16.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

50 milionë metra kub mbetje toksike për helmimin e Korçës

Ish-Kryeministri Berisha e ka konsideruar dje në Parlament një skandal të përmasave të mëdha dhënien e lejes nga qeveria për ndërtimin e TEC-it, i cili do të helmojë zonën e Korçës. “A e dini të dashur qytetarë se, sot duhet të ishte në Kuvend, ligji për katastrofën e Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës, ligj që do të shndërronte zonën më të pasur të Shqipërisë, në pellgun më të ndotur të Ballkanit dhe Evropës?! Ligji që i jepte jetë një projekti, të cilin nuk guxoi asnjë qeveri që nga viti 1992 deri sot, t’i japë jetë, i ndërtimit të një megaTEC-i me torfën e kënetës së Maliqit, e cila në sipërfaqen që do të jepej për këtë qëllim për 157 milionë metër kub, e cila, sipas ekspertëve më të shquar të fushës, për shkak të koeficientit të ulët energjetik do të prodhonte 50 milionë metër kub hi pleh me të gjitha mbetjet toksike.
Ky është peshqeshi që Peleshi i bën Korçës me kryemafiozin, me don Edvinin. Po ka mendje të sëmurë që mund t’i lejojë vetes një vendim të tillë?”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri u shpreh se çdo gjë është ndërmarrë në një feshtësi të plotë. “Dhe e bën këtë në sekretin më të plotë, duke thyer çdo ligj të vendit, duke mos patur asnjë autorizim tjetër përveç xhepit të Lefterit, që majmet me ryshfetet që merr nga kriminelët e mjedisit dhe të Peleshit me shokë.
A ka mundësi o socialistë t’ju pyes, si ka mundësi që nuk pyetet asnjë qytetar i Korçës? Ku e keni ligjin e kalimit nga fondi bujqësor në fond të përdorimit për TEC të 288 hektarëve tokë në Maliq? A keni ndjenja njerëzore a jo, o të babëzitur që mendoni vetëm për xhepat tuaj? Si mund të veproni prapa shpinës o të neveritur?! Këtë as diktatori nuk e bënte. A doni t’ju jap dokumente të plota?! Ju jeni të mbërthyer kokë e këmbë nga mafia e plehrave! Ju jeni mafia e plehrave! Në fakt, kufi për të vjedhur këtë vend ju nuk njihni”, tha Berisha.

Replika e Berishës me Peleshin

Duhet të jeni i decelebruar që të dilni këtu dhe të thoni që fantazuat dhe pastaj të mbeteni me dy këmbë brenda. Nuk jam unë që sajoj një gjë të tillë. Është projekti që ju keni dërguar në Parlament, është projekti që sot duhet të ishte këtu, por nuk ja u mban. Meqë i lejove vetes të përdorësh një gjë të denjë vetëm për veten, po nuk jam unë që të të jap ty edukatën elementare, do të të bëj një pyetje. Nuk kam dyshim që ti do Korçën, por ti do më shumë xhepin tënd. Ju të gjithë doni zonat që ju kanë votuar, por problemi është që doni të mbushni xhepat në zonat që ju kanë votuar. Po si ka mundësi që pas 7 muajsh nuk bën një konsultë publike me qytetarët e Korçës, por detyrohet opozita që të shkojë ta bëjë? A e di ti që ai projekt ka 20 vite dhe nuk e pa dot kurrë derën e Parlamentit? Dhe kur? Në kohërat tona më të vështira, kur vërtet vuanim për ngrohje në shkallë ekstreme. Por nuk na shkoi mendja kurrë të tymosim Korçën dhe Pogradecin. Dhe ai projekt është me 500 mijë megavat, pra ai futet në termocentralet e mëdha. Po si ka mundësi që një projekt që është refuzuar nga çdo qeveri, e majtë dhe e djathtë, për 22 vite me radhë vjen këtu në Parlament? Po çfarë është kjo? Ky është një akt megakorruptiv. Prandaj nuk shkoni dot tek zgjedhësit ju.
Zgjedhësit s’duan t’ju shohin bojën ju, se i mashtroni.

Reforma në Drejtësi

Fole për Reformën e Drejtësisë. Meritë historike e kësaj opozite është Reforma e Drejtësisë. Ju menduat se me larje e lyerje do i kaloni këto punë. Me larje e lyerje nuk kalohen.
Juve jua kanë hequr maskën dhe këtu do të jeni, mbaheni mend, çdo ditë e më shumë do të dini se kush jeni. Menduat se mashtruat Europën, por nuk ka më të marrë se ata që mendojnë se mund të mashtrojnë Europën. Europa është zemra e qytetërimit perëndimor. Mendoni se do të fusni drogën në thes, se do të fusni aferat me Shullazin dhe njerëzit e krimit në thes. Po ushqeheni me mashtrime e suksese të rreme. Zonja kushërirë (Harito), nëse lexon me vëmendje raportin do të krijohet mundësia ta shohësh të zbërthyer raportin, por ti s’di ta lexosh atë. S’është faji i raportit, faji është se nuk dini ta lexoni. Rrini diskutoni u hapën apo nuk u hapën negociatat. Sigurisht që do të hapen, por në kushte të plota, të cilat nuk janë plotësuar. Ndaj hajdeni të plotësojmë kushtet, lërini sukseset imagjinare, lëreni këtë koprolali dhe llogore të neveritshme dhe të ulemi e të bëhemi seriozë.
Pse e telefonoi bota Bashën më 21 korrik? S’ka ndodhur kurrë që lideri i opozitës të marrë telefonata në një ditë e të Europës dhe botës. Pse i mori? I mori se shpëtoi reformën nga kthetrat tuaja. I mori jo se e votoi, por se e shpëtoi reformën nga kthetrat tuaja. Ju doni Vetting me Shullazin, me Alket statutin. Po pse Vetting është ky? O shakaxhinj. Vettingun e kemi kërkuar ne jo ju, por s’kemi kërkuar Vetting për të bërë gjahun e shtrigave siç doni ta bëni ju.
Pra, hajdeni të bëjmë Reformën e Drejtësisë, hajdeni ta vazhdojmë, por jo për ta kapur. Sillni këtu ligjin për Ushtrinë, duke mashtruar. A mund të ndodhë në një vend të lirë demokratik që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Trafiku, i dekretuar me Kushtetutë nga Presidenti i Republikës, komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të mos pranojë t’i dërgojë në tri vite një informacion të vetëm komandantit. Ju jeni racë e veçantë, racë e neveritshme.
Njeriu që e shndërroi Shqipërinë në aerodrome ilegale, njeriu që vuri në dispozicion instalimet ushtarake për drogën, qendrën e kontrollit të detit.
Zotërinj deputetë (i drejtohet Dogjanit), personave që heqin fytyrën dhe përdoren si leckë nga kryekumbara mos u kushtoni asnjë vëmendje. Me kaq unë e mbyll fjalën time, urdhëro zotëri, nuk të dëgjon njeri Shals.

