35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Të liruar me kusht

Bledi KASMI

Shënjimi i Roshit nga Prokuroria duke i kërkuar heqjen e mandatit si kryebashkiak përkthehet se dekriminalizimi nuk është më me grip. Por as është rikuperuar tërësisht. Dekriminalizimi është liruar me kusht. Sa të liruar me kusht ka dhe do ketë në ditët e ardhshme?
Parlamenti miratoi të enjten Ligjin “Për aministinë”. Mijëra të burgosur do të shijojnë festat e fundit të vitit në shtëpitë e tyre. Kategoritë kryesore, që përfituan ishin ata, që kishin rregulluar pa leje tjegullat e çatisë, kishin suvatuar avllinë dhe të tjerë të kësaj kategorie.
U liruan po ashtu ata që nuk kishin paguar faturën e energjisë elektrike. Me mijëra hallexhinj të burgosur që në javët e para të ardhjes së Ramës në qeveri po lirohen gjashtë muaj para ditës së zgjedhjeve. Në fakt nuk janë të liruar përfundimisht. Ata janë liruar me kusht dhe kushti i vetëm është që të votojnë në zgjedhjet e qershorit atë që i futi në burg.
Pas qershorit mbaron edhe kontrata e lirimit të tyre. Mos t’u rrejë mendja se do të vazhdojnë të jenë të lirë. Pas 18 qershorit fillon sërish avazi, nëse votat e tyre do të shkojnë për një mandat të ri të gardianit të burgut të tyre. Do të futen sërish në burg me një kontratë tjetër trevjeçare deri në ardhjen e zgjedhjeve të reja.
Të gjithë po lirohen me kusht. Me kusht është liruar edhe Lulzim Berisha. Rama i tha Dakos se në rast se nuk i siguron 6 deputetë në Qarkun e Durrësit atëhere më mirë të mbytet në det. Gjushi i kërkoi Ramës si ndihmë për “punët” e Bashkisë Lul Berishën. Rama ia plotësoi dëshirën. E liroi Lul Berishën dhe bashkë me të i shtoi Gjushit edhe një deputet tjetër, duke i thënë se tani dua shtatë. Halli i madh për të dy. Në rast se nuk grabisin 7 deputetë atëhere, Gjushi do të mbytet në det, ndërsa Lul Berisha do të përfundojë sërish në qeli. Ky është pazari i lirimit me kusht të Lul Berishës.
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë kishte thithur shumë. Foli për Balilin dhe Eskobarin, shau ambasadorin amerikan si shumë herë të tjera dhe iu vërsul edhe Shteteve të Bashkuara. Tha se Shtetet e Bashkuara për vite me radhë i kishte tërhequr për hundësh Eskobari i vërtetë.
Me gjithë atë kokainë që kishte pirë i dukej vetja si President i Amerikës që po i fliste Kolumbisë, ndërsa konet e rreshtit të parë në Asamble ngazëllenin; “fol Edvin të lumtë goja, fol e mbro të drejtat tona”. Por, hallin e kishte tek Balili. “Herët apo vonë do ta arrestojmë”, tha ai. Në fakt e hershmja dhe e vona e arrestimit lidhet prap me 18 qershorin. Edhe Balos i është dhënë liri me kusht deri në zgjedhje. Ose duhet të bëjë disa deputetë në Qarkun e Vlorës ose në të kundërt mund ta ndjejë rrezikun e prangave.
Dhe Balo do të dijë si ta ruajë lirinë e tij!
Edhe me Roshin funksionon e njëjta liri me kusht për të qëndruar në krye të Bashkisë së Kavajës. Nëse nuk grabit mandatet atëhere mund të funksionojë ligji i dekriminalizimit tek ai. Krimi dhe dekriminalizimi kanë si të vetmin kusht të lirisë së tyre dhunimin e zgjedhjeve. Deri me 18 qershor balot dhe larot janë në liri të kushtëzuar.

