Kryetari i PD, Basha denoncoi dje shtyrjen edhe me dy vjet të tjera të ligjit për lojërat e fatit, duke deklaruar se pas këtij bllokimi qëndrojnë interesat 600 milionë euro të Ramës dhe familjarëve të tij që kontrollojnë këtë biznes.
“Të gjithë e mbajnë mend sesi me bujë të madhe sapo erdhi në pushtet ky Kryeministër u përbetua se do t’i mbyllte lojërat e fatit.
E mbani mend, të nderuar qytetarë, operacionin kundër bixhozit, ku mobilizoi 6 mijë policë dhe shpalli me bujë fitoren e shtetit mbi bixhozin. Për të çuar deri në fund shfaqjen, hartoi edhe një ligj që i nxirrte lojërat e fatit jashtë zonave të banuara.
Por ligji ka 3 vjet që nuk zbatohet dhe tani u shty edhe për dy vjet të tjera. Arsyeja është vetëm një: Operacioni kundër lojërave të fatit pati vetëm një qëllim – futjen në dorë të industrisë së bixhozit nga familjarët dhe klientët e Edi Ramës”, tha Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi shifrën skandaloze të evazionit në arkëtimin e të ardhurave nga lojërat e fatit, ku deklarohen vetëm 150 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër përfundon në xhepat e Ramës dhe klientelës së tij.
“Tani që ka shtënë në dorë dhe kontrollon të gjithë bixhozin e Shqipërisë, Edi Rama nuk ka më interes as t’i largojë, as t’i mbyllë, as t’i mbikëqyrë lojërat e fatit.
Bixhozi në Shqipëri xhiron 600-700 milionë dollarë në vit, të cilat tashmë janë të gjitha nën kontrollin e Edi Ramës, familjarëve dhe klientëve të tij. Nga këto vetëm 150 milionë dollarë deklarohen zyrtarisht dhe paguajnë taksa, ndërsa të tjerat shkojnë në xhepat e Edi Ramës dhe klientëve të tij të padeklaruar. Është një skemë e pastër për përfitime personale”, tha Basha.
Basha i quajti koncesionet skema të plaçkitjes të Ramës dhe klientelës së tij duke kujtuar edhe aferën e fundit me laboratorët. “Kështu janë në fakt të gjitha politikat që Edi Rama ka ndërmarrë këto tri vite: skema të qëllimshme për të marrë paratë nga njerëzit e thjeshtë dhe për t’ia dhënë një grushti njerëzish të lidhur me të.
E njëjta skemë po luhet me koncesionin e laboratorëve spitalorë, që do t’i jepet njërit prej klientëve të Edi Ramës. Mbi 100 milionë dollarë, 10 milionë dollarë në vit, do të marrë nga paratë e qytetarëve shqiptarë klienti i Edi Ramës. Sot, qytetarët, taksapaguesit i japin vetëm 1 milion dollarë për laboratorët. Koncesionari i Ramës do të marrë 10 herë më shumë.
Por ndërkohë që 10-fishon paratë që do t’i japë klientit të tij, po këtë vit Edi Rama ka ulur buxhetin për shëndetësinë me 2,6 milionë dollarë duke i prerë këto nga investimet në shëndetësi.
Sepse për koncesionin e klientit të tij ka para. Për qytetarët, për pacientët, për të sëmurët, nuk ka.
Edhe për koncesionin e check up-it ka para, madje siç e pranon vetë i ka dhënë Vilma Nushit miliona më shumë sesa kushtonin analizat e deklaruara.
Për klientin ka para. Për të papunët, për të varfrit, për të sëmurët nuk ka para.
Për fasadën e Ministrisë së Brendshme dhe për bunkerin e klientit, Edi Rama pagoi 3 milionë dollarë këtë vit. Ndërsa investimet për shkollat në të njëjtin vit i uli me 10 milionë dollarë nga parashikimi.
Për klientin e tij ka para, ndërsa për shkollimin e fëmijëve nuk ka para.
