20.6 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Pesë mashtrimet me premtimet e Ramës

Edmond SPAHO

Sot është dita që qeveria derdh lumin e premtimeve dhe sukseseve që do të arrihen vitin e ardhshëm. Kryeministri së bashku me ministrat në një garë pa fund se kush e kush t’i japë më parë popullit sihariqet e vitit 2017 po dalin në foltore dhe me fjalorin “për herë të parë në 25 vjet” dhe “më shumë se 25 vjet të marra së bashku” po na shpjegojnë se qytetarët vitin e ardhshëm do të hanë, do të pinë dhe do të këndojnë sepse kanë kryeministër Lale Gjonë.
Nuk është hera e parë që e dëgjojmë këtë këngë. Eshtë e katërta që nga qershori i vitit 2013. Muaji nëntor për qeverinë është muaj me gaz dhe hare.
Pasi kalon kjo tallava suksesesh ku çmimin si tallavaja më e mirë e merr Kryeministri dhe ministri i Financave, fillojnë dhe i dalin petët lakrorit.
Nis rishikimi i buxhetit, sepse entuziazmi i qeverisë nuk mban më shumë se muaji shkurt. Treguesit fillojnë e hollohen nga i ftohti i dimrit, duke përsëritur të njëjtin skenar dështimesh si në vitin 2014, në vitin 2015 dhe në vitin 2016.
Shtatë herë në ulje është rishikuar buxheti i këtyre viteve: një herë në vitin 2013, dy herë në vitin 2014, tre herë në vitin 2015 dhe një herë në vitin 2016. Eshtë në proces rishikimi i dytë në ulje për vitin 2016 dhe që do të vijë në Kuvend sapo të mbarojë cirku i sukseseve të vitit të ardhshëm.
Buxheti i vitit 2017 është i fundit i këtij mandati qeverisës dhe na jep mundësinë të bëjmë një vlerësim të çfarë na u premtua në qershor të vitit 2013 dhe çfarë na ka mbetur në tryezë pas katër viteve të qeverisjes së Edi Ramës.
Më poshtë po citoj çfarë ka thënë Kryeministri në 11 shtator 2013, kur paraqiti programin qeveritar katërvjeçar:
“Shumëkush përpara se sa të vija këtu për të mbajtur këtë fjalë, fjalën më të rëndësishme të jetës sime politike, më sugjeroi dashamirësisht të shkruaja një fjalim për të ulur pritshmëritë. Shqipëria është në një krizë të gjithanshme, s’ka para, s’ka kredibilitet, s’ka këtë e s’ka atë, prandaj mos ua ushqe njerëzve pritshmërinë super të lartë që kanë ndaj qeverisë së re! Por unë jam shumë i kënaqur me pritshmërinë e lartë ndaj qeverisë. Kemi një skuadër të re, ambicioze, me njerëz të talentuar dhe të përkushtuar, më harmonikë se asnjëherë më parë mes burrave dhe grave, produkt i leximit në respekt të votës së 23 qershorit”.

Premtimi i parë:
“Do ul taksat për 95% të shqiptarëve dhe të varfërit do të paguajnë më pak sepse marrin pak dhe të pasurit do të paguajnë më shumë sepse fitojnë më shumë”.
Që të jemi të ndershëm sot të dy palët paguajnë më shumë, si të pasurit edhe të varfërit, por më shumë se këta në raport me të ardhurat paguan shtresa e mesme e popullsisë të cilës gjatë këtyre katër viteve i janë shtuar një karvan me taksa të reja.
23 miliardë lekë ose 220 milionë $ u rritën taksat në vitin e parë të qeverisë Rama. Tatimi mbi fitimin u rrit nga 10% në 15%, taksa e qarkullimit u rrit me 10 lekë për litër karburant, akciza e duhanit u rrit me 20 lekë për paketë dhe pagat e mesme dhe të larta u taksuan nga 13-23%.
Në vitin 2015 u rritën tatimi mbi dividentin, qeratë, pasuritë e paluajtëshme dhe trashëgiminë nga 10% në 15%. Taksa e qarkullimit me 10 lekë të tjera për një litër karburant, akciza e duhanit me 20 lekë për paketë. Qytetarët u ngarkuan me 16 miliardë lekë taksa dhe tatime ose rreth 150 milionë $.
Në vitin 2016 u rrit taksa e primeve të sigurimit nga 3% në 10%, u rritën kontributet dhe tatimi mbi të ardhurat për profesionet e lira me një vlerë prej 11 milionë $. U rrit taksa mbi truallin nga 10% në 15%, akciza e birrës me 60 lekë për litër si dhe u vendos taksa për automjetet luksoze.
Gjatë vitit 2017 do të rritet çmimi i gazit të lëngët për shkak të vendosjes së akcizës sikurse do të rritet edhe taksa e importit të automjeteve me kapacitet mbi 3000cc.
Rreth 1 miliard lekë do të shtohen si barrë mbi qytetarët ose rreth 10 milionë $.
Përse duhet të rritet çmimi i gazit për automjetet? Duhet ta stimulojmë përdorimin e gazit në automjete apo ta dekurajojmë? Përse bota e nxit përdorimin e gazit dhe bëjmë të kundërtën duke i rritur çmimin?
Ka njerëz që thonë se me vendosjen e akcizës mbi gazin do të rritet edhe çmimi i gazit për nevoja shtëpiake. Nuk është e vërtetë thotë qeveria se shitësit do të mbajnë dy depozita veç per makina e veç për përdorim shtëpiak.
Mister mbetet të mësojmë se si qeveria do e kontrollojë importin e gazit, çfare sasie do jetë për makina dhe çfare sasie për përdorim shtëpiak. Po kështu si do ja bëjmë ne qytetarët e thjeshtë kur të na thonë që depozita për përdorim shtëpiak ka mbaruar. Po deshe merr nga kjo e makinave po s’deshe ngrohu në diell.
Edi Rama premtoi në qershor 2013 se do të ulte taksat për 95% të shqiptarëve, se do të ulte çmimin e energjisë elektrike, se do hiqte TVSH për ushqimet e shportës, e të tjera e të tjera-siç thoshte i ndjeri Teodor Keko.
Jo vetëm që këto taksa nuk i uli, por rriti çmimin e produkteve bazë përfshirë çmimin e energjisë elektrike, të naftës dhe të gazit. Në katër vite Rama i ka rritur taksat duke ja shtrënguar litarin qytetarëve të tij me 43 miliardë lekë ose 400 milionë $.
Por “ulja” e taksave për 95% të shqiptarëve nuk mbaron këtu. 60 ditë nga sot që po flasim do ulet edhe një taksë tjetër. Për çdo udhëtim që do bëni drejt Kukësit ose nga Kukësi drejt zonave të tjera të Shqipërisë do paguani 5 euro. Kjo është dhuratë që jua bën Edi Rama me rastin e dhënies me koncension të mirëmbajtjes së rrugës së Kombit.