Një moment si ai i “Dukës Ferdinand”…

Ngjarja mund të ishte si një fotografi e nxjerrë nga një prej filmave të regjisorit, Quentin Tarantino: pamja e një burri të ri fotogjenik, i armatosur dhe i rrezikshëm, dhe i veshur me shije, me një kostum të zi dhe këmishë të bardhë. Pamja u përhap me të madhe brenda minutash, derisa ai ishte i rrethuar nga një audiencë me kamera televizive dhe telefona të mençur.
Ai ka bërtitur me zemërim, derisa trupi i viktimës së tij ka qëndruar në tokë. Dora e tij e djathtë ishte e tensionuar nga shtrëngimi i armës. E majta e tij ishte e ngritur lartë në shenjë të “Tawidit” (shenjë e njëshmërisë së Zotit), simboli islamik për deklarimin e Zotit si një të vetëm, i përdorur nga xhihadistët në tërë botën.
Në fakt, ai e ka kuptuar këtë veprim gabimisht. Për këtë shenjë ai do të duhej ta ngriste dorën e tij të djathtë, por ajo sapo ishte përdorur për vrasje dhe ishte e zënë me armën. Ky ishte terrorizëm i llojit modern, me gjasë, jo i kryer nga një luftëtar i shenjtë i indoktrinuar mirë, por nga një burrë i ri, i pashpresë dhe i frustruar.
Mevlut Mert Altintas, polici 22 vjeçar nga Ankaraja, sapo e ka vrarë Andrei Karlovin, ambasadorin e Rusisë në Turqi. Motivet e vrasjes së 19 dhjetorit dukeshin të qarta derisa ai bërtiste slogane fetare dhe politike, duke filluar me një “hadith” arab (fjali të vjetra që thuhet se janë mësime dhe vepra të profetit Muhamed) nga Sahih al Bukhari, që i referohet “Betejës së Hendekut” gjatë të cilës thuhet se Muhamedi dhe një grup i përkrahësve të tij kanë arritur të mundin në mënyrë taktike një ushtri shumë më të madhe.
Vrasësi më pas e shfaqi zemërimin e tij në turqisht.
“Mos e harroni Alepon; mos e harroni Sirinë. Mos e harroni Alepon; mos e harroni Sirinë”, ka thënë ai. “Derisa krahinat tona të mos jenë të sigurta, ju nuk do e shijoni sigurinë”, ka vazhduar ai, duke i thënë turmës në sallë që të mos i afrohen para se ai të përfundonte fjalimin e tij të ashpër: “Vetëm vdekja më largon nga ky vend; dhe kushdo që ka luajtur rol në këtë brutalitet, do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre”.
Fushata masive e bombardimit nga Rusia në qytetin sirian, Alepo, duke iu mundësuar forcave të regjimit të presidentit, Bashar al Assad, të rimarrin qytetin nga rebelët, ka qenë qartë arsyeja kryesore e vrasjes. Rusia ka vrarë mijëra sirianë në Alepo, Altin tash e ka vrarë një zyrtar rus në shenjë hakmarrjeje, duke e qëlluar atë në shpinë, në tërësi nëntë herë.
Ky ka qenë një vit me ngatërresa, ngjarje të papritshme politike dhe pasiguri gjeopolitike, përfshirë BREXIT-in, zgjedhjet presidenciale amerikane, vazhdimin e krizës globale me refugjatë, masakrën në Siri dhe Jemen dhe më shumë agresion rus në Ukrainë. Frika se bota është në një situatë të ngjajshme me atë të para vitit 1914, ngadalë duke shkuar në drejtim të luftës, është mjaft e përhapur. Atëkohë, më pas, një vrasje u bë shkëndija e ndezjes së Luftës së Parë Botërore. Tani, shumë njerëz pyesin nëse vrasja e ambasadorit rus është një lloj momenti i ngjajshëm me vrasjen e Dukës Ferdinand.
Përgjigja është një “JO” e qartë, së paku jo në mënyrën se si po e marrin disa. Larg nga të qenit arsye e nxitjes së tensioneve në mes të Turqisë dhe Rusisë, vrasja e Karlovit mund në fakt t’i afrojë ato edhe më shumë dhe të ketë pasoja në luftën në vazhdim kundër grupit Shteti Islamik. Për Turqinë, vrasja mund të shihet si dhuratë për presidentin çdo herë e më autokratë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili në muajin korrik e ka shtypur një puç të dyshuar kundër pushtetit të tij në Ankara, që sipas qeverisë është orkestruar nga kleriku fetar turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen.
Gylen akuzohet se e udhëheq atë që zyrtarët turq e quajnë Organizata Terroriste Gyleniste (FETO), ndërsa pas përpjekjes për grusht shtet, mijëra zyrtarë nga ushtria, organet e drejtësisë, e bile edhe sistemit arsimor, janë arrestuar apo përjashtuar nga detyra, të akuzuar nga qeveria se janë “gylenistë”.
Tani, pas vrasjes së Karlovit, vepër kjo e dënuar nga Gyleni, Ankaraja nuk ka pritur shumë që të fajësojë përkrahësit e klerikut turk, duke e informuar SHBA-në më 20 dhjetor se beson që ata janë përgjegjës. Erdogani tani ka arsye edhe më shumë që të bëjë spastrimin e “Gylenistëve” nga të gjitha degët e qeverisë dhe aparatit shtetëror. Një diplomat i huaj është vrarë: diçka që ofron një faqe të re për të shënuar mbi të emrat e të gjithë atyre që e kundërshtojnë Erdoganin. Tani ai do të bëhet edhe më i fuqishëm.
Mirëpo, aleanca e tij me Shtetet e Bashkuara mund të bëhet edhe më e dobët, një proces që ka kohë që ka nisur, por që është përkeqësuar nga puçi dështuar.
Turqia është aleate e NATO-s, por SHBA-ja po vepron ngadalë ndaj kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e menjëhershëm të Gylenit që të përballet me drejtësinë në Turqi për rolin e tij të dyshuar në grusht shtetin e dështuar, akuzë që kleriku e hedh poshtë.
Sa i përket Moskës, situata mund të jetë me më shumë avantazh. Vrasja e diplomatit rus në tokën turke është tejmase e sikletshme për Erdoganin, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin tani ka avantazh të theksuar politik ndaj tij. Presidenti turk është me borxh ndaj tij. Të dy kanë përmirësuar marrëdhëniet prej grusht shtetit të korrikut. Në vend që ai proces të ndalojë, ndoshta përmirësimi i marrëdhënieve do e shfrytëzojë momentumin e krijuar pas vrasjes.
Interesant është që raportimet e mediave ruse për vrasjen shpërfaqin një motiv të qartë. Ato i përmbahen akuzës ndaj “Gylensitëve”, por me kujdes e përmendin se ky është qëndrimi turk e jo duke e marrë të mirëqenë akuzën.
Moska po i mban opsionet e hapura. Shumë shpejtë pas vrasjes, Putini doli në televizionin shtetëror rus për të thënë se vrasja “pa dyshim…ka pasur cak dëmtimin e normalizimit” të lidhjeve bilaterale në mes të dy vendeve. Ai gjithashtu ka thënë se vrasja ka pasur cak edhe pengimin e “procesit të paqes në Siri”▶
Dhe, me ftohtësi, ai ka deklaruar se për këtë “do ketë vetëm vetëm një reagim të mundshëm – forcimi i luftës kundër terrorit, diçka që banditët do e ndjejnë”.
Reagimi i tij ishte i qartë. Derisa vrasja e Karlovit do e mundësojë fuqizimin e rolit të brendshëm të Erdoganit në Turqi, duke shtypur të gjitha kundërshtimet ndaj tij, kjo do e lejojë edhe Putinin që të çojë para qëllimet e tij primare të politikës së jashtme në Lindje të Mesme, duke e fituar luftën në Siri. Rusia tani do ketë mundësi të vazhdojë luftën me më shumë besim se Turqia nuk do të provojë ta ndalojë. Ka dyshime se tanimë ka edhe një marrëveshje të arritur në mes të Erdoganit dhe Putinit në muajin gusht, diçka që do të lejonte Turqinë dhe Rusinë të çojnë para agjendat e tyre në Siri. Marrëveshja mesiguri se tani do të mbetët valide.
Argumenti rus tani do të jetë i qartë, i thjeshtë dhe vdekjeprurës. Një përkrahës i terrorizmit e ka qëlluar një diplomat rus, si hakmarrje ndaj masakrës në Alepo. Kërcënimi nga terrorizmi i Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera xhihadiste kundër të cilave Rusia pretendon se po lufton në Siri nuk është zbutur. E vetmja përgjigje duhet të jetë shtimi i sulmeve ndaj IS-it dhe degëve të saj. Alepo ka rënë. Rusët nuk do të ndalojnë. Idlibi mund të jetë caku i radhës. Për këtë, Rusia e Putinit do të vazhdojë të thellojë “fuqinë perandorake” në botë derisa në të njejtën kohë e siguron që lideri kukull i tij, Assadi, mban kontroll mbi shtetin, duke e mbajtur praninë e marinës ruse në Tartus. Për Putinin, nuk është me rëndësi se sa është i vërtetë versioni rus, ndonëse dihet se një pjesë e madhe e këtij version nuk është i vërtetë.
Ajo që ka rëndësi është se fushata ushtarake e Moskës mbetët e pa sfiduar, ndërsa versioni i saj është vetëm një nga mënyrat që qeveria ruse të sigurohet që të mos krijohet një kundërshtim i fuqishëm ndaj metodave të Putinit, të paktën të mos krijohet kundërshtimi në nivel shtetëror.
A ka mundësi që vrasja e Andrei Karlovit të çojë botën një hap më afër drejt një lufte të hapur?
Jo, ajo ishte një tragjedi që Moska dhe Ankaraja mund ta keqpërdorin për të çuar para qëllimet e tyre ushtarake dhe politike. Ky nuk është hap drejt një lufte të gjërë, përpos për sirianët, shumë më tepër prej të cilëve tani do të vriten në emër të “luftës anti-IS”.Kjo është real-politikë në mënyrën më të pështirë dhe më cinike. Është real-politikë në stilin që e ka karakterizuar Lindjen e Mesme pas “Pranverës Arabe”, por tash me një ndërthurje ruse.