Kjo është skema e gjithë qeverisjes së Edi Ramës: merru njerëzve të thjeshtë e të varfër dhe jepja një grushti klientësh të pasur.
Kjo plaçkitje e shqiptarëve nuk ka për t’u ndalur derisa ta largojmë Edi Ramën nga pushteti.
Më 2017-ën, së bashku do t’ju kthejmë pushtetin dhe paratë publike qytetarëve”, tha Basha.
600 milionë euro në vit nga bixhozi
A po ikin call center-at?

Pas miratimit të ligjit nga Senati italian, duket se në Tiranë po jepen efektet e para të zbatimit të tij.
Ligji parashikon masa të ashpra ndaj këtyre bizneseve jashtë vendeve të BE-së. Dhe pavarësisht paralajmërimit të ambasadorit italian në Tiranë, Alberto Cutillo, se ky ligj nuk rrezikon mbylljen e tyre në Shqipëri, duket se kanë nisur lëvizjet e para.
Kohët e fundit është folur shpesh edhe nga drejtuesit e këtyre kompanive në Itali se call center-at nuk do të kthehen më atje, po do të shpërngulen me shumë mundësi në Rumani, një vend i BE-së, ku edhe kostoja e punës është më e ulët. Në Shqipëri deri në fund të vitit 2015 numëroheshin 847 kompani me mbi 25 mijë të punësuar. Por sa rrezikojnë ata? Kjo është pyetja që na shqetëson të gjithëve.
BDI mohon bisedimet me VMRO-DPMNE, BESA ka tre kushte
Partia shqiptare në Maqedoni, BDI, ka mohuar zërat se ka patur bisedime me forcën politike të drejtuar nga ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, deklaratë e cila konfirmon se partitë vijojnë të mbeten të pasigurta në lidhje me formimin e një kabineti qeverisës. Ndërkohë, partia tjetër shqiptare, Lëvizja BESA, ka njoftuar se çdo forcë politike që do t’u ofrohet për koalicion duhet të përmbushë tre kushte që janë: largimi i të inkriminuarve nga politika, reforma në sistemin juridiko-kushtetues si dhe transparenca ndaj qytetarëve.
Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare në Maqedoni që kryesohet nga Ali Ahmeti, ka mohuar zërat se ka patur bisedime me VMRO-DPMNE, në lidhje me mundësinë e formimit të një tjetër koalicioni qeverisës.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, BDI njoftoi se në këtë moment, kjo forcë politike nuk ka komunikim me asnjë prej partive të tjera.
Në njoftim thuhet gjithashtu se do të pritet deri në përmbylljen zyrtare të procesit nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, e më pas do të shihen mundësinë e bashkëpunimit.
BDI thekson gjithashtu se, nëse do të vendosë që të bëhet pjesë e një qeverie, do të kërkojë një përfaqësim të denjësishëm të shqiptarëve në Maqedoni.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka arritur të fitojë 10 mandate në sallën e Parlamentit, duke u kthyer kështu në një aleat të domosdoshëm për formimin e qeverisë, që mund të bëhet me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, ose me LSDM-në e drejtuar nga Zoran Zaev.
Ndërkohë, e pavendosur për të ardhmen është shfaqur edhe partia tjetër shqiptare, Lëvizja BESA.
Në një komunikatë për mediat, lideri i kësaj partie, Bilal Kasami, nënvizoi se forca politike e drejtuar prej tij është e gatshme që të bashkëpunojë për një koalicion qeverisës në rast se partnerët do të pranojnë tre kushte, të cilat janë shmangia e figurave të inkriminuara politike, ridimensionimi i sistemit juridiko-kushtetues si dhe transpaeranca ndaj qytetarëve.
Pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit, asnjë prej partive politike në Maqedoni nuk ka mundësinë që të formojë qeverinë e vetme, gjë që u jep partive shqiptare tagrin për të përcaktuar kahun e pushtetit.
Ekspertët kanë këshilluar liderët shqiptarë që të dalin me një platformë të përbashkët me qëllim që të kërkojnë respektimin e të drejtave për popullsinë shqiptare në Maqedoni.