Premtimi i dytë:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama tha: “Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, të jetë hapësira e punësimit real jo tuneli i rritjes së papunësisë”.
Vetëm në Tiranë nga aksioni kundër informalitetit në vitin 2015 sipas raportimit të Velinës së Përgjithshme të Tatimeve u mbyllën 40 mijë vende punë kurse në të gjithë Shqipërinë u mbyllën 74 mijë vende pune.
Prej hapësirës së punësimit real, që ekziston vetëm në kokën e Kryeministrit, ja mbathën nga sytë këmbët vitin e kaluar 60 mijë shqiptarë vetë në Gjermani dhe 200 mijë të tjerë aplikuan për në SHBA. Për vitin 2016 Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, Manfred Schmidt deklaroi para disa ditësh se:
“Ne kemi një numër shumë të madh azilkërkuesish këtu në Gjermani. Gjatë këtij viti kemi llogaritur që kanë ardhur 450 mijë të tillë. Kryesisht, vendi nga vijnë më së shumti është Siria, por ajo që ne na shqetëson më tepër aktualisht është se vendi i dytë nga vijnë ata është Shqipëria. Për një kohë të shkurtër na kanë ardhur rreth 30 mijë aplikues.
Të njëjtën gjë thonë edhe autoritetet holandeze dhe ato belge që po mbyten nga fluksi i emigrantëve shqiptarë që zënë vendin e dytë pas refugjatëve sirianë.

Premtimi i tretë:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “Jemi zotuar se uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë fushate elektorale në vitin 2017. Programi ynë parasheh realizimin e këtij zotimi me etapa të përcaktuara qartë. Unë dua të ndaj me ju sot, bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi”.
Që tokat do kishin ujë që tju thahej etja as që e kam menduar ndonjëherë, por sot që flasim nuk mund të gjej as dhe një ujësjellës të vetëm të ndërtuar nga Edi Rama. Premtimi e gjithë Shqipëria 24 orë ujë brenda mandatit të parë 4-vjeçar, mbetet një gënjeshtër e madhe e Edi Ramës, pasi edhe në Surrel vetëm pak shtëpi kanë 24 orë ujë.

Premtimi i katërt:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown Agents). Organizata e famshme britanike do të na asistojë qysh në ditët e para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë Europiane; për të rritur të ardhurat në buxhet, jo duke tkurrur biznesin me kontrolle të dhunshme e gjoba arbitrare, por duke vendosur rregulla të qarta, të qëndrueshme e të respektuara nga të dyja palët; për të ecur më shpejt drejt shpartallimit të mbretërisë së ryshfetit në dogana e tatime”.
Eshtë e kotë të them se si Agjentët e Kurorës morën nja 20 milionë euro dhe mblodhën më pak të ardhura doganore se sa mblidheshin para se ata të vinin tek ne që t’i jepnin doganave shqiptare fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë Europiane sipas vizionit të Kryeministrit.
Vetëm nga rritja e taksave dhe mosmbledhja e tyre, buxhetit i mungojnë rreth 900 milionë dollarë në tre vitet e qeverisjes së Ramës. Mosmbledhja e taksave dhe evazioni fiskal janë në themel të rishikimit në ulje të buxheteve të tre viteve.
Në vitin 2014 buxheti u ul me 7 mld lekë ose 65 mln $. Në vitin 2015 të ardhurat në buxhet u ulën me 36 miliardë lekë ose rreth 350 milionë $ kurse në vitin 2016 buxheti është ulur me 4 miliardë lekë dhe pritet të ulet edhe me 4-6 miliardë lekë të tjera në fund të dhjetorit.