Zhduken 40 mijë ton naftë

Ish-Kryeministri ka denoncuar aferën tjetër të naftës mes Ramës dhe ortakut të tij Besnik Sula. Bëhet fjalë për 40 mijë ton naftë që rezultojnë të zhdukur, ndërsa ka kujtuar edhe thyerjen e moratoriumit të prerjes së pyjeve në zonën e Librazhit, ku për çdo ditë priten me dhjetëra hektarë pyje.
“Një nga kriteret më themelore sot të BE është mbrojtja e mjedisit, sepse mjedisi është jeta. A dëgjoni ndonjëherë të flasin për mjedisin? A nuk e bënë këta moratoriumin e drurëve, e prerjes së drurit? Shkoni në rrugën në Librazhd. Çdo 10 min kalon një makinë me trungje. Për të gjitha taksën e merr Edi Rama me çakallin e tij të pafytyrë, me çakallin që e përdor si leckë për këpucët. A dëgjuat ju për moratoriumin për gjahun? Ja u kanë dyllosur çiftet gjahtarëve të ndershëm që prej vitesh e dekadash jetonin me gjahun. Dhe kanë dyfishuar çiftet e nomenklaturës së tyre të kalbur socialiste, që vjedh nga mëngjesi në darkë, plaçkit edhe copëza toke, ku mundet e ku s’mundet. Do që të prishë në Himarë shtëpi mbi 300-vjeçare dhe nuk prish pallatet e Koços, që janë dy monstra, dy përbindësh që i kanë zënë detin Himarës, sepse është aksioner. Del dhe flet këtu për naftën, ndërkohë që mafia e naftës bën ligjin në Shqipëri, që kur e mori me Besnik Sulën. A e dini ju që janë zhdukur mbi 40 mijë tonë naftë dhe ky zotëria jep porosi që të mos flitet për këtë? Këta mashtrues ordinerë që përdorin këtë platformë për të lëshuar gënjeshtra dhe mashtrime për qytetarët të pafajshëm shqiptarë. Dalin e flasin se mblodhën të ardhurat. Çfarë mblodhët? Duke rritur taksat 50%, kanë mbledhur në 4 vite, 4 herë më pak nga ç’kemi mbledhur ne me uljen e taksave mbi 50%. Dallimi është i madh shumë. Se ato para që u mblodhën me ulje taksash shkuan jo vetëm në buxhet, por edhe biznesit i vilet shumë më tepër, kurse këta vjedhin e vjedhin çdo gjë, natën, ditën, në çdo tender e gjithçka tjetër”, tha Berisha.

Lidhjet e Ramës me kompaninë serbe

Linja e Interkonjeksionit mes Tiranës dhe Prishtinës është bllokuar nga një komani serbe në lidhje direkte me Ramën. Ky është denoncimi i bërë dje në Parlament nga Berisha.
“A e dini që ERE ka anuluar me urdhër tenderin e kumbarit Rama me kompaninë serbe? Kurse Rama urdhëron veglën e tij dhe i jep një llokmë të madhe pa tender dhe pasi ia jep asaj, bën me 1/3-ën e sasisë një tender me 5 kompani të tjera. A i pagoi kjo kompani ekspozitën në Beograd apo e bleu me dhurata të tjera? Një gjë është e sigurtë, se ajo është famoze në korrupsion. Dhe druaj se kjo është kompania nr. 1 që bllokon linjën Tiranë-Prishtinë dhe këtu Edi Rama është në tavë me këtë kompani. Kur Enti Rregullator i Energjisë urdhëron anulimin si të paligjshëm të tenderit, s’ishte tender, por dhënie gratis dhe këta vazhdojnë si pa të keq, sigurisht që këtu Rama është skllav i kompanisë serbe, e njohur kjo për korrupsion të politikanëve në Serbi dhe vende të tjera”.
Berisha ka paraljamëruar se rrëzimi i qeverisë do të jetë i shpejtë dhe se ditët e saj janë të numëruara.
“Më thatë se pse i quaj kumbarë dhe ndrikulla. Po çfarë mund t’i quaj ndryshe unë këta që shesin çdo interes për xhepat e tyre. A mund të veprohet siç veprojnë këta njerëz? Një njeri që del dhe bërtet e mashtron nga mëngjesi deri në darkë për suksese imagjinare në një kohë kur të gjitha janë dështime të plota. Çdo gënjeshtër e juaja, një nga një po del në dritën e diellit. Të jeni të sigurtë që i keni kohërat shumë të numëruara, keni marrë fund!”, tha Berisha.

