37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

290 milionë për katër koncesione

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do të paguhen deri në vitin 2025, shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro) apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione:
1. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check up) për periudhën 2015-2024, për të cilin buxheti do të shpenzojë gjithsej 7.82 miliardë lekë (57 milionë euro).
2. Ofrimi i shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, materialet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve, dezinfektimin e sallave, për periudhën 2015-2025, me një shumë prej 12.3 miliardë lekësh (90 milionë euro).
3. Ofrimi i shërbimit të dializës për periudhën 2016-2025 për 9.47 miliardë lekë (70 mln euro).
4. Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, për periudhën 2017-2026, për të cilin buxheti do të paguajë 10.7 miliardë lekë (78 mln euro).
Ministria e Mjedisit ka në zbatim dy koncesione me vlerë totale 7.4 miliardë lekë (57 mln euro):
1. Impianti i mbetjeve në Elbasan, për periudhën 2015-2022, me vlerë 3.3 miliardë lekë.
2. Impianti i mbetjeve në Fier, për periudhën 2017-2022, me vlerë 4.1 miliardë lekë.
Ministria e Industrisë dhe Energjisë do të paguajë për 5 vjet, deri më 2019-n, rreth 6.7 miliardë lekë për rimbursimin e rrugëve ekzistuese për HEC-in e Devollit, një nga projektet më të mëdha në Shqipëri.
Ministria e Financave ka të parashikuar të paguajë për 15 vjet, deri më 2029 rreth 13.5 miliardë lekë për koncesionin e shumëdiskutuar të doganave, të cilin e miratoi qeveria paraardhëse, por që nuk u arrit të anulohej. Financat duket se kanë hequr dorë përfundimisht nga koncesioni i TVSH-së, që nuk parashikohet në shpenzimet koncesionare për dekadën e ardhshme.
Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, pohon se ka një problem të madh kushtetues me koncesionet. Qeveria e ka mandatin 4 vjet e nuk ka asnjë të drejtë ekskluzive që të lërë peng për 25–30 vjet apo më shumë, pa pasur konsensus të mjaftueshëm edhe nga të tjerët, në këtë rast opozita, tha ai. “Unë e kuptoj, qeveria është në nevojë dhe sheh koncesionin si zgjidhje, por mendoj gjithashtu se ka një abuzim dhe një teprim me to”, u shpreh ai. Preçi kujton se, me tri faqe biznesplan u mor skanimi i konteinerëve në dogana, nga të cilat 210 mln euro hynë në xhepat e kompanive të huaja, me bashkëpunëtorë shqiptarë.