“Radio Free Europe”

Frikë nga shkarkimet e Trump

Të enjten zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit mbrojtën vendimin e tyre për t’i dhënë ekipit të trazicionit të presidentit të zgjedhur Donald Trump, informacionet e kërkuara lidhur me “programet dhe aktivitetet ekzistuese që nxisin barazinë gjinore.”
“Është e kuptueshme qe ne do të shqetësoheshim në se, për shembull, do të na kërkohej një listë specifike me emra punonjësish”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby. “Kjo nuk do të ishte diçka për të cilën ne do të angazhoheshim.”
Të mërkurën në ndërtesën federale “Truman”, ku ndodhet Departamenti i Shtetit, u shpërnda një “dokument për tranzicion të shpejtë”, i cili kërkonte përgjigje deri në orën 5 pasdite, për materiale mbi politikat dhe financimet, për çeshtje që lidhen me “përpjekjet kundër dhunës gjinore, dhe për programet për të nxitur pjesëmarrjen e grave në sferat ekonomike politike, sipërmarrje, etj.”
Ligjvënësi i Nju Jorkut Eliot Engel, anëtari i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënie me Jashtë, përmes një deklarate që u sigurua nga zyra e lajmeve e Zërit të Amerikës, thotë se ai dhe kolegët e tij demokratë e kanë bërë të qartë, se “vënia në shënjestër e punonjësve të Departamentit të Shtetit nga ekipi i tranzicionit të zotit Trump është e papranueshme, prandaj jam i shqetësuar nga njoftimet se janë duke u veçuar disa zyra të këtij institucioni”, thuhet në deklaratën e zotit Engel.
Një zyrtar i Kongresit në pozicion ndihmësi, i cili komentoi për Zërin e Amerikës në kushtet e anonimitetit, tha se kjo lloj kërkese “mund të krijojë alarm” në Kongres.
“Nuk ka asgjë të keqe të tregosh se cilat vende do të plotësohen nga të emëruarit e Presidentit, apo për zyrtarët e shërbimit me jashtë, si diplomatët e karrierës, – u tha gazerëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Kirby. “Kjo është diçka normale. Është njëlloj sikurse në anije vjen një kapiten i ri, i cili duhet informuar për ekipin e anijes dhe punët që duhen kryer.”
Por ligjvenësi Engel thotë në deklaratën e tij se “zyrtarët e ekipit të tranzicionit duhet të shpjegojnë përse ata po e grumbullojnë këtë lloj infromacioni”.
Zëdhënësi Kirby tha se kërkesa e ekipit të zotit Trump mund të lidhet me një përpjekje për të konstatuar se çfarë programesh në Departementin e Shtetit fokusohen tek mbështetja për planifikimin familjar (përfshirë abortin), apo të drejtat e homoseksualëve, çështje të cilat kundërshtohen me forcë nga disa politikanë dhe grupe tepër konservatore në Shtetet e Bashkuara.
Diplomatë të karrierës dhe punonjës të shërbimit publik të Departamentit të Shtetit, i shprehën Zërit të Amerikës shqetësim të madh pas kërkesës nga ekipi i tranzicionit. Ata thanë se edhe në se Hillary Clinton do t’i kishte fituar zgjedhjet, do të kishte patur shqtësime lidhur me ndryshime të personelit të nivelit të lartë, por tani ekziston frika për ndryshime të papritura nën administratën e zotit Trump.
Hillary Clinton, që i humbi zgjedhjet e nëntorit, gjatë kohës që shërbente si sekretare shteti, krijoi një pozicion të ri, atë të një ambasadori për çështjet globale të grave dhe i kushtoi rëndësi përpjekjeve në këtë fushë; kjo politikë ka vazhduar edhe nga pasardhësi i zonjës Clinton, Sekretari John Kerry.
“Barazia gjinore mbetet e një çështje me rëndësi të madhe,” i tha gazetarëve zëdhënësi Kirby.
Departamenti i Shtetit i ka informuar disa anëtarë të Kongresit që kanë shprehur shqetësim se nuk do t’i pranonte kërkesat e administratës së re, që mund të çonte në veprime hakmarrëse ndaj punonjësve të sektorit publik.
Kjo siguri është shprehur në një përgjigjeje jo-zyrtare ndaj një letre që të gjithë ligjvënësit demokratë të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Kongres i kishin dërguar Departamentit të Shtetit, sipas disa burimeve të kontaktuara nga Zëri i Amerikës.
Diplomatët amerikanë premtuan një përgjigje zyrtare ndaj letrës së ligjvenësve demokratë dërguar sekretarit Kerry. Kjo ndodh pas një kërkese që ekipi i tranzicionit të zotit Trump i kishte dërguar Departamentit të Energjisë, ku kërkoheshin emrat e zyrtarëve që punonin në programet që lidhen me ndryshimet klimatike.
“Ne besojmë se Departamenti juaj duhet të punojë për të siguruar një kalim të pushtetit pa probleme. Megjithatë, punonjës civilë, ata të shërbimit me jashtë, sikurse edhe të tjerë, nuk duhen vënë në shënjestër për punën e tyre në mbështetje të poliktikave që bien ndesh me ato të administratës së ardhshme” thuhet në letrën dërguar zotit Kerry. “Sipas pikëpamjes sonë, grumbullimi i emrave në këtë mënyrë, i ngjan kapitujve të errët të historisë sonë, me lista të armiqve dhe përndjekje politike.”
Në letrën e ligjvenësve demokratë thuhet se Sekretari Kerry dhe Departamenti i Shtetit kanë “mbështetjen e plotë në përpjekjet për të mbrojtur punonjësit publikë të deparatmentit”.
Departamenti i Energjisë thotë se refuzoi që t’i jepte ekpit të tranzicionit të zotit Trump listën e punonjësve, apo kontraktorëve, të cilët kanë marrë pjesë në takime për çështje të ngrohjes globale.
Punonjësit civilë “duhet të mos jenë pre e akteve hakmarrëse, thjesht ngaqë kanë ndjekur drejtimet e ligjshme politike të shefave të tyre. Një njeri profesionist, punonjës civil, jo politik, i cili zbaton ligjin, është mbrojtës i demokracisë perëndimore.” tha J. David Cox Sr, president i Federatës së Punonjësve të Qeverisë Amerikane. “Të gjithë, pavarësisht nga përkatësia partiake, duhet t’i zemërojë çdo përpjekje për të politizuar një agjenci qeveritare. Ne nuk mund të lejojmë kthimin tek politikat e përndjekjeve të viteve 1950.”
Zëri i Amerikës i kërkoi komente për këtë çështje ekipit të tranzicionit të zotit Trump, po nuk ka marrë përgjigje.