Premtimi i pestë:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, po nga nevoja. Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do ta blejë shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë atë pastaj pa sigurime shëndetësore e as para në dorë, për të gjithë pa dallim. Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor. Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh m’u tek sheshi i Spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që thonë s’bëhet”.
Bazuar mbi sa më sipër jemi në pritje që zoti Rama të caktojë datën kur do të debatojë për shëndetësinë falas tek sheshi i spitalit në mënyrë që qytetarët të vijnë ta zenë me vezë sikurse zunë ministrin e tij të Shëndetësisë.
Po ju kujtoj edhe fjalët e një aleati tuaj në qeverisje, i cili para ndonjë muaji shëndetësinë falas e quajti përrallë.
Sigurisht ka edhe njerëz që përfitojnë falas në shëndetësi. Eshtë Vilma që fiton me koncesionet sikurse fiton edhe ajo kioska në Berat, e cila koncensionin e hemodializës prej 86 milionë euro e shiti për 300 mijë dollarë në një rast të pastër rryshfeti. Shpresoj që zoti Braçe që mbahet si “kampion” i luftës ndaj korrupsionit ti drejtohet Prokurorisë dhe të kërkojë të hetohet ky koncesion.
Dhe meqenëse minutat mbaruan, por jo gënjeshtrat e kryeministrit më lejoni zoti kryetar të flas edhe për një të fundit:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “S’desha të mërzis me një fjalim të gjatë publikun që na ndjek me kërshëri. Por megjithatë s’mund të mos rendis më tutje një sërë pikash të rëndësishme të programit tonë: Plani Kombëtar i Transportit do të përmbajë përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër Autostradal Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe Rrugën e “Arbrit”.
Rëndësi të veçantë do të marrin lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit. Do të realizojmë gjithashtu investime në rrugët rajonale, të fshatrave dhe qyteteve me qëllim lidhjen më të mirë të tregut me qendrat e prodhimit”.
Rezultati pas katër vitesh është që as korridor të gjelbër dhe korridor blu, rrugë të “Arbrit”, lidhje me rrjetet rrugore të Ballkanit, rrugë rajonale, rrugë në qytete e fshatra nuk ndërtove po së paku të kishe përfunduar autostradën Tiranë-Elbasan, By Pass-in e Fierit dhe Rrugën Lin-Pogradec të cilat si i gjete ashtu i ke lënë.

Po flet tregu

“Monitor”

Konfliktet politike dhe terrorizmi në Lindje i bënë shumë të pasigurta destinacionet e mëdha turistike në këtë zonë, duke i dhënë turizmit në Shqipëri një shans të artë.
Agjencitë turistike, kryesisht europiane, i orientuan këto flukse të krijuara edhe drejt vendeve të reja, të paeksploruara mjaftueshëm. Shqipëria, e cila vitet e fundit ka bërë një fushatë promocionale relativisht të mirë në turizëm, por edhe pati disa ngjarje pozitive si Kampionati Europian, u kthye në një vend të pëlqyer për vizitorë, të cilët kurrë më parë s’kishin dëgjuar për të. Natyra e pamohueshme për bukurinë, plazhet, ushqimi dhe mikpritja i shtuan “thashethemet” për Shqipërinë, ku mund të bëhen pushime të këndshme dhe të lira, pavarësisht problemeve të ndryshme në cilësi dhe akses të varfër shërbimesh.
Nga kjo situatë përfitoi vendi, i cili duket se rrëzoi dy mite, duke dalë nga pika e “vdekjes”. Miti i parë i këtyre 20 viteve ishte se pushimet në Shqipëri bëhen vetëm në sezon të shkurtër. Agjencitë turistike tregojnë se, vizitat turistike në vend kanë vijuar përtej stinës së verës dhe në numër shumë herë më të lartë se vite më parë. Miti i dytë lidhet me numrin e vogël të pasigurt të turistëve edhe gjatë verës. Hotelet raportojnë se që tani po mbyllen rezervimet për sezonin e ardhshëm turistik të verës.
Ndërkohë është formësuar dukshëm një kërkesë në rritje nga të huajt, që siç thotë “Monitor”, janë përgjithësisht nga Veriu i Europës dhe Lindja e saj, për të ndërtuar njësi të reja akomodimi dhe për të blerë banesa. Kjo është thyerja e mitit të tretë se në Shqipëri nuk mund të jetohet.
Të tre këto fakte – rritja e numrit të pushuesve për sezonin e verës, rritja e vizitave jashtë sezonit dhe rritja e kërkesës për blerje në tregun e pasurive të paluajtshme për arsye turistike, janë sinjale të reja që vijnë nga turizmi.
Por, cilat janë potencialisht problemet që mund të përpallet Shqipëria nga kjo mënyrë e re e sjelljes së tregut turistik?
Destinacionet më të kërkuara në vend, kryesisht gjatë bregdetit, janë të pambuluara me projekte të plota zhvillimi dhe kanë tituj të paqartë pronësie. Përqendrimi me ritëm të lartë, sikundër po ndodh, mund të krijojë “getot” turistike si në Durrës, që do të sjellin efekt zinxhir vështirësish për të ofruar shërbime publike (ujë, energji) dhe keqmenaxhim të hapësirës urbane me pasoja që merren me mend. Këto zona mund të kenë një efekt të shpejtë financiar, por jo afatgjatë dhe me gjasë mund të kthehen në një problem të ri.
Përqendrimi vetëm në disa zona, kryesisht në bregdet, do të vijojë të lërë për shumë kohë jashtë vëmendjes të tjera zona që mund të jenë destinacione mjaft të pëlqyeshme në sezone të tjera të vitit, por që janë më në thellësi të vendit. Kjo pabarazi zhvillimi do të përqendrojë edhe pasurinë, duke provokuar lëvizje migratore, brenda vendit, të popullatës, të cilat do të rendin drejt vendeve të reja të punës dhe mundësi për përfitime, duke “kaluar në vdekje klinike” edhe ato zona të cilat do të jepnin efektin e turizmit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
Agjencitë publike janë të papërgatitura për këto zhvillime të reja që dikton tregu i turizmit. Planet e qeverisë janë bërë mbi modelet e fshatrave turistikë, ndërkohë që ajo që po ndodh në turizëm po tregon një tjetër rrugë. Nëse do të vijojë ecja në dy kahe, veç tregu e veç qeveria, do të na harxhojë kohë e kapitale, duke vonuar maturimin e produktit shqiptar turistik.
Duke qenë se turizmi më shumë se çdo sektor tjetër ka një efekt zinxhir shumë më të madh e më të ndikueshëm te sektorë të tjerë të ekonomisë, problemet që mund të dalin, nëse nuk zgjidhen shpejt, do të mahisen e krijojnë një nyje tjetër që do ta dobësojë efektin pozitiv që mund të ketë ekonomia, si nga larmia e sektorëve që prek ashtu edhe nga gjeografia e saj.
Në Shqipëri, shpesh qeveritë kanë ecur kundër tregut, ose nuk kanë ditur ta orientojnë atë në mënyrë të shëndetshme. Ky është rasti për t’i rregulluar gjërat sa pa qenë vonë. Qeveria duhet të analizojë mirë atë që po ndodh në tregun turistik dhe të rikompozojë prioritetet dhe mbështetjen buxhetore. Në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk ka asgjë që të mund të mendosh se qeveria ka qenë e vëmendshme ndaj këtij fenomeni të ri (p.sh. nuk ka financim për asnjë rrugë të re, as stimuj fiskalë për zona të varfëra për të stimuluar zhvendosjen e kësaj kërkese të rritur ndaj Shqipërisë, e as ndonjë projekt urban zhvillimi të plotë).
Nga ana tjetër, duhet që kjo kërkesë e re nga jashtë për turizmin në vend, të mbështetet të paktën me të njëjtën masë me një ofertë të rritur në cilësinë dhe aksesin ndaj shërbimeve publike. Por më e rëndësishmja është rruga strategjike që duhet të ndjekin qeveritë për t’iu përshtatur këtij realiteti të ri, të diktuar nga tregu, për të krijuar përfundimisht avantazhin konkurrues të vendit. Planet e ndërtuara mbi ëndrra pa parë e pa dëgjuar, tregun janë gjithnjë një shans i humbur.