Dekriminalizmi, 40 zyrtarë të paditur për falsifikim

Dekriminalizimi shkakton tërmet në administratë. 170 zyrtarë, mes tyre deputetë, prokurorë e gjyqtarë po hetohen nga sektori i verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
40 zyrtarë të tjerë janë çuar në gjyq për akuzën e falsifikimit të formularëve të vetëdeklarimit, ndërsa 50 punonjës janë larguar nga shërbimi i administratës publike për shkak të së kaluarës së tyre.
Me hyrjen në fuqi të ligjit për “Dekriminalizimin” Sektori i verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ka dërguar në gjyq rreth 40 persona, për akuzën e “falsifikimit të formularëve”.
Sipas Abc News këto të pandehur, nuk kanë pasqyruar ose kanë evidentuar të dhëna të rreme në formularin e deklarimit, duke mohuar të kaluarën e tyre kriminale. Burimet thonë se në mesin e 40 personave, që tashmë kanë përfunduar në gjyq, janë zyrtarë të ndryshëm të administratës publike apo edhe institucioneve tjera kushtetuese.
Veç dërgimit të këtyre personave në gjyq, burimet zyrtare nga Sektori i verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme i thanë Abc News se 50 persona të tjerë, janë shkarkuar nga detyra pas përpilimit të formularit të dekriminalizimit, pasi u ndalohet të ushtrojnë funksione publike. Në mesin e këtyre të larguarve, burimet thonë se ishin edhe anëtarë të këshillave të ndryshëm bashkiakë të gjithë Shqipërisë. Ndërsa, ndodhen në proces verifikimi rreth 170 raste, mes tyre zyrtarë të lartë e punonjës të ndryshëm të administratës publike, deputetë, prokurorë dhe gjyqtarë apo edhe punonjës të tjerë, të cilët ligji i detyron të plotësojnë formularin e dekriminalizimit.
Nga ana tjetër, mësohet se Sektori i Verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme që nga hyrja në fuqi e ligjit për “dekriminalizimin”, ka verifikuar mbi 500 raste. Këto verifikime, janë kryer pas kërkesave të institucioneve të ndryshme në vend, ku numrin më të madh të tyre e ka bërë Deparatmenti i Administratës Publike. Duke qenë se ka edhe numrin më të madh të subjekteve që vetëdeklarojnë të kaluarën kriminale në kuadër të ligjit për “Dekriminalizimin”. Burimet thonë se kërkesa të shumta kanë qenë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve qoftë për deputetë, kryetar bashkie apo anëtarë të këshillave bashkiak. Kërkesa për verifikimin e të kaluarës kriminale të individëve të ndryshëm, burimet thonë se ka pasur edhe nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, por që nuk jepen emrat apo pozicionet e personave që është kërkuar të verifikohen.

Nishani, “Doktor Nderi” nga universiteti i Stambollit

Presidenti Nishani u vlerësua dje me gradën “Doktor Nderi” nga universiteti më i vjetër i Stambollit, duke zhvilluar një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Turqi, si dhe bëri homazhe në varrin e Sami Frashërit.
Në kuadrin e vizitës në universitetin më të vjetër të Stambollit, rektori i parë i të cilit ka qenë Hasan Tahsini, Presidenti Nishani u prit nga rektori i këtij universiteti dhe akademikë e profesorë. Pas prezantimit të kreut të shtetit shqiptar para trupës akademike e studentore, rektori i këtij universiteti i akordoi Presidentit Nishani “Gradën Doktor Nderi i Universitetit në Drejtësi”.
Më pas Presidenti Nishani mbajti një fjalë për auditorin, ku ndër të tjera shprehu keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat e akteve terroriste në Stamboll e në qytete të tjera të Turqisë, si dhe solidaritetin me popullin turk në luftën kundër terrorizmit.
Kreu i shtetit evidentoi edhe miqësinë e fortë që ekziston mes dy popujve, duke theksuar se në themel të tyre janë vlerat e përbashkëta, përfshirë edhe kontributet e shumë shqiptarëve të shquar për forcimin e kësaj miqësie. Në mënyrë të veçantë Presidenti i Republikës iu referua figurave të ndritshme të Hasan Tahsinit, Sami dhe Abdyl Frashërit, Iliaz Pashë Dibrës, Mehmet Akif Ersoyt, Ismail bej Vlorës, Ferid Pashës, Vaso Pashës, Rauf Ficos, Mehmet Konicës, Abedin Dinos, Nexhip Alapanit e shumë personaliteteve të tjerë që kanë dhënë një kontribut të shquar si për popullin dhe Turqinë moderne, ashtu edhe për popullin shqiptar dhe forcimin e miqësisë turko-shqiptare. Një falënderim të veçantë Presidenti Nishani e bëri dhe për mundësinë që ky universitet u ka dhënë ndër vite dhjetëra shqiptarëve për të studiuar dhe marrë grada të ndryshme shkencore.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, kreu i shtetit organizoi edhe një takim-pritje me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Stamboll dhe nga qytete të tjera të Turqisë, ku shprehu mirënjohjen për kontributin që këto shoqata kanë dhënë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave më të mira kulturore e historike të shqiptarëve në Turqi, si dhe vijimin e ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve miqësore mes dy popujve.
Presidenti Nishani e konsideroi komunitetin e shqiptarëve në Turqi si një prej komuniteteve më të mëdha jashtë trevave shqiptare, si dhe theksoi se shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo tjetër janë krenarë me kontributin që ky komunitet ka dhënë për rimëkëmbjen ekonomiko-sociale të Shqipërisë pas ndryshimeve demokratike, për pavarësinë e Kosovës, si dhe përmirësimin e kushteve e të drejtave të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës zhvilloi homazhe edhe në varrin e atdhetarit të shquar Sami Frashëri, ku vendosi një kurorë me lule me dedikim të posaçëm. Në homazhe morën pjesë edhe trashëgimtarë të brezit të tretë të Sami Frashërit, shqiptarë të shumtë me banim në Stamboll si dhe Presidenti i Klubit Sportiv “Gallatasaraj”, klub i themeluar nga djali i Sami Frashërit, Ali Sami Yen, në vitin 1905. Për nder të Sami Frashërit dhe djalit të tij, Ali Sami Yen, Presidenti Nishani la një shënim edhe në librin e miqve të Klubit të Futbollit “Gallatasaraj” të Stambollit.

