Prokuroria e Beratit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë për 5 ish-zyrtarë të Doganës së qytetit, përfshirë edhe ish-drejtuesin e saj, si edhe administratorin e një subjekti privat. Organi i akuzës thotë se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar shtetit një dëm në vlerën e rreth 400 mijë dollarë.
Prokuroria e Beratit ka nisur hetimin në bazë të materialit referues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili kishte evidentuar shkelje në procedurën doganore të subjektit “Center Shqiptare”, me administrator Vladimir Qepa. Në vitin 2014, subjekti privat, pavarësisht se ishte në regjimin “Pezulluar”, ka ushtruar aktivitet tregtar në zhdoganim dhe shitje materiale letre dhe plastike.
“Center Shqipëria” kishte qenë nën kontroll nga Dega Doganore e Beratit, ku merrnin pjesë Dhame Xhamballo, Akion Hysi dhe Arben Ulaj. Pavarësisht se subjekti privat kishte zhvilluar aktivitet tregtar, grupi i kontrollit të Doganës Berat i kishte llogaritur një detyrim minimal ndaj shtetit, krahasuar me detyrimin real të subjektit.
Sipas kontrolluesve, detyrimi ishte rreth 1.4 milionë lekë të reja. Deklarata doganore e kësaj kompanie private ishte subjekt i një kontrolli të zhvilluar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Grupi i kontrollit nga Tirana konstatoi parregullsi në punën e grupit të kontrollit lokal dhe urdhëroi ripërsëritjen e procedurave ndaj “Center Shqiptare”.
Pasi u realizua rikontrolli, ku, krahas doganierëve të parë, merrte pjesë edhe doganierja Greta Berberi, u caktua një detyrim i ri për subjektin privat, i cili ishte në vlerën e 4 milionë lekëve të reja. Pasi u realizua ky rikontroll, drejtuesi i doganës së Beratit në atë kohë, Evis Plaku, konfirmoi rregullsinë e saj dhe e regjistroi në sistem. Por, nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezultoi se, edhe pas rikontrollit, detyrimi i “Center Shqiptare” ishte shumë herë më i vogël se sa detyrimi real i tij.
Në hetimet e saj, Prokuroria e Beratit arriti në përfundimin se punonjësit e doganës që kanë trajtuar praktikën e këtij subjekti privat, me dashje, kanë zvogëluar ndjeshëm detyrimin ndaj shtetit të “Center Shqiptare”. Në bazë të ekspertizës, rezulton se kompania “Center Shqiptare” i detyrohej shtetit shumën e mbi 40 milionë lekëve të reja.
Gjatë hetimit, Prokuroria ka konstatuar se punonjësit e Doganës së Beratit nuk kanë qenë në gjendje të shpjegojnë arsyet se përse është kjo diferencë e madhe ndërmjet detyrimit real dhe detyrimit të nxjerrë prej tyre.
Korrupsioni 400 mijë dollarë, në gjyq 5 zyrtarë të doganave
Vdekja e 18-vjeçarit, oficeri i policisë presion shoferit: “Firmos që nuk sheh mirë”
Shefi i hetimit të aksidenteve në Vlorë i bën presion shoferit të aksidentit, ku humbi jetën 18-vjeçari Kristi Panajoti në Vlorë, që të firmosë se nuk sheh mirë. Bëhet e ditur se pas presioneve, ai ka përfunduar në pranga. Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Vlorë, dje në orën 04:00, ka arrestuar punonjësin e Policisë, Komisar Myslym Ismailaj, 55 vjeç, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Punonjësi i Policisë Myslym Ismailaj në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të Ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi Kristi Panajoti dhe ngeli i plagosur shtetasi Petraq Beja.
Sipas hetimeve, në datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit, ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident Petraq Beja dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas ngjarjes, familjarët e viktimës akuzuan shtetin dhe firmën për mosvënien e sinjalizimeve, pasi makina tip BMË-X6 ku udhëtonin 2 të rinjtë ra në një gropë të madhe të hapur në mes të rrugës. Fillimisht Policia e Vlorës deklaroi se makina kishte rënë në kanal, por më pas pranoi se BMË-ja kishte rënë në gropën e hapur në rrugë.
