11.5 C
Tirana
E diel, 11 Maj, 2025

Shqipëria jashtë listës së botës për investitorët e huaj

Shqipëria nuk renditet në listën e 100 shteteve me markat më të vlefshme, sipas raportit Nation Brands 2016 të publikuar së fundmi nga kompania konsulente Brand Finance, i cili vlerëson destinacionet më tërheqëse për Investimet e Huaja Direkte.
Nga vendet e rajonit, destinacioni më i preferuar për investitorët është Sllovenia, e cila renditet në pozicionin e 62. Dy vende pas saj është Bullgaria, ndërsa Serbia është e 73-a në renditje nga e 78-a një vit më parë, duke u ndjekur menjëherë nga Kroacia.
Për të mirë a për të keq, njohja e markës ndikon ndjeshëm kur konsumatorët blejnë një produkt. E njëjta vlen edhe kur kompanitë marrin në konsideratë destinacionin e ardhshëm për të investuar. Megjithëse është e vështirë të masësh ndikimin e saktë të këtyre perceptimeve tek Investimet e Huaja Direkte, studimi i kompanisë konsulente Brand Finance synon të heqë paralele mes vendeve që kanë marka më të vlefshme dhe atyre që tërheqin më shumë investitorë.
Sipas raportit, SHBA janë marka më e vlefshme për 2016-n, duke vijuar të ruajnë dominancën. Brand Finance ia atribuon suksesin e saj të vazhdueshëm ekonomisë së shkallës së vendit, sistemit të lartë arsimor që është lider në botë dhe “fuqisë së butë që vjen nga dominanca e saj në industritë e muzikës dhe të zbavitjes”. Në vend të dytë dhe të tretë vijojnë të mbeten përkatësisht Kina dhe Gjermania, ndërsa Britania e Madhe ka kaluar në vend të pestë, duke ia lënë vendin Japonisë. Më pas, në dhjetëshe janë Franca, India, Kanadaja, Italia dhe Australia.
Pakistani ishte një nga vendet me rritje më të shpejtë të vlerës së markës, me një zgjerim prej 41%. Pakistani ka zbatuar një sërë reformash ekonomike të mbështetura nga pagesat e mëdha nga FMN. Raporti shpjegon se “çmimet e ulëta të naftës vazhduan të punonin në favor të vendit, por ashtu dhe përmirësimi i sigurisë”.
Një nga shtetet që pa një rënie më të madhe të vlerës së markës ishte Turqia, me tkurrje prej 29%. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e destabilitetit pas grushtit të dështuar të shtetit, që provokoi një reagim të fortë nga qeveria. Hyrja në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në të ardhmen e afërt. Për më tepër, përfshirja e diskutueshme e Turqisë në Siri, së bashku me sulmet e vazhdueshme terroriste nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, po dëmtojnë tërheqjen e vendit për investitorët.

Harrojeni hekurudhën Tiranë-Durrës

Teksa Ministria e Transportit ka gati një projekt për rivitalizimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një degëzimi të ri që do ta lidhte atë me Aeroportin e Rinasit, qeveria ka zhvendosur angazhimin për financimin e saj pas vitit 2019.
Bashkë me projektbuxhetin 2017, qeveria ka çuar për miratim në Kuvend edhe listën e projekteve që do të financohen nga fondet publike në dy vitet në vijim deri më 2019. Ndër këto projekte është dhe ai për hekurudhën mes Tiranës dhe Durrësit, por financimet e programuara për tre vitet në vijim do të jenë vetëm sa për fazat paraprake.
Sipas tabelës zyrtare, qeveria e ka kostuar hekurudhën me 10.2 miliardë lekë nga të cilat, 9.5 miliardë lekë janë financim i huaj, një kredi nga BERZH dhe 640 milionë lekë janë financim nga fonde të brendshme.
Kredia e BERZH është planifikuar për t’u përdorur 1.5 miliardë lekë më 2018 dhe 1.5 miliardë lekë më 2019, ndërsa pjesa tjetër e financimit prej 6.1 miliardë lekësh do të financohet pas vitit 2019.
Nga financimi i brendshëm për këtë projekt financohen 200 milionë lekë këtë vit dhe nga 40 milionë lekë për secilin nga vitet 2018-2019. Pjesa tjetër më shumë se 50% e financimit të brendshëm një prej 330 milionë lekësh do të disbursohet pas 2019.
Ministria e Transportit sakaq ka në fazën e konsultimit projektin për ndikimin në mjedis të hekurudhës.
Aktualisht, shpejtësia maksimale operative në hekurudhë është 40 km/h, me seksione me shpejtësi në 20 km/h. Në linjën Durrës-Tiranë, e cila u modernizua në vitin 1997 duke betonizuar pjesën e hekurudhës dhe ngjitjen e pjesëve të saj, u arrit një shpejtësi limit për vendin tonë prej 60 km/h. Kufizimet e shpejtësisë vijnë kryesisht si rezultat i gjendjes së pistës dhe vendkalimeve të paautorizuara në nivel sesa për arsye gjeometrie.
Prej më shumë se 17 vitesh, qeveritë shqiptare kanë në projektet e tyre për zhvillimin e infrastrukturës sjelljen në terma modernë të hekurudhës, Tiranë-Durrës, por sot e kësaj dite, asgjë nuk ka avancuar

