Sipas burimeve të medias amerikane, presidenti i zgjedhur, Donald Trump ka caktuar gjeneralin në pension të Marinës, James Mattis si sekretarin e ardhshëm të Mbrojtjes.
Mattis, 66-vjeçar, i bashkohet ekipit të sigurisë kombëtare të zotit Trump që tashmë përfshijnë gjeneralin në pension, Michael Flynn si këshilltar të Sigurisë Kombëtare dhe ligjvënësin Mike Pompeo si drejtor të CIA-s.
Njoftimi zyrtar pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme. Për të marrë postin, do të duhet që Kongresi amerikan të miratojë një legjislacion të ri për të kapërcyer një ligj federal që thotë se, sekretarët e Mbrojtjes nuk duhet të kenë qenë në detyrë aktive para marrjes së detyrës për shtatë vjet më parë. Kongresi ka bërë një përjashtim të ngjashëm një herë më parë, kur gjenerali George C. Marshall u emërua në detyrë në vitin 1950.
James Mattis emërohet sekretar i Mbrojtjes
SHBA, luftë kundër dezinformimit në internet
Shtetet e Bashkuara mund ta forcojnë në shkallë të gjerë luftën kundër propagandës së huaj në internet nëse Kongresi miraton një pjesë të Ligjit për Mbrojtjen Kombëtare, që parashikon 160 milionë dollarë për këtë qëllim gjatë më shumë se dy vjetëve të ardhshëm.
Një komision i Kongresit i miratoi fondet dje. Kjo do të zgjeronte aftësinë e Qendrës së Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit për të identifikuar dhe luftuar keqinformimin në internet. Kjo masë duhet të miratohet tani nga seanca e plotë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, si dhe të nënshkruhet nga presidenti, para se të hyjë në fuqi.
Përpjekjet për të luftuar propagandën ruse në vendet e Evropës Lindore, i filloi senatori republikan, Rob Portman. Fokusi është zgjerimi i përpjekjeve kundër propagandës që ka në shënjestër Shtetet e Bashkuara, pas raporteve të agjencive të zbulimit se Rusia është përpjekur të ndikojë te zgjedhjet presidenciale amerikane, duke vjedhur dhe publikuar e-mail-et e kreut të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta.
“Ky kërcënim me propagandë dhe keqinformim është real. Është në rritje dhe qeveria amerikane ka rënë në gjumë mbi timon”, tha zoti Portman në një deklaratë zyrtare. “SHBA dhe aleatët tanë përballen me shumë sfida, por ne duhet të luftojmë më mirë kundër operacioneve të gjera propagandistike dhe dezinformuese të drejtuara kundër nesh”, tha ai.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se është përpjekur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve dhe Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se nuk kishte ndonjë preferencë mes dy kandidatëve.
Përveç luftës kundër dezinformimit në internet, ligji i ri do të krijonte një program grantesh për të financuar gazetarinë e pavarur në Rusi dhe vende të tjera.
Tusk: Shtyhen sanksionet kundër Rusisë
Udhëheqësi i trupit ekzekutiv të Bashkimit Evropian thotë se ai pret që sanksionet ndaj Rusisë të shtyhen vitin e ardhshëm, por një gjë e tillë do të jetë vështirë e arritshme në të ardhmen.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, ka bërë këtë koment gjatë një interviste të transmetuar më 1 dhjetor nga televizioni polak, “TVN24”.
Ai ka thënë që Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur atë që të ruajë qëndrim të bashkuar ndaj veprimeve ushtarake ruse gjatë viteve të fundit.
Ai thotë që beson se sanksionet do të shtyhen edhe një herë në muajin janar, për periudhën e zakonshme prej gjashtë muajsh.
Por, ai gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve do e bëjë më të vështirë ruajtjen e unitetit të Perëndimit ndaj Rusisë.
“Unë besoj që pas zgjedhjeve (në SHBA) dhe fitores së Donald Trump, do të bëhet më e vështirë që të ndërtohet një politikë të qartë e Perëndimit drejt Rusisë”, ka thënë Tusk.
Trump gjatë fushatës ka mbajtur qëndrim më pajtues drejt Moskës.
Në Francë, ku shumë vëzhgues po presin që presidenti i ardhshëm të zgjidhet ish-kryeministri François Fillon, i cili gjithashtu ka avokuar për më shumë bashkëpunim me Rusinë.
Chicago, numri i vrasjeve në nivel alarmant
Dhuna e bandave dhe ligjet e dobëta për përdorimin e armëve po fajësohen për rritjen e numri të vrasjeve në Chicago, duke e sjellë atë në nivele që nuk janë parë që 20 vjet.
