Bosi i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, ka përshëndetur ndryshimet taktike dhe të formacionit të trajnerit Karlo Ançeloti. “Viktimë” e këtij ndryshimi ka qenë Tomas Myler. Sulmuesi gjerman qëndroi në stol dhe vendin e tij në formacion e zuri Tiago. Teksa Myler po përjeton një krizë golash dhe nuk po përshtatet siç duhet, Rumenige ka zgjedhur ta kritikojë publikisht, ashtu siç bëri me Boatengun në ndeshjen ndaj Rostovit.
“Në ditët e sotme një klub elitar ka nevojë për 16, 17 ose 18 lojtarë cilësorë. Ne kemi kualitet të lartë në skuadër dhe si pasojë 2-3 prej lojtarëve tanë ambiciozë u duhet ta nisin nga stoli, edhe pse të qenët rezervë nuk i lumturon. Kjo situatë i motivon më shumë lojtarët si Myler që në vitin 2017 të bëjnë disa gjëra më mirë”, nënvizoi Rumenige.
Kujtojmë që sulmuesi 27-vjeçar ka shënuar vetëm një herë në 13 ndeshjet e Bundesligës, ndërsa në Champions ka shënuar 2 gola në 6 pjesëmarrje. Në Europian zhgënjeu pa asnjë gol, ndërsa gjatë kualifikueses së Botërorit 2018, ai ka shënuar 4 gola në 6 takime. Pas kritikave ndaj Mylerit, Rumenige ka mbajtur qëndrim të prerë si për kontratën e Robenit dhe merkaton e dimrit.
“Robeni do të qëndrojë në Mynih. Kam bërë disa biseda me babain e tij dhe jemi në rrugë të mbarë. Arjenit i pëlqen të vazhdojë të jetë pjesë e Bajernit dhe ne e duam këtë gjë. Besoj se në janar do të kemi finalizuar kontratën e re”, tha Rumenige, duke mbyllur merkaton e dimrit, – “Pata një bisedë me trajnerin Ançeloti dhe organika është e plotësuar. Vetëm Boateng është i dëmtuar dhe ai do të rikthehet shumë shpejt”.
Presidenti i Bajernit i kujton Mylerit humbjen e penalltisë vendimtare në gjysmëfinalen e Championsit ndaj Atletiko Madridit. “Myleri po jepte shumë rezultate, por tersi nisi nga humbja e penalltisë ndaj Atletikos. Nga ai moment nuk ka zbritur ende me këmbë në tokë. Megjithatë, unë jam i bindur që, Tomasi do të shënojë rregullisht”, deklaroi Uli Hënes gjatë një interviste për revistën e klubit.
Rumenige thumbon Mylerin
PSG fillon planin e të ardhmes
Klubi i PSG u ka dhënë fund të gjithë zërave të merkatos, duke rinovuar me kapitenin Tiago Silva, deri në vitin 2020. Braziliani ishte pranë fundit të kontratës me parisienët dhe prej disa javësh kishin filluar diskutimet për largimin e tij nga kryeqyteti francez me destinacion Italinë. Por dje u bë e ditur nga të dy palët se lojtari kishte zgjatur kontratën dhe nuk do të largohej, duke blinduar praktikisht prapavijën e skuadrës.
Ndërkaq, mediat franceze kanë bërë të ditur se po gjatë ditës së djeshme është arritur akordi për blerjen e gjermanit Julian Draksler. Lojtari u ka kushtuar 36 milionë euro parisienëve, e njëjta shifër që i kushtoi Volfsburgut blerja e kartonit të tij nga Shalke 18 muaj më parë.
Njëkohësisht, është pranë finalizimit shitja e Hese Rodriguez. Spanjolli nuk ka bindur në asnjë moment në Paris dhe është gati të transferohet te Las Palmas, klub i cili do të paguajë 25 milionë euro për ish-sulmuesin e Real Madrid.
Marco Verrati është një ndër futbollistët më të kërkuar në merkato. Mesfushori i Kombëtares italiane në muajt e fundit është përfolur për një transferim të mundshëm te disa prej klubeve më të mëdha të Europës, duke nisur që nga Juve e deri te Bajerni, nga Reali te Barcelona, por ish- futbollisti i Peskarës me një intervistë të fundit qetëson tifozët e skuadrës së tij aktuale, PSG. “Jam mirë në Paris, nuk shikoj asnjë arsye se përse duhet të largohem. Unë punoj për të fituar sa më shumë që të jetë e mundur, ëndrra ime është ajo që të fitoj këtu për momentin”, u shpreh Verrati.