Lirimi i Lul Berishës, “arrest me burg” për drejtorin e burgut

Gjykata la dje në arrest me burg drejtorin e Burgut të Durrësit, Astrit Kotajn. Kotja akuzohet për falsifikim dokumentash lidhur me lirimin e ish-të dënuarit Lul Berisha, por ai deklaroi në Gjykatë se “nuk kam lidhje me përllogaritjen e ditëve të dënimit të Lul Berishës. Kë pikë kam shkelur dhe çfarë kam falsifikuar?”
Drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kotaj u arrestua më 21 dhjetor 2016 pas akuzave të Prokurorisë së Durrësit për shpërdorim të detyrës shtetërore dhe falsifikim të dokumentave pas lirimit me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.
Prokuroria e Durrësit nisi hetime kryesisht pas lirimit të tij me kusht dhe krahas drejtorit të burgut Kotaj, është shpallur në kërkim edhe juristi i burgut T. L. Hetuesit vlerësuan se dy të pandehurit kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit në burg të të dënuarit Lulzim Berisha.
Ata e shkurtuan në bashkëpunim me dy vjet e shtatë muaj kohën e burgimit të Berishës, në mënyrë që të përfitonte nga lehtësirat e parashikuara në ligj si lirim me kusht. I burgosuri Lulzim Berisha u lirua nga Gjykata e Apelit në Durrës më 6 dhjetor pas një seri lehtësirash, që iu krijuan nga “sëmundja e rëndë”, “shpërdorimi i detyrës”, “falsifikimi i dokumentave” e deri te rekomandimet pozitive nga kryetari i Bashkisë së Durrësit.
Por Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për shpërdorim detyre menjëherë pas lirimit me kusht të Berishës. Ai është dënuar me 25 vjet për disa vrasje dhe trafik narkotikësh. Ambasada amerikane deklaroi me rastin e lirimit të tij se, “gjykata të korruptuara po japin vendime të papranueshme”.
Dënimi dhe lirimi i tij pas lehtësirash të herëpashershme është prej dy javësh temë e debateve të ashpra midis partive kryesore politike në vend. Prokuroria e Apelit në Durrës ka ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin me kusht të ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha.
Prokuroria theksoi se, “nuk legjitimohet vendimi i lirimit me kusht për shkak të natyrës së veprave të rënda penale; për shkak të uljes së pajustifikuar të kohës së dënimit nga gjykatat për të dënuarin e burgosur për vepra të rënda penale; dhe për shkak të llogarive jo të sakta për kohën e burgimit”.
Prokuroria e Durrësit nisi hetimet me nismën e saj për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me praktikat gjyqësore dhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana e drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave u vendos me lirimin me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.
Sipas Prokurorisë, “ka dyshime të arsyeshme, që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të Berishës”.
Janë një seri vendimesh të debatueshme të dhëna nga disa gjykata të vendit në favor të Lulzim Berishës, të cilat ngrenë dyshime dhe për shkelje ligjore, që çuan fillimisht në ndryshimin e dënimit nga burg të përjetshëm, në 25 vite burgim, dhe më pas reduktime të njëpasnjëshme, deri në vendimin e 5 dhjetorit të këtij viti për lirimin e tij me kusht, duke folur për një procedurë rutinë.