Rama i droguar në Asamble: ‘Zuzarë ata që më kritikojnë’

Armand MAHO

Një çehre e pazakontë kish kapluar dje atë që duhet të bëjë kryeministrin e vendit, teksa fliste në Asamblenë e partisë së tij. I rrethuar nga ushtarët besnikë, ministra e drejtorë, të cilët e shikonin të përgjumur në fjalimin e tij zvarritës kur hidhej nga njëra degë në tjetrën. Në gjendje të rëndë nga droga e konsumuar fjala e tij ngjasonte me njeriun që dorëzohet dhe si jo zakonisht vetëm një herë të vetme përmendi fjalën “mandat i dytë”. Gjendja e rënduar psikologjike u pa dhe në një takim me pensionistët kur i binte bërrylave, si dikur diktatori komunist, i cili kishte humbur mendjen para se të vdiste. Në më shumë se një orë fjalim, fjala e tij do të ishte jo bindëse, e lodhshme dhe ndonjëherë e pamarrë vesh. Për Edi Ramën të gjithë dje dolën fajtorë, opozita, ndërkombëtarët, media, madje dhe populli. Tamam si puna e atij fqinjit gërnjar, ku të gjithë të tjerët madje e gjithë lagjia e ka gabim, vetëm ai e ka mirë. E natyrisht, koka e karvanit rilindas nuk kish si e justifikonte tjetër dështimin në të gjithë sektorët, ekonomi, infrastrukturë e rend. U mundua të shiste haluçinacionet e tij për uljen e varfërisë si të vërteta, u mundua të shiste statistika të padëgjuara e palexuara kund për uljen e varfërisë… Çehrja e zbehtë, shpërqendrimi, irritimi i pavend të jepnin përshtypjen se delirantizmi i kish lënë vend dëshpërimit në këtë prag festash. Kryeministri foli si një kryeministër në ikje, si i atij që i shket toka nën këmbë. Në një shtet normal, me një kryeministër normal kjo do të ishte krejt normale. Madje në rast se do të ishin këto shifra të frikshme varfërie, papunësie, krimi apo dhe emigracioni çdo kryeministër i përgjegjshëm do i dorëzonte vetë çelësat e zyrës. Por kjo vlen për kryeministrat e përgjegjshëm…..

Kompleksi i përjetshëm

Kompleksi i tij i përjetshëm nuk do i ndahej. Megjithëse ishin mbledhur për Kokëdhimën dhe po i mbaron mandati, sërish problemi i tij është një dhe vetëm një, ish-Kryeministri Sali Berisha. Ndoshta pafuqia për të konkurruar në vullnet dhe ide me liderin historik të së djathtës e sjell vazhdimisht në metastaza dëshpërimi. Natyrisht, veç Berishës për të problem është dhe Parlamenti, media, Facebooku, Tëitteri, kudo ku mund të flitet keq për politikat e liderit global… “Në Shqipëri ka shumë varfëri, ka shumë papunësi, ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe ne nuk bëjmë njeri mish për top, për mejhanen e Parlamentit çdo të enjte, ku mblidhen gjithë zuzarët dhe tellallët e të shkuarës dhe kërkojnë t’i thonë popullit shqiptar se mjafton që të shpëtojmë nga kjo qeveri dhe këtu do të zgjidhen problemet. Mjerë ata që ndjekin Parlamentin dhe mjerë ata që mbajnë fëmijët afër kur ka Parlament, është pornografia më ekstreme për ata nën 18 vjeç. Duhet transmetuar me pullë të kuqe dhe me atë shenjën plus 18. Një turp i pashoq”, tha kryeministri. Dhe në fakt, Parlamentin e ka shndërruar në të tillë vetë kryeministri. Kush kujton fjalorin e tij në ditët e para të qeverisë do e bëjë lehtë krahasimin, por dhe memoria na rikthehen dhe një herë kohën kur vishte çitjane dhe akuzonte analistët me gjithfarë fjalori. Por kryeministri shkon dhe më tej dhe ndoshta në një moment sinqeriteti pranoi se futja e kriminalëve në Parlament është shumë herë më e mirë se akuzat që formulohen aty ndaj qeverisë së tij?! “Kthimi i gënjeshtrës në argument, kthimi i akuzës dhe i shpikjes në program, kthimi i baltës në vizion ky është kriminalizimi ekstrem. Të keqen e dekriminalizimit në krahasim me këtë maskaradë që zhvillohet çdo ditë”…

Disa nga “thagmat” e Ramës në Asamble

“Statistikat ndërkombëtare thonë se në Shqipëri është rritur punësimi, në Shqipëri ka rënë varfëria, por është relative, është rritur punësimi nuk do të thotë se ne kemi zgjidhur plagën e papunësisë, ka rënë varfëria nuk do të thotë që kemi zhdukur varfërinë”.
“Për shqiptarët në të drejtën e tyre që kërkojnë një jetë më të mirë, jashtë atdheut siç kanë bërë qysh nga viti 1990, siç kanë bërë në të gjithë historinë e tyre kur kanë qenë të lirë duhet kryqëzuar qeveria e Partisë Socialiste”.
“Kemi bërë dhe ne gabimet tona, të cilat i analizojmë dhe vazhdojmë t’i analizojmë, por një gjë është e sigurtë se që nga dita e parë që qeverisim nuk kemi bërë asnjë tradhti dhe nuk kemi bërë asnjë mëkat të qëllimshëm për të nxjerrë përfitime duke dëmtuar vendin, duke dëmtuar komunitete, duke dëmtuar njerëz”.
“Dhe mos fshihemi pas të vërtetës, mos shohim gishtin kur gishti tregon hënën, kjo e keqe ka një emër dhe emrin e ka Sali Berisha bashkë me çetën e tij”.
“Teoria se shkatërruam Lazaratin dhe përhapëm kanabisin në gjithë Shqipërinë është një maskaradë, njerëzish të pafytyrë dhe përzier të gjithë bashkë në një kazan të madh politike dhe mediash”.
“Të keqen e dekriminalizimit në krahasim me këtë maskaradë që zhvillohet çdo të enjte, ku mblidhen gjithë zuzarët dhe tellallët e të shkuarës dhe kërkojnë t’i thonë popullit shqiptar se mjafton që të shpëtojmë nga kjo qeveri dhe këtu do të zgjidhen problemet”.
“Kanabisi është një plagë që buron nga varfëria, është pasojë që mbiu nga mungesa e reformave. Njerëz që çuditërisht e kultivojnë kanabisin aty ku dikur kishte blegtori”.