Gjykata, “arrest shtëpie”për shoferin e BMW-së
Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 21-vjeçarin Petraq Beja, i cili drejtonte automjetin, ku u aksidentua dhe humbi jetën kushëriri i tij, Kristi Panajoti. Prokuroria kërkoi arrest me burg për shoferin Beja, si dhe për dy inxhinierët e firmës që po kryente punime në rrugë, por Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për 21-vjeçarin, duke e lënë në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike.
Aktualisht, Beja ndodhet në spital ku do i komunikohet edhe masa e sigurisë. Ai ka pësuar disa dëmtime trupore nga aksidenti si thyrje të hundës, parakrahut dhe pjesës së kockës së legenit.
Po sot në orët e para të mëngjesit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në varësi të Ministrisë së Brendshme arrestoi edhe shefin e Hetimit të ngjarjeve rrugore në Policinë e Vlorës, Myslym Ismailaj, i cili tentoi të devijonte hetimin, duke e kërcënuar 21-vjeçarin Beja të deklaronte se kishte probleme me shikimin.
Pashk Nika: Policia manipuloi ekspertizën e vdekjes së dy të miturve në aksident
Një qytetar nga Shkodra, Pashk Nika akuzon policinë se ka manipuluar ekspertizën në momentet e para të ngjarjes së aksidentit ku humbi jetën djali i tij, Roland Nika 14 vjeç dhe bashkëmoshatari i tij Klins Gjeka. Ngjarja ka ndodhur më 2 prill 2016, ku Policia e Shkodrës vihet prapa dy fëmijëve të mitur që po ecnin me motor nga fundi i lagjes “Xhabiaj” deri në fshatin Hot i Ri Shkodër, ku fëmijët aksidentohen me pasojë të rëndë për jetën. Fëmijët, drejtuesi i motorit Klins Gjeka dhe Roland Nika, ishin të njohur nga patrullat e policisë dhe kanë ecur me shpejtësi të madhe me motor, po kështu edhe policia pas tyre. Fëmijët i janë frikësuar policisë dhe kanë ndaluar vetëm kur janë përplasur me një makinë civile. Kur i ka parë policia se janë përplasur, policët janë munduar t’i shmangen përgjegjësisë.
-A shkoi policia tek makina e përplasur për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve?
Kur banorët i janë drejtuar policisë se, i morët fëmijët më qafë, policia ka arritur aty për 3-4 minuta, por nuk u dha asnjë ndihmë përveçse vodhi pjesë nga baza materiale që kishin me vete. Ndërsa ambulanca ka mbërritur me vonesë. Policia thotë se ambulanca erdhi me vonesë 25 minuta, kurse banorët thanë se ambulanca erdhi me vonesë 45 minuta.
Unë akuzoj policinë, se ka manipuluar ekspertizën në momentin e parë të ngjarjes së aksidentit. E kam denoncuar këtë çështje në Prokurorinë e Përgjithshme me të gjitha faktet dhe dokumentet që disponoj.
-Po më pas çfarë ndodhi?
Fëmijët u dërguan në Spitalin e Shkodrës dhe më pas u dërguan me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ishin në gjendje të rëndë. Ne familjarët erdhëm me urgjencë në Tiranë, dhuruam shumë gjak për shpëtimin e jetës së dy fëmijëve, sepse kështu na u kërkua nga mjekët. Të nesërmen në mëngjes, vjen turni tjetër i mjekëve dhe na kërkuan përsëri të dhuronim gjak për fëmijët, megjithëse ne kishim dhuruar shumë gjak. Ne protestuam, por mjeku na tha: unë s’kam faj tani kam ardhur dhe nuk gjeta gjak, nuk e di se çfare keni bërë mbrëmë, por duhet gjak për të shpëtuar dy fëmijët. Atëherë morëm edhe njerëz të tjerë nga Shkodra dhe plotësuam sasinë e gjakut që na kërkuan.