Bushati, i kapur në bordello burrash

Ish-Kryeministri ka akuzuar direkt Ramën si birin e skulptorit kriminel, i cili ka duart e lyera me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm, ndërsa ka denoncuar skandalin e ministrit të Jashtëm Bushati të kapur në bordello burrash.
“Lidhur me problemin e fundit, i them Edi Ramës të mos shërbehet me njerëz, të cilët i depersonalizon, i shpërfytyron, i degjeneron dhe degradon në shkallën më ekstreme në radhë të parë para vetes së tyre, para familjarëve më të afërt të tyre, para miqve e kolegëve, para zgjedhësve të Shqipërisë. Shërbeu sa të duash, por ata janë simboli i fytyrës tënde. Unë nuk them se janë të pafajshëm, jo nuk janë. Ata janë skllevër të rekrutuar. Por e vërteta është se faqja e zezë të mbetet ty, kur i detyron ata mjeranë të shpërfytyrohen dhe të gënjejnë në mënyrë të përsëritur para kamerave. E çon ministrin e Jashtëm në Brazil dhe shtypi i botës thotë se shkoi në bordello burrash dhe nuk e përgënjeshtron dhe nuk e hedh në gjyq…. Po ju s’keni as dinjitet individual dhe asgjë tjetër. Po për cilin ministër është thënë kjo? Ja u tha opozita këtë? Ja u tha bota more, e keni shkrimin që është qarkulluar në çdo kancelari të botës kudo që shkon. Nuk e shkruan dot opozita një shkrim të tillë. Absolutisht ja kanë shkruajtur ata që e kanë fotografuar, ata që e kanë faktuar. Po pse nuk del ta hedhë në gjyq autorin ky (Bushati)? Apo ja nxjerr fotot dhe videon pastaj? Çdo njeri, kudo që të ndodhë ka të drejtë të hapë gjyqe. Edhe Brazili ka një sistem gjyqësor të jashtëzakonshëm. Kanë kryqëzuar presidentin ata”, tha Berisha.
Për Berishën, Rama i ka pushkatuar për së dytë martirët e kombit, duke i kujtuar një zhgarravinë të postuar në rrjetet sociale prej tij. “Me një shkarravinë që ke shpërndarë, duke u vendosur yllin në ballë martirëve të kombit, i ke pushkatuar për së dyti ata. Turp i madh! Tregove që je besnik i xhelatëve të tyre, sepse ata vërtet ranë në luftë me nazistët, por për së dyti ata, idealin e tyre e ekzekutoi Enver Hoxha. Ti që e ke quajtur gjakun e tyre si gjak të rremë në themel të kolltuqeve, në faqen 7 të “Refleksione”-ve të tua, ti tani në vend të një ndjese publike, se ai është gjak i shenjtë jo gjak i rremë, ai që bie për atdhe atij i shenjtërohet gjaku. Yllin e kuq nuk ja u dha nëna dhe babai vet. Yllin e kuq ja u dha Enver Hoxha, kryekrimineli i të gjithë historisë kombëtare të shqiptarëve. Dhe ti ja u rivendos yllin e kuq pas 25 vitesh që e kemi hequr. Ti, atyre që ja u quan gjakun e rremë, tani na del në emër të babait tënd, skulptorit kriminel Kristaq Rama dhe kryexhelatit Enver Hoxha, gjete këto ditë t’ja u rikthesh yllin në ballë.  Ata kanë përjetësinë kurse ylli ka shkuar në koshin e plehrave të historisë së bashku me ata, të cilët e sollën në Shqipëri”, tha Berisha.

Impianti i djegies së plehrave në Elbasan, përplasje në Këshillin Bashkiak

Impianti i djegies së plehrave ka shkaktuar debate në Këshillin Bashkiak të Elbasanit. Sipas kryetarit të këshilltarëve të djathtë, Blendi Himçi nuk ka asnjë informacion në lidhje me inceneratorin, se nga do të vijë, cila do të jetë norma e shkarkimit të gazrave në atmosferë, etj. Ai tha se, ky incenerator rrezikon t’i kthejë Elbasanit Metalurgjikun e dikurshëm. Kryetari i Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi ka sulmuar direkt qeverinë dhe pushtetin vendor lidhur me këtë impiant. Ai e ka cilësuar këtë aferë si një “Çernobil” në kurriz të qytetarëve elbasanas. Por Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini i cilësoi gjithë akuzat si të motivuara politikisht duke ndërtuar një opinion negativ me investimin gjigant që u bë me fushën e vjetër dhe me fushën e re të plehrave. Ai është treguar i gatshëm për ndërmjetësimin e një interpelancë transparence në këshill të përfaqësuesve të firmës dhe Ministrisë së Mjedisit.
Kundër ndërtimit të impiantit të djegies së plehrave ka dalë edhe Shoqëria Civile në Elbasan. Një organizim, “Të rinjtë kundër plehrave” i krijuar rishtas si përfaqësues të Shoqërisë Civile në Elbasan, kanë iniciuar kundërshtimin e ndërtimit të inceretorit të djegies së mbeturinave në këtë qytet. Në një deklaratë për shtyp ata u shprehën se, grupimi ka për qëllim që të sensibilizojë qytetarët e Elbasanit për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të djegies së plehrave në këtë qytet. Sipas tyre, ndërtimi i inceretorit në një zonë të populluar dhe ku mungon transparenca e plotë nënkupton se për qytetarët e Elbasanit po krijohet një vatër e re e helmit nga plehrat.
Të rinjtë shprehen se, kanë përshëndetur lëvizjen e fushës së vjetër të plehrave. Por sipas tyre, kjo nuk e justifikon që nga një tym kancerogjen që dilte në gjendje të lirë, që kalon një formë më të sofistikuar, në një tym të kontrolluar që del në oxhak. Kjo, sipas tyre, është ndotja e sofistikuar që pret banorët e këtij qyteti, që kanë vuajtur për dekada me radhë tymin e Metalurgjikut, por që është akoma më i rrezikshëm se tymi i oxhaqeve të tij.
Grupimi ka paralajmëruar një valë protestash e para e të cilave do të zhvillohet më 3 dhjetor para Prefekturës Elbasan, ku pritet të mbështetet pasivisht nga qytetarët elbasanas. Bëhet e ditur se, qindra qytetarë janë solidarizuar me inciativën e të rinjve për të protestuar kundër fabrikës së djegies së plehrave.