Rriten frikshëm aksidentet, dy të vdekur dje në Tiranë e Fier

Dy persona kanë gjetur vdekjen gjatë ditës së djeshme në aksidente rrugore në Tiranë dhe në Fier. Një këmbësor ka gjetur vdekjen në një aksident mesditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Kalimtari është përplasur nga një mjet tek Kthesa e Kamzës rreth orës 13:00. Policia tha se ka nisur hetimet në lidhje me aksidentin, ndërsa personi i plagosur ka ndërruar jetë. Policia bën me dije se një automjet tip “Toyota” me drejtues shtetasin me iniciale G.Xh, ka aksidentuar këmbësorin e seksit mashkull rreth 60 vjeç, i paidentifikuar ende. Si pasojë e plagëve të marra, burri ka gjetur vdekjen.
Ndërkohë një dëshmitar nga vendi i ngjarjes ka bërë të ditur për portalin “Jeta Osh Qef” se, “viktima kishte rënë me fytyrë pas përplasjes nga makina dhe i ishte hapur koka. Ai ka qëndruar i shtrirë në tokë për rreth 10 minuta deri sa mbërriti ambulanca dhe policia.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e viktimës. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga Shërbimet e Policisë për veprime të mëtejshme.
Ndërsa në Fier makina ka përplasur për vdekje një person që po udhëtonte me biçikletë. Sipas të dhënave zyrtare, aksidenti ka ndodhur paraditen e djeshme në aksin rrugor Fier-Patos, pranë fshatit Portëz. Mësohet se një mjet tip “Furgon” me targa FR 28 77 D ka goditur 59-vjeçarin Fatmir Lamaj, që lëvizte me biçikletë. Përplasja ka qenë e fortë dhe 59-vjeçari ka gjetur vdekjen në vend. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë një tjetër aksident automobilistik ka ndodhur pasditen e djeshme në autostratën Tiranë-Durrës. Në aksident janë përfshirë 2 automjete dhe mësohet se një prej makinave ka dalë nga rruga. Autostrada është bllokuar prej 1 ore për shkak se në rrugë, si pasojë e aksidentit është derdhur vaj makinash.
Për pastrimin e rrugës kanë shkuar në ndihmë forcat e zjarrfikëses. Si pasojë e aksidentit është krijuar trafik i madh, me radhë kilometrike makinash. Nga të dhënat e para mësohet ka të lënduar, të cilët janë dërguar menjëherë në spital.
Po ashtu, një aksident ka ndodhur në rrugën e Liqenit Artificial në Tiranë që të sjellë drejt Kopshtit Zoologjik. Një “Fuoristradë” është përplasur me një makinë të vogël, fatmirësisht duke mos shkaktuar të plagosur. Nga ngjarja ka vetëm dëme materiale. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për shkaqet e aksidentit.