-Si ishte gjendja e fëmijëve në spital?
Pas dhjetë ditësh, Klins Gjeka vdiq në Spitalin e Traumës si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa djali im, Rolandi vdiq pas 6 muajsh. Ai u përmirësua dhe nga reaminacioni doli në pavionin e Nekrologjisë, ku aty nuk iu afrua më asnjë lloj shërbimi mjekësor, përveçse një skaner, ku unë e kam kërkuar vetë si prind. Djali pati problem me frymëmarrjen dhe kam kërkuar ndihmë tek Ministria e Shëndetësisë, pasi djalin po e çonin drejt vdekjes, ministri Beqja nuk përgjigjej as në telefon as në sms, kam kërkuar në sallën operative në Ministrinë e Brendshme të më nisnin ekspertë të parandalimit të krimit për mjekët që po bënin krim me djalin tim.
Në rrugët e frymëmarrjes, djalit iu arrit ngushtimi mbi 75 për qind, pasi mjekët nuk kishin bërë asnjë kontroll të mëparshëm dhe nuk e vizitonin fare. Unë iu thoja përditë se djali sa vjen e përkeqësohet, mjekët më thonin s’ka gjë është mirë dhe i jepnin shurup. Pasi e bëra problem në media, gjendjen e rëndë të djalit mjekët më thanë se duhet dërguar jashtë shtetit. E nisën epikrizën për në Turqi, por dërgimi jashtë shtetit nuk u realizua. Kur gjendja e dalit mbërriti mbi 80 për qind ky operim u realizua tek klinika private “Kontinental” me shumë sukses dhe djali u kthye përsëri tek Spitali i Traumës. Përsëri e njëjta gjë vazhdoi me mjekët e Neurokirurgjisë, që nuk i bënë asnjë kontroll djalit nga koka, derisa djali vdiq në spital më 26 shtator të këtij viti.
Më datën 30 shtator dërgova një avokat në Spitalin e Traumës për të marrë kartelën e pacientit Roland Nika, pasi u kthye nga Spitali Kontinental, por kartelën e kishin tërhequr me urdhër të mjekut pas denoncimit që unë kisha bërë në media dhe Prokurori. Po këta mjekë po përpiqen edhe tek Mjekësia Ligjore për të manipuluar shkaqet e vdekjes. Në spital nuk u afrua asnjë lloj shërbimi, të gjitha ilaçet i kemi blerë vetë. Ditën e parë na vodhën gjakun që dhuruam, ndërsa ditën e fundit, na vodhën edhe kartelën e djalit.
Gjendet trupi i inxhinierit të Uzinës Ballsh, dyshohet se është vrarë
Trupi i pajetë i inxhinierit të Uzinës së Ballshit është gjetur pasditen e djeshme në një pyll në Mallakastër. Burime nga policia thanë se në vendin e quajtur “Pylli i fshatit Kalenjë”, Mallakastër, është gjetur nga një bari i fshatit Kalenjë kufoma e 57-vjeçarit Sh. D., banues në fshatin Kalenjë, Mallakastër. Ky person ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa pa adresë më datën 14 nëntor 2016.
Dyshohet se, inxhinieri i Uzinës së Ballshit mund të jetë vrarë. Në trupin e tij janë gjetur shenja dhune. Policia e Fierit ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 57-vjeçarit të zhdukur dy javë më parë në Mallakastër. Shefo Duraj u zhduk pa lënë gjurmë, pasi doli nga turni i tretë në Uzinën e Ballshit ku punonte prej 20 vitesh. Trupi i tij u gjet mbrëmjen e së martës në pyllin e fshatit Kalenjë në gjendje të dekompozuar, por paraprakisht ekspertët thanë se viktjma nuk ka vdekur për shkaqe natyrale. Në kokë janë vërejtur plagë dhe fraktura të kafkës ndaj ekspertët mjeko-ligjorë po kryejnë këqyrje të hollësishme për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Ndërkohë, policia bëri të ditur se vdekja ka ardhur për shkaqe aksidentale.