Momenti i PSG në kampionat nuk është dhe aq i mirë, pasi parizienët po bëjnë më keq se vitet e fundit, duke qëndruar pas Nisë në klasifikimin e Ligue 1. “Jemi ende në garë për të gjithë objektivat. Në futboll duhet të mendosh gjithmonë për të atshmen, kur të rikthehemi në fushë do të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe do të përpiqemi të bëjmë maksimumin”, tha ai.
Verrati bëri një bilanc të shkurtër edhe për 2016 në aspektin personal, një vit i kushtëzuar nga dëmtimet. “Ishte një vit i vështirë për mua, por janë pikërisht vështirësitë ato që të mundësinë të rritesh si njeri. Kam qenë jashtë fushe për shumë kohë dhe futbolli për mua është gjithçka. Nuk ishte një vit shumë i bukur në aspektin personal, por si skuadër bëmë mirë, pasi fituam 4 titull”, përfundoi Verrati.
“Fergusoni” i ri
Mançester Junajtid nuk po bën një sezon shumë të mirë, por drejtuesit janë gati të mendojnë për të ardhmen dhe të hartojnë plane afatgjata. Mediat angleze janë të sigurta se Zhoze Murinjo mund të jetë Fergusoni i ri i Junajtid, pasi është gati të firmosë një kontratë 10-vjeçare me “djajtë”.
Drejtuesit janë bindur nga plani i portugezit dhe mënyra se si po luan Junajtid, pavarësisht se nuk ka shumë rezultate pozitive dhe duan të bëjnë këtë lëvizje për t’i treguar trajnerit mbështetjen dhe besimin e plotë që kanë. Në të ardhmen do të kuptohet më mirë nëse Murinjo ka dëshirën për të firmosur për 10 vite të tjera, sepse ai njihet si një trajner që ka dëshirë të eksperimentojë dhe të provojë kampionate të ndryshme.
Për ta bindur Murinjon të pranojë diçka të tillë, drejtuesit e Junajtid kanë gati edhe dhuratat për merkaton. Emri më i nxehtë që qarkullon në mediat angleze, por edhe ato italiane është ai i sulmuesit të Atletikos, Antuan Grizman. Junajtid është gati të ofrojë 70 milionë euro drejt klubit të Simeones për ta transferuar francezin në Angli. Pogba do të ketë një rol të rëndësishëm për ta bindur shokun e tij të kombëtares franceze.
Një tjetër lëvizje në sulm është ajo e Ibrahimoviçit. Agjenti i suedezit ka thënë se futbollisti do të qëndrojë në Angli edhe sezonin e ardhshëm duke larguar të gjitha zërat e merkatos. “Ibra nuk është lojtar i mbaruar akoma, që të shkojë të luajë në Kinë. Ai ka dëshirë të qëndrojë edhe një vit tjetër te Junajtid. Do të vazhdojë të japë kontributin e tij në këtë skuadër dhe ta ndihmojë për të arritur rezultate pozitive”, ka thënë Mino Raiola.
Tregu kinez i futbollit po tërheq emra të rëndësishëm lojtarësh dhe trajnerësh, pasi shifrat që ofrohen janë stratosferike. Nuk u ka shpëtuar zërave për një transferim të mundshëm në kampionatin kinez as Zhoze Murinjo, por është vetë trajneri i Mançester Junajtid, i cili sqaron se për të është ende herët t’i japë fund karrierës futbollistike në nivelet më të larta.
“Paratë që vijnë nga Kina po i joshin të gjithë, por unë e dashuroj futbollin e nivelit më të lartë. Në moshën 53-vjeçare, jam shumë i ri për t’iu bashkuar futbollit kinez. Dua të fitoj akoma dhe këtë dëshiroj ta bëj në kampionatin më të vështirë. Këtu jam në vendin e duhur”, u shpreh Murinjo.