Policia e implikuar në arratisjen e Edison Pulës

Policia e Krujës është e implikuar në arratiosjen nga e të arrestuarit Edison Pula nga Komisariati. Dyshimet u ngritën që në momentet e para kur u njoftua arratisja e Edison Pulës nga komisariati i Krujës. Si mundi të largohej 20-vjeçari, një nga më të rrezikshmit e bandës së Niklës, kur ai gjendej me pranga në duar? Si nuk arritën ta ndalonin dy policët që po e shoqëronin? Dyshimet u vërtitën rreth një bashkëpunimi të mundshëm të dy policëve. Hetimet e nisura nga SHÇBA dhe Prokuroria nuk e përjashtojnë këtë pistë.
Policët që e shoqëronin janë Denis Çela 22 vjeç dhe Naim Stafuka, 39 vjeç. Ata e njihnin Edison Pulën. Naim Stafuka është vëllai i Enver Stafukës, i cili është zhdukur prej prillit të vitit 2015, pasi u ndalua më parë si i implikuar në vjedhjen e makinës që Arben Frroku përdori për të vrarë kryekomisarin Dritan Lamaj.
Enver Stafuka dhe Edison Pula rezulton të kenë qenë miq. “Kemi arsye të forta të mendojmë se dy efektivët e patrullës dhe shefi i tyre të kenë bashkëpunuar me Edison Pulën, i cili u arrstua së bashku me 8 persona të tjerë. Na rezulton se Pula ka arritur të arratiset mjaft lehtë nëpërmjet derës kryesore që ishte e hapur, pasi u fut në furgonin që shoqëronte të arrestuarin me disa precedentë penalë”, bën të ditur një burim i policisë.
Hetuesit nuk i bind as versioni i dy policëve të arrestuar. “Ishim future në ambientet e brendshme të komisariatit dhe në momentin që do ta zbrisnim nga makina për ta futur në dhomat e izolimit ai na shtyu dhe u largua me shpejtësi. Tentuam ta kapnim, por kapërceu murin dhe  humbi në qytet”, kanë thënë ata. Por si mundi t’i shtynte dy policë një person me duar të lidhura? Dhe si mundi ai ta kapërcente murin me pranga në duar?
Bashkëpunim, neglizhencë apo paaftësi e dy policëve? Hetuesit dyshojnë se ata janë bashkëpunëtorë në arratisje edhe pse zyrtarisht policia njoftoi se ata janë arrestuar në flagrancë “se kanë neglizhuar në kryerjen e detyrës”.
Edion Pula dhe grupi ku ai bënte pjesë njihej në zonën e Krujës. Ata dyshohet se tentuan të vrasin në një atenat me tritol edhe shtetasin Gazemnd Bejtja, bashkëpunëtorin e Enver Stafukës në vjedhjen e makinës që u përdor për vrasjen e kryekomisar Lamajt.