Aksident në Porcelan, 30 minuta i shtrirë që të vijë ambulanca
Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme, pranë ish-artistikes në zonën e “Porcelanit”, ku për pasojë është plagosur rëndë një 25-vjeçar me inicialet E.S. Mësohet se shkak i aksidentit, ka qenë drejtuesi i një makine, i cili i ka prerë rrugën, duke përplasur shpërndarësin e picave, 25-vjeçarin që për mbi 30 minuta priti në trotuar urgjencën. Me ardhjen e ambulancës, i riu u transportua drejt spitalit, ndërsa drejtuesi i mjetit “Benz” u ndalua për të sqaruar shkakun e aksidentit.
Hidhet nga ballkoni i pavionit në QSUT
Një person është hedhur nga ballkoni i pavionit të Gastrologjisë dje në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Bëhet e ditur se dëshmitarët kanë parë një person, ideniteti i të cilit nuk dihet ende, që u hodh nga ndërtesa. Më pas, policia bëri të ditur se nga ballkoni i spitalit është hedhur 53-vjeçari me inicialet P. Sh, një endacak i ardhur nga Durrësi. Ndërkohë, burime nga QSUT pohuan se 53-vjeçari vuante nga çrregullimet mendore.
Dëshmitarët pohuan se fill pas ngjarjes, policia dhe mjekët kanë shkuar menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ndërsa nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore. Sakaq, policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet në lidhje me zbardhjen e shkaqeve të këtij rasti.
Veriu dhe Juglindja mbulohen nga bora, probleme në disa akse rrugore
Veriu i vendit, por edhe Juglindja është mbuluar nga bora. Ndërsa të martën pati reshjet e para me uljen e temperaturave, dje pjesa më e madhe e rrugëve në këto zona është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Sipas informacioneve nga terreni ka prezencë akulli në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz dhe po ashtu në akset Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës.
Mësohet se edhe rrugët në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri kanë prezencë akulli. Në Pukë po punohet për hedhjen e kripës në rrugë, ndërsa në segmentin rrugor Bardhet-Iballë nuk ka ndërhyrje.
Prezencë akulli ka edhe në disa akse në Kukës, Korçë e Dibër. Rruga Morinë-Fushë Dukagjin-Tuneli i Kalimashit aktualisht është i kalueshëm.
Në disa akse të Kukësit duhet të përdoren zinxhirë. Në terren ndodhen 8 borëpastruese dhe është hedhur kripë dhe skorie.
Në qarkun Dibër ka prezencë akulli në disa njësi administrative si në: Kala e Dodës, Lurë, Selishtë, Trebisht, në Qafë Buall- Peshkopi, tek Pishat.
Prezencë akulli ka në të gjithë rrugët e qarkut të Korçës dhe akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Mësohet se është ndërhyrë me kripë në rrugën e Voskopojës. Ndërsa rrethi i Lezhës ka një tjetër problem, pasi është pa energji elektrike që mbrëmjen e kaluar.
Bankat në garë për t’i dhënë borxh qeverisë
Ka shënuar një nivel rekord kërkesa e bankave për të blerë obligacione në euro të qeverisë shqiptare me afat maturimi dyvjeçar. Në ankandin e zhvilluar ditën e sotme, bankat kërkuan të blinin 98 milionë euro, por qeveria kishte vendosur si limit shumën 35 milionë euro, e cila edhe u pranua, duke “refuzuar” 63 mln euro.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, kuponi indikativ zbriti në 0.75%, duke shënuar një rënie të ndjeshme në raport me ankandin e fundit të të njëjtit lloj, që ishte zhvilluar në gusht të vitit 2015, ku kuponi ishte 3.21%.