Kontrata aktuale që e lidh portugezin me Mançester Junajtid përfundon pas tre vitesh, po tabloidët anglezë shkruajnë për një propozim shumë të rëndësishëm të drejtuesve të “Djajve të Kuq”. Zgjatje të kontratës për 10 vite të tjera. Gjithsesi, 53-vjeçari nuk rrëmbehet nga entuziazmi. “Nuk më kanë ofruar asgjë. Më kanë mbështetur shumë dhe gjithmonë kam menduar se tre vjet janë pak për mua në këtë klub të madh. Unë e dashuroj punën te Mançester Junajtid, këtu e dinë se nëse më ofrojnë një kontratë të re, e firmos menjëherë”, tha ai.
Rumania nuk do të ketë më Steaua të Bukureshtit
“Steaua pa emër”, ishte titulli i një programi muzikor rumun në periudhën e diktaturës së Çausheskut, por që duket se po gjen vend edhe në ditët e sotme. Është një histori që ka të bëjë pikërisht me Steauan e Bukureshtit, që tashmë nuk do të ekzistojë më, të paktën jo me këtë emër. Presidenti i skuadrës më të rëndësishme rumune, Gigi Becali ishte përfshirë në një proces gjyqësor me Ministrinë e Mbrojtjes së vendit ballkanik, me këtë të fundit që rezultoi e fituar në këtë betejë ligjore. Gjykata vendosi që të mos e lejojë më Becalin, që kjo skuadër të vazhdojë të mbajë emrin e Steauas, një vendim që gjithsesi ai ka të drejtë ta apelojë.
Skenaret e mundshme të bëjnë të mendohet se klubi do të kthehet tek emri “FCSB” dhe se rilindja e këtij klubi do të nisë nga divizioni i katërt i kampionatit rumun. Është pikërisht Ministria e Mbrojtjes, ajo që ka bërë të ditur zyrtarisht se Steaua do t’i nënshtrohet ndryshimeve të mëdha, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm. Por jo vetm kaq, Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar Becalit edhe një dëmshpërblim prej 37 milionë eurosh, për shkak se përdori emrin e Steauas në 13 vitet e fundit, pa e pasur të drejtën për një gjë të tillë.
Pavarësisht gjithçkaje, tifozët e Steauas duket se nuk kanë ndërmend ta lënë skuadrën e tyre. 45% e tyre kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë ta ndjekin Steauan, që do të drejtohet nga Marius Lacatus, ish-sulmuesi i Fiorentinës. Steaua është skuadra me më shumë trofe në Rumani, me 26 tituj kampionë, 22 Kupa të Rumanisë dhe 6 Superkupa. Ky klub ka në palmaresin e tij edhe 1 Kupë Kampionesh, atë të fituar më 1986-n me penallti në finalen kundër Barcelonës.
Shqipëria e 49 në renditjen e FIFA-s
Shqipëria e mbyll 2016, vitin e saj më të suksesshëm ku realizoi për herë të parë ëndrrën e pjesëmarrjes në fazën finale të një kompeticioni madhor, Europianin francez, në vendin e 49 në renditjen botërore të FIFA-s. Klasifikimi i kuqezinjve nuk pësoi asnjë ndryshim në përditësimin e fundit për muajin dhjetor, ashtu si shumica absolute e kombëtareve të tjera me Shqipërinë e futbollit që e mbyll vitin e 49-ta, 11 shkallë më poshtë nga sa e nisi. Në janar të 2016 kuqezinjtë renditeshin të 38-ët në klasifikimin botëror ndërsa pozicionimi më i mirë i tyre për 12 muajt që lëmë pas ka qenë në mars me Shqipërinë që klasifikohej në vendin e 35 në botë. Padyshim që ky ishte një vit i veçantë për futbollin e Kosovës që këtë vit realizoi njohjen ndërkombëtare duke u bërë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s.
Kosova mori pjesë kështu për herë të parë në eliminatoret e një kompeticioni madhor, ato të Botërorit 2018, përfaqësuesja e shtetit më të ri të Europës e mbyll vitin në vendin e 165 në renditjen globale, ku u përfshi për herë të parë në muajin gusht duke e nisur nga vendi i 190-të. Rruga e ngritjes në nivelet e larta është e vështirë, por e rëndësishme është se ajo ka nisur dhe Kosova e ka bërë hapin e parë të madh. Për sa i përket kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin G të kualifikueseve të botërorit, më lart nga të gjithë vazhdon të qëndrojë Spanja që mbyll dhjetëshen e parë në botë, Italia vazhdon të qëndrojë në vendin e 16-të, Izraeli ndodhet në shkallën e 55 të klasifikimit, Maqedonia renditet e 162-ta, ndërsa si në grup edhe në renditjen e FIFA-s më poshtë qëndron Lihtenshtejni që ndodhet në vendin e 189. Për sa i përket kryesuesve në rang botëror edhe këtu nuk ka asnjë ndryshim me Argjentinën që e mbyll në krye, e ndjekur nga Brazili dhe Gjermania.