Kokëdhima: Rama vjedh dhe manipulon zgjedhjet
Deputeti i PS Kokëdhima deklaroi dje ballë për ballë me Ramën në mbledhjen e Asamblesë së kësaj partie se, “Rama vjedh dhe manipulon zgjedhjet: “Pas 25 vitesh demokracie, akoma vidhen, trafikohen, shiten e blihen vota. Nëse nuk garantohen zgjedhje të lira e të ndershme, vendi do të vazhdojë që të vuajë nga skamja dhe varfëria ekstreme. Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votimin dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit dhe një paketë masash ligjore”, tha Kokëdhima.
Kokëdhima tha se, Shqipëria vuan sot nga varfëria dhe papunësia, ndërsa të lumtur janë vetëm një grusht njerëzish të elitës politike dhe të bizneseve të lidhura me ta.
“Populli ynë është në një gjendje shumë të vështirë. Ai vuan nga varfëria, papunësia, sjelljet e këqia, arroganca dhe paaftësia e zyrtarëve për t’i shërbyer dhe zgjidhur punët. Të vjetrit janë të lodhur e të dekurajuar. Të rinjtë nuk kanë asnjë shpresë. Të gjithë duan të ikin sapo t’u krijohet një mundësi. Çdo vit e lënë Shqipërinë jo më pak se 60 mijë forca të afta për punë, kryesisht të rinj. Pavarësisht kësaj, niveli i papunësisë qëndron njësoj i lartë. Populli është i mërzitur masivisht, perceptimi negativ për ekonominë, gjithashtu. Të lumtur janë vetëm një grusht njerëzish të elitës politike dhe të bizneseve të lidhura me ta”, tha Kokëdhima.
Megjithë kritikat e forta që ka lëshuar dje ndaj Ramës dhe PS, megjithëse është përjashtuar nga partia, Kokëdhima ka refuzuar të ikë nga kjo parti.
“Unë nuk ligështohem nga këto veprime. E kam jetën plot dhe e shijoj punën çdo ditë. Jam i majtë në rrënjë, në gjak, në bindje e në qëndrime. Nuk shkoj në parti tjetër, nuk krijoj parti tjetër. Partia ime është Partia Socialiste”, këto ishin fjalët e fundit të deputetit socialist Koço Kokëdhima përpara se partia ta ndëshkonte me “prereje koke” nga detyra e Sekretarit. I ngjanin vargjeve të famshme përpara togës së pushkatimit të shumë armiqve të brendshëm të partisë-shtet, kur para togës së pushkatimit thërrisnin “rroftë partia!”
Prishja e miqësisë mes Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës është zyrtarizuar përfundimisht në Asamblenë e Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje, dje u votua për përjashtimin e ish-deputetit Kokëdhima nga të gjitha strukturat e partisë.
Pasi Koço Kokëdhima përfundoi fjalën e tij pa kamera në Asamblenë e PS, u largua nga salla, duke e ditur se kolegët e tij do të votonin për ta përjashtuar. Dhe kështu ndodhi falë kërcënimit nga Kryeministri Edi Rama.
Burimet nga mbledhja e sotme thonë për Syri.net se, sapo Koço Kokëdhima u largua, Edi Rama foli nga vendi duke iu drejtuar anëtarëve të PS: “Ju e dini si do të votoni. O unë o ai këtu”.
Edhe gjatë fjalës së ish-deputetit ka patur incident, pasi Taulant Balla dhe Erion Braçe ofendonin dhe fyenin Kokëdhimën, duke e ndërprerë.
Ka lëshuar akuza të forta në Asamblenë e PS-së, ish-deputeti i përjashtuar Koço Kokëdhima. Gjatë fjalës së gjatë që kishte përgatitur për të mbajtur në asamblenë socialiste, Kokëdhima ka hedhur akuza për Edi Ramën në lidhje me plehrat.