Rikthehen xhaketat e vjetra në PS

Disa prej socialistëve të vjetër, të larguar pas ardhjes së Ramës në krye të PS janë rikthyer në strukturat e partisë. Në Asamblenë e PS që u zhvillua dje janë pranuar si anëtarë Et’hem Ruka, Ilir Zela, Bukurosh Stafa dhe Luan Hajdaraga.
Ndërsa përsa u përket drejtuesve, mësohet se Taulant Balla dhe Luljeta Dollani janë zgjedhur në postet e n/kryetarëve të Asamblesë së re. Ndërsa Ulsi Manja u zgjodh Sekretar i Asamblesë. Ervin Bushati është zgjedhur kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Financave të Partisë Socialiste.
Të rikthyerit
Luan Hajdaraga ka qenë ish-ministër i Mbrotjes, Et’hem Ruka ish-ministër i Arsimit.
Bukurosh Stafa ka qenë drejtor i Kombinatit Metalurgjik Elbasan, Shoqërisë Albkrom Sh.A., dhe deputet.
Ilir Zela, ish-deputet i PS dhe drejtues në disa institucione, si AKEP. Ndër më të vjetrit në PS.

Rama do “Kampionatin”

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se koalicioni me LSI do të vazhdojë edhe pas problemeve të mundshme të shfaqura kohët e fundit. Edhe pse mund të jetë një koalicion jo i dëshiruar, Rama tha se ky është një koalicion strategjik dhe i ka mundësuar vendit shumë reforma. Duke bërë bilancin e qeverisë, Kryeministri tha se sukseset e reformave kanë sjellë edhe paketën e solidaritetit për shqiptarët.
“Koalicioni me LSI është një koalicion strategjik dhe jo një koalicion me dëshirë”. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama përballë anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste.
“Qëllimi ynë strategjik, jo dëshira. Kjo nuk është çështje dëshirash. Qëllimi ynë strategjik është të jemi bashkë në koalicion me LSI. Më lejoni t’ua them juve dhe të gjithëve atyre që na dëgjojnë. Shumëkush është i tunduar dhe thotë të ikim vetëm, shumëkush thotë ata të LSI bëjnë kështu, ata bëjnë ashtu, ata na morën në qafë, ata na nxorën bojën, ata na nxorën kallajin, ata na nxorën suvanë. Dëgjoni miqtë e mi, kjo është strategjike, kjo nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara të njerëzve të tyre apo të njerëzve tanë. Në bilancin e qeverisjes deri tani, Rama tha se sukseset e reformave kanë bërë që qeveria të mbyllë këtë vit me paketën më të madhe të solidaritetit për shtetasit e saj”, tha Rama.

Mimi Kodheli në Vlorë: Unë jam Edi Rama me flokë

Kokëdhima ka sjellë një detaj interesant nga zëvendësimi që Rama i ka bërë atij si i deleguar në Qarkun e Vlorës. Fjalia e parë që ka thënë para vlonjatëve ka qenë “Unë jam Edi Rama me flokë”.
“Shoqja Mimi Kodheli që u caktua në vendin tim në Vlorë, në vizitën e parë që bëri në Këshillin Koordinativ të Qarkut dhe në asamblenë e partisë, deklaroi: “Unë jam Edi Rama me flokë” dhe “tani e mbrapa këtu drejtoj vetëm unë”! Pasi drejtuesit e partisë e kuptuan se sa i cekët e vetëdiskreditues ishte argumenti i mungesave të mia në mbledhje, dje dhe pardje bënë këtë mocion duke u marrë firmat 150 anëtarëve të asamblesë.
Nuk jam duke ju treguar një histori personale, jam duke ju shpjeguar një situatë politike shumë të mprehtë për ju dhe për gjithë veprimtarët anë e kënd Shqipërisë, që kanë ambicie që të bëjnë karrierë politike në Partinë Socialiste. Të gjithë e dinë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim i urdhëruar politikisht. Unë nuk kam kryer asnjë veprim të gabuar dhe asnjë shkelje ligjore. Megjithatë, u gjenda pothuajse krejtësisht i vetëm përballë sulmeve të Saliut dhe të opozitës. Gjatë gjithë vitit të fundit të mandatit isha vazhdimisht mes dy zjarresh, nga brenda Partisë Socialiste dhe nga opozita.
Gjyqi në Kushtetuese nuk ishte një betejë ligjore, nuk ishte as betejë politike mes meje dhe Saliut. Gjyqi im në Kushtetuese ishte vazhdim i luftës së brendshme politike në Partinë Socialiste, me duar e me mjete të tjera nga jashtë partisë.
Drejtuesit më të lartë të partisë sonë komplotuan kundër mandatit tim me qëllim që të eliminonin rolin, ndikimin dhe funksionet e mia si deputet dhe si drejtues partie. Qeveria jonë ishte në dijeni përpara se të shqyrtohej çështja në Kushtetuese, për vendimin që do të merrej nga kjo Gjykatë”, tha Kokëdhima.

Kush janë dy xhelatët që dekoroi Tahiri?