Llullaku firmos me Astanën
Azdren Llullaku është zyrtarisht një futbollist i Astanës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare firmosi këtë të premte një kontratë dyvjeçare me skuadrën kampione të Kazakistanit. Nga detajet e marrëveshjes, mësohet se Llullaku do të përfitojë 500 mijë euro në sezon duke përfituar një pagë më të lartë se ajo prej 35 mijë euro në muaj që ishte bërë fillimisht e ditur. Marrëveshja është mbyllur mes futbollistit, menaxherit të njohur Shkumbin Qormemeti dhe drejtorit ekzekutiv të klubit të Astanës, Bekenov Kaisar Raufovic.
Lojtari do të transferohet që këtë janar te skuadra e tij e re pasi në kontratën e Llullakut me Gaz Metanin ishte e parashikuar që në rast të një oferte prej datës 15 dhjetor 2016 deri më 5 janar 2017 klubi rumun do të ishte i detyruar ta linte të lirë futbollistin, siç edhe ndodhi në fakt me 28-vjeçarin që tashmë është gati të nisë një aventurë të re.
Te Astana, Llullaku do të ketë mundësi të luajë dhe në një kompeticion të rëndësishëm europian, pasi me titullin kampion të fituar kampionia e Kazakistanit luan direkt në fazën play off të Champions dhe në rast se nuk arrin të kualifikohet ka të sigurtë gjithsesi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League, ndaj për sulmuesin kuqezi viti i ardhshëm pritet të sjellë një vitrinë të rëndësishme për të. Nga kontrata e re Lllullaku pritet të përfitojë 15 herë më shumë seç merrte te skuadra e Gaz Metanit, ku ishte jo vetëm kryegolashënues i kampionatit rumun, por gjithashtu dhe pretendent për “Këpucën e Artë” të Europës, ku me 16 gola është mes shënuesve më të mirë në kontinent.
Terroristi i Berlinit vritet në Milano
I dyshuari për sulmin në Berlin është vrarë në Itali, njofton “Ansa”. Në Milano të Italisë është vrarë dje i dyshuari për sulmin në Berlin, Anis Amri. Këtë lajm të agjencisë italiane të lajmeve “Ansa”, e ka konfirmuar ndërkohë edhe Ministria e Brendshme italiane. Ministri i Brendshëm italian, Marco Minniti konfirmoi se i vrari është identifikuar dhe ai është i dyshuari për sulmin në Berlin, Anis Amri.
Autoritetet italiane thonë se 24-vjeçari nga Tunizia, Anis Amri është vrarë nga policia gjatë shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri. Në njoftimet e para thuhet se Anis Amri është identifikuar gjatë një kontrolli të rregullt të policisë.
Ai ka qëlluar i pari në drejtim të policisë me armë zjarri, por nuk ka të dhëna për pasoja të tjera në njerëz. Anis Amri ishte duke shkuar në këmbë kur policia ka kërkuar të identifikohet. Në vend të dokumenteve, ai ka nxerrë armët dhe ka qëlluar. Autoritetet gjermane thonë se menjëherë kanë kontaktuar autoritetet italiane dhe janë në fazën e shpjegimit të ngjarjes. Ministria e Brendshme italiane ka bërë të ditur se nuk ka persona të tjerë të vrarë apo plagosur.
Autoritetet gjermane dyshojnë Anis Amrin për sulm në Berlin ku janë vrarë të paktën 12 persona dhe janë plagosur rreth 50. Në kamion janë gjetur dokumente me emrin e tij si dhe gjurmët e gishtërinjve.
Çfarë dimë për Anis Amrin?