200 kilovat energji falas për familjet në nevojë

Lulzim Basha është ndalur në lagjen Zinxhira në Gjirokastër, ku banorët kanë muaj dhe disa prej tyre vite, pa drita, janë pa ngrohje, ankohen se nuk i lënë as të mbledhin dru në lumë, janë pa punë, skanë me çfarë të ushqehen. Secili prej banorëve të kësaj lagje të braktisur totalisht nga qeveria dhe autoritetet, ka një dramë më vete.
“Qeveria ime nuk do harxhojë 80 apo 100 milionë euro në vit për zyra, për orendi, për makina, për karburant, për bileta avionësh siç i harxhon ky. Çfarë i duhet kryeministrit një palmë që e blen 600 euro, kur ka qindra e mijëra familje që i vënë fëmijët të flenë pa ngrënë. Në qeverinë time, qëllimi do të jetë të mos ketë asnjë familje pa bukë, pa ujë e pa drita, dhe ne do bëjmë gjithçka që buxheti i shqiptarëve të shkojë në radhë të parë aty ku shqiptarët kanë më shumë nevojë. Familjet në nevojë ekonomike, 200 kilovatët e parë nuk do i paguajnë, por do ua paguajë buxheti i shtetit. Kjo do jetë një nga masat që unë do të marr që në ditën time të parë si kryeministër. Paratë e shqiptarëve do të investohen për të hapur vende të reja pune që çdo familje të ketë mundësinë të ketë të paktën 1 të punësuar dhe të mos jenë të varur nga ndihma ekonomike”, u tha Basha banorëve.
Në aktivin e degës së Gjirokastrës, Kryetari i Partisë Demokratike, theksoi mesazhin e hapjes, të bashkimit dhe qendrimit pranë njerëzve. Në kontrast me qeverinë, Basha kërkoi që demokratët ta prekin nga afër realitetin e njerëzve.
“Kjo qeveri është shkëputur tërësisht nga realiteti i qytetarëve, që prej ditës së parë, me vullnetin e saj. Ky kryeministër është izoluar nga hallet e shqiptarëve prej ditës së tij të parë në zyrë. Sot, shpresa po vdes për shkak të politikës së papërgjegjshme që po e vret, një politikë që promovon të keqen dhe i thotë ndal të mirës. Ky është instrumenti, ky është çelësi për të thyer ciklin vicioz të tranzicionit, duke i thënë urdhëro, dhe duke i hapur derën të mirës dhe duke i thënë ndal të keqes, brenda vetes tonë dhe pastaj për të gjithë shqiptarët”, pohoi Basha.
Basha vuri në dukje se ndryshimi i vendit, do të ndodhë, por kësaj duhej t’i paraprijë ndryshimi i Partisë Demokratike.
“Masa kritike e shqiptarëve kërkon ndryshim. Gjendja aktuale është e padurueshme. Partia Demokratike është e bashkuar dhe po bashkohet dhe po hapet gjithmonë e më shumë. Një ndryshim i madh i Shqipërisë nis nga brenda vetes tonë. Na duhet të përmbyllim procesin e kthimit të Partisë Demokratike në një parti moderne europiane perëndimore. Hapja e Partisë Demokratike ndaj çdokujt që do të vijë në këtë betejë e të bashkohet me ne, dhe nuk janë pak, dhe nuk janë vetëm simpatizantë, por edhe ish kundërshtarë që kanë identifikuar të keqen e madhe që kemi përballë. Edhe më afër njerëzve duhet të jemi, edhe më mirë duhet të njohim problemet. Të njohim realitetin që përjetojnë ditë për ditë qytetarët tanë. Evidentimi i plotë i kësaj gjendje është në radhë të parë një instrument i domosdoshëm, për të filluar prej ditës së parë me një buxhet për shqiptarët”, u shpreh Lulzim Basha.