“Edhe inceneratorin e Bechetit, Rama po e vë në jetë. Inceneratorët janë e vetmja gjë e re në rrethanat e pas vitit 2013.
U kthye ligji i importit të mbetjeve vetëm për të ushqyer këto monstra me plehra të valorizuara të Italisë. Rama i preu në besë qytetarët dhe ambientalistët dhe i ka lënë që të gdhihen jashtë në gjithë këto netë dimri. Ky është një turp i madh”, u shpreh Kokëdhima…
Kokëdhima-Ramës: E ke kthyer partinë në sh.p.k
..Propozimi i Kryesisë së Partisë Socialiste për shkarkimin tim nga Sekretar u justifikua publikisht me mungesat e mia në mbledhje. Në të vërtetë unë kam munguar në mbledhjet e qershorit dhe të korrikut, ndërsa nga gushti e këtej, nuk jam njoftuar në mënyrë të qëllimtë për të mos marrë pjesë në asnjë mbledhje. Në 18 tetor i shkruajta kryetarit të partisë këtë mesazh: “Dje ishte mbledhja e radhës e Kryesisë së PS-së për të cilën nuk më keni njoftuar dhe nuk më keni mundësuar pjesëmarrjen, njësoj siç bëtë edhe në shtator. Kjo ndodh me siguri me urdhrin tuaj. Edhe sh.p.k.-në tuaj ta kishit atë parti, do ishit më formal e më institucional, edhe kur eliminoni ata që i shpallni kundërshtarët tuaj”!
E njëjta situatë ndodhi edhe në mbledhjen e dy javëve më parë, kur, megjithëse u diskutua për shkarkimin tim, drejtuesit e partisë nuk më thirrën që të më dëgjonit, të më jepnit mundësi për t’u shpjeguar e për t’u mbrojtur. Kjo është një dëshmi tjetër se shkarkimi im kishte nisur shumë kohë më parë, pikërisht kur Gjykata Kushtetuese hoqi mandatin tim në datën 9 maj 2016. Vetëm një ditë më pas, u mblodh kryesia e partisë. Mua, qëllimisht, nuk më njoftuan që të marr pjesë. Në këtë mbledhje u zëvendësova nga funksionet e mia në Vlorë, pa asnjë diskutim paraprak, pa asnjë njoftim, pa asnjë këshillim.
…ju ndëshkoni njerëzit tanë për shkak të ideve të tyre politike. Këtë kulturë, Shqipëria e ka kapërcyer që me përmbysjen e diktaturës komuniste. Ata janë shumë të rinj dhe do të jetojnë gjatë. Sa të jetojnë ata, do të mbahen mend e do të tregohen këto historitë tuaja.
…nëse populli nuk e do një deputet, nuk ndodh asgjë, ai do jetë prapë deputet, sepse e do kryetari i partisë. Nëse deputeti diskreditohet, nuk ndodh asgjë. Kryetari e riciklonm duke e transferuar në një qark tjetër në zgjedhjet e radhës. Nëse populli të do, nuk ndodh asgjë, deputet bëhesh vetëm kur të do kryetari. Po s’të do kryetari, nuk ke vend në parti. Populli voton, kryetari i partisë zgjedh. Kryetari është bërë si pronar i partisë. Ky është sistemi i partitokracisë, një sistem i kalbur e i dështuar.
…Partia Socialiste nuk është prona personale e Edi Ramës. Ai emëron deputetët, edhe këshilltarët, edhe kandidatët për kryetarë bashkie, edhe drejtorët, edhe çdo pozicion në parti.
Arben SHAHINI
Ambasadori sharlatan, SHBA e tërhoqi prej hundësh Eskobari
Vetëm pak ditë më parë ambasadori amerikan Lu, fajësoi policinë për mosarrestimin e baronit të drogës, Klement Balili, ndërsa dje ka ardhur përgjigjja e Ramës me një fjalor rrugësh duke sulmuar direkt Shtetet e Bashkuara dhe me nënkuptim ambasadorin Lu. Ai i konsideroi “zëra të tillë si sharlatanë”, ndërsa shtoi se “nuk lejon askënd që të sulmojë ministrin e tij të Brendshëm”.