Policia në qytetin e tretë më të madh të SHBA-së ka publikuar më 1 dhjetor statistika që tregojnë se në vitin 2016 janë kryer 701 vrasje, ndonëse viti e ka edhe një muaj të përfundojë.
Kjo është hera e parë prej vitit 1998 që në këtë qytet kalohet shifra prej 700 vrasjesh. 77 vrasjet e regjistruara vetëm gjatë muajit nëntor është shifra më e lartë që është regjistruar në këtë muaj që një çerek shekulli.
Dhuna nga armët e ka rënduar jetën në qytetet amerikane në të kaluarën, por ajo ka shënuar rënie në shumicën e qyteteve. Në Chicago, megjithatë shifrat kanë arritur nivele epidemike.
Zyrtari i lartë policor, Eddie Johnson, ka thënë se ligjet e dobëta të shtetit federal ku gjendet Chicago bënë që njerëzit e dënuar për krimet e kryera me armë mbahen më pak në burg se sa në vende të tjera të SHBA-së.
Gjyqtari i “Clasicos” ka histori me Realin
Carlos Clos Gomez do të jetë “bilbili” i sfidës ndërmjet Barcelonës dhe Realit. Për të rrëzuar çdo teori konspirative, ai nuk ka asnjë lidhje me ndonjë drejtues të skuadrës madrilene, por ka qenë i përfshirë në disa nga ndeshjet më interesante të Los Blancos. Për të qenë më të saktë, kur në ndeshjet e Realit ndan drejtësinë Gomez, “galaktikët” kanë shumë fat.
Clos Gomez u godit me një shishe uji nga mesfushori i Grandës, Dani Benitez, në përfundim të ndeshjes m Realin. Granada e humbi sfidën 1-2 falë autogolit të David Cortes në përfundim të ndeshjes. Gomez ndëshkoi me të kuq Benitez, që u përjashtua për tre muaj. Pas përfundimit të ndeshjes, u ndëshkuan me të kuq edhe dy lojtarët e tjerë të Grandës, Moises Hurtado dhe Guilherme Siqueira.
Gomez ishte gjyqtar kryesor edhe në barazimin 2-2 të Realit me Valenican në sezonin 2014-15. Miqtë kishin shënuar dy herë, ndërsa Gomez i dha mundësinë Realit të kthehej në ndeshje përmes një penalltie që Ronaldo nuk e shndërroi në gol. Megjithatë, në pjesën e dytë, Pepe dhe Isco shënuan për të marrë një pikë nga kjo sfidë. Përpara sfidës me Valencian, në sezonin 2013-14, Reali barazoi 2-2 në transfertën ndaj Osasunës. Në “El Sadar” Reali e pa veten në disavantazh prej dy golash në pjesën e parë, por në të dytën sërish ishte Pepe dhe Isco që shënojnë për rezultatin përfundimtar 2-2.
Ndërkohë, Trajneri i katalanasve Luis Enrike ka një ide në kokë se si mund të luajë Reali të shtunën. “Mendoj se do të kemi përballë të njëjtin Real që kur drejtimin e mori Zidane. Një ekip shumë i organizuar në pjesën defensive dhe nuk kanë nevojë për topin që të impresionojë. Posedojnë lojtarë cilësorë, lojtarë kampionë. Është një ndeshje e veçantë dhe janë rivalët tanë dhe luajmë në shtëpi. Duhet të jemi në nivel të lartë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë për të mposhtur një skuadër cilësore si ajo e Realit”, tha trajneri katalanas. Për sfidën ndaj Realit, pritet rikthimi i kapitenit Andres Iniesta, mungesën e të cilit Barcelona e ka ndjerë shumë në ndeshjet e fundit, edhe pse Enrique nuk e pranon. “Është shumë e rëndësishme që Iniesta u rikthye, sepse ai është kapiteni ynë. Por, sa i përket lojës, stili ynë nuk ndryshon në bazë të lojtarit, jemi në një sport ekipor dhe jo individual”, tha ai.
Ndizet “El Clasico”
El Clasico nuk është vetëm një përballje mes emrave të mëdhenj të futbollit Botëror, por është edhe një betejë taktike mes Luis Enriques dhe Zinedine Zidane. Prej ditësh, Barcelona dhe Reali i Madridit janë duke u përgatitur intensivisht për supersfidën e “Camp Nou” që mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion, pasi nëse fitojnë Los Blancos do ta çonin në 9 pikë avantazhin ndaj Barcelonës, duke e vrarë përfundimisht kampionatin. Në fakt trajnerët e të dy ekipeve janë treguar të kujdesshëm, duke mos dashur të tregojnë mënyrën se si do të luhet apo formacionet. Blaugranat vijnë në këtë ndeshje me disa futbollistë në formë jo të mirë fizike, siç janë Andres Iniesta dhe mbrojtësi francez Samuel Umtiti.