Dogana greke zbulon vjedhjet e Spiropalit

Dogana greke zbulon korrupsionin prej miliona eurosh të ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, nëpërmjet kalimit të mallrave kontrabandë. Skandali është denoncuar nga një doganier, i cili në një mesazh dërguar ish-Kryeministrit Berisha bën të ditur se, nga Greqia ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave informacion mbi abuzimin e bërë në doganat shqiptare në kohën kur drejtonte Elisa Spiropali. “Doganieri dixhital denoncon: -Vjedhjet e mëdha të Spiropalit në dogana, vërtetuar nga dokumenta të ardhura nga dogana greke. Doganat e Fierit dhe Tiranës, sipas tij kanë qenë epiqendër e këtyre vjedhjeve!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e doganierit.
“Abuzimet e drejtorëve të Ramës po dalin mbi ujë. Javët e fundit nga Greqia ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave informacion mbi abuzimin e bërë në doganat shqiptare në kohën kur drejtonte Elisa Spiropali. Informacioni i shoqëruar dhe me dokumentacionin përkatës vërteton abuzimin e bërë në dogana në vlera prej qindra mijëra e miliona eurosh. Ashtu siç ju keni konstatuar dy vite më parë, njerëz të lidhur me Spiropalin në bashkëpunim dhe me bashkëshortin e saj, kanë krijuar kanale për kalim të mallit kontrabandë. Siç del nga informacioni i Doganës greke, dy kanë qenë doganat ku është abuzuar më shumë, Fieri dhe Tirana.
Në të dy këto dogana u instaluan si përgjegjësa FRESH-istë, të cilët zbatonin porositë e marra nga Spiropali ose persona të punësuar prej saj në poste kyçe. Persona anonimë që bashkëpunonin me ta, kryesisht fierakë, hapën nipte shëtitëse dhe fusnin mallra kontrabandë. Me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie kriminale, sallës së monitorimit i jepeshin porosi për të mos ushtruar kontroll mbi mjetet, të cilat kishin si ngarkesë mallra kontrabandë që klasifikoheshin komplet ndryshe nga ato të deklaruara në dokumentacion.
Këtë veprimtari kriminale e pranojnë dhe doganierë që të vendosur para presionit të drejtuesve kanë lejuar që kamionët të kalojnë pa kontroll, por tashmë do të penalizohen për moskryerje të detyrës. Presioni mbi doganierët ka qenë i jashtëzakonshëm dhe në ndonjë rast kur ata tentonin të kryenin si duhet detyrën, largoheshin nga puna siç është rasti i largimit të një drejtuesi në Doganën e Kapshticës që u bë i “bezdisshëm” me kontrollet e tij. Nga Dogana greke pritet që të vijë informacion dhe për raste të tjera shkeljesh të kryera në kohën e Spiropalit”, përfundon mesazhi i punonjësit të Doganës.

Spiropali nën hetim për kontrabandën me naftën bruto

Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali është nën hetim për kontrabandën me naftën bruto. Burime nga organi i akuzës së Fierit, bënë të ditur se, në lidhje me këtë çështje janë pyetur edhe ish-titullarë të Drejtorisë së Doganave, si persona që kanë dijeni për çështjen. Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali është marrë në pyetje nga grupi hetimor para disa kohësh, ndërsa hetimet vijojnë.
7 zyrtarë u arrestuan në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohen për kontrabandën e 4.4 milionë litra naftë bruto, duke shmangur akcizën. Në prangat e policisë ranë Lula Njebza, ish-zv/drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave; Mirarbër Teneqexhiu, ish-Kryetar i Doganës Tiranë; Alfred Bushi, ish-shefi i Akcizës; Adrian Alikaj, doganier akcize; Syrja Misiraj, doganier akcize; Ortenca Zorba, doganiere akcize; Elona Jareci, doganiere akcize. Ndaj 5 të akuzuarve të parë, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë arrest me burg, kurse ndaj Zorbës dhe Jarecit u vendos arrest shtëpie.
Në janar të 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka kryer një kontroll tatimor në subjektin “Tea Construction & Petrol”, ku ka rezultuar se në depozitat në Kodër Mëzez gjendej në total sasia prej 4.4 milionë litra lëndë djegëse, e cila është cilësuar si naftë “virxhin”, pasi nuk plotësonte standardet. Rreth 7 muaj më vonë, në janar të 2014, pas kontrollit të bërë nga tatimet dhe doganat, administratori i “Tea Construction & Petrol”, Adrian Xhillari, ka kërkuar nga Drejtoria e Doganave heqjen e plumçeve nga magazinat e naftës në Kodër-Mëzez, në mënyrë që të bënte lëvizjen e naftës drejt Rafinerisë së Ballshit.
Sipas dokumenteve, nga data 15-21 gusht 2015, “Tea Construction & Petrol” ka kryer lëvizjen e naftës” virxhin, nën pezullim akcize, nga depozitat në Kodër-Kamës, për në Rafinerinë e Ballshit, në një sasi prej 4.4 milionë litrash, e cila është depozituar në depozitën G-43. Por në datë 2 qershor 2015, grupi i “Crown Agents” dhe Dega e Doganës Fier, kanë zbuluar gjatë kontrollit në depozitën G-43 se depozitat ishin bosh. Referuar sasisë së naftës, vlera e akcizë së papaguar është 242.755.600 lekë.