Skandali 100 milionësh, Briseida Shehaj thirret 1 orë në Prokurori

Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj është thirrur dje në Prokurorinë e Shkodrës, ku është marrë në pyetje për më shumë se 1 orë. Mësohet se thirrja e saj është bërë nga Njësia Task-Forcë. Organi i akuzës ka regjistruar disa procedime penale ndaj Shehajt për dyshime që lidhen me rimbursimet e paligjshme të një subjekti. Bëhet e ditur se, objekti i hetimit nga Prokuroria është deklarata e Ramadanit, i cili ka deklaruar se ishte kërcënuar nga drejtorja e Tatimeve për t’u larguar nga puna, nëse nuk do të firmoste një urdhër pagesë për një rimbursim prej 106 milionë lekësh. Ramadani nuk ka pranuar të firmosë, pasi drejtoresha Shehaj po vepronte në kundërshtim me ligjin.
Shehaj i tha BIRN se është treguar e hapur me prokurorët dhe ka ofruar ndihmën e saj në lidhje me procedimin penal që është regjistruar në Prokurorinë e Shkodrës prej prillit 2015. “Dëshmova për çështjen që prokurorët ishin të interesuar dhe kam ofruar bashkëpunimin tim. Nuk mund të flas për detaje për shkak të sekretit hetimor. Hetimi do të zbulojë të vërtetat e kësaj akuze”, tha Shehaj për BIRN.
Burime zyrtare të Prokurorisë konfirmuan se çështja për të cilën dëshmoi Shehaj lidhet me ndalimin në qershor të vitit 2016 të drejtuesit lokal të Tatimeve në Shkodër, Hysni Hysaj, i cili u akuzua se kishte shpërdoruar detyrën përmes rimbursimit të paligjshëm të kompanisë së nipit të tij.
Çështja penale ishte regjistruar në zyrën e Task-Forcës së Shkodrës në vitin 2015 pas kallëzimit të Agron Ramadanit, i cili mbante postin e drejtorit të Vlerësimit të të Ardhurave dhe Kontabilitetit në degën e Tatimeve të Shkodrës.
Ramadani akuzoi edhe ish-drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj se i kishte bërë presion për të firmosur urdhër-pagesën prej 10 milionë lekësh për rimbursimin e kompanisë së nipit të drejtorit Rajonal të Tatimeve në Shkodër, Hysni Hysaj.
Ai i tha BIRN se e larguan nga Administrata Tatimore, pasi refuzoi të hidhte firmën mbi një akt të paligjshëm. “Ndaj meje u rrit presioni për të firmosur dokumentet e rimbursimit, kur daja i pronarit të kësaj kompanie u emërua drejtor Rajonal i Tatimeve në Shkodër”, i tha Ramadani BIRN-it përmes një bisede telefonike.
“Më 30 dhjetor 2014, nëpërmjet telefonit jam urdhëruar nga Shehaj që të firmosja urdhër-pagesën e këtij rimbursimi, në të kundërt do të largohesha nga puna. Pas kësaj, ndaj meje filloi procedimi administrativ që përfundoi me pushimin nga puna”, shtoi Ramadani.
Pas 43 vitesh punë në administratën shtetërore, Ramadani u shkarkua në mars 2015 me motivacionin “Moszbatim urdhëri”. Ai iu drejtua Prokurorisë së Shkodrës me kallëzim, pasi mësoi se kompania e kishte përfituar rimbursimin e TVSH-së.
Në qershor 2016, Prokuroria urdhëroi ndalimin e Hysajt me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, ndalimi u quajt i paligjshëm nga Gjykata dhe ish-kreu i Tatimeve të Shkodrës u hetua më pas nën masën e “detyrimit për paraqitje”.
Briseida Shehaj drejtoi për tre vite Administratën Tatimore të Shqipërisë, shpeshherë e kritikuar nga opozita. Në shtator 2016, ajo u emërua zv.ministre e Ekonomisë dhe vetëm dy muaj më pas u largua edhe nga ky post për arsye të pasqaruara.
E pyetur nga BIRN për akuzën e Ramadanit, Shehaj preferoi të mos jepte komente deri në vendimin e Prokurorisë. “Administrata Tatimore ka dorëzuar në Prokurori rreth 300 dosje për përfitim fiktiv me rimbursimin e TVSH-së. Sa i përket çështjes më të fundit, le të presim përfundimin e hetimeve të organit të akuzës”, tha ajo.