Nevojitet që të bëhet një vlerësim i detajtuar i muskujve të të dy futbollistëve, pasi siç dihet “El Clasico” është një 90 minutësh me intensitet të lartë loje. Pavarësisht kësaj, alternativat për teknikun Luis Enrique nuk mungojnë. Mascherano ose Sergi Roberto me shumë gjasa do të jenë titullarë në mbrojtje repart në të cilin e ka të sigurtë vendin e tij në formacion Gerard Pique. Nëse argjentinasi Mascherano vendoset në të krahët e mbrojtjes, siç ndodhi në takimin kundër Man.City, atëherë qendra e rapartit difensiv do të jetë e përbërë nga Pique dhe Umtiti. Në mesfushë, Ivan Rakitiç ndërkohë nuk është në formën e tij më të mirë dhe Rafinha është një opsion i vlefshëm për repartin e ndërmjetëm. Sulmi do të përbëhet nga treshja Mesi-Suarez-Neymar.
Ndërkohë që nga kampin e Realit të Madridit situata duket disi më komode, pavarësisht se dëmtimi i Gareth Bale është një mungesë që peshon tek Los Blancos. Trajneri Zinedine Zidane ka disa alternativa në lidhje me formacionin që do të luajë. Një 4-3-3 me Luca Vasquez në krahun të djathë, Cristiano Ronaldo në të majtin dhe Karim Benzema në qendër të sulmit. Formacion ky që mund të kalojë dhe në 4-4-2. Tekniku francez ka dhe një tjetër as nën mëngë, të cilin mund ta përdori, mesfushorin Casemiro. Shumë dilema dhe dëshirë shumë e madhe nga të dyja ekipet për të dalë triumfues. El Clasico mbetet El Clasico dhe pa më të voglin dyshim spektali është i garantuar.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e di shumë mirë rrezikun që mund të vijë nga ylli i Barcelonës, Leo Mesi, andaj ka thënë se ai duhet të mbulohet më së miri në “El Clasicon” e së shtunës. “Ne do ta mbulojmë Mesin. Por jo vetëm atë, do të tentojmë që t’i ruajmë edhe lojtarët e tjerë”, ka thënë Zizu.
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka gjetur kohë që të flasë për “El Clasicon” në mes të Real Madridit e Barcelonës. Barcelona ka pasur probleme në këtë sezon dhe në tetë ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm tri fitore në të gjitha garat. Por, për ish- trajnerin e katalunasve, është mirë që edhe Barcelona të humbë ndonjëherë. “Nuk mendoj se është fillim i dobët. Barcelona është në gjendje gjithmonë ta fitojë titullin. Shpresoj se nesër do të fitojnë”, tha Guardiola.
Mirel Josa: Barazimi ishte i pranueshëm
Trajneri i Tiranës, Mirel Josa e shikon si rezultatin e drejtë barazimin pa gola me Partizanin në ato minuta të mbetura të derbit të kryeqytetit. “Partizani kishte zgjedhur një mënyrë tjetër për të mbyllur ndeshjen. Ne zgjodhëm një mënyrë tjetër loje, por nuk kishim saktësinë e duhur në pasime. Duhet të kishim bërë diçka më shumë. Të dyja skuadrat nuk ishin të kënaqura me barazimin, por në një sifdë derbi edhe barazimi është i pranueshëm.
Strategjia e Partizanit ishte që ta zhvendoste lojën në qendër të mesit të fushës, ne kishim probleme në qarkullimin e topit dhe Partizani na kapi në befasi në 2 apo 3 raste. Do të kërkojmë një sulmues në merkaton e janarit, por jemi në pritje edhe të Edeh që nuk është një sulmues i mirëfilltë goli. Merveille humbi disa mundësi shënimi në këtë ndeshje dhe kjo ishte ajo që na penalizoi, pasi jemi një ekip që krijojmë raste. Unë nuk mendoj për titullin kampion, ne duhet të përmirësohemi, sepse kemi oshilacione në lojë”, u shpreh Josa.