Skandali në maternitetin e Vlorës, humb foshnjën për mjekim të gabuar

Emisioni “Stop” që transmetohet në Televizionin “Klan”, ka trajtuar rastin e një qytetareje nga Vlora, e cila rreth një vit më parë ka humbur foshnjën në javën e 39-40 të shtatzënisë. Qytetarja Marsela Zako denoncon në “Stop”, se për shkak të neglizhencës në mjekim nga ana e mjekëve, fëmija i parë i saj, ka humbur jetën në maternitetin e Vlorës. Ajo ka kërkuar të bëjë një eko, por mjekët i kanë thënë se nuk është e nevojshme, duke i bërë vetëm vizita të thjeshta dhe matje trupore.
“Jam Marsela Zako. Në datën 26 janar të vitit 2015 kam qenë në javën e 39-40 të shtatzënisë time dhe prisja fëmijën e parë. Jam drejtuar Spitalit Rajonal Vlorë. Aty më kanë pritur dy mjekët Marie Taboraj dhe Remzi Haxhiu. Kur kam kërkuar që të bëja një eko, ata më kanë thënë që nuk është e nevojshme. Më kanë bërë vetëm vizitat dhe matjen e peshës trupore. Në momentin që është mbledhur konsulta, askush nuk vendosi që unë të bëja operacionin çezarian, ndërkohë që duhet t’a kisha bërë sapo isha shtruar. Edhe të rrahurat e bebit janë ndjekur jo në frekuencën e duhur dhe kohën e duhur, por me vonesa. Mamia ka qenë ajo që ka konstatuar mos rrahjen e zemrës së bebit dhe ka lajmëruar mjekët. Kur kanë ardhur mjekët kanë parë, që bebi kishte vdekur në bark. Shkaku i vdekjes, pretendojnë mjekët, ka qenë kordoni i rrethuar rreth qafës së bebit dhe trupit të tij. E gjitha kjo ka ardhur për faj të mjekëve, për një mjekim të pakujdesshëm dhe një neglizhencë nga të gjithë. Unë kërkoj që të vihet një drejtësi, jo vetëm nga spitali, por edhe nga Prokuroria, e cila po e mban pezull çështjen nuk po e kalon për në Gjykatë”, thuhet në denoncimin e qytetares.
Pas kësaj fatkeqësie, zonja ka denoncuar rastin në Prokurorinë e rrethit. Mjekimi i pakujdesshëm i bluzave të bardha të maternitetit të Vlorës, ka qenë një nga shkaqet kryesore, që i ka marrë jetën foshnjës së Marsela Zakos, por prokurori Saimir Smaka kërkon riekspertim të rastit. Në bazë të një ekspertize mjekoligjore thuhet se:
“Gjatë pritjes dhe trajtimit mjekësor të shtetases Marsela Zako, (nënë e bebes së vdekur në barkun e saj) vërehen elementë të mjekimit të pakujdesshëm, të formës së “nënvlerësimit” nga ana e stafit mjekësor, që ka asistuar në lindjen e foshnjës së vdekur, ku konstatojmë: moskryerjen e ekzaminimit ekografik në momentin e paraqitjes së Marsela Zako, në shtëpinë e lindjes dhe mos konstatimin e kordonit përreth qafës së bebit; mos ndjekja e dinamikës së frekuencës së RZF, ku do të evidentohej në kohë vuajtja fatale, e cila do të sillte marrjen në kohë të masave të nevojshme mjekësore dhe jo në aplikimin e gabuar të uterotonikëve, të cilët e thelluan gjendjen e vuajtjes së bebit dhe në mos evidentimin në momentin e shtrimit të disproporcionit feto – pelvik, por me shumë vonesë kur është konstatuar vdekja e bebit, masa të nevojshme këto, të cilat do të ndikonin qysh në momentin e shtrimit të ndërhyrjes “sectio cezarea”; mos aplikimin e uterotonikëve dhe parandalimin e pasojës së ardhur për vdekjen e fëmijës në barkun e nënës”.
Më pas, gazetarja është drejtuar drejt Prokurorisë së Vlorës për të marrë një shpjegim më të detajuar në lidhje me problemin në fjalë, por ky institucion i kishte dyert e mbyllura. Dosja ka zënë pluhur, duke e mbajtur peng prokurori Saimir Smaka, pa e çuar atë në Gjykatë, por investigimet e emisionit “Stop” nuk mbyllen me kaq, ato do të vazhdojnë deri në momentin, që kjo dosje të shkojë në Gjykatë.