Eurodeputetët vendosin: Zgjedhjet janë kusht i BE

Komisioni për Politikat e Jashtme në Parlamentit Evropian ka debatuar dje për draftrezolutën e Shqipërisë. Zgjedhjet janë artikuluar nga eurodeputetët si një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave me Shqipërinë ndonëse eurodeputeti Flekenshtejn ka bërë thirrje për një vendim të shpejtë në këtë drejtim.
Eurodeputetët kanë theksuar se në Shqipëri mbetet problem inkriminimi i funksionarëve të lartë në funksione të ndryshme.
Draftrezoluta e Bashkimit Europian i bën thirrje partive politike të Shqipërisë për të respektuar ligjin për përjashtimin e autorëve të veprave penale nga postet publike, në frymë dhe në letër, kur të përcaktojnë kandidatët e listave të tyre. Rama vazhdon ta mohojë këtë kusht të vendosur nga Bashkimi Europian. Ai kërkon anashkalimin e pikës së të inkriminuarve me qëllim që ata të jenë pjesë e fushatës së zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Eurodeputetët nuk janë tërhequr nga kërkesat për zgjedhje të lira. Draftrezoluta kujton përgjegjësitë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Bën thirrje ndaj Komisionit Ad-Hoc parlamentar për Reformën Zgjedhore për të përfunduar rishikimin e Kodit Zgjedhor duke adresuar të gjitha rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it; Bën thirrje ndaj autoriteteve kompetente për të siguruar zbatimin e duhur në kohë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të qershorit 2017. Dokumenti është hartuar nga eurodeputeti i majtë Flekenshtejn. Ai flet për domosdoshmërinë e një dialogu politik. “Rithekson se një dialog konstruktiv, bashkëpunim i qëndrueshëm politik dhe gatishmëria për kompromis është vendimtare për suksesin e reformave dhe për të gjithë procesin e anëtarësimit në BE”. Sipas draftit të paraqitur prej tij reforma në gjyqësor duhet të jetë gjithpërfshirëse ndërkohë që Rama me rrëzimin e paketës kushtetuese të miratuar me konsensus ka rrëzuar çdo mundësi për gjithpërfshirje. Ai kërkon kapjen e drejtësisë përmes kontrollit të Vettingut duke ja lënë atë në duar tri zyrtarëve që janë nën kontrollin e plotë të Ramës.
Draftrezoluta “Përsërit se një reformë gjithpërfshirëse e gjyqësorit është një kërkesë madhore e qytetarëve të Shqipërisë për të rikthyer besimin tek përfaqësuesit politikë dhe të institucioneve publike, dhe se kredibiliteti e efektiviteti i procesit të reformave në tërësi, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, varet nga suksesi i procesit të verifikimit (Vetting) dhe reformës në drejtësi”.
Bën thirrje për trajtimin e mëtejshëm të mangësive në funksionimin e sistemit gjyqësor, duke përfshirë mungesën e pavarësisë nga degë të tjera të pushtetit, drejtësinë selektive, llogaridhënien e kufizuar dhe mekanizmat joefikase të kontrollit, korrupsionin, kohëzgjatjen e përgjithshme të procedurave gjyqësore dhe zbatimit.
Rithekson rëndësinë kritike për media profesionale dhe të pavarura në shërbimin publik dhe privat; është i shqetësuar për ndikimet politike në media dhe vetëcensurën e gjithpërhapur mes gazetarëve; vë në dukje zbatimin e ngadalshëm të ligjit për mediat audiovizuale dhe vonesat në plotësimin e vendeve të AMA-s; Bën thirrje për masa për të rritur standardet etike e profesionale dhe bashkësinë e kontratave të rregullta të punës së gazetarëve, për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media dhe për të siguruar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik.
Parlamenti Europian, sipas draftit, do të shqyrtojë mundësitë, përmes programeve ekzistuese për vendet e zgjerimit, për të ndihmuar kolegët shqiptarë, në këtë kuadër, për ushtrimin e rolit mbikëqyrës dhe rritjen e cilësisë së legjislacionit. Vlerësohet përmirësimi i marrëdhënies së institucioneve shtetërore me shoqërinë civile, por kërkohet rregullimi i kuadrit fiskal për organizatat jofitimprurëse. Toleranca fetare vendase konsiderohet “thelbësore për parandalimin e radikalizmit islamik” dhe luftën kundër terrorizmit.
Një problem mjaft i rëndësishëm në draftrezolutë konsiderohet pamundësia e luftës efikase ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kuvendit i kërkohet të miratojë Kodin e Etikës dhe të forcojë kapacitetet e mbikëqyrjes ndaj qeverisë. Drafti përsërit gjetjet e raportit të fundit të Komisionit për vendin në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, për administratën publike dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë për pronat, fëmijët dhe minoritetet, si dhe përsa i takon lirisë së medias.
Draftrezoluta i është dorëzuar eurodeputetëve dhe ajo pritet që të ketë ndryshime gjatë ditëve të ardhshme.