“Arsyeja që loja nuk shkoi në të njëjtin nivel si ditën e djeshme kishte të bënte edhe me faktin, sepse luheshin vetëm pak minuta dhe asnjëra prej dy skuadrave nuk donte ta humbiste ndeshjen. Prandaj nuk u prodhua i njëjti nivel loje. Kartoni i kuq? Ishin dy faulla taktikë nga ana ime, por arbitri ndoshta mund ta evitonte kartonin e kuq”, u shpreh Erando Karabeci.
Hidhet shorti i Europianit të 21-vjeçarëve
Në Krakow u hodh shorti i fazës finale të kampionatit europian të 21-vjeçarëve që do të zhvillohet nga data 16 deri në 30 qershor të vitit 2017-të në Poloni. Ndryshe nga edicionet e kaluara këtë herë në këtë kompeticion marrin pjesë në total 12 përfaqësuese dhe jo 8. 12 ekipet që do të luftojnë mes tyre për fitimin e trofeut u ndanë në 3 grupe me 4 skuadra, ku të parat e çdo grupi do të kualifikohen në fazën gjysmëfinale, ndërsa më tej do të avancojë edhe e dyta më e mirë e të treja grupeve.
Polonia si vend organizator u shortua në grupin A së bashku me Sllovakinë, kampionen në fuqi të Europianit të 21-vjeçarëve, Suedinë dhe Anglinë. Në grupin B, do të kemi një derbi iberik me Portugalinë dhe Spanjën që do të masin forcat me njëra-tjetrën por edhe me Serbinë dhe surprizën e këtij edicioni Maqedoninë. Gjermania që ishte një nga 3 kokat e serisë u shortua në grupin C me përfaqësuese të tilla si Republika çeke, Danimarka dhe mbi të gjitha, Italia. Një sfidë për të mos u humbur ajo e 24 qershorit mes kombëtares së pançerave dhe përfaqësues së kaltër. Ndeshjet e Europianit të 21-vjeçarëve për vitin 2017 do të zhvillohen në 6 stadiume polake.
Këlni me shifra mbrojtëse si Bajerni, kryegolashënuesi: Falë Mavrajt!
Sulmuesi francez i Këlnit dhe njëkohësisht golashënuesi më i mirë i skuadrës me 12 gola, Antoni Modeste, ka lavdëruar shokun e tij të skuadrës, Mërgim Mavrajn, për paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni. “Mërgimi ka fituar shumë besim në vetvete. Ai është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne dhe një kundërshtar aspak i preferuar”, tha Modeste, gjatë inaugurimit të një dyqani sportiv ku disa prej futbollistëve të Këlnit ishin të pranishëm.
Në këtë sezon në Bundesligë, Këlni ka pësuar vetëm 8 gola në 12 ndeshje, po aq sa Bajerni, duke mbajtur së bashku pozicionin mbrojtjes më të fortë të Gjermanisë. Në këtë fundjavë, Këlni do të ndeshet në transfertë përballë Hofenhajmit, një nga dy ekipet e pamposhtura ende bashkë me Lajpcigun.
Berisha shpëton Melbourne nga humbja
Besart Berisha i jep një pikë Melbourne-it në kampionatin australian. Sulmuesi shqiptar ishte autori i golit të barazimit për Victory në sfidën e Ammi Park ndaj Perth Glory që përfundoi me shifrat 1-1. Falë golit të tij të 5-të sezonal, 31-vjeçari nga Prishtina evitoi humbjen e Melbourne Victory që deri në momentin e finalizimit të Berishës po mposhtej nga Perth Glory me rezultatin 0-1. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili po zhvillon sezonin e tij të 3-të me skuadrën e trajnerit Kevin Muscat ishte përcaktues në minutën e 41-të të ndeshjes, kur shfrytëzoi një pasim të Rojas për të mposhtur portierin mik, Reddy.
Berisha u tregua gjakftohtë brenda zone, duke realizuar një gol të thjeshtë. Ky ishte finalizimi i 5-të i Besart Berishës në këtë sezon të A-League, 31-vjeçari për momentin pozicionohet në vendin e 3-t të listës së golashënuesve që kryesohet nga uruguiani Fornaroli dhe irlandezi Keogh me nga 7 gola. Pikërisht, ky i fundit ishte autori i golit të avantazhit për Perth Glory-in në sfidën e javës së 9-të të kampionatit ndaj Melbourne Victory. Përsa i përket Berishës, së fundmi 31-vjeçari nga Prishtina ka marrë dritën jeshile nga FIFA për t’u aktivizuar me përfaqësuesen e Kosovës, por tashmë gjithçka mbetet në dorë të sulmuesit, pasi largësia e madhe ndërmjet Australisë dhe Europës vazhdon të mbetet një problem për Berishën.