Plehrat, 20 milionë euro për impiantin e vdekjes në Fier

Ish-Kryeministri Berisha vlerësoi dje në Parlament protestat e qytetarëve kundër importit të plehrave, ndërsa i bëri apel shoqërisë që të mos lejojë instalimin e mafies së plehrave. “Protestuesit zbardhën një natë në të ftohtë për të bërë një thirrje, një apel e një kushtrim mbarë qytetarëve të vendit: të mbrojmë shëndetin dhe jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, të mos pranojmë që kjo qeveri, për lidhjet e saj të dokumentuara mafioze, të cilat i paraqita para një jave me dokumente, me mafien italiane të shndërrojë Shqipërinë në megapellgun e plehrave të Italisë dhe më gjerë.
Politika e shndërrimit të Shqipërisë në megapellgun e plehrave është një politikë jashtëzakonisht e rrezikshme që kërcënon në mënyrë thelbësore jetën e shqiptarëve. Dhe marrëveshja e importit të plehrave, futja në trajtimin e plehrave të Tiranës të kompanive të Ndraghetës janë vetëm disa aspekte. Aspekte të tjera po kaq makabre zhvillohen në heshtje, në sekret njësoj si në shpellat mafioze në këtë qeveri”, tha Berisha.
Ai ka denoncuar aferën e pistë dhe korruptive të inceleratorit të Fierit, një aferë që kap shifrën e 20 milionë eurove dhe rezulton se do të paguhet me paratë e shqiptarëve, ndërsa efektet e tij do të jenë vrastare për banorët e zonës për shkak të sëmundjeve që do të përçojë tek njerëzit.
“Çfarë ndodh me inceleratorët? Shkoni në Fier. Pa pyetur asnjëri, në Mbrostar kërkojnë t’u bëjnë gjëmën, t’u kallin datën. A e dini si është bërë tenderi i inceleratorit në Fier? Nëse keni ndjenjat më minimale njerëzore për fëmijët e Fierit, ju o deputetë socialistë merreni e shiheni tenderin se si është bërë, si është hapur. Tenderi është hapur se kush do të ndërtojë inceleratorin, pa asnjë lloj kushti. Çfarë po ndodh tani? Tani inceleratorët e përdorur për 30-40 vite, që të gjitha, teknologjitë më të reja të djegies, të cilat janë në përdorim, i kanë nxjerrë jashtë përdorimi, i kanë nxjerrë në skrap. Ky skrap po vjen falas në Shqipëri dhe tenderi prej 20 mln eurosh, i shpallur si fond për inceleratorin është shpallur 20 milionë vjedhje, se atë ta bëjnë dhuratë falas dhe të tillë në Europë ka me dhjetëra sot. Po ne duhet të vjedhim 20 milionë dollarë nga buxheti, për të blerë një të tillë për privatin. A ka kufi, a ka normë dhe etikë ky njeri që s’bën asgjë tjetër veçse pasurimin e tij? Ky njeri, i cili nga mëngjesi deri në darkë përdor mediat dhe mendon se me koprolalinë dhe llogorenë e tij të neveritshme do të mund të mbulojë këto vjedhje monstruoze. Me shifrat që shpik, me elif matrakë mendon se do të mund të gënjejë shqiptarë”, tha Berisha.

Nushit, koncesioni tjetër 5 milionë euro i laboratorëve

Ish-Kryeministri ka paralajmëruar se beteja me fondet e vjedhura të check up-it do të jetë një betejë për jetë a vdekje. Bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro që ndahen mes Ramës, Beqes e Vilma Nushit në bazë të listave false të individëve që rezultojnë të kenë kryer check up-in, por që nuk bëhen publike.
“Regjistrimet tregojnë 19 mijë qytetarë, të cilët u shpallën se u janë bëra analizat, check up, ishin të vdekur. A e kuptoni që karriget tuaja qëndrojnë mbi mashtrimet mbi të vdekurit, mbi përdhosjen e tyre? Përdorni edhe të vdekurit për të vjedhur. 19 mijë të vdekur në regjistrat e ndrikullës vampire, që me kushërirën vampire pijnë gjakun e të sëmurëve shqiptarë. 150 mijë të tjerë s’kanë bërë kurrë check up.
Sot për çdo shqiptar shpenzimet për shëndetësinë janë më të ulëta se 15-20 vitet e fundit. Nga 250 dollarë që janë, 130 dollarë janë të qytetarit në buxhet, kurse këto të buxhetit i merr ndrikull Nushi e kumbar Rama dhe mbushin regjistrat me emra të vdekurish. Tani dalin e thonë se nuk e japin regjistrin.
Unë ja u them këtu se, kjo do të jetë një çështje beteje për jetë a vdekje. Mos mendoni se mund të mbani të dhënat, se në mënyrë absolute tolerancë zero do të ketë nga opozita nëse ju guxoni të mendoni të fshihni të dhënat, kaq ju them, provojeni. Se na ka nxjerrë atë perversin që i futën kallëpin te Kryeministria dhe thotë janë të dhëna personale, domethënë të vjedhin për të dhëna personale. Unë i them Kuvendit që ta garantojë funksionimin normal, përndryshe do të marrim qëndrimet më të merituara ndaj këtij qëndrimi”, tha Berisha.