Arben SHAHINI

Basha në Përmet: Lekët e luksit e korrupsionit do t’u kthehen qytetarëve

“Hapje, bashkim, qendrim pranë njerëzve”, kjo është porosia e Lulzim Bashës për demokratët e Përmetit.
Në aktivin e kësaj dege, Basha ka theksuar edhe një herë parimet që duhet të udhëheqin PD, për të sjellë një ndryshim të besueshëm e të pakthyeshëm në vend, duke e kthyer pushtetin tek qytetarët, duke qeverisur për ta, për nevojat e tyre.
“Si mund të pranoj të harxhoj për luks zyrash, për bileta avionësh, për karburant, për perde, për orendi 140 milionë dollarë në dy vite. Kur me këto para dhe të tjera të marra së bashku mund të hapen 55 mijë vende pune në vit, me rrogë mesatare 500 mijë lekë. Cila është përgjigjja jonë si demokratë?! Të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive për të gjithë. Të ndërtojmë një Shqipëri të shumicës dhe jo të pakicës. Si do ta bëjmë?! Duke ndërtuar një qeveri që u vjen në ndihmë njerëzve. Njerëzit që shkëputen nga hallet sapo i hipin pushtetit, nuk janë modeli im, nuk mund të jenë modeli i PD, jam i sigurt që nuk janë as modeli juaj. A ka fushatë më të vërtetë, më besnike ndaj interesave të qytetarëve sesa kjo kur i pyet se si i kanë hallet dhe kur partia i ka të evidentuara këto halle, jo thjesht si teori, por si rast pas rasti, me emër dhe mbiemër. Njerëzit me reputacion që duan të vijnë të bashkëpunojnë me ne, nuk duhet të shikohen si kërcënim, nuk vijnë të marrin, por vijnë të japin. Vijnë të ndajnë me ne shpresën për një Shqipëri ndryshe nesër. Ndaj kjo porosi është diçka, tek e cila dua të insistoj fort sot, hapeni partinë ndaj njerëzve që duan të bashkohen, të japin kontributin e tyre”, tha Lulzim Basha.
Realitetin e rëndë ekonomik e sheh kudo në këtë zonë. Në Fshatin Kaluth, 15 minuta larg Përmetit preket me dorë përplasja e dy botëve, e botës së luksit të kryeministrit e qeverisë që ka braktisur njerëzit, dhe e botës së mbijetesës të fermerëve që janë në kufijtë e ekzistencës.
“Kam dy vajza më kanë mbaruar universitetin, njëra me mesatare 9.5, tjetra me 8.4 dhe asnjë në punë. Futen në punë ata me pesa dhe ata që kanë miq, shokë dhe para”, është revolta e një prindi në Kaluth.
“Ky është problemi, kjo duhet ndryshuar. Kjo është ajo që thashë, që i afti dhe i talentuari nuk çan përpara, kurse i korruptuari i paafti ecën përpara. Këtë duhet ta ndryshojmë, këtë do ta ndryshojmë të gjithë bashkë. Të gjithë bashkë do ta ndryshojmë”, përgjigjet Basha.
“Më dhanë një vit KEMP, ma prenë. Më thanë që duhet të kesh dy gjymtyrët e prera që të marrësh KEMP”, thotë invalidi Kristo Sotiri, që ka dy djem të papunë dhe nuk merr asnjë subvencion, pasi ka vetëm një dynym sipas autoriteteve.
Kam qenë i majtë, thotë Kristo. Kam parë Edi Ramën pa pikën e mëshirës, më thotë që problemi yt nuk zgjidhet këtu. Po ku zgjidhet problemi, në Greqi?!
“Problemi i Kristos e para e punës është problem tmerrësisht i dhimbshëm, vetëm ta dëgjosh dhe prekesh. E dyta, për fat të keq nuk është i vetmi problem, me dhjetëra, me qindra kam takuar dhe jam i sigurt që janë me mijëra që ua kanë hequr KEMP-in me këtë arsyetim absurd, mizor, kriminal. Sepse një rast i tillë i dhimbshëm duhet të kishte ndihmën e menjëhershme të shtetit dhe jo vetëm që s’të kanë dhënë ndihmë, por edhe ndihmën që ke pasur ta kanë hequr. Pse ta kanë hequr?! Të thonë ty që s’kanë lekë. Po pse kanë lekë për palmat nga 600 euro”, tha Basha, i cili u angazhua se: Subvencionet do të shkojnë tek çdo fermer. Çdo familje do të marrë subvencione, do të marrë në bazë të punës, në bazë të prodhimit, bujqësi, blegtori pa kufizim. Nuk ka rëndësi, nëse ke 1 dynym apo 5 dynym, një kokë lopë apo 15 kokë lopë. Sa do që të kesh, do të marrësh subvencionet në bazë të prodhimit. Qeveria ime do të mbështesë fermerët. Do të kemi në vitin e parë 100 milionë euro në dispozicion vetëm për subvencione dhe 50 milionë të tjera për infrastrukturën, bashkërisht është 1.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dhe t’ju them edhe diçka tjetër, është baraz me tenderat që marrin 11 miqtë e Edi Ramës. Aty janë lekët.