Dështon policia, grabitësit e bankës në Tiranë ende të lirë

Ndonëse kanë kaluar 4 ditë nga grabitja e bankës tek “21 Dhjetori” në Tiranë, policia nuk ka ende asnjë gjurmë të autorëve, të cilët janë larguar dhe nuk dihet ende identiteti i tyre. Prova më e fortë që kishte policia, arma që i ra njërit prej autorëve, nuk u ka dhënë ndonjë gjurmë hetuesve. Bëhet e ditur se, nga kontrolli i ushtruar tek arma e zjarrit, hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gjurmë, kjo për shkak se ata mbanin dorashka në duar.
Edhe në kontrollin e kryer në ambientet e brendshme të bankës, por edhe nga kamerat e sigurisë, ende nuk është bërë i mundur zbulimi i autorëve. Kjo për shkak se ata kishin vendosur një shall në fytyrë, ndërkohë që në kokë mbanin kapele.
Policia ka lënë të lirë edhe të vetmin të dyshuar si bashkëpunëtor, të riun E. Kodra, i cili u vetëdorëzua në komisariat dhe mohoi të ketë lidhje me grabitjen. Pas disa orë pyetjesh dhe ripyetjesh të Erion Kodrës, nga oficerët e Komisariatit Nr.2, si dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në lidhje me grabitjen e filialit të një banke në Tiranë, ai është lënë i lirë. Kodra është personi që shfaqej në një foto të siguruar nga policia prej kamerave të sigurisë së bankës. Në foto, Kodra shihet se qëndron pranë hyrjes së bankës.
Pavarësisht kësaj, edhe pas ripyetjes për të disatën herë, policia nuk gjeti fakte që implikonin këtë person në grabitje, edhe pse të dhënat e para për të në fillim dukeshin të dyshimta.
Në momentin që grabitësit janë futur në bankën e nivelit të dytë te “21 Dhjetori”, personi i parë me të cilin janë përballur ka qenë roja i sigurisë, një burrë rreth të 60-ve. Njëri prej autorëve e ka përplasur atë pas murit, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas është drejtuar për tek arka për të realizuar vjedhjen e parave. Burime nga Policia e Tiranës thanë se, autorët kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur rënien e sinjalit të alarmit, pasi banka ndodhet shumë pranë Komisariatit Nr.2. Megjithatë, nuk kanë arritur ta shmangin sinjalin, edhe pse kanë arritur të largohen në kohë, para se aty të mbërrinte policia. Gjatë kohës që njëri nga grabitësit kërcënonte arkëtaren për t’i dhënë paratë, roja i sigurisë që ishte përplasur më parë në tokë, ka arritur të aktivizojë alarmin. Në këtë moment, grabitësit i ka zënë paniku dhe kanë nxituar të largohen nga banka. Ndërsa, gjatë momentit që largohen, ata janë përplasur në një prej tavolinave dhe njërit prej grabitësve i ka rënë në tokë pistoleta që mbante në dorë.
Në bankën që ndodhej pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, autorët dyshohet se kanë grabitur rreth 50 milionë lekë dhe fillimisht kanë goditur rojet e sigurisë, ndërsa më pas kanë kërcënuar punonjësit. Qëllimi i tyre ishte që të grabisnin kasafortën e bankës, por ajo nuk është hapur.
Grabitjet e bankave dhe bizneseve nga bandat e armatosura dhe me maska, tashmë janë kthyer në një ritual të përditshëm në të gjithë vendin. Grabitja e bankës tek “21 Dhjetori” ndodhi në mes të ditës dhe vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë. Ashtu si edhe në grabitjet e tjera të bankave në Tiranë, Vlorë, Durrës, Krujë, etj., edhe në tre rastet e grabitjeve të para tre ditëve në Tiranë, Fier dhe Korçë, ku  maskat arritën të marrin rreth 142 milionë lekë, policia nuk ka arritur të arrestojë grabitësit. Policia jo vetëm që nuk i arreston, por ka frikë t’u afrohet këtyre grabitësve profesionistë. Bandat e grabitjeve dhe të trafikut të drogës nuk goditen nga qeveria, sepse qeveritarët bashkëpunojnë me to. Policia u hap rrugë maskave që të grabisin banka e biznese, ndërsa godet qytetarët që dalin të shesin paketa cigaresh në rrugë, apo qepë e presh për të mbajtur frymën gjallë. Parimi i qeverisë është goditja e të dobtëve dhe lënia fushë veprimi të lirë për grabitësit e bankave dhe bizneseve.

Uzina e naftës Ballsh në kushte skandaloze, heton Prokuroria

Uzina më e madhe dhe e vetme e përpunimit të naftës në vend është objekt hetimi për shkelje të rregullave në punë që nga shpërthimi i 11 nëntorit, ku humbi jetën një naftëtar dhe u plagosën 4 të tjerë. Ngjarja ngriti dyshime për kushtet e punës dhe respektimin e rregullave të sigurimit teknik.
Prokuroria vazhdon hetimin, në një kohë që uzina funksionon në kapacitet të plotë. Bashkë me të edhe ndotja në ajër dhe në lumin Gjanica. Uzina ka rinisur punën pa kryer testimin e punonjësve për rregullat e sigurimit teknik që bëhet një herë në 6 muaj në formë provimi.
Punonjësit tregojnë se pas shpërthimit po kryhen investime, por nuk japin detaje për çfarë investimesh bëhet fjalë. Shkak i shpërthimit në Uzinën e Ballshit u bë çarja e valvulës në tubat e hidrogjenit, e cila dyshohet se ishte me defekt.
Një grup ekspertësh po hetojnë për të zbardhur shkaqet e shpërthimit në repartin  e hidropastrimit. Viktima ishte një 46-vjeçar nga qyteti i Ballshit. 4 të plagosurit u dërguan në spital nga të cilët tre kanë shkuar në shtëpi vetëm një javë më parë.
Uzina e naftës përpunon mbi 3000 tonë naftë në 24 orë. Për shkak të një kolapsi financiar, uzina si pjesë e kompanisë ARMO, shkoi në prag falimentimi 1 vit e gjysmë më parë. 1200 punonjës mbetën pa punë dhe pa rroga. Aktiviteti rifilloi në tetor, pasi një kompani amerikane, Off Shore, e mori me qera uzinën nga bankat. Këto të fundit ishin kreditore të ARMO-s.
Shkaku kryesor që çoi në kolaps financiar ARMO-n ishin taksat e papaguara ç’ka çoi në bllokimin e llogarive bankare të kompanisë. Ende nuk është e qartë, nëse janë paguar këto detyrime nga pronarët e rinj, ndërsa mes kreditorëve të ARMO-s është edhe Albpetrol si furnizuesi kryesor i uzinës më lëndë të parë, naftë bruto.