“Patjetër që ne kemi beteja për të bërë, por unë e refuzoj ngado që të vijë, qoftë nga sharlatanët, qoftë nga dashamirësit që të goditet Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm për Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj! Unë e refuzoj ngado që të vijë, qoftë nga sharlatanët qoftë nga dashamirësit që të goditet Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm për Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj, nuk pranoj leksione nga askush dhe ata që duan të më japin leksion le të më tregojnë; a ishte përfshirë qeveria amerikane, a ishte i përfshirë sekretari i Mbrojtjes apo sekretari i Punëve të Brendshme me Eskobarin kur shteti më i fuqishëm i botës investoi burime të panumërta materiale dhe njerëzore dhe për vite të tëra u tërhoq për hunde nga Eskobari. Pse? Se ishin të përfshirë?”.
I Çmenduri
Ishte mesi i prillit të këtij viti kur Edi Rama në një dalje të stisur në “CNN” do të sulmonte me të gjitha bateritë, kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot zyrtarisht president, duke e etiketuar si fatkeqësi për amerikanët. Më parë e kish quajtur dhe turp të civilizimit. Askush s’e kuptoi asokohe se përse kryeministri i një vendi të vogël, dashamirës ndaj kombit të madh kthehej në kamikaz për diçka që u përkiste zgjedhësve amerikanë. Pa u shuajtur mirë jehona e këtyre deklaratave, vetëm 3 ditë pas votimit zyrtar të Kolegjit Elektoral në SHBA, Rama do të niste një tjetër sulm ndaj SHBA, por këtë herë ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Në rast se në prill stisi daljen në “CNN” apo në disa media shqiptare, këtë herë ai stisi një Asamble të Partisë Socialiste ku vendimi më i rëndësishëm do të ishte ai i përjashtimit të Koço Kokëdhimës nga funksionet me motivimin për “qëndrime antiparti”, për të sulmuar këtë herë përfaqësuesin amerikan në vendin tonë. Duke e konsideruar si sharlatan.
Shpërthim i pakontrolluar
Po pse ky shpërthim i pakontrolluar i kryeministrit? Vetëm pak ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë do të shtronte pyetjen se përse Balili vazhdon të bredhë ende i lirë nëpër rrugët e Tiranës, duke shtuar se qeveria amerikane do të jepte një mbështetje të kushtëzuar në rast nuk arrestohej Escobari i Ballkanit. E natyrisht, kjo mesa duket ka qenë e tepërt për gjendjen e rënduar psikologjike të kryeministrit. Dhe ja si i përgjigjet ai ambasadorit Lu, përfaqësuesit të kombit të madh, të cilin deri dje kryeministri e përdorte si staturë mbrojtëse për pehlivanllëqet e veta, kur thoshte vend e pa vend “pyesni Departamentin e Shtetit”. “Dallimi është i madh, sepse deri dje do të ishte në kërkim, do të ishte i ulur këmbëkryq, duke ngrënë mish qengji e duke drekuar bashkë me drejtorët e Policisë, e duke dalë në Facebook. Sot është i fshehur vrimave dhe herët ose vonë do të shkojë mbrapa hekurave. Shumë e lehtë, më shumë se sa e lehtë shumë e ulët të akuzosh ministrin e Brendshëm se nuk arrestohet sot një kriminel i shumëkërkuar. Mund të kërkosh llogari, mund të bësh hetim, por s’mund të dalësh në Parlament e nëpër konferenca dhe të thuash arrestoni Balilin sot”… Deklaratë e denjë për vendet ku droga dhe korrupsioni qeveritar janë shtruar këmbëkryq dhe liderët e saj janë kthyer në shqetësim për të tjerët. Në fakt, Departamenti i Shtetit foli dhe kërkoi me ngulm që Balili të arrestohet. Ai Klement Balili, që kryente qokat qeveritare. Ai, i cili kryente qokat e Ramës dhe të tijve sa herë shkonte në Sarandë. Ai, të cilit Rama i dërgoi në inaugurimin e Santa Quarantës, ministrin e tij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ai, të cilin Rama, e mbante drejtor të Transporteve të Sarandës, ai të cilin Rama prej shtatë muajsh nuk e arreston dhe në sirtaret e ministrive të tij ndodhen dhjetë mijë faqe akuza. Këto janë fakte, të cilat janë bërë të ditura, por ka dhe të tjera që tregojnë lidhjet e tij me këtë eksponent të krimit të organizuar, si financimi i fushatave apo blerja e votave me paratë e Balilit. Dhe nga kjo duket se nuk shpëton dot zemërimi ndaj amerikanëve.