Një ish-i burgosur politik ka denoncuar publikisht dekorimin e dy xhelatëve të diktaturës nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke publikuar edhe foton ku Tahiri i jep dekoratën xhalatit Kasem Kaso, që shtypi shtazërisht revoltën e Spaçit.
“I përndjekuri politik dixhital denoncon: Dekorimin e xhelatëve të diktaturës; -Kasem Kaso, xhelati që shtypi shtazërisht revoltën e Spaçit -Agron Tafa, xhelati që shtypi mizorisht revoltën e Qafë Barit”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje doktor, ministri Tahiri dy ditë më parë ka pritur në zyrën e tij “veteranët” e Policisë së Shtetit. Ky në foto është ish-drejtori (89 vjeç), ai mbahet mend për shtypjen e revoltës së Spaçit në vitin 1973. Një tjetër efektiv e veteran që u vlerësua ishte Agron Tafa, ai mbahet mend për shtypjen e revoltës së Qafë-Barit në vitin 1984”, shkruan ish-i burgosuri politik.
Kasem Kaso njihet si një nga xhelatët që shtypi revoltën e Spaçit.
Ish-i burgosuri politik, shkrimtari Agim Musta tregon se, fillimi i revoltës së Spaçit nisi pikërisht me shpërthimin e birucave nga i burgosuri Hulusi Pashollari. Ai liroi 12 të burgosur, që vuanin dënimin pa asnjë shkak serioz, më 21 maj 1973. Atje filloi dhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u smbrapsën pas turmës së revoltuar të të dënuarve dhe dolën jashtë kampit. Revolta shpërtheu si vullkan. Ajo ishte kulmi i protestës për marrjen nëpër këmbë të dinjitetit njerëzor. Puna e detyruar skllavëruese dhe dhuna e përditshme që ushtrohej mbi të dënuarit, e kishin çuar në kockë thikën e diktaturës së proletariatit.
Në qendër të kampit u valëvit flamuri kuq e zi me përkrenaren e Skënderbeut, pa yllin komunist, e para herë në Shqipëri pas instalimit të diktaturës. Byroja Politike u zu në befasi nga kjo revoltë e padëgjuar dhe e pamenduar se mund të trondiste themelet e terrorit komunist.
Byroja Politike dha urdhër që revolta të shtypej sa më parë dhe me çdo mjet. Më 23 maj të vitit 1973 qindra forca speciale dhe efektivë të policisë nën drejtimin e xhelatit Kasem Kaso u vërsulën si kafshë të tërbuara brenda kampit, duke rrahur e goditur çnjerëzisht të burgosurit e rraskapitur nga beteja për liri. Rezistenca u shtyp egërsisht me bilanc tronditës, u dënuan me vdekje katër të burgosur: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Ata u ekzekutuan brenda pak ditëve, ndërsa 111 të burgosur të tjerë u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë, ku iu bënë tortura dhe hetuesi me mjete nga më të dhunshmet. Terrori kishte rilindur edhe më i ashpër se para revoltës. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen dhe u ridënuan me 1700 vjet burg.
Shkrimtari Visar Zhiti është një nga dëshmitarët e ngjarjes së 22 majit 1984 të shtypjes së revoltës së Qafë-Barit. Në librin e tij “Ferri i çarë”, Zhiti tregon gjithçka ndodhi në atë burg të frikshëm. Ai tregon se regjimi dërgoi dy gjakpirës për të shtypur revoltën, ata ishin, Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa. “Dooorzoohuuunii, të dënuar”, thërriste Agron Tafa. Ata përdorën të gjitha mjetet që të ndërpritej kryengritja. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar e shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe nga çdo betejë ka dalë më e fortë. Mendohuni mirë. Qëllimi juaj, strategjia dhe taktika kanë për të thyer kokën”, thërriste xhelati Agron Tafa.

40 mijë familje u hoqën nga ndihma ekonomike

Kryeministri Rama u mundua dje të mashtronte sërish shqiptarët duke deklaruar se, “përfaqëson shtresat në nevojë”. Po se si mund të përfaqësojë shtresat në nevojë një njeri si Rama që jeton në luks të shfrenuar në një vilë miliona euroshe në Surrel dhe ka 200 milionë euro pasuri jashtë shtetit dhe që janë investuar në offshore nga i vëllai Olsi Rama në SHBA, kjo e pasqyruar në një raport të OSBE-së që u publikua para disa kohësh.
Gjatë këtyre 3 vjet e gjysëm të qeverisë së Ramës, shtresat në nevojë jetojnë në varfëri dhe mjerim. Rama u hoqi ndihmën ekonomike 50 për qind të familjeve në nevojë, duke i lënë pa asnjë të ardhur.
Për këtë mashtrim të Ramës reagoi dje edhe Partia Demokratike. Kreu i Departamentit për Punësimin dhe Çështjet Sociale në Partinë Demokratike, Kastriot Sulka, tha se, qeveria Rama nxori nga lista e ndihmës ekonomike 1/3 e popullsisë, që konsiderohet edhe si shtresa më e varfër e shoqërisë, ndërsa pagesat kanë mbetur po ato prej më shumë se katër vite. E njëjta situatë sipas tij paraqitet dhe tek personat me aftësi të kufizuar dhe pensionistët, ndërsa vuri theksin dhe tek mungesa e shpërblimeve të fundvitit.
Shtresa më e varfër e shoqërisë është ajo pjesë e popullsisë që trajtohet me ndihmë ekonomike. Në kulmin e vafërisë, me një të rënë të lapsit dhe pa asnjë kriter, u shkurtuan, nga 120 mijë familje që trajtoheshin, në rreth 80 mijë, pra një e treta u hoqën nga lista, duke i konsideruar si jo të varfër.
“Ndihma ekonomike vazhdon prej më shumë se katër vitesh të jetë po e njëjta, pra maksimumi ka qenë dhe vazhdon të jetë 80 mijë lekë të vjetra në muaj për një familje me 6 apo më shumë anëtarë, pavarësisht rritjes së çmimeve si rezultat i inflacionit. Pra, me pak fjalë, kemi një ulje të konsumit gjatë këtyre katër viteve për këto familje”, thuhet në deklaratën e PD.
Po e njëjta situatë është për të paaftët fizikisht dhe shoqëruesit e tyre, të cilëve u janë shtuar procedurat dhe kriteret për të mos përfituar pagesat e paaftësisë. “Sot, duhet të kenë 15 vite punë, më parë ka qenë 10 vite, pra është shtuar me 50% periudha e punësimit, për të mos e marrë këtë pagesë; po ashtu, në 5 vitet e fundit duhet të kenë 1 vit punë, kriter që është shtuar gjatë kësaj periudhe qeverisjeje, kriter përjashtues për shkak se kjo ka qenë edhe periudha më e vështirë për t’u punësuar një njeri normal, jo me këta persona. Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë rritje për pagesat ndaj tyre”, thuhet më tej në deklaratë.
Pagesa e papunësisë, ka qenë, që nëse kishe një vit punë, mund të merrje 1 vit pagesë papunësie, ndërsa tani mund të marrësh vetëm 3 muaj pagesë papunësie. “Pensionet e pensionistëve nuk kanë pasur asnjë rritje, dhe vetëm vitin e fundit kemi një rritje indeksim në nivelin e inflacionit vjetor, pavarësisht se çmimet e produkteve dhe shërbimeve që konsumon kjo shtresë janë shtrenjtuar më shumë se dyfishi i inflacionit. Për 4 vite nuk pati asnjë shpërblim për fundvitin për pensionistët.
Për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës (sipas studimeve të Bankës Botërore edhe për shkak të korrupsionit) kanë ikur nga Shqipëria nga 50 mijë deri në 80 mijë shqiptarë në vit.
Këto janë shtresat në nevojë dhe të varfërit në Shqipëri, kjo është e vërteta e 4 viteve”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

