën më të keqe të raporteve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në 20 vjet e këtej.

Globalizimi
Deri globalizimi i promovuar nga Uashingtoni duket se është vënë në diskutim nën Obamën. Në fushatë elektorale Trump ka interpretuar ndjenjat e pakënaqësisë ndaj marrëveshjeve të shkëmbimit të lirë të nënshkruar me Meksikën (NAFTA) dhe në rrugë miratimi me vendet transpaqësore (TPP). Pikërisht TPP-ja, që forcon containment ekonomik ndaj Kinës, duket se tashmë është arkivuar, ndërsa është braktisur në muajt e kaluar edhe TTIP-ja (Transatlantic Trade and Investment Partnership), zona e shkëmbimit të lirë midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara, edhe pse këto të fundit, të dalë nga dera, mund të rihyjnë nga dritarja nëpërmjet CETA-s (Comprehensive Economic and Trade Agreement), marrëveshja e shkëmbimit të lirë e miratuar kohët e fundit midis Europës dhe Kanadasë. Të dyja marrëveshjet shërbenin për ta lidhur Europën me Lindjen e Largme me fatet e Uashingtonit, respektivisht në funksion antirus dhe antikinez. Si rezultat i braktisjes së TPP-së, Kina është aktivizuar për të rilançuar një “partneritet ekonomik rajonal”, alternativa kineze ndaj zonës doganore të Shteteve të Bashkuara midis vendeve aziatike.

Konkluzione
Goditja më e rëndë e pësuar në 8 vitet e Presidentit Obama ka qenë sigurisht deklasimi i Shteteve të Bashkuara nga “vend i domosdoshëm” në vend të detyruar që të matet, me hir apo me pahir, në një plan multilateral me vende të tjera të të njëjtit rang; jo më superfuqia e vetme globale. Primati i Shteteve të Bashkuara, të bëra tashmë një aktor midis të tjerëve në kuadrin e fuqive botërore, është dukur se është zhdukur “prapa kuintave” të një rendi multipolar. Është parë kohët e fundit kur Shtetet e Bashkuara janë sfiduar haptazi nga Turqia e Erdoganit me rastin e grusht shtetit të dështuar dhe nga Filipinet e Duterte, i cili duke shpallur prishjen e martesës me Uashingtonin, ka inauguruar një epokë të re marrëdhëniesh të përzemërta dhe paqësore me Pekinin. “Momenti unipolar”, tashmë i ezauruar, i lë hapësirë aktorëve ndërkombëtarë emergjentë, të afirmuar si protagonistë në vijim të shkolonizimit dhe të ezaurimit të dominimit kolonial europian.
Nëse qëndrimi i Obamës ndaj Iranit ka mundësuar arritjen e marrëveshjes bërthamore (që duket se do të vihet në pikëpyetje nga Trump), ajo nuk e ka prishur aspak aleancën strategjike me petromonarkitë e Gjirit dhe sidomos me Riadin, me të cilin Uashingtoni ka kryer një luftë agresioni kundër Jemenit. Të njëjtat tensione me Izraelin për çështjen palestineze nuk kanë prodhuar asgjë pozitive.
Nëse braktisja e TTIP-së dhe qëndrimi i Trump ndaj Europës nuk i shërbejnë unitetit transatlantik, as retorika e presidentit të sapozgjedhur ndaj NATO-s nuk duket se e ndihmon shumë këtë unitet. Që projekti për t’i çuar deri në dyert e Rusisë kufijtë e NATO-s përfaqëson këngën e mjelmave të Aleancës Atlantike? Sigurisht, neoizolacionizmi i ri i promovuar nga Trump duket se evokon atë të viteve njëzet e tridhjetë të shekullit të kaluar dhe shkon dorë më dorë me vokacionin internacionalist liberal që ka frymëzuar Shtetet e Bashkuara qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Problemi do të jetë të verifikohet sesa një “izolacionizëm” i tillë do të nënkuptojë një fund të ndërhyrjeve në punët e vendeve të tjera apo nëse izolacionizmi (Ekonomik? Apo edhe ushtarak?) i predikuar nga Trump nuk do të jetë një riedicion me modalitete të ndryshme i protagonizmit muskulor të Shteteve të Bashkuara që njohim prej nga nuk mbahet mend. Edhe pse historia na mëson se kampionët e ndërhyrjes amerikane kanë qenë demokratët (traditë e konsoliduar nga vetë presidenca Obama), nuk është e thënë që nën presidencën republikane të Trump të asistohet në përkuljen në vetvete të forcës amerikane. Do të shikohet nëse ai do të propozojë një izolacionizëm të vërtetë apo të operojë në rrugën e fundit të pararendësve të tij republikanë.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Sadiku dëshiron rikthimin te Lugano