Teksa kërkesa e ulët e bankave për të blerë Bono Thesari në lekë kishte bërë që interesat (yieldi) e bonove të rriteshin me shpejtësi muajt e fundit, Ministria e Financave ndryshoi kurs, duke shitur letra me vlerë në euro në mënyrë që të tërhiqte institucionet financiare. Bankat po vuanin nga likuditeti në monedhën vendase, teksa depozitat me afat në lekë kanë rënë vazhdimisht si rrjedhojë e interesave të ulëta. Nga ana tjetër, bankat po i gëzoheshin një likuiditeti të lartë në valutë si rrjedhojë e rritjes së depozitave në euro në gusht të këtij viti, kohë kur tradicionalisht ka hyrje valute, si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve dhe të ardhurave nga turizmi. Vetëm në gusht, kursimet në monedhën e përbashkët u rritën me rreth 160 milionë euro. Të gjendura përballë mungesës së alternativave të investimit, me huanë në valutë që pothuajse është frenuar, bankat i depozituan jashtë pjesën më të madhe të këtyre parave. Por, tashmë rreth 35 milionë euro kursime do të shkojnë për financimin e deficitit, që qeveria ka krijuar, pasi përgjithësisht shpenzon më shumë sesa mbledh, përveçse 10 muajve të fundit, kur buxheti ka qenë me suficit.
Në shtator 2016, borxhi i qeverisjes qendrore është në vlerën 1,067.0 miliardë lekë ose 71.04% e PBB. Në kuadër të realizimit të planit vjetor të huamarrjes dhe mbulimit të nevojave të qeverisë për likuiditet, borxhi i qeverisjes qendrore gjatë nëntëmujorit është rritur me rreth 24.7 miliardë lekë ose rreth 71% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Përse Mitt Romney ndryshoi qëndrimin ndaj Trumpit?
Mitt Romney ka lavdëruar Donald Trumpin, duke thënë se ka shumë shpresa se presidenti i zgjedhur mund ta çojë vendin drejt një të ardhmeje më të mirë. Kështu u shpreh guvernatori republikan pas darkës së tij me presidentin e ri Donald Trump dhe kryetarin e Partisë Republikane, Reince Priebus në New York, qëndrim në fakt që ka befasuar shumë njerëz duke pasur parasysh kritikat që ai ka shprehur kundrejt Trumpit gjatë fushatës presidenciale.
Kandidati republikan presidencial për zgjedhjet e vitit 2012 darkoi me presidentin e ri në një restorant francez në Manhattan gjatë mbrëmjes së ditës së martë. Ky ishte takimi i tij i dytë që pas zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit dhe zhvillohet në një kohë kur Donald Trump pritet të zgjedhë të preferuarin e tij për postin e sekretarit amerikan të Shtetit.
Teksa fliste përballë reporterëve pas përfundimit të darkës zyrtare, Romney ofroi përshtypje mjaft të mira për tranzicionin e Trumpit deri tani dhe për fitoren e tij të jashtëzakonshme kundër kandidates demokrate Hillary Clinton. Romney, ndoshta duke marrë për bazë eksperiencën e tij në zgjedhjet presidenciale, tha se nuk është aspak e lehtë të fitosh, duke shtuar gjithashtu se Trumpi kishte ofruar një vizion që “e bashkoi popullin amerikan në një mënyrë tepër të fuqishme që nuk ishte parë prej kohësh”.
Këto komente të Romney-t janë një distancim i plotë nga qëndrimi që ai ka mbajtur gjatë fushatës presidenciale, kur e ka kritikuar ashpër Donald Trumpin, madje e ka quajtur “të shtirur” dhe “mashtrues” që lëshonte premtime pa vlerë. Admirimi i “rigjetur” i Romney-t për Trumpin nuk ka kaluar i pavënë re dhe përdoruesit e mediave sociale, të cilët nuk kanë vonuar aspak për të shfaqur befaqinë e tyre ndaj ndryshimit kryekëput të guvernatorit republikan pas zgjedhjeve.