R.POLISI

Tërmeti i Bankers rrënon banesat në Patos Marinzë, qeveria hesht

Çdo qeveri shqiptare në nxitjen e biznesit niset nga dy parime kryesore. I pari është ndihma përmes legjislacionit që kompanitë e biznesit kërkojnë me qëllim që të mblidhen taksat, të cilat ndihmojnë jo vetëm në pagesat për sektorin shtetëror, por edhe për programe sociale. Ndërkohë e dyta është rritja e prodhimit vendas të një produkti vendas dhe në rastin e Bankers Petroleum, të naftës, që ne e kemi konsideruar “ari i zi”. Megjithatë çdo qeveri shqiptare duhet të ketë prioritet në këtë aktivitet jetën e qytetarëve. Ka disa ditë që qytetarë të zonës Patos Marinzës janë në protestë për shkak të lëkundjeve sizmike që po ndodhin në atë zonë dhe ata mendojnë se këto shkaktohen nga veprimtaria e kësaj kompanie. Dyshimet se tërmetet në zonën e Fierit janë rezultat i aktivitetit minerar të kompanisë Bankers Petroleum janë të forta. Fieri nuk ka një strukturë të ndryshme gjeologjike nga Berati, Lushnja apo Vlora. Por tërmetet bien vetëm në këtë qytetet, e veçanërisht në zonat me aktivitetin më të lartë të nxjerrjes së naftës. Çuditërisht vendosja e pajisjeve sizmike për të përcaktuar shkakun përfundimtar të tërmeteve vazhdon të zvarritet dhe sabotohet pafund. Arsyet gjenden tek Ministria e Energjisë, e cila duhet të mbrojë interesat e publikut, por në fakt vazhdon të heshtë përballë tmerrit që po përjetojnë banorët e Zharrëzës. Ministria e Energjisë duhet të detyronte kompaninë Bankers Petroleum të instalonte me shpenzimet e veta, aparaturat e posaçme sizmike për të kryer matjet e nevojshme. Por duket qartë se, mes ministrisë së Gjiknurit dhe kompanisë ka një marrëveshje të heshtur, për të mos bërë asnjëherë matje.

Pak histori

Në nëntor të vitit 2013, qeveria e majtë që sapo kishte ardhur në pushtet, deklaroi se do të zgjidhte përfundimisht problemin e tërmeteve në zonën e Fierit. Në atë kohë zëvendësministri i energjisë, Ilir Bejtja deklaroi se Ministria e Energjisë do të instalonte 5 pajisje të posaçme në terren, të cilat do të saktësonin në mënyrë përfundimtare se cili ishte shkaku i tërmeteve, faktorët natyrale apo aktiviteti i kompanisë Bankers Petroleum. “Duke qenë se kjo mbetej një pikë e errët, u vendos që të investohej për marrjen e një software dhe të disa stacioneve, stacionare dhe të lëvizshme që do të vendosen në zonën e Patos Marinzës dhe të ndërhyhet menjëherë për gjetjen dhe shkakun e lëvizjeve”, deklaroi Bejtja në një intervistë në 26 nëntor të vitit 2013. Sipas Ministrisë së Energjisë, i gjithë procesi do të merrte nga 3 deri në 6 muaj kohë dhe nëse testet do të përcaktonin se shkaku ishte Bankers, qeveria do të detyronte kompaninë të dëmshpërblente plotësisht banorët dhe të ndryshonte metodën e shpimit. Por testet nuk u zhvilluan asnjëherë, ose më saktë, rezultatet e tyre nuk u bënë publike kurrë. Prej tre vjetësh, ministria e drejtuar nga Damian Gjinkuri hesht edhe pse aktiviteti sizmik në zonën e Fierit vazhdon me intensitet të lartë, duke vënë në rrezik jetën e banorëve dhe duke shkatërruar masivisht banesat e tyre. Megjithatë ka një pikëpyetje se në tetor 2016, Bankers Petroleum u shndërrua në një kompani nën varësi të Geo-Jade Petroleum Corp dhe në krye u vendos zoti Wu Fengliang. Ky i fundit ka një eksperiencë prej 34 vjetësh në fushën e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror. Ndërkohë që fakt është se tronditjet e tokës janë shtuar edhe pas ndërrimit të menaxhimit të kompanisë, ndërkohë që interesi publik ka rënë në zero.

Metoda e shpimit

Tërmetet e shkaktuara nga kompanitë e naftës, ekspertët i kanë përcaktuar si tërmete të shkaktuara nga procesi i “injektimit të ujërave toksikë” (“Wastewater injection proces”). Bankers Petroleum injekton ujëra të përziera me rërë dhe kimikate me presion të lartë për të çarë formacionet shkëmbore me qëllim që të çlirohet gazi. Proçesi, i cili ndryshe njihet si çarja hidraulike, (hydraulic fracturing) është gjetur në shumë raste si shkaku i drejtpërdrejtë i tërmeteve. Rasti më flagrant është ai i Oklahomës. Në vitin 2011, shteti i Oklahomës u përball me një tërmet 5.7 ballë të shkallës Richter, i cili shkatërroi dhjetëra shtëpi dhe dëmtoi rëndë infrastrukturën rrugore. Testimet e mëvonshme, faktuan se tërmeti ishte rezultat direkt i metodave të shpimit të përdorura nga kompanitë e naftës. Pas daljes së rezultateve, qeveria e Shteteve të Bashkuara detyroi kompanitë të kompesonin plotësisht dëmin si dhe të ndryshonin metodat e përdorura në nxjerrjen e naftës.