Afera e re me laboratorët

Ish-Kryeministri Berisha ka denonduar se pas një koncesioni tjetër që parashikohet të jepet gjatë ditëve të ardhshme qëndron sërish Vilma Nushi. “Ju po vidhni haptaz, por fshehje vjedhjesh ne nuk u lejojmë. Tani kaluat tek analizat. U premtuat shqiptarëve se do të kemi shërbim shëndetësor falas. Sot shërbimi shëndetësor është më i kushtueshëm se kurrë në Shqipëri. Sot 50% e shërbimeve janë pagesa direkte të qytetarëve shqiptarëve. Sot jo vetëm që nuk u hoqën sigurimet shoqërore, sikurse premtuat ju, por ato mbetën siç ishin me tendencë për rritje. Dhe tani, një vjedhje e paimagjinueshme.
Një muratori i dhatë sterilizimin!
Një magaziniereje apo ndrikull Nushit doni t’i jepni laboratorët! Nuk gënjehen shqiptarët, lëreni ç’thotë ky, se Rama është nastradin, nuk ka respekt për veten e tij, kujton se duke shqipëruar në çdo fjali një gënjeshtër kujton se kalon lumin.
Ka tre ditë që rreh gjoksin për partneritetin publik privat në shëndetësi. Do t’i them njeriut që është tmerrësisht deficitar se kur erdhëm në pushtet, në Shqipëri merrnin shërbimin e dializës vetëm 46 qytetarë. Të tjerët ose gjenin mik dhe mundësi në Janinë ose në Strugë ose vdisnin. Nuk kishin ata asgjë tjetër! Nga 46, numri i të sëmurëve që morën shërbimin e hemodializës, pas firmosjes së partneritetit publik privat arriti në 640!
Mirëpo njeriu as nuk skuqet e as nuk zverdhet! Se e di që këtu nuk ja pret kush fjalën dhe vazhdon. Ne e shpikëm këtë thotë. Që ta dini ju, me të njëjtin çmim e bënte kompania, por e bënte në lokalet e veta. Tani e bën me të njëjtin çmim, por në lokalet e shtetit! Pra, të paktën aq sa është qiraja, 25% më shtrenjtë. Apo doni ta kapërceni me mashtrime këtë, doni t’i kapërceni dështimet me mashtrime?”, tha Berisha.
Duke kundërshtuar dhënien me koncesion të laboratorëve, Berisha tha se nuk ka asnjë vend në botë që këtë shërbim ta japë me Partneritet Publik Privat. “Nuk ka asnjë në botë që shërbimin qendror të laboratorëve ta privatizojë. Nuk është se janë në nivelin më të lartë, por duhet të dini se në fushën e laboratorëve, në aparatura, në specialistë, në kualifikime janë investuar dhjetëra e miliona USD. Kam respektin më të madh për shërbimet private në spitalet private, por i garantoj qytetarët se laboratorët shtetërorë janë laboratorë seriozë, drejtohen nga njerëz seriozë, nga laborante serioze, të cilat nuk kanë asnjë lloj interesi tjetër përveç saktësisë, nuk kanë interes për të regjistruar analiza falso, nuk bëjnë check up-e falso, kanë interes vetëm reputacionin dhe ndihmën e të sëmurit.
Por Partneritetin Publik Privat në laborator, përveç disa vendeve në Afrikë, e futi në një spital të vetëm dhe Britania e Madhe, në një spital të vetëm në Shën Thomas. Lexoni pak ‘The Guardian’ çfarë thotë për këtë. 400 incidente janë bërë. Dështim i plotë thotë! Po ç’na duhet neve? Neve na duhet të vjedhim!
Në 8 vite qeverisje ka patur vetëm një koncesion, në të cilën buxheti juaj kalonte për shërbim privat dhe kjo ka qenë hemodializa dhe asnjë tjetër. Kurse deri sot janë mbi 2 miliardë euro borxhe dhjetë vjeçare të buxheteve tuaja. Në një vit 19 të vdekur, prisni ju në vitet e ardhshme. Të gjitha do të jenë shpenzime për ata që s’janë më ose gjysma e tyre. Po pse? Sepse paguajnë ministrin, paguajnë kryekumbarin dhe kaq është e gjithë puna.
Tani na nxjerrin argumentin se këta na bëkan 70 e ca analiza kundrejt pafundësisë që bën privati. Unë këtu do të sqaroj dy gjëra. Së pari, analizat sot, po bleve mjetet më moderne, i bën pafundësisht sa të duash. Po së dyti, në rast se zemra ka 200 tregues të punës së saj dhe në vendet më të avancuara nuk përdoren më shumë se 20-30 prej tyre. Të tjerat janë teorike dhe i përdorin ata, të cilët bëjnë studime thelbësore të avancuara, por jo praktika e përgjithshme mjekësore. Ju doni të fusni paratë në këto. Ta dini mirë se kurrë s’do të pranohet një gjë e tillë. Vjedhje dhe vetëm vjedhje”, tha Berisha.

“Të mallkuarit” e Gaddafit

Giampaolo Rossi
Dikur ishte mallkimi i Tutankamhon ose të paktën kështu kanë besuar gjenerata të tëra njerëzish të apasionuar pas misterit. Mallkimi godiste ata që në njëfarë mënyre ishin të lidhur me ekspeditën e drejtuar nga Hauard Karter, që më 1922 gjeti mumjen e Faraonit të famshëm, që u bë më i famshëm në kohën tonë se në kohën e tij, pasi qeverisi për shumë pak vjet.
Në të vërtetë faraonët dashuronin të dërgonin mallkime për këdo që ndërpriste gjumin e tyre të përjetshëm, qofshin këta hajdutë apo arkeologë, profanë apo thjesht aventurierë.
Historia e mallkimit të Tutankamhonit është sigurisht thjesht një legjendë, si shumë të tjera, ndërtuar nga novelisti Sir Arthur Conan Doyle që krijoi edhe të famshmin Sherlock Holmes.
Por për ata që nuk besojnë te mallkimet, nuk mund të mos vëmë re që një zinxhir i zi po lëviz në vitet e fundit, duke goditur këdo që ka përgjegjësi lidhur me një ndër krimet më të këqija të kryera vitet e fundit.