Ramadani: Jam kërcënuar drejtpërdrejt nga Briseida Shehaj

Ish-drejtori i Tatimeve në Shkodër, Agron  Ramadani, shprehet nëpërmjet një deklarate për mediat se është përballur me presione nga më të ndryshmet nga Brisedia Shehaj, që të firmoste një urdhër pagesë për një rimbursim prej 106 milionë lekësh në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, ai është pushuar nga puna dhe është paditur pse nuk e firmosi urdhër pagesën që i kërkoi Shehaj.
“I bëj me dije publikut, që jam përballur gjatë me të gjitha format e presionit, si nga titullari im i drejtpërdrejtë, Hysen Hysaj ashtu dhe nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj për të më detyruar të firmos urdhër pagesën, për një rimbursim për të cilin unë isha i bindur që ishte i pajustifikuar ligjërisht. Më datën 30.12.2014 jam kërcënuar drejtpërdrejtë nga titullarja më e lartë e Tatimeve me largim nga puna, nëse unë nuk e firmosja urdhër-pagesën e këtij rimbursimi. (ndonëse urdhërin për firmosje të kërkuar nga ime, ajo refuzonte të ma jepte me shkrim, edhe pse e detyronte Ligji 152/2013, saktësisht neni 43, pika 3).
I bëj me dije publikut, që në këto rrethana shtrënguese, unë pranova si alternativë largimin tim nga puna, vetëm e vetëm për të mos u bërë ortak në një dhe më shumë krimë të tjera të paralajmëruara, me dëm ekonomik për shtetin.
I bëj me dije publikut se të drejtën time për t’u rikthyer në detyrë, nuk e kam humbur akoma, sepse gjyqet e mia vazhdojnë në Shkallën e Dytë të gjykimit.
Qartësoj opinionin publik dhe median, se Kallzimin Penal nuk e bëra kurrë pse unë u largova nga puna. Nuk e bëra atë menjëherë, pasi unë kisha ndërprerë përfundimisht marrëdhëniet e punës në Tatime. Atë e bëra vetëm pasi, gjatë një seance gjyqësore ku gjykohej padia e ngritur kundër Vendimit të fundit të Komisionit Disiplinor të DPT-së, ku unë mësova se rimbursimi i pa merituar prej 10,6 milionë lekë, ishte xhiruar për llogari të subjektit me administrator nipin e drejtorit të DRT Shkodër, pasi unë nuk isha me drejtor i DVAK-së!
Në mbyllje të kësaj deklarate, njoftoj opinionin publik se, kallzimin tim pranë organit të akuzës e kam shoqëruar me prova të pakundërshtueshme dhe e kam adresuar jo vetëm kundër drejtorit Rajonal të DRT Shkodër, por edhe kundër drejtores së Kontrollit në DPT edhe ndaj drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve në cilësinë e bashkëpunëtorëve, për dëmin ekonomik të shkaktuar ndaj shtetit.
Unë jam koshient që kjo ndërmarrje e imja, mbase sfiduese ndaj korrupsionit në organet e larta si fenomen dhe indiferencës së shoqërisë shqiptare në postdiktaturë do të jetë i vështirë dhe me rrezik për mua e për familjarët e mi. Megjithatë, pavarësisht përballjes me forma të ndryshme kërcënimi apo shantazhimi nga e keqja që po përpëlitet në grahmë, ju siguroj që unë nuk do të tërhiqem nga të bërit e detyrës qytetare.
I bëj thirrje shtetit të marrë të gjitha masat e sigurisë së personit tim, të cilat ai i ka për detyrë ndaj të gjithë shtetasve të tij”, shkruan Ramadani ndër të tjera në një deklaratë për mediat.

Denoncimi: Endri Dhimitri vdiq në rajonin e policisë

Dalin në dritë detaje të reja për vdekjen e të riut Endri Dhimitri dy ditë më parë në Tiranë. Policia njoftoi se Dhimtri vdiq si pasojë e konsumimit të alkoolit, por një qytetar ka informuar ish-Kryeminsitrin Berisha se ai ka vdekur në rajonin e policisë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, ndërsa policia e ka fshehur ngjarjen. “Qytetari dixhital denoncon: Vdekjen e të riut Endri Dhimitri si vrasje shtetërore në rajonin e policisë! I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetojë dhe verifikojë me përparësi këtë dëshmi, akuzë të rëndë për vrasjen e një të riu në rajonin e policisë!”, shkruan Berisha ën Facebook duke publikuar mesazhin e plotë të qytetarit.
“Doktor ju përshëndes! Sapo fola dhe njëherë me një person që ma referoi se, Endri Dhimitri është bërë i vdekur në rajon të policisë. Ai më tregoi se i ndjeri është rrahur keq nga policia një natë më parë në rajon për shkak të një ngatërrese në një lokal dhe policia fsheh faktin që e ka marrë dhe rrahurr shtazërisht në rajon. Kjo mund t’i ketë shkaktuar dhe hemoragjinë e fshehtë. Ai kishte ardhur nga Përmeti në Tiranë. Jeton vetëm me babanë e moshuar dhe nuk ka as motër apo vëlla. Pak njerëz të afërm. Këto janë të dhënat. Çdo të mirë për ju!”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se, Endri Dhimitrit nga Përmeti, kishte vdekur si pasojë e konsumimit të alkoolit. Sipas policisë, i riu kishte konsumuar një shishe uiski mbrëmjen e 28 nëntorit, në një lokal tek rruga e “Kavajës” dhe ishte ndjerë keq.
Pasi ka dalë nga lokali ka qenë shumë rëndë dhe kalimtarët e kanë parë të ulur në rrugë dhe kanë njoftuar ambulancën. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga forcat e Komisariatit Nr.2 në kryeqytetit, të cilët thonë se e kanë parë të riun të ulur në rrugë. “Djali ishte ulur në rrugë, derisa iu afrua dikush. Pamë qytetarë që e ndihmuan 24-vjeçarin Endri Dhimitri, më pas e ndihmuam të hipte në ambulancë”, thotë policia.
Mjekët e Traumës që u kujdesën për të më 28 nëntor thonë se 24-vjeçari kishte shtypje të trupit, kur ka shkuar për mjekim. Pasi ka marrë mjekimin, mësohet se i riu është ndjerë keq edhe ditën e nesërme. Shokët e kanë dërguar sërish në spital më 29 nëntor. Sipas burimeve, mjekët nuk e vizituan, por e këshilluan të pinte ilaçet e dhëna prej tyre, pasi e kishte nga alkooli.
Pas këtyre episodeve, i riu u gjet i vdekur nga fqinjët në banesë. Për të zbuluar shkaqet e vdekjes, pritet që trupi i të riut t’i nështrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Në profilin e tij në Facebook thuhet se punonte si drejtor i Hetimit Tatimor, ndërsa para 3 vjetësh i kishte vdekur edhe nëna.