Shumë shpejt janë përhapur në rrjetet sociale fotografi të Donad Trumpit dhe Mitt Romney-t duke darkuar së bashku dhe duke buzëqeshur me gjysmë ngërdheshje, si provë të pozicionit të sikletshëm në të cilin ndodhet aktualisht Romney.
Pas darkës së republikanëve, “CNN” pyeti presidentin e ri Donald Trump nëse Romney do të jetë sekretari i ardhshëm i Shtetit, pyetje ndaj së cilës u përgjigj: “Do të shikojmë se çfarë do të ndodhë më pas”. Nga ana tjetër, Romney foli për reporterët në lidhje me darkën, të cilën e përshkroi si një “mbrëmje të mrekullueshme” me Trumpin. “Patëm një tjetër diskutim për çështje të ndryshme për të gjithë botën dhe këto diskutime që kam bërë me të kanë qenë tepër frymëzuese dhe interesante. Jam kënaqur shumë me bisedat tona”, vazhoi ai.
Duke vazhduar më tej me lavdërimet e shumta për presidentin e ri, Romney shtoi: “Meqë ra fjala, nuk është aspak e lehtë të fitosh zgjedhjet. Këtë e di shumë mirë. Ai arriti të bëjë diçka që nuk ia arrita dot. Ai fitoi zgjedhjet presidenciale. Trump vazhdon të shpërndajë mesazhin e tij të gjithpërfshirjes dhe të bashkimit të njerëzve. Ky është një mesazh që ka arritur të bëjë bashkë një numër të jashtëzakonshëm amerikanësh”.
Pavarësisht të shkuarës së tyre të vështirë, Trump dhe Romney nuk kanë shprehur as shenjën më të vogël të armiqësisë, madje as të mungesës së mirëkuptimit me njëri-tjetrin, teksa kamerierët e restorantit luksoz u shërbenin vaktin e tyre. Të tre republikanët që ishin mbledhur për të darkuar u shfaqën tepër të kënaqur e të buzëqeshur, siç ka raportuar edhe një reporter i “CNN”-it që ndodhej në sallën e restorantit.
Trump do të heqë dorë nga bizneset e tij
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka thënë se do të largohet nga bizneset e tij “në tërësi” që të fokusohet për të udhëhequr shtetin.
“Do e mbaj një konferencë të madhe në qytetin e New Yorkut me fëmijët e mi më 15 dhjetor për të diskutuar faktin që unë do të largohem në tërësi nga biznesi im i madh me qëllim që të përqendrohem në udhëheqjen e shtetit me qëllim që ta bëj Amerikën e mrekullueshme sërish!”, ka shkruar Trump në profilin e tij në Twitter më 30 nëntor.
“Për këtë arsye, janë duke u hartuar dokumentet ligjore që më largojnë në tërësi nga operacionet biznesore”, ka shtuar ai.
Trump: Dënime për ata që djegin flamurin amerikan
Presidenti i zgjedhur Donald Trump bëri thirrje për dënime të ashpra ndaj protestuesve që djegin flamurin amerikan, edhe pse Gjykata e Lartë e vendit ka shpallur se kjo është një formë e shprehjes së lirë që mbrohet me ligj.
“Askush, tha zoti Trump në Twitter, nuk duhet të lejohet të djegë flamurin amerikan; nëse dikush e bën, duhet të ketë pasoja, ndoshta humbja e shtetësisë apo një vit burg”.
Presidenti i zgjedhur i bëri komentet pak ditë pas vendimit të një kolegji në shtetin Massachusetts, i cili ndaloi ngritjen e flamujve amerikanë, pas dyshimeve se studentët dogjën një flamur në shenjë proteste ndaj fitores së zotit Trump në zgjedhje.
Në dekadat e fundit, ligjvënësit amerikanë janë përpjekur disa herë të ndalojnë djegien apo përdhosjen e flamurit. Por në vitin 1989 Gjykata e Lartë shpalli se ligjet që ndalojnë djegien e flamurit si formë proteste janë jokushtetuese.