Sulmi ndaj ambasadorit Donald Lu
“Patjetër që ne kemi beteja për të bërë, por unë e refuzoj ngado që të vijë qoftë nga sharlatanët, qoftë nga dashamirësit që të goditet Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm për Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj!
Nuk pranoj leksione nga askush dhe ata që duan të më japin leksion le të më tregojnë; a ishte përfshirë qeveria amerikane, a ishte i përfshirë sekretari i Mbrojtjes apo sekretari i Punëve të Brendshme me Eskobarin kur shteti më i fuqishëm i botës investoi burime të panumërta materiale dhe njerëzore dhe për vite të tëra u tërhoq për hunde nga Eskobari? Pse? Se ishin të përfshirë?
Jo në asnjë mënyrë! Kjo nuk është një luftë e lehtë, nuk është një luftë që përkthehet gabim siç përkthehen opinionet e Komisionit të Venecias apo raportet e Bashkimit Evropian. As duke mbajtur fjalime balte në Parlament dhe as duke cituar librat e Saliut. Klement Balili është në kërkim siç janë në kërkim sot bosët e narkotrafikut edhe në Amerikë, edhe në Itali edhe në të gjithë botën”.
Armand MAHO
Roma “ok”, e mbylli vitin me fitore
Roma e mbylli vitin me fitore, duke mundur 3-1 Chievon në Serie A. Verdhekuqtë shkurtuan në 4 pikë diferencën me Juventusin kryesues, ndërsa thelluan distancën me Napolin ndjekës. El Shaarawy ishte protagonisti i madh i kësaj sfide, me një gol fantastik në fundin e pjesës së parë. Ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë “Faraoni” bëri gjithçka mirë në zonë kur shërbeu për Dzekon golin e 2-1. Përpara shpërthimit të El Shaarawy-t, Chievo megjithatë mendoi se mund të bënte surprizën e madhe kur shënoi me numrin 1 të saj, De Guzman. Pavarësisht kthesës së Romës në pjesën e dytë, skuadrës së Spallettit iu nevojit pak kohë deri në mbylljen e sfidës, me Perottin që shënoi vetëm në të 92-ën nga pika e bardhë golin e 3-1.
Napoli humbi terren me Romën, pasi barazoi 3-3 një ndeshje spektakolare me Fiorentinën, ku nuk i shërbeu as goli fantastik i Insignes për të marrë fitoren. Në fundin e pjesës së parë, Fiorentina fitoi madje dhe një 11-metërsh, por Kalinic me një gjest të madh sportiv i bëri të ditur gjyqtarit se nuk ishte penallti për skuadën e tij. Ndershmëria u shpërblye në pjesën e dytë, kur Fiorentina përmbysi rezultatin deri në shifrat 3-2 me një dygolësh të Bernardeschit dhe Zarates, por në minutën e 93-të kur vjollcët menduan se fituan Napoli gjeti një 11metërsh që e shndërroi në gol Gabbiadini që arriti t’i japë një pikë të tijve.