Loja ruse e Ramës dhe shërbimet sekrete tek droga

Gjatë muajve shtator-tetor 2016, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri sulmoi në disa dalje publike deputetin Koço Kokëdhima dhe median e tij “Shekulli”.
Sulmet e Tahirit erdhën pasi “Shekulli” publikoi një serial delikat shkrimesh që kishin lidhje me kanabisin dhe situatën e rënduar me mbjelljet në Shqipëri.
Kjo ishte një “dhuratë e thartë” për Tahirin dhe Ramën, të cilët kishin arritur deri atëherë ta mbanin të izoluar çështjen e kanabisit.
Po çfarë thoshte gazeta e Kokëdhimës? Gazeta po interpretonte disa aksione të Prokurorisë që u finalizuan me kapjen e disa tonelatave sasie kanabis. Por gazeta zbuloi se Prokuroria ishte furnizuar me informacion nga SHISH-i, ndërsa ky i fundit, duket se ka pasur aleatë në këtë nismë dy shërbime inteligjente të huaja.
“Hashtag.al” ka mësuar se Shërbimi Inteligjent i Gjermanisë kishte nisur punën operative që prej muajit maj-qershor, për të evidentuar të gjithë hierarkinë policore që ishte implikuar dhe mbronte mbjelljet me kanabis. Por në lojë ishte dhe shërbimi inteligjent italian. Madje roli i këtij të fundit ka qenë i sikletshëm, sepse italianët ishin të përçarë.
Guardia di Finanza mbështet qeverinë Rama dhe ishte e interesuar në bojkotimin e hetimeve, ndërsa Shërbimi Inteligjent italian funksiononte në tjetër korridor dhe nxiste hetimet. Roli dhe informacionet e BND-së gjermane ishin vendimtare në zbërthimin e skemës dhe zbulimin e individëve dhe rrethanave gjeografike që dokumentonin biznesin në fjalë.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë ditur shumë mirë se kush po luante dhe se cilën palë kishin kundër.
Ishte BND-ja gjermane dhe SHISH-i ato që po dokumentonin biznesin fitimprurës të kanabisit dhe implikimin e zyrtarëve të rëndësishëm policorë të rilindjes. Dhe që prej qershorit 2016, kur nisi puna operative e shërbimeve në terren, Kryeministri Rama karrikoi gjithë bateritë mediatike rilindëse që të shmangnin me çdo kusht vëmendjen nga çështja e kanabisit.
Madje Rama nxiti personalisht debatin për “importin e plehrave” duke provokuar dhe komentuesit e tij në Facebook dhe gradualisht strategjia e tij funksionoi, po flitej më pak për kanabisin dhe më shumë për çështjen e importit të plehrave.
Edi Rama kishte siguruar heshtjen e ambasadorit amerikan Lu për kanabisin, por dhe heshtjen e ambasadores së BE-së Vlahutin, kishte siguruar partneritetin e Guardia di Finanza-s, por dështoi të ndikonte mbi Shërbimin Inteligjent italian.
Është kanabisi dhe shndërrimi i qeverisë shqiptare në një kupolë karteli arsyeja bazike e shqetësimit të gjermanëve, çka shpjegohet dhe me angazhimin direkt të BND-së.
Të gjitha këto zhvillime dhe hetime pas kuinte Rama i ka ditur në kohë reale, por mesa duket i ka ditur dhe Kokëdhima, i cili i publikoi tek “Shekulli”, duke prekur “telat” më delikatë të rilindjes dhe duke thyer heshtjen për një çështje ku nuk guxonin të pipëtinin as ata “dy ambasadorët e Vetingut”.

SMS-të për Rusinë

Edi Rama është zyrtari më i informuar në Shqipëri, patjetër që ai e ka ditur se raportet e BND-së për kanabisin në Shqipëri, janë dërguar në të gjitha rangjet përkatëse politike në Gjermani, deri tek kancelarja Merkel. Ai e di shumë mirë se gjermanët e kanë të zbërthyer skemën e implikimit të policisë së tij në këtë biznes. Me siguri, zyrtarët gjermanë nuk është se i gënjen mendja se personi më i interesuar në Shqipëri për reformën në drejtësi, mund të jetë i njëjti që komandon dhe kontrollon mbjelljet kolosale me drogë.
Por ndonëse figuron në raportet e inteligjencës gjermane si përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në një parcelë gjigante droge, Edi Rama po bën çdo gjë që ky fakt të mbahet jashtë vëmendjes së publikut. Drejtori i tij i Informacionit, zoti Endri Fuga, ka shpërndarë për mediat proqeveritare një SMS, si porosi të kryeministrit.
Kjo SMS i orientonte gazetarët tek një artikull i agjencisë “Reuters”, ku Rama citohej duke u ankuar për “vështirësitë e mëdha” në betejën për integrim, si pasojë e rrymave antiBE që ekzistojnë në Ballkan. Rama linte të nënkuptuar si pengesë faktorin rus.
Krejt papritur, kryeministri që s’ka lënë gurë pa lëvizur për të penguar hetimin e shërbimeve gjermane dhe SHISH-it për kanabisin, po i tregon botës dhe shqiptarëve se sa të vështirë e paska ai punën integruese si pasojë e presioneve antiBE. (!)
Kjo tezë e re mediatike e Ramës, përveçse mediokre, është dhe një kopje e shëmtuar e tezave që përdor zakonisht kryeministri serb Vuçiç, i cili kur i leverdis, përdor presionet ruse për të kapur sa më shumë nga BE-ja.
Por ndryshe nga Vuçiç, Rama nuk po e përdor tezën e tij për të kapur ndonjë gjë, por thjesht sa për të maskuar fundosjen e negociatave për shkak të kanabizimit të vendit.
Në ndryshim nga Serbia, ku rusët kanë një ndikim real dhe të prekshëm, në Shqipëri, Rama ka pasur mbështetje të dorës së parë nga qeveria amerikane, madje ka pasur dhe “mirëkuptimin e heshtur” të tyre kur vinte puna për mbjelljet me kanabis. Situata është krejt e ndryshme.
Por mesa duket, mirëkuptimi ka munguar nga pala gjermane, ndërsa BND-ja dhe SHISH ja kopsitën letrat e implikimit me kanabisin.

Hashtag.al

Bilanci i Ramës, asnjë premtim i mbajtur 6 muaj para zgjedhjeve

Rilindja dhe kryeministri i zgjedhur prej saj, Edi Rama do të mbahen mend si qeverisja që nuk mbajti asnjë premtim nga programi elektoral me të cilën fitoi zgjedhjet për një mandat qeverisjeje katërvjeçare. Rilindja thjeshtë rezultoi një mashtrim i madh, dhe një frymë propagande, e cila mund të vërtetohet lehtësisht tashmë, që kjo qeveri është në muajt e fundit të qeverisjes. Jemi në të hyrë të dhjetorit, dhe qershorin e ardhshëm janë zgjedhjet parlamentare, ndërsa në faqen zyrtare të PS-së, ose asaj çka ka mbetur prej saj vazhdon të jetë programi i katër viteve qeverisje 2013-2017. Ndoshta dikush ka harruar ta heqë që aty, apo ndoshta qëllimisht vazhdon të qëndrojë aty si një simbol i talljes me shqiptarët.