Jo vetëm Paolo Tramezzani, pasi pjesë e Luganos mund të bëhet edhe Armando Sadiku. Sulmuesi 25-vjeçar, i cili ka një një raport të shkëlqyer me ish-ndihmësin e Gianni De Biasit te kombëtarja shqiptare mund t’i bashkohet pikërisht Tramezzanit në aventurën e tij të re në Superligën zvicerane. Pak ditë më parë, Tramezzani mori drejtimin e klubit të Luganos dhe tashmë ai dëshiron të marrë me vetë në skuadrën e re edhe Armando Sadikun, me të cilin ka punuar për vite me radhë te kombëtarja kuqezi.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti i klubit zviceran, Angelo Renzetti, i cili ka bërë të ditur edhe dëshirën e Sadikut për t’u rikthyer te skuadra ku u bë i njohur në futbollin helvet, duke shpërthyer përfundimisht pas asaj aventure pozitive te Locarno. Sulmuesi nga Elbasani është aktivizuar për një sezon e gjysmë te Lugano nga vera e vitit 2012 deri në dhjetor të 2013-ës, duke lënë shenjën e tij te kjo skuadër dhe duke fituar zemrat e tifozëve. Me Luganon, Sadiku zhvilloi në total 47 takime, duke shënuar plot 29 gola. Megjithatë edhe pse Paolo Tramezzani e dëshiron me çdo kusht, ndërsa edhe Sadiku e shikon me sy të mirë një rikthim të mundshëm të tijin te Lugano gjithçka mbetet në dorë të klubit të Zyrihut.
Do të jetë Ancillo Canepa presidenti aktual i skuadrës ku militon 25-vjeçari që do të vendosë për të ardhmen e Sadikut. Angelo Renzetti presidenti i Luganos në intervistën e tij theksoi se, te Lugano do ta prisnin krahapur, bomberin shqiptar, por në të njëjtën kohë, ai shtoi se pavarësisht dëshirës së lojtarit, gjithçka do të varet nga strategjia e Zyrihut”.
Duhet parë nëse ata do të kenë nevojë për Sadikun, pasi për momentin kryesojnë bindshëm Challenge League dhe e kanë të sigurtë ngjitjen në Superligë. Nëse duan ta vendosin në vitrinë lojtarin në mënyrë që atij t’i rritet vlera në merkato, ne jemi gati ta marrim në formë huazimi për 6 muajt e ardhshëm, deklaroi Angelo Renzetti. Aktualisht Lugano pozicionohet në vendin e 8-të të Superligës zvicerane në kuotën e 18 pikëve dhe kjo skuadër ka vërtetë nevojë për një golashënues të lindur si Sadiku, në mënyrë që të mos ta vendosë në diskutim qëndrimin mes të mirave të futbollit helvet.