Një ndeshje spektakolare ku janë regjistruar përmbysje të herëpashershme të situatave ishte ajo mes Fiorentinës dhe Napolit. Skuadra e Hysajt, si zakonisht titullar, kaloi dy herë në avantazh me anë të Insinje dhe Mertens, por la shumë për të dëshiruar në fazën mbrojtëse, duke u arritur nga golat e Bernardeskit. Në minutën e 82-të, Zarate shënoi golin që mendohej se do të mbyllte ndeshjen, por një penallti e minutës së 94-të, e realizuar nag Gabiadini vendosi barazimin përfundimtar 3-3.
Edhe më e pabesueshme ishte ndeshja mes Kaljarit dhe Sasuolos, ku miqtë e panë veten në avantazh 3-1 në minutën e 58. Por gjithçka ndryshoi brenda 18 minutash, ku Kaljari shënoi 3 herë për të marrë një sukses 4-3 që e largon nga zona e rrezikshme e klasifikimit.
Peskara e shqiptarëve, ku në fakt luajti vetëm Memushaj, mbylli vitin me një barazim të vështirë në transfertë ndaj Palermos. Vendasit kryesuan deri në shtesën e ndeshjes, ku një penallti u dha shansin e barazimit miqve. Pas dy penalltive të humbura së fundmi, Memushaj nuk e mori përsipër të gjuante vetë nga pika e bardhe dhe goditjen e kreu Biragi, i cili realizoi saktësisht duke i siguruar një pikë ekipit të tij.
Përforcime dimri
Interi kërkon përforcime për mesfushën dhe drejtuesit kanë bërë një listë të gjatë me alternativa, të cilat mund të ndihmojnë zikaltërit për të bërë hapin cilësor të radhës. Emri i parë, sipas mediave italiane, është Zhoao Mutinjo. Portugezi është shumë pranë largimit nga Monako, ku merr një rrogë prej 4 milionë eurosh në vit, por ku nuk luan rregullisht, aq sa në këtë sezon ka luajtur vetëm 9 ndeshje si titullar.
Meqë klubi po mendon ta largojë, edhe Interit i pëlqen shumë si alternativë. 30-vjeçari ka një kontratë që mbaron në qershorin e vitit 2018 dhe tërheq shumë zikaltërit, të cilët synojnë ta huazojnë në janar para se ta blejnë përfundimisht gjatë verës.
Ndërkohë, po monitorohen lojtarë të tjerë. Mendohet se Interi i ka kërkuar PSG-së polakun Gregorz Kriçoviak, por ka marrë përgjigje negative, por palët do të rifillojnë bisedimet në verë. Luiz Gustavo është një tjetër emër që tërheq, por për momentin Volfsburgu nuk është i interesuar për para, por për të mbijetuar, meqë gjendet pranë zonës së ftohtë të klasifikimit.
Emri tjetër, është ai i Lasana Diarra. Ish-futbollisti i Real Madrid mund të largohet nga Olimpik Marseja, por kartoni i tij kushton 10 milionë euro, po aq sa i detyrohet Lokomotivit të Moskës, pasi klubi francez nënshkroi me lojtarin para se ai të kishte ndërprerë kontratën me rusët.
Mauro Ikardi është lojtari simbol i Interit. Sulmuesi argjentinas është njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës dhe më të vlefshëm të Europës.
Portalet argjentinase e kanë vlerësuar së tepërmi 23-vjeçarin, duke nxjerrë në pah një statistikë interesante. Ai është sulmuesi më i vlefshëm i pesë kampionateve më të rëndësishme në Europë, pasi ka “gisht” në 19 gola të Interit. Ai është autor i 14 golave dhe 5 asisteve. Në këtë aspekt, Mesi është larg, pasi ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 3 asiste, ndërsa Ronaldo ka shënuar 10 rrjeta dhe i ka ndihmuar shokët ekipit që të gjenin golin vetëm dy herë.
Maurito këtë sezon po ecën me hapa gjigantë, pasi në 18 ndeshje ka shënuar plot 14 gola. Nëse do të vazhdojë kështu, atëherë 23-vjeçari do ta mbyllë kampionatin në kuotën e 30 golave. Edhe pse në ndeshjen me Lacion, ai tregoi se kishte një ambicie të tillë.