Borxhi publik

Por le t’i marrim me rradhë se çfarë ka thënë Rilindja në vitin 2013 dhe si paraqitet sot situata në raport me premtimet. Në vitin 2013, kur banda e Rilindjes mori pushtetin, borxhi publik ishte 64 për qind dhe shikoni se çfarë thoshte në programin e saj Rilindja “Ne jemi të vendosur që gradualisht të fillojmë ta ulim borxhin publik, ta sjellim atë në parametra të kontrollueshëm dhe të mos ia lëmë barrë brezave të ardhshëm. Objektivat tona kryesore janë: Ulje graduale e borxhit nëpërmjet kontrollit të deficitit fiskal dhe përshtatjes me rritjen ekonomike. Në fakt, ajo që ndodhi është krejt e kundërta. Në më pak se tre vjet qeverisje borxhi publik u rrit me 10% dhe kaloi shifrën e 74 për qind. E habitshme se ku vajtën kaq shumë para në dhjetë vjet dhe qeveria jonë e drejtuar nga njeriu që ka pasion vizatimin nuk na shpjegoi kurrë se përse duhej të merrte kaq shumë borxh në një periudhë kaq të shkurtër, ndërkohë që nuk investohet në asnjë sektor të ekonomisë. Pra, me një logjikë të thjeshtë, Rilindja s’ka bërë asgjë tjetër vetëm se ka marrë borxh për të dhënë tendera e PPV miqve të saj, ndërkohë që shqiptarët me anë të taksave duhet të mbajnë në kurriz pasojat.

Mashtrimi me punësimin

Gjatë një takimi në Peqin një vajzë e re do ja bënte të ditur kokës së karvanit, (Kryeministri preferon ta thërrasë karvan që ecën, Rilindjen, afërmendsh, ai duhet të quhet koka e karvanit), se kishte disa vite që kishte mbaruar fakultetin me rezultate të larta po nuk gjente dot punë. Koka e karvanit ju përgjigj se ashtu si ty ka shumë që kërkojnë punë) një përgjigje që nuk do e dëgjoni kurrë nga një Kryeministër i përgjegjshëm në ndonjë vend tjetër për një shtetas të tij. Dhe më e bukura është se e dini çfarë ka premtuar koka e karvanit në 2013, kur synonte të merrte pushtetin. “Angazhohemi të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. 40 mijë vende të reja pune në industrinë prodhuese dhe 12 mijë vende pune shoqëruese të lidhura me to, 15 mijë në industritë e lidhura me detin, 155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë e blegtorinë, 62 mijë përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, 11 mijë vende pune në industrinë e turizmit dhe 4 mijë vende të reja pune në teknologjinë e informacionit”. Qesharake ta mendosh se, pas këtij premtimi 80 mijë shqiptarë kërkuan azil brenda 2014-2015 vetëm në Gjermani. Një epidemi ikjeje dhe humbje e shpresës siç nuk ishte parë as në vietet e para të përmbysjes së komunizmit. Sot, Edi Rama ku është me këtë premtim. Ku i ka vendet e punës në industrinë prodhuese, në  aktivitetet e lidhura me bujqësinë apo turzimin! Ku i ka premtimet për një “Shqipëri të fëmijëve tanë”, kur shqiptarët vetëm në vendin e tyre nuk e shohin të ardhmen e fëmijëve?! Por në programin e qeverisjes së Ramës, në vitin 2013 janë dhe një sërë premtimesh që sikur vetëm një pjesë të atyre të kish realizuar gjendja sot do ishte shumë ndryshe. Ka premtime për uljen e çmimit të ushqimeve të konsumit, legalizimeve falas, uljen e çmimit të energjisë elektrike, goditjen e monopoleve në hidrokrabure dhe uljen e çmimit e të tjera si këto. Por në fakt çka ndodhur. Me të marrë pushtetin, kryeministri dhe qeverisja u përqendruan vetëm tek një pjesë e vogël njerëzish, të cilët po thithin çdo resurs të këtij vendi. Vjedhja është bërë një fenomen normal, ndërsa varfëria shtohet çdo ditë. Rama jo vetëm shtoi varfërinë, por çka është më e keqja goditi shpresën. Burgosi njerëz se kërkonin dritë për fëmijët e tyre, rriti taksat e biznesit, falimentoi ndërrmarje dhe mbylli vende pune. Në vitin 2013, mori një shtet të gatshëm, të cilin duhej vetëm ta administronte, por ajo çka ndodhi me makutërinë, papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë, rrezikon ta kthejë Shqipërinë në kohët më të errëta të saj. Dhe kjo mund të ndodhte vetëm në një vend, që ka si kryeministër një njeri me emrin Edi Rama.

Premtimet e Ramës: Ulje e varfërisë, legalizime falas, ulje e çmimit të energjisë

Më poshtë po bëjmë një pasqyrë të disa prej premtimeve që ka bërë Rama në vitin 2013. Gjithkush mund të japë një gjykim se çfarë është bërë deri më sot me to. Sa keq janë gënjyer shqiptarët, nga një grup njerëzish të papërgjegjeshëm që kishin qëllime të qarta se përse e donin pushtetin. Shikoni se çfarë premtonte Rama për uljen e varfërisë, rrugët, administrimin e mbetjeve apo financimet për bujqësinë. Çdo kush mund ta bëjë vetë analizën, dhe të shohë fytyrën e vërtetë të rilindjes tashmë që është në prag të ikjes. Çdo kush mund të bëjë një analizë, se a mund të tallet njeri në këtë mënyrë me besimin e njerëzve?

Mashtrimi për varfërinë

o Do të kemi një përgjysmim të TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit.
o Përjashtimi/ulja nga ky tatim për barnat dhe shërbimet shëndetësore.
o Realizimi i premtimit për heqjen reale të TVSH-së për importimin e makinerive dhe pajisjeve.
o Ulja/kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër.