Çmenduri e kinezëve

Nëse mendoni se kinezët e kanë ekzagjeruar me transferimin e Oskar dhe Tevez në Kinë, duke u vënë rroga të çmendura, pritni derisa të dëgjoni se çfarë janë të gatshëm të bëjnë ata për të siguruar Uejn Runin.
Dy ditë më parë, Oskar u transferua nga Çelsi te Shanghai Shinhua, ku do të përfitojë 417 mijë euro në javë. Por aziatikët tashmë kërkojnë Runin dhe janë gati t’i paguajnë dyfishin e kësaj shume.
Sipas “Mirror”, sulmuesi i Anglisë ka marrë dy oferta të njëpasnjëshme nga klubet kineze të Guangzhou Evergrande dhe Beijing Guoan. Nëse i thotë “po” cilitdo prej tyre, do të fitojë 800 mijë euro në javë, ose më shumë se 42 milionë euro në vit.
Transferimi i tij nga Mançester Junajtid do të ishte relativisht i thjeshtë, mjafton që të jetë dakord, pasi ai ka klauzolë largimi në kontratën që i përfundon në vitin 2019. Ajo kushton vetëm 12 milionë euro, shifër që mund ta paguajë vetë Runi pa problem pa mbaruar gjysmën e vitit të parë në kampionatin aziatik.
Klubet janë në pritje të përgjigjes së futbollistit, i cili sigurisht që do të bëhej më i paguari në botë nëse do të transferohej, duke përfituar thuajse dyfishin e rrogës jo vetëm të Oskar, por edhe të emrave si Ronaldo, Mesi, Beil apo Neimar. Aspak keq për një 31-vjeçar, i cili ka filluar të kalojë gjithnjë e më shumë minuta në pankinën e skuadrës së tij…
Braziliani Oscar braktis futbollin europian, duke u bashkuar me Shanghai SIGP në Kinë. Talenti i Chelsea-t nuk mundi të refuzonte ofertën faraonike të klubit kinez, duke u larguar nga “Blutë e Londrës” në një moment kulminant për skuadrën e Antonio Contes. Braziliani ka fituar një kampionat dhe një Kupë Lige me skuadrën londineze, por me emërimin e Contes, ai po gjente më pak hapësira, duke vendosur të bashkohet me Andre Villas Boas në Kinën e largët.
Ndërkohë, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, ka komentuar kalimin e brazilianit të Çelsit, Oskar, te Shangai në kampionatin kinez. Sipas gjermanit, familja e 25-vjeçarit është shumë e lumtur pasi nuk do të shqetësohet më për çështje parash.
“Nuk ia kam idenë pse njerëzit marrin vendime të tilla. Për mua, kalimi në Kinë nuk është kurrfarë mundësie. Megjithatë, vendimet merren në mënyrë personale. Nuk e di nëse është rrezik apo një mundësi tjetër. Jam i sigurt që familja e Oskarit është shumë e lumtur për vendimin e tij. Paraja nuk do të jetë më problem”, u shpreh Klop. Nga kontrata me Shangain, Oskar do të përfitojë rreth 450 mijë euro në javë, ndërsa në arkat e Çelsit shkuan plot 60 milionë euro.

Berluskoni rekord, 29 trofe në 30 vjet

Suksesi në Doha rihap edhe një herë dhomën ku Milani mban të mbyllur trofetë, për të lënë në vitrinë edhe Superkupën e Italisë. Krishtlindjet në Milano do të jenë më të bukura, mbi të gjitha në shtëpinë e Silvio Berluskonit, i cili dje arriti të triumfonte për herë të 29-të në epokën e tij si president. Në një periudhë 30-vjeçare, ai thuajse ka fituar një trofe për çdo vit qëndrimi në krye të Milanit.
Në këtë mënyrë, ai ka barazuar “Santiago Bernabeun”, duke fituar po aq sa ish-drejtuesi i Realit. Berluskoni ka fituar 8 kampionate, 1 Kupë Italie, 7 Superkupa, 5 Champions, 5 Superkupa Europe dhe 3 Botërore klubesh.
Në vitin e tratativave dhe bisedave me kinezët për shitjen e skuadrës, vjen një trofe si qershia mbi tortë për ta falënderuar presidentin në mënyrën e duhur. Por, nga ai mund të priten çudira. Gjatë kësaj kohe ka lënë gjithçka të hapur për qëndrimin në skuadër dhe ky trofe i fituar mund t’i rikthejë dëshirën për të qëndruar akoma në krye të skuadrës.
Në fushën e Dohas zbritën shumë lojtarë të rinj dhe, për më tepër, italianë, ashtu siç do Berluskoni. Kjo është gjenerata e re e kuqezinjve me Donarumën, Romanjolin, De Shiljon, Lokatelin, Bonaventurën, Suson. Ky është grupi i Montelës, i cili pati një ecuri fantastike gjatë këtij sezoni. E ardhmja e Milanit është e ndritur.