Thibaut Courtois drejt Real Madridit?
Thibaut Courtois vë në pikëpyetje të ardhmen e tij. Për momentin trajneri Antonio Conte është i kënaqur me Chelsea-n e tij, pasi është duke kaluar një moment pozitiv, duke arritur 11 fitore radhazi e njëkohësisht, duke u pozicionuar në krye të tabelës së klasifikimit të Premier League me 43 pikë. Fundi i kampionatit është ende larg por, ankthi ka pushtuar Blutë e Londrës, të cilët për sezonin e ardhshëm rrezikojnë të humbasin gardianin e portës së tyre, Thibaut Courtois, i cili duket se po përgatitet për t’u rikthyer në Spanjë, konkretisht tek Reali i Madridit.
Madje, një lajm i tillë nuk përbën aspak një sekret në kampin e Chelsea, sepse vetë belgu i ka rrëfyer shokëve të tij të skudrës planet që ai ka për të ardhmen. 24-vjeçari, i cili më herët ka qenë pjesë e Atletico Madrid për tre sezone, duke fituar një titull kampion në Laliga, Kupën e Mbretit, Europa League dhe arritur finalen e Champions League është shndërruar në një emër që ofron siguri në portë, gjithashtu falë këtyre paraqitjeve është bërë pjesë dhe e listës së portierëve më të mirë. Bisedimet mes palëve ende nuk kanë nisur por, një gjë është e sigurt, nëse Los Blancos do të kërkojnë me çdo kusht transferimin e tij, atëherë në dyert e Chelsea duhet paraqitur një ofertë e majme.
Debutim historik në Serinë A
15 vjeç e 280 ditë. Pietro Pellegri i Genoas, me hyrjen në fushë kundër Torinos në vendin e Rincon, ka barazuar rekordin e debutuesit më të ri në historinë e Serisë A. Një rekord që nuk arrihej prej 79 vitesh, kur në vitin 1937, Amedeo Amadei luajti në ndeshjen Roma-Fiorentina (2-2). Edhe pse nuk arriti ta kalonte ish-qendërsulmuesin e Romës, talenti i Genoas i ka marrë vendin e dytë të madhit Gianni Rivera në klasifikimin e debutuesve më të rinj. Përsa i përket klubit të Genoas, debutuesi më i ri ka qenë Stephan El Shaarawy, i cili nuk do e ketë më nderin e mbajtjes së rekordit të kuqebluve. Për Pietro Pellegrin, lindur në 17 mars 2001, presidenti Preziosi është shprehur kështu në mars të vitit 2015: “Kam në shtëpi Mesin e ri. Shpresoj vetëm që të mos i hipë vetja në qejf”.
Superduele në Kupën e Mbretit
Kupa e Spanjës, e njohur si Kupa e Mbretit, do të dhurojë duele shumë të forta që në turin e 1/8 të finaleve, ku kanë kaluar të gjitha ekipet pretendente. Fati e desh që ato të ndeshen njëra me tjetrën, pasi goglat e shortit i kanë vënë përballë.
Atletik Bilbao, një skuadër e cila zakonisht ecën në Kupën e Mbretit, do të luajë që në këtë tur ndaj Barcelonës, një duel që ka rezultuar dy herë në 5 edicionet e kaluara në finale, të mbyllur gjithmonë me suksesin e katalanasve.
Sfidë po aq e fortë është edhe Real Madrid-Sevilja, klube të cilat jo rastësisht gjenden edhe në Ligën e Kampioneve dhe kanë pretendime serioze. Ndërkaq, një duel i fortë në letër është edhe ai i surprizës së këtij sezoni në Spanjë, Las Palmas, ndaj Atletiko Madrid të Diego Simeones.
Në çerekfinale do të kalojë medoemos një skuadër e kategorisë së dytë spanjolle, pasi shorti ka caktuar që Alkorkon të ndeshet me Kordobën në këtë raund, të dy skuadra të kësaj kategorie inferiore.