Mashtrimi me rrugët

“Plani Kombëtar i Transportit do të përmbajë përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër autostradal Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe duke i dhënë prioritet përfundimit të akseve që shkojnë në qendrat administrative të qarqeve të vendit. Rëndësi të veçantë do të marrin lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit.

Mashtrimi me legalizimet

Qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale.
Do të vlerësohet informaliteti në territor, do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin dhe do të ndërmerret procesi i legalizimit dhe integrimit të vendbanimeve informale, për t`i dhënë fund veprimeve të paligjshme.
Do të shpallet Momenti ZERO, pas të cilit çdo ndërtim është subjekt prishjeje të menjëhershme. Qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale.

Mashtrimi me  plehrat

Do të ndalojmë importin e mbetjeve.
Do të eliminojmë venddepozitimet e mbetjeve që janë buzë lumenjve dhe do të përcaktojmë vende të tjera të përshtatshme për depozitim.
Do të pastrohen në mënyrë prioritare akset kryesore rrugore nga mbetjet dhe ndotës të tjerë.
Do të ndalojmë në mënyrë urgjente zjarret në vendgrumbullimet e plehrave pranë qyteteve.
Do të përfundojë hartimi i të gjitha planeve rajonale për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe do të monitorohet zbatimi i tyre

Mashtrimi me Bujqësinë

Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanet, materialin gjenetik shtazor, plehrat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.
Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.
Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.
Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.
Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.

Tjetër ngarkesë droge nga Shqipëria, 1 ton në Katania

Rreth 1 ton marijuanë është zbuluar nga Policia italiane në Katania brenda një rezidence, pronari i të cilës, një shtetas italian është vënë në pranga. Droga, e cila mendohet se në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Përveç pronarit të apartamentit ku ishte fshehur droga u arrestuan dhe pesë persona të tjerë, që sipas autoriteteve italiane janë emra të njohur të trafikut të drogës në vend. Ata kryesisht merren me transportimin e drogës nga Ballkani, dhe më pas ua shisnin trafikantëve të vegjël në Itali. Hetuesi italian Marcelo Kardona u shpreh për mediat se, ky ishte një operacion shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë për organizata të vogla italiane, por për persona që punojnë me të tjerë trafikantë jashtë kufijve.
Droga ka mbërritur në 25 nëntor nga Shqipëria në Siçili, ku në vend të trafikantëve, të cilëve do u dorëzohej droga ishin agjentët e policisë që kanë ndjekur çdo veprim. Sipas mediave italiane, të gjithë të arrestuarit janë shtetas italianë.
Autoritetet italiane këmbëngulin se, operacioni i fundit tregon dhe njëherë më shumë lidhjen e ngushtë mes Katanias dhe Shqipërisë për trafikun e drogës. Në nëntor të vitit 2013, në Skordia u sekuestruan 900 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë. Një vit më pas u sekuestruan 1500 kilogramë marijuanë në një anije.
Ndërsa në 2015-ën janë tre sekuestrimet e bujshme: në muajin shkurt në Spartivento, më pas 1 ton marijuanë në një peshkarexhë në Portin e Ripostos dhe në shtator në kuadër të operacionit “Odisea” i Guardia di Finanza u arrestuan 15 persona dhe u sekuestrua një sasi droge me një vlerë 70 milionë eurosh.
Tre ditë më parë, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1650 kg marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej të tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se,  Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë, shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur.
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen, duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro.
Gjatë ditëve të fundit është rritur trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak ditësh, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Policia italiane tha se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Sipas hetimeve, droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet trafikut të kanalit të Otrantos. Sulmi “Blic” i Guardia di Finanza u bë në një banesë, ku u gjet një pjesë e drogës, ndërsa pjesa tjetër ishte në kamionin e shqiptarit të arrestuar.

BBC: Shqipëria prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë

“Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisi në Evropë”. Kështu e nis një tekst rrjeti gjigant britanik BBC, i cili paralajmëron publikimin e një reportazhi në radio. Sipas BBC, kjo industri e paligjshme mbikëqyret nga grupet e krimit të organizuar, i cili është përhapur në të gjithë vendin. Shumica e kanabisit siç shkruhet në artikull, shpërndahet në Evropë dhe shumë fshatra mbahen nga kjo industri.
“Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh në Evropë i kanabisit që rritet në natyrë. Kjo industri e paligjshme, e cila mbikëqyret nga grupe kriminale, nisi nga fundi i viteve 1990 dhe është përhapur gjithandej në këtë vend të vogël të Ballkanit. Pjesa më e madhe e “arit të gjelbër” trafikohet jashtë vendit, dhe fshatra të tërë mbahen me paratë që nxirren nga tregtimi. Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë këtë industri, duke asgjësuar miliona bimë dhe duke sekuestruar sasi të mëdha që janë tharë dhe përgatiten për tregtim në zona të fshehta. Me producenten Albana Kasapi, gazetarja Linda Pressly heton bumin e kanabisit të Shqipërisë”, shkruan BBC.
Reportazhi pritet të transmetohet të enjten më 1 dhjetor në “Radio 4”, ora 11:00 dhe në 5 dhjetor ora 20:30.
Një ditë më parë televizioni publik gjerman, MDR “Mitteldeutscher Rundfunk” e cilësoi Shqipërinë si Kolumbinë e Europës. Një emër ky që Shqipërisë i është vënë edhe nga media të tjera të huaja, për shkak të shtimit të konsiderueshëm të sipërfaqeve të mbjella me kanabis. “Shqipëria kërkon sot të hyjë në BE. Por ka pengesa, si krimi i organizuar dhe trafiku i drogës që janë probleme të mëdha. Veçanërisht, Shqipëria është lider në Europë në prodhimin e kanabisit”, thuhet në lajmin e MDR.
“Shqipëria ofron kushte të mira për kultivuesit e kanabisit. Zonat malore janë të vështira për t’u kontrolluar edhe nga ajri. Është edhe problemi i korrupsionit dhe nepotizmit. Shpesh policia, politika dhe mafia janë në të njëjtën anije”, thuhet më tej në kanalin publik gjerman.
Publikimi i këtij lajmi përkon me takimin e Kryeministrit Edi Rama me Kancelaren Angela Merkel në Berlin. Ai vjen pas kritikave të forta të deputetit Gunther Krichbaum, i cili tha në Tiranë se krimi, droga e korrupsioni janë pengesa për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Shqiptari 100 mijë euro kokainë drejt Zvicrës