Një zinxhir i zi?
Me humbjen e Sarkozy në zgjedhjet e fundit në Francë dhe tërheqjen poshtëruese nga politika, pas zhytjes së Clinton në zgjedhjet në Amerikë, shtuar këtu edhe largimin e turpshëm nga politika të David Cameron, vihet re një fenomen që është pak ta quash rastësi. Duket se të gjithë organizatorët e luftës në Libi i ka zënë “mallkimi Gaddafi”.
Ata që falë egoizmit, interesave, idiotësisë dhe makutërisë u bënë bashkëpunëtorë në dramën më të madhe në botë dhe i hapën rrugë shpërbërjes së Lindjes së Mesme dhe dramës së emigrantëve, luftërat humanitare jashtë çdo humanizmi, terrorizmit islamik dhe vdekjes së shumë të pafajshmëve.
Nëse Conan Doyle do të ishte gjallë, me siguri që do të fliste për “Mallkimin Gaddafi”, që zuri gjithë ata që vendosën ta hiqnin qafe duke shkelur çdo të drejtë ndërkombëtare. Jo sepse Gaddafi ishte ndonjë shenjtor, përkundrazi, por është një fakt që lideri libian pas 11 shtatorit ishte ripozicionuar në planin ndërkombëtar duke braktisur terrorizmin dhe duke u bërë një aleat i fuqishëm i vendeve perëndimore. Aq sa shërbimet sekrete britanike bashkëpunonin me policinë libiane për marrjen në pyetje të terroristëve dhe xhihadistëve, sipas një marrëveshjeje që nuk u zbulua kurrë.
Mbi luftën në Libi dhe falsitetet e ndërtuara për ta legjitimuar, është shkruajtur dhe folur shumë, si për shembull mbi faktin se Hillary Clinton manipuloi raportet e CIA-s për të mbuluar faktin e dukshëm se krimet bëheshin nga rebelët e mbështetur nga Uashingtoni dhe jo xhihadistët dhe terroristët, aq më pak besnikët e Gaddafit.
Parlamenti britanik gjithashtu njohu si fakt një sërë falsitetesh që u tregoi Sarkozy dhe Cameron, për të justifikuar qëllimin e luftës në Libi. Pamë dhe zgërdheshjen e Hillary Clinton kur mori vesh për vrasjen e Geddafit. Një demonstrim se sadizmi nuk u përket vetëm diktatorëve të pamëshirshëm.
Sot, tre të “mallkuarit” janë përjashtuar nga historia. David Cameron mund ta shihni rrugëve duke ngrënë sanduiç. Clinton është fshehur nga bota pas humbjes së turpshme përballë Trump. Ndërsa Sarkozy u largua me “bisht ndër shalë” pas humbjes turpëruese brenda partisë së tij.
Të tre patën sigurisht një fat më të mirë se diktatori Gaddafi dhe në fund është njëfarë kompensimi, pasi sado negativë që kanë qenë si personazhe, as nuk mund të krahasoheshin me gjakatarin Gaddafi, përgjegjës për krime të panumërta.
Megjithatë ajo luftë kriminale që kanë zhvilluar dhe kanë dashur me çdo kusht, shenjon pikët e moskthimit të një Perëndimi të çmendur që përshpejtoi kaosin në Lindjen e Mesme duke lindur kështu Pranvera të shumta Arabe dhe lufta humanitare.
Ndoshta kjo edhe mund të thotë, se në fund të fundit, ekziston një drejtësi në histori!

Forcat irakiane dëbojnë IS-in nga tri lagje të Mosulit

Forcat irakiane kanë marrë nën kontroll tri lagje të tjera nga militantët Shteti Islamik në qytetin Mosul, i tha agjencisë së lajmeve “AP”, një komandant i trupave.
Haider Fadhil tha se trupat e tij kanë larguar militantët e IS nga lagjet Amn, Qahira dhe Apartamenti i Gjelbër dhe po e shtrijnë praninë e tyre në qarkun e populluar Zohour.
Lagjet ndodhen në sektorin lindor të Mosulit, në lindje të lumit Tigër, ku shumica e luftimeve janë zhvilluar, që prej nisjes së ofensivës së qeverisë për të rimarrë Mosulin, më 17 tetor.
Fushata për çlirimin e Mosulit është operacioni më i madh në Irak që prej largimit të trupave amerikane në vitin 2011.
Ofensiva është kryer nga forcat qeveritare irakiane – së bashku me luftëtarët fisnorë sunni, luftëtarët peshmerga dhe grupet e milicisë shiite – si dhe janë përkrahur nga fushata ajrore e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja.
Grupi ekstremist IS mori zaptoi Mosulin, qytetin e dytë më të madh të Irakut, në verë të vitit 2014.

PE voton për ndërprerjen e bisedimeve me Turqinë

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian kanë votuar për pezullimin e bisedimeve të anëtarësimit me Turqinë.
Veprimi shihet si ndëshkim për përndjekjen që po u bëjnë autoritetet turke rivalëve politikë të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën jodetyruese, duke i kërkuar BE-së që “të fillojë një ngrirje të përkohshme të bisedimeve me Ankaranë” derisa “masat joproporcionale, nën gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi, të mos hiqen”.
Votimi nuk bart pasoja të menjëhershme, por nënvizon rritjen e shqetësimit në Evropë për veprimet e Erdoganit, pas përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në muajin korrik.
Pas kësaj përpjekjeje, Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar arrestime masive të ushtarëve, gjykatësve, mësimdhënësve dhe gazetarëve.
Të mërkurën, Erdogan ka thënë se rezultati i votimit në Parlamentin Evropian “nuk ka asnjë vlerë në sytë” e Turqisë.

Trump tërheq disa nga premtimet e forta elektorale

Presidenti i zgjedhur po përballet me pyetjen nëse ai mund të drejtojë njëkohësisht si vendin ashtu edhe biznesin e tij multimiliardësh në fushën e pasurive të paluajtshme.
Zoti Trump i tha shtypit se në teori ai mund t’i bëjë të dyja “mund të drejtojë biznesin dhe vendin, në mënyrë perfekte”.
Por sipas zotit Trump, megjithëse ligji është në krah të tij, “një president nuk mund të ketë asnjë konflikt interesi dhe për këtë arsye ai po kalon bizneset në emër të fëmijëve të tij”.
Sprapsja e zotit Trump prej disa prej premtimeve më të forta të fushatës mund të zhgënjejë shumë prej mbështetësve të tij që duan të shohin zonjën Klinton në burg. Jashtë axhende është edhe çështja e reduktimit të emetimit në ajër të gazit karbonik.
Por zoti Trump ka premtuar se do të jetë një president për të gjithë.
Presidenti Barak Obama tha se pasuesi i tij do të kuptojë se qëndron një diferencë e madhe mes retorikës në fushatë dhe realitetit në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Zoti Trump do të marrë fuqi të plotë më 20 janar, ditë kur zoti Obama do të lërë detyrën.