Miliarda të pataksuara

Bankers Petroleum nënshkroi një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare në vitin 2004, në bazë të së cilës, fitonte të drejtën për të shfrytëzuar burimin e naftës Patos-Marinzë, fusha më e madhe naftëmbajtëse në Shqipëri. Megjithatë, aktualisht në ditët e sotme duhet që të veçohet se kjo kompani është një kompani sekondare nën mbulesën e Geo-Jade Petroleum Corp. Kontrata koncesionare parashikonte që Bankers duhej të investonte për të rritur prodhimin e naftës dhe duhej t’i paguante qeverisë shqiptare 50 për qind normë fitimi, pasi të shlyente investimet fillestare. Që nga fillimi i punës, ka pasur ankesa me supozimin se Bankers kryen shpenzime të tepërta për të mbajtur kompaninë me humbje në vijimësi dhe për të shmangur në këtë mënyrë pagesën e tatimit mbi fitimin. Duke u përballur me këtë realitet, qeveria shqiptare vendosi një taksë të posaçme të njohur si “renta minerare” në vitin 2009, në masën 10 për qind mbi prodhimin, por ia njohu këtë taksë të re si kosto e zbritshme. Nga viti 2004 që ka ardhur në Shqipëri kompania ka realizuar gati 3 miliardë dollarë të ardhura nga shitjet e naftës, sipas të dhënave publike nga Instituti i Statistikave. Por deri më tani, kompania nuk ka paguar asnjë lekë tatim mbi fitimin, pasi prej 13 vitesh deklaron vetëm humbje nën hundën e autoriteteve shqiptare.

5 deputetë i kërkojnë Ramës ndërhyrje urgjente

5 deputetë të mazhorancës dhe opozitës i janë drejtuar me një letër Kryeministrit Edi Rama ku i kërkojnë ndërhyrje urgjente të zgjidhjes së shpërthimeve që kryen kompania e naftës Bankers Petroleum dhe që ka dëmtuar mjaft shtëpi dhe biznese të zonës. Janë bërë bashkë Petrit Vasili dhe Robert Bitri i LSI-së,  Omer Mamo i PDIU–së të cilëve u janë bashkuar edhe deputetë të opozitës si Bedri Miha dhe Kozma Dashi të PD-së. “Duke e vlerësuar si tepër të rëndë dhe shumë kritike situatën e krijuar në Zharrëz me lëkundjet e krijuara që kanë dëmtuar shtëpitë e banorëve, deputetët kanë listuar një sërë kërkesash.
1.    Një komision për verifikimin edhe zgjidhjen e situatës të kryesohet nga zv/kryeministri dhe në përbërje të jenë ministrat e energjetikës, ekonomisë, financave dhe pushtetit lokal dhe ekspertë të pavarur në njohjen e naftës dhe gjeologjisë.
2.    Të shpallet gjendja e emergjencës dhe të trajtohen banorët sipas ligjit për gjendjen e emergjencës.
3.    Të fillojë zhdëmtimi dhe riparimi i menjëhershëm i dëmeve.
4.    Të përcaktohet në mënyrë përfundimtare dhe pa asnjë ekuivok shkaku i lëkundjeve për të pasur zgjidhje të situatës.
5.    Të bëhet hetim administrativ mbi zbatimin e kontratës nga Bankers Petroleum.
6.    Komisioni të fillojë sa më parë punën dhe të japë zgjidhje të situatës që brenda muajit janar.
Ditët e fundit banorët e kësaj zone kanë protestuar vazhdimisht për këtë çështje, ndërsa janë përplasur edhe me policinë.

Kapja me koncesionet

Teksa Shqipëria është në kulmin e lëshimit me koncesion të shërbimeve publike ndaj privatëve, Komisioni Europian dhe Banka Botërore po hedhin alarmin se këto forma të reja investimi, që kanë lulëzuar kryesisht në dekadën e fundit, janë vështirësisht të kontrollueshme dhe shpesh me kosto për qytetarët edhe në vendet e zhvilluara.
Por këto konkluzione nuk po e pengojnë qeverinë të faturojë kosto të pallogaritshme te qytetarët, të cilat nëpërmjet valës së re të koncesioneve, jo vetëm që do të shtohen në vitet në vijim, por janë edhe një rrezik i madh për stabilitetin fiskal të vendit në periudhë afatgjatë.
Teksa bizneset e koncesioneve kryesojnë listën e bizneseve të mëdha, nga ecuria e deritanishme ato kanë çuar më shumë kosto te qytetarët se sa përfitime. Praktikat shqiptare të këtyre investimeve janë të frikshme. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë po paguajnë edhe për shërbime që nuk u ofrohen kurrë.
Grosistët e cigareve pohuan se kostoja e pullës fiskale është rritur me tre herë me dhënien e saj me koncesion ndaj kompanisë “SICPA”. Vitin që shkoi llogariten 3.2 milionë euro pagesa vetëm për pullën fiskale nga grosistët e cigareve, të cilat janë transferuar në çmimet për konsumatorët fundorë, me më shumë se 2 lekë për paketë, ndërkohë që importi i cigareve është në rënie pikiatë dy vitet e fundit, çka tregon se ky shërbim nuk ka kryer funksionin e tij, atë të uljes së informalitetit.
Bizneset në Portin e Durrësit paguajnë një tarifë 50 lekë për paletë, e cila nuk është në librin e tarifave që ushtrohen në port, por vilet nga koncesionari “Albanian Ferry Terminal” dhe qeveria nuk ndërhyn. Në koncesionin e skanimit në dogana “Rapiscan” dhe për shkak të një gabimi në rinegocimin e kontratës, biznesi e pagoi fillimisht dy herë tarifën 22 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa financat u detyruan ta rishikojnë sërish marrëveshjen, me koston që tani do ta mbajë vetë buxheti.
Tarifa që do të reflektohet në çmimet e mallrave të importit rrezikon ta bëjë Shqipërinë më pak konkurruese në tranzitimin e mallrave në rajon.
Absurditeti qëndron në faktin se këtë tarifë e paguajnë edhe importuesit që nuk e marrin këtë shërbim dhe se një praktikë e tillë nuk aplikohet në asnjë vend europian.
Britanikët e “Crown Agents” dështuan në përmbushjen e detyrimeve për të rritur të ardhurat doganore me 100 milionë dollarë në vit. Por ata përfituan ndërkohë pagesat 8.5 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë.
Por të gjitha këto disfata nuk po shërbejnë si mësim për më shumë maturi në kontrata të tilla në të ardhmen.
Forma e re e koncesioneve me partneritet publik privat është kthyer në një rrezik real për arkën e shtetit, e cila duhet të paguajë një faturë të lartë kundrejt bizneseve që menaxhojnë këto koncesione, ndërsa nuk ka një analizë të saktë kosto-përfitime për të parë se sa përkthehen këto partneritete në shërbime eficente për qytetarët.
Aktualisht, janë në fuqi 6 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2017 të fillojnë dhe 2 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Pagesat nga arka e shtetit për këto kontrata, deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për vitin që vjen, do të paguhen mbi 7.3 miliardë lekë.

“Monitor”