Një 36-vjeçar shqiptar u arrestua nga Guardia di Finanza në Como të Italisë, pasi u kap me kokainë që kapte vlerën e 100 mijë eurove. Sipas mediave italiane, shqiptari vinte nga Zvicra në drejtim të Italisë. Lënda narkotike ishte fshehur në një pjesë të dyfishtë në pjesën e përparme të automjetit. Shqiptari kishte hequr edhe pjesën e airbag-it të pasagjerit, në mënyrë që të rriste kapacitetin mbajtës.
Arrestimi i shqiptarit u krye në mesin e mijëra makinave që vinin nga Europa Veriore dhe që po tentonin të kalonin në kufi. Kontrolli në mjetin e shqiptarit erdhi pas dyshimeve që ai shfaqi tek punonjësit e policisë.
Pas kontrollit të automjetit mbrëmjen e së enjtes vonë, u gjet sasia e drogës e futur me një copë dhe e paketuar në disa shtresa, ndërsa ishte mbështjellë me një shirit të errët ngjitës. Shqiptari u arrestua për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa është dërguar në burgun lokal, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë.
Policia sekuestroi makinën dhe dy telefona celularë. Nëse do ta shiste në tregun me pakicë, shqiptari do të mund të fitonte 100 000 euro, ndërsa lënda narkotike ishte e një cilësie të pastër.
Valixhe me kanabis drejt Greqisë
Një i ri ka përfunduar në pranga, pasi ka tentuar të trafikojë 3 kg kanabis drejt shtetit grek. 30-vjeçari Mario Aliaj nga Fieri, u ndalua në pikën kufitare të Kakavijës. Ai drejtonte automjetin tip “Benz”, me targa AA 674 GA. Pas regjistrimit në sistemin TIMS nga punonjësit e Policisë Kufitare, mjeti ka kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në bagazhin e mjetit është konstatuar një valixhe, në të cilën kishte disa pako me kanabis. Në valixhe u gjetën 5 pako me kanabis, me peshë totale rreth 3 kg. Këto pako u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Revolta e qytetarëve për deputetët e inkriminuar

Kureshtja i shtyu për të parë nga afër sallën e “betejave” parlamentare, por qytetarët nuk e kursejnë fjalorin për të zgjedhurit e tyre. Pritshmëritë për përfaqësimin në Parlament mesa duket nuk janë të duhurat ndaj dhe në librin e përshtypjeve epitetet janë nga më të shumëllojshmet.
BalkanËeb ka mundur të zbardhë disa prej mendimeve të qindra qytetarëve, të cilët vizituan pasditen e sotme sallën e seancave plenare në kuadër të festave të 28-29 Nëntorit. “Hajdutë, kriminelë, trafikantët më të bukur që ka patur ndonjëherë populli. Jeni dele të udhëhequra nga një gomar” shkruan një i ri. Dikush tjetër preferon të japë një këshillë: “Ashtu siç është kjo sallë e bukur dhe plot kulturë, duhet të jenë dhe deputetët që gjer tani nuk e meritojnë ketë sallë”.
“Vend shumë i bukur për të mbajtur plehrat me radioaktivë të këtij populli mjeran. Pastë fatin tonë”, shkruan dikush tjetër.
Sot është dita e dytë kur në kuadër të festave të nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë ka pritur qindra qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Zyra e shtypit ka shoqëruar vizitorët duke i informuar mbi funksionimin e Parlamentit.

Padia e re e gjyqtarëve në Kushtetuese

Pas Vettingut, një tjetër ligj pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, mbërrin në Gjykatën Kushtetuese. Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë janë bërë bashkë dhe kanë vendosur të ankimojnë në Kushtetuese ligjin për “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që hyri në fuqi me datë 22 nëntor 2016.
Përfaqësues të Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve, thanë për “Neës 24” se ligji në fjalë bie ndesh me Kushtetutën, e për rrjedhojë duhet shfuqizuar.  Në padinë që pritet të dorëzohet gjatë kësaj jave, thuhet ndër të tjera se ligji krijon vakum institucional dhe cenon hapur mundësinë e promovimit në karrierë të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe Apelit.
Në padi theksohet se, nga zbatimi i këtij ligji mund të krijohen situata kolapsi në mënyrën sesi do të funksionojnë institucionet e drejtësisë.
Për këto arsye dhe të tjera, gjykatësit do të kërkojnë edhe pezullimin e ligjit, me qëllim që ai të mos japë efekte, pasi sipas tyre do të shkaktojë pasoja të pariparueshme në të ardhmen. Hyrja në fuqi e këtij ligji, është shoqëruar me “ngrirjen” e funksioneve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nuk mund të emërojë, transferojë apo promovojë gjykatësit.