Ndryshimet klimatike
Zoti Trump, i cili më parë e kishte cilësuar problemin e ngrohjes globale “një shaka prodhimi kinez”, duket se gjithashtu është sprapsur prej kërcënimeve për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimaterike.
Zoti Trump i tha gazetës prestigjioze amerikane “New York Times” se, “ajri i pastër është jetik” dhe se ai beson se “ka një lidhje mes ndryshimeve që po pëson klima dhe aktivitetit njerëzor”.
“Po e shoh me kujdes! Jam me mendje të hapur përsa i takon marrëveshjes”, tha zoti Trump.
Multimiliarderi i pasurive të paluajtshme dhe personazhi i rëndësishëm televiziv është tërhequr edhe prej qëndrimit për të torturuar të dyshuarit për terrorizëm. Ai tha se ndryshoi mendje pasi u takua me gjeneralin në pension, dikur pjesë e trupave të Marinës amerikane, James Mattis, kandidati kryesor për pozicionin e sekretarit të Mbrojtjes.
Zoti Trump tha se gjenerali Mattis nuk ka menduar kurrë se teknikat e ashpra të marrjes në pyetje “janë të dobishme”. Ai shtoi se gjenerali preferon të ndërtojë besim tek ata që pyeten duke i ofruar “një paketë cigaresh dhe birrë”.
Zoti Trump u pyet edhe lidhur me thirrjet e bëra publike të një grupi nacionalistësh të bardhë që përshëndesnin presidentin e zgjedhur amerikan sikurse përshëndetej Hitleri prej nazistëve gjermanë në shenjë nderimi, “Hail Trump”(Hail Hitler).
Presidenti i zgjedhur tha se i “refuzon dhe i dënon thirrjet e kësaj natyre”.
“Ky nuk është nga ata grupe që unë kërkoj t’u jap mbështetje”, tha zoti Trump. Por ai doli në mbrojtje të të përzgjedhurit të tij si këshilltar kryesor Steve Bannon, drejtues i së djathtës ekstreme në Amerikë.
Zoti Banno është akuzuar si racist, seksist dhe antisemitist gjatë kohës që drejtonte këtë grupim.
“Nëse do të mendoja se është racist nuk do ta bëja pjesë të kabinetit tim”, tha Trump.

Emrat që mund të trondisin Europën

Gazetari Andrew Marr u detyrua të mbrojë vendimin e transmetimit të një interviste në “BBC”, me djathtisten franceze, Marine le Pen. Kritikët thanë se me këtë u fyen ata që ranë në luftë kundër fashizmit. Por, Marr u shpreh se Le Pen mund të jetë një nga sfidat më të mëdha të sigurisë perëndimore. “Daily Mail” ofron një pasqyrë të politikanëve të diskutueshëm evropianë, që në vitet e ardhshme mund të bëhen presidentë e ta tronditin Evropën.

Marine le Pen (Francë):
“Në rrethana të caktuara, mund të bëhet presidente e Francës. Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, tha se bota ka ndryshuar dhe se po vjen koha e saj”, ka thënë gazetari i “BBC”-së për Le Penin. Djathtistja franceze ia ka uruar fitoren Trumpit duke thënë se fitorja e saj në zgjedhjet presidenciale franceze do të jetë një hap tjetër në “revolucionin botëror”. E trimëruar nga Brexit-i, ka njoftuar se do të nisë referendumin francez për të braktisur BE-në.

Frauke Petry (Gjermani)
Politika e dyerve të hapura e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka ndikuar në rritjen e Alternativës për Gjermaninë, që udhëhiqet nga Frauke Petry, e që në anketa del si forca e tretë në vend. Plani i saj është për të ndaluar burkën dhe për të kufizuar numrin e azilkërkuesve në 200 mijë në vit. Petry – një nënë e katër fëmijëve – beson se policia duhet të ketë të drejtë për të shtënë tek emigrantët në kufi, ndërsa beson se Islami s’është në përputhje me Kushtetutën gjermane.

Andrej Babis (Çeki)
Partia e tij është në koalicionin në pushtet e ai është kryeministër. U pasurua me gjigantin petrokimik Agrofer, ndërsa sot është njeriu i dytë më i pasur në Republikën Çeke. Me Trumpin e lidh qëndrimi ndaj imigrantëve, ndërsa shpreson të bëhet president i shtetit më 2017.

Norbert Hofer (Austri)
Euroskeptiku Norbert Hofer vazhdon me tentimin e dytë për postin e presidentit austriak. Ai është mbështetës i politikave kundër emigrantëve, është shprehur se Islami nuk ka vend në Austri, ndërsa është kundërshtar i martesave të homoseksualëve.

Siv Jensen (Norvegji)
Është lidere e Partisë Progresive norvegjeze. Idhull e ka Margaret Thatcherin. Kundërshton islamizimin e Evropës, ndërsa është skeptike për marrëveshjet mbi ndryshimet klimatike, njëjtë si Donald Trumpi. Aktualisht është ministre e Financave, por shpreson në fuqi më të madhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Geert Wilders (Holandë)
Për shkak të një fjalimi të vitit 2014, në të cilin thotë se në vendin e tij ka shumë emigrantë nga Maroku, është në gjyq për nxitje të urrejtjes racore. Ky euroskeptik e ka krahasuar Kur’anin me “Mein Kampfin” e Hitlerit. Nuk e mbështet ndërtimin e xhamive të reja, ndërsa dëshiron të mbyllen ato ekzistuese e të ndalohet Kur’ani.

Beppe Grillo (Itali)
Ka thënë se fitorja e Donald Trumpit në SHBA është “fundi i një epoke”. Grillo është ish-komedian dhe Lëvizja e tij e Pesë Yjeve është opozita kryesore në Itali. Ai thotë se lufton establishmentet partiake, kundërshton reformat e kryeministrit Matteo Renzi, ndërsa thotë se nëse bëhet president, Italia do të votojë për qëndrimin në eurozonë.

Vojisllav Sheshel (Serbi)
Është themeluesi i Partisë Radikale serbe, ndërsa paralajmëroi kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të majit 2017. Radikalët e tij që dyshohen për krime lufte janë kundër integrimit evropian, janë prorusë, ndërsa në Parlament kanë 22 deputetë.