Korrupsioni, dënohet me 2 vite burg gjyqtari i Tiranës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që të dënojë me 2 vite burg gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha. Dënimi për Hoxhën u dha pas akuzave për korrupsion pasiv nga Prokuroria. Gjyqtari akuzohet se kishte marrë 600 mijë lekë të reja për të ndryshuar një vendim gjyqësor.
Hoxha kishte rënë në kontakt me një palë në konflikt gjyqësor për një pronë dhe u kishte premtuar të mbante anën e tyre. Gjyqi do të zhvillohej më 3 maj të këtij viti. Hoxhës gjithashtu i është hequr për 5 vite e drejta për funksione publike.
Ibrahim Hoxha u arrestua mbrëmjen e 2 majit nën akuzën korrupsion aktiv e pasiv. Djali i tij, Ledion Hoxha, po merrte ryshfet rreth 6 milionë lekë për një vendim për një ndryshim trashëgimie në momentin kur është ndaluar.
Ndërkohë, gjyqtari Ibrahim Hoxha, i cili do të ndikonte në vendimin për çështjen e pronësisë, mësohet se e priste jashtë ambienteve të lokalit. Në dosjen e akuzës thuhet se gjyqtari po bënte gati vendimin për prishjen e vendimit të trashëgimisë në favor të Dritan Jazenxhiut, i cili ishte në gjyq me të motrën për prona të trashëguara nga e ëma.

Dorëhiqen 3 gjyqtarët që po gjykojnë Kastriot Ismailajn

Tre gjyqtarët që po gjykojnë prej 10 muajsh të pandehurin Kastriot Ismailaj, kërkojnë të heqin dorë nga gjykimi i të pandehurit. Vetë gjyqtarët, në seancën e radhës të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, njoftuan prokurorin dhe avokatin mbrojtës e të pandehurin, se i kishin dorëzuar kryetarit të Gjykatës dorëheqjen nga gjykimi i çështjes. Ata thanë se argumentet e përdorura në dorëheqje është fakti se i pandehuri ka humbur besimin te gjykimi i tyre. Kjo për shkak se në 5 raste, Kastriot Ismailaj ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve, të cilët po e gjykojnë atë për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”, falsifikim të dokumenteve dhe “pastrim të parave” në bashkëpunim.
Të 5-ta kërkesat për përjashtim, janë rrëzuar nga trupa tjetër gjykuese, por që vetë gjyqtarët e çështjes tashmë kanë krijuar bindjen se i pandehuri ka humbur besimin tek ata. Për këtë fakt, tre gjyqtarët i dorëzuan dorëheqjen Kryetares së Gjykatës, e cila pritet të shprehet për kërkesën e tyre. Nga ana tjetër, procesi gjyqësor ndaj Kastriot Ismailajt ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të fundit të akuzës, në lidhje përfitimin me anë të mashtrimit nga kompania DIA të rreth 5 mln eurove. Vetë Ismailaj, gjatë fazës hetimore dhe gjyqësore ka mohuar akuzën, duke pretenduar se ka pasur një marrëveshje kontraktimi me kompaninë çeke CEZ Shpërndarja, për mbledhjen e borxhit tek debitorë të ndryshëm.