Hetimet: Inxhinieri i uzinës së naftës u vra dhe u dogj

Zbardhet krimi makabër i ndodhur në Mallakastër. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, teknologu i uzinës së Ballshit është vrarë dhe më pas është djegur për të humbur gjurmët. Sipas burimeve nga grupi hetimor, teknologu Shefo Duraj, trupi i të cilit u gjet para dy ditësh në një pyll, është vrarë dhe djegur. Burime nga Policia e Fierit thanë se, nga hetimet e bëra në trupin e pajetë të 57-vjeçarit Duraj, janë gjetur plagë thike dhe hekuri, si dhe djegie nëpër trup të shkallës së parë. Pas këtyre detajeve të reja, kjo ngjarje është duke u hetuar si “Vrasje me dashje”.
Shefo Duraj u zhduk pa lënë gjurmë, pasi doli nga turni i tretë në uzinën e Ballshit ku punonte prej 20 vitesh. Trupi i tij u gjet mbrëmjen e së martës në pyllin e fshatit Kalenjë në gjendje të dekompozuar, por paraprakisht ekspertët thanë se viktima nuk ka vdekur për shkaqe natyrale. Pas kryerjes së hetimeve, rezultoi se ai është vrarë me sende të forta dhe më pas është djegur. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj vrasjeje makabër, por burimet bëjnë të ditur se po hetohet për vrasje për shkak të detyrës.

R.POLISI

Shokon sërish EURALIUS: Që të bëhesh OPGJ nuk duhet të jesh fshatar!

Me ndryshimet e reja Kushtetuese dhe Ligjin për Vettigun, për t’u bërë oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ) nuk mjaftojnë shumë gjëra. Sipas Euraliusit në Tiranë mjafton të jesh “Qytetar” dhe mund të bëhesh OPGJ. Sipas dokumentit të siguruar nga SYRI.net, ky është një nga kushtet që të jesh oficer i Policisë Gjyqësore në drejtësinë e re që pretendon të sjellë në Shqipëri, delegacioni i Komisionit Europian për Drejtësinë. Pra, një ndër kushtet që sugjeron Vettingu, është se po mos jesh nga qyteti po ta zëmë nga fshati nuk pranohesh si oficer i Policisë Gjyqësore. Me pak fjalë me ligjin e ri të propozuar nga EURALIUS dhe që ka marrë bekimin e Xhafës dhe votën e Rilindjes, ata oficerë që kanë prejardhje nga fshati duhet t’i bëjnë mirë llogaritë. Por edhe ata OPGJ e tjerë që janë apo aspirojnë të kryejnë këtë funksion duhet të vërtetojë që është qytetar 24 karatësh. Do të mjaftonte kjo çalltisje që të rrëzonte poshtë të gjithë ligjin ku flitet për detyrat, emërimet apo shkarkimet e oficerit të Policisë Gjyqësore.
Zyra e Shtypit e Bashkimit Evropian, bën me dije, se kreu i Euralius, Rainer Deville, vazhdon të jetë në krye të misionit. Reagimi vjen ndërkohë që në media u përhap lajmi se ai është shkarkuar nga detyra në lidhje me përkthimin në anglisht të ligjit shqiptar të Vettingut, që i është dërguar Komisionit të Venecias. Zyra e Shtypit e BE-së në Tiranë thotë se Deville është me leje.

Tjetër ligj i reformës paditet në Kushtetuese

Kryetari i Gjykates Kushtetuese Bashkim Dedja, anetaret Petrit Plloci, Vladimir Kristo, Altina Hoxhaj, Fatmir Hoxha, Admir Thanza, Xhezair Zaganjori dhe Vitore Tusha, gjate nje seance gjyqesore ne Gjykaten Kushtetuese, ku nuk eshte marre parasysh nje kerkese e PS, per pezullimin e prishjes se Piramides.

Në Shqipëri, dy shoqatat që përfaqësojnë gjyqtarët, janë bashkuar për të ankimuar dje në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, miratuar nga Parlamenti në muajin tetor, si pjesë e paketës për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, ligji është në shkelje të të paktën 22 neneve të Kushtetutës. “Cenohen disa parime kushtetuese, si parimi i shtetit të së drejtës, parimi i sigurisë juridike, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, parimi i prezumimit të pafajësisë, ai i barazisë para ligjit, cenohet e drejtat e statusit të gjyqtarëve dhe parimet e procesit të rregullt ligjor apo dhe e drejta për të patur një mbrojtje efektive”, deklaroi pas dorëzimit të ankimimit Erion Bani, i Shoqatës së Gjyqtarëve.
Kërkesa e dy shoqatave që përfaqësojnë praktikisht të gjithë trupën e gjyqtarëve është që ligji të shfuqizohet e po ashtu të pezullohet zbatimi i tij për shkak se sipas tyre “krijon vakum institucional dhe kaos në sistemin e drejtësisë e madje dhe rrezikon që dhënia e vendimeve të bllokohet”. Po ashtu sipas ankesës me anë të ligjit janë cenuar edhe “disa kompetenca të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilat Kushtetuta ja njeh”.
Ky është ligji i dytë, pas atij për rivlerësimin e gjyqtarëve, i cili kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun që procesi i reformës në drejtësi të zvarritet, ndërkohë që zbatimi i saj konsiderohet si një element kyç që në Shqipëri të mund të arrijë të hapë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Taksa 22 milionë euro në vit për Jakën