I dyshuarit për aktin terrorist në Berlin ka ardhur në vitin 2015 në Gjermani. Po kush është ai? Sipas dokumenteve Anis Amri mbushi më 22 dhjetor 2016, tri ditë pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, 24 vjeç. Nëse kjo është e vërtetë shumë e pasigurt, sikurse dhe shumë gjëra të tjera në këtë rast. E sigurt është deri tani vetëm një gjë, që në kamionin me të cilin u sulmua mbrëmjen e 19 dhjetorit tregu i Krishtlindjeve në Berlin, u gjet leja e qëndrimit e Anis Amrit.
Vëllai i kërkoi Anisit të dorëzohet
Anis Amri është shtetas tunizian. Përfaqësues të shumta të mediave kanë folur ndërkohë me familjen e tij në qytetin Oueslatia në verilindje të vendit. Vëllai i tij Abdelkader Amri i bëri thirrje Anisit përmes agjencisë së lajmeve “Associated Press” që t’i dorëzohet policisë.
Anis Amri ka qenë edhe në Tunizi në burg për shitje droge, njofton agjencia frazece “AFP”. Gazeta “Die Welt” shkruan se ai ka qenë i dënuar me pesë vjet burg për grabitje.
Itali: “Klimë tmerri”
Sipas të dhënave të të atit Anis Amri është larguar shtatë vjet më parë nga Tunizia për në Siçili. Aty ka qëndruar në një qendër për refugjatë të mitur dhe shkonte në shkollë, shkruan gazeta italiane “La Stampa”. Sipas kësaj gazete “Ai duhet të ketë qenë tmerri i klasës dhe ka shkaktuar aty një klimë terrori” duke vjedhur të tjerët, kërcënuar dhe sulmuar. “Historia e saj si emigrant në Itali përfundoi me një përpjekje për t’i vënë zjarr shkollës”, shkruan gazeta “La Stampa”, duke cituar dosjen e tij penale. Më pas ai erdhi në Gjermani.
Gjermani: Tetë identitete
Tuniziani erdhi sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të landit NRW në fund të korrikut të vitit 2015 në Gjermani. Që atëherë ai duhet të ketë qenë shumë aktiv dhe ka ndërruar deri në tetë herë identitetin e vet, shkruan “Süddeutsche Zeitung”. Në fotografitë e shumta të publikuar nga autoritetet e policisë dhe mediave, ai duket gjithmonë disi ndryshe: herë me e herë pa syze; herë i qethur shkurt, herë me flokë të gjatë dredha-dredha. Ai ka qenë në lande të ndryshme dhe prej shkurtit 2016 jetonte në Berlin.
Shumë shpejt Anis Amri ka rënë në sy të autoriteteve gjermane dhe për të dyshohej se po përgatiste një vepër të rëndë dhe të rrezikshme. Një arsye ishte përpjekja e tij për të blerë armë automatike. Ende e paqartë është se ç’lloj kontaktesh ka pasur ai me qarqet islamiste në Gjermani dhe me predikuesit salafistë. Sipas mediave që u referohen organeve të sigurisë ai ka qarkulluar në rrethet e salafistëve dhe ka qenë edhe në banesat e tyre, por nuk ka të dhëna për kontakte të ngushta.
Vendndodhja
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme nga marsi deri në shtator 2016 Anis Amri ka qenë nën vëzhgim si person i rrezikshëm islamist. Por sipas hetimeve rezultonte se ai merrej me tregti droge në një nga parqet e Berlinit. Për këtë në shtator observimi i tij u ndërpre.
Prej dhjetorit ai është zhdukur nga radari i organeve të sigurisë, edhe pse në fakt ai duhej të dëbohej nga Gjermania, sepse i ishte refuzuar kërkesa për azil. Për Anis Amrin dihen pra shumë gjëra. Madje thuhet se në kamion janë gjetur edhe gjurmët e gishtërinjve të tij.
Terroristët duan që ne të jetojmë ndryshe
Kohezioni dhe bashkimi i radhëve brenda shoqërisë sonë është mjeti më i mirë kundër tmerrit të terrorizmit. Dhembje, tmerr, keqardhje. Ku do të çojë sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Berlin? Për terroristët përgjigjja është e qartë: ai do të shkaktojë frikë dhe tmerr, reagime të gabuara dhe do ta përçajë shoqërinë tonë. Kjo do t’ua lehtësonte terroristëve rekrutimet e personave të përjashtuar. Kurse ne do të na grabiste vlera të tilla si liria, bashkëjetesa dhe ndenja se jetojmë në siguri.
Ne gjendemi në “luftë” kundër terrorizmit, thonë disa. Unë mendoj se ky është një përcaktim i gabuar. “War against terror” ishte motoja e ish-presidentit amerikan Bush. Me të drejtë që në atë kohë u kritikua ideja që të flasësh për luftë në këtë kontekst. A gjendemi tani në gjendje të përhershme lufte, për shkak se veprat terroriste nuk mund të përjashtohen asnjëherë njëherë e përgjithmonë? A duhet të konsiderohen terroristët si palë lufte edhe pse ata janë kriminelë? Sigurisht që jo. Kur flasim për luftë, rrjedh si pasojë një fokusim tek masat ushtarake në vend të luftimit gjithëpërfshirës të terrorizmit.
Lufta kundër terrorizmit duhet bërë me mjetet e policisë, të shërbimeve sekrete dhe në rast nevoje, si kundër IS-it edhe me ushtarake. Sikurse edhe me një politikë të mençur. Frika përhapet nëse terroristët arrijnë të prodhojnë në shoqëri mosbesim ndaj organeve të sigurisë, shtetit, mediave, ndaj të gjithëve që nuk janë si ne, ndaj pakicave. Për këtë tani duhet të heqim dorë nga spekulimet publike, që vështirësojnë edhe punën e organeve të sigurisë.
Si mund të mbrohemi?
Në këtë mes nuk është fjala vetëm për t’u mbrojtur prej sulmeve, por edhe prej frikës. Organet tona të sigurisë kanë penguar deri tani mjaft sulme dhe punojnë për ta përmirësuar mbrojtjen e popullsisë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe veprimtarisë së policisë dhe të shërbimeve sekrete. Ne duhet të ndjekim rekomandimet e tyre për kujdes dhe vigjilencë. Të gjitha këto masa sigurie nuk sjellin me vete mbrojtje 100%, por një siguri mjaft të madhe për të mos u bërë viktimë e ndonjë sulmi terrorist.
Por frika mbetet megjithatë. Një recetë të përgjithshme kundër saj nuk ka. Por ne duhet t’u besojmë autoriteteve të sigurisë se ato bëjnë gjithçka është e mundshme për sigurinë tonë dhe për të penguar vepra terroriste. Po ashtu, ne duhet të informohemi përmes mediave serioze dhe jo përmes blogjeve të dyshimta dhe të mos besojmë çdo thashethem, vetëm se ky përhapet përmes Facebookut.
Shfrytëzimi i momentit nga partitë e djathta
Grupe dhe parti të radikale të djathta si AfD-ja po përpiqen t’i nxisin tani frikërat tona. Por forca e shoqërive tona të hapura dhe pluraliste qëndron tek fakti që ne mund të jetojmë në paqe me njëri-tjetrin edhe pse jemi të ndryshëm. Baza e kësaj është respekti dhe besimi reciprok. Prandaj ne nuk duhet që kur një terrorist i përket një grupi apo pakice ne ta fajësojmë të gjithë grupin. Refugjatët nuk kanë as më shumë e as më pak lidhje me një sulm terrorist që bën një refugjat, sa edhe njerëzit e tjerë.
Terroristët duan që ne të jetojmë ndryshe. Që prej frikës të mos shkojmë më në tregjet e Krishtlindjeve apo stadiume, të mos përdorim mjetet e transportit publik, të bëhemi mosbesues dhe të mos i besojmë më askujt. Ne duam krejt të kundërtën. Kohezioni dhe bashkimi i radhëve brenda shoqërisë sonë, është mjeti më i mirë kundër tmerrit të terrorizmit.
Ushtria siriane merr nën kontroll Alepon
Alepo, qyteti sirian i shkatërruar nga lufta, u vendos nën kontrollin e ushtrisë siriane, duke shënuar fitoren më të madhe të kësaj ushtrie në afro gjashtë vjet luftë civile.
Qeveria e presidentit Bashar al-Assad ka tani për herë të parë që nga viti 2012 kontroll të plotë mbi Alepon, qyteti me popullsinë më të madhe para luftës.
Forcat kryengritëse ranë dakord të tërhiqen nga qyteti, pas një ofensive të ushtrisë që i nxori ata jashtë 90 për qind të territorit fillestar.
Njoftimi erdhi disa orë pasi autokolona e fundit e banorëve u largua nga qyteti, grupi i fundit në përpjekjen njëjavore të evakuimit.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se deri të enjten rreth 34,000 vetë kishin dalë nga Alepoja Lindore, që kryengritësit e kishin mbajtur nën kontroll për katër vjet në një përpjekje për ta rrëzuar Assadin nga pushteti.
“Një supervit” për presidentin rus

Viti 2016 shihet prej presidentit rus si vit i suksesshëm, sidomos lidhur me politikën e jashtme. Viti që po lëmë pas shihet prej ekspertëve dhe mediave perëndimore si “një supervit” për presidentin rus, Vladimir Putin. Ky ishte një vit pa tronditje për rusët, po të mos kishte qenë atentati ndaj ambasadorit rus në Ankara. Polici që kreu vrasjen tha se e bëri këtë si hakmarrje për qëndrimin e Rusisë ndaj konfliktit në Siri.
Politika e jashtme është për momentin fusha ku Putini mendon se është i suksesshëm. Ndihma ushtarake ruse për presidentin Bashar al-Assad solli kthesën në luftën në Siri. “Rusia është bërë në këtë mënyrë lojtare në nivelin më të lartë ndërkombëtar”, thotë Jens Siegert, ish-drejtues i zyrës së fondacionit Heinrich Bëll në Moskë.
Por Aleksader Rahr, drejtor i Forumit gjermano-rus, thotë se lufta në Siri ende nuk ka marrë fund dhe se, “roli i Rusisë do të vlerësohet sipas përfundimit të kësaj lufte”.
Fitore e pragmatizmit në lidhje me Turqinë
Edhe mbylljen e shpejtë të konfliktit me Turqinë Putini mund ta konsiderojë si fitore. Marrëdhëniet mjaft të mira mes dy vendeve u përkeqësuan pasi në fund të nëntorit 2015 aviacioni turk qëlloi një avion bombardues rus në kufi me Sirinë. Pasi presidenti turk Erdogan kërkoi në qershor falje me shkrim, tani Moska dhe Ankaraja janë sërish partnere dhe koordinojnë veprimet në Siri. Po ashtu, ato po vazhdojnë projektin e ndërtimit të gazsjellësit të Detit të Zi, që është shumë i rëndësishëm për Moskën.
Sipas Andrej Kolesnikov nga qendra Carnegie e Moskës, përmirësimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve lidhet me interesa pragmatike.
Shpresa e Putinit Trumpi
Si suksesi më i madh i politikës së jashtme e Moskës për këtë vit konsiderohen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe fitorja e kandidatit republikan, Donald Trump. Administrata amerikane dhe kandidatja e demokratëve që humbi në zgjedhje, Hillary Clinton, e akuzojnë udhëheqjen ruse për ndërhyrje në fushatën zgjedhore përmes sulmeve të hakerave. Moska e mohon këtë. Prandaj fitorja e Trumpit bën pjesë në kategorinë e atyre ngjarjeve, në të cilën roli i Moskës dhe sidomos ndikimi i saj në rezultatin përfundimtar nuk është dëshmuar përfundimisht.
Por sipas ekspertëve nuk është e sigurt nëse Rusia do të përfitojë nga Trumpi. Rusia u befasua nga fitorja e Trumpit dhe u gëzua edhe më tepër beson Aleksader Rahr: “Trumpi ishte fitore e madhe për Kremlinin”. Nëse presidenti i ardhshëm amerikan do ta nxisë sikurse ka deklaruar afrimin me Rusinë dhe do të vërë në vendin e parë interesa në vend të vlerave, Rusia “mund të përfitojë shumë”.
Asnjë fitore pa amëz
Duke bërë bilancin ekspertët vënë në dukje se shumë suksese të Rusisë këtë vit janë vetëm etapa fitoresh. Qoftë rasti i presidentit amerikan, lufta në Siri apo të çarat në Perëndim, janë zhvillimet që nuk kanë përfunduar ende dhe mund të zhvillohen ndryshe nga ç’shpreson Moska. “Bota multipolare mund të infektohet nga kaosi”, thotë Alexander Rahr.
Kurse eksperti Andrej Kolesnikov thotë përmbledhtazi: ndër frytet e fitoreve të Putinit nuk ka thuajse asnjë që nuk është pak e prishur.