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho dhe Sekretari për Sipërmarrjen, Besart Kadia pritën sot përfaqësuesit e 18 organizatave të biznesit, të cilët kundërshtojnë ligjin që i detyron ato të bëhen pjesë e Dhomës së Tregtisë. Partia Demokratike e ka konsideruar këtë si taksë të fshehtë, e ka kundërshtuar dhe është shprehur në favor të dekretit të Presidentit që e ka kthyer ligjin. Gjithashtu, drejtuesit e PD i njohën përfaqësuesit e biznesit me alternativën dhe projektin për të përmirësuar klimën e biznesit.
“Ne u takuam sot me përfaqësuesit e 18 shoqatave të biznesit dhe të dhomave të tregtisë. Objekti i diskutimit është ligji i miratuar së fundi nga Parlamenti, i cili bën të detyrueshëm anëtarësimin në dhomat të tregtisë të gjithë biznesit shqiptar. Në fakt PD është shprehur kundër që në momentin e fillimit të diskutimit të këtij ligji në komisione dhe në seancë plenare, pasi kjo është një taktikë e tejkaluar që në vitin 2008. Në atë kohë, është hequr anëtarësimi i detyrueshëm me kërkesë të shoqatave të biznesit dhe Bankës Botërore me synim përmirësimin e klimës së biznesit. Eshtë e vërtetë që anëtarësimi i detyrueshëm është një kosto e madhe financiare për çdo biznes. Në atë kohë është pas vlerësuar rreth 250 mijë lekë të vjetra, por kosto e sotme është shumë më e madhe. Në total shuma që do të mblidhet nga ky ligj, vlerësohet rreth 20-22 milionë dollarë. I garantuam shoqatat që do të votojmë pro dekretit të Presidentit, i cili e ka rrëzuar ligjin, por nuk është vetëm kjo çështje. Nëse do të ishte vetëm kjo në raportet e politikës me biznesin dhe klimës së biznesit do të ishte mirë, por janë dhe mjaft çështje të mprehta, të cilat duhen adresuar. Klima e biznesit nuk është ajo që duhej të ishte, por është një klimë mbytëse. Po largohen bizneset e huaja nga Shqipëria, njerëzit po emigrojnë. Ka një represion të madh nga organet tatimore dhe doganore si dhe nga struktura të tjera të shtetit ndaj binzesit. Rritje e pashpjegueshme e barrës fiskale vit për vit. Në 3 vite qeverisje, barra fiskale vlerësohet rreth 400 milionë dollarë. Në takim me biznesin ne shpjeguam që në qeverinë e PD do t’i ngelemi fort realizimit të dy premtimeve taksës së sheshtë 9% mbi të gjitha detyrimet si dhe TVSH 15%. Po kështu i shprehëm përfaqësuesve të grupeve të biznesit, se sugjerime të tjera ide, bashkëpunime për programin e PD, i cili është në fazën e tij përfundimtare, të mund të na i paraqesin, sepse ne do të bëjmë që klima ndaj biznesit me qeverisjen tonë të ndryshojë sa më shumë të jetë e mundur, sepse biznesi është faktori numër një i zhvillimit ekonomik, i hapjes së vendeve të punës”, u shpreh Spaho.

Polici kërcënon me armë shoferin e furgonit të nxënësve

Një efektiv policie ka kërcënuar me armë shoferin e një furgoni që transportonte nxënës shkolle në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme tek “21 dhjetori”, ndërsa skandali është denoncuar nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Kërcënim me armë nga banda me uniformë!”, shkruan Berisha në Facebook ku ka publikuar një video nga qytetari dixhital.
Në video duket një efektiv policie, i cili kërcënon me armë një shofer furgoni tek “21 dhjetori”. Denoncimi është bërë nga një qytetar. “Përshëndetje doktor, këtë video e bëra vetë para 20 minutash tek “21dhjetori”. Polici me uniformë kërcënon me armë një shofer furgoni me fëmijë shkolle. Ngjarja ka ndodhur tek shkolla “Sabaudin Gabrani” në Tiranë”, shkruan qytetari.
Bëhet e ditur se Policia Rrugore e Tiranës ka ushtruar kontrolle në mjetet që transportojnë nxënës të shkollave të ndryshme të kryeqytetit, për vendosjen e rripit të sigurimit gjatë qarkullimit me mjet, si nga drejtuesi i mjetit ashtu dhe nga pasagjerët. Këto kontrolle kanë si qëllim sigurinë e jetës së nxënësve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por gjatë ushtrimit të kontrolleve në mjaft raste forcat policore kanë ushtruar terror psikologjik ndaj drejtuesve të mjeteve dhe nxënësve.
Ndërkohë, disa persona të armatosur që lëviznin me një makinë kanë terrorizuar qytetarët mbrëmë në Tiranë, duke i kërcënuar me armë. Ka qenë një qytetar që ka telefonuar në numrin 112 të policisë dhe forcat e Policisë Tiranës janë vënë në ndjekje të makinës që tmerroi qytetarët.
Forcat e rendit janë drejtuar në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet ku është raportuar ngjarja dhe kanë arritur të pikasin makinën tip “Alfa Romeo”. Pas ndjekjes disa minutëshe, autorët e braktisën makinën tek trafikndarësja në Unazë pranë rrugës “Siri Kodra”, dhe u larguan pa